• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HISTORIA DHE EPIKA HISTORIKE NË LUFTËN E VLORËS, 1920

May 29, 2013 by dgreca

Vajet dhe këngët e përvajshme, nëndarje e këngëve grarishte për trimat/

Nga Albert R. HABAZAJ/ Studiues*)

Epika Historike e Luftës së Vlorës, 1920, si zhanër i epikës popullore, ka tipar kryesor pasqyrimin e ndërgjegjes historike, e cila nëpërmjet këngës ose valles, siç u interpretua dhe në këtë punim, mund të ndahet në dy grupime: a) që trajton figura historike: b) që trajton ngjarje historike, siç është në fakt vetë LV, me nëndarjet e saj të teartit luftarak, me mjediset, hapësirat, toponimet që vijnë në tekstin poetik edhe si shprehje metaforike, edhe si simbolikë domethënëse që nënkupton estetikisht dëshirat, ëndërrat, idealet e larta të shqiptarit. Ka një shprehje të bukur Sami Frashëri “Dëshira për liri e dyfishon forcën e një kombi”. Këngët, që janë krijuar për LV, kanë kaluar në jetë aktive folkorike pasi kanë dhënë  “provimin” në  tri faza: zhvillim, aplikim dhe përdorim në mjedise autoktone nga banorë indigjenë (rrënjës). Shumë nga këto këngë sidomos ato të viseve të Labërisë (Kurveleshi, Lumi i Vlorës, Himara etj.) këndonte e vallëzonte, këndon e vallëzon pa vegla fare.“Pothuajse në çdo e në çdo vend të Shqipërisë së Jugut kemi tre stile kangës a) pleqërishte (ose labërishte), djemurishte” dhe “grarishte”. Ndyshimi ndërmjet “pleqërishteve” dhe “djemurishtve” asht mjaft i ndjeshëm. Të parat “këndohen shtruar”, me një ton si të ndrydhun dhe me një shprehje, si të thuash, epiko – elegjiake. Ndërsa …“djemurishtet” janë ma të gjalla e ma të nalta”[1] vë në dukje etnomuzikologu Ramadan Sokoli (1920 – 2008). Dhe kjo është e vërtetë nga periudha në periudhë. Në qoftëse këngët e burrave në Labëri kanë katër zëra, Dukati edhe tre, apo Kallarati edhe me një zë (monofonitë e Zeqo Hoxhës apo Evgjeni Jonuzit), apo avazet me culë dyjare (druri, por edhe guri) si dhe me fyell nga një individ, këngët grarishte janë me tre zëra, me veçoritë stilistike përkatëse. Që të mos dalim nga objekti i temës bosht, do të vështrojmë se si gratë u këndonin trimave.

Gjurmimet na rezultojnë se këngët grarishte për trimat nuk këndoheshin në grup, por në mënyrë individuale. Ato këndoheshin në formë vaji, me nuanca epiko – elegjiake dhe klasifikohen si këngë të përvajshme. Sipas studiueses M. Dibra, këngët e përvajshme nuk bëjën pjesë në vaje (vajtime), sepse vajet ose vajtimet si krijime poetike bëjnë pjesë në lirikën popullore familjare dhe ato janë dy farësh 1. – vaje për njerëz, 2. – vaje për kafshë. Edhe këngët e përvajshme (përzishme) ndahen dy farësh a) Këngë epiko – elegjiake: – kurbeti, – nizami, – balada dhe b) Këngë elegjiake (elegji) (elegji për të renët[2]]. Për nga mënyra e realizimit vajtimet ishin realizime vetmore, ku gratë vajtonin meshkuj, burrin, vëllain, kunatin e rënë në Kotë, në Llogora, në Qafë të Koçiut, në luftë me pushtuesin italian.

Ato qanin me ligje, pra me fjalë, zakonisht në vargje, që gratë i thonë qanin me ligje, të cilat me fjalën e dhembshur, melodinë elegjiake, veshjen me rroba të zeza, në vendin e caktuar, me  gjestet pikëlluese dhe me kurajon për të dhënë forcë gratë (jo vajtojca me pagesë) realizonin, sipas natyrës së tyre tradicionale, sinkretizimin artistik të folklorit. Nuk këndoheshin për të gjithë trimat, por vetëm për të rënët në luftë, që i njihnin, që i kishin të afërm, për dëshmorët e Njëzetës dhe thureshin në vend, aty për aty, duke shfaqur një fuqi të brendshme për t’u vlerësuar.

Të rënin në luftë e qanin gratë. Fjalët, vargjet e vajeve quhen edhe ligje, kuje, vaj e psherëtima, ku nëpërmjet karakterit narrativ të fjalëve plot eufemizma, që dëshmonin vitalitetin e gjuhës dhe kulturës së tyre shpirtërore jepnin peshën e rëndë të vdekjes, shprehnin dhembje, keqardhje për të rënin dhe, duke vënë në dukje cilësitë e larta heroike, morale e fizike krenari për aktin e tij të lartë e të nderuar. Ja një rast kur gruaja qan burrin e rënë në luftë, në krah të saj. Rubi Hosi ishe bijë nga Matohasanaj i Tepelenës, martuar me Toto Hosin nga Bolena e Vlorës (Kurveleshi i Poshtëm), i cili qe dhe komandant i çetës së Bolenës, me 150 luftëtarë. Dhe ajo s’iu nda burrit. Rubies i flisnin “flutura e çetës”, sepse porsi flutur  shkonte në stane e u binte ushqimin luftëtarëve, mish të pjekur, dhjathë e shakullin me dhallë. Dhalla qe birra e labit edhe në luftë. Si flutur “shkonte llogore më llogore, furnizonte luftëtarët me ushqime, bulmet, fishekë e ndihmonte të plagosurit”[3].  Jemi në periudhën 11 – 20 qeshor, kur zhvillohej faza e dytë e lufimeve dhe më e ashpra për të marrë Vlorën. Na paraqitet kjo situatë. Zona e Vreshtave të Mëdha dhe kodrat e Qafës së Koçiut nuk mirrnin dot frymë nga pozicionet e fortifikuara dhe të rrethuara me tel me gjemba. Djemtë e Bolenës kishin kapur disa ushtarë italianë robër përtej, në Qishbardhë. Duke qenë njohës i terrenit dhe duke shfrytëzuar epërsitë e natës dhe trungjet e ullinjve, Toto Haxhi Hosi me çetën e tij asgjëson një qendër zjarri të fortifikuar. Një mitraloz italian e godet keq trimin e tërbuar. Ngjarja është rrëqethëse, vjen si suferinë legjendare, e pabesueshme, por e vërtetë. Jemi në situatën e  gjasës dhe mundësisë. Predhat i çanë barkun. Ai mbledh e mban zorrët me dorë. U jep kurajo të tijve, shokëve të çetës: “Përpara! Sulmoni me furi! Mos u tërhiqni para italianëve pushtues, se i kemi vënë që në Kotë përpara si derrat!” Nuk e dha veten trimi, por dha frymën. Meraku për ta çuar në qendrën sanitare nuk rezultoi pozitiv. Toto Hosin, atë burrë, atë trim që të mirrte gjak në vetull, siç thoshin më të vjetrit, apo dhe Kudret Kokoshi, që e cilësonte vigan legjendar me vargjet e zjarrta atdhetare, ja si e qan gruaja e tij, Rubia me vaje e ligje, sipas traditës së nderit e krenarisë që me lot zemre, por pa lot në faqe e sfidon dhembjen, natyrshëm duke dhënë prirjen ndaj së bukurës, sublimes, lidhjen e së bukurës me të dobishmen, duke   dhënë natyrshëm përmasa më të gjera e me përgjithësim tipologjik: “Kurvelesh e tatëpjetë,/ E zeza Kurvelesh – o,/ Të mbeti nderi përjetë,/ E zeza Kurvelesh – o (dhe ky varg është refren pas çdo marrje të vargjeve, që në  këngë mbushen me iso. Shën ynë. – AH). Jo se e fitove vetë,/ Po ta dha Bolen’ e shkretë,/ Ata që muar kalanë,/ Totua me Arif Rushanë,/ Me Sino Amerikanë,/ O Sino takëm ergjëndi,/ O Toto Hos zemërshkëmbi./ Kush e nji’ Toto Haxhinë?/ I shkurtër e vetëtimë,/ Rrëmba  – rrëmba e kish’ synë. Dhe kënga e saj e për një trimi tjetër që u plagos rëndë gjatë fazës së tretë të luftimeve  21 qershor – 23 korrik, për marrjen e fortesës së Kaninës, por që nuk rrojti dot vajtojca luftëtare i thuri këngën: “Arif Dushani me derte,/  e mopre plumbin me vete…”. Për Kaninën ra dhe Sino Micoli, që kishte ardhur nga Amerika, në ndihmë të vëllezërve të tij bolenas, vlonjatë, shqiptarë. Vargjet elegjiake të Rubies morën dhenë: “Qaj Bolenë e vure vajnë,/ Të bukur trima t’u vranë,/ Qaj për Toton e Kafazë,/ Për Sino Amerikanë,/ Kur u hodh të mirr’ kalanë/ e mori plumbi në ballë, / seç e qan Varfa në shkallë:/ – Hallall sisa, more djalë,/ Se trimat ashu e kanë/ Derdhin gjakun për vatanë”. Kjo këngë e përvajshme duket sikur na thotë, se vdekja, vërtet është e hidhur, por e tilë vdekje është e bukur, kur jetën ia dhuron Atdheut. Karakteri sinkretik i veçantë i këtyre këngëve elegjiake na bën ta ndjejmë nga afër edhe estetikën e lotit. Kur u vra Toto Hosi, komandën e çetës së Bolenës e mori trimi tjetër bolenas, Mato Robi, edhe ai me histori, me këngë dhe i vlerësuar nga komuniteti horizontalisht dhe vertikalisht. Në Qafë të Koçiut ra dhe komandanti trim i Salarisë Selam Musai. Ai nuk pati as fotografi sa qe gjallë, se jeta e tij u shndërrua në një furtunë lutërash për liri të trojeve shqiptare e, si duket, s’pati kohë të linte një portret të tij për të pasmit, se dhe të bijtë, Magripi me Tajarin i ishin vrarë. Safe Musai, kunata e tij na prek me vajet e saj, për atë që ajo ligështohet, me ligjërimin e saj prekës: “Nuk le një fotografi/ O Selam, e zeza,/ Që ta puth, ta mbaj në gji, o Selam, e zeza”. Me sa duket këtë këngë, nënë Safja e ka thurur ndoshta pasi ka kaluar një farë kohe mbas rënies legjendare të heroit, fakt të cilën ajo s’e përmend fare, nga që është shumë e vërtetë në logjikën e psikën e saj, se e vajton kështu të kunatin kur e ka ndier mungesën e tij, kur e kishte marrë malli atë dhe familjarët e tjerë të tij dhe kur vuri re që as edhe një fotografi nuk kishte lënë, i bardhi. Sipas piktorit dhe kritikut të artit Ilmi Bani, aty nga viti 1959, Vasil Talo shkon në Mesas të Salarisë, mblodhi pleqtë e burrat e fshatit, nën një lis, në shesh të fshatit dhe i pyet për tiparet e fytyrës, …për veshjen dhe punoi shumë me nipin  e Selamit që ngjante shumë me të. Dhe bëri atë portret që njohim: me pamje ballore, me qylaf të bardhë dhe mbi supe atë gunën çile që i mbeti përmbi tela. “Guna çil’e pela çile” regjistron kënga e vjetër. (Në zhargonin lokal, Dorì quhej kali i kuq, Kërri – i grivër, i errët, Gjok – ai më i çelti, Çil – kali i bardhë, Hallat – i verdhi dhe Karah – i ziu). Kur e pa nënë Safja portretin e të kunatit, u prek aq shumë dhe e mbajti në gji një copë herë me ligjërime të përvajshme: “Lemani, që ta ngro’ pak,/ e varfëra,/ t’i jap shpirt e t’i jap gjak,/ e varfëra…/ kjo ë’ fytyra vëlla,/ e varfëra”.  Në këtë shtrat të dhembjes së madhe krenare, vjen një sokëllimë me vetëtimë nga brinjat e Smokthinës që trazohet e bie bubullimat që ushtojnë nga malet e Çipinit: “Një kuje nga Matogjini,/ Gjëmon Boderi, Çipini,/ Thonë u vra Muedini,/ I pari tek hapej tymi,/ Tek hapej tymi dhe flaka,/ Në ato majat e larta./ Sojë trimi e gju’ birbili,/ Ç’ e mbaj me vete Qazimi,/ E kish zgjedh’ për sua trimi./ Osmëni me gojë thirri:/ – Nga na vete Muedini?/ – Ja, poshtë grykave hyri./ Në ato grykat e larta,/ Të dukej Vlora dhe Narta./ Të vran’ o Muho, të vranë!/ Topçiu , a past’ belanë!/ Të dha një gjyle në ballë,/ ta hodhi poshtë gjerdanë,/ ta humbi fare nishanë./ s’t’u ndodh as Demiri pranë,/ Se një plumb e kishte marrë,/ E nisën për në spitalë”. Këngë të tilla të përvajshme qëndiste Perlat Hasani, një autoritet i folklorit jo vetëm në krahinëzën e Smokthinës, por edhe më gjerë, veçse është i një periudhe të mëvonshme, pra nuk është dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve, por i frymëzuar nga shëmbëlltyra e bashkëkrahinarëve të tij, që i tregojnë veteranët e Njëzetës, ai bën e këndon këngë, të cilat, edhe pse me një stil më dinamik, përsëri janë në taban, si stafetë e shtratit të tyre tradicional. Muhedin Mystehak Curraj nga Matogjini u vra më 22 korrik 1920. Nga ky tekst kemi një përshkrim të përkryer të poetit popullor për trimin e Qazim Koculit e të Osman Haxhiut, të vëllait të Demir Mystehakut, komandantit të Çetës së Matogjinit dhe kuptojmë se kënga është relativisht e re, krahasuar me ato që bëheshin e këndoheshin në zjarr e flake për flakë me pushtuesin. Një tjetër  përjetim më të gjerë epikoemocional na vjen nga vargjet që nisin si vaj, si vajtim për katër djem të rinj nga Vajza e Vlorës, rënë në luftimet për marrjen e Kotës: “Në Vajzë katër u vranë/ U’ derëzeza djem-o!/ dhe vijon e përfundon si një këngë e përvajshme, se dallon që ngashërimat vijnë meditative, përshkruese dhe të tipareve fizik e të luftëtarëve: Mitroloz, a paç belanë,/ Vrave Shakon e Mezanë,/ Muhamet Maskën, o djalë,/ Begë Hitua pak i çalë,/ ecën avash e ngadalë,/ s’e peshonte istikamë./ Kush e një Ramo Sinanë?/ Burr’ vjetër i paarmë,/ që përfundon me një similitudë të fuqishme  si e zbritur nga këngëte kreshnikëve: me në dor’ një goxha darë,/ i pret telat si korçanë! Është i nohur vajtimi për Selam Musanë: “-Pëllua, Selam, pëllua,/ e zeza ç’më gjeti mua,/ mbeti shala në katua,/ si ti kë do kem- ë sua,/ kë do kem sua e fis,/ që të na dalë varis,/ për halle të Shqipërisë./ Do të qa e të marr malë,/ hajmedet, që s’le një djalë, / ja Magripnë, ja Tajarë! E kemi shënuar se të dy djemtë e S. Musait, Magripi dhe Tajari kishin vdekur përpar të atit, njëri 10 tjetri 16 vjeç, kështu që ai nuk la pasardhës e, sipas Kanunit, u mbyll ai prag se s’ka mashkull pas. Vajet për dëshmorët janë kënëg për trimat. Një vajtim tipik, vaji i njërës prej vajzave të Selamit, çupës së dytë, Mira Musait, e cila ka qënë fort e lidhur me të atin. S. Musai i çonte dhëntë në kullotat verore të rrethit të Skraparit: “Bëre poshtë nga Babica,/ trim, o more trim,/ babaj im , o trim,/ me treqin’ e ca komita/ e zure topin nga grika!/ Te Babica, mi hapsanë,/ të vranë baba, të vranë!/ Mbenë sheshet e Skraparit,/ vrrasin dhënt’ këmbëssë malit./ Korbecët po ulërinë,/ kal’ i kuq po hingëllin,/ po pret t’i varësh tagjinë. Kemi këtu një shembull tipik të kalimit të vajeve në këngë trimërie. Siç shihet kënga në fillim ka qenë vaj. Duke u çliruar nga vargjete e fundit (v. 8 – 12), që shprehin elemente intime elegjiake, ka filluar të këndohet rregullisht si këngë e gjinisë së epikës. Janë shumë të tilla, por po citojmë vargjet ku, si shqiponjë e dalë nga shkëmbi, nëna me stoicitet Ajkune qan e këndon djalin e saj dëshmorin Razip Hito, qan dhe hallet sociale: “O Razip, të keqen nëna,/ nuk durohet hasmi brënda,/ shko biro bashkë me shokë,/ mos u kthe sa të fitosh,/ Në u vrafsh, vritu në këmbë,/ dekja të mos të të trëmbë/ Të keqen që më nderove,/ porosinë ma mbarove./ Të kesh rritur me thërrime,/ hallall e paç sisën time./ Ti m’u vrave bir, m’u vrave,/ neve prap po me halle…

Dhe kënga e popullit, në hapësira jo kaq të ngushta, por me dimensione më  të  gjera, gjithmonë brenda rrezes së “kompasit” folklorik, përshkruan habinë e Evropës: “Evropa shkruajn’ e thonë,/ bëhet dyfek në Vlorë…”, por qan edhe birin e Salarisë fisnike, ashtu si i ka hije labit, trimit, shqiptarit jo me ligje por me këngë: “Me katërqind komita,/ Bëre poshtë nga Babica,/ E zure topin nga grika,/ Italianët nga frika,/ U trëmbë, sa u ra pika./ Tepelenë,  pse vajtoni?/ Selam Musanë kërkoni,/ Trim’n e mir’ mo’ e harroni!”. Ky cikël merr lëndë nga këngët e periudhave pararendëse, le, ndryshon e krijon të tjera, sipas rastit. Në cilklin e EHLV vërejmë të njëjtën psikologji, të njëjtin zhargon, të njëjtën dhembje, të njëjtën krenari dhe të njëjtin humor apo ironi.

Nuancat folklorike variojnë në varësi të botës emocionale hde përroit të brendshëm që gurgullon në shirtin e krijuesit, bartësit, përdoruesit të kësaj lloj kënge. Koloriti gjuhësor lokal, koloriti psikologjik, koloriti kostumologjik, interpretative, gjestikulativ etj., merr në vijim trajta më përfaqësuese në arsenalin kombëtar, duke e pasuruar atë.   Rrethanat historike, ndryshimet social – ekonomike, mos pasja më nevojë për to bëri që ato të tkurren, të mpaken, të mplaken dhe të kalojën në jetë pasive, të ruajtura nëpër arkiva si relikte të shpirtit të popullit për të kaluarës historike. Kështu ato kanë dalur nga qarkullimi, përbëjnë një repertor pasiv dhe bartin vlerat si dëshmi dhe kujtesë folkorike e një ngjarje të rëndësishme për HSH, siç është LV. Gjatë hulumtimit krahasimtar kemi hasur në një farë moskokëçarje ndaj disa figurave apo ngjarjeve të Njëzetës. Për këtë mosinteresim të folkorit ndaj disa personave me emër në drejtimin e LV, siç dolën shumë anëtarë të KMK, apo dhe ngjarje me peshë në ecurinë positive të kësaj lufte, sidomos ato të rrafshit diplomatic, jemi në një mendim me sqarimin e studiuesit Xhagolli, sipas të cilit “Ky lloj indiferendizmi i këngës historike mund të shpjegohet edhe me mungesën e informacionit rreth ngjarjeve apo figurave historike”.

*) drejtor i Bibliotekës Qendrore “ Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, ALBANIA

 


[1] KONFERENCA e Parë e Studimeve Albanologjike (15 – 21 nëndor 1962), bot. i USHT, IHGJ; BOGDANI, Ramadan: Disa veçanti të muzikës sonë popullore, Tiranë, 1965, f. 33

[2] DIBRA, Miaser: Hyrje në folklor: cikël leksionesh [dispencë, Tiranë, 2011

[3] BAJRAMI, Ruzhdi: Bolena në optikën historike, Vlorë, Triptik, 2009, f.346

Filed Under: Kulture Tagged With: 1920, Albert Habazaj, Historia dhe Epika ne Luften e Vlores

KONGRESI QE SHPALLI STATUTIN E KISHES ORTODOKSE AUTOQEFALE SHQIPTARE

May 29, 2013 by dgreca

Telegrami i Krypeshkop Visaron dhe jehona e kongresit të vitit 1929/

Ne Foto: Kryepeshkopi Visarion Xhuvani/

Shkruan: Gëzim Llojdia*/

Gazeta”Kombi shqiptar” e martë 2 korrik 1929 i kushton tërësisht një balline Kongresit Panortodokës që u zhvillua në qytetin juglindor të Korçës .Një titull në fillim është ”Me solemnitet madhështor morri fund Kongresi Panortodoks në Korcë .Vijon shkrimi ”Te deum në kishën Ortodokse të Tiranës ..Më tutje botojmë telegramin që hirësia etij Kryepeskopi i Shqipërisë Visarion u drejtoi gjithë kishave me rastin vendosjes së stutit definitiv të kishës ortodokse shqiptare dhe mbylljes së Kongresit të Korçës .

Me suksesin me këtë triumf kishtar u bë një vepër madhështore ,që brezat e ardhshëm kanë me cmue më mirë . Lumturia e ortodokse dhe shpëtimi i fesë së tyre u sigurua .Vdiqn në përgjithësi inatet politike greko-fanar .Do të zhduket përgjithnjë nga kisha ortodkse përdorimi i një gjuhe të vdekur dhe të huaj ,që propaganda politike të jashtme i kishin injoruar ortodoksisë për me e la injorante dhe në errësirë . Një periudhë ere çelet për atdheun tonë .Ringjallja e kombësisë,ndenja më e shenjtë e njeriut për dashurin e vendit të tij . të vëllezërve të tij .Kongreset e Korçës le të gëzojnë se tue cmue misionin tyre fetar dhe patriotik kontribuan në kurozimin e çështjes kishtare ortodokse shqiptare, përfundimi i të cilës është statuti i kishës autoqefale ortodokse shqiptare .Shërbimet e kongresmenëve nuk harrohen .Urtësia dhe energjia e Hirësisë së tij peshkopi Visarion në çështjet e kishës ortodokse mendojnë për datat ma të nalta .

Korçë 30 .Tash Kongresi Panortodoks i Shqipërisë votoj statutin definitiv të kishës ortodokse autoqefale të Shqipërisë me një za dhe në mes të entuziazmës dhe duartrokitjeve për mbretin ,kombi, qeverinë,kishën autoqefale ortodokse dhe Sinodhin e saj .”Porositeni që nesër dielën ora 6 mbas mesdite të stoliten kishat ne flamur kombëtar dhe llavarat kishtare dhe të thirrni gjithë popullin ,klerin në kishë dhe të mbahet Te deum tue dërgue falenderime lutje Perëndisë për mbretin, qeverinë, ushtrinë, kombin, kishën autoqefale,Sinodhin e Shenjtë dhe kryetarin e saj ,Kryepeskopin e Shqipërisë Visarion . Porositeni të vini në veprim çdo mjet dhe të bane çdo sakrificë dhe me urgjencë të madhe që kjo festë historike dhe me tepër rëndësi për ortodoksinë e fesë tonë të shenjtë dhe atdheun të kremtohet në mënyrën dhe ekspansionin ma madhështor dhe të mbahen fjalë panegjirike ,që të mbesi i paharruar ky kremtim edhe në brezat e ri të popullit tonë .Hiri i Zotit qoftë mbi ju kurdoherë .Kryetari i Kongresit dhe i Sinodit të Shenjtë ,Kryepeskpoi i Shqipërisë Visarion .

*Msc.Anetar i Akademise Evropiane te arteve

 

Filed Under: Featured, Histori, Kulture Tagged With: autoqefale shqiptare, Gezim Llojdia, Kongresi, qe shpalli, Statutin e Kishes ortodokse, Visarion Xhuvani

Sopranoja e parë shqiptare në Operën e Shkupit me koncert në New York

May 28, 2013 by dgreca

Intervistë e gazetarit Bqir SINA, me sopranon Dëshira Ahmeti Kerliu me origjinë nga Dibra e Madhe , nxënse e profesoreshes së shquar Nina Mula/

Dëshira Ahmeti, soprano, është e lindur në Dibër, Maqedoni. Diplomuar nga Akademia e Arteve në Tiranë, Shqipëri, ka qenë nxënëse e profesoresh së shquar shqiptaro – ruse Nina Mula, ka kënduar solo . Pavarësisht moshës së saj të re ajo ka kryer tashmë shumë koncerte si në operat në Mynih, Tiranë, Prishtinë, Shkup, etj. Ajo u shfaq në programet e kompanive televizive në Tiranë, Prishtinë, si dhe në TV kombëtar maqedonas, si sopranoia e parë shqiptare nga këto treva.

Performanca e saj në koncertin “Kthimi” të mbajtur në Prishtinë në vitin 2000 provokoi Vanessa Redgrave, aktore e famshme, për të përgatitur një telereportazh televiziv në BBC: “. Zëri engjëllor i Dëshira Ahmetit Kerliu është shumë premtuese” .Znj Dëshira Ahmeti ka debutuar edhe në skenën e OBM Opera si Michaela në Carmen Bizesë në vitin 2005. Ajo gjithashtu ka kryer disa mbrëmje Gala koncerte operistike të mbajtura në skenën e OBM Opera në Shkup.

Ajo me bashkëshortin e saj edhe ky artistë Arian Kerliu dhe pianisten maqedonase Elena Siljanovska ka ardhur për herë të parë në Metropolitan Opera në New York, në një koncert “Gala” .

Gazetari Beqir SINA, bisedojë me sopranon e parë shqiptare në Operën e Shkupit e cila po jep koncert në New York

Shqiptarja e parë që punon në Teatrin e Operas te Maqedonise si soliste e roleve kryesore, që synon zhvillimin e kulturës së shqiptarëve në vendin fqinj me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë në këto treva dhe interpretimin e veprave të autorëve shqiptare, flet gjerësisht në këtë intervistë.

Beqir Sina:Mbasi keni preformar në Mynih, Tiranë, Prishtinë, Shkup, etj, keni ardhur në New York, për një mbrëmje Gala me një preformancë të kompozitorëve botëror dhe shqiptar. Na flisni pak më shumë rreth kësaj preformance tuajën me Arian Kerliu – Guitarist dhe Pop Musik Artist si dhe Elena Siljanovska Piano – Pianist nga Opera e Macedonisë

Deshira Ahmeti – Kerliu -Koncerti ynë në Neë York është një bashkëpunim i joni si rrjedhojë e sukseseve që kemi pasur në Shkup ndërsa sa i përkët aktiviteteve ne qendrat të cilat ju i përmëndët më lartë janë koncerte te cilat unë jam prëzantuar me programin tim si soprano dhe me percjellje te orkestrave simfonike të këtyrë vëndëvë….këtë rradhe unë bashkëpunoj më Arianin dhe Elenën më një program më të larmishëm duke sjëllë dhe veprat e autorëvë më të njohur shqiptar përvëc atyrë botëror.

Beqir Sina:Ku e gjenë gjithë këtë “energji” ?

Deshira Ahmeti – Kerliu -Sa më shumë që punoj akumuloj më shumë energji.Energjija është e pashmangshme nësë rezultati i punës është ai që kërkon me një vizion për artin që intërpreton.

Beqir Sina:Cilat janë disa nga pjesët e repertorit tuaj edhe disa role në Teatrin e Operas së Maqedonisë ?

Deshira Ahmeti – Kerliu -Pucini është për mua kompozitori i cili më njgjall shumë emocion në interpretimin e operas dhe ariet të cilat i kam në repertuarin tim.Kam interpretuar ne operat “Turandot”,ne rolin e Liut,”la forxa del destino”,Leonora,”Paljaci”,Neda,”Cavaleria Rustikana”,Santuca,”Flauti magjik”,Pamina,”Karmen”Mikaela, e tj,ndërsa nga operat shqiptare,”Skenderbeu”,Donika,

Beqir Sina:Ju e niset karjerën tuaj nga muzika e lehtë – ndërkohë që drejtimi i juaj do te ishte “muzika klasike”. Pse ndodhi kjo ?

Deshira Ahmeti – Kerliu -Unë jam prezantuar si këngëtarë në disa nga festivalet e Radiotelevizionit shqiptar në kohën kur studioja dhe keto pjemarje të mijat ishin vetëm nga dëshira për ta provuar atë skënë ë cila ishte interesante për mua por jo ajo që do më plotësontë të isha vetvetja sepse muzika lirike më flënte në shpirt ndaj dhe une ju përkushtova asaj.

Beqir Sina:Keni përfunduar Akademinë e Arteve në Tiranë në vitin 1998, në klasën e profesores Nina Mula. Sa ka ndikuar kjo tek ju dhe a ka qenë e lehtë apo e veshtirë të jeshë nxënëse e profesoreshes Nina Mula ?

Deshira Ahmeti – Kerliu -Të jesh studente e Nina Mulës do të thot shumë për shkollimin e vokalit,për të fituar përvojën e punës që të mos i trembesh kur asaj për sigurinë si këngëtarë e Operas,prandaj me shumë bindje e them këtë nga përvoja ime dhe nga rezultatet e saja si profesore që ka dhënë tek studentët e saj të cilët sot këndojnë në skanat e botës…Ajo ishte një artiste e madhe e cila e donte punën ishte e palodhshme për studentët e saj prandaj unë e kam ndjere si një kënaqësi shpirtërore dhe asnjëhërë si lehtë apo vështirë.

Beqir Sina:Si jeni ndier kur u rikthyet për herë të parë në Tiranë pas 11 vjetësh në një koncert “Gala” me Orkestrën Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar.?

Deshira Ahmeti – Kerliu -Pas studimeve u punësova në Operan e Shkupit si soliste e roleve kryesore,dhe unë e prita momentin më të rëndësishëm timin që të mund të kthehem si artiste e komletuar me përvojën e punës dhe me një program të vështirë përpara atdashesve ne Tirane për të cilët unë ndjeja një përgjegjësi si studente e tyre,prandaj dhe koncerti me orkestrën simfonike të Radiotelevizionit shqiptar ishte ai qe më dha mundësinë që të rikthehem pas atyre viteve.

Beqir Sina:Cili ka qenë një nga kulmet e preformancave tuaja ?

Deshira Ahmeti – Kerliu -Kulminacioni në art nuk ka,gjithmonë artisti kërkon më të bukurën dhë më të bukurën e saj por unë do të përmendja rolin e Leonores nga Opera”La forxa del destino”ne Operan e Maqedonise ku vërtët është shumë e vështirë për të qënë e para e sukseseve ku une jam e vetmja shqiptare historikisht në këtë institucion prandaj dhe ky rol më plotëson fjalën sukses!

Beqir Sina:Cila është tek ju ajo që quhet “Veshtiresia me e madhe” e një artisti ?

Deshira Ahmeti – Kerliu -Vështirësia e një artisti është gjithmonë ajo qe duhet të lufosh konkurencën sipas meje,por unë do ta lidhja përsëri me vështirësinë qe theksova më lartë atë që të luftosh e vetme në mesin e maqedonasve!

Beqir Sina:Çfarë ju ka bashkuar me Arian Kerliun – (Guitarist dhe Pop Musik Artist), ju ka bashkuar muzika apo dashuria për njeri tjetrin ?

Deshira Ahmeti – Kerliu -Të dyja bashkë:)Ariani është artist i cili më ndjek në punën time dhe është kritiku im më i madh,është bashkëshort i mrekullueshëm dhe sigurisht që kjo më plotëson në jëtë si artiste dhe si familjare që sëbashku me Dean tonë,jemi një familje që unë gjithmonë e kam ëndëruar

Beqir Sina:A ju merr malli për Dibrën ?

Deshira Ahmeti – Kerliu -Dibra është qyteti ku unë kalova fë ijërinë time dhe kujtimet e fëmijërisë janë të pavdekshme për c’do njeri.Për mua si artiste Dibra me bukurine e saj natyrore ajrin e pastër dhe gjithc’ka që më rrëthonte aty më ka krijuar të jem kjo që jam për të vazhduar mëtëj që ta nderoj këtë vënd, familje dhe shoqërinë time të dashur…

Beqir Sina:Në mos gabohem ju jeni edhe Kryetare e Shoqates te Artisteve, Muzikanteve dhe Baletit Shqiptar ne Maqedoni. Çfarë mund të na thoni për këtë Shoqatë ?

Deshira Ahmeti – Kerliu -Shoqata e Artisëvë Shqiptar në Maqedoni është formuar në vitin 1999 kur unë isha e punësuar në Operan e Maqedonisë dhe në iniciativën e kompozitorit të madh me preardhje shiptare qe jetonte dhe vepronte ne vend dhe ne shumë vende të botës u hap shoqata ku anëtarë të saj u bënë disa nga artistët qe jetonin në Shkup Kemi pasur shmumë koncerte dhe aktivitete të ndryshme me këtë shoqatë ku kemi prezantuar vlerat e artit shqiptar dhe të shpresojmë që dhe në të ardhmen te vazhdojmë me një pëerkrahje akoma më të madhe te shpalosim punën e artisteve tanë kudo në bote.

Beqir Sina:Sipas mendimit tuaj cili është zhvillimin e kulturës së shqiptarëve në vendet fqinje dhe nëpër botë me pjesemarrjen e artistëve shqiptarë dhe interpretimin e veprave të autoreve shqiptarë ne skenat botërore ?

Deshira Ahmeti – Kerliu -Artistët shqiptare kanë dhënë rezultatin e tyre kudo që ato prezantohen nëpër botë,ne kemi emra të mëdhënj si Inva Mula,Sajmir Pirgu,Josif Gjipali e tj të cilët më mirë se kush mund të prezantonte popullin tonë dhe artin që ata kanë kultivuar.

Beqir Sina:Së fundi cilat janë ambiciet profesionale tuajt ?

Deshira Ahmeti – Kerliu -Ambiciet profesionale nuk mbarojnë te artisti,nëse ambicja mungon puna ngecet ndaj dhe do ta përmëndja aritjen në majat e skenave botërore si Metroplotan meqe jemi një N.Y,ndërsa Europa mbetet përseri vendi ku do të dëshiroja të performoja më shumë….

Ju përshëndes juve dhe lexuesit tuaj dhe ju uroj shumë suksese të mëtëjshmë…Dëshira Ahmeti

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Kerliu, koncert ne New York, Sopranoja Deshira Ahmeti

Sukses i artistëve shqiptarë në Filarmoninë e Këlnit

May 28, 2013 by dgreca

 Të dielën e 26 Majit 2013 në sallën e Filarmonisë së Këlnit, orkestra simfonike amatore dha një koncert me rastin e 125 vjetorit të themelimit të saj. Dirigjent ishte artisti shqiptar Desar Suljemani.

  Nga Mimoza Cika Kelemndi DW/

125 vjet më parë, pikërisht në vitin 1888 në Këln të Gjermanisë do të themelohej një orkestër simfonike me muzikantë amatorë, duke u bërë kështu orkestra më e vjetër e këtij qyteti. Prej fillimit të shekullit të 19-të krahas veprave simfonike do të interpretoheshin edhe koncerte me solistë, me synim të veçantë, promovimin e talenteve të reja. Duke pasur parasysh qytetin e Këlnit, si një qytet shumë i lidhur me artin dhe muzikën, artistët amatorë ishin më të vetëdijshëm për të përcjellë tek publiku edhe koncerte të një formati të ndryshëm nga të tjerët. Edhe pse “diletantë”, ata asnjëherë nuk e nënvleftësuan rolin e tyre.

Prej themelimit vazhdimisht kjo shoqatë orkestrantësh ka pasur si anëtarë shumë personalitete të njohura nga arti, shoqëria apo politika gjermane. Por rruga e muzikantëve amatorë në këtë orkestër ka qenë e gjatë dhe jo e lehtë: Shumë instrumentistë siguronin bukën e gojës si mësues privatë muzike, disa të tjerë si mësues muzike nëpër shkolla. Disa arritën të realizonin ëndrrën e tyre të madhe për t’u bërë muzikantë profesionistë. Ndërsa shumë zgjodhën një profesion krejt tjetër në jetë. Ata u bënë mjekë, kimistë, inxhinierë, juristë, infermierë, mësues, redaktorë, teknikë, profesorë në universitete apo botues. Megjithatë, 125 vjet janë një tregues i dashurisë së madhe që ata kanë për muzikën, pavarësisht nga profesioni që ata ushtrojnë.

Dirigjenti i parë dhe po ashtu iniciatori për themelimin e kësaj orkestre në vitin 1888 ishte Alexander Rive. Më pas janë një sërë dirigjentë të cilët kanë drejtuar këtë orkestër me vite e dekada të tërë deri sa në 2012 këtë fat do ta kishte një shqiptar, artisti tashmë i njohur Desar Sulejmani. Presidentja e kësaj shoqate orkestruesish Lene Lutz kujton kur u bë zgjedhja e tij:“Shumë shpejt na u bë e qartë se dirigjent do të ishte Desari duke pasur parasysh konkurentët e tjerë. Pra me paraqitjen e tij shumë prej nesh ishin të mendimit se ai do të ishte në krye të orkestrës sonë. Ne zhvilluam votimin për kandidatët favoritë dhe në përfundim doli se me shumicë unanime fitues ishte Desari. Sot them me bindjen e plotë se nuk kemi bërë zgjedhje të gabuar. Ai është vërtet shumë i talentuar, shumë praktik, me shumë energji. Desari ka një pasion të madh për muzikën dhe ne ndjehemi shumë mirë me të si drejtues i orkestrës.”

Prej qershorit të 2012,dirigjenti shqiptar Desar Sulejmani është pasardhësi i Oliver Leo Schmidt-it i cili e udhëhoqi për 14 vite këtë orkestër duke e mbyllur karrierën e tij me koncertin e fundit më 26.11.2011. Por këtë fat Desari e sheh edhe si përgjegjësi apo edhe si sfidë për qytetin e Këlnit të cilin ai e adhuron.

„Ajo që më shtyu të konkurroj si dirigjent i kësaj orkestre ishte mbi të gjitha qyteti i Këlnit duke e parë si qëllim në vetvete. Mendova që Këlni do të ishte për mua edhe një dritare më e madhe qoftë si dirigjent, por qoftë edhe si artist në përgjithësi. Pra fati më krijoi mundësinë që unë ta shfrytëzoja menjëherë këtë konkurim dhe u ndjeva shumë krenar kur mora lajmin që kisha fituar. Por sigurisht unë ndjej edhe përgjegjsinë e madhe për këtë vend sepse një orkestër e tillë me një jetë kaq të gjatë artistike, 125 vjet, do të thotë që përveç të qenurit dirigjent, do të thotë edhe përgjegjësi organizative përpos asaj artistike. Sepse një orkestër e tillë me rreth 70 veta, të cilët jo vetëm që vijnë rregullisht në prova dhe organizojnë koncerte të tilla siç ishte ky në Filarmoninë e Këlnit dhe organizime të tjera, kërkon edhe displinë organizative”.

Orkestra ka interpetuar vepra që nga koha e Barokut deri tek ato modernet klasike apo vepra të muzikës bashkëkohore. Në koncertin e së dielës (26.05.) mes veprave si Elgar, Brahms apo Mendelssohn Bartholdy që u intepretuan me rastin e 125 vjetorit të themelimit të kësaj orkestre, ishte edhe vepra e kompozitorit shqiptar Gerti Druga “Rapsodi shqiptare”, një suprizë tjetër kjo për publikun gjerman.

„Jam totalisht i emocionuar dhe në rradhë të parë falenderoj Desarin, i cili na dha këtë mundësi për të promovuar para publikut gjerman një vepër shqiptare e sigurisht që unë ndjehem i priviligjuar që u zgjodha në këtë rast. Eshtë një vlerësim i madh për mua si i ri por për të gjithë artistët e rinj që kanë këto shanse dhe kjo i dedikohet pikërisht kësaj orkestre e cila ka vite që e ka bërë këtë si traditë të sajën. Në fakt vepra ime është thellësisht shqiptare; sepse unë në kompozimet e mia dua të flas shqip prandaj edhe kompozimi im titullohet „Rapsodi shqiptare“ dhe në rastin e këtij koncerti e konsiderova këtë vepër si një sfidë të vetes sime“, thotë për Deutsche Welle, Gerti i emocionuar .

Dhe këtë test, dy shqiptarët Desari dhe Gerti e kaluan shumë mirë duke marrë duartrokitje të gjata dhe ovacione. Ishte një e papritur edhe për vetë orkestrantët që siç thotë violinina e parë, Susanna Schael ishtë një përvojë e shkëlqyeshme me të dy djemtë artistë nga Shqipëria.

„Ka qenë një përvojë e shkëlqyer me dirigjentin por edhe me muzikën shqiptare e cila është shumë interesante për ne si gjermanë pasi ka një përzierje mes asaj popullores dhe modernes, por gjatë interpretimit e ndjen edhe romantiken e saj që ka brënda. Eshtë fat i madh që ne kemi një dirigjent të tillë pasi unë e njoh Desarin më herët dhe kemi bashkëpunuar shumë. Unë kam qenë edhe në Tiranë dhe jam mahnitur nga talentet që ka Shqipëria në fushën e muzikës. Pra është vërtet një përvojë e mrekullueshme dhe jam shumë e gëzuar me rapsodinë që intepretuam në këtë koncert jubilar. Muzika shqiptare ka shumë energji, por dhe shumë dashuri”.

Pranë kam Melani Köhler, mjeke, e cila pas koncertit me emocion i afrohet mikrofonit: “Shumë shumë bukur, s’kisha dëgjuar kurrë muzikë shqip dhe u mrekullova si nga vepra shqiptare ashtu dhe nga dirigjenti. Ishte i mrekullueshëm, plot energji dhe pasion. Shumë bukur!”

Edhe vetë kompozitori Druga u habit nga suksesi që pati vepra e tij: ” Ritmet tona janë pak të vështira, në përgjithësi ritmet e përziera nuk janë të lehta edhe për tu interpretuar nga instrumentistët, por në momentin kur kjo vepër përthithet mirë nga orkestra atëherë edhe publiku e ka më të lehtë për ta përçuar, për ta përcjellë. Çuditërisht kjo në koncert u arrit në mënyrë të shkëlqyer, ndaj jam dhe shumë i lumtur. Shpresoj që kjo përvojë të më ndihmojë që të kemi mundësi edhe për një përvojë tjetër në të ardhmen si kjo”.

Por emocionet më të mëdha i ka dirigjenti i orkestrës i cili shpalosi para publikut gjerman një figurë të kompletuar prefesionale. Duartrokitjet e shumta dhe të gjata ishin dëshmi e një respekti të veçantë për artistin shkodran, Desar Sulejmani që prej vitesh punon me pasion dhe dashuri për të dëshmuar jo vetëm talentin e tij por edhe vendin e tij, Shqipërinë nga ku ai mori mësimet e para në piano.

U larguam nga salla e Filarmonisë së Këlnit me shpresë së së shpejti do të kemi të tjera aktivitete nën drejtimin e dirigjentit tonë Sulejmani, por dhe një bashkëpunim më të ngushtë gjermano-shqiptar në këtë fushë. Këtë na e premtoi vetë Desari pas koncertit: „Për të ardhmen mendoj se do të ketë një sërë aktivitetesh jo vetëm me kompozitorë shqiptarë por edhe me të tjerë talente të rinj. Gjithashtu do të ketë bashkëpunim edhe me instrumentistët shqiptarë të cilët unë shpesh i sjell këtu në Gjermani dhe ku ata kanë mundësi të promovojnë talentin e tyre. Një plan jo shumë i largët është që me këtë orkestër të shkojmë edhe në Shqipëri për një tur koncertesh”.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: artistet shqiptare, Gjermani, ne Keln, sukse

Diplomohen studentët shqiptarë në Universitetin Wiston Salem të Karolinës së Veriut

May 27, 2013 by dgreca

U zhvillua ceremonia e diplomimit të tre të rinjëve shqiptarë për master në Universitetin Wiston Salem të Karolinës Veriut/

Greensboro Karolina e Veriut : Kësaj rradhe Universiteti Wake Forest në Karolinën e Veriut, thotë se ka qenë në ballë të transformimit të konceptit tradicional, të “shërbimeve karrierës” në një qasje holistike, katër-vjeçare për zhvillimin personal dhe karrierën e studentëve përfshirë edhe tre shqiptarë, që kan marrë me vete edhe “udhërrëfyesin për suksesin” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës .

Universiteti Wake Forest në Karolinën e Veriut, njihet këtu në SHBA për zhvillim personal të karrierës, si një udhërrëfyes për të ardhmen e tyre – i cili është ndërtuar mbi suksesin e studentëve për të ndihmuar ata me njohuri që të bëjnë të njëjtën gjë. edhe në vendin e tyre.

Më 20 Maj 2013 në Wake Forest University të Qarkut Wiston Salem në Karolinen e Veriut, si njoftoin burime nga komuniteti tre të rinjë Shqiptar: Shqipdon Fazlliu – nga Gjilani, Kushtrim Radoniqi – Peja dhe Valon Kurtaj nga Prizreni morën në duar diplomat mbi master.

Gëzimin e tyre e ndien edhe Shqiptaro-Amerikanët të cilët e ndanë së bashku me veprimtarët e dalluar të këtij komuniteti Altavin Zhiva nga Pogradeci, Myftar Pal Miraka nga Gjakov, Dilaver Ferko nga Fieri dhe Bahri Ramadani nga malësija e Bujanocit, të cilët thanë se ishin prezent në ndarjen e diplomave të tre Shqiptareve.

Shqiptaro-Amerikanët në përshëndetjen lamtumirëse me Shqipdonin, Kushtrimin dhe Valonin u ndan me një deshir që radhën tjetër të jen së bashku në diplomimin për doktoratur të këtyre tre djemve te rinj.
Më 20 Maj 2013 në Wake Forest University të Qarkut Wiston Salem në Karolinen e Veriut, sic njoftoin burime nga komuniteti tre të rinjë Shqiptar: Shqipdon Fazlliu – nga Gjilani, Kushtrim Radoniqi – Peja dhe Valon Kurtaj nga Prizreni morën në duar diplomat mbi master.( B Sina)

Filed Under: Kulture Tagged With: diplomohen, ne Universitetin Wiston, Salem te Karolines se Veriut, Studentet shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 463
  • 464
  • 465
  • 466
  • 467
  • …
  • 559
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT