HISTORI-96 vjetori i luftës çlirimtare të Vlorës
“Lufta e Vlorës. Historia në Epikën Historike” e studiuesit Albert Habazaj/
E ardhmja e të shkuarës/
Shkruan: Dr. Llukë GJIDEDE/
- Promovimi i librit: “Lufta e Vlorës. Historia në Epiken Historike” me autor publicistin, studiuesin dhe shkrimtarin e njohur Albert Habazaj në mjediset e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, aty ku rreh fort zemra e kujtdo shqiptari të vërtetë patriot, është nder dhe vlerësim i madh që i bëhet, kënaqësi e respekt edhe për ne që kemi ardhur për ta vlerësuar.
Pyetjes proverbiale: “Ç’bëre ti për Atdheun?” Luftëtarët e luftës së Vlorës, ata që sollën riçlirimin e Shqipërisë, përgjigjen e dhanë me pushkë, këngë e diplomaci, flijuan jetën bashkë me atë pak pasuri që patën. Është ky një moment reflektimi për të respektuar e vlerësuar pishtarët e Atdheut, kontributet e brezave të mëparshëm. Ata janë gurë kilometrik që i shërbejnë të tashmes e t’ardhmes, udhërrëfyes të ligjëruar nga koha, nga historia.
Albert Habazaj sot, me të drejtë mund të thotë: “Bëra atë që më takon”. E përgëzojmë!
Për shkrimin e kësaj monografie studimore, shkencore për Vlorën e për Shqipërinë autori ka ditur të shfrytëzojë në mënyrën më të mirë të mundshme, tre favore të spikatura:
– Krenarinë e të qenit Lab – Vlonjat të mëkuar nga traditat atdhetare të familjes e të krahinës;
– Frymëzimin burimor nga eposi i këngës Labe për luftën e Vlorës;
– Kulturën e gjerë historike e letrare, dashurinë njerëzore si dhe bujarinë për të dhuruar dituri.
Kushdo që do ta lexojë këtë libër do bindet për të vërtetat historike të argumentuara, do krenohet e do bëhet me qytetar i të ardhmes, më Europian, pa inferioritet në raport me të tjerët. Sprova për rikthim në kujtesën tonë të një periudhe kohore ku balanca e ekzistencës së Shqipërisë si shtet e tërësi territoriale ishin në harkun e “gërshërës” për amputime monstruoze nga trupi i drobitur është sa e lavdërueshme po kaq edhe e guximshme.
- Meraku për të ardhmen e të shkuarën autorin e ka intriguar jo pak, për të mbajtur të gjallë amanet merakun e Ismail Qemalit kur shkruan: “Kur flenë fëmijet, rriten, kur flenë kombet, vdesin”. Lëndën e grumbulluar nëpërmjet Epikës popullore për luftën e Vlorës autori ka ditur ta studjojë, përpunojë e sistemojë në funksion të historigrafisë shkencore shqiptare. Po të më lejohet, do të bëja një analogji, njashtu sikurse gjermani Shliman për zbulimin e Trojës në vitet 1871 – 1873 u nis nga legjenda e Iliadës së Omerit për të arritur te e vërteta e ekzistencës së saj. Në libër, me argumenta bindëse, përcaktohen tre faktorët kryesore që çuan në fitoren e Luftës Epope:
Faktori i parë përcaktues ishte lufta mbarëpopullore me epiqendër në Vlorë e më pas edhe kontributi i viseve të tjerë të Shqipërisë si dhe angazhimi i cunguar i Qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës (1920).
Faktori i dytë: Ndihmesa e diasporës shqiptare në Amerikë ka qenë e një rëndësie shpëtimtare. Atdhetari i madh dhe një nga njerëzit më të ditur të kombit, Fan Noli, e bindi presidentin e Amerikës, Willson, mik i Shqipërisë, kur deklaroi se: Amerika është pro Shqipërisë, ajo nuk do preket, nuk do shpërbëhet. Një mirënjohje kombëtare që nuk duhet harruar!
Faktori i tretë: I një rëndësie të veçantë është edhe solidariteti i popullit Italian që e detyroi qeverinë e tij të tërhiqte trupat pushtuese nga Shqipëria.
Fitorja e Luftës, 1920 e bëri te pavlefshëm Traktatin e Fshehtë të Londrës, 1913. Në teatrin e luftimeve u vranë 400 luftëtarë, vullnetarë, në çetat e mirëorganizuara për çlirimin e Vlorës. Nga pala italiane u vranë pak ose asnjë ushtar. Robër u kapën mbi 1100 vetë dhe që të gjithë u liruan pa u dëmtuar sikur të kishin ardhur jo si pushtues por turistë! Ofendimi poshtërues i bërë nga gjenerali Piacentini se “Shqipërinë e pushtoj me shurrën e putanave” u anashkalua me autokontroll dhe mospërfillje pëçmuese nga Luftëtarët e Vlorës! Një shpagim për dinjitet do të ishte më se i merituar dhe tërësisht i justifikuar. Kjo nuk duhet harruar nga pala tjetër!
- Nga fronti i luftimeve Nase Beni u përgjegj:
“Breshkë e ndyrë e moçalit,
S’qëndron dot në gur të thatë,
Se këtu këndon bilbili,
Që e ka zërin e lartë.”
Në Normandi, kur zbarkuar, aleatët, në Luftën e Dytë Botërore, pësuan humbje të mëdha nga gjermanët. Në datën përkujtimore shkojnë edhe kancelarët gjermanë për të kërkuar falje historike. Shembulli është. Italianëve nuk do t’u bjerë nderi sikur të vinin në muajin Qershor, që është 96 vjetori i kësaj Lufte, për të njohur të vërtetën që na bashkon. Gjej rastin që t’i rekomandoj Universitetit “Ismail Qemali” të organizojë një konference shkencore, kushtuar 96 vjetorit të kësaj ngjarjeje me përmasa kombëtare, duke patur si pikë referimi librin “Lufta e Vlorës. Historia në Epikën Historike” me autor Albert Habazaj.
100 VJET NGA SHQIPERIMI PREJ FAN S. NOLIT I TRAGJEDISE”OTHELLO”
ME 25 MAJ 1916 DIELLI NJOFTONTE SE ISHTE MBARUAR SE SHTYPURI TRAGJEDIA ”OTHELLO” E WILLIAM SHAKSPEAR, PERKTHYER NGA IMZOT NOLI/
Gazeta “Dielli” e numrit 25 Maj 1916 përcillte këtë njoftim: U mbarua së shtypuri tragjedia e Othellos e shkruar prej dramatistit më të madh të botës pas Krishtit William Shakspear, e shqipëruar prej Inglishtes në vjershë prej At Fan Nolit.
Kjo është e para vepër klasike që kthehet nga Inglishtja në Shqip.Shqiptarët e Amerikës duhet të jenë kryelartë që kjo vepër me rëndësi u shtyp prej Vatrës, e cila nuk dëshiron që të jetë e para vetëm në fushën e politikës, por edhe në fushën e letrave të bukura.
Përkthimi mbanë në faqen e pare dedikimin kushtuar Federatës Panshqiptare të Amerikës. Në kuadër të 400 vjetorit të të vdekjes së Shekspirit dhe 100 vjetori të përkthimit të tragjedisë “Othello, nga Fan S. Noli, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka bërë dixhitalizimin e tragjedisë të cilën mund ta shfletoni online, duke shkuar në adresën : http://www.bksh.al/othello.pdf . Ju mund ta shkarkoni n http://www.bksh.al/othello.pdf kompjuterin tuaj.
Shkrim botuar në Francë në vitin 1653 : Gjergj Kastrioti sipas At Nicolas Caussin
Nga Aurenc Bebja, Francë/
Prifti, At Nicolas Caussin, ka lindur në vitin 1583 në qytetin francez të Troyes. Ndërroi jetë në 1651. Dy vite më vonë, në 1653, u publikua libri i tij me titullin « Oborri i shenjtë i At Nicolas Caussin », me një volum prej 748 faqesh. Në këtë libër gjejmë shkrimin i tij të shkurtër, por tepër interesant, për heroin tonë kombëtar, princin e Matit dhe mbretin e Shqiptarëve, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun.
Shkrimi titullohet : « Georges Castriot ». Rikthimi i tij në shqip ishte disi i vështirë, sepse është shkruajtur në frengjishten e vjetër. Si fillim, më është dashur ta risjell atë në frengjishten e tanishme, dhe në vijim ta përshtas në gjuhën tonë. Jam munduar tu qëndroj besnik fjalëve të autorit, megjithëse nuk ishte një mision tepër i lehtë, por mundi ia vlen për vepra të tilla, të cilat janë të rralla dhe me rëndësi kombëtare.
Kush ishte Gjergj Kastrioti ? Ja rrëfimi i At Nikollas për heroin tonë :
Fillimet e Gjergj Kastriotit
Shoh në Kastriotin, dikë më të madh se Leonidasi dhe Themistokli, shoh Pirron, shoh Aleksandrin e Madh, edhe pse armiqtë e tij ishin më të fortë sesa ata të Maqedonasit, pra guximi i tij nuk duhet nënvleftësuar. Ai ishte ushtar para se të bëhej burrë, dhe natyrshëm u gjet me shpatë në dorë dhe kurajo në zemër.
I madh, me një fytyrë magjepse, i fuqishëm dhe i shëndetshëm, sytë e tij kompozoheshin mes ylberit dhe rrufesë, duart e tij qenë krijuar për të mbajtur shkëndijat e rrufesë, këmbët e tij nuk ngjasonin me asnjeri, të gjitha këto tipare paralajmëronin famën (suksesin) e tij.
Si Shqiponjë e vogël, filloj që në fëmijëri të luajë me rrufetë. Këtij Herkuli iu desht të fillojë dhe tu marrë frymën gjarpërinjëve të djepit të tij, iu desht të ushqehej në mes të armiqëve dhe të luftojë që i mitur kundra të rriturve. I ati, Gjon Kastrioti, i cili kishte pak forca dhe shumë fatkeqësi, u detyrua ta dërgojë peng dhe të rritet tek Turqit e Muratit.
Pallati sulltanor i imponoj emrin Skënderbe, që është ai i Aleksandrit, emër i cili i solli mbarësi dhe e respektoj me plot fjalën. U trajnua në të gjitha ushtrimet e milicisë së akademisë Turke, ku ia arriti me forcë, aftësi, e miratim, dhe ku secili e shikonte atë si një mbështetës të veçantë të Perandorisë së Muhamedit.
Por ai, në zemër kishtë gjithmonë Jezusin, mendonte gjithmonë të gjente mënyra për tu shkëputur nga Perandoria. Në brendësi të shpirtit të tij, kishte një flakë, e cila e përvëlonte për zellin që kishte për të rimëkëmbur altarët e krishterëve të vrarë dhe të shkatërronte Shtetin e osmanllinjëve.
Dyshimet dhe kurthet e Sulltan Muratit
Sulltan Murati filloj të kishte frikë nga skllavi i tij, dhe pati frikë të ushqejë në Pallatin e tij një luan që një ditë do të ishte i aftë ti tregonte dhëmbët.
Në beteja të ndryshme, tentoj ta fuste në kurth për ta zhdukur duke përfituar nga guximi i pafundëm i Skënderbeut. Një « scythe » (banorë i lashtë i Azisë qëndrore) kishte ardhur në oborrin e Muratit për tu ndeshur në një kafaz të mbyllur me rivalë të tjerë për jetë a vdekje. Fitoj duele të shumta dhe kishte besim të tepërt në forcën e tij. Secili rrotull kishte frikë kur guximtari Kastriot u ndesh me të, por ai i drodhi qafën me një dorë, dhe e vrau me tjetrën. Ata që nuk u mërzitën e duartrokitën.
Meqë ky duel i doli huq Muratit, ai gjeti një rast tjetër nëpërmjet një kalorësi persian, i cili kërkonte me ngulm të bëntë duel me heshtë (shtizë). Ishte një burrë që e njihte mirë këtë profesion, i cili lëvizte nëpër qytete dhe provinca, ku kërkonte përballje me kundërshtarë për tu përmirësuar dhe rritur reputacionin e tij.
Duhej një David për këtë Goliat, Aleksandri ynë i ri, vrapon drejt tij si një shqiponjë, e tërheq zvarrë dhe e shtrin për tokë persianin, i cili villte shpirt e gjak.
Por Murati, i cili luante personazhin e Saulit (mbretit të parë të izraelitëve), nuk reshti kurrë së gjeturi raste të tjera për të ushtruar Davidin e tij. Në luftë, i dha punë nga më të ndryshmet, por Skënderbeu korrte gjithmonë sukses, transformonte në trofe të gjitha çështjet që mund të shkaktonin rrënimin të tij dhe kthehej i gjallë nga goja e luanëve.
Ngjitja e Gjergj Kastriotit, rënia e Sulltan Muratit
Sulltan tradhëtari i thurte fjalë (lavde) të bukura Skënderbeut…I premtonte se do ti dorëzonte Shtetet (Tokat) pas vdekjes së babait, por ditën e fundit të jetës së Gjon Kastriotit, fjalë e tij dëshmuan se ishin mashtrime dhe premtimet i mori era.
Skënderbeut i kishte sosur durimi dhe vendosi të marrë Mbretërinë e Shqipërisë me një lojë taktike delikate. Lajmi bujshëm shkon në Pallatin e Sulltanit, dhe të gjitha qëllimet e Muratit ishin hakmarrja. Hali Bassa (Ali ose Halit Pasha) dërgohet me 40 mijë ushtarë për ti dhënë fund kësaj situate. Por të gjithë trupat e tij u shpartalluan dhe nuk u mbeti asgjë për tu krenuar, përveçse ndoshta humbja ndaj Kastriot trimit…
Çfarë mund të themi më shumë për madhështinë e Skënderbeut ? Fytyra tiranike dhe e ashpër e sulltanit, e cila pati qenë e tillë gjatë gjithë jetës së tij, u zbut dhe mori shenjat e një lutësi. Ai kërkoj paqen, por ia refuzuan, kërkoj një marrëveshje por e përçmuan. Arrogant, i ndjerë i provokuar, erdhi me 200 mijë ushtarë në Krujë, në kryeqytetin e Kastriot guximtarit (Sulltani dështoi plotësisht). Ai që kishte jetuar me lavdi, vdiq nga trishtimi i poshtërimit të tij dhe mori me vete në botën tjetër pafuqinë dhe dëshirën e përjetshme të hakmarrjes.
Mehmeti, djali i tij, terrori i Universit, i cili rrëzoi dy Perandori, pushtoj 200 qytete, vrau 20 million njerëz, erdhi dhe dështoi po në këtë vend shkëmbor. A ishte e nevojshme gjithë kjo gjakderdhje për të shkruajtur mbi trofetë e Kastriotit titullin i Pamposhtur ?
Homazh për kontributin e Gjergj Kastriotit
Kush do ta kishte besuar së një njeri i vdekshëm do të arrinte deri në këtë pikë ? Sigurisht, duhet pranuar se ai e huazoj emrin e tij tek Zoti për të gjitha këto, dhe anasjelltas Zoti i huazoj krahun e tij.
Thuhet për të që nuk refuzoi kurrë një betejë, kurrë nuk e ktheu shpinën, kurrë nuk u plagos, përveçse një herë fare lehtë. Ai ka vrarë dy mijë barbarë me dorën (shpatën) e tij. Mehmeti, djali i Muratit, dëshironte të prekte këtë shpatë të cilën Skënderbeu përdorte, e admiroj atë edhe pse ishte e larë me gjak turqsh. Atij i ra në dorë shpata e çelikut, por kurrë krahu që e përdorte.
O Kastriot trimi, në qoftë se katolikët mundën të shpëtonin nga tirania e Sulltanëve, kjo mund të ndodhte falë teje. Duhet pohuar që plagët tona ishin të pashërueshme, dhe përçarjet mes nesh na penguan ti sillnim ndihmë dorës tënde hyjnore. Ethet të morën jetën në qytetin e Lezhës…Pasi jetove si Komandanti më i admiruar, ti vdiqe si një fetar i vërtetë, duke prekur të gjithë zemrat e atyre që tu përkushtuan me shumë ndjeshmëri…
Dhe tani, ti nuk ke nevojë që të të gjejmë varrin, sepse memorja jote ka gjetur po aq monumente sa ka zemra ndër shekuj.
Burimi : © Dars (Klos), Mat – Albania
Foto:Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Këngë të viteve 1800 për nuset e Shqipërisë Veriore
Shkruan: Aurenc Bebja, Francë /
Hyacinthe Hecquard (Iasint Ekuar), konsull i Francës në Shkodër, Kalorës i Legjionit të Nderit, në librin e tij « Histoire et Description de la Haute Albanie ou Guégarie, 1858 – Historia dhe përshrkimi i Shqipërisë së Sipërme ose Gegëri, 1858 », përshkruan me hollësi Shqipërinë e veriut të asaj kohe.
Ndër analizat e ndryshme historike, gjeografike, politike, fetare në librin e tij prej 550 faqes, ai i ka dedikuar një kapitull të posaçëm traditave dhe zakoneve shqiptare në veri. Zoti Hecquard ka arritur të përkthejë nga shqipja në frengjisht këngët e dasmave shqiptare të asaj kohe. Ndoshta këto këngë vazhdojnë ende të jenë të njëjta në ditët e sotme, ndoshta jo. Arsyetimi i dytë, më shtyu t’i risjell në shqip këto rreshta (duke u dhënë pak ngjyra gegnishtje), sepse besoj se kanë vlerë të rëndësishme kulturore kombëtare.
Gjatë rrëfimit të traditave dhe zakoneve tona, autori thotë se nuses së Shqipërisë së veriut, qoftë ajo myslimane apo katolike, i këndohet (recitohet) nga shtëpia e saj deri tek ajo e burrit. Për çdo etapë të dasmës, ka një këngë të veçantë, e cila këndohet vetëm nga gratë. Ja këngët në vijim :
Nje natë para se nusja të shkojë tek burri :
« Uluni, o male, uluni, që hana të lindë e të ndriçojë këtë mramje të bukur. Nusja jonë âsht eduku prej nanës saj ; ajo i ka thanë : Për besën time, oj vajzë, duje e respektoje vjehrrin. – Për shpirt tim, oj nana ime, rri e qetë, do ta due e respektoj, sepse âsht ai që më ka dhuru për burrë një djalë të ri e të bukur.»
Kur krushqit vijnë dhe marrin nusen :
« Që rruga juej qoftë e lumtun, o miku ma i vjetër ; bani kryqin dhe kthehuni nga e djathta (Fragment për katolikët). Në qoftë se ju sillni një nuse të bukur, reçeli dhe karamelet që do ju dhurojna, qofshin të ambla për zemrën tuej ; por në qoftë se ju sillni një nuse të shëmtue e deformue, reçeli ju qoftë i hidhun (helm). »
Gjatë rrugës kur vjen nusja :
« Nusja âsht rrugës, një lule po çel ; nusja âsht në prag të derës, një lule mban aromë të mirë ; nusja âsht në oborr, si një lule e lumtun ; nusja po ngjit shkallët, balli i saj âsht i bardhë si jasemini ; ajo âsht në banket, qafa e saj anohet si një zambak. Mos qaj oj nuse. – Kam qa mor burri im, sepse mu desht me u nda me babën e kurrë nuk do jetoj mâ te ai. »
Kur shoqëruesit e nuses largohen :
« Ndaluni, o vllazën, ndaluni ! Nusja ka me ju kërkue diçka ; Ndaluni, ndaluni ! Përshnetni për mue babën dhe vlleznit e mi ; Ndaluni, ndaluni ! Përshnetni për mue nanën e motrat e mia ; Thujuni atyne që kurrë zemra ime nuk ka me i harrue ; Ndaluni, ndaluni ! Thujuni atyne që çdo mramje flladi ka me u sjellë lutjet që do i baj Zotit për ata ; Ndaluni, ndaluni ! »
Kur shpallet ardhja e nuses :
« A je humbun ; çfarë kërkon oj nuse ? – Derën e burrit. – Çfarë ke me më dhanë që ta tregoj oj nuse ? – Kmisha të qëndisuna e të palosuna mirë, o burri im. – Për këto, nuk të falenderoj, se pa t’pytun kam me i marrë, oj nuse ! ».
Kur i ngrejnë vellon nuses :
« O sa e bukur âsht nusja ! Zoti e ruajt !
Balli i saj âsht i gjanë e i gjatë ! O Zot !
Vetullat e saja janë si ylberi ! O Zot !
Sytë e saj janë si filxhan ! O Zot !
Faqet e saja janë të kuqe ! O Zot !
Goja e saj âsht si një kuti e artë ! O Zot !
Buzët i ka si qershi ! O Zot !
Dhambët i ka si perla ! O Zot !
Çehren e ka të bardhë si qumshti ! O Zot !
Trupi i saj âsht i hollë si një selvi ! O Zot ! »
Burimi : © Dars (Klos), Mat – Albania
http://www.darsiani.com/opinion/kenge-te-viteve-1800-per-nuset-e-shqiperise-veriore/
- « Previous Page
- 1
- …
- 442
- 443
- 444
- 445
- 446
- …
- 710
- Next Page »