• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IMZOT VINÇENC PRENNUSHI: In memoriam

March 18, 2014 by dgreca

FALI, ZOT, NUK  DIJNË  ÇKA  BAJNË…- Prof. Arshi PIPA/

 E kam njohë Imzot Prennushin në burgun e Durrësit gjatë periudhës 1948 – 49. Ai u suell aty nga Seksioni i Sigurimit të Durrësit, mbasi qé torturue ma parë. Kur e prunë, mezi mbahej në kambë. E kishin dërmue tue e rrahë me shkopinj e mandej e kishin varë, lidhë kambësh e duersh, “si nji dash në çengel kasaphanëje”, thonte ai vetë tue ba buzën në gaz.

            Imzot Prennushin e vendosën në dhomën nr. 8, që kishte shërbye dikur si xhebehane dhe ku banojshin ma të rrezikshmit: 18 vetë. Unë qillova ngjat tij dhe pata kështu rastin të miqasohesha me té.

            Kur gjyqi ushtarak zhvillue në nji dhomë të burgut e dënoi me 20 vjet burgim të randë, fjala e tij e mbrojtjes qé: “Nuk i kam dashtë kujt të keqen. Jam mundue me ba mirë”. Në nji qelë të posaçme ngjitun me xhebehanen ishte ndry Don Anton Zogaj, famullitar i Durrësit. Ai kishte qenë dënue me vdekje, gja që e trishtonte shumë Imzotin. Nuk kam harrue ngazullimin e tij kur nji shok i dorëzoi kapsat e petkut fetar të Don Antonit, lanë dëshmi e martyrizimit të vet.

            Mbaj mend nji skenë të devotëshme në infermjerinë e burgut, ku unë u shtrova mbas kthimit në Durrës nga kampi i Vloçishtit. Në infermjerinë e burgut gjeta Imzotin qi vuente prej asmës. Kjo ishte e tillë sa me e lanë pa frymë prej gulshimit. Nji ditë prunë në infermjeri Don Jul Bonattin, famullitar i Vlonës. Kur i thashë kush ishte i smundi qi përpëlitej, ai u ngrejt prej shtratit dhe ngau me i puthë dorën Imzotit. Imzoti tërhoqi dorën, bekoi me té Don Bonattin dhe u përmbys në shtratin e vet.

            Përveç se prej asmës, Imzot Prennushi vuente nga nji hernia e randë. Nji ditë rojet e ngarkuen me bajtë trungje prej rrugës poshtë te kodrina ku gjindej burgu. Si Krishti n’ udhën e Kalvarit, ai u përpoq tri herë me rradhë. Por u rrëzue të trija herët, pa shprehë ankim.

Imzot Prennushi vdiq në Mars 1949. Kur i mbylla sytë e etshëm per dritë – ai më pat çekë njiherë frazen e Goethe-s “Mehr Licht !” – kuptova se çfarë drite ai kishte nder mend. Ka njerzë qi besojnë në Pavdekshmëninë e Shpirtit dhe ka të tjerë që nuk besojnë në té. Por asht vështirë me pranue se gjithçka merr fund me vdekjen e trupit kur mendon se ka njerzë qi vdesin per Ideale!

                                                                                    Arshi PIPA

Tiranë, 28 Shkurt 1995.

Kopjue nga origjinali që Autori Prof. A. Pipa, i ka dhurue Fritz Radovanit.

Melbourne, Mars 2014.

Filed Under: ESSE Tagged With: Arshi Pipa, Imzot Vincenc Prenushi

Faik Konica, aristokrat edhe kur shau

October 23, 2013 by dgreca

Nga ARSHI PIPA/

Faik Konica! Kush nuk e njeh? Emni i tij asht njeni prej ma të dashunvet. Po mbushet afër nji gjysë shekulli qysh kur ky emën tingëlloi për herë të parë në veshët e Shqiptarëvet. Vinte që larg, nga nji vënd i huej dhe delte për me mprojtë të drejtat e Atdheut. “Albania” quhej ky za, dhe ishte, në shkretin e kulturës shqiptare,nji “vox clamans in deserto”. Ç’atëherë nami i Konicës u vendos në fronin ma të naltin e mendjes shqiptare. Dhe si hypi nji herë nuk luejti ma. Gjatë gati nji gjysë shekulli fjala e tij erdhi ndër veshët tonë, ndër mendjet tona, me intervale herë ma të shkurta here ma të gjata. Jo e shumtë, jo e shpeshtë, ma fort e rrallë,,, rrallë e për mall. Dhe gjithherë e ndrrueshme, gjithherë e freskët. Dhe kur vinte, mbassi kishte shkapërcye kontinente e oqeane, kishte tinguj të nji mendësije së ndryshme, perëndimore, ma të qartë, e qi ma se nji herë i u-dukshin të çuditshme botës së vjetër shqiptare. E sigurisht Konica qe mendja ma e ndrituna e gjithë historis sonë letrare. Noli punoi shumë ma tepër e ma me fryt. Por Konica qe për cilsin. Të tjerë dhanë punën: ai dha tonin. Aristokrat i lindun. Sugjeroi, drejtoi, zakonisht i ndjekun me nderim. Por ndodhi shpesh qi nuk e kuptuen. Atëherë u ¬idhnue, talli ashpër, shau.Aristokrat edhe kur shau, ashtu si vetëm ai dinte të shante! Po pse mos me i thanë qysh tash të metat e tija njerzore? Ai nuk qe shembull mase e drejtsije. Pasjoni e verboi shum herë. Kishte nji faj sidomos (faj tamam aristokrati!): nuk mund të shifte tjetër kënd sipër vehtes, bile as pranë vehtes. Por në të vërtetën cili mund t’i afrohej? Çka tjerët kishin veç e veç a mangut, aj pat të gjitha së bashkut e në mënyrë të plotë. Kurrgjë s’i mungoi, nga kultura e madhe shkencore te ndjesija e imtë artistike, nga magjija e rrallë e bisedimit te shëndeti e hijeshija fizike. I vetëdijshëm për epërsin e vet nuk duronte qi ndokush të mos ia njifte. Të kishte pasë rrufena, si Zeusi, do të kishte shigjetue ata qi nuk e adhurojshin. Por fjalën: nuk e kurseu me e përdorë, kur u inatos, si armë, ma keq se armë. Mos të ngutemi me thanë se bani keq. Të kujtojmë pak se me ç’njerëz e me ç’koka pati punë. Ndërmjet “anadollakëvet” e “sharllatanëvet” ai ishte nji fenomen anakronik. Kuej me i folë për art, “anadollakut në mësallë”?Çdo njeri qi dinte me shkarravitë dy harfe shqip na mbahej për reformator gjuhe! E atëherë aj u idhnue e drodh kamxhikun e satirës..Pamje njimend e kureshtme ishte kjo me pa “gentleman-in” ma të përsosun tue i u-vërsulë me shamjet ma të ndyta kundërshtarit! Sed quod non facit indignalio? Ishte nji shpirt i çuditshëm ky Faiku, privilegjet e atij i u-dukshin të natyrshme! U a kishte zili të tjerëve mallin për Shqipni! T’ishte e mundun, do të donte t’i shërbente asaj aj vetëm, si nji grueje të dashun! Dhe qe kështu – ndonji herë i padrejtë, ashtu si mund të jetë ai qi ka zilin e dashunis.
Njeri ekstremesh! Njeri pasjonesh të mëdhaja. Këndej nuk “begendiste”, andej nuk falte. E kështu shkroi e foli mbi art me delikatesën më të madhe me ndijimin ma të thellë. Por kur shau u mori hua rrugacavet fjalorin e tyne.Nuk shkroi vepra të plota? A muejtë me i shkrue nji njeri me kto huje? Ai nuk qe nji shkrimtar i profesionit, i lidhun mbas tryeze; qe nji “shijues”. Kur shkroi, shkroi për endjen me shkrue. Estet. Aristokrat deri n’art. Ç’ishte për të me mbledhë ndër disa volume ato qi shkroi gjatë jetës së vet? JO, nuk e bani. Kjo nuk i ka hije zotnis së madh qi asht msue me hjedhë mendime e humor “par dessus le marche”! Të tjerë le t’i mbledhin, në dacin! Zotnija i madh shpenzon në të djathtë e në të majtë, falë e darovitë, nuk ep me fajde.Nji herë vetëm mori mundimin me botue nji libër. Dhe ky olibër qe nji përkëthim prrallash arabe nga “Njimij e nji netët”. Asht kjo mënyra e ndonji lordi anglez qi kujdeset për punë të votës dhe të vetat i len mbas dore.Ç’ndryshim midis tij e Nolit! Noli punoi, me vullnet hekuri, gjithë jetën. Noli qe demokrati i madh i letërsis sonë. Krahazoni Nolin qi bahet prift për t’u shërbye bashkatdhetarvet të vet, me Konicën qi bahet ministër tue e kalue kohën ndër “soirees” diplomatike dhe ndër andjet e holla t’artit e të muzikës. Nji aristokrat i tillë a mund të pajtohet me nji demokrat si Nolin? E shkurtë qe prandej miqsija e tyne.Pat thanë një herë Ëilde: “Kam vue të gjith gjenialitetin tim në jetën teme, por vetëm talentin tim në letërsin teme”. Kto fjalë i përshtaten mjaft Konicës. Larg nesh mendimi më e krahazua jetën e tij me atë të “dandi-t” Ëilde! Por kush mund të mohojë se luksi e fama atij nuk i pëlqejshin? Ata qi e njofton tregojnë se shijet e tija epikureane ishin fort të pasuna. Ishte nji burrë i pashëm, me nji shëndet për t’i pasë zili. I pëlqente pra “jeta”, kuptohet. I pëlqente edhe me u-veshë mirë. Ndonjiherë ngjeshte edhe fustanellat e delte ashtu nëpër kremte e gostina, ose edhe nëpër “Hyde Park”.Jemi të mendimit se personaliteti i shkrimtarit asht gjithmonë çelsi i artit të tij. Nuk arrijmë me kuptua se si arti e jeta mund të jenë te artisti dy anë të ndryshme, të kundravendosuna. Dhe në qofshin këto nji herë të vërteta te artisti i zakonshëm, qi e idealizon jetën e vet n’ art, janë dhetë herë të vërteta të ata të rrallë qi, tue ndrrue mardhanien, e sjellin artin e tyne në jetë, tue e ba jetën e tyne poezi, tue e artistizue. Baudelaire! D’Annunzio! Konica u përngjet pak, për së largu.Portreti fizik i Konicës, ashtu si e shikojmë në fotografin e tij tipike të riprodhueme shum herë, asht pasqyrë shum e qartë e karakteristikavet të tija shpirtnore. Na duket Konica këtu në moshë të pjekun, medje të shtyme, njeri qi ka jetue dhe qi din ç’asht jeta. Fëtyra e tij e mbushun, plot shëndet e gjak, rrëfen nji shpirt të knaqun nga vehtja. Vijat janë të hajthëta, me lakime elegante të nji fëtyre fisnike. Dhe në kët fëtyrë dy gjana bijnë në pah me nji herë: sytë e goja. Sytë kanë nji shkëlqim të jashtëzakonshëm, nji shkëlqim të prehtë e të ftohtë, sy çeliku. Inteligjenca e madhe e Konicës vezullon çiltaz ndër kta sy. ‘Por kur zbresim ma poshtë ndeshim dy buzë “fine”, jo të trasha jo të holla, të lakueme në nji mënyrë qi nuk mundesh me dallue me shpejt a asht gaz i ambël apo ironi. Por në se ke lexue ndonji shtyllë nga “Dr. Gjilpëra”, ose nga “Gaspariano”, nuk ke ma dyshim: ajo buzëqeshje asht ironi. Gjithë ajo inteligjencë qi ndriçon nga sytë e Konicës vjen e del nëpër ato dy buzë të lakueme, natyrshëm; për tallje. Inteligjenca asht ba “humour”: ke njoftë njeriun.Inteligjenca asht cilsija e madhe e Konicës. Ndër tjera rrethana, ndër tjera kushte shpirtnore do të kishte muejtë t’ushtrohej me fryt të ndryshëm. Edukata frënge, me traditën e saj të satirës, nga D’Aubigne te Voltaire, trajtoi Faikun pamfletar. Anglija, atdheu i humorit, i zhvilloi edhe ma tepër sensin e ironis. N’Amerikë mandej ato gjetën trollin e përshtatshem për me u-ushtrue.Pamfleti shkatrron, dhe ironija, vetëm, a mund të krijojë? Ironija asht nji “forma mentis”, asht trajtë, asht stil. Kur nuk asht e shoqnueme me fantazi krijuese ajo mbetë në planin e fragmentavet e të vijosjevet të shpejta, “essai” a përshtypje e rasës. Ironija pa peshën e landës asht fluturake: asht ndër hujet e erës qi e shëtitë për pak, herë këndej herë andej.Inteligjenca nuk krijon: ndritë, sqaron, e shum shum ndryshon: asht themelisht kritike. Konica pati të gjitha vetitë për me qenë nji “essayiste” i shquem: kulturën filologjike-estetike, shijen e artit, prehtësin e gjykimit. Ato prova qi kemi prej tij e dëshmojnë qartaz këtë. Por aj kishte ma tepër se kaq: kishte ironin. E përdorun me masë e me takt ironija, kjo dhuratë hyjnorësh, mund të krijojë vepra madhështore kur asht e drejtueme nga nji qëllim serioz, nga nji dëshirë universale. Ndonji herë Konica ja arrijti ktij ideali. Përshkrimet e tija te “Shqipërija si m’u duk” mbi ata “memurë” anadollakë e mbi ata tjerët, paljaço të qytetnimit europjan, “robotë” e “levantinë”, janë të nji humori të shëndoshtë: dhe kjo, pse Faiku frymëzohej jo ma nga marazet e ngusha vetjake por nga nji ideal kombtar. Por shpesh zotnuen te aj edhe inatet politike, pasionet e pezmatueme. Dhe ironija, u-ba atëherë sarkazëm, dhe sarkazëm vetjak.Por gjindej, te Konica, edhe nji mall i fortë për bukurin e pastër. Aj, shijues aq i hollë i muzikës dhe artit, përpara disa qneave natyrore ngashërehej. Ose kur vinte “dita e verës” dhe mendimi i fluturonte tek kohnat e bardha pagane, ose kur shkonte “anës liqenit”. Shpesh ishte malli i Atdheut. Herë tjera ishin kujtimi i kohnavet të fëminis kur i rrëfejshin përralla si “e bija e mbretit dhe trandafijë”, ose ato qi tregohen “në hijen e humave”. Ky tel minor i Faikut tingëlloi ma rrallë e “in sordina”. Zakonisht e mbyti tingulli i ashpër e larkjehues i satirës. Por kur tingëlloi qe plot magji. Piktura ma të përsosuna, ndjenja ma t’imta nuk ka përshkrue deri sot penda shqiptare. Qe nji shembull:“Nata po afrohet. Drita e ditës tretet dalë nga dalë; e, mbi tjegullat e shtëpive, mbi drrasat e rrugëve, mbi fletët e pemëve, mbi trupat e epila të çupave që shkojnë, një ngjyrë manushaqeje-një ngjyrë gushë pëllumbi, si thonë në ca male t’ona- shtihet, e i mpështjell. Mbasandej, pakë nga pakë, manushaqet çfletohen. Hijet bëhen më të dëndura, më të zeza. Njëri mbas tjetrit, yjtë çpojnë qiellin, e pikëlojnë dritë. Nata u afrua. (“Albania” v.II. n.6, fq 92).Por Konica nuk u kujdes me i lanë të shkruese të gjitha përshtypjet e veta. Ndoshta prej përtacije! Shënojmë se veprën e tij të madhe, koleksionin dymëdhjetë vjeçar t’ “Albania-s” (1897-1909), e bani sa qe i ri, në hovin e atij entuziazmi djaloshar qi krijon zakonisht gjanat e reja, e ndonji herë të mëdhaja. Sigurisht i nji tjetër kalibri ishte vullneti i Nolit, qi punoi pa u-lodhë, vazhdimisht. Konica përkundrazi e ndali hovin mbas botimit t’”Albania-s”. Çka shkroi prej këndej deri sa vdiq, gjatë një periudhe gati tri herë ma të madhe se ajo e “Albania-s”, asht relativisht e paktë në krahazim me punën qi derdhi te revista. Ishte orvatë me ngul ndërmjet sa vështirsish për të mbajtun rivistën. Kur i erdhi fama e bashkë me atë edhe mirëqenja ekonomike e rehatija, u-duk shpirti i tij prej aristokrati qi e ban letërsin për qejf, kur nuk e ban për huj.Në të vërtetë kjo pat qenë ma vonë, kur Konica, mbas nji periudhe gjithaq të gjatë sa ajo e “Albania-s” (1909-1921), u vendos n’Amerikë për mos me luejtë ma, përveç nji vizite së shkurtë qi i bani Shqipnis në 1929. Kjo periudhë e dytë asht periudha politike e Konicës, sa e frytshme për rilindjen tonë kombëtare, aq e vorfën në prodhimin e tij letrar. Mbas këndej Konica qe i lirë e mueti me ba jetën qi deshi. I njohun si përfaqësuesi i gjithë shqiptarvet t’Amerikës, ma parë prej Qeveris së përkohëshme e më vonë prej Monarkis, aj kishte tash kohë e mundësi për me punue me nge në fushën e letravet. Gjatë kësaj kohe, dyfish ma të madhe se ajo e periudhavet të para (1921-1943), Konica, do të kishte muejtë të prodhonte shum ma tepër se shtyllat e “Dr. Gjilpërës”, reportazhin e “Shqipëria si m’u duk” dhe përkëthimin e prrallavet arabe.Shkaqet duhen kërkue jo aq te ambienti i rafinuem diplomatik ku shpirti prej natyre përtac i Konicës nuk gjeti nxitje për punë (ka pasë edhe tjerë diplomatë qi kan dijtë me përfitue nga rehatija e jetës diplomatike në dobi të poezis), se sa te vetë struktura etike e Konicës. Kjo strukturë ishte e tillë sa nuk mund të prodhonte vepra të plota. Konica ishte nji estet, dhe cili estet nuk asht i lidhun ngusht me ego-n e vet? I munguen Faikut ato ideale qi e derdhin njerin në nji humanitet ma të gjanë se bota e vetvehtes. Nuk gjejmë në të hove dëshirash altruiste, zell apostulli. Konica rroi e vdiq i pamartuem, nuk e njofti pra familjen si vlerë etike. Popullin aj s’ e ndjeu afër tue qenë ariostokrat. Fen e injoroi. Ndër idealet etike qi mund t’i epshin landë krijimit të Faikut, vetëm nji ngelte, atdheu. Atdheut aj i shërbeu si ma i madhi bir i tij. Vepra e tij atdhetare imponon nderim. Por tue lanë mënjanë shërbimet diplomatike qi s’kan të bajnë me poezi, puna atdhetare e Faikut qindron ma tepër te kritika e anës së dobët se sa te lavdimi i anës së mirë të shqiptarit. Vuni në dukje të metat pa cinue virtytet t’ ona. Dhe kjo, kujtojmë, rrodhi prej se Faiku u-shmang nga tradita. I dalun jashtë vendit qysh herët, e i edukuem me kulturë prendimore, aj qe i pari njeri modern i vërtetë ndër shqiptarë. Kjo mendësi moderne, qi i dha prehtësi e guxim me vue në satirë mbeturinat anadollake arnautishte, e lergoi Konicën nga kuptimi i atyne rrajëvet të forta e të shëndoshta qi qenë gjallnija e Shqiptarit gjatë shekujvet. Shembull domethanës në kët pikpamje: moskuptimi i tij rreth Naimit.Kto vlera etike, familja, tradita, humaniteti, feja, janë ato qi i japin ushqim poezis së madhe. Dhe kto Konica nuk i pat fort të zhvillueme. Por për me qenë poet mjafton shpesh herë me i besue Artit, tue ja dhurue jetën kultit të tij. Kështu arti fiton humanitet dhe, nga nji luks shndrrohet në nji nevojë, nga nji punë qejfi bahet vlerë etike e epërme. Konica nuk ja flijoi jetën e vet poezis. Aj bani të kundërtën: ja flijoi jetës poezin e vet. Arti ishte i vetmi shkamb ku do të mund të ngulej. Aj nuk e mori seriozisht, nuk u-pengue mbas tij. E bani “me shaka”, kur i u-tek. T’i kishte besue artit do të kishte qenë Heine i letërsis sonë. Kurgja sa “Shqipëria si m’u duk” nuk përgjasohet me “Reisebilder”.Ky qe Konica dhe kjo vepra e tij. Rrallë herë shprehja e famshme: “Le sytle c’est l’homme”, gjen nji trupzim ma të përshtatshëm se te Konica. Pse ai qe i tani stil. Njofti të gjitha të mshehtat e stilit, të gjitha kthesat. Stili i tij qe në thelb satirik. Të tana gamat e satirës ai provoi, prej ironis ma s’ambël deri në sarkazëm, prej humorit deri në pamflet. Por qe edhe i kthjellët e i ambël kur deshti.
Ndikimi i tij mib letrat shqipe qe i madh e i vijueshëm në kët vështrim. Proza toske i detyrohet Konicës. Të gjithë shkrimtarët toskë morën mësim prej tij. Prandej sot proza toske asht e njitrajtëshme, ndërsa gegnishtja nuk asht kristalizua ende pse nuk ka gjetë nji mjeshtër stili njësoj të madh sa Konicën.
E jo vetëm stilin e shkrimit mësoi Konica, por edhe vetë gjuhën. Kultura e tij filologjike, me baza të gjana shkencore, u-shoqnue me shijën e tij në të folun dhe të dyja bashkë përftuen at gjuhë të pastër qi sot rrjedh aq bukur ndër shkrimarët toskë ma të mirë.Stili n’art asht gjaja kryesore. Nuk ka letërsi të vërtetë pa stil. Me pasë mësue mjetin e mënyrat e shprehjes: ky është lavdi i pavdarshëm i Faik Konicës. Asht lehtë me kritikue tue gjetë të meta e gabime. Por cili, sa do i madh qoftë, nuk i ka? Të mdhajvet t’u harrojmë mungesat dhe t’u çmojmë virtytet. Të mos kërkojmë ndër ta ma tepër se ç’na kanë dhanë. Qenë prisa, qenë pionerë ndër shtigje të parrahura, ndër pyje të ngatrrueme. Sot na ecim pa vështirsi sheshit, harrojmë shpejt se ktë nuk e kemi nga mundi i tyne. Të falenderojmë pra shkrimtarin për sa na ka dhanë dhe të përkulemi me respekt përpara fëtyrës së ma të madhit stilist shqiptar, Faik Konicës.Na duket, ndërmjet atyne dy poleve të kombit qi janë gega e toska, sa i pari përban ma tepër landën, brumin e shqiptarit dhe i dyti trajtën, frymën. Dhe në se gjejmë ma të madhin përfaqsues të gegnis te Fishta, ndeshim kulmin e faqes tjetër jo te Naimi, jo te Noli, por te Konica. Botuar më 1944

Filed Under: Kulture Tagged With: Arshi Pipa, Faik Konica

FISHTA DHE DIKTATURA

July 23, 2013 by dgreca

NGA ARSHI PIPA*/
Kur Kostallari flet për njësimin e gjuhës shqipe, ajo çfarë ai realisht kupton me njësim, është asimili mi prej ShNjL i leksikut dhe frazeologjisë gege. Një hulumtim i Fjalorit të 1980-ës tregon se kështu është në të vërtëtë.
Në parathënien për Fjalorin, Kostallari e përcakton si “fjalor i ri shpjegues, sa më normativ, me një fjalës më të gjerë e më sistemor, me frazeologji më të pasur dhe me kërkesa ideoshkencore më të larta”(v). Le ta shqyrtojmë këtë përcaktim: Fjalori është vërtet shpjegues, në kuptimin se ai rreshton kuptimet e ndryshme të çdo fjale dhe ilustron çdo kuptim me shembuj. Modeli i kësaj procedure, mund të gjendet te fjalori i Kristoforidhit, megjithëse një numër shpjegimesh te Kristoforidhi, janë dhënë në greqisht. Model më i plotë, është rasti i fjalorit të Cipos, i cili qe i pari fjalor që përcaktonte të gjithë kuptimet me shqipen. Por fjalori i Kostallarit, është edhe më përfshirës e i hollësishëm. Një shembull: përgjigjem ka 3 kuptime që ilustrohen me 4 shembuj te fjalori i Cipos, por 8 kuptime që ilustrohen me 27 shembuj (plus dy fraza idiomatike) te fjalori i Kostallarit. Prej këtyre shembujve 6 kanë stampë ideologjike: “ne i përgjigjemi thirrjes së Partisë”, “rinia iu përgjigj me luftë trup me trup”, “ata iu përgjigjën sulmit (zjarrit)”, “ata iu përgjigjen dhunës me dhunë”, “një letërsi (art) që duhet t’i përgjigjet jetës sonë socialiste”, “jam i përgjegjshëm ndaj masave”. Asnjëri prej të katër rasteve të Cipos, nuk motivohet ideologjikisht, madje i fundit është një përcaktim gjuhësor: “ë-ja toske i përgjigjet â-së nazale gege”. Fjala ilustron çfarë Kostallari kupton me “kërkesë më e lartë ideo-shkencore”. Për këtë të fundit ne do të kemi edhe më shumë për të folur. Sa i përket thënies së Kostallarit, se ky fjalor “ka një fjalës (leksik) më të gjerë e më sistemor, një frazeologji më të pasur”, s’na mbetet tjetër veç të jemi dakord, e komenti im kishte për të qenë “një frazeologji shumë e pasur”. Dëshiroj gjithashtu të përdor një superlativ në lidhje me thënien “sa më normativ”, bile do të thoja se normativiteti në këtë fjalor ka shkuar aq larg, sa ai mund të quhej Fjalor Normativ i Shqipes. Italishtja, gjuhë me histori mijëvjeçare, bujarisht i pranon variantet. Duke i hedhur një sy rastësisht shkrojave C e D në Fjalorin autoritar të Gjuhës Italiane me autorë G. Devoto-n e G.C.Oli-n, unë gjej comecché dhe come che (ndonse), colletteria dhe collettoria, cominciare dhe incominciare (me fillue), dapresso dhe da presso (prej afër), demonio dhe dimonio (demon), domani dhe dimani (nesër) 14). Te Fjalori i Kostallarit, variantet janë tepër të rrallë. Ai e donte ushtrinë e tij prej 41 000 fjalësh, të mbajtur nën disiplinë ushtarake. I Cipos i ka të dyja format si sulmues, ashtu dhe sulmonjës. I Kostallarit, ka vetëm të parën. Por mund të gjesh edhe punues dhe punonjës. Si duhet ta marrim këtë mospërputhje? Parathënia nuk e shpjegon fare. Për këtë le t’i kthehemi parathënies së Kostallarit te Fjalori drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe, ku rreshton parimet e ndjekura prej reformës drejtshkrimore: “Pjesa më e madhe e fjalëve janë shkruar mbi bazën e parimit fonetik”(4). Shumë grafema i binden “parimit morfologjik”. Për disa fjalë me traditë të gjatë historike, zbatohet “parimi historiko-tradicional”. Disa fjalë të “hallakatura” me prejardhje të huaj, janë shkruar sipas “parimit etimologjik”. Por ka edhe raste “zgjidhjesh të veçanta” për një numër fjalësh të hueja(5). Asnjëri prej këtyre parimeve, nuk e shpjegon dualin anormal punues / punonjës. Një tjetër parim përtej pesë a gjashtë të përmendurve, punon fort: eklektizmi. Leximi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe m’i përforcon dyshimet: rregullat e tij përmbajnë kaq shumë përjashtime, sa s’e marr vesh, pse duheshin paraqitur si rregulla. Të krijohet përshtypja e një kryekomandanti, i cili e ka disiplinuar ngurtësisht ushtrinë e tij, por që nuk di si ta komandojë.

Klasa karshi kombit
Fjalori quhet Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe, titull ky fort i pazakontë për një fjalor. Çfarë kuptimi ka fjala “i sotëm” edhe pse është theksuar kjo fjalë? Pasazhi i mëposhtëm u përgjigjet të dyja pyetjeve:
“Për të zgjedhur e për të shpjeguar fjalët, për të përcaktuar ndërtimin e tyre e trajtat përfaqësuese dhe për t’i vlerësuar ato nga pikëpamja e normës gjuhësore kombëtare në të gjithë rrafshet, ky fjalor është mbështetur kryesisht në lëndën gjuhësore të këtyre katër dhjetëvjeçarëve të fundit, në prirjet e zhvillimit të gjuhës letrare të kohës sonë. Por termi “gjuha e sotme shqipe”, nuk përfshin vetëm këtë periudhë. Ai ka caqe kohore më të gjera. Themelet e gjuhës së sotme letrare kombëtare, në tërë sistemin e saj, u hodhën që gjatë Rilindjes. Lënda kryesore për këto themele, ishte gjuha e gjallë e popullit, por në to u derdhën edhe vlerat më të mira të traditës shkrimore të shekujve të kaluar e të krijimeve të Rilindjes Kombëtare. Prandaj caqet historike të leksikut të gjuhës së sotme shqipe dhe të “Fjalorit” që po botojmë, përfshijnë periudhën që nga Rilindja e këtej, duke pasur parasysh se letërsia artistike e Rilindjes, publicistika e saj përparimtare, mendimi shkencor i asaj periudhe hyn si një trashëgim i shquar i së kaluarës në kulturën tonë kombëtare të sotme (VIII)”. 
Duke thënë se “ky fjalor është mbështetur kryesisht në lëndën gjuhësore të këtyre katër dhjetëvjeçarëve të fundit”, është njëlloj si të thuash, se materiali gjuhësor është zhvilluar gjatë periudhës së Shqipërisë socialiste, pasi “katër dhjetëvjeçarët”, i përgjigjen një periudhe kohe që shtrihet prej vitit të themelimit të partisë (1941), deri më datën e botimit të fjalorit (1980). Cilësori “i sotëm” do të thotë se leksiku i rreshtuar në fjalor, është rezultat i një “përzgjedhje” ideologjike i tipit stalinist, meqë stalinizmi kishte qenë ideologjia e pandrrueshme për katër dhjetëvjeçarët në fjalë. “Shpjegimi” i fjalëve i përgjigjet të njëjtit kriter (sapo e vumë re se si funksiononte kjo në analizën tonë rreth fjalës “përgjigjem”). Por menjëherë pas shkrimit se “fjalori është mbështetur kryesisht (korsivi i shtuar, A.P.) në lëndën gjuhësore të katër dhjetëvjeçarëve”, Kostallari shton, se fjalori gjithashtu bazohet (termi i tij “bazament” është sinonim me “bazë”) mbi leksikun e periudhës së Rilindjes, i cili specifikohet si “gjuhë e gjallë e popullit”, plus (“shto”) krijimet leksikore të periudhës së vetë Rilindjes Kombëtare, plus “traditën leksikore të shekujve të kaluar”. Meqë përbërësi “kryesor” i fjalorit është leksiku i Shqipërisë Socialiste, i përplotësuar ky prej trashigimisë së periudhës populiste të Rilindjes, përfundimi është se fjalori është konceptuar si fjalor klasor e pastaj si fjalor kombëtar. Po ta marrim D si “fjalori” i ShNjL, S për përbërësen e tij “mbidialektore” socialiste, P për shtresë populiste të periudhës së Rilindjes dhe E për një shtresë më të hershme leksikore, formula e hartimit të këtij fjalori i bie të jetë: D = S + ( P + E), në të cilën S është e barabartë me të paktën një të tretën e D. Një fjalor, ku një e treta është produkt i Shqipërisë së sotme komuniste, s’mund të jetë tjetër veçse një fjalor klasor

Formula e ShNjL
S’do mend, se përzgjedhja është kriter themelor për hartimin e çfardo fjalori. Le të shohim se si e përcakton Kostallari: “Është pasur parasysh nëse fjala pasuron apo jo leksikut të sotëm letrar, nëse ndihmon për thellimin e pastërtisë së gjuhës letrare shqipe, nëse e zgjeron larminë e mjeteve të saj stilistikore e shprehëse etj., dhe nëse lidhet me shtresat leksikore, që rriten e zhvillohen apo me ato që rrëzohen e shuhen, ky është parimi themelor që ka udhëhequr zgjedhjen e fjalëve dhe të frezeologjisë”(ix). Kriteret realisht janë dy, pasurim dhe spastrim: pasurim i leksikut ekzistues në përgjithësi, me vemendje të veçantë te stili, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, spastrim i leksikut, kryesisht i fjalëve e shprehjeve që janë të papajtueshme me ideologjinë e një lloji, kriter klasor ky. Kostallari e konsideron gjuhën dukuri klasore. E shikuam se fjalori ishte “kryesisht i bazuar” në gjuhën e Shqipërisë socialiste. Po ashtu pamë se hapësira e zënë në diagramën e mësipërme prej leksikut “mbidialektor”, është pothuajse e së njëjtës madhësi sa hapësira e “spastruar” (jo e vizatuar) e leksikut letrar toskë e gegë. Dy kriteret, të cilët janë të gërshetuar kaq ngushtë njëri me tjetrin, sa vetë veprimet e zbrazjes e mbushjes, veprojnë përkatësisht si pompë uji, si kanal kullimi. Rezultati i një politike të tillë gjuhësore, është i parashikueshëm, po të kemi parasysh se mendimi kushtëzohet prej gjuhës. Pas nja dy a tre brezash, nuk do të mbetet në këmbë fjalë që të mos jetë e përshtatshme me ideologjinë ekzistuese. Për rrjedhojë, njerëzit nuk do të jenë më në gjendje ta mendojnë kundërshtimin – prite Zot, dëmtimin e partisë dhe të shtetit. Fjalë të tilla si “disident”, “rebelim”, “demokraci”, mund të zhduken prej fjalorëve dhe konformizmi do të mbërrinte pikën e vet të ngopjes. E nëse toskërishtja letrare do të jetë pjesërisht e kuptueshme, për shkak të strukturës së ShNjL bazalisht toske, gegërishtja letrare, do të katandiset diçka si Old English (anglishtja e moçme), pra një relike e pakuptueshme gjuhësore.

“Spastrimi” i Fishtës
Merrni me mend një adoleshent shqiptar që, duke kërkuar në një raft të vjetër të gjyshes së vet, zbulon një libër të hollë, botuar më vitin 1905. Ai mund të lexojë pjesën e parë të titullit, Te ura …, pa qenë në gjendje për të vazhduar, pasi ka hasur vështirësi në shkollimin e disa shkronjave. Libërthi është në vargje, e djalit i pëlqen poezia. Fillon të lexojë këngën e parë, të titulluar “Marash Uci”. Pak nga pak, ai fillon të njohë shkronjat e pazakonta. Edhe pse nuk arrin të kapë kuptimin e disa fjalëve, ai merr vesh se poema flet për një bari, që ka udhëtuar deri në Stamboll. Mbërrin te vargjet 51 – 52:

Por shka, Zot, ka Mashi sot,
Qi na â vrâ e nuk bân zâ?

Ai e kupton rreshtin e parë, por të dytin jo. Atëherë, ai hap fjalorin e ShNjL dhe fillon të kërkojë për â. Në vend të kësaj fjale (që është një kontraktim i âsht) ai gjen a-në, e shpjeguar si pjesëz pyetëse (fjalia vetë është pyetëse). Mungon gjithashtu edhe vrâ, fjala më e afërt me të është vras. Mos e kanë vrarë turqit Marashin? – pyet veten djali. Pjesa e mbetur e vargut, duket se tregon në atë drejtim. Sepse, ndonëse nuk është gegë, djali i bie lehtësisht në të se nuk bân zâ është e njëjta me nuk bën zë. Dhe kur dikush nuk nxjerr zë, do të thotë se ka vdekur. Por ai do për t’u siguruar dhe prapë hap fjalorin e ShNjL. Kërkon për ndonjë idiomë në seksionin frazeologjik të zë. Nuk gjen asgjë. Nuk ka fat më të mirë sa kërkimi te seksioni frazeologjik i bëj. Kostallari nuk e ka futur idiomën, e cila është gege tipike. Në fakt, jo vetëm që idioma nuk ekziston në toskërisht, por vetë toskizimi i saj do të tingëllonte i çuditshëm. Libri s’e paska shënuar idiomën. Duhet të ketë ndonjë problem këtu, – thotë djali. Dhe kështu ai e ndërpret leximin e poemës.
Ditën tjetër ai vrapon te mësuesi plak i shkollës fillore dhe i kërkon shpjegime. Zhvillohet biseda e mëposhtme:
– Kam gjetur dje një libër të hollë, të ngrënë mole, i shkruar nga njëfarë Gjergj Fishta…
– Oh, mos! E gjete apo ta dha njeri?
– E gjeta kur po kërkoja për ca fotografi në një raft. Ka emrin e gjyshit tim në kopertinë.
– More vesh gjë kur e lexoje?
– Ca po, e ca jo. Është fjala për një hero shqiptar, që u vra në betejë me turqit. Ky shkrimtar ishte vërtet shqiptar? Përdor ca fjalë shumë të çuditshme.
– Shkrimtari ka qenë prift.
– E, po, ja përse nuk i merrja vesh shumë fjalë. Priftërinjtë duhet të kenë pasur një gjuhë të ndryshme, një lloj zhargoni, ndoshta një kod sekret. Se ku kam lexuar, që ata, ditë e natë, rrinin duke komplotuar kundër Partisë.
– Kjo është arsyeja, biri im, përse udhëheqësit tanë mendjendritur i kanë dënuar shkrimet e tyre.
– E drejtë. Ato nuk shkruheshin për popullin, por për priftërinjtë dhe pasuesit e tyre. Atë libër do ta fus në stufë.
– Më mirë ma jep mua. E rregulloj unë.
Padyshim, lexuesi duhet ta ketë marrë vesh, se Fishta është me gjithë zemër i neverituri i stalinizmit shqiptar. Mund të pyetet me të drejtë se pse. Fishta konsiderohet “armik i popullit”, para së gjithash, sepse kryevepra e tij poetike, Lahuta e Malcís, është idhtësisht antijugosllave. Veçanërisht për këtë arsye, ai u nxor jashtë prej letërsisë shqiptare, si dhe prej shkollave shqipe që me ardhjen e pushtetit stalinist. Ishin ditët kur PKSH, faktikisht, ishte shtojcë e PKJ, më saktë e degës serbe të saj. Ishte koha kur nëpër rrugë brohoritej “Enver-Tito”, e ky çift emrash shkruhej me të mëdha nëpër mure e banderola.15) Nënshtrimi i PKSH ndaj Partisë Komuniste Serbe, ishte i tillë saqë shtypi shqiptar kopjonte mënyrën serbe të të shkruarit të emrave të huaj gjeografikë e të përveçëm. Ai i shtypte, jo si shkruheshin në vendet e veta të prejardhjes (sikurse ishte praktika në Shqipërinë parasocialiste), por sipas mënyrës që i shqiptonin serbët, kur i shkruanin me shkroja cirilice. Ky zakon, i filluar në Rusi shumë përpara se të vinte komunizmi, arsyetohej me vështirësinë e përdorimit të shkrimit cirilic rus në dhënien e tingujve latinë, grekë e arabë. Meqë Shqipëria zgjodhi alfabetin latin, pozita e saj në ketë pikëpamje, është e njëjtë me vendet e tjera të Lindjes Komuniste, si Polonia, Çekosllovakia e Hungaria, të cilat gjithashtu kanë në përdorim shkrimin latin. Por ndërsa këta vende vazhduan të shkruanin emrat gjeografikë si dhe të përveçmit, ashtu siç shkruhen në vendet e prejardhjes, udhëheqja komuniste zgjodhi mënyrën serbe (dhe ruse) të të shkruamit të tyre. Kështu, Chateaubriand shkruhet “Shatobrian”, Chigi “Kigji”, Shakespeare’s Julius Ceasar Jul Cezari i Shekspirit speare (heshtë) bëhet “shpirt”, meqë ra fjala “në njerën dorë pushkën dhe në tjetrën librin”, është parullë e mirënjohur stalinisto-shqiptare, por edhe italo-fashiste.
Po le të kthehemi prapë te Fishta. Ai u refuzua, jo vetëm për shkak të antijugosllavizmit të tij (skicat sarkastike të Hoxhës për Titon dhe udhëheqësit e tjerë jugosllavë në librin e tij Titistët, janë të krahasueshme – duke lënë mënjanë poezinë – me karikaturat e Fishtës për Knjaz Nikollën e Malit të Zi e ushtarët e tij te Lahuta e Malcís), por edhe për arsye të tjera: ai kishte pranuar një medalje merite prej sulltanit turk, pastaj qe bërë agjent i imperializmit austro-hungarez me botimin e Posta e Shqypnís, nuk kishte refuzuar caktimin e tij si anëtar i Akademisë fashiste Italiane të Shkencave pas pushtimit të Shqipërisë prej Italisë16). Po të jetonte edhe disa vjet të tjerë e të shihte ardhjen e stalinizmit shqiptar, me siguri do të arrestohej e do të procesohej si armik i popullit e tradhëtar i kombit (vëllai i tij françeskan Vinçenc Prenushi, një folklorist i shquar e shkrimtar, e më vonë Arqipeshkëv i Durrësit, vdiq në burg) 17). Arsyeja e vërtetë me të cilën mund të shpjegohet fishtofobia e partisë, është se ai ishte gegë i Shqipërisë së Veriut dhe prift katolik, si edhe poet i madh. Në këtë pikë, lexuesi duhet të informohet se (para se vendi të shpallej si vendi i parë ateist i botës), shqiptarët praktikonin katër lloj besimesh: islamin sunit, bektashizmin shiit, ortodoksinë e katolicizmin. Për shkak të qëndresës së tyre ndaj propagandës ateiste dhe presionit, katolikët e kanë vuajtur më tepër përndjekjen fetare. Dhe meqë ata banojnë vetëm në Shqipërinë e Veriut, regjimi ka qenë i prirur të identifikojë ketë pjesë të vendit me katolicizmin. Por Fishta është brohoritë si poet kombëtar, jo vetëm prej shqiptarëve veriorë. Ai ishte sigurisht personaliteti katolik më i shquar i Shqipërisë parasocialiste. Fishta u bë gogoli i socializmit shqiptar, për shkak të staturës së tij dhe statusit si ideolog përfaqësues i katolicizmit shqiptar.

Spastrim edhe në fushën e leksikut

Megjithatë, ajo që të bë përshtypje në rastin e Fishtës, është se ai është “spastruar” jo vetëm prej fushës së letërsisë, por edhe prej asaj të leksikut. Dihet se Fishta ka leksik të pasur poetik. Max Lambertz-i, cili e ka përkthyer Lahutën e Malcís në gjermanisht, futi në Albanisch – Deutsches Wörterbuch (Fjalor shqip – gjermanisht) fjalë si me dheskë ‘locken’ (me joshë, me ndjellë), dumbare ‘doppellaüfiger Revolver’ (revolver vetëmbushës), grrêç ‘Kurbisflasche’ (susak uji), me kandritë ‘ausstaffieren’ (me pajisë), kryqalí ‘Christ’(i krishterë), latrâc ‘Viebauch’ (mullëz, lukth bagëtie), me leçitë ‘ankündigen’ (me kumtue, me bë të ditur), mêc ‘Bursche’ (djalë), shkallme ‘Schwert’ (pallë, shpatë), shkinë ‘Slavin’ (grua sllave), shkjení ‘Slavenland’ (popullsia e sllavëve të jugut, kryesisht serbë e malazezë), shmrijak ‘Almhirte’ (bari kullotash alpine), vithna, shumës i vath ‘Hürde’. Asnjëra prej këtyre fjalëve, nuk gjindet në fjalorin e Kostallarit. Por një fjalë e tillë si me dheskë “e pasuron leksikun ekzistues”, sepse, me sa di unë, nuk ka në shqip një fjalë tjetër që t’i përgjigjet fjalës anglisht ‘to lure’. Kurse një fjalë si me kandritë “e zgjeron larminë e mjeteve të saj stilistikore e shprehëse”, ngaqë fjala nuk ka një të barazvlefshme të vet të saktë në shqipe. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për me leçitë, grrêç, shmrijak, ku kjo e fundit është karakteristike për zakonin e malësorëve që shtegtojnë me bagëti, sipas stinës nga kullotat verore në ato dimërore. Së njëjtës emërtesë bariore i përket edhe fjala vithna, shumësi i vath. Kostallari regjistron vathë, por jo shumësin vithna, siç dëgjohet në Shqipërinë e Veriut. Ai parapëlqen shumësin vatha. Por kjo formë e shumësit, nuk del në asnjërin prej trembëdhjetë shembujve dhe frazave që ilustrojnë përdorimin e kësaj fjale. Prej nga vjen ky shumës vatha? Cipoja e ka vathë, vithna; po kështu edhe Lambertz-i; po kështu Kristoforidhi. Por ky i fundit regjistron edhe formën vatha të shumësit, e cila duket se është forma e gegërishtes qendrore. Kostallari ka zgjedhur këtë formë. Ngaqë tjetra qe përdorë prej Fishtës? Apo ngaqë kjo ishte një formë e gegërishtes së Veriut?

Raste të tjera “spastrimi”

Por rasti i Fishtës është vetëm ai që bie më tepër në sy, në trajtimin që i bën Fjalori i 1980 gegërishtes letrare të veriut. Nikollë Gazulli, një tjetër prift katolik, hartoi një Fjalor të Ri: Fjalë të rralla të përdoruna në Shqipninë e Veriut (1941) (19). Fjalori i Kostallarit, ndërsa përfshin një pjesë të madhe të leksikut të Gazullit, lë jashtë fjalë, të cilat janë tipike për kulturën materiale të Shqipërisë së Veriut. Kështu, psh, q½th, një dërrasë rrumbullake që përdoret për të pjekur bukë misri ose gruri në furrë (Zadrimë), tehak (por edhe qepç) vegël për latim guri (kulla e famshme e Shqipërisë së Veriut ose banesa e fortifikuar ndërtohet me gurë të latuar); shpardh, një lloj guri i grimcuar, kur bluhet dhe përzihet me gëlqere, jep një llaç të cilësisë së lartë ; tërrkaç, gërhanë për shprishje leshi; tymën, gjerm. Fadenkette. Por aty mungojnë edhe fjalë që “i sjellin ndonjë pasurim leksikut të sotëm letrar”, si psh, unt (gjithashtu ânge) (vendi ku pjesa e sipërme e shalëve takohen me trupin, ose balli i vetes, ndër vete). Herdhe e dhënë prej Kostallarit, do të thonë bole, koqe. Por mungojnë edhe fjalë që “ndihmojnë për thellimin e pastërtisë së gjuhës letrare shqipe” si, psh, trevë (direk anije). Fjala direk është turqisht, e, megjithatë, del në fjalor. Autorët e Fjalorit të ShNjL, nuk janë konsekuentë në zbatimin e kritereve të veta. Ata diskriminojnë leksikun e shqipes së veriut, e ky diskriminim vepron kundër interesave të pasurisë leksikore të kombit.
Edhe shembuj të tjerë mund të sillen që mbështetin këtë konstatim. Dranja e Martin Camajt, një kryevepër e letërsisë shqipe, përmban mjaft fjalë të rralla, prej të cilave një numër shumë i vogël, nuk gjenden në fjalorët shqip ekzistues, përfshirë këtu edhe fjalorin e Gazullit, me fjalë prej Shqipërisë së Veriut. Këto fjalë duhet të jenë nëndialektore, ngushtësisht të zonës së Dukagjinit, ku Camaj pati lindur. Por shumë prej këtyre fjalëve e pasurojnë edhe më leksikun kombëtar, përderisa këtij të fundit i mungon fjala që tregon se çfarë po bëjnë ata, ose “zgjeron larminë e mjeteve të tij [të leksikut letrar] stilistikore e shprehëse”, fjalë pa kurrfarë korresponduesje në leksikun tonë kombëtar, është fjala i lezëm (elegant, i hijshëm). Fjalë tjetër që e pasuron larminë stilistike të gjuhës, është fjala bujrí, e cila gjindet në një këngë të fëmijërisë: “Po bie borë – për malcorë. /Po bie shí – për bujrí”. Shqipja ka dy fjalë për të shënuar banorët e fshatit: G katundarí dhe T fshatarësí. Por asnjëra prej këtyre dy fjalë, nuk përmban në vetvete nuancën e fshatarit që jeton në fushë (për opozicion me ata që jetojnë në male), e që merren kryesisht me lëvrimin e tokës (për opozicion me barinjtë alpinë). Fjala bujrí, me gjasë, rrjedh nga fjala bujk. Te Dranja, sikurse edhe në vepra të tjera, Camaj heq një kufî të qartë mes fshatarësisë së fushës dhe asaj të malit. Por, meqë Dranja u botua më 1981, pra një vit pas Fjalorit, ky fjalor nuk pritet t’i përfshinte fjalët që sapo përmendëm. Por një numër veprash të Camajt, në prozë e në poezi, e që përdornin, pak a shumë, të njejtën gjuhë si te Dranja, kanë parë dritën e botimin edhe para daljes së fjalorit në fjalë. A kanë përfshirë autorët e tij diçka nga leksiku i Camajt? Jo, ata nuk e kanë përfshirë, sepse Camaj qe ndaluar për arsye politike, sikurse edhe Fishta (ai kishte mbaruar seminarin Jezuit të Shkodrës) dhe, për pasojë, konsiderohej çfarë Ismail Kadare quan “gjuhë e Krishtit” në romanin e vet Pashallëqet e mëdha.(20)
Le ta përsëritim vargun e kritereve të Kostallarit, që janë ndjekur në përzgjedhjen e materialit gjuhësor: “…nëse fjala i sjell apo jo ndonjë pasurim leksikut të sotëm letrar, nëse ndihmon për thellimin e pastërtisë së gjuhës letrare shqipe, nëse e zgjeron larminë e mjeteve të saj stilistikore e shprehëse etj., dhe nëse lidhet me shtresat leksikore që rriten e zhvillohen, apo me ato që rrëgjohen e shuhen” (ix). Ta gjykosh nga sa kemi gjetur në fjalor, i bie të thuash se procesimi i “pasurimit” të leksikut (me neologjizma, fjalë të rralla dhe huazime nga gjuhët e tjera), shkon dorë për dorë me procesin e “spastrimit” prej “shtresash leksikore që rrëgjohen e shuhen”, dmth spastrim i asaj pjese që është e dënuar të vdesë. I tillë, në radhë të parë, është leksiku i “gjuhës së Krishtit”, leksiku i asaj krahine që mban vulën e fesë katolike. Me fjalë të tjera, procesi i spastrimit, ka motive të pastra ideologjike, duke qenë ideologjia në fjalë ajo e stalinizmit shqiptar. Çdo gjë që është kundër kësaj ideologjie, duhet të pushojë së qeni. Dhe, nëse ka ekzistuar në të kaluarën, ajo duhet të fshihet nga kujtesa, duhet të zhduket, të bëhet e paqenë. Mënyra më e shpejtë për të mbaruar ketë punë, është dëbimi prej fjalorësh i të gjitha fjalëve, që tregojnë koncepte fetare dhe praktika të së kaluarës, si dhe heshtje e plotë mbi emrat e atyre që qenë përfaqësuesit e ideologjisë fetare. Kështu shpjegohet, në analizë të fundit, pse Fishta u nxorr jashtë prej letërsisë shqipe dhe gjuha e tij u dëbua nga fjalori shqip. Kjo nuk e shpjegon, nga ana tjetër, se pse Naim Frashëri, ky përfaqësues shqiptar i fesë bektashiane, çohet në qiell edhe si poet i madh, por edhe si përfaqësues i nacionalizmit shqiptar. Sipas opinionit të përgjithshëm, i të huajve e i vendasve, at Fishta është edhe ai poet i madh dhe figurë përfaqësuese e nacionalizmit shqiptar. Atëherë pse i thuhet “po” Naimit dhe “jo” Fishtës? Se Naimi është mysliman, kurse Fishta katolik? Shumë i respektuar është edhe peshkopi Noli, një shkrimtar i klasit të parë dhe përfaqësues i shquar i nacionalizmit shqiptar, si edhe dinjitari më i lartë i Kishës Ortodokse Shqiptare. Trioja Frashëri, Noli, Fishta qe brohoritur si një triní e shenjtë e gjenisë shqiptare tripartish në kohën para ardhjes së stalinizmit. Tani trioja është katandisur në duet. Arsyeja themelore pse Fishta u la jashtë, del në pah fare lehtë, meqë arsyetimi merr formën e një entimeme (te Aristoteli enthymema):
Stalinizmi shqiptar, është një dukuri dërrmuese toske dhe toskët janë edhe myslimanë edhe ortodoksë.
Fishta nuk është toskë, por as mysliman, as ortodoks. Ai është katolik edhe gegë.
Katolicizmi është një dukuri e kulluar gege.
Stalinizmi e konsideron katolicizmin gegë, si kryearmikun e vet.
Fishta ndalohet, sepse është përfaqësuesi kryesor i katolicizmit.

Spastrim dhe për Malëshovën…
Por procesi i “spastrimit”, nuk ka qenë i kufizuar vetëm te shkrimtarët gegë katolikë, të konsideruar si armiq të popullit. Të njëjtin fat pësuan dhe disidentët partiakë, të cilët vunë në dyshim vlefshmërinë e politikës staliniste, të zbatuar në gjuhë, letërsi dhe arte. Më i shquari ndër ta është Sejfulla Malëshova, një toskë mysliman. Ai kishte qenë sekretar i Nolit gjatë periudhës së shkurtër kur peshkopi ishte kryeministër i Shqipërisë në qeverinë revolucionare (1924). Më vonë ai iku në Moskë, ku thuhet se punoi për Kominternin dhe dha mësime marksizmi. Më 1943, u kthye në Shqipëri dhe u bë anëtar i byrosë politike. Për shkak të prirjeve të tij të moderuara, shpejt u ndesh me pjesën konservatore të partisë, të përfaqësuar prej Hoxhës e Xoxes. Si ministër kulture në qeverinë e parë komuniste të Shqipërisë, ai kundërshtoi prirjen për eliminimin prej letërsisë shqipe të Fishtës, Konicës dhe shkrimtarëve të tjerë madhorë. Menjëherë, ai u përjashtua nga byroja politike dhe, më vonë, edhe nga partia, duke përfunduar kështu një person krejt të parëndësishëm. Për atë kohë Malëshova ishte i vetmi intelektual shqiptar, që njihte mirë teorinë marksiste dhe praktikën staliniste. Nën pseudonimin Lame Kodra, ai kishte shkruar edhe disa poema, të cilat qenë botuar më 1945 me titullin Vjersha. Ky libër i hollë përfshin përkthimin e tij në shqip të Internacionales, e cila u adoptua prej partisë. Malëshova nuk është ndonjë poet madhor, por është njohës i mirë i gjuhës. I hodha një sy këtij libri, për të parë nëse gjuha e këtij poeti – i vetmi poet marksist, për të cilin Shqipëria mund të mburrej gjatë viteve të parë të periudhës socialiste – pësoi të njëjtin fat me poetët disidentë, të cilët, të rënë në fatkeqësi, u përjashtuan prej letërsisë shqipe të realizmit socialist. Në njerën prej poemave të tij, ai përdor një fjalë gege debojë (arsenal), fjalë që nuk është e përfshirë në Fjalorin e ShNjL. Në përkthimin e tij të Goethe-s “Mbreti i Tulës”, Malëshova e përkthen fjalën gjermanisht Zecher ‘amator pije” me bekrí, fjalë turke kjo, e pabarazvlefshme në shqip. Fjalori i Kostallarit, është i mbushur plot me fjalë prej turqishtes, shumica e tyre të pabarazvlefshme në shqip. Por fjala bekrí nuk del në të.(Marre nga A PIPA: “Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste”-, botuar në “Columbia University Press” me 1990)

Filed Under: Kulture Tagged With: Arshi Pipa, Fishta ne diktature

SI U ZHDUK AT GJERGJ FISHTA NE DIKTATURE

December 11, 2012 by dgreca

Stalinizmi e konsideronte katolicizmin gegë si kryearmikun e vet. E kjo ishte një nga arsyet pse Fishta ndalohej, sepse ai ishte përfaqësuesi kryesor i katolicizmit./ NGA ARSHI PIPA/

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Arshi Pipa, Fishta, ne diktature, si u zhduk

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6

Artikujt e fundit

  • Truri dhe kozmosi
  • DIAMANTËT E FESTIVALIT
  • Ta ruajmë, ta flasim dhe të na rrojë në jetë të jetëve gjuha jonë e bukur dhe hyjnore shqipe
  • Në ditën e lindjes së Heroit, Fehmi Lladrovci
  • The White House issues a Prayer for Peace Proclamation on Memorial Day
  • Pikniku i parë shqiptar madhështor në Staten Island, New York
  • DUKE PRITUR TË HËNËN E MEMORIES – ABDULLA RAMI – PËRTEJ HARRIMIT
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë apel organizatave ndërkombëtare të gazetarëve për kërcënimet ndaj gazetarëve në detyrë në Kosovë
  • QEVERIA RAMA KAP GJITHÇKA, DO TË KONTROLLOJË EDHE KËRKIMIN SHKENCOR
  • Frank Shkreli merr titullin ‘Qytetar Nderi’ i Malësisë së Madhe
  • Zgjedhjet piramidë dhe Shkodra
  • KUSH ËSHTË ABDULLAH RAMI?
  • Koncerti Panshqiptar Shpalos Bukurinë e Muzikës së të Gjitha Trevave
  • “Përtej harrimit” dhe përkthimi i “Shekspirit” të Hygoit, një përpjekje në rimëkëmbjen historike të kujtesës sonë të përbashkët
  • Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT