Ese nga Xhevair Lleshi/
Aa, këtu jam në shtëpinë time tani! Mbajeni gojën. Malet janë drita ime, vera që pi përditë, shakaja që bëj me veten time dhe me miqtë e mi, janë kryelartësia e çdo njërit prej nesh, buzëqeshja intime dhe e ngrohtë që ta përndrit shpirtin, janë guximi që na përmbledh forcat dhe na bën të ecim vetë përpara. Malet… Kushdo i sheh sipas mënyrës së tij. Por, thjesht, malet janë lartësi, që kush ka lindur atje ka parë që sa hapi sytë një horizonte të gjerë, të pakrahasueshëm me këdo tjetër. Malet janë eleganca e shpirtit njerëz. Të lindurit në male janë Sizifë dhe kjo vuajtje i bën njerëz të vërtetë, të pastër e të ndershëm. Më gjeni një njeri prej malit (të paktën e të paktave një!) që të jetë dhjamur. Kurrë! Mali të bën qefull, pikë dhjami s’të lë, të hollon linjat, të detyron të ecësh si duke vallëzuar. Vetiu je një artist, një valltar i lindur. Eh, sa do doja ta zhvilloja këtë temë. Sepse me këtë frymë gjithsecili do të donte të ishte i vendosur për të ecur përpara në trajtën e tij më të bukur. Ndaj dhe kalarinjtë në qytetin e mrekullueshëm të Beratit, për shembull, janë aq të përsosur në trup! Nuk gjej dot fjalë t’i përshkruaj. Më gjeni një malësor të shkurtër, më gjeni një malësore të mos jetë perri, më gjeni një malësor që të lypë, më gjeni një malësore që të prostituojë. Jooo! Nuk e kam fjalën për ato që i kanë rrëmbyer nga shkolla dhe i kanë çuar në oborret me drita të kuqe në Evropë. Nuk mundet askush t’i bëj ballë sfidës sime për malin… Ju ftoj të gjithëve t’u gjeni të kundërtat! Jo nga ato që ju i përdorni aq shpesh nga foltoret tuaja të allasojta, të bëra nga druri i pyjeve të maleve tona! S’ka antitezë më të poshtër, qoftë edhe nga kjo fjali. Lisi i gjallë sulmon qiejt, pi verë të kuqe me jashtëtokësorët (fjala vjen) dhe s’ka nge të merret me morrat e me pordhacët, fjalamanët e dokraxhinjtë. Lisat rrinë e flasin me diellin dhe grinden me retë. S’ mund të përfliten dot fjalët e urta që lisat u tregojnë gjithë atyre që prehen përkohësisht dhe përjetësisht nën hijet e tyre të bryllëta. Hidhu pjergullën lisave, ta shijosh verën a rakinë. Ndërto shtëpinë me zemër lisi dhe e gjen rrojtjen e bukur dhe aromën e mirë. Ajo zemër nuk kalbet kurrë!…
Eci me një gëzim të papërmbajtur drejt maleve dhe me bisht të syrit shoh turistët e mi, që kam vendosur t’i gjezdisë nëpër male, paçka se ndonjë prej jush s’i ka qejf, madje i shan e i batërdis si malësorë, madje duke i përdhosur si malokë! Kurrë në jetën time nuk kam mallkuar e as sharë një njeri të fushës, të luginës, apo të bregut e gropës. Kurrë! Askush nga ne të malit nuk di të shajë e të mallkojë! Gjithë atë fjalor të ndyrë e kemi mësuar duke ndenjur në pellgjet me bretkosa dhe nëpër ferrat e fushës! Nuk ka ferra mali! Mali ka lisa, ahe, pisha e bredha! Të gjitha rrahin qiejt! Malet e bëjnë drurin të këndojë. Uji brisk i ftohtë i maleve ua pret buzën atyre që s’i duan. Mali i mbulon me djersë e me turp ata që s’i pëshpëritin fjalën e duhur malit, ua rrallon frymëmarrjen, i bën të vuajnë. Malet mbajnë zotat, perënditë. Atje është froni i lartë i tyre. Ndaj dhe ndihesha krenar që i shoqërova në male turistët e mi. Sigurisht malin duan ta bëjnë pis. Ecën dhe shikon plastmas, copa letre, hedhurina plastike, shishe lloj-lloj. Që të gjitha vijnë o nga pellgjet, o nga fushat, nga qytetet. Turp e marre! Autobusi ndërkohë ndalet në Ko-man. S’kini qenë asnjëherë deri aty? Ah! E tmerrshme. Merreni njëherë guximin, se do të mrekulloheni. Mos e shtini në sy lodhjen e rrugës, mbyllini sytë para hedhurinave, lini pasdore fjalët e këqija që mund të keni. Ejani me mua! Unë nuk shaj askënd. Vetë përplas të vërteta në fytyrat e kujtdo. Duhet gjetur një që t’i thotë troç. Dhe më keni gjetur mua. Unë meditoj pak dhe pas pak ia marr këngës. S’dua vegla që të më shoqërojnë, s’dua saze si u thonë në jug, dua vetëm zërin të buçasë! Se s’gjen, është e pamundur të gjesh një njeri të malit me zë të ulët e të çjerrë! Përkundrazi malësorja e malësori ka zë gurgullues, të kthjellët, të lartë dhe imponues. Dhe kjo është një krenari më vete. Edhe kur i këndon dashurisë, shoqëruar me çifteli, drithërima e zërit përfton një oqean me drita dhe vera e rrëkëllyer mbi gjoks bëhet një lojë e kërthndezët plot e-mocion. Mali s’ngre mure, po shkëmbinj. Jemi njerëz ne të malit…
Hyni kështu në liqenin e Komanit. Udhëtoni me malet mbi kokë, jeni bashkë me zanat e shtojzovallet, soditni ujëvarat, guvat, kishat e harruara nga shekujt, retë, duke përcjellë histori të lashta dhe këngë majëkrahi. Më është e pashlyeshme pamja e kësaj kështjelle gjigante që shqyen e gris gjithë hapësirë e ç’të sheh syri, ndërsa turistët e mi, si-kur qenë mbledhur kutullaç e qenë zvogëluar papritur e pa kujtuar! Ç’t’ju them o njerëz. Se kushdo prej nesh ashtu mblidhet kur është përfund tyre. Këtë e them me një lloj mërie, sepse më vjen keq që mali edhe shtyp kaq egërsisht. Po ama kur i çova, siç qenë, në Korab u mrekulluan. Ishin mbi mal. Preknin dëborën. Shikonin hapësirën pa skaj të fushëtirës mbi majën e malit, duke mbajtur në gjumë gipset e arta dhe mermerin e rrallë. Atje do të ishte ndërtuar kampingu më i rrallë në botë. Dhe banorët e vjetër thërrasin në telefon të rinjtë që (të gjithë e pa përjashtim) punojnë e jetojnë në Londër dhe një ditë, thonë, do të bëjmë mbi Korab Lojërat Olimpike Botërore të Dimrit. Le ta marrë vesh e gjithë bota sa janë se djemtë e Korabit, më të bukurit nga racat e kësaj bote, dinë dhe duan, dashuroj-në dhe qajnë me ligje, respektojnë dhe kur vjen puna të bëjnë grusht e të rrish sus. Krenari e pakrahasueshme! Krenari e bukur dhe që të imponohet. S’gjen kund tjetër. Edhe në Selishtën time të mrekullueshme nuk gjen të tillë. Më ka ardhur inat që vajzat e Korabit mund të krahasoheshin me vajzat e Lurës e të Selishtës. Por m’u desh t’i përulesha. E, në këto bukuri të hatashme ka rënë sharra elektrike (ose me bateri) dhe sëpata. S’gjen dot aq lehtë drurë! Dhe nuk jemi vetëm ne fajtorë, por vijnë nga larg kopilët e djallit, na cytin, na japin helm, na prishin vetëdijen që të shfarosim pyjet, ajrin, jetën! Dhe në këmbim të ca letrave që kanë vlerë, për të mbajtur shpirtin gjallë, ne u turremi me hanxhar në dorë, si hordhi të huaja e fa-mëkeqe dhe presim drurët e mjerë. Shtatë ditë e shtatë net vajtojnë trungjet për trupat e prerë dhe të mbajtur po atë çast. Tani që s’do pikët e mundimit? Gjetëm një mëngjes një prej atyre soj vrasësish, nën trung me sytë hapur, duke iu ankuar zbrazëtirës së molepsur! Kishte mbetur aty dhe trungjet vajtonin me ligje! Zot o Zot!
Turistët e mi janë buzëhollë. Nuk i lë të shajnë malet, as edhe kur kanë shumë të drejtë. Sepse edhe në një lëndinë të Lladomericës ua shtroj nën hijen e kumbullave e të arrave dhe atje ku gjej një shpellë dhe pllakë e madhe me foton dhe emrin e Agron Elezit, u them cili ishte, se ç’bëri i vëllai. Dhe, ku-ku, profesor, ata ishin nga Berati! Nuk më ndahet ky qytet mua. Edhe në këtë formë më del për-para. Por, ani, edhe kështu vlen. Pastaj i lë më poshtë të shijojnë buzës së Drinit të Zi në Gjoricë, nëpër hijet e mrekullueshme të shelgjeve të varur mbi ujin aq të kulluar. Si nuk turbullohet njëherë ky ujë, ë? E kullon Radika thonë, po edhe shkëmbinjtë e murrëtyer nëpër të cilët kalon. Zë e shoh drejt Maqellarës, vrojtoj rrugën ende të paprekur me dorë. «Rruga e Arbrit» që me këtë vonesë kush e di në ç’ shekull do të përfundojë. Edhe rruga nga Shupenza në Bulqizë që përfundoi ca kohë më parë Berisha dhe kompania e tij, po prishet. E prish koha vetiu. Kjo është trandja e parë nga e vërteta. Ca thonë se kjo rrugë turbullon ujërat e Zallit të Bulqizës, të Matit dhe të Lumit të Tiranës. Por unë mezi pres që të ngrihet edhe njëherë Elez Isufi i Dibrës dhe majë kalit të jetë Tiranë, si atëherë kur ia bëri tetë me dy mbretit Zog! Kështu e duan qeveritë që të mbledhin mendjen. Se kështu bëhet më mirë, vjen ora kur këndojnë malet dhe ata ta presin me zallahinë e tyre refrenin tënd të mallkuar. Kushdoqofsh! Talljet e ustallarëve të rinj në qeveri nuk kanë të sosur. Malet dëgjojnë, zënë sytë me duar dhe brejnë mendime.
Presin të shpërthejë stuhia. A do të shpërthejë vallë?
Ndoshta. Vijnë dhe ikin kohët e stuhive. Pastaj mbretëron qetësia. Se turistët, të themi të drejtën, s’para i duan stuhitë!…
Pranoj të vete në kishë e në xhami të falem. Vijnë me mua edhe turistët e mi. Më çojnë kumt kudo që të jenë dhe e dinë saktë që i pres. Kanë shkruar në SMS «Nëpër Shqipëri». Dhe itinerari dihet. Koman – Valbonë – Grykat e Prizrenit (ose në Rugovë – çfarë madhështie! E paparë!), kthehem drejt Korabit (eh, Korabi!) – Gollobordë – Pogradec – Shën Naum – Volorekë – Prespë – Voskopojë – Dardhë – Kolonjë (e bukura Kolonjë!) dhe ndalem në Leskovik! Një përrallë. Ndalu, pusho, valle, këngë, tregime gojore, pleq të llahtarisur, dreka e darka madhështore midis njerëzve që i duaj aq shumë njerëzit, papritur mes ulërima resh e ujqish, qengja e keca të pjekur në hell, nga hojet e shpirtit. Këtu dua të mbetem ca. More, po sa e kuptojnë malësorin dhe gruan e tij këta turistët e mi! Po që kanë një dëshirë të papërmbajtur të jenë kullat e tyre, të bujtin si kohë e kohë parë, të shëtisin në male, nëpër shtigjet e njeriut, të gjejnë motivin e dashurisë hyjnore e pastaj të luten në të parën kishë dhe t’u këndojnë të vdekurve. Se të vdekurit janë një racë e vetme dhe një barazi për ta pasur zili, ndaj dhe u këndohet njëlloj në gjithë botën. Në botë varret ledhatohen njëlloj… Vetëm të kesh t’i shohësh si ulen mbi varre. Femra e meshkuj njëlloj, sikur ndjellin jetën që jetojnë. Vihen e të vënë në merak të madh. I dua, i dua, i dua turistët e mi, se janë njerëz, ndonëse të parfumuar për ibret, edhe me shije delikate po, por natyra e bukur ua heq trurin, ua largon aromat e çuditshme dhe i kthen me këmbë në tokë. E mbajnë fjalën ata, turistët, të njohur e të panjohur. Vijnë, dërgojnë motmot më vonë të njohurit e tyre. Shkoni, u thonë, vend i magjishëm, ndonëse ca i egër, po edhe dashuria sikur do spërkatur me ca egërsi, se fundja qulli as ka dashuruar dhe as mund të dashurojë. Dashuri eprane kjo për ne. Unë e ndiej. A na shajnë, më thua? Po or mik, po. Të kërdisin e jo të shajnë. Unë bëhem vrer, por s’kam ç’bëj. Ma kanë zënë fytin zyrtarët e qeverisë me ata të turizmit me ngjyra artificiale. Pse kanë turp ta thonë të vërtetën? Ja, edhe fjala që shkruan edhe ti, lum miku, s’të ka lezet nëse s’është e sinqertë, e ndjerë dhe e pastër. Sa të futësh (fute po të duash!) del menjë-herë që është ndryshk i gjallë! Ka luks të madh ajo e uruar fjalë e bukur! Po natyra?…
I ke parë trëndafilat në Shën Naum, ë? Jo? Mëkat! Zoti të mbrojttë, s’kam ç’them tjetër. S’ka më bukur! S’them, edhe Driloni (Voloreka, de!), është në po atë majë, një këngë e shtruar romantike. Ku nuk të shkon mendja! Kur je në Drilon te vajzat e bukura (të bukurat e dheut!) atje të shkon mendja! I ka bërë Zoti që të na marrin mendjen malukatkat! Kështu sevdallinjtë e Korçës e ngrysin në Voskopojë e në Vithkuq, në Dardhë e në Prespë! Pse doli kaq shpejt vera sivjet, djem? Pse? Na i bën tym mendjen vajzat tona! Dhe, edhe ai i humburi atje, i kruspullosur në mjerimin e vet, ngre kryet sapo ndien aromën e vajzave. Dhe Sefer Bodini dhe e gjithë njerëzia në autobus, pasi ka lënë shoferin e dytë ia merr valles së shtruar, duke grykuar vargje të rreptë, e duke përdredhur si një mrekulli. Kam ndjekur kursin për balerin. Sikur ta dija se do të merresha me turizëm dhe doemos me femra! Kjo është një mrekulli më vete, por jo si harresa!…
A e dini si pushohet duke parë diellin që lind në Gramoz dhe si perëndon tutje në malet e Skraparit? E kini përjetuar një natë të vetme të jeni duke lundruar një natë të vetme në Maligrad, mbi Prespë? A i jeni lutur Zotit mbi majën e Tomorit, i cili rënkon nga pllakat që ia vjedhin pa të keq fare? Jeni grindur ndonjëherë shiun apo dëborën në Dardhë? A ia keni marrë ndonjëherë këngës në livadhet e Leskovikut? Jetë o jetë! Por, më besoni, përveç dashurisë sime të verbër, maleve, vëllezër e motra ua kanë hequr të gjitha. Kanë ngelur pa njerëz malet, jetimë. Janë thinjur e-dhe më. Vetëm kur vete Simon Vrusho në Velçan, ndanë Shpiragut për të parë lisat e tij. Ose kur i teket Skënder Rusit të gjuajë ndonjë peshk në Shadicë! Ja, edhe atëherë kur i rrëmben malli poetët Buçpapaj e vijnë në Valbonë. Atëherë do të shohësh se malli është bërë mal më vete dhe shfryn si vullkan. Jo si vullkanet artificialë, vërtet madhështore që shpërthen Berluskoni i famshëm në vilën e tij në Sardenjë! Është tjetërsoj shpërthimi i mallit. Presim vepra të mëdha prej tyre, duket! Ua them unë që s’jam poet. Në Valbonë, vëllezër, është përrallë që ta tregon Jezerca mbi kokë, duke të mbajtur në pëllëmbë të dorës! E, mendoni, është privilegj i madh, i papërshkruar kund, ndërsa e sheh spektaklin e Bajlozit me Mujin e Halilin. Dëgjohej nëpër smeraldin e Valbonës bubutima e legjendës. Do ta shijoni shumë, edhe pse u është dashur që katër kilometra të ecni në rrugë të pashtruar! Epo, fundja, katër kilometra janë! E nëse jeni ngopur me pamjet groteske të Alpeve nëpër Koman, do t’ju duhet të ktheheni nga Kosova dhe aty vendosni vet nëse do të preheni në Rugovë, në Pllavë e Guci, apo të përjetoni hatanë e shkëmbinjve dhe guvave kaliforniane të Lumbardhit të Prizrenit në prehër të Sharrit. Zgjidhni e merrni. Ndoshta ju do të dëshironit Mirushën, Llapin, Drenicën Caralevën, Anamoravën, Grykën e Kaçanikun, ballkonin e Ballkanit mbi vetull të Tetovës! Bëhem keq edhe prej mjerimi të fjalëve, më zënë të rejat mbi të vjetrat, ndihem më zi edhe kur flirtojnë apo për-leshen të rejat midis vedit. Ç’të them! Ishte një madhështi e pa treguar, e rrëmbyer, që të mbush plot jetë, kaq e ma-dhe, sa më vjen çudi kur e sheh dhe pastaj me siguri përhumbesh duke vënë përpara piskamën e një zëri që s’di-het se nga buron: Dil moj dil me diellin mbi mal, dil se më trete e më le pa varr… Mu atë çast gratë u plakën në çast dhe fara nuk është më farë, shpirti m’ u përvëlua në zjarr, bukuria na u bë kallkan… Një puthje në vetull të malit, ma nxirr o shpirt buzën all, dhe shpirtin mos ma merr, më lër të digjem në mall…
Kush ia di të mirën kaut! Ndryshe nuk do ta thernin ditëzinë. Mbi lëndinat e Leskovikut vijnë gratë e bukura, të gjata e sevdallesha të Leskovikut. O, o, o, ç’kam parë, mos pafsha kurrë më! Leskovik o gur’ i thatë ku o ku m’i ke prurë gratë, për një plak për një gjak, ma dogje shpirtin or farmak… Nuk gjej dot pamje tjetër më të pjekur: burrat marrin një veshul qershi dhe krijojnë skena të papara, të gjalla, plot humor e shpërthim të fshehur në gji, ja gratë më tej qeshin e këndojnë, me sytë e ndezur të bëjnë të fundosesh me gjithë ç’ke! Humbet, or burrë, humbet në këtë humbellë të marrosur Leskoviku. Fët ia bëjnë në Greqi, i ndezin brigjet Sarandoporosit, i çmendin vërtet, të mjerat, i ndjekin pas, se s’ka më keq kur bukuria bëhet xhind… Po pse, mos është muaji i mushtit, apo i mjaltit që presim nga hojet. Mushti të ndez, mjalti të harbon. Se, miku im, edhe në Lurë të jesh, tek ata liqenet që vajtojnë pyjet e prerë, e di kush këndon nëpër male? Jo? Vetëm malli. Se malet kanë mbetur jetimë. Sirenat e Drinit janë ngjitur në Lurë dhe lahen nudo, bashkë me zanat e pyjeve që kanë ngelur pa shtëpi! T’i shohësh, aman o Zot, vdes në këmbë, po ama ngjallesh prapë, mbyll sytë dhe përfytyron pamjen e llahtarisur të shpirtit dhe i hap menjëherë nga frika: nuk di më ku je, në Lurë apo në parajsë… Dhe qahen djemtë që vijnë më të rrallë: na i morën të bukurat e dheut, na humbën e u tretën të puthurat e zjarrta (ato që i japin shpirt parajsës hyjnore e tokësore), e ne kemi vetëm ç’gjetëm dhe ç’na mbeti…
Unë miku im, s’mund ta harroj një natë mbi mal, në Kuç. Hë këtu, hë atje dhe mbeta gjithë ditën nëpër re. Herë i shihja shtëpitë, malet përreth, dëgjoja larg psherëtimën e detit dhe krismat e rrëmujës vinin prej të qeshu-rave në Fterrë. E sheh? Jam i bredhur. Dhe turistët e mi në autobus s’i mbante vendi. U tërbuan. Ta bën natyra këtë, është hall i madh! Rri pak në Kallarat, pastaj ulesh në Vranisht. Kockë e fortë. I thonë Lumi i Vlorës me nam. Edhe turistët e mi kishin ngelur pa e parë. Kur u gjendën aty sa u largua reja u pataksën. Po kjo? Guri i madh peshonte mbi dy karthje dhe rrinte hosh. I madh guri sa një shtëpi. Sofra e Zotit i thoshin. E fotografuan, sa i nxorën zinë. Bënë sellfi, u përmorën në brekë nga bukuria e hatashme, iu shtruan byrekut me tre petë që lundronte në gjalpë dhie aty mbi Sofrën e Zotit dhe u zhdëpën. Harruan dietat, harruan linjat dhe pastaj lëpinin gishtërinjtë. S’ kishte më petanik, as lakror me tri petë. Ishte ç’ishte. Dhe kënduan labçe. Pa u mblodh i madh e i vogël, u tund dynjaja. Dasmë e shkuar dasmës. Po ku i mësuan këngët labçe, e ta dridhnin zërin që ndryshe bëhej hataja! Ja kjo të ndodh aty ku s’ta pret mëndja. Dhe kur të jenë në anët e tyre, mrekullisht do tregojnë përralla nga Lumi i Vlorës, nga Labëria. Fyelli, mishi në hell, ushqimi si në kohët e lumturisë së për-folur njerëzore. Dhe pyesnin këtu ku jemi: More mos janë të droguar? Mos rrisin hashash? Mos na bën lakror me hashash? Bëhet? Vërtet? Pash perëndinë, ç’ thua! Ndodh. Po, po, ndodh. Se, e kam thënë, s’ka argëtim e festë më të madhe për fshatarin, se në rastet kur ia hedh një njeriu tjetër, të ditur apo qytetar! Vë dhjamë, ta them unë! Ç’na ra dhe s’e hoqëm, thuaj!
Sefer Bodini merr frymë thellë dhe qesh, po menjëherë ngryset si malet që kanë mbetur jetimë!
Fatbardha Pali says
Kam lexuar e kam lexuar, por esse me te bukur se:”Malet Mbetur Jetimë”, shkruar nga Z.Xhevahir Lleshi, rrallë herë kam ndeshur të lexoj. Një përshkrim ideal i natyrës shqiptare, me male, fusha pyje e lumenj, rrethuar me mrekullitë që janë përshruar artistikisht nga autori, shtuar dhe njerzit e mrekullueshëm, formuar nga kjo natyre dehese (na ishte njëherë), që të le pa frymë, duke e lexuar..Shkrim që përmban gjithëçka: ëndje, batuda për të përmirësuar të metat..Të duket sikur po lexon një udhezues, udhërrëfyes Cdo gjë është prekur denjësisht e vërtetësisht, në pritje që njerzit dhe qeveritë, Pendë të mbarë si dikur, t’i kthehen punës e të rirregullohet çdo gjë sërish..Ju falenderoj, Z. Xhevahir, për essenë e mrekullueshme për kombin dhe tokën tonë të shenjtë. Pendë e dorë të mbarë!