• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BERATI– KRYEQENDER E DESPOTATIT ARBËRESH NË BIZANTIN E VONË

February 19, 2015 by dgreca

Nga Harallamb Kota-Studiues/
Fitorja e Beratit mbi anzhuinët e Napolit në fundin e vitit 1280, që u arrit nën muret e kalasë, shënoi fillimin e ripushtimit bizantin të trojeve shqiptare. Qeverisja e Beratit u realizua sipas sistemit administrativ bizantin nëpërmjet personit tëqefalisë, që në dokumentat latine quhet kapiten. Qefalia ishte njëkohësisht komandant i ushtrisë dhe kryetar i pushtetit civil. Ai ushtronte pushtetet që i ishin deleguar drejtpërdrejtë nga perandori dhe qeveriste në emër të tij.Shpesh ndodhte që kapiteni(qefalia) ti nënshtrohej një autoriteti tjetër sipëror, që ishte guvernatori ose despoti i krahinës, i cili jepte urdhëra dhe i impononte vullnetin e vet të parit. Duke filluar nga viti 1280, krahina e Beratit ndryshe nga rajonet e tjera, përjetoi një gjëndje paqeje relative. Kjo ishte një premisë e mirë, që ndikoi pozitivisht në zhvillimin ekonomik të zonës dhe formimin e kushteve për një stabilitet të qëndrushëm politik. Në vitet që pasuan, Perandori i Bizantit, Mihali VIII Paleolog pushtoi kështjellat e Kaninës, Durrësit dhe të Krujës (kryeqëndra e Arbanonit), duke synuar që të shtyhej përtej Krujës në veri dhe përtej Kaninës në Jug. Përparimet e bizantit në këto dy drejtime nuk patën sukses. Ekspansioni drejt jugut i mbretërisë serbe të Nemanjidëve dhe ndërhyrja e përsëritur e anzhuinëve në zonën e Durrësit pas vitit 1304, i detyroi bizantinët t’i braktisnin pozitat e përparuara dhe të tërhiqeshin në jug të vijës Durrës-Ohër.Në fillim të shek. XIV, harta politike e Arbërisë ishte kufizuar shumë dhe përfshinte krahinat, nga lumi Mat deri në bregdetin e Himarës dhe prapatokën e tyre deri në Kostur. Pjesa veriore deri në lumin Mat ishte nën sundimin e mbretërisë Serbe, e cila synonte edhe Krujën. Qyteti i Durrësit, kryeqëndra e Arbërit të hershëm bashkë me rrethinat e tij, kishin hyrë nën vartësinë e mbretërisë Anzhuine. Trojet shqiptare në jug të maleve Akrokeraune, i sundonte “Despotati i Epirit”. Ndërsa trevat arbëreshe të quajtura “Shqipëria bizantine”, qëndruan kurdoherë bashkë, në një njësi politike-administrative.
Organizimi i “Shqipërisë Bizantine” në Guvernaturë ose Apanazh
Burimet dokumentare të vitit 1315, shënojnë rastin e një grindjeje të lindur midis qefaliut të Beratit Jan Pikerni dhe disa tregëtarëve venecianë. Për ta zgjidhur grindjen, nga Perandori Androniku II, u caktua guvernatori Kostandin Paleologu, i cili ushtronte me delegim të tij pushtetin e përgjithshëm në ato vise. Prania e këtij funksionari të lartë, që ishte një i afërt i perandorit, shënon shndërrimin e krahinës së Beratit në një apanazh të mirëfilltë. Midis guvernatorëve bizantinë që pasuan njëri tjetrin në krahinën e Beratit, dy prej tyre u dalluan për nga roli që luajtën në historinë e këtij vëndi. I pari qe Andronik Paleolog Aseni i cili qeverisi në vitet 1327—1328 dhe i dyti Jan Pikerni i njohur në dokumentat bizantine me emërin Sirjani, që qeverisi në vitet 1328-1330. Falë fuqive sovrane, të transmetuara nga perandori, “guvernatori i përgjithshëm” duhej të siguronte besnikërinë e qefalisë dhe të despotatit ndaj perandorit. Në të vërtetë guvernatorët e Beratit parapëlqenin ta vendosnin selinë e tyre jashtë vëndit, në Selanik, Ohër apo në Kostandinopojë, gjë që e bënte të pamundur marëdhënien e tyre të drejtpërdrejtë me provincën. Natyrisht e gjithë kjo ishte në favor të qefalisë, i cili mbetej i pari i krahinës.

“Krahina bizantine e Beratit” ose “Despotati i Beratit”
Në fillim të vitit 1318, krahina e Shqipërisë bizantine, e organizuar nga ana gjeopolitike me juridiksionin “guvernatura e Beratit”, u shënua në dokumentat perandorake sipas rastit me emërtimin: “krahina bizantine e Beratit” ose “despotati i Beratit”. Ky organizim i ri politik i “Shqipërisë bizantine të vonë” ishte një lloj principate e qeverisur nga një despot, por që njihte sovranitetin e perandorit të Kostandinopojës dhe gëzonte një autonomi administrative. Kryeqëndra e despotatit u caktua Berati, i cili në Iliri quhej Partha, ndërsa gjatë periudhës së pushtimit Bizantin shkruhej Belegradon. Jeta ekonomike e politike e “despotatit të Beratit”, pulsonte në një varg qëndrash të rëndësishme dhe Berati (Bellogradum) kryeqëndra e despotatit, pa dyshim që zinte vëndin e parë. I fortifikuar në majë të një shpati mali që sundon luginën e Osumit, Berati përfaqësonte terenin ideal për të krijuar një vendbanim. Largësia e mirë nga bregdeti, që shmangte çdo sulm të papritur nga deti, afërsia me prapatokën malore që siguronte krahët, si dhe kontrolli i arteries kryesore që lidhte Vlorën me portet e tjera më të vogla dhe me tokat e brëndshme të perandorisë,i dhanë Beratit rolin e Kryeqëndrës së provincës.Këtu ishte selia e qefalinjve, despotëve e governatorëve bizantinë, serbë, e më pas shqiptar, që qeverisën në faza të ndryshme të historisë së despotatit. Përkrah Beratit ishin fortesat e Këlcyrës, Skraparit dhe Tomorit, që kontrollonin vendkalimet për në bregdet e anasjelltas. Rëndësia e tyre ishte thjesht ushtarake, megjithatë Kantakuzeni pohon që Tomorri ishte një kështjellë e banuar. Në vitin 1319, “despotati i Beratit”, përfshinte krahinat e Beratit, Vlorës, Myzeqes, Këlcyrës, Tomorricës, Skraparit, rrafshnaltat e Devollit, Ohrit, Kolonjës, Himarës, temën e Vagenetisë(Çamërisë) si dhe zonën e Adrianapolit (Gjirokatrës) e të Janinës. Në këtë periudhë Perandoria Bizantine i braktisi përfundimisht këto teritore, të cilat u qeverisën nga Qefalia. Nëse qefalia i parë i despotatit të Beratit, ishte një shqiptar me emërin Stani, duhet pranuar që perandoria bizantine kishte një njohje të thellë mbi strukturat qeverisëse të familjeve fisnike shqiptare mes të cilave shquheshin Matrëngët, Muzakat e Ganxat. Pal Matrënga ishte ndër krerët më të mëdhenj dhe Vlash Matrënga ishte zot i një pjese të madhe të fushës midis Durrësit e Vlorës dhe mbante titullin sevastokratorit. Në dokumentat perandorake dhe ato perëndimore, hasen edhe përcaktime të tjera mbi emërtimin e Shqipërisë bizantine duke e quajtur: “despotati i Beratit”, “despotati i Vlorës” dhe “despotati Romani”. Koncepti gjeopolitik “Romani”, ende në shek.XIV kishte një pëmbajtje shumë të gjërë dhe përcaktonte të gjitha hapësirat perandorake bizantine në gadishullin ballkanik (bizanti romak), të rrudhura dhe të mbetura në teritorin e krahinës së Beratit. Në një dokument anzhuin të datës 30 janar 1327, bëhet fjalë për një fushatë ushtarake drejtuar nga Filipi, i cili me këtë rast quhet “despot i Romanisë”, që është e barazvlerëshme me shënimin “despot i Beratit”. Në fakt fushata anzhuine u krye në vitin 1328 dhe ishte mbyllur me një fitore të vogël. Berati dhe Vlora u ripushtuan nga anzhuinët. Konti Raymond de Termis, komandanti anzhuin u emërua qeveritar i këtyre krahinave dhe e vendosi selinë në kështjellën e Beratit.Kurorëzimi “despot i Beratit” i Andrea Muzaka në vitin 1330, është fakt që dëshmon se anzhuinët u larguan nga Berati pikërisht në atë vit. Historia e Shqipërisë bizantine e dhjetëvjeçarit 1330-1340, është histori kryengritjesh të vazhdushme nga ana e shqiptarëve e fushatash ndëshkimore të udhëhequra nga perandori Andronik III Paleologu. Sidoqoftë perandoria bizantine u tërhoq.

Pozicioni Gjeografik i “Despotatit të Beratit”
Nëse Berati ishte qëndra politike e administrative e despotatit, Vlora ishte pa dyshim poli i tij ekonomik. Këto dy qëndra formonin boshtin e Despotatit deri në vitin 1340, kur Vlora u shkëput dhe formoi një despotat të ri. Gjatë gjithë mesjetës pati një ndarje rolesh midis Vlorës dhe Kaninës. Në fakt në Kaninë, kishin selinë e tyre guvernatorët, kështjellarët, qefalitë e trevës së Vlorës nën sundimin bizantin, shtaufe, anzhuin, serb, dhe të shqiptarëve Balsha. Edhe krahina e Himarës, bënte pjesë në Despotatin e Beratit dhe përfaqësonte në kuptim të ngushtë kështjellat, lokalitetin dhe bregun e detit. Ndërsa në një kuptim më të gjërë përfshinte brendësinë e vëndit, Labërinë, vënde të banuara nga njerëz të ashpër e luftarakë. Në pjesën lindore të Despotatit të Beratit një rëndësi të madhe ekonomike e strategjike kishte krahina e Devollit. Roli i kësaj krahine u rrit shumë me kalimin e rrugës Egnatia nëpër grykën e Devollit, pasi anzhuinët dhe serbët u vendosën në vijën e Shkumbinit. Me Devollin përmëndet edhe krahina fqinje e Kolonjës, e cila deri në kohërat kur funksiononte mire sistemi i Temave, kishte luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtje të bizantit, në këtë anë të Ballkanit. Para se të ishte një rajon ekonomik, Despotati i Beratit ishte një krahinë ushtarake, me rëndësi themelore për Perandorinë Bizantine. Ai u krijua si një njësi administrative gjatë konfliktit me Anzhuinët e Napolit, pra ishte një produkt i rrethanave dhe kërkesave të luftës. Pasi theu këtu ofensivën anzhuine, Bizanti synonte ta bënte këtë bastion të vetin në skain perëndimor, një digë për të ndalur përparimin e serbëve drejt jugut, apo të anzhuinëve nga deti. Despotati i Beratit, ishte e vetmja provincë që lidhte Bizantin me Perëndimin.Ai përbënte dritaren e vetme që e nxirte Bizantin faqe botës perëndimore e’në mënyrë të veçantë përballë Italisë. Bregdeti shqiptar mbetej pika më e përshtatshme e komunikimit dhe më e afërta e lindjes me perëndimin. Vlora u bë porti nga i cili ambasadorët dhe anëtarët e familjeve perandorake niseshin në drejtim të Venedikut, Napolit, Romës etj. Rëndësia e “Despotatit të Beratit” u ndje kur Bizanti u detyrua t’i braktiste këto troje, përballë mësymjes së papërmbajtshme serbe, të cilët u derdhën në Thesali e në Epir. Në një dorëshkrim të gjetur në malin Athos, thuhet se viti 1343, “ishte viti i parë i hyrjes në Berat, i Sebastokratorit të Serbisë së Car Dushanit, zotit Niqifor Isak”. Sundimi serb zgjati deri në vitin 1355. Pas largimit të ushtrive serbe, filloi historia e lavdishme e Principatave Shqiptare, të organizuara fillimisht nga Balshajt, Muzakajt, Zenebishët, Shpatajt etj., dhe konfliktet e tyre me feudalët serbë, të cilët ju kundërvunë.

Filed Under: Histori Tagged With: Berati, Harallamb Kota, kryeqendra e Despotatit Arberesh

BUKURITE SHQIPTARE- Berati, qyteti i çudirave, i një mbi një dritareve

October 21, 2014 by dgreca

*Turistët mahniten me tavanet e drunjta e të gdhendura dhe kërkojnë t’i blejnë…/
*Berati, qyteti i çudirave, i një mbi një dritareve…/
Shkruan: Harallamb Kota-Studiues i letrave shqipe/
Pas katër vitesh, në datën 16 qershor 2014 në shoqërinë e Prof. Dok. Hysen Kordha dhe gazetarit e botuesit të njohur z.Zylyftar Plaku, isha përsëri në qytetin e paraardhësve të mi, në Beratin e dashur të familjeve Kota. Qyteti qëndron hijshëm nën këmbët gjigante të kalasë mitike, ndërtuar me gurë nga mjeshtrit Parthan, midis të cilëve janë dalluar mjeshtrit Kota (gurskalitësit). Në Berat kishim ardhur të promovonim librin tim me poezi dhe kishim ftuar, nxënës të shkollave, punonjës të Bashkisë, Këshillit Bashkiak, Këshillit të Qarkut, historianë, studiues dhe qytetarë të Beratit. I pranishëm në këtë ngjarje me karakter kulturor dhe letrar ishte edhe Kryetari i Bashkisë Berat z. Fadil Nasufi, i cili me praninë e tij, tregoi mbështetje për këto aktivitete kaq të rëndësishme për qytetin dhe rilindjen e ndjenjave artdashëse të qytetarëve beratas. Atë ditë qyteti mitik i Beratit, zhurmonte nga mjeshtrit e rinj gurskalitës. Me çekiçë në duar, ata shtronin shëtitoren e qytetit me gurët e latuar, duke e lidhur më fort historinë e gurtë të kalasë mitike me historinë e gurtë të pedonales së sotme. Në 12 tetor 2014, isha përsëri në qytetin mitik. Berati në kryesimin e z.Fadil Nasufi, kryetar i Bashkisë dhe me mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama, ka vite që po merr frymë nga hapësira e gjelbërimi. Po gjallon çdo ditë e më dukshëm nga turistë të panumërt dhe kurioz për të parë dhe zbuluar të kaluarën mitike të qytetit, kishat e tij mesjetare ndërtuar mbi themele tempuj pellazgjik, apo paleokristian, xhamitë e vjetra ndërtuar pas pushtimit otoman dhe ikonat mahnitëse të pikturuara nga Onufri e nxënësit e tij. Shtatorja e Kostandinit të Madh në shpatullën perëndimore të kalasë, i befason dhe i tërheq të mësojnë diçka për arsyen e vendndodhjes në kështjellë. Ciceroni nuk e njeh historinë. Dituria për ardhjen në kala të Shën Palit dhe 300 vjet pas tij’ e Kostandinit të Madh, do sillte më shumë turistë e më shumë të ardhura për qytetin. Shtëpitë në Goricë, Mangalem dhe në Kala, kanë hapur dyert dhe shërbejnë për fjetore. Turistët mahniten me tavanet e drunjta e të gdhendura. Kërkojnë t’i blejnë dhe për këtë qellim afrojnë para në shuma marramendëse. Pronarët e vjetër dhe autoktonë, nuk pranojnë t’i shesin, por i ruajnë për të provuar vjetërsinë e qytetit dhe krenarinë e tyre për vlerat e trashëguara nga të parët. Njëra nga këto familje fisnike qytetare beratase është edhe ajo e z.Ymer Kordha. Ngjitja në kala është biblike, ndërsa kështjella të puq me mitologjinë aq shumë, sa turistë amerikanë, evropianë, australianë, japonezë, etj., qëndrojnë, ecin në rrugët e kalldrëmta, ulen në sokakët e gurtë të portave të drunjta dhe kërkojnë të blejnë shtëpi. Largimi i tyre nga kalaja është mallëngjyes dhe mbresëlënës, kur i sheh aq të dëshiruar për të mos u larguar, apo duke qarë me lot pasi kapërcejnë portikun e madh të drunjtë. Atë ditë në ora 1100, u inaugurua shëtitorja e re, “Pedonalja e Gurtë”. Mijëra banorë të pranishëm gëzonin dhe ndjeheshin krenarë për qytetin e tyre, dhe vlerësonin pedonalen duke ndjerë në plloçat e gurta të shtrojës së saj, vazhdimësinë dhe harmoninë me kalldrëmin e gurtë të rrugëve të vjetra në “Kala”, “Mangalem” dhe “Goricë”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Berati, dritareve, Harallamb Kota, i një mbi një, qyteti i çudirave

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT