• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Koha që shkoi- DITËT E SOTME NË POEZINË E NJË TË RIU

October 27, 2015 by dgreca

NGA ISMAIL KADARE/
REÇENCË E VITIT 1969 E LBRIT“SOT” TE POETIT FASLLI HALITI/*
Kur disa vite më parë një djalë i ri nga Lushnja,Faslli Haliti sillte në redaksi vjershat e para për t’i botuar ,ishte e vështirë që të besoje se shpejt do të vinte koha që ai do të botonte librin e tij të parë . Kjo ndodhte sepse vjershat e tij ishin shkruar me mungesa të mëdha teknike ,me gjuhë të çrregullt; idetë disa herë nuk ishin të qarta; vjershat disa herë nuk kishin kuptim. E megjithatë,midis strofave të shumta të këtij fillestari shkëlqente tek tuk ndonjë copë e bukur origjinale poetike, e cila për fat të keq humbte përsëri në grumbullin e madh të vargjeve të tij. Sikur Faslli Haliti të ishte dashuruar ahere pas vargjeve të tij, sikur ai të ngulte këmbë dhe të mbronte dobësitë e tij, ishte e sigurtë se nuk do të kishim librin e tij “Sot” që është një nga librat më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit nga Shtëpia botonjëse “Naim Frashëri”. Por ai vinte nga Lushnja, i thjeshtë dhe serioz, si njeri i vërtetë i punës,dëgjonte me vëmëndje vërejtjet, mundohej t’i kuptonte ato, nuk “përgjërohej” për ato që kishte shkruar, por i vihej punës të shkruante më mire, duke flakur dobësitë e shumta. Pas një kohe të shkurtër iu botuan vjershat e para. Koha e botimit të parë është disa herë periudhë e rrezikshme për një fillestar. Pikërisht në këtë kohë mund të krijohet tek ai një vetëbesim i tepëruar, i cili për fat të keq bëhet nganjëherë shkaktari kryesor që disa të rinj e fillojnë mbarë punën, mirëpo pastaj, në vënd që të bëjnë përpara, bëjnë prapa. Faslli Haliti, si shumë shokë të tij të talentuar, e kaloi me sukses këtë periudhe. Ai ishte po aq i vëmëndshëm ndaj vërejtjeve, po aq serioz në punë si dhe më parë. Ne besojmë se edhe pas botimit të librit të tij të parë “Sot”, Faslli Haliti, duke e kuptuar thellë se arti është një pasuri që krijohet për popullin, do të vazhdojë të punojë me këmbëngulje dhe përgjegjësi të madhe, ashtu siç ka bërë gjer tani, për të shkruar edhe më mirë, për të zhdukur gjer në fund ato mungesa dhe dobësi që vihen re edhe ne librin e bukur “Sot”.
Gjëja e parë që të bie në sy në këtë përmbledhje poetike është aftësia e poetit të ri për të komunikuar drejtpërdrejt me lexonjësin. F. Haliti nuk mbështillet me “aureolën e krijonjësit”, duke i folur lexonjësit nga lart. Ai, në mënyrë të thjeshtë dhe të natyrshme, e konsideron lexonjësin si shokun e vet dhe pa asnjë pozë letrare i flet për problemet që e shqetësojnë:

Nata,
Bulevardi,
Fshesari dhe unë.
Eja fshesar,
Jemi kolegë.
Ndize një cigar.

Kjo nuk është një thjeshtësi e shtirur e intelektualit që duket sikur do të thotë “Shikoni sa poet i thjeshtë jam unë, bisedoj edhe me një fshesar”. Po të lexosh librin e Faslli Halitit vë re që nga krej në fund e përshkron një thjeshtësi e vërtetë burrërore:

Mik me nusen vajta në fshat,
Që nusen time të gjithë të shikonin
Dualën,plakat ,gratë:
Kjo qënka moj nusja e nipit Shahinit,
Ç’qënka ,moj qyqe, kjo nuse kështu?
Kjo të shikoka në kokrën e syrit,
Supet përjashta, fustanin në gju.

Poeti vazhdon të tregojë historinë e vajtjes mysafir në fshat me nusen; me ngjyra të gjalla , të këndshme, duke bërë humor me veten dhe njëkohësisht duke dhënë një tabllo shumë reale të një fshati myzeqar ku shprehitë e reja po zëvëndësojnë çdo ditë etikën e vjetër.

Në një vjershë tjetër ai shkruan:

Futem ne klasë,
Nxënësit e mij shikojnë çizmet e mija me baltë,
Flokët e mi të qullur
Që kullojnë
Që varen të poshtë
Si flokët e Senekës.
Shikojnë ditarin e lagur,
Dhe supet qull të xhaketës.

Në faqet e librit të tij e shikojmë poetin t’i bjerë kryq e terthor Myzeqesë, të korrë grurë me kooperativistët, të ndezë një cigar me fshesaxhinë,të çojë nusen në fshat, të dalë nga një mbledhje e fortë , të shkojë për të dhënë mësim mespërmes shiut, të diskutojë për problem të ndryshme, të mbrojë me forcë dhe të mohojë me forcë. Në të gjitha këto vjersha ka diçka të brenëdshme progresiste. Kjo është një meritë kryesore e poetit të ri. Në vjershat e e Faslli Halitit përparimtarja nuk qëndron në fjalë, ajo është brenda vargjeve, bredna subjektit të thjeshtë të vjershave. Duke i lexuar ti kupton përnjëherësh se këto ngjyra, këto preokupacione, këto mendime , këto ngjarje të thjeshta, ndodhin në Myzeqenë tonë, midis njerëzve tanë, në ditët tona. Faslli Haliti mundtohet t’i përshkruajë ato në mënyrë të freskët, origjinale, pa shabllonë poetike, të cilat krijojnë gjithmonë një perde tymi reth poezisë. Natyrisht kjo është një gjë shumë e vështirë dhe jo gjithmonë ai arrin ta realizojë, por disa herë e ka realizuar në mënyrë të shkëlqyer si tek vjersha “Duhej të këndoja i pari, e di.” Po e citoj krejt vjershën:

E kam hekurudhën tek dera e shtëpisë
Duhej të këndoja i pari, e di.
Nuk këndova.
Isha i mpirë, i hutuar.
Isha si dhëndri në dasmën e tij.
si dhëndri që prêt e përcjell,
Ndërsa të tjerët këndojnë, kërcejnë
Ndërsa ai në qoshe i lumtur rri.
Duhej të këndoja i pari, e di.

Për hekurudhën Rogozhinë-Fier janë shkruar qindra e qindra vjersha nga të rinjtë e të gjithë anëve të Shqipërisë, që muarën pjesë në ndërtimin e saj. Ndërsa kjo është fjala e ngrohtë, e sinqertë, e thjeshtë e vendasit, e myzeqarit, për të cilin hekurudha qe dasma e tij. Faslli Haliti duke iu shmangur uniformitetit që vihet re se në vjershat kushtuar aksioneve, në një mënyrë sa origjinale aq dhe të thjeshtë shkroi këtë vjershë të bukur.
Origjinaliteti nuk është vetëm meritë e poezisë, por është kërkesë objektive që poezia të pasqyrojë sa më gjërësisht jetën e popullit. Duke u përpjekur të tërheqim një numur sa më të madh të rinjsh në punën letrare, e bëjmë këtë gjë jo për të nxitur uniformitetin, por pikërisht për ta luftuar. Mbyllja e poezisë në kuadrin e një numuri të kufizuar autorësh rrit shabllonet poetike, nxit imitimet, krijon një ndarje midis poezisë dhe jetës dhe shton uniformitetin. Zgjerimi i radhëve të lertarëve duhet të bëjë të kundërtën. Origjinaliteti nuk është lluks. Pasqyrimi sa më në mënyrë origjinale i realitetit tonë në veprat e sa më shumë autorëve, do të krijojë një tabllo që mund t’i afrohet pak a shumë tabllosë jashtëzakonisht të larmishme të realitetit tonë. Uniformiteti varfëron edhe zbeh tepër pasqyrimin e jetës sonë. Shabllonet, kemat e gatëshme, parafabrikatet letrare nuk sjellin asgjë të mirë. Natyrisht ka një ndryshim të madh midis origjinalitetit dhe manisë për të qënë original, mani e cila kthehet kundër autorëve dhe dëmton rëndë punën e tyre.
Në librin “Sot” bije në sy freskia e motvieve, ngjyrat e çelëta të fushës, hapësira, ajri, drita. Në të gjitha këto ka diçka nga Myzeqeja, nga gëzimi dhe çiltërsija e saj. Për të dhënë imazhet e fushës që e ka lindur dhe që poeti e do me gjithë shpirt, ai përdor një gjuhë të figurëshme, me krahasime tepër të kapëshme, të guximshme dhe konkrete. Konkretësija është një cilësi tjetër e tij e mirë, që nuk e le të bjerë rob i spekullimeve të fjalëve. Ja një tabllo e së kaluarës:

Kur në fushë pranvera vinte,
Varte lëkurën gjarpëri në ferrë,
Në gjokësin anemik
Pranverat i vinin fushës flutura,
Myzeqarit në gjoks i vinin hoxhallarët nuska.

Këtu Myzeqeja dhe myzeqari gati gati janë perceptuar si diçka unikë, ku nuk kuptohet ku mbaron fusha dhe ku fillon njeriu. Gjoksi i fushës me fluturat e thara dhe gjoksi i myzeqarit me nuska shtrihen në një krahasim që ka një trishtim madhështor.
Krahasimet e ndërtuara me element konkretë të jetës janë shumë interesante kur përdoren me vënd. Për njeriun që del nga mbiedhja e kolektivit ku e kanë kritikuar poeti shkruan:

Dole kokëulur , i skuqur, sigurisht,
Ashtu si sëpata që del nga kovaci,
Pakëz e skuqur, e nxehur
Por e kalitur , e mprehur dyfish.

Ose për kënetat e Myzeqesë ai thotë se “kish ujë në shpatull Myzeqeja”.
Disa herë krahasimet bëhen edhe më të guximshme:*

Si e çarë e shalqinit
Vetëtima vetëtin.
Ndoshta konkretësia është tepëruar, por sidoqoftë tendenca është e mirë. Në vënd që të përdorte krahësimin e sipërpërdorur gjatë mijëra vjetëve “vetëtima si gjarpër”, e cila jep vërtet deri diku lëvizjen e vetëtimës, por le jashtë ngjyrën, poeti nga jeta e përditëshme fusharake mori një krahasim shumë më konkret, ku jepet më mire ngjyra, megjithse lihet jashtë levizja.
Faslli Haliti është një poet që arrin rrezultate të mira me përpjekje të mëdha. Kjo është mënyra e të punuarit të tij. Shpesh herë një vjershë e bukur e tij qëndron midis një grumbulli vjershash pa vlerë. Kjo nuk është një gjë shqetësuese, përderisa poeti do të vazhdojë të ruajë të mprehur vëmëndjen ndaj dobësive të tij, do t’i luftojë këto, duke u ndarë vazhdimisht prej tyre.
Në librin “Sot” gjithashtu ka mjaft dobësi. Shpesh herë vjershat janë të cunguara, fragmentare, pa ide të rëndësishme; ato duken si skica të paarrira që nuk bëjnë përgjithësime. Duket sikur autori i ka lënë përgjysëm nga shpejtësia ose hutimi. Nganjëherë vjersha nuk del nga kuadri i një konstatimi ose i një krahasimi të thjeshtë. Ka një farë “skeletizmi” në vjersha. Poeti i ri duhet që, duke ruajtur cilësitë e tij më të mira të thjeshtësisë, konkretësisë, lakonizmit, të mos i shndërojë ato kurrë në qëllëim në vetvete. Në vjershat e tij F.Haliti ka shpesh impresione të shkurtëra, të cilat mbeten thjesht impresione kur nuk shoqërohen me një ide të rëndësishme. Ai duhet të përpiqet t’i shmanget një farë “akuarelizmi”, i cili duket edhe në vëllimin “Sot”. Ai duhet të përpiqet nga ana tjeter të zgjerojë diapazonin e tematikës së tij. Pa hequr dorë nga freskia lirikës së fushës, Do ta pasuronte poezinë e tij edhe një frymë më e gjërë epike, një nerv më i fortë ndaj ngjarjeve të mëdha me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Të gjitha këto nuk ka pse të kërkohen përnjëherësh. Këto janë elementë që objektivisht e pasurojnë poezinë e një poeti të ri, i cili nuk mbetet në vënd por ecën përpara.
Shkrimtarët tanë të rinj kanë shumë për të mësuar, në radhë të parë nga jeta dhe pastaj nga librat. Ata kanë shumë nevojë për ndihmë. Ata duhet të ndihmohen nga shkrimtarët më me përvoje. Nga ana tjetër është e domosdoshme të ndihmohen të rinjtë për të kapërcyer ndjenjën e vetëkënaqësisë pas sukseseve të para. Kur të punohet mirë me të rinjtë, ata do ta kuptojnë shumë mirë se kjo gjë që po bëjmë ne, krijimtaria letrare, nuk është diçka e mbinatyrshme, por është një përpjekje në kuadrin e përgjithshëm të përpjekjeve për përparimin e vendit. Tek të gjithë letrarët, e sidomos tek fillestarët, duhet të rrënjoset ideja se letërsia nuk është një stoli që zbukuron dhe bën interesante vetveten, por është një pasuri kombëtare dhe, si të gjitha pasuritë shpirtërore të popullit, ajo krijohet me vështirësi dhe mundime të jashtëzakonshme, nga shumë breza e nga shumë njerëz.

Gazeta “Drita”, 12 tetor 1969

______________________________________________________________

KËTA DY SHËNIME
JANË VENDOSUR NË VESHIN E DJATHTË TË LIBRIT «SOT» TË SAPO RIBOTUAR

ISMAIL KADARE:
Ka pasur raste kur ndonjë diskutim krijues ka munguar dashamirësia. Kam parasysh një letër të dërguar në redaksinë e gazettes «Drita» nga një letrar i ri i Lushnjës (F. Rustemi), i cili shfaqte protestën e tij në lidhje me pritjen që ju bë librit «Sot» të poetit të ri Faslli Halii nga disa anëtarë të rrethit letrar të Lushnjës. Nxënësi që e shkruante këtë letër, ankohej me të drejtë për faktin që disa anëtarë të rrethit letrar të Lushnjës, në vend që të gëzoheshin që një bashkëqytetar i tyre botoi një libër të mire poetik, jo vetëm që u hidhëruan shumë, jo vetëm që e pritën me këmbët e para këtë libër, por filluan kundër autorit të ri një fushat akuzash speculative». “Krijimtaria letrare e rinisë”, «Atobiografia e popullit në vargje», faqe. 216-217)

Gjergj Zheji,

Kurse Faslli Haliti me vëllimin e tij të parë (Sot) na ka dhënë një tufë akuarelesh të freskët nga jeta jonë. …këto akuarele të komunikojnë ndjenja të shndritshme, ide interesante që mund të të bëjnë edhe të mendohesh. Ky poet i ri, në rrugën e formimit të tij, ka, mbase më shumë se çdo poet tjetër yni, kultin fjalës.. (”Artisti dhe jeta”, 1973 )
* Faslli Haliti u denua nga diktatura per peozi dekadente, qe nxinin realitetin

Filed Under: ESSE, LETERSI Tagged With: Ditet e sotme, Faslli Haliti, Ismail Kadare, ne poezine e nje te riu, sot

Sot, Në Armeni, lobim për Kosovën në UNESCO

October 11, 2015 by dgreca

-Samit me pjesëmarrje të afër 500 përfaqësuesve të vendeve anëtare të OIF/
Erevan, 11 tetor 2015/ Sot në Erevan, Armeni, ka filluar samiti i 31-të i Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF), ku në mesin e pjesëmarrëseve është edhe Republika e Kosovës.
Zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, po merr pjesë në këtë samit. Është hera e parë që një zyrtar kosovar viziton këtë shtet në këtë nivel, ndërsa në fokus të delegacionit kosovar është lobimi për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO).
Në samit po marrin pjesë afro 500 përfaqësues të vendeve anëtare të OIF, në mesin e të cilëve shumë liderë shtetesh dhe ministra të jashtëm, si dhe pjesëtarë të Sekretariatit të Përgjithshëm të kësaj organizate.
Zëvendësministri Selimi ka falënderuar shtetet frankofone për mbështetjen dhënë anëtarësimit të Kosovës në OIF. Selimi potencoi se Kosova, që prej se i është bashkuar kësaj organizate ka trefishuar numrin e diplomatëve frankofonë dhe ka festuar Javën e Frankofonisë.
Selimi gjithashtu ka kërkuar mbështetjen e Kosovës edhe në UNESCO sepse, sipas tij, izolimi i Kosovës nuk i kontribuon zhvillimit të arsimit, shkencës, kulturës dhe ekonomisë së Kosovës./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: ARMENI, Kosova ne UNESC, Lobim, sot

Sot shqiptarët e Maqedonisë në protestë kundër Gruevskit

June 13, 2015 by dgreca

FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKES”VATRA” KA SHPREHUR PERKRAHJEN E SAJ DHE KA KERKUAR DEMONSTRIM QYTETARIE/

Në Shkup sot pasdite do të mbahet marshi protestues gjithëshqiptar në organizim të Lëvizjes “BESA”, ndërsa me një përkrahje të gjërë të dhjetëra shoqatave shqiptare, shoqatave të diasporës dhe përkrahjeve të personaliteteve të ndryshme publike.

Në këtë protestë me moton “Protestojë Shqip” do të kërkohet dorëheqja e Qeverisjes aktuale, zbardhja e të gjitha të vërtetave për shqiptarët dhe kërkesa për një marrëveshje të re në Maqedoni janë 3 kërkesat kryesore të protestës së sotme me moton “Protestoj Shqip”, transmeton Ina.

“Ky është një marsh shqiptar, pa emblema partiake dhe asnjëri nga subjektet që e mbështesin atë nuk e ka primatin e protestës. Për këtë arsye edhe njëherë i ftojmë të gjithë shqiptarët e Maqedonisë, që nesër të dalin bashkë me familjet e tyre për t’i shprehur fuqimisht kërkesat e kësaj proteste. Protesta e nesërme do të ketë vetëm 3 mesazhe, dorëheqja e qeverisë antishqiptare, të inkriminuar dhe të korruptuar Gruevski dhe Ahmeti, zbardhja e të gjitha të vërtetave shqiptare në Maqedoni dhe kërkesa për një marrëveshje të re për Maqedoninë.”, deklaruan nga Këshilli Organizativ i Protestës.

Diten e djeshme Federata Panshqiptare e Amerikes”VATRA” ka shprehur solidaritet me protestuesit dhe ka kerkuar qytetari e kulture protestimi.(Shih deklaraten ne Dielli)

Filed Under: Rajon Tagged With: protesta ne Shkup, sot

Statusi i shkrimtarit sot

June 7, 2015 by dgreca

NGA Mr.Sci.Prof.FLORI BRUQI.PHD.cand./*
Borgesit do t’i mjaftonte vetëm një fjali për ta dhënë mrekullisht thelbin e dinjitetit: “Individ dinjitoz është ai që ia del të jetë në paqe me veten dhe me të tjerët”.
Thënia e njohur e Kantit se “Individi pa dinjitet s’mund të prodhojë vepra dinjitoze”, duket që u përket atyre postulateve që s’vjetrohen kurrë, pavarësisht konotacioneve që mund të fitojë fjala “dinjitet” në kohërat moderne apo postmoderne.
A ka dinjitet shkrimtari i sotëm shqiptar?
Jo pa dhimbje, derisa flas edhe për veten më duhet të përgjigjem (zë-ulët): “Jo”.
Si për ta ngushëlluar veten dhe kolegët e mi, po shtoj se problematika në fjalë, domethënë “dinjiteti i humbur i shkrimtarit” duket së është një shqetësim mbarë-kombëtar çka lidhet, me siguri, me “dinjitetin e humbur” të vetë letërsisë.
Sipas studiuesit Ridvan Dibra ”Konsumizmi i shfrenuar, triumfi i imazhit, realitetet elektronikë, ekspansioni i medias etj. duket se vërtet ia kanë lëkundur letërsisë dinjitetin e dikurshëm”.
Amerikani, Joseph H Bloom njëri ndër emrat më të lavdishëm të kritikës letrare bashkëkohore, shprehet plot dhimbje: “Talentet e mëdha janë shurdhuar një herë e mirë nga realiteti i medias amerikane.
Kush mund t’i rivalizojë me parodi lajmet e televizorit, gazetës dhe fjalimet e qeveritarëve?
Realiteti amerikan është më grotesk dhe më qesharak se cilado parodi, sado e mirë qoftë…”. (Kur realiteti amerikan paraqitet i tillë, imagjinojeni tonin, të dashur miq).
Të dënuar të përballen e të jenë pjesë e një realiteti të tillë, disa prej shkrimtarëve shqiptarë bashkëkohorë (post-modernë që të gjithë!) duket se kanë zgjedhur rrugën më të lehtë e më të shkurtër: e kanë hequr nga vetja e tyre dinjitetin, sikur ai të ishte zorrë qorrë a diç tjetër e panevojshme.
Kujt i është shitur dinjiteti?
Së pari, pikërisht asaj për të cilën kanë nevojë më shumë. Asaj që të bën të njohur e “person publik” edhe pse mund të kesh botuar vetëm dy-tre tekste të dyshimtë. Asaj që të bën të famshëm e delirant, deri edhe në ëndrra me Nobel. Asaj “lubie” që për ta shuar urinë e vet të përditshme, “gëlltit çorbën” e gatuar prej lloj-lloj grafomanësh e sharlatanësh. Domethënë medias.

Argumente?

– Shikojeni paraqitjen e shkrimtarëve nëpër gazeta ditore, ekranet televizivë: herë fodullë e herë kinse shpërfillës, teksa për hir të pranisë mediatike dëshmohen të gatshëm të debatojnë e diskutojnë për lloj-lloj argumentesh e problematikash jashtë fushës së dijeve të tyre, domethënë jo letrare.
(Para disa ditëve , një poet i lakuar bashkëkohor fliste plot kompetencë për avantazhet e centraleve atomikë).
– Lexuesi i pasionuar i lexon intervistat apo auto-intervistat e tyre nëpër faqet kulturore të përditshmeve tona: megalomani e neveritshme, vetëmburrje e vetëvlerësime foshnjarake, mungesë e plotë etike, modestie e qytetarie.
(“Kur flet libri, autori duhet të heshtë”, përsëriste më postulatin e njohur të filozofit gjerman me origjinë polake Friedrich Wilhem Nietzsche:” Merrni pjesë në promovimet për çdo libër të botuar: seanca të bezdisshme hipokrizie mes “miqsh të gotave dhe të femrave” e që fill të nesërmen media e unshme i bën publike.
– Shfletoni librat e botuar: foto autorësh delirantë e me pamje profetike (kujtesë: post-modernizmi nuk e pranon autorin-profet), shënime entuziaste në kapakët e pasmë, që do ta skuqnin nga turpi edhe vetë Xhejms Xhojsit për shembull etj.
Shkrimtari bashkëkohor shqiptar (përsëri u kërkoj ndjesë përjashtimeve) duket i etur për njohje e famë, qoftë edhe për një “filxhan lavdi”.
Dhe këtë lavdi (i yshtur, si duket, edhe nga ndonjë rast pararendës) kërkon ta arrijë sa më shpejt e më lehtë, duke e konsideruar punën e tij kryesore, domethënë punën e mundimshme me tekstin letrar, si punë të dorës së dytë. Kurse parësore për të bëhen:
1. paraqitjet e vazhdueshme mediatike në gazeta dhe televizonet tona ;
2. pjesëmarrjet nëpër lloj-lloj mitingjesh e festivalesh letrarë anë e kënd Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Globit;
3. radhitja e sa më shumë çmimeve të fituara (jo pak të dyshimtë e fiktivë) etj.
Këtë situate sipas Ridvan Dibrës “ në thelb tragji-komike – të letrave tona pas viteve 1990, e “favorizojnë” edhe dy mungesa extra, tipike shqiptare:
1. Mungesa thuajse e plotë (uluritëse kjo mungesë!) e kritikës letrare, e cila, kuptohet nëse do të ekzistonte, mund t’ia dilte (ndoshta?) t’i “ulte gjelat që këndojnë majë togut të tyre plehut” dhe të nxirrte në pah vlerat e mirëfillta letrare-estetike.
2. Mungesa e plotë e organeve të specializuara letrare, estetike e kritike (me siguri, duhet të jemi i vetmi vend në botë me një mungesë të tillë, thotë Dibra. E megjithatë, humbjen e dinjitetit ndër shkrimtarë nuk e justifikon asnjë mungesë apo situatë, sado të pafavorshme qofshin ato. Gjithnjë e më shumë po shtohen zërat (dashakeqë e nostalgjikë), që rreken t’ia mohojnë çdo vlerë letërsisë shqipe të pas viteve 1990, duke e vendosur bile në rrafshe krahasuese me realizmin socialist.
Dhe besoj që një dukuri e tillë bëhet e dhimbshme sidomos për ata shkrimtarë të përkushtuar, që kanë dhënë e vazhdojnë të japin vlera të qëndrueshme e të spikatura letrare nga Shqipëria :Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Kongoli, Eshref Ymeri,Bardhyl Londo,Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi,Zija Çela, Visar Zhiti,
Fatmir Terziu, Skënder Buçpapaj, Mujë Buçpapaj, Izet Duraku, Përparim Hysi, Agron Shele, Amiko Kasaruho,Fatime Kulli,Raimonda Moisiu,Rexhep Shahu, Zef Pergega, Rasim Bebo,Ferida Ramadani-Zmijani,Vullnet Mato, Ligor Shyti,Flutura Açka , Jerida Kulla, Fran Ukcama,Linditë Ramushi Dushku,Rami Kamberi, Vjollca Tiku Pasku,Riza Lahi, Kabil Bushati etj., ndërsa nga Kosova : Rexhep Qosja ,Agim Vinca, Ibrahim Rugova,Azem Shkreli,Ali Podrimja,Ramiz Kelmendi,Din Mehmeti, Flora Brovina, Mehmet Kajtazi, Iljaz Prokshi, Shyqri Galica, Rushit Ramabaja, Kadrush Radogoshi, Skënder Zogaj, Naim Kelmendi, Musa Ramadani, Reshat Sahitaj, Migena Arllati, Dibran Fylli, Ruzhdi Baloku,Sejdi Berisha,Halil Haxhosaj, Adem Zaplluzha,Nebih Bunjaku, Zejnullah Rrahmani,Bilall Maliqi,Bedri Zyberaj, Nazmi Rrahmani, Xheladin Mjeku,Begzad Baliu,Zeqir Fazliu, Esat Loshaj,Hydajet Hyseni, Gëzim Ajgeraj …etj).
Shkrimatri i famshëm çek Milan Kundera ka më shumë se 33 vjet që nuk jep intervista, i bindur tashmë në hipokrizinë dhe artificialitetin që ato, shpeshherë, përmbajnë në vetvete.
Kurse novelisti amerikan Thomas Ruggles Pynchon njëri prej zërave më interesantë të narratives bashkëkohore amerikane (natyrisht post-modern!), ka publike vetëm një foto të hershme në internet, kurse gazetarët që i kërkojnë intervista, i përzë me të shara.
Jam i bindur se ithtarët e post-modernes mund t’i konsiderojnë si donkishoteskë këto raste, duke shtuar se statusi i shkrimtarit ka ndryshuar dhe nuk është si ai i para 100 viteve.
Njëra anë e balancës, duket haptazi, qe plot. Ana tjetër e balancës kishte vetëm një njësi, himnizimin e kësaj parajse e cila përmes letërsisë së ideologjizuar, më shumë se përmes vetë indologjisë, bëhej jo vetëm e besueshme, por e dashur dhe e ëndërruar, duke krijuar edhe në mungesë lirie të shprehuri idiolatrinë mbi “statusin shoqëror të shkrimtarit”.
Të gjorët shkrimtarë të Perëndimit!
Ankesat për mungesë statusi dhe vëmendjeje tingëllojnë si një vetëlinçim publik. Kjo për faktin e thjeshtë se “esnafi” i shkrimtarëve, sipas atyre që shoh e dëgjoj çdo ditë, për mua rezulton se është më i përfaqësuari në Shqipëri e më pak në Kosovë.
Shkrimtarët (ose të ngjashmit) prej vitesh i gjemë këshilltarë në Presidencë, në Kryeministri, në Ministri të Arsimit, Ministri të Kulturës, e në të tjera ministri që nuk kanë lidhje me kulturën. Ata i gjejmë drejtues institucionesh kulturore, anëtarë bordesh ku miratohen strategji, projekte, politika e tekste për lexim.
Ata janë pjesë e kryesive dhe kolegjiumeve të medieve tona. Janë dhe kanë qenë parlamentarë, ministra, profesorë, dekanë, rektorë, profesorë e gjer tek mësues të thjeshtë. Ata janë pra të kudondodhur.
Studiuesi Arian Leka thotë “Atëherë kujt ia kërkojnë shkrimtarët “statusin” dhe përse u duhet ai?
Kujt i adresohen dhe a nuk e kuptojnë se ndodhen para pasqyrës sa herë që flasin për statuse shkrimtarësh dhe mungesë vëmendjeje nga shoqëria e cila pret t’i shohë ata sa më pak të rreshtuar nën modelin shkrimtarë të të gjitha llojeve bashkohuni”?
Si kanë ndryshuar shijet e lexuesit?
Ajo që ne quajtëm liri ka ndryshuar jo vetëm për krijuesin, por dhe për lexuesin. Tashmë shkrimtarët tanë janë një hap me lexuesin evropian.
Ne Kosovë, Shqipëri etj., jemi fatlum në krahasim me mjaft vende të tjera sepse kemi më shumë lexues.
Shkrimtari Zija Çela thotë “Nuk besoj se do të kem shpëtuar pa ndonjë kompromis të këtij lloji, për një fragment apo një fjalë të shkruar. Një shembull: si vjen letërsia. Në vitin ‘84 kam qenë në Kukës dhe kam shkruar një roman, “Burrat nuk dalin nga lufta”.
Thelbi i një shkrimtari është individualiteti i tij, që të jetë i ndryshëm nga të tjetër.
Nëse censura në vendin tonë tashmë është lënë mbrapa, ajo që nuk lihet mbas është autocensura…
*Kumtesë për Festivalin ndërkombetar të poezisë në Prizren”Drini poetik”-Prishtinë, 19.05.2015.

Filed Under: Analiza Tagged With: Flori Bruqi, sot, statusi i shkrimtarit

SOT, DITELINDJA E 103-te e VATRES

April 28, 2015 by dgreca

Sot eshte Ditelindja e Vatres Historike. Vatra e Shqiptareve te Amerikes behet 103 Vjece! Gezuar Ditelindjen VATER!Pikerisht sont, ne oren 6 te mbremejs, VATRA DO TË PËRKUJTOJË 103 VJETORIN E THEMELIMIT TË SAJ SI DHE 60 VJETORIN E SHUARJES NË BURGUN E BURRELIT TË BASHKËTHEMUESIT KRISTO KIRKA, si dhe do te perkujtoje te gjithe martiret, qe lane Ameriken dhe shkuan te benin Shqiperine,fatkeqsisht Diktatura i shperbleu me burgje, plumba dhe internime.
SONTE, e Martë, më 28 PRILL 2015, në orën 6 .00 të mbrëmjes, në Shtëpinë e Vatrës, në adresën :
2437 Southern BLVD
Bronx, NY 10458
do të organizohet një veprimtari përkujtimore, kushtuar 103 vjetorit të themelimit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA si dhe do të përkujtohen vatranët e martirizuar nga Diktatura Komuniste. Me 28 Prill 1955 është shuar në Burgun e Burrelit vatrani i orëve të para, bashkëthemeluesi i Federatë VATRËS, KRISTO KIRKA.
Bashkëvuajtësi , shkrimtari dhe poeti disident Arshi Pipa, e portretizon më së miri portretin e këtij vatrani në vargjet e poezisë së pasvdekjes:
Vdiq flamurtari i moçëm!
Si rrojti vdiq me nder,
I pastër, i devoçëm
E pa u përkulë njëherë

Nder qela u sos t’Burrelit
me dhunën e tradhëtarit,
me njolln’ e kriminelit
mbi ballin e atdhetarit

Nuk foli, nuk mallkoi.
Por kur ra, fjala ju pre,
Ndigjuem qysh lehtë ankoi:
“Për flamur!… Për atdhe!”…
Në këtë veprimtari përkujtimore studiuesi dhe gazetari Idriz Lamaj do ta përkujtoi vatranin themelues me një ligjëratë.
Në këtë veprimtari do të paraqitet nga editori i Diellit librit I studiuesit Idriz Lamaj”Për Vatrën dhe vatranët”.
Janë të lutur vatranët dhe të interesuarit të bëhen pjesë e kësaj veprimtarie.

Filed Under: Vatra Tagged With: 28 Prill 2015, feston ditelindjen, sot, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Havzi Nela, 34 vjet pas varjes në litar të poetit të fundit antikomunist në Evropë
  • GJEKË MARINAJ, POETI ERUDIT MALËSOR SHQIPTARO – AMERIKAN PO PUSHTON BOTËN ME POEZINË E TIJ
  • DY DIJETARE POETE NE SHERBIM TE KOMBIT, AT BERNARDIN PALAJ  – AT DONAT KURTI
  • KOSOVA DHE VENDET E BE-së QË S’E KANË NJOHUR ATË
  • 1913 / KUR GAZETA FRANCEZE BOTONTE NJË FOTOGRAFI TË RRALLË TË ANËTARËVE KRYESORË TË KONGRESIT SHQIPTAR TË TRIESTES
  • Kur Djemtë e Skelës u përleshën me “Vullnetarët e Enverit”
  • PËRSHPIRTJE PËR SHPRESËN, ZONJËN E NDERUAR OSE VIRTYTIN…
  • Njeriu i ri
  • ZHULIANA JORGANXHI : TA DUAM ME SHUME SHQIPERINE
  • SOT, shqiptarët e Amerikës përcjellin në banesën e përjetshme Ornela Shehin dhe Florind Belliun
  • 199 vjet nga vdekja e atdhetarit Marko Boçari
  • Kryeministri Kurti takoi Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadorët e vendeve të Quint-it
  • “OPERACIONE SEKRETE-SHQIPËRIA NËN LUFTËN E FTOHTË”
  • TREGIMTARI I HESHTUR
  • Lavdi Betejës së Junikut, 10 gusht 1998!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT