• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2026

“Saint Paul in Dyrrach”

March 26, 2026 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” në Boston së bashku me Kishën Ortodokse Shqiptare të “Shën Trinisë” dhe dega e VATRES në Worcester, fton komunitetin në promovimin e librit “Saint Paul in Dyrrach” (“Shën Pavli në Durrës”) nga autori Prof. Asoc. Thanas Gjika.

E diel, 29 mars 2026

Ora 12:30

245 D Street, South Boston, MA

Një aktivitet kulturor dhe historik me vlerë, i hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të njohin më shumë mbi rrënjët e hershme të krishterimit dhe historinë tonë kombëtare.

Pas aktivitetit do të shërbehen ushqime dhe pije të lehta.

Mos mungoni!

Filed Under: Vatra

NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”

March 26, 2026 by s p

Prof. Begzad Baliu/

Ashtu sikur shihet edhe prej tekstit të Esad Mekulit, në versionin e parë të veprës autori e kishte pseudonimin Luan Dukagjini, ndërsa titulli i romanit “Vdekja më vjen prej syve tu” (Në dorëshkrimin që kemi ne, vepra ka nëntitullin “roman në trembëdhjetë tregime”. Luan Dukagjini, ishte pseudonim i Rexhep Qosjes në dorëshkrimin e tregimeve të botuara në revistën “Jeta e re” për të cilin dinte vetëm kryeredaktori Esad Makuli.

Titulli i romanit: “Vdekja më vjen prej syve të tu”. Nëntitulli: – roman në trembëdhjetë tregime, përmirësuar me laps grafit (11) mes kllapave të mesme (me një pikëpyetje). Me gjasë fjala është për mënjanimin e tregimeve “Metamorfoza” dhe “Trilogjia”, të cilat Esad Mekuli i propozonte të mos përfshihen në vëllim ose tregimet “Mëkati” dhe “Laneti”, të cilat janë vendosur në përmbajtje por mungon teksti i tyre. Të gjitha shënimet me laps grafit, sipas dëshmisë gojore të Profesor Qosjes janë të Esad Mekulit, të cilit i është dorëzuar (besuar) dorëshkrimi për botim në revistën “Jeta e re”.

Brenda e dorëshkrimit vepra “Vdekja më vjen prej syve tu”, tregimet fillojnë, secili me numrin një dhe përfundojnë me faqen e fundit të tregimit: Legjenda (f. 1-11); Trashja, (f. 1-18); Trilogjia (f. 1-12); Trekëndëshi (f. 1-20). Tregimet Mëkata dhe Laneti, (në përmbajtje janë shënuar, por teksti në brendi të dorëshkrimit mungon); Deklarata (f. 1-26); Vetmia (f. 1-35); Kryevepra (f. 1-45), Metamorfoza (f. 1-33); Vetëvrasja (f. 1-26); Romana (f. 1-32); Horostati (f. 1- 28). Tregimi Laneti mungon në përmbajtje dhe në brendi. (Nga vepra në proces)

(Botohet për herë të parë)

Ky roman, “Vdekja më vjen prej syve tu” – siç e titullon autori, Luan Dukagjini i ndarë në ca “tregime” si kapituj të tij, është vepër me brum alegoriko-satirik marr, te shumtën, nga realiteti ynë bashkëkohor. Është një punim synimesh eksperimentative që sjellë dhe zbaton forma të reja në të shtruarit e lëndës të ngjashme me ato në prozën e Perendimit ku, përkundër të kësaj këtu, në rastet e shumta forma mbizotëron çdo kërkesë tjetër dhe bëhet qëllim i vetvetes. Është vepër më shumë meditativo-cerebrale se ndjenjore (megjithëse kapitujt “Trashja” dhe, sidomos, “Romana” dëshmojnë për mundësi jo të vogla të autorit për njomësimin letrarë të punimeve të veta) pra, na duket, në të parë, edhe më pak letrare në krahasim me shkrime të zakonshme me të cilat jemi mësuar të takohemi jo vetëm në prozën tanë. Romani, kështu, ka peshën e vet edhe si prozë vërtet e angazhuar bashkëkohore, edhe si kërkim i rrugëve të reja të trajtimit të materies jetësore të këtij ambienti – çka është apsolutisht pozitive.

Pasi autori punimin e vet na e ofron si një tërësi romaneske (roman në … tregime), të gërshetuar rreth një personazhi unik e jo si përmbledhje tregimesh, pra ngjarjesh dhe vehtesh të ndryshme pa lidhje organike më të afërt mes tyre, mendoj se duhen eliminuar ato kapituj (“tregime”) që nuk kanë të bëjnë me tërësinë e trajtuar e të këtilla janë: “Metamorfoza” dhe “Trilogjia”, të thurura pa lidhje direkte me protagonistin e veprës; është një gjë fare tjetër nëse auto rigjenë formë t’i adaptoi tërësisë.

Edhe kapitulli i fundit, “Herostriti”, është një pjesë, këtu, tepër e zgjatur që, si e tillë, nuk e mbyll librin aty ku duhet – me ngritjen e monumentit posmortal protagonistit, por trajton edhe çashtjet që, këtu, nuk kanë të bajnë me koncipimin e librit. Pra, duhet ndërruar edhe titulli i kapitullit në “Endërra” pse, Xhezairi, i ndjekur dhe i përndjekur në atë rreth, vetëm kështu, në ëndërr do të mund ta siguronte nderimin e merituar edhe nga burokracia artistiko-shkencore.

E mira e së mirës do të ishte sikur i tërë romani do të tregoheshte në vehten e parë, por… Megjithatë, kapitullin “Kryevepra” mund të ndërrohet në kësi lloj të treguarit, -çka do t’i ndihmonte veprës dhe zbulonte mundësinë edhe një të paraqituri të lëndës për të cilën autori veç ka dijtë, por për arsyna laramanie nuk e ka përdorë me dashje. “Kryevepra”, përndryshe, dhe jo vetëm ajo, kërkon një kondenzim shumë më rigoroz – pse autori, shpesh, zgjatet pa nevoj në gjëra epizodike, detajizime dhe “filozofime” të tepruara, çka e bënë prozën e tij më pak letrare e më shumë eseistike.

Elementi i posaçëm, “modern”, është – përdorimi jo i zakonshëm i fjalëve dhe fjalive skarade, banale, “rrugaçe”; do aludimeve që i afrohen pornografisë. Ardhë, prap, nëpërmes të prozës “avangardiste” to Perëndimit dhe shundit, gjërave psikopatologjike (me qellim të caktuar mohimi të peshës së fjalës së shkruar dhe ndikimit te saj më të gjërë ideo-politik dhe edukativ), kjo “modë” e pakuptimët në kushtet tona, vetëm sa i bënë dam veprës e nuk ka të bëj me asnjë letërsi të mirëfilltë.

Jam apsolutisht kundër banalizimit e për ruajtjen e dinjitetit të fjalës së shkruar. Së këndejmi mendoj se patjetër, duhet spastruar edhe ky tekst serioz letrar nga gjëra që vetëm e zhvlerësojnë – çka duhet bë edhe në të gjitha botohen ndër ne! – pse kështu kërkon shoqëria janë e shëndoshë dhe synimet pozitive për nderimin e Njeriut dhe vlerave të tij. Po ashtu duhen ndreq edhe gjitha ato lëshime daktilografike e tjera – të përmirësuara me laps. I marrun edhe njëherë nëpër duarë, pa ngutje e me përkushtim edhe më të madh (pse – kush ngutet për…!), romani bëhet ajo që me dëshirë pritet – kontribut i vërtet dhe vlerë e pamohueshme e letërsi sonë të re.

Prishtinë, 4. XII. 1973

Filed Under: Sofra Poetike

Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi

March 26, 2026 by s p

Albert Vataj/

Diogjeni i Sinopës (rreth 412–323 p.e.s.) mbetet një nga figurat më tronditëse dhe më të papajtueshme me kohën e vet, në historinë e filozofisë dhe kurajoja e mendimit, që është ndeshur kërcënueshëm me të keqen, në përpjekje për ta shpëtuar njeriun nga vargonjtë e robërisë së vesit, egos dhe megallomanisë.

Ai nuk ishte thjesht përfaqësues i Cinizmit. Ai ishte vetë mishërimi i saj. Një njeri që e shndërroi jetën në provë të mendimit dhe mendimin në akt sfidues ndaj çdo norme të rreme.

Në një botë që i lutej pasurisë, famës dhe pushtetit, Diogjeni zgjodhi të jetojë si një kundërthënie e gjallë, i zhveshur nga tepricat, por i pasur në liri.

Për të, virtyti nuk ishte një koncept abstrakt, por një mënyrë jetese radikale. Ai besonte se njeriu duhet të jetojë “sipas natyrës”, duke hedhur tej çdo artificë që shoqëria imponon si vlerë. Kjo e çoi atë në një përplasje të vazhdueshme me konvencionet, të cilat ai i demaskonte me një ironi të pamëshirshme dhe një guxim të rrallë. Ai nuk predikonte nga një podium, ai predikonte duke jetuar sipas filozofisë dhe mësimeve të tij.

Një nga imazhet më tronditëse që historia ka ruajtur për të është ai i jetesës në një enë të madhe qeramike, shpesh e quajtur “fuçi”. Kjo zgjedhje nuk ishte varfëri e detyruar, por një akt filozofik, një deklaratë se njeriu mund të jetë i lirë vetëm kur nuk ka nevojë për asgjë.

Kur pa një djalë që pinte ujë me duar, ai hodhi kupën e tij, duke pranuar se kishte qenë ende i tepërt në thjeshtësinë e vet. Ky gjest i vogël përmban një të vërtetë të madhe, liria lind nga çlirimi, jo nga zotërimi.

Ironia e tij therëse u përplas edhe me figurat më të fuqishme të kohës.

Takimi me Aleksandri i Madh është bërë emblemë e këtij përplasjeje. Kur pushtuesi i botës i ofroi t’i plotësonte çdo dëshirë si shprehje e vlerësimit, Diogjeni iu përgjigj me një qetësi të pamposhtur, dhe gjest ikonik, “Lëviz pak më tutje, se më ke zënë diellin.” Në këtë fjali të thjeshtë qëndron një filozofi e tërë. Kjo ishte një postulat. Ai që zotëron veten nuk ka nevojë për asgjë nga të tjerët, as edhe nga një perandor.

Edhe kur fati e hodhi në skllavëri, ai nuk e humbi kurrë sovranitetin e tij të brendshëm.

I kapur nga piratët dhe i shitur në treg, ai nuk e përkufizoi veten nga zinxhirët, por nga aftësia për të sunduar vetveten. Kur u pyet se çfarë dinte të bënte, u përgjigj: “Di të sundoj njerëzit.” Dhe kur pa Xeniades, kërkoi të blihej prej tij, jo si shërbëtor, por si mësues. Në këtë përmbysje rolesh, Diogjeni dëshmoi se autoriteti i vërtetë nuk buron nga pushteti formal, por nga epërsia morale.

Në shtëpinë e Xeniadesit, ai nuk jetoi si skllav, por si edukator. Ai u mësoi fëmijëve të tij vetëpërmbajtjen, qëndrueshmërinë dhe artin e të jetuarit me pak, një arsim që nuk synonte të prodhonte njerëz të suksesshëm sipas standardeve të shoqërisë, por njerëz të lirë sipas ligjësive të natyrës.

Trashëgimia e tij tejkalon kufijtë e kohës. Mendimi i tij u bë një burim frymëzimi për filozofët stoikë si Epikteti, Seneka dhe Marcus Aurelius, të cilët e zhvilluan më tej idenë e lirisë së brendshme, të qëndrueshmërisë përballë fatit dhe të zotërimit të vetvetes. Në këtë kuptim, Diogjeni nuk ishte një margjinal i historisë, por një themelues i një etike që i reziston kohës, shkund edhe sot vetëdijen njerëzore.

Ai nuk la pas traktate apo sisteme të ndërlikuara filozofike. Ai la një jetë, dhe kjo jetë ishte argumenti i tij më i fortë, predikimi më i thellë i besimit te vlerat. Në një epokë ku njeriu matet me atë që zotëron, Diogjeni na sfidon ende sot me një pyetje thelbësore, çfarë mbetet nga ne, kur i heqim të gjitha ato që mendojmë se na përkasin? Ai ishte, në thelb, një provokim i përhershëm ndaj ndërgjegjes njerëzore, një kujtesë se liria nuk jepet, por fitohet duke mos pasur nevojë për të.

Filed Under: ESSE

DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT

March 26, 2026 by s p

Prof. dr. Lush Culaj/

Dedë Gjo Luli i përkiste barkut Dedvukaj të fisit të Hotit. Në atë kohë Hoti mbahej i pari i bajrakëve të Malësisë të Madhe. Deda u lind në Traboin në vitin 1840. Ishte i vetmi djalë i Gjon Lulit. Iu dha emri i gjyshit, Dedë Broçit. Pa i mbushur ende dy vjet i vdes i ati. Në moshë të re ishte martuar me Prenda Gjeloshin nga Selishta e Grudës me të cilën kishte pasur katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza.

Sipas disa historianëve, në kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 1878, Dedën e shohim së bashku me Çun Mulën si përfaqësues të Hotit dhe të Traboinit. Kur në gusht 1878 Kongresi i Berlinit vendosi kufirin midis Perandorisë Osmane dhe Malit të Zi, duke përfshirë brenda kufirit të ri malazez Plavën dhe Gucinë, Dedë Gjo Luli bëri rezistencë kundër këtij vendimi gjatë viteve 1879-1880.

Në vitin 1906 Dedë Gjo Luli kishte kërkuar një flamur kombëtar, të cilin ia kishte sjellë Aladro Kastrioti përmes Preloç Prengës. Flamuri kishte qenë i gjatë dy metra. Në dekadën e parë të shekullit XX, personaliteti i Dedë Gjo Lulit u ngrit në rangun e personaliteteve më të shquara kombëtare.

Vitet 1910, 1911 dhe 1912 ishin për shqiptarët e natyrisht edhe për Dedën periudhë e provave të rënda. Ushtria e Perandorisë Osmane më 1910 e shtypi kryengritjen e Kosovës dhe bëri çarmatosjen e Shqipërisë së Veriut. Në rrethanat e krijuara Ded Gjo Luli, për arsye taktike, hyri në aleancë me Malin e Zi. Atë që nuk u arrit një vit më parë në Kosovë, u përpoqën ta vinin në vend malësorët e Mbishkodrës në vitin 1911. Ata filluan përgatitjet për luftë kundër Perandorisë Osmane.

Qeveria malazeze ishte e interesuar që kryengritja të mos merrte karakter kombëtar. Këtë e dëshmonte edhe gazeta “Cetinski glasnik”, me ç’rast tërheq vërejtjen se Mali i Zi duhej të vihej në krye të kësaj kryengritjeje që kishte qëllim autonominë e Shqipërisë. Pikërisht për këtë gjë, kral Nikolla përpiqej që ngjarjet të kishin vetëm karakter lokal, duke u kufizuar në viset e Malësisë.

Edhe gazeta tjetër malazeze “Glas Crnogorca” shkruante se “fitimi i autonomisë së Shqipërisë është fundi i testamentit tonë në Ballkan”.

Kryesisht të krishterët e Shkodrës kishin besim tek Austro-Hungaria si mbrojtëse e katolikëve kundër Perandorisë Osmane.

Pavarsisht interesit të saj për qetësimin e situatës në Shqipëri me rastin e kryengritjes të Malësisë të Madhe më 1911, Vjena synonte në projektet e saj për krijimin e në Shqipërie autonome.

Shpërthimi i kryengritjes së vitit 1911

Më 14 mars 1911 Mali i Zi ua ndaloi ndihmat të arratisurve shqiptarë në Mal të Zi, pasi shqiptarët nuk pranuan të luftonin nën flamurin malazez. Në këto rrethana, malësorët, nën kërcënimin e urisë, të armatosur dobët dhe ende të paorganizuar si duhet, u detyruan ta fillonin kryengritjen para afatit.

Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës, e vitit 1911, përbën njërin ndër momentet kryesore të periudhës së Rilindjes Kombëtare.

Implikimi i Malit të Zi në kryengritje bënte që Fuqitë e tjera të Mëdha, siç ishin Italia dhe Austro-Hungaria, të cilat kishin interesat e tyre strategjike në Evropën Juglindore, të reagonin duke shtuar interesimin dhe gatishmërinë për atë që mund të ndodhte. Mali i Zi u përpoq që përpara Fuqive të Mëdha dhe Perandorisë Osmane të dukej neutral. Nga ana tjetër Perandoria Osmane i ofroi Dedë Gjo Lulit edhe para për të ndaluar kryengritjen, por ai nuk pranoi.

Midis malësorëve të arratisur ishin 400 vetë nga Kastrati, të prirë nga Zenel Shabani, 400 të tjerë nga Hoti, të prirë nga Dedë Gjo Luli, 800 nga Shkreli, të prirë nga Prend Marashi, 400 nga Gruda me bajraktar Dedë Nikajn etj. Dedë Gjo Luli hodhi poshtë propozimet e Krajl Nikollës që veprimet luftarake të malësorëve të mbështeteshin nga trupat malazeze. Më 24 mars, një grup malësorësh, të udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, sulmuan karakollët kufitarë osmanë të rrafshit të Traboinit dhe i morën. Të nesërmen kryengritja u zgjerua dhe numri i kryengritësve u shtua në 3000 veta nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit, Gjek Marash Gjeloshit, Nikë Gjelosh Lulit etj. Më 25 mars merren postat në Stare, Pikale e Selishtë, ndërsa Kelmendi merr armët e mbledhura në kishë më 1910. Kryengritja u shtri në gjithë Hotin, Grudën e Kelmendin. Lufta e malësorëve të Mbishkodrës tërhoqi vëmendjen e qarqeve atdhetare. Shumë përfaqësues të tyre u lidhën me kryengritësit apo edhe shkuan pranë malësorëve, si: Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Ismail Qemali, Themistokli Gërmenji etj. Fitoret bënë bujë shumë të madhe kurse Qeveria osmane këto veprime i quante kaçakllëk.

Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, e drejtuar nga Dedë Gjo Luli, nuk del si diçka e rastësishme, por si një vazhdim i përpjekjeve të pandërprera të malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve për të jetuar të lirë në trojet e veta. Dedë Gjo Luli dhe malësorët ishin edukuar me këtë ndjenjë dashurie për liri në shkollën e traditës.

Sipas studiuesit Ramiz Avdylit Dedë Gjo Luli ishte ndër anëtarët më të shquar të Komitetit të Podgoricës. Pavarësisht se kryengritja zhvillohej në një krahinë katolike të Shqipërisë kryengritësit dolën me kërkesa të rrafshit kombëtar. Mbreti Nikollë u deklarua se pas përfundimit të kryengritjes do të vendosej flamuri malazez. Reagoi Dedë Gjo Luli duke i thënë se e kishin konsideruar mik. “Të falënderojmë për mikpritjen por Shqipërinë as nuk e shesim as nuk e falim”. Ngritja e flamurit nga Dedë Gjo Luli dhe luftëtarët e tij, u përjetua me emocion të veçantë. Gazeta “Liri e Shqipërisë” shkruante se luftëtarët shqiptarë po luftonin nën flamurin kombëtar.

Për kryengritjen e 1911 nuk mund të bëhet fjalë pa përmendur edhe përpjekjet e Luigj Gurakuqit dhe Ismail Qemalit në pajisjen e saj me programin politik kombëtar dhe për mbështetjen që ata gjetën te Dedë Gjon Luli dhe krerët e tjerë malësorë. Kur u çlirua maja e Deiçit, Deda mbajti një fjalim, me ç’rast, ndër të tjera, tha: “Tani o vëllezër, do t’ju takoj të shihni atë që për 450 vjet më radhë nuk e pa kush”. Nxori flamurin shqiptar, e shpalosi e puthi dhe duke u dridhur nga emocioni e ngriti lart me të dyja duart. Të gjithë u afruan ta shikonin nga afër simbolin e tyre dhe të Shqipërisë, flamurin e Gjergj Kastriotit, të ngritur në Deiç më 6 prill 1911. Kjo histori tregon se Dedë Gjo Luli e ngriti flamurin në Malësi, më parë sesa të ngrihej në Vlorë. Qeveria e Stambollit përdori forca të mëdha ushtarake, nën komandën e gjeneral Shefqet Turgut Pashës për ta shtypur kryengritjen. Edhe Nikë Gjelosh Luli, sipas urdhrit të Dedë Gjo Lulit, e ngriti flamurin në maje të Bratilës, në vendin ku përpara valonte flamuri i Perandorisë Osmane. Në prill të vitit 1911 Shefqet Turgut Pasha shpall amnistinë dhe u jepte 5 ditë afat kryengritësve të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe t’i dorëzonin armët, ndryshe kërcënonte se do të merreshin masa të rrepta. Dedë Gjo Luli dhe malësorët nuk i dorëzuan armët.

Pas shumë luftimesh lokale, mësymjen në shkallë të gjerë Turgut Pasha e nisi në maj. Megjithatë nuk arriti rezultatin e parashikuar. Në fillim bënë efekt mitralozat e rëndë kundër të cilëve malësorët nuk kishin luftuar më parë, por shpejt ua morën anën! Përparimi i ushtrisë osmane qe mjaft i ngadaltë. Më 26 qershor 1911 Dedë Gjo Luli, Luigj Gurakuqi, Sokol Baci etj. në Cetinë ia paraqitën kopjet e memorandumit mbretit Nikollë dhe përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha. Ky memorandum ishte pasqyrë e qartë për ecjen e lëvizjes në rrugën e duhur të realizimit të kërkesave të tyre, duke u ruajtur gjithashtu kurtheve të shteteve fqinje. Edhe argjipeshkvi i Shkodrës, Imzot Jak Sereqi, kontribuoi shumë në sensibilizimin e kryengritjes në opinionin evropian.

Memorandumi i Greçës

Për të diskutuar me Dedë Gjo Lulin për kryengritjen, më 12 qershor 1911, nga Italia erdhi në Podgoricë, Ismail Qemali. Takimi u bë në Gerçë më 23 qershor 1911 dhe marrëveshja u quajt `Memorandumi i Gerçës` (apo `Libri i kuq` për shkak të ngjyrës së kapakëve). Nga ai dolën disa kërkesa bazë drejtuar Perandorisë Osmane dhe Evropës, veçanërisht Anglisë. Memorandumi u firmos nga 22 kapedanë shqiptarë prej trevave të Hotit, Grudës, dhe Shkrelit, pesë ishin nga Kastrati, tre ishin nga Kelmendi dhe dy nga Shala.

Memorandumi i Greçës, i paraqitur nga Luigj Gurakuqi, më 23 qershor 1911, parashtronte një program të plotë të autonomisë të Shqipërisë. Memorandumi përmbante 12 kërkesa dhe që iu paraqit Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha.

Dedë Gjo Luli

Ndonëse kryengritja u përhap kryesisht në Malësinë e Mbishkodrës, kërkesat e kuvendit të Greçës bëheshin në emër të kombit shqiptar dhe për të gjithë Shqipërinë. Kjo i dha fund qëndrimit pritës të disa komiteteve në krahinat e tjera dhe ndikoi në zgjerimin e lëvizjes çlirimtare. Qeveria osmane ishte kundër autonomisë shqiptare, prandaj nuk e pranoi Memorandumin e Greçës.

Megjithatë, Perandoria Osmane u detyrua të hynte në bisedime me kryengritësit dhe me marrëveshjen e nënshkruar në Podgoricë në gusht 1911, ajo bënte disa lëshime që ndryshonin shumë nga kërkesat autonomiste dhe nuk i përfshinte të gjitha trevat e Shqipërisë, por vetëm Malësinë e Mbishkodrës. Në fakt, shpërthimi i parakohshëm i kryengritjes i gjeti të papërgatitura krahinat e tjera dhe i çrregulloi planet për kryengritje të përgjithshme.

Dedë Gjo Luli pati me përfaqësuesin diplomatik të Perandorisë Osmane në Cetinë, ku Sadredin beu u përpoq t’i bindte malësorët të hiqnin dorë nga programi kombëtar dhe të kënaqeshin me plotësimin e kërkesave të karakterit lokal. Pyetjes provokuese të ministrit osman “në se pikat e Përkujtesës së Greçës i kërkonin vetëm për vete apo edhe për të tjerët”, Dedë Gjo Luli iu përgjigj në mënyrë të qartë dhe kategorike se “çka ishte parashtruar në “Librin e Kuq”, i donin jo vetëm për vete, por për ‘tanë Shqypninë’”. Këtë takim na e dëshmon dom Luigj Bumçi, i pranishëm si përkthyes. Dom Luigji ishte nipi i Pashko Vasë Shkodranit.

Memorandumi i Greçës, midis të tjerash, kishte dhe një pikë ku kërkohej bashkimi e katër vilajeteve në një dhe krijimi i një Shqipërie Autonome (pra jo të pavarur). Ky memorandum është dokumenti më i rëndësishëm për pavarësinë e Shqipërisë para Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor të vitit 1912. Gjithë këtyre veprimeve politike u priu Dedë Gjo Luli, me guximin, ndershmërinë dhe largpamësinë që e karakterizonte. Ndonëse kryengritja nuk u mbështet nga viset e tjera, u shprehën në mënyrë të plotë dhe të qartë interesat politike të të gjithë kombit. Ky program, për meritë, në radhë të parë, të udhëheqësit kryesor të saj, Dedë Gjon Luli, i cili i detyroi autoritetet civile dhe ushtarake osmane, jo vetëm të ulen në tryezën e bisedimeve me kryengritësit malësorë, por edhe të bëjnë lëshime jo të vogla, që në një formë i hapën rrugën sendërtimit të autonomisë së Shqipërisë.

Vrasja e Dedë Gjo Lulit dhe rivarrimi

Në fillim të shtatorit 1915, Dedë Gjo Lulin e ftojnë në një mbledhje të krerëve në Orosh. Ishte fundi i shtatorit kur ai me të birin dhe me disa shokë arrijnë në Orosh. Befasisht, aty u arrestua nga ushtria serbe. Edhe pse e paralajmëroi Nora, reja e tij, që të mos udhëtonte në kohë të turbullta, për besë burrash shkoi në takim. Para pushkatimit të Dedës, nga ai e ndajnë të birin, të cilin serbët ua dorëzojnë esadistëve. Ata e lidhën me pranga në Malin e Shenjtë të Oroshit të Mirditës dhe e masakruan me bajoneta së bashku me disa mirditorë. Të vrarët i hodhën në shpellën që njihet me emrin Shpella e Akullit.

Serbët, në bashkëpunim me veglat e tyre forcat esadiste, më 1915 mundën të kapin në pabesi Dedën bashkë me të birin e shoqërues të tjerë në Orosh të Mirditës. Atë dhe grupin e tij e pushkatuan në Sheshez të Mirditës më 24 shtator 1915.

Kur u doli përpara kapiteni serb, Gjura, ai nuk e dha veten. As kur e prenë me bajonetë bashkë me shtatë mirditorët (1. Mark Llesh Doda, 2. Ndue Kol Pjetri, 3. Zef Ndue Gjoka, 4. Preng Qup Deda, 5. Preng Gjok Skana, 6. Bib Marlula dhe 7. Llesh Deda) nuk e lëshoi veten dhe dha jetën në Sheshëz t’ Oroshit në Mal të Shejtë, e atje në grykë të shpellës së Akullit, që është 15 metra e thellë në tokë.

Dedë Gjo Luli është dekoruar si Hero i Popullit dhe është i 24-ti në listën e përbërë nga 159 heronj të popullit, dhënë nga Kuvendi Popullor.

Emri i tij është i lidhur aq ngushtë me Kryengritjen e vitit 1911 dhe është vështirë të flasësh për këtë kryengritje pa pasur parasysh udhëheqësin e saj. Po ashtu, njësoj është e vështirë të flasësh për personin e tij, pa iu referuar kësaj kryengritjeje të madhe, të cilën ai së bashku me Mehmet Shpendin me shokë e udhëhoqi.

Trupi i Dedë Gjo Lulit, i mbuluar me gjethe, u varros fshehurazi pas dy javësh, më 8 tetor 1915.

Me iniciativën e etërve françeskanë të Shkodrës, eshtrat e Dedë Gjo Lulit dhe të birit të tij, të bartura nga Oroshi, iu dorëzuan këtyre atdhetarëve. Më 29. V. 1923 më se tre mijë veta u bashkuan te kisha françeskane për t’i bërë nderime këtij atdhetari të shquar. Mbi jetën e tij foli Atë Anton Harapi. Qytetarët e prisnin në oborr arkivolin e mbuluar me flamur.

Me këtë rast, në emër të deputetëve shkodranë, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi dërguan këtë telegram: “Bashkohemi me evari në nderimet që Shkodra po i kushton kujtimit të Dedë Gjo Lulit, tue krye detyrën e mirënjohësisë ndaj fatosit të pa vdekshëm, që nga ma të parët ngrehi flamurin e lirisë të atdheut mbi shkrepat e përgjakun të Malësisë së Madhe.”

Te Hani i Hotit, buzë rrugës, qëndron një lapidar në kujtim të kryengritjes së vitit 1911. Këtë lapidar populli e quajnë “Lapidari i Dedë Gjo Lulit”. E në të vërtetë kryengritja e vitit 1911 është e pandarë nga emri i Dedës, udhëheqësit të saj. Ky lapidar është një dëshmi e heshtur që flet për një epokë të tërë, për pavdekësinë e veprës së malësorëve dhe të prijësit të tyre, Dedë Gjo Lulit.

Filed Under: Politike

“America Inspires Freedom – The Kosovo Story”

March 26, 2026 by s p

Dr. Faton Bislimi/

Pas një momenti historik në Washington, DC – nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit me America250 – Kosova sot shkruan një kapitull të ri krenarie, duke u bërë vendi i parë në botë jashtë SHBA-ve si pjesë të programit zyrtar të shënimit të 250 vjetorit të pavarësisë së SHBA-ve Kjo nuk është vetëm një arritje diplomatike, por edhe dëshmi e një miqësie të shenjtë, e një partneriteti që ka ndryshuar fatin tonë si komb.

Jam thellësisht i nderuar që t’i prezantoj tre anëtarët e parë të bordit të projektit tonë:

– Ramiz Tafilaj, filantrop i palodhur dhe zë i fuqishëm i çështjes shqiptare në SHBA;

– Gino Mulliqi, udhëheqës dhe aktivist i përkushtuar i komunitetit shqiptaro-amerikan në Texas; dhe

– Shpend Bytyqi, ekspert i sigurisë dhe profesionist i respektuar në industrinë amerikane të mbrojtjes.

Shumë figura të tjera me peshë kombëtare dhe ekspertë nga fusha të ndryshme do t’i bashkohen këtij rrugëtimi që sapo ka nisur, si pjesë e Bordit të Projektit dhe ekipit tonë.

Disa nga aktivitetet kyce të projektit tonë “America Inspires Freedom – The Kosovo Story” do të realizohen në katër komuna të Kosovës, dhe një pjesë tjetër e aktiviteteve në të gjithë Kosovën, duke vendos Kosovën në qendër të një rrëfimi global për lirinë.

Sepse historia jonë është histori e lirisë, sepse miqësia jonë me Amerikën është e përjetshme, sepse Kosova ka çfarë t’i tregojë botës!

Synimi ynë është i qartë: ta bëjmë Kosovën një nga zërat më të fuqishëm në rrjetin global të aktiviteteve të këtij jubileu historik – duke reflektuar jo vetëm mirënjohjen tonë të thellë ndaj SHBA-ve, por edhe partneritetin tonë të pathyeshëm.

Më shumë detaje, së shpejti…

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJOFTIM NGA VATRA: HAPET GARA PËR KANDIDATËT PËR KRYETAR TË FEDERATËS VATRA
  • Kthesë historike për Kosovën: 19 Qershori 1998 – Legjitimimi politik i UÇK-së nga SHBA-ja
  • Join the Albanian Roots Parade & Festival
  • Kontributi shkencor i Ukshin Hotit në interpretimin e Lidhjes së Prizrenit
  • Francesco Chetta – Schirò “Kastriotët, princa të Shqipërisë në Urdhrin Sovran dhe Ushtarak të Maltës – Zanafilla e derës së Kastriotëve” – Francesco Chetta – Schirò
  • Rruga Lissus–Naissus: Arteria strategjike e Ballkanit Romak dhe roli i Mirditës në lidhjen Adriatik–Danub
  • Revolucioni i Flamingove dhe frika nga perëndimi
  • BABALLARËT E KOMBIT DHE LINDJA E AMERIKËS
  • KOSOVA NË PERSPEKTIVËN EVROPIANE: DOMOSDOSHËMËRIA JURIDIKE DHE LEGJITIMITETI SIPAS SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE DHE TË DREJTËS EVROPIANE
  • Nga Judge John Ingram Monitor i Zgjedhjeve : Lidhur me Konventën dhe zgjedhjet e VATRËS
  • Kujtojmë Karlo Taljavinin, albanologun italian që studioi rrënjët indoeuropiane dhe pasurinë e dialekteve të shqipes
  • BREZI QË SFIDOI STATUS-QUO-në, TRIUMFI STUDENTOR PËR GJUHËN NË STRAZBURG
  • KUR NDËRGJEGJA VLEN MË SHUMË SE DISIPLINA PARTIAKE
  • GEORGE W. BUSH, PRESIDENTI QË E ÇOI AMERIKËN NËPËR STUHINË E 11 SHTATORIT DHE MBËSHTETI SHQIPTARËT NË MOMENTET VENDIMTARE
  • Mësimi hungarez për Shqipërinë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT