• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË LETËR E PANJOHUR E SHKRIMTARES MUSINE KOKALARI …

March 28, 2021 by dgreca

– Ese mbi dy shpirtra të letërsisë dhe kulturës/

NGA URAN BUTKA/*

Qysh në vitin 1992, si një brengë pamundësie të mëparshme, hulumtova nëpër arkiva veprat e shkrimet e Musine Kokalarit, gazetën e saj “Zëri i Lirisë”, dokumentet arkivore mbi fatin e saj tragjik dhe shkrova esenë “Mesazi i Musine Kokalarit” si edhe një skenar filmi dokumentar për Të. Meqenëse këto sprova  ishin të paplota dhe joshteruese, jam marrë në vazhdimësi, çdo herë duke gjetur diçka të re në jetën dhe veprën e saj, ende te pazbuluar tërësisht. 

Në Arkivin e Shtetit zbulova këto ditë një letër të panjohur të Musine Kokalarit drejtuar mikut dhe dijetarit Sotir Kolea. Në arkiv ruhen gjithashtu disa letra të shkrimtares Musine Kokalari me personalitetet kulturore të botës shqiptare e të huaj, që hedhin dritë mbi personalitetin e saj intelektual të jashtëzakonshëm për atë kohë, procesin e saj krijues, vetëdijën e shkrimit dhe  veprimtarinë e saj jetësore, kulturore e politike. Më i spikatur është letërkëmbimi me Midhat Frashërin, Aleksandër Xhuvanin, Sotir Kolenë, Ernest Koliqin, Eqrem Çabej, Xhuzepe Skiro, Angelo Leoti etj, letërkëmbim  tashmë i botuar.

Sotir Kolea ishte studiues, leksikograf, autor i një fjalori disagjuhësh me bazë shqipen, autor i “Një tufë proverbash”, publicist dhe botues i gazetës ”L’Albanie” në vitin 1914 në Zvicër, si edhe veprimtar i spikatur i çështjes sonë kombëtare, drejtor i Bibliotekës Kombëtare gjatë viteve 1928-1937. Pas kësaj kohe, ai u vendos në Elbasan, qendër  e arsimit dhe e studimeve shqiptare. Pikërisht atje ia dërgonte letrat Musineja dhe i kërkonte gjykin kritik për veprat e saj të para, meqenëse mungonte një kritikë e vërtetë, siç shkruante ajo: “Në Shqipëri nuk gjen kënaqësi ose  nxitje, se nuk ka  një kritikë në kuptimin e vërtetë të fjalës”.

Shkrimtarja e parë shqiptare ishte e ndërgjegjshme për udhën që kish zënë, origjinalitetin, por edhe vështirësitë në drejtimin letrar të saj dhe botimet, duke u nisur që nga libri i parë (1944) ”Siç më thotë nënua plakë”, ku botën ajo e vëshron me sytë e mendësinë nënos plakë, ndërsa te libri me përralla”Rreth vatrës” (1944), rrëfimi përrallor vjen nga gjyshja plakë, por bota këqyret dhe jepet me syrin dhe  mendësinë e fëmijës edhe për fëmijën. Musineja, siç e pohon edhe vetë, del nga vetja e zbret në moshën e fëmijëve, komunikon e dialogon thjeshtë me ta si një fëmijë, ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë që flasin e shkruajnë së lartmi nga mosha e përvoja e tyre letrare dhe mbeten të ftohtë e të huaj. Ndonëse disa shkrimtarë të njohur të asaj kohe kishin shkelur ne këtë taban, si Mitrush Kuteli me “Tregime të moçme shqiptare”,  Ali Asllani me “Hanko Halla”, apo Ernest Koliqi me “Hija e maleve”  etj., por ndryshe nga ata, vepra e të cilëve është mirëfilli letrare,  apo ndryshe nga “Përrallat” e Sotir Kolesë, që ishin mirëfilli nga goja e popullit, Musineja ndjek udhën e vet origjinale, ndërmjet narativës popullore dhe autorësisë së saj letrare.

“Mendimi im ka qenë që t’u jap të vegjëlve një libër, që të mos i  lodhë dhe vehten e tyre të mos e gjejnë në një botë të huaj. Në një botë shqiptare, në një vatër, ku edhe të mëdhënjtë të thonë se vërtet kështu kemi rrojtur. Kur e kam shkruar, nuk kam qenë unë, po një Musine e vogël dhe si e tillë- me mendime të thjeshta dhe gjuhën pyetje-përgjigje…Më duket që kam mundur të hyj në shpirtin e të vegjëlve”- përsiat Musineja.

 “Po ju dërgoj “Dasmën gjirokastrite”, – i shkruante ajo Kolesë në një letër të mëparshme, – por jo të gjithë, mbasi ende nuk ka mbaruar. Puna ecën ngadalë në shtypshkronjë. U rri në kokë punëtorëve, por megjithëkëtë ka disa gabime. Të shohim sesi do ta gjeni ju”…

Letra e sapozbuluar, mban datën 8.02.1945, është e panjohur dhe e papërfshirë në botimet e Musinesë. Ajo e shkruan këtë letër në çastin më të mjeruar të jetës së saj. Dikush mund të mendojë se koha më e tmershme e jetës së saj ishte ishte ajo e burgut të Burrelit, më pas e internimit të gjatë dhe e sëmudjes së rëndë të kancerit, që i mori përfundimisht jetën. Por jo, këto periudha të vuajtjes së parrëfyer të jetës së saj ajo i kishte përballuar me dinjitet, me forcën e karakterit, të  vetmisë  dhe të lirisë së brendshme.

 “Shpirti ka nevojë për vetminë për të qenë i lirë” shkruan ajo. “Ne e kërkojmë lirinë jashtë vetes, ndërkohë që ajo është brenda nesh”.

Në letrën që po shqyrtojmë, gjejmë momentin më të keq shpirtëror të jetës së saj, “e goditur rëndë, e mbuluar me zinë dhe në dallgën më të madhe të jetës”.

Sapo regjimi komunist i kishte pushkatuar pa gjyq vëllezërit e saj, Muntazin dhe Vesim Kokalarin. “Plumbat që shtrinë përdhe Muntazin dhe Vesimin të vdekur, na kanë goditur edhe ne,  na lënë kufoma  të gjalla për jetë, për të vuajtur gjithnjë  sa të jemi në jetë” – shkruan hidhur ajo në këtë letër.

Musineja ishte nga një familje e njohur e Gjirokastrës. Vajzë e vetme e juristit të njohur Reshat Kokalari, motër e vëllezërve Muntaz, Vesim dhe Hamit Kokalari, veprimtarë të shquar të kulturës shqiptare, themelues të librarisë “Venus” dhe të shtëpisë botuese “Mesagjeritë shqiptare”, themeluar më 1942, që botonte dhe përhapte  vepra të vyera nga literatura botërore e shqipe, si “Hamleti” e “Makbethi” të Shekspirit, “Rubairat” e O. Khajamit, “20 vjet ngatërresa ballkanike” të Durhamit, “Ivanhoe” të Skottit, “Kosova-djepi i Shqiptarizmit”, të Hamit Kokalarit, librat e Musinesë e të tjera. 

Vetë Musineja ishte një intelektuale, që  ishte ushqyer me ideologjinë kombëtare të Rilindësve tanë të mëdhenj, e quante veten nxënëse të Sami Frashërit,  kishte idhull Naimin dhe Mid’hat Frashërin, ndërkohë qe kishte kulturë perëndimore, ishte demokrate dhe kundërshtare e çdo ideilogjie e praktike totalitare. 

“Në odën time të vogël, shkruan ajo në ditarin e saj, përballë kam vënë fotografinë e iluministit të shquar, Samiut, të poetit Naim, të patriotit Sotir Kolea, të punëtorit të gjuhës shqipe e të lëvizjes Kombëtare, Jani Vreto, të arsimtarit Koto Hoxhi, të mendimtarit Naum Veqilharxhi, të të nderuarit De Rada dhe të të urtit Aleksandër Xhuvani. Në vetminë time nuk jam vetëm, jetoj me njerëz të nderuar, të ditur e demokratë, që kanë punuar për vendin, për mëmëdhenë gjersa mbyllën sytë…Unë jam nxënësja e tyre…” 

Kryetari i komunistëve, Enver Hoxha, i cili e kishte kushërirë të dytë Musinenë, nuk e kurseu jo vetëm atë, por tërë fisin e Kokalarëve. Më 12 nëntor 1944 terrori i kuq me urdhër të tij dhe  zbatuar nga Kristo Themelko, pushkatoi pa gjyq e pa faj pranë hotel “Bristol”,11 personalitete të shqura të Tiranës, ndërmjet tyre vëllezerit e saj Muntaz Kokalari dhe Vesim Kokalari. Po ashtu u pushkatuan pa gjyq Syrja dhe Emin Kokalari, Hivziu vdiq në burg dhe Isai  në internim. Muniri vrau veten. Musineja u burgos dhe u internua. Bijtë dhe nipërit e tyre u hodhën rrugëve, u internuan dhe u persekutuan pafundësisht.

     Arsyen e këtij persekutimi familjar na i rrëfen Muntaz Kokalari, vëllai i Musinesë, tek një letër më 9.11.1944, që e kishte shkruar për znj.Makbule tri ditë para pushkatimi të tij: 

   “ Po përjetojmë ditë të vështira. Kam vendosur me brengë në zemër, të largohem nga Shqipëria ime e bukur, nga familja e dashur….Këtë vendim e mora mbasi më njoftuan disa nga miqtë e mi të besuar, se jeta ime dhe e të afërmve të mi është në rrezik nga bashtua, Enver Hoxha. Ai ka urdhëruar djajtë e kuq kundër nesh. Kjo kuptohet: thjesht për motive personale.Kjo është fatkeqësi e kombit tonë dhe e Shqipërisë së gjorë, që ka rënë në duart e një njeriu të përbindshëm, tinzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist, kumarxhi e gënjeshtar, që i do njerëzit nën vete; edhe kur qe jashtë për studime nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove etj. Ne intelektualët gjirokastritë ia dimë të gjitha sa i vlen lëkura, prandaj kërkon të na asgjësojë..”

Dhe i asgjësoi. 

Musinenë e vrau shpirtërisht persekutimi absurd e kriminal i familjes së saj. “Ky qe fati im , më i hidhur se vdekja “ –i   shkruante ajo S.Kolesë.

Njëherësh, edhe  fati hidhur i ndërprerjes së dhimbshme të krijimtarisë së saj. “Sot mora nga shtypi librin e parë dhe po jua dërgoj. Ta kini për vete si kujtim të punës sime më të mirë, që pandeh se kam bërë, dhe të fundit. E mbani për vete, mbasi nuk e nxjerr në shitje. E para, se është dasmë dhe në zi’ duket qesharake; e dyta, se nuk dua më as të punoj, as të shkruaj”.

Është fjala për librin “Sa u tund jeta” (Dasma gjirokastrite, ku shkrimtarja paraqet saktësisht antropologjinë, ritet, zakonet, veshjet, dialogët, këngët e vallet, lotët dhe gëzimet e dasmës shqiptare, rezultat i një punë të gjatë, pasionante e të palodhshme ndaj folklorit – por në funksion të tekstit letrar) ), libër që M. Kokalari ia dërgonte të porsabotuar Sotir Kolesë si një kujtim të mbramë në një kohë zije, por që e konsideronte edhe si punën e saj më të mirë, që për fat të keq ishte edhe botimi i saj i fundit, sepse nuk mund të shkruante më. Kjo ishte për shkrimtaren e re, më e rëndë se vdekja.

“Përse të punosh? Përse të shkruash? Përse të jetosh?” –klithte shkrimtarja Kokalari, në dëshpërimin e saj të pafund.

Ky dëshpërim, por edhe revoltë njerëzore dhe intelektuale  e përfshin edhe atin e saj shpirtëror, Sotir Kolenë, të nderuarin atë, -siç i thoshte ajo. Në letrën e përgjigjes së Sotirit ( dorëshkrimi gjendet në Arkivin e Ministrisë së brendshme, Fondi 140, dosja 2912,viti 1945, letër e pabotuar më parë), gjejmë dhimbjen e lotët e Kolesë per humbjen vëllezërve të saj Muntaz dhe Vesim Kokalari, për të cilët “kam qarë së largu dy miqtë e çmuar që hikën’ e na lanë në lulen’ e moshës; kam qarë të dy të rinjtë që nuk qenë vetëm lavdijë për të vehtët, po qenë së bashku dhe shpresa për ne, për të paskëtajmen, se kombi ka nevojë për bij që qenë Mumtazi dhe Vesimi, me zëmër për së mbari, me gjykim të matur dhe mendje të pjekur”, por gjejmë edhe  papajtueshmërinë e tij ndaj persekutimit “me kaqë egërsim”.

Ai i shkruan Musinesë: “Shuplaka e fatit’ që shkrepi mbi ju, zonjëzë dhe mbi der’ të juaj është aq e tmerrshme sa ndofta as emër nuk ka të posaqëm në gjuhën tënë, në gjuhën e një kombi që për të gjat’ shekujve, ka pas’ qënë rrahur dhe pjekur’ e djegur’ ndër cen e rrëbjera. As fjalë ngushëllimi nuk kam ku t’i gjenj se helëm i zi, që ju shtrydhi zemrën juve dhe të juajve, është nga ata që nuk kan të zbutur me fjal as me lotë. Bashkë me ju dhe me miqt të mirë të derës’ së juaj, kam qarë së largu dy miqtë e çmuar që hikën’ e na lanë në lulen’ e moshës; kam qarë të dy të rinjtë që nuk qenë vetëm lavdijë për të vehtët, po qenë së bashku dhe shpresa për ne për të paskëtajmen, se kombi ka nevojë për bijë që qenë Mumtazi dhe Vesimi, me zëmër për së mbari, me gjykim të matur dhe mendje të pjekur. Zemërës së juaja dhe Zotit Hamit ju qoftë ngushëllimi të kryerët të detyrave të ra dhe të rënda që her’ e prap’ e sotëme ju shtroj mbi gjithë të tjerat edhe faqe pindërvet dhe faqe të miturve dhe nënave të tyre, që jeta nëpërkëmbi me kaqë egërsim”.

Gjithsesi, i urti Kolea, edhe ai në prag të vdekjes, i jep kurajë, forcë dhe uzdajë Musinesë, për ta vazhduar jetën dhe punën e saj, se puna është ilaçi i gjithçkaje, por edhe detyrë ndaj vetes, njerëzimit, kombit dhe botës.

“Një gurrë ngushullimi gjithë aq të vërtetë do t’ ju falinj puna, kjo detyra e shenjtë edhe faqe vehtesë edhe faqe botësë, që është prejt’ e zemrës, shëndet i trupit dhe pus’ i harrimit për troces të jetës; detyrë faqe vehtes jo vetëm sa rreh zemëra po dhe më pas, se jeta zgjatet pak a shumë edhe përtej varrit, detyra faqe hjerësvet, që ka njeriu te të vetët dhe faqe atyre që kanë qenë më parë, detyra faqe miqve dhe faqe njerëzimit, detyra faqe kombit, atdheut edhe botës”.

*E dergio per Diellin autori.E falenderojme.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Letra e Panjohur, Musine Kokalari, Uran Butka

NJË LETËR E PA NJOHUR E HYSNI LEPENICËS DHE PERSONALITETET QË LIDHEN ME KËTË LETËR

January 25, 2021 by dgreca

Sotir Peci, shoku veteran i vuajtjeve e mundimeve për kaq kohë në tokat e huaja...Hysni Lepenica /

Nga Enver MEMISHAJ/

Poeti, përkthyesi dhe studjuesi Agim Xh. Dëshnica me banim ne Boston, Ma,  SHBA, me fisnikërinë që e karakterizon më njohu me një letër që Hysni Lepenica ia dërgonte babait të tij, patriotit Xhevdet Dishnica, më 7 prill 1940, nxjerrë nga arkivi i babait tij. Kjo letër, e pa njohur nga ana ime, nuk është përfshire në tre vëllime, që unë kam botur për vendin që zë në historinë e popullit shqiptar Hysni Lepenica.   

Hysni Lepenica (1900- 1943) ishte luftëtar trim në Luftën e Vlorës më 1920, komandant dhe udhëheqës i rendësishëm i Luftës Antifashiste, firmëtar i Marrëveshjes së Mukjes, 1 – 2 gusht 1943, anëtar i “Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë”, komitet që doli nga kjo Marrëveshje, Komandant i Përgjithshëm i Fuqive të Ballit Kombëtar, Dëshmor i Atdheut, dekoruar pas vitit 1990 nga presidenti Sali Berisha, presidenti Alfred Moisiu dhe së fundi nga presidenti Bujar Nishani ”Nder i Kombit Shqiptar” ( Enver Memishaj – Lepenica “Hysni Lepenica…” në tre vëllime; Gazeta “Telegraf”, Tiranë, dt. 28.5.2019, f.14 – 15)

Xhevdet Dishnica lindi në vitin 1896 në Berat dhe u nda nga jeta në vitin 1972 ne Tiranë. 

Ai kishte hyrë në jetën politiko-shoqërore shqiptare që në moshën 19 vjeçare, në vitin 1915, kur qe kthyer mësues në qytetin e lindjes pas mbarimit të liceut të Manastritit dhe Normales së Elbasanit. 

Në vitin 1919, në një demonstratë, nga ballkoni  i bashkisë së Fierit me guxim iu drejtua pushtuesit italian me thirrje: “Na lironi atdheun, lironi Vlorën kreshnike”. 

Në vitin 1920, përkrah 500 luftëtarëve berates mori pjesë në Luftën e Vlorës kundër pushtuesit Italian. 

Më tutje ai do të ishte bashkëluftëtar i Avni Rustemit, Llazar Fundos, Halim Xhelos e Riza Cerovës  dhe u zgjodh kryetar i degës “Bashkimi” të Beratit. 

Nga shtypi i kohës mësojmë rolin e madh që ka luajtur Xhevdet Dishnica në udhëheqje të kësaj shoqërie: ”Sot në ora 3 u mbajt këtu në Berat një miting prej 5000 vetash. E para për të kundërshtuar mizoritë serbo-greke në Kosovë e Çamëri…” (Gazeta ”Bashkimi”, Tiranë dt. 29.8.1924)

Në mbështetje të ideve që u hodhën në këtë miting djalëria intelektuale e Vlorës, Fierit dhe Beratit shtuan presionin ndaj qeverisë së Fan Nolit: ”Mbasi Serbia po ther vëllezërit kosovarë djalëria intelektuale e Vlorës, Fierit dhe Beratit i kërkojnë governës kombëtare të protestojë në Lidhjen e Kombeve. Për djalërinë vlonjate Uan Filipi, për djalërinë e Fierit Zoi Xoxa, për djalërinë e Beratit Xhevdet Dishnica” (Gazeta ”Bashkimi”, Tiranë dt. 29.8.1924)

Në udhëheqje të shoqërisë “Bashkimi” Xhevdet Dishnica mori pjesë aktive në Revolucionin e Qershorti të vitit 1924 dhe në ditët e pazarit ai mbante konferenca para popullit dhe bënte thirrje për përkrahje të qeverisë së Fan Nolit. Me dështimin e revolucionit të qershorit pas një muaj maleve mundi të arratisej jashtë shtetit. U anëtarsua në KONARE dhe botoi artikuj në gazetën “Liria Kombëtare”.

U kthye në atdhe në vitin 1939, pas 15 vjetësh mërgimi. Mori pjesë aktive në Lëvizjen Antifashiste  dhe në vitin 1943 megjithëse në moshë të madhe doli partizan dhe luftoi me armë në dorë kundër pushtuesve nazi-fashist. (Esat Dishnica, gazeta “Bashkimi”, Tiranë dt. 12.8.1981, f. 3)

Me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Këshilli i Bashkisë Berat i ka dhënë Xhevdet Dishnicës titullin: “Nderi i Qytetit”, me motivacion : “Për kontribut të shquar atdhetar dhe patriotik  në shtetformimin dhe shpalljen e Pavaresisë si një shtet i lirë dhe sovran, për sakrificën humane, intelektuale dhe qytetare në mbrojtje të vlerave më të mira morale dhe shoqërore të qytetit tonë dhe mbajtjen lart të emrit shqiptar dhe krenarise kombetare”. (Vendim i Këshillit Bashkiak Berat nr. 42 date 130.10.2012)

Letra (me shkrim dore në 4 faqe) që Hysni Lepenica, ish prefekt i Matit, i dërgon Xhevdet Dishnicës, bën fjalë për shqetësimin miqësor e shoqëror të Hysniut dhe Xhevdetit për fejesën e Uan Filipit (1901-1948) me vajzën e patriotit të shquar Sotir Peçi (1873-1932).

Kjo  letër ka rëndësi historike për ngjarjet që trajton, në kohën e pushtimit italian dhe personazhet historik që citohen e përmenden në këtë letër, prandaj po e botojmë më poshtë:

                                                                                                                           Burrel 7.IV.940

I dashur Xhevdet,

Kam ditë që mora letrën tëndë. Nuk t’u përgjegja menjëherë për shkak të dëshirave të flisja njëherë vetë me Uanin dhe për këtë qëllim i shkrova të vinte këtu. Mirëpo ai s’mund të vi se nuk i japin leje dhe unë gjithashtu veç kësaj kam dhe fëmijën vetëm këtu.

Megjiëkëtë përsa më shkruan nuk më duket një çështje pa rëndësi, për shumë arsye, sado që unë vajzën nuk e njoh, emri i saj meriton çdo respekt dhe gjith kujdesin tim. Në këtë mënyrë ju siguroj edhe për ndjenjat dhe mendimin e shokut tonë, Uanit.

Për sa i përket sjelljes dhe cilësirave të dhëndurit të ardhshëm si dhe pajtimit të natyrave të tyre u takon t’i peshoni juve që i njihni të dy. Unë u vë parpara vetëm një konditë, që është gjendja ekonomike e Uanit dhe dy motrave gati për t’u martuar me 10.000 franga ar boxh, akoma në Bankën Kombëtare Vlorë që rrjedhin nga martesa e motrës së tretë bërë në dimrin e kaluar.

2.

Diçka më shkruaje se shokët mendojnë të nxjerrin nga ana e qeveris 200 napolona për vajzën e Sotir Pecit. Sot qeveria po jep Zef Doçit e Hakik Menës me shokë të internuar politik për ushqimin e fëmijve nga 200 e 300 napolona. Kësaj here pra, për Sotir Pecin i njohur brenda dhe jashtë Shqipëris, mund të japë më tepër dhe është me vend e i ka hije qeveris, dhe unë kam bindje se po të parashtrohet mirë çështja, qeveria ka për të bërë një ndihmesë të meritueshme. 

Merru vesh mirë me shokët që duan të interesohen për shokë, dhe t’i vihen punës që t’i kërrejnë një pajë të meritueshme vajzës së S. Pecit.      

3. 

Jo 200 napolona, se kjo do të ishte qesharake, mbasi sot me 200 napolona nuk mund të ndërtohet e stoliset asnjë kasolle me kashtë, por të kërkojnë ndo 20 mijë frënga ar dhe fundi, të mos pranojnë nëqoftë se u japin më pak se 10 mijë frënga ar. 

Në rast se shokët mund t’i sigurojnë vajzës të paktën 10 mijë franga ar unë mund t’u ap pohimin e Uanit për të cilin jam i sigurt që s’ka asnjë kundërshtim, veç pa qënies në gjendje financiare nuk i përballon dot këto halle.

Kështu pra, shokve shumë të fala dhe përpiqi me e përgatit pajën, se janë të dy të varfër dhe për çdo gjë tjetër le ta kenë ndërgjegjen të qetë se e kanë përmbush plotësisht detyrën kundrjet shokut veteran të vuajtjeve e mundimeve për kaq kohë në tokat e huaja. 

4.

Shkruajmë mua në qoftë se puna mund të rregullohet për sa u mbetet shokëve, që unë të mbaroj pastaj për sa i takon Uanit, të cilin po marr përsipër.

                                    Të përqafoj

                                    Yti Hysni Lepenica

                                                               *        *        *

Letra e Hysni Lepenicës është nderim dhe vlerësim i lartë për patriotët, si rasti Sotir Pecit për të cilin Hysni Lepenica thotë: “Le ta kenë ndërgjegjen të qetë se e kanë përmbush plotësisht detyrën kundrjet shokut veteran të vuajtjeve e mundimeve për kaq kohë në tokat e huaja”. 

Korespodenca ndërmjet dy patriotëve është  shprehje e humanizmit, respektit dhe besnikërisë ndaj shokëve të idealit, ajo tregon jo vetëm shqetësimin miqësor të autorit por veçanërisht shqetësimin atdhetar për t’u qëndruar pranë dhe ndihmuar atdhetarët dhe fëmijët e tyre, sepse ata kishin shkrirë jetën për interesa të popullit të tyre si Sotir Peci, Uan Filipi, Xhevdet Dishnica etj.

Emri i saj, shkruan H. Lepenica për vajzën e Sotir Pecit, “meriton çdo respekt dhe gjith kujdesin tim”, çka do të thotë vlerësim i lartë për atdhetarin e shquar Sotir Peci dhe besnikërinë e detyrimin që ndien H. Lepenica për t’i ardhur në ndihmë vajzës së mikut dhe shokut të idealit. 

Në letrën e H. Lepenicës duket shqetësimi për mikun e shokun e idealit, Uan Filipin, që ta martojë por edhe t’i zgjedhë nusen, sipas personalitetit e vlerave qytetare e atdhetare të tij.  Në këtë letër si Hysni Lepenica ashtu edhe Xhevdet Dishnica na paraqiten si njerës fisnikë të preokupuar  dhe angazhuar  për shoqërinë dhe miqësinë, për t’i ndihmuar e përkrahuar ata.  

Në këtë angazhim të Dishnicës dhe Lepenicës del përpara një vështirësi e madhe, vështirësia ekonomike e personazheve që citohen në atë letër. Vështirësi që nuk u zgjidhën e për pasojë patrioti Uan Filipi nuk u martua dhe kaloi në amëshim beqar, ndërsa motrat e tij u martuan dhe u bënë me fëmijë, çka tregon shpirtin e tij fisnik e bujar duke sakrifikuar lumturinë e tij për familjen, motrat e tij.

                                                 *        *        *

Kush është Sotir Peçi (1873-1932)
Hysni Lepenica thotë për Pecin: “Shokut veteran të vuajtjeve e mundimeve për kaq kohë në tokat e huaja”. 

Ndërsa Kuteli e përcjell vdekjen e Peçit me këto fjalë: “Tani trupi i tij i rraskapitur prej dyzet vjet si  veteran, shlodhet në tokën e zhuritur të Atdheut, të cilin e pat dashuruar aq bujarisht… se virtytet e tij patën qenë regëtimat e mësë kthjelltës shqiptarizëm. Ky apostull i shndërritshëm që shqipëzoi shqipen dhe kombësoj kombin, kalon nga jeta në jetë…”
Sotir Peçi lindi në Dardhë të Korçës në vitin 1873. Më 1906 Peçi botoi gazetën “Kombi”, gazeta me më shumë lexues, sepse delte në Boston, ku po dyndej një turmë e madhe mërgimtarësh. Ishte meritë e veçantë e Peçit tërheqja në gazetë dhe përfshirja në lëvizjen kombëtare e Fan Nolit. Dyshja Peçi-Noli, “Kombi” dhe shoqatat e shumta të shqiptarëve të Amerikës, patën një rol të dorës së parë në përgatitjen e ditës së Pavarësisë. 

Në vitin 1908, në Kongresin e Manastirit Peçi ishte delegat i shqiptarëve të Amerikës dhe i kolonisë së Bukureshtit. Rrjedhat e patriotizmit do ta rrëmbenin për ta lënë përfundimisht në mëmëdhe.
Veprimtaria pedagogjike e Peçit, zë fill në shtator 1909 në trupën mësimore të shkollës së parë, Normales së Elbasanit, ku jepte lëndët e Shkencave të Natyrës dhe mbaron me detyrën e Ministrit të Arsimit, në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes. 

Në vitet 1914 – 1918, Peçi strehohet në Shkodër, ku bashkë me patriotë vendas të prirë nga Nikollë Ivanaj, krijojnë organizatën “Krahu Kombëtar” që në ato vite, pati një rol tepër të madh. 

Në shkurt 1919, qeveria e Durrësit e emëroi Peçin drejtor të arsimit për Tiranën. Po atë muaj, një dërgatë amerikane e kryesuar nga konsulli Jozef Haven, kërkon takime me patriotë shqiptarë për të krijuar një ide sa më të saktë për të ardhmen e Shqipërisë. Një nga figurat kryesore që takoi ishte Sotir Peçi. 

Sotir Peci ishte nënkryetar i komisionit që mblodhi dhe organizoi Kongresin e Lushnjës.

Qeveria e dalë nga Kongresi historik i Lushnjes, duke njohur vlerat e Peçit, e futi në kabinetin qeveritar si Ministër të Arsimit. Ishte 47 vjeç dhe mbarte mbi supe jo vetëm përvojë, por mbi të gjitha një figurë të pastër morale. 

Në vitet që pasuan, Peçin e gjejmë deputet, ministër dhe njërin nga 4 anëtarët e Këshillit të Lartë, apo regjentë siç quheshin.
Gjatë viteve  1925- 1932, i dënuar fillimisht me vdekje në mungesë dhe i falur më pas, Peçi mbeti një emigrant politik, fillimisht në Itali dhe më pas në Greqi! Megjithëse iu bënë oferta për ofiqe e shpërblime, ai mbeti kokëfortë siç qe në bindjet e veta. 

I sëmurë e pa mjete financiare për t’u kuruar, i varfër, pa mbushur të 60-të vitet, mbylli sytë në Follorinë më 10 prill 1932. U varros në Korçë, me nderime të mëdha zyrtare, mbi shtratin e një topi. 

Patrioti i shquar Sotir Peci, përveç vajzës që përmëndet në letrën e Hysni Lepenicës kishte dhe një djalë Gaqo Peci që kishte lindur në vitin 1920. Kreu Liceun e Korçës, pastaj studimet e larta në Institutin Pedagogjik në Tiranë. Punoi si mësues i gjuhës frënge deri në ditën e arrestimit, në vitin  1976. Më 10 qershor 1977, me vendim nr. 118, Gjykata e Korçës e deklaroi fajtor për «agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor», dhe e dënoi me 10 vjet burg dhe humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë. U lirua në vitin 1982.

E patën arrestuar për të shtuar terrorin dhe për t’ju treguar të gjithëve që asnjë nuk mund t’i shpëtonte “tehut të mprehtë të shpatës së Diktaturës së Proletariatit”, e as mësuesi i shquar 60-vjeçar pjesëmarrës në Luftën e Dytë në anën e fituesve, pasardhësi i atyre që kishin bërë Shqipërinë. Të katër të akuzuarit në grupin e Gaq Pecit morën dënime të rënda dhe vetëm Gaqoja doli i gjallë nga burgu. 

*

Uan Filipi (1901-1948), lindi në Mbrostar të Fierit në vitin 1901. Babanë e tij bashkëkohësit e quanin Tod Shqiptari, për shkak të përpjekjeve të tij në lëvizjet patriotike kundër pushtuesit të huaj. Uan Filipi u brumos nga prindërit me idenë e një Shqipërie të lirë, pa pushtues, pa bejlerë e pa agallarë.

Ai ishte një politikan dhe luftëtar i çështjes kombëtare, me mendime e bindje të majta. Fillimisht militoi në grupet fillestare komuniste. U dënua me vdekje në kryengritjen e Fierit në vitin 1935 dhe pas dajles nga burgu, në vitin 1938, ai militoi në Grupin Komunist “Zjarri” dhe më pas në Ballin Kombëtar, duke qenë në vijën e parë të luftës kundër pushtuesit të huaj. Në tetor të vitit 1943, ishte një nga themeluesit e Partinë Socialdemokrate.

Uan Filipi si politikan dhe veprimtar shoqëror i kaloi vetdijshëm kufijtë e një politikani të thjeshtë dhe u bë udhëheqës i masave popullore.Veprimtaria e tij nuk kishte vetëm konture politike, por kryesisht atdhetare. Arsyet se përse Uan Filipi është përmendur fare pak dihen. Ato janë politike, pra s’kanë të bëjnë me të vërtetën dhe historinë.

Uan Filipi u arrestua nga komunistët më 24 tetor të vitit 1947. U akuzua se “ka qenë iniciator i formimit të Komitetit Qëndror të Ballit Kombëtar që kishte si qëllim rrëzimin e pushtetit popullor. Lidhje me të arratisurit brenda dhe jashtë Shqipërisë”. Gjykata e Lartë Ushtarake me vendim nr. 25 dt. 22.1.1948, pas tre muaj tortura çnjerzore, në hetuesi, e dënoi me vdekje dhe e pushkatuan.

(Shih për më shumë: Enver lepenica “Uan Filipi, politikan dhe luftëtar i çështjes kombëtare”, Tiranë 2019)

*

Zef Doçi e Hakik Mena ishin të internuar dhe qeveia fashiste apo kolaboracioniste u paguante nga 200 napolona fëmijëve me që prindi nuk kontriubonte për famijlen sepse ishte i internuar. Tani lexuesi të bëjë vetë krahasimin me trajtimin e të internuarve që bëri Enver Hoxha për gati 50 vjet. 

Zef Doçi ka lindur në Fushe Lure të Dibrës. Kulla 3 Kateshe e Zef Doçi është një monument i trashëgimisë kulturore, i llojit “Arkitekture”, i miratuar me numër  47 dt. 27.07.2006.

Hakik Mena është nga Dibra. Atë e gjejmë pjesmarrës në Kuvendi i Arrasit, 13 gusht 1920.

Ramiz Daci, më 7 gusht 1920, ishte në Arras dhe organizoi një miting me pjesëmarrjen e mbi 3000 vetave (pari e hali), ku shprehën krenarinë për Luftën e Vlorës kundër italianëve dhe shprehën gatishmërinë për të mbrojtur me të gjitha mjete tokat e atdheun e tyre.

Figura e politikanit dhe luftëtarit Uan Filipi në librin e studiuesit Enver  Memishaj - Bota Sot
VOAL

Xhevdet Dishnica                Hysni Lepenica                      Uan Filipi

undefined

Sotir Peci

Sotir Peçi (portrait).jpg
LeterNga Hysni Lepenica- faqja- 1 1940
Nga Hysni Lepenica- f
Scan_20201016 (2)

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Deshnica, Enver Lepenica, HYSNI LEPENICA, Letra e Panjohur, Sotir peci

Artikujt e fundit

  • “DIRECTORIUM AD PASSAGIUM FACIENDUM” 
  • ULQINI PRET BIJTË E VET
  • QEVERIA NË MES TË VOTËBESIMIT DHE ZGJEDHJEVE TË PARAKOHSHME PARLAMENTARE
  • NË VËMENDJE, 400 MIJË DOSJET E SPIUNËVE TË (ISH) SIGURIMIT TË SHTETIT KOMUNIST…
  • SHTETI SEKULAR DHE IDENTIETI YNË KULTUROR DHE KOMBËTAR NË RREZIK!
  • #SiSot ndërroi jetë në Selanik, pas një atentati, Hasan Prishtina
  • Përkujtim në largimin në amshim të Musine Kokalarit
  • Drejt greminës sociale?
  • 𝗡𝘂𝗸 𝗶 𝗸𝗲𝗻𝗶 𝗽𝗮𝗿𝗲 𝘁𝗲 𝗴𝗷𝗶𝘁𝗵𝗮 𝘁𝗲 𝗹𝗶𝗴𝗮𝘁 𝗮𝗸𝗼𝗺𝗮…
  • 24 vite më parë, Adem Demaçi, mori detyrën e përfaqësuesit politik të UÇK
  • STRATEGJIA E PUTINIT PËR TË SHMANGUR SAKSIONET EKONOMIKE DHE DËMTUAR MË TEJ EKONOMINË E EUROPËS
  • XI NDËRMJET QËNDRUESHMËRISË DHE KOMBËTARIZMIT A DO TË NDJEKË GJURMËT E PUTINIT?
  • PЁRTEJ  MJEGULLЁS  SЁ  HISTORISЁ
  • LE MATIN (1914) / JA ÇFARË MENDON KRYEMINISTRI SHQIPTAR TURHAN PASHA PËR PRINC VIDIN (INTERVISTA)
  • Princess by Gerta, markë që po rritet çdo ditë, së shpejti me qendër në Amerikë dhe Angli

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT