• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BLETET, MJALTI, ARIU DHE NJERIU

September 24, 2015 by dgreca

Tregim nga Agim Xh. Dëshnica/

Lart  në krahun e majtë  të rrugës me pisha e plepa, që merr përpjetë për në Parkun e madh të Tiranës, në një sop nga  duket liqeni  dhe kodrat përballë, në dy stola të drunjtë rrinin ulur tre burra të thinjur, Lani, Nasi dhe Rudi. I pari  tregoi gjatë e gjerë  rreth  trimërive të tij kundër italianëve, kurse i dyti për heroizmat e veta kundër  gjermanëve. I treti, ishte kundër luftës, megjithatë dëgjonte me vëmendje, habitej e buzëqeshte me ato ndodhi, sa të rrezikshme aq, edhe të pabesueshme. Papritur,  mbi kokat e tyre kaloi duke zukatur një grenxë e verdhë. Rudi e pa tek ndaloi mbi një gur.

-Ky insekt  kriminel – tha- të pickon, edhe pa e trazuar e s‘e gjen gjë. Në ato çaste iu kujtuan bletët  fisnike e punëtore, ndaj vijoi:- ndryshe nga grenxa bleta të thumbon, kur mbron zgjoin, por pas pak, humb jetën!-  Rudi mandej nisi të  fliste  për  mjaltin, për ariun e njeriun: – Dikur  bletët jetonin në pyje me mare plot me lule. Zgjojet i ndërtonin nën tokë si milingonat ose në humnera si shqiponja! Këto soj bletësh trupin e kishin. më të madh. Fshatarët i quanin brumbuj. I pari që pat shijuar mjaltin e tyre ka qenë ariu i murmë.  E kam parë me sytë e mi, kur bridhja vetëm pyjeve me çifte në dorë. Pas ariut u mësua edhe njeriu, por ky më i zgjuar se ariu i zbuti dhe i strehoi në zgjoje pranë shtëpisë.

-Si shumë guximtar paske qenë!– tha Lani i habitur.-. Deri më sot  s’më ka qëlluar të shoh ari, duke ngrënë mjaltë.

-Vertet, çuditem edhe unë!- shtoi  Nasi –  Dhe jo vetëm kaq, por kohet e fundit  ti,  sikur shumë i ditur po na del. Në çfarë librash apo gazetash,  i ke lexuar histori të tilla, aman?

-A keni qenë ndonjëherë në fshatin Shënavlash të Elbasanit?

– Elbasan? Unë njoh vetëm Shënavlashin e Durrësit- tha Lani.

-Edhe unë!- vijoi Nasi.

-Mjalti si mjalti-thonë në atë fshat malor.  A keni nuhatur erën e luleve të mareve? Po  kokrat  e kuqe ai keni shijuar?  Po rakinë prej tyre?

-Maret po,  ndërsa  rakinë jo! – u përgjegjën njeri pas tjetrit dy miqtë e tij.

-Nëse kthen një gotë  raki mare, përvëlohesh, hëngre mjaltë prej luleve të tyre, bëhesh esëll dhe shërohesh.- Rudi  hapi  revistën “Flaka”, të mbështjellë tub e pyeti-  Për të mësuar më shumë, a doni një tregim nga shkrimtari Isuf Kodra, botuar në këtë rrevistë.

-Përrallë?- pyeti Lani.

-Ç’ne!  Eshtë ngjarje e vërtetë!

– Mirë, lexoje, por me zë burrash që  ta dëgjojmë mirë, sepse jo vetëm sytë, por edhe  veshët po na lënë-  tha  Nasi duke qeshur.

Para se të fillonte Rudi, morri frymë thellë:“Në një fshat nën hijen e Tomorit, na ishte një Pertef. Ky Përtefi, na qenkej pak si hamës ëmbëlsirash. Qysh në kohën e gjermanëve, kur nuk pat mbushur  edhe dymbëdhjetë vjetë,  i pëlqente mbi të gjitha, mjalti i bletëve.  Në atë kohë lufte, ai me shokë ruante dhitë e fshatit në pyjet me mare. Herë pas here nëpër livadh pikasnin papritur  tek brofnin e fluturonin lart bletët e egra. Rrëmonin me kujdes  e gjenin nën tokë foletë e tyre e kënaqeshin me mjaltë. Pastaj i mbulonin për vitin e ardhshëm.

Pas luftës, Pertefi u rrit e na u bë drejtues i rinisë. Ke parë ti? Sado u lodh nëpër fshatra, pyet këtu e pyet atje, hë në një shtëpi, hë në një tjetër, megjithatë për drekë a darkë, i shtronin vetëm dhallë e supë me grosh e pak bukë. Mjaltë asgjëkundi! Në mëngjes ngrihej i mërzitur e ia mbante për në fshatin  tjetër. I pat rënë në vesh se mjaltë të mirë nga bletë zgjojesh kishin kulakët, por Pertefi as në hijen e manit nuk u qasej, se, siç thoshnin,  syri sheh e lajmi fluturon në Komitet. Po ndërgjegjja? Kjo ia shtonte më tepër mërinë ndaj  kulakëve .

Një ditë prej ditësh, djaloshi ra në mjaltë. Në një fshat të humbur,  në shtëpinë e Kapo Sadushit, i shtruan  pëpara një poçe me mjaltë dhe pak bukë. U gëzua Pertefi sa s’ka. Ha e ha me lugë druri, saqë bukën e harroi. Djali i vogël i shtëpisë, ulur shesh përballë, e vështronte syshqyer tek mbushte lugën, e kalonte ngadalë midis buzëve, i lëpinte me gjuhë e kënaqej  me atë mjaltë bletësh të egra.

Kur mjalti  në poçe po mbarohej, Pertefi pyeti.

-Or çun- sa mjaltë keni marrë këtë mot?

-Tre qypa, dy me mjaltë bletësh nga zgjojet, një të vogël me mjaltin e brumbujve.

-Vërtet?

-Po, po!  Në qypin e vogël babi gjeti dje në mëngjes një mi të ngordhur.

Pertefi sa s’ulurti. I zemëruar sa s’ka, lugën e flaku tej, ndërsa poçen e përplasi në mur. Pastaj nuk u ndje mirë, i vinte  për të vjellë.

Çuni brofi në këmbë dhe vrapoi duke thirrur:

-O babi! O babi! Ai miku e theu poçen e këlyshit!“

* * *

Rudi e mbylli revistën:-Me kaq tregimi  i shkrimtarit tonë mbaroi, veçse unë di histori më të gjata me ujkun e uritur, që pasi ulurinte natën, linte pyllin e sillej rreth shtëpive e staneve pa bagëti. Erdhi një kohë kur ai i gjorë ose kaloi kufirin ose u zhduk. Tani çohuni se po afron dreka. Na presin gratë në shtëpi.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh Deshnica, ARIU DHE NJERIU, BLETET, MJALTI

Një “lodër” në kohë të shkuar

September 23, 2015 by dgreca

 Tregim nga   Përparim  Hysi   /

 Ndodh, nganjëherë, që futesh në një “lodër” ku nuk ke dashur të luash. Futesh dhe, mandej, zë e luan si lojtar titullar. Siç thuhet  me gojën e popullit: jep një grosh dhe hyn në valle dhe jep pesëqindë e nuk del dot. Kështu ndodhi  dhe me  mua.
      *   *   *  
Këtë histori ma tregoi Behari, një kolegu im. Unë do mundohem që ta sjellë,sadopak, ashtu siç ma ke treguar ai.” Qeshë emëruar në fshatin N…  Aq larg qe nga vendbanimi im,sa, po ta bëja rrugën të gjithë në këmbë (atëherë makinat  qenë të rralla fare), do të doja, pa frikë, një ditë të tërë. Sado që më kishin emëruar larg ( në fshatin tim kish mësues jabanxhinj), do të paraqiteshe në punë, me domosdo. Ndryshe, po mos zbatoje vendimin e komitetit ekzekutiv, pushoheshe menjëherë. Dhe unë si prifti që zuri e kërceu nga belaja, u praqita në punë. Atë natë, përkohësisht, këshilli i fshatit më caktoi të flija tek një fshatar. Qenë vitet ’60-të dhe fshati qe kooperativë. Atje ku bujta atë natë, s’kam se si mos vë në dukje pritjen babaxhanëshe ( me këto që na ndodhen…) dhe,pa dyshim, varfërinë që binte mirë në sy. Sidoqoftë, që të nesërmen m’u caktua  si godinë për të fjetur, një banesë që dikur kish shërbyer për një ushtarak që kish shërbyer aty, në vijën kufitare-detare. Pak kish qëndruar ushtaraku aty dhe,meqë ndërtesa qe bosh, më  strehuan mua. Nga shkolla ku jepja mësim, nuk qe fort afër, por kush po ta qante hallin, në ishte afër apo larg. Majfton që të futje kokën,se, sa për ushqim, ishte mensa e kooperativës që qe, pothuaj, ngjitur me shkollën.
Meqë dhoma e fjetjes ishte goxha larg, unë, dhe pasi haja drekën, kthehesha në shkollë dhe,aty, ose lexoja për qejf tim, o shkoja tek “Vatra e kulturës” që,edhe kjo, ishte po ngjitur me shkollën. Parë me një sy të kthjellët, kohën e kisha me pashë. Po si riosh që isha,e jetoja “këtë kohë me pashë”,si ta kisha me tepricë. Më kish gjetur si me atë personazhin gazmor të rrëfenjave popullore që e shpotitin me” ku leh qen e ku del tym/ ku ia bën daullja bym!. Them tani që po  rrëfehem, i tillë do të ketë qenë dhe ai si unë. Kur them kështu, nuk flas kot. Më gjeje o tek fusha e sportit, o tek vatra e kulturës dhe, pa tjetër, në gjithë veprimtaritë artistike që zhvilloheshin në fshat. Dhe mos kujtoni se bëheshin pak të tilla. Mjafton që  dikush nga rrethi të vinte për “inspektim” dhe ky, dikushi, do kalonte mbrëmjen në fshat, atëherë “për nder” të tij, binin daullet. Daulle vërtet nuk kishte, po kishte orkestër fshatçe dhe luante qeni i  kallajxhiut. – Kemi “ballo”, ndajnate,- dëgjoja që i thoshin njëra-tjetrës ato, kooperativistet. Ndajnate apo në mbrëmje, po kur t’i shihje si ato “modistet” e sotme që nisen për sfilatë, me të vetmin ndryshim: pa tualet fare. Ashtu siç vinin nga puna dhe, ndonjëherë, edhe me rrobat e punës. As që u bënte përshtypje fare që në  një “ballo” do ndryshuar pak garderoba! Po për ç’garderobë flas dhe unë, ku nuk skuqem fare tek rrëfej  për një të vërtetë që sot duket si e përçudur. Kishte prej tyre që vinin dhe zbathur. Dëfrenin për shtatë qejfe (sikur gjithë punët i  kishin në terezi) dhe, në ndodhej aty kryetari i kooperativës (qejfli i  madhe dhe për këto “ballot”) dhe t’u bënte thirrje që,ashtu siç  ishin në “ballo”, të niseshin për aksion (ta zëmë për thyerje misri). pa ngurrim do niseshin drejt dhe  atje. Ç’të tregoj, i kam parë me sytë e mi. Por mos harroj vetëm një gjë: vërtet fshati ku më emëruan mua qe larg e larg, mërguar/ tri male kaptuar (mbi 30 km larg nga Fieri dhe, po t’i shtosh faktin që unë shtëpinë time e kam diku në kufi me rrethin e Beratit), por një gjë duhet ta theksoj: tek ky fshat i largët ( mes shokësh, thosha:-Më kanë caktuar në një fshat ku ndajnë paratë hajdutët!), të gjitha femrat qenë të bukura,sa të binte syri kllap përdhe. Aq më tepër, në sytë e mi, ato  tek shkonin në punë apo dhe në punën e tyre, seç kishin një rrezatim si pak magjik. Epo i riu, si veriu. Mandej, për të qenë  pak më i drejtpërdrejtë, sa të bukura qenë,aq intimitet të jepnin. Ndonjëherë, tek i bëja qejfin vetes, thosha:- Ato  vdesin për mua!!! Epo kjo këndellja ime prej axhamiu vërtet tani ta çon gojën vesh më vesh, por unë flas për një kohë kur merrja fluturim.
                                    *    *    *
-Ka ” ballo” ndajnate,- më tha Zariku.  Kaq qe mjaft për mua. Duke pritur për “ballo”, organizova një  ndeshje futbolli me nxënësit e shkollës dhe,aty, afër mbrëmjes, shkova në “ballo”. “Balloja” bëhej tek lëmi i fshatit, ku në mungesë të korentit, kishin vënë dy “petrogazë” dhe, sa orkestra kurdisej, Zariku, njoftonte:- I thonë “tango”, kësajta! Dy çapa para dhe një më mbrapa! 
Oho,- dalldisi kryetari qejfli,- qo “laço” qenka si ajo vepra e Leninit.  -Tunde,Zarik!  Se Zariku qe violinisti i orkestrës dhe  hiqej dhe si dirigjent. Epo dirigjent,- i thënçin. Unë në ato “ballo” qeshë si ai djali i njerkës që hante dy vezë. Sa lija njërën nga ato valltaret, kapja tjetrën dhe u nxirja ujtë e zi ballove. Po jo vetëm “ballove”. Si pak djall që isha, pothuajëse secilës prej tyre, i bëja propozim. Me demek, jam dashuruar me ty dhe bjerë e vdis. Se,helbete, isha i “sërës” së lartë unë  dhe kisha parë botë me sy. Ato, pse do ta bëj hasha,asnjëherë  nuk ma prishën ajkën duke më zënë besë. Kjo nodhte jo se unë bëja vezën e kuqe apo se isha ndonjë bukurosh që nuk kishte shokun, por duke më parë me një profesion të lakmueshëm për kohën, mendonin se mund të shpëtonin nga zgjedha e fshatit. Qe pak lojë me zarar kjo imja. Ishe si të luaje me zjarrin. Po mua,aso kohe, më rrinte sahati tetë dhe as  e vrisja mendjen për pasojat. Vërtet kështu qe, por jo gjithmonë të shkon kungulli mbi ujë. Se më ndodhi  si me atë historinë e katruves: vete çdo ditë  me të për ujë dhe, një ditë, të mbetet bishti në dorë.
                                      *       *      *
Kështu ndodhi dhe me mua. Pas “ballos”, një natë, tek po shkoja tek dhoma e fjetjes, më kish zënë rrugën Ura! Kur them Ura,e kam fjalën për Uraninë. E bukur qe si ruspë dhe unë në një nga “ballot”, i paskam propozuar. Ajo, pa vënë re, në  e kisha seriozisht atë “propozimin”, më kish zënë pritë dhe donte të ndante fjalën:-Po apo jo?
Sado natë, u befasova nga një “pritë” e tillë dhe rruga m’u duk si me gropa. Më duket se po korrja  atë që mbolla. Doja ta largoja, si pak me politesë Urën, po nuk largohej lehtë ajo. Tani jo vetëm nuk po kërceja “ballo”, po ndjeja sikur po më shkelte dikush në kallo. Mbaj mend që i thashë:- Urë, unë të dua, por ç’e do: unë jam mysliman dhe ti je e krishtere. Po Ura nuk qe dhe aq e pagojë dhe ma këputi si me sëpatë dardhari:-Pse atje, në “ballo”, nuk ishe mysliman ti? Nuk kisha se nga mbaja. Ngeci, karkaleci! Atëherë si për ta bërë pak më të lehtë atë “dhëmbjen mbi kallo”, i premtova Urës se, pas pak kohe, do ndërhyja tek prindërit e saj për ta marrë për grua. Natyrisht, kjo qe vetëm një “lodër” imja,sa për të fituar pak kohë. Dhe në gjithë këtë histori ku “sherrin” e kërkova vet, ja se si ndodhi më vonë.
                                      *    *    *
Kur i premtova Urës, shkollës, për atë vit, po i vinte fundi. Unë  kisha tri vjet aty, tek fshati i “ballove”, dhe kisha kërkuar transferim. Për fatin tim të mirë  dhe të keq për Urën, gushtin e atij viti , kur fillonte viti i ri shkollor, mua më transferuan në fshatin tim. Po atë vit dhe u martova me një mësuese, të njohur prej kohësh. Me fshatin e “ballove” nuk më lidhte më gjë dhe,siç kuptohet,as me Uraninë që e “mashtrova”. As që do ta tregoja këtë histori, po të shkonte deri këtu. 
                                     *     *     *  
Kur takoja ndonjë të njohur,ashtu si me terezi pyesja dhe për Uraninë. Nuk e di pse më mori dreqi  mendtë dhe e mashtrova, kur fare bukur mund të qe bashkëshortja ime. Epo thashë se mos do ta shoh më.  Kur shtrova timeshoqe për lindjen e dytë, në maternitetin e Fierit, po prisja të më  njoftonin për lindjen. Jam befasur dhe gati u hodha përpjetë, kur një mami kërkoi, të shoqin e Teutës (Teutë quhet imeshoqe).- Kush është i shoqi i Teutës?- pyeti mamia.
-Jam unë,- u përjgigja flakë për flakë.
Ndërsa ajo zgjati kokën përmjet sportelit, unë nuk e doja veten më. Mamia që më jepte lajmin e gëzueshëm që imeshoqe kish lindur djalë, ishte Ura! Ajo, sa më pa, u bë  e kuqe flakë dhe mua sa nuk më  ra materniteti mbi kokë.
-Jotshoqe ka lindur djalë,-tha. Dhe iku sikur të kishte bërë faj. Mua më doli gëzimi nga hundët dhe, sa herë  e kujtoj atë”lodër” të kohës së shkuar, pezmatohem dhe mrolem nga një faj që nuk ia fal vetes kurrë.
 
 
                                 Tiranë, 23 shtator 2015

Filed Under: LETERSI Tagged With: Një "lodër" në kohë, perparim Hysi, të shkuar

POETI BASRI ÇAPRIQI – LAUREAT I ÇMIMIT “NAIM FRASHËRI”

September 23, 2015 by dgreca

Nga Artan Arsllani/

Fitues i çmimit të madh “Naim Frashëri” i Edicionit XIX të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” është poeti I njohur shqiptar, Basri Çapriqi. Ky është vendim i Jurisë së Festivalit i përbërë nga poeti dhe studjuesi Salajdin Salihu (kryetar), poetët Ndue Ukaj (anëtar) dhe Haxhi Shabani (anëtar). Drejtoria e Festivalit, gjithashtu ka shpall laureatin e sivjetshëm edhe Anëtar Nderi të Festivalit. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 15 – 18 tetor 2015, në qytetin e Tetovës.

Kjo u bë e ditur në një Konferencë shtypi të mbajtur më 22 shtator në Qendrën Kulturore në Tetovë, nga drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu dhe kryetari i Jurisë së Festivalit, Salajdin Salihu. Në fillim, drejtori Emërllahu tha se, Çmimi i madh letrar “Naim Frashëri”, jepet me motivacionin “Për vlera të larta artistike” poetëve nga mbarë bota. Këtë çmim më herët e kanë marrë emra të njohur të letërsisë shqiptare dhe asaj të huaj, si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Ali Podrimja (Kosovë), Fatos Arapi (Shqipëri), Lionel Ray (Francë), Abdelatif Laabi (Marok), Eva Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë), Craig Czury (SHBA), Athanase Vantcev de Thracy, Sebastiano Grasso (Itali) etj.

Drejtori i Festivalit, në vazhdim lexoi deklaratën, të cilën laureati Çapriqi, ia dërgoi Drejtorisë, me rastin e marrjes së çmimit letrar “Naim Frashëri”. “I dashur Shaip, jam shumë i nderuar që juria profesionale ka vendosur që çmimin kryesor të Festivalit, “Naim Frasheri” për këtë vit të ma japin mua. Falenderoj Jurinë, si dhe Drejtorinë e Festivalit për këtë nder që më bëhet, duke më futur në një shoqëri emrash të respektuar laureatësh të këtij Festivali. Uroj që ky edicion të ketë sukses. Mirupafshim në hapjen e Festivalit, Basri Çapriqi”.


Kryetari i Jurisë së Festivalit, Salajdin Salihu, paraqiti motivimin e dhënies së çimimit letrar “Naim Frashëri” të FNP “Ditët e Naimit”. “Basri Çapriqi është zë i veçantë dhe origjinal në poezinë e sotme shqipe. Ai është poet i vetëdijes postmoderniste dhe i diskursit urban. Poezia e tij është shumështresore, e shumëkuptimshme dhe shumëdimensionale, e cila na shpalos përmasa të ndryshme ekzistenciale dhe gërsheton motive që ndërlidhen me aktualen, mitiken, intimën njerëzore dhe përfiton dimensione universale. Basri Çapriqi është njër ndër poetët më cilësorë të sistemit poetik shqiptar”.

Ai më pas lexoi një biografi të shkurtër të fituesit, ku theksoi se, Basri Çapriqi ka lindur në Ulqin në vitin 1960. Ka mbaruar shkollimin e mesëm në Ulqin. Në Universitetin e Prishrinës ka studiuar letërsi shqipe, ku ka marrë gradën magjistër i shkencave filologjike në vitin 1988. Në vitin 2004 merr gradën shkencore Ph. D. në  Prishtinë në fushën e shkencave filologjike. Punon profesor  në Universitetin e Prishtinës, ku ligjëron lëndët; Stilistikë, Semiologji dhe poezi bashkëkohore. Poezitë e tij janë përfshirë në shumë antologji të poezisë shqipe dhe në antologji të poezisë bashkëkohore në gjuhë të ndryshme. Poezitë i janë përkthyer në anglisht, frengjisht, gjermanisht, rumanisht, polonisht, serbokroatisht, turqisht, arabisht, maqedonisht. Është Kryetar i PEN Qendrës së Kosovës dhe njëherit themelues në vitin 2004. Ka qenë Kryetar i Bordit të Universitetit të Prishtinës, kurse nga viti 2012 është anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.

Shkruan poezi, kritikë letrare, ese, publicistikë. Ka botuar shtatë përmbledhje me poezi dhe pesë libra me kritikë letrare dhe studime. Librat më të njohur me poezi janë: “Ulli me dymijë unaza”, “Ma qet gjuhën”, “Frutat bizare”, “Zbutja e gjarprit”, “Përkryrja e shiut”. Librat me kritikë: “Mikrostruktura e tekstit”, “Simboli dhe rivalët e tij”, “Paradigma kadareane” etj.

Ka marrë disa çmime letrare për poezinë e tij: Çmimi i Mitingut të Poezisë në Gjakovë (1996, 2007), Çmimi Vjetor i Art Club, Ulqin,  Çmimi Lasgush Poradeci, Shqipëri (1992), Medalen e Argjendët, në kompeticionin për poezi në Internacional Saloon of The Academie Europeenne Des Arts, Bruksel (2007).

Në fund të Konferencës, drejtori Shaip Emërllahu, theksoi se, në edicionin e sivjetëm të Festivalit kanë konfirmuar ardhjen 36 poetë nga vende të ndryshme të botës, si: SHBA, Argjentinë, Kolumbi, Meksikë, Kanada, Japoni, Angli, Danimarkë, Gjermani, Francë, Itali, Poloni, Izrael, Greqi, Armeni, Maroko, Slloveni, Bullgari dhe poetë shqiptare nga Diaspora, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Programin e këtij edicioni pritet ta karakterizojë një përmbajtje e larmishme kulturore e letrare. Kështu,  në kuadër të tij, do të mbahet disa lexime poetike, do të hapet një ekspozitë pikturash, do të promovohen libra, do të vizitohen lokalitete kulturore dhe historike etj.

Tetovë, 22 shtator 2015

Filed Under: LETERSI Tagged With: “DITËT E NAIMIT”, Artan Arsllani, Basri Çapriqi.

Dritëhijet e Njeriut

September 18, 2015 by dgreca

(Shënime për librin me tregime “Rrëfime në hije” të Ramiz Gjinit)/

Nga Agim Baçi/

Një lëvizje dore, aq sa për të pulitur sytë. Por më pas, e gjithë qenia jote, mjafton të rrotullohet rreth atij çasti. Të tilla vijnë tregimet e Ramiz Gjinit, si një shigjetë, drejt e te Njeriu, i cili më pas duhet t’i bëjë vend brenda vetes gjithë atyre çasteve që e kërkojnë atë kudoqoftë ai. Gjini ka ndezur “kandilin letrar”, duke sjellë disa tregime që të mbajnë gjatë në melodinë e tyre, sepse e gjithë muzika kërkon shpirtin njerëzor, kërkon atë çfarë na shkakton lëvizjet tona të brendshme për të njohur vetveten, që na tërheq e na ndal përballë vetes dhe përballë tjetrit.“Ne kishim të gjithë një kokë së bashku dhe e donim njëri-tjetrin ashtu siç e donte secili veten. Mendimet na puqeshin mrekullisht dhe flisnim të njëjtat gjëra njëherësh. Madje, ne shikonim të njëjtat ëndrra, dhe, kur ndodhte që i rrëfenim mëngjeseve, korrigjonim njëri-tjetrin për detaje të vogla që na shpëtonin pa i kallzuar. Ne i tregonim ato edhe pse e dinim, që të gjithë bashkë kishim parë të njëjtën ëndërr. E bënim këtë, thjeshtë, sepse ashtu na pëlqente. (Shkëputur nga tregimi “Isaku, vëllaçkoja ynë i vogël”, përmbledhja “Rrëfime në hije”, f. 9)

Stuhia dhe fëshfëritja qëndrojnë bashkë, në një frymë, duke ardhur përmes një stili elegant, ku asgjë nuk qëndron tepër, e ku duket se fundi e fillimi janë thjesht për të ndalur takimin me tregimin e radhës, por jo për meditimin që ai nis të krijojë në kokën tonë. Ka humor e ironi, por në asnjë çast dorëzim për jetën. Kur Lef Kuka, personazhi i tregimit “Frika”, nis e kupton se mospërballja në çastin e duhur kish shënuar vdekjen e tij më parë se të mbyllë sytë, është vonë. E për çfarë na duhet guximi nëse nuk mundëm ta përdornim atëherë kur ajo na u kërkua? Veçse të mbyllim sytë e të pranojmë që ajo, vdekja tjetër, e trupit, të vijë sa më parë, ashtu siç lutet personazhi i tij që pas mosguximit pa se kishte ikur nga kjo botë. Pas tij, personazhe të tjerë vijnë e trokasin në imagjinatë, për të ndërtuar njeriun, atë që s’ka rëndësi se ku jeton – në Tiranë, Nju Jork, Nju Dehli, Toldeo, apo në një fshat të Dibrës ku Elbaroza (personazh i tregimit “Dërgesa e Zotit”) mbetet hija e asaj apo atij që kemi dashur të qëndrojë krah nesh pafundësisht.

Mes së pamundurës për të ikur për më tej dhe së shkuarës mbeten gjithnjë labirinthe që kërkojnë përgjigje. Luis Medina, një personazh i përsëritur, është ai që kërkon ta ndalë kohën përmes dashurisë. E di që ajo është e vetmja kohë që mundet të mbetet ashtu siç e kemi dashur dhe e vetmja që na pranon ndonjëherë siç jemi kur trokasim në derën e saj.

“Tashmë që gjallnimi më ka lënë dhe drita e jetës ka ngelur si ajo xixa që sapo ka filluar t’i dalë fjolla e hollë e tymit, kam nisur t’i mas gjërat me një logjikë universale; ngase vdekja nuk më erdhi në kohën e duhur, ia kam kthyer asaj shpinën me zemërim e shpërfillje të plotë. Me aq frymë sa më ka mbetur, kam nisur çapitjen rrugës nga kam ardhur duke shkelur nëpër kohë gjurmëve që kam lënë”. (Shkëputur nga tregimi “Posta që sjell era”, përmbledhja “Rrëfime në hije”, f.20)

Loja me vdekjen, kujtesën, dashurinë, frikën, vijnë përmes një loje që të sjell ndërmend tregimtarët e ashtit, ata që kanë ditur edhe ta lexojnë por edhe ta porosisin “rrugën e njeriut”. Një vetëironi me një finesë Gjini e ndërton me shkrimtarin, në tregimin “Kur heronjtë flenë”, duke sjellë përballjen me botën “përmes shkopit kokës” – një metaforë e gjithë realitetit, të cilit duhet t’ia gjejmë anën që e rrok njerëzoren, atë që duhet të themi me zë të lartë për të tjerët e që ta mbajmë mend për veten.

“Ana Luigji”, personazh i tregimit me të njëjtin titull, sjell fytyrën që lë frika ndaj asaj që kemi paragjykuar, që ka lënë shenjën e së keqes e që na merr frymën edhe kur kërkojnë të na thonë se “ishte thjesht shaka”. Ndërkohë që dashuria vjen e “nxjerr të shkuarën e paharruar”, si një mace e zezë,  te tregimi “Gruaja e huaj”. Më pas “Ara e pakorrur”, “Shpirti i shtëpisë së vjetër”, “Lule në varrezë”, “Plagë lulezonje” vijnë e plotësojnë atë grafikë të rëndësishme mes botëve, duke e kërkuar atë që na duhet, që nuk fshihet as pas qepallës së mbyllur e as pas kohës së grisur në kalendarët e varur në mure.

Këto e një galeri personazhesh e skenash që të mbeten në mendje, për stilin dhe finesën, e sjellin Gjinin përmes 19 tregimeve me një forcë të jashtëzakonshme në mrekullinë e prozës së shkurtër. Aspak për të mbetur “rrëfime në hije”.

 

Filed Under: ESSE, LETERSI Tagged With: Agim Baçi, Dritehijet e njeriut, Ramiz gjini

LEPENICA,NJË JETË E SHKRIRË PËR ÇAMËRINË

September 18, 2015 by dgreca

LEPENICA,NJË JETË E SHKRIRË PËR ÇAMËRINË OSE FAKTOLOGJIA E NJË LIBRI SHTERUES TË ENVER MEMISHAJT/
NGA QAZIM SHEHU/
Studiuesi Enver Memishaj, me kohë po e përvijon dhe plotëson portretin e vet si një studiues serioz me libra që gjithnjë e më tepër sillen në vëmendjen e lexuesit për vlerat interesante dhe të reja që ato sjellin.Ai ka prurë në vëmendje figura të panjohura të historisë duke kryer kështu një detyrë që mbart vlera të çkykjes së kujtesës sonë të mpirë nga harresa,apo frikërat ideologjike.Të pesëmbëdhjetë librat e tij flasin jo vetëm për një punë skrupuloze dhe të detajuar e strukturuar në metoda shkencore të zbulimit ,vëzhgimit dhe sistemimit, po edhe për një tërheqje të lexuesit ndaj tyre.Në këtë hulli vjen edhe libri i tij I fundit shkruar me një kulturë të gjërë të faktologjisë.Por duhet thënë se, faktologjia e tij nuk mbetet e thatë ,as evidentuese në magazinimin e ngjarjeve;përkundrazi ajo vjen e mishëruar përmes interpretimeve dhe përqasjeve duke i bërë një prerjerje arsyetuese historisë sonë kombëtare dhe duke i sjellë ngjarjet e individëve përmes konteksteve kohore.Në këtë kuptim, librat e tij plotësojnë boshllësi dhe sjellin një kontribut të çmuar në krijimin e jë vizioni më të plotë të njohjes së historisë sonë kombëtare.Në librin e tij për Fejzo Lepenicën ,autori ndalet tek kjo figurë me pathosin e një studiuesi duke synuar të na e japë atë me gjithë dimensionet e tij,aq sa kur e mbaron librin, vetiu mund të shprehesh se nuk mund të ketë më për të thënë dhe kjo është një nga arritjet përmbajtësore të librit të tij.
Fejzo Lepenica ishte vlonjat,po çështjen e Çamërisë martire e quante një çështje kombëtare,dhe, jo vetëm kaq ,ai luftoi për të me konseguencën e një njeriu të ditur dhe patrioti të kulluar që kjo plagë e madhe ,dramë kombëtare, të mos mbetej në heshtje si çështje e harruar.Kjo është pikërisht një veti e ndritur e karakterit dhe formimit të tij.Me shkrimet e tij ai denoncoi gendocidin grek dhe për këtë vuajti internimet nëpër ishujt e Greqisë.Si një politikan liberal,si një njeri me shpirt të lirë ai ra gjithashtu në kundërshti me regjimin e Zogut dhe vuajti burgosjet e tij.I burgosur në Shqipëri dhe në Greqi,për shkak të bindjeve të tija kombëtare dhe liridashëse, po gjithnjë i pamposhtur dhe kurajoz për të mose mbyllur fjalën në kuvlitë e regjimeve të egra,kjo është motoja dhe tipari karakteristik i jetës dhe veprës së tij.Me dhjetra shkrime të tij marrin në mbrojtje të drejtat e popullsisë came, të drejta që ua garantonte edhe kushtetuta e Greqisë,por që në realitet shtypeshin dhe nëpërkëmbëshin në mënyrë mizore.Fejzo Lepenica silkur e parandjente epilogun tragjik të votit 1944 kur Greqia raciste do bënte spastrimin etnik të kësaj krahine të famshme dhe ekzodi biblik i çamëve do merrte përmasat e një dhimbjeje të paduruar.Genocidi i 44-ës ishte kulmi, ndërsa ai në të vërtetë kishte filluar më parë dhe në shkrimet e veta Lepenica akuzon jo vetëm shtetin grek po edhe shtetin shqiptar të asaj kohe.Ai me këmbëngulje kërkon hapjen e shkollave shqipe në Çamëri,pjesëmarrjen e çamëve në administratën greke, denoncon shpronësimet dhe përzënien e heshtur të çamëve përmes traktateve të padrejta.Dhe në fjalën e tij ndihet jo vetëm pikëllimi e dhimbja për këtë, po edhe grishja për tu mobilizuar një opinion i tërë  shqiptar e ndërkombëtar që të mbrohej kjo popullsi martire e shkëputur nga trungu amë padrejtësiht dhe e lënë në mëshirë të fatit  në kthertat e një shteti gjenocidist, racist dhe të kapluar nga ethet e tejskajshme të një nacionalizmi më se primitiv.Artikujt e tij dërgohen nga qytete të ndryshme të Greqisë dhe mbulojnë, sa ishte e mundur ,një të vërtetë që tronditej nga nga dita në ditë prej atyre fakteve kobzeza.Fejzo Lepenica shfrytëzoi shumë gazeta si”Shqiptari i Amerikës”,Gazeta e Korçës,”Koha””Demokratia”,”Drita”,”Ora e maleve”,Shkodër,gazeta “Elbasani”,etj.”Çamërit po shuhen”këlthet ai dhe çdo ditë e vendos penën dhe guximin e tij prej intelektuali të ndritur në shërbim të kësaj çështje të madhe.Klithma dhe thirrja e tij ishte sa kombëtare aq humane dhe e drejtë duke na bërë edhe sot të gjithë ne t`u rikthemi me interes shkrimeve për Çamërinë, për të mos e harruar kurrë  atë.Vemë re se Fejzo Lepenicën nuk e tremb asgjë edhe pse internohet dhe burgoset, edhe pse kërcënimi qëndron mbi kokën e tij ditë e natë.Fejzo Lepenica nuk ishte vetëm një njeri i penës po edhe i veprimit konkret patriotik duke marrë pjesë në aksionin kombëtar në luftë kundërtë huajit.Ai merr pjesë në Luftën e Vlorës të vitit 1920 që është një ngjarje madhore e historisë sonë kombëtare,me guxim denoncon vrasjen e general Telinit nga bandat greke etj.
Atdhetarizmi i këtij patriotitë shquar është i madh, por figura e tij e kompletuar dëshmon se atdhetarizmi bëhet më i ndritur, më i pranueshëm kur ai mbruhet me dije dhe e di se për çfarë lufton,kur i ke të qarta rreziqet dhe nuk u shmangesh atyre edhe pse shpesh here ato bëhen kaq të pranishme dhe kërcënuese deri me jetë.Ky tipar, ashtu si edhe shumë tipare të tjera të Fejzo Lepenicës evidentohen nga autori duke ndjekur një rrjedhë kohore të mirëpërcaktuar përmes dokumentimit dhe faktit që e çojnë autorin Enver Memishaj në përqasje dhe ide të rëndësishme kombëtare.Vitet e përgjakshme të kësaj historie që shkruan dramën kombëtare zgjeruan mushkëritë e një aspirate të fuqishme në aktetet e këtij njeriu dhe të të tjerëve si ai.Dhe kjo nuk mund të bëhet ndryshe, veçse në përvijimin dhe mbarështrimin e fakteve kurajoze të këtyre njerëzve.Duke e paraqitiur Fejzo Lepenicën në sfondin kohor ,autori, patjetër, në mënyrë të natyrshme bën një ekspoze të atyre ngjarjeve ku Fejzo kishte protagonizmin e vet luftarak,po ku edhe shumë të tjerë u gjenden përkrah tij si patriotë të Vlorës po edhe të Çamërisë.Jeta e tij e ndërlidhur midis Vlorës dhe Çamërisë   është jeta e një martiri që nuk mund të shkruhet pa këto dy krahina të bekuara.Tensionimi dramatik i kësaj jete nuk mund të kuptohet pa sfondin e atyre ngjarjeve dhe kontrakdiktave të kohës  që lidheshin me ngatërresat ballkanike dhe ndërkombëtare.
Memishaj kërkon gjithnjë një subjekt  pasi objektivitetin e tij e ndërton mbi të ndodhurën.Ky subjekt është njeriu shqiptar i atyre viteve të vështira me dashurinë për vendin, për familjen, me punën përkushtimin, i cili e kupton se asgjë nga këto që përmendëm nuk do kishte vlerë pa lirinë e trojeve amtare.Kjo buron si një poetikë e nënkuptuar mbresëlënëse që ndihet dhe perceptohet nga leximi edhe pse libri është studimor dhe në librat studimorë fakti gjithnjë mbetet i tillë dhe nuk e lejon trillin.Libri është zhvillimi logjik i kohës përmes alogjikës absurde të pushtimeve dhe regjimeve dhe nxjerr në pah pikërisht këtë, duke kërkuar unitetin e fakteve të mbjella në parcelat kohore.Barbaria dhe mizoria e regjimeve  në Shqipëri gjithnjë kanë sjellë privime dhe veprime monstruoze kundër idealistëve të kulluar,një ide qartësiht e zhvilluar në librin e Memishajt; po barbaria e Greqisë kundër Çamërisë ka prurë një genocid me përmasa tejet biblike.Vepra të tilla,e pesëmbëdhjeta në radhë, përbëjnë gjithmonë një premisë për të njohur vertikalisht çështjen kombëtare ku arrihet në një pike fondamentale:Në momente të vështira gjithnjë janë gjetur njerëz që kanë ditur dhe kanë mundur t`i dalin zot asaj dhe ta ngrenë çështjen kombëtare në një kult besimi, larg çdo mistifikimi të panevojshëm për brezat që vijnë e do të vijnë.Këto mesazhe sjell edhe vepra edhe jeta e Fejzo Lepenicës duke apeluar që të mos e harrojmë kurrë çështjen çame  edhe pse gënjeshtrat e avokatëve të djallit kërkojnë ta lidhin atë me gjasme justifikimet ligjore që nuk janë gjë tjetër veçse një alibi vrastare për të justifikuar krimin e pashëembull ndaj kësaj popullate të pambrojtur.Blloku i hollësive për këtë çështje është solid dhe i vërtetë ngjethës e tragjik.Jo vetëm në shkrimet e Fejzo Lepenicës po edhe në mënyrën sesi autori i ka zgjedhur e hulumtuar ato duke sjellë dëshmi të reja autentike dhe duke plotësuar një mungesë në historinë e njohjes së Çamërisë.Në këtë libër po edhe në libra të tjerë,autori Enver Memishaj na jep informacion të pasur mbi Labërinë,Çamërinë,kulturën,traditat,njerëzit, fiset,traditat zakonet dhe mbi të gjitha ,skalit patriotizmin e njerëzve të tjhjeshtë e liridashës.qëllimi i autorit hetohet lehtë dhe manifestohet përmes materialeve burimore, larg çdo sajese apo mitizimi,ai është qëllimi i studiuesit që përdor faktologjinë  duke thirrur interpretimin ,kjo është e nevojshme.Faktologjia është e para.Pra, ai e fton lexuesin që të ecë me imagjinatë në kohë,në vite, në ngjarje dhe pastaj të mendojë vetë.Dhe jam i sigurtë se lexuesi mendon mirë kur një autor i sprovuar ,siç është Enver Memishaj, arrin ta bëje lexuesin të mendojë jo vetëm ti japë kuriozitetin e zakonshëm e të jashtëzakonshëm të një kohe dhe të protagonistit të rëndësishëm të saj, siç ishte Fejzo Lepenica…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Lepenica, NJË JETË E SHKRIRË PËR ÇAMËRINË, Qazim Shehu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 282
  • 283
  • 284
  • 285
  • 286
  • …
  • 303
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË BRONX, NEW YORK
  • Në ditën ndërkombëtare të shtypit…
  • Në ditën e lindjes kujtojmë baron Franz Nopcsa, paleontologun dhe gjeologun e shquar, një nga figurat më të mëdha të albanologjisë
  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK
  • SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • Ledia Xhoga Captivates at Fan Noli’s Virtual Cultural Event
  • Congressman Keith Self Introduces Resolution Supporting the Integration of Kosovo into NATO
  • NJË MOMENT I RI GJEOSTRATEGJIK DHE NJË HAP I RI NË ARKITEKTURËN EURO-ATLANTIKE TË SIGURISË
  • Me virtuozen Alda Dizdarin në zemër të Londrës
  • Kur një masakër bëhet gjenocid? Reçaku, Panariti, Tivari dhe Çamëria në dritën e së drejtës ndërkombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT