• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Baballarët e kombit…

January 24, 2025 by s p

Artan Nati/

Në çdo 28 nëntor ne shqiptarët festojmë ditën e pavarësisë dhe bashkë me të ne kujtojmë e përkulemi me respekt ndaj figurave ose baballarëve të kombit tanë duke filluar me Skënderbeun dhe më tej me rilindasit e lufëtarët legjendarë e duke e kurorëzuar me shpalljen e pavarësisë nga plaku Ismail Qemali e patriotë të tjerë. Dua të theksoj se kontributet e tyre për kombin tonë janë madhështore dhe monumentale, por edhe gabimet e tyre njerëzore që shkaktuan kaq shumë dhimbje. Asnjë nga Etërit tanë themelues nuk ishte 100% hero ose 100% plangprishës. Ata ishin qenie njerëzore. Ata arritën diçka vërtet të jashtëzakonshme duke na dhuruar pavarësinë dhe lirinë tonë, por ata nuk ishin të përsosur dhe ne nuk duhet të pretendojmë se ishin. Unë jam mirënjohës për lirinë që gëzoj për shkak të punës së palodhur, urtësisë dhe sakrificës së Etërve tanë dhe shumë të tjerëve. Por unë nuk i adhuroj ata, por më pëlqen t’i shikoj me sy kritik, për të njohur më mirë veten, kulturën tonë si edhe këtë situatë ku ndodhet Shqipëria jonë sot. Nuk do të dëshiroja që këta drejtues, politikanë apo figura të kulturës dhe artit të ditëve të sotme, të konsiderohen si ëngjëj apo patriotë dhe legjendarë nga brezat e ardhshëm.

Atdhedashuria i frymëzon njerëzit, siç bëri sigurisht me Etërit tanë. Por edhe kur i frymëzon, ajo nuk ua heq aftësinë për të bërë gabime, madje edhe gabime serioze. Atdhedashuria i frymëzon njerëzit, por shpesh dëshira për status dhe interesi personal, i frymëzon ata më shumë. Kjo është si të thuash bekimi dhe mallkimi ynë, kjo është natyra njerëzore dhe shpesh ata që ne i quajmë etër të kombit bëjnë gabime monstruoze, të cilat për çudi ne i harrojmë me qëllim apo për naivitet. Etërit e kombit ishin qenie njerëzore me të meta si ju apo unë. 

Të qenit perfekt nuk është ajo që e bën diçka të bukur, por, janë papërsosmëritë që i bëjnë njerëzit perfekt.

“Sa më i përsosur të jetë personi nga jashtë, aq më shumë demonë ka nga brenda.”

Nën mbulesën e lëmuar të përsosmërisë shpesh shtrihet një tapiceri e emocioneve dhe dobësive të paeksploruara. Konstatimi i Frojdit penetron nëpër fasadë, duke na kujtuar se autenticiteti shfaqet kur ne njohim dhe integrojmë papërsosmëritë tona. 

Prandaj shpesh thuhet se një gënjeshtër qëndron në njërën këmbë dhe vërteta në dy, duke nënkuptuar se perfektja nuk ka kuptim pa bashkëegzistencën e joperfektes. Është fyese në fakt, biles djallëzore do të thoja, prezantimi i shumë figurave tona të shquara në fusha të ndryshme si ajo e politikës, artit, shtetformimit etj si perfekte, duke mos nxjerrë në dritë anën e tyre negative . Ky është shërbimi më i keq që ata mund t’i bëjnë kombit sepse sa më perfekte ata ta paraqesin të kaluarën dhe personazhet e saj, aq më shumë ata mbulojnë demonët e tyre dhe nuk i japin mundësi kombit të njohi demonët e tij, të sfidojë limitet e veta dhe të marri përgjegjësi për dështimet dhe problemet e krijuara. Ne si komb e kemi domosdoshmëri të përballemi me demonët tanë, me problemet dhe gabimet e heronjve tanë realë dhe imagjinarë dhe nuk kemi nevojë për të ashtuquajturit intelektualë, të cilët për shkak të injorancës apo djallëzisë së tyre injektojnë mentalitetin e skllavit tek shqiptarët, duke fajësuar gjithmonë fqinjët tanë, fuqitë e mëdha apo komunizmin( të cilin ne vetë e përqafuam). Ndërkohë që shumë nga analistët apo edhe atdhetarët tanë shajnë komunizmin dhe komunistët me të drejtë, po këta persona harrojnë të përmendin faktin se Fan Noli, si një nga figurat më të mëdha patriotike dhe kulturore të vendit, ishte përkrahës i Bashkimit sovjetik si edhe u bekua si kryepeshkop i vendit nga kisha ortodokse e Rusisë. Gabimi i Nolit ishte tërësisht njerëzor, po të kemi parasysh faktin se edhe një nga filozofët më të mëdhenj të shekullit të kaluar dhe pikërisht Jean Paul Sartre, ishte një mbështetës dhe avokat i socializmit dhe komunizmit. Kjo nuk e ul aspak figurën e Nolit, përkundrazi e bën atë më perfekte, më njerëzore dhe na tregon qartë se ne shqiptarët kishim dhe ndoshta kemi një tendencë jokoshiente për të përqafuar komunizmin apo të majtën, dhe kjo ndoshta edhe si pasoje e ndarjes kulturore dhe ekonomike nga europa perëndimore, për shkak edhe të pushtimit otoman. Kjo nuk na shfajëson, por përkundrazi na jep një mundësi të jemi koshient për kufizimet tona dhe na inkurajon të përballemi me këtë fakt në çdo hap tonin. 

Gjithashtu shpesh akuzohet perëndimi për neglizhencën ndaj Shqipërisë, sidomos pas luftës së dytë botërore, e cila përmbysi ëndërrën e patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë të kohës. Gjithashtu akuzohen (me të drejtë) komunistët, të cilët u bënë vasalë të sllavo-komunistëve dhe si të tillë shkatërruan përfundimisht ëndërrën e bashkimit të Shqipërisë duke e futur vendin në periudhën më të zezë të historisë së Shqipërisë. Këto javët e fundit ka pasur shumë shkrime për figurat e nderuara të patriotëve, që luftuan me pushkë dhe penë për bashkimin kombëtar. Figura të tilla të nderuara si Mustafa Kruja dhe Ernest Koliqi etj, luftuan dhe punuan për bashkimin e vendit dhe përhapjen e dijes në vend dhe kjo përshkruhet në faqet e ndryshme të gazetave të vendit. Të krijohet përshtypja se fati ka qenë kundër tyre dhe vendit tonë, por le të ndalemi pak se askush nuk është ëngjëll e ndoshta edhe kanë gabuar. Në fakt, Kruja si kryeministër dhe Koliqi si ministër i arësimit, nuk bashkëpunuan me qeverinë e Zogut për interesin kombëtar, përkundrazi u munduan ta sabotojnë atë dhe kur nuk arritën synimet e tyre, u larguan në Serbi e më tej në Itali. Ata nuk pushuan së punuari për realizimin e qëllimeve të tyre patriotike, por ndoshta mënyra që zgjodhën ishte e gabuar. Ndoshta nga dëshira e madhe për ta parë Shqipërinë e bashkuar, ndoshta edhe nga dëshira e madhe e tyre për pushtet e lavdi, bëri që ata të ndihmojnë në pushtimin fashist nga Italia fashiste, duke e rreshtuar Shqipërinë me vendet totalitariste dhe kundër boshtit anglo – amerikan. Me qëndrimet e tyre bënë të mundur bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, por i dhanë indirekt ndihmën më të madhe komunizmit në Shqipëri. Komunistët, me mbështetjen direkte të jugosllavëve, shfrytëzuan urrejtjen popullore ndaj fashizmit dhe të gjithë e dimë çfarë ndodhi më tej. Gjithashtu ministri i arsimit ndaloi të gjitha shkollat e tjera, përveç shkollave fashiste, por pati meritë të madhe për përhapjen e shumë shkollave shqipe në Kosovë dhe dërgimin e 200 mësuesve atje. Të gjitha këto që thamë më lart nuk e zbehin aspak figurën e këtyre patriotëve të nderuar, por përkundrazi me imperfeksionet e tyre, i bënë edhe më të mëdhenj e njerëzor, duke na bërë ne të kuptojmë se ata ishin njerëz si të gjithë ne dhe duke njojtur imperfeksionet e tyre na japin neve mundësi të njohim demonët tanë dhe të reflektojmë. Të tillë shembuj ka shumë me figurat tona të pas viteve 90, gabimet e të cilëve kanë qenë fatale për vendin dhe tregojnë qartë se në shumicën e rasteve, këto figura janë motivuar nga interesat e tyre personale për pushtet e para dhe lavdi. I ngjashëm ishte rasti i Ramës kur i servilosej rekomandimeve të ndërkombëtarëve për idenë e Ballkanit të hapur, në bashkëpunim me Vuçiç-in e Serbisë, por kundër interesave të Kosovës dhe kombit. Po ashtu edhe rasti i PD-së, e cila mbështeti një kriminel dhe armik të shqiptarëve në zgjedhjet e Himarës, për interesa të ulëta personale, por antikombëtare.

Si është e mundur që një nga figurat më patriotike në vend, siç është Mid’hat Frashëri, shihet me urrejtje nga një pjesë e shqiptarëve dhe me adhurim nga një pjesë tjetër. Si ka mundësi që ne nuk arrijmë të vlerësojmë si komb vlerat e mëdha të tij, megjithë gabimet njerëzore të tij.

Në përgjithësi, Etërit e kombit tonë nuk duhet të shihen si supermen më të mëdhenj se jeta, por më tepër si qenie njerëzore me të meta por me arritje të mëdhaja për kombin. Ne mund  dhe duhet  të mësojmë pjesët e shëmtuara të historisë së kombit tonë, edhe nëse kjo i largon baballarët tanë themelues nga heronj të përsosur në qenie njerëzore të zakonshme. Le të jemi mirënjohës për të gjithë ata që sakrifikuan dhe punuan për lirinë tonë.

Filed Under: Fejton

 Një komedi tragjike e medias së kapur. Pse Arlind Qori shihte më kthjellët?

January 13, 2025 by s p

Satirë nga Rafael Floqi

Një natë e zakonshme në televizionin kombëtar shqiptar  “Klan”, ku gjithçka shitet si “debat i madh” dhe përfundon si reklamë për padronët mediatikë, u kthye papritmas në një rast të artë për komedi politike. Arlind Qori i partisë të vogël Lëvizja Bashkë, në rolin e Don Kishotit që përpiqet të luftojë mullinjtë e erës të medias të blerë shqiptare, përplasi shpirtin idealist me murin cinik të Blendi Fevziut, i cili ngjan më shumë si rojtari i portës së interesave private të Klanit të Aleksandër Frangajt sesa si moderatori i një emisionin publik “Opinion” që s’pranon asnjë opinion kundër ‘Klanit’.

Debati filloi si një përplasje mes koncepteve të qarta: Qori, i pajisur me një kosh me të vërteta të hidhura, dhe Fevziu, me një lopatë për të groposur çdo ide që ngre kokën kundër status quo-së. Kulmi erdhi kur Fevziu, i fryrë nga vetëbesimi, deklaroi se “askush nuk më thotë kë të ftoj dhe kë jo”. Në atë moment, publiku diku mes rrjetave sociale shpërtheu me të qeshura, ndërsa Arlind Qori ndoshta po mendonte: “A është ky realitet apo një skenar satirik i ‘Portokalli’-së?”

Por, në fakt, satira ishte shumë më e thellë. Fevziu, në përpjekjen e tij për t’u dukur si kampion i gazetarisë së lirë, u shndërrua në avokat të sistemit të kapur. “Media është private,” tha ai, duke harruar se edhe monopoli është privat, por kjo nuk e bën më pak problematik. Pika kulmore e humorit të zi erdhi kur Fevziu përpiqej ta mbulonte diellin me shoshë, duke e quajtur televizionin një arenë ku vlen vetëm audienca, ndërsa pronarët që marrin tendera nga shteti dhe vendosin se kush duhet të flasë, thjesht “kalonin aty rastësisht”.

Arlind Qori, i cili e dinte që po luante në një terren të minuar, nuk u tërhoq. Ai citoi Arian Çanin, që dikur e kishte pranuar publikisht se kishte marrë urdhër të mos e ftonte Qorin. Kjo, për Fevziun, nuk ishte e mjaftueshme për të pranuar që media shqiptare është më shumë një kioskë propagande, sesa një institucion informativ. Në fakt, Fevziu, me një entuziazëm që do ta bënte edhe Lali Erin të skuqej, u pozicionua si kalorësi i fundit që mbron sistemin e vetëshkatërruar.

Dhe kështu, televizioni shqiptar ‘Klan” vijon të bëjë atë që di më mirë: të bëjë sikur debaton, por në fakt reciton. Çdo protestë, çdo zë kritik, çdo denoncim zhduket nga ekranet me një shpejtësi që do t’ia kishin zili edhe magjistarët. Qori e denoncoi këtë realitet me një shembull brilant: pensionistët protestonin në rrugë, por Top Channel transmetonte kryeministrin që i sulmonte ata pa iu dhënë as një sekondë hapësirë për t’u përgjigjur.

Në këtë pikë, satira bëhet edhe vetë ekzistenca e debatit. Nuk është më vetëm një çështje personale mes Fevziut dhe Qorit, por një reflektim i groteskut të mediave shqiptare, që janë kthyer në servilë të përulur të pronarëve dhe kryepushtetarëve. Të njëjtët pronarë që ndërtojnë kulla dhe i përdorin ekranet si fasada për të mbuluar shkatërrimin që lënë pas.

Por ajo që i jep fund kësaj satire është ironia më therëse: një pjesë e të ftuarve në studio, në vend që të diskutojnë për problemin e vërtetë, i thanë Qorit: “Ç’të duhet ty? Media është private.” Kjo është si t’i thuash një pacienti: “Ç’të duhet ty që mjeku yt nuk të kuron? Ai është privat!”

Sistemi mediatik shqiptar nuk ka nevojë për më shumë debate në studio, ku çdo temë përfundon në një batutë të Fevziut dhe një buzëqeshje cinike nga ndonjë tjetër. Ka nevojë për një pastrim rrënjësor, sepse në këtë moment, mediat nuk po e shërbejnë publikun, por një grusht njerëzish që përdorin ekranin për të manipuluar realitetin.

Dhe kështu, Qori mbeti një zë i vetëm në një studio të mbushur me njerëz që, ndonëse të rrethuar nga dritat e kamerave, nuk arrijnë të shohin të vërtetën që kanë përpara syve. Por, siç thoshte dikur dikush: “Në një vend me të verbër, edhe ai që ka një sy është mbret.” Prandaj, të dashur shikues, mendoni vetë: cili nga të dy ishte ai që vërtetë po shihte qartë.

Filed Under: Fejton

Sir Andrew Ryan: Diplomati Irlandezo- Britanik që e ndihmoi të arratisej Mbretin Zog

January 11, 2025 by s p


Sir Andrew Ryan: Diplomati Irlandezo- Britanik që e ndihmoi të arratisej Mbretin Zog


Nga Ndrek Gjini

MA, University of Galway Ireland


Kush ishte Sir Andrew Ryan?

Sir Andrew Ryan, ishte një diplomat i shquar irlandezo -britanik, i cili shërbeu si Konsull i Përgjithshëm në Shqipëri nga viti 1936 deri në 1939.

Mandati i tij në Shqipëri shënoi kulmin e një karriere të gjatë dhe të shquar në shërbimin diplomatik britanik, gjatë së cilës ai kishte mbajtur më parë poste në Marok dhe Arabinë Saudite.

Lindur më 5 nëntor 1876, në Rochestown, County Cork, Irlandë, Ryan vinte nga një familje aristokrate.

Motra e tij, Mary Ryan, ishte gruaja e parë që u bë profesore në Britaninë e Madhe dhe Irlandë.

Arsimimi i Ryan në Christian Brothers College, Cork, dhe Queen’s College, Cork, hodhi bazat për karrierën e tij të ardhshme diplomatike.

Ryan hyri në Shërbimin Konsullor të Levantit në 1897, duke filluar një udhëtim që do ta ngjiste atë në radhët e diplomacisë së lartë britanike.

Ryan Konsull i Përgjithshëm në Shqipëri

Karriera e tij e hershme diplomatike filloi në Konstandinopojë, ku ai shërbeu si përkthyes, duke fituar përvojë të vlefshme në botën komplekse të politikës dhe diplomacisë osmane.

Në vitin 1936, Ryan u emërua Konsull i Përgjithshëm në Shqipëri, një pozicion që e mbajti deri në vitin 1939.

Ky emërim erdhi në një kohë vendimtare në historinë shqiptare, ndërsa vendi, nën drejtimin e Mbretit Zog I, ishte në një ekuilibër delikat midis ruajtjes së pavarësisë së vendit të tij dhe menaxhimit të ndikimit në rritje mbretërisë italiane.

Ryan dhe miqësia e tij me Mbretin Zog

Gjatë kohës së tij në Shqipëri, Ryan zhvilloi një marrëdhënie të ngushtë pune me Mbretin Zog I.

Përvoja dhe aftësia diplomatike e diplomatit britanik me origjinë irlandeze ishin asete të vlefshme në peizazhin kompleks politik të Shqipërisë së viteve 1930.

Kujtimet e Ryan, të botuara pas vdekjes si “I Fundit i Dragomanëve”, ofrojnë njohuri mbi ndërveprimet e tij me Mbretin Zog dhe oborrin mbretëror shqiptar.

Ai vëzhgoi me shqetësim ndikimin italian në rritje në Shqipëri, duke njohur mirë kërcënimin që paraqiste kjo gjë për sovranitetin shqiptar dhe interesat britanike në rajon.

Mandati i Ryan në Shqipëri ishte i vështirë pasi përkonte me një periudhë tensioni në rritje në Evropë.

Regjimi fashist italian nën Musolinin po ushtronte presion në rritje mbi Shqipërinë, gjë që kulmoi me pushtimin italian të 7 Prillit 1939.

Ndërsa situata u përkeqësua, Ryan luajti një rol vendimtar në informimin e Londrës për zhvillimet në Shqipëri.

Raportet e tij për Ministrinë e Jashtme Britanike ofruan njohuri të vlefshme mbi politikën e brendshme të Shqipërisë dhe kërcënimin italian në rritje.

Misioni i Ryan në Shqipëri

Misioni i Ryan në Shqipëri përfundoi me pushtimin italian të Shqipërisë, të Premten e Madhe, me 7 Prill 1939.

Kur Italia e pushtoi Shqipërinë, Ryan luajti një rol instrumental dhe ndihmoi shumë në lehtësimin e arratisjes së Mbretit Zog dhe familjes së tij.

Veprimet e diplomatit britanik gjatë kësaj krize demonstruan angazhimin e tij ndaj detyrave të tij si diplomat dhe dëshmuan marrëdhënien e tij personale me familjen mbretërore shqiptare duke e ndihmuar atë të arratisej.

Mandati i Sir Andrew Ryan në Shqipëri, megjithëse relativisht i shkurtër, ishte i rëndësishëm në kontekstin e marrëdhënieve britaniko-shqiptare në periudhën midis dy luftërave botërore.

Përvoja dhe aftësitë e tij diplomatike ishin vendimtare në atë  peizazh kompleks politik të Shqipërisë së viteve 1930.

Kujtimet e Ryan në libirn ‘The Last of the Dragomans’

Kujtimet e Ryan, të botuara pas vdekjes së tij, ofrojnë njohuri të vlefshme historike për këtë periudhë të historisë shqiptare dhe diplomacisë britanike në Ballkan.

Vëzhgimet e tij mbi ndikimin italian në rritje dhe pushtimin eventual të Shqipërisë nga Italia ofrojnë një perspektivë unike mbi këto ngjarje.

Shërbimi i Sir Andrew Ryan si Konsull i Përgjithshëm në Shqipëri nga 1936 deri në 1939 përfaqëson kulmin e karrierës së tij të shquar diplomatike.

Miqësia e tij me Mbretin Zog dhe roli i tij gjatë pushtimit italian nënvizojnë rëndësinë e diplomacisë personale në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kujtimet e Ryan, The Last of the Dragomans, zbulojnë se Mbreti Zog e konsultonte atë për çështje që varionin nga etika diplomatike deri te reformat ekonomike.

Marrëdhënje e bazuar në besimin e ndërsjellë

Mbreti Zog, i cili ishte shumë i vetëdijshëm për pozicionin e pasigurt të vendit të tij në lidhje me Romën, e vlerësonte shumë miqësinë e sinqertë me këtë diplomat britanik i cili  i kuptonte shumë mirë çështjet ballkanike.

Ryan, nga ana tjetër, admironte qëndrueshmërinë e Mbretit Zog në përpjekjen e tij për të mbrojtur sovranitetin e Shqipërisë në një kohë kur kombet e tjera të vogla po humbnin terren ndaj regjimeve ekspansioniste.

Libri i Ryan ofron njohuri të vlefshme për një periudhë vendimtare të historisë shqiptare dhe politikës së jashtme britanike në prag të Luftës së Dytë Botërore.

Miqësia e tij e ngushtë me Mbretin Zog

Miqësia e tij e ngushtë me Mbretin Zog shpalos vlerën e besimit ndërpersonal në diplomaci, dhe shqaq vlerën që mbart një bashkëpunim i sinqertë në një mjedis të tensionuar dhe të pasigurt global.

Kështu që, kujtimet tij dhe të dhënat historike që mbart libri i tij, e bëjnë Ryan një diplomat të rëndësishëm. Kjo pasi shërbimi i përkushtuar dhe i sinqertë i tij kanë lënë gjurmë për mirë në marrëdhëniet britaniko-shqiptare në vitet e para konfliktit global të Luftës së Dytë Botërore.


Burimet:

  1. Ryan, A. (1951). The Last of the Dragomans., Introduction.
  2. Ryan, A. (1951). The Last of the Dragomans., Chapters 2–4.
  3. National Archives: FO 371/23438, Correspondence on Albanian-Italian Relations (1937–1939).
  4. Fisher, J. (2017). British Diplomacy in Europe: 1919–1939, pp. 112–114.
  5. Ryan, A. (1951). The Last of the Dragomans., Chapters 7–9.

Filed Under: Fejton

Informacioni, dinjiteti dhe rënia e murit të turpit…

January 8, 2025 by s p

Agim Baçi/

Çfarë duhet të bëjmë kur ne si prindër dhe mësuesit nuk kemi më autoritetin e duhur për t’u shpjeguar fëmijëve se çfarë është më e rëndësishme në jetë, se çfarë është “e mirë” – “e keqe”, apo “e dobishme” – “e padobishme”? A po mendojmë ne se si të sillemi me fëmijët teksa fuqinë e komunikimit në familje e shkolla e ka marrë tregu i zbavitjes dhe konsumit, një treg që plak gjithçka brenda një kohe të shkurtër, duke krijuar një botë të pafundme ankthi te ata që i besojnë vetëm këtij tregu?

Filozofi dhe psikoanalisti i famshëm italian, Umberto Galimberti, teksa thekson vështirësinë për komunikimin e vështirë që kanë sot prindërit me fëmijët e tyre adoleshentë, sjell në vëmendje gabimin që bëjmë ne si të rritur, duke mos lexuar realitetin e vështirë përballë spektaklit, por u kujtojmë atyre edukimin që kemi marrë ne dikur apo prindërit tanë.

Por a jemi ne sot të vetëdijshëm që fëmijë kanë sot një fjalor të mangët shpjegimi për gjendjen e tyre emocionale? A i dëgjojmë ne për ankthin që i shkakton bota e spektaklit, e videove yë atyre që vrapojnë vetëm pas famës?

Edhe më të vështirë e kanë komunikimin ata prindër që janë rritur me një komunitet që ka bashkëvepruar, që ka folur e lozur me njëri-tjetrin në moshën e fëmijëve të tyre, dhe tashmë gjendet përballë fëmijëve që qëndrojnë gjithnjë e më shumë vetëm dhe që kanë thuajse gjatë gjithë kohës kufje në vesh ku mund të jenë duke dëgjuar muzikë apo duke ndjekur video njëra pas tjetrës.

A mundemi ne të rriturit t’i ruajmë nga admirimi që mund të krijonë për rrugën më të shkurtër për t’u bërë të famshëm dhe me para, si personazhet që ata dëgjojnë e shohin gjatë kohës me vetminë e tyre.

Por, kushdo që mendon se kjo situatë është thjesht individuale e fëmijës së tyre, apo vetëm e shoqërisë shqiptare, rrezikon të gjykojë gabim e të prishë urat e komunikimit me to. Një situatë e tillë ka nevojë për një debat sa familjar e shkollor aq edhe mbarëkombëtar, ku të mos i hapim udhë lumit të pesimizmit, pasi në një lumë të tillë nuk dërgon asnjë varkë në një breg zgjidhjesh. Në lumin e pesimizmit dhe moskumunikimit fiton vetëm ankthi i përkohshmërisë, vetëm zemërimi dhe frika. Ndërkohë që ne të gjithë e dimë se ajo që e mban fillin e fortë mes nesh është besimi dhe dashuria, është empatia dhe solidariteti.

Ne si prindër duhet të kuptojmë se premtimi që na është bërë ne si brez dikur për një të ardhme më të mirë, nuk vlen me të njëjtën gjuhë me fëmijët e sotëm, të cilët janë të kërcënuar nga “droga e famës”, nga ethet e pasurimit të shpejtë, që në fund rezultojnë një amfiteatër vuajtjesh dhe padurimi. Nën ndikimin e spektaklit dhe konsumit dhe të kërcënuar gjithnjë e më shumë nga rezultati dhe jo nga qëllimi i asaj që bëjnë, fëmijët do e kenë gjithnjë e më të vështirë të përcaktojnë emocionalisht kufijtë e kënaqësisë për atë që kanë dhe për atë që duan të bëjnë me jetët e tyre. Mungesa e qëllimeve për të nesërmen e ka kthyer tanishmërinë në një diktaturë padurimi.

Ne të gjithë prej kohësh shohim se si ndeshen të rinjtë me pyetësorë pa fund, me sondazhe që kërkojnë përgjigje të ngutshme dhe dhënie opinionesh, me statistika dhe kërkimet të tregut. Po kështu, thuajse çdo prind është përballur me emocionet që shkaktojnë te fëmijët rrëfime individuale në programe të përditshme televizive e sidomos në video të shpërndara, përfshi këtu deri ne limitet e fundit te intimes. Këto projekte e emisione i kthejnë të rinjtë në një gjah të konsumit të së sotmes, pa pasur fuqi të mendojnë për nesër, pa mundur të ëndërrojnë. Nën këtë presion, shumë fëmijë nuk e kuptojnë dot që, ajo që duhej të ishte vetëm e tyrja, është e gjithë publikut, pasi është bërë pjesë e show-t, duke u shpërndarë, pa ditur se kjo i bën më pas ata të pafuqishëm për t’iu kundërvënë makthit të spektaklit.

Eshtë përgjegjësia jonë, në shtëpi e shkollë, t’u themi se informacioni nuk është mençuri, por thjesht një mundësi. Duhet t’i themi me qetësi se është reflektimi ndaj asaj që shohim që mund të na japë më shumë dritë në atë që duam të ndjekim, dhe jo eksitimi i gjithanshëm që sugjeron bota e spektaklit. Përndryshe, nëse nuk ua themi hapur, do kemi murin e indiferencës së tyre ndaj asaj që do u kërkojmë më pas.

Ky mur indiference, zemërimi dhe nervozizimi që shfaqin të rinjtë mund të shembet nëse vendosim ura të vërteta bashkëbisedimi, pa u ankuar për atë që nuk kemi patur ne në kohën tonë dhe pa dramatizuar atë qe ata na kërkojnë ata për shkak se janë bijë të kohës së tyre. Dhe, siç shkruan dhe Galmberti në librin e tij, “Bujtësi turbullues”, për të kuptuar sa të rëndësishme janë në jetë raporti me humbjen, zgjidhja e konflikteve, solidariteti dhe empatia, duhet që të mos lejojmë që për fëmijët tanë të jetë baby-sitter televizioni apo aparati celular.

Nëse nuk arrijmë dot të ndërtojmë pyetjet e duhura në familje e shkollë, nuk ka pse, më pas, të bëjmë si të tmerruar nga dhuna që pason shoqërinë tonë, nga cinizmi i të rinjve, të cilët pa përgjigjet e bazuara te fuqia e dashurisë dhe besimit, do zgjedhin atë të talljes, të vënies në lojë dhe të zemërimit dhe ankthit. Nëse nuk i drejtojmë sytë nga dashuria, nëse zemrën e tyre e lëmë në dorë vetëm të rezultatit dhe arsyes, atëherë duhet të llogarisim se mund të jetojmë në mbretërinë e indiferencës së tyre jo vetëm për ne, por për gjithçka rrotull tyre.

Ndaj, le të mos ngurojmë që t’u themi fëmijëve se, nëse ke një zemër të ndjeshme, nuk është dobësi, por është forcë për të kuptuar. Le t’u themi me forcë fëmijëve tanë se, të kesh sa më pak rroba në trup, të të duket më shumë nga lakuriqësia jote, nuk do të thotë se je i hapur ndaj të tjerëve. Natyrisht, të lakuriqësosh shpirtin është më e rëndë se sa të lakuriqësosh trupin. Por ne duhet të këmbëngulim që ata të dinë se, të heqësh gardhin e turpit nuk do të thotë se me tjetrin je kuptuar. Përkundrazi, mund të lëndosh ata që të kanë menduar të jenë të afërt, pasi rënia e murit të turpit për intimen është jo vetëm humbje e dinjitetit por njëkohësisht edhe përjashtimi i atyre që na duan dhe duam nga të qenurit për ta dhe me ta.

Filed Under: Fejton

Një çati për kulturën – Nismë për të mbrojtur trashëgiminë vendase të Kukëlit (Shkodër)

January 7, 2025 by s p

Inesa Sulaj

Andi Tepelena/

Para se të kthehej në muzeun e Mjedës, vend që reflekton dhe ruan trashëgiminë mbi jetën, veprën dhe praktikën e poetit të shquar shqiptar Ndre Mjeda, Kukëli ishte banesa e tij e kahhershme. Kukëli për Mjedën ishte vendi i frymëzimit të përditshëm, vend nga ku kanë buruar vepra të jashtëzakonshme në letërsinë shqiptare, e si hapësirë është e lidhur fort me identitetin tonë kombëtar.

Kjo hapësirë muzeale, ka përbri një ndërtesë e cila ka nevojë për ndihmën tonë të menjëhershme për t’ia kthyer vendasve për art, kulturë dhe ekonomi të qëndrueshme. Kukëli mban me krenari traditat tona e tanimë kemi mundësinë që të gjithë të krijojmë një mjedis që artizanët vendas ta kenë një shtëpizë për të paraqitur punimet e tyre dhe për të krijuar një mundësi për shkëmbim të frytshëm.

Në thelb, kjo ndërtesë që gjendet pranë kompleksit muzeal Mjeda, ka nevojë për restaurim të çatisë në mënyrë që të mos thellohet rrënimi i saj. Bashkë me renovimin e çatisë vjen edhe një plan i rehabilitimit të ndërtesës që ruan të gjitha aspektet dhe karakteristikat arkitekturore të saj, e mbi të gjitha e bën hapësirën e jetueshme për vendasit që duan ta përdorin e që kanë kontribuar gjithë jetën e tyre në Kukël. Qëllimi ynë përfundimtar është të transformojmë kompleksin muzeal Ndre Mjeda në një park kulturor dhe letrar, një hapësirë ​​ku studiues, shkrimtarë, poetë dhe artistë nga Shqipëria dhe e gjithë bota mund të mblidhen për seminare, konferenca dhe festivale kushtuar letërsisë, poezisë, dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Ndaj para nesh paraqitet një rast unik, ku secili prej nesh mund të kontribuojë në një rijetëzim e një vendi që u jep dëshirë vendasve të paraqesin punët e tyre ashtu sikurse e meritojnë, duke u dhënë jo vetëm shpresë, por edhe stabilitetet se ajo çfarë ata kanë dhënë për Kukëlin do t’u kthehet në vlerësim e mbështetje.

Ndihma e secilit prej nesh do të ishte mëse e vyer.

Për të dhuruar për këtë nismë si dhe për të mësuar më me detaje mbi qëllimet, planet si dhe për prapavijën historike të ndërtesës dhe Kukëlit mund të klikoni në këtë vegëz:
https://whydonate.com/en/fundraising/preserve-mjedas-legacy-strengthening-community-through-culture-and-craft

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 121
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ndahet nga jeta Dr. Teodor “Tolo” Kareco, studiuesi e që ndërthurte historinë me ekonominë
  • Çfarë ndryshoi në 51 ditë protestë?
  • Ndahet nga jeta akademik Emin Riza, studiuesi i shquar i trashëgimisë kulturore
  • REPUBLIKA E KOSOVËS NË GJYKATËN E HISTORISË DHE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE: OPINIONI I GJND-së SI VULË JURIDIKE E SOVRANITETIT
  • “Shqipëria në’ Luftën e Madhe’, 1914-1918”
  • SHTRESAT SEMANTIKE TË POEZISË SË ASDRENIT “KOSOVËS”
  • Në kryeqytetin e Landit Baden-Württemberg jehoi vallja e bukur shqiptare nga Shoqata “Pavarësia”
  • Standardi dhe demagogjia rreth protestës kombëtare
  • Nga Naçertania te deklarata e Paunoviqit, vazhdimësia e doktrinës shtetërore serbe dhe sfida e ballafaqimit me të kaluarën
  • Shqipëria dhe alergjia ndaj revolucioneve
  • WEAK REACTIONS TO SERBIAN RACISM ARE DISAPPOINTING
  • Vepra e Matija Petar Katančić (1798), një dëshmi monumentale e historiografisë dhe filologjisë shqiptare
  • PËRBALLË PROTESTAVE NË TIRANË DHE KRIZËS SË DEMOKRACISË, KUJTOJMË PROFESOR ARSHI PIPËN
  • 𝐒𝐭𝐚𝐭𝐮𝐣𝐚 𝐞 𝐏𝐞𝐫𝐚𝐧𝐝𝐨𝐫𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐃𝐮𝐫𝐫𝐞̈𝐬: 𝐀 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐯𝐞̈𝐫𝐭𝐞𝐭 𝐍𝐞𝐫𝐨𝐧𝐢?
  • Kandidate për Këshillin e Qytetit të Mississaugës në Kanada, Mendi Kabashi: “Suksesi i çdo shqiptari është krenari për të gjithë ne”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT