NGA PIRRO DOLLANI/Ka pak kohë që ka dalë nga shtypi në dy gjuhë—anglisht e shqip—vëllimi poetik “Zodiac” i Moikom Zeqos, me një përkthim tejet të mirë të Anastas Kapuranit dhe të Wayne Miller.
Çdo libër i ri—natyrisht, I MIRË—duhet të jetë një shkak për ta festuar! POR, kur bëhet fjalë për një vepër të një niveli të tillë artistik, siç është “Zodiaku” i Moikom Zeqos, botimi duhet të shndërrohet në një ngjarje, veçanërisht, kur kjo vepër ka marrë vlerësime jashtëzakonisht të larta nga autorë të shquar amerikanë. Për çdo lexues dhe adhurues të librave të Moikomit, si edhe për ne, shokët e miqtë e tij, botimi në gjuhën angleze i këtij libri në një periudhë jo shumë të këndshme për të, na gëzon dhe na shton besimin se Moikomi do ta kalojë me sukses këtë periudhë e do ta mund atë sëmundje të flamosur, pasi Moikomi ende s’i ka thënë të gjitha. Madje, edhe ato vargjet e bukura në mbyllje të poezisë së brishtë të Robert Frostit, “Stopping by the Woods on a Snowy Evening”, duket sikur janë thënë më
tepër për Moikomin: “The woods are lovely dark and deep/ But I have promises to keep/ And miles to go before I sleep/ And miles to go before I sleep! Po i dashur Moikom: “Kemi edhe shumë milje për të bërë përpara se të biem të flemë!”
Para disa ditësh mora një email nga shkrimtari i njohur amerikan, Richard Powers, autori i romanit “Jehona e Kujtesës”, i cili sapo kishte mbaruar librin “Zodiac”. Ja si shkruan:Jam mjaft i gëzuar që me jepet rasti të falenderoj Moikomin nëpërmjet teje për këtë vepër të shkëlqyer dhe për frymëzimin që më jep mua ndërkohë që po punoj mbi librin e ri. . . Dhe falenderimet e mia më të përzemërta për poezinë frymëzuese dhe të shkëlqyer, e cila tashmë po rimbjell dhe po ripërhap vetveten në veprën time.”
(“I’m overjoyed to have the chance to thank Moikom, through you, for the magnificent work and the inspiration it gives me as I work on my new book. . . And most of all, my heartfelt thanks for the exuberant and inspiring poetry, which is already replanting and re-Ja disa citime nga këta autorë amerikanë që kanë bërë vlerësime maksimale për këtë libër:
Ja si shkruan, Ilya Kaminisky, poet, kritik vlerësuar me shumë çmime:
“Në këtë kohë, është një gjë e rrallë të gjesh një poet që vërtet është i madh e kompleks dhe që krijon jo thjesht një portret njerëzor, një komunitet apo një refleksion, por një kozmologji të tërë, ashtu siç ishte para së gjithash edhe “Komedia Njerëzore”, një kozmologji—njësoj si “Duino Elegies” i Rilkes apo “Four Quartets” i Eliotit”, apo në kohën tonë, ndoshta si “Cántico Cósmico” i Ernestro Cardenales”.
(“It is rare these days to find a poet who is truly large and complex, creating not just a human portrait, or a community or a reflection, but a whole cosmology; the way Divina Commedia was, first and foremost, a cosmology—like Rilke’s Duino Elegies or Eliot’s Four Quartets or, in our time, ndoshta Ernesto Cardenal’s ““Cántico Cósmico”.)
Ja një citim tjetër nga Kevin Prufer, poet, eseist, po ashtu vlerësuar me shumë çmime“Zodiaku” është një libër i mrekullueshëm që është sjellë në jetë për anglisht folësit me një përkthim të fuqishëm të Wayne Miller dhe Anastas Kapuranit.
(Kevin Prufer, poet, eseist, po ashtu vlerësuar me shumë çmime: Zodiac is a marvelous book, brought to life for readers of English by Wane Miller’s and Anastas Kapurani.
‘INTERNIMI I KUFOMES’- AKUZE TRONDITESE PER DIKTATUREN ENVERISTE
NGA FILIP GURAZIU/
Romani ‘Internimi i Kufomës’ me autor Marçel Hila jo vetëm që zen vënd nderi në ” kolanën” e romaneve që trajtojnë periudhën komuniste në Shqipëri, duke e sjellë ate të gjallë në ditët e sotme, por e pasuron ate, pasi trajton një periudhë historike të patrajtuar ose per të qenë i sakët, të trajtuar fare fare pak deri më sot.
Ne roman trajtohet një ngjarje tragjike, histori e vertetë e ndodhur në Shqipërine komuniste të vitit 1947, kur po formohej Blloku i Udhëheqjes. Jo vetem që zbohet nga shtëpija, paçkitet dhe internohet ( brënda disa minutave) nën forcen a armëve, pa asnjë akuzë dhe vendim gjyqësor familja e shqiptarit patriot Zoj Xoxe, por i mohohet edhe e drejta për të varrosur djalin 16 vjeçar që ndodhej për fatalitet në ato momente në arkivol ! Peripecitë që e ndoqën familjen Xoxe deri në varrimin e djalit nuk kanë të sosur, por keto le të ja lemë lexuesit kur të njihet me romanin.
Ajo që të surprizon duke lexuar veprën, është jo vetem paraqitja me hollësi dhe realizëm e periudhës historike në të cilën zhvillohet ngjarja, por sidomos përshkrimi i sakët deri në detaje i personazheve, gjë që të kujton veprat e Balzakut. Kaq fort ndikon kjo ndjesi për lexuesin, sa gati, gati të krijohet bindja ( gjë natyrisht e pamundur) se autori i pat përjetuar personalisht ato biseda dhe ngjarje. Shkrimtari me një aftësi të rrallë ka arritur të hyjë në psikologjinë e personazheve dhe të udhëheqësve komunistë të atyre viteve, duke ja paraqitur lexuesit “lakuriq” karakterin e tyre, ashtu siç ishin; brutalë, të pabesë dhe hajdutër. Indirekt, pa i sharë, duke mos folur një fjalë të keqe për to; i diskretiton moralisht, sepse në fund të fundit është vepra e shëmtuar e tyre dhe jo sharja që mund ti bejë autori, ajo që peshon. Fakti makabër, që internohet edhe kufoma e djalit të vdekur në shtëpi në moshë 16 vjeçare, përbën thelbin e romanit dhe padyshim një ngjarje jo vetem të padëgjuar dhe antinjerëzore, por mbi të gjitha anti shqiptare sepse është krejtësisht në kundërshtim me besën dhe kodet etike të popullit shqiptar, por edhe të moralit njerëzor që në mjegullnajën e historisë; (Akili e vrau Hektorin ne dyluftim, dhe më pas, ja dorëzoi kufomën babait të të vdekurit, Priamit për ta varrosur!). “ Ngjarje e rëndë dhe tronditëse ”, do të shprehej një gazetar i njohur, mik i imi; është pikërisht ky konkluzion, kjo tronditje që të shoqëron deri ne fund. Thjeshtësia dhe modestia e përshkrimit të ngjarjeve në liber, përfshi edhe ato më tragjikët, rrjedhin aq natyrshëm, sa lexuesi bëhet padashur pjestar dhe bashkëkohës, jeton dhe udhëton me ngjarjet dhe me kufomën deri në varrosjen e djalit, atje në periferi të fshatit Shtyllas: i diskriminuar edhe në varr nga lufta imorale e kllasave!.
Emocioni që lind në ballafaqim me një veper arti do të thotë se autori i asaj vepre ka bërë art të vertetë. Romani ‘Internimi i Kufomës’ të emocionon që në fillim e deri në fund. Në fushën letrare ku trajtohet ‘Kujtesa historike’, përjetohen emocionalisht sot, ato ngjarje që ‘ndodhën’ diku dhe dikur, shumë vite më parë. Jeta njerëzore në aspektin emocional mund të krahasohet edhe me një pikturë ku ngjyrat përcaktojnë emocionet. Sado brutale të jetë ngjarja që paraqitet, nuk mund të eleminohet ngjyra që paraqet humorin njerëzor në kuadrin e jetës së një shoqërije, sepse humori është pjesë e jetës. Dhe në “pikturën” që na paraqiti autori Marçel Hila, atë të tragjedisë së familjes Xoxa të vitit 1947, krahas ngjyrave të tjera, zen vënd edhe ngjyra e humorit, futur me mjeshtri ne gojën e plakës, nënës së Muços…, çka përbën vlerë shtesë për veprën.
Diktaturat në përgjithësi dhe në veçanti për ne shqiptarët, Diktatura Komuniste e kriminelit Enver Hoxha, duhen demaskuar pa pushim, metoda më e mirë dhe më efikase mbetet, pa dyshim, edukimi i rinisë me ‘kujtesën historike’ duke dëshmuar me dokumente dhe ngjarje, fakte të verteta, sado të dhimbshme dhe antinjerëzore te kenë qenë ato.
Kujtesa dhe harresa janë dy fenomene që shoqërojnë mendimin njerëzor. Në psikollogji harresa konsiderohet edhe e dobishme, kurse në fushën e historisë vlerësimi është ndryshe, këtu merr prioritet absolut kujtesa dhe harresa bëhet e dëmshme.
‘Kujtesa historike’ lidhet me identitetin, me traditat dhe me kombëformimin e një populli. ‘Kujtesa historike’ është konstruktive sepse ndihmon në edukimin pozitiv-formues të ndërgjegjës së brezit të ri. Pikërisht këtu qendron esenca e vlerës së veprës në fjalë.
Kaq i skajshëm qe brutaliteti i diktaturës Enveriste në vëndin tonë, kaq padrejtësi, përdhunime, vrasje, vjedhje dhe poshtërime bënë komunistët e Enverit ndaj popullit të tyre, sa sot në vitin 2015, bëhet shumë e vështirë që të besohen dhe të kuptohen nga brezi i ri. Për konkretizim dëshiroj të ju rikujtoj se ngjarja në romanin ‘Internimi i Kufomës’ zhvillohet në vitin 1947, pra plot 68 vite më parë, fakt që edhe për brezin tim bëhet e veshtirë kujtesa e asaj kohe, mendoni pastaj se sa mund të dijne dhe të kuptojnë për atë periudhë të rinjtë sot… Ndërgjegjësimi i rinisë për ‘krimin komunist’ duhet ti nënshtrohet një nisme të mirëmeduar dhe mirëorganizuar nga politika shqiptare duke e futur ‘ kujtesën historike’ në edukimin shkollor dhe duke mbështetur dhe financuar iniciativat e Shoqërisë Civile pro demokratizimit të shoqerisë shqiptare me fokus në objektiv brezin e ri. Në këtë drejtim luan një rol parësor edhe vepra letrare e Marçel Hiles; ‘Internimi i Kufomës’.
Epilogu i romanit mund të themi se “i ve kapakun tragjedisë së familjes Xoxa. E pabesueshme, por realitet; ende sot në vitin 2015, biri i familjes Xoxa, Kostaqi, personazh i gjallë i romanit, nuk ka arritur të marrë pronën, shtepinë e tij të grabitur dhe të plaçkitur nga banditët komunistë në vitin 1947.
A e nderon kjo politikën shqiptare? No coment!.
Filip Guraziu
28.11.2015
LOTË QË NUK SHTEREN
NUK DONIM TË PUNONIM SI SKLLEVËR PËR INTERESA TË QEVERISË KOMUNISTE/
Rreth librit të Bedri Çokut “Arrestova” shokun tim…”, Tiranë 2015/
Nga Enver Memishaj/
“Për të ngritur flamurin pa yllin komunist unë shpreha mendimin se në pamundësi për të gjetuer një çarçaf të kuqtë të çanim duart dhe me gjakun tonë të lyenim copën e bardhë. I pari që çau dorën me thikë ishte vëllai im Zausi, i dyti Gëzim Medolli, Bedri Çoku, Gj. Kadeli Ulsi Pashollari e të tjerë…”- Bedri Çoku/
- Një ngjarje e jashtzakonëshme.
Dy janë revoltat tronditëse me karakter thellësisht antikomunist, që janë rregjistruar në historikun e burgjeve politike. E para, ajo e kampit të Spaçit, në vitin 1973, dhe tjetra e Qafës së Barit në maj të vitit 1984. Përtej mobilizimit maksimal për t’i shtypur me dhunë e hekur, shteti ka bërë çështë e mundur për t’ia fshehur opinionit të vërtetën e tyre. Të vlerësuara si ngjarje të jashtëzakonshme, me to është operuar fund e krye me procedura sekrete.
Revolta nisi më 21 maj 1973 për kundërshtim të thellë e kuptimplotë të regjimit nga kundërshtarët e regjimit me parrullat “Ja vdekje ja liri!”, “Rroftë Shqipëria e lirë!”, “Ju jeni katila!”, “Populli është me ne!”, “Rroftë Europa e lirë!”, që vazhduan për mbi 3 ditë në taracën e burgut nga 100 të burgosur, që u rrethuan me shpejtësi nga mbi 4500 trupa ushtarake nga Shkodra e Tirana, të cilët hapnin zjarr nga të gjitha anët.
Revolta e Spaçit i tregoi Shqipërisë dhe botës se rezistenca e popullit shqiptar vazhdoi të mbijetonte, megjithë dhunën dhe presionin e diktaturës.
Revolta e Spaçit zgjati 3 ditë; të burgosurit valvitën në tarracën e burgut famëkeq një flamur të Skënderbeut pa yllin komunist përsipër, duke kënduar dhe hedhur parrulla kundër diktaturës, derisa u shtyp me gjak; 4 nga të burgosurit u dënuan me pushkatim, mbështetur në fonogramin e Enver Hoxhës drejtuar Feçor Shehut: “Të pushkatohen jo më pak se tre dhe jo më shumë se katër vetë. Gjendjen ta mbani nën kontroll të rreptë ushtarak.Tiranë, më 2.5.1973 – Enver Hoxha”
Tetë të tjerë u ridënuan me 25 vjet burg 70 të tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan.Përmendim me nderim emrat e djemve të rinj që u pushkatuan:
1. Hajri Pashaj, babai pushkatuar nga Feçor Shehu.
Dervish Bejko , babai tij Enver Bejko vdiq në burgun e Burrelit.
Skënder Daja, babai tij pushkatuar gjoja për hedhjen e bombës në Ambasadën Ruse.
Pal Zefi, vëllai e tij Nikoll Zefi të dënuar me 25 vjet për tentativë arratisje.
- Ç`farë solli revolta e Spaçit?
Pa hyrë në analiza të hollësishme në radhë të parë dhe mbi të gjitha Revolta e Spaçit, ishte shkëndija e parë që erdhi e ndezur deri në dhjetorin e vitit 1990. Ajo rovoltë shprehu urrejtjen nda tiranisë komuniste dhe verau frikën. Ajo revoltë frymëzoi edhe të burgpsurit e Qaf Barit. Dy të pushkatuar, dhjetë të ridënuar me nga 10-25 vjet dhe shumë të plagosur e të lënduar. Ky ishte bilanci i shtypjes së revoltës së Qafë-Barit të 22 majit 1984. Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja u dënuan me pushkatim si organizatorë. Ndofta është kuptim plotë fakti që të dyja ato ngjarje ka ndodhur në fillim të pranverës, në muajin maj, athere kur natyra gjallëron e lulja çel…
- Ata ishin të burgosur të zakonshëm, por që kuptuan të bënin të jashzakonshmen.
Dyzet e dy vjet më parë të burgosurit politik të kampit famëkeq të Spaçit, ngritën krye, me thonj e duar por me zemër luani dëbuan nga kampi policët dhe ngritën flamurin kombëtar pa yll.
Bedri Çoku ishte njeri nga herojtë e asaj revolte heroike, ishte pikërisht ai që ngriti flamurin kombëtar siç na e kishin lënë të parët tanë pa yllin komunist.
Dhe Bedriu kthehet pas 42 vjetëve tek ajo ngjarje tashmë për ta evidentuar dhe për të lënë një dokument të historinë e asaj peiudhe gjakatare me librin ‘Arrestova”, shokun tim…”
Bedri Çoku ishte një meteor që ndriti në errësirën e kampit të Spaçit, por me gjashtë veprat e botuara prej tij po ndrin edhe sot në liri.
Drita që vjen prej tij nuk u zhduk në errësirën e Spaçit dhe ndriçon më shumë sot me veprën e tij.
Edhe kur të largohet nga kjo botë ai do të na lërë pas veprën e tij, pra ai mbetet një meteor që lëshon dritë të përjetshme.
Bedriu vazhdon të shkruaj e botojë me bindje se po i jep shoqërisë sonë një vepër të vlefshme që do t`i rezistojë kohës sepse është nxjerrë nga rënkimet e një populli të shtypur për afro 50 vjet, me shpresë se ai po e bën detyrën e tij, duke realizuar një ëndërr të vjetër.
Por ne të tjerët a e bëjmë detyrën tonë?
Ç`qëndrim mbajmë kur marrim në dorë veprat e tij? Përse heshtim? Përse gazetat dhe televizionet nuk propogandojnë veprën e tij kur janë të mbushura me letësinë rozë?
I ndarë nga jetë që në moshën 20 vjeçarë i mbyllur në birucat e zeza të komunistëve, kishte mbajtur të mbyllur edhe veprën e tij që të shpërthente në dhjetorin e vitit 1990.
Ai po na lë veprën e tij që ata që vijnë pas nesh të kuvëndojnë me të…
Duke lexuar novelën e Bardi Çokut “Arrestova shokun tim”, më vjen ndërmend thënia e Indro Montanelit se “Historianët, por nuk dinë ta tregojnë historinë”. Berdi Çoku ka marrë përsipër pikërisht këtë të na tregojë historinë e Revoltës së të dënuarve politik të Spaçit të vitit 1973, me gjuhë të bukur artistike por me emra të vërtetë.
Autori do tu tregoi shqiptarëve diçka më tepër për atë përpjekje të të dënuarve të kampit të Spaçit të kthyer në skllevër të galerive të nëntokës sidomos për tragjedinë e atyre që u shkuan në plumb vetëm për një grevë dhe për ngritjen e flamurit pa yll.
Autori me këtë libër nuk ka shkruar histori, ndonse aty ka jo pak histori, por me talentin e tij ai shtjellon atë histori të dhimbshme.
Ende historianët nuk janë marrë me atë ngjarje e kjo e ka nxituar apo nuk e ka penguar Bedri Çokun që nëpërmjet artit të tij të na tregojë historinë e majit të vitit 1973.
Në këtë libër Bedri Çoku me talentin që e karaktezon tregon se si u përgatit dhe se si shpërtheu ajo revoltë heroike, me emrat e vërtetë e atyre që dolën në krye dhe u bënë flamur frymëzimi për shokët e tyre.
Në atë betejë, thotë autori, sejcili vullnetarisht merrte përsipër detyra të vështira …
Autori përmend me respekt e përunjësi emrat e atyre herojve që s`pyetën për vdekjen, që nuk e njihnin frikën, atyre që dolën në krye dhe në udhëheqie dhe që u bënë flamur i lirisë në ato vend ku humbiste shpresa.
Lukja është përfaqësuesi tipik i vuajtjeve dhe tmerreve që hoqën ata që patën fatin e zi të burgoseshin dhe internoheshin në kohën e komunizmit.
Skënder Daja, të cilin shokët e tyre e mbajtën mbi supe kur ai u bëri thirrje ushtarëve “për të mos zbatuar urdhërat e komandantëve, nderi juaj është të bashkoheni me ne, mos harroni se kur të liroheni ju prêt vafëria dhe skllavëria në kooperativë…”
Nga çasti në çast ky djalë trim mund të vritej, por ai s`pyeti për jetën, zëri tij oshtite mes maleve dhe e detyroi komandën e burgut ti zëvëndosnte ushtarët me polic…
Ulsi Pashollari me të cilin u bashkua Dashnor Kazazi të cilët nëpërmes krismave të mitrolozit dhe fishkëllimës së plumbave shqyen dyert e birucave dhe liruan shokët e tyre.
Mersin Vlashi nga Burreli që pikturoi shkabën e flamurit pas refuzimit që kishte bërë një piktor i burgosur.
Flamuri u valvit dy ditë e dy net dhe për ta ruajtur flamurin dolën vullnetarë Shuapir Ibrahimi, Ndrec Çoku, Jonus Norja
Po kështu përmendet Hodo Sokoli, Sami dangëllia, Luan Koka, Syrja lame, Jorgo Papa, Dashnon Kazazi etj
Autori rreshton emrat e atyre atdhetarëve të burgosur që menduan dhe ngritën flamurin pa yllin komunist: Berdi Çoku, Lukja, Gëzim Medolli, Dervish Bejko, Kostandin Papa. Naim Pashaj, Ulsi Pashollari, Murat Marta. Gëzim Çela, Demir Pojani, Feti Kumanaku, Elez Hoxha, që u frymëzuan për ngritjene e flamurit të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit.
Duhet të përulemi me ndërin përpara këtyre burrave trima që mund të mos dinin shumë gjëra sepse regjimi i kishte lënë në errësisë, por ata dinin atë që është më e rëndësishme për nje atdhetar ata njihnin flamurin e kombit të tyre dhe për të ishin gati të bëheshin fli.
Me ata të burgosur që në atë revoltë heroike iu bashkuan Komandës së burgut, apo më mirë Sigurimit të Shtetit, Bedri Çoku falë shpirtit tij fisnik tregohet shumë i kursyer, mezi përmend piktorin, pa ja shqiptuar emrin, Mehdi Nokun dhe më pas dëshmitarët e gjyqit: Agostin peçi, Muhamed Kosovrasti, Thanas Theodhoraqi, Ilia Dhima, Zenel Balliu, Pandeli Pjetri, Miltiadh Papa, Hilmi Freskina. Këtë mungesë autori e ka “plotësuar” me emrat e kryekriminelëve të gjyktaës: Ilmi Telegrafi, Ymer Aliko, Mit`hat Goskova, Ylli Mahmutaj dhe prokuroti Zaim Myftari
“E ngritëm flamurin kombëtar të skuqur me gjakun tonë mbi taracën e pallatit tre katësh, dhe, për kënaqësinë tonë Ai, magjishëm, filloi të valvitej sikur shqiponja e pikturuar në të ishte vetë flladi I shpirtrave tanë”, dhe u betuan: Vdekjen po, flamurin JO!
“Në këto çaste të pa përsëritshme, shkruan autori, me siguri dora shpëtimtare e Perëndisë ka qënë ajo që shmangu plumbat e mitrolozëve dhe automatikëve të karakollëve pa lënduar asnjë të burgosur”.
Për turpin e tyre komunistët përsëritën veprimin mbi 600 vjetëve më parë kur turqit u prenë ujin shqiptarëve të rrethuar. Ashtu si në vitin 1400 edhe komunistët u prenë ujin, bukën dhe çdo furnizim tjetër të burgosurve, duke treguar kështu fytyrqn çnjerzore, mesjetare.
Ylber Merdani zgjidhi problemin e ujit të pishëm për të burgosurit, duke i furnizuar shokët e tij me ujin e rezervuarve të dusheve, paçka se ujë nuk pihej, por ishte lufta për ekzistencë…
Të burgosurit të vendosur për idealet e tyre për liri nuk pranuan që dyqani ushqimor i shtetit me gjith se të uritur nuk duhej të grabitje dhe për këtë u vunë dy roje M. Marta dhe D. Bejko.
Pas këtyre veprimeve të burgosurit kalun në fazën e riorganizimit të revoltës krijimi i Këshillit Korahinor, i cili tashmë merrte vendimet për vazhdimin e revoltës në kushte të tjera.
Me talent dhe me penën e tij të magjishme Bedri Çoku ka sjellë një paralelizëm ndërmjet egërsisë së policve komunist dhe Tartit, një qen që jetonte brenda kampit. Ky qen ndryshe nga policët, njeri “Kacafytej me policët sa herë kërkonin ta largonin nga i burgosuri që vuante, po Tarti u turrej për t`i kafshuar dhe ata tërhiqeshin”. Autori na lë të besojmë se polici komunist ishte më çnjerzor se një qen.
Për këto arsye Tarti ishte bërë i dashur për të gjith të burgosurit, aq sa kur u shtyp me dhunë revolta edhe Tartin e helmuan dhe pastaj e varën. Të burgosurit e qanë me lot hidhërimi Tartin e dashur…
Pjesëa e dytë e librit “Pse e “arrestova”, shokun tim të kryengritjes?”, lexohet me lot në sy, falë ngjarjes që tregohet dhe krtheve që autori i bën lexuesit, të tregura me talent dhe me një gjuhë të bukur artistike.
* * *
Rëndësia e librit të Bedri Çokut qëndron në faktin se ndërsa për revolëtn e Spaçit të vitit 1973, janë botur shumë shkrime, Bedri Çokut është ndryshe nga të tjerët e tregon atë ngjarje te përgatitur, me ndërgjegje dhe me qëllime të qarta dhe që pritej vetëm shkaku për të shpërthyer, pra ndryshe nga të tjerët që e kanë treguar si revoltë spontarne.Njohim pak vepra letërsi historike, ndërsa për ngjarjet e ditëve tona me sa di unë nuk ka. Vepra e Bedri Çokut është një shembull jo vetëm për temën që trajton, por edhe mënyrën se si e trajton, me gjuhën e bukur artistike, me emra konkret, dhe me ngjarje që nuk dalin nga kuadri historik.Libri është shërben edhe si një dokument i vërtetë, për sot dhe me shumë nesër, ku studjuesi apo lexuesi i thjeshtë nuk ka nevojë të gjyrmojë dokumenta të kohës kur këtë ngjarje e gjen në një libër të vetëm.Libri lexohet paraqet interes dhe lexohet me kënaqësi dhe emocione të forta, pasi zbulon galeritë e thella të krimeve komuniste, për njerës të kthyer në skllevër, për të vetmin faj se ishin adhurues të fjalës së lirë.
Gjuha e thjeshtë plote kolorit e tërheq lexuesin dhe librin nuk mund ta heqësh nga dora po fillove ta lexosh.
Shqip,të flasim bukur dhe saktë
Nga Petrit Malushi / Çdo gjuhë, nga përdoruesit e saj, bëhet funksionale vetëm nëpërmjet të dëgjuarit , të folurit, të lexuarit dhe të shkruarit. Por ndërsa dy aktet e para, pra të dëgjuarit dhe të folurit, realizohen prej çdo personi që në fazat e para të jetës, si procese biologjike, dy aktet e tjera , të lexuarit dhe të shkruarit janë të kushtëzuara me arsimimin gjatë rritjes dhe zhvillimit fizik e intekektual të njeriut. Pashmagshmërisht janë fjalët dhe mënyrat e të folmeve të mjediseve familjare, ku i çdo sapolindur vjen në jetë , që vënë shtresat e para të fjalorëve dhe trajtat e ligjërimeve te kushdo. Më pas në institucionet arsimore merren njohuri e koncepte shkencore , që njerëzit të flasin e të shkruajnë sipas rregullave të përcaktuara gjuhësore. Nga ky nivel ata i kanë të gjitha mundësit që të reflektojnë ndaj çfarë kanë marrë jo në përputhje me këto rregulla.
Realiteti
Realisht të folmet e mjediseve familjare, shoqërore, sociale dhe zyrtare, nuk arrijnë të demonstrojnë një të folur korrekt, sipas rregullave të shkencave e disiplinave gjuhësore që mësohen në jo pak vite në shkollat e të gjitha niveleve e degëve të arsimit parauniversitar, apo edhe në atë universitar, madje edhe jashtë kësaj kornize. Arsyet janë nga më të ndryshmet , objektive dhe subjektive, që nuk mund të tejkalohen , pra gjuha e folur s’e arrin dot perfesksionin e gjuhës së shkruar. Do të ishte një arritje në se të gjithë folësit, megjithse tek disa ekziston dëshira, në çdo mjedis, do të bënin përpjekje ta përdornin gjuhën siç e mësojnë edhe në të folur. Problemi është se, si gjuha e folur edhe gjuha e shkruar demonstrohen, pra përdoren në jo pak raste, me deformime nga ajo që mësohet në tekstet mësimore. Në se do të kishte një institucion statistikash, shifrat për këto shkelje ndoshta do të shkonin në nivelet të pamendueshme. Specialistë të fushës së gjuhësisë, gjuhëtarë të niveleve të ndryshme, mësues të lëndëve të gjuhës shqipe e letërsisë, apo edhe njerëz të fushave të tjera, që kanë vlerësuar se mund të japin ndihmesë, kanë trajtuar vazhdimisht në mënyrë konkrete e analitike si duhet dhe si nuk duhet folur dhe shkruar, pra kur është folur e shkruar gabim dhe si duhet folur e shkruar saktë. Faktet kanë qenë e janë të shumta në raport me rregullat e morfologjisë, sintaksës, drejtshkrimit, drejtshqiptimit, kulturës gjuhësore, fonetike e leksikore, në marrëdhëniet brenda vetë gjuhës shqipe dhe në marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera. Dhe askush i kësaj fushe nuk e ka të vështirë, në se vendos të trajtojë çështje me një tematike të tillë, të kërkojë e gjejë fakte të reja. Veç mjediseve, mediat elektronike dhe të shkruara , shtëpitë botuese, që nga numri, lloji, niveli, kohështrirja e programeve,numri i faqeve etj, etj, janë “të pasura” në këtë drejtim.
Kur lexojmë dhe dëgjojmë
Po u referohemi mediave dhe shtëpive botuese pasi janë mjete të komunikimit masiv dhe të drejpërdrejta, ku pasqyrohet ashtu siç është realisht formimi dhe niveli gjuhësor së pari i çdo botuesi, drejtori, kryeredaktori, redaktori, gazetari dhe së dyti i të ftuarve, të intervistuarve, politikanëve, shtetarëve, specialistëve të çdo fushe e deri te qytetarët apo banorët më të thjeshtë të zonave rurale, pa asnjë lloj diferencimi, të cilët përzgjidhen për të qënë të pranishëm brenda kornizave të emisioneve televizive e radiofonike apo në faqet e gazetave e revistave. Vetë forca e medias është e tillë që të imponon tërheqje vëmendjeje dhe pëqendrimin për gjithçka që parakalon në ekran edhe në fraksion të sekondit, apo lexon në radhët e një kryeartikulli dhe artikulli kur shfleton një gazetë a revistë. Sytë dhe veshët e secilit duket sikur luajnë rolin e pajisjeve të një “skaneri gjuhësor” që s’u shpëton asgjë, ndërkohë që shkeljet gjuhësore mund të kalohen normalisht në një bisedë familjare, shoqërore, tavoline, takim të rastësishëm , shërbim në supermarket etj.
Pse nuk jemi folës të mirë ?
Po pse nuk bëhemi dot “folës të mirë” ne përdoruesit e gjuhës ? Arsyet ? ! Janë të shumta e të natyrave të ndryshme, është folur e shkruar për to dhe synimi i këtij shkrimi është të përpiqemi ta flasim dhe shkruajmë gjuhën ashtu siç e mësojmë. Shkeljet gjuhësore apo deformimet e shtrëmbërimet në disa raste janë krejt të papranueshme. Kur një politikan ngatërron gjinitë e emrave, apo të përemrave vetorë të vetës së tretë, nuk përshtat mbiemrin në gjini numër dhe rase me emrin, një shtetar bën lëmsh trajtat e shkurtra apo të shkurtra të bashkuara, një zyrtar i ndërton fjalitë me rend jo të drejtë, një gazetar nuk di t’i vendosë foljet në kohët dhe mënyrat e tyre, ngatërron vendosjen e emrit në fjali sipas rasave, trajtën e shquar me të pashquarën, nuk përputh shenjën më shënjuesin pra formën me përmbajtjen e fjalës, del nga tematika, bën pyetje si komente , në gazeta intervistat duken si përshkrime, futen fonema që nuk i ka alfabeti i gjuhës shqipe, hiqen të tjera që nuk duhet të hiqen, në shkresat zyrtare datat nuk shkruhen si duhet të ndara nga muaji dhe viti me pikë, ka përzierje të shkronjave të shtypit me ato të dorës, nuk përdoren kur duhen shkronjat e mëdha dhe shënjat e pikësimit në fillim, në mes apo në fund të fjalisë, zëvendësohen fjalët shqipe me fjalë të huaja të panevojshme… reagimi vjen natyrshëm.
Sigurisht,mund të bëhemi
Sërish , përse të ndodhin kaq shumë shkelje gjatë përdorimit të gjuhës shqipe, gjithnjë referuar asaj se si ajo mësohet në shkollë, dhe , a mundet ne të arrijmë nivelin e një folësi të mirë ? Duke analizuar të gjithë faktorët, në kontekstin e jetës së njeriut, familjarë, shoqërorë, socialë, intektualë etj, peshën kryesore e mban ai arsimor. Më konkretisht, të gjithë kryejmë arsimin e detyruar të ulët e nëntëvjeçar, pjesa më e madhe edhe arsimin e mesëm e të lartë, e pas përfundimit të çdo viti shkollor, në dokumentet përkatëse nuk mungojnë edhe vlerësimet e niveleve sipërore. Mësimi i gjuhës shqipe me rubrikat e të folurit, të dëgjuarit, të lexuarit e të shkruarit fillon qysh në klasën e parë e nuk ndërpritet deri në klasën e dymbëdhjetë apo të trembëdhjetë të shkollës së mesme, me ngarkesë javore pesë, katër, tre e dy orëshe, sipas cikleve përkatës. Gjatë kësaj shtirjeje në programet mësimorë trajtohen të gjitha dukuritë gjuhësore dhe rregullat që duhet të zbatohen gjatë përdorimit të fjalëve e fjalive, njësive më të vogla e më të mëdha se to, për t’u bërë folës e shkrues të mirë. Në orët mësimore trajtohen fonemat, morfemat, fjalët, togfjalëshat, fjalitë, paragrafet, tekstet, kuptimet e fjalëve, funksionet e tyre, fjalëformimi, klasat e fjalëve, kategoritë gramatikore të tyre etj, etj. Brenda një viti shkollor me javë të plota mësimore, e më tej në dymbëdhjetë vite, nuk ngelet asgjë pa thënë, pa u shkruar e pa u analizuar. Sigurisht jo gjithçka që mësohet në shkollë sistemohet në mënyrë të plotë në vetdijen e secilit, megjithatë konceptet bazë vështirë se fshihen nga kujtesa përfundimisht. Po atëherë, të përpiqemi të mendojmë se duhet të flasim ashtu siç mësojmë në shkollë, të mbajmë mend sa më shumë rregulla nga ato të mësuara gjatë viteve të shkollimit, të bëjmë autokontrolle të ligjërimeve tona, të reflektojmë ndaj shkeljeve tona gjuhësore, të dallojmë tek të tjerët shtrëmbërimet gjuhësore, të vlerësojmë mjedisin ku ndodhemi, pozicionin nga flasim, nivelin e dëgjuesve dhe të bashkëbiseduesve etj, etj. Të përpiqemi të mbajmë mend që në strategjinë e të folurit veç cilësive të një folësi të mirë, të kemi parasysh se të folurit është një akt thelbësor i veprimtarisë së përditshme të çdo njëriu. Të dish të flasësh është një aftësi e rëndësishme, por edhe e vështirë për ta zotëruar. Njerëzit mësojnë që të vegjël të flasin, por të dish të flasësh si duhet është krejt tjetër gjë. Të dish të flasësh do të thotë të jesh folës i mirë. Kjo është e rëndësishme në të gjitha situatat ligjërimore të folësve , por rëndësi të veçantë merr në situatat zyrtare dhe kur flitet para një publiku me nivel, që vëmendshëm do të kuptojë atë që thuhet e gjykon mënyrën e të folurit. Ndërkohë që në strategjitë e të shkruarit të mos harrojmë se të dish të shkruash është një aftësi shumë e rëndësishme për jetën e përditshme, si në shkollë edhe në çdo mjedis tjetër familjar, zyrtar, pune, shoqëror , social etj. Por për të qenë një shkrues i mirë do të thotë të dish të shkruash një tekst të vërtetë, të saktë, të rregullt e koherent që është me të njëjtën linjë me situatën komunikuese.
Çfarë mësojmë në shkollë ?
Më poshtë , për të mos lodhur kontigjentin e lexuesve që s’tregojnë asnjë lloj interesi për gjuhën pasi, ose janë folës “shumë, shumë të mirë”, ose janë antonim jo i plotë i tyre, po sjellim fare pak shëmbuj nga më tipikët , kur rëndom në të folur dhe në të shkruar përballemi me shkelje të rregullave të mësuara në shkollë. Theksojmë edhe një herë , synimi i këtij shkrimi është ndihmesa qoftë edhe minimale për të pare të folurin dhe të shkruarin në raport me çka mësohet në programet mësimorë, për të reflektuar sado pak. Kujtojmë se, krahas njohurive për gjuhën në të gjitha klasat, në klasën e nëntë, në pjesën e dytë të “Gjuha shqipe” , ku jepen njohuri nga “Morfologjia” në rubrikën “Njohuri gjuhësore” (faqet 180-182) shtjellohet tema mëismore “Përemrat vetorë dhe trajtat e shkurtra” . Në hyrje të kësaj teme , në krye të faqes, të futura në korniza , jepen pesë objektivat dhe pesë qëllimet e kësaj teme. Midis të tjerave, madje të parat janë : Të mësojmë: – Përdorimin e drejtë në rasë, numër dhe vetë të përemrave vetorë dhe të trajtave të shkurtra e të bashkuara- që të arrijmë : Të përdorim në rasën, numrin dhe vetën e duhur përemrat vetorë dhe trajtat e shkurtra e të bashkuara. Pas rikujtimit se çfarë tregon përemri vetor i secilës vetë, në cilat rasa dalin trajtat e shkurtra dhe si formohen trajtat e shkurtra të bashkuara, ilustrimit me dy fragmente teksti, për të dalluar përdorimet e sakta dhe jo të sakta të përdorimit të trajtave të shkurtra në gjuhën e folur dhe të shkruar, jepen shëmbuj për gabimet që bëhen në përdorimin e përemrave vetorë dhe të trajtave të shkurtra në rasë, numër dhe vetë. Gabime në rasë: Shpesh në vend të trajtave të rasës emërore ose kallzore ne, ju përdoren trajtat e rasës dhanore neve, juve. E gabuar – Mendoj që neve duhet ta hedhim hapin e parë. (rasa dhanore). E saktë – Mendoj që ne duhet ta hedhim hapin e parë. ( rasa emërore). Gabime në numër : Shpesh hasen përdorime të gabuara të trajtës së shkurtër të rasës dhanore të vetë së tretë njëjës (atyre ) i në vend të shumësit (atyre) u. Kur kundrinori i zhdrejtë është një emër ose përemër në numrin shumës , edhe trajta e shkurtër duhet në shumës , pra u dhe jo i. E gabuar – Këto nuk i përgjigjen fjalëve që kam thënë unë. E saktë – Këto nuk u përgjigjen fjalëve që kam thënë unë. Gabime në vetë : Gabohet dhe në përdorimin e trajtës së shkurtër të vetës së tretë shumës (atyre u) në vend të vetës së dytë shumës (juve ju ose ju ju ) si dhe e kundërta . E gabuar – Juve u kam folur herë pas here, por nuk keni zënë mend. E saktë – Juve ju kam folur herë pas here , por nuk keni zënë mend. Ndërsa në “Kulturë gjuhe” (faqja 283), shkruhet : “ Të mësojmë : Ç’janë ligjërimet dhe stilet e gjuhës standard – që të arrijmë – Të dallojmë e të përdorim drejt në të folur e në të shkruar ligjërimet dhe stilet e shqipes standard”. Në këtë temë mësimi , sërish si në klasat e mëparshme, rikujtohet se gjuha shqipe e folur ka tre ligjërime dhe e shkruar ka katër stile: ligjërimin e shkujdesur, ligjërimin bisedor, ligjërimin libror dhe stilin e veprimtarisë shkencore e teknike, stilin e veprimtarisë shtetërore e administrative, stilin e veprimtarisë shoqëore e politike, stilin e veprimtarisë letrare dhe artistike. Për secilin rast jepen veçoritë dhe ilustrimet me shëmbujt përkatës. Nga klasa e tetë mjafton të përmendim te “Emrat” (faqja 159) përdorim e gabuar të trajtave të pashquara e të shquara , “Numërorët” ( faqja 171), tek të cilët vetëm numërori tre del në trajtën e gjinisë femërore tri shoqe dhe në trajtën e gjinisë mashkullore tre shokë. Në faqen 187 lexohet se ka disa mënyra për shkrimin e datës : muaji shënohet me fjalë, muaji shënohet me shifra arabe dhe ndahet nga data dhe viti me pikë, muaji shënohet me shifra romake dhe ndahet nga data dhe viti me pikë. Por po këtu te “Mbani mend” shkruhet : “ Nuk këshillohet ndarja e datës nga muaji dhe viti me vijë të pjerrët”. Nga klasa e shtatë brenda këtij shkrimi ia vlen të sjellim në kujtesë mësimin e faqes 194, ku ndër të tjera citojmë : “Përemrat vetorë të vetës së parë dhe të dytë nuk kanë trajta të vaçant për gjininë , pra ata përdoren si për gjininë mashkullore edhe për gjininë femërore. Përemri vetor i vetës së tretë ka trajta të veçanta për gjininë mashkullore dhe për gjininë femërore(ai/ajo, ata/ato)”. Gjykojmë se shëmbujt e mësipërm janë të mjaftueshëm për arritjen e qëllimit të këtij shkrimi. Pra me qenë se të gjithë arsimohemi , i kemi mundësitë për t’u bërë “folës të mirë” të gjuhës shqipe, ashtu siç e mësojmë në shkollë.
Dashuri me pantallona të shkurtra
Tregim nga Ilir Levonja/
Po përgatitemi për manifestimet e majit. Shirat kanë mbaruar. Zakonisht në këtë stinë më duket sikur jeta hapet. Të qeshurat janë të kumbueshme. Aq më tepër që vishemi edhe me ndërresa të reja dhe të lehta. Kur shkojë në shkollë kalojë mes katër kopshtijeve. I bie për shkurt. Tek kopshti i Vasos marrë bistakë bajamesh. Janë si thile, të gjelbra. Ta mbushin gojën plot ujë të freskët. Tek kopshti i Lekos marr kumbulla të kuqe. Tek ai i Bariut, trendafilë. Ka nga të gjitha llojet. Kuqalash kërmes. Të verdhë, rozë vocërrakë. Nga ata që lëshojnë papushim petale. Veç nga një marr, nuk bëj buqeta se pastaj më tallin shokët. Kurse tek Mali, zymbylë të blunjtë. Nga ato si me veshë lepuri.
Fqinjët i kam të mirë dhe nuk më thonë gjë.
Ndonjëherë qëllon që të zgjatem pa gajle se po më shikon apo jo ndonjë nga të shtëpisë së fqinjit. Një ditë Vaso po pinte kafenë më këmbë. Aty tek shkallët e verandës. Unë që erdha nga mbrapa, u zgjata të kap nja dy bistake. Ai u kollit. I zënë në faj mbeta me dorën në ajër dhe sytë nga ai.
-Këputi, këputi po ta dish se nuk ka bajame për tët’ëm në dhjetor. E de kur të bëjë bakllavanë e vitit të ri. Hajde ik tani se vonohesh edhe për në shkollë.
Unë nuk bëra përpara. Më erdhi ca turp.
-Burrë me pantallona të shkurtra, – vazhdoi ai duke qeshur.
I dolën në pah dhëmbët e rregullt por që ia kishte bërë si me vraga të nxirash tymi i duhanit. Ai nuk e hiqte cigaren nga goja.
Qesha dhe dhe unë. Megjithstë e mora atë dyshen që ma bënte me sy dhe ika me nxitim. Ushtrimet fillonin për dhjetë minuta. Më ra për pjesë të isha në vendin e parë për shkak të gjatësisë. Në fillim hezitova. Por kur pashë Sonilën në krye të rreshtit të vajzave, përbri meje. U mjaftova vetëm me një heshtje të thellë. Nga ato ku njeriut i pëlqen të dëgjojë se si i kumbon zemra brenda kraharorit.
Jam pesëmbëdhjetë vjeç. Nuk dua ta them. Më vjen turp. Por nuk e përmbaj dot dëshirën për të patur një të dashur. Nuk e di. Nuk e di me gjithë mend. A është mosha? A jam në kohë? Ndofta shumë herët për të menduar për njeriun e së ardhmes tënde. Pasi përpara janë vite e vite dhe kushedi se çfarë përvoje tjetër të ofron jeta. Megjithatë më pëlqen kaq shumë të fle herët, si e si në atë gjysmë terr, sidomos kur pullazet gjerbojnë me ujra të lëbyrta, për një botë tjetër, e cila duket se i ngjan vetëm atyre të librave, ose filmave ku ka një subjekt për t’u mbajtur mend. Por mua pikërisht librat nuk më pëlqejnë. Dhe për më keq akoma, nuk kam një shok me kë ta ndajë të fshehtën time. Si më quajti Vaso, burrë me pantallona të shkurtra. Po çfarë të keqe ka? Pastaj sikur nuk e di ai, që po përgatitemi për ushtrimet e manifestimit. Jo vetëm ne në shkolla. Kudo, i gjithë qyteti. Maji po afron. Edhe sheshet e ndërrmarjeve vlojnë.
Kur u futa në oborr, shkolla ishte rreshtuar. U vendosa në vendin tim. Sonila më buzëqeshi. I ofrova bajamen dyshe, si thile.
-E majta lart, e majta, dëgjon e majta, – bërtiti ai që drejtonte ushtrimin.
-Faleminderit, – më tha Sonila.
Unë vetëm sa i qesha. Më pas erdhi ora e mërzitshme e trigonometrisë. Sonila nuk më hodhi asnjë vështrim. Biles aq shumë po punonte me librin të thuash sikur kishte gjetur aty dashurinë e vërtetë. Në ato konvencione trekondorësh, këndi, katetet dhe hipotenuzën. Po me që ra edhe fjala. Që unë dua ta them. Në fund të fundit, me vete po flas. Por të paktën më duket sikur ia them dikujt tjetër. Dhe ke parë ti, që këto gjëra të shpëtojnë nga ndonjë akuzë e paparashikuar prej çunave të klasës. Po të më eci, do u them çunave pse bëni sikur nuk e dinit ju? Po nuk më eci, do u them, hë mo se shoqëri kishim me njëri-tjetrin. Por ju kot na i hapët namin. Por e vërteta është e vërtetë. Sonila nuk di asgjë që unë e dua. Të paktën derisa nuk i kam thënë asgjë. Veçse nuk e kam të vështirë të ndjejë atë që në raport me djemtë e tjerë të klasës. Asaj i pëlqen të rrijë më shumë me mua. Ndofta edhe ajo torturon veten si unë. Ndofta edhe jo. Por çfarë rëndësie ka?
Një ditë, Jurgeni më tha:
-Asaj ia ka qejfi me ty nga që i sjell lule baçja. Kështu është ajo, gënjëhet me vocërrima bebesh.
Kaq dhe asgjë më shumë. Kaq që atëhere. Mirëpo këtë vit, ai e ka marrë disi me seriozisht. Më ndjek me sy. Më ndjek kudo. Përjashta në oborrin e shkollës sidomos. Megjithëse Sonila pak vjen vërdallë. Do i dali ndonjë punë kabineti. A kushedi se çfarë. Gjithë kohën është e zënë. Tani ushtrimet e manifestimit, Jurgeni është i treti. Në krah ka Aidën. Edhe ajo e bukur është. Po ai mban sytë nga ne. Dhe çuditërisht, edhe pse shokë klase bashkë për vite e vite me radhë. Nuk u miqësuam prej vërteti. Edhe pse nuk e ngacmojë kurrë. Ai do gjej diçka tek mua. Mënyrën se si kam krehur kokën. Si jam qethur. Si jam veshur. Apo do më përqeshi kur them diçka. Kur diskutojmë në klasë. Si e si të uli, që të tjerët të qeshin. Por unë nga që e kam kuptuar me kohë se, të gjitha i bën nga inati që Sonila nuk ia var. Ose nuk afrohet me atë si me mua. Ndofta është zgjedhja e saj që e ka bërë atë si të thuash armikun tim.
Pasi mbaruam ushtrimet drejtori na tha përmes mikrofonit se nga e nesërmja do i vazhdonim përgatitjet në stadiumin e qytetit.
-Do visheni me uniformë, që ju kemi thënë të përgatisni, blu me të bardhë. Dhe shallin e kuq rreth qafës. Kurse në këmbë këpucët më të mira që keni, – tha ai.
U futëm brenda për të filluar mësimin. Tek shkallët kryesore, ai më vuri pengesë nga mbrapa. Dhe unë gati sa nuk theva dhëmbët. Mu errën sytë dhe në të e sipër vura re se më doli gjak nga hundët. Shkova gati me vrap në banjo. Aty u pastrova, por gjaku nuk pushoi. U detyrova të mbaja kokën lart për dhjetë a pesëmbëdhjetë minuta.
Nga darka nxorra uniformën. Vendosa me kujdes bluzën e bardhë sipër krevatit, pantallonat shkurtra. Dhe këpucët e llustrafinit nga poshtë. I mbaja me një valixhe kartoni, për raste. Këto këpucë i bleva para një jave. Me lekët e mia. Deri kavanoza qelqi shita.
Vonë pas mesnate ra një shi i dendur. Me gjëmimeme dhe shkrepëtima. U ngrita i trembur. Dhoma zbërdhylej herë më herë. Dridheshin xhamat. Sqota rrihte dritaren. Përballë kisha dollapin e madh. Dhe aty në pasqyrë shfaqesha gjysmë gafil dhe i habitur.
-Çfarë është ky kismet, -thashë me vete.
Ai në pasqyrë, humbi në errësirë. Pastaj kur shkrepëtiu vura re se nuk ishte aty. Preka trupin tim. E ndjeva veten, por u kujtova që isha futur në shtresa. Ndaj në pasqyrë reflektoi vetëm shtrati me kurrizin prej batanije ushtari.
Errësira është një libër që nuk lexohet, por shikohet. Shikohet faqe më faqe si në një film. Veçse me ndryshimin që ngjarjen, rrjedhën, fundin e saj njeriu e stis si ia ka qejfi. Natyrisht me një fund të lumtur.
Të nesërmen u zgjova me një diell brilant. Por duke e ditur se për shkurt, nga kopshtet e fqinjëve nuk kaloja dot. Dhe se rruga duhej të ishte akoma e lagur, i vendosa këpucët në një çantë qese. Nga ato me pejzazhe që kishin filluar të ishin në modë. Vesha këpucët e vjetra. Dhe nxitova.
Kur po afrohesha tek stadiumi, më zuri rrugën Jurgeni. Gjysmë me të tallur, gjysmë me të shtyrë. Më hodhi keq në një pusetë. U tmerrova nga dhimbjet dhe nuk e di se ku më fluturuan këpucët. U përmenda në spital dhe aty mësova se kisha thyer këmbën e majtë, afër kaviljes.
Qe viti më i zi për mua. Humba ushtrimet, shkollën dhe e kalova verën me paterica. Në shtator dhashë për vjeshtë, më shumë formalitet pasi mësuesit e kishin ndarë mëndjen për notën, provimet e pjekurisë. Gjimnazin e fillova me vonesë. Por e dija. Sonila nuk ishte me ne. Nuk ishte aty. Familja e saj qe transferuar në veri, në një qytet të ri. Që e kishin ndërtuar krejt nga e para, pasi ai vjetri po fundosej në ujrat e një liqeni të madh. Kurse Jurgeni më në fund ndërroi mëndje. Dhe u bëm shokë të mirë.
Nga ajo kohë ka kaluar tanimë mbi tridhjetë e kusur vite. Jetoj në Athinë, si emigrant. Jetoj vetëm fare. Pasi Zoti nuk më dha shancin të gjeja edhe unë gruan e duhur. Eshtë budallallëk ta thuash, sepse as vet nuk e di se çfarë lloj gruaje dua. Dhe nganjëherë dërrmohen duke ftilluar një pyetje, gruaja është ajo që do dhe si e do ti? Apo është thjesht grua si gjithë të tjerat. Që ha, shkon në banjo, lahet, etj. Me një fjalë siç do të jetë ajo. Ashtu siç do të jesh edhe ti. Dhe ndofta fakti që kësaj mëdyshje nuk i ka ardhur fundi. Unë do vazhdoj përjetësisht, më shumë të mendojë, se sa të kërkojë të jetojë me një grua.
Dola përjashta me xhepat mbushur.Kam vite që kursej. Sot të vëje ku të vej. Kam edhe ditëlindjen. Se sa vjeç jam. Nuk po ua them. Por mjafton të t’ju kujtojë se pi ilaçe tensioni. Megjithatë u kënaqa. U futa në një tavernë. Dhe piva uzo, hëngra gjiro me pite e xaxiqe sa u shëmba. Piva dhe qerasa. Nja dy djem rusë me që një shoqja e tyre më ngjasoi me Sonilën e dikurshme. Nuk e dini se, burri është gjëja më e shpifur kur qeras me interes kësisoj, por më fisniku pasi e bën në emër të zemrës së mirë. Kështu edhe unë. Dhe me që nuk banoja larg nga aty. I mora rrugicat e mëhallës që i thonë Plakat, më këmbë. E dua Athinën. Nuk ngopem ta jetojë. Ndaj ndala edhe diku tjetër. Ktheva një uzo me gotë të gjatë.
Në mëngjes u çova me përtesë. Ndjeva se dikush fëshfëritej tek dera. U afrova dhe e hapa. Çfarë të shikoja, një alamet kutie e mbështjellë për bukuri rrinte sus. Përsipër flinte macja e fiqnjës. E mora dhe e hapa me kujdes. U drodha sikur të më kishte zënë korenti. Gjeta një palë këpucë llustrafini dhe një kartolinë ku më uronin, u bëfsh edhe 100.
Besoj se e merrni me mend kush m’i solli. Dhe që t’ua shuaj kuriozitetin, unë e gjeta Sonilën. Ne u gjetëm. Tani ajo është gruaja ime, ndofta edhe për faktin se unë ndalova së arsyetuari se si, e qysh, duhet të jetë një grua. Tani unë mendoj se gruaja duhet jetuar.
- « Previous Page
- 1
- …
- 281
- 282
- 283
- 284
- 285
- …
- 312
- Next Page »