• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Toleranca franceze

July 15, 2016 by dgreca

Shkruan: Aurenc Bebja, Francë – 15 Korrik 2016/*

 Mbrëmë në qytetin Nice të Francës, ashtu si në shumë qytete të tjera franceze po festohej me rastin e festës kombëtare të 14 Korrikut, dhe si gjithmonë rreth orës 11 të mbrëmjes organizohet një spektakël fishekzjaresh.

 Një festim i tillë më kujton shpesh Vitin e Ri në Shqipëri, ku njerëzit e çdo lloj moshe apo kategorie sociale dalin në shesh për të admiruar fishekzjarret. E njëjta gjë ndodh edhe në Francë, por mbrëmja e Nice–s u transformua në dramë.

 Që prej Charlie Hébdo (7 janar 2015), Parisit (13 nëntor 2015), dhe së fundmi Nicë-s (14 korrik 2016), Franca ndodhet në gjendje të jashtzakonshme rreziku dhe përballë një sfide sigurie kombëtare si arsye e terrorizmit të jashtëm, i mundësuar dhe shkaktuar nga njerëz të brendshëm, qytetarë me origjinë të huaj, por të lindur në tokë franceze dhe të rritur po me kulturën e këtij vendi, pra me nënshtetësi franceze.

 Përtej dhimbjes së shkaktuar nga aktet barbare, natyrshëm mund të ketë apo lindë një ndjenjë tradhëtie. Me të drejtë, qytetarët mund të ndihen të tradhëtuar dhe të zhgënjyer. Ndërsa në të njëjtën kohë, radikalizmi fetar dhe ekstremizmi politik « hedhin valle », bëhen akoma dhe më të fuqishëm duke krijuar një hendek në mesin e shoqërisë franceze – frankofone.

 Pas këtyre ngjarjeve të tmerrshme, lind pyetja nëse Franca (Republikë laike) është antitolerante ndaj qytetarëve të saj, francezë apo të huaj ?

 Francën popullore, urbane e rurale, të cilën e njoh në brendësi prej 11 vitesh, përtej klishesë administrative ku përballemi besoj si në çdo vend të botës, mund të them pa frikë se është një ndër kombet më tolerante, më demokratike në botë.

 Në Francë, qytetarët janë të lirë të shprehen, të mendojnë, të manifestojnë sa herë të duan. Përtej mundësisë ekonomike, ushqehen, vishen, argëtohen sipas dëshirës së tyre. Martohen apo bashkëjetojnë mes gjinive të kundërta apo të njëjta, mes rracave, origjinave, moshave të ndryshme. Pra, Kombi i të Drejtave të Njeriut u mundëson një liri maksimale qytetarëve të saj, liri që rrallë e hasim në shtete të tjera.

 Por çdo e mirë e ka një kufi dhe që të përfitosh nga të mirat, liritë e një shteti, nevojitet gjithashtu të integrohesh. Nuk mund të jetosh në Francë duke imponuar kulturën e vendit tënd apo origjinës tënde, mund ta përdorësh atë si pjesë komplementuese, por jo imponuese.

 Shpeshherë, ne të huajt ankohemi kur jetojmë në vende tolerante si Franca për « mungesë » lirie, por shpesh u bëj këtë pyetje miqve të mi të huaj : – Do e bëje apo do e thuaje një gjë të tillë në shtetin tënd ? Dhe këtu merr fund biseda sepse përgjigjja është jo.

 Franca, sipas meje, është komb tolerant si me qytetarët e saj po ashtu edhe me të huajt. Fatkeqësisht po e paguan shtrenjt çmimin e tolerancës, të cilës mesa duket i ka sosur limiti.

 Franca po tradhëtohet nga nënshtetasit e saj me origjinë të huaj !

Burimi : © Dars (Klos) – Mat, Albania( E dergoi vete autori)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurenc Bebja, Toleranca franceze

Shkrim botuar në Francë në vitin 1653 : Gjergj Kastrioti sipas At Nicolas Caussin

May 26, 2016 by dgreca

Nga Aurenc Bebja, Francë/

Prifti, At Nicolas Caussin, ka lindur në vitin 1583 në qytetin francez të Troyes. Ndërroi jetë në 1651. Dy vite më vonë, në 1653, u publikua libri i tij me titullin « Oborri i shenjtë i At Nicolas Caussin », me një volum prej 748 faqesh. Në këtë libër gjejmë shkrimin i tij të shkurtër, por tepër interesant, për heroin tonë kombëtar, princin e Matit dhe mbretin e Shqiptarëve, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun.

Shkrimi titullohet : « Georges Castriot ». Rikthimi i tij në shqip ishte disi i vështirë, sepse është shkruajtur në frengjishten e vjetër. Si fillim, më është dashur ta risjell atë në frengjishten e tanishme, dhe në vijim ta përshtas në gjuhën tonë. Jam munduar tu qëndroj besnik fjalëve të autorit, megjithëse nuk ishte një mision tepër i lehtë, por mundi ia vlen për vepra të tilla, të cilat janë të rralla dhe me rëndësi kombëtare.

Kush ishte Gjergj Kastrioti ? Ja rrëfimi i At Nikollas për heroin tonë :

 Fillimet e Gjergj Kastriotit

Shoh në Kastriotin, dikë më të madh se Leonidasi dhe Themistokli, shoh Pirron, shoh Aleksandrin e Madh, edhe pse armiqtë e tij ishin më të fortë sesa ata të Maqedonasit, pra guximi i tij nuk duhet nënvleftësuar. Ai ishte ushtar para se të bëhej burrë, dhe natyrshëm u gjet me shpatë në dorë dhe kurajo në zemër.

I madh, me një fytyrë magjepse, i fuqishëm dhe i shëndetshëm, sytë e tij kompozoheshin mes ylberit dhe rrufesë, duart e tij qenë krijuar për të mbajtur shkëndijat e rrufesë, këmbët e tij nuk ngjasonin me asnjeri, të gjitha këto tipare paralajmëronin famën (suksesin) e tij.

Si Shqiponjë e vogël, filloj që në fëmijëri të luajë me rrufetë. Këtij Herkuli iu desht të fillojë dhe tu marrë frymën gjarpërinjëve të djepit të tij, iu desht të ushqehej në mes të armiqëve dhe të luftojë që i mitur kundra të rriturve. I ati, Gjon Kastrioti, i cili kishte pak forca dhe shumë fatkeqësi, u detyrua ta dërgojë peng dhe të rritet tek Turqit e Muratit.

Pallati sulltanor i imponoj emrin Skënderbe, që është ai i Aleksandrit, emër i cili i solli mbarësi dhe e respektoj me plot fjalën. U trajnua në të gjitha ushtrimet e milicisë  së akademisë Turke, ku ia arriti me forcë, aftësi, e miratim, dhe ku secili e shikonte atë si një mbështetës të veçantë të Perandorisë së Muhamedit.

Por ai, në zemër kishtë gjithmonë Jezusin, mendonte gjithmonë të gjente mënyra për tu shkëputur nga Perandoria. Në brendësi të shpirtit të tij, kishte një flakë, e cila e përvëlonte për zellin që kishte për të rimëkëmbur altarët e krishterëve të vrarë dhe të shkatërronte Shtetin e osmanllinjëve.

 Dyshimet dhe kurthet e Sulltan Muratit

Sulltan Murati filloj të kishte frikë nga skllavi i tij, dhe pati frikë të ushqejë në Pallatin e tij një luan që një ditë do të ishte i aftë ti tregonte dhëmbët.

Në beteja të ndryshme, tentoj ta fuste në kurth për ta zhdukur duke përfituar nga guximi i pafundëm i Skënderbeut. Një « scythe » (banorë i lashtë i Azisë qëndrore) kishte ardhur në oborrin e Muratit për tu ndeshur në një kafaz të mbyllur me rivalë të tjerë për jetë a vdekje. Fitoj duele të shumta dhe kishte besim të tepërt në forcën e tij. Secili rrotull kishte frikë kur guximtari Kastriot u ndesh me të, por ai i drodhi qafën me një dorë, dhe e vrau me tjetrën. Ata që nuk u mërzitën e duartrokitën.

Meqë ky duel i doli huq Muratit, ai gjeti një rast tjetër nëpërmjet një kalorësi persian, i cili kërkonte me ngulm të bëntë duel me heshtë (shtizë). Ishte një burrë që e njihte mirë këtë profesion, i cili lëvizte nëpër qytete dhe provinca, ku kërkonte përballje me kundërshtarë për tu përmirësuar dhe rritur reputacionin e tij.

Duhej një David për këtë Goliat, Aleksandri ynë i ri, vrapon drejt tij si një shqiponjë, e tërheq zvarrë dhe e shtrin për tokë persianin, i cili villte shpirt e gjak.

Por Murati, i cili luante personazhin e Saulit (mbretit të parë të izraelitëve), nuk reshti kurrë së gjeturi raste të tjera për të ushtruar Davidin e tij. Në luftë, i dha punë nga më të ndryshmet, por Skënderbeu korrte gjithmonë sukses, transformonte në trofe të gjitha çështjet që mund të shkaktonin rrënimin të tij dhe kthehej i gjallë nga goja e luanëve.

 Ngjitja e Gjergj Kastriotit, rënia e Sulltan Muratit

Sulltan tradhëtari i thurte fjalë (lavde) të bukura Skënderbeut…I premtonte se do ti dorëzonte Shtetet (Tokat) pas vdekjes së babait, por ditën e fundit të jetës së Gjon Kastriotit, fjalë e tij dëshmuan se ishin mashtrime dhe premtimet i mori era.

Skënderbeut i kishte sosur durimi dhe vendosi të marrë Mbretërinë e Shqipërisë me një lojë taktike delikate. Lajmi bujshëm shkon në Pallatin e Sulltanit, dhe të gjitha qëllimet e Muratit ishin hakmarrja. Hali Bassa (Ali ose Halit Pasha) dërgohet me 40 mijë ushtarë për ti dhënë fund kësaj situate. Por të gjithë trupat e tij u shpartalluan dhe nuk u mbeti asgjë për tu krenuar, përveçse ndoshta humbja ndaj Kastriot trimit…

Çfarë mund të themi më shumë për madhështinë e Skënderbeut ? Fytyra tiranike dhe e ashpër e sulltanit, e cila pati qenë e tillë gjatë gjithë jetës së tij, u zbut dhe mori shenjat e një lutësi. Ai kërkoj paqen, por ia refuzuan, kërkoj një marrëveshje por e përçmuan. Arrogant, i ndjerë i provokuar,  erdhi me 200 mijë ushtarë në Krujë, në kryeqytetin e Kastriot guximtarit (Sulltani dështoi plotësisht). Ai që kishte jetuar me lavdi, vdiq nga trishtimi i poshtërimit të tij dhe mori me vete në botën tjetër pafuqinë dhe dëshirën e përjetshme të hakmarrjes.

Mehmeti, djali i tij, terrori i Universit, i cili rrëzoi dy Perandori, pushtoj 200 qytete, vrau 20 million njerëz, erdhi dhe dështoi po në këtë vend shkëmbor. A ishte e nevojshme gjithë kjo gjakderdhje për të shkruajtur mbi trofetë e Kastriotit titullin i Pamposhtur ?

 Homazh për kontributin e Gjergj Kastriotit

Kush do ta kishte besuar së një njeri i vdekshëm do të arrinte deri në këtë pikë ? Sigurisht, duhet pranuar se ai e huazoj emrin e tij tek Zoti për të gjitha këto, dhe anasjelltas Zoti i huazoj krahun e tij.

Thuhet për të që nuk refuzoi kurrë një betejë, kurrë nuk e ktheu shpinën, kurrë nuk u plagos, përveçse një herë fare lehtë. Ai ka vrarë dy mijë barbarë me dorën (shpatën) e tij. Mehmeti, djali i Muratit, dëshironte të prekte këtë shpatë të cilën Skënderbeu përdorte, e admiroj atë edhe pse ishte e larë me gjak turqsh. Atij i ra në dorë shpata e çelikut, por kurrë krahu që e përdorte.

O Kastriot trimi, në qoftë se katolikët mundën të shpëtonin nga tirania e Sulltanëve, kjo mund të ndodhte falë teje. Duhet pohuar që plagët tona ishin të pashërueshme, dhe përçarjet mes nesh na penguan ti sillnim ndihmë dorës tënde hyjnore. Ethet të morën jetën në qytetin e Lezhës…Pasi jetove si Komandanti më i admiruar, ti vdiqe si një fetar i vërtetë, duke prekur të gjithë zemrat e atyre që tu përkushtuan me shumë ndjeshmëri…

Dhe tani, ti nuk ke nevojë që të të gjejmë varrin, sepse memorja jote ka gjetur po aq monumente sa ka zemra ndër shekuj.

 Burimi : © Dars (Klos), Mat – Albania

http://www.darsiani.com/opinion/shkrim-botuar-ne-france-ne-vitin-1653-gjergj-kastrioti-sipas-at-nicolas-caussin/

Foto:Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Filed Under: Histori Tagged With: At Nicolas Caussin, Aurenc Bebja, Gjergj Kastrioti sipas

Këngë të viteve 1800 për nuset e Shqipërisë Veriore

May 25, 2016 by dgreca

Shkruan: Aurenc Bebja, Francë /

 Hyacinthe Hecquard (Iasint Ekuar), konsull i Francës në Shkodër, Kalorës i Legjionit të Nderit, në librin e tij « Histoire et Description de la Haute Albanie ou Guégarie, 1858 – Historia dhe përshrkimi i Shqipërisë së Sipërme ose Gegëri, 1858 », përshkruan me hollësi Shqipërinë e veriut të asaj kohe.

Ndër analizat e ndryshme historike, gjeografike, politike, fetare në librin e tij prej 550 faqes, ai i ka dedikuar një kapitull të posaçëm traditave dhe zakoneve shqiptare në veri. Zoti Hecquard ka arritur të përkthejë nga shqipja në frengjisht këngët e dasmave shqiptare të asaj kohe. Ndoshta këto këngë vazhdojnë ende të jenë të njëjta në ditët e sotme, ndoshta jo. Arsyetimi i dytë, më shtyu t’i risjell në shqip këto rreshta (duke u dhënë pak ngjyra gegnishtje), sepse besoj se kanë vlerë të rëndësishme kulturore kombëtare.

Gjatë rrëfimit të traditave dhe zakoneve tona, autori thotë se nuses së Shqipërisë së veriut, qoftë ajo myslimane apo katolike, i këndohet (recitohet) nga shtëpia e saj deri tek ajo e burrit. Për çdo etapë të dasmës, ka një këngë të veçantë, e cila këndohet vetëm nga gratë. Ja këngët në vijim :

 Nje natë para se nusja të shkojë tek burri :

« Uluni, o male, uluni, që hana të lindë e të ndriçojë këtë mramje të bukur. Nusja jonë âsht eduku prej nanës saj ; ajo i ka thanë : Për besën time, oj vajzë, duje e respektoje vjehrrin. –  Për shpirt tim, oj nana ime, rri e qetë, do ta due e respektoj, sepse âsht ai që më ka dhuru për burrë një djalë të ri e të bukur.» 

Kur krushqit vijnë dhe marrin nusen : 

« Që rruga juej qoftë e lumtun, o miku ma i vjetër ; bani kryqin dhe kthehuni nga e djathta (Fragment për katolikët). Në qoftë se ju sillni një nuse të bukur, reçeli dhe karamelet që do ju dhurojna, qofshin të ambla për zemrën tuej ; por në qoftë se ju sillni një nuse të shëmtue e deformue, reçeli ju qoftë i hidhun (helm). » 

Gjatë rrugës kur vjen nusja : 

« Nusja âsht rrugës, një lule po çel ; nusja âsht në prag të derës, një lule mban aromë të mirë ; nusja âsht në oborr, si një lule e lumtun ; nusja po ngjit shkallët, balli i saj âsht i bardhë si jasemini ; ajo âsht në banket, qafa e saj anohet si një zambak. Mos qaj oj nuse. – Kam qa mor burri im, sepse mu desht me u nda me babën e kurrë nuk do jetoj mâ te ai. » 

Kur shoqëruesit e nuses largohen :

« Ndaluni, o vllazën, ndaluni ! Nusja ka me ju kërkue diçka ; Ndaluni, ndaluni ! Përshnetni për mue babën dhe vlleznit e mi ; Ndaluni, ndaluni ! Përshnetni për mue nanën e motrat e mia ; Thujuni atyne që kurrë zemra ime nuk ka me i harrue ; Ndaluni, ndaluni ! Thujuni atyne që çdo mramje flladi ka me u sjellë lutjet që do i baj Zotit për ata ; Ndaluni, ndaluni ! »

 Kur shpallet ardhja e nuses :

 « A je humbun ; çfarë kërkon oj nuse ? – Derën e burrit. – Çfarë ke me më dhanë që ta tregoj oj nuse ? – Kmisha të qëndisuna e të palosuna mirë, o burri im.  – Për këto, nuk të falenderoj, se pa t’pytun kam me i marrë, oj nuse ! ».

Kur i ngrejnë vellon nuses :

 « O sa e bukur âsht nusja ! Zoti e ruajt !

Balli i saj âsht i gjanë e i gjatë ! O Zot !

Vetullat e saja janë si ylberi ! O Zot !

Sytë e saj janë si filxhan ! O Zot !

Faqet e saja janë të kuqe ! O Zot !

Goja e saj âsht si një kuti e artë ! O Zot !

Buzët i ka si qershi ! O Zot !

Dhambët i ka si perla ! O Zot !

Çehren e ka të bardhë si qumshti ! O Zot !

Trupi i saj âsht i hollë si një selvi ! O Zot ! »

Burimi : © Dars (Klos), Mat – Albania

http://www.darsiani.com/opinion/kenge-te-viteve-1800-per-nuset-e-shqiperise-veriore/

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, e Shqipërisë Veriore, Këngë të viteve 1800, për nuset

Krenar për shqiptarët* që kontribuojnë në rritjen dhe ruajtjen e vlerave të Kombit

April 22, 2016 by dgreca

Aurenc Bebja, Francë/ 

Rastet janë të shumta ku shqiptarët falë aftësive (talentit) të tyre dhe sipas fushave të ndryshme, më bëjnë të ndjehem krenar për faktin se kontribuojnë në rritjen dhe ruajtjen e vlerave të popullit shqiptar brenda dhe jashtë trojeve të tij. E kam të pamundur të mos përmend Eliza Dushkun me reportazhin e saj « Dear Albania », ose fotografin e talentuar Fadil Berishën, i cili ka fotografuar yje me famë botërore, apo yllin e popit, Rita Orën, që tashmë njihet kudo.

Nuk mund të anashkaloj gjithashtu, nobelistin në mjekësi Ferid Murad, shkrimtarin shqiptar më të njohur në botë, Ismail Kadare, shkencëtaren kozmologe Laura Mersini, aktorët James Belushi dhe Blerim Destanin, sopranon Inva Mula, kërcimtarin Tony Dovolani, futbollistin Lorik Cana, shkencëtarin Aref Mathieu, i cili sigurisht po hedh dritë mbi Kombin shqiptar, apo së fundmi edhe sportisten Majlinda Kelmendi që përveç faktit se fitoj në Kazan të Rusisë titullin kampjone e Evropës në xhudo, bëri gjithashtu që flamuri kosovar të ngrihet në vendin që e mohon më shumë, pas Serbisë, pavarësinë e Kosovës.

Në Shqipërinë postkomuniste dhe Kosovën e pavarur, Made in Albania po rritet çdo ditë, falë ambasadorëve të mësipërm, por edhe të tjerëve, të rinj, që fatmirësisht po shtohen dhe kontribuojnë të flitet akoma dhe më shumë për Kombin tonë.

Për shembull, mbrëmjen e 21 prillit, rastësisht, po dëgjoja dhe shikoja NRJ Music Francë (Televizion dhe radio prestigjoze franceze), kur papritur shfaqet një videoklip shqip. Bëhet fjalë për këngëtaren Era Istrefi, ku me këngën e saj « Bonbon » bëri që shqipja të tingullojë sadopak edhe në Francë. Pavarësisht shijeve muzikore, ky fakt më gëzoj tej mase dhe mendoj se është një sukses për tu vlerësuar.

Po ashtu, para disa ditësh, me 12 prill, Dua Lipa këndoj në emisionin prestigjoz « Grand Journal » të Canal +. Gazetarët e pranishëm vlerësuan talentin e këngëtares dhe përmendën gjithashtu origjinën e saj shqiptare. Pothuajse në të njëjtën kohë, me 11 dhe 12 prill, ARTE Francë transmetoj një reportazh në dy pjesë për Shqipërinë me titullin « L’Albanie inconnue», ku bëri një përshkrim sa të vërtetë dhe të bukur mbi vendin tonë.

Pra ka interes ose kuriozitet për ditur më shumë për shqiptarët.

Megjithatë, krenar nuk më bëjnë vetëm shqiptarët si individë por edhe si grup. Për shembull vlerësoj sjelljen shembullore të Tifozëve kuq e zi në ndeshjen miqësore Itali – Shqipëri të 19 nëntorit 2014 ashtu si dhe pjesmarrjen e Kombëtares shqiptare të futbollit në kampionatin evroprian që do të zhvillohet në Francë. Vlerësoj distancimin nga klasa politike dhe veprimtarinë e « Nisma #Thurje » ashtu si edhe veprimtarinë e « Fundjavë Ndryshe » ku personalitete të njohura i bashkangjiten për të ndihmuar njerëzit apo familjet në nevojë. Vlerësoj veprimtarinë e shoqatës « Rrënjët Shqiptare » që organizon ndër të tjera paradën përvjetore shqiptare në SH.B.A dhe shoqatën panshqiptare « Vatra » e cila mbron prej më shumë se 100 vitesh çështjen e popullit shqiptar.Si përfundim, të gjithë këta shqiptarë*, dhe shumë e shumë të tjerë që nuk janë përmendur këtu, kontribuojnë me mënyrën e tyre në rritjen dhe ruajtjen e vlerave të Kombit tonë. Uroj që edhe klasa politike mbarë shqiptare të ndjekë këtë shembull, që e angazhon atë të privilegjojë bashkimin ndaj përçarjes, qoftë në Shqipëri, Kosovë, Preshevë, Mal të Zi, Maqedoni apo Camëri.Shqiptarët meritojnë më shumë !

 

*Shqiptarë në aktivitet, të lindur apo me origjinë, individë apo grup individësh

– 23 Prill 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Aurenc Bebja, kontribut, shqiptaret, vlerat e Kombit

Klasa politike, helmi i shoqërisë shqiptare

April 17, 2016 by dgreca

Nga Aurenc Bebja, Francë/* 

Në Lindje apo Perëndim, përveç konflikteve gjeopolitike, feja në raste të shumta është faktor ndarës i shoqërive duke vështirësuar kështu bashkëjetesën mes tyre. Shqipëria, ky komb i vjetër evropian, deri tani mbetet shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare, por fatkeqësisht ka një problem tepër të madh me politikën, më saktësisht me klasën e saj politike, e cila çdo ditë përçan qytetarët e saj dhe u shuan shpresat për një jetë më të mirë.

Me gjithë ndërhyrjen e diplomatëve evropianë dhe amerikanë, Shqipëria bie në sy për politikën e saj të çrregullt e të çorientuar, që i ngjan më shumë një kopjeje sesa një modeli politik perëndimor. Politikanët shqiptarë, vullnetarisht ose jo, dallojnë se duan t’i vënë barriera progresit, zhvillimit dhe stabilitetit të vendit, me qëllim që të qëndrojnë sa më gjatë të jetë e mundur në karriget (kolltuqet) e tyre politike dhe kështu të kënaqin egot personale.

Është interesante të analizosh sjelljen e kandidatëve para dhe pas zgjedhjeve politike. Gjatë fazës ‘parazgjedhore’, ata/ato sillen si « engjuj » të vërtetë, të cilët i duan të mirën popullit, por në fazën ‘paszgjedhore’, demonët e tyre të vjetër rishfaqen dhe kështu ata/ato heqin maskat dhe bëhen « djaj ». Harrojnë premtimet e tyre elektorale, shpërfillin qytetarët dhe i distancojnë nga jeta politike. Fatkeqësisht, konsultimi apo debati publik në lidhje me projekte madhore apo çështje që prekin interesat e shoqërisë civile nuk janë të demokratizuar.

« Divide ut imperes » është një « formulë » e aplikuar në mënyrë perfekte në Shqipëri. Politika është e përhapur në të gjithë shoqërinë, si në shtresën e varfër dhe atë të pasur, si në klasën punëtore dhe atë intelektuale, si në mjedisin privat dhe atë publik. Klasa politike postkomuniste, si ajo komuniste dikur, ka arritur të infiltrohet në familjet shqiptare, qofshin ato në qytetet e mëdha apo në fshatrat më të izoluar të vendit. Qëllimi i saj është sigurimi i votës, por edhe krijimi i një lloj vartësie politike, e cila u mundëson të manipulojë më lehtë qytetarët.

Në disa raste, politikanët shqiptarë shkojnë më tej në mendimet e tyre politike. Gjatë muajit mars 2016, anëtarët e një partie në pushtet deklaruan së vinin partinë mbi Shqipërinë. Këto dalje publike tregojnë qartësisht dëmin që krijon politika në një shoqëri ende në tranzicion. A mund të ketë Shqipëria një të ardhme të sigurtë, kur klasa politike udhëheqëse mban apo toleron të tilla fjalime (qëndrime) ? A mund të kemi besim në udhëheqësa të tillë dhe a duhet që shqiptarët të vazhdojnë t’i mbështesin ?

Përsa i përket udhëheqësve të lartë politikë të vendit, shtypi i shkruar dhe televiziv evokuon shpesh akuza korrupsioni, krimi apo abuzimi me pushtetin, por si zakonisht, asnjeri nuk dënohet. Duket sikur sistemi policor (prokuror) dhe gjyqësor janë të « paralizuar », domethënë të paaftë të reagojnë ndaj politikanëve.

Cfarë të themi për seancat e të enjtes në Parlament (Kuvend), vend i cili është transformuar prej kohësh në teatrin e komedianëve « të talentuar », në cirkun e kllounëve, ku pjesmarrësit « shquhen » vetëm për skenat e turpshme të komunikimit. Aty, deputetët, të cilët kanë në dorë fatin e popullit, prodhojnë debate sterile, domethënë flasin por nuk dëgjojnë, shahen dhe akuzohen me njëri me tjetrin për çështje nga më të rëndat, pa propozuar apo gjetur rrugëzgjidhje për programin (premtimet) që janë votuar.

Si rrjedhojë, populli shqiptar, edhe pse e ka votuar apo rivotuar ndër vite këtë klasë politike, mbetet si gjithmonë viktima kryesore e saj. Shqiptarët nuk e kanë gjetur akoma antidotin i cili do t’i shpëtojë nga helmi apo virusi i kësaj lloj « specie » politikanësh. Duke shpresuar që vendi i shqiponjave të gjejë në një ditë sa më të afërt një lider të ri apo lidere të re politike, përse jo si kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, i cili do të dojë dhe do të dijë të motivojë, të krijojë besim në popull, dhe të ketë vullnetin e plotë për t’a nxjerrë atë nga situata në të cilën ndodhet.

France– 17 Prill 2016

Burimi : http://www.darsiani.com/opinion/(E dergoi per DIELLIN autori)

Filed Under: Opinion Tagged With: Aurenc Bebja, France, helmi i shoqërisë shqiptare, klasa politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT