Nga Gani QARRI/
Shqiptarët nuk e kishin të definuar që me kohë interesin strategjik kombëtar, ashtu siç nuk e kanë as sot.Ata mbeten përherë të vonuar,si në organizime të mirëfillta politike ashtu edhe në përpjekjet e tyre shtet-formuese, histori,e cila për ne po përsëritet,ndaj dhe jemi kështu si kemi mbet, të ndarë e të copëtuar dhe të pa-bashkuar asnjëherë tërësisht.
Megjithëse në ato vite edhe popujt më të vegjël të Ballkanit, tanimë kishin shtetet, autonomit, apo themelet e siguruara të shtetësive të tyre, shqiptarët vetëm një muaj përpara ngjarjes më vendimtare për caktimin e fatit të popujve të kësaj pjese të Evropës dhe Ballkanit, teksa ishin zgjuar dhe përmendur ngathët nga kllapia e gjatë disa shekullore.
Madje, ata edhe në ato çastet dramatike, vetëm fal mundit dhe zgjuarsisë së figurave më emblematike kombëtare, arritën, që përfundimisht të krijojnë një organizatë gjithëkombëtare, si Lidhja e Prizrenit,e cila atëbotë do të përpiqej maksimalisht, me të gjitha mjetet e mundësit politike dhe ushtarake, për vendosjen e themeleve të shtetësisë dhe zgjidhjen sa më mirë të çështjes kombëtare.
Por, sado që u mirëprit dhe u quajt mese e mirëseardhur, edhe Lidhja u krijua me shumë vështirësi dhe vetëm një muaj përpara Kongresit të Berlinit, derisa popujt tjerë ballkanik, shumë vite më përpara, kishin krijuar shtete e principata si dhe përgatitur projektet e veta kombëtare dhe hartat e detajuara të shtrirjes së shteteve të tyre edhe përtej tokave që u takonin.
Ndaj, fataliteti ynë kombëtar nisi qysh herët, që në vitin1878,kur mbinë vendimet e para antishqiptare të Kongresit të Berlinit,për të vazhduar pastaj me Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913)ku u vulos copëtimi i trojeve tona etnike dhe Konferencës së Paqes në Paris më1919, e cila edhe pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, të gjitha tokat e pushtuara shqiptare, pa asnjë përjashtim sado të vogël,i latërësisht nën okupimin e shteteve hegjemoniste fqinje.
Nga atëherë e deri më sot, i vetmi populli ynë, në Ballkan dhe Evropë, përgjatë gjithë shtrirjes së tij gjeografike e kombëtare, kufizohet jo me fqinjët, siç do duhej, por me vetveten.
Fatkeqësisht nuk ishte vetëm Kongresi i Berlinit, ai i cili shqiptarët nuk i pranoi si komb dhe trojet e tyre i trajtoi vetëm si shprehje gjeografike, por edhe Konferenca e ambasadorëve në Londër më 1913,që edhe 35 vite më vonë, nuk njohu zyrtarisht përfaqësuesit e shqiptarëve, as trajtoi ata si delegacion kombëtar të tyre.
Madje, Fuqitë e Mëdha, nuk i trajtuan ata, as si të dërguarit e një shteti që do duhej të formohej, përveç zyrtarëve Austro-Hungarez, të cilët biseduan me përfaqësuesit shqiptarë, dhe morën mendimin për të ardhmen e Shqipërisë.
Ndaj, trojet tona etnike edhe në këtë Konferencë përjetuan një tronditje të rëndë, vendimet e së cilës prej më tepër se 56 mijë km-katrorë, sa llogaritej atëherë, vetëm shtrirja gjeografike e tokave tona me mbi 80% popullsi shqiptare, pranuan vetëm 24 mijë nga to, duke lënë pjesët më të mëdha të këtyre trojeve, jashtë kufijve të Shqipërisë londineze.
Ambasadorët e Fuqive të Mëdha, sado që u “pajtuan” me krijimin e një gjysmë shteti shqiptar, ata ndanë Kosovën e Çamërinë nga tabani kombëtar, si pjesët me pasuritë më të mëdha nëntokësore, fusha të gjera me kapacitete të pakufizuara bujqësore, dhe trojet më aktive në luftërat e zhvilluara për çlirim kombëtar.
Por, derisa, në fund të dhjetorit 1912 dhe fillim të janarit 1913, qeveritë e shteteve të aleancës Ballkanike, të cilat deri atëherë patën pushtuar pjesët më të mëdha të Shqipërisë, tanimë kishin përgatitur dhe dorëzuar Konferencës së Ambasadorëve në Londër, projektet dhe hartat e tyre, për zgjerimet territoriale që duhej të bëheshin pas lufte në kurriz të trojeve shqiptare në Ballkanin Jugor, shqiptarët megjithëse kishin një delegacion në Londër, assesi të konsolidoheshin dhe arrinin konsensus për pranimin e qeverisë së Vlorës e cila jo vetëm se do ti paraqiste kërkesat e popullit shqiptar atje portë gëzonte edhe mbështetjen e tyre, për mbrojtjen e interesave kombëtare edhe në tubime të tilla vendimtare, si Konferenca e Londrës.
Ndaj,duke qenë se ata nuk kishin përfaqësues të vetin në punimet e Konferencës, në mungesë të zërit shqiptar, shtetet hegjemoniste fqinje të përkrahura fuqishëm edhe nga Rusia, i kishin duart e lira të parashtronin kërkesat e tyre për zgjerim në dëm të trojeve tona etnike.
Greqia e cila nuk mjaftohej vetëm me marrjen krahinave të Thesalisë, tashmë kërkonte edhe viset e Shqipërisë së Jugut dhe gjithë Vilajetin e Janinës, anipse ato ishin të banuara pothuajse tërësisht me popullsi autoktone shqiptare.
Sipas Memorandumit të Qeverisë së Vlorës,nga viti 1913,vetëm në Çamëri, atëbotë jetonin rreth 80.000 shqiptarë, nga të cilët,mese 20.000, sosh, tanimë ishin asimiluar nga presioni i vazhdueshëm i Patrikanës dhe kishës ortodokse greke.
Në anën tjetër, as qeveria serbe, nuk mbetej prapa me kërkesat shoviniste,e cila përveç Kosovës,kërkonte edhe krahinat e ish Vilajetit të saj dhe atij të Manastirit të banuara me shqiptarë vendor, deri në kufirin aktual me Greqinë,të cilat sot gjenden nën FYROM.
Sikur të mos mjaftonte ,mos-përfaqësimi i shqiptarëve në punimet e Konferencës së Londrës, për të bindur aktorët e saj dhe realizuar qëllimet e veta ekspansioniste sa me lehtë , Greqia, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Rusia, propagandonin me të madhe në të gjitha kancelaritë evropiane, edhe se gjoja shqiptarët nuk ishin komb, madje as evropian, por vetëm mbetje turke në Evropë.
Ato shkonin edhe më larg me propagandën e tyre, duke deklaruar se si shqiptarët nuk kanë luftuar as për çlirim dhe arritjen e pavarësisë nga Perandoria Osmane, por kanë ngelë vasalë të saj, jetojnë sipas traditave turke, dhe përfaqësojnë interesat turko-arabe në Ballkan dhe Evropë, propagandë të cilën e përsëritin shpesh në kohët e fundit edhe disa imam shqipfolës por shpirtshitur brenda trojeve shqiptare.
Por,përkundër të gjitha problemeve të brendshme dhe refuzimeve nga jashtë,falë insistimit të Isa Buletinit dhe përpjekjeve të Qeverisë së Vlorës, pas fillimit të Konferencës së Ambasadorëve, në vitin 1913, duke pasur mbështetjen e diplomacisë Austro-Hungareze, për në Londër do të udhëtonte edhe një delegacion i vogël shqiptar, i kryesuar nga Ismail Qemaili e Isa Buletini.
Delegacioni me të mbërritur atje do të takohej edhe me përfaqësuesin anglez, sir Eduard Grei i cili ishte udhëheqësi i Konferencës së Ambasadorëve në Londër, dhe bisedonte disa herë me përfaqësues të Fuqive të Mëdha, ku vendin kryesor zinin takimet me përfaqësuesin e Austro-Hungarisë, i cili ishte dhe mbështetësi më këmbëngulës dhe kryesor i Çështjes Shqiptare,në punimet e Konferencës .
Për fat të keq, probleme të mëdha, zgjidhjes së çështjes shqiptare, do ti përgatiste sidomos mbetja e perandorisë osmane, e cila jo vetëm se nuk donte ta njihte Pavarësinë e shpallur të Shqipërisë më 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë, por Veziri i Madh i saj, apo kryeministri i atëhershëm perandorak,deklaronte se qeveria e sulltanit, nuk do të pranonte asgjë më tepër se sa autonominë e Shqipërisë, dhe atë,të udhëhequr nga një princ otoman.
Edhe qeveri ruse e alarmuar, se me gjithë vështirësitë dhe kalkulimet e interesave të Fuqive të Mëdha, pas këmbënguljes së Austro-Hungarisë për krijimin e një ekuilibri etnitetesh në Ballkan, përfundimisht po vinte deri te krijimi i një shteti të vogël shqiptar, gjë qëas ajo nuk mund ta kundërshtonte më tej, tanimë ngulte këmbë që ai shtet të mos ishte i pavarur, por, ashtu siç kërkonte edhe e sëmura e Bosforit( Perandoria osmane) shteti arbëror të mbetej nën sovranitetin e sulltanit.
Ndaj, e ndodhur para kësaj gjendje, Austro-Hungaria, për fillim,si dokument për diskutim në Konferencën e Londrës, paraqiti një projekt-hartë mbi të ardhmen e trojeve shqiptare, dhe gjatë zhvillimit të bisedimeve, me arsyetimin e një baraspeshe të re në Ballkan, ajo kërkoi me këmbëngulje formimin e Shtetit Shqiptar.
Por megjithëse, fal angazhimit të fuqishëm të diplomacisë Austro-Hungareze,më 22 mars të vitit1913,përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha, do të arrinin marrëveshjen për kufijtë verior të Shqipërisë, fatkeqësisht në fund-prillin e vitit 1913, Qyteti i Shkodrës u pushtua nga forcat malazeze, fakt që luhati keq qëndrimet e kancelarive evropiane dhe shkaktoi një problem të madh e të pa-paraparë, edhe për vet Konferencën e Londrës.
Ndaj, që në fillim të muajit maj të vitit 1913,kërkesa e përfaqësuesit austro-hungarez, që Shkodra të mbetej brenda kufijve të Shqipërisë, tanimë do kundërshtohej fuqishëm,jo vetëm nga Rusia e Franca,por edhe nga Anglia e Italia, e cila deri atëherë përkrahte Austro-Hungarinë në disa pika, për formimin e shtetit shqiptar.
Nën këto rrethana Austro-Hungaria ndërmori hapat më radikal, gjatë gjithë punimeve të zhvilluara atje dhe kërcënoi përfaqësuesit e Fuqive tjera të Mëdha se do të largohej përfundimisht nga Konferenca e Londrës, po qe se Shkodra nuk do ti mbetej Shqipërisë.
Pas vendosmërisë së dëshmuar të diplomatëve të saj,Austro-Hungaria dhe Italia u ngarkuan nga Konferenca e Londrës,që të hartonin projektin e organizimit të shtetit shqiptar.
Ndaj, më 8 maj të vitit 1913, ato ia paraqitën projektin Konferencës, në të cilin ambasadori i Austro-Hungarisë edhe një herë u shprehë me vendosmëri, për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.
Pas këmbënguljes Austro-Hungareze, Angliadhe Franca ndryshuan qëndrimet e deriatëhershme, madje nën presionin e tyre edhe qeveria ruse e cila kërkonte sovranitetin turk, mbi shtetin e ardhshëm shqiptar, hoqi dorë nga qëndrimi i vet.
Kështu që, më 20 maj të vitit 1913,ambasadorët e Fuqive të Mëdha,në Konferencën e Londrës, përfundimisht arritën marrëveshjen mbi pavarësinë e Shqipërisë, pa sovranitetin turk, por me një princ evropian si udhëheqës të saj .
Ndaj,më 15 korrik të vitit 1913,Konferenca e Ambasadorëve në Londër, u pajtua që derisa të caktohej princi i cili do të udhëhiqte me Shqipërinë, Fuqitë e Mëdha të pranonin “autoritetet kombëtare” të Shqipërisë.
Kështu që më 29 korrik të vitit 1913 Shqipëria e cunguar,përfundimisht u njoh dhe pranua nga Konferenca e Ambasadorëve si “principatë sovrane”, duke përjashtuar çdo lidhje vartësie të saj, nga Perandorinë në vdekje, Osmane.
Megjithëse në kufijtë që u caktuan në Londër, brenda Shqipërisë u përfshi më pak se gjysma e territoreve dhe e popullsisë shqiptare në trojet e veta, besoj se përveç këmbënguljes së diplomacive të shteteve mike, krijimit të shtetit kombëtar, i ndihmoi shumë edhe fjala e vendosur shqiptare, e cila gjithsesi duhet ta ketë luajtur rolin e vet vendimtar në ndërmarrjen e këtyre hapave.
Në takimin me ministrin e jashtëm anglezë dhe udhëheqësin e punimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në çastet më dramatike, kur burrat shqiptar morën vesh se nga shumica e Fuqive të Mëdha, po vihej në pikëpyetje fati i përgjithshëm i kombit dhe trojeve të tyre,do të mbahej një takim me udhëheqësin e Konferencës dhe ministrin e jashtëm Britanik Eduard Grei.
Ai,duke vërejtur shqetësimin e madh të Isa Buletinit, i vetëdijshëm për peshën e tragjedisë që kishte goditur shqiptarët,në përpjekje për ta zvogëluar“hidhërimin”, dhe gjoja në shenjë keqardhje,do ta pyeste Isa Buletinin, se ku i binte në hartë Vendlindja e tij?!…
Por, Isa Buletini do ti përgjigjej prerë; unë nuk kam ardhur në Londër për fshatin tim, por për bashkimin e të gjitha tokave të atdheut, për të cilat edhe njëqind jetë të kam, të gjitha atij do t`ia fali!”.
Në vazhdimet kinse sqaruesetë bisedës se, a nuk do të bëhej mirë për atë, sikur edhe vendlindja e tij të ishte brenda kufijve të shtetit të përgjysmuar shqiptar, Isa Buletini do të përgjigjejedhe më i vendosur-Jo! Unë jam mirë, vetëm kur është mirë Shqipëria”ndajnëse Evropa nuk do ta zgjidhë drejt çashtjen e Shqipnisë, Ballkani nuk do të ketë kurrë qetësi, për çka fajet do ti keni ju dhe jo ne!
Ndaj, besoj se këto dhe shumë fjalë të tjera, të cilat me siguri nuk kanë qenë të vetmet dhe nuk kanë dalë vetëm si shprehje hidhërimi, por edhe siporosi serioze dhe dëshmi e vendosmërisë së njëmendët të heroit për ti shkuar problemit deri në fund, pa marrë parasysh çmimin, kur vihej në pyetje Atdheu dhe Çështja Kombëtare, duhet të kenë pasur efektet e veta të fuqishme, jo vetëm tek Edurad Grei por edhe tek shumica e përfaqësuesve në Konferencë të cilët vendosën të paktën për një gjysmë shteti, ngase Burri shqiptar, nuk ishte një njeri do si do, por një luftëtar i vërtetë i cili tërë jetën e kishte kaluar në beteja për liri dhe shtet kombëtar.
Me gjithë lehtësimin, që momenti i përjetësimit meritor të heroit, si duket po afron, me përfundimin e rrugëtimit të tij të gjatë mesenjëshekullorë për të mbërri përfundimisht në vendlindje, dhe pushuar përgjithmonë në amshim, atje ku edhe pati ardhë në jetë, bashkimi kombëtar jo vetëm se ende nuk arriti të gjejë një zgjidhje fatlume, por një Zot e di se kur dhe si do të realizohet ky ideal, pa heronj si Isa Buletini me shokë. Lavdi!
Gani Bajram Qarri-Cyrih
Archives for June 2015
Jo i nderuar Akademik- ZOTI NUK ME SHPERBLEU!
Unë protestoj përditë ndaj kësaj qeveria por ZOTI nuk më shpërbleu/
Nga Arben LLALLA/
Akademiku i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë Abdylmenaf Bexheti ka deklaruar se të protestosh kundër qeverisë së VMRO-BDI të shpërblen edhe ZOTI. Si publicistë kam protestuar kundër qeverisë së VMRO-DPMNE që në vitin 2007, por ZOTI nuk më shpërbleu, dhe unë nuk kam protestuar që të shpërblejë ZOTI, por për të ndërgjegjësuar njerëzit, për ti zgjuar nga gjumi. Ju i nderuar Akademik jeni njeri nga ata njerëzit e vonuar që jeni ndërgjegjësuar për të protestuar, bile jeni ende përgjumësh. Ngatërrimi i ZOTIT në protestë nga ana e akademikut Bexheti, është një punë jo e hishme dhe kjo sjell ngatërresa të mëdha. Si do të ndihen ata shqiptar që nuk do të protestojnë më 13 Qershor nga ana e ZOTIT sipas mendimit të Mehnaf Bexhetiti? Mesa di unë RDSH dhe RDK nuk do të protestojnë, sa keq do më vij sepse ZOTI i Menafit nuk do ti shpërblejë këta dy subjekte në të ardhmen!
Ju z.prof. Bexheti jeni zgjedhur akademik në vitin 2012, kur ishte po kjo qeveri e VMRO-BDI, që sot bëni thirrje për shpërblime edhe nga ZOTI nëse protestohet kundër saj. Përse ju keni pranuar të jenë anëtarë i një Akademie që më 2009 botoj Enciklopedinë ku ofendonte shqiptarët dhe fqinjët e tjerë? Nëse ju z.Abdylmenaf Bexheti doni të protestoni seriozisht bëheni pa maskë, dorëzoni librezën e anëtarit të Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, përplasjani në fytyrë burrërisht dhe mos u fshihni pas gishtit. Ju nuk keni nevojë të jenë anëtar i një Institucioni që përgatit strategjinë për zhdukjen e kombit tuaj, për ofendimet e gjuhës, kulturës dhe traditave tuaja familjare. Nga kolltuku i butë i akademikut çdo kush mund të flasë, të krekoset, por hajdeni profesor, dilni jashtë zyrave dhe vihuni në ballë të çdo proteste pa asnjë përfitim karriere politike. Tek e fundit ju e keni mbyll prej vitesh derën e karrierës politike, prandaj nuk duhet tju pengoj diçka që të protestoni me populli.
Të protestosh kundër kësaj qeverie të keqe është një gjë shumë normale që duhet bërë, por kur këto protesta organizohet me përçarje, me prapavija për karrierën politike të disa individëve, mendoj se nuk është e drejtë dhe nuk do arrihet qëllimi kryesor, ai për rrëzimin e shpejtë të qeverisë.
Përderisa masës së popullit i mungon koka e dashit, i cili nuk do jetë egoistë, shqiptarët ende do të vuajnë nga virusi i përçarjes sepse koha ka treguar se egoizmi-unizmi ka mundur çdo gjë.
Sot më shumë se kurrë kërkohet që liderët e lëvizjeve të reja politike të zhvishen nga paragjykimet, të jenë më seriozë, të ndahen nga egoizmi për karrierë personale dhe të rrethi të ngushtë shoqëror. Të shikojnë mundësinë e krijimit të këshillit për koordinimit e politikës midis partive, shoqatave, të iniciativave qytetare, etj. Pa një këshill koordinimi çdo iniciativë është e dënuar të dështojë. Problemi i bashkimit apo gjuhës së përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni ka bërë që klasa politike të mos kenë një program koordinimi afat gjatë për zgjidhjen e problemeve që ndeshin shqiptarët këtu. Duke bërë që shpeshherë shqiptarët të jenë të papërgatitur përballë ndryshimeve të mëdha politike që po ndodhin këtë periudhë. I shkruaj këto rreshta për ata që kanë mend e duan mend, e jo për ata që nuk kanë mend e nuk duan mend, dhe mbi të gjitha këto sigurisht “ia them nuses që t’i dëgjojë vjehrra”. Dhe në këtë rast “vjehrra” është udhëheqja politike që i uroj të mos ketë “vesh të rëndë” këtë herë përpara ndryshimeve të mëdha që po ndodhin në riciklimin e politikave brenda Maqedonisë dhe jashtë saj.
UNË, ISA BOLETINI
UNË, ISA BOLETINI – poezi nga “Lufta Kryengritëse”/
Hapeni rrugën njerëz të flamurit/
Hapeni rrugën njerëz të nderuar/
jam Isa Boletini trim i kryeherit/
Me vete i kam të gjitha betejat/
Këtë liri që gjaku ynë e mbolli/
duajeni është e juaja, ndërtonjeni/
Kosova kujtoj është e mençur/
Shqipëri e Kosovë ju kam nënë/
Hapeni rrugën qytetar të nderuar/
duajeni njëri- tjetrin, bashkohuni/
vij nga stërgjyshërit e lashtë, nga/
pleqtë me 10 mijë, e 13 mijë vjet/
Kosovë, jam Isa, jam dardani yt
Kosova e lirë më solli mes jush
Kosovë o nënë, fshima sot lotin
se historia asgjë askujt s´i falë
Luftuar kam Krajlin e Serbisë
Pashanë e turkut dhe Malin e Zi
Plagët në trup i kam shok udhe
armikun mik kurrë se kam bërë
2
—————————————
Në Boletinin ku unë jam lindur
kumbues është guri i daulleve
paqja dhe lufta, toka dhe stuhitë
këtu e kanë të njëjtën moshë
Kosovë, jam Isa, bir i kryeherit
po ju pyes, a jeni njeh së afërmi
po dëgjoj, shumë jeni degëdisë
Kosova qenka pakëz e vogëluar
Në Boletin kam plisin e gjyshit
veshjen e luftës dhe të dasmave
u ktheva në lavdinë e betejave
të kremtoj edhe unë sot me ju
Që liria e fituar të ketë shëndet
pyes, Azemi a është në Drenicë
pyes Hasani a është n´Prishtinë
Molla kuqe pse qahet në Shkup
Kosovë, kremto mos u shqetëso
Shqipëri është dhe Boletini im
U kënaqa me daullet e fitores
dhe këngën kuqezi të flamurit!..
3
—————————————
Në këtë botë me shumë trazira
të gjitha kohët i kemi në duar
fjalë e tiranëve ende dëgjohen
ka që kërcënojnë atë që fituam
Nuk mjafton të jesh Mbinjeri
Historia askujt asgjë s´ i falë
mendja njeriut si kap të gjitha
Shqipëri e Kosovë ju kam nënë
Duajeni atdheun, mos ia ktheni
Shpinën, babëzitë janë shumë
Këtë liri që gjaku ynë e mbolli
është fitorja që sot po festojmë…
Në këto gjëmime të historisë
Jem pjesë e luftave të mëdha
burra, sot kam 1 plagë më pak
që ta përjetoj këtë çast me ju
O Dritë e këngëve të shtëpisë
Asgjë s´kemi ngrënë dhe pirë
nga argjendet që i ka Kosova
unë jam një pikë uji para lumit!..
4
—————————————
Kosovë, Shqipëri, dhe Çsmëri
trim më bëri dashuria për ju
unë e pata guximin për lirinë
që t´i dalim zot vetë dheut tonë
Kjo kuantikë heroike e atdheut
është pjesë e gjaktë e historisë
pjesë e jetëve tona të jetuara
pjesë e mendjes të këtij populli
Po vij nga më të lashtit e tokës
në një qytet tjetër të të lashtëve
gjuha e eshtrave sot flet qartë
ADN-ëja sot shkruhet e lexohet
Liri e kombit më të qytetëruar
popull i flamurit më të bukur
jepi krahë lirisë tuaj, dhe krijo
uji i thëllimave e shton bukën
Në këtë tokë të pasur me lufta
asgjë s´ka më të shenjtë s´e liria
Kosovë, kam ADN e këtij dheu
Shqipëri e Kosovë sot jemi një!..
Rrustem Geci – Dortmund, Qershor, 2015
Meta, mielli, vota…Mjerë Shqipëria!
Nga Fatmir Lamaj- ish i burgosur politik/
Ethet elektorale te 21Qershorit janë shtrir anembanë vendit, por dukshëm nga herët e tjera pamja sipërfaqësore e këtyre zgjedhjeve, pamvarësisht nga disa incidente të konstatuara të cilat mund të quhen të pranishme në raste të tilla. A do të jenë të lirë shqipëtarët të votojnë të pandikueshëm këtë herë? Unë nuk e besoj! Duke pasur parasysh atë që ndodhi në 2013 mendoj se edhe këto zgjedhje do të jenë një dukuri e përsëritur e tyre. Saliu në 2013 e kishte të pamundur fitoren, por jo atë humbje poshtëruese të 1 milion ( shuplakave ) e cila e nxori knockout atë dhe partinë e tij. Vota në 2013 u shit e u ble si një plackë tregu jo me shumë vlerë, me paratë pa origjinë të qarqeve të caktuara që kishin të vetmin qëllim, rrëzimin e Berishes… Berisha ra. I fituari i madh i atyre zgjedhjeve nuk ishte Rama, por kryeustai shitblerjeve të votave Ilir Meta, i cili aktin e shitblerjes të votës e ka kthyer në një lloj akti unikal duke e shndërruar atë në një dukuri negative që do ta quaja metizëm. Metizmi është bërë sot fenomeni sundues i gjithë politikës shqipëtare. Ai është i vetmi mekanizëm që blen dhe shet vota kur i duhet për zgjedhje presidentësh apo shefa institucionesh kushtetuese, që kërkojnë shumicën e cilësuar për tu zgjedhur, sidomos para ndyshimve kushtetuese të 2008. Metizmi ka filluar që me rënien e Majkos, kur ai i përcjell nga vet shoku i tij i ngusht, mbas mbledhjes së KPD-së së famshme, po ecte në atë orë të vonë i zhytur në zhgënjim drejt c’fronëzimit si kryeministër i këtij vendi. Mbas disa ditësh “shoku” i tij i ngushtë Ilir Meta, i zuri vëndin me bekimin e Nanos. Tashmë dihen bëmat e Ilir Metës si kryeministër, ku del bilanci më negativ i një kryeministri të tranzicionit të tejzgjatur shqipëtar. E filloi me shitjen e AMC-së grekëve, si e para dhe e vetmja kompani celulare për disa vite me radhë dhe si e vetmja mundësi për ato kohë të vështira, që prindërit shqipëtar të kominikonin me fëmijët e tyre në emigracion. Kjo kompani i’u zhvati shqipëtarëve të varfër dhe në mjerim, qindra milion ose ndoshta miliarda euro, duke abuzuar tejskajshmërisht me shërbimet e saj të pakontrolluara dhe të inkujaruara nga hesthja e shtëtit shqipëtar. Kuptohet, heshtja e atij që dëmton paguhet. Vjedhja e floririt në thesarin e shtetit mbetet akti më i rënd në historinë e qeverisjes Meta, e cila u mbyll me një fund qesharak më gjetjen e fajtorit të vertet… E vodhi një fshatar me gomar nga Peza, ha ha ha. Rrugët që u shtruan në kohën e Metës janë ribërë disa herë. Shikoni autostradën Tiranë-Durrës etj. Abuzimet në dogana e tatime dhe kudo ku vileshin të ardhura nga buxheti i shtetit, arritëm rekorde të frikshme duke u licensuar si dicka fare normale. Sot nga kjo sëmundje e trashëguar, zor se do të shpëtojmë ndonjëherë dhe sidomos tani kur metistët kanë uzurpuar të gjitha institucionet ku bëhet kontakti me lëkun. LSI që në fillim u krijua si intrus interesash, duke mbledhur rreth vetes njerëz të etur për para, dhe të zbrazët idealisht dhe politikisht duke u kthyer në lëvizjen skrapallishte për përfitim, dmth LSP. Rikualifikimi politik i Metës në zgjedhjet e 2009, i kushtoi shtrenjt jo vetëm PD-së e Berishës, por gjithë skemës politike shqipëtare si dukuria më negative e postkomunizmit. Cdo tentativë justifikuese se Shqipërisë i mungonin partitë e qëndrës, sic mundohen të bëjnë disa pseudoanalistë, duke pasur parasysh kontekstin aktual të zhvillimeve politike në Shqipëri, ose është e paguar prej atyre që s’ju mungojnë paratë ose në të kundërt, është një produkt mjeran i mëndjeve që e konceptojn realitetin politik në Shqipëri, jashtë përmasave të saj reale. Politika shqipëtare sot është një kaos dhe në kaos nuk ka pole apo qëndër. Meta në cdo marrëveshje di të bëjë pazare për të dalë i fituar, por të humbur gjithmon dalin ata me të cilët ai bën marrëveshjet. Rama zgjedhjet e 2013 i fitonte edhe pa Metën, Berisha kishte rënë. Me Metën unë besoj se ai i ka humbur ato zgjedhje sepse, rilindja si një ëndërr e bukur për të gjithë ata shqipëtar që kërkonin ndryshimin, vdiq pa lindur ende në shtratin e ndotur të marrëveshjes së 1 Prillit. Rilindja u kthye në gënjeshtër, ditën e gënjeshtrave. Militantët dhe anëtarët e thjeshtë të PS që u hoqën zvarr për 8 vjet të sillnin partinë e tyre në pushtet, tani janë sërisht pa punë dhe enden rrugëve të zhgënjyer ( kuptohet jo të gjithë se kudo ka pelivan ). Sot në vend të tyre janë ata që ishin dhe dje pjesë e administratës Berishiane dhe sërisht kapardisen nëpër kolltuqet e rehatshme me një pameritësi fyese, për këdo që sakrifikoi dhe besoi për 8 vjet në opozitë. Kohët e fundit të ardhurat në buxhetin e shtetit nga doganat dhe tatimet kanë rënë ndjeshëm, sepse lukunia e uritur e cakenjëve LSI-stë, duhet jo vetëm të marrin pjesën e tyre, por duhet të paguajnë tatimdetyrimin në arkën e partisë. Duhen para për të fituar sa më shumë pushtet në zgjedhjet që po vijnë. Sinjalet shqetësuese që vijnë nga terreni tregojnë cdo ditë e më qartë se kjo lukuni do të bëjë batërdinë në shitblerjen e votave duke u turrur c’frenueshëm drejt kutive të votimit sipas porosisë së partisë. Partia kërkon sakrifica dhe ato duhen dëshmuar! A do të triumfojë metizmi, dmth shitblerja e votave në 21 Qershor?! Të shikojmë. Vota e lirë është shpirti i demokracisë. Cdo deformim i saj e con atë drejt vdekjes së sigurt. Demokracia shqipëtare që ndodhet sot në një lëngim të vazhdueshëm, po vuan pasojat e këtij fenomeni që riciklohet herë pas here nga ata që duan pushtet për para e para për pushtet. Metizmi po i shtrin cdo ditë e më shumë metastazat e veta kanceroze në jetët e shqipëtarëve, duke u kthyer në një shpresvrasës e një gijotinë ëndrrash për ta. Sot shqipëtarët janë një popull në arrati, ku vetëm pamundësia për t’u larguar nga ky vend ka zvëndësuar klonin e dikurshëm të diktaturës. Europa kthen shqipëtarët e dëshpëruar e të rraskapitur dhe kërcënon me heqje vizash. Ajo duhet të bëjë përgjegjëse politikën shqipëtare për gjëndjen e mjerueshme ku ndodhen sot shqipëtarët. Shqipëtarët sot përjetojnë dhimbshëm një vdekje për së gjalli në atdheun e tyre që është kthyer në një varrezë gjigande për këdo që është i ndershëm dhe i drejt, dhe parajsë për cdo horr e bandit, kusar e kriminel. Ne sot jemi kthyer në një popull të pafuqishëm nga një pamundësi e detyruar për të ndryshuar këtë gjëndje ku jemi nga deformimi i vazhdueshëm i votës dhe nga kornizat e hekurta që ka krijuar sistemi në përcaktimin e saj. Ky sistem zgjedhjesh u bë terren i favorshëm për lindjen, vegjetimin e harlisjen e metizmit, i cili sot harbon pa zot, i shpenguar në shkretëtirën saharjane të politikës shqipëtare. 21 Qershori po afron, thesat me miell janë bërë gati për të blerë votat e shqipëtarëve, si dhe paratë, produkt i korrupsionit të vazhdueshëm për tu hedhur pakursim gjithandej. Shqipëtarë, cdo thes me miell që merrni sot të detyruar për bukën e gojës së fëmijëve, ai shndërrohet në një grusht helm. Cdo 5 mij leksh kthehet në prangosje dhe pamundesi për të ndryshuar me votën tuaj atë që dëshironi ju, duke i dhënë kështu mundësi e përmasë riskllavërimit komunist. Mjaft vuajtëm nga paraardhësit e këtyre që janë sot në pushtet, por si duket komunizmi vazhdon të ripërtërijë vetvetën nëpërmjet pinjollëve të vet në forma të sofistikuara si pseudodemokracia, neokomunizmi apo metizmi.
Mjer Shqipëria
Mehdet politika
50 vjet Nexhmia
25 Monika
“Pakt me të hënën” i Istref Haxhillarit
Nga Përparim Hysi/
Zakonisht, për çdo mesditë,e marr një sy gjumë. Është bërë stereotip i pandreqshëm ky”sygjumi” im,sa, po ndodhi që të ma prishë dikush, mos kujtoni se do shpëtojë pa ndonjë mallkim. Se, tek zë e ta shtëlliz më tej këtë lloj çlodhjeje që aq më pëlqen, dua që t’ju them se ka më keq se sa unë. Dhe mjafton të më ndiqni e do shihni mandej: kam apo nuk kam të drejtë në “mallkimin” tim? Në Tiranë paska qenë një Vasil, i moçëm dhe ky si unë, aty nga shtatëdhjetat që aty nga ora 20 e mbrëmjes binte në gumë dhe, mandej, sikur topat e Allemanjës të binin, nuk çohej deri në mëngjes. Rronte me të shoqen dhe, për pesëdhjetë e kusur vjet , kjo ia kish mësuar huqin dhe kurrë nuk ia prishte ajkën.
Mirëpo shiko seç na ndodh. Ky, Vasili, na paskësh patur një vëlla ikur që në kohë të “merhumit” në Amerikë dhe, kur u hapën “portat” dykanatshe, vëllai lajmëroi që do vinte. Prit e prit dhe duket, kur kaloi ora 20, Vasil “Huqliu” fiu dhe në krevat. Aty nga ora 21 mbrriti, pas tridhjetë vjetësh, kurbetliu, Vangjel. E shoqja, po kur e quanin dhe atë Vasilika, drejt e tek krevati:- Çohu Vasil, se erdhi Vangjeli!
-Aha,- tha “Huqliu”,- jam në gjumë!!! Nesër,- i thuaj Vangjelit…
* * *
E solla këtë përqasje , se dhe mua kështu më ndodhi. Desh e bëra, si Vasili, po të lë Istrefi?! Kur them Istrefi,e kam fjalën për prozatorin e bukur Istref Haxhillari. Dhe jo vetëm ai, por dhe mikja jonë e përbashkët, MERI LALAJ. Kjo, pasi më dha dy libra të Istrefit, më mori në telefon dhe më tha:- I ke me kontratë. Romani është për Lidën (Lida Laze)dhe”Pakt me të hënën” është imi. Domethënë, unë qeshë vetëm një “i pajtuar me qera”. M’u kujtua kënga e “Qeraxhiut” që aq bukur e këndon e bukura ELI FARA “… qeraxhi të kam vëlla/ ma sill burrin me qera”. Pra jam pajtuar me “qera” tek Istref Haxhillari. Dhe si “qeraxhi”, po paguaj doganën.
Që është prozator nga më të mirët, Istref Haxhillari, këtë nuk e them vetëm unë, por është dëshmuar me çmime jo vetëm brenda vendit, po dhe jashtë. Unë nuk nisem veç nga këto, por tek mora një “xhiro” me qera “Pakt me të hënën” e përzura dhe atë Vasilin me gjithë huq. E vetmja që u çudit, në këtë prishje stereotipi, është imeshoqe që më tha:-Ç’ të ka gjetur? Ty, dhe kur të vjen çupa me dhëndërrin nga Shkodra, nuk rri pa e marr atë sygjumë.
Hë,- zë e mbrohem,- më ka ardhur një “dhëndërr” me një rigë mustaqe që nuk më lë rehat.
-Po pse,- vazhdon ajo,- nuk pret ai.
-Jo,- i them,- jam vonë. Sot është e mërkurë dhe ai “paktin” e ka filluar që të hënën.
* * *
Më duket se ia hoqa, sadopak, petët lakrorit. Dhe ky,”lakrori” i Istrefit është jovetëm “petërëndë”, por bluar në “mokrra Mokrari”, me miell të bardhë nga grurë kuturli. Tek e lexon, herë ndjen që je nga Pogradeci dhe, ca më shumë, tutje nga Mokrra. Në nuk ke ndjerë deri atëherë për Mokrën, fillo dhe lexo dhe, po nuk u bëre mokrar, unë shpohem në dy sytë. Ka një penë perfide, Istrefi. Tek lexoj faqe pas faqe, zë e meditoj: duket që natyra me larushinë e saj; me terrenin e thyer malor; me pyjet pa mbarim dhe me atë liqenin mitik që pogradecarët e quajnë”Gjol”, sikur kanë një bekim qiellor nga Zoti. Se jo më kot edhe poeti më i bukur, i pavdekshmi Lasgush, por dhe prozatorit më i magjishëm, Mitrushi, kanë “pirë” ujë tek ky”Gjol”. Dhe mos kujtoni se këta të dy dhe nuk ka tjetër: për fat të mirë të Letërsisë Mbarëshqiptare, Pogradeci e ka faqen të bardhë: si në prozë,ashtu dhe në poezi.Sikur, për një çast, të sillja para jush vetëm disa prej tyre, nuk kishit si mos më jepnit të drejtë. Istrefi po; Bujar Balliu është i tillë. Kopi Kyçyku dhe, pema që bie nën pemë, Ardian Kyçyku. Meri Lalaj që lëvron sa prozën,aq dhe poezinë. Veç tjerash, kjo dishepulle e profesor Skënder Lauarasit na ka dhënë shqip Anna Ahamatovën dhe Sergej Eseninin. Po mund të përmend, Misto Markon dhe poeti që vë” Xhindët të kërcejnë polka” që quhet Dhmitër Pojanaku; po Irini Nanushin e Liri Seitllarin e të tjerë.
* * *
“Pakt me të hënën” vërtet që është libër artistik, po, tek e shfleton, duket sikur të bën “pjesëmarrës” në këtë lloj pakti dhe të ndodhë si me atë rrëfenjën e qëmotshme: dha dy groshë e hyri në valle, dha pesëqind e nuk doli dot. Tek “Pakti…” njihesh me ngjarje e figura historike të cilat të bëhen aq të përafërta,sa të vjen keq që të ndahesh me to. Në ndodh kështu, pa dyshim, që merita është e Istref Haxhillari që nuk të lodhë duke zgjatur e stërzgjatur as frazat dhe as faqet. Kur lexon për Nikolla Naçon, Gjergj Pekmezin, Ali Kuçin, Atë Gjergj Fishtën, figura me një peshë relevante të veçantë, nuk ke se si mos ia dish këtij, Istref Haxhillarit.
Një kapitull më vete, por aq mbresëlënëse, është Mokra me gjithë mokrarët e saj: të nderuar e ballëbardhë ndër luftra, por dhe në vitet e paqes. Aq bukur dhe aq “imtësisht” shkruan për Mokrën, sa ti,sado që nuk ke qenë atyre anëve, tak dhe bëhesh vendali. Mua më duket se jam dhe unë nga Dunica. E sa për ata personazhë aq të gjallë, më duket se, po dhanë ballë këtyre anëve, kam borxh t’u dalë përpara dhe t’ju them:- Ç’kemi andej nga Dunica? Po nga Mokra? Ç’ të afërm ka lënë ai Xhaferri i Files? Po Sami Leka? Po Fari Muça? Ai, Flori Slatinja, ç’bën këtej Tiranës apo me trup këtu dhe me shpirt tutje Mokrës?- Ka ardhur ndonjë nga Osnati?
Dhe mund të vazhdoja të pyesja për Trebinjën për Zëmçën, për Llëngën me gjithë Kokoneshë…
Po ku mbarohen mbresat nga një “Pakt…” që e mora me “qera”. Qeraja qe e rëndë,aq sa më prishi gjumin. Po ç’pate, mor Istref Haxhillari? Sado me”qera”, po ia vlejti dhe”dogana”. Mokrar, mos t’u ndryshktë pena!
Tiranë, 10 qershor 2015
- « Previous Page
- 1
- …
- 52
- 53
- 54
- 55
- 56
- …
- 79
- Next Page »