Sokol Paja/
Boston, 21 Maj 2023- Ditë historike për Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA. U riorganizua dega e parë e Vatrës që nga themelimi i saj më 1912, Dega e Bostonit. Atë Theofan Koja, rektor i Katedrales Ortodokse Shqiptare, Shën Gjergji do të udhëheqë degën e Vatrës në Boston. Z.Mentor Maksutaj do të jetë nënkryetar bashkë me z.Petrit Alibeaj dhe z.Flamur Vezaj do të jetë Sekretari i Degës së Vatrës në Boston. Kjo degë ka rëndësi të jashtëzakonshme për Federatën e cila përveç vlerave historike që mbart është edhe vendi ku u ngjiz ideja kombëtare e bashkimit të shoqërive shqiptare nën umbrellën e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA.
Në fjalën e mirëseardhjes Atë Theofan Koja deklaroi se riaktivizimi dhe riorganizimi i Degës së Vatrës nr.1 në Boston është ngjarje e madhe për mbarë komunitetin shqiptar. Fillim i vëllazërishëm, me mirësi, me dashuri, me respekt për njëri-tjetrin. Ky akt historik i riorganizimit dhe riaktivizimit që Vatra bën sot është me qëllim që të vazhdojë në rrugën e lavdishme të përpjekjeve për kombin shqiptar, deklaroi ndër të tjera Atë Koja.
Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha në fjalën e tij e cilësoi si ditë të një rëndësie shumë të veçantë këtë riorganizim të Vatrës në Boston. Katedralja e Shën Gjergjit është frymëzimi, historia, jeta, dashuria dhe shpresa e kombit shqiptar. Sot kanalizohet një energji e madhe edhe më e fuqishme shqiptare në shërbim të çështjes kombëtare. Vatra është një vlerë e çmuar materiale, shpirtërore dhe kombëtare, tha ndër të tjera z. Berisha. Nënkryetari i Vatrës z.Alfons Grishaj në fjalën e tij deklaroi se na ka munguar shumë Dega e Bostonit. Është një ditë e shënuar që nuk përsëritet shpesh. Vatra është pishtar lirie, pishtar kombëtarie, pishtar shqiptarie. Vatra i dha shpresë dhe mbrojtje kombit shqiptar. Sot fillon një rrugë e gjatë për ju në shërbim të kombit shqiptar, tha z.Grishaj.
Kryetari i Këshillit të Vatrës z.Kolec Ndoja deklaroi se Vatra nderon të gjithë shqiptarët në të gjithë botën. Është fat që gjendemi në Vatër, në shtëpinë e At Nolit, për të mishëruar idealin e tij, tha z.Ndoja. Ndër personalitetet dhe drejtuesit e Vatrës që morën fjalën ishin anëtarë të Kryesisë dhe Këshillit: Besim Malota, Tasim Ruko, Dr. Pashko Camaj, Mondi Rakaj, Gëzim Nika, Bashkim Musabelliu, Ylli Dosku, Endri Filipi, Drita Vushaj, Rafaela Prifti, Anton Raja, Paulin Mrnaçaj dhe gazetari Klevin Muka. Diskutimet u fokusuan në të mirën e punëve patriotike në shërbim të komunitetit dhe kombit. Z.Petrit Alibeaj diskutoi rreth procedurave e njoftimeve të riorganizimit të mëtejshëm të degës. Z.Fuat Memelli theksoi se kemi më shumë gjëra për të bashkuar dhe asgjë për të ndarë.
Z.Mentor Maksutaj u shpreh se “jam me fat që gjendemi mes jush. Është krenari me u bashku dhe me ofru njerëz në takime të ndryshme e bisedime të ndryshme për të mirën e komunitetit dhe kombit tonë. Po përpiqemi shumë për të krijuar një bazë të shëndoshë dhe të fuqishme të Vatrës në Boston. Ne jemi këtu për të bërë më të mirën për Vatrën. Do bëjmë gjithçka për Vatrën për të qenë atje ku e meriton Vatra e Bostonit. Do ta zgjerojmë Vatrën, do të bëhet madhështore, përtej çdo pritshmërie. Vatra do të bashkojë komunitetin dhe të gjitha organizatat shqiptare në Boston” tha z.Maksutaj. Z.Subi Cako u shpreh se jemi të nderuar që Urata – Atë Koja do të na bashkojë e do të na drejtojë e të na mbledhë këtu në Boston. Nga të gjithë të pranishmit u dhanë mesazhe
bashkëpunimi, vëllazërie, respekti e angazhimi si kontribut atdhetar në komunitetin shqiptar dhe përpjekje patriotike për çështjen kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Federata Vatra dhe gazeta Dielli janë historia, lavdia, krenaria dhe identiteti kombëtar i shqiptarëve të Amerikës.