• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kështu flitet për ne, sepse na njohin !

January 11, 2016 by dgreca

Nga Fahri XHARRA-Gjakovë/
Flitet për ne se na njohin, na njohin si shuplakën e dorës. Por kur nuk flitet , atëherë çfarë mendohet për ne ? Si veprohet kur nuk flitet ; ne nuk dimë , prandaj edhe ne befasojnë herë për të mirë e herë për të keq.
Edhe pse serbët për ne kanë studime dhe super studime të cilat mbahen fshehtas por ndonjë herë si taktikë e luftës psikologjike ndaj nesh rrjedhin edhe ato dhe ne pastaj e kuptojmë se çka mendohet për ne :” Shteti shqiptar është lehtë të shkatërrohet nëse ekziston vullnet te shërbimet serbe. Kjo është deklarata që tronditë Ballkanin dhe vjen nga bashkëpunëtori i inteligjencës serbe dhe mik i afërt me ish drejtorin e inteligjencës serbe, Dejan Luciq . Ai këto komente i bëri në intervistën e fundit në emisionin “Në Qendër” ku i fton shërbimet sekrete serbe për nxitjen e luftës qytetare në Shqipëri shkruan Zhurnal-Maqedoni. Shikoni të flitet publikisht për një plan shtetëror; nuk është lojë ,por është një psikologji e posaçme e zhgënjimit tonë ndaj vetvetes .
Psikologjia është shkenca mbi shpirtin. Psikologjia studion proceset dhe sjelljet e vetëdijshme dhe të pavetëdijshme psikike të individit dhe të komunitetit. Psikologjia studion në aspektin shkencor sjelljen dhe proceset psikike. Neve na njohin . Ne harrojmë që neve na njohin deri në imtësi dhe e kanë lehtë me ne. Po , çka iu duhet të huajve për të na njohur ? Cka i duhet serbit që të na njeh dhe të na i di edhe “ lugët në magje “ çfarë i kemi. Populli , masa e gjërë është ajo që e pëson kur armiku të njeh në detaje.
Por më vjen keq që ata që udhëheqin nuk e njohin së pari veten dhe mendojnë se janë të mbrojtur nga vrojtimi specifik i të huajve. Kadareja thotë :” Të pajisur jo vetëm me një mendje të varfër, por edhe me karakter të dobët (shpesh pasojë e logjikshme e së parës), pa kurrfarë strukture morale, këta njerëz të rëndomtë nuk e përballuan e as mund ta përballonin misionin që u vuri koha. Në vend të ulnin kokën përpara dramës së popullit të tyre, të ulnin kokën jo për përvujtni morale, por për të kuptuar më mirë përse janë në krye të vendit, këto natyra të varfra u dehën nga shija e pushtetit, nga veturat, rojet, pritjet e kamerat e televizionit. Kjo do të shoqërohej natyrisht, ashtu siç u shoqërua , nga një mllef i verbër kundër kundërshtarëve politikë, nga një korrupsion i pafund, dhe nga një shpërfillje e plotë për interesat dhe tragjedinë e vendit.” Këtë, serbët e dinë , por ata veprojnë .
Edhe pse serbët për ne kanë studime dhe super studime të cilat mbahen fshehtas por ndonjë herë si taktikë e luftës psikologjike ndaj nesh rrjedin edhe këto :” Shteti shqiptar është lehtë të shkatërrohet nëse ekziston vullnet te shërbimet serbe. Kjo është deklarata që tronditë Ballkanin dhe vjen nga bashkëpunëtori i intelegjencës serbe dhe mik i afërt me ish drejtorin e inteligjencës serbe, Dejan Luciq . Ai këto komente i bëri në intervistën e fundit në emisionin “Në Qendër” ku i fton shërbimet sekrete serbe për nxitjen e luftës qytetare në Shqipëri shkruan Zhurnal-Maqedoni. Shikoni të flitet publikisht për një plan shtetëror nuk është lojë ,por është një psikologji e posaçme e zhgënjimit tonë ndaj vetvetes.
Miku i Dejan Liciq- “ i hapur fton shërbimet inteligjente serbe të nxisin luftë civile ndër shqiptarët duke përçarë ata në vija fetare dhe fisnore”. Ja kjo është taktika e tyre e bazuar në njohuritë e tyre për ne . Ata e dinë se ku rrihet e vërteta . Ata e dinë ; me keqardhje , një pyetje:” pse ata e dinë dhe ku bazohen kur thonë : “Shteti shqiptar është i lehtë të shkatërrohet nëse ekziston vullnet te shërbimet serbe “.
Paj dreqi e fiktë Serbinë po aq të lehtë jemi ?
Në librin “Kargjorgjeviqët , Historia e mshehur” të Milorad Bošnjak-it dhe Slobodan Jakovljević-it e gjeta këtë të shkruar: “Kral Nikolla e ka udhequr një politikë të mençur ndaj Shqiptarë, të cilë edhe u afruan nga ai që të punojnë për Malian e Zi. Ai për mrekulli e njihte të kaluaren e tyre, doket dhe zakonet , mentalitetin e tyre dhe kësht qendrimi i tij nuk dështonte. Por atij nuk i dhimbseshin edhe mjetet materiale( paratë dhe pasuritë për shqiptar). Edhe pse sakrifikonte pak , fitimin e kishte të madh.Edhe Vojvoda Mark Milani , i prosiste me mençuri qarqet vendim marrese se si të punohet për t`i përfituar shqiptarët për çëeshtjen serbe””
“ Nuk është vështirë të grinden shqiptarët ndërmjet veti, Toskët dhe Gegët, të krishterë dhe muslimanë. Në linja fisnore dhe fetare lehtë mundet të shkatërrohet shteti shqiptar, ndërsa me luftë qytetarë në Shqipëri tretet ëndrra për Shqipërinë e Madhe”, thotë ai duke e elaboruar një nga skenarët e mundshëm për të shkaktuar luftë civile në Shqipëri dhe ndër shqiptarët raporton Zhurnal. E kush e thotë këtë ? Një oficer serb i shërbimeve të fshehta . Por çka ata përgatisin që ne nuk e dimë?
Pse “ai është i bindur qe nëntoka serbe me mbështetjen e shërbimeve të intetelegjencës mund të shkaktojë në çdo kohë luftë në Shqipëri. “ ? Po si po u niska lufta qytetare ne Shqipëri ? Kur fillon në Shqipëri , prite në Kosovë ! Një prej mënyrave të nxitjes së luftës qytetare ai e mendon ““Vritni një politikan shqiptar, akuzoni konkurrentin e tij dhe ja luftë fisnore mes shqiptarëve.
Pavetëdija kolektive është një pjesë e psikikës që negativisht bartet në pavetëdijen individuale. “Nëqoftëse pavetëdija personale përbëhet më së shumti nga komplekset, përmbajtja e pavetëdijes kolektive në thelb është paracaktuar nga arketipat. Koncepti i arketipit që është lidhje e pandarë e idesë së pavetëdijes, tregon për ekzistencën në shpirt të formave të caktuara, të cilat, duket, sikur gjenden gjithmonë dhe kudo.” ( Karl G. Jung )
Po e përfundoj me atë çka tha Jusuf Buxhovi , sot :” Shteti i Kosovës paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit. Kjo fitore e madhe historike, e cila thuajse përmbyll konceptin e Rilindjes Kombëtare për përkatësinë tonë perëndimore, nuk duhet lejuar të rrezikohet nga piromanët e as nga puçistët e shumtë, që sot, me detyra të shumta nga anë të ndryshme, po veprojnë bashkërisht. Kjo duhet të pengohet nga inteligjencia e Kosovës dhe patriotët e shumtë që nuk kursyen dije dhe gjak për të “
Pra serbët na njohin shumë mirë dhe e dinë shumë mirë se ku fshihet dobësia e jonë individuale dhe shoqërore.
Fahri Xharra, 10.01.16
Gjakovë ( xharraf@gmail.com )

Filed Under: Opinion Tagged With: Fahri Xharra, nga serbet, si flitet per ne

LDK-ja: Qytetarë, mos bini pre e atyre që synojnë pushtetin me zjarr

January 10, 2016 by dgreca

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shpreh shqetësimin e saj me veprimet e protestuesve të thirrur nga opozita, të cilat po djegin institucionet e ndërtuara me shumë mund, po rrezikojnë jetën e policëve të Kosovës dhe po shkaktojnë dëme të mëdha në pronën publike dhe private.
LDK-ja respekton vullnetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht orientimin e tyre partiak, por tendencat që me zjarre dhe flakë të arrihet deri te pushteti, nuk i takojnë një shoqërie demokratike për të cilën janë përcaktuar qytetarët e Kosovës.
LDK-ja ju jep përkrahje të plotë institucioneve të rendit që po bëjnë një punë shumë profesionale për të mbrojtur pronat publike dhe private dhe nuk po bie në nivelin e provokimeve të vazhdueshme të protestuesve të thirrur nga partitë opozitare.
Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës që ngjashëm me të kaluarën, të mos i përkrahin ata që djegin institucionet, të cilat janë ndërtuar me taksat e qytetarëve ndër vite. Ata që po djegin institucionet dhe pronat publike, duke shprehur mllefin që nuk kanë mbështetje qytetare për të ardhur në pushtet, duhet ta dinë se objektet publike nuk janë të Qeverisë, por janë prona të qytetarëve dhe çdo sulm ndaj tyre është sulm ndaj secilit qytetar të Kosovës.
Imazhet kur i vihet flaka ndërtesave të Qeverisë dhe tendencat për t’i djegur policët për së gjalli, nuk janë pamjet për të cilat Kosova ka nevojë të prezantohet në mediat ndërkombëtare.
LDK-ja si parti Popullore Evropiane, respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe për të vendosur për fatin e tij, ashtu siç ka bërë në qershorin e vitit 2014, kur zgjodhi përfaqësuesit e saj. Çdo tendencë tjetër për të marrë pushtet me dhunë do të jetë e dështuar dhe nuk gëzon përkrahje qytetare.
LDK-ja ju dëshiron policëve të lënduar shërim sa më të shpejtë, ndërsa opozitës i bën thirrje që dhunën ta zëvendësojë me mjete politike dhe demokratike.
Zyra për Informim e LDK-së

Filed Under: Opinion Tagged With: jo pushtet me zjarr, LDK, thirrje

ALBANOFOBI QË SHTIRET SI ALBANOLOG

January 8, 2016 by dgreca

Nga KOLEC TRABOINI/
Shumë shqiptarë të painformuar apo të keqpërdorur po na e shesin studiuesin grek Titos Johalas si një arvanitas të madh. Si një figurë e respektuar, kur ai nuk është i tillë, të paktën për ne shqiptarët jo. Mbase për grekët e Greqinë bëhet i tillë mjaftueshëm. Po vihet re se pas vrasjes së Aristidh Kolës dhe dëshirës së shfrenuar për të vënë në harrim veprën e tij, po dalin soj-soj figurinash që po na i shesin si studiues arvanitas apo ironikisht e mjerisht si “albanologë”. Është krejt e kuptueshme sepse tani mungon ai që kishte guximin tua thoshte të vërtetën në sy e përpara të cilit zgërlaqeshin. Kështu po del tani ky Titos Johalas që gëzon simpatinë e qeveritarëve të Athinës në mënyrë të përhershme, ndërkohë që për arvanitasit e mëdhenj heshtet. Akoma më tepër bëhet çfarë është e mundur të minimizohen historia e traditat e shqiptarëve të Greqisë, madje duke i konsideruar se nuk kanë asnjë lidhje me shqiptaret e Shqipërisë dhe të Kosovës. Janë një popullsi tjetër, thonë myteberrët e megaloidhesë, pra thjeshtë kanë mësuar të flasin shqip. Ky është argumenti i mediokritetit nacionalist grek. Cinizmi i tyre nuk ka fund e në këtë qëllim të shuarjes së çështjes së arvanitëve dhe mision mohues ndihmojnë sa të jetë e mundur studiues të tipit Titos Johalas që janë në të njëjtën hulli me politikën qeveritare madje të thuash saktë janë sejmenë të tyre.
Të bën përshtypje se edhe ish-kryeministri shqiptar(dhe jo grek) Aleksandër Meksi në një koment të tij na e quan këtë Johalasin si albanolog arvanitas. Mbase di më shumë ndaj dhe del e flet vërtetë dy fjalë por si të thuash i jep një nderim të madh “arvanitit” Titos Johalas-it. Por “taftotita” që jep Meksi nuk pi më ujë. Johalasin e kemi njohur herët që kur ishte në rrethin e miqve të ngushtë në oborrin e Dora Bakojanit dhe sillej zyrave të partisë së babait të saj kryeministër. Ky Tito Johalas mund të jetë çfarë të dojë por jo “albanolog arvanitas” siç e quan ish kryeministri Aleksandër Meksi. Shkrimtari minoritar Spiro Xhai edhe pse vetë ishte grek me origjinë, nuk e honepste këtë Tito Johalasin. Është oborrtar i politikës së Micotaqit, më thoshte në bisedat që bënim në Athinë. E pra Spiro Xhai që nuk jeton më, nuk i ndante shqiptarët nga vetja ani pse ishte grek. E këtë njeri dinjitoz aspak nuk e kujtojnë sepse e kanë mendjen tek Johalasi që tash së voni po kujtohet të shfaqet si mik i shqiptarëve sa dhe Akademia qorrfermane e Shkencave në Tiranë i përuroi edhe veprat në vitin 2012. Na ruaj zot nga kësisoj miqësh por edhe prej marrëzive tona na ruaj, se pleqtë e rrjedhur të Akademisë nuk e dinë çfarë bëjnë.
Tito Johalas me aq sa di unë që kam qenë emigrant në Greqi në vitet 1991-1995, ishte një regres i gjallë. Ai ndante me një fill të kuq arvanitasit e shqiptarët. E kam lexuar në reagimet e tij në shtypin grek. E kam dëgjuar në intervista në televizion. Mik i renegates plakë të rrjedhur Marie Dede e me kauzë të përbashkët që shqiptarët e arvanitët nuk kanë asnjë lidhje kulturore apo historike por as dhe prejardhje të përbashkët. Ky Tito Johalas ishte miku më i ngushtë i familjes së Konstandin Micotaqit, buallit të Kretës, i cili vërtetë gruan Marika e kishte arvanite, por i urrente shqiptarët deri në tërbim dhe krijoi operacionin famëkeq fshesa “Skupa ja tous alvanous”.
Me dhjetëra mijëra policë grekë u lëshuan si qen të tërbuar anë e mbanë Greqisë e ishujve, si nazistët në Gjermani mbi çifutët, për të kapur shqiptarët. I kam parë me sytë e mi në stacionin e autobusit të Athinës( Praktorio) dhjetëra shqiptarë të lidhur me zinxhirë si në mesjetë e jo pak por me grupe deri në 20-30 së bashku. Kam parë në Athinë mesjetën, atë që kisha parë nëpër filma në kohën e skllavërisë dhe mesjetës së hershme. Prandaj mos i merrni këto lloj antishqiptarësh në rrethin e miqve, të mos i bëjmë varrin vetvetes. Një të tillë e fton Akademia e Shkencave, i bën nderim të madh kjo Akademi mediokre pa palcë kombëtare dhe thene hapur e rrjedhur, që as nuk e kujton Aristidh Kolën, dhe as nuk i vete mendja që në vend të bustit të Sabri Godos të vejë atë të Aristidh Kolës. Se Akademia e Shkencave nuk është Akademi Politike. As Akademia e Sigurimit të Shteti komunist ku dikur ka qenë i inkuadruar Sabri Godo. As Akademia e puthadorëve të megaloidhesë së Athinës.
Ky Tito Johalas është një fytyrë antipatike që ka punuar e punon kundër shqiptarëve me teorinë e tij arvanitët popull tjetër nga shqiptarët, por natyrisht në një mënyrë të tillë që të duket sikur është një studiues i shquar e aq më tepër si një albanolog. Është mënyra më e mirë e hijeve të Akropolit për të lënë në harrim veprimtarët e studiuesit e mëdhenj arvanitas Anastas Kullurioti, Aristidh Kola, Vangjel Labi, Jorgo Maruga, Luka Çiçipi, Jorgo Miha, Jorgo Jeru. Dhe harrojnë se kemi një studiues të madh me përmasa evropiane nga Prevezë e Çamërisë si Niko Stillo, të cilit duhet më shumë ti kushtojmë vëmendje e më shumë ti hapim rrugën e mundësisht ta pranojmë si anëtar nderi të Akademisë së Shkencave sepse me veprën e tij nderon në tërësi kombin shqiptar.
Aristidh Kola ua dinte rrënjë e dhëmballë këtyre pseudomiqeve si Titos Johalas. Zoti Meksi nuk i di punët mirë sepse vinte në Greqi si kryeministër e kudo e shoqëronte një salltanet i madh që grekët e politikës dinë ta bëjnë, por duke të futur ujin nën rrogoz e pastaj të thuash “O Zot, e paskam bërë në brekë!”. Kësisoj i ndodhi ish kryeministrin Meksi në Athinë. Personalisht i thashë zotit Meksi në pritjen që u bë në ambasadën shqiptare në Athinë mbrëmjen e 17 majit 1993, bëj diçka për emigrantët e mbetur pa mbrojtje zoti kryeministër, e Meksi ma ktheu, se për ju po mundohemi. Në të vërtetë kish firmosur një marrëveshje për ekstradimet dhe disa probleme gjyqësore, por asgjë për emigracionin nuk ishte e saktë dhe jeta e afro një milion shqiptarëve ishte e pasigurt dhe e pambrojtur.
Mbas pak kohë të vizitës euforike të kryeministrit shqiptar, në Greqi filloi fushata e tërbuar e kryemikut të Tito Johalasit, maskarait dhe e fytyrës së urryer Konstandin Micotaqi, kryeministri i Greqisë. Mbi gjysmë milioni shqiptarë u riatdhesuan të rrahur e të keqtrajtuan, të lënë pa bukë pa ujë, por pati edhe shumë të vrarë. Nuk dihet shifra po janë me mijëra emigrantë shqiptarë të zhdukur në Greqi pa lënë gjurmë. Sa për kujtesë atë kohë botoja në Athinë gazetën e parë në gjuhën shqipe në Greqi “Egnatia”, 1993-1995 dhe isha në korrent të gjithçkaje që trajtonte media greke në lidhje me emigrantët. As dhe një mbrojtje e vetme nga ana e qeverisë që drejtonte Aleksandër Meksi nuk u shfaq. Atë kohë për të tërhequr vëmendjen e politikës e të shtetit për fatin e emigrantëve shqiptarë në Greqi botova shkrimet “Emigracioni dhe Diplomacia” si dhe “Emigracioni dhe politika”. Por qeveria atë botë kishte probleme të tjera, që të shiste për një copë bukë çdo gjë që kishte mbetur si trashëgim nga ekonomia e përbashkët socialiste. Ndërkohë që shkatërronin prisnin çekun e bardhë që nuk erdhi kurrë. Gjasat janë që edhe atë kohë, me euforinë e asaj vizite të dështuar me ujë grek nën rrogoz, Aleksandër Meksi të këtë takuar edhe plot njerëz te kallëpit të Tito Johalas ndaj dhe ka aq nderim për të, duke e quajtur as më pak e as më shumë por “albanolog” në vend që ta quante albanofob.

8 janar 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: ALBANOFOBI QË SHTIRET, Kolec Traboini, SI ALBANOLOG

KRYEPESHKOPI JANULLATOS DHE MESHA E MUNGUAR PER ÇAMERINE

January 8, 2016 by dgreca

Heshtja e Kryepeshkop Anastasit për meshën e lutjes dhe faljes së genocidit grek të kryer në Çamëri/
Nga Arben Llalla
Me rastin e festave të fundvitit, të cilat ua uroj të gjithë shqiptarëve dhe vëllezërve të mij ortodoksë, në një letër të hapur, kërkoja nga Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastasios Janullatos, si hierark ortodoks, Primat i shqiptarëve, por edhe klerik i ardhur nga Greqia, që të mund të ndiqte shembuj të ngjashëm të Kishës Katolike dhe të Kishave të tjera Ortodokse. Kërkesa ime ishte nëse kryebariu i ortodokseve shqiptare mund të mbante një meshë përkujtimore për çamët ortodoksë të vrarë gjatë dëbimit nga Greqia, ku të kërkonte falje për genocidin e ideuar dhe ekzekutuar barbarisht nga shteti grek, në bashkëpunim me hierarkinë e lartë kishtare, mitropolitë dhe kryepeshkopë, emrat e të cilëve i përmendëm në letrën e hapur që i dërgonim me rastin e festave të fundvitit.
Sigurisht që unë nuk akuzova gjithë popullin grek dhe as gjithë kishën greke për përgjegjësi në këto masakra, por disa burra shteti dhe disa drejtues të lartë të Kishës Autoqefale të Greqisë, të cilët nuk mund të fshihen pas institucioneve dhe të mos mbajnë përgjegjësi historike për fajet e kryera, genocidin mbi popullsinë shqiptare në Çamëri. Dhe siç ndodh sot në botën e qytetëruar, burrat e shteteve apo të kishave, pasardhës të titullarëve që tashmë nuk jetojnë më, pasi bëhen të ndërgjegjshëm dhe pranojnë fajet e kryera prej paraardhësve të tyre, kërkojnë falje publike dhe bëjnë ç‘është e mundur që plagët e së kaluarës që ndajnë popujt, të shërohen dhe njerëzit të shohin drejt së ardhmes. Por kjo nuk bëhet duke e mohuar të kaluarën, apo duke bërë sikur nuk i dëgjon ata që vendosin me fakte dhe dokumente individë para përgjegjësisë e që kërkojnë botërisht kërkimin e faljes, duke filluar pikërisht nga personi që ka deklaruar gjithmonë se është faktor bashkimi apo urë pajtimi mes popujve tanë. Në këtë rast, në mënyrë të përsëritur ka theksuar hirësia e tij, Anastasi. Të themi të drejtën, e prisja dhe nuk u zhgënjeva aspak nga heshtja absolute që pasoi letrën time, madje këtë herë, as nuk u munduan njerëzit që merren me PR-in e KOASH-it, të bënin ndonjë deklaratë kundër meje, që hyj atje ku s’më takon sipas tyre me argumentin klasik: Kush nuk është ortodoks, duhet të heshtë. A thua se Kisha Autoqefale Ortodokse e Shqipërisë jeton e izoluar në ishull dhe nuk është pasuri shpirtërore kombëtare e gjithë shqiptarëve!?
Kryepeshkop Anastasi nuk kishte rrugëdalje që të pranonte thirrjen time dhe të kërkonte falje, sepse ai do të kryqëzohej nga shteti grek, i cili për 25 vjet i financon aktivitetin “mrekullibërës” në Shqipëri. Kjo do të thoshte që ai duhet të dilte kundër atdheut të tij, nëse pranonte botërisht krimet e kryera kundër popullsisë çame. Nga ana tjetër refuzimi publik i kërkesës sime, do ta vinte me shpatulla pas murit, pasi faktori shqiptar do të reagonte ashpër kundër tij, siç reagoi kur refuzoi kërkesat e familjarëve dhe shoqatave çame për mbajtjen e lutjeve të përshpirtjeve për shqiptarët e vrarë. Kështu, ai bëri atë që di të bëjë më mirë, diplomatin në vend të peshkopit kurajoz, që përpara interesave kombëtare të atdheut të tij, Greqisë, duhet të vinte interesat shpirtërore të shqiptarëve që bariton, por këtë gjë, Janullatosi nuk e bën dot kurrë, se nuk është në lartësinë e burrave kishtarë që dikur zbukuronin krishtërimin, të cilët s’e kishin për gjë të përplaseshin me perandorët për interesat e Kishës, sot Primati i shqiptarëve, iu bindet më tepër urdhërave të pushtetarëve tokësorë se sa Zotit.
Pyetja ime këtë herë për kryepeshkopin Anastasios është: Se çfarë e lidh Kryepeshkop Anastasin me grekët që janë dënuar si bashkëpunëtorë të italianëve dhe gjermanëve gjatë viteve 1941-1944, dhe çirren prej kaq vitesh se janë patriotët e flaktë të Greqisë? Çfarë e lidh Anastas Janullatosin me njerëzit që kanë projektuar aneksimin e një pjesë të Greqisë duke shpallur Autonominë nga ajo?

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, DHE MESHA E MUNGUAR, Kryepeshkopi janullatos, per Camerine

Pika e vlimit

January 8, 2016 by dgreca

Nga Gazmend Abrashi/
Janë dy tregime që mbizotërojnë këtë fillim vit në Kosovë.
I pari është ai i bllokut opozitar dhe mbështetësve të tij, sipas të cilit kjo qeveri është e paaftë, e korruptuar dhe pa vullnetin për ndryshime. Me këto tri vese, ajo po i bën dëm Kosovës përtej çdo rekuperimi. 
Tregimi tjetër është ai i Qeverisë, sipas së cilës, asaj nuk po i jepet kohë për të marrë rezultatet e reformave.
Kush ka të drejtë? Kalimi i kohës veç sa u jep të drejtë të parëve (bllokut) dhe i dëshmon gabim të dytët (qeveritarët).
Kushtetuesja e tha fjalën e saj. Marrëveshja për Asosiacionin e negociuar nga Qeveria, ka thyer parime kushtetuese. 
Qeveria gjermane publikoi të dhënat e azilkërkuesve: shqiptarët janë në vendin e parë.
Nga Shqipëria afro 56 mijë kërkesa, nga Kosova 37 mijë, shqiptarët këndej dhe andej kufirit përbëjnë grupin më të madh të të larguarve, më shumë se sa irakianët apo afganët. E nëse shifra duket më e lartë për Shqipërinë, mos u gaboni. Në raport me numrin e popullsisë, kosovarët zenë vendin e parë. Viti 2015 ka qenë pa precedent në historinë e braktisjes së atdheut. Përpjekja për ta lënë Kosovën na solli ndërmend skenat e eksodit të vitit 1999, veçse këtë rradhë, u varfëruam ne në burime njerëzore dhe u pasuruan kontrabandistët e njerëzve. Me qindra milionë ka qenë fitimi i tyre: krejt këto para të ikura nga Kosova. Asgjë nuk ka mundur ta kompensojë këtë hemoragji monetare . Tani që flasim, remitancat janë në pikën më të ulët të dhjetë viteve të fundit.
Ne diasporës i japim vetëm këngë për ndeshjet e Kombëtares, por asnjë nxitje biznesi që do të të sillte investime në Kosovë. Agjencioni për promovimin e investimeve nuk është i vetmi fajtor. Sa për krahasim, ata janë ‘infermierët’ , jo ‘mjekët’. Diagnoza duhet bërë nga mjekët, në këtë rast nga Qeveria, e cila nuk ka asnjë diagnozë dhe terapi për rimëkëmbjen e ekonomisë vendore. Kosovarët kanë qenë më të varfër në 2015 sesa në 2014. Ekonomia ka trend përkeqësimi në 2016 (që do ti trajtoj së shpejti në një shkrim ndaras).
Investimet serioze të premtuara rrezikojnë të dështojnë, siç po ndodh në rastin e kompleksit të Brezovicës, me ç’rast ekipi i ekspertëve që fituan tenderin, nuk gjetën investitorë të gatshëm të rrezikojnë në Kosovë. Po ashtu, veçanërisht pas marrëveshjes së Parisit për klimën kur e gjithë bota po lëviz në drejtim të energjisë së pastër, me lider Gjermaninë dhe strategjinë ‘Energiewende’ , ne bëjmë një investim në teknologji te vjetëruara që prodhojnë veçse ndotje në shtetin më të ndotur të Europës.
Brukseli e tha fjalën e vet: nuk ka liberalizim të vizave ende, pa përmbushjen e kritereve të domosdoshme. Edhe pse, dorën ne zemër, personalisht kam frikën se liberalizimi do ti jepte nxitje impulsit për boshatisjen e Kosovës, për shumë të rinjë e të reja ai do të jetë frymëmarrje europiane, shpresë, liri dhe emancipim. 
Rrëfimi tjetër është ai i Qeverisë dhe mbështetësve të saj. Sipas këtij grupi, Qeverisë nuk po i jepet koha për të marrë rezultatet e reformave. 
Kjo nuk është aspak e vërtetë. Duhet thënë me zë të lartë derisa të kuptohet, se kjo Qeveri nuk ka një vjet jetë. Pëkundër ndërrimit të partnerit të koalicionit, PDK po hyn në vitin e tetë të qeverisjes dhe implementimit të politikave të saj të dështuara. Askush nuk pret sot të marrë një vend pune apo një tender pa mbyllur ujdi me zyrtarë të lartë të korruptuar. Kosovarëve u ka shkuar thika në palcë. PDK hapi vend në pushtet për LDK-në sepse i duhej një bashkëfajtor.
Ky popull ka mbrri në pikën e vlimit, ndaj nuk do ketë qetësi e mirëqenie pa largimin e kësaj qeverie super të paaftë e të korruptuar.
9 janari është dita e përpjekjes sonë për me ndryshu për mirë rrëfimin për Kosovën dhe njerëzit e saj.  

Filed Under: Opinion Tagged With: Gazmend Abrashi, Pika e vlimit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 610
  • 611
  • 612
  • 613
  • 614
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT