FASLLI HALITI/
Ne Foto: F.Haliti, viz. S.Kamberi, Piktor i Popullit/
PLUGIM PRANVEROR/
(Nga cikli i punës së detyruar në Kooperativën Bujqësore të Fier-Sheganit gjatë viteve 1973- 1977,)/
Traktoristët punojnë, plugojnë/
U japin traktorëve gaz,/
Plugjet thurin gërsheta ugaresh./
Tufa pulëbardhash/
I ndjekin nga pas./
Dielli zë perëndon /
Në horizontin e blertë fushor,/
Trakstoristët vazhdojnë plugimin/
Gjer në mëngjes mbi traktor./
Dhe nata bie mbi fushë,
Një natë e kulluar,
Një natë e bruztë,
Natë myzeqare,
Plot yje në qiell, si lule bostani;
Hëna si pulëbardhë shetit mbi ugare.
Drita traktorësh
Ndriçojnë edhe zverdhin,
Rrotullohen nëpër natë
Si qindra luledielli.
Mëngjes…
Zbresin traktoristët
Lajnë sytë
Lajnë duart
Me vesën e barit,
Fytyrën e fshijnë me mëngët e xhupit,
Duart i pastrojnë me dheun e butë të ugarit.
Dhe ulen pastaj traktoristët,
Hedhin sytë mbi ugar,
Mbi brazdat dredhur gërshet
Vjen dhe ulet pulëbardha e bardhë.
Traktoristët shohin pulëbardhën
Të rënë mbi ugar si shami.
Befas secilit i duket
Si napa e gruas
Se tij.
Dhe me mall,
Me vrull
Traktoristët
Nisin plugimin plot gaz,
Plugjet thurin gërsheta ugarsh,
Blerimi i ndjek ata pas.
1974
MESAZHE FUSHE
Netëve
Nëpër fusha,
Ugare
Buçimat traktorësh filluan të na vijnë
Si mesazhe fitoresh pas një beteje
Yjet filluan të çelin
Si lule qershie
Në degët e një reje.
Kuakjet moçalore të bretksove
Ishin dikur për ne, myzeqarët,
Mesazhet e para
Që sjell pranvera,
Para manushaqeve,
Dallëndysheve, ngarë nga era.
Filloi plugimi pranveror;
Buçimat e traktorësh
Në Myzeqe:
Mesazhe pranverore,
Mesazhe të blerta për ne…!
1977
KOHE KORRJESH
Kohë korrjesh.
Natë.
Yjet si kokrra gruri
Përhapur qiellit lart.
Mes grunjash
Kombajnat pushojnë,
Kombajnerët të shtrirë mbi kashtë,
Kashtën e kumtrit kundrojnë, shikojnë.
Kashta e Kumtrit,
Rruga e qumështit.
Na thuaj
O
Meti
Diçka.
Ti i di këto,
Ti lexon gjthçka!
Historia e kashtës së Kumtrit,
Historia e Rruges së Qumshtit?
Herkuli
Gjirin
E Erës piu,
U kënaq,u ngop,
Pika e qumështit pastaj
Prej sisës së Erës pikë pikë, kulluan
Dhe Rrugën e Qumështit
Në qiell formuan.
-Përralla,
Shoku Meti!
Shpjegim fantastik.
Shpjegim mitologjik!
Kjo vazhdë yjore
Kjo rrugë e bardhë
Që qiellit zbardhon netëve të vona,
Është kashta e grurit, o Mete
Që prapa lënë kombajnat tona.
1975