• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

28 NENTORI SI REFLEKTIM

November 30, 2016 by dgreca

Kreu i Shtetit shqiptar ua ka uruar të gjithë bashkatdhetarëve 104-vjetorin e Ditës së Pavarësisë: Gëzuar Festën e Flamurit Kombëtar!/

Presidenti i Republikës, Sh. T .Z. Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani dhanë sonte në darkë në Pallatin e Brigadave, pritjen zyrtare me rastin e Festës Kombëtare, Ditës së Pavarësisë dhe të Flamurit, në të cilën ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deputetë të Kuvendit, anëtarë të Qeverisë, ish-Presidentë, ish-kryeministra, drejtues dhe përfaqësues të bashkësive fetare, Ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, akademikë, artistë, intelektualë, familjarë të nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë si dhe bashkatdhetarë të shumtë.

Në vijim përshëndetja e plotë e Kreut të Shtetit shqiptar:

“I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë,

I nderuar zoti President i Kosovës,

Të nderuar ish-Presidentë, ish-kryeministra,

Të nderuar autoritete të Shtetit Shqiptar,

Shkëlqesi Ambasadorë,

Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të Bashkësive Fetare,

Të nderuar autoritete vendore,

Të dashur bashkatdhetarë kudo ndodheni,

Zonja dhe zotërinj, miq e të ftuar!

E përjetoj si privilegj të madh dhe nder të veçantë që në cilësinë e Presidentit të Republikës në këtë ditë të shënuar për kombin tonë të uroj të gjithë bashkatdhetarët tanë: Gëzuar Festën e Pavarësisë kombëtare! Gëzuar Festën e Flamurit! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

Si sot më 28 Nëntor 1912, pas një udhëtimi të gjatë nëpër histori mes luftrash, kryengritjesh, rreziqesh e sfidash ekzistenciale, mes kujtimit të mijëra dëshmorëve e gjakut të derdhur, Rilindja e vërtetë shqiptare mbërriti në apogjeun e vet! Si kurrë më parë e shkuara dhe e ardhmja, gegë e toskë, të gjallë e të vdekur ishin pranë njëri-tjetrit në atë ditë të shenjtë rreth Ismail Bej Vlorës për të përmbushur vullnetin e një populli të lashtë për liri, pavarësi e shtetformim. Nder përjetë Atit themelues! Nder përjetë Rilindasve të mëdhenj të kombit! Nder përjetë luftëtarëve dhe dëshmorëve të këtij procesi që bëri të mundur kalimin e shqiptarëve drejt modernitetit, kthimin e tyre në shtëpi, në gjirin e kontinentit që i përkasim që kur zë fill jeta, kthimin në familjen evropiane. Do të na mbetej peng në ndërgjegje nëse sonte vëmendjen nuk e kthejmë me mirënjohje edhe ndaj Vilhelm Vidit, Princit evropian të Shqiptarëve!

Po ashtu do të mbeteshim peng të historisë së ideologjizuar komuniste nëse nuk e kthejmë edhe formalisht Mbretin Zog, këtë burrë të ndritur të kombit shqiptar, shtetformues e konsolidues i tij, atdhetar e politikan i klasit të lartë në panteonin e vlerave të ndritura të kombit. Nder përjetë kujtimit të tyre!

Kanë kaluar 104 vjet nga dita e shenjtë, 104 vjet histori e shtetit shqiptar në të cilën reflektohen të gjitha virtytet dhe cenet tona, të gjitha ëndrrat dhe aspiratat e idealistëve, qëndresa dhe fataliteti, liria dhe tirania, lufta dhe paqja, diktatura dhe antikomunizmi, pluralizmi dhe demokracia, tranzicioni dhe integrimi! Gjatë fundit të kësaj periudhe, problemi shqiptar në Ballkan ka gjetur zgjidhje duke i dhënë paqe e stabilitet rajonit. Pavarësia dhe demokracia e Kosovës janë një provë dhe realitet i patjetërsueshëm i këtij fakti. Nga kjo sallë ceremoniale përftitoj nga rasti të përshëndes të gjithë shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, ata në Diasporë i bindur se Flamuri Kombëtar na mbështjell të gjithëve si identitet i patjetërsueshëm.

Të nderuar të pranishëm,

Gjatë historisë ne kemi pasur sukses të gjitha ato herë kur jemi treguar bashkëpunues me njëri-tjetrin! Nuk e kemi pasur atë sa herë jemi treguar egoistë, sa herë i jemi kundërvënë ashpër njëri-tjetrit për interesa të ngushta pushteti, sa herë kemi vendosur partinë mbi Shqipërinë, sa herë kemi braktisur vullnetin e popullit për pushtetin e individit, sa herë kemi vendosur dhunën e forcës mbi forcën e arsyes, sa herë kemi cenuar standardet demokratike. Fjala e lirë është arritja jonë e madhe. Duhet ta ruajmë atë me çdo çmim.

Gjatë këtij viti kanë ndodhur disa ngjarje të mëdha për të na kujtuar të gjithëve ne se ende nuk jemi ndarë plotësisht nga e kaluara komuniste. Shenjtërimi i 38 Martirëve të Kishës Katolike shqiptare nga Papa Françesku na nxit për të reflektuar! Shteti shqiptar duhet të gjejë sa më parë formulën për t’i shpallur ata dhe të gjithë viktimat e diktaturës të pafajshëm. Ne kemi nevojë të konservojmë kujtesën e rezistencës antikomuniste, ta bëjmë pjesë të kurrikulave shkollore dhe të dënojmë krimet pa thënë “ndoshta e sikur” dhe jo t’i relativizojmë ato duke e shndërruar historinë në folklor e folklorin në histori. Ne duhet të nxëmë nga historia dhe jo të vazhdojmë manipulimin e saj.

Kurrë më shumë se sa sonte mund të shpreh kënaqësinë e madhe, timen personale, por edhe të të gjithë shqiptarëve për atë që ndodhi më 4 shtator në Sheshin Shën Pjetër. Shqiptarët tashmë kanë Shenjtoren Terezë. Në çdo situatë nuk duhet të harrojmë se jemi populli i saj.

Të dashur miq!

Në 26 vjet ne kemi shënuar përparim të madh duke pasur parasysh pikën e nisjes. Por nuk kemi mbërritur ende aty ku dëshirojmë, aty ku mundemi dhe kemi vullnet. Pengesa subjektive, të cilat shpesh i krijojmë vetë, na zënë rrugën nganjëherë. Në korrik të këtij viti Parlamenti shqiptar me një konsensus historik bëri ndryshimet kushtetuese duke mundësuar nisjen e reformës në sistemin e drejtësisë. Personalisht kam bërë çdo gjë që ky proces të jetë sa më efikas dhe në shinat e kushtetueshmërisë. Drejtësia mbështetet në ligj dhe ligji është i barabartë për të gjithë. Nuk ka drejtësi as mbi ligjin e as nën ligjin.

Zonja dhe zotërinj,

Edhe viti që po lemë pas ka qenë i mbushur me sfida për paqen, sigurinë dhe vlerat njerëzore, duke sjellë nevojën për një përgjigje më të shpejtë e të koordinuar. Shqipëria ka qenë plotësisht e rreshtuar në krah të aleatëve dhe partnerët e saj strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, në përballjen me sukses të këtyre sfidave, qoftë ndaj terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, e udhëhequr nga respekti për liritë dhe të drejtat themelore, zbatimi i ligjit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Shqipëria tashmë është një faktor dhe aktor aktiv e i pazëvendësueshëm në kontributet për bashkëpunimin, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin rajonal. Ajo është anëtare e të gjitha organizatave rajonale të Evropës Juglindore dhe të Ballkanit Perëndimor, duke u kushtuar një vëmendje të veçantë e të madhe marrëdhënieve me vendet fqinje, por edhe me rajonet e tjera të botës.

Me ndjenjë krenarie iu referohem shpesh partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët e vlerësojnë lart rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, në dobi të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sot rajoni i Ballkanit Perëndimor ka hyrë në një fazë të re mirëkuptimi dhe bashkëpunimit. Agjenda e integrimit evropian mbizotëron bashkëpunimin mes të gjitha vendeve të rajonit.

Gjithashtu, Pavarësia e Kosovës demonstroi se ishte një vendim i drejtë në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit. Një vendim që nuk drejtohej kundër ndonjë vendi apo etnie tjetër, por një vendim, i cili i shërben një të drejte të mohuar të popullit të Kosovës.

Të nderuar miq,

Kontributin tonë në NATO dhe perspektivën evropiane të vendit, më shumë se çdo gjë tjetër, i kemi parë dhe i shohim si përgjegjësi. Integrimi evropian ka qenë kurdoherë zgjedhja e klasës politike dhe qytetarëve shqiptarë dhe jo një vendim i imponuar nga rrethanat apo kushtet. Si e tillë ai është dhe do të mbetet gjithmone alternativa jonë e vetme. Në këtë optikë, funksionimi i konsoliduar i shtetit ligjor, maturimi në politikëbërje në standardin evropian, ndërtimi i një kulture politike bashkëpunuese e konsensuale, përqendrimi në plotësimin e 5 prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Evropian për Shqipërinë dhe angazhimi më aktiv civil janë sfida aktuale të vendit. Hapja sa më parë e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian do të jetë hapi tjetër cilësor që do na çelë derën për të ecur në udhën e gjatë të reformave edhe më të thella, e ndoshta më të dhimbshme, por të domosdoshme për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Ajo që mbetet pjesa thelbësore e këtij procesi është angazhimi, përkushtimi dhe veprimi i pandalshëm i shoqërise shqiptare dhe aktorëve të saj në përmbushjen e standardeve të kërkuara. Jam i bindur se shqiptarët nuk do të lodhen kurrë në këto përpjekje dhe në këtë rrugëtim.

Të dashur bashkatdhetarë,

Periudha në vijim është një periudhë me dy prioritete të mëdha: zgjedhjet e lira e të ndershme që do të zhvillohen në qershorin e ardhshëm dhe lirimin e vendit nga kanabisi, kjo murtajë që rrezikon të sotmen dhe të nesërmen, ne dhe fëmijët tanë, politikën dhe shtetin, demokracinë dhe integrimin.

Në cilësinë e Presidentit të Republikes i ftoj të gjitha palët politike në vend që sa më shpejt të bëjnë reformën zgjedhore, një reformë kjo që t’u përgjigjet zhvillimeve në vend duke korrigjuar defektet dhe konsoliduar infrastrukturën zgjedhore! Vendi e ka të pamundur të ballafaqohet me zgjedhje të cenuara e të kontestuara. E kemi jetike nevojën për zgjedhje të lira e të ndershme. Unë shpreh besimin tim se Shqipëria dhe shqiptarët dhe të gjitha institucionet do të dinë të ngrihen në lartësinë e sfidave të bashkohësisë duke bërë më të mirën për sot dhe për nesër, për vete dhe për brezat.

Gëzuar Festën e Pavarësisë! Rroftë Flamuri ynë kuq e zi! Zoti i bekoftë shqiptarët dhe Shqipërinë!”

Filed Under: Histori Tagged With: 28 nentori, presidenti Nishani, si reflektim

Xhemajl Mustafa, veprimtari kolosale në shërbim të atdheut

November 24, 2016 by dgreca

1-xhejmail-mustafa

Në foto: Xhemajl Mustafa (në mes) derisa korrespondenti i tashëm i Gazetës DIELLI Behlul Jashari zhvillonte intervistë ekskluzive për ATSH me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në 22 shtator 1994/

-Kryeministri i Kosovws,  Isa Mustafa përkujton veprimtarin e shquar, Xhemajl Mustafa/

Prishtinë, 23 nëntor 2016/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar veprimtarin e shquar të Kosovës, Xhemajl Mustafa, në 16 vjetorin  e vrasjes:

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

U mbushën 16 vjet nga vrasja tinëzare e Xhemajl Mustafës, intelektualit të jashtëzakonshëm dhe veprimtarit të shquar të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, një prej emblemave të lëvizjes për liri, pavarësi dhe demokraci të prirë nga Presidenti Historik, Ibrahim Rugova.Xhemajl Mustafa, gjatë veprimtarisë kolosale në shërbim të atdheut, dha kontribut të madh për realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës, me theks të veçantë në fushën e informimit dhe të sensibilizimit të opinionit vendor e ndërkombëtar, për Kosovën dhe kauzën e saj.Mbi të gjitha, Xhemajl Mustafa ishte një njeri i jashtëzakonshëm, optimist, me vullnet të pathyeshëm dhe me qetësi të admirueshme shpirtërore, i cili në çdo kontakt rrezatonte pozitivitet, besim dhe virtytet më të larta njerëzore.Me këtë rast, ripërsërisim kërkesën tonë konsistente për zbardhjen sa më të shpejt të vrasjes së Xhemajl Mustafës dhe dhjetëra personaliteteve politike të shquara të Kosovës, të vrarë në atë periudhë.

Isa Mustafa,

Kryeministër i Republikës së Kosovës

Filed Under: Histori Tagged With: ne Sherbim, te Atdheut, veprimtari kolosale, Xhemajl Mustafa

REAKSIONI TURK KUNDËR ALFABETIT DHE ARSIMIT SHQIP (1908-19012)

November 24, 2016 by dgreca

1-halim-purellkuNga Prof. dr.Halim  PURELLKU/Revolucioni xhonturk dhe rivënia e kushtetutës osmane (23 korrik 1908) fillimisht krijuan kushte pak sa më të favorshme për zhvillimin e lëvizjes kulturore-kombëtare shqiptare.  Por, xhonturqit pas forcimit në pushtet hoqën dorë nga premtimet që ua kishin bërë popujve të shtypur të Perandorisë. Tani në vend të premtimeve autonomiste për popujt jo turq, ata  zbatuan opsionin e “osmanizmit”  me të cilin formalisht të gjithë shtetasit e perandorisë shpalleshin për “osmanlinj” me “barazi të plotë para ligjit”. Mirëpo, Kushtetuta përcaktonte se gjuhë zyrtare e detyrueshme mësimi në shkolla ishte turqishtja, me këtë ju mohohej në thelb shqiptarëve e drejta për të u arsimuar  në gjuhën amtare. Do të thotë se me opsionin e “Osmanizmit” turqit, nga pozitat e nacional shovinizmit turk i mbështetur dhe nga institucioni fetar mysliman i Shehulilamit, jo vetëm që luftonin emancipimin kulturor por dhe mohonin dhe luftonin identitetin kombëtar të popullit shqiptar. Prandaj dhe shpejt pas revolucionit Xhonturk shpërthyen kundërthëniet midis pushtetit osmanist të xhonturqve, i përkrahur dhe nga segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare për interesat e tyre personale e klanore, dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Në prag të kongresit të Manastirit, në trojet shqiptare funksiononin vetëm 15 shkolla.  Do theksuar se shkollat shqipe të asokohe shquheshin edhe për karakterin e tyre kombëtarë shqiptar dhe laik, që do të thotë se toleranca tradicionale ndër fetare tek shqiptarët  mbretëronte edhe aso kohe në shkollat shqipe, ku ishin  përfshirë  nxënës të të gjitha besimeve fetare. Për  Lëvizjen kombëtare Shqiptare mbetej dhe më tej objektivi kryesor përhapja e shkollave shqipe dhe futja e gjuhës shqipe si lëndë mësimore në shkollat shtetërore, si dhe zhvillimi i gjuhës kombëtare në përgjithësi, ndaj dhe si imperativ u shtrua nevoja e caktimit të një alfabeti të vetëm të gjuhës shqipe. Përgatitjet për caktimin e një alfabeti të vetëm zgjatën gjatë gjithë epokës së Rilindjes kombëtare, për të u kurorëzuar në fazën e fundit të saj (Rilindjes). Kjo u arrit fal veprimtarisë krijuese në lëmin e gjuhësisë dhe të letërsisë të brezave të tërë të rilindësve shqiptar; gjuhëtarë, shkrimtarë, poetë, publicist etj. Një ndihmesë të madhe dhanë dhe organet e shtypit të fundshekullit XIX dhe fillimi i shek. XX.

Iniciativën për organizimin e një kongresi kombëtar për të arritur në një përfundim të unifikuar të çështjes së alfabetit e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit, në mbledhjen e 23 gushtit të vitit 1908. Pas përgatitjeve gjatë muajve gusht-shtator 1908, klubi “Bashkimi” në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare. U ftuan (Ftesa-”Zëdhënia”) për të marrë pjesë në kongres, klubet dhe shoqëritë patriotike brenda e jashtë vendit,  të cilat  dhe  u zotuan se do të dërgonin përfaqësuesit e tyre në kongres.

Kongresi i zhvilloi punimet nga 14 e deri më 22 nëntor 1908, në hotelin “Liria” të Themistokli Gërmenjit, në Manastir. Në Kongres morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga të cilët 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Nga delegatët pjesëmarrës ishin dhe Salaheddin beu, Gjergj Qiriazi, për Manastirit, Hafis Ibrahim efendiu, Emin beu, Haxhi Jashar efendiu dhe Rrok Berisha për Shkupin, Malik Elmazi për Nakoleter (mbase Nakolec, të Prespës) Xhemal beu dhe Beqir Dalipi për Ohrin, Ramiz beu për Dibrën, Sadik efendiu për Kërçovën, Haxhi Vildan efendi Dibra për Stambollin etj..

Delegatët zgjodhën për Kryetar të Kongresit, Mid’hat bej Frashrin, nënkryetar Gjergj Qiriazin dhe Luigj Gurakiqin, kurse sekretar Hil Mosin, Toma Avramin dhe Nushet bej Vrionin. Të gjithë Delegatët votuan propozimin që Gjergj Qiriazi të udhëhiqte seancën e ditës së parë të punimeve të Kongresit, deri sa të arrinte Mit’hat Frashëri, i cili për shkaqe objektive arriti me vonesë nga fundi i punimeve të ditës së parë. Dy ditët e të para të kongresit; të shtunën e të dielën (14-15 nëntor), ishin të hapura për gjithë publikun dhe ishin prezent rreth 400 veta. Në ditën e tretë të punimeve kongresi zgjodhi një komision prej 11 vetash, në krye me Gjergj Fishtën, anëtarë i komisionit ishte dhe Gjergj Qiriazi.

Detyra kryesore e Komisioni, sipas Gjergj Qiriazit, ishte: “Alfabeti duhet ta bashkoj kombin dhe i vetmi instrument me të cilin ai do të përparojë”. Në këtë kuadër, Komisionit iu njoh e drejta e pakufishme për sjelljen e vendimit rreth çështjes së alfabetit që do të obligonte të gjithë. Ndërkaq, në ditën e tretë, të katërt dhe të pestë të mbledhjeve, Komisioni diskutoi, veç të tjerëve, për themelimin e Alfabetit. Pas diskutimeve të shumta, me datë 20 nëntor 1908 komisioni miratoi rezolutën e hartuar në gjuhën shqipe, e cila qe  miratuar me nënshkrim nga të gjithë delegatët e pranishëm në kongres. Në kongres u krijua një alfabeti i ri mbi bazën e atij latin, i cili u rekomandua që bashkë me alfabetin e Stambollit detyrimisht të përdoren në shkolla. Por, Alfabeti thjesht latin për shkak se ishte më praktik u përhap gjithnjë e më shumë dhe nga fundi i Luftës së Parë Botërore u bë tashmë alfabeti i përbashkët e i vetëm për gjithë shqiptarët alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe.

Kurse në ditën e fundit të punimeve të Kongresit, ku ishin të pranishëm vetëm delegatët, u aprovuan dy rezoluta:

  1. Klubet në Shqipëri do t’i dërgonin raport një herë në muaj Klubit të Manastirit, ndërsa ky do t’u dërgonte atyre, si dhe shoqërive raportin e përgjithshëm.
  2. Pas dy viteve do të mbahej Kongresi në Janinë,në të cilin do të trajtohej çështja e gjuhës dhe e literaturës.

U vendos që klubi qendror, me të cilin do të mbanin lidhje të gjithë klubet tjera, të ishte Klubi “Bashkimi” i Manastirit, e jo Klubi i Stambollit për të cilin insistonin të moderuarit dhe turkoshakët, kjo dëshmon për dominimin e krahut kombëtar në Kongres. Njëkohësisht, me këtë vendim Klubi i Manastirit u ngritë në qendër kryesore të vendosjes për bashkërendimin e veprimtarisë organizative e politike-kulturore në luftën për të drejtat kombëtare.

Ndonëse zgjidhja e çështjes së një alfabeti të njësuar dhe të vetëm të shqipes, ishte çështja themelore në kongres, ai ka rëndësi të madhe jo vetëm në rrafshin linguisti por dhe në atë politik. Sepse krahas mbledhjeve plenare që i zhvillonte kongresi, u mbajtën edhe gjashtë (6) mbledhje të fshehta në shtëpinë e Gjergj Qiriazit, për të cilat nuk ishte njoftuar kongresi në mbledhjet plenare.

Në ato mbledhje merrnin pjesë atdhetarë më të vendosur e më të përgatitur në mendime, që e ndjenin si detyrim përpunimin e një platforme politike dhe hartimin e një programi të përbashkët kombëtar. Mbi bazë të vendimeve që u morën në këto mbledhje u hartua një program kombëtar prej 18 pikash, i cili është një nga dokumentet më të rëndësishme të Kongresit të Manastirit. Në këtë dokument nga kërkesat kryesore politike ishin:

  • Autonomi territoriale-administrative për Shqipërinë;
  • Njohja zyrtare e kombësisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe;
  • Ngritja e arsimit të pavarur shqiptar duke i kthyer të gjitha shkollat e ulta e të mesme shtetërore turke në Shqipëri në shkolla kombëtare shqiptare, në të cilat gjuhë e mësimit do të jetë gjuha shqipe, kurse turqishtja do të mësohej si lëndë e veçantë nga viti i katërt i shkollës fillore;
  • Marrëdhëniet e shoqërive, të klubeve e të komiteteve shqiptare me organizatën e (xhonturqve) “Bashkim e Përparim” etj.

Rëndësia e veçantë e këtij Programi politik qëndron në atë se përmbysi pretendimet e turqve të rijë dhe turkoshakëve  shqiptar  për ta kufizuar Kongresin vetëm me çështje të alfabetit, por dhe për atë se dëshmonte që edhe pas shpalljes së kushtetutës objektivi themelor i Lëvizjes Kombëtare  Shqiptare ishte realizimi i autonomisë së Shqipërisë. Më pas ky Programi prej 18 pikash, duhet të paraqitej  nga deputetët shqiptar si kërkesa shqiptare në parlamentin turk,

Kështu, pas nëntë ditësh pune, më 22 nëntor 1908, Kongresi i Manastirit i përfundoi punimet me sukses dhe hyri në historinë e kulturës shqiptare si Kongresi që vendosi për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Çështja e alfabetit nga pushteti turk nuk shihej si çështje kulturore, por u fry si çështje religjioze dhe politike. Ndonëse pushteti zyrtar turk formalisht bënte sikur mban qëndrim neutral, ai e nxiste dhe e mbështeste luftën kundër alfabetit shqip latin. Menjëherë pas Kongresit të Manastirit një nga mjetet kryesore që përdorte pushteti turk ishte propaganda që gjuha shqipe të shkruhet me alfabet arab. Ndërkaq, që në fund të vitit 1908 Ministria e Arsimit e Turqisë mori masa administrative dhe urdhëroi që në shkollat e vilajetit të Kosovës shqipja të mësohej me shkronjat arabe. Një urdhër i tillë iu dha në shkurt të vitit 1909 edhe prefekturës së Elbasanit.

Do theksuar se përkrah reaksionit turk u vu edhe kupola më e lartë e fesë myslimane; Shejhylislami, i cili i kërkoi Ministrisë së Arsimit ndalimin e përdorimit  të alfabetit lanin për gjuhën shqipe dhe, më 5 prill 1910 me anë të një qarkoreje  të njëjtën ua kërkoi edhe të gjithë myftinjve të Shqipërisë. Shumica e myftinjve u rreshtuan në zbatimin e kësaj politike, nga të cilët u shquan  myftiu i Manastirit, Rexhep Nuredini (Voka), por dhe myftinjtë e Prishtinës, Dibrës etj. Sa që, po në prill të vitit 1910, Shehylislami bashkë me shehlerët e hoxhallarët fanatikë e turkoman  mallkuan shkronjat shqipe dhe ua ndaluan myslimanëve përdorimin e tyre.

Ndërkohë, pas shtypjes së kundërrevolucionit në prill të vitit 1909 dhe pasi i forcuan pozitat në Stamboll, xhonturqit ndërmorën masa shtypëse ndaj lëvizjes kulturore shqiptare. Në  Shkup dhe në Manastir zhvillohej agjitacion i rreptë kundër zbatimit të alfabetit latin, ashtu që në Manastir qe ashpërsuar lufta midis atdhetarëve shqiptar dhe xhonturqve rreth alfabetit shqip.  Për rrjedhojë, në vitin 1909 qe ndaluar nga pushteti alfabeti latin, në shkollat ku mësohej në gjuhën shqipe. Kjo luftë vazhdoi dhe në vitin 1910.  Pas hartimit të alfabet të ti ri turko-arab “me katër germa të reja”, pushteti turk me anë të qarkores së datës 6 .o2.1910 e ndaloi kudo në Shqipëri alfabetin latin, dhe urdhëroi që gjuha shqipe në të gjitha shkollat myslimane private dhe shtetërore të mësohet me alfabetin arab, kurse urdhëroheshin autoritetet e pushtetit të i mbyllin të gjitha shkollat ku mësohej gjuha shqipe me shkronja latine, si që ishte rasti në Shkup ku u ndërpre kursi i gjuhës shqipe me shkronja latine pranë shkollës idadije të këtij qyteti.

Njëkohësisht, Qeveria turke urdhëroi dhe ndalimin e botimit dhe shpërndarjes së librave, gazetave, revistave me alfabetin shqip.

Krahas shpërndarjes së abetareve me alfabetin arab, që në janar 1909, Qeveria osmane organizonte dhe financonte mitingje kundër alfabetit shqip me shkronja latine si në Shkup, Manastir, Ohër, Tetovë, Dibër, Përlepe, Follorinë etj. Këto mitingje organizoheshin pran xhamive e objekteve tjera fetare dhe drejtoheshin nga hoxhallarët. Një miting i tillë qe organizuar  në xhamin e sulltan Muratit në Shkup, nën organizimin e Said Hoxhës deputet i Shkupit. Mitingjet organizoheshin nën parullën: se përdorimi i shkronjave jo arabe paraqit rrezik për fenë myslimane.

Pushteti ndërmori masa represive ndaj të gjithë mbështetësve të alfabetit shqip; qofshin ato nëpunës, veprimtarë, intelektual, nxënës etj. Masat ishin të natyrave të ndryshme si arrestim, përjashtim nga puna, transferim në ndonjë vend tjetër të perandorisë, si p.sh. nën akuza të këtilla  nga fundi i majit të vitit 1909 vetëm në Ohër, në Pogradec e në Strugë u arrestuan 17 veta, midis të arrestuarve ishin edhe Hamdi Ohri, Xhemaledin Beu, kryetar i klubit të Ohrit dhe Mehmet Beu, sekretar i klubit, si dhe u përjashtuan një numër i nxënësve nga shkollat, si në Shkup, në Manastirit, në Korçë etj.

Megjithatë, përkundër  gjithë këtyre masave të ashpra nuk pushoi puna e klubeve për hapjen e shkollave private dhe botimin e librave shqip me alfabetin latin të ndaluar,. Me veprimtarinë e tyre kombëtare klubet dhe gazetat e kohës që botoheshin brenda e jashtë vendit ndihmuan që për një kohë të shkurtër të bëhet një ndarje e plotë shpirtërore midis shqiptarëve e turqve, vlerësonte konsulli serb në Manastir, Luba M. Mihajlloviq.

Këtë fjalë rasti do ta përmbyll me një  vlerësim të prof dr. Petro Janurës në veprën e tij me titull: Nga historia e alfabetit të gjuhës shqipe, Shkup, 1969, i cili thotë: “Alfabetin e sotëm që e përgatitën shekujt  me anën e njerëzve dashamirë të shkrimit e të kulturës shqipe, zyrtarisht e stilizoi në formë definitive  dhe e vuri në zbatim data 1908, që u ratifikua prej datës 1912 edhe pse në këto data nuk u dha asnjë urdhër, por etika e ndërgjegjes së ndershme kombëtare, që i pruri këto data, u bë urdhër për tu pranuar përgjithnjë ky alfabet.”

 

Tetovë, 21.11.2016

Filed Under: Histori Tagged With: Halim PURELLKU, Kongresi i Manastirt, Reaksioni turk

KUJTESE NE 70 VJETORIN E PUSHKATIMIT

November 24, 2016 by dgreca

imgres-copy*KUPA  E  ARTË  PËR “KATOLIÇESKAJA  BANDA”/

*25 NANDOR 1946 – 2016… 70 VJETORI I PUSHKATIMIT !/

Nga Fritz RADOVANI/

  • Ata janë gurtë e thëmelit të Atdheut që nuk vdiqën por u gurosën e, prap sot, na mësojnë si Atë ditë kur lane me Gjakun e Tyne të Shenjtë Tokën Shqiptare!
  • Dardania Heroike Shqiptare asnjëherë nuk u pajtue me robninë sllavokomuniste, po luftoi e derdhi Gjak per Liri. Emnat e shumë Atdhetarëve mbetën të pashlyeshëm nga: Prof. Ymer Berisha, Ndue Përlleshi, Mehmet Gradica, Met Dini, Adem Shala, Gjok Dom Gjoni, Pjetër Toma, Shaban Polluzha, Bajraktari i Llaushës,…. deri tek Adem Jashari me far’e fis i ditëve tona. Historia e Tyne asht një libër mija faqesh i shkruem me Gjak!
  • Urdhni i Titos duhej zbatue! Partia Komuniste Jugosllave kontrollonte edhe Shqipninë e robnueme prej tyne. Enver Hoxha, Fadil Hoxha, Omer Nishani, Mehmet Shehu, etj., zbatonin urdhnat e Dushan Mugoshës, që vazhdonte me vra barbarisht Shqiptarë…
  • Në dhjetorin e vitit 1945, u krijue Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar, pra NDSH për Kosovën me kryetar Prof. Hajdar Pllaneja, profesor i Gjimnazit Prizrenit, mik i Mit-hat Frashërit, Kol Parubit, Gjergj Martinit, Muhamet Vokshit dhe mbasardhës i denjë i prof. Ymer Berishës. Marsel Vuçaj vepronte në Pejë ku ishte famullitar At Bernardin Llupi. Humbjet në njerëz nuk llogaritën. Ndonse, Maria Shllaku, luftare e zjarrtë nga Shkodra, ishte arrestue që në shtator të 1945, OZN-a e formoi grupin e “armiqve të popullit”, tue i akuzue ashtu si të gjitha “demokracitë popullore” njerëzit që donte me zhdukë, me faj e pafaj tue i veshë me nenët 3 pika 3 pika 1, neni 3 pika 7 e 12, neni …“ i tradhtisë ndaj Atdheut dhe e bashkpunimit në grup për rrëzimin e pushtetit popullor me dhunë, agjenta e spijunë të …etj. etj.”, akuza fallse si gjithmonë në sistemet komuniste totalitare. Një pjesë Shqiptarësh i nisën per Tivar, me Ramiz Alinë e i zhdukën…
  • Në grupin e Prizrenit përfshihën: Maria Shllaku, At Bernardin Llupi OFM, Kol Parubi, Gjergj Martini, Marsel Vuçaj, Isa Cavolli, Masar Begolli, Hamza Begolli, Jusuf Haxhiymeri, Mehmet Vokshi, Viktor Gashi, Frano Civlaku, Jak Krasniqi, Osman Basha, Skender Rizaj, Engjëll Berisha, Shefqet Kelmendi, Ramiz Kelmendi, Kamber Pajaziti, Sebë Mateja, Jak Shahini, Gita Mjeda, Luçije Leka, Sebë Kola, Miftar Bala, Binak Dema dhe Gjergj Deda. Dosja asht e cungueme e jo e saktë. Megjithate, pjesa që na intereson për ketë shkrim del edhe nga kujtimet e bashkvuejtësve të shumtë të asaj ngjarje. Kryesisht jam ndihmue per këte material nga bashkvuejtësi Sheuqet Kelmendi (1995).
  • Gjyqi i montuem sllavotitist vendosi: Maria Shllaku 24 vjeç, At Bernardin Llupi 60 vjeç, Kol Parubi 40 vjeç dhe Gjergj Martini 29 vjeç, u dënuen me vdekje me pushkatim. Vendimi u zbatue me datën 25 Nandor 1946, në të dalun të dritës në Prizren…
  • Sa u hap dera nga rojet jugosllave, At Llupi pa ju trembë syni, tha: “Gjergj e Kolë, ejani të shkojmë krenarë, lé ta shohin këta se nuk ia kemi frikën plumbit! Duhet të jemi të lumtun se po vdesim për idealet e Kombit!”.

 

“VDEKJA SI  KJO, VDEKJA PËR SHQIPTARIZËM,

ASHT KUPË E ARTË!.. RRNOFTË SHQIPNIA!”

  • Këto ishin fjalët e Fratit At Bernardin Llupi para plutonit pushkatimit!

E, mbas të shtimëve të automatikut, At Llupi kishte mbetë në kambë edhe pse zhguni i panjollë ishte la me gjakun e Atij Martiri… Ai thirri edhe njëherë: “Rrnoftë Shqipnia!” …Xhullinjtë Ju afruen dhe vazhduen me shti mbi Té, derisa Frati Shkodranë u shtri mbi Tokën Nanë Shqiptare…të Prizrenit robnuem!

  • Vazhdoi Mësuesi Gjergj Martini: “Lamtumirë vëllazën! Tregoni Botës mbarë se Kosova e Shqipnia ka trima, që japin jetën për vatan dhe, nuk ka asnjë armik që na tremb!

Shqiptari nuk përkulët kurrë!”.

  • Prof. Kol Parubi me një za të lehtë siç fliste Ai, u tha: “Lamtumirë vëllazën, Amanet vajzën. Rrnoftë Kombi ynë Shqiptar, rrnoftë Shqipnia!”.
  • U ndigjue zani i Maria Shllakut, Ajo nuk doli nga qelia pa i dhanë fund kangës së trimit maleve Ymer Berisha…At Llupi i tha: “Të lumtë, o bylbyli i shqiptarizmës! Lé ta marrin vesh Bota si shkon me vdekë femna Shqiptare…me kangë në gojë!”…
  • Maria u përgjegjë: “Rrnoftë Shqipnia e Madhe! Rrnoftë bashkimi i Shqiptarëve!”.

***

  • Në këte 70 vjetor të pushkatimit të Këtyne Atdhetarëve Trima, pa asnjë hezitim duhet ruejt naltë figura e simbolit Lirisë së Dardanisë Ibrahim Rrugovës dhe, e të gjithë Atyne Martirve që punuen e vdiqën si me lé për Atdhé e përparim!
  • Amaneti i tyne duhet të bahet udhërrëfyesi i gjithë Rinisë Shqiptare!

            Melbourne, 24 Nandor 2016.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Kupa e Arte, per “KATOLIÇESKAJA BANDA”

Arbereshet e Hores perkujtuan 260-vjetorin e vdekjes te At Gjegj Guxeta

November 23, 2016 by dgreca

1-zef-chiaramonteNa shkruan nga Palermo:Prof Zef Chiaramonte/

Me daten 21 Nentor 2016, ne Hore te Arbereshevet, selia e Eparkise Italo-Abereshe ne Sicili,u mbyllen manifestimet te programuara me rastin e 260-vjetorit te vdekjes te Sherbetorit te Perendise At Gjegj Guxeta.1-hora_e_arbereshevetFal punes se palodhshme te tij, Arbereshet e Sicilise gezojne deri me sot trashegimine gjuhesore, demoantropologjike dhe kishtare bizantine.Kujtojme ketu vetem kryevepren e tij: themelimi me 1734, ne Palermo, te Seminarit Italo-Arberesh, çerdha nga dollen prifterinj dhe dhespote arbereshe te denje, shkrimtare, poete, njerez te kultures, te mjekesise, te jurisprudences, …

Programi u zhvillua ne dy pjese: pjesa historike-kulturore ne te cilen referuan profesoret Françesko Altimari, Mateo Mandala dhe Shaban Sinani, dhe pjesa shpirterore qe u hape me fjalen e Dhespotit Imzot Gjergj Dhimiter Gallaro dhe vazhdoi me referimet e pifterinjeve Torçivia dhe Kastanja.

Pas shtejterimit te Nene Terezes dhe lumnimin e 38 Martireve te komunizmit, programi eshte mbajtur pikerisht per te shpejtuar procesin e lumnimit te At Gjergj Guxetes, gje qe do te ishte nje tjeter gezim i madh, jo vetem per Arbereshet, por per mbare kombin tone shqiptar.

Filed Under: Histori Tagged With: 260 vjetori, At Guxeta, Vdekja, Zef Chiaramonte

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 429
  • 430
  • 431
  • 432
  • 433
  • …
  • 739
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT