Dekorata Presidenciale e Harry Bajraktarit : PËR AFIRMIMIN E ÇËSHTJES SË KOSOVËS, HARRY BAJRAKTARI DEKOROHET NGA ATIFETE JAHJAGA, ME MEDALJEN PRESIDENCIALE PËR MERITA/
S’ ka dyshim se Harry Bajraktari është një ndër figurat më të shquara të komunitetit shqiptaro- amerikan. Emri i tij sot është i njohur në të gjitha trevat shqiptare në Ballkan dhe në diasporë. Ky veprimtar për një çerekshekulli me aktivitetin e tij konsistent në Washington dhe New York, afirmoi fuqishëm vlerat tona kombëtare e politike dhe, lirisht mund të thuhet, se kontributi i tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës është i jashtëzakonshëm. Ai vetë thotë se lumturinë më të madhe e kishte kur nga Washingtoni kthehej me lajme optimiste për Kosovën dhe në përgjithësi për shqiptarët. “Bisedat që i kami zhvilluar në Wshington DC me presidentë, senatorë, kongresmenë dhe personalitete të tjera në Departamentin e Shtetit amerikan për çështjen e Kosovës, për më se 25 vjet, kam besuar se një ditë do të rezultojnë me fitore- lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, thotë Harry, duke përkujtuar edhe kontributin e madh të komunitetit tonë në këtë drejtim.
Për punën dhe kontributin e tij Harry ka marrë mirnjohje dhe falenderime nga shteti dhe institucionet amerikkan, nga Kosova dhe Shqipëria. Është dekoruar edhe nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ajo e dekoroi këtë veprimtar të palodhshëm të çështjes kombëtare me Medaljen Presidenciale të Meritave për veprimtari dhe angazhim në afirmimin e çështjes së Kosovës.
Medalja Presidenciale e Meritave, u jipet personave që me punën e tyre kanë kontribuar në fusha të veçanta. Para disa kohësh, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, qëndroi në New York dhe me atë rast në një ceremoni modeste i dorëzoi këtë mirënjohje- Dekoratën Presideciale, veprimtarit, biznesmenit dhe themeluesit të gazetës Illyria Harry Bajraktarit.(B Sina)