• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËRKUJTIMI NË NJU JORK: ABAZ KUPI E KA VENDIN NË VARREZAT E KOMBIT

January 8, 2017 by dgreca

1-nderim-hakikSHQIPTARËT E AMERIKËS I KËRKOJNË QEVERISË SHQIPTARE TË KTHEJË ESHTRAT E ABAZ KUPIT NË VARREZAT E DËSHMORËVE TË KOMBIT DHE DËNOJNË ARRESTIMIN E RAMUSH HARADINAJ/

Nga Dalip GRECA/

1-katershja-em-dore-ne-zemer     Edhe pse moti ishte i ftohtë, me stuhi bore,tradita e përkujtimit të përvjetorit të vdekjes së Abaz Kupit, nuk u ndërpre as në përvjetorin e 41-të. Të Shtunën me 7 Janar 2017, në një nga sallat e  ndërtesës së varrezave në Kew Gardens, ku prehet Abaz Kupi dhe dhjetëra nacionalistë të tjerë shqiptarë, u organizua përkujtimi i përvitshëm në nderim të heroit të 7 Prillit, Legjendës së Luftës së Dytë Botërore, qëndrestarit antikomunist në mërgim, Abaz Kupi. Organizimi përkujtimor u bë nga dega e Partisë “Lëvizja e Legalitetit” për SHBA dhe Familja Kupi. Krahas legalistëve kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të organizatave të Komunitetit: Federata “Vatra”, që u përfaqësua me zv/Kryetarin Asllan Bushati, anëtarët e Këshillit Sergio Bitiçi, Idriz Lamaj, Ramiz Mujaj dhe editori i Diellit, Dalip Greca. Morën pjesë edhe- Rrënjët Shqiptar , që u përfaqësuan me presidentin Marko Kepi, organizata e Grave” “Hope & Peace” e përfaqësuar nga Kryetarja Mimoza Dajçi, ndërsa komuniteti Çam, si çdo vit, u përfaqësua me aktivistin e saj Sali Bollati, Lidhja e Prizrenit me sekretarin e saj Tom  Mriaj.

1-salle-nga-pas

I pranishëm në veprimtari ishte edhe historian i njohur, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu, i cili i dhuroi familjes Kupi Librin e tij për Historinë e Popullit Shqiptar gjatë luftës së Dytë Botërore.

Tubimin e ka hapë nënkryetari i degës së Lëvizjes Legalitetit , z. Ahmet Hoti, I cili ka kryer edhe rolin e moderatorit të veprimtarisë.

2-ahmet-ok

Pas ekzekutimit të Hymneve Kombëtare të Amerikës dhe Shqipërisë, është mbajtë 1 minut heshtje në nderim të Heroit të 7 Prillit, Abaz Kupi dhe të gjithë të rënët e Kombit shqiptar dhe amerikan.

Moderatori Ahmet Hoti ka sjellë shifra, fakte, beteja, thënie, dokumente arkivore, që provojnë kontributin e Legalistëve dhe Abaz Kupit në veçantë në shërbesën ndaj Kombit, veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.

1-a-muharremiABAZ KUPI, KUNDËR VËLLAVRASJES

Fjaliminkryesor, që përkujtoi e vlerësoi heroin, e mbajti z. Muharrem Xhydollari(Hudënishti), veprimtar i njohur legalist, përfaqësues i një familje shembullore në shërbim të Atdheut dhe Mbretit Zog.  Z. Xhydollari  në fillim ka tërhequr vëmendjen për arrestimin e Ramush Haradinaj nga autoritet franceze dhe kërkoi që komuniteti shqiptar të reagojë me vendosmëri. Duke u fokusuar tek përvjetori i 41-të i vdekjes së Abaz Kupit, folësi tha se “Jemi mbledhur sot këtu, për ta kujtuar këtë ditë të shenjtë,që ka të bëjë me personalitetin e madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, politikanit,diplomatit dhe luftëtarit legjendar Abaz Hasan Kupi. Ai, me sakrificën e tij bëri që të mos  e njohë asnjëherë qetësinë dhe rehatinë e familjes për shkak të luftrave dhe aktiviteteve për Kombin, si në përballjen me armiqtë pushtues, ashtu edhe me demagogjitë e brendshme shqiptare.“

  1. Xhydollari tha se roli i Abaz Kupit gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte i përmasave Kombëtare. Ai vuri në dukje shqiptarizmin e Abaz Kupit, që u bashkua me Frontin për t’i shërbyer Kombit, dhe u largua prej tij, kur e pa se Jugosllavët manipulonin Lëvizjen shqiptare në kurriz të Kosovës. Abaz Kupi iu largua luftës vëllavrasëse që pat nisë në Shqipëri në kërkim të marrjes së pushtetit. Folësi komentoi një letër të dërguar nga Abaz Kupi për Legalistët e zonës së Pogradecit. Organizata Lëvizja e Legalitetit në Pogradec,që drejtohej nga akademiku Nuri Hudenishti, organizoi në fshatin Dunicë të Mokrës një nga Kuvendet e rëndësishme të këtij grupimi politik më 14 Shkurt të vitit 1944. Në Kuvend u evidentuan të gjitha udhëzimet e dërguara nga komandanti i përgjithshëm i Lëvizjes së Legalitetit z. Abaz Kupi. U lexua aty edhe letra përshëndetse që u kishte dërguar Abaz Kupi. Ndër të tjera në të shkruhej: “Nuri, veç të tjerash duhet të bësh kujdes, forca që drejtohet prej jush duhet të kenë në shenjë vetëm armikun, jo vëllezërit shqiptarë.Ju porosis, që jo vetëm të mos bini në vëllavrasje, por mundojuni që me ndikimin tuaj ta ndaloni vëllavrasjen. Kujdes nga përplasjet me grupimet e tjera, mbasi tash në Shqipëri, ajo ka filluar hapur.” Kjo këshillë dhe ky udhëzim i Abaz Kupit u përshëndet nga Kuvendi. Edhe përfaqësuesit britanikë që ishin në Shqipëri e lëvduan këtë qëndrim të Abaz Kupit. Abaz kupi luftonte për një rend që të respektonte njeriun, fenë dhe pronën, por aleatët e përkohshëm të tij, partizanët i merrnin porositë nga emisarët jugosllavë.Lufta vëllavrasëse u bë-platformë për partizanët e Enver Hoxhës. Abaz Kupi, nuk pranoi që pushka e tij të vishte me të zeza nënat dhe motrat shqiptare, tha Xhydollari.

Folësi kritikoi ashpër tranzicionin shqiptar, ku ish komunistët  trashëguan pushtetin edhe në demokraci, ata aministuan vetëveten me justifikimin se në diktaturë paskëshin bërë vetëm detyrën sipas ligejve të kohës! Edhe drejtësinë ata e kanë në dorë, gjithçka.

Folësi e mbylli ligjëratën e tij me këshillën që vjen nga Abaz Kupi:”Lufta jonë, na këshillon Abaz Kupi, mbaron vetëm kur Shqipëria të dekomunizohet plotësisht.”

BUSHATI: NDERIM PER GJENERAL ABAZ KUPIN

1-asllani

Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës përshëndeti nënkryetari i saj Asllan Bushati. Po e sjellim të plotë përshëndetjen e tij: Që nga 9 Janari i  1976, bëhen 41 vite pa Gjeneral  Abaz Kupin, këtë legjendë të Krujës e gjithë shqiptarisë. Por si për asnjë person apo personalitet tjetër, bashkësia shqiptaro-amerikane e NY, është mbledhur dyzet herë pas vdekjes  për ta kujtuar e vlerësuar,  këtë burrë të madh të Kombit Shqiptar. Kjo nuk ka ndodhur edhe në trojet etnike për  asnjë  njeri  tjetër. Statistika ndoshta nuk është e përshtatëshme për tu përdorur në një evendiment  të tillë siç është përkujtimorja e sotme, por brendija e faktit është se Gjeneral Abaz Kupi ka lënë gjurmë të thella në  kujtesën , shpirtin ,ndërgjegjen dhe  ndienjat e shqiptarëve kudo qe jane.

Për një periudhë të gjatë  kohe, shteti  totalitar komunist në Shqipëri dhe veçanërisht vetë  diktatori  Enver Hoxha ,u përpoqën me të gjitha mënyrat ,për ta tjetërsuar figurën, veprën dhe kontributin e madh të Abaz Kupit në historinë e Kombit tonë. Hodhën shumë baltë mbi të, nëpërmjet makinës tyre të   propagandës , përhapën shumë gënjeshtra, trilluan e tjerërsua ngjarje, data, ndodhi, takime e konferenca . I  burgosën, interrnuan e torturuan familjen, por nuk ja arritën qëllimit. Balta e llumi që ata gatuan e ngritën kundër  Abaz Kupit, u ra atyre që e bënë. Sot figura dhe vepra e Abaz Kupit shkelqen e ndrit siç ju ka hije  heronjëve të vërtetë.

Kjo erdhi sepse Abaz Kupi nuk u vetlavdru, nuk shtoi e tjetërsoi  fakte e ngjarje siç bene komunistet, por përkundrazi  foli me shumë modesti për luftën, përpjekjet, kuvendet dhe mundimet e veta e të familjes së tij. Sepse i tillë ishte ai në gjithë jetën e tij, i thjeshë i matur, modest e shumë trim, i  gatuar e formësuar në odat e burrave të kupëve, krutanëve dhe shqiptarisë.

Në librin e tij “Bijtë e shqipes”, britaniku Julian Amery duke përshkruar figurën e Abaz Kupit thotë:..”Kupi ishte i qetë dhe i rezervuar nga natyra, ai kishte sjellje të përsusur dhe kurrë nuk i tradhëtoi ndjenjat me ndonjë gjest apo shenje të dukshme. Sa më shpesh e takoja, aq më shumë më hynte në zemër dhe midis nesh u lidh një miqësi që ai e përshkroi me këto fjalë:”Këta janë tre majorë, dy për politikë dhe një për luftë “ kur na paraqiste te ndonjë shok i tij shqiptar…Kupi ishte njeri i jashtzakonshëm. Përveç  trimërisë së tij, që u bë legjendare, saqë për të u kënduan  këngë, kishte një kujtesë të habitshme”.

Ka njerëz që hyjnë në histori me një akt të vetëm dhe kjo është normale dhe  e pranushme kur dikush jep jetën me vetëdije për diçka që e vlerëson si të shenjë ose madhore. Por ka të tjerë që hyjnë në histori  dalngadalë, pa zhurmë, pa bujë, pa mburrje, por me vepra , beteja, kuvende të njëpasnjëshme, të cilat ndryshojnë rrjedhat e historisë. Abaz Kupi u përket atyre që hyjnë ngadalë sepse  ai ka bërë shumë beteja në jetën e tij dhe dashuria për atdheun e besa, kanë qenë motivet që e kanë shtyrë përpara . Ato i kanë  përsosur karakterin si burrë zakoni e si udhëheqës popullor,  e i  kanë shumëfishuar  energjine dhe elementët e trimërinë, duke e bërë hero në të gjallë e në jetën e përtejme.

Fillimisht- siç dihet, Abaz Kupi pati kontradita me Ahmet Zogun (ish Ministër i Brendëshëm), por kur ai e kuptoi se çfarë përfaqësonte dhe çfarë donte të bëntë Zogu për Atdheun, mori  vendime të rëndsishme  për tu rreshtuar përjetësisht  në krah të tij. Kjo këthesë filloi që në qëndrimin me ish shokun e tij te ngushte  ku i thotë:”Dëgjo këtu o Halit Lleshi!  Me që e do e mira e Shqipërisë unë do të kthehem. Përpara Shqipërisë nuk pyes as për miqtë, as për mijtë dhe as për fëmijtë. Unë pyes vetëm për Shqipërinë…Kur Ahmet Zogun e njoftuan se si kishte reaguar krutani, kishte thënë-Abaz Kupi është njeri i mirë”. Pas këtij moment këta dy burra të medhej te Kombit Shqiptar, lidhën besë me njeri tjetrin, Ahmet Zogu Kryeministër, President dhe Mbret i shqiptarëve, kurse Abaz Kupi bashkpunëtor i ngushtë i tij dhe luftëtar  i lirisë e prijës i madh popullor.

Të nderuar bashkatëdhetar, bëjmë mirë që  mblidhemi  këtu në NY, pranë varrit të gjeneralit Abaz Kupit çdo vit. Me këtë  nuk i bëjmë nder vetëm atij, sepse të gjitha nderet ai i bart me vete edhe brenda mermerit të grinjta ku flenë në përjetësi, por i bëjmë ndere  vehtes tonë e gjeneratave që vijnë pas, me respektin ndaj heronjëve që dhanë çdo gjë për Atdheun.

I nderuar qoftë për mot e jetë kujtimi dhe vepra madhore e Heroit, Gjeneralit dhe atdhetarit të madh  të Kombit Shqiptar Abaz Kupi.

13-sali-bNë emër të komunitetit çam përshëndeti Sali Bollati.

13-tomaNë emër të Lidhjes së Prizrenit sekretai Tom Mrijaj.10-gjeka

Ish gazetari i Zërit të Amerikës Gjek Gjonlekaj solli mbresat dhe kujtimet personale nga njohja dhe bashkëpunimi me legalistët dhe komunitetin e Queens-it, me djemtë e Abaz Kupit, (veçanërisht Rustemin-Semi, që me shërbimin ndaj Nënë Terezës hyri në memorjen kombëtare), me Ramiz Danin dhe Ndrec Gjergjin me vëllezërit, me Bardhok Ndreun, e të tjerë. Ai veçoi kontributin e professor Nderim Kupit dhe shuëm legalistëve të tjerë. 2-mozaNë emër të organizatës së grave” “Hope & Peace”, përshëndeti sekretarja Mimoza Dajçi…

1marko

Në emër të Rrënëjve shqiptare përshëndeti Marko Kepi.

1-muharremi-flet

Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu solli një përshëndetje të veçantë dhe prezantoi librin e tij”Shqipëria nën pushtimin Italian 1939-1943”, ku zë një pjesë të mirë e zë edhe kontributi i Abaz Kupit. Ahmet Hoti premtoi se së shpejti do të organizohet nga Legaliteti promovimi i këtij libri. Një kopje e librit iu dhurua familjes Kupi. Duke e marrë librin, djali i Fatbardh Kupit, nipi i Abazit, Arbeni tha se kjo ishte një dhuratë  me shumë vlera për familjen. Ai falenderoi Prof. dr. Muharrem Dezhgiun për kontributin e tij në rishkrimin e Historisë Kombëtare.

1-arben-muharrem

***

MESAZH I KRYETARIT TË LEGALISTËVE SHQIPTARË

2-hakik

Kryetari I degës së Legalitetit Hakik Mena solli për të pranishmit përshëndetjen e Kryetarit të Partisë  Lëvizja e Legalitetit, drejtuar degës për sHBA dhe familjes kupi. Në të shkruhej: I nderuar Kryetar i degës PLL në SHBA, z. Hakik Mena,

E nderuar Familja Kupi,

Të dashur Legalistë, miq dhe të ftuar,

Me rastin e ceremonisë përkujtimore që organizoni sot për 41-vjetorin e vdekjes së Heroit të rezistencës së 7 prillit 1939 dhe figurës së shkëlqyer të nacionalizmit dhe patriotizmit , Gjeneral Abaz Kupit, kam nderin t’ju drejtohem nëpërmjet këtij mesazhi për t’ju shpreh se të gjithë legalistët bashkohen dhe përulen bashkë me ju para veprës së udhëheqësit historik të “Levizjes së Legalitetit” dhe nacionalizmit shqiptar.

Me plot arsye, PLL është krenare për trashëgiminë që na ka lënë Gjeneral Abaz Kupi, për rezistencën që organizoi kundër pushtimit fashist në zbatim besnik të urdhërave të Mbretit Zog, për luftën e pa kompromis që zhvilloi dhe udhëhoqi kundër diktaturave nazi-fashiste dhe sllavo-komuniste, për angazhimin e tij për t’ju ofruar Shqiptarëve lirinë, demokracinë, sigurinë dhe zhvillimin në një shtet unitar, me institucione legjitime e legale, dhe për vendosmërinë e tij për ta radhitur Shqipërinë në kampin perendimor.

Jemi krenarë sepse veprimtaria e Gjeneral Abaz Kupit, në Shqipëri dhe në mërgim, ishte shembullore dhe e pa përlyer dhe si e tillë do të mbetet gjithmonë referencë dhe frymëzim për shqiptarët e ndershëm se si mund t’i shërbehet Atdheut dhe Kombit.

Në këtë vit jubilar të 41-vjertorit të vdekjes së personalitetit që bashkëluftëtarët dhe bashkëpunëtorët e tij e emëruan “Kryetar nderi të përjetshëm i Legalitetit”, ne jemi më të vendosur se asnjëherë tjetër për të vazhduar përpjekjet tona derisa të realizohen idealet e Gjeneral Abaz Kupit dhe të Etërvë tanë shpirtërorë.

Pavarësisht se Legaliteti dhe legalistët kanë dijtë të vlerësojnë figurën e Gjereral Abaz Kupit duke organizuar në çdo përvjetor të vdekjes së tij një ceremoni përkujtimore në shtetin mik Amerikan ku prehen akoma eshtrat e Tij, nuk mund të fshehim keqardhjen tonë për faktin që qeveritarët Shqiptarë të tranzicionit, ende nuk janë shkëputur plotësisht nga mendësia komuniste sepse, po të ishte ndryshe, do të kishte qenë në nderin e tyre dhe të Shtetit Shqiptar që të riatdhesoheshin zyrtarisht eshtrat e Gjeneral Abaz Kupit dhe të shkruhej emëri i Tij në historinë dhe historiografinë zyrtare, krahas emërit të atdhetarëve dhe patriotëve më të mëdhenjë të vendin tonë,

Në këto kushte është pra detyrë e jona dhe e djemve dhe vajzave të atyre që ndërtuan shtetin shqiptar dhe e mbrojtën pavarësinë, lirinë dhe nderin e Shqiptarëve në kohërat më të vështira, që të tregojmë se sakrificat e të parëve tanë ishin të drejta.

Duhet të vazhdojmë të mbrojnë, promovojmë dhe jetësojmë vlerat morale, politike dhe kombëtare të nacionalistëve si Gjeneral Abaz Kupi dhe të ndjekim shembullin e Tij dhe të patriotëve të tjerë me në krye Mbretin Zog, pasi vetën kështu do të kryejmë detyrën tonë ndaj Atdheut dhe Kombit dhe do të kontribuojmë që brezat e ardhshëm të gëzojnë një Shqipëri të lirë, të sigurt, të zhvilluar dhe të bashkuar; – atë Shqipëri për të cilën lindi dhe jetoi Gjeneral Abaz Kupi.

I paharrueshëm qoftë kujtimi i Tij !

Vëllaznisht i juaj,

Sulejman Gja1-grupVeprimtaria është mbyllë me falenderimin e nipit të Abaz Kupit, Arben Kupit ,në emër të familjes. Për të pranishmit si në çdo vit u organizua një koktejl. Një grup të rinjësh çuan kurora me lule tek varri i heroit të 7 Prillit, Abaz Kupit.

Veprimtaria u regjistrua nga Televizioni Kultura Shqiptare ne Nju Jork i Adem Belliut dhe u ndoq nga Gazeta “Dielli”.

Filed Under: Politike Tagged With: 7 Janar 2017, dalip greca, perkujtimi i Abaz Kupit

RASTI HARADINAJ: URGJENCË KOMBËTARE

January 7, 2017 by dgreca


1-frank-300x212-1
Nga Frank Shkreli/

Ndalimi i ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj nga autoritetet e Francës, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe, është një urgjencë kombëtare.  Ndërsa Zoti Haradinaj mbahet në paraburgim në pritje të shqyrtimit të urdhër arrestit nga Franca, autoritetet shqiptare në Prishtinë dhe në Tiranë po bëjnë deklarata duke kritikuar/dënuar këtë akt të shëmtuar të autoriteteve franceze në bazë të një urdhër-arresti të kohës së kriminelit Millosheviç, nga autoritetet serbe.  Në rregull, dënimet kritikat dhe denoncimet e këtij akti nga udhëheqsit shqiptarë dhe nga media janë të nevojshme, jo vetëm për rastin e Ramush Haradinajt, por për cilindo shqiptar kudo qoftë, kur trajtohet në këtë mënyrë të pa drejtë.  Ramush Haradinaj kishte vizituar Francën edhe më parë dhe nuk i kishte ndodhur asgjë. Atëherë autoritetet franceze nuk e kishin parë të nevojshme arrestimin e tij.  Ramush Haradinaj është përballur, si burrat, dy herë me tribunalin ndërkombëtar dhe është gjetur i pafajshëm.   Po pse tashti arrestimi i tij? Mund të jetë një koklavitje e tmershme nga qarqe armiqësore, me pasoja të rënda për shqiptarët. 

Prandaj, duhet bërë diçka më tepër dhe përtej deklaratave zyrtare denoncuese nga faktori zyrtar shqiptar sidomos në nivelin ndërkombëtar, ndaj këtij rasti të shëmtuar.  Kjo situatë e papritur mund të këthehet me të vërtetë në një urgjencë kombëtare.   Duke marrë parasysh se nëqoftse nga ky urdhër arrest, Ramush Haradinaj — Zot ruajna — përfundon në Beograd, kjo situatë do të përbënte një urgjencë serioze kombëtare,  përfundimet e të cilës nuk mund të parashikohen dhe për të cilën autoritetet shqiptare duhet të bëjnë përgatitje paraprake.  Nëse arrihet në një urgjencë të tillë mbetet për tu parë, por është e sigurt se, nëqoftse ndodhë një gjë e tillë, pasojat nuk do të jenë të mira, as për Kosovën as për Shqipërinë dhe as për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.  Deklaratat publike dhe shprehjet nepërmjet rrjetëve sociale të zyrtarëve shqiptarë, në të dy anët e kufirit, nuk mjaftojnë në këtë rast, as në raste të tjera serioze si kjo.  Sepse nëqoftse, Ramush Haradinaj ekstradohet nga Franca në Serbi, reagimet ndaj kësaj padrejtësie kombëtare dhe mundësitë për trazira politike dhe publike janë shumë reale, sidomos në Kosovë, por edhe më gjërë.  Trazirat nuk i shërbejnë sot interesave shqiptare në Kosovë në këtë moment të historisë dhe as interesave kombëtare afat gjata dhe afat shkurtëra të shqiptarëve në përgjithësi.  Si rrjedhim, shqiptarët, pa marrë parasyshë interesat e përkohshme politike duhet të veprojnë së bashku me një mendim dhe me një qëllim, duke bashkrenduar qëndrimet dhe veprimte diplomatike midis Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe me faktorët miqë ndërkombëtarë.

Paraburgimi i Ramush Haradinajt në Francë duhet të shqetësojë jo vetëm Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, por edhe shqiptarët dhe miqtë e tyre kudo, pasi rrjedha e ngjarjeve mund të jetë e paparashikueshme dhe me pasoja të rënda.  Këtu mund të kemi të bëjmë me manipulime djallëzore të serbëve dhe miqve të tyre rusë e të tjerë, të cilat historikisht nuk duhet të jenë të panjohura për shqiptarët, megjithë pretendimet e udhëheqësve të sotëm shqiptarë, në të dy anët e kufirit, se rusët nuk na qenkan armiq të shqiptarëve dhe të Kosovës.   Deklaratave miqësore të përfaqësuesve shqiptarë, Beogradi iu përgjigj me arrestimin e Ramush Haradinajt.  Shqiptarët gjithmonë kanë kërkuar dhe kërkojnë bashkjetesë dhe paqë me fqinjtë e tyre. Ata asnjëherë nuk kanë pushtuar tokat e të tjerëve dhe as nuk ka kryer krime kundër njerzimit ndaj fqinjve të tyre.  Por, sado e dëshirueshme dhe e nevojshme që është paqa dhe harmonia ndërkombëtare midis popujve, unë nuk di se si mund të kërkosh miqësi, bashkjetesë dhe harmoni me shtete siç janë Serbia dhe Rusia, ndërkohë që ato nuk të njohin si shtet dhe as nuk kanë njohur historikisht të drejtat e shqiptarëve për të ekzistuar në trojet e vtea, ndërkohë që  gjatë krejt historisë janë përpjekur — shpesh me sukses — që të shtrijnë influencën e tyre dhe të zaptojnë tokat arbërore, ku siç thotë populli,  në ato troje ku të parët e tyre as nuk mbollën as nuk korrën.  

Prandaj duken pak të çudtishme flirtimet e fundit, të udhëheqësve të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës në adresë të Beogradit dhe Moskës, si dhe shprehja e gatishmërisë së tyre për të vizituar kryeqendrat e ekspansionizmit sllav në Ballkan. Ata e kanë arsyetuar si të nevojshëm afrimin me ta sepse, ndër të tjera, shqiptarët “ishin fitues” të luftës.  Më vjen keq tu them udhëheqësve të nderuar shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, se shqiptarët nuk janë fitues, për derisa përfaqsues të shqiptarëve si Ramush Haradinaj arrestohen në mes të Europës së “qytetëruar”, me urdhër-arrest nga Serbia millosheviçiane dhe ndoshta me miratimin e heshtur të interesave ruse në Ballkan.  Dje u arrestua Ramush Haradinaj, nesër do të jetë dikush tjetër.  Fatkeqsisht, me arrestimin e Ramush Haradinajt kanë humbur të gjithë shqiptarët.  Të gjithë ne kudo, jemi të mundur e të humbur, prandaj për derisa shqiptarët, si Ramush Haradinaj arrestohen nën akuza fals, në aeroportet e Evropës, të urdhëruara nga Beogradi,  mos kini ëndërra fitoresh. Në një shkrim me titull “Arrestimi i Ramush Haradinajt: Për Kë Bien Këmbanat?”,  Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paraljamëron se “Bashkëçlirimtarët ndërkombëtarë të Kosovës duhet të zgjohen, përpara se sa Kosova të ndjehet e tradhëtuar prej tyre!”  Natyrisht se ndërkombëtarët kanë rolin e tyre për të luajtur në Kosovë.  Por, këmbënat po bien edhe për shqiptarët se, në të vërtetë, janë shqiptarët ata që duhet të zgjohen nga kllapia, mbas sundimeve të mbrapshta prej pothuaj 50-vjetë komunizëm dhe 25 vjetë post komunizëm.  Shqiptari vazhdon të kërkoj të drejtat e veta, identitetin e tij kombëtar dhe hisen që i takon në trojet stërgjyshore. Natyrrisht se shqiptarve u nevojitet miqësia e të huajve, sidomos e miqëve tradicionalë dhe historikë të kombit shqiptar, jo vetëm në përpjekjet për lirimin e Ramush Haradinajt, por gjithmonë.  Por askush, as miqtë as armiqtë, nuk do t’i marrë seriozisht shqiptarët dhe kërkesat e tyre për nëqoftse ata vazhdojnë të veprojnë si deri tani — të ndarë e të përçarë politikisht — duke mbrojtur interesat e përkohëshme personale dhe partiake, në kurriz të interesave kombëtare afat gjata të shqiptarëve.  Nga ana tjetër, si gjithmonë, serbi e rusi vazhdojnë të punojnë së bashku për interesat e veta në dëm të interesave të shqiptarëve.  I njëjti bashkim vëllazëror nevojitet midis faktorëve të ndryshëm politikë shqiptarë për të kundërshtuar planet e tyre djallëzore kundër interesave të shqiptarëve. Ky është alarmi. Kjo është këmbana që bie për shqiptarët.  Arrestimi, me urdhër të Serbisë në Francë i ish-Kryeminsitrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajt mund të jetë një shënjë ogurzezë e planeve të tyre të errëta për të ardhmen e shqiptarëve dhe të Ballkanit dhe si e tillë duhet të trajtohet si një urgjencë me përmasa kombëtare.  Nëqoftse pabesia historike e Serbisë dhe e Rusisë ndaj kombit shqiptar nuk na e ka zhvilluar deri tani sado pak ndërgjegjen tonë historiko-kombëtare, atëherë ne vazhdojmë të jetojmë në një realitet romantik mashtrues, se është e mundur që qëngji të jetojë me ujkun.  Zgjohuni shqiptarë, sepse këmbana bie edhe për ju!   Ngjarjet e papritura që mund të ndodhin, nevojitin bashkimin e të gjithë shqiptarëve dhe angazhimin e plotë diplomatik dhe politik të Tiranës dhe të Prishtinës zyrtare për të mbrojtur të drejtat dhe lirinë e çdo shqiptari kudo, përfshirë edhe të drejtën dhe lirinë e ish-Kryeminsitrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, RASTI HARADINAJ:, URGJENCË KOMBËTARE

Kongresisti Engel:Engel: Franca të lirojë Haradinajn, BE të bllokojë Serbinë

January 6, 2017 by dgreca

1-engel

Kongresmeni amerikan, mik i shqiptarëve ka reaguar sërish ndaj ndalimit të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, kësaj radhe nga autoritetet franceze.

1-ok-engell“Është e papranueshme që Serbia vazhdon të keqpërdorë INTERPOL-in për të sulmuar ish-kryeministrin e Kosovës, z. Ramush Haradinaj.Kjo nuk ka të bëjë me drejtësinë dhe as sundimin e ligjit dhe rendit. Tribunalet ndërkombëtare e kanë liruar dy herë z.Haradinaj. Këto veprime vetëm ngjallin tension dhe shtojnë gjasat për konflikte të ardhshme”, ka shkruar në fillim të letrës së tij, Eliot Engel.

Ai i ka ftuar autoritetet juridike të Francës që të përshpejtojnë procedurat dhe ta lirojnë Haradinajn sa më parë.

“Kapitulli 35 i procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian flet qartë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Abuzimi që Serbia i bënë INTERPOL-it në raport me Kosovën është një shkelje fondamentale dhe BE-ja nuk duhej t’i lejojë Serbisë që të ecë drejtë BE-së pa normalizimin e raporteve me Kosovën”, ka shkruar Engel, përcjell Koha.net.

“SHBA-ja vlerëson miqësinë me Serbinë dhe unë shpresoj që ky raport të avancojë.

Sidoqoftë keqpërdorimi i INETRPOL-it nga ana e Serbisë do ta kthejë këtë proces mbrapa”, ka shtuar më tej ai.

Në fund, ka shkruar Engel, Kosova ka një histori shumë të mirë të bashkëpunimit me agjencitë e rendit dhe të ligjit në SHBA, në rajon dhe aktorët tjerë ndërkombëtarë që luftojnë kërcënimet terroriste.

Para pak kohësh ne ishim dëshmitarë se si bota përgëzonte Kosovën pas parandalimit të kërcënimit terrorist ndaj ekipit futbollistik të Izraelit, ka shtuar më tej.

“Kosova ka shprehur interesim që të anëtarësohet në INTERPOL dhe ky është momenti që shteti i ri i Kosovës të pranohet për hir të sigurisë jo vetëm të Kosovës por edhe të rajonit”, ka thënë në fund Engel.

Kujtojmë se Engel kishte reaguar edhe ndaj ndalimit që autoritetet Sllovene i kishin bërë kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, në qershorin e 2015-ës./telegrafi.com

Filed Under: Politike Tagged With: e Hardinajt ne France, Eliot Engel, per arretsimin, reagon

Kosovë-Qeveria: Fletarresti për Haradinajn, i motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi

January 6, 2017 by dgreca

Kosovë-Qeveria: Fletarresti për Haradinajn, i motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi/1-qeveria-e-kosoves

Kryeministri Isa Mustafa në mbledhjen e qeverisë së Kosovës:  Ritheksoj qëndrimin e padilemë të qeverisë së Republikës së Kosovës kundër këtyre fletarresteve të Serbisë, të cilat janë akte plotësisht të paligjshme, të padrejta dhe me tendenca të qarta për të provokuar tensione, konflikte dhe për të dëmtuar proceset evropiane në rajon dhe më gjerë/1-qeveria-Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë angazhimin e gjithanshëm që aktakuzat e paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë ndaj personaliteteve kosovare, sa më parë të shpallen të pavlefshme/

-Qeveria e Kosovës zhvillon mbledhjen e parë të vitit 2017/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 6 Janar 2017/ Fletarresti për Ramush Haradinajn është i motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi, tha sot kryeministri Isa Mustafa në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, të parën në vitin 2017.

Fillimisht, kryeministri Mustafa ka shprehur edhe njëherë shqetësimin lidhur me ndalimin dhe procedurat që po zhvillohen ndaj kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Serbia.

“Shpreh shqetësimin e qeverisë së Republikës së Kosovës për ndalimin dhe procedurat që po zhvillohen ndaj kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili është ndaluar nga autoritetet franceze, në bazë të një fletarresti të motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi. Ritheksoj qëndrimin e padilemë të qeverisë së Republikës së Kosovës kundër këtyre fletarresteve të Serbisë, të cilat janë akte plotësisht të paligjshme, të padrejta dhe me tendenca të qarta për të provokuar tensione, konflikte dhe për të dëmtuar proceset evropiane në rajon dhe më gjerë”, u shpreh kryeministri Mustafa.

Ne, vijoi ai, e kemi bërë të qartë që në momentet e para të ndalimit të Haradinaj, se të gjitha dikasteret kompetente të qeverisë së Kosovës janë angazhuar me kapacitet të plotë  dhe vazhdojnë të punojnë me prioritet të plotë për të kontribuar në çdo formë për lirimin sa më të shpejt të Haradinajt, në mënyrë që ai sa më parë të kthehet në Kosovë dhe të vazhdojë me aktivitetet e tij.

“Aktet e ndalimit të Haradinajt, por dhe personaliteteve të tjera në Kosovë, i konsiderojmë se janë akte të palejueshme, duke pas parasysh edhe faktin se Haradinaj e ka dëshmuar para drejtësisë ndërkombëtare në dy raste pafajësinë e tij dhe po ashtu është përballur edhe me ndalesa të tjera të përkohshme të cilat e kanë konfirmuar se fletarrestet serbe nuk kanë asnjë bazë”, tha Mustafa.

Andaj, vijoi ai, ne presim që Haradinaj të kthehet shumë shpejtë në Kosovë, dhe po ashtu presim që edhe qeveria franceze të ketë parasysh se këto fletarreste janë krejtësisht politike dhe nuk kanë asnjë bazë juridike dhe bazë ligjore.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë angazhimin e gjithanshëm që aktakuzat e paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë ndaj personaliteteve kosovare, sa më parë të shpallen të pavlefshme.

Ne në konsultim të gjithanshëm me autoritetet brenda dhe jashtë vendit, do të shqyrtojmë masat adekuate të veprimit në rast se Serbia, duke keqpërdorur mekanizmat ndërkombëtarë që merren me rend dhe ligj, do të vazhdojë aplikimin e këtyre akteve të palejueshme dhe të pamoralshme politike ndaj veprimtarëve dhe luftëtarëve për liri të Kosovës”, theksoi kryeministri kosovar.Poashtu, vijoi Mustafa, kërkoj që organet kompetente, të cilat me një përkushtim shumë të madh kanë punuar deri më tani, të vazhdojnë të punojnë, në mënyrë që Haradinaj të kthehet, por po ashtu do të vazhdojmë që të kemi kontakte edhe me bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë që të parandalohen veprimet e tilla serbe në të ardhmen.Në vazhdim të mbledhjes, qeveria miratoi vendimin për t’i rekomanduar presidentit të Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes për financim për Projektin për Sigurinë e Ujit dhe Mbrojtjen e Kanalit, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim. Fondet që do të huazohen nga kjo marrëveshje, do të përdoren për financimin e projektit, për sigurinë e ujit dhe mbrojtjen e kanalit, përkatësisht revitalizimin e kanalit Ibër-Lepenc dhe ndërtimin e një rezervuari të ujit, i cili do të shërbejë për raste emergjence.Gjatë kësaj mbledhje, janë miratuar edhe dy nismat për lidhjen e marrëveshjes mbi punën fitimprurëse të anëtarëve të familjeve të anëtarëve të një misioni diplomatik apo posti konsullor të karrierës, e para ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë, si dhe e dyta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Panamasë. Këto dy marrëveshje, përveç rëndësisë konkrete dhe përmbajtjes konkrete, ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në mes të Kosovës në njërën anë dhe Italisë dhe Panamasë në anën tjetër.Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, ka gati një muaj që vijon punën në vitin e tretë, pas zgjedhjes në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.

Mbledhja e parë e qeverisë së Kosovës drejtuar nga Mustafa është mbajtur në 12 dhjetor 2014, pasi në të  njëjtën ditë u zhvillua ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës së kryeministrit, ndërsa mbledhja e sotme është e 126-ta e rregullt.Gjatë vitit 2016  qeveria e Kosovës ka zhvilluar 57 mbledhje të rregullta, së fundi në 30 dhjetor, ndërsa që nga zgjedhja 125.

Filed Under: Politike Tagged With: arrestimin, denon, qeveria e Kosoves, Ramush Haradinajt

Pse dhe kush e kërkon eleminimin e Ramush Haradinajt?!

January 5, 2017 by dgreca

2-enver-bytyci-1

Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi/Ramush Haradinaj është ndaluar të merkuren e shkuar nga policia kufitare franceze me arësyetimin se për këtë është lëshuar në vitin 2004 një urdhër arresti nga një gjykatë e Serbisë. Ishte hera e dytë që kreu I AAK-së ndalohet sipas të të njëjtit urdhër-arresti të lëshuar nga interpoli serb. Para dy vitesh ai u ndalua në Slloveni me të njëjtin justifikim dhe u lirua pas sqarimit të rrethanave.

Ky akt është komentuar në mënyra të ndryshme. Shumica e komentuesve e kanë heroizuar Haradinajn, duke mbrojtur jo vetëm atë, por edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e saj të drejtë, pa çka që shumë prej komandantëve të asaj lufte e kanë denigruar qëllimin idealist të saj. Në ndonjë rast është aluduar në konspiracione të tilla, sikur “kjo që I bëhet Haradinajt është e qëllimshme, pasi Serbia përpiqet ta demonizojë dhe faktorizojë zotin Haradinaj, me qëllim që ai të fitojë kapital politik”.

Në fakt akti I ndalimit të ish-komandantit të UÇK-së ka krijuar një “hartë politike” me kufij të qartë pro dhe kundër tij. Në këtë hartë reagimesh vihen re tri ngjyra:

Së pari, ngjyra e kuqe e dominon debatin brendashqiptar, çka do të thotë se shqiptarët nuk pajtohen asesi me akte të tilla armiqësore të Serbisë dhe aleatëve të saj në Europë kundër Kosovës dhe kundër shqiptarëve. Çka do të thotë gjithashtu se shqiptarët janë të mendimit se Serbia dhe aleatët e saj kanë shkelur jo vetëm lirinë dhe të drejtën individuale njerëzore e politike të Ramush Haradinajt, por edhe dinjitetin e nëpërkëmbur të shqiptarëve.

Në fakt kjo e vërtetë është e dhimbshme, sepse në asnjë rast shqiptarët nuk kanë parë të arrestohet ndonjë bandit serb pjesmarrës në masakrat kundër tyre. E ndërsa këta banditë e kriminelë me shumicë shetisin lirshëm në të gjithë botën, luftëtarë të UÇK-së ndalohen si delet sa herë që shtetet përkatëse duan të fitojnë ndonjë koncension nga qeverisja e Beogradit. Ndryshe nuk ka si shpjegohet fakti që Haradinaj nuk u prangos nga policia franceze në qershor të vitit të kaluar kur ai ndodhej atje për të ndjekur kampionatin europian të futbollit, pavarësisht se urdhëri i Interpolit mban datën e një prej ditëve të 2004-es.

Se kriminelët serbë të masakrave kundër shqiptarëve janë të lirë të riorganizohen ende sot kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, kjo është e dëshmuar në dhjetra e qindra raste, përfshirë dhe rastin e kryekriminelit Vojisllav Shejshel. Gjithkush në botë e njeh faktin që 15 mijë viktima të terrorit në Kosovë nuk kanë mundur t’i shkaktojnë 10-20-30-apo 50 veta sa Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi dhe gjykatat serbe kanë nxjerrë deri më sot në bankën e të akuzuarve. Dhe nëse ish-presidenti i Serbisë, pastaj ministër i Jashtëm i kohës së luftës, Milan Milutinoviç, u shpall i pafajshëm, Ramush Haradinaj u shpall dy herë i pafajshëm, ndërkohë që pafajësia e tij është miliona herë më e përligjur dhe më e moralshme sesa pafajësia e Milutinoviç.

Kjo diferencë e të bërit drejtësi nga Europa që na reklamon shtëtin e së drejtës është mesazhi më i keq që ajo i jep shqiptarëve dhe popujve e demokracisë europiane. Ky është diskriminim, ky akt, në kuptimin e mësipërm është vazhdimi i aparteidit të Milosheviçit ndaj Kosovës dhe sidomos popullsisë shqiptare në Kosovë. Nëse dikush gjen një perifrazim më të butë që t’i shkojë të vërtetës, jam i gatshëm të kërkoj ndjesë. Por arrestimi i Ramush Haradinajt nga policia franceze në zbatim të një urdhëri të një gjykate serbe, që vetëm krinimelë nuk ndëshkon, është vazhdimi i politikave të diskriminimit kundër shqiptarëve, tashmë përmes një policie që pretendon se ka shpik demokracinë e revolucionit francez, madje me parullën e famshme liri-barazi-vëllazëri. Zaten ata që artikulojnë të tilla stampa e bëjnë këtë për të fshehur urrejtjen, pabarazinë dhe tiraninë.

Së dyti, u dallua qartë ngjyra e zezë e këti teatri politik. Dy momente më ranë në sy gjatë kësaj skene dhe aplikimit të kësaj skeme denigruese antishqiptare. E para, se kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përsëriti kërkesën për ekstradimin e Ramush Haradinajt në Serbi, me qëllim që “krimet” e tij t’i gjykojë si në kohën e Milosheviçit i njëjti gjyqtar i asaj kohe, kur dënonte shqiptarët, pse janë shqiptarë. Nëse do të ndodhte kjo, pra ekstradimi, drejtësia do të duhej vendosur me konflikt të përsëritur midis serbëve dhe shqiptarëve.

Dhe e dyta ishte Marine Le Pen, ajo e cila u kërkoi me ngulm autoriteteve të vendit të saj që të “zbatojnë ligjin” dhe ish-kreun e UÇK-së ta dërgonin para gjykatës. Të dy këta u bashkuan hapur në politikat e tyre antishqiptare. Justifikimi: “Të bëhet drejtësi”!!! Por ama asnjëherë nuk i ka dëgjuar dikush këta “drejtësibërës” të kërkojnë drejtësi për mijëra viktimat shqiptare që Serbia i shkaktoi vetëm në luftën e fundit në Kosovë?! Asnjëherë nuk i dëgjoi dikush të “thërrisnin për drejtësi” për mijëra gratë dhe vajzat shqiptare të përdhunuara nga policët, ushtarët dhe paraushtarakët serbë në kohën e konfliktit në Kosovë?!

Ndërkaq drejtësinë për Ramush Haradinajn e ka dhënë dy herë Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Dhe në këtë rast, nëse e individualizojmë fenomenin, politika serbe e Beogradit dhe e Frontit Nacional Kombëtar në Paris nuk bën tjetër, vetëm se ushtron presion ndaj drejtësisë. Rasti i Haradinajt na dha kështu mundësinë dhe njëherë të shohim se sa re të zeza fryjnë në qiellin e Kosovës dhe të hapësirës shqiptare në Ballkan. Forcat antishqiptare në Europë po bashkohen, ndërkohë qe ne shqiptarët po i fryjmë me ndihmën e liderëve tanë “botërorë” zjarrit të përçarjes!!!

Së treti, në këtë rast u shfaq dhe ngjyra gri, ngjyra që përfaqëson marrëdhëniet e vëllazërim-bashkimit shqiptaro-serb, ngjyra e politikave të kastës së korruptuar të Prishtinës dhe Tiranës në marrëdhëniet me Beogradin, Parisin dhe ndonjë kryeqytet tjetër antishqiptar në Europë. Këta të ngjyrës gri bënë ca deklarata folklorike, gjë për të cilën ishin kujdesur të dukeshin sa më pompoze në fjalor, por pa asnjë akt presioni ndaj Beogradit ose Parisit. Ngjyra gri e Ramës, Thaçit apo Bushatit u duk si kombinim i atyre tri ngjyrave të flamurit francez në xhepin e vogël të xhaketës së kryeministrit shqiptar. Mund të konsiderohen edhe si tri ngjyrat e flamurit jugosllav, sepse nuk kishte ndryshim midis këtyre dy flamujve, përveçse vendvendosjes së tyre.

Ngjyra gri e reagimit në Kosovë u kondicionua me të qenit kundërshtarë politikë. Pushteti e konsideron Haradinajn armik, jo rival në politikë, për pasojë nuk reagon me forcë kundër aktit. Ky pushtet nuk merr guximin as të kërkojë ndjesë, pse nuk e ka kushtëzuar dialogun në Bruksel me anulimin e këtyre urdhërave të arrestit serb kundër shqiptarëve! Asnjëri prej tyre, as këta të Tiranës, as ata të Prishtinës nuk iu kundërvunë politikave të tilla të denigrimit të Serbisë dhe të Francës. Në Tiranë dihen arësyet: Hollande do të vizitojë kryeqytetin shqiptar në mars dhe nuk “duhen trazuar ujërat”, ai, edhe pse në ikje nuk duhet cënuar në dinjitet. Dhe shqiptarët janë I vetmi komb që zgjedh si liderë ata që më shumë përkujdesen për integritetin e dinjitetin e botës sesa të vetin?! Këtyre tanëve u mjafton imazhi, makiazhi, egoja për elozhe. Më i rëndësishëm është imazhi i kryeministrit Rama, se sa jeta, integriteti dhe dinjiteti i ish-kryeministrit të Kosovës dhe i shqiptarëve! Më e rëndësishme është lidhja e ngushtë e bashkim-vëllazërimit kryeministrin e Serbisë, sesa e drejta dhe e vërteta!

Po në Prishtinë pse nuk duhej një reaksion i ashpër. Pse mos të nxirrej një urdhër-arresti për ish-zevendësin e Shejshelit e ish-ministrin e kohës së luftës në Kosovë, presidentin aktual serb, Tomisllav Nikoliç e për ish-ministrat e Milosheviçit, Aleksandër Vuçiç e Ivica Daçiç, së paku për t’ua prerë rrugën për vizita në Kosovë? Nikoliç do të shkon neser në Kosovë dhe askush nuk e cënon as në majën e flokut, as në dinjitet e as në integritet! Pse? Se dëmtohet dialogu?! Se dëmtohen përpjekjet për paqe në rajon?! Kur krininelët nuk e duan paqen, pse duhet ta pranojnë viktimat e tyre?! Aq më tepër në kushtet e diskriminimit?! A nuk u bë lufta për liri, drejtësi, barazi e sintetizuar kjo në pavarësinë e Kosovës?! Sot, mbas 18 viteve kur lufta ka mbaruar dhe mbas 9 viteve pavarësi, Kosova nuk është e zonja jo më të kërkojë drejtësi e barazi, por po ve në pikëpyetje reazultatet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të saj. Këtë mesazh na e japin qëndrimet e ngjyrës gri të të dy kryeqyteteve tona në rastin e Haradinajt.

Duke e përmbyllur këtë kolumne dua të shpreh gjithashtu shqetësimin se autoritetet shqiptare ende nuk po kuptojnë se gjeopolitika ka ndryshuar dhe për pasojë ka sjellë disfavore për ne shqiptarët, disfavore, të cilat ne vetë po i shumëfishojmë me qëndrimet gri nga njëra anë dhe fushatën nacionaliste folklorike elektorale nga ana tjetër, gjithnjë për të maskuar debulesën e oligarkëve tanë ndaj aleancave që favorizojnë korrupsionin, krimin, ryshfetin dhe antishqiptarizmin.

Ndërkohë, gjithë këto përpjekje për ta eleminuar fizikisht e politikisht Ramush Haradinajn e bëjnë atë një protagonist të padiskutueshëm në skenën politike të Kosovës. Meqenëse përpjekjet për dënimin e tij kanë filluar që në vitin 2004 e vazhdojnë edhe sot, kjo do të thotë se teoritë e konspiracionit janë shpikje e atyre shqiptarëve që nuk e duan politikisht Ramush Haradinajn. Pikërisht se ai është i padëshirueshëm në Beograd, duhet të jetë protagonist i politikës së Prishtinës.

Me këtë rast dua të theksoj se qeverisja e sotme e Prishtinës në shumicë është produkt i vullnetit të përbashkët të qeverisjes së Tiranës dhe asaj të Beogradit. Nëse Fatos Nano fliste me Milosheviçin (1997) për projektin e zgjidhjes së konfliktit, ai dhe Milosheviçi përcaktonin dhe realizuesit e projektit të tyre. Nëse Ilir Meta fliste për projektin e Kosovës pa Rugovën (2001) me ish-kryeministrin e ndjerë serb, Zoran Xhinxhiç, ata flisnin dhe për njerëzit që do të implementonin këto projekte. Nëse Edi Rama harton projekte të përbashkëta me Vuçiçin (2013-2017), të dy këta kanë projektuar edhe stafin në krye të institucioneve të Kosovës për realizimin e këtyre projekteve. Ramush Haradinaj ka qenë dhe mbetet jashtë këtyre projekteve. Madje po bëhen përpjekje për ta eleminuar, ndoshta edhe si i preferuar i presidentit amerikan, Donald Trump. Pikërisht kjo e bën atë të kompletuar dhe të domozdoshëm për t’u rikthyer fuqishëm në skenën politike të vendit.

Filed Under: Politike Tagged With: e kërkon eleminimin, e Ramush Haradinajt?!, Enver Bytyci, Pse dhe kush

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 589
  • 590
  • 591
  • 592
  • 593
  • …
  • 671
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lideri i opozitës në Shqipëri Prof. Dr. Sali Berisha u takua me shqiptarët e Amerikës
  • Kujtojmë në ditën e lindjes akademikun Aleks Buda, kryetarin e parë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
  • Një udhëtim në kohë me Rita Orën
  • Labor Day në shekullin XXI: Punëtori amerikan përballë frikës nga AI
  • SHKOLLA SHQIPE NË WUPPERTAL, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË GJERMANI
  • E mira dhe e keqja…
  • Legacy of Light: Commemorating Mother Teresa’s Spirit of Humanity
  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT