• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Barbara –Jacques Prevert

December 31, 2022 by s p

A të kujtohet Barbara

Atë ditë mbi Brest binte shi pandërprerë

E ti ecje e qeshur

E shndritur, e ngazëlluar, e qullur

Nën shi

A të kujtohet Barbara

Mbi Brest binte shi pandërprerë 

Dhe të takova në rrugën e Siamit

Ti buzëqeshe

Edhe unë buzëqesha

Kujtoje Barbara

Ti që nuk të njihja

Dhe ti që nuk më njihje

Kujtoje Barbara

Kujtoje atë ditë

Mos harro

Një njeri i strehuar nën një portik

 E thirri emrin tënd

Barbara

E ti vrapove drejt tij nëpër shi

E qullur, e ngazëlluar, e shndritur

Dhe u hodhe në krahët e tij

Kujtoje atë Barbara

E mos u zemëro që po të them ti

Unë u them ti të gjithë atyre që i dua

Madje edhe atyre që veç një herë i kam parë

Unë u them ti të gjithë atyre që duhen

Madje edhe kur nuk i njoh

Kujtoje Barbara

Mos e harro

Atë shi të urtë e të lumtur

Në fytyrën tënde të lumtur

Mbi atë qytet të lumtur

Atë shi mbi det

Mbi arsenal

Mbi anijen Ouessant

Oh Barbara

Çfarë marrëzie lufta 

Ç’po ngjan tani me ty

Nën këtë shi prej hekuri

Prej zjarri, prej çeliku, prej gjaku

E ai që të shtrëngonte në krahët e tij

Dashurueshëm

A është i vdekur, i zhdukur apo ende është gjallë

Oh Barbara

Mbi Brest bie shi pandërprerë 

Ashtu siç binte përpara

Por, nuk është më njësoj dhe çdo gjë është shkatërruar

Është një shi i pikëllimit, i tmerrit e dëshpërimit

Nuk është më as stuhia

Prej hekuri, prej çeliku, prej gjaku

Janë thjesht retë

Që ngordhin si qentë

Qentë që zhduken

Në rrjedhën e ujërave të Brestit

E venë të kalben diku larg

Larg, shumë larg Brestit

Nga i cili s’ka mbetur më asgjë.

Përktheu nga frëngjishtja: Sadik Elshani

“Barbara”, një poezi evokative që evokon dashurinë, humbjen, kujtimet, është njëra ndër poezitë më të njohura të skenaristit e poetit të mrekullueshëm francez, Jacques Prevert (1900 – 1977). Hynë në radhën e poezive më të bukura të dashurisë të letërsisë franceze dhe asaj botërore. Është një poezi e shkruar në vargun e lirë, pa rima e pa strofa, me një gjuhë të thjeshtë, te rrjedhshme e të drejtpërdrejtë – tipike prevertiane. Përsëritja e fjalëve, shprehjeve e sidomos, epiteteve, sikur ia shton edhe më tepër muzikalitetin. Ngjarja është vendosur në dy kohëra në qytetin Brest të Francës: kohët para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë asaj lufte, në vitin 1944, qyteti gati i tëri është shkatërruar nga bombardimet e aleatëve mbi forcat gjermane. Në Brest kanë qenë të përqëndruara forcat detare gjermane, sidomos ka qenë qendër e nëndetëseve.

Pjesa e parë e kësaj poezie është ajo pjesa e lumtur e asaj jete të patrazuar para luftës. Një vajzë është duke ecur nëpër shi për ta takuar të dashurin e saj dhe rastësisht takohet me poetin në “Rrugën e Siamit”. Nuk njihen, por megjithatë i buzëqeshin njëri – tjetrit. Madje poeti as emrin nuk ia di,por e dëgjon nga i dashuri i saj që po e thërriste:Barbara! Zakonisht ditët me shi janë pak ca si të zymta që ngjallin atë ndjenjën e melankolisë. Por, atë ditë të rëndomtë e me shi, Preverti me magjinë e tij poetike e shndërron në një çast, ditë të lumtur. Ai shi dhe ai takim i dy dashnorëve nuk janë të rastësishëm në këtë poezi.

Pjesa e dytë është më e zymtë, më e trishtë, sepse tani mbi Brest nuk bie më ai “shiu i urtë e i lumtur”, por një shi tjetër, shiu “prej zjarri, prej çeliku, prej gjaku”. Në vend të pikave të shiut, tani bien bombat që shkatërrojnë çdo gjë. Kështu krijohet një kontrast që e forcon edhe më tepër porosinë e kësaj poezie kundër luftës e dhunës. Sikurse në poezitë e tjera të Prevertit, sidomos në atë me titull, “Gjethet e vdekura”, edhe në poezinë, “Barbar”, ndeshemi me motivin e fateve të njeriut, mbështjellur me atë velon e misterit, kujtimeve, kurreshtjes e dhimbjes: ç’ka ndodhur me Barbarën dhe të dashurin e saj në atë kasaphanë? Mund të ketë ndodhur çdo gjë, sepse lufta është marrëzi, është tmerr, është shkatërrim.

Preverti është poet i jetës së përditshme, çasteve të jetës, i poezive që na ngjajnë neve, siç shprehet vetë ai. Shpesh këto skena nga jeta e rëndomtë shërbejnë si një sfond për motive e tema shumë më serioze, si në poezinë, “Barbara”. Si shumë poezi të tjera të Prevertit, edhe kjo poezi u është nënshtruar notave muzikore dhe është bërë një këngë e bukur, kënduar nga këngëtarë shumë të njohur, si: Yves Montand. “Barbara” është poezi për dashurinë e kundër luftës.

Philadelphia, më 28 dhjetor 2022

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Kulture Tagged With: Sadik Elshani

Mos u dorëzo rinia ime, mos u dorëzo Ines

December 8, 2022 by s p

Unë nuk kam me kë të mbetem i ri nëse jut ë gjithë plakeni.

Këto ditë vjeshte, nganjëherë me diell e nganjëherë të vrëra – dhe fishkëllima e erës duket se na sjell kujtime, kujtime të largëta të rinisë sonë, ditëve tona studentore. Ishte ajo koha e mbushur plot idealizma, ëndërrime për të ardhmen, koha kur lidheshin shoqëritë, miqësitë. Ishte kohë e shqetësimeve për studimet tona, provimet, por ende e pangarku me dallgët e jetës. Si studentë ndoshta xhepin e kishim të varfër, por shpirtin e kishim të pasur, plot entuziazëm e energji rinore. Ato vite kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën tonë. Mund të shkruhen faqe të tëra për atë kohë të largët. Por, po i shkruaj këto pak radhë vetëm si një hyrje për një poezi – këngë të bukur, “Ne daj se Ines” (Mos u dorëzo Ines), shkruar – kompozuar nga poeti, këngëtari, kantautori e kompozitori i njohur kroat, Arsen Dediq (1938 – 2015). Ësthë kjo një poezi e bukur, një rrëfim poetië për rininë, nostalgjinë, dashurinë, jetën studentore. Janë këto çaste, dromca të jetës studentore të vet autorit në Zagreb, ku kemi studiuar edhe ne. Kjo poezi e Arsen Dediqit ka një ngjashmëri me poezinë shumë të njohur, “Gjethet e vdekura” të poetit të mrekullueshëm ftancez, Jacques Prevert (1900 – 1977). Dhe vërtet, tërë poezinë e përshkon një frymë preveriane. Edhe në këtë poezi, si te ajo e Preverit, e hasim të njejtin motiv: dashurinë e ndërprerë, por jo të harruar, të humbur – atë e ka përjetësuar poeti në vargjet e tij plot mallë e dashuri. Siç cekëm më lart, këto vargje autori i ka shoqëruar edhe me nota muzikore, është një interpretim – recitim magjepës i aktorit të njohur kroat, Rade Sherbexhija (1946). Gjatë viteve tona të studimeve, fundi i viteve të 70-ta dhe fillimi i viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, kjo këngë ka qenë mjaft e popullarizuar. Dhe ende dëgjohet me ëndje si njëra ndër këngët më të bukura të asaj hapësire gjeografike: sjell kujtime, mall, dashuri, reflektime… Janë vargje që jo vetëm të kujtojnë rininë, por edhe të bëjnë të ndihesh ende i ri. Të mos zgjatemi më tepër, le ta vazhdojë “rrëfimin” vetë poezia. Poezia është e shkruar me vargun e lirë e pa rima, prandaj edhe jam munduar që t’i rri sa më afër origjinalit. Një formë e tillë e të shprehurit poetik sikur e bën më të afrt, më intim këtë poezi, e cila ka frymëzuar breza të tërë, ua ka zbukuruar jetën, i ka dhënë kuptim jetës së tyre. Madje shumë prindër vajzave të tyre ua kanë vënë emrin: Ines. Për shumë adhurues të këtyre vargjeve koj poezi është më tepër se një poezi, është një himn i dashurisë, rinisëë…

Mos u dorëzo Ines

Arsen Dediq

Mos u dorëzo Ines

Mos iu dorëzo viteve, Inesi im

Lëvizjeve dhe shprehive të tjera

Sepse dhomën ende e ke të ngrohtë

Renditja e këndshme dhe sendet e rralla

Ke patur më shumë shije se unë

Dhoma jote – mrekulli!

Zonjën e shtëpisë e ke në spital

Gjithmonë je dalluar

Sipas ngjyrave të letrave tua, sipas dhuratave

Të nesërmen në mëngjes rreth orës nëntë më ke përcjellur deri në stacioni

Dhe shkatërrohet autobusi i gjelbër i bartur nga era e vjeshtës

Si një gjethe poshtë një pjerrësie beogradase

Kam veshur katin e mbrëmjes dhe jam i rrethuar me shiqime

Mos u dorëzo rinia ime, mos u dorëzo Ines

Njohja jonë ka kohë që ishte përgatitur

Dhe pastaj, rastësisht, me rakinë e nxehtë

E me ca pak fjali, dëshira e fshehur dobët

Kishe sjelljet e zonjës dhe fytyrën e fshatares

Malokja dhe fisnikja ime

Pastaj ai gjoksi yt, krevati

Dhe dhoma ime e varur në ajër si portokalle

Si llampa e portokalltë mbi ujin e gjelbër e të kaltër të Zagrebit

Brigadat proletare 39, te Grkoviqi

Rruga e lagur, nga dritarja e tutje dhe zhurma e tramvajeve të buzëmbrëmjes

Çaste të bukura të mallëngjimit, dashurisë e varfërisë

Përdorimi i banjos së përbashkët

Dhe “Ju lutem nëse dikush më kërkon”

Mos u dorëzo Ines

Ja po ngritem për ta kthyer pllakën

A mos është kjo e pahijshme në këtë orë?!

Mocarti! Requijemi Agnus Dei

Sidoqoftë, mua më pëlqen më shumë fillimi

Zotëroj edhe me një million të dhëna

Të ndjeshme e të mbrapshta të rinisë sonë

E cila para syve tanë na mashtron, na vjedh e na braktis

Mos u dorëzo Ines

Grise ftesën, anuloje darkën, mashtroje burrin

Se je duke shkuar t’i krehësh flokët në një hotel më të mirë.

Më prek me gju nën tavolinë

Gjenerata ime, dashnore

E di që ende do të ketë rini

Por, jo kësisoj – mesatarisht 1938

Unë nuk kam me kë të mbetëm i ri nëse ju të gjithë plakeni

Dhe ajo rini do të ishte e rëndë për mua

Ju edhe mund të keni të drejtë

Sepse jam vetëm në këtë breg

Të cilin e keni braktisur dhe e keni dorëzuar pa dëshirë

Dhe përsëri po fillon shiu

Ashtu siç bie shi në tetor në ujëdhesa

Deti prej pëlumbi e qielli prej pishave

Zërat e largët që përzihen

Zëri i nënës, mikut, vajzës, dashnores, vëllaut

Rrobat para shiut mbidhen me shpejtësi

Dhe zhduket drita me atë bardhësinë

Edhe pak shetitje buzë detit dhe mbaroi

Mos u dorëzo Ines.

Përktheu nga kroatishtja: Sadik Elshani

Philadelphia, më 4 dhjetor, 2022

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane. Stdimet universiatare dhe ato pasuniversitare (magjistraturën e doktoraturën) i ka mbaruar në Universitetin e Zagrebit, ku edhe për pak kohë ka punuar si asistent shkencor.

Filed Under: Fejton Tagged With: Sadik Elshani

Flamuri Kuq e Zi përsëri valon në sheshin e bashkisë së Philadelphias

November 29, 2022 by s p

Anekënd botës shqiptarët sot festojnë 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, 110 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Edhe në Philadelphia u organizua një veprimtari madhështore, ngritja me ceremoni e flamurit Kuq e Zi në sheshin e bashkisë. Që nga festimi i 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 2012, shoqata “Bijtë e Shqipes” në bashkëpunim të ngushtë me qytetin e Philadelphias organizon ngritjen e flamurit tonë në bashkinë e qytetit me një ceremoni solemne. Pra, edhe ne e shënojmë një vit jubilar, dhjetëvjetorin e organizimit të kësaj ceremonie mjaft domethënëse. Kjo veprimtari nuk është thjeshtë një akt ku ngritet flamuri në mënyrë mekanike, por është shndërruar në një festë të bukur e madhështore ku mblidhen shqiptarët të veshur me rrobat më të bukura, shoqëruar me simbole kombëtare, këndojnë e vallëzojnë, shprehin krenarinë e të qenit shqiptar, shpalosin vlerat tona kombëtare para qytetit të Philadelphias. Ngritja e flamurit Kuq e Zi në bashkinë e Philadelphias, vendlindjen e ShBA-ve është nder për Shqipërinë e gjithë shqiptarët, posaçërisht për bashkësinë shqiptaro – amerikane të Philadelphias.

Edhe këtë vit, në datën 28 nëntor, pikërisht në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u organizua ceremonia e ngritjes së flamurit në sheshin e bashkisë. Numri i pjesëmarrësve ishte shumë i madh në këtë ceremoni, gati i tërë sheshi ishte mbushur me bashkatdhetarë të gëzuar, të veshur me rrobat më të bukura, disa edhe me veshje kombëtare. I tërë sheshi jehonte nga këngët dhe vallet shqiptare. I tërë sheshi ishte zbukuruar me flamuj të shumtë shqiptarë e amerikanë. Kësaj ceremonie ia shtuan madhështinë edhe pjesëmarrja e mysafirëve tanë të nderuar: zëvendës ambasadori i Republikës së Kosovës në Uoshington, z. Bujar Maxhuni dhe këshilltari i kësaj ambasade, z. Drilon Zogaj; kryetari i Këshillit të Qarkut të Kukësit, z. Avdullah Domi, i cili edhe e ngriti flamurin në mënyrë ceremoniale. Fjalën e rastit e mbajti kryetari i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, z. Bujar Gjoka. Z. Gjoka foli për rëndësinë historike të kësaj Dite të Madhe, ndihmën e Amerikës dhënë Shqipërisë e Kosovës si dhe rolin e bashkësisë shqiptaro – amerikane në zhvillimin e qytetit të Philadelphias. Ndërsa në emër të kryebashkiakut (Mayor-it) të Philadelphias përshëndeti zonja Sheila Hess, Përfaqësuese e Qytetit (City representative) të Philadelphias, e cila edhe i dorëzoi kryetarit të shoqatës, z. Bujar Gjoka, Proklamatën me të cilën kryebashkiaku e nderonte Shqipërinë, kombin shqiptar dhe bashkësinë shqiptaro – amerikane të Philadelphias, për nder të 28 Nëntorit, Festës sonë Kombëtare dhe e shpallte 28 Nëntorin si Ditën e Shqipërisë në Philadelphia. Në këtë ceremoni përshëndeti edhe z. Avdullah Domi. Nga Zyra për Çështjet e Imigrantëve, përshëndeti z. Alain Joinville. Shoqata “Bijtë e Shqipes” e nderoi me një mirënjohje zonjushën, Katie Katro, gazetare në kanalin 6, stacion lokal i rrjetit televiziv, abc. Zonjushet, Sara Matraku dhe Silvana Çela e moderuan për bukuri këtë ceremoni madhështore.

Për këtë veprimtari dhe veprimtaritë tjera të organizuara nga shoqata “Bijtë e Shqipes” për nder të 28 Nëntorit, në ditët në vazhdim do të përgatitet një material pak më i detajuar.

Philadelphia, më 28 nëntor, 2022

Sadik Elshani është anëtar i Këshillit Drejtues dhe ish kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”.

Fotot: Eva Dori – gazetare

Filed Under: Opinion Tagged With: Sadik Elshani

Shqiptarët me plot entuziazëm e dinjitet parakaluan në Paradën e Ditës së Falënderimeve në Philadelphia

November 24, 2022 by s p

Dr. Sadik Elshani/

Veprimtaritë e shoqatës “Bijtë e Shqipes” për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë kanë filluar të marrin hov. Për shoqatën tonë nëntori gjithmonë është në marshim, festa e jonë kombëtare gjithmonë festohet me shumë dashuri e madhështi. Ka gjashtë vite që shoqatës sonë i është shtuar edhe një veprimtari e rëndësishme që zhvillohet në Philadelphia dhe përkon bukur me festimet tona të Ditës së Flamurit: Është pjesëmarrja jonë në paradën “Holmsburg Mayfair Thanksgiving Parade”. Kjo paradë që nga viti 1976, viti i saj i themelimit, organizohet në Northeast Philadelphia (Filadelfia Verilindore) përghjatë Frankford Avenue. Në këtë paradë parakalojnë grupe të ndryshme: politikanë vendorë e në nivel të qytetit e shtetit, organizata, shoqata, biznese vendore, grupe artistike, banda muzikore shkollore, etj. Këtë vit parada u zhvillua ditën e diel, më 20 nentor, një ditë me diell, por shumë e ftohtë – vazhdimisht fryente nje erë e fortë. Por, as koha e ftohtë dhe as era e fortë nuk e penguan pjesëmarrjen tonë me plot entuziazëm e paraqitje dinjitoze. Numri i pjesëmarrësve tanë, nxënësve të shkollës shqipe, prindërve dhe anëtarëve të shoqatës ishte i lakmueshëm. Ne gjithmonë e presim me padurim e me shumë entuziazëm pjesëmarrjen tonë në këtë Paradë. Siç duket po në të njejtën mënyrë e presin edhe banorët e kësaj zone:të dyja anët e rrugës nëpër të cilën zhvillohej Parada ishin mbushur me plot qytetarë të hareshëm, të cilët me fytyra të qeshura i përshëndesnin të gjithë pjesëmarrësit, vallëzonin nën ritmin e këngëve dhe valleve të grupeve, bandave muzikore pjesëmarrëse. Sidomos i pëlqejnë ritmet dhe dinamizmin e këngëve e valleve tona nga të gjitha trojet shqiptare. Parakalimin tonë gjithmonë e shoqërojnë këngët dhe vallet tona, këngët patriotike që këndohen për nder të 28 Nëntorit.
Kjo paradë për ne është një rast i mirë për t’u paraqitur para qytetarëve të Philadelphias, veshjet (kostumet) tona kombëtare nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, muzikën dhe vlerat tona kombëtare, për ta bërë të njohur shoqatën dhe bashkësinë (komunitetin) tonë që tani është bërë një pjesë e organizuar e jetës së qytetit të Philadelphias. Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, që drejtohet nga shoqata “Bijtë e Shqipes”, ishin veshur me veshjet e bukura kombëtare dhe së bashku me prindërit e bashkëkombasit e shumtë marshonin të shoqëruar nga këngët e vallet shqiptare, ku mbizotëronin ato me motive atdhetare, duke filluar nga Himni ynë Kombëtar që gjithmonë i prinë marshimit të grupit tonë. Gati të gjithë pjesëtarët e grupit tonë mbanin në duar dhe valvisnin flamujt Kuq e Zi dhe ata amerikanë. Kënga dhe vallja shqiptare jehonte në të katër anët e kësaj pjese të qytetit, përcjellësit e shumtë të kësaj parade i pëlqenin shumë kostumet tona me ngjyra vezëlluese e të stolisura e të dizejnuara me plot shije. Ndërsa shumë prej tyre me gjeste me duar e me trup u bashkoheshin ritmeve plot dinamizëm të muzikës sonë. Në pikën e fundit ku mbaronte parada të gjitha grupet shfaqnin një program treminutësh, ndërsa grupi yne vallëzonte nën ritmin e valleve tona popullore, mjaft dinamike e ritmike. Konferencierët (paraqitësit) bën edhe një paraqitje të shkurtër për shoqatën tonë, me këtë rast ata theksuan se shoqata jonë këtë vit e festoi 20 Vjetorin e Themelimit të saj.
Paraqitja jonë edhe këtë vit, si edhe viteve të tjera, ishte mjaft dinjitoze dhe e organizuar mirë dhe të gjithe mezi që po presim për paradën e ardhshme, sidomos fëmijët, për të cilët kjo duhet të jetë një përvojë e mirë jetësore dhe atdhedashuri, krenarie kombëtare. Për këtë organizim të mirë meritat i takojnë kryesisë së shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe mësuseve tona të përkushtuara: Rajmonda Bardhi, Irini Zenelaj, Rudina Bani, Afërdita Muzhaqi dhe Mimoza Sotiri. Këtu duhet vlerësuar edhe puna e gazetares, Eva Dori, e cila me plot profesionalizëm ka bërë shumë fotografi e inçizime gjatë tërë rrugëtimit të kësaj parade. Ditën e diel ne i zhvillojmë mësimet në shkollën tonë shqipe, por pjesëmarrja e nxënësve në këtë paradë ishte një mësim i mirë atdhedashurie, historie, krenarie kombëtare. Jo çdo gjë e vlerë mësohet vetëm nga librat, por edhe nga përvoja jetësore, shembulli i njerëzvë që punojnë, sakrifikojnë për të mirën e kombit e atdheut.
Philadelphia, më 20 nëntor, 2022
Sadik Elshani është anëtar i Këshillit Drejtues dhe ish kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”.

Fotot: Eva Dori – gazetare

Filed Under: Reportazh Tagged With: Sadik Elshani

SHKOLLA SHQIPE “GJUHA JONË” NË FILADELFIA E FILLOI VITIN E RI SHKOLLOR

September 12, 2022 by s p

Gjuha jonë sa e mirë,

Sa e ëmbël, sa e gjerë,

Sa e lehtë, sa e lirë,

Sa e bukur, sa e vlerë.

Naim Frasheri (1846 – 1900)

Vera vate shkoi, do të thoshte Naimi ynë i madh, pushimet verore mbaruan dhe përsëri erdhi shtatori, maji i parë i vjeshtës, muaji i hapjes së shkollave. Kështu ndodhi sot, 11 shtator, në Filadelfia, shoqata jonë, “Bijtë e Shqipes”, i hapi dyert për femijët e bashkësisë sonë për të tetëmbëdhjetin vit. Ende pa mbaruar mirë viti shkollor, ne mendojmë për vitin e ardhshëm shkollor dhe gjithmonë kemi shqetësimin se, a do të na vijnë nxënësit përsëri ne vitin e ardhshëm, sa nxënës të rinj do të na vijnë? Që para orës së caktuar për hapjen e shkollës filluan të vijnë prindër e nxënës, por edhe gjyshe e gjyshër që i shoqëronin nipërit e mbesat e tyre. Është kjo një ditë mjaft emocionale për të gjithë, sidomos për ata fëmijë që vijnë për herë të pare, disa nga të cilët edhe nuk flasin farë shqip. Kryesia e shoqatës dhe mësueset e shkollës i kishin bërë kohë më parë përgatitjet e duhura për këtë ditë të posaçme. Mësueset tona të përkushtuara e të përgatitura mirë profesinalisht: Rajmonda Bardhi, Rudina, Bani, Irini Zenelaj, Mimoza Sotiri dhe Afërdita Muzhaqi i prisnin fëmijët krahëhapur, me buzëqeshje e përqafime. Në këtë ditë mësimi nuk zhvillohet, por nxënësit sistemohen nëpër klasa, i marrin librat dhe materialet përkatëse mësimore dhe së bashku me prindërit njoftohen për rregullat, mbarëvajtjen e shkollës. Përvoja jonë shumëvjecare ka teguar se, kur udhëheqësit e shoqatës, mësueset, prindërit dhe nxënësit bashkëveprojnë me mirëkuptim me njëri – tjetrin, atëherë edhe suksesi nuk mungon. 

Ceremoninë e hapjes së vitit të ri shkollor kishim planifikuar që ta bënim në hapësirat e jashtme të godinës së re, por koha me shi na detyroi që t’i bënim disa improvizime e të zhvendoseshim në hapësirat e brendshme që ende janë duke u rregulluar, meremetuar. Ndërsa mësimi do të zhvillohet në ndërtesën e vjetër ku të gjitha klasat janë të përgatitura mirë për një proces normal mësimor. Mësimi zhvillohet ditëve të diela, ndërsa mësimi online, ditëve të shtuna.. Mësimi online, si rrjedhojë e masave të pandemisë Covid-19, na ka mundësuar që shkollën tonë ta ndjekin edhe nxënësit që jetojnë në shtetet tjera të Amerikës e më gjërë. Që në ditën e parë të shkollës numri i nxënësve ishte në nivelin e lakmueshëm, por përvoja jonë na tregon se ky numër vjen duke u rritur në ditët në vijim. 

Nga të gjitha veprimtaritë tona të shumta: atdhetare, kulturore e sportive që organizon shoqata, ne gjithmonë e veçojmë funksionimin e rregullt të shkollës sonë si kryeveprimtarinë tonë. Misioni i shoqatës sonë është: ruajtja e trashëgimisë, gjuhës, traditës e kulturës sonë kombëtare. E ku ka mision më të shenjtë se kujdesi për gjuhën shqipe, ruajtjen dhe mbajtjen gjallë të saj?! E kush mund ta kryejë këtë mision më mirë se shkolla shqipe?! Nuk ka kënaqësi më të madhe se kur i sheh fëmijët tanë duke folur shqip, duke recituar vjersha shqip, duke kënduar shqip, duke lozur shqip! Shkolla shqipe për fëmijët tanë është një kënaqësi shpirtërore, një përvojë jetësore, ku perveç njohurive që marrin për gjuhën, letërsinë, artin, kulturën, historinë tonë, ata brumosen edhe me ndjenjat e atdhedashurisë. Njihen me figurat e ndritura të kombit tonë, me shqiptarët që kanë bërë emër në fusha të ndryshme të artit, shkencës, sportit. Të ndihen krenarë për prejardhjen e tyre, për kombin e tyre e jo të vuajnë nga kompleksi i ultësisë (inferiotetit). Se, kombi që ka dhënë Skenderbeun. Shën Nënë Terezen, Aleksandër Moisiun, Ferid Muratin, Ismail Kadarenë e shumë të tjerë, përmban në vete diçka të madhërishme. Shkollën shqipe duhet parë edhe në rolin pak më të zgjëruar, jo vetëm si mjedis ku mësohet gjuha e folur dhe e shkruar, por edhe si një vatër ku ngritet ndërrgjegjja kombëtare dhe mbillet fara e atdhedashurisë. Fëmijve tanë t’ua mbajmë të gjalle dashurinë për Shqipërinë, vendin e të parëve të tyre, vendin e tyre. Dhe një ditë, pse jo edhe ta ndihmojnë vendin e tyre. Edhe të mërguar, kur kujdesemi dhe nuk e harrojmë gjuhën tonë, traditat, vlerat tona kombëtare, atëherë na duket sikur nuk e kemi lënë atdheun prapa shpinës, por atë e kemi marrë me vete. Ndoshta kjo na ngushellon pak.

Kam lexuar diku një thënie të bukur: “Gjuhën shqipe e duam se është gjuha e zemrës, gjuhën tjetër e mësojmë se është gjuha e bukës”. Ndërsa unë do të shtoja se te dish më shumë gjuhë të tjera është kulturë, është tregues i nivelit intelektual të një njeriu. Ta ruash gjuhën tënde, ta flasësh e ta shkruash bukur, nuk është vetëm kulturë, por eshte një detyrim kombëtar, është atdhedashuri. Na duhen të dyja, edhe gjuha e zemrës edhe gjuha e bukës. Njera na siguron jetesën në vendet ku jetojmë, ndërsa gjuha shqipe na mban gjallë shpirtin, qenjen tonë shqiptare. Pra ta mësojmë e ta duam gjuhën e zemrës, elementin kryesor që e përcakton identitetin tonë kombëtar. U bëjmë thirrje të gjithë prindërve që t’i sjellin fëmijët e tyre në shkollën shqipe, sepse ky është një detyrim kombëtar, se gjuha shqipe është pasuria më e madhe që ata mund t’u lënë trashëgim fëmijve të tyre. Së bashku mund të bejmë më shumë, së bashku mund t’ia arrijmë këtij qëllimi madhor kombëtar. Ejani, ne i kemi hapyr dyert! Na priftë e mbara për një vit të sukseshëm shkollor!

Philadelphia, më 11 shtator, 2022

Dr. Sadik Elshani është anëtar i kryesisë dhe ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Sadik Elshani

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT