Nga Nikolla LENA/
Zakonisht fundjavat nuk më pëlqen t’i kaloj në Tiranë.
Mbase zhurma, ajri i rëndë, mbingjeshja njerëzore më shtyjnë drejt periferisë. Këtë herë u drejtova nga fushat e Myzeqesë.
Kisha dëgjuar për një prodhim të bollshëm dhe një tregti të mirë të produkteve bujqësore të kësaj zone në këtë stinë, inisiativat e Ministrisë së Bujqësisë për fermerët e myzeqesë,si dhe përgatitjet e tokës për mbjelljet pranëverore që sa po kanë nisur. Nëpër fusha të zinte syri makineri bujqësore që pastronin tokën duke e bërë gati për plugim,pemë të harlisura nga gjelbërimi,kultivues të përkulur mbi parcelat e tyre e gjithëfarsoj procesesh të stinës në bujqësi.
Mbasi përshkova fushat e Kavajës, Lushnjës, nuk po më pëlqente shumë ti ndahesha asfaltit dhe autostradës komode drejt Fierit. Një shi i imët “britanik”, na shoqëroi pothuajse që në nisje.
Një shi lulesh i thonë në këto anë,sepse ndihmon bimët të shpërthejnë sythet e tyre.Dhe vertetë kumbullat,pjesëhkët,shelgjet ishin spërkatur në të bardhë nga petalet e tyre.
Në kthesën e fortë afër Kolonjës më shfaqet përball manastiri I Ardenicës. Si një murg i lashtë,hijerëndë, qëndronte ulur maj kodrës në një natyrë të qet. Qiparisë, pisha dhe drurë të harlisur e mbanin mes tyre këtë “plak” të moçëm dhe lëshonin pikalotshiu mbi zhgunin e tij të tymosur. Hija e tij e rëndë si një magnet i fuqishëm më tërhoqi drejt vetes. Një rrugë e asfaltuar më uli drejt e në prehrin e tij.
Gjeta plot makina vizitorësh që ishin parkuar për-rreth. Muret e rëndë dhe porta e madhe me shulin e ndryshkur që varej si lavjers i sahatit-kohë, më krodhën në një tjetër realitet.
U futa dhe unë në kishën e vjetër dhe gjeta ciceronin përball një grupi turistësh gjermanë, që po u tregonte mbi historikun e themelimit të këtij objekt-kulti,zografët që kishin realizuar Zotat në pikturat murale,Kostandin dhe Thanas Zografi,Shpataraku i famshm etj. Ikonostaset që prej 1744,një busull zodiakale në dyshemenë e kishës,e plotë data të tjera historike.
Data që rrokulliseshin thellë në shekuj mbase që pas vdekjes së Krishtit kur dishepujt e tij u shpërndanë nëpër Evropë që të mbillnin”farën”e mirë dhe historia qëndronte në kohën e Bizantit, aty ku merrte formë të plot dhe ky manastir rreth vitit 1282. Ciceroni u ndal edhe te heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti,që celebroi martesën e tij me bijën e Aranitit, Andronikën më 21 Prill të vitit 1451 pikërisht në këtë kishë.
Dy vite me vonë, në fund të Majit të vitin 1453 Kostandinopoja do të binte përfundimisht nga vullneti i hekurt i një djaloshi 22 vjeçar me emrin Mehmeti i dytë. Muret e rëndë të kokës së dytë të shqiponjës romake,që kishin rezistuar për njëmijëvjet sulmesh barbare, Venetikase, Otomane u shkërmoqën përball rinisë dhe mëndjes së këtij djaloshi-sulltan.
Thon se ushtari i par që shkeli brenda tyre dhe nguli flamurin osman, ishte me origjin shqiptare. Nuk di përse Ai më sjell ndërmend Aleksandrin e Olimpias(Olimbisë)të quajtur i madh. Mbase që Aleksandri ishte stërnip i këtyre trojeve.
Turistët u shpërndanë të sodisnin peizazhin natyror rrotull manastirit,gjë që e bëra edhe unë. Ishte si një kullë vrojtimi ku syri mund të shikonte në të gjitha anët.
Në lindje ngrihej Tomori madhështorë, në jug shtrihej Apolonia,më tutje vjosa dhe Narta ,ndërsa në perëndim ndeshje Detin pa fund me pishat e lashta të Divjakës që i rrinin si kurorë.Ka një legjendë për këto pisha,por dhe një histori.Kujt ti besojmë legjendës apo historisë?!Shpeshherë historia është shkruar nga legjendat.Kështu ndodhi me zbulimin e Trojës, e tha Homeri, Shlimani besoj në thënien e tij dhe ja ku doli Troja.
Kush e solli këtë pishë këtu?! Ushtarët e Cezarit në aventurën e gjeneralit të tyre për të shkatërruar ushtrinë e Pompeut që kishte ngritur çadrat në Karpen të Kavajës. Ata hodhën kokrrat e para të stikave të mara me vete në xhepat e kapotave të vjetra në marshimin e gjatë që niste prej Romës së vjetër.
Rrugët e saj hijeshoheshin prej pishave të buta njëlloj si këto këtu në Divjakë. Mbase I konsideronin si çamçakiza të kohës së tyre. Relaksoheshin me to para betejës. Kokrrat e para ranë nga xhepat e grisur të kapotave ushtarake gjatë fushimit në rërën e plazhit pas zbarkimit prej anijeve luftarake dhe mbin e morën jetë në këtë plazh të bukur. Përballë kishin varkat me rrema të lundrimit, detin e gjerë dhe pas tij Atdheun. Mbrapa shpine Pompein dhe një tokë të huaj. Një tokë që e njohën dhe e lakmuan. Më vonë e pushtuan dhe ngritën qytetet dhe qytetërimet e famshme si Apolonia dhe Dyrrahu.
Më nxori nga kjo përhumbje historike, hija e zhgunit të murrmë të dy burrave që kaluan në koridorin e ngritur pas murit të kishës.Kisha dëgjuar për murgj në këtë manastir,por s’kisha arritur ti shihja.Të gjith flisnin dhe heshtnin për ta. Edhe vet kishtari i shmangej kësaj pyetje. Ishin dy, pesë, gjashtë…nga kishin ardhur dhe ç’bënin aty?!.. Murgj…manastir, mjegull enigmatike. Ata u larguan si hije brenda thesit të tyre dhe u futën në një deriçkë misterioze. Lash murgjit në shenjtërinë e tyre dhe hodha sytë te këmbët e kodrës,aty ku kalonte degëzimi i rrugës Egnatia. Një degëzim i saj zinte fill në Apoloni, përshkonte gjith vargëkodrën deri në prerjen e lumit Shkumbin, merte djathtas dhe bashkohej me degën kryesone në Klodiana(Peqini i sotëm)për të vazhduar deri në Kostandinopoj. Nuk bindesha që themelet, gurët e këtij manastiri të zinin fill në vitin 1282.Nga lartësia,dominimi pamor,të jepte përshtypjen e një kulle vrojtimi, vendroje, garnizon që vëzhgonte…kë?.
Lëvizjet në via “Egnatia”Lëvizjet prej Apolonisë drejt Dyrrahut dhe Klodianës.. Po emri “Ardenicë” nga erdhi? Ky emër e kapërcen periudhën Romake, dyndjet Helene dhe ngjitet drejt “perëndive” drejt miteve. Ardenicë=Artemisë,perëndia e gjuetisë, motra e Apolonit,perëndisë së dritës dhe artit,bijtë e Zeusit. Sa afër njëri-tjetrit, as dhjetë kilometra në vijë ajrore. Njëri në Apoloni, tjetra në Ardenicë.Në shtegëtim “perëndish” Ardenica mund të quhet si një rezidencë verore e Artemisës,që bashkë me “perëndi” të tjera,kan pasur ngulimet e tyre në këto troje, nga malet e thepisura deri në fushat e shtruara.
Ato kanë folur Shqip.Prandaj ky vend duhet begatuar dhe respektuar, është vend “perëndish”.Jo larg prej këtej,rreth pesë kilometra ndodhet varri i një tjetër shenjti, i “Shën Kozmait”, varrosur në kishën e Kolkondasit,ose më saktë,mbi varrin e Tij u ngrit një kishë.Po ç’ishte ky njeri-perëndi,që erdhi të prhapte dritën e dijes si vet Prometeu dhe u shenjtërua në kto anë? Një histori që duhet treguar…
U ngulita me vështrim nga deti. Brezi i halorëve të Divjakës ma bëri me sy. Po thash. Aty ka det,pyll,ajër të pastër dhe peshk të freskët. Ka histori. Nga klubi I “shoferit” mora për në perëndim duke çar përmes disa fshatrave, Këmishtaj,Gradishtë, Gur, Kryekuq, Mizë, Divjakë.
Në të gjithë këtë hark më shoqëroj një rrugë e gjerë,e sistemuar dhe e asfaltuar mirë dhe me trotuare në të dy krahët. Kudo shikoje njerëz në pikun e punëve së stinës. Asfaltimi i kësaj rruge në formë unaze, lidh fshatrat e kësaj zone me autostradën Lushnje- Fier dhe ka lehtësuar biznesin e fermerëve për rreth.Ministria e Bujqësisë e ka hedhur vështrimin me seriozitet për investime të rëndësishme në këtë zonë myzeqare.Do të ket prodhim dhe turizëm.
Sigurisht, një udhëtim i gjatë ka hak dhe një drekë të shijshme dhe këtë nuk mund ta realizosh më mirë se në Divjakë. Deti, pylli, peshku i freskët…Ali Kali po na priste në maj të kalit me zgarën mbushur me ngjala të ngritur lartë.-“Hani, hani sa më shumë se më jeni ligur”-thërriste Ai.
Divjaka, një tjetër vend historik dhe turistik ku mund të kalosh këndshëm fund-javën.
Archives for April 2014
MAQEDONIZIMI I BDI-së
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
E di që as vetë maqedonët nuk e mbajnë veten kurrkundngat aq të maqedonizuar. E di që përcaktimin tim partia BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim) do ta marrë për lëvdatë.
Maqedonizimi i BDI-së nuk do të ishte temë e shkrimeve të mia nëse këto ditë nuk do ta dëgjoja në mediat njërin nga krerët e saj të deklaronte, madje me krenari të dukshme, se kjo parti është e vetmja në Maqedoni që është shtrirë tashmë në të gjithë territorin e vendit, përkatësisht në elektoratin e të gjithë vendit. Këtë mëtim, pra, nuk e kanë as dy partitë më të mëdha të Republikës së Maqedonisë, Lidhja Socialdemokrate apo VMRO-DPMNE.
Pjesë e pushtetit në Shkup, kjo parti iu bëri thirrje shqiptarëve t’i bojkotojnë votimet presidenciale që u zhvilluan të dielën, ngaqë, sipas liderit të saj, kryeministri nuk e përfilli kërkesën e tij që të kandidojë një emër konsensual, pra të pranueshëm edhe për BDI-në. Nga ana tjetër, i akuzoi për përçarje partitë shqiptare në Maqedoni që nuk mbajtën të njëjtin qëndrim.
Tri ditë para votimeve, kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK) Rufi Osmani i hodhi poshtë thëniet e BDI-së: “Është po BDI, që ofendoi rëndë inteligjencën shqiptare duke zgjedhur Lazar Elenoskin si maqedonas ambasador në Bruksel. Është po kjo BDI e cila me votat e maqedonasve, maxhupëve, hajdutëve dhe korrupsionin e paparë mposhti vullnetin politik të popullit shqiptar në zgjedhjet lokale 2013 në shumë komuna shqiptare. Është po kjo parti që lejoi sjelljen e Car Dushanit në Shkup në emër të pajtimit historik me serbët. Është po kjo parti që i propozoi VMRO-DPMNE-së, Lazar Elenoskin dhe Sërgjan Kerimin si të ashtuquajtur ‘president konsensual’.
Është po kjo udhëheqësi e BDI-së që në Evropë kandidon person pa kredibilitet dhe kandidat që mori më 2011 vetëm 400 vota.”
Vesel Mehmedi, shef i Shtabit të RDK-së, sjell argumente të tjera në këtë drejtim. “Ju e shihni se si qeveris BDI-ja, unë jam këshilltar në komunën e Gostivarit dhe ju dëshmoj se zullumi i kësaj garniture është i jashtëzakonshëm duke diskriminuar vendbanimet shqiptare në Gostivar ku i humbën zgjedhjet në Gostivar. Është koha për t’i thënë stop diskriminimit të shqiptarëve nga vet shqiptarët.”
Është tërësisht e kuptueshme se zgjerimi me anëtarësi maqedonase i ka kushtuar BDI-së braktisjen dhe sakrifikimin e interesave të shqiptarëve. Sepse, ngat çdo mendjeje, maqedonasit votojnë për interesat e veta para se të votojnë për interesat e të tjerëve. Po ashtu zgjerimi i kësaj partie me anëtarësi nga pakicat e Maqedonisë, siç janë romët, gjersa interesat e këtyre nuk pajtohen me interesat e shqiptarëve por me interesat maqedone, e çon këtë parti në kundërvënie me interesat e shqiptarëve në tërësi.
Siç dëshmojnë të lartcituarit, shmangiet e tilla e kanë cënuar rëndë në karakter BDI-në duke e vënë në pozita lutëse dhe përulëse ndaj maqedonëve, nga njëra anë, dhe në pozita revanshiste dhe arrogante ndaj atyre shqiptarëve që e kanë refuzuar, pra që nuk kanë pranuar t’i japin votën kësaj partie.
BDI i lutet kryeministrit për një kandidaturë konsensuale nga radhët e maqedonasve dhe të turqve dhe nuk këmbëngul që Maqedonisë i ka ardhur koha të ketë një president shqiptar. Në vitin 2001, kur përgatitej Marrëveshja e Ohrit, unë kam kërkuar nga pala shqiptare në bisedime të kërkojë që të sanksionohet në këtë marrëveshje, pastaj në kushtetutën e kësaj republike maqedono-shqiptare që presidenti të jetë shqiptar. Nëse jo, atëherë disa poste të tjera kyçe të jenë të përcaktuara me kushtetutë që t’iu përkasin shqiptarëve. Dhe për këtë iu sillja shembuj të ngjashëm ku, nëpërmjet zgjidhjeve të tilla, ishte garantuar qëndrueshmëria e mëtejshme e shteteve të caktuara, ishte krijuar konstitucioni i domosdoshëm dypalësh, mendësia e domosdoshme dypalëshe mbi të cilën do të bazohej perspektiva e një bashkëjetese në unitet qytetar dhe shtetëror.
Duke qenë në pushtet gjithë këto vite, i takonte BDI-së të ngulmonte në këtë drejtim, duke u bashkuar me krejt faktorin shqiptar dhe me faktorë të tjerë të mundshëm përkrahës ndaj këtij faktori, siç do të kishin qenë turqit, romët e tjerë. Vetëm sanksionimet në kushtetutë do të ishin detyruese dhe po ashtu do të garantonin qëndrueshmërinë e Maqedonisë, integrimin e shpejtë të saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian, për çka, jo pa të drejtë, dëshmojnë se janë shumë më të interesuar shqiptarët se maqedonët dhe të tjerët.
Duke u defaktorizuar çdo ditë e më tepër shqiptarët, siç ka ndodhur dhe po ndodh gjatë qeverisjes së BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, Maqedonia vetëm sa do t’iu largohet përherë e më shumë integrimeve evropiane dhe veriatlantike. Dhe BDI do ta shohë veten gjithnjë e më pranë interesave maqedone e gjithnjë e më larg interesave të shqiptarëve. Natyrisht, kjo do t’i sjellë asaj ndëshkimet e pashmangshme nga ana e elektoratit shqiptar në Maqedoni.
Me kandidaturën e Iljaz Halimit për president të Maqedonisë, shqiptarët dëshmuan denjësisht se mund t’ia japin këtij vendi një president të denjë dhe dëshmuan dëshirën e tyre të çiltër e vizionare që Maqedonia, për të mirën e të gjithëve, pjesë të traditës së saj të sanksionuar shtetërore, ta ketë tash e tutje presidentin shqiptar.
Një darkë që nuk e kam “paguar” akoma
Kujtimit të Atë Dhimitër Priftit/
Tregim i jetuar/
Nga Përparim Hysi/
Kisha dy vjet që punoja në atë fshat të largët. Qe aq larg nga shtëpia ime, sa , po ta bëja të gjithë rrugën në këmbë, donte pa frikë nja 7 orë të mira. Shpesh unë në këmbë e bëja dhe, vetëm disa raste, të paktën gjysmën e rrugës e bëja në këmbë. Flitet për vitin 1960 kur, ende, në atë krahinë të largët të Fierit, nuk kish rrugë për makina. Qeshë emëruar mësues në shkollën 7-vjeçare të Ndërnënasit, fshati më i largët që përfshihej në lokalitetin e Libofshës. Fshati qe goxha i madh dhe, përfshirë në kooperativën e bashkuar, qe si qendra e disa fshatrave. Vërtet larg nga Fieri dhe, gati 10km, nga Libofsha që qe dhe qendra e lokalitetit, por nxënësit ishin jo vetëm të urtë, por dhe të dhënë pas mësimeve. Unë punova tri vjet (nga viti 1959-1962), por përshtypjet për fshatin dhe për nxënësit e kësaj klase (janë të vitit shkollor 1960-1961), i kam nga më prekëset. Klasa kishte gati 25 nxënës (flitet për klasën e shtatë) dhe qenë aq të mirë,sa nuk dije kujt t’i vije katër e kujt pesë. Katër e pesë, se në ato vite, nota më e lartë qe pesa. Ata qenë njëri më i mirë se tjetri dhe ky përparim cilësor i tyre çoi në një tregues që dhe sot më emocionon. Të gjithë ata nxënës cilësorë, u arsimuan më tej dhe tri të katërtat e tyre u bënë mësues dhe të tjerët: kush ekonomist, kush agronom; kush oficer; kush mekanik dhe njëri që qe,si pak veçantë, u bë muzikant. Që në shkollë, i binte violinës. Violinë që e kish bërë me dorën e vetë. Po ju mos kujtoni se në këtë “skërkë” të fundit ( më tej kishte vetëm det ose kënetë) ja doli një muzikant made in Stradivar. Jo, po ai nxënësi i veçantë me vesh për muzikë,atë violinë pati si “pasaportë” që mori porvimet e lirimit (qe i vetmi që s’para ia thoshte për mësime) dhe, më tej, kur shkoi ushtar mbante në këmbë gjithë regjimentin. Po atje, në regjiment, kishte një violinë të vërtetë. “Stradivari” i vogël qe Llaqi i Petro Dhanit. Në nuk po zgjatem edhe më për atë “Stradivarin” e vogël nga Ndërnënasi i Libofshës, e bëj për faktin se në këtë tregim do flas po për një nxënëse të asaj klase cilësore që qe bashkëshoqe klase me muzikantin. Kam arsye të qëndroj tek kjo nxënëse. E kam fjalën për nxënësen time të asaj kohe (më vonë ajo u bë mësuese shumë e mirë për gjuhë e letërsi shqipe), Jorgjie Dhimitër Prifti.
* * *
Në po e veçoj Jorgjien nga bashkëshokët e saj të asaj klase, kam një arsye madhore. Jorgjia ishte vajza e priftit të fshatit. Në ato vite bursat për të vazhduar shkollat e mesme jepeshin nga shkolla. Drejtoria merrej me listat për nxënësit ku kirteri dihej: politika në plan të parë. Nga kjo anë, ata meritonin që të shkonin që të gjithë në shkollë. Dhe, pothuaj, që të gjithë shkuan. Bursa kishte me shumicë dhe kishte raste që “tepronin”,se familjet nuk kishin mundësira më elementare për t’i dërguar në shkolla. Rrezikohej Jorgjia ( si çupë prifti) dhe, veç saj,edhe Perikli Çuni. Ky i fundit se i ati qe anti kooperativë. Në gjithë atë fshat të bashkuar, Llukë Çuni, e ndizte oxhakun veç. E pati parë kooperativën me syrin e njerkës dhe shteti e partia i vinte kufirin tek thana: Perikliu, ai floriri i vogël i klasës, mbeti pa bursë. *
Pra, Jorgjia, që, pothuaj, ma rrëmbente fjalën nga goja kur flisja për letërsinë rrezikohej. Sado që qe vënë barrierë e tillë, e bisedova me drejtorin (qe njeri shumë i mirë) që mund ta dërgonim dhe Jorgjien për në pedagogjike. Dhe unë u futa në “valle”, por pak me shejtanllëk.
* * *
Atë Dhimitri qe prift. Qe burrë i zgjuar dhe kishe qejf të bëje muhabet me të. Jo vetëm kaq: ekonomikisht, sado që kishte një tuf me fëmijë,qe mirë. Mbi nivelin e jetesës të të gjithë fshatarëve, me përjashtim të atij “antit”, Llukë Çunit! Atë Dhimitri, sa i zgjuar qe, po aq dhe hokatar. Nuk ia hante qeni shkopin kollaj dhe, tek bisedonte me dikë që s’e njihte, e vinte në kandar: ia vlente apo nuk ia vlente. Mua më hahej muhabeti me të, por asnjëherë nuk kish ndodhur që të më thoshte (unë flija në fshat), urdhëro andej nga shtëpia. Bashkëfshatarët që ia dinin huqet thoshin për të:- Zor se fut njeri në shtëpi, por, po e futi, nuk ka njeri më të pritur. Unë tanimë e kisha marrë këtë “informacion” dhe sikur i vura vetes detyrë që, o të haja një darkë atje, në shtëpinë e tij, o do bëhej kiameti. Dhe, tek Jorgjia e kish mbaruar klasën e shtatë me të gjitha pesa, i them Atë Dhimtrit:- Dëgjo, po të rregullova një bursë për Jorgjien, e shtron një darkë ti “papu” a jo? – Po në vend,- m’u përgjigj: çak-fak. E thënë,e bërë. Frymën unë tek drejtori dhe i them:- Një bursë për pedagogjike do ja japim Jorgjies,se është me të gjitha notat pesa! Sidomos, në lëndët e mia,qe nga më të mirat! E di që, po ta lexojnë tregimin tim shumë nga nxënësit e mi (ata sot janë në pension) mund të mërziten,se me pesa kanë qenë dhe ata, si: Perikliu,Hilli,Liria,Naunka,Lefteria, Olimbia,Sokrati e të tjerë, por Jorgjien e veçoj për arsye tjetër.
* * *
Pasi e mbushi drejtori, Andon Gjerazi, shkresën për akordimin e bursës me atë në xhep dhe drejt e tek prifti. – Ta gëzosh,- i them. Në shtator Jorgjia do shkoj në pedagogjike të Tiranës. Tek ia zgjata shkresën, e pashë që fytyrën ia mbuloi një buzëqeshje, por vetëm për pak. Pastaj ai u bë, po ai: Atë Dhmitri që unë,si të gjithë për reth, i thoshin “Papu”. Unë, me që e kisha bërë realitet detyrën time, prisja që jo vetëm të më falnderonte, por dhe të më ftonte për darkë. Po kështu e kishmim dhe “kontratën” me të. Po ai as i zi dhe as i bardhë. Unë po mënd po plasja nga e keqja. E kisha marrë si me revan. Gojën tërë jetës e kam patur brisk. Dhe këtë radhë e zbraza:- Të bëmë goxha nder, po të çojmë Jorgjien në shkollë për mësuese dhe ti as po na fton për darkë?!!! Po ku ia hante qeni shkopin kollaj atij njeriu aq të zjguar dhe aq të mirë? – U bëre ti, një “fiçorr” nga Petova, të më bësh nder? Nderin ma ka bërë partia e punës, dhaskal!!! Kur tha, kështu, ia dha një të qeshuri, sikur me këtë po më thoshte: vëri majat nga ke thëmbrat! Gjete qishë ku të falesh! Dhe,vërtet, asi kohe unë qeshë një “fiçorr”.
Natyrisht, ky dush me ujë të ftohtë ma nxori dalldinë e darkës që do haja, dhe bërë si ajo era që fryn për të nxjerrë shi, frymën e mbajta tek dhoma ku flija. Xha Zariku, roja e atij mjedisit ku kishte depo kooperativa, më pa dhe lexoj shqetësimin tim. Më pyeti dhe ia tregova se ç’ma “punoi” ai “Papu”. Aha,- tha Xha Zariku,- nuk futet “Papu” aq lehtë në kular, por bukën nuk e ha thatë ai,dhaskal. Digjo, xha Zarikun ti, prapa i vjen haberi këtij muhabeti. – Po ç’prapa, o xha Zarik, -turfullova
unë,- i bëmë gjithë atë nder dhe të ma bëj kështu. – Or çun, mos e merr përpjekur. Kush e merr përpjekur, rrëxohet. Ma mbaj vesh llafin plakut ti. Po unë, tanimë, qeshë ndarë me darkën apo drekën e Paput.
* * *
Kishin kaluar nja dy-tri ditë dhe një perëndim dielli, tek po kaloja (rruga shkonte mu pranë shtëpisë së priftit) rugës për tek dhoma ku flija,pashë priftin në oborr. Bëra përshëndetje me të dhe, tek i thashë natën e mirë, dëgjova që tha, si nëpër dhëmbë:- Po pse nuk kthehesh për darkë? Kaq. Vetëm njëherë,po ai kish harruar që unë mezi e prisja një ftesë të tillë. – Ja, u ktheva,- thashë. Dhe hyra në oborr.
Po ai shpotitës siç qe, ma pati:- Ku do vesh? Po unë sa shalova kalin dhe do iki në Shën Kozma! Po ku dëgjoja unë me atë vesh. Flakë për flakë:-Shko daç për Shën Kozma dhe daç për Shën Gjergj. Dhe bëra për brënda. Pa u ulur mirë, ai mbrriti, më hodhi duarët në qafë dhe, prapë shpotitës, sulmoi:- Ore, e di ti që ku hyn pa ftuar, e gjen pa shtruar!!! Opo lëri ato,se nuk luaj unë. E, kështu, hidh e prit me “rrotulla”, dhe ja tek ulemi ballë për ballë. Filloi muhabeti dhe,pastaj, sofra. Ajo sofër me gjithë ato të mira. Ajo pritje që zor se ia kam gjetur shoqen kund. Qe aq i çiltër dhe aq gazmor, sa të jepte përshtypjen se mezi e kish pritur një takim të tillë. Nuk la fjalë pa më falnderuar për nderin që i kisha bërë , por nga shpotia as që hiqte dorë. Më thotë aty nga mesnata, kur bëheshim gati të flinim gjumë,:- Ore, dhaskal, ti je skrapali rritur në Myzeqe, por nuk i di zakonet tona. Po prisja që ta çonte më tej ligjëratën dhe e mbaj mend mirë që më tha:- Në Myezeqe, dhaskal, thonë : – Po there pulën e botës, bëj hazër tënden! E kuptova ç’donte të thoshte dhe ia prita:- Po kur të duash, o Papu! Derën hapur,e kam! Në flas me superlativa për atë darkë, e kam jo vetëm për sofrën e mbushur me gjithë të mirat, por dhe atë çiltërsinë, ku i zoti i shtëpisë bëhej kurban për mikun. Fjeta aty dhe e mbaj mend që ka qenë ditë e premte. Të shtunën (njëherë në javë shkoja në shtëpi) dhe, kur të hënën, mbasdite vonë po kthehesha për tek dhoma, Papu më preu rrugën.
* * *
– I kishe goxha ata “dobiçat” e fshatit,- më tha. Ta shpëtuan erzin! Nuk po e kuptoja se ku do të dilte. Dhe e pyes:- Po ku i pe ata “dobiça?!”. -Qeshë në mbledhje me Papë Polizoin ( më i madhi i klerit orthodoks për Fierin) dhe më zuri dmbasditja vonë, aty, në Mbrostar-Urën ku rri ti. Epo, po kthehem tek dhaskali,- i dhashë karar. E ktheva kalin nga xhadeja për tek pallatet. Sa hyra në fshat, kur m’u lëshuan ata “dobiçat” e fshatit: “Ta lashë, njëri! Ta lashë tjetri! Dhe pse pushonin? Dëgjove,dhaskal,- thashë me vete,- shpëtove. Kamzhikun kalit dhe sosa në hijezen time. Dhe ia dha të qeshurit. Po ke për ta “paguar” një ditë,- më tha duke qeshur.
Po nuk qe e thënë. Darkën që hëngra tek ky njueri aq i mirë, ende, nuk e kam “paguar”, por, sidoqoftë, duke shkruar këtë përjetim,s’kam se si mos e kujtoj me dashuri jo vetëm atë, por edhe Jorgjien që tani ka dalë në pension dhe, njëkohësisht,edhe ata nxënës aq të mirë të atij viti shkollor 1960-1961. Më bëhet qejfi që djali i Jorgjies, Ylli, është drejtor shkolle,atje, në Ndërnënas të Libofshës. E sa për atë tjetrin, Perikliun,apo “floririn e vogël” të Llukan Çunit që qe anti kooperativë, ju them se u bë oficer i zoti deri komandant i brigadës tankeve në Elbasan ku jeton (tani ka dalë në pension). Këtë përjetim sikur e kam për të gjithë ata nxënës aq të mirë të vitit shkollor 1960-1961 të Ndërnënasit të Libofshës në Fier.
Tiranë, 14 prill 2014
TAKIM NË KONSULLATËN E KOSOVËS NË NEW YORK
KRYETARIT TË DEGËS SË VATRËS NË JACKSONVILLE-FLORIDA,Z. ADRIATIK SPAHIU, IU DHURUAN LIBRA PËR SHKOLLËN SHQIPE QË DO TË HAPET SË SHPEJTI NGA DEGA E VATRËS/
Ditën e hënë me 14 Prill, kryetari i degës së Vatrës në Jacksonville-Florida, z. Adriatik Spahiu i shoqëruar nga editori i Diellit Dalip Greca dhe drejtori i TV Kultura Shqiptare, Adem Belliu, u pritën në Konsullatën e Kosovës nga ambasadori Bekim Sejdiu dhe ndihmësi i tij, Konsulli Korab Mushkolaj. Ambasador Sejdiu i uroi mysafirit nga Florida mirëseardhjen dhe e përgëzoi për punën e palodhur në cështjen Kombëtare, për veprimtaritë e degës së Vatrës, si dhe për inisiativën që kjo degë dhe kryetari i saj kanë marrë për hapjen e shkollës shqipe në Jacksonville, ku jetonë më shumë se 7-8000 shqiptarë. Ambasadori u ndal edhe në regjistrimin e domosdoshëm të shqiptarëve kudo që ndodhen në SHBA. Më pas ai foli për përparësinë që merr hapja e shkollave shqipe për të ruajtur gjuhën e Kombit nga vijmë, kulturën dhe traditat kombëtare.
Kryetari i degës së Vatrës në Jacksonville informoi për punën atdhetare që po bën dega e Vatrës atje, duke plotësuar një boshllëk të ndjeshëm në komunitetin shqiptar atje. Ai tha se insiativa për krijimin e degës pat filluar që në 100 vjetorin e Vatrës, por ditëpërditë ajo u rrit dhe tash ka rreth vetes një komunitet të shumtë, që po vjen duke u shtuar. Spahiu informoi edhe për festimin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Në Jacksonvillë, tha Spahiu, jetojnë rreth 150 shqiptarë të Kosovës. Ata po i afrohen përditë e më shumë Vatrës. Vetëm në ditën e festës për pavarësinë e Kosovës, u anëtarësuan në Vatër 15 veta. Shkolla shqipe që do të hapet së shpejti do ta gjallërojë akoma më shumë degën e Vatrës dhe do t’i bëjë më të intëresuar shqiptarët e atjeshëm.
Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori ekzekutiv i Këshillit Shqiptaro Amerikan, z. Martin Shkreli. U bisedua gjatë për cështjen Kombëtare dhe bashkërendimin e shoqatave që veprojnë në Amerikë.
Duke i dhuruar librat për Shkollën Shqipe në Jacksonville, ambasador Bekim Sejdiu, falenderoi edhe një herë për inisiativën, ndërsa zoti Spahiu falenderoi shtetin e Kosovës për librat e dhuruara.
NDRYSHONI LIGJIN PËR PASAPORTAT E FËMIJËVE
“MËZI” I MESELESË DHE BARRA MBI KURRIZIN E FËMIJËVE MËRGIMTARË /
Fejton nga Abdurrahim Ashiku/ Athine/
Komisioni i Ligjeve i Kuvendit të Shqipërisë bëri një ndryshim ligjor. Përpara se të përcjell paksa më gjatë ndryshimin dhe lajmin që tash ka marrë dhenë po ju përcjell një mesele dibrane, nga ato që tregohen odave mbushur plot me kuvendarë popullorë, me raste mortesh apo dasmash, mesele që nganjëherë rrahin më shumë se shkopi i policit…
***
Meseleja
UDHËTARI: EJ ZOT! MA BJER NJI KALË T’I HIPI…
Një njeri ecte një udhe malore gjithë dushke e kthesa, një vape që lugun e kurrizit ia kishte ba përrue.
Lodhet shumë i shkreti, gjen një hije e ulet të pushojë.
– Ej Zot, lutet përkulur kokën në tokë, – ma bjer nji kalë t’i hipi !
Ndërsa ëndërronte, merr kthesën një oficer osman mbi kalë, armatosur nga këmbët në kokë, me shpatë e kobure, me një karvan kuajsh mbrapa.
Befas karvanin e ndali një hingëllimë e oficeri zbriti nga kali. Hingëllima ishte gëzimi i një pele që lajmëroi se u nënë. Një mëz i shëndetshëm lëvrinte te këmbët e saj…
Oficeri thërret udhëtarin dhe ia ngarkon mëzin mbi shpinë.
Udhëtari i mërzitur, me shpirt në dhëmbë e lumë djerse kurrizit, i foli të lartmadhnueshmit:
– Or Zot! A nuk dita unë të të lutem, apo nuk e more vesh me më dhanë atë që të kërkova?
FËMIJËT NË MËRGIM: EJ SHTET! NA I NDREQ TOPONIMET…
Shteti nxjerr tellallin…
Hej milet, mbi tokë e mbi det…
Të gjithë fëmijët që janë pajisur me pasaporta 10-vjeçare në periudhën prill 2009-korrik 2010 duhet të ri-aplikojnë për pasaportë të re. Kjo për shkak të një gabimi të bërë nga Ministria e Brendshme në atë periudhë. Fëmijët deri në 6 vjeç duhet të kenë pasaportë 5-vjeçare dhe jo 10 vjeçare.
Ky ndryshim ligjor u miratua në Komisionin e Ligjeve.
Të gjithë prindërit që kanë marrë pasaporta 10 vjeçare për fëmijët e tyre duhet të aplikojë sërish për pasaportë të re me afat 5 vjeçar, për këtë kanë afat 1 vit…
* * *
Tellalli shtetëror më poshtë sqaron se nuk janë pak por 156 mijë fëmijë që duhet të ri-aplikojnë për të marrë pasaportë të re me afat 5-vjeçar.
Deri sot nuk ishte bërë i ditur numëri i fëmijëve të cilët kanë pasaportë ndërkombëtare, pasaportë e cila për fëmijët në Greqi (por edhe ata në të pesë kontinentet) është shkruajtur me gabime të tmerrshme drejtshkrimore dhe me një toponomastikë tërësisht në kundërshtim me rregullat e vendosura nga OKB.
Sipas Komisionit të Ligjeve ky numër është 156 mijë. Nuk ka dyshim se të gjithë janë fëmijë mërgimtarësh. Dhe të gjithë pasaportat i kanë me gabime drejtshkrimore dhe me gabime në të shkruarit e vendlindjeve (toponimeve). Dhe të gjithë, të 156 mijët, brenda një viti duhet të marrin pasaportë të re. Dhe shumica (për të mos thënë të gjithë) pasaportat do të jenë të detyruar t’i bëjnë pranë ambasadave ose konsullatave shqiptare duke paguar dyfishin e shumës që paguhet në Shqipëri. Llogaritur me 100 euro (minimalja teorike) çdo pasaportë, në arkën e shtetit do të futen 15.600.000 euro.
Është kjo një shumë që nuk mund t’i shpëtojë asnjë familje emigrante pa e paguar.
Jam i sigurt se lëçitësi zyrtar i këtyre radhëve do të thotë se këto 156 mijë fëmijë do t’i paguanin këto para sikur të ishte zbatuar ligji i dhënies së pasaportave jo për 10 por për 5 vjet (!)
Jam dakord me lëçitësin, por unë që ka më se një vit që në pozicionin e gazetarit nuk kam lënë derë e adresë pushtetarësh pa trokitur e shkruar, duke kërkuar që Komisioni i Ligjeve të dalë publikisht dhe të pranojë se “Ministria e Brendëshme në atë periudhë bëri një gabim me pasoja të rënda duke i plotësuar pasaportat e fëmijëve në mërgim në kundërshtim me kërkesat elementare në shqip dhe në anglisht dhe me gabime të pafalshme në të shkruarit e vendlindjeve (toponimeve) dhe për këtë “brenda një muaji tërheq të gjitha pasaportat e fëmijëve për t’i plotësuar me shpenzimet e fajtorëve”.
Zërat e fëmijëve që qajnë e lotojnë në pikat e kalimit kufitar midis Shqipërisë dhe Greqisë sepse shteti shqiptar vetëm pse në pasaportën e tyre në vend që të shkruhet vendlindja Athens apo Greece (siç e kërkon dokumenti në shqip dhe anglisht) është shkruar Athinë apo Greqi Komisioni i Ligjeve nuk i ka dëgjuar dhe nuk donë t’i dëgjojë.
“Të Martën e Madhe” (sipas orthodhoksisë helene) të javës së pashkëve, shqiptarët janë ftuar të protestojnë para Parlamentit grek për toponimet shkruar gabim mbi pasaportat e fëmijëve të tyre.
Mirë bëjnë. Por unë do të thosha, duke marrë parasysh “Lejen 22 ditore -13 prill-5 maj 2014”, një lejë turpi dhe mëshire kristiane, e mira ishte të shkonin të protestonin para Kuvendit të Shqipërisë, për t’a detyruar Komisionin e Ligjeve dhe Kuvendin, të hartojnë dhe miratojnë ligjin për heqjen nga kurrizi i njomë i fëmijëve të mërgimtarëve të “toponimeve”, kësaj barre të jashtzakonshme para së cilës “mëzi” i meselesë është thjesht një pupël zogu.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 14 prill 2014
- « Previous Page
- 1
- …
- 34
- 35
- 36
- 37
- 38
- …
- 70
- Next Page »