• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mesanta e shurdhër e krimit pa alibi

October 30, 2016 by dgreca

15 vjet më parë u ekzekutua me C4 gazetarja Shote Haklaj/

Objektivi i shpërthimit me eksploziv të fuqishëm, i llojit C4, ishte apartamenti ku banonte deputeti i PD-së, Azgan Haklaj./1-azganhaklaj

Shkruan:Dukagjin Hata/

 Ishte një mesantë e errët dhe e shurdhër e 31 tetorit 2001, kur Tropoja e mbështjellë me hije dhe mister, do të përjetonte një prag apokalipsi. Një  shpërthim i fuqishëm eksplozivi gati rrafshoi në tokë një pallat pesëkatësh në lagjen “Partizani” të Bajram Currit. Objektivi i shpërthimit me eksploziv të fuqishëm, i llojit C4, ishte apartamenti ku banonte deputeti i PD-së, Azgan Haklaj. Për fat të mirë, ai nuk ndodhej në banesë, pasi ishte ftuar në një darkë ku ishin dhe drejtues të lartë të PD-së të ardhur nga Tirana. Në apartamentin e Haklajt gjendeshin vjehrra dhe kushërira e tij, Shote Haklaj. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa shembi njëri pas tjetrit të gjitha ndarjet e brendshme të pesë kateve, duke e lënë ndërtesën vetëm me muret e jashtme si kafaz. Një foshnje i lidhur në djep, fluturoi nga kati i pestë në të parin por Zoti deshi që ai të mbijetonte. Personat që e kishin vendosur eksplozivin ishin ekspertë, pasi e kishin drejtuar efektin e veprimit në mënyrë vertikale për të shkaktuar një dëm sa më të madh të ishte e mundur.

Ngjarja e kobshme solli pasoja tragjike dhe shumë pyetje që ende sot e kësaj dite enden të mbështjella me dyshim e mister. Si rezultat i shpërthimit, gjeti vdekjen 27 vjeçarja, Shotë Haklaj, që kishte disa kohë që kishte nisur punë si korrespondente e TV Kukësit dhe u plagosën disa persona të tjerë. Për fat të mire, nuk pati viktima të tjera edhe pse në momentin e shpërthimit në pallat ndodheshin mbi 100 persona. Autorët e këtij akti të mirëfilltë terrorist, që synoi të zhdukte familjen e deputetit demokrat Azgan Haklaj dhe të paktën 20 familje të tjera nuk është zbuluar kurrë nga strukturat e specializuara të shtetit.

Ky krim monstruoz, akt i mirëfilltë terrorist, ekzekutoi në mënyrë barbare një vajzë të re, në kulmin e moshës dhe të ëndrrave, një gazetare që kishte hyrë në rrugën e mediave, në emër të fjalës së lirë, për të cilën dha jetën. Është e para gazetare që ekzekutohet në Gadishullin e vjetër dhe më gjërë me eksploziv C4, një nga mënyrat më mafioze të eleminimit me prapavijë hakmarrjen. Vrasja e Shotës nuk ishte një “aksident”, por krim monstruoz, i përllogaritur nga ekzekutorët gjakftohtë, për të eleminuar një gazetare opozitare, një kundërshtare politike, një bashkëluftëtare të politikanit Azgan Haklaj.

Ky akt terrorist që në rastin më të keq mund të kishte pasojat e një masakre, ishte në vazhdën e sulmeve ndaj fisit Haklaj, një nga fiset më qëndrestare të Tropojës dhe të krejt veriut shqiptar në luftën për liri dhe dinjitet shoqëror, njëkohësisht dhe një nga fiset më të sulmuara nga segmente të shtetit, krimi i organizuar dhe mafia në të gjitha kohërat.

Etja për hakmarrje të shpejtë nuk kurseu as jetën e një femre, një vajze të re në moshën e pranverës, një gazetarje të përkushtuar, që kishte aq shumë për të shkruar dhe për të bërë në jetën e saj, që fatalisht u këput në mes.

Kulla epike e burrave të fortë e të besës, që kishte dhënë modele atdhetarie në luftën për liri dhe dinjitet shoqëror, do t’i nënshtrohej një genocidi të fshehtë e të pakuptimtë, që me kohë do ta shndërronte në një rrënojë. Është një realitet tejet i trishtë e tragjik, shoqëruar me vrasje të njëpasnjëshme, me hije ankthi e dyshimi, që strukturat e antikrimit, me heshtjen dhe mungesën e dëshirës për të zbardhur të vërtetën, me ikjet e familjarëve drejt perëndimit, e kanë bërë ende më të zymtë tablonë ekzistenciale të fisit Haklaj.

Pas rënies së Murit të Berlinit, gjenocidi ndaj derës së Haklajve është genocidi më i egër dhe më mizor i ndërmarrë ndonjëherë nga segmente të politikës së inkriminuar dhe mafies ndaj një familje me kontribute historike.   

Numërohen mbi 150 vrasje, ndërkohë që me qindra grabitje apo atentate që kanë shkaktuar plagosje dhe gjymtime në rrethin e Tropojës, janë pa asnjë autor dhe mbajnë peng një histori të keqkuptuar. Mbi 30 sulme, të cilat kanë shkaktuar 14 të vrarë dhe të plagosur janë mbi shpinën e një familjeje, saga e të cilës përmban një “Kuti Pandore” të pazbuluar.

Bombardimi me C4 i pallatit në fjalë, ku mbeti e vrarë gazetarja Shote Haklaj, qe paraprirë nga një serial i përgjakur atentatesh e vrasjesh, ku në shenjëstër ishin kulla dhe burrat e derës qëndrestare të Haklajve. Një nga më të ekspozuarit ndaj këtyre skenarëve ogurzinj ishte politikani i ri Azgan Haklaj, njeri i artit dhe kulturës, valltar i klasit të lartë, një personazh embelmatik në Tropojë, që i jepte tonin jetës politike dhe qytetare të kësaj treve, e cila asnjëherë nuk qe pajtuar me tiraninë komuniste dhe format e saj të maskuara në demokracinë e brishtë shqiptare.

Saga e fisit Haklaj në Tropojë është ende mister, pasi asnjë vrasje nuk është zbuluar, asnjë autor i arrestuar apo i hetuar. Familja e Haklajve njihet në të gjithë veriun e vendit si një nga familjet më të mëdha, e cila brez pas brezi ka ndezur pishtarë qëndrese për komb e flamur dhe ka vënë gurë kilometrikë në kujtesën kombëtare. Dera e Haklajve ka dhënë katër dëshmorë për atdheun: Shpend Zeqir Haklaj, dekoruar me Medaljen e Trimërisë, Ismail Plak Haklaj, dekoruar me Medaljen e Trimërisë, Man Arif Haklaj, dëshmor i Atdheut dhe Rustem Sadri Haklaj, dëshmor i Atdheut. Të parët e Haklajve kanë luftuar me armë në dorë kundër turqve e serbëve, ndërsa gjatë luftës në Kosovë, dera e tyre ka qenë një bazë e fuqishme e luftës dhe strehuese e qindra kosovarëve, të ikur nga flakët e spastrimit më të egër etnik të kryer ndonjëherë në Gadishullin e vjetër. Por në vend të kurorës së merituar, shteti dhe shoqëria jonë e traumatizuar gjatë këtij tranzicioni të vrazhdë, iu ka ofruar dhunë, djegie, kërcënime, vrasje, të cilat, siç e thamë, ende nuk kanë qoftë dhe një autor të vetëm.

Azgan Haklaj, njëri nga pinjollët më të njohur të derës së Haklajve, ka qëndruar me stoicizëm dhe shpirt qëndrestari në Shqipëri, duke luftuar me art, me libra dhe kulturë për ta bërë më të ndjeshme e më të drejtë këtë shoqërinë tonë në kthetrat e këtij tranzicioni primitive.

Azgani garoi në zgjedhjet problematike të vitit 2001, duke qenë i burgosur politik nga qeveria ekstremiste majtiste. Një nga politikanët më aktiv të PD-së, ai do të sillte në Kuvendin e Shqipërisë zërin e shpresës dhe protestës qytetare për një Shqipëri tjetër, të cliruar nga kthetrat e krimit politik dhe të gjitha llojet e hapura apo të kamufluara të krimit dhe devijimit social, ekonomik e politik të shoqërisë shqiptare, nën kthetrat e mafies politike të vazhdimësisë. 

Mbi Azganin dhe familjen e tij janë bërë gjashtë atentate politike, që nga vendosja e eksplozivëve në banesë deri tek snajperi, C4, granatimi me armë të rënda, aksidenti me makinë e deri tek tentativa për ta helmuar.

Veprimtaria dhe kauza e tij është në përballje me segmente të mafies shtetërore është bërë objekt i kanecelarive të BE-së, Moskës e Uashingtonit, ndërkohë  që për të kanë shkruar figura të njohura letrare, artistike e politike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në gjithë hapësirën etnike shqiptare.

Kauza e tij nacionaliste, përkushtimi dhe qëndresa e tij, nuk ka gjetur jehonë tek spektri politik shqiptar, që sot e gjithë ditën ka qenë i zënë duke bërë pazare e duke ndarë tortën e turpit, ndërkohë që individë si Azgani iu nënshtrohen presioneve, shantazheve dhe kërcënimeve me jetë, në një vend ku të jeshë idealist dhe progresist është një sprovë e vështirë. 

Atentati mizor i 31 tetorit, ndodhi për të terrorizuar dhe paralizuar lëvizjen opozitare në Tropojë, ku Azgan Haklaj, si një nga funksionarët kryesorë politikë dhe pushtetarë të kësaj treve, deputet që do të tundte Kuvendin e Shqipërisë, gjendej në ballë të saj, me karizmën e një qëndrestari të patrembur. Disa muaj më parë, në zgjedhjet e përgjitshme, Azgani do të garonte dhe do të fitonte mandatin e deputetit, që nga qelitë e burgut, ku i qe nënshtruar torturave çnjerëzore. Pjesë të inkriminuara të shtetit shqiptar kërkonin të hakmerreshin ndaj një humbje të thellë e të paralajmëruar në Tropojë, duke dhënë një mesazh të përgjakur. 

Shote Haklaj, vajza e bukur e Malësisë së Gjakovës, gazetarja e talentuar, që nuk i mbijetoi dot sulmit me C4, nesër mbushen 15 vjet që nuk është më, duke paditur gjithë klasën politike për pajtim me krimin dhe drejtësinë shqiptare, që asnjëherë nuk e ka thënë fjalën e saj në kohëën dhe vendin e duhur.

Filed Under: Histori Tagged With: 15 vjet nga vrasja, Azgan haklaj, Dukagjin Hata, Shote Haklaj

Artikujt e fundit

  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ
  • 100 VJETORI I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE, VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR MË 28 KORRIK 2022
  • Një copë qielli midis Meksikës dhe Kosovës
  • NJË PYETJE (NEVE) PËR QËNDRESËN
  • Meet a NYCHA Construction Partner: STV  
  • KUVENDI  I  GREÇES , KRYEKUVENDI  KU MORI  JETË PROGRAMI  POLITIK I PAVARESISË  SË SHQIPERISË…
  • GAZETA E VETME SHQIPE E KOSOVËS “BUJKU” E 23 QERSHOR 1991: XHEJMS BEJKERI NË SHQIPËRI: JU JENI ME NE, NE JEMI ME JU – SHQIPTARËT I SHFAQËN MIQËSI TË MADHE AMERIKËS
  • Mirënjohje dhe vlerësim

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT