• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËRKATËSIA PËRENDIMORE E SHQIPTARËVE

December 3, 2012 by dgreca

Jusuf BUXHOVI — KOSOVA — Perandoria Osmane/ Me rastin e promovimit të tre vëllimeve mbi historinë e Kosovës,

Nga Frank Shkreli*/

I nderuar Profesor Buxhovi, të nderuar pjesëmarrës. Fillimisht dëshiroj të përshëndes Vatrën për organizimin e promovimit të këtyre veprave të historisë së Shqiptarëve, mu në këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarësisë kombëtare.  Unë jam i kënaqur të marr pjesë në këtë promovim, jo vetëm për rëndësinë që ka vepra e historianit Jusuf  Buxhovi për historiografinë shqiptare, por edhe për faktin se me autorin jam njohur shumë vite më parë, kur Zoti Buxhovi vinte në Uashington si pjesë e delegacioneve të  Kosovës, të kryesuara nga Dr. Ibrahim Rugova.    Ishte ajo periudhë, kur Zoti Buxhovi dhe intelektualët e tjerë shqiptarë të Kosovës,   erdhën në Washington t’u flisnin drejtë për drejtë zyrtarëve amerikanë mbi gjenocidin që po ndodhte në Kosovë kundër shqiptarëve të Dardanisë.

Ishte këjo një përsëritje e historisë sonë kombëtare, e asaj historie 100-vjetë më parë, dhe për të cilën shkruan Z. Buxhovi, kur një grup tjetër atdhetarësh dhe patriotësh nga të gjitha trevat shqiptare, delegacione të kryesuara nga Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini e të tjerë, endeshin anë e mbanë Evropës nga Vjena, në Romë, e në Londër, për të siguruar përkrahjen e botës së atëhershme për çlirimin e shqiptarëve nga zgjedha otomane, si dhe për të siguruar mbështetje për çështjen e pa-zgjidhur të kombit shqiptar,  përpjekje këto që kishin për objektiv korigjimin e vendimeve të pa  drejta dhe tragjike të konferencave të ndryshme ndërkombëtare në kurriz të   kombit shqiptar.

Pas përpjekjeve dhe lufërave të shumëta, Kosova u çlirua dhe u bë shtet i pavarur. Si i tillë, shteti i Kosovës kishte nevojë për një histori të shkruar, pasi historia e saj, si pjesë përbërse e historisë së kombit shqiptar, duhet patjetër të rivlerësohet, jo sepse një gjë të tillë e kërkon turku, sllavi ose greku, por për arsye se ajo  është deformuar dhe keq trajtuar, jo vetëm, nga këta armiq të  kombit, për qëllimet e tyre ekspansioniste, por edhe nga komunizmi  shqiptar në bashkpunim me komunizmin ndërkombëtar, për arsyet e tyre ideologjike.

Është domethënës dhe me rëndësi kombëtare fakti që historiani Jusuf Buxhovi, ka botuar këto tre vëllime ekzaktërisht këtë vit, me rastin e 100-vjetorit të Shqipërisë, pasi bota fatkeqsisht di shumë pak për historinë e shqiptarëve dhe ato që i di, janë të influencuara nga propaganda turke, serbe, greke dhe ruse të cilët gjatë shekujve, falsifikuan historinë e vërtetë të Arbërit, pa asnjë përgjegjësi morale, historike ose politike.

Në këtë 100-vjetor të festës së madhe shqiptare, vepra e Zotit Buxhovi i paraqet lexuesit një përmbledhje faktesh dhe dokumentacioni të nevojshme për çdo njërin që kërkon të mësojë dhe të kuptojë historinë e shqiptarëve, jo vetëm në kontekstin kombëtar por edhe në atë ndërkombëtar.

 

Mua më ra shorti t’i them dy fjalë në lidhje me vëllimin e dytë   të Z. Buxhovi, dmth., mbi Perandorinë Osmane, si një prej perandorive që ka zgjatur më shumë se çdo tjetër, ç’prej kohës së antikitetit.   Zoti Buxhovi në këtë vëllim nënvijon proceset dhe qasjet historiketë perandorisë osmane në relacion me shqiptarët, si pjesë e historisë së Evropës dhe të botës.  Ai përshkruan jetën dhe lëvizjet politike, ushtarake, diplomatikedhe intelektuale të shoqërisë otomane në relacion me shqiptarët dhe anasjelltas, duke u bazuar në dokumentacion arkivash vendesh të ndryshme, e sidomos siç thotë edhe vet autori, në arkivat e pasura gjermane.

 

Është këjo një histori e trashëgimisë së një perandorie, që la gjurmë dhe një trashëgimi të rëndë ku i shkeli këmba, sidomos ndër ne shqiptarët.

 

Profesor Buxhovi shkruan për çmimin e lartë që kombi shqiptar ka paguar nën sundimin ottoman, si dhe për luftën e tij të për të dalur nga terri i natës së gjatë të pushtuesve otomanë.  Turqit otomanë shkaktuan shkatërrime të papërshkrueshme në jetë njerzish dhe dëme të mëdha materiale, përfshirë edhe përpjekjet për të eliminuar kulturën, gjuhën dhe traditat shekullore të shqiptarëve.

 

Në të vërtetë, Prof. Buxhovi i paraqet osmanlijtë si pushtues të Arbrit e jo si administratorë, në kundërshtim me disa të tjerë që pretendojnë se osmanët ishin vetëm administratorë të trojeve shqiptare.    Në përputhje me historiografinë botërore, Profesor Buxhovi dokumenton se Perandoria osmane në Ballkan kishte ardhur dhe sillej si një fuqi pushtuese.  Po të kishin qenë osmanlijtë vetëm administrues në trevat shqiptare, pse atëherë pavarësia e Shqipërisë ishte ndër të fundit dhe më e vështira në Evropë?

Tema kryesore e këtij libri është se lufta e Arbërit kundër pushtuesve osmanë pasqyron mbijetesën dhe vazhdueshmërinë e “ndjenjave dhe të vetdijes perëndimore’’,  në rezistencën shekullore të Shqiptarëve ndaj barbarëve turq e sllavë.

 

Zoti Buxhovi thekson se qëndresa dhe lufta e shqiptarëve gjatë pesë shekuj okupimi osman, tregon se shqiptarët ishin të gatëshëm që me çdo kusht e mjet, mbi të gjitha, të ruanin identitetin e tyre kombëtar, gjuhën, kulturën dhe mënyrën e tyre të jetesës.  Lufta dhe rezistenca epike e Gjergj Kastriotit  – Skënderbe, prej një çerek shekulli kundër otomanëve, thotë autori, do të shërbente si një frymëzim për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve, breza, të cilët edhe pas vdekjes së heroit kombëtar, rezistuan duke iu kundërvenë okupimit osman me aq sa kishin mundësi e fuqi.

 

Zoti Buxhovi në librin, ‘’Kosova në Periudhën e Osmanlijve’’, shkruan se megjithse ‘’Perandoria Osmane kërkonte një emancipim shoqëror dhe politik të Shqiptarëve, i cili të ishte në përputhje me islamin dhe frymën e tij’’, rilindasit shqiptarë si dhe në përgjithësi, Lëvizja Kombëtare Shqiptare….jo vetëm që nuk do të kërkojnë Orientin, por duke iu këthyer antikitetit, ku ata si pasardhës të Pellazgve… do të mbështeten te qytetërimi perëndimor.’’

 

Ai vazhdon duke thënë se ‘’Lidhja Shqiptare e Prizrenit  dhe kërkesat e saj si edhe formimi i Qeverisë së Përkohëshme,  paraqet këthimin e Shtetit të Arbërit për herë të parë pas 500-vjetësh — ndonëse në përmasat e vilajetit të Kosovës — nuk ishte  gjë tjetër  pos shprehje e vullnetit  politik dhe shpirtëror (të shqiptarëve) për t’u këthyer në Perëndim, pikërisht aty ku kishte mbetur Gjergj Kastrioti – Skendërbeu para pesë shekujsh, i vetmi që kishte kundërshtuar dhe luftuar pushtimet osmane.
Për më tepër, si rrjedhim ose si pasojë e shtypjeve osmane,  Zoti Buxhovi thotë se gjatë periudhës së Osmanizmit,   rezistenca ndaj pushtimit turk, jo vetëm “nxjerrë në pah të vërtetën për sjelljen e Arbërve, në përputhje me vetëdijen përendimore’’ të tyre, por në të njëjtën kohë,  ajo rezistencë kundër pushtuesve osmanë, shkakton lindjen e një shqiptarizmi ose nacionalizmi të fuqishëm shqiptar, i cili u kultivua gjatë dekadave duke nxitur dhe duke u dhënë shqiptarëve guximin dhe besimin në vetveten, një ndjenjë këjo, që më në fund, çoi deri në lëvizjet e shekullit të kaluar drejtë — jo vetëm pavarësisë së Shqipërisë, por edhe në pavarësinë dhe shtet formimin e sotëm të Kosovës’’, thotë autori.

Nacionalizmi dhe ndjenjat e shqiptarizmit kanë lindur dhe janë formuar — duke përdorur mjetet dhe duke shfrytëzuar rrethanat dhe metodat që shqiptarët kishin në dispozicion.   Nacionalizmi shqiptar, në të vërtetë, sipas Zotit Buxhovi ka ndikuar  pozitivisht edhe në  zhvillimet brenda perandorisë osmane, sidomos pas sundimit të Sulltan Hamitit, duke thënë se nacionalizmi shqiptar nxiti madje edhe forcat e shëndosha nacionaliste turke, të cilat do të kishin më vonë ndikime historike në krijimin e një Turqie evropiane ose përendimore.

 

Zoti Buxhovi nënvijon edhe faktin se revolucioni xhonturk është krijuar, influencuar dhe organizuar nga shqiptarët me 1908 në Ferizaj.  Këto zhvillime dhe influenca e shqiptarëve në  këtë revolucion të xhonturqve, sipas  prof. Buxhovit, e kishin bërë Kosovën qëndër me rëndësi të lëvizjeve kombëtare shqiptare, e të cilat më në fund ndihmuan, që 100-vjetë më parë më 1912, të shpallej pavarësia së Shqipërisë.

 

Nacionalizmi shqiptar i asaj kohe, sipas Z. Buxhovi, ishte dhe mbetet një trashëgimi lënë brezave të shqiptarëve të Kosovës dhe të përpjekjeve politike të tyre shekullore për shtet-formim — për të siguruar përfundimisht, të drejtat natyrale të kombit shqiptar.   Zoti Buxhovi  thotë gjithashtu se Kosova ishte qendra, e atij që ai e cilëson si  ‘’graviteti kombëtar’’, politik e kulturor i shqiptarëve, dhe përmendë, natyrisht, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit,  revolucionin e xhonturqve, si edhe 14 pikat e Hasan Prishtinës — si ide këto dhe një program që i paraprinë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë.
Titulli i tre vëllimeve është ”Kosova”, por këtu në të vërtetë  flitet dhe përshkruhet historia e të gjithë shqiptarëve. Është historia e kombit shqiptar, sepse Kosova nuk mund të shikohet si një koncept gjeografik, ndryshe nga Shqipëria e të gjithë shqiptarëve, por Shqipëria natyrale dhe Kosova si pjesë e kësaj Shqipërie natyrale paraqitet nga Z. Buxhovi në këtë vëllim si qendra e vlerave kombëtare, kulturore dhe shpirtërore, por në të njëjtën kohë e paraqet Kosovën  madje edhe nën pushtuesin ottoman,   si pikënisja e lëvizjeve për pavarësi dhe shtetformim e të  gjithë shqiptarëve.

Unë nuk jam historian dhe si i tillë nuk jam në gjëndje të vlerësoj sa duhet e si duhet rëndësinë e kësaj vepre, por besoj se duhet të bindemi për vlerën historike të veprës së prof Buxhovit, po të marrim parasyshë reagimet e Akademisë së Shkencave të Serbisë, e cila i konsideron këto tre vëllime prej më shumë se dy mijë faqesh, ”si një ”pamflet”.  Siç duket, ata as nuk i kanë parë këto tre vëllime, e lere më t’i kenë lexuar.

Në të vërtetë, kritikat e ashpëra të akademisë serbe ndaj veprës së Buxhovit duhet të konsiderohen si një vlerësim, pasi është pikërisht këjo akademi, ajo që ç’prej mesit të 1880-ave ka përgatitur terrenin ideologjik nacionalist serb si edhe atmosferën politike dhe ushtarake për të pastruar Kosovën etnikisht njëherë e mirë, duke rekomanduar vrasjen, shpërnguljen dhe dëbimin me dhunë të qindra mijërave shqiptarëve gjatë  gjithë historisë dardane.

Ishin tezat dhe rekomandimet e kësaj të ashtuquajtur akademi, të cilat janë zbatuar gjithmonë me përpikëmëri nga politika shoviniste serbomadhe duke përfunduar në disa gjenocide dhe shpërngulje në masë të shqiptarëve.

Profesor Buxhovi kundërshton pretendimet shpifëse serbe se shqiptarët janë të ardhur në Ballkan dhe si ‘’vasalë të perandorisë osmane’’, nuk kanë histori të veten dhe, si të tillë, duhet të zhduken nga harta e Ballkanit.  Për t’ia arritur këtij qëllimi — bashkrendonin veprimtaritë kundër Shqiptarëve –osmanët, rusët, serbët, dhe grekët të cilët gjatë gjithë historisë,  kërkesat e shqiptarëve i cilësuan dhe ia paraqitën botës si ‘’kërkesa të ekstremistëve shqiptarë’’.

Por siç ka pas thënë dikur senatori amerikan Barry Goldwater, ekstremizmi në mbrojtje të lirisë nuk është mëkat.  Shqiptari kurrë nuk ka dashur atë që nuk është e tija, shqiptari kurrë nuk e ka ngritur flamurin e tij në luftëra për të pushtuar tokat e të tjerëve, por vetëm e vetëm në mbrojtje të lirisë së vet.

 

Të përshendes i nderuar Profesor Buxhovi për këtë vepër historiografike mbi Kosovën, me të cilën i ke dalë zot historisë dhe ruajtjes së identitetit unik, pro-perëndimor të Kombit Shqiptar.   Vet autori ka thenë se këto tre vëllime nuk janë fillimi as mbarimi, mbi këtë subjekt.  Por, Jusuf Buxhovi me botimin e ‘’Historisë së Kosovës’’ — në këtë 100-vjetor të Pavarësisë kombëtare ka dhënë kontributin e tij të çmueshëm, “ndaj plotësimit të pasqyrimit të kuadrit historik të Shqipërisë së natyrshme, si një realitet shoqëror, kulturor dhe politik i tërësisë së qytetërimit perëndimor, ku i ka rrënjtë’’ kombi shqiptar dhe ku historia dhe i Madhi Zot e kishte vendosur.

Këtë e ritheksoi edhe Presidenti i   Shqipërisë, Bujar Nishani, në një fjalim me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, duke u shprehur se ne

“Kemi qenë, jemi dhe do jemi, vigjëlues të rreptë të qytetërimit perëndimor, të cilit, pavarësisht trilleve historike që hera-herës na kanë ndarë,  —  vetvetiu i përkasim’’.

Vepra e Profesor Jusuf Buxhovit është për tu vlerësuar në këtë moment të historisë shqiptare, një vepër këjo që nderon historinë kombëtare, por ndaj historisë të gjithë kanë obligime, sidomos ata që kanë privilegjin të udhëheqin sot kombin shqiptar.    Një mesazh serioz i kësaj vepre është, siç tha edhe autori në një intervistë: kujdes që të mos bëhemi “çorbë ballkanike’’ e pa shije, duke ia dorëzuar interpretimin e historisë sonë dikujt tjetër.  Unë do të shtoj të mos biem pre e kërkesave të shëmtuara për ndryshimin e historisë të kombit shqiptar nga pasardhësit e ish-perandorive okupuese. Sepse një popull i cili nuk mbron historinë e vet, një popull që nuk ruan identitetin e vet kombëtar në trojet e tija antike, si dhe vlerat dhe traditat e veta kulturore shumë shekullore, të trashëguara nga të parët, ai popull është i destinuar të asimilohet ose të zhduket si komb nga faqja e dheut.

*Kumtese e mbajtur ne promovimin qe organizoi Federata Vatra te shtunen me 1 dhjetor ne Royal Regency Hotel nw Yonkers, NY

Filed Under: Kulture Tagged With: Frank shkreli, Jusuf Buxhovi, Vatra

“KOSOVA” E BUXHOVIT”, DRITARE PËR TË PARË QYTETËRIMIN PERËNDIMOR TË SHQIPËTARËVE

December 2, 2012 by dgreca

Libri në tri vëllime“KOSOVA” i autorit Jusuf Buxhovi  u promovua në New York nga Federata Pashqiptare e Amerikës /

Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” promovoi të shtunën me 1 dhjetor, në mjediset e lukosze të Royal Regency Hotel në Yonkers, NY, librin në tre vëllime ”Kosova” të autorit Jusuf  Buxhovi, i cili ishte i pranishëm së bashku me botuesin Ramiz Tafilaj.

Kishin ardhë pjesmarrës të shumtë nga New Yorku, Connecticut dhe New Jersey. Ndodhej Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, z. Bekim Sejdiu. Aktivitetin e ndoqën media të komunitetit, të Kosovës dhe të Shqipërisë: Botuesi i Illyrias Vehbi Bajrami, Televizioni 21, RTK, TV Kultura Shqiptare, TOP NEWS, e të tjerë.

Pjesmarrësve dhe autorit ua ka uruar mirëseardhjen kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, i cili pasi ka folë për vlerat e librit, ka prezantuar drejtusen e aktivitetit, studenten Blerta Mujaj, bijë e vatranit Ramiz Mujaj.

Zonjusha Mujaj ka ftuar pranë foltores botuesin Ramiz Tafilaj me banim në Huston, i cili ka folur për projektin e Historisë së Kosovës, pritjen e  shkëlqyer që i ka bërë publiku dhe shitjen e më shumë se 20 mijë kopjeve deri më tani.

Ai tha se do të dëshironte që së shpejti të promovonin në New York edhe përkthimin anglisht të librit,i cili tashmë është në process botimi.

Konsulli i Përgjithshëm i Kosvës në New York, Bekim Sejdiu, ka përshëndetur pjesmarrësit, ka përgëzuar autorin Jusuf Buxhovi për librin; ka falenderuar Federatën Panshqiptare të Amerikës, Vatra, për këto promovime cilësore dhe ka inkurajuar përkthimin anglisht të librit.

Më pas e kanë marrë fjalën radhazi sipas kumtesave të përgatitura, duke u përshtatur me renditjen kronologjike të përiudhave historike që trajton libri:

1-    Editori i Diellit, Dalip Greca solli një CV të plotë të jetës dhe krijimtarisë të Prof. Jusuf Buxhovit dhe tregoi per suksesin dhe kundershtite e deritanishme.

2-    Studiuesi Idriz Lamaj trajtoi në kumtesën e tij vështrime rreth librit të parë, Antikiteti dhe Mesjeta.

3-    Gazetari Frank Shkreli, ish drejtor i Divizionit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, trajtoi problemtikën e librit të dytë, që rrok periudhën shumëshekullore të pushtimit Osman

4-    Gazetari Sinan Kamberaj trajtoi prurjet e librit të tretë, nga Konferenca e Londrës e deri në Protektoratin ndërkombëtar të Kosovës.

Më pas foli prof. Jusuf Buxhovi, i cili pasi falenderoi Federatën Vatra për organizimin e shkëlqyer dhe seriozitetin shkencor në trajtimin e kumtesave, iu përgjigj pyetjeve të shumta nga salla.Në fund autori nënshkroi shumë libra.

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: dalip greca, e promovoi, kosova, Libri i Buxhovit, Vatra

KUJTESE-TE SHTUNEN FEDERATA VATRA PROMOVON LIBRIN E JUSUF BUXHOVIT ”KOSOVA”

November 29, 2012 by dgreca

NJOFTIM I VATRES/

Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” njofton se me 1 Dhjetor, ora 11 am- 3 pm, organizohon promovimin e librit”Kosova” në tre vëllime i autorit të njohur JUSUF BUXHOVI.

Promovimi organizohet në Royal Regency Hotel, që ndodhet në adresën:

165 Tuckahoe Rd, 10710 Yonkers, NY .

Në promovim do të jetë i pranishëm edhe autori JUSUF BUXHOVI.

REFEROJNË

Frank Shkreli, Sinan Kamberaj, Idriz Lamaj, Dalip Greca dhe autori Jusuf Buxhovi.

“KOSOVA”- libri voluminoz historik, me rreth 2100 faqe, i botuar nga Shtëpia Botuese”FAIK KONICA” në Prishtinë, ka në përbërje tre libra” Kosova-Antika dhe Mesjeta; Kosova-Perandoria Osmane dhe ; Kosova- Nga Konferenca e Londrës deri tek Protektorati ndërkombëtar.

Është libri më i plotë për historinë e Kosovës i bazuar në dokumentacion të pasur historik arkivor, dhe më i polemizuar jo vetem prej shqiptareve, por edhe prej kritikëve serbë dhe Akademisë Serbe të Shkencave, për shkak të vërtetave të dokumentuara historike, që rrëzojnë pretendimet e Serbëve për Kosovën.

Ejani bëhuni pjesë e aktivitetit të Vatrës!

KOMISIONI

AGIM ALICKAJ/ BESIM MALOTA /ZEF BALAJ/IDRIZ CELAJ

Filed Under: Kulture Tagged With: Jusuf Buxhovi. KOSOVA, promovim, Vatra

VATRA 100 VJECARE FESTOI ME MADHESHTI 100 VJETORIN E PAVARESISE

November 26, 2012 by dgreca

NJU JORK : Shoqata Vatra, pararendësja e Pavarësisë së Shqipërisë kremtoi 100 Vjetorin me 500 pjesmarres/

Nga BEQIR SINA, New York/

Bronks – New York : Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qytetet ku më së shumti vitet e fundit janë të përqendruar shqiptarët, në këto ditët të javës që lamë pas – në lokalet shqiptare dhe vendet e zgjedhura nga ata për të festuar, së bashku me familjet, miqtë e tyre shqiptarë e amerikanë, kanë kremtuar me madhështi 100 – Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, që është njëhereshit edhe festa më madhore që i bashkon të gjithë shqiptarët nga të gjitha krahinat dhe trojet të tyre prej nga kan ardhur në SHBA.

Por, për dallim nga vitet e tjera, këtë vit tek shqiptarët e Amerikës, kjo festë ishte një ditë edhe më e shënuar se heret e tjera.100 Vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, u shoqërua me fjalime patriotike, duartrokitje, brohoritje e këngë e valle nga të gjitha trevat tona. Ngritjen e flamurit kuq e zi në sheshet qendrore të qyteteve më të mëdha Amerikane. Ndërkohë, që në New York edhe rrugët e qytetit të Bronxit janë hijeshuar me flamurin shqiptar vendosur në shtyllat e ndriçmit në dy anët e rrugëve, sikurse në, Vlorë, Prishtinë, Shkup, dhe Tiranë( një inisiativë personale kjo që pesëvjeçarin e fundit e kryen me shpenzimet e veta veprimtari i dalluar – anëtari i Kuvendit të New Yorkut zotit Mark Gjonaj)

Darka e Vatrës një manifestim qëndror dhe ai që i bashkoi të gjithë shqiptarët, nga Shqipëria, Kosova, dhe të gjitha trojet etnike shqiptare, u mbajt nën “ombrellën” e shoqatës PanShqiptare e Amerikës Vatra në New York, me pjesmarrjen e  më shumë se 20 grupimeve, shoqatave, enteve fetare në komunitet, organizatave të tjera politike dhe krahinore,organizuan mbrëmjen madhështore, në shenjë të përvjetorit të 100-të, të Pavarësisë së Shqipërisë.

Ky manifestim u mbajtë të dielën më 25 Nëntor, në lokalin “Maestro’s” ne Bronks- Nju Jork, dhe morën pjesë rreth 500 shqiptarë.

Mes pjesmarrësve ishte dhe asamblameni i New Yorkut zoti Amrk Gjonaj, klerikët e dalluar të komunitetit si dhe shumë personalitete të rëndësishme, biznesmen dhe afaristë të njohur të komunitetit shqiptarë në Amerikë, diplomatët e Kosovës dhe Shqipërisë në New york dhe Washington.

Në New York, “kryeqendrën” e Shqiptarëve të Amerikës, shqiptarët të përbashkuar nga të gjitha trojet, Shqipëria, Kosova, Kraja Ulqini, Plavë – Gucia, Presheva, Bujanovci e Medvegja, Tetova e Gostivari, Struga, Kumanova e Dibra, Preveza, Filati – Çamëria, u mblodhën që të festojnë në mënyrën më madhështore 100 vjetorin e pavarësisë.

Një manifestim shumë inkurajues dhe me nivel plot shpresëdhënës për organizimin e bashkësisë sonë në SHBA, organizuar nga Komisioni i organizimit të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë nga Vatra, Bashkësia shqiptare dhe Shërbimi Diplomatik Shqiptar në New York. Mbrëmjen festive të 100 vjetorit e përshëndetën në emër të Ambasadorit të Shqiperise ne Uashington diplomati Anton Koliqi dhe Ambasadori Ferit Hoxha Shef i Misioni i Perhershem i Shqiperise ne OKB. Në emër të qeverisë dhe kryeministrit Berisha tubimin e përshëndeti konsulli Përgjithëshëm i Shqipërisë në New York, zoti Dritan Mishto, sikurse me një mesazh të dërguar në emër të Ambasadorit i Kosovës në New York, zotit Bekim Sejdiu, konsulli i Konsullatës së Kosovës, në New York, zoti Fatmir Zajmi.

Shoqata Vatra, tha nënkryetari i saj zoti Agim Rexhaj me themelimin e saj “shtatë muaj para pavarësisë së Shqipërisë, ska dyshim që ishte pararendsja ose një lajmëtare e dritës dhe e simbolit të lirisë për shqiptarët, se po vinte ndarja nga vargonjët e robërisë, mbas pesë shekujsh – pra 28 Nëntori 1912 ngritja e flamurit nga Plaku i Vlorës i urtë dhe i mençëm – Islamil Bej Qemali “.

Duke hapur festën e flamurit nën/kryetari i Vatrës, zoti Agim Rexhaj, i cili tha se Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, është një simbol i indentitetit dhe bashkimit të gjithë shqiptarëve, simbol i krenarisë kombëtare dhe i dashurisë për Atdheun tonë të dashur tha ai. Kjo ditë e veçantë, vijojë Rexhaj mbledh se bashku të gjithë Shqiptarët dhe miqtë e tanë, kudo që jemi në nder dhe respekt të thellë për të gjithë Kombin Shqiptar. Po, qe se nuk do të kishte qënë kjo ditë, tha Rexhaj, s’ka dyshim që edhe “Nëntori i dytë i Shqiptarëve – Pavarësia e shejtë e Kosovës – nuk do të kishte qenë”.

Drejtuesia e këtij manifestimi zonjusha Nazo Veliu, prezantoi mysafirët e nderit dhe disa nga personalitetet e njohura të komunitetit . Lutjen fetare dhe bekimin e festës së 100 Vejtorit e kreu sipas traditës së kësaj feste – I përdershmi Josuf Balaj nga Qendra Islamike Shqiptaro – Amerikane për New York dhe New Jersey.

Hymnet kombëtare të Shteteve të Bashkuara Amerikës dhe Republikës së Shqipërisë, u kënduan nga këngëtarja e mirënjohur e muzikës popullore Merita Halili, shoqëruar prej orkestres së drejtuar nga mjeshtri i firzamonikës Raif Hyseni. Më pasë me një minutë heshtje, për të nderuar kujtimin e dëshmoreve të kombit shqiptar, dhe për ushtarët amerikanë të rënë në luftërat për liri, paqe e demokraci, si dhe kundër terrorisimit ndërkombetar, u shoqëruan nga të pranishmit me qëndrim në këmbë, në shenjë nderi e respekti.

Në fillim të fjalës së tij kreu i Vatranëve në Amerikë, Dr. Gjon Buçaj, i urojë me këtë rast kremtimin të 100 vjetorit, ditës ma të shejtë të kombit shqiptar, Ditës së Flamurit që shënon pavarësinë e Shqipnisë, mbas përpjekjesh afër pesë shekullore,të gjithë pjesmarrësve.

“Etja për liri që nuk u shue kurrë, i shtyni shqiparët, tha Dr Buçaj, në kundërshtime e kryengritje të izolueme, derisa në Lidhjen e Prizrenit u krijue vetëdija e kombësisë së përbashkët që solli luftën e organizueme gjithëkombëtare, luftë e cila ushtarakisht humbi për mungesë mbështetje nga jashtë, por vazhdoi të frymëzojë kryengritje të herëmbashereshme. Ndërsa pushka kërciste dhe gjaku derdhej që nga jugu në veri nga Kosova në Çamëri në Malësi dhe pothuej në të gjitha trevat shqiptare, në kancelaritë e Europës e në Ëashington, memorandume e delegacione të ndryshme sillnin mesazhet e luftës për liri, ku dhe Vatra ka dhanë kontributin e saj të fuqishëm.”

Më pas ai vuri në pah faktin se e ushqyeme me gjak e sakrifica të mëdha në shtegtimin e gjatë, andrra shekullore e lirimit nga robnia u ba realitet, kur Ismail Qemali bashkë me Luigj Gurakuqin dhe nji plejade fatosash të tjerë të kombit nga të katër vilajetet, tue pasë mbrojtjen e armatosun të Isa Boletinit me luftarët nga Kosova, ngriti Flamurin e Gjergj Kastriotit Skanderbeut dhe shpalli Shqipninë shtet të pavarun me 28 Nandor 1912, në Vlorën historike.

Në fjalën e tij kryetari i Vatrës kujtojë që të mbledhun këtu me atë gëzim që po e përjeton e gjithë bota shqiptare në këto ditë, përkujtojmë ata të cilët na sollen si dhe ata që me gjak e sakrifica e mbrojtën pavarësinë dhe integritetin e shtetit shqiptar, ku Vatranët si u shpreh ai nxanë vend nderi përsëri por disa prej tyne që u riatdhesuen në shërbim të kombit, i persekutoi atdheu i tyre Shqipëria, ose regjimi në shërbim të ideologjisë së huej.

“Pra, i burgosi, i vrau dhe i quejti armiq të popullit, reaksionare, kuislinge e trathtarë; të gjithë ata që ecën pandërpremje drejt realizimit të aspiratës shekullore edhe për pjesën e lanun jashtë kufijve të 1913-ës, në veçanti elitën e kosovare t’udhehequn nga dr. Ibrahim Rugova dhe luftarët e popullit liridashës me komandant Adem Jasharin që i sollën Kosovës lrinë”.

Duke folur per shtresen e te perndjekureve politike, kryetari i Vatres theksoi: Shtresa që, me vuejtje të papërshkrueshme dhe vdekje në burgjet e në kampet e diktaturës komuniste, ruejti të pandërpreme frymën e trashigueme nga etënit e pavarësisë, mbajti gjallë shpresën e lirisë, forcoi vëllaznimin në mes shqiptarëve të nji gjaku dhe, me qendrimin e saj paqësor e jo hakmarrës në liri, i rriti kombit prestigjin dhe i tregoi rrugën drejt së ardhmes së përbashkët. 

Ndërsa, festojmë dhe me gëzim e krenari kombëtare përjetojmë arrijtjet e këtyne 100 vjetëve, tha Dr Gjon Buçaj, kujtojmë me mirenjohje të thellë edhe miqt të cilët na ndimuen, sidomos Shtetet e Bashkueme të Amerikës që na u gjetën në momentet ma të rëndësishme të historisë sonë dhe të ekzistencës sonë kombëtare.

Me këtë rast kryetari i Vatrës në emër të vatranëve tha se përshëndesim edhe kthimin e eshtnave të Mbretit Zog në Atdhe dhe përgëzojmë qeverinë dhe shtetin shqiptar për këtë akt kombëtar, duke shpresuar që ky të jetë ky fillimi i një procesi për riatdhesimin e shumë figurave të tjera dhe vëlerësimin objektiv të figuravet kombëtare, në vijim me porosinë e Kryeministrit Berisha dhënë Kimisionit Ndërministror për Pavarësinë.

Në fund të falës së tij Kryetari i Shoqatës VATRA, Dr. Gjon Buçaj tha se :”Urojmë që kjo festë e shejtë dhe e kujtimit të atyne që i kushtuen jetën kësaj dite, të jetë një 100 vjetorë i bashkimit tonë kombëtar, i frymëzimit për të gjithë shqiptarët që të bashkohen në harmoni drejt nji ardhmenije ma të mirë dhe ma të drejtë”.

Kjo shoqate me rastin e ditës së pavarësisë sipas traditës, së hershme të saj 100 vjeçare nderojë për këtë 100 vjetor me çmimin e nderit “Fan S. Noli”, ish kongresmenin republikan dhe mikun e dëshmuar të shqiptarëve në SHBA Beniamin Gillman, për kontributin dhe rolin e tij te madh në dobi të çështjes shqiptare.

Anëtari i Asamblesë së New Yorkut, në emër të kongresmenit demokrat Eliot L. Engel mori çmimin “Fan S. Noli” akorduar nga shoqata atdhetare VATRA. Eliot Engel është anëtar i Kongresit për New York-un që nga viti 1989, i cili shërben sot si Kryetar i NënKomitetit të Çështjeve të Jashtme për Hemisferën Perëndimore në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërkohë që Shqiptarët e njohin më mirë si kryetar i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongres, si një luftëtar i hershëm për pavarësinë e Kosovës dhe si një mik i madh i shqiptarëve në Washington
Të përbashkuar tek Vatra, dje valle, kënge e melodi nga të gjitha trevat, kanë vijuar pbr gjatë gjithë mbrëmjes nën argëtimin e hareshëm të grupit muzikor, Grupi i mjeshtërve të muzikës popullore shqiptare Bilbili i këngës së “Shqipërisë së Mesme ” Merita Halilit me frizamonicistin e mrekullueshem Raif Hysenit,këngëtarin e njohur të komunitetit Mithat Salihu (Kino-Gara), si dhe këngëtarët të tjerë të komunitetit. – I ftuar special ka qenë këngëtari i ri i talentuar: Bledar Maqellara dhe me një preformancë mbresa lënëse këngëtari nga Struga – Haxhi Dauti – i cili këndoi dy këngë enkas për këtë 100 vjetor një për Pavarësinë e Shqipërisë dhe një për Vatrën.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: 100 vjecare, Beqir Sina, festoi 100, Vatra, vjetorin e Pavaresise

KUJTESE-VATRA DHE BASHKËSIA SHQIPTARË FESTOJNË 100 VJETORIN TE DIELEN, ME 25 NËNTOR

November 20, 2012 by dgreca

Njoftohet komuniteti shqiptar se me 25 Nëntor, ora 6 e 30, në MAESTRO’S, Federata Panshqiptare e Amerikës së bashku me Bashkësinë shqiptare dhe Shërbimet Diplomatike Shqiptare në USA, festojnë 100 vjetorin e Pavarësisë.

Argëtojnë: Grupi i Merita Halilit e Raif Hysenit si dhe këngëtarë të tjerë të komunitetit.

I ftuar special këngëtari i ri i talentuar: BLEDAR MAQELLARA & JOHN DAUTI

Bileta Hyrëse: $ 80

Fëmijët $ 40

Kontaktoni për biletat në këta telefona: 718.365.99-00 , ose 718- 365-69-30 ose 917-254-61-03

Për të paguar në on line, i telefononi Danny-t në : 212- 960-897

Të ftuar në mbrëmje: Personalitete amerikane dhe shqiptare

ADRESA

MAESTRO’S

1703 Bronxdale Ave, Bronx, NY 10462

Tel: 718-792-8844

Filed Under: Kulture Tagged With: darke, per 100 vjetorin, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KONICA- NJË STEKË AKOMA E PAKAPËRCYER NGA AMBASADORËT SHQIPTARË NË WASHINGTON
  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ
  • 100 VJETORI I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE, VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR MË 28 KORRIK 2022
  • Një copë qielli midis Meksikës dhe Kosovës
  • NJË PYETJE (NEVE) PËR QËNDRESËN
  • Meet a NYCHA Construction Partner: STV  
  • KUVENDI  I  GREÇES , KRYEKUVENDI  KU MORI  JETË PROGRAMI  POLITIK I PAVARESISË  SË SHQIPERISË…
  • GAZETA E VETME SHQIPE E KOSOVËS “BUJKU” E 23 QERSHOR 1991: XHEJMS BEJKERI NË SHQIPËRI: JU JENI ME NE, NE JEMI ME JU – SHQIPTARËT I SHFAQËN MIQËSI TË MADHE AMERIKËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT