• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Politikanët pasanik nuk ia dinë hallin fukarasë?!…

June 27, 2015 by dgreca

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/

Këto ditë portale, gazeta, radio e televizione qofshin ato publike apo private ishin të mbushura me plotë të dhëna nga Agjencioni kosovar kundër korrupsionit. Është fjala për paraqitjen e pasurisë të politikanëve tanë dhe të gjithë ata që i lexuan apo i dëgjuan ato shifra marramendëse për kushtet e Kosovës, pa fije dyshimi kuptuan se ai kapital i kapërcente të gjithë kufijtë e mundshëm se ajo pasuri ka mundur të arrihet me djersë apo nga ato arsyetime të prejardhjes banale që janë dhënë në këtë agjencion.

Vlerësim paushall i pallatit me rreth një mijë metra katror

Pos që janë të paargumentuara prejardhjet e asaj pasurie milionëshe të politikanëve tanë tanë, të bie në sy edhe një vlerësim paushall dhe pa pikë ndërgjegje i pasurive qofshin ato të luajtshme apo të paluajtshme.Të thuhet e vlerësohet një shtëpi- pallat me rreth një mijë metra katror me vetëm 300 mijë euro në qendër të Prishtinës nga vetë paraqitësi, përkatësisht nga politikani ynë, kjo vërtetë është një marrëzi. Edhe sikur ky objekt familjar të ishte në periferi të qytetit, përkatësisht në ndonjë fshat, ky vlerësim do të  ishte joreal me vetë faktin se është shumë i madh, modern e luksoz. Nuk mund të di se si duhet të reagoj me këto vlerësime të objekteve moderne të banimit nga ana e agjencionit kundërkorropcion , mirëpo kjo gjë në opinion po kuptohet si një shaka që politikanet bëjnë ndaj shtetit dhe organeve, institucioneve dhe agjencive tjera shtetërore. Së këndejmi, nëse është në kompetencën e agjencionit, do të duhej të thuhej e konstatohet se vlerësimi i pasurive të paluajtshme, por edhe i atyre të luajtshme nuk përkon me çmimin real që tashpërtash e dikton tregu dhe kërkesa e njerëzve të interesuar për blerë objekte të ngjashme. Bile do të ishte me vend që ky agjencion të formon një komision profesional, i cili do të merrej me vlerësimin e pasurisë së paraqitur jo vetëm të politikanëve por edhe i të tjerëve që kanë pozita publike në gjithë territorin e Kosovës. Me këtë do të dihej realisht se në ç’shkallë ka arritur pasuria e atyre që para se të bëhen emër i njohur  në fusha të ndryshme, nuk kishte siç thotë një fjalë popullore as pulë para dere. Pavarësisht se, sidomos politikanët tanë, në vlerësimet e tyre paushalle nuk po e tregojnë as 30 përqindshin e pasurisë së tyre, kjo në opinion nuk pi ujë sepse ato po shihen e preken jo vetëm në kryeqendrën tonë , por gjithandej Kosovës. Këta politikan po mendojnë se këto arsyetime kalojnë aq lehtë të populli, i cili i komenton por në anën tjetër edhe i mallkon të gjithë ata që me djersën e të tjerëve janë bërë milionerë. Në opinion flitet, po ashtu, se në shpindë  të këtyre politikanëve pasurinë e kanë trash edhe disa bashkëpunëtorë të tyre të afërm apo edhe grupe të tjera të interesit klientilist, që nuk janë të obliguar ligjërisht për  të paraqitur pasurinë e tyre në këtë agjencion, i cili aq sa ka mundësi e kapacitete njerëzore e profesionale po mundohet të kryej punën e saj ashtu siç është e paraparë me ligj. Ndaj, edhe nuk është e çuditshme që bëhet gjithë ky turr e vrap për të marrë pushtet, apo më mirë për të thënë se ky interesim për të arritur në hierarkin më të lartë politike ka vetëm një qëllim:  pasurimi sa më i madh dhe i shpejt i tyre. Në këtë opinion timin nuk pretendoj të gjykoj e konstatoj se filan politikani nëpërmjet formave të ndryshme të paligjshme ka arritur që ta shtoj pasurinë e tij, por një gjë dihet se shumë nga ata këtë kapital kaq të madh nuk kanë mundur ta bëjnë në mënyrë të ndershme dhe me djersën e tyre. Një katund që shihet kallauz nuk do, thotë një fjalë popullore.

Së pari duhet të pastrohet oborri i vetiak

Askush nuk mund të mohoj një të vërtetë të madhe se korrupsioni dhe krimi i organizuar ka prekur pothuajse çdo pore të jetës dhe punës dhe se në këtë drejtim organet e institucionet përkatëse janë duke bërë shumë pak që këto dukuri të luftohen me ngulm. Dhe kritikat që bëhen nga qytetarët dhe shoqëria civile janë të drejta dhe për më shumë janë sinjale se qeveria dhe organet tjera kompetente duhet të ndërmarrin masa të shpejta e të ashpra për të eliminuar këto dukuri që e kanë zhvat kaq keq Kosovën dhe të ardhurat e saj që më vështirësi po krijohen nga një ekonomi e brishtë që po ngulfatet nga grupe të ndryshme klientiliste  të lidhura edhe me politikën. Mirëpo, është absurd i llojit të vetë që ata që kanë krijuar pasuri marramendëse të kritikojnë njeri- tjetrin për këtë situatë të nderë që është prezente dhe që padyshim në aspektin etikë nuk është e pranueshme sidomos nga opinioni publik. Populli e di, populli po e sheh për ditë atë pasuri që e keni krijuar dhe më kot mundoheni që gurin ta gjuani në anën e kundërt. Së pari duhet të sqaroni në mënyrë të detajuar se prej nga erdhi gjithë ajo pasuri e madhe aq më parë kur dihet se para lufte secili që iu njeh e ka të qartë se nuk ishit pasanik në këtë formë e përmbajtje me peshë milionëshe e më pastaj nëse zë vend arsyetimi se atë pasuri e keni arritur në mënyrë të pastër, sigurisht se edhe ju mund të hyni në “ vallen” e atyre që kritikojnë të tjerët që kanë krijuar aq shpejt të ndërtojnë pallate, të blejnë tokë e ara  me qindra hektar, të krijojnë biznese nëpërmjet të shpëlarjes së parave etj etj.

Vështirë do ta keni me fituar besimin e qytetarëve

Nisur nga krijimi i pasurisë milionëshe brenda natës nga disa politikan tanë dhe gjendjes mjaft të vështirë ekonomike në të cilën gjendet pjesa më e madhe e popullsisë, mendoj se këta politikan do ta kënë vështirë që në zgjedhjet e ardhshme të fitojnë besimin e qytetarëve. Kështu flitet në opinion, ndërkaq si qytetari do të shënoj në fletën e votimit mbetët të shihet. Ma merr mendja se tashmë populli po e sheh se në çfarë kahje po drejtohet e qeveriset vendi dhe në fund ai duhet të vlerësoj por edhe të vendos bindshëm se më të tillët nuk mund të mbetën në pushtet.

Dhe krejt në fund: Një Mbret ishte kanë ba marak shumë me ditë se çka po thotë populli për të. Mendoj shumë dhe në fund mori  vendim që vetë të dalë në mjedise të ndryshme dhe të marrë opinionet e qytetarëve. Mbreti  nuk doli me “ uniformen” e tij dhe gjithë atë salltanat që kishte por u bë “ tebdil” “ i maskuar”. Qytetarët , gjatë bisedës më Mbretin, i kishin thënë se tatimi është i lartë, gjendjen ekonomike e kanë të vështirë, sjellja e nëpunësve nuk është e mirë dhe se disa njerëz po pasurohen në mënyrë të dyshimtë. Me të marrë këto informacione, Mbreti kthehet në pallatin e tij dhe thonë se kishte bërë disa ndryshime pozitive. Ndërkaq, në rastin tonë as maskimi nuk bën punë sepse gjerat po shihen ashiqare e ato po i din e aq më keq po i krijojnë vetë politikanët, ndaj edhe nuk kanë nevojë të dalin e të bisedojnë me qytetarë, të cilët për ditë po ankohen për padrejtësi, për punësime familjare, për favorizime të pakufishme karrieriste, për korrupsion, për varfërinë që ka prekur dhimbshëm mijëra familje kosovare etj. Me demek politikanët tanë nuk ia dinë hallin fukarasë. Inshalla bëhet mirë. Gjakovari ka thënë: të gjitha t’i japi, po ymydiin  kurrë.

Filed Under: Analiza Tagged With: : Politikanët, fukarejte, pasanik, Xhavit Citaku

Robert Benjamin: Qytetarët shqiptarë të pakënaqur me mënyrën e bërjes së politikës

June 3, 2015 by dgreca

Një zyrtar i lartë i Institutit Demokratik Kombëtar, thotë se shqetësimet kryesore të qytetarëve shqiptarë kanë të bëjnë me ekonominë dhe punësimin dhe se korrupsioni mbetet një problem madhor që pengon shanset e tyre. Drejtori për Evropën Qendrore dhe Lindore i kësaj organizate amerikane, Robert Benjamin, thotë se politikanët në Shqipëri duhet t’u përgjigjen interesave të qytetarëve dhe jo të merren vazhdimisht me luftën politike kundër kundërshtarëve dhe se ai shpreson që këta lloj politikanësh të zgjidhen në votimet lokale. Zoti Benjamin foli në një intervistë për Zërin e Amerikës për një studim-anketë të fundit të Institutit të tij, ku u pyetën qytetarët shqiptarë për çështjet që i shqetësojnë ata.
Zëri i Amerikës: Zoti Benjamin a mund të na thoni se cilat janë disa nga përfundimet kryesore të anketës suaj të fundit në Shqipëri?
Robert Benjamin: Përfundimet e anketës së këtij fundi, përputhen përgjithësisht me ato të viteve të kaluara, por me disa ndryshime. Përfundimi kryesor për këtë vit është se ekonomia dhe papunësia mbeten shqetësime të mëdha mes qytetarëve dhe i lidhur me këtë shqetësim është një pakënaqësi e vazhdueshme për korrupsionin.
Dhe nga intervistat për anketën shohim se njerëzit shohin një lidhje direkte mes nivelit të korrupsionit, atij të zhvillimit ekonomik dhe ndjesisë për mirëqenien e vet. Në të njëjtën kohë, në mendimet e qytetarëve reflektohet një lloj vlerësimi për përpjekjet e qeverisë për të vendosur rregull në disa nga drejtimet e ekonomisë dhe se në disa drejtime shpërndarja e shërbimeve po përmirësohet.
Zëri i Amerikës: Kur erdhi në fuqi qeveria e re pati një ndjesi optimizmi ose me saktë shprese për atë që do të bënte. Cili është vlerësimi juaj pas dy vjet më pas?
Robert Benjamin: Duke u nisur nga ato që po thonë qytetarët në intervista, ka ende një ndjesi të përgjithshme optimizmi nga disa këndvështrime. Njëri është se vendi doli nga zgjedhjet e vitit 2013, më i qëndrueshëm politikisht, sepse në Shqipëri kishte pasur një paqendrueshmëri të konsiderueshme politike para atyre zgjedhjeve. Së dyti Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe mendoj se kjo u dha njerëzve një ndjesi të forte përparimi.
Gjithashtu njerëzit e vlerësojnë punën e qeverisë për zbatimin e sistemit rregullator. Por njëkohësisht ka një ndjesi të vazhdueshme shqetësimi dhe pakënaqësie për ekonominë dhe korrupsionin. Dhe përpjekjet e qeverisë për të marrë masa për ndërtimet e paligjshme dhe për të vendosur rregull në arsimin e lartë shihen si positive por njerëzit njëkohësisht kanë përshtypjen se zbatimi i këtyre rregullave nuk është njëlloj për të gjithë dhe kjo i shqetëson ata.
Zëri i Amerikës: Korrupsioni vazhdon të jetë një nga shqetësimet kryesore dhe ndjesia është se është i përhapur gjithandej: në administratën publike, në biznes në sistemin e drejtësisë. Pse sipas mendimit tuaj, kjo dukuri vazhdon të jetë kaq e përhapur?
Robert Benjamin: Njerëzit që folën në intervistat e anketës sonë, e rikonfirmuan që korrupsioni është një nga problemet kryesore. Ata e shohin, e përjetojnë në ekonomi, në tregun e punës, kur shohin se kush i merr vendet e punës, kur kërkojnë qasje në shërbimet qeveritare, qoftë për kujdesin shëndetësor, kur kërkojnë një rregullim të një çështje në sistemin e drejtësisë. Administrata publike u kritikua ashpër. Nga ana tjetër njerëzit vlerësojnë përpjekjet për të marrë masa ndaj ndërtimeve të paligjshme.
Por në përgjithësi njerëzit bëjnë një lidhje mes korrupsionit dhe zhvillimit ekonomik sepse shohin se korrupsioni pengon zhvillimin ekonomik, në kuptimin që rryshfetet që shkojnë në xhepat e dikujt, janë para që mund të përdoreshin për gjëra të tjera që mund të ndihmonin për ndërtimin e ekonomisë. Personi që nuk merr një punë megjithëse ai apo ajo mund të jetë më i kualifikuar po të nisesh nga një sistem meritokracie, do të thotë që ajo kompani, apo zyrë e administrates publike nuk do të funksionojë aq mire.
Zëri i Amerikës: Ju i keni ndjekur prej kohësh zhvillimet në Shqipëri. Pse sipas mendimit tuaj, shoqëria dhe klasa politike nuk kanë mundur ta luftojnë më fuqishëm korrupsionin?
Robert Benjamin: Për shumë vite, Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit u është dashur të rindertojnë shoqëritë, ekonomitë, politikën dhe sistemin qeverisës. Dhe ajo që kemi parë në 5-10 vitet e fundit, pas këtij rindërtimi, tani pyetja bëhet se si duhet të jetë ky sistem i suksesshëm. Kërkesat e publikut me kalimin e kohës rriten për përmirësimin e gjendjes dhe luftës kundër korrupsionit, ata duan qasje të barabartë tek mundësitë dhe shërbimet dhe i takon qeverisë që t’i plotësojë këto kërkesa. Por nga ana tjetër vetë njerëzit duhet të veprojnë.
Për shembull një koalicion organizatash me të cilët ne punojmë për vëzhgimin e zgjedhjeve, vitin e kaluar përdori metodologjinë e dërgimit të vëzhguesve në qendrat e votimit në sistemin e kujdesit shëndetësor. Ata ngritën një grup klinikash dhe në një ditë dërguan njerëz të shihnin se si funksiononin ato: a ishte i qartë sistemi i pagesës, a kishte personel të mjaftueshëm, a ishin higjienike e të tjera. Pastaj ngritën një model që ia prezantuar Ministrisë së Shendetësisë dhe ishte një shembull shumë i mirë sepse bazohej tek të dhënat konkrete positive apo negative dhe tek nevojat për përmirësim.
Zëri i Amerikës: A ekziston vullneti politik për t’i zgjidhur këto probleme, sidomos po të kesh parasysh se klima politike ka mbetur e ashpër dhe e politizuar?
Robert Benjamin: Mendoj se gjetjet e anketës ishin interesante. Ashtu siç ishin të shqetësuar për ekonominë dhe korrupsionin, qytetarët nuk janë të kënaqur me mënyrën si bëhet politikë në Shqipëri. Njerëzit e intervistuar, të gjithë bien dakord se sjellja e deputetëve është e papëlqyeshme, se deputetët shpenzojnë më shumë kohë duke sulmuar kundërshtarët politikë sesa për të zgjidhur çështjet që shqetësojnë njerëzit, çështjet për të cilat po flasim.
Në raportin që doli nga intervistat, del qartë një program të qartë për reformimin e politikave, tek të cilat duhet të përqendrohen të gjithë ata që janë në partitë politike dhe në sistemin politik. Njerëzit duan që udhëheqësit e zgjedhur të sillen me dinjitet, të përqendrohen tek çështjet që i shqetësojnë ata. Dhe politikanët vetë po reagojnë. Ka pasur disa fjalime në parlament, besoj nga të gjitha palët që thonë se ky raport ka rëndësi, dhe se ata duhet të sillen ndryshe.
Zëri i Amerikës: Por nuk duket se kjo po ndodh. Si e shihni ju këtë hendek mes asaj që do publiku dhe asaj që po ndodh në realitet?
Robert Benjamin: Po është e vërtetë që shpesh ekziston ky hendek. Ka njerëz që janë të zgjedhur në një post që po bëjnë atë që duhet, apo të paktën përpiqen. Ne kemi punuar me një grup grash të zgjedhura dhe ato kanë bërë mjaft jo vetëm për të zgjidhur problemet në interesin e publikut, por edhe për të ndryshuar tonin e politikës ndërsa punojnë përtej ndasive politike. Dhe këtë e dinë edhe njerëzit, sepse kërkimet e anketës tregojnë se qytetarët janë të interesuar të shohin më shumë gra në procesin politik.
Ne në Institutin Demokratik e mbështesim këtë dhe shpresojmë të shohim më shumë gra të zgjedhura, veçanërisht duke pasur parasysh se po vijnë zgjedhjet lokale. Pra mendoj se ka elementë në politikë dhe në parti që u kushtojnë vëmendje shqetësimeve të njerëzve. Të njëjtën gjë mund të themi për disa politikanë të rinj me të cilët po punon Instituti Demokratik.
Zëri i Amerikës: Por nuk janë këta elementë që marrin vendimet, apo jo?
Robert Benjamin: E vërtetë, sepse në fund të fundit vendimet i merr publiku, qytetarët me të cilët ne flasim sepse sa më shumë ata i shprehin ato që duan të realizohen nga forcat politike dhe sa më shumë marrin hapa për ato që duan, aq më shumë do të reagojnë politikanët. Kjo është formula e procesit demokratik. Përsa kohë njerëzit janë në gjendje të formulojnë kërkesat e tyre dhe marrin hapa për t’i plotësuar këto kërkesa, qoftë përmes votes, përmes ngritjes së zërit për çështje të ndryshme dhe mbikqyrjes së punës së qeverisë, politikanët do të përgjigjen sepse duan mbështetjen e votuesve.
Mendoj se zgjedhjet që po vijnë dhe fakti që do të ketë një numër të ri bashkish më të mëdha dhe më të pakta, do ta vërë theksin tek kjo sepse njerëzit që do të zgjidhen si kryebashkiakë – dhe përsëris që ne shpresojmë që të shohim gra mes tyre – do të kenë më shumë fonde dhe burime që t’u përgjigjen nevojave të njerëzve. Dhe ajo që ata duan të shohin është politika të reja për krijimin e vendeve të punës, zbatimin në mënyrë të drejtë të ligjit dhe duan shanse të barabarta për njerëzit për punësim, ekonomi dhe qasje në shërbimet qeveritare.
Zëri i Amerikës: Një problem tjetër në Shqipëri është kriminalizimi në politikë, që u shfaq dukshëm me rastet e fundit të implikimit apo dyshimeve për implikim të anëtarëve të parlamentit dhe familjarëve të tyre. Çfarë tregon kjo përsa i takon klasës politike?
Robert Benjamin: Sigurisht që nuk reflekton mirë përsa i takon klasës politike dhe kjo është më e pakta që mund të thuhet. Mendoj se ka rëndësi që publiku të ketë një ide të qartë se për çfarë po flasim, sepse është e rëndësishme që kur ndodhin gjëra të tilla, të hetohen që njerëzit të mos goditen pa të drejtë. Megjithatë është mjaft e qartë se në politikë ka shumë mundësi për korrupsion, përfshirë akte kriminale dhe kësaj duhet t’i jepet fund. Kjo duhet të fillojë me partitë politike sepse ato i zgjedhin njerëzit, dhe duhet të caktojnë jo vetëm njerëz që ndajnë idetë e partisë por edhe që përfaqësojnë interesat e qytetarëve.
U takon këtyre partive që të sigurohen vetë dhe të sigurojnë publikun që kandidatët të kenë kualifikimet e duhura dhe të jenë përfaqësuesit e udhëheqësve më të mire të mundshëm që ka Shqipëria. Gjithashtu duhet parë edheçfarë parashikon ligji qoftë ai zgjedhjeve, procesi i verifikimit të listës së kandidatëve dhe cilido qoftë ligji duhet të reflektojë interesat e publikut shqiptar. Dhe mendoj se këtë çështje kanë parasysh qytetarët kur flasin për nevojën e eliminimit të korrupsionit në procesin politik.

Filed Under: Interviste Tagged With: : Politikanët, qytetaret shqiptare, Robert Benjamin

Pëllumb Lamaj: Politikanët, të pandjeshëm ndaj viktimave të komunizmit

May 23, 2014 by dgreca

Ish i burgosuri politik Pëllumb Lamaj, i cili ka vuajtur në burgjet e komunizmit, i tha Zërit të Amerikës se klasa politike shqiptare është e pandjeshme ndaj vuajtjeve të ish të përndjekurve politikë. Në një intervistë nga Nuju Jorku, ai tha se në 20 vitet e fundit, qeveritë e Shqipërisë nuk kanë bërë asgjë për të zbardhur krimet e regjimit komunist.
Zëri i Amerikës: Zoti Lamaj, ju keni kaluar 12 vjet në burgjet e komunizmit, keni vuajtur edhe në Spaç. Edhe këtë vit, si zakonisht, revolta e Spaçit në Shqipëri u përkujtua nga ish-të përndjekurit. A dini ju raste që zyrtarë të qeverisë të kenë shfaqur interesim për të folur dhe përkujtuar ngjarje të tilla?
Pëllumb Lamaj: Edhe pse kanë kanë kaluar 20 vjet nga rënia e Murit të turpit të Berlinit, edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga e ashtuquajtura demokraci, asnjëherë përfaqësuesit e politikës shqiptare apo qeveritarë, nuk kanë denjuar të shkojnë e të vendosin një tufë me lule në Spaç apo në kampet e tjera të përqëndrimit ku gjenerata të tëra u sakrifikuan, me të vetmin krim sepse donin lirinë dhe nuk pranuan të bashkëpunonin me armën famëkeqe të sigurimit të shtetit. Vetë ngjarjet e dhimbshme të vitit të kaluar kur i burgosuri politik, i ndjeri Lirak Bejko, u asgjësua nga dëshpërimi, dhe vetë qëndrimi indiferent i Kryeministrit, i Presidentit, i gjithë klasës politike tregoi qartë që ata nuk duan ta hapin këtë faqe dhe të nderojnë këtë shtresë që ishte ndërgjegja e kombit, që ishte simboli i lirisë. Përkundrazi, ata kanë një urrejtje patologjike për këta breza të tërë që sakrifikuan gjithçka për hir të lirisë. Pra unë jam shumë skeptik dhe vetë qëndrimi i tyre anti-njerëzor, anti-demkratik, tregon qartë se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.
Zëri i Amerikës: Me rastin e 5 majit, zyrtarë shqiptarë bënë disa gjeste që u panë si nostalgji për regjimin komunist dhe për diktatorin, siç ishin nderimi me grusht apo përulja përpara fotografisë së tij. Nga qeveria nuk pati komente zyrtare. Si i shikoni ju sjellje të tilla?
Pëllumb Lamaj: Për mua është diçka e zakonshme veprimi që bëri (deputeti socialist dhe ish-Kryeministri) Pandeli Majko. Por ajo që më shqetëson është se ai e bëri këtë veprim në praninë e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, të shtetit më demokratik në botë. Simboli i grushtit është simboli i bolshevizmit, simboli i diktaturës që hëngri pjellën e vet, i revolucionit që hëngri pjellën e vet. Dhe më e keqja është se ishte një mesazh i dhimbshëm por edhe i turpshëm që u jepet brezave të rinj. Për më tepër, ky mesazh është i turpshëm sepse bëhet nga një ish-Kryeministër, i cili jo pa qëllim nderoi me grusht për t’i treguar shoqërisë shqiptare se komunizmi është gjallë dhe se komunizmi do të mbijetojë. Unë nuk e kuptoj se si akoma shoqëria dhe inteligjenca shqiptare dhe gjithë populli shqiptar në përgjithësi mund ta mbajë mbi supe këtë krim dhe turp historik
Zëri i Amerikës: Ju keni vite që jetoni këtu në Shtetet e Bashkuara ndërkohë që kanë kaluar më se dy dekada nga përmbysja e komunizmit. Disa mendojnë se periudha e komunizmit është tejkaluar dhe tani shoqëria duhet të ketë përparësi të tjera. Cili është mendimi juaj?
Pëllumb Lamaj: Mendimi është se jo pa qëllim, klasa neokomuniste që mori pushtetin sipas skenarit të Ramiz Alisë, e vonoi çështjen edhe zbardhjen e krimit komunist që përjetoi kombi shqiptar për 50 vjet. Unë të keqen nuk e shikoj tek mentaliteti apo indiferentizmi i shoqërisë shqiptare, unë e shikoj tek ajo që nuk u bë një gjyq i dytë i Nyrenbergut për krimet e komunizmit. Bota e qytetëruar bëri biznes me këtë bandë bolshevike që rimori pushtetin. Dhe unë këtu e shikoj të keqen e madhe; klasa politike është një klasë inferiore dhe ajo gjithmonë kur i vjen puna për të bërë detyrat e shtëpisë i merr urdhërat nga të huajt. Unë do të kërkoja më shumë nga bota e qytetëruar, nga personalitete të shumtë që të hedhin dritë, të qartësojnë se çfarë ndodhi në ato 50 vjet, pasi sot, jo vetëm në Shqipëri, brezat e rinj dhe populli shqiptar por edhe në botën perëndimore njerëzit nuk kanë idenë se ç’ndodhi për 50 vjet për miliona e miliona viktima të gjenocidit sllavo-komunist.
Zëri i Amerikës: A është bërë ndonjë hap nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama për të përmbushur detyrimet materiale ndaj ish-të përndjekurve politikë?
Pëllumb Lamaj: Për 20 vjet vetë ngjarjet e fundit kanë treguar që qeveria e Tiranës ose qeveritë neokomuniste që kanë ardhë njëra pas tjetrës kanë një konspiracion midis vetes së tyre. Ata bëjnë sikur marrin vendime, bëjnë premtime, por përfundimisht ata nuk duan ta hapin këtë faqe sepse ndryshe ata do dënojnë veten e tyre, janë pjella e sllavo-komunizmit, janë bijtë e bllokut. Unë me këtë rast do t’i bëja një thirrje shoqërisë shqiptare, brezit të ri: është momenti historik që të flaket një herë e përgjithmonë e kaluara vrastare. Është momenti historik që Shqipërinë ta drejtojë një elitë politike përgjegjëse për fatet e atij kombi. Për aq kohë sa këto dy banda, banda e PD-së apo PS-së do të kenë pushtetin, unë nuk shikoj ndonjë zgjidhje, jo vetëm për të burgosurit politikë në Shqipëri por as për gjithë kombin shqiptar.

Filed Under: Featured Tagged With: : Politikanët, ndaj viktimave, Pellumb Lamaj, të komunizmit, të pandjeshëm

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • Havzi Nela, 34 vjet pas varjes në litar të poetit të fundit antikomunist në Evropë
  • GJEKË MARINAJ, POETI ERUDIT MALËSOR SHQIPTARO – AMERIKAN PO PUSHTON BOTËN ME POEZINË E TIJ
  • DY DIJETARE POETE NE SHERBIM TE KOMBIT, AT BERNARDIN PALAJ  – AT DONAT KURTI
  • KOSOVA DHE VENDET E BE-së QË S’E KANË NJOHUR ATË
  • 1913 / KUR GAZETA FRANCEZE BOTONTE NJË FOTOGRAFI TË RRALLË TË ANËTARËVE KRYESORË TË KONGRESIT SHQIPTAR TË TRIESTES
  • Kur Djemtë e Skelës u përleshën me “Vullnetarët e Enverit”
  • PËRSHPIRTJE PËR SHPRESËN, ZONJËN E NDERUAR OSE VIRTYTIN…
  • Njeriu i ri
  • ZHULIANA JORGANXHI : TA DUAM ME SHUME SHQIPERINE
  • SOT, shqiptarët e Amerikës përcjellin në banesën e përjetshme Ornela Shehin dhe Florind Belliun
  • 199 vjet nga vdekja e atdhetarit Marko Boçari
  • Kryeministri Kurti takoi Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadorët e vendeve të Quint-it
  • “OPERACIONE SEKRETE-SHQIPËRIA NËN LUFTËN E FTOHTË”
  • TREGIMTARI I HESHTUR
  • Lavdi Betejës së Junikut, 10 gusht 1998!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT