• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një letër Babagjyshit për Vit të Ri nga diaspora

December 31, 2024 by s p

Një variacion satirik mbi temën nga Rafael Floqi/

I nderuar Santa!

Ho-ho-ho,

meqë po vjen fund i vitit dhe ti je i vetmi që ende mban premtime në këtë botë plot pasiguri, mendova të dërgoj një listë dëshirash për qeverinë tonë të dashur aty në Albani nga ana e Diasporës sonë nga larg. Këto kërkesa janë me shumë se ato që ca patronazhistë me pasaportë amerikane i kërkuan kryeministrit Ramës sonë, si p.sh. rritje pensionesh, dhe ai për këtë vit, i shtoi pensionistëve jo më pak se një gjel deti. A thua mjafton? Por diçka është më pak se asgjë.

I dashur babagjysh, nuk janë shumë kërkesa por një për çdo muaj të vitit që po vjen, dhe, pse jo, mund të ndihmojnë për të sjellë një Vit të Ri më të mirë për të gjithë shqiptarët dhe për ne. Le të shpresojmë që të na sjellësh disa nga këto, sepse çdo vit ndodhin të njëjtat histori dhe çdo herë ne i shohim me shpresë se këtë herë do të jetë disi ndryshe.

1. Një tufë premtimesh të reja dhe të sinqerta

Tani që jemi afër zgjedhjeve, të lutem na sill një tufë të re premtimesh. Duhet të jenë të sinqerta, dhe jo ato që kanë mbetur të “pashkruara” nga vitet e kaluara në slitën tënde. Këto premtime duhet të jenë të natyrshme dhe të besueshme, sepse ato që kemi dëgjuar deri tani, duken gjithmonë si një kopje e thjeshtë nga e kaluara. Ata që na udhëhoqën deri tani na kanë mësuar se premtimet janë vetëm fjalë, dhe çdo vit janë të njëjtat, ndaj duam më shumë veprime dhe më pak fjalë bosh. P.sh dua të di se kur shëndetësia do të jetë falas, aman, se kemi pleq në Shqipëri. Tani na thuhet se do të hyjmë në Evropë, por ajo e pabesë prapë luhatet, po më thuaj kur janë kalendat evropiane.

Ne kërkuam t’i marrin gjithë refugjatët nga Italia e t’i zëvendësojmë me ata që çojmë në Angli, por edhe Italia na e quajti këtë si nder personal dhe jo nacional. Dhe këtë sakrificë për Evropën s’na e besuan. Po sikur ai shteti Bektashi të jetë si Qiproja apo si Dubai, kur paratë s’i gjen njeri. Vatikani ka bankë a do ketë bankë dhe ai? Po pyesin ca kësaj ane. Ca ia kanë kaluar Kolombit e kanë shkuar gjer në Ekuador, thuhet se ata i dinë ca gjëra (sa të jenë gjallë)…

2. Një buxhet transparent, por jo vetëm në letër

Buxheti i shtetit duhet të jetë transparent, jo vetëm në teori por edhe në praktikë. Jo vetëm me vota shumice. Dëshirojmë një sistem që të na mundësojë të kuptojmë se ku po shpenzohen paratë publike dhe, më e rëndësishmja, që të mos humbasin pa lënë gjurmë. Sa më shumë të shohim në të, aq më shumë do të besojmë tek ata që na drejtojnë. Jo më gjetje justifikimesh dhe trukesh të fshehura përmes llogarive të mbushura me magji zhdukjesh parash në Qipro. Mos vallë ata iniciatorët e inceneratorit ishin si kazani i shtrigave të Harri Potter, që djeg para pa nxjerr tym në hava…për marshallah … Hahaha. Thonë se ca drejtorë nuk ndotën ambientin por u ndotën nën vete.

Nga ana tjetër, duam të dimë se ku vajtën studentët tanë që kemi dalë të lypim të tjerë nga jashtë. Mos na kërkojnë ne ti çojmë kalamajtë aty, ku notat blihen nga trupa e pedagogëve si në Universitetin e Elbasanit dhe kalamajtë e tyre i kanë sjellë këtu? H o- ho- ho na rroftë titulli doktor.

3. Një aplikacion anti-korrupsionin

E imagjinoni sot bota rrjedh me algoritme, dhe ne nga Diaspora duam një aplikacion të thjeshtë që mund të tregojë se ku shkojnë paratë e shqiptarëve edhe tonat? Ndryshe nuk votojmë. Jo për të akuzuar pa prova, por për të pasur një sistem të drejtpërdrejtë, të qartë dhe të monitorueshëm që e bën korrupsionin të duket si një problem që mund të zgjidhet, dhe jo si një fenomen që kurrë nuk do të ketë fund. Aplikacioni do të ndihmonte për të kuptuar se cila është rruga që ndjekin paratë dhe për të thyer çdo mur të padukshëm që i fsheh ato. Ai të quhet “Follow the Money”

A i gjen dot AI paratë e djegura “vjedhura”. Por AI ku do t’i gjejë. Aman na ndihmo o Mira Murati. T’i mund të shpëtosh gjithë botën nga sikleti. Por fatkeqësisht do të na duhet t’i mësojmë AI gjuhën 5D…dhe e di që ka të vështirë e di.

Dhe nëse Prokuroria Speciale quhet SPAK apo S’KAP tani s’ka rëndësi, kjo varet se nëse i akuzuari është me partinë tonë apo kundra nesh. Por qe me ne janë heronj të pafaj, fatkeq viktima të regjimit dhe pse kanë fituar miliona, po qenë kundra nesh janë, hajdutë, maskarenj të korruptuar dhe djaj me brirë…

4. Një ferman që ndalon ndërtimet e kullave për një vit

Ndërkohë që qytetet tona mbushen me beton dhe kullat e larta, të lutem na jep një vit pa ndërtimet që shkatërrojnë hapësirat e gjelbëra dhe krijojnë një pamje të pashembullt të një qyteti pa shpirt. Po ashtu, le të jemi të sinqertë: qeveria ka qenë shumë e përqendruar në betonizim, dhe ndoshta do të ishte mirë të bëjmë një pushim për të parë nëse mund të krijojmë diçka më të bukur, si parqe, hapësira sociale, dhe ndoshta më shumë mundësi për të pasur një jetë më të shëndetshme dhe më të këndshme. Një vit pa më shumë beton dhe më shumë pemë, më shumë hapësira të gjelbra dhe mundësi për qytetarët që të shijojnë natyrën. Nëse s’kemi mundësi t’i bëjmë qytetet më të bukura dhe të qeta, atëherë le të pikturojmë më shumë pemë mbi betonin që mbizotëron. Është koha të krijojmë hapësira që i japin mundësi fëmijëve dhe të rinjve të luajnë dhe të ndërveprojnë, dhe jo vetëm të jetojnë në një qytet të ngjeshur dhe të mbushur me kaos. Kjo thonë do të ndalonte lavatriçen e parave .Ho-ho-ho!

Ne duam më shumë ambiente sportive e më shumë sportistë sade jo akademi sa për emër dhe kampionë të importuar që dhe emrin s’ ja themi dot…

Duam një ferman që të thotë kërkohet që Dajti të shihet nga çdo pikë në Tiranë. Nga ana tjetër duam mos prishim teatro të bëjmë teatro të mos prishim porte që të bëjmë porte…

5. Një ligj që ndalon gënjeshtrat në fushatë

Po flasim për një ligj që ndalon përdorimin e gënjeshtrave të thjeshta në fushata zgjedhore. Një ligj që do të ndalonte çdo formë manipulimi të votuesve dhe çdo formë mashtrimi të publikut me premtime që nuk mund të mbahen. Oh, po, gënjeshtrat në fushatat elektorale – një shfaqje e vërtetë e artit politik! Asnjë strategji nuk është më e efektshme se të gënjesh pa asnjë hezitim dhe të shpresosh që askush nuk do ta kuptojë. Aty ku faktet mungojnë, imagjinata merr kontroll, dhe politikanët shpesh shndërrohen në mjeshtra të trillimeve – nga premtimet për “parajsa” ekonomike deri te akuzat për “armiq” të shpikur. Dhe kush mund të harronte ato “fakte” që ndihmojnë të duken si kandidatë të përkryer, edhe kur ato janë tërësisht të pavërteta? Po, natyrisht, askush nuk i merr seriozisht, sepse të gjithë dimë që zgjedhjet janë të bazuara në emocione, jo në arsyetim.

Të gjithë do të votojmë për dikë që thotë se do të na shpëtojë, edhe nëse ai person ka pasur një histori të ngjashme me një fantazmë të ngjashme me premtimet e tij të pamundura. Në fund të fundit, është një spektakël dhe të gjithë duan të jenë pjesë e tij.

6. Një fushatë zgjedhore pa këngë tallava

Në vitin 2025, mund të presim më shumë sesa këngë tallava në fushatat zgjedhore. Nëse qeveria do të mbajë një fushatë, do të ishte mirë ta bënte pa përdorimin e këngëve që janë bërë sinonim i manipulimit të emocioneve të popullit. Ah, këngët tallava në fushatat elektorale, një shpërthim artistik që të çon direkt në atmosferën festive të politikës! Çfarë mund të bësh tjetër kur do të fitosh vota? Prejardhja e këngës tallava është një “këngë zemre” e shkruar për të tërhequr më shumë se zemrat – është një fushatë me ritëm, me “vibe”, dhe me shumë… ngjyra të ndritshme! Nuk ka asnjë problem të përdorësh disa vargje që bëjnë jehonë për ta ngjallur entuziazmin e popullit, edhe nëse fjala është për premtime që nuk do të realizohen kurrë.

Përse të flasësh për ekonomi, shëndetësi, apo arsim kur mund të këndosh për “fitore të mëdha” dhe “liri të reja”, të shoqëruara me një muzikë që të bën të shkundesh? Të gjithë janë të ftuar në këtë festë elektorale, dhe me pak ritëm e melodi të shpejtë, ata do të harrojnë gjithçka që nuk është e vërtetë. Dhe nëse dikush ngre dyshime, nuk ka problem – për ta është mjaftueshëm një “refren” që i bën të ndihen të bashkuar për një qëllim të madh… që, natyrisht, është po aq i paqartë sa do të ishte ndonjë ndihmë konkrete për ta.

Sidomos na lutemi të na e kurseni këngën “Po ku ka si ti, moj Shqipëria ime.” Po, e dimë që është popullore dhe të gjithëve u pëlqen, por ndryshe përjetohet nga ministrat dhe ndryshe nga populli që nuk e ndjen veten të përfshirë në këtë “gëzim” që shpesh bëhet një mjet për të larguar vëmendjen nga realiteti. Që bëhet tallava në hava që na kujton kohët që votonim me daulle duke mbajtur dhe radhën e qumështit.

7. Të ndalohet kënga “Mbahu nënë, mos ki frikë se ke bijtë në Amerikë”

Qeveria jonë, e cila mezi kujdeset për 1.8 milionë shqiptarët që janë brenda dhe jo për 1.7 milionët që jashtë me një vendlindje me dy pasaporta po mundohet tani për një politikë të re jo atë që quhet “Mbahu, nëno mos ki frikë, i ke bijtë në Amerikë” por mos ejani si turistë një herë në vit, pot hapni bujtina aty, ku edhe Skënderbeu s’u ngjit dot.

Po, ne mund të jemi të ndarë nga Atdheu, por ky është një lajm i mirë – sepse duket se ne nuk jemi më brenda kufijve të shqetësimeve të qeverisë. Me gjithë dashurinë që ndjejnë për ne, ata nuk harrojnë kurrë të na kujtojnë që “përgjegjësia është mbi ne” – veçse nuk bëjnë asgjë për ta lehtësuar këtë “përgjegjësi”. Kështu që, çdo shqetësim që mund të kemi për shëndetësinë, arsimin ose të drejtat tona, mund të zgjidhet me një mesazh të shkurtër: “Mbahu, mos ki frikë, po ju ndihmojnë nga larg”.

Çdo problem që mund të ndodhi, ja fatkeqen këngëtares Parashqevi Simaku “Madonën shqiptare” që humbi rrugën për në Hollywood, Amerika i dha udhët, shqiptaret po, kërkojnë t’i japin strehim.

Në fund të fundit, 1.7 milion shqiptarë në Botë janë një masë e madhe për të bërë një “foto të bukur” në një sallë dasmash si në Manhatan, dhe për të thënë: “Po kujdesemi për ju, gjithsesi!” ndërsa tek stacioni i trenit aty pranë kishte një nënë pastrehë shqiptare. që 10 vjet qante dhe priste njëM bir me një zë Madone dhe këtë kryeministri ynë se thirri dot në podcast…

8. Një rregullore për ndershmërinë në qeveri dhe administratë

Një rregullore e detajuar që do të mësojë administratën dhe qeveritarët se si të jenë të ndershëm, jo vetëm në fjalë, por edhe në veprime. Ky manual duhet të ketë ilustrime, sepse ndoshta disa prej tyre nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh i ndershëm.

Fjala e-Albania nuk e zëvendëson dot fjalën nëpunës i ndershëm. Mund të mbyllësh sportele dje të shtosh bedelë sot. Pse jo të kemi një mënyrë të qartë dhe të thjeshtë për t’u sjellë me dinjitet dhe për të marrë vendime që janë për mirëqenien e qytetarëve dhe jo për interesa personale.

Të marrim Lalin Erin p.sh.. Veliaj ai gjithnjë ka vepruar si ushtar sa herë i ka dhënë supë të varfërve. Dhe u bë aq i dashur sa e quajti veten Lali. Të ka Lali shpirt të ka Lali xhan, kjo është e qartë edhe për ata që nuk duan ti hyjnë gjërave thellë si ne si popull. Mjaftojnë të kujtojnë se si një kryebashkiak, që merrte urdhra para kamerave, për të lyer që në pesë të mëngjesit shkallët e pista të një pallati, apo për të kapur me vrap lopën e një katundari. Që Rama e kishte nën kontroll të plotë mbi Lalin këtë e tregon edhe lista e përbashkët e bashkëpunëtorëve “lalucë” të afërt me të që vidhkan më shumë se kumbulla pas shpinës së të madhit.

9 Një manual për lirinë e fjalës

Dëshirojmë një manual që t’u mësojë atyre se si të reagojnë ndaj kritikave pa pasur nevojë të fshihen pas një ekrani dhe pa tentuar të fshehin zërat që nuk përputhen me mendimet e tyre. Liria e fjalës është një e drejtë e paçmuar, dhe duhet të kuptohet si një mundësi për përmirësim, jo një kërcënim. Nuk mund të ketë një qeveri të fuqishme nëse nuk është në gjendje të dëgjojë kritikën dhe të ndërmarrë veprime që janë në përputhje me interesat e popullit. Liria e fjalës nuk është kontroll mbi media sociale. Për të kuptuar këtë, mjafton të përmblidhen disa të vërteta të thjeshta. Shqipëria do të bëhet i vetmi vend i botës demokratike ku pretendon të bëjë pjesë, që ka mbyllur totalisht një platformë të rëndësishme sociale. Argumentet morale që po hedh në treg kryeministri ynë për ta bërë këtë, ngjajnë njësoj si ato që talibanët përdorën për ta çrrënjosur Tik Tok-un, pas rikthimit të tyre në pushtet në Afganistan. Fakti se një gjë e tillë po ndodh duke e lidhur në mënyrë abuzive me vdekjen tragjike të Martin Camit, ndërkohë që është provuar se, as viktima dhe as vrasësi nuk kishin lidhje me këtë rrjet social. Kjo ngre pikëpyetje për një veprim arbitrar për një mbyllje goje gjer në zgjedhje. Pse vetëm për një vit. Ho-ho-ho Santa ti e di de djalli fshihet në detajet. S’ka dhurata me Tik-Tok për kalamajtë shqiptarë.

10 Një makinë kohe për opozitën

Nëse është e mundur, ndihmo opozitën të kthehet në një periudhë kur kishin një ide të qartë se çfarë donin të bënin. Aktualisht, opozita është shpërndarë dhe e turbulluar, pa një plan të qartë. Mosbindja civile me orar është si tymi pa zjarr. Molotovi ndez vetëm disa mendjengushtë . T’i kërkosh qeverisë të rrëzohet me ca flakadan për një pushtet pa din dhe iman vështirë se ngjan. Opozita shqiptare, e cila është e njohur për angazhimin e saj të jashtëzakonshëm në luftën për demokraci, ka vendosur t’i bëjë një “shërbim të madh” popullit duke organizuar një “mosbindje civile me orar.” Po, ju e lexuat mirë: mosbindje civile, por gjithçka ndodh me një plan të qartë dhe një orar të caktuar, që është thjesht perfekt për ata që duan të bëjnë protesta, por pa e kaluar orarin e drejtës.

Të protestosh është e rëndësishme, por në të njëjtën kohë, t’i respektoni oraret është thelbësore – nuk mund ta teprosh me atë mosbindjen civile, sepse ndoshta keni një takim tjetër më vonë! Kjo strategji e menaxhuar mirë është një mënyrë e shkëlqyer për të treguar angazhim pa shqetësuar askënd në administratën që do t’ju ndjekë – në fund të fundit, çdo gjë është në harmoni me kalendarin. Për më tepër, kjo është një mënyrë brilante për të treguar që opozita ka një kuptim vetëm të mos e teprojë se shkon në spital pastaj…

Asaj i duhet një makinë kohe mund të vegla që të ndihmojë që të gjejnë rrugën e humbur dhe gjak i ri që të ofrojnë një alternativë reale për të ardhmen e vendit. Dhe gjer atëherë në cilën orë është mosbindja tjetër….

11 Një ring ton i ri për këtë qeveri

Dëshirojmë një orë që t’i zgjojë përfundimisht qeveritarët kur populli të dalë në protesta. Kjo orë do të njoftojë kur është koha që ata të ngrihen nga gjumi dhe të kuptojnë që nuk mund të vazhdojnë të injorojnë kërkesat e qytetarëve. Qeveritarët duhet të jenë të vetëdijshëm që populli është gjithmonë aty dhe ka të drejtë të kërkojë përgjigje dhe ndryshime.

Qeveria jonë ka një “ring ton” të veçantë për të zgjuar popullin çdo mëngjes, por ndoshta ka ardhur koha të ndryshojë tonalitetin e këtij zgjimi! Pse të vazhdojmë me atë melodinë e ngadalshme dhe të ëmbël të premtimeve boshe kur mund të përdorim një zë më të fuqishëm, si një alarm të zakonshëm të mëngjesit që të frikëson dhe të detyron të ngrihesh menjëherë? E imagjinoni? “Po, popull, ngrihuni tani! Edhe një vit tjetër pa ndryshime të mëdha, por ju do të vazhdoni të paguani tatime për shëndetësi që nuk funksionon dhe rrugë që nuk ka!” .

Ky mund të jetë një ring-ton i vërtetë që të nxjerr në këmbë për të realizuar se asgjë nuk ka ndryshuar, dhe mund të kesh ende kohë të pish një kafe para se të vazhdojë “stuhia” e premtimeve të pambajtura. Ky ring-ton i ri, më energjik dhe i drejtpërdrejtë, do t’i mundësonte popullit të fillonte ditën me një ngarkesë të madhe… pak më shumë zhgënjim, por shumë më të qartë. Në të këndohet ai vargu dyshues “Tani që Diaspora thonë se voton, por a thua ndonjë gjë ndryshon?.

12 Një robot që pranon përgjegjësinë

Kur ndodhin dështime, duam që dikush të pranojë përgjegjësinë. Mjaft më me gjetjen e fajtorëve si Tik-Tok-u, opozita, ose qytetarët. Duhet të kemi një robot që mund të ngrejë dorën dhe të thotë: “E kam unë fajin.” Kjo do të na ndihmonte të kuptonim se përgjegjësia është një gjë e madhe dhe duhet të merren vendime për të përmirësuar situatën, jo për të fshehur dështimet. P.sh. ne do të deshim që ashtu si trajnerët e futbollit dhe drejtuesit e qeverise të mbanin përgjegjësi për të gjithë anëtarët e ekipit të qeverisë apo partisë kanë shkelur në dyert e SPAK-ut ashtu si Lali tani.. .Ky robot nuk e di fjalët “Unë nuk mbaj përgjegjësi” , dhe nuk e kupton shprehjen “SPAK-un e miratova unë”.

Babagjysh. Mos të duket shumë?

Po, ndoshta!. Por ti ke qenë gjithmonë zemërgjerë (ose të paktën, kështu thonë fëmijët). Po të mos mund të na i plotësosh të gjitha këto dëshira, të paktën sigurohu që të na mbash me shpresë sidomos ne të Diasporës. Që kemi shumë fjalë dhe mall. Shpresa është e vetmja gjë që nuk mund të na e marrin dot .

Nga një qytetar finok pa llogari në Tik-Tok,

Me shumë dashuri nga diaspora edhe për shumë mot!

Nga një patronazhist pa parti,

Gëzuar Vitin e Ri!

Filed Under: Fejton

DIJA, E VËRTETA DHE SHËNDETI

December 30, 2024 by s p

Dr. Erion Dasho/

“Mashtrimi fluturon, e vërteta e ndjek pas çalë-çalë”, Xhonatan Suift

1. Një parathënie e gjatë (dhe një këndvështrim gjysmë filozofik)

Mendoni njerëzimin në fillesat e tij, kur sapo kishte nisur të artikulonte fjalët e para. Të vetmit persona që mund të dëgjonin “të mençurin e fisit” ishin pjesëtarët e vetë fisit. Trashëgimia gojore ishte e vetmja mundësi për të transmetuar brez pas brezi dijen e krijuar me mundim. Kur fisi zhdukej, zhdukej e humbte edhe DIJA.

U deshën dhjetëra mijë vjet që gjuha të shkruhej. Tashmë hieroglifet apo gdhendjet në gur mund të lexoheshin nga pasardhësit, madje ne sot mund të lexojmë gdhendjet e sumerëve të para 5 mijë vjetëve. Por përhapja e dijes mbeti sërish problematike. Vetëm ata që kishin mundësi të udhëtonin deri tek guri, apo tek të cilët mund të shkonte dërrasa, papirusi, letra e shkruar, etj., mund të mësonin çfarë ishte shkruar në kopjet e pakta të dokumentuara të DIJES.

Me shpikjen e shtypshkrimit u shtua ndjeshëm numri i kopjeve të disponueshme, u ul kosto dhe mbi të gjitha u rrit qasja tek informacioni dhe DIJA. Shtypshkrimi bëri të mundur demokratizimin e “dijes” dhe “së vërtetës”. Ai luajti rol përcaktues në forcimin e qytetërimit perëndimor, deri në pikën sa ai vazhdon të jetë qytetërimi që mbizotëron botën.

Në të njëjtën kohë shtypi shërbeu edhe si standard për të vërtetën, pasi jo çdokush mund të botonte ç’të donte dhe kur të donte. Dikush duhet të vendoste se çfarë mund të botohej dhe çfarë jo. Shpesh këtë e përcaktonte tregu me ligjin e ofertës dhe kërkesës. Përveç çmimit, në atë se çfarë mund të botohej sigurisht luajtën rol edhe interesat, paraja, censura, etj., por gjithsesi traktati, manuali, enciklopedia, revista shkencore, etj., u pranuan nga shoqëritë si etalone të së vërtetës.

U krijuan kësisoj disa standarde të cilat nënkuptoni cilësi. P.sh., kur një kardiolog dëshironte të mësonte të rejat e profesionit të vet, duhej të lexonte revistat “Circulation” apo “European Heart Journal”. Vetëm duke marrë informacion nga burime të besueshme mjeku ishte i bindur se çka po lexonte ishte ajo që pjesa dërrmuese e kardiologëve në botë e kishin cilësuar si “dije” ose “të vërtetë” në atë moment të caktuar kohor.

Pra, njerëzimit ju deshën dhjetëra mijë vjet të kalonte nga belbëzimet, tek gjuha e folur, tek shkrimi dhe për të përfunduar tek shtypshkrimi. Ishte ky i fundit që mundësoi përqendrimin e dijes, sistemimin e saj, lejoi që DIJA të zhvillohej me një ritëm të jashtëzakonshëm dhe të përhapej tek pothuajse kushdo që dëshironte ta mësonte atë.

Ç’ndodhi në epokën e internetit?

Për të kuptuar përmasat e “shpërthimit eksponencial të informacionit” gjatë 30 viteve të fundit mjafton vetëm një tregues. Në një periudhë kaq të shkurtër njerëzimi ka prodhuar 25 milionë herë më tepër informacion krahasuar me gjithë historinë njerëzore. Ndërkohë rrjetet sociale bënë që pragu për të shpërndarë atë që dikush e konsideron “informacion” apo “dije” të ulet ndjeshëm deri në zerim. E vetmja pengesë mbeti vetëdiskrecioni.

Një autor informacioni mjafton të besojë se ka diçka që vlen të ndahet me “rrjetin” dhe e arrin këtë nëpërmjet disa klikimeve. Pavarësisht se gjuha e folur apo estetika e shprehjes mund të mos ndryshojë shumë nga ajo e “të mençurit të fisit” që përmenda në fillim të statusit, dhe gjuha e shkruar mund të jetë shumë më pak e kultivuar se ajo e shkruesve sumerë të para 5 mijë vjetëve, mjaftojnë disa sekonda ose minuta që autori të ndajë “dijen” e vet me gjithë botën.

Kështu arritëm në pikën ku facebooku, tiktoku, instagrami, etj., janë mbushur me burime “informacioni” të cilat algoritmet i shpërndajnë vetëm në funksion të një qëllimi, rritjes së trafikut në rrjetin përkatës. Nuk ka rëndësi nëse dikush që promovon se toka është e sheshtë, shkruan edhe për terapitë gjenetike. Nuk ka rëndësi nëse jep mendime dhe këshilla për vaksinimin një reper, apo një “influencuese” që si zanat të parë ka promovimin e silikonit. “Dija” e tyre u shkon në çast të gjithë rrjetit të ndjekësve, i bën vetes vend nëpër portale dhe jo rrallë merr statusin e standardit!

Kështu bota arriti në pikën kur malli më i rrallë dhe më i çmuar është bërë E VËRTETA! Kushdo që kërkon të vërtetën duhet të harxhojë kohë, mundim dhe sigurisht të ketë një përafrim që është njëkohësisht i shëndetshëm, përzgjedhës dhe mendjehapur. Fatkeqësisht, edhe mendjet më të shëndosha midis vdekatarëve të shekullit të XXI e kanë shpesh të vështirë të gjurmojnë TË VËRTETËN dhe të përfitojnë nga E VËRTETA.

2. Në kërkim të së vërtetës

Ju futa kësaj përsiatjeje të gjatë mbi historikun e DIJES dhe SË VËRTETËS për shkak të atyre që kam lexuar muajt dhe vitet e fundit rreth konspiracioneve dhe nxitësve të teorive konspirative, kryesisht në fushën time të dijes, shëndetësinë.

Dikush që kishte paralajmëruar se vaksina kundër COVID-it do të përdorej për të vrarë Xho Bajdenin dhe Kamala Harrisin dhe parashikon çdo ditë fundin e botës, në vend që të kërkojë falje për plehun që ka hedhur dhe hedh në mendjet e njerëzve, shfaqet papritur si Nostradamus vetëm sepse në diarrenë e parashikimeve të veta, një ose dy midis qindrave janë vërtetuar!

Por ka edhe më keq. Për shembull, kur del një zë i respektuar, që fatkeqësisht merr një paçavure të prodhuar nga kushedi ç’konspiracionist i fantaksur dhe e paraqet këtë si shkencë, vetëm sepse përfundimi i të fantaksurit përputhet me idetë e veta po aq të çuditshme dhe larg shkencës së vërtetë.

I madhi Mark Tuejn dikur shkruante “Kujdes me ato që lexoni në librat mjeksorë; mund të vdisni nga një gabim shtypi”. E njëjta gjë duhet përsëritur sot me shumë më tepër forcë. Kujdes se ku informoheni dhe cilës këshillë i besoni, sidomos në rrjetet sociale dhe mediat online!

Shëndeti është pasuria më e madhe e njeriut dhe në kohën kur DIJA dhe E VËRTETA janë bërë të vështira për t’u hulumtuar, çdokush duhet të jetë super i kujdesshëm. Bëhuni përzgjedhës në informacionin që merrni dhe besojuni vetem burimeve që kanë dhënë prova se bazohen mbi shkencë dhe gjykim të shëndoshë.

3. Përfundim

Në përfundim të këtij viti aspak të lehtë dhe në vigjilje të një kohe që po bëhet gjithmonë e më e vështirë për t’u informuar dhe orientuar, këshilla ime për miqtë realë dhe virtualë mbetet e njëjta.

KËRKONI GJITHMONË TË VËRTETËN DHE, MBI TË GJITHA, MËSONI SE SI TA KËRKONI ATË! E VËRTETA ËSHTË SOT MALLI MË I ÇMUAR PËR MIRËQËNIEN TUAJ FIZIKE, MENDORE DHE SOCIALE! ATË QË PREJ GATI 80 VITESH E KEMI PËRKUFIZUAR SI SHËNDET!

Filed Under: Fejton

Skicë letrare – “Myrto dhe nipi nga Anglia”

December 23, 2024 by s p

Gëzim Zilja/

Para tre vitesh kam shkruar për komshiun dhe mikun tim Myrton. Pinim bashkë kafen e mëngjezit dhe ndonjë raki “ të bërë vetë” siç thoshte kamerieri. Është ai Myrtua që i erdhi djali pas dhjetë vitesh nga Anglia me gruan dhe fëmijën dy vjeç; ndenji tetë ditë, por nuk shkoi as për vizitë te shtëpia e të atit, që ishte ende me mobiliet e kohës së diktaturës. Dy gjëra i ngelën peng Myrtos atë kohë: Nusja nga fshtarat e Fierit (Laleshka thoshte gjithë mllef) që nuk e la as ta prekte me dorë nipin e vogël dhe ato njëqind eurot, që ia dha fshehtas plakës i biri. Ishte bërë bishë nga zemërimi dhe i ishte betuar së shoqes: -Po e kape me dorë atë “qinçe” do të ndjek nga shtëpia!- Me sa më kishte thënë “qinçja” e euros ishte ende, pas tre vitesh mbi komodinë. E shoqja kur fshinte pluhurat e merrte e rrotullonte nëpër duar dhe e linte sërish atje duke murmuritur: – Nuk kam nge tani në pleqëri të merrem me këtë “të çmendurin’ që kam për burrë.- Këtë vit, te “Da Capo,” ku sërish po gjerbja me nge kafen, dikush më kapi nga mbrapa dhe më mbylli sytë me duar
-Gjeje, gjeje kush jam ,- thoshte duke qeshur.
-Ah, presor, ike dhe ti. Ke filluar të çedosh,- tha më zë të lartë duke qeshur me të madhe.
-Je Myrtua. Të gjeta!- thirra nga qejfi, pasi e dallova nga e qeshura.U përqafuam me mall dhe u ulëm. Kishte ndryshuar shumë dhe kjo më gëzoi. Pantallonat dhe shapkat dhuratë nga Kryqi i Kuq nuk i kishte më. Më vonë vura re se çdo katër-pesë ditë ndërronte rrobat dhe pantallonat e shkurtëra, që i rrinin fare mirë në trupin e tij ende robust të një sportisti të dikurshëm. Atletet e kuqe firmato, nuk i hiqte kurrë nga këmba dhe përsëriste:
-Më tha djali se më shkojnë të kuqe, pa për mua le të ishin të çdo lloj boje.- E bënte llogarinë si dikur për të më gjetur si rastësisht por jo gjithmonë më linte të paguaja kafen dhe atë teken e vockël si dikur, që ia donte shpirti sabah-sabah. -Mos na nënveftëso dhe neve,- thoshte, dhe shtonte gjoja i mërzitur, – Të pasur nuk jemi xhanëm, po ja, ca lekë për të paguar kafen i kemi sa për të mos u turpëruar me shokët e miqtë.- Gjatë gjithë kohës që bënim muhabet një djalë i vogël rreth 4-5 vjeç nuk i ndahej duke e mbajtur nga dora. I bëra shenjë nga vogëlushi që po më shihte gjithë kureshtje.
-Është nipi im po nuk di shqip,- Ka nja dy javë që e kam prurë këtu në Shqipëri dhe e mbaj unë me plakën.
-Nuk të kuptoj!
-Po ç’do kuptosh o komandant? Nuk kishin si ta mbanin se im bir punonte larg dhe vinte vetëm fundjavave në shtëpi. Laleshka, e ëma, punonte në një byrektore te disa kuksianë gjithmonë turni i tretë. E merrte në dy të natës dhe e linte turnin në dhjetë të mëngjezit. Kur kthehej nga puna e zinte gjumi sa hapte derën. Lere mos e nga, si ajo punë. Erdhi vet djali që na mori se unë as një fjalë anglisht nuk di. Na thirrën me plakën gjoja si turistë por shpejt e kuptova që puna ishte te nipi. Më erdhi keq dhe thashë të rrimë ca e t’i ndihmojmë. Po ky i uruar nuk dinte asnjë fjalë shqipe se laleshka nuk do që të mësojë shqip: ka nënshtetësi angleze thoshte. Pas tre muaj burg në shtëpi, se burg ishte për mua, i thashë plakës: -Ti po deshe rri, unë të do iki! Erdhi dhe ajo e shkreta me mua. Na vinte keq për nipin po nuk ishte për ne Anglia. U bëra derr. Më mori malli për gurët e drurët si i thonë një llafi. Po deshe më beso por e kam puthur njëqind herë atë derën shtrëmbaluqe prej llamarine të oborrit të shtëpisë. Kur i hoqa shulin dhe e lëviza, krikëllitja e menteshave të ndryshkura mu duk si muzikë. Qava kur hyra brenda. Jo ore byrazer nuk ka si vendi yt, si toka jote. Ore më mori malli edhe për ferrat e baçës, që kam dyzet vjet, i shkul e ato sërish mbijnë. E vetmja zgjidhje ishte të merrnim djalin me vete në Shqipëri. Kënaqet i varfëri, e vjen pas meje e pas plakës si manar. Më ka pjell belaja se nuk di shqip dhe kalamajtë e lagjes nuk kanë lënë fjalë të pista pa ia mësuar. Bela e madhe për zotin! Ca fjalë i ka mësuar. Ajo Laleshka ( ma atë e kishte gjithë mllefin jo me të birin) që ka shkuar me një fustan e një palë brekë në Angli, le të plasë po të dojë. Edhe një strofë nga vjersha e Naimi Frashërit, ia kam mësuar.
-O Klevis, ajde këtu afër të keqen gjyshi! Thuaja atë vjershën që të kam mësuar, këtij shokut tim.- Djali u step pak pastaj filloi me një shqipe të ngatërruar:
-Mëmël(dhe) quhet toka
– Ku më ka l(r)ënurë koka
-Ku kam dashur mëmë e atë
-Ku më njeh dhe gul(r) i thatë!
Sapo mbaroi mori frymë thellë dhe pa Myrton gjithë krenari.
-E shikon o kamandant? Ia kam mësuar vetë një për një. O e bëj shqiptar unë këtë, o mos më thënçin Myrto!
-E bën ti Myrto, e bën,- i thashë. -Ti e do vendin tënd dhe këtë Skelën tonë të dashur.
-Skela ka qenë më përpara, tani këtu nuk e merr vesh qeni të zontin. Le që beton i gjallë nga do të hedhësh sytë. Shyqur kemi detin e çmallemi me të.
-Të të bëj një vërejtje të vogël o Myrto, po aman mos të të ngelet qejfi!
-Nga ty? Për kokën tënde o presor, ç’është ai llaf?
-Ajo vjersha shumë e bukur që recitoi nipi nuk është e Naim Frashërit por e Çajupit. Pastaj djali nuk ka lindur në Shqipëri. Mësoja tët biri atë. Gjej ndonjë vjershë tjetër të shkurtër për gjuhën shqipe, nga Naim Frashëri.
-Më hape punë tani. Do më japësh kohë një javë dhe të shikosh se çfarë kam për t’i mësuar.- Një javë më vonë atje në një cep të Kulaçit (rrethrrotullimit) të Skelës, të Kafeneja e zakonshme, Myrtua kishte kohë që më priste. Kishe veshur këmishë me mëngë të shkurtëra, me një palmë jeshile në gjoks dhe lule shmëngjyrëshe anash, pantallona ngjyrë tulle gjithë xhepa dhe atletet e kuqe, dhurata nga i biri.
-Po hajde o presor se na thave sytë! Kemi gjithë mëngjesin që presim. Nipi do të të thotë vjershën e Naimit.
-Në dhjetë e gjysmë e lamë! Mos më nxirr bojën para nipit,- ia ktheva po me shaka. Sapo unë u ula nipi me qëndrim gatitu filloi:
Gjuhën e mëmëdheut mëso!
Ajo mund të të ndritonjë.
Edhe të tjera ti këndo!
Po atë ta kesh për zonjë.
Sapo vogëlushi mbaroi vjershën e rroka fort, e putha në faqe, dhe i thashë i përlotur: -Bravo Klevis, të lumtë! Je një shqiptar i vërtetë dhe gjyshi jot është patrioti më i madh në të gjithë Skelën.- Myrtos iu bë qejfi sa nuk thuhet dhe murmuriti i lumtur:
-Po ja o presor përpiqem me aq sa di. Unë nuk kam bërë shkollë të madhe, po Klevisi nuk ka për të shkuar në Angli pa mësuar të flasë shqip. Djalin e kam vënë në be: Nëse nuk flisni vetëm shqip me nipin, mos më shkelni në shtëpi, ti dhe ajo laleshka jote, që përmirte në majë të gjëmbit kur erdhët në Shqipëri. E pashë me sytë e mi: Kurrizi i dilte në byrektore, atje në Londër.- Ciku gotën e rakisë me timen dhe përfundoi: Hajde se më mirë do bëhet! Po ja do vuajmë edhe ca kohë se me ç’duken bathët….

E ke menduar ndonjëherë se si ndihet babai yt…?

Besoje apo jo, babai yt mban në mendjen e tij një mal me shqetësime, e megjithatë ecën përpara çdo ditë, pa treguar asnjë shenjë dobësie. Nëse babai yt të thotë se është mirë, mos e gjyko dhe mos mendo se ai dëshiron të shmangë realitetin. Ai mban në zemër një peshë që nuk e shpreh dot, sepse duhet të jetë shtylla e fortë për familjen, të zgjidhë problemet dhe të shqetësohet për mirëqenien e të gjithëve, ndërsa nevojat e veta i harron.
Edhe babi lodhet…
Edhe ai ndihet i vetmuar…
Ai gjithashtu ka nevojë për një përqafim…dhe ti rrallë e pyet: Si je sot, baba?
Ai është mbrojtësi, ofruesi, këshilltari i heshtur, rregulluesi i gjithçkaje, ai që duhet të ketë gjithmonë përgjigjen…
Por gjëja më e rëndësishme është dhe do të jetë gjithmonë mbështetja jote…
Nëse ke probleme, ai do të të ndihmojë dhe do të të thotë se gjithçka do të jetë në rregull. Nëse paratë janë të pakta, ai do të gjejë një mënyrë për të mbuluar shpenzimet, por nuk do të të zhgënjejë kurrë.
Dhe edhe nëse e shikon serioz dhe të menduar, gjithmonë thotë se nuk ka asgjë, edhe pse brenda ka gjithçka…

Filed Under: Fejton

Të guxosh në heshtje…

December 20, 2024 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Si Organizatë e Gruas “Shpresë & Paqe” në SHBA, ndoqëm me shqetësim e dhimbje të madhe ngjarjen e rëndë të një nëne shqiptare, që prej vitesh pret në heshtje të shikojë të birin në stacionin e trenit. Parashqevi Simaku pranoi izolimin social, u shkëput nga jeta artistike duke guxuar të “eksperimentojë” jetën e një homeless-i në pritje të djalit të saj të vetëm.

Organizata jonë që në fokus të misionit ka mbrojtjejn e të drejtave të grave dhe fëmijëve, aq më tepër që disa nga antaret kanë pësuar drama të rënda në familje nga bashkëshortët si dhunë psikologjike dhe dhunë fizike me pasoja për jetën, por një rast të tillë të ngashëm me të artistes së njohur Parashqevi Simaku, është duke përjetuar edhe një nënë tjetër shqiptare në New York nga ish bashkëshorti i saj shqiptar, i cili me vendim gjykate ka fituar kujdestarinë e djalit dhe nuk lejon në asnjë mënyrë që ajo të takojë të birin.

Në aryetimin tonë, vërtetë një gjykatë vendos që kujdestarinë e fëmijës t’ia kalojë babait të fëmijës, por ky individ nga ana humane, pse nuk shfaq asnjë pikë ndjenje prindërore që ky fëmijë mos të rritet me trauma, t’i krijojë mundësinë që të shikojë, përqafojë, e të përkëdhelet njësoj nga të dy prindërit. Ose të paktën t’a takojë në prani të një punonjëse sociale.

Kemi bërë disa përpjekje pranë institucioneve amerikane që nëna të ketë të drejtë të takojë e të flasë me të birin e saj, por pa sukses. Edhe në rastin konkret kemi bërë përpjekjet tona për të marë kontakt më mbështësit e këngëtares së njohur Parashqevi Simaku, Elton Ilirjani dhe Elvira Tata, por e pamundur. Siç deklaroi edhe aktori dhe miku i saj Herion Mustafaraj që ka bërë përpjekje për të folur me ta por nuk ka marrë përgjigje.

Pavarësisht ngjarjeve se si mund të kenë e kishin ndodhur, por pas intervistës së ish bashkëshortit të saj në Tv- Top Chanel, na la një shije të hidhur e mos sinqeritet nga ana e tij. Fakti që një nënë për mëse tetë vite qëndron në rrugë, në një stacion treni vetëm e vetëm, për të parë djalin e saj n’a vuri përpara një sirene alarmi. Nëse do kishte dashuri për gruan e tij nuk do ta braktiste sepse ajo paskësh qenë e sëmurë, dhe familjes së saj nuk do t’i fliste me një gjuhë të ashpër “Hajdeni merreni se keni për ta gjetur në kazanin e plehrave”

Shkuam në Manhattan tek Stacioni i Trenit, për të folur e për t’a sistemuar diku Parashqevinë, në një banesë por nuk e gjetëm atje. Më vonë nëpërmjet medias mësuam se ishte sistemuar në një hotel në New York. Duke vlerësuar këtë ngjarje si një tronditje për komunitetin tonë e shoqërinë shqiptare në tërësi, dhe duke mos rënë në kontakt me Zj. Simaku, kontaktuam menjëherë Misionin Shqiptar të OKB në New York, si dhe një avokat që gëzon respekt në Shqipëri dhe SHBA. Ambasadoria Zj. Suela Janina e mirëpriti telefonatën tonë dhe tha se: “Pa tjetër si titullare e Misionit Shqiptar në New York, si nënë e si motër shqiptare, unë do të interesohem dhe të shikojmë se çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar artisten Parashqevi Simaku”.

Ne sigurisht na gëzoi fakti që Zj. Simaku u gjet dhe u sistemua më së miri në një hotel në Manhattan dhe përgëzojmë interesimin dhe kujdesin maksimal treguar prej Zj. Elvira Tata dhe artistit Elton Ilirjani. Ndërkohë që i dërguam mesazh Eltonit dhe Elvirës që të ishin në kontakt edhe me ne si Organziatë që meret me të drejtat e grave dhe fëmijëve. Por edhe sot që po publikojmë këto rreshta akoma nuk kemi asnjë lajm as nga Elton Ilirjani as nga Elvira Tata.

E rëndësishme është që Elton Ilirjani arriti kontaktin e saj me të birin. Ky është një sukses i tij për vetë Parashqevinë edhe për ne si gra, si nëna fëmijësh dhe shpresojmë që çdo gjë këtej e tutje t’i shërbejë e t’i shkojë mirë ikonës së talentuar Parashqevi Simaku.

Njëherësh kërkojmë që vëmendja të kthehet edhe tek nëna e re që ne njohim e që akoma vuan për të takuar djalin e saj që u lind nga një nënë shqiptare, u rrit dhe është penguar për të parë nënën e tij nga një baba shqiptar. Mendojmë gjithashtu se ligji amerikan që vendos pas divorcit; Fëmija mos të ketë të drejtë të ketë asnjë kontakt me prindin tjetër të shikohet me përparësi nga senati dhe kongresi amerikan, pasi përsëri do të kemi viktima dhe ngjarje tepër të rënda nëpër familjet shqiptare dhe amerikane.

Filed Under: Fejton

“Porosia e Kullës”…

December 19, 2024 by s p

Dr. Gjeka Gjelaj/

Kushdo që do ta lexojnë librin e tij, do ta kuptojnë qartas sepse është e rëndësishme që të percaktosh qëllimet dhe mënyrat se si të ia arrish suksesit. Duke filluar si bari dhe punëtor bujqësor në fshatin Spij dhe Sukrugj, duke udhëtuar ilegalisht nëpër Meksikë, dhe duke arritur së bashkut me motrën Dritën, në token e premtume, brenda bagazhit të një makine të vjetër amerikane, Dr. Camaj bëhet bojaxhi i punësuar nga  Zeka, përndryshe Zek Martin Smajli Ivezaj dhe më pas plotëson dëshirën e flaktë dhe vazhdon studimet universitare duke u bërë studius shkencor në hulumtimet e veçanta në hapësirat e dy kontinenteve. Autori jonë, i dashuri Dr. Camaj, tregon një talent të rafinumë dhe një shije të veçantë, kisha me thënë pasion ndaj përshkrimit të detajuar. Ky përshkrim me finesë dhe saktësi përfshin çdo aspekt të jetës dhe familjes së Pjetër Zekut dhe të tijën personale. Nëpër faqet e këtij libri,autori tregon  një shkathtësi dhe kujdes të veçantë edhe në gjërat më të imta të jetës së tij.

Kushdo që ka lexuar veprat e autorëve edhe me renome botërore e kuptojnë se ata shpesh akuzohen, fshehurazi apo haptazi, nga të tjerë për rrethanat e dështimit apo mossuksesit të arritjeve të tyre. 

Jo, Dr. Camaj nuk e bën këtë gabim por si shkencëtar dhe shkrimtar i talentuar ballafaqohet me sfidat apo pengesat e lloj llojshme që jeta dhe rrethanat ia paraqesin. Ai i kupton  pengesat, ballafaqohet me to, dhe në mënyrë reale kërkon përgjigjet ose psehjet më të përshtatshme. Duke ju falenderuar bagazhit shkencor dhe karakterit të tij dhe të familjes së tij stoike, ai tejkalon çdo errësirë të pesimizmit dhe shpërthen porsi drita e diellit në mëngjes, në oqeanin e pafund të optimizmit. 

Edhe pse gjakatarët dhe të pa shpirtërit serbo-malazez me në krye  kriminelin Bajo Stankoviçin ja pushkatojnë gjyshin Pjetër Zekun, të pafajshëm sepse i vetmi faj i gjyshit Pjetër, ishte se ai ishte shqiptar, patriot dhe katolik i bindur, Dr. Camaj, në mirësinë e karakterit të tij dhe të familjes së tij Camaj nuk kërkon as nuk propagon hakmarrje as urrejtje. Autori me vëllezërit e vet, e sidomos me këtë vepër, kanë kërkuar dhe kërkojnë, shpirtërisht në heshtje, që aktet kriminele dhe zullumet e papërshkrueshme që malsorët përjetuan nga serbo-malazezët mos të harrohen dhe dashtë Zoti kurrë ma mos të përsëriten! 

Ka ndryshuar dhe gjithnjë ndryshon Malsia e Pjetër Zekut, ndryshon ajo e Dr. Pashkut dhe është duke aguar një shpresë e re në Malsinë tone kreshnike: e lirë, demokratike dhe e thashtë Zoti e bashkuar përgjithmonë me trungun shekullore dhe të pandarë nënën Shqipëri.

Një vështrim kritik i shkurtër lidhur me librin Porosia e Kullës

Dëshiroj të ju tërheqi vëmendjen, juve këtu prezent miq të librit, si dhe atyre që do e vijojnë këtë promovim përmes mediave të ndryshme, mbi rëndësinë thelbësore që unë mendoj e ka përshkrimi i detajeve dhe të rrethanave jetesore që Dr. Camaj i ka përjetuar dhe i paraqet lexuesit në një mënyre kuptimplote dhe shpeshherë emocionale

Detajet edhe më të voglat, dhe ndodhjet më elementare në këtë jetëshkrim të një malësorit burimor, janë të rëndësishme, në mendimin tim, sepse ia bëjnë të mundshme lexuesit (në këtë rast mue dhe juve) që thellësisht të lëshohemi apo të depërtojmë në labirintin  apo brendësinë shumedimenzionale, shpesh mbresëdhënëse të jetës së autorit duke bërë të mundshme edhe të këndshme të kuptuarit dhe psehjen në kontekstin e ndodhjeve dhe rrethanave që autori Camaj, në mënyrë të gjallë dhe bindëse ia parashtron lexuesit.

Në këtë mënyrë, unë mendoj se autori ka lehtësuar procesin dhe vështirësinat e përjetimit personal të ndodhjeve, të ambjentit, të kohës, dhe të personave që janë pjesë e pandarë, integrale e shtegtimit të tij në jetë. Këtë autori e ka arritur duke u fokusuar dhe duke parashtruar në mënyrë bindëse dhe kisha me thënë me një krenari të përvujtshme shpirtërore, këndvështrimin dhe prospektivën e tij jetësore.

Ishte e vështirë dhe e komplikuar  ne ate kohe jeta e një studentit  shqiptare  i përbuzur dhe i mohuar nga  sistemi dhe politika sllavo komuniste. Vetëm ata të cilët e kanë përjetuar këtë kalvar mund ta kuptojnë dhe ta vlerësojnë në tersi! Të tjerët munden vetëm ta përshkruajnë dhe të shprehin mendime. Në këtë mënyrë, dhe i armatosur më këto pasuri  shpirtërore dhe intelektuale, autori  e ndihmon lexuesin që të shmanget nga rreziku që ai të mbetet ”i shkëputur” nga realiteti duke patur  në disponim vetëm  një rreshtim faktesh shpeshherë të ftohta dhe jo personale.

Unë jam i mendimit që autori i mirënjohur duke poseduar një bagazh të pasur shkencor dhe i paisur me një eksperiencë shpeshherë mahnitëse të jetës dhe me përjetime të veçanta të një malesorit tipik, në këtë rast malsor erudit, munt të ketë pasur këto qëllime:(ju rrëfej të vertetën se kurrë nuk e kam pyet)

  1. Lexuesi përmes detajeve duhet të pasurohet dhe bindet me një kuptim kontekstual që e bën të mundshme dhe kuptimplote rëndësinë e ndodhjeve dhe të motiveve reale të autorit.
  2. Detajet dhe autenciteti do e bëjnë të mundshme, le të shpresojmë, që lexuesi të fitojë simpati për autorin, dhe të bashkëndihet edhe në aspektin emocional me ndjenjat, mendimet, ëndërrat, mosmundësitë  tragjedit, dilemat,dhe rreagimet e ndryshme te autorit.
  3. Detajet edhe më të vogla në  autobiografinë Porosia e Kulles ,të autorit Camaj, ku përshkruhet marrëdhëniet interpersonale dhe ato shoqërore, mendoj unë, ndihmojnë në zhvillimin dhe përforcimin e karakterit të veçantë të autorit Dr. Pashko Camaj. 

Nga këto përshkrime, jam i bindur  se rrezatojnë dhe paraqiten si të gjalla, vuatjet, shpresat, dyshimet, nostalgjitë, e sidomos pasiguria dhe mosbesimi në “realitet dhe në ndodhje” që në fund të odisesë personale kristalizohen.Dhe të gjitha sëbashkut përforcojnë një personalitet kompleks dhe të veçantë, të lindur dhe rritur në ambjentin shëndoshtë shekullor të fesë katolike dhe vlerave  familjare tipike shqiptare. Pra, të guximit, të optimizmit dhe të patriotizmit që në këtë përjetim u  paguan me sakrifikimin sublim te gjyshit Pjetër Zekut me shokë.

  1. Një tjetër vlere thelbësore që une mendoj se këtë veper e bën edhe më të vlefshme, sikurse e kam theksuar më pare, është autenticiteti i tregimit të ngjarjeve. Shpalosi disa mendime: 

Autenticiteti i autorit është shumë i vërtetë dhe i pa përpunuar. Unë kisha me thënë që eshtë i pa filtruar dhe i zhveshur nga çdo shtesë e pa nevojshme, faktike, bazuar në fakte dhe e përjetuar në jetën e autorit.

Unë gjithashtu mendoj se tregimet e ngjarjeve autentike dhe të vërteta të autorit Camaj, është çdo gjë që nevojitet për një pëshkrim të ndodjeve personale. Mbasi lexova librin me vëmendje, porsi kur një student që lexon tekstet para një provimit të rëndësishëm duke shënuar gjërat më të rëndësishme, unë jam bindur se Porosia e Kullës,  është një prodhim i gatuar në një zjarr të ndezur dhe shpërthyes emocionesh, pritshmërish dhe ëndrrash të një jetë të vërtetë. Fatbadhësisht, mendoj unë, produkti apo rezultati i fundit është, asgjë tjetër përveç se tregimit i një jetë të dhimbshme por edhe trijumfuse e një studiuesit të përkushtuar dhe një shkrimtarit të shkathët dhe të merituar. Më fund unë mendoj se për pa autenticitet të librit nuk do të egzistonte mundësia e një lidhje reale mes librit, pra ngjarjeve dhe lexuesit, dhe nuk do të kishte një ndikim të thellë dhe domethënës për lexuesin.

 Gjithnjë në temën e autenticitetit, shpresoj se nuk bëj gabim nëse theksoj se tregimet e jetës, pra memuarët dhe autobiografitë janë themelet dhe shtyllat e shëndoshta dhe të pazëvendësueshme  të qytetërimit judeo-kristian perëndimorë, dhe në të njëjtën kohë themelet dhe pasuria kulturore dhe shpirtërore e trashigimisë së shoqërisë shqiptare.

Legjendat, mitet, tregimet e vjetra dhe ato më të rejat në letërsinë shqipe na informojnë dhe në një mënyrë na detyrojnë që të kthehemi në të kaluarën për ta shikuar dhe rishikuar, dhe mbi të gjitha për të mësuar nga ajo. Këtë autori Camaj e ka arritur pa asnjë dyshim! Historianët dhe studjuesit e letërsisë do të mund t’u referohen shkrimeve apo burimeve të tilla. Duke e përfunduar mendimin tim mbi Porosinë e Kullës, jam i bindur se Dr. Camaj na thërret apo kisha me thënë lëshon një kushtrim: “nëse doni të vërtetën, duhet te shikoni mbrapa, duhet të konsideroni dhe të shpalosni të kaluarën e vërtetë. Dhe më në fund duhet që nga ky shikim kritik të mësojmë.”

Mirëpo, unë kisha me shtuar që për ta shikuar të kaluarën dhe për ta përjetësuar atë në letër duhet kurajë dhe bindje, duhet besim dhe përkushtim, dhe mbi të gjitha duhet që neve mos ti frikësohemi të vërtetës dhe për këtë arsye unë mendoj se Porosia e Kullës është vepër e çmuar e letërsisë shqipe dhe sidomos historiko-didaktive.

Urime autorit!

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 121
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ndahet nga jeta Dr. Teodor “Tolo” Kareco, studiuesi e që ndërthurte historinë me ekonominë
  • Çfarë ndryshoi në 51 ditë protestë?
  • Ndahet nga jeta akademik Emin Riza, studiuesi i shquar i trashëgimisë kulturore
  • REPUBLIKA E KOSOVËS NË GJYKATËN E HISTORISË DHE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE: OPINIONI I GJND-së SI VULË JURIDIKE E SOVRANITETIT
  • “Shqipëria në’ Luftën e Madhe’, 1914-1918”
  • SHTRESAT SEMANTIKE TË POEZISË SË ASDRENIT “KOSOVËS”
  • Në kryeqytetin e Landit Baden-Württemberg jehoi vallja e bukur shqiptare nga Shoqata “Pavarësia”
  • Standardi dhe demagogjia rreth protestës kombëtare
  • Nga Naçertania te deklarata e Paunoviqit, vazhdimësia e doktrinës shtetërore serbe dhe sfida e ballafaqimit me të kaluarën
  • Shqipëria dhe alergjia ndaj revolucioneve
  • WEAK REACTIONS TO SERBIAN RACISM ARE DISAPPOINTING
  • Vepra e Matija Petar Katančić (1798), një dëshmi monumentale e historiografisë dhe filologjisë shqiptare
  • PËRBALLË PROTESTAVE NË TIRANË DHE KRIZËS SË DEMOKRACISË, KUJTOJMË PROFESOR ARSHI PIPËN
  • 𝐒𝐭𝐚𝐭𝐮𝐣𝐚 𝐞 𝐏𝐞𝐫𝐚𝐧𝐝𝐨𝐫𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐃𝐮𝐫𝐫𝐞̈𝐬: 𝐀 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐯𝐞̈𝐫𝐭𝐞𝐭 𝐍𝐞𝐫𝐨𝐧𝐢?
  • Kandidate për Këshillin e Qytetit të Mississaugës në Kanada, Mendi Kabashi: “Suksesi i çdo shqiptari është krenari për të gjithë ne”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT