• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2026

KUR HISTORIA TROKITI NË DERË

March 24, 2026 by s p

“Liria erdhi—po a u ndërtua shteti?”

Nga Frank Shkreli

Kujtime dhe emocione: Nga zbarkimi i delegacionit të parë amerikan në Tiranë, 20 mars 1991 e deri tek dështimet e zgjatura të tranzicionit shqiptar: një reflektim!

Kujtime dhe emocione nga vizita e parë në Shqipërinë e posa dalë nga errësira komuniste gjysëm shekullore – 20 mars 1991. Kjo ishte data e arritjes së delegacionit amerikan të parë zyrtar në Tiranë. Nga këndvështrimi i një pjesëtari të delegacionit të Departamenti i Shtetit i SHBA, udhëtimi drejt Shqipërisë në mars të vitit 1991, nuk ishte një mision rutinë diplomatik. Ishte hyrje në një realitet të panjohur për dekada – një vend që sapo kishte dalë nga izolimi më i thellë në Evropë.

Pas pothuaj 50-vjet komunizëm, izolimi ideologjik dhe politik, Shqipëria priti 15 marsin 1991 — rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të Amerikës — si një datë që do shënonte një kthesë historike për vendin. Me urdhër të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), një javë pas nënshkrimit të Memorandumit të (15 marsit 1991) në Uashington për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara — pa vonesë, Washingtoni ka vendosur të dërgonte delegacionin e parë diplomatik amerikan në Tiranë, “për përgatitjet dhe hapjen e misjonit diplomatik,,,” amerikan në Tiranë.

Mendime të hedhura

Kujtime dhe emocione – Për mua, arritja ime në Tiraanë më 20-Mars, 1991, me delegacionin e parë amerikan zyrtar në Shqipëri, plot emocione, nuk ishte vetëm një kthim në tokën e të parëve të mi, që i përkiste jo vetëm një personi si mua, por i përkiste edhe një brezi të tërë shqiptarësh, kundërshtarë të komunizmit, të arratisur nepër botë, ç’prej Luftës së II Botërore dhe më vonë. Një brez që kishte jetuar larg atdheut, por për dekada me mallin për atdheun e të pareve tanë, përjetësisht, të ndaluar ta vizitonim tokën e shqipeve. Por, me 20 mars 1991, vetëm pak ditë pas ngjarjeve historike të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri në Washington, (15, mars, 1991) toka shqiptare e të parëve të mi, për mua, por jo vetëm, nuk ishte më një ishull i ndaluar, as i izoluar më në hartën e Europës, por ishte një vend që sapo kishte filluar të merrte frymë në liri e demokraci. Delegacioni ynë u nis drejt Tiranës më 19 mars, 1991 me një ndjenjë përzierje mes përgjegjësisë historike dhe kureshtjes njerëzore. Mbërritja në një botë të mbyllur — që në momentin e zbritjes, ndjesia dhe përvoja jonë ishte e pazakontë. Aeroporti i Tiranës ishte shumë i thjeshtë, pothuaj i zhveshur nga çdo element modern të trasnportit ajror. Gjithçka dukej e ngrirë në kohë. Nuk kishte pamjen as gjallërinë e aeroporteve të tjera evropiane e amerikane; kishte një heshtje vrasëse që fliste më shumë se fjalët.

Një kthim në vendin e të parëve — Për një shqiptaro-amerikan si unë, me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe por i lindur në trojet iliro-arbërore sot nën Mal të Zi, kthimi në Shqipëri pas dekadash në mërgim, nuk ishte thjesht një udhëtim fizik. Por ishte një përplasje emocionesh: mall, dhimbje, shpresë, ndërsa duke parë gjëndjen e mjeruar politike dhe ekonomike të Shqipërisë në vizitën tonë mars/prill të vitit 1991, nuk e di se pse, por më mbuloi edhe një ndjenjë e thellë përgjegjësie, “guilt feeling” në anglisht, një ndjejnë faji. Për mua, pra kjo vizitë nuk ishte vetëm një mision zyrtar-shtetëror. Por ishte edhe një kthim shumë i vonuar në vendin e të parëve të mi – një tokë që për vite me radhë kishte qenë e pa-arritshme, pothuaj mitike, si për mua dhe për shumë bashkatdhetarë tanë. Shqipëria e imagjinuar në mendjen time gjatë viteve nuk përputhej aspak me realitetin që gjetëm në Tiranë dhe anë e mbanë atij vendi: një vend i varfër, i lodhur, megjithse me një shpirt të pathyer. Ndërsa avioni i afrohej aeroportit të Tiranës, ndjeva një përzierje emocionesh që është e vështirë të përshkruhet: mall, krenari, por edhe një trishtim i thellë për kohën e humbur. Pse, duhej të ishte kështu, pyesja veten.

Mbërritja në një botë të mbyllur– Delegacioni ynë u nis nga Washingtoni drejt Tiranës më 19 mars, 1991 ssisçp thashë më lartë, me një përzierjeje ndjenjash tëtë pa kontrolluara mes përgjegjësisë historike, misionit të detyrës profesionale dhe kureshtjes njerëzore. Që në momentin e zbritjes, ndjesia ishte e pazakontë. Aeroporti i Tiranës ishte shumë i thjeshtë, pothuaj i zhveshur nga çdo element modern të trasnportit ajror. Gjithçka dukej e ngrirë në kohë. Nuk kishte pamjen as gjallërinë e aeroporteve të tjera evropiane e amerikane. Aeroportin e Tiranës e kishte mbuluar një heshtje vrasëse që fliste më shumë se fjalët.

Ballë-përballë me realitetin — Shqipëria e marsit 1991 nuk ishte siç paraqitej në revistat propagnadtiskie të Tiranës komuniste që i shpërndante anë e mbanë botës për “sukseset” e komunizmit shqiptar dhe as ajo e kujtimeve të trashëguara, apo e rrëfimeve të idealizuara të mia ose të tjerëve. Shqipëria komuniste ishte një vend i xhveshur nga mjaft tradita, i rraskapitur nga varfëria, i zbehur nga izolimi dhe i lodhur, shpirtërisht dhe fizikisht, nga abuzimet dhe vuajtjet e njerzëve nga një regjim diktatorial komunist që për pothuaj një gjysëm shekulli kishte shtypur lirinë dhe të drejtat themelore të shqiptarëve – një regjim që nuk kishte shok në botë për nga trajtimi barbar i shtetasve të vet. Frank Shkreli: Kështu e gjetëm Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe të Ramiz Alisë, 30-vjet më parë | Gazeta Telegraf – Një regjim që kishte izoluar Shqipërinë nga bota dhe kishte shuar iniciativën dhe besimin e shqiptarëve ndaj çdo të mire dhe vlerave, jo vetëm në vetveten, por edhe në besimin e tyre në Zotin – një regjim që si asnjë tjetër në botë, kishte shpallur Shqipërinë, “si vendi i parë ateist në botë”. Rrugët ishin të heshtura, ndërtesat të zymta dhe njerëzit – megjithëse të etur për ndryshim – mbanin ende, në sy dhe në fytyrë, hijen e frikës nga regjimi dhe nga Sigurimi i Shtetit.

Rrugës nga aeroporti, drejt qendrës së Tiranës, pamjet ishin tronditëse: ndërtesa gri, infrastrukturë e rrënuar dhe një mungesë e theksuar e jetës ekonomike. Por edhe në këto kushte të vështira politike dhe ekonomike, ajo që binte më shumë në sy ishte kontrasti midis varfërisë së theksuar materiale dhe ngrohtësisë njerëzore me bashkbiseduesit e rastit. Ato që mbeten më të gjalla në kujtesë nuk janë sallat e mbledhjeve, as takimet zyrtare por kontaktet e drejtpërdrejta me njerëzit e zakonshëm. Në rrugë, në hotel Dajti, apo në biseda të shkurtra spontane me njerëz të thjesht, ndjeje një etje të jashtëzakonshme të tyre për komunikim me njerëz të botës së jashtme. Shumë prej tyre nuk kishin parë kurrë një amerikan.

Kur mësonin se ishim nga Shtetet e Bashkuara, reagimi ishte i menjëhershëm: kureshtje, respekt, por edhe një lloj shprese që nuk mund të fshihej, megjithë frikën që ende kishin nga regjimi komunist ende në fuqi. Por dallohej një dritë e re shprese se, më në fund, liria po agonte në atdheun e të parëve të mi. Takimet me njerëzit mbeten ndoshta momentet më të fuqishme të vizitës. Nuk ishin ato zyrtare, por ato të thjeshtat: shtrëngimet e duarve, përqafimet me të panjohur – që pasi merrnin vesh se unë vija nga Zëri i Amerikës ku kam shërbyer për tre dekada — më trajtonin si të tyrin. Më kanë mbetur në mbresë sytë që mbusheshin me lot kur dëgjonin se një delegacion zyrtar kishte ardhur, për herë të parë në Shqipëri në 50-vjet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte pra një Shqipëri që kërkonte të rilindte, dhe njerëzit e saj, edhe pse të varfër në mjete, ishin të pasur në dinjitet dhe me shpresë se ditë më të mira do agonin për veten, familjet e tyre dhe mbarë Kombin.

Takimet zyrtare dhe nënteksti i tyre –Takimet me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare ishin të kujdesshme, shpesh të ngarkuara me formalizëm dhe një lloj pasigurie të ndërsjellë. Ata po përpiqeshin të hapeshin ndaj botës, ndërsa ne përpiqeshim të kuptonim se deri ku ishte real kjo dëshirë për transformim të vërtetë. Pas dekadash nën regjimin e Enver Hoxha, institucionet shqiptare mbanin ende gjurmët e një sistemi të mbyllur e fanatik. Gazeta Zëri i Popullit, si organ i Partisë së Punës në pushtet, nuk raportoi arritjen e delegacionit të parë amrikan në Shqipëri, deri pothuaj në fund të vizitës, kur antarët e delegacionit takuan Xhelil Gjonin, 2-3 ditë para se të ktheheshim në Washington. Megjithatë, pothuajse në të gjitha nivelet kishte shenja të qarta se një epokë kishte marrë fund dhe një tjetër po përpiqej të lindte.

Ndjenja e detyrës dhe e përgjegjësisë – Për mua, ajo vizitë si pjesëtar i një delegacioni zyrtar amerikan, në atë kohë dhe në atë vend, nuk ishte vetëm emocionale që më kujtote historinë e tmershme të komunizmit në atë vend, vuajtjet e shumë familjeve që njihja në mërgim, por njëkohsisht, ajo ishte, njëkohsisht, edhe një thirrje për një të ardhme më të mirë për atë vend. Ishte një thirrje edhe për diasporën shqiptaro-amerikane – si individë dhe si komunitet — që në atë moment të historisë, të mos mbetej spektatore, por të bëhej pjesë aktive e rindërtimit moral, politik dhe ekonomik të vendit. Sepse rënia e komunizmit – siç jemi dëshmitarë sot 35-vjet më vonë, nuk ishte fundi i një beteje – por ishte vetëm fillimi i ngadalt i një prove shumë më të vështirë e më të ndërlikuar — e që është vendosja dhe ndërtimi i lirisë, vlerave të demokracisë dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut për të gjithë shqiptarët, pa dallim, në një vend që nuk kishte parë as nuk kishte përjetuar vlera të tilla në historinë e tij. Thirrja e atyre ditëve, ashtu siç është ende edhe sot, 35-vjet më vonë, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, reklamohej ato ditë në rrugët e Tiranës, e që vazhdon të mbetet një ëndërrë e pa realizuar e shqiptarëve, sot e kësaj dite.

Një kujtim që mbetet — 20 marsi i vitit 1991, nuk ishte vetëm një datë në kalendarin e historisë shqiptare. Por ështe një moment i kthimit të shpresës, i ribashkimit fizik dhe shpirtëror të shqiptarëve nga kudo ishin por edhe e një premtimi të heshtur se Shqipëria nuk do të mbetej më kurrë e izoluar nga bota dhe nga bijtë e saj të përjashtuar e të dëbuar në mërgim — të arratisur si kundërshtarë të regjimit sllavo-aziatik komunist. Nga Washington, D.C. në Tiranë, historia e shqiptarëve në pragun e vitit 1991 nuk ishte thjesht një rrugëtim diplomatik por ishte një rikthim shpirtëror, një ribashkim vlerash dhe aspiratash që kishin mbijetuar përtej oqeanit dhe përtej dekadave të izolimit komunist. Në njërin kryeqytet, zemra e botës së lirë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishin ruajtur dhe kultivuar zërin e shqiptarëve përmes diasporës dhe institucioneve si Zëri i Amerikës. Në tjetrin, në Tiranë, një popull i tërë priste me padurim hapjen e një dere që për shumë kohë kishte qenë e mbyllur me dry ideologjik.

Dhe për ata që patën fatin e përjetuan atë kthim të parë si unë në atdheun e të parëve – ajo ditë dhe ajo vizitë për mua mbetet një plagë e hidhur por e ëmbël, njëkohësisht: po, edhe si një kujtesë e dhimbjes së krimeve të diktaturës komuniste por edhe e besimit kokëfortë të një shprese kundër shpresës se çdo gjë do të bëhet mirë. Por edhe një kujtesë e embël, gjithashtu, bazuar në një besim dhe shpresë më reale dhe shpresëdhënëse për një të ardhme më të mirë, për të gjithë shqiptarët, pa dallim, brenda dhe jashtë Atdheut. Se krimet e shqiptarit kundër shqiptarit, në emër të komunizmit dhe të këqiat e regjimit komunist në Shqipërinë e shkeullit XX nuk do të përsëriten më në ato troje iliro-arbërore.

Një moment që kapërcen gazetarinë dhe diplomacinë – Dhe më në fund, për ne si anëtarë të delegacionit, megjithë vështirsitë që hasëm gjatë asaj vizite, mbeti bindja se kishim qenë dëshmitarë të një momenti historik – një fillimi të brishtë, por të domosdoshëm për atë popull të vuajtur. Hapja e ambasadës amerikane në Tiranë ishte më shumë se një akt diplomatik. Ishte një simbol i fortë i kthimit të Shtetetve të Bashkuara në Shqipëri pas 5-dekadash dhe i kthimit të Shqipërisë në komunitetin ndërkombëtar perëndimor, aty ku e ka vendin historikisht, dhe njëherazi ishte edhe një një mesazh i qartë se vet-izolimi komunist i Shqipërisë kishte marrë fund. Dhe se Shqipëria po me hapa të pasigurt por të vendosur po shkonte drejt botës së vlerave demokratike. Për mua, si shqiptaro-amerikan dhe si anëtar i atij misioni, ai moment historik mbetet ndër më të rëndësishmit e jetës sime. Ishte një bashkim i identitetit personal me detyrën profesionale – një rast që, rrallëherë, historia dhe jeta individuale, ecin në të njëjtin drejtim.

Kthimi për në Uashington – Por ndërsa po largohesim nga Tirana pas asaj vizitë historike për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ma merrte mendja se ajo vizitë nuk ishte fundi i një udhëtimi, por fillimi i një angazhimi më të madh – për të ndihmuar, për të dëshmuar dhe për të mos harruar kurrë se ku ishin rrënjët e mia dhe të familjes time. U largova së andejmi edhe me ndjenjën e falënderimit të thellë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj për mua, kjo histori nuk është thjesht një kapitull i lexuar apo i analizuar—është një përjetim i jetuar dhe një kujtesë e paharruar. Si pjesë e atij delegacioni të parë amerikan që zbriti në Tiranë në 20 marsin e vitit 1991, pata privilegjin të isha dëshmitar nga afër i një kthesë historike për atdheun e të parëve të mi dhe për atdheun tim të adaptuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prandaj, mbi çdo vlerësim kritik për atë që erdhi më pas, ajo vizitë mbetet një ndjenjë që nuk ndryshon: mirënjohja e thellë për atdheun tim të adaptuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen historike të pavarësisë, të lirisë dhe vlerave të demokracisë për Kombin shqiptar nga shpallja e pavarësisë e deri në ditë e sotëme. Sepse në atë çast vendimtar të muajit mars, 1991, Amerika nuk ishte thjesht një aleat, mike dhe mbrojtëse e vjetër e të drejtave të shqiptarëve — por ishte dhe mbetet si një “qytet që shkëlqen mbi një kodër”, sipas Ronald Reagan-it. Si një një dritë orientimi për një popull që po dilte nga errësira e komunizmit — megjithse nuk pretendon të jetë vetë e përsosur. Fan Noli ka thënë se “Shqipëria i ka shumë borxhe Amerikës”. Prandaj një komb që njeh historinë e tij, nuk harron kurrë dorën që iu shtri në ditën e parë të lirisë dhe gjatë historisë. Sot e 35 vjet më parë, liria erdhi për Shqipërinë, por sot pyetja është dhe mbetet aktuale: a u ndërtua shteti i ligjit dhe i vlerave demokratike që shqiptarët donin e dëshironin!?

Njerëz të ndryshëm mund të kenë përgjigje të ndryshme ndaj kësaj pyetjeje, bazuar në bindjet e tyre politiko-partiake dhe në rrethanat e tyre ekonomike. Megjithëate, sot, 35vjet më pas, kjo datë duhet të mbetet pikë historike referimi. Ajo na kujton se demokracia nuk erdhi si dhuratë, por si një mundësi që duhej ndërtuar me përpkjekje, përgjegjësi dhe vizion. Por mbi të gjitha na kujton se marrëdhënia shqiptaro-amerikane nuk është dhe nuk duhet të jetë vetëm një aleancë strategjike — ndonëse edhe kjo e ka rëndësinë kritike për mbijetesën e Kombit shqiptar – por të jetë mbi të gjitha një lidhje e thellë vlerash dhe aspiratash të përbashkëta midis dy kombeve tona. Prandaj, vizita e parë zyrtare amerikane e 20 marsit, 1991 nuk ishte thjesht një zbritje turistike e rastit për katër amerikanë në aeroportin e (Rinasit) në atë kohë, por simbolizonte edhe fillimin e një ngritjeje morale e politike të një Kombi nga errësira komuniste gjysëm shekullore — drejt një horizonti të ri lirie e demokracie.

Këto ishin disa kujtime dhe emocione personal nga data e arritjes së delegacionit të parë zyrtar të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, 20 mars, 1991, pjesë e të cilit kam patur nderin dhe privilegjin të isha edhe unë. Por siç kam zbuluar më vonë, kjo ka qenë gjithashtu edhe dita, njëkohësisht, kur Sigurimi i Shtetit të regjimit komunist të Shqipërisë ka mbyllur, zyrtarisht, Dosjen e mbajtur për mua – pasi isha ndjekur nga agjentët e Sigurimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç dëshmon ky dokument nga Dosja zyrtare, nxjerrë nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH)

Filed Under: Analiza

ALBANIAN TEEN DANCING CLASSES

March 24, 2026 by s p

Join the Albanian American Club of Westchester for our Teen Albanian Dance Classes, a fun and energetic program designed for teens looking to connect with their culture through movement. Classes begin on Thursday, March 25th and will take place weekly from 7:00 PM to 8:00 PM at the Tuckahoe Community Center.

Through guided instruction and group practice, teens will learn traditional Albanian dances from various regions while building confidence, coordination, and teamwork. This program offers a welcoming and supportive environment where participants can stay active, make new friends, and celebrate their heritage through music and movement.

Program Highlights:

Weekly classes every Wednesday, 7:00–8:00 PM

Traditional Albanian dance instruction

Learn choreography from different regions

Build confidence, coordination, and teamwork

Fun, social, and culturally enriching environment

Who Can Join:

Open to teens of all experience levels

No prior dance experience required

Spots are limited—secure your place and join us on the dance floor!

Filed Under: Komunitet

Përpjekjet për të penguar zhvillimin e arsimit shqip pas fitores së revolucionit xhonturk

March 24, 2026 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Edhe pas triumfit të revolucionit xhonturk të vitit 1908 dhe dhënies së së drejtës për shkollimin në gjuhën shqipe, autoritetet osmane u përpoqën ta pengonin zhvillimin e arsimit shqip. Përmes burokracisë, mungesës së mësuesve të kualifikuar, buxheteve të kufizuara dhe presionit mbi komunitetet konservatore, shteti osman ishte angazhuar të kufizonte ndikimin e gjuhës dhe kulturës kombëtare shqiptare. Përpjekjet e xhonturqve për të imponuar alfabetin arab dhe për të nxitur përçarje fetare dhe krahinore ishin pjesë e strategjisë së tyre për të kontrolluar zhvillimin arsimor dhe për të frenuar afirmimin e identitetit kombëtar shqiptar.

Zhvillimi i lëvizjes kombëtare dhe i kulturës shqiptare pas revolucionit xhonturk përbënte një sfidë të drejtpërdrejtë për Portën e Lartë. Për ta frenuar këtë proces, autoritetet osmane u përpoqën të shfrytëzonin qarqet konservatore dhe reaksionare shqiptare, duke ndikuar mbi perceptimet fetare dhe shoqërore për të penguar konsolidimin e arsimit në gjuhën shqipe. Autoritetet osmane u përpoqën ta ruanin sistemin e mileteve, duke i mbajtur shqiptarët të ndarë sipas përkatësisë së tyre fetare, në mënyrë që kombësia e tyre të mbetej në plan të dytë. Qeveria xhonturke ishte e interesuar që shqiptarët myslimanë të mos merrnin tjetër arsim, përveç atij të ofruar në shkollat turke dhe në gjuhën turke, ndërsa shqiptarëve të krishterë u lejohej të mësonin në gjuhët e tjera, por jo në shqip. Nga aan tjetër, mungesa e mësuesve të kualifikuar, buxhetet e kufizuara, burokracia, vonesat administrative, prioritetet politike dhe ndjeshmëria ndaj ndjenjës kombëtare shqiptare penguan seriozisht angazhimin e shtetit për zhvillimin e arsimit shqip në shkollat shtetërore.

Ashtu si më parë, xhonturqit përpiqeshin të nxisnin përçarje fetare dhe krahinore mes shqiptarëve, duke promovuar përdorimin e shkronjave arabe për gjuhën shqipe. Përdorimi i alfabetit turko-arab, i nxitur nga ata, është konsideruar si pjesë e politikës së njohur “përçaj e sundo” dhe e ideologjisë panislamiste, dhe shpesh përshkruhet si një “mollë sherri” e hedhur qëllimisht midis shqiptarëve. Strategjia e Turqve të Rinj kundër arsimit dhe alfabetit kombëtar shqiptar, dhe më gjerë kundër kulturës shqiptare, mbështetej në tezën se vendimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për të përdorur alfabetin latin shprehte qëllime të fshehta për pavarësi të plotë të Shqipërisë, dhe se kjo nismë ishte rezultat i agjitacionit të diasporës shqiptare dhe intrigave të shteteve të krishtera, veçanërisht Austro-Hungarisë.

Në fillim të vitit 1909, Klubi Shqiptar për Arsimin i dërgoi një telegram Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar përfshirjen e gjuhës shqipe në programet shkollore bashkë me turqishten, si mjet për luftimin e analfabetizmit. Qeveria osmane pranoi se ndalimet e mëparshme për mësimin dhe botimet në gjuhën shqipe ishin të padrejta, sidomos duke marrë parasysh që komunitete të tjera brenda perandorisë mësonin në gjuhët e tyre amtare. Ndërsa shqiptarët synonin të krijonin një alfabet të përbashkët, për të parandaluar këtë rrezik, ata u përballën me pengesa të ndryshme nga ana e qeverisë osmane, e cila po përpiqej t’i mbështeste shqiptarët konservatorë dhe t’i mbante ata në anën e alfabetit arab, të osmanizmit dhe të islamizmit.

Patriotët shqiptarë, duke vënë re vështirësitë në hapjen e shkollave shqipe, bënë përpjekje për të përfshirë mësimin e gjuhës shqipe në sistemin shkollor shtetëror, si në shkollat turke ashtu edhe në ato greke, duke shënuar hapin e parë drejt kthimit të shkollave fillore në kombëtare. Përpjekjet e para i bënë Refik Toptani në Tiranë, Aqif Pashë Elbasani në Elbasan, Jani Minga në Vlorë, Nexhip Draga në Shkup, si dhe mësuesit dhe klerikët atdhetarë si Mulla Syla, Mulla Hamiti, Mulla Zeka dhe Mulla Dema në Kosovë. Konsulli Austriak në Manastir raportonte se “populli dëshiron që shqipja të mësohej në shkollat fillore turke”. Me këmbënguljen e atdhetarëve u arrit që gjuha shqipe të mësohej si lëndë e detyrueshme në të katër shkollat fillore dhe në shkollën gjysmë të mesme turke të Elbasanit, si edhe në shkollat greke të komunitetit ortodoks të këtij qyteti, ku u çel edhe një kurs nate për mësimin e gjuhës shqipe. Klubi i Elbasanit gjithashtu u dërgoi klubeve shqiptare mësues shëtitës.

Në fund të 1908-s dhe në fillim të 1909-s mësimi i gjuhës shqipe u fut edhe në gjimnazin turk të Manastirit, në shkollat shtetërore të Gjirokastrës, ndërsa në Korçë e në Kolonjë, meqenëse Qeveria e ndaloi futjen e gjuhës shqipe, shkollat turke dhe greke të qytetit u bojkotuan nga nxënësit shqiptarë dhe u mbyllën. Një arritje e rëndësishme e shqiptarëve të Kosovës ishte futja, në fund të vitit 1909, e gjuhës shqipe në gjimnazin turk të Shkupit, ku, sikurse theksohet në dokumentet e kohës, një meritë të veçantë pati edhe “prijësi i njohur i lëvizjes kombëtare, Bajo Topulli, i cili ndodhej në atë kohë në Shkup”.

Në muajt e fundit të vitit 1909 dhe në fillim të vitit 1910, çështja e alfabetit dhe e gjuhës shqipe mori përmasat e një lëvizje të përgjithshme popullore të të gjithë shqiptarëve. Përcaktimi për alfabetin e gjuhës shqipe kishte të bënte edhe me orientimin e Shqipërisë, nëse do të vazhdonte të mbante mendësi anadollake, apo do të hynte me guxim në rrugën e qytetërimit perëndimor.

Kongresi i Manastirit, Kongresi i Elbasanit, hapja e shkollave shqipe e kthyen vitin 1909 në vit të kthesës së madhe kombëtare. Shqiptarizma do të fitonte mbi pikëpamjet otomane të xhonturqve, ndjenja kombëtare do të ishte më e fuqishme se çështja fetare. Përballë këtyre arritjeve, përkrahësit e xhonturqve organizuan demonstrata në qytete të ndryshme të Shqipërisë në favor të alfabetit turk, duke bërë përpjekjen e fundit për të ushqyer përçarjen në mes të shqiptarëve”. Valiu i Kosovës, bashkë me deputetin Said Efendia kishte mbajtur mitingje në Sjenicë, Ferizaj, Gjakovë, Prishtinë, Shkup, Pejë, Gostivar, Dibër, Tetovë, Preshevë e gjetiu me qëllim bindje dhe heqje dorë nga shkrimi latin. Ndërkohë simpatizuesit e shkronjave turko-arabe nga klubi i Aksarajit “Mahfel” dërguan njëfarë Arif Hiqmeti, kinse gazetar, nga fshati Llojan i Kumanovës ta studiojë gjendjen dhe të kontaktojë me parinë myslimane për të krijuar besimin se “shkronjat turko- arabe361 janë shkronjat e Zotit dhe ai di vetëm ato t’i lexojë, kurse shkronjat gjahure Zoti nuk i pranon dhe i dërgon të gjithë në xhehenem”. Edhe një pakicë e myslimanëve shkodranë ishin të pakënaqur me krijimin e klubit shqiptar dhe përpjekjet për hapjen e shkollave shqipe që do të përdornin alfabetin latin.

Të shtyrë nga reaksioni xhonturk një grup deputetësh shqiptarë në Parlamentin e Stambolli, nga të cilët asnjëri nuk dinte të shkruante e të lexonte shqip dhe disa prej tyre nuk ishin as të kombësisë shqiptare, i drejtuan një mesazh Kryeministrit Turk me anën e të cilit kërkonin gjoja “në emër të shqiptarëve” që të përdorej alfabeti arab për shkrimin e gjuhës shqipe dhe të ndalohej ai kombëtar”.

Lëvizja Kombëtare Shqiptare reagoi kundër kësaj fryme dhe kundër këtij veprimi të Qeverisë Osmane. Kundërshtimi ndaj alfabetit arab arriti fazën kulmore në muajt shkurt-mars 1910, me mitingjet popullore për mbrojtjen e alfabetit shqiptar, sidomos me ato që u mbajtën në Elbasan, në Korçë dhe në Berat. Mitingu i parë u mbajt në Elbasan më18 shkurt 1910, vetëm dy ditë pas mitingut në mbështetje të alfabetit arab. Në atë miting u mblodhën rreth 7.000 veta nga qyteti dhe nga fshatrat e Shpatit, të Kërrabës, të Verçës, të Dumresë, të Martaneshit, të Sulovës dhe të Gramshit. Pjesëmarrësit e mitingut dhanë besën për të mbrojtur shkronjat shqipe dhe kundërshtuan urdhrin e Ministrisë së Arsimit për përdorimin e alfabetit arab për gjuhën shqipe.

Miting madhështor u mbajt në Korçë, më 27 shkurt 1910. Në të morën pjesë rreth 12.000 veta nga Korça dhe nga gjithë qarku i saj, si nga Kolonja, Devolli dhe Pogradeci. Në fund të mitingut u dërgua një protestë në Stamboll, e nënshkruar nga të gjithë pjesëmarrësit. Mitingu tjetër ishte ai që u mbajt në Berat më 13 mars 1910, në të cilin morën pjesë rreth 15.000 veta, nga qytetet dhe fshatrat përreth. Në mitingun e Beratit abetaret me shkronja arabisht u dogjën publikisht përpara ndërtesave qeveritare.413 Mitingje në përmasa më të vogla u mbajtën edhe në Përmet, Tepelenë, Skrapar, etj. Përveç këtyre telegrameve e letrave, protesta kundër alfabetit arab iu dërguan Stambollit dhe autoriteteve qeveritare lokale, nga shumë qytete e krahina të tjera si: nga Shkodra, Durrësi, Tirana, Shkupi, Prishtina, Mitrovica, Struga, Ohri, Gramshi, Vlora, Gjirokastra, Leskoviku, Filati, etj. Protesta dhe mbledhje solidariteti në mbrojtje të alfabetit kombëtar u organizuan edhe nga diaspora shqiptare414, si në Rumani, në Bullgari, në SHBA, etj. Konsulli Francez në Shkodër, duke përgjithësuar situatën e krijuar në pranverë të vitit 1910, shkruante “Mund të thuhet se e gjithë Shqipëria kishte ngritur krye kundër pretendimit të Qeverisë Xhonturke për t’i imponuar asaj alfabetin arab.

Në mbrojtjen e alfabetit latinë u përfshinë edhe klerikë myslimanë. Si rezultat i kundërshtimit të pandërprerë të osmanëve ndaj arsimit në gjuhën shqipe dhe i përpjekjeve të nacionalistëve shqiptarë, kleri mysliman u përfshi në punën e klubeve kulturore, duke u bërë thirrje patriotëve që të fillonin mësimin në gjuhën shqipe, të tjerë duke futur mësimin shqip në shkollat fetare. Përhapja e arsimit në gjuhën shqipe do të ndikonte edhe mbi të krishterët ortodoksë që të largoheshin prej ndikimit grek.

Përpjekjet e xhonturqve për të kontrolluar arsimin shqip treguan qartë frikën e tyre nga afirmimi i identitetit kombëtar shqiptar. Megjithatë, vendosmëria e patriotëve dhe përfshirja e popullit, klerit dhe diasporës garantuan suksesin e nismave arsimore. Hapja e shkollave shqipe dhe futja e alfabetit latin ishin hapa vendimtarë drejt konsolidimit të identitetit kombëtar. Këto përpjekje dëshmuan se arsimi dhe kultura janë instrumente kyçe për ruajtjen e autonomisë dhe dinjitetit kombëtar. Historia e kësaj periudhe mbetet një shembull frymëzues i luftës për gjuhën dhe arsimimin si themel të lirisë dhe të vetëdijes kombëtare.

Filed Under: Emigracion

Vdekja e aktorit të madh dhe “Unaza e Iffland-it”…

March 23, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Sot është 91-vjetori i vdekjes së aktorit më të famshëm me origjinë shqiptare dhe një nga zërat ikonë të teatrit botëror të gjysmës së parë të shekullit XX: Aleksandër Moisiu.

Aleksandër Moisiu ishte i madh sepse shndërroi teatrin evropian në një përvojë universale emocionale, duke u bërë një nga aktorët më të respektuar të shekullit XX. Ai u dallua për interpretimet në tragjeditë klasike, për stilin unik të aktrimit dhe për famën ndërkombëtare që e bëri një figurë të përbotshme.

Sipas Erika dhe Klaus Mann: “Vetëm një aktor gjenial si Moisiu bashkonte pikëllimin e Hamletit me sharmin e Romeos…”

Apo sipas Maks Brodit: “Hamleti është shkruar për Moisiun dhe Moisiu ishte lindur unik për të interpretuar Princin e Danimarkës.”

Albert Einstein e quajti Moisiun “aktorin më të madh të kohës së tij”.

Konsiderohej “hyjnori i grave”, për shkak të shikimit të tij të fuqishëm dhe prezencës magnetike në skenë. U martua dy herë me aktore të njohura të kohës: me Maria Moissi, me të cilën kishte një vajzë, Beate Moissi, dhe me Johanna Terwin Moissi (1884–1962), e cila i qëndroi pranë deri në fund të jetës.

Në një intervistë të vitit 1921, Terwin e përshkroi Moisiun si një “fëmijë të madh, ëndërrimtar në tokë, i pafuqishëm në jetën praktike, por i sjellshëm dhe i dashur”.

Aleksandër Moisiu pati edhe një vajzë me aktoren Herta Hambach, Bettina Moissi.

Bettina Moissi (1923–2023), vajza e Moisiut, u bë një aktore e njohur gjermane e teatrit dhe filmit. Ajo u bë e famshme sidomos për rolin kryesor në filmin “Long Is the Road” (1948), filmi i parë gjerman që trajtoi temën e Holokaustit.

Ajo nuk e vizitoi asnjëherë Shqipërinë. Pati tre fëmijë: Nicolas Berggruen (investitor miliarder, lindur më 1961), Olivier Berggruen (historian arti, lindur më 1963), dhe vajza Mikaela (e ndjerë).

Në gusht 2022, djemtë e Bettinës vizituan Shqipërinë, duke u ndalur në Durrës, Tiranë dhe institucione të tjera kulturore. Vizita u cilësua si një “kthim te rrënjët”, pasi të dy janë nipër të Aleksandër Moisiut.

Gedeon Burkhard (lindur më 3 korrik 1969), një aktor i njohur bashkëkohor gjerman, është stërnipi i Moisiut (nga linja e vajzës së tij, Beate Moissi). Ka interpretuar rolin e Corporal Wilhelm Wicki në filmin “Inglourious Basterds” (2009). Nëna e tij, Elisabeth von Molo, është mbesa e Aleksandër Moisiut.

Gjenia e Moisiut vuri në “krizë” edhe “Unazën e Iffland-it”, çmimin më prestigjioz gjerman për aktorin më të madh të botës gjermanike.

Dhe kjo ndodhi në ditën e varrimit të tij, 91 vjet më parë, më 23 mars 1935.

Unaza e Iffland-it është krijuar për nder të dramaturgut dhe regjisorit të shquar gjerman August Iffland, mik i ngushtë i Goethe-s dhe i Schiller-it. Unaza kishte vlerën e një çmimi artistik.

Iffland-i la trashëgimi një nga unazat e tij, që të përcillej nga aktori më i mirë gjerman, i cili do ta zëvendësonte atë sipas vlerësimit të vetë mbajtësit. Kjo traditë vazhdoi dhe unaza kaloi nëpër duart e shtatë aktorëve të famshëm për të përfunduar në gishtin e Albert Bassermann (1867–1952).

Albert Bassermann ishte mbajtësi i kësaj unaze. Ishte 68 vjeç në kohën e vdekjes së Moisiut dhe ndodhej në momentin kur duhej të zgjidhte pasardhësin.

Atij i përkiste detyra delikate për të lënë trashëgimi unazën e Iffland-it. Cili do të ishte fatlumi i zgjedhur?

Disa emra qarkullonin… Dy zgjedhjet e tij të mëparshme, Alexander Girardi dhe Max Pallenberg, kishin vdekur.

Por Albert Bassermann, në momentin e vendosjes së arkivolit, hodhi unazën mbi trupin e të ndjerit Moisiu dhe tha: “– Skena gjermane vdiq! Unë nuk do t’ia jap askujt këtë unazë…”

Drejtori i Burgtheater-it, Hermann Röbbeling, e mori unazën nga arkivoli duke thënë se ajo i jepet vetëm aktorit më të mirë që është gjallë.

Kjo ngjarje bëri që unaza e Iffland-it të harrohej për 11 vjet. Bassermanni kurrë nuk e mbajti në gisht këtë unazë dhe në vitin 1938 emigroi në Amerikë. Edhe kur u kthye në Vjenë në vitin 1946, ai refuzoi ta rimerrte.

Bassermann mendonte se Moisiu ishte një “hebre i teatrit gjerman”.

Aleksandër Moisiu u konsiderua mbajtësi i fundit i saj. Pas vdekjes së tij në vitin 1935, tradita u ndërpre, duke e kthyer unazën në një mister historik.

Askush nuk e dinte origjinën e vërtetë të Moisiut, madje as miqtë e tij të ngushtë si Franz Kafka apo Stefan Zweig. Ata e konsideronin hebre, si një formë vlerësimi të madh ndaj tij.

Stefan Zweig e quajti “qytetar nga Trieste” dhe shpesh Moisiu konsiderohej si një artist “pa atdhe”, për shkak të mungesës së një shtetësie të qartë.

Gjatë gjithë jetës, Moisiu pati telashe me përkatësinë nacionale dhe vendlindjen. Më në fund, për ta bërë publike dhe i shtyrë nga atdhedashuria, iu drejtua Konsullatës Shqiptare për pranimin e shtetësisë shqiptare.

Mbreti Zog dhe Aleksandër Moisiu kishin një marrëdhënie të ndërlikuar: Moisiu kërkoi nënshtetësinë shqiptare, por Zogu fillimisht e refuzoi për arsye politike.

Nuk ka dokumente zyrtare që shpjegojnë plotësisht refuzimin, por mendohet se Moisiu kishte një qëndrim kritik ndaj regjimit të Zogut. Pas debatit në shtypin ndërkombëtar, Zogu u detyrua të shqyrtonte kërkesën, por procesi u zvarrit.

Moisiu kishte kërkuar edhe shtetësinë italiane. Ai u takua me Benito Musolinin më 20 prill 1934. Sipas burimeve, lajmi për nënshtetësinë italiane i mbërriti disa orë para vdekjes dhe ai i tha gruas: “Molto tardi! Molto tardi!” (“Shumë vonë!”).

Kjo ishte arsyeja që arkivoli i tij u mbulua me flamurin italian, për shkak të origjinës së nënës së tij, Amalia De Rada.

Nëna e Aleksandër Moisiut, Amalia, nuk ishte arbëreshe dhe as shqiptare. Origjina e saj është keqinterpretuar shpesh, duke u lidhur gabimisht me familjen De Rada. Babai i tij, Konstandin Moisiu, ishte shqiptar.

Aleksandër Moisiu jetoi dhe punoi në Itali gjatë kohës së Musolinit. Ai interpretoi në Romë, Milano dhe Torino, duke fituar një reputacion të jashtëzakonshëm si aktor tragjik.

Publiku italian e adhuronte për rolet në Hamlet, Edip dhe tragjedi të tjera klasike. Lidhja e tij me Musolinin ishte indirekte: regjimi përdorte famën e tij për prestigj kulturor, por Moisiu mbeti një figurë e artit, jo e politikës.

Filed Under: Kulture

Agimi i një epoke të re…

March 23, 2026 by s p

Pse fillimi i shekullit XXI mund të ripërcaktojë qytetërimin njerëzor.

Nga Cafo Boga

Dy herë në vit, Toka arrin një moment të rrallë ekuilibri kur dita dhe nata bëhen të barabarta në të gjithë planetin. Ekuinoksi pranveror i 21 marsit është parë prej shekujsh si simbol i rilindjes dhe i fillimit të një cikli të ri në natyrë. Në shumë tradita të lashta ai lidhej edhe me idenë e hapjes së një epoke të re – një moment kur drita fillon të mbizotërojë mbi errësirën dhe jeta rikthehet në botën natyrore. Megjithatë, ndërsa cikli astronomik përsëritet çdo vit, kthesat e mëdha në historinë e qytetërimit njerëzor ndodhin shumë më rrallë – ndonjëherë vetëm një herë në disa shekuj. Dekadat e para të shekullit XXI po duken gjithnjë e më shumë si një moment i tillë, ku revolucionet teknologjike, zhvendosjet në balancat gjeopolitike, transformimet demografike dhe tranzicioni drejt sistemeve të reja energjetike po bashkohen për të ndryshuar rrjedhën e historisë njerëzore.

Revolucionet teknologjike, zhvendosjet në fuqinë globale, ndryshimet demografike dhe kalimi drejt burimeve të reja të energjisë po zhvillohen me një ritëm të paprecedentë. Së bashku, këto procese mund të shënojnë fillimin e një transformimi historik të krahasueshëm me Rilindjen Evropiane ose Revolucionin Industrial – një transformim që mund të formësojë trajektoren e qytetërimit njerëzor për breza të tërë.

Çdo brez priret të besojë se jeton në kohë të jashtëzakonshme, por vetëm disa periudha në histori shënojnë vërtet fillimin e një kapitulli të ri për njerëzimin. Rilindja e shekullit XV ndryshoi rrënjësisht dijen dhe eksplorimin e botës. Revolucioni Industrial transformoi ekonomitë dhe shoqëritë. Pas Luftës së Dytë Botërore u krijua një rend i ri politik dhe ekonomik global që formësoi gjysmën e dytë të shekullit XX.

Sot, në dekadat e para të shekullit XXI, njerëzimi mund të jetë përsëri pranë një momenti të tillë kthese historike.

Teknologjia dhe qytetërimi i ri digjital

Në qendër të këtij transformimi qëndron përshpejtimi i jashtëzakonshëm i teknologjisë. Inteligjenca artificiale, robotika, bioteknologjia dhe rrjetet globale digjitale po ndryshojnë tashmë mënyrën se si funksionojnë shoqëritë.

Në veçanti, inteligjenca artificiale mund të bëhet teknologjia përcaktuese e këtij shekulli. Aplikimet e saj shtrihen pothuajse në çdo fushë – nga mjekësia dhe prodhimi industrial deri te financat, arsimi dhe siguria kombëtare. Sistemet që analizojnë sasi të mëdha të dhënash dhe kryejnë detyra komplekse mund të ndryshojnë rrënjësisht natyrën e punës dhe produktivitetin ekonomik.

Ndërkohë, bioteknologjia po hap horizonte të reja në mjekësi, ndërsa lidhja globale digjitale po mundëson bashkëpunim shkencor në një shkallë të paprecedentë. Së bashku, këto zhvillime po hedhin themelet e asaj që shumë analistë e quajnë një qytetërim të ri digjital.

Një rend global në ndryshim

Këto transformime teknologjike po ndodhin paralelisht me ndryshime të rëndësishme në skenën gjeopolitike. Sistemi ndërkombëtar i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore po evoluon gradualisht drejt një strukture më shumëpolare.

Fuqitë ekonomike në rritje, si Kina dhe India, po riformësojnë tregtinë dhe ndikimin global, ndërsa aleancat rajonale po fitojnë rëndësi gjithnjë e më të madhe. Periudhat e tranzicionit gjeopolitik shpesh sjellin pasiguri, por ato krijojnë gjithashtu mundësi për forma të reja bashkëpunimi dhe për institucione të reja ndërkombëtare.

Historia tregon se momente të tilla – kur ndryshimi teknologjik dhe riorganizimi politik ndodhin njëkohësisht – shpesh shënojnë fillimin e një faze të re historike.

Tranzicioni energjetik

Një tjetër ndryshim i madh lidhet me transformimin e sistemeve globale të energjisë. Për më shumë se një shekull ekonomia botërore është mbështetur kryesisht te lëndët djegëse fosile. Sot, megjithatë, teknologjitë e energjisë së rinovueshme, si energjia diellore dhe ajo e erës, së bashku me përparimet në ruajtjen e energjisë dhe në energjinë bërthamore, po riformësojnë gradualisht bazat e zhvillimit industrial.

Tranzicionet energjetike historikisht kanë transformuar ekonomitë globale. Kalimi nga druri te qymyri ndihmoi në lindjen e Revolucionit Industrial, ndërsa kalimi te nafta fuqizoi ekonominë moderne të shekullit XX. Lëvizja drejt sistemeve energjetike më të pastra dhe më të larmishme mund të transformojë përsëri marrëdhëniet ekonomike dhe gjeopolitike.

Mësime për vendet e vogla

Për vendet më të vogla – veçanërisht për ato në rajone si Ballkani – tranzicioni global që po zhvillohet paraqet njëkohësisht rreziqe dhe mundësi. Në një botë gjithnjë e më shumëpolare, forca e tyre më e madhe mund të jetë fleksibiliteti dhe aftësia për t’u përshtatur.

Duke investuar në arsim, në infrastrukturë digjitale dhe në aftësi teknologjike, shtetet e vogla mund të pozicionohen brenda ekonomisë së re të dijes në vend që të mbeten në periferi të saj. Po aq e rëndësishme është edhe ndërtimi i institucioneve të qëndrueshme demokratike, respektimi i shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimi rajonal, të cilat krijojnë stabilitetin e nevojshëm për të tërhequr investime dhe inovacion.

Në vend që të përpiqen të konkurrojnë me fuqitë e mëdha për nga madhësia, vendet e vogla mund të kenë sukses duke u specializuar në sektorë strategjikë si shërbimet e avancuara, turizmi i qëndrueshëm, energjia e rinovueshme dhe teknologjitë e specializuara.

Për vendet e Ballkanit Perëndimor – përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut – ky moment paraqet një mundësi të veçantë për të thelluar bashkëpunimin rajonal, për të forcuar lidhjet me institucionet euro-atlantike dhe për të shfrytëzuar pozicionin e tyre strategjik gjeografik dhe rrjetet e diasporës për t’u integruar më plotësisht në ekonominë globale.

Në të njëjtën kohë, shtetet e vogla përfitojnë duke ruajtur marrëdhënie konstruktive me një gamë të gjerë partnerësh ndërkombëtarë dhe duke mos u mbështetur te një fuqi e vetme mbrojtëse. Në një rend global në ndryshim, marrëdhëniet e diversifikuara diplomatike dhe ekonomike rrisin qëndrueshmërinë dhe ndihmojnë në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar. Vetë historia e Ballkanit ofron shumë shembuj që tregojnë se mbështetja e tepërt te një mbrojtës i vetëm i jashtëm mund t’i bëjë vendet e vogla të cenueshme kur ndryshojnë balancat gjeopolitike.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Rilindasi At Shtjefën Gjeçovi
  • Pse duhet ta lexojmë Andon Zako Çajupin?
  • Kujtojmë në ditën e tij të lindjes atdhetarin e shquar Sotir Peci
  • Albanian americans support the protests in Tirana
  • NJË DITË “AMBASADOR” I LIBRAVE TË MI…
  • Takim lamtumirës me Sekretarin e Shtetit të Iowas, Paul Pate dhe Zv. Sekretaren Christy Johnson
  • Diplomacia shqiptare si instrument i stabilitetit euroatlantik në Ballkan
  • Kur gjeografia bëhet gjeostrategji…
  • KUR GURRA SHQIPTARE PUSHTON SANREMON
  • HISTORIA NUK ËSHTË PRIVILEGJ – ËSHTË E DREJTË!
  • Mërgata dhe Atdheu si destinacioni i zemrës
  • It was an honor to organize and host a roundtable discussion with Congressman Mike Lawler and members of the Albanian-American community
  • Kujtojmë në ditën e ndarjes nga jeta poetin, dramaturgun dhe rilindësin Andon Zako Çajupi
  • Israeli kurrë nuk ka qenë e nuk është armiku i shqiptarëve!
  • Historia që Evropa nuk deshi ta tregonte

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT