• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dom Elia Matija: martirizimi i popullit e i klerit shqiptar, një thesar që nuk duhet harruar

June 7, 2016 by dgreca

Feja, martirët e fundi i regjimit komunist në Shqipëri. Në kuadrin e kremtimit të Vitit Jubilar të Mëshirës, prifti shqiptar dom Elia Matija, të dielën e kaluar më 5 qershor, në Pistoia të Italisë, organizoi prezantimin e librit “Don Ernest Simoni Troshani. Nga puna e detyruar në kampe të përqendrimit e deri te takimi me Françeskun”, shkruar nga Mimmo Muolo, gazetar vatikanist e kryeredaktor i redaksisë romake të gazetës Avvenire.

Në këtë vepër, autori tregon ngjarjet dramatike të priftit shqiptar, dom Ernest Troshanit, që mbijetoi nga persekutimi i regjimit komunist, përshkon 28 vitet e jetës së tij kaluar në burg, torturat e punët në kampet e përqendrimit, por edhe veprimtarinë apostolike në vitet pas rifitimit të lirisë dhe takimin e paharrueshëm me Papa Françeskun, në Katedralen e shën Palit në Tiranë, më 21 shtator 2014.

Mimmo Muolo sjell kujtesën e martirizimit të një populli të tërë e në mënyrë të veçantë të klerit shqiptar, dëshminë e qëndresës, faljen, pajtimin, mëshirën që buron nga besimi në Zotin e nga dashuria ndaj vëllezërve shqiptarë e ndaj atdheut.

Historia e dom Ernestit, ashtu si dhe historia e tërë popullit shqiptar gjatë diktaturës, është ngjarje dramatike, por edhe një kujtesë që brezat e ri duhet ta njohin e ta ruajnë si një thesar të çmueshëm. Ky Vit jubilar i Mëshirës ndihmon të falim e të pajtohemi njëri me tjetrin, siç na dëshmon edhe dom Ernest Troshani, pohon dom Elia Matija në mikrofonin e Radio Vatikanit, qe ju lexues mund ta degjoni te plote duke shkuar tek faqja e Radio Vatikanit)

Filed Under: Histori Tagged With: dhe klerit shqiptar, Dom Elia Matija, martirizimi i popullit

“Kolaboracionistët grek projektuesit dhe udhëheqësit e genocidit në Çamëri”

June 7, 2016 by dgreca

Doli në qarkullim libri: “Kolaboracionistët grek projektuesit dhe udhëheqësit e genocidit në Çamëri” i historianit Arben P. Llalla. Në këtë libër autori sjellë fakte rreth Genocidit grek kundër popullsisë shqiptare në Çamëri si dhe dëshmi se nuk ka patur asnjëherë bashkëpunim kolektiv të popullsisë çame me pushtuesit italian dhe gjermanë, qëllimi i Genocidit grek ishte për të spastruar Çamërinë-Epirin e Jugut nga shqiptarët myslimanë, grabitja e pasurisë si dhe vendosja e refugjatëve ortodoksë të ardhur ndër vite nga Azia e Vogël.

Gjatë operacionit në shpërnguljen e hebrenjve të Janinës për në kampet e përqendrimit dhe shfarosjes, gjermanët në bashkëpunim me xhandarmërinë greke shpërngulën edhe dhjetëra çam antifashistë. Kjo tregon qartë se shqiptarët e Çamërisë ishin në anën e partizanëve grek.

Konservimi nga ana e shtetit grek, të shtëpive dhe tokës private që pronarë të vërtetë janë shqiptarët, tregon qartë se spastrimi etnik i Çamërisë nga elementi shqiptar ka patur prapavijë politike e pa mbështetur në asnjë fakt për akuzën e bashkëpunimit me gjermanët.

Pa një zgjidhje të çështjes kaq delikate çame nuk mund të ketë fqinjësi të mirë, miqësi të sinqertë midis grekëve dhe shqiptarëve të cilëve më shumë i bashkojnë lidhjet e interesave se sa i ndajnë.

Që mbi pasionin të dalë vlerësimi objektiv shkencor i dukurive dhe fakteve që parashtron e analizon, historiani Llalla sjellë rreth 60 fotografitë origjinale ku tregohet qartë bashkëpunimi i shtetit grek dhe klerikëve të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Greqisë me pushtuesit italian dhe gjermanë.

PASTHËNIA E AUTORIT

Nuk ka asnjë dokument dhe fotografi që vërteton bashkëpunimin e popullsisë shqiptare në Çamëri me pushtuesit italian dhe gjermanë gjatë viteve 1941-1945. Kanë bashkëpunuar me gjermanët individë dhe kjo është më se e logjikshme se çdo etnitet ka edhe njerëz të tillë. Në Greqinë e viteve 1941-1945, shumica e popullsisë, klerikë të lartë ortodoksë, politikanë, intelektualët grek, vlleh, sllavë bashkëpunuan me pushtuesit e Greqisë, bullgarët, italianët dhe gjermanët.

Të gjithë ato histori se ekzistojnë fotografi apo dokumenta që implikojnë popullsinë shqiptare në Çamëri si bashkëpunëtor të italianëve dhe gjermanëve nuk ekzistojnë, janë gënjeshtra, histori të shpikura. Teoria e bashkëpunimit të çamëve me gjermanët dhe italianët është teori e konspiracionit e cila u ndërtua nga vllehët për të mbuluar historinë e tyre të errët për Pavarësinë e Principatës së Pindit apo themelimin e shtetit të vllehve. Pas vitit 1944, politikanë, qeveritarë, kisha greke, historian, publicistë, etj., ju përveshën punës për të hedhur baltë mbi shqiptarët e Çamërisë. Nuk mund të vërtetohet apo të dokumentohet që shqiptarët e Çamërisë kanë bashkëpunuar me italianët dhe gjermanët, sepse historia e gënjeshtrës nuk mund të quhet histori e vërtetë. Asnjë akademik apo historian grek nuk ka vërtetuar shkencërisht bashkëpunimin e masës së gjerë të çamëve me italianët dhe gjermanët. Ata gjithnjë kanë ngritur akuza politike, një metodë klasike e njohur tashmë për tu mbyllur gojën atyre që thonë dhe mbrojnë të vërtetën.

Mundet të ketë pasur individë çamë që kanë qenë spiunë të gjermanëve, por nuk mundet të përfaqësojnë të tërë Çamërinë dhe të persekutohet një popull i tërë në emër të tyre edhe pse nuk është faktuar shkencërisht që kishte çamë spiunë. Bashkëpunimi i Dinojve me italianët dhe gjermanët është më se i logjikshëm nëse shihen me gjakftohtësi gjërat. Shteti grek u kishte sekuestruar pa të drejtë pasurinë e tyre të trashëguar dhe i kishte përzënë nga Greqia. Kështu, pushtimi i Greqisë nga Italia dhe Gjermania u shfrytëzua si një mundësi për tu rimarrë pasuria, për tu vendosur e drejta e pronës. Deri më sot ende nuk është vërtetuar se Dinojt bashkë me rojet e tyre që akuzohen se kanë bashkëpunuan me italianët dhe gjermanët të kenë marë pjesë në ndonjë masakër kundra grekëve. Grupacion i tyre jo i rregullt ushtarak kanë luajtur rolin e ruajtjes së rendit dhe qetësisë në vendbanimet shqiptare në Çamëri nga keqbërësit e shumtë që qarkullonin si pasojë e urisë së zezë që kishte kapur Greqinë ato vite.

Historiani grek Jorgos Margaritis shkruan se shqiptarët e Çamërisë u rreshtuan në Ushtrinë Çlirimtare Popullore Greke e Shqiptare në shifra rreth 3.000 njerëz.

Në fillim të vitit 1944, në Qeramicë të Filatit u krijua Batalioni IV i përbashkët shqiptaro-grek “Ali Demi” diku me 500 luftëtare, Batalioni hyri në përbërjen e Regjimentit te XV të Ushtrisë Nacional-çlirimtare greke. Në komandën e tij ishin Spiro Shqevi, Muharrem dhe Tahir Demi, Dervish Dojaka, Vehip Hyso, Ali Shane, Kasem Demi, Izet Osmani, Hasan Minga.

Nga Greqia u përzunë për mos tu kthyer më edhe ata shqiptar që ishin rradhitur në forcat partizane greke, një rast të tillë kemi të dokumentuar të prof.Petrit Demi, babai i politikanit të njohur Leonard Demit. Mësuesi Panajot I. Mici nga Finiqi, kujton se Petrit Musa Demi ishte partizan në rradhët e ushtrisë greke ELAS. Në Mars të vitit 1943, një grup partizanësh greke kishin qenë në disa fshatrat e minoritetit për t’i mbrojtur nga gjermanët. Midis këtyre partizanëve grek kishte qenë edhe Petrit Musa Demi. Minoritari Panajot I. Mici, ka edhe një foto të këtyre partizanëve ku tregon se cili ishte Petrit Musa Demi.

Nuk mund të ketë asnjëherë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë të grekëve me shqiptarët përderisa Greqia nuk kërkon falje për genocidin e 1944-1945. Greqia si anëtare e BE-s, NATO-s dhe e shumë organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut duhet t’ju kthejë pasurinë e grabitur çamëve dhe të krijojë kushtet e rehabilitimin në trojet e tyre. Por a do të rikthen ndonjëherë çamët në shtëpitë e tyre? Kjo pyetje ngjall pesimizëm dhe emocione të forta tek shqiptarët. Unë besoj se shqiptarët e Çamërisë do të rikthen një ditë sepse historia e botës ka njohur Perandorinë Romake e cila u zhduk me gjuhë e kulturë, kishim Perandorinë e Bizantit e cila u shpërbë, më tepër se 500 vjet Perandoria Osmane kishte pushtuar popujt e tjerë të Ballkanit e më gjerë dhe u tkurr. Për 50 vite kishim ndarjen e Gjermanisë, por një ditë ata u bashkuan, ashtu siç kishim Çeko-Sllovakinë të cilët u ndanë paqësisht.

Për rikthimin e çamëve në Çamëri nuk është se duhet të ndodhi ndonjë çudi, nuk është as e pamundur, por grekët dhe shqiptarët duhet të jenë të përgatitur që rikthimi të bëhet paqësisht, dhe mirësia e dashuria të mbretërojë përfundimisht midis dy fqinjëve që më shumë i lidhin gjërat me njeri-tjetrin se sa i ndajnë. Të mos harrojmë se grekët dhe shqiptarët kanë më shumë martesa midis tyre se me popujt e tjerë, ky është një fakt i pamohueshëm.

Tashmë e vërteta dihet, përse shqiptarët e Çamërisë u përzunë nga Greqia dhe ju hoq pa të drejtë shtetësia greke. Pas shumë vite kërkimesh dhe vizitash që kam bërë në Epirin grek, në disa fshatra që njihen historikisht si vendbanimet që kanë jetuar shqiptarët erdha në përfundimin se në shumicën e këtyre fshatrave janë vendosur vlleh dhe emigrantë të ardhur nga Azia e Vogël. Këta ardhacak u grabitën shqiptarëve të Epirit të Jugut, historinë e lavdishme, veshjen popullore, këngët, shtëpitë dhe pronat. Pjesa më e madhe e shqiptarëve ortodoks nga Çamëria emigruan për t’i shpëtuar racizmit shtetëror jashtë Greqisë dhe brenda saj, thellë në Athinë e Selanik. Disa familje ndërruan mbiemrat e tyre për të humbur gjurmët. Sot, shumë deputet dhe kryetar bashkie në Çamëri janë njerëz që vijnë nga familjet e vllehve që kanë qenë bashkëpunëtor të italianëve dhe gjermanëve dhe nuk u dënuar asnjëherë kolektivisht.

Historia e vërtetë, pavarësisht shtrembërimeve që mund t’i bëhet gjatë viteve, ajo nuk mund të zhbëhet, por do dali në sipërfaqe në vendin dhe kohën e duhur për t’na rikujtuar gëzimet apo dhimbjet që na ka shkaktuar.

Filed Under: Histori Tagged With: “Kolaboracionistët grek, arben llalla, dhe udhëheqësit e genocidit, ne cameri, projektuesit

PERËNDIA ZGJODHI SHQIPTARËT E AMERIKËS SI SHPËTIMTARË TË SHQIPËRISË

June 3, 2016 by dgreca

KALENDAR- 3 QERSHOR-VATRA DHE SHPËTIMI I SHQIPËRISË NGA SHQIPTARËT E AMERIKËS/

* Si i parapriu VATRA Konferencës së Paqes duke organizuar Komitetin e Shpëtimit Kombëtar./

* Fushata 3 Qershorit 1917, ku vatranët nga 40 mijë dollar arritën të mblidhnin më shumë se 150 mijë./

* Shumë vatranë dhuruan pagesat që fitonin për një e dy javë./

* Në vitin 1917 sipas përllogaritjeve të Vatrës jetonin rreth 50 mijë Shqipatrë, por vetëm rreth 5 mijë morën pjesë në fushatë./

NGA DALIP GRECA/

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra po e ndiqte me shqetësim teatrin e zhvillimeve luftarake gjatë Luftës së Parë Botërore, veçanërisht në Ballkan, ku fqinjët rrezikonin Shqipërinë. Që më 1916 Vatra nisi organizimin e shërbimit diplomatik duke i vënë një rrogë mujore prej rreth 1600 frangash delegatit të saj në Londër Mehmet Bej Konica. Pagesa sigurohej përmes organizimit të Ditës së delegatit. Po ashtu, gjatë vitit 1916 nisi pranë degëve të mëdha përgatitjet e trupave vullnetare.(Nje speciale do te lexoni ne Diellin e printuar)

Filed Under: Histori, Vatra Tagged With: dalip greca, data 3 Qershor 1917, Fushata, shqiperia, Vatra

KUJTESE- BEDRIJE ASHIKJA, DOSJA E PAMBYLLUN

June 3, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

1976- DOSJA E PAMBYLLUN…/

■Konvikti “Malet tona” në Shkoder ishte kthye në hetuesi, mbasi ishte pranë spitalit të Shkodres, në fund të rrugës së Shtëpisë së Kulturës. Hetuesit kriminel nuk kishin interes me mbyllë Dosjet tri ditët e para të torturave, prandej, u duhej afer spitali. Pastrimet e zyreve i banin me vajzat ose gratë e arrestueme që nuk ishin aq pak nder ato qeli.

■Në Shkoder kam pasë fat me njoh Martirin Loro Vata, i cili ka jetue deri në vitin 1999, dhe prej Tij mësova ngjarje të sakta që ishin të varrosuna në thëmelet e atij konvikti…

Në vitin 1946, pak ditë mbas arrestimit Loro Vata dergohet në hetuesinë “Malet tona”. Aty merrej në pyetje nga një katil i njohun i hetuesisë, Fadil Kapisyzi. Edhe qelia ku ishte i pranguem Loro, ishte pranë dhomës ku Fadili, merrte në pyetje të arrestuemit.

Shpesh terroristët masakronin nga dy vetë bashkë. Një natë Fadili kishte marrë në zyre të vet edhe një monster si veten Dul Rrjollin, dhe po torturonin një nga Klerikët Katolik.

■Ishin ditët e para të Dhjetorit 1946. Aty nga ora 8 e mjesit Duli kishte hapë një qeli aty pranë Loros, ku ishte e prangueme zonja Bedrije Ashikja, motra e Ahmet Ashikës, rreth moshës 24 vjeç, së ciles i kishin pushkatue Burrin, dhe kerkonin me e dënue edhe këte. Flitej se Fadili kishte një lidhje të largët kushrinije me Bedrijen, dhe per këte arsye ai shpesh e merrte Bedrijen me pastrue dhomat e hetuesisë… Pak minuta mbasi Bedrija po pastronte dhomen e Fadilit, u ndigjue një virrmë e fortë, që u këput pa u kuptue pse…

■Nuk vonoi pak kohë dhe mërrijti Dul Rrjolli, i cili mbasi e pyeti: “Pse e preke thesin, a të thashë, se mbas derës mos pastro… moj e poshter…” dhe vazhdoi, tue terhjekë rrëshanë Bedrijen, dhe tue e sha me fjalorin e njohun të tyne, derisa e holli në qeli… Mërrijti aty edhe Fadili, dhe vazhdoi edhe ai si Duli. Në fund e porositi: “Guxo e tregoi kujt se shka ke pa, se edhe ty do të kalbi në një gropë me te, moj ..!”

■Atë natë ishe i sigurtë se na pergjojnë, tha Loro, prandej, as nuk i dhashë Bedrijes fare sinjal per me marrë vesht shka ngjau atëditë, në zyren e Fadilit…

Të nesermen heret më zgjoi vetë Bedrija: “Loro, a e di shka ka ngja dje në zyre të hetues Fadilit?” – Unë, i pergjegja jo! Po në të vertetë, gjatë natës, veshtrova nga oborri dhe, aty nga e vona, disa roje hapne një gropë, dhe hollen aty një thes ngjyrë kafe të mbyllët mu tek qerrshija brinjë murit të hetuesisë… Kuptova se dikush kishte vdekë në tortura!

■Bedrija i kishte tregue, se gjatë torturave me korrent elektrik, Fadilit dhe Dulit u ka mbetë i vdekun  në dorë At Bernardin Palaj, dhe ashtu me tela nder veshë e kishin ba si thes në zhgunin e vet. Unë pa dijtë gja, tue pastrue mbasdere, kur e pashë vrrita dhe më ka ra të fikët… Ka ardhë Duli dhe më ka hjedhë ujë, e kam ardhë në vete. Gjithë diten jam qenë e tmerrueme, as nuk më ka kalue buka… Një tmerr me e pa Fratin ashtu!!

■E mbytja e At Bernardin Palaj në torturë, vazhdon mos me e shkrue si kje e verteta!

Leni “përrallat me mbret”… dhe, shkrueni të verteten! Kështu leni pa u dekorue Fadilin!

At Bernardini nuk ka vdekë as nga telat e ndryshkin as nga tetanozi! Ate e keni mbytë!

■HAPNI DOSJEN “Bedrije Ashikja”!..

■Fjalët “REVOLUCION KULTURAL” donin me thanë: “Shpërftyrim i njeriut”!

Sigurisht, kjo jo, per të gjithë!

■Heroina Bedrije Ashikja, mbasi bani shumë vjetë burg, nuk i mjaftoi komunistëve vuejtja e Saj sa e sa vjeçare, duhej interrnue fatzeza në Hajmel… Ishte thirrë nga Sigurimi per me “deponue” per Imzot Ernesto Çoben, në një mbledhje të lagjes së Saj, se: “Ishte pa nga dritaria e Mark Berishës, karrshi Kishës së Madhe, ku shpesh aty shkonte edhe Xhemal Dini dhe Angjelin Kumrija, me “ndonjë agjent” tjeter, dhe survejonin kush hyn e del në Argjipeshkvijë… Një mbasdreke kishin pa edhe Bedrije Ashikën, që nuk mohonte se asht kenë tek Imzot Ernesto Çoba. Sigurimi i kerkonte Asaj me deponue tjera fakte që nuk ishin asnjë të verteta. Bedrija ua preu shkurt: “Këto që thoni ju, kerkoni atje ku jeni mësue, po jo tek unë, mbasi unë kam shkue me i lypë ndihmë 1000 lekë (të vjetra), se nuk kishe pare as me marrë buken, dhe Imzot Çoba mi ka dhanë. Tashti, ju kerkoni që unë “edhe ti shpifem Atij, që më bani nder… A jeni në vete ju, që e kerkoni këte?!”

■Në mbledhjen e lagjes zonja Bedrije nuk u mjaftue me aq sa i tha në zyren e Sigurimit, po me një guxim të paharrueshëm, Ajo ua perplasi per surrat veprat dhe moralin e tyne, me të cilët, ata kanë shkatrrue Shkodren dhe Rininë e Saj…  

■Fatkeqsisht, zonja Bedrije Ashikja e mbylli jeten me një smundje të randë “harrese”, që ndoshta, shpesh asht edhe per t’ Ua pasë zili Atyne fatzezëve që sakrikuen aq shumë!

HAPNI DOSJET !

■Figura të Mëdha dhe të nderueme, duhen kujtue!

Një nder Ata… asht edhe zonja Bedrije Ashikja!   

            Melbourne, Qershor 2016.

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Bedrije Ashikja, DOSJA E PAMBYLLUN, Fritz radovani

THESARET ANTIKE TË SULOVËS

May 31, 2016 by dgreca

 NGA PËLLUMB GORICA/

Një udhëtim drejt Sulovës së Sipërme të Gramshit është një mundësi e mirë për të shfletuar faqe pas faqe “librin” e thesareve të saj, sidomos kur udhëton për herë të parë këtyre anëve. Kjo krahinë shtrihet në një reliev të copëtuar me ulje ngritje, lugina, kodra, përrenj, dhe vendbanime me peizazhe magjepsës. Sapo shkel këtu përshëndetesh nga reflekset e rrezeve të diellit, ajri, gjelbërimi, konturet e thepisura të malit mitik të perëndive të lashta, Tomorrit. Me Tomorrin përballë ke në vetvete një ndjesi plotësie dhe sigurie, pse jo edhe të një krenarie të brendshme që je kaq pranë tij. Kjo është ajo çka përbën mbresën e parë, e cila të godet bukurisht në këtë zonë ende të virgjër të Shqipërisë. Themi të virgjër pasi Sulova nuk është studiuar si duhet. Ajo përmban në vetvete dëshmi antike të kulturës së lashtë, thesare të qytetërimeve të vjetra, por edhe të mëvonshme. Veç historisë në trevën e Sulovës ndesh tradita, që s’i gjen gjetkë, tradita që kanë origjinë të hershme, ndoshta edhe mesjetare e përtej mesdhetare, në thelb të mira, me filozofi dhe mençuri brenda, me shpirt dhe një sinqeritet. E përmendim këtë fakt si një krenari të banorëve të këtyre anëve, si një pasuri që është ruajtur dhe pasuruar brez pas brezi. Dyert si dhe zemrat e banorëve të kësaj treve, janë të hapura, ato shndritin e gufojnë nga respekti për mikun, udhëtarin, muhabetin, këngët e rakinë.

                  Pamje që kërkon t’i shijosh thellë

Do të duhej miku im e i të gjithë sulovarëve, studiuesi Petrit Basha, që më bëri të realizueshme këtë udhëtim. Me ne është edhe djali i tij, Isai, bashkudhëtar në këtë mëngjes vere, atje, në lartësitë e Sulovës së Sipërme me qetësinë, freskinë, aromat, bisedat, këngët dhe me shumë foto artistike. Kalojmë lumin Devoll që rrjedh në vazhdën e tij të stërlashtë ndërmjet brigjeve, diku pa u ngutur, diku i rrëmbyer e kumbues mbi zajet ngjyra-ngjyra. Duke ndaluar herë në një peizazh e herë në tjetër, sytë prekin gjelbërimin e harlisur dhe ngrohtësinë e stinës. Një mjegull resh të brishta dhe të praruara në qiell, pak nga pak iu zënë sytë rrezeve të diellit që ngrihen lart. Tutje në faqe të një kodre të veshur me bar e lule tingëllojnë këmborët e një tufe delesh si melodi plot emocion.
Makina gjarpëron në rrugën plot kthesa malore, që herë i le vendbanimet në krah dhe herë kalon afër tyre. Secili nga këto vendbanime paraqitet me karakteristika të veçanta. Është krejt e natyrshme se natyra u ka falur këto vende për të jetuar e zhvilluar jetën. Emra vendbanimesh që përqasin idenë e origjinës së tyre të vjetër: Shëmriza, Ostenthi, Duzha, Lubinja. Me shtëpitë çatikuqe të zhytura mes gjelbërimit, janë shumë tërheqës. Tokat e parceluara janë të mbjella me rreshta të drejtë e të ndarë nga njëri-tjetri me pemë frutore degërënduara nga prodhimet si: dardhë, qershi, mollë, shegë, ftonj, kumbulla, rrush. Si një lidhje me natyrën e freskët spikat dora e mendja e banorëve që e duan punën, përpjekjet e tyre për të përballuar jetën, për të punuar e gëzuar frytet e prodhimit. Teksa i përjeton mrekullisht peizazhet natyrore, shto këtu edhe ato historike, impresionet janë të fuqishme, vetvetiu ndjen paqe e kënaqësi në shpirt.

                        Imazhe trishtuese

Ndërsa endesh nëpër këtë trevë të bukur, ndjen një mungesë të theksuar të kujdesit nga shteti. Infrastruktura rrugore është ajo e socializmit, madje në disa fshatra edhe më keq. Një pengesë për rrugët është edhe mosinteresim i pushtetarëve, me mendimin se ç’duhen rrugët atje kur fshatrat malorë po boshatisen.Mungesa e rrugëve ka sjellë një sërë problemesh ekonomike, por edhe sociale. Prodhimet nuk tregtohen, pasi tregu është larg, shkollat janë boshatisur, ambulanca shëndetësore nuk ka më. E vetmja rrugë mbetet braktisja e fshatit, ikja në qytete. Por edhe kjo tani është vështirësuar, nuk iket më me“xhaketë në krah”. Në pamundësi për të nxjerrë fitime me mënyra të ndershme, shumë njerëz u janë turrur pasurive natyrore, duke i shfrytëzuar barbarisht ato. Shembulli më i keq i trajtimit të natyrës është prerja pa kriter e pyllit, djegia e tij dhe gërryerjet e tokës, një masakër që ka tronditur ekuilibrin e ekosistemit të kësaj zone.
Ndalojmë paksa për t’u çlodhur. Peizazhi është tepër trishtues. Kemi përballë një pamje rrëqethëse ku pylli është djegur, e diku më tej është rrafshuar nga prerjet. Një plagë e hapur që ndoshta edhe shekujt nuk do ta riparojnë dot. Një gjurmë rruge, krejtësisht e përpjetë, nëpër një peizazh gjelbërimi të harlisur, të çon në majën e kodrës më të lartë të Sulovës (980 m).Ndalemi në një burim, ku freskohemi, dhe thithim ajrin e ngarkuar me aromën e luleve. Çifte zogjsh ngrihen me rrapëllimë nga korijet dhe japin koncert me cicërimat e tyre. Kodrat dhe pyjet e Sulovës me shumëllojshmëri drurësh: lis,frashër, panjë, akacje, mëretë, shkozë, etj kanë favorizuar rritjen e shumë shpendëve dhe kafshëve të egra që nga thëllëzat, turtujt, mëllenja, guhaku, shkurtëza, murgëza, bilbili, qukapiku, sorra, skifteri, bufi, lepujt, derrat, dhelprat, ujqërit etj.

               Hap pas hapi në gjurmët e toponimeve

Përkundrejt bukurive natyrore, rruga kalon nëpër një truall të braktisur me gjurmë të lashta. E ç’duan të thonë ato pak gjurmë në këtë territor të braktisur? Petriti, i lindur dhe rritur në Sulovë, në rolin e ciceronit ligjëron për vendet ku kalojmë, për vendbanimet anës rrugës e për çdo gjë tjetër. Si njohës i mirë i trevës, Petriti ka mbledhur një pjesë të kësaj trashëgimie në një tufë librash për Sulovën, për vlerat e saj, njerëzit, virtytet e sulovarit ndër breza. “Ajo që të bën përshtypje në krahinën e Sulovës – të thotë Petriti -është dendësia e toponimeve të shumta, që tregojnë ekzistencën e vjetër të banimit në këto troje. Kohërat me luftërat rrënuese, epidemitë vdekjeprurëse, hasmëritë, ndryshimet sociale me largimet kanë bërë të vetën. Por toponimet, si besnike të historisë, kanë mbetur. Pa u marrë më shumë me etimologjinë e tyre, në shumicën e tyre kemi të bëjmë me fjalë shqipe të vjetra.
Kalojmë në pjesën juglindore të kodrës ku mendohet se ka pasur një liqen të vogël, vendi tani ka emrin Liqedhës. Ai duhet të jetë formuar nga marrja e baltës (dheut) që përdorej për punishtet e qeramikës në qytetin antik të Kodrionit. Me kalimin e kohëve liqeni është tharë dhe mbushur me dhera, por ruhet forma në tri anët kryesore të një gropë të stërmadhe. Dikur këtu jeta njerëzore ka lulëzuar, por sot ka pak gjurmë nga e kaluara e hershme. Siç ndodh me shumë vendbanime malore në Shqipëri edhe në këtë trevë është përhapur braktisja e vendbanimeve, duke lënë pas natyrën e bukur, ajrin, varret e të parëve. Të pikëllon shpërngulja e Irmajt. Heshtja i ka mbuluar shtëpitë, arat, pyllin. Mungesa e kushteve për të jetuar bëri të rendin drejt fushave, qendrave të mëdha të banimit dhe qyteteve në kërkim të një jete më të mirë. Pas disa vitesh do të kthehet në gërmadhë e ndoshta do të zhduket, gjë që të bën të ndjesh keqardhje për këtë vend të braktisur nga papërgjegjshmëria e një kujdestari të pakujdesshëm dhe indiferent që quhet shtet.

              Shekujt, arkivë e historisë së këtyre trojeve

Nga kjo kodër e lartë ku jemi, nën këmbë kemi rrënojat e Kodrionit të lashtë, ndërsa vështrimi tej e rrok krahinën e Sulovës, Nahijen e Beratit, Vërçën, Shpatin, Tomorricën nën këmbët e malit Tomorr. Për studiuesin Petrit Basha, kjo kodër duhet kthyer në një pikë historike e turistike, që harresa të mos i mbulojë me pluhurin e saj. Fatkeqësisht qyteti antik i Kodrionit dhe Kalaja e Irmajt po shndërrohen në rrënojë nga disa sharlatanë që kërkojnë ar.Të shkatërrosh, do të thotë të zhdukësh një vlerë të kohës së largët, një thesar të saj. Dhe nuk ka si të mos indinjohesh, ashtu siç indinjohet çdokush ku gjithnjë e më shumë e mira dhe e drejta po humbasin terren. Shëtitim mbi rrënojat e qytetit të Kodrionit të Dasaretëve të lashtësisë. Sipas autorëve antikë, Dasaretët banonin në një trevë të gjerë rreth liqenit të Ohrit, fusha e Korçës, krahinat e Kolonjës, Gorës, Oparit, Mokrës, Devollit, Skraparit, Tomorricës, Sulovës, Beratit dhe ishin të përmendur si bujq e blegtorë të mirë. Qyteti i harruar në përjetësi, i shkatërruar e i braktisur në kohëra, mendohet se është 2400-vjeçar. Ky fakt përmendet nga studiuesit Frano Prendi e Dhimosten Budina.
Për këtë qytet Petriti tregon se është themeluar në shek. IV–III p.e. sonë dhe ka vazhduar deri në periudhën e mesjetës. Ka pasur lidhje me qytetet antike të Apolonisë, Dyrrahut, Amantias, Antipatreas, Bylisit, Pelionit, Dimalit etj. Gjatë gërmimeve janë gjetur tjegulla kolyptere, amfora, pitosa, pjata, kupa dhe solene, kandila vaji,etj; enë metalike, vegje enësh, kova, kullese bronzi, fibula bronzi, varëse zbukurimi. Në qytetin antik të Kodrionit janë gjetur edhe monedha të Apolonisë,Dyrrahut,Aleksandërit të Maqedonisë etj.
Shkelim në toponimet Erciros, Hija, Mullezë, Murza, Gropa e Thanës. Secila ka ndonjë histori. Psh, për kodrën Kunjëza e Madhe thonë se kur luftonte armiku që ishte jashtë mureve të Kalasë, nuk i shihnin dot se sa ishin aty brenda, ndaj për t’i parë, ngritën këtu këtë maj kodre si kunj. Në shpatin e pjesës jugore të kalasë gjendet një toponim tjetër interesant, Gjurma e Mushkës, ku në dy gurë të mëdhenj janë gjurmët e goditjeve të patkoit të kalit.
* * *
Historia shumë herë tregohet nga dëshmitë e gjalla, gurët, muret, mënyra e ndërtimit të tyre, që flasin shumë. Fragmentet e mureve të kalasë së Irmajt qëndrojnë në këmbë, duke sfiduar rrjedhat e kohës, të rrethuar nga gjelbërimi i thellë i drurëve të lartë e të dendur. Ajo ndodhet 980 m mbi nivelin e detit. Historia e saj humbet në mjegullnajën e kohërave, rrethuar nga pëshpërima historish gojore e legjendash, të cilat janë të shumta. Shumë pak është shkruar për të dhe muret ciklopikë, me gurë të vendosur në radhë njëri mbi tjetrin. Mure të ngjashëm, dhe po aq madhështore i hasim edhe në Daoroson (Hercegovinë) në Medun (Mal të Zi), por edhe në Tirsës afër Mikenës. Këta mure janë ndërtuar prej shekullit XIII para krishtit dhe ndoshta më herët. Por nga kush janë ndërtuar do pyesnim? Arianët do kishim thënë, Kurganët, një tezë e besueshme se nga “kur” në “gur”, ku “G” është bërë “K”. Pra këta kurganët (gurmanët), ndërtuesit e mureve prej guri, dolën prej brigjeve të detit Kaspik rreth vitit 2000 para krishtit. Ata erdhën edhe në Ballkan e shkuan deri edhe në Skoci. Njëherë shkatërruan çdo gjë, por pastaj ndërtuan. E dyta hipotezë; para se të vinin Kurganët, i gjithë Ballkani ishte popullsi e ardhjes së Skitve të bardhë, që pa dyshim ishin pellazgët rreth 500 vite para Kurganëve, që edhe këta vinin nga ato vendet e Kaspikut. Mirëpo kemi edhe një popull tjetër para tyre, ishin Kimerianët, të cilët kishin ardhur pas Hiberve të lindjes e që nuk qëndruan kohë të gjatë në Ballkan. Ata ikën në Apenine e që andej në gadishullin Iberik. Të gjitha këto migracione të tri shtresave që i përmendëm, kanë ndodhur prej 2700 para krishtit e deri më 1900 para krishtit, kur erdhën edhe nga Anatolia popuj të tjerë. Nuk ka mundësi që këta të kishin ndërtuar këto mure, sepse qëndruan vetëm tre shekuj, por, nga pozita gjeografike e Sulovës përputhet kjo teori me kohën e Deukalionit që pushtoi Greqinë e sotshme. Ai ishte persekutuesi i pellazgëve që kishin ardhur para 400 vitesh (-1900 para krishtit) nga Anatolia dhe ndoshta këto mure janë të kësaj periudhe, prej 1400 para krishtit e deri 1200 kur ndodhën invadimet doriane drejt Mikenës e ishujve Egje. Pra, janë këto tri mundësi, pa e harruar edhe tjetrën, se populli më i vjetër në Ballkan si autokton duhet të ishin Lapitët dhe Molopët, por, tepër interesante është se edhe këta ishin armiq të përbetuar të pellazgëve të ardhur nga Anatolia, dhe me disa sulme që morën i ndoqën tej Thesalisë. Studiuesi Mathieu Aref mendon se edhe këta ishin pellazgë. Lapitët ishin malësorë shumë të ngjashëm me Hiberët, pra nga ky grupi i parë i migracioneve që një pjesë e tyre vijoj rrugëtimin drejt Italisë së sotme, arriti në vendin e Baskëve, ku për nga veshjet popullore kanë ngjashmëri mes baskëve dhe labëve. Të gjitha sa thamë më sipër, për pozitën gjeografike të Sulovës, janë të mundura, edhe ato të kohës kur ndërtoheshin muret ciklopikë.
***
Në hapësirën e një sheshi, nën hijen e lisave të moçëm, të joshur nga pamjet dhe mrekullitë rreth e rrotull, kënaqësia e një dite të kaluar këndshëm, mbyllet me drekën tradicionale të njerëzve të mirë të Sulovës, që edhe këtu nuk harruan “rakinë me opingë” me “dollinë sulovarçe”, që zë emër për emër, që përmend e ngre shëndete për të vegjël e për të mëdhenj, për të afërt e për të largët…

Filed Under: Histori Tagged With: Pellumb Gorica, TË SULOVËS, THESARET ANTIKE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 441
  • 442
  • 443
  • 444
  • 445
  • …
  • 710
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT