• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti  Washington dhe  Revolucioni Amerikan

February 11, 2025 by s p

Aristotel Mici/

Portret historik

Për gjithë meritat e tij prej strategu, ligjëvënësi, dhe udhëheqësi  visionar, Presidenti Washington  u quajt  që me gjalljen e tij “Ati i kombit të vet”

George Washington, Presidenti i parë i Amërikës, lindi më 22 shkurt të vitit 1732 në Mount Vernon, të Virginias . Prindërit e tij qenë latifondistë  të pasur që zotëronin plantacione të gjëra tokash. Kur ishte  njëmbëdhjetë vjeç i vdiq i ati . Atëherë ai u mbështet për ecurinë e tij  mësimore dhe educative tek i vëllai i madh (nga babai), Laurenci, i cili  ishte një oficer i kulturuar. George Washingtoni e kishte figurë ideale të vëllanë dhe e imitonte atë; ndiqte këshillat dhe mësimet e tij. Ai ishte krenar për të. Washingtoni  e kishte shpresë  të vëllanë, po ai nuk ishte mirë me shëndet se vuante nga tuberkulosi. Kur Laurenci do të shkonte në ishullin Barbados  (zona e Karaibeve)  për kurim klimatik, me 1751, Wahingtoni e shoqëroi atë, duke shpresuar ashtu se klima e  ngrohtë do t`ia  përmirësonte shëndetin. Po nuk qe fat. Laurenci vdiq një vit më vonë, me 1752.  Mbas kësaj  ngjarjeje të hidhur mbështetja kryesore e djaloshit të ri, do të bëhej e ëma., Mary Washington, që ishte një grua autoritare dhe serioze. Kur Washingtoni deshte të shkonte në shkollën e Marinës, ajo nuk ia aprovoi atë dëshirë. Dhe më vonë, kur  i biri, ëndërronte për të vajtur për studime në Angli, ajo përsëri u bë pengesë, duke i kujtuar fermën që duhej të administronte.  Sidoqoftë ai e bëri një shkollë.George Washingtoni ndoqi një  një kurs special në kolegjin shumë të njohur për atë kohë  “William and Mary”, që ndodhej në  Williamsburg  të Virginias.. Atje, në atë kolegj ai u diplomua si topograf dhe kontrollor tokash. Ndër kohë, qysh në rininë e parë, Washingtoni  po dallohej  edhe për aftësitë ushtarake. Në moshën  njëzet e një vjeçare  ai  fitoi gradën e majorit. Në praktikën e përditshme Washingtoni  po dukej gjithnjë e më shumë si një ushtarak i talentuar. Guvernmatori i Wirginias, i cili i kishte parë prirjet e tij , të shkathta prej oficeri, e  thirri dhe i tha se do ta bënte komandant të ushtrisë  për gjithë Virginian.  George Washington  e pranoi atë detyrë. Ishte viti 1755. Atëherë ai ishte vetëm 23 vjeç.

Më 1758 Washingtoni  njihet me një vejushe të re, Marta Kustis. Ajo ishte 25 vjeçe dhe kishte dy  fëmijë. Washingtoni ra në dashuri dhe  u martua me të.

Në atë kohë , në  mes të shekullit XVIII,  Anglia kishte  13 koloni në Amerikën e Veriut. Njerëzit që jetonin nëper koloni quheshin kolonistë. Ata përgjithesisht ishin  me origjinë angleze, irlandeze, holandeze, por kishte edhe nga nacionalitete të tjera.

Qeveritarët anglezë i detyronin  kolonistët (banorët e kolonive) të paguanin taksa të ndryshme. Ndërkohë kolonistët nuk kishin përfaqësitë e tyre në qeverisjen e vendit.  Kjo ishte një padrejtësi që kolonistët nuk po e duronin dot më. Mbreti  i Anglisë, George i Tretë, nuk po i  merrte parasysh kërkesat e kolonistëve. Ai  qe i vendosur që kolonistët t`i bindeshin dhe të paguanin taksa vazhdimisht pa kundershtim. Populli i të 13 Kolonive Britanike po zjente atëherë nga shpirti i  revoltës kundër sundimit shfrytëzues të Mbrtërsë së Anglisë. Gjithë banorët e kolonive po përqafonin gjithnjë e më shumë sloganin: “No taxation Without representatives”, që do të thoshte “jo taksa pa përfaqesuesit tanë”.

Ndërkohë, pas Paqes së Parisit të vitit 1763, në banorët e kolonive qe zgjuar edhe  ndjenja e kombëtarisë. Kolonistët kishin filluar ta quanin veten jo “englezë”, po “englezo-amerikanë, ose vetëm  amerikanë.   Ishte koha kur  qenë krijuar organizatat patriotike si  “The sons of Liberty” dhe  “Daughter of Liberty”,  kur po dalloheshin  mendimtarë e aktivistë të shquar si George Washingtoni, Patrik Henry,  Samuel Adams, John Adams,  Thomas Jefferson  e të tjerë. Në këtë kohë Patrik Henry do të deklaronte trimërisht në  sallën e përfaqësuesve të Virxhinias: “Give me liberty, or give me the death”  (më jepni vdekje , ose liri), e thënë  shkurt shqip, thirrje pwr “Liri a vdekje” 

Nga dita në ditë atmosfera revolucionare po bëhej  gjithnjë e më shpërthyese në të gjitha kolonitë Britanike  të Amerikës së Veriut. Shenja e parë e rëndësishme e stuhisë revolucionare  ishte Masakra e Bostonit, më 5 Mars,1770. Këtë ditë  mijëra  bostonianë dolën në revoltë popullore kundër  sundueve  anglezë. Ata ecnin duke hedhur parulla protestuese. Ushtarët britanikë, të pazotë për ta frenuar  turmën e revoltuar, hapën zjarr mbi  popull. Nga të shtënat u vranë pesë protestues dhe u plagosën me dhjetra të tjerë Kjo ngjarje e përgjakshme  bëri bujë dhe jehona  e saj u ndje në të gjitha kolonitë. Masakra e Bostonit  u bë preludi i  Revoilucionit Amerikan.

Me këte raast duhet të kujtojmë se ushtarët  që qëlluan me armë zjarri mbi demonstruesit, si edhe ata që dhanë urdhërin, u akuzuan dhe dolën para gjyqit. Qeveria  nuk ndërhyri te gjyqësori për këtë cështje; dhe e treta gjë, që  mbahet mend, është  se  avokati mbrojtës për të pandehurit, do të ishte  John Adams, një nga ideatorët e Revolucionit Amerikan, i cili do të  zgjidhej  pas Washingtonit,  Presisenti i Dytë  i Amerikës. 

 Tre vjet më vonë, më 16 Dhjetor, 1973, një grup patriotësh, të maskuar me veshje  si indianë indigjew, u futën në anijet e ngarkuara me  pako të medha çaji, të cilat i hodhën në det në gjirin e Bostonit . Për këtë aksion patriotik antiqeveritar, juristi John Adams, do të shprehej: “This is the most  magnificent movement of all”. (Kjo është  më  madhështore se të gjitha lëvizjet).

Pastaj, pas dy vjetësh, në  Prill 1775, shpërtheu beteja e Lexingtonit, që u bë fillimi i pandalshëm i revolucionit Amerikan që po ndizej në të gjitha kolonitë Britanike.

Atëherë, në këto rrethana  revolte dhe proteste masive, u mblodh në fshehtësi dhe në mënyrë shumë sekrete Kongresi Kontinental Amerikan, që filloi më 5 shtator 1774. Ky kongrese qysh në mbledhjen e tij të parë diskutoi  për çështjen e pavarësisë së kolonive, por ende nuk vendosi të shpallte menjë- herë luftë për independencë.  Megjithatë, kjo luftë dukej se ishte e pashmangëshme. Kolonistët tashmë e dinin se nuk   kishin ç` prisnin më nga Anglia. 

Në mbledhjen e tij të dytë, më 15 Qershor 1775, Kongresi Amerikan, duke shqyrtuar për  organizimin dhe drejtimin e një ushtrie, që të përballonte luftën me Mbretërinë e Anglisë, vendosi që të zgjidhte edhe komandantin e  përgjithshëm  të kësaj ushtrie. Kongresi aprovoi propozimin e juristit të njohur, John Adams, i cili sugjeroi që George Washingtoni të emërohej  komandant i përgjithshëm i ushtrisë Amerikane. Këtë detyrë ai e filloi  më  2 korrik  1775 në shtetin e Massachusettsit. Që këtej   Washingtoni do të niste marshimin e tij triumfal për Pavaresinë e Amerikës. Do të ishte ky komandanti  i famshëm, që si një strateg i talentuar, që njihte artin ushtarak të  kohës,  do të udhehiqte  ushtrinë e Revolucionit  Amerikan në tërë ato beteja  fitimtare. 

  Pas gati një vit luftimesh, që nga koha kur  George Washingtoni  mori detyrën e kryekomandantit, Kongresi Amerikan  më 4 Korrik 1776, do  të shpallte  Deklaratën e Pavarësisë. Ky lajm i shumëpritur u bë publik në sheshin para godinës shtetërore të  Filadelfias më datën  8  korrik.  Atë ditë Korriku një kambanë e madhe buçiti .( the Big Bell rang). Ajo kambanë, që peshon 943 kilogram ,e  ka  gjuhëzen e saj  prej me shumë se 22 kilogram. Me buçitjet e saj kambana mblodhi në shesh mijëra e mijëra njerëz për të dëgjuar  fjalët e Deklaratës së Pavarësisë. Ideatori dhe hartuesi kryesor i kësaj Deklaratre ishte Thomas  Jeffersoni, i cili u quajt  “Ati i Deklarates se Pavaresise”          

Firmetari i pare i këtij doumenti  historik qe presidenti i Kongresit Kontinental, John  Hancock, i cili e shkroi emrin e vet me shkronja të zmadhuara, duke thënë: “I guess  King George will be able to read that” (Unë e marr me mend se mbreti George do të arrijë ta lexoj këtë .)

Në pjesën e parë Deklarata konfirmonte se njerëzit janë të barabartë para ligjit. Në pjesën e dytë flitet për qendrimin kritik ndaj mbretit të Anglisë, George i Tretë, i cili  pat abuzuar me pushtetin  dhe se kolonistët kishin të drejtë të rebeloheshin ndaj regjimit të tij. Dhe, në pjesën e tretë të këtij dokumenti historik deklarohej se kolonitë Britanike shpalleshin tani e përgjithëmonë “The United States of America” (Shtetet e Bashkuara të Amerikës)

I mbështetur në parimet e Deklaratës së Pvarësisë, George Washingtoni do të udhëhiqte me trimëri e zgjuaresinë e një strategu të vërtetë ushtrinë  revolutionare të Amerikës në sa e sa beteja të përgjakshme, duke nisur që nga  beteja famëshme e Saratogës, te  Long Island, Princeton, Trenton e deri te beteja e Yorktownit, më 19 Tetor 1781. Këtë ditë  gjenerali anglez Lord Cornwellis me gjithë ushtrinë e tij prej 7,200 trupash iu dorëzua Komandës së Gjeneral Washingtonit. Dy ditë pas kësaj ngjarjeje banda e ushtrisë britanike do të këndonte këngën:

 “The World turned  upside down” qe do te thote  se bota  u kthye përmbys. 

Me këtë betejë do të mbyllej epopeja heroike e popullit Amerikan për pavarësi. 

Kështu në Amerikë u krijua një shtet i ri, dhe një komb i ri.

Ky shtet i ri  do të njihej botërish , mbas shtatë vjet luftimesh, prej   të gjitha vendeve, më datën 3 shtator, 1783, në bazë të vendimeve të Traktatit të Paqes, që u mbajt në Paris midis Mbretërisë së Anglisë dhe  Sh.B.A-së.

Revolucioni Amerikan doli vërtetë fitimtar, por vendi  nuk po qeverisej ende nga një kushtetutë e kompletuar. Në të vërtetë të trembëdhjetë  Shtetet e Amerikës qenë marrëvesh që të  administroheshin nga një dokument i titulluar “Artikuj të Konfederatës” (The Articles of Confederation),  që ishin esencialisht vazhdimi i orientimeve të Kongresit të Dytë Kontinental.

Koha  po kërkonte që Amerika të udhëhiqej nga një kushtetutë më e studjuar. Revolucionarët  amerikanë progresivë e dinin që  fitorja kundër anglezeve ishte vetëm fillimi. Ruajtja e fitores dhe forcimi i  pushtetit qendror ishin shumë të rëndësishme. Lidhur me këtë problem midis ligjvënësve amerikanë lindi një debat i ashpër. Ishin krijuar dy grupe.  Ata që kërkonin forcimin e pushtetit qendror, pra, qevrinë e gjithë kombit, quheshin Federalistë. Midis tyre  ishin Washingtoni, Hamilton, Medison,Xheims Willson. 

Aleksandër Hamilton, që kishte punuar për një kohë të gjatë si sekretar personal i  Washingtonit,  e shprehte hapur mospëlqimin e tij për  “Artikujt e Konfederatës” . “Kombi, shkruante ai, është si një i sëmurë, dhe që të shërohet do një ilaç të fortë dhe ky ilaç qartësonte ai, është  një qeverisje e fortë nacionale”. Kurse ata që  nuk  donin një qveri të fortë nacionale, por një qeveri të fortë të shteteve të veçanta, u quajtën Antifederalistë. Këta të fundit  nuk e donin një qeveri qendrore federative të fortë, sepse, sipas tyre,  një qeveri e tillë fuqiplotë do të zëvendësonte  tiraninë  britanike me një  tjetër qeveri të fuqishme. Midis opzitarëve  antifederalistë, që nuk donin ratifikimin e kushtetutës ishte edhe revolucionari ardent i orëve të para të Revolucionit Amerikan, Patrik Henry, që arsyetonte se kështu   me një qeveri qendrore të fortë       “presidenti bëhet një zyrtar shumë i lartë, i cili fare lehtesisht kthehet në mbret”.  Pra, midis 13 Shteteve të Bashkuara të Amerikës egzistonte një konfuzion politik përsa i përkiste  administrimit shtetëror.

Në një atmosferë të tillë plot me debate dhe kundërshtime të ndërsjellta, në verën e vitit 1787 mblidhet në  Filadelfia  Konventa Konstitucionale. Delegati brilant i kësaj konvente do të ishte Xhejmes Medison.. Ai  ishte më i riu , por më i përgatituri, më i  kulturuari, më profesionali për gjithë çështjet konstitucionale. Ai do të ishte  hartuesi kryesor i  kushtetutës së re Amerikane, prandaj do të  quhej nga të gjithë si “Ati i. Kushtetutës”. 

Megjithë mesazhet dhe informacionet juridike që  jepte me shumë mençuri Medisoni,  mosmarrëveshjet nuk qenë  sheshuar. Më në fund,  delegati i shtetit Konektikat Roger Sherman propozoi  kompromisin e tij të famshëm, që gjeti konsensus  nga  shumica. Në bazë të ketij  kompromisi   gjithë shtetet do të përfaqësoheshin në kongrese në mënyrë të barabartë, duke pasur  në Senat nga dy senatorë secili, kurse popujt e shteteve do të zgjidhnin  përfaqësuesit e tyre për në dhomën e përfaqesuesve të popullit sipas  sasisë  së banorëve  në menyrë proporcionale. 

   Si përfundim, pas shumë  debatesh dhe polemikash Kushtetuta qe hartuar dhe më 17 Shtator të vitit 1787 ishte gati për t`u firmosur nga  delegatët  e pranishëm  të shteteve. Shteti i Delawer-it  e firmosi i pari  Kushtetutën e re., më 7 Dhjetor 1787. Të fundit e firmosën delegatët e shtetit  Rhode Island, në Majin e vitit 1790.

*

                        *                        *                                                                         Ishte e qartë për të gjithë se figura qendrore  në Amerikë si gjatë  Revolucionit, dhe në  vitet pas tij, qe ajo e George Washingtonit.  Ai e kishte fituar dashurinë e popullit me trimërinë, zgjuarësinë dhe modestinë e tij. Pse e themi edhe me modestinë  e tij?  Së pari këtë anë të  figurës së tij e tregojne biografet: kur Kongresi Kontinental Amerikan e propozoi  Washingtonin si komandant të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, ai me modesti  u deklaroi të pranishëmve: “Unë nuk e ndjej veten të zot për detyrën e komandantit”. Po Kongresi ishte i vendosur që atë funksion do t`ia  besonte vetëm atij. Atëherë, me sinqeritetin e tij Washingtoni  iu drejtua përsëri Kongresit, duke pohuar se po e pranonte  detyrën e komandantit të pergjithshëm , po nuk pranonte të paguhej për atë shërbim në ushtrinë e revolucionit.

Një vit para se të përfundonte lufta kundër kolonizatorëve britanikë, një kolonel i ushtrisë së tij tha  midis të tjerëve:”Amerika e çliruar duhet të bëhet monarki me Washingtonin mbret”. Ndërsa Washingtoni i dha atij me një herë një përgjigje kundërshtuese: “………ju kurrë nuk mund të gjeni një person tjetër më mospranues se sa unë për këtë ide”

  Washingtoni kishte fituar admirimin e gjithë popullit amerikan. Një gjeneral, bashkëluftëtar i kohës së tij, ka shkruar në kujtimet e e veta se “George Washingtoni ishte i pari në luftë, i pari në kohë paqeje,  i pari edhe në zemrat e bashkëqytetarëve”. Mirëpo siç thonë biografët, pas mbarimit të luftimeve Wahingtoni e ndjente veten të lodhur dhe nuk kishte synime për të marrë përsipër detyra të larta shteterore. Diku në biografinë e tij shkruhet se kur ikën ushtarët e fundit angleze nga Amerika dhe vendi  qe çliruar përfundimisht nga sundimi i mbretit të Anglisë, Wahingtoni u tha  bashkëluftëtarëve në një mbledhje të posaçme: “Ju e shikoni  se si më janë bërë gri flokët nga thinjat  në luftime. Shikimi më është dobësuar. Tani unë jam duke e zbritur kodrën, jam 52 vjeç. Tani unë dua të shkoj në shtëpinë time”. Deshte të çlodhej. Dhe vërtetë ai vajti në shtepinë e tij, në Mount Vernon, në fermën e vetë, ku e priste familja. Po nuk kishin kaluar  dhe aq shumë ditë që kur Washingtoni, pat mbrrijtur atje, kur i vjen  pa pritur një letër nga shokët e tij prej Filadelfias.

                                        “ Lexoma, ti Martha,” i tha së shoqes.

            “Shokët e tu janë mbledhur për të bërë ligjet në  një kuvend, po ata të kërkojnë ty që të jesh në krye –  foli Martha duke lexuar letrën me kujdes.

            “Unë kam nevojë të rri këtu në fermë”, tha ai sapo dëgjoi ato fjalë të Marthës.

           “Ndërsa vendi ka nevojë për ty” ia ktheu ajo,duke buzëqeshur. Atëherë Washingtoni mori rrugën ende i paqetësuar, dhe shkoi në mbledhjen e Filadelfias, ku delegatët e zgjodhën  President të  Konventës Konstitucionale. 

Për meritat e tij  të larta gjatë luftës si  gjeneral i shkëlqyer si edhe për përkushtimin ndaj popullit , Kongresi e zgjodhi Washingtonin në mënyrë unanime Presidentin e Parë  të Sh.B.A-së më 30 Prill të vitit 1789. Washingtoni qe futur thellë në zemrën e popullit, qe bërë pjesë e ndërgjegjes së popullit dhe kombit të ri Amerikan. Ai u zgjodh president edhe për  katër vjetet  e legjislaturës se dytë. Po kur i propozuan  Washingtonit edhe për  radhën e tretë, ai jo vetëm nuk pranoi, po la edhe një porosi që asnjë president të mos zgjidhej më shumë se dy herë radhazi”. Kjo këshillë  e tij u pranua dhe u bë  ligj e normë  morale në politikën  amerikane. Ky është një shembull i shkëlqyer  nga i cili mund të mesojnë gjithë presidentët e botës, dhe gjithë kryetarët e qeverive .   Ky orientim i Presidentit të Parë të Amerikës fliste për gjykim  e tij visionar  lidhur me të ardhmen e Amerikës, që do të kishte rëndësi të posacme për jetën poitike dhe konstitucional, që shmang kultin e individit si edhe autoritarizmin e liderit,  gjoja, “të pazëvendësueshëm”.

                                                *

*                       *

George Washingtoni, që u shqua si një strateg i Revolucionit Amerikan dhe drejtues i  sigurt i  jetës së vendit, ishte edhe një  diplomat largpamës. Biografët e tij shkruajnë se ai  qe edhe një vizionar i mprehtë në arenën diplomatike. Filozofia e tij në fushën e  politikës së jashtme ishte ajo e ekuilibrit të Amerikës. Në  atë kohë ai kishte mendimin që tw evitoheshin aleancat ushtarake dhe veprimet luftarake që nuk kishin të bënin me  zhvillimin e vendit.. Gjithë  energjitë  dhe resurset e Amerikës duhet të përdoreshin për fuqizimin e Amerikës, për forcimin e ekonomisë së saj.

Në kohën e presidencës së Washingtonit lindi një mosmarreveshje  lidhur  me politikën e jashtme. Konkretisht,  në një konflikt anglo-francez, Thomas Xhefersoni kërkonte që SHBA të  mbështeste Francën e të merrte anën e saj, kurse Aleksandër Hamilton këmbengulte që Amerika të mbështeste Anglinë e të anonte nga  Anglia. Në këto momente  kritike dhe delikate për  shtetin  e ri Amerikan, u desh gjykimi largpamës i Presidentit Washington, që mbrojti  idenë  e neutralitetit të Amerikës  në konfliktin midis dy fuqive të mëdha ndërluftuese të kohës në Europë, Francës dhe Anglisë. Siç tregon në librin e vet Marian Leighton, me  zgjuarsinë e tij  diplomatike, Presidenti Wahington orientoi situatën dhe politikën e jashtëme, duke theksuar se “Amerika nuk kish as miq e aleanca të përherëshme dhe as armiq të përhershëm, por vetëm interesa të përhershme.”

Presidenti i parë i Amerikës, George Wahington, vdiq më 14 dhjetor 1799, në Mount Vernon, në moshën 67 vjeç. Ai u nda fizikisht nga gjiri i shoqerisë Amerikane, por ngeli i gjallë e i nderuar në kujtesën e mbarë popullit, si simboli i unitetit amerikan. Mjafton të themi se  kryeqyteti i SHBA-së, Wahington DC mban emrin e tij,. Ai është i vetmi president emrin e të cilit e mban një shtet në Amerikë.. Shumë rrugë, bulevarde, sheshe dhe institucione mbajnë gjithashtu emrin e tij. Për gjithë meritat e tij prej strategu , ligjvënësi dhe udhëheqësi me mendje të ndritur, Georg Washingtoni u quajt me gjalljen e tij “Ati i kombit të vet”.

Bibliografi

 Adler D,    George  Washington Father of Our Country NY,  1995.

Davidson J., The American Nation,  MA. Prentice Hall,  1995

Hoobler Th. and D., “George Washington and  Presidents` Day”, NY,  1990

 Leighton M., “ Georgge Washington”,Baronet  boks, NY.,  1997.

Smith L. and  Nici Mare N.,  Insight for  Today , Boston, 1996 

Whitnay D. ,”The American Presidents , Bookspan, NY., 2001.

Wood  G.    ,  The American Revolution, Modern Library, NY, 2002.

Filed Under: Fejton

Radiotelevizioni Shqiptar, si shihej në ish-Jugosllavi?

February 8, 2025 by s p

Bexhet Asani/

Në ish Jugosllavi ishte e ndaluar të shikohej RT SHQIPTAR, sidomos pas vitit 1981. Valët e TV Shqiptar depërtonin gjer në Prishtinë. Më 1978 ndiqnim programet e TVSH -së te Konviktet e Studentëve në Prishtinë, miza – miza dhe me zhurma po neve na dukej se e shikonim “pastër”. Në zonat kufitare shihej më pastër me më pak miza dhe me më pak zhurma. Pas vitit 1981 ndryshoi gjendja. TVSH-ja ndiqej fshehur me perde të mbyllura. Programet e TVSH-së i ndiqnin të gjithë shqiptarët e Komunës së Strugës. Antenat e TVSH-së gjendeshin në Qafë Thanë. Po aty gjendeshin edhe kundër antenat e Jugosllavisë!

Disa katunde të rrjedhës së majtë të Drinit të Zi, e zinin më pastër TVSH-në. Fshatrat e rrjedhës së majtë të Drinit të Zi e zinin më dobët dhe me vështirësi i ndiqnin valët me antenat herë në ballkon, herë mbi çati, herë në mullar, herë nëpër pemë… e ku nuk i kërkonim valët e Televizionit Shqiptar?!

Shpesh ndodhte që ndonjë anëtar i familjes të ishte “viktimë” apo “hero” ose altruist që mbante antenën në duar në majë të mullarit apo në majë të çatisë ose në majë të qershisë, në drejtim të Qafë Thanës, derisa të përfundonte programi që e shikonin anëtarët e familjes! Antenat përforcoheshin edhe me legenë alumini me qëllim që të përmirësoheshin valët e ekrani të mos kishte “miza”!

Shkonim nga një kushëri te tjetri nga një komshi te tjetri, nga një mik te tjetri të shikonim programet e TVSh-së, programet e mëmës Shqipëri.

Vitet tetëdhjetë të shekullit të njëzetë lindi pyetja: “A e zë Tateshin?” Për: A e zë Televizioni Shqiptar? Si lindi kjo pyetje nuk arrita ta gjej as sot e kësa dite!

Tateshi është një katund shqiptar në rrethin e Strugës. Tateshi gjendet në veri të Qafë Thanës.

Po, pse pikërisht Tateshin?! Pse jo ndonjë katund tjetër? Pyetje këto që vështirë t’ u jepen përgjigje!

A e zë Tateshin? (A e zë Televizionin Shqiptar?)

Po unë e zë.

Në Ohër e zënë më pastër Tateshin!

Valët e TVSH-së që kalonin mbi Liqenin e Ohrit kaltërosh, nuk i pengonte asgjë. Në fshatrat e rrjedhës së djathtë të Drinit të Zi aty – këtu i pengonin kodrat e Malit Jabllanicë. Viktimë e këtyre kodave ishte katundi Ladorisht. Vetëm shtëpitë poshtë Vakçares kishin privilegjin të shikonin programet e Tateshit? (Programet e Televizionit Shqiptar)

Struganët kënaqeshin duke parë programet, dramat, emisionet dokumentarë dhe filmat e Televizionit Shqiptar.

Unë herë e zija Tateshin , herë humbnin valët!

Ika unë tani te kushëriri im, ta shikoj Tateshin se sonte shfaqet drama “Gjaku i arbërit”!

Antenat e televizorëve struganë të gjitha ishin të kthyera nga Qafë Thana pa marrë parasysh pengesat nga UDB-ëja jugosllave.

Programet e TELEVIZIONIT SHQIPTAR ishin ushqim shpirtëror, ishin jetë për ne!

Filed Under: Fejton

Shuhet Baba Hekurani, Babai i Teqes së Alipostivanit

February 5, 2025 by s p

Adriatik Spahiu/

Bektashizmi, Shqipëria dhe komuniteti humbi një njeri të shenjtë, një model shërbëtori të Zotit, një model qytetarie, atdhedashurie, patriotizmi e mirësie. Një dhimbje dhe humbje e madhe sot për gjithë besimtarët Bektashianë. Zoti e desh dhe e mori me vete Baba Hekuranin e dashur e të shtrenjtë. Ai nga parajsa përsëri me fuqinë dhe shenjtërinë e tij, do të jetë gjithmonë një engjëll mbrojtës për të gjithë ne.

Mu dha mundësia të njihem me këtë njeri të veçantë për herë të parë kur u bë festa e Teqesë së Alipostivanit më 14 Maj 2004 ku isha i ftuar nderi nga Baba Hekurani. Dashuria, miqësia, mirësia, besimi, respekti, komunikimi edhe mësimet e tij për mua ishin tejet të çmuara edhe pse u largova në USA. Takimet, mendimet, uratat, bekimet e atij njeriu të shenjtë që bënte mrekullira ishin pjesë e punës dhe kontributit të tij për komunitetin bektashi. Një njeri shenjtor që rrallë herë vjen në historinë tonë si Bektashianë. Baba Hekurani më donte dhe më respektonte shumë jo vetem mua, jo vetëm familjen por dhe gjithë fisin tim dhe miqtë e shokët dhe dashamirësit e mi. E kemi filluar vizitën e parë në Senican atje ku ai ngriti Tyrben e parë, e veçantë dhe e paharruar do jetë dhe vizita e nenes time 82 vjeçare në Teqe pasi ajo e kish pas babain e saj Myhyp në Teqenë e Frashërit ku Daut Kucuku dhe stafi i tij ndodhen në arshivat e Teqesë te dhuruar nga familjarët e familjes. Mbresëlënëse dhe e paharruar do ngelet pjesëmarrja në festën e Tolarit që u organizua për herë të parë dhe vizita te familja e të afërmeve të Dervish Myrtos si dhe vizita te familja, shtëpia ku jemi lindur dhe jemi rritur dhe edukuar. Në Tolar i bëmë një pritje që do jetë e paharruar për mua dhe familjarët e mi. Sa herë shkonim nga Amerika në Shqipëri, vizita e parë do ishte te Teqja te Baba Hekurani.

Ishte jo vetem shenjtor, jo vetem patriot, jo vetem bamirës por dhe i dashuruar shumë dhe me Amerikën, për mbështetjen dhe kontributin që ka dhënë dhe jep ne futjen e demokracisë në Shqipëri dhe ndihmën ndaj bashkombasve tanë. Ne kishin shumë aktivitete, takime, bashkëbisedime te përvitshme. Bashkë me Baba Hekuranin vizituam vendet ku ka punuar e ngritur vepra të përjetshme klerikale.

Vlerësimin më të madh Baba Hekurani ma bëri kur më propozoi për të veshur rrobën shenjtërimit si Myhyp i Teqesë së Alipostivanit, një nderim e vlerësim dhe titull që për mua do respektohet dhe do shërbejë gjithmonë për të çuar sa më lart veprën, amanetin dhe misionin e tij kombëtar, patriotik dhe fetar.

Viti që kaloi, ishin tre takimet e fundit që pata në Teqenë e Alipostivanit dhe festën në Teqenë e Frashërit ku u respektova duke fjetur një natë në Mejdan, ku ndjemë dashuri, miresë, vëllazërim si kurrë ndonjëherë, midis babait dhe motrave e vëllezërve Myhypë që shërbejnë në Teqe.

Bisedat me të ishin të përjavshme sepse interesimin i tij për doktoreshçn e ardheshme, vajzen time Matea, që e donte shumë, ishte i veçantë.

Biseda e fundit ishte para disa ditësh, na ftoi familjarisht për ditëlindjen e tij që do ta festonte në muajin Prill, në Malin e Tomorrit.

Mbrëmë morëm lajmin e zi, mora një dhimbje që s’di si do ta përballoj. Për veprat e mira të Baba Hekuranit duhen netë e ditë të tëra, do duhej një libër, për jetën dhe punët e mira që ai bëri si për vendet e shenjta që ringriti por dhe rrugën e shënjtë që ai bëri.

I përjetshëm nderimi dhe kujtimi i Baba Hekuranit! Do të na mungojë shumë.

Shprehim ngushëllimet dhe në emrin e Federatës Vatra dega Jacksonville e mbarë miqtë e Vatrës e Diellit.

Filed Under: Fejton

“Hakmarrja e Tigrit”: Një telenovelë kryeminstrore me shishe vere dhe charter

January 31, 2025 by s p

Satirë nga Rafael Floqi/

Një ditë nga ato të zakonshmet në “Sulltanatin e Rilindjes”, ku edhe milingonat punojnë me PPP dhe dheu i rrugëve i shkon drejtpërdrejt miqve, nga Zvicra vjen një mesazh misterioz… “Arben Ahmetaj, dikur financieri i sultanit, tani kthehet si kalorësi i errët i hakmarrjes, me një gozhdë të madhe në zemër dhe ca dosje në valixhe.” Por, si gjithmonë, publiku pyet veten: “Po kësaj here, a tha gjë të re? Apo thjesht po flet me monologun e zakonshëm të një “dashnori” të braktisur nga pushteti?”

Sheiku dhe Dhoma e Luleve

Ahmetaj na rrëfen sesi Rama, nga një artist me ngjyrime kubiste, është kthyer në një koleksionist verërash që kushtojnë sa borxhi publik. Në “Dhomen e Luleve”, aty ku dikur debatohej mbi reformat, tashmë merren vendime mes avujve të Romanée Conti dhe flluskave të shampanjës së artë.

Një gjë është e sigurt: nëse ndonjë qytetar i zakonshëm do të hante në një restorant me këto çmime, do e kishte detyrim moral ta lajmëronte edhe ministrin e Financave, se ndryshe, taksën e “lukso-biznesit” s’do ia falte askush.

Udhëtimet e Parisit të Ri

Ahmetaj denoncon gjithashtu fluturimet që s’u lejuan kurrë të hetohen, por s’duhet të shqetësohemi! Shteti funksionon për bukuri. Ato avionët privatë janë thjesht mjet transporti për të kaluar rrugët me gropa të Shqipërisë. Diku duhet të dëshmojmë se si mund të arrijmë të “Rilindim” në ajër, pasi tokësisht ngecëm mes baltës.

Hakmarrja e Ahmetajt: Hero apo Hakmarrës i Luksit?

Sigurisht, ata që u verbuan nga lluksi dhe premtimet e Ramës mund të vazhdojnë t’i quajnë këto rrëfime “fantazi të një njeriu që ka kaluar shumë kohë me tapet të kuq në sy”. Por pyetja e vërtetë që lind është: A duhet besuar dikush që për vite e për vite ka nënshkruar e vulosur tenderat, dhe vetëm pasi ka humbur privilegjet, fillon të flasë?

Skenari mbetet hapur:

A do të vazhdojë Ahmetaj të zbulojë “sekretet e sulltanatit”, apo thjesht po lobon që të kthehet si aktor dytësor në dramën e madhe?

A do ta rrëzojnë Ramën shishet e verës dhe fluturimet charter, apo shqiptarët do ta falin, nëse u premton një bonus tjetër për “faturën e energjisë”?

Dhe mbi të gjitha: Pse SPAK i shikon të gjitha këto si serial turk që nuk ka fund?

Një gjë është e sigurt: Populli shqiptar ka humbur interesin për luksin e politikës, sepse ka hallet e tij. Ndërsa Ahmetaj dhe Rama vazhdojnë betejën për “kush e ka shishen më të shtrenjtë”, populli numëron monedhat për bukën e përditshme. Kjo, padyshim, mbetet skandali më i madh nga të gjitha.

Filed Under: Fejton

BETEJA E NOKSHIQIT, SPROVA MË E SUKSESSHME USHTARAKE E LIDHJES SHQIPTARE

January 27, 2025 by s p

Prof. Dr. Skender Asani/

Vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit, që i njihnin Malit të Zi të drejtën për të aneksuar vise shqiptare, përfshirë Plavën dhe Gucinë, mobilizuan shqiptarët për të mbrojtur tokat e tyre stërgjyshore. Kjo rezistencë u udhëhoq nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila organizoi një qëndresë të fuqishme politike dhe ushtarake kundër vendimeve arbitrare të Fuqive të Mëdha. Beteja e Plavës dhe Gucisë, e zhvilluar në Nokshiq gjatë dhjetorit 1879 dhe janarit 1880, ishte një nga momentet kulmore të kësaj rezistence, duke u shtrirë edhe në disa pika strategjike të caktuara nga komandantët shqiptarë.

Kjo betejë e lavdishme shënoi dy fitore të rëndësishme për shqiptarët: zmbrapsi përpjekjet e Malit të Zi për aneksimin e këtyre tokave dhe ndërkombëtarizoi çështjen shqiptare, duke e kthyer atë në një luftë për autonomi brenda Perandorisë Osmane. Korrespondentët e huaj të kohës raportuan për heroizmin e shqiptarëve, duke e paraqitur atë si një përpjekje titanike për mbrojtjen e integritetit territorial, ndërsa dënonin vendimet e Kongresit të Berlinit si shpërfillje e të drejtave të shqiptarëve për liri dhe pavarësi.

Ndërsa historia njeh shumë beteja, ajo e Nokshiqit mbetet një shembull unik i suksesit, ku shqiptarët, pa aleatë të jashtëm, u përballën me një makineri diplomatike dhe ushtarake të fuqishme. Heroizmi i tyre ishte mbështetur vetëm nga vendosmëria për të mos lejuar padrejtësi. Në këtë betejë spikatën figura të shquara si Ali Pashë Gucia, Jakup Ferri, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka dhe Jusuf Sokoli, të cilët përfaqësuan shpirtin e pamposhtur të kombit shqiptar.

Beteja e Nokshiqit mbetet një mesazh aktual për politikën ndërkombëtare, duke dëshmuar se vendimet diplomatike që injorojnë vullnetin e popujve nuk mund të kenë sukses. Kjo është vërtetuar edhe nga raportet e diplomatëve të huaj, si ai i konsullit austro-hungarez në Shkodër, i cili shkruante se shqiptarët luftuan me një shpirt të vërtetë kombëtar dhe zmbrapsën forcat malazeze.

Në përvjetorin të kësaj beteje, historiografia shqiptare duhet të kalojë nga qasjet deskriptive drejt një studimi më të thelluar dhe të bazuar në analiza të mirëargumentuara. Kjo qasje do ta vendoste këtë ngjarje në vëmendjen e studiuesve ndërkombëtarë, duke nxjerrë në pah rëndësinë e saj në historinë kombëtare dhe më gjerë.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 121
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËRBALLË PROTESTAVE NË TIRANË DHE KRIZËS SË DEMOKRACISË, KUJTOJMË PROFESOR ARSHI PIPËN
  • 𝐒𝐭𝐚𝐭𝐮𝐣𝐚 𝐞 𝐏𝐞𝐫𝐚𝐧𝐝𝐨𝐫𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐃𝐮𝐫𝐫𝐞̈𝐬: 𝐀 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐯𝐞̈𝐫𝐭𝐞𝐭 𝐍𝐞𝐫𝐨𝐧𝐢?
  • Kandidate për Këshillin e Qytetit të Mississaugës në Kanada, Mendi Kabashi: “Suksesi i çdo shqiptari është krenari për të gjithë ne”
  • Announcing our AAWO “Motrat Qiriazi” Organization: New President, Eva Milo Burnazi
  • Tre mësime që na ofron ndryshimi i kryeministrave në Mbretërinë e Bashkuar
  • Përkujtojmë sot në ditën e tij të lindjes shkrimtarin dhe poetin Martin Camaj
  • Kasëm Trebeshina, poeti kundër rrymës
  • Bardi i modernizmit në poezinë shqipe
  • Riviera Shqiptare, destinacioni i ri i investimeve në Mesdhe
  • Vepra “Shqipëria, e kaluara dhe e tashmja” si kontribut i Kostë Çekrezit për historinë e Shqipërisë e shqiptarëve
  • Albanians For America (AFA) was honored to participate on Capitol Hill for the first time as Albania’s representative within the Central and East European Coalition
  • “Dasma shkodrane”, thesari artit shqiptar, ikona e Kol Idromenos, piktura që përjetësoi në ngjyra shpirtin e qytetit
  • 20 korrik 1883, në Koriliano Kalabro doli në shtyp revista e përmuajshme politike, shoqërore, kulturore e letrare “Flamuri i Arbërit”
  • PROJEKTI I PADUKSHËM I SPASTRIMIT ETNIK NËPËRMJET INXHINIERISË SË IDENTITETIT
  • GJURMËT E SHQIPËRISË ETNIKE NË SHTYPIN EUROPIAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT