• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Faslli Haliti sjll ne Sofren e Diellit FRANCESCO GUCCINI me Komedine Cirano di Bergerac

July 25, 2017 by dgreca

FRANCESCO GUCCINI/

Coquelin_ainé

Francesco Guccini  (Modena, 14 qershor 1940) është poet muzikant, shkrimtar, kantautor italian./ CYRANO, Komedi me 5 akte e Cirano di Bergerac/

                 Cyrano de Bergerac (e njohur në Itali edhe si Cirano di Bergerac) është një komedi e famshme me pesë akte e publikuar në vitin 1897 nga dramaturgu francez Edmond Rostand (1868 –1918) e inspiruar nga figura historike  e Savinien Cyrano de Bergerac, një nga shkrimtarët e ҫuditshëm të gjashtëqindshit francese, pararendës  i letërsisë fantashencë.

    CYRANO

Ejani pra,përpara, ju me hundën e shkurtër,

zotërinj të lyer e të ngjyrë, unë nuk ju duroj!

Do ta fus mirë penën brenda kryelartësisë suaj

sepse me këtë shpatë

kur të dua mund t’ju vras

Ejani pra, përpara poetë të shkallmuar,

këngëtarë të panevojshëm të ditëve fatkeqe,

bufonë që jetoni me vargje pa forcë

ju do të keni para, dhe lavdi, por s’keni lëkurë;

ju gëzojeni suksesin, gëzojeni ndërsa zgjat

publiku është mësuar

s’ju frikëson

shkoni kushedi ku, që të mos paguani taksat

me ngërdheshjen dhe injorancën e të parëve të klasës.

Unë jam vetëm një kadet i mjerë i Guaskonjës

por unë nuk mund t’i duroj njerëzit

që s’ëndërrojnë.

Xhinglat? Arrivizmin? Unë s’e ha grepin

në në fund të liçensës, s’fal, prek…

 

Le t’i japim fund, ejani të gjithë përpara

Protagonistë të rinj, politikanë kacavjerrës;

ejani, sekretarë, rufianë dhe mediokër,

përçues të ashpër emisionesh të rreme

që e keni bërë art shpesht

me art të rëndomtë;

guxim kontrabandistë, hidhini kartat poshtë

do të jetë përherë dikush që do të paguajë shpenzimet

në këtë vend të bekuar, të bukur, absurd.

Nuk shqetësohem aspak

nëse edhe unë jam gabuar,

të zgjoj pakënaqësi është kënaqësia ime,

mua më pëlqen të jem i urryer;

me dinakët dhe prepotentët

unë luaj gjithmonë

dhe në fund të liçensës

nuk fal por prek.

 

Por kur unë jam vetëm

me këtë hundë të pamasë

që së paku gjysmë ore

më paraprin përherë

shuhet zemërimin im

dhe kujtoj me dhimbje

që më ndalohet, pothuaj, ëndrra e një dashurie ;

nuk e di sa kam dashuruar, nuk e di sa gra kam pasur,

qëllimisht ose nga fati i kam humbur

dhe kur ndjej peshën e të qenit gjithmonë vetëm

kyçem në shtëpi dhe shkruaj dhe duke shkruar ngushëlloj veten,

por brenda vetes ndjej se dashuria e madhe mbetet,

dashuroj pa mëkat, dashuroj por jam i trishtuar

sepse Rosana është e bukur, jemi kaq të ndryshëm;

unë s’arrij t’ia them këtë, por me vargje  do t’i flas.

Ejani njerëz bosh, t’i japim fund kësaj:

ju  priftërinj që shisni për të tjerët një jete tjetër;

nëse ka, siç thoni ju një Perëndi në pafundësi

shikoni në zemrat tuaja e keni tradhtuar tashmë

dhe ju materialistë, me temën tuaj të preferuar

Perëndia ka vdekur dhe njeriu është vetëm në humnerë,

të vërtetat  kërkojini në tokë, si derrat,

mbajini lendet, më lini krahët;

kthehuni në shtëpi spurdhjakë, hiqmuni qafe,

për tërbimin tim të madh më duhen gjigandë.

Unë gjithmonë s’e ha grepin e dogmave

dhe paragjykimeve

dhe në fund liçencës unë nuk e fal dhe prek.

Unë i prek armiqtë e mi me hundë dhe me shpatë

por në këtë jetë sot nuk e gjej më rrugën,

s’dua të pranoj të jem i keq,

ti vetëm mund të më shpëtosh, ti vetëm dhe ta shkruaj;

unë e ndjej, duhet të jetë atje, në tokë a në qiell një vend,

ku nuk do të vuajmë dhe gjithëçka do të jetë e arsyeshme.

Mos qesh, të lutem, me këto fjalë të miat

unë jam vetëm një hije dhe ti, Rossana, dielli;

por ti, e di, nuk qesh fort,e ëmbla zonjë

dhe unë nuk fshihem nën shtëpinë tënde

sepse tani e ndjej, nuk kam vuajtur më kot,

nëse më do siç jam, përgjithmonë Sirano…

     ***                        

             CYRANO

 Komedi me 5 akte e Cirano di Bergerac

përktheu:Faslli Halit

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Cirano di Bergerac, Faslli Haliti, FRANCESCO GUCCINI me Komedine

«Ngjyrat e Dashurisët»- roman i ri i Lis Bukurocës

July 25, 2017 by dgreca

shpendi ne mal

Nga Shpend Sollaku Noé/

Nëpër këto male zgjodha ta mbaroj së lexuari librin e Lis Bukurocës «Ngjyrat e Dashurisët». Kur lash pas edhe faqen e fundit, u ndjeva më i plotë në kulturë. Janë 200 faqe e dy rreshta të shkruara bukur, me një shqipe të zgjedhur e të pastër, me një frazë concize, me një dialog të shkathët e të pasur që do tʼia kishin zili edhe dramaturgët me pervojë, me një zhdërvjelltësi të shkruari që të bën ta lexosh me një frymë.

Edhe pse me një erotizëm të ndjeshëm, ky libër më la përshtypjen e një romani të mprehtë social që vetëm në paraqitje ka ravijezimet e një zhanri të verdhë të regjur në erotizëm. Personazhet, të kursyer në numër, janë të detajuar e të tipizuar mirë dhe bëjnë të padobishëm praninë e pseudove të tjerë të vagët, shpesh të bezdisur e të kotë nëpër romane. Këto faqe kanë aq sa duhet të kishin, edhe në përshkrime e situata. Nuk janë të tepërta edhe poezi të mirëfillta kushtuar Lizës, përkundrazi, i japin larmi e thyerje interesante formave të tjera të të shkruarit të pranishme në këtë vepër.

Që prej vitit 1988 Lis Bukuroca, i ndjekur prej policisë serbe, u detyrua të braktisë Kosovën. Qysh atehere jeton e punon ne Gjermani. Ai ka një eksperiencë të gjatë (nga vitit 1991) si përkthyes nga shqipja, maqedonishtja, serbo-kroatishtja, italishtja dhe frëngjishtja por, më kryesorja, muza e tij ka gjetur shpërthime origjinale në ese, analiza, tregime dhe poezi.

Gjithë kjo eksperiencë mijërafaqëshe në të shkruar ka shërbyer si një pedanë e shkëlqyer për ta katapultuar këtë autor të guximshëm e të rrallë në një prozë të gjatë të sukseshme si kjo, që sigurisht ka për të patur pasuese të tjera edhe me të arrirra.

Këto pak rreshta janë vetëm një penelatë e shpejtë që ka për tʼu pasuar edhe me studime më të thella; ky është vetëm një urim prej thellësisë së zemrës, Lis Bukuroca.

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: - roman i ri, «Ngjyrat e Dashurisët», i Lis Bukurocës, Shpend Sollaku Noe'

QEVERIA KINEZE, PERGJEGJESE PER VDEKJEN E NOBELISTIT LIU XIAOBO

July 24, 2017 by dgreca

NJE JAVE ME PARE U SHUA DISIDENTI I BURGOSUR KINEZ DHE FITUES I ÇMIMIT NOBEL PËR PAQË LIU XIAOBO/

1-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/Disidenti më i njohur kinez dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqë në vitin 2010, vdiq një javë parë në moshën 61-vjeçare pas një beteje të vështirë me sëmundjen e kancerit.  Mediat botërore kanë njoftuar se Laureati kinez i Çmimit Nobel për Paqë, para se të vdiste ishte shtuar në një spital të qytetit Shengyang, ku u transferua nga qelia e burgut ku kaloi 8-vitet e fundit, në fazën përfundimtate të kësaj sëmundjeje të tmershme.

Kritikat ndërkombëtare,përfshirë edhe ato të Komitetit Nobel, iu drejtuan autoriteteve kineze në Pekin, duke thënë se ato nuk morën masa të nevojshme që Z. Liu Xiaobo ta transferonin më heret në spital dhe mundësisht t’i shpëtonin jetën.  Duke vlerësuar reagimet për vdekjen e tij, bota po mban përgjegjëse qeverinë kineze.  Zëri i Amerikës citon Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kinë, Z. Terry Branstad, të ketë thënë se: “Kina humbi një njeri model dhe thellësisht parimor që meritonte respektin dhe adhurimin tonë, e jo dënimet me burg që iu imponuan.”  Ndërsa Sekrterai Amerikan i Shtetit Z. Rex Tillerson e cilësoi vdekjen e laureatit kine, si “tragjike”, u bëri thirrj autoriteteve kineze që të lirojnë nga arrestimi shtëpiak, bashkshortën e disidentit Liu. “Me luftën e tij për liri, barazi dhe qeverisje kushtetuese në Kinë, Liu Xiaobo mishëronte frymën njerëzore të Çmimit Nobel, ndërsa me vdekjen e tij, ai riafirmoi meritat dhe vlerat, në të cilat ishte bazuar zgjedhja e tij për Çmimin Nobel për paqë”, në vitin 2010.

Por kritikat më të forta ndaj Pekinit zyrtar për vdekjen e disidentit Liu erdhën Senatori republikan, Xhon Mekejn, i cili vetështë diagnostikuar kohët e fundit me një kancer agresiv në tru, e cilësoi vonesën e trajtimit nga qeveria kineze të aktivistit të burgosur të të drejtave të njeriut, “si shkelja barbare fundit  e  të drrejtave të tija të njeriut.”  Ish-Presidenti Xhorxh W. Bush, ndërkaq, bëri një deklaratë për media në të cilën tha se disidenti Liu ishte një i burgosur politik i ndërgjegjes, i cili mori guximin të ëndërronte për një Kinë që do të respektonte të drejtat e njeriut.”

Ndërsa Kryetarja e Komitetit të Çmimit Nobel, Berit Reiss-Andersen është shprehur me këtë rast se, Komiteti norvegjez e konsideron, “Shumë shqetësues faktin se Liu Xiaobo nuk u transferua në një vend ku mund të merrte trajtim të përshtatshëm mjekësor para se sëmundja të arrinte në fazën e fundit.  Qeveria kineze mban përgjegjësi të madhe për vdekjen e tij të parakohshme”, ka thënë ajo në deklaratën e saj.

Me rastin e vdekjes së disidentit kinez, Liu kanë reaguar edhe Kombet e Bashkuara dhe organizata jo qeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.  Komisoneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, është shprehur se me vdekjen e laureatit dhe mbrojtsit të të drejtave të njeriut, “Lëvizja në mbështetje të të drejtave të njeriut në Kinë dhe anë e mbanë botës ka humbur një kampion parimor, i cili i kushtoi jetën e vet promovimit të të drejtave të njeriut, në mënyrë paqësore dhe të vazhdueshme dhe i cili si rrjedhim u burgos për qëndrimet e tija parimore.”   Ndërsa Drejtoresha e organizatës, “Human Rights Watch” që merret me të drejtat e njeriut në Kinë, Sofie Riçardson reagoi ndaj vdekjes së parakohshme të Liu Xiaobo duke deklaruar se, “E ardhmja e të drejtave të njeriut në Kinë duket gjithnjë e më e zymtë nën udhlheqjen e Presdientit Xi Jingping.  Autoritetet kanë venë në shënjestër grupet që promovojnë respektimin e të drejtave të njeriut dhe njëkohësisht kanë shtuar në mënyrë të dukshme përpjekjet për kontrollimin e veprimtarisë së tyre.”

Kina, si gjithmonë dhe si të gjitha regjimet autoritare shkelse të të drejtave të nejriut, u tregua sensitive ndaj kritikave ndërkombëtare lidhur me trajtimin e vdekjes së disidentit Liu, ka paraqitur demarsh diplomatik proteste, ndër të tjera, kundër Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Vdekja e të ndjerit Liu, njërit prej disidentëve më të njohur kinezë ndodhi nën mbikqyrjen e fortë të autoriteteve të regjimit komunist kinez, duke u bërë atë fituesi i dytë i Çmimit Nobel për Paqë që vdes nën mbikqyrjen e autoriteteve shtetërore, pas pacifistit gjerman dhe fituesit të Çmimit Nobel për Paqë, Carl von Ossietzky, i cili ka vdekur pasi kishte kaluar disa vite në kampet e Gjermanisë naziste të përqendrimit.

Për veprimtarinë e tij të guximshme në mbrojtje të të drejtave të njeriut, Liu Xiaobo u bë i pari kinez në histori që fitoi Çmimin Nobel për Paqë, në vitin 2010, ndërkohë që gjëndej i burgosur, i dënuar për promovimin e demokracisë.  Si sot në vdekje, ashtu edhe atëherë në jetë, megjithse i burgosur, disidenti Liu tërhoqi vëmendjen e botës me rastin e dhënjes së Çmimit Nobel për paqë, shtatë vjetë më parë.  Në të vërtetë edhe unë kisha shkruar me atë rast artikullin me titull, “Pse trembet perandoria komuniste kineze nga nje individ i vetem? Me atë rast kisha shënuar se nuk e kuptoja se pse një perandori komuniste aq e fortë sa Kina të kishte frikë nga disidenti Liu që në foto nuk dukej aq i rrezikshem.

Në të vërtetë, Zoti Liu nuk po kërkonte ndonjë revolucion me dhunë, por ishte “fajtor” vetem e vetem se kërkonte nga regjimi komunist që lirite dhe të drejtat e njohura nga kushtetuta e vendit, të zbatoheshin për të gjithë.Për pothuaj dy dekada, Zoti Liu njihej si përkrahës i të drejtave të njeriut  në Kinë.  Ai pat marrë pjesë në protestat e sheshit Tiananmen të vitit 1989, në Pekin ku edhe luajti rolin e negociatorit dhe ndërmjetsuesit me ushtrinë kineze për të liruar protestuesit që të largoheshin s’andejmi pa u dëmtuar. Ishte shtypja brutale e këtyre protestave, që sipas tij shënoi një pikëkëthesë dramatike në jetën e tij 50-vjecare.  Pas daljes nga burgu me 1991 ai vazhdoi të shkruante artikuj me të cilet bënte thirrje për reforma paqësore politike në vend. Si perfundim, ai u vendos në arrest-shtëpie dhe më vonë u dërgua në një kamp “ri-edukimi”, nga ku u lirua me 1999.  Mirëpo, në frymën e disidentit të vërtetë parimor, ai nuk pushon së punuari për idealet e veta dhe në dhjetor të vitit 2009, me nje kolege të vetin përpilojnë dokumentin e quajtur Karta 2008, sipas modelit te Kartës 77 të Vaclav Havelit dhe kolegëve të tij disidentë anti-komunistë të ish-Çekosllovakisë, e në të cilin disidenti Liu, ndër të tjera, bënte thirrje për zgjedhje shumë luraliste dhe për reformë demokratike në Kinë. Ai u arrestua përsëri në vitin 2009 dhe u dënua me 11-vjetë burg për, “nxitje të subversionit kundër shtetit”, për rolin e tij në përpilimin e Kartës 2008 dhe për artikujt në të cilët bënte thirrje për reforma politike në Kinë. Në të vërtetë, sa ishte gjallë Vaclav Haveli ishte mbështetës i fortë i disidentit Liu.

Zoti Havel e përkraht Zotin Liu i bindur nga pervoja e tij personale, se një Kinë demokratike do të ishte shumë më e preferueshme se Kina e sotëme komuniste, si për popullin e saj ashtu edhe për botën mbarë. Zoti Havel e dinte gjithashtu, nga përvoja personale, rolin që mund të luaj një individ siç ishte disidenti Liu, në fillimin dhe mbarimin e ndryshimeve epokale të regjimeve autoritare, sidomos te regjimeve diktatoriale si ai i Pekinit.  Kjo, në të vertete është arsyeja se pse perandoria e kuqe kineze trembej nga idetë e Zotit Liu, nga vlerat e tij për demokraci, për të drejtat e njeriut si edhe per dinjitetin e indidvidit — vlera këto që janë universale.  Prandaj, autoritetet e sotëme kineze e lënë të vdiste pa përkujdesjen e nevojshme mjekësore.

Mund të pyes dikush, po ç’të duhet të na lodhësh me këtë shkrim mbi disidentët kinezë, të gjallë apo të vdekur.   Ajo që ndodhë në Kinë duhet të shqetësojë edhe shqiptarët, sepse Kina komuniste së bashku me Rusinë putiniste kanë qenë dhe janë kundershtarët më të vendosur ndërkombëtarë ndaj të drejtave të të shqiptarëve, sidomos kundër pavarësisë së Kosovës, gjatë dhe pas luftës si dhe kundër interesave të kombit shiptar në trojet e veta, në përgjithsi.  Dhe se duhet pasur kujdes ndaj flirtimeve politike dhe ekonomike me regjime ose udhëheqës autoritarë të cilët nuk respektojnë të drejtat bazë të njeriut për popujt e vet — sepse si të tillë, prej tyre nuk mund të pritet se do të kenë respekt as për shqiptarët — ndër të tjerë popuj — dhe as për lirinë, paqën dhe demokracinë kudo në botë.  Kjo është arsyeja që edhe shqiptarët duhet të jenë të interesuar, por edhe të shqetësuar për trajtimin e keq të disidentëve, kudo qofshin ata, përfshirë edhe vdekjen e parakohshme të ndjerit Liu Xiaobo nën rrethana të dyshimta, të mbikqyrura nga shteti.

Filed Under: Politike Tagged With: E NOBELISTIT LIU XIAOBO, Frank shkreli, PER VDEKJEN, PERGJEGJESE, Qeveria kineze

Kosova raport BE-së: Serbia bllokada, pengesa dhe sabotime marrëveshjeve

July 24, 2017 by dgreca

-Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri ka paraqitur një raport zyrtar pranë Bashkimit Evropian rreth gjendjes në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit. Në këtë raport theksi është vënë vetëm te marrëveshjet që janë në pritje të zbatimit, duke vënë në pah bllokadat, pengesat dhe sabotimet që Serbia ia ka bërë procesit të zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe motivet që qëndrojnë pas tyre/

1 Ministrja_Edita Tahiri

-Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikes, Gjermanisë dhe vendeve tjera evropiane është i domosdoshëm për suksesin e dialogut Kosovë-Serbi/ 

PRISHTINË, 24 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore e Republikës së Kosovës në dialogun e Brukselit ka paraqitur një raport zyrtar pranë Bashkimit Evropian rreth gjendjes në procesin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit. Në këtë raport theksi është vënë vetëm te marrëveshjet që janë në pritje të zbatimit, duke vënë në pah bllokadat, pengesat dhe sabotimet që Serbia ia ka bërë procesit të zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe motivet që qëndrojnë pas tyre.

Në vijim gjeni tekstin integral të këtij raporti dhe bashkëngjitur edhe dokumentin origjinal në gjuhën angleze

Për: Angelina Eichhorst, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm Evropian të Bashkimit Evropian

Nga: Edita Tahiri, Ministre për Dialog dhe Kryenegociatore

Data: 06 korrik 2017;  Nr.ref 064/2017

Subjekti: MARRËVESHJET E BRUKSELIT NË PRITJE TË ZBATIMIT

Janë një numër i marrëveshjeve të arritura në Dialogun e Brukselit që janë në pritje të zbatimit. Disa nga marrëveshjet janë bllokuar plotësisht siç janë: marrëveshjet për energjinë, drejtësinë dhe diplomat. Të tjerat janë ndërprerë në faza të ndryshme të zbatimit siç janë: marrëveshja për kadastrën, shuarja e “mbrojtjes civile”, rivitalizimi i Urës së Mitrovicës, rivitalizimi i rrugës kryesore në Mitrovicën veriore, shpërbërja e plotë e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë. Ndërsa disa të tjera i janë nënshtruar vonesave siç janë: asociacioni, reciprociteti në targat e regjistrimit.

  1. Marrëveshjet e bllokuara ose të penguara nga Serbia

Serbia ka bllokuar marrëveshjet për energji, drejtësi, diploma dhe kadastra. Ka penguar rivitalizimin e plotë të Urës së Mitrovicës dhe rivitalizimin e rrugës kryesore në Mitrovicën veriore, shpërbërjen e komunave paralele serbe, ka sabotuar zbatimin përfundimtar të marrëveshjes për shuarjen e “mbrojtjes civile” / gjegjësisht çështjen e objekteve për institucionet e Kosovës ku ish anëtarët  “MC ” janë të punësuar. Ndërsa ende mbështet disa nga strukturat paralele të saj në Kosovë, në kundërshtim me Marrëveshjet e Brukselit.

  1. Energjia

Siç mund të dini, marrëveshja e energjisë është negociuar për më shumë se gjashtë vjet dhe ende nuk mund të zbatohet. Serbia është duke e bllokuar atë duke mos lejuar që kompania e re të regjistrohet në Kosovë në pajtim me Ligjet e Kosovës ashtu siç parashihet me marrëveshjen e energjisë të arritur në vitin 2013. Në terma konkretë, kompania e re, si një degë e një kompanie serbe, po refuzon të përmendë në Kosovën si shtetin ku do të operoj, në statutin saj, pavarësisht faktit  se marrëveshja kërkon respektimin e Ligjeve të Kosovës. Ne besojmë se prapa këtyre pengesave qëndron mosgatishmëria e Serbisë për të zbatuar marrëveshjen e energjisë, për shkak të interesave të saja politike dhe ekonomike. Kjo jo vetëm që ka cenuar sistemin energjetik të Kosovës, por edhe sigurinë rajonale të energjisë, si dhe agjendën rajonale të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (Procesit të Berlinit) mbi konektivitetin rajonal në  fushën e energjisë. Nga ana tjetër, Kosova mban mbi supet e saja stabilitetin rajonal të energjisë në dëm të saj, megjithëse mund të aplikojë në mënyrë legjitime masat e reciprocitetit, duke qenë se Kosova përkatësisht KOSTT ka fituar ligjërisht kontestin në vitin 2008, kur Sekretariati i Komunitetit të Energjisë mori vendimin që Serbia  ka shkelur Traktatin e Athinës në raport me Kosovën. Nëse vonesat vazhdojnë, Kosova do të detyrohet të zbatojë reciprocitet kundër Serbisë, meqenëse pas 9 viteve të të drejtave të saja të njohura ligjërisht, ajo ka legjitimitet për të mbrojtur sovranitetin e saj mbi sistemin energjetik të saj. 

  1. Drejtësia

Në lidhje me drejtësinë, zbatimi është frenuar nga Serbia, që nga 10 janari i vitit 2017, kur Serbia duhej të ndërpriste zyrtarisht pagat dhe kontratat e punës për gjyqtarët dhe prokurorët serbë dhe stafin administrativ të rekrutuar për të punuar në institucionet e drejtësisë në Kosovë. Serbia ende nuk ka paraqitur ndonjë vendim të qeverisë që do të dëshmonte se i ka përmbushur këto detyrime që rrjedhin nga marrëveshja e Brukselit mbi drejtësinë. Rrjedhimisht, ajo ka vonuar procesin e konsolidimit të Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë në rajonin e Mitrovicës, siç ishte parashikuar në Marrëveshjen e Brukselit mbi Drejtësinë në pajtim me Ligjin e Kosovës. Pala e Kosovës ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj.

  1. Diplomat

Edhe në fushën e arsimit, Serbia nuk ka treguar gatishmëri për të ndihmuar studentët, përmes zbatimit të marrëveshjes për pranimin reciprok të diplomave midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Që nga viti 2011, kur u arrit kjo marrëveshje dhe më vonë u zgjerua në janar të vitit 2016, ajo kurrë nuk është zbatuar nga Serbia.

Motivet për bllokadë duket të jenë të natyrës politike, të orientuara kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët veçanërisht kanë nevojë për pranimin e diplomave të tyre, duke qenë se studiojnë në Kosovë, në mungesë të Universitetit në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës në Serbi dhe të cilët kërkojnë të kthehen dhe të shërbejnë në sektorin e arsimit ose të punësohen në sektorë të tjerë publikë në Luginën e Preshevës.

  1. Kadastra

Marrëveshja për kadastrën është arritur në vitin 2011. Ka pasur vonesa serioze nga ana e Kosovës në miratimin e Ligjit për Agjencinë Teknike mbi krahasimin dhe verifikimin e dokumenteve kadastrale që do të kthehen në Kosovë, të cilat janë marrë dhunshëm nga Serbia gjatë luftës kundër Kosovës në vitet 1998-1999. Sidoqoftë, që kur Kosova e miratoi këtë ligj, në qershor të vitit 2016, ka qenë Serbia ajo që e ka penguar implementimin duke mos kthyer ende në Kosovë dokumentet e skanuara dhe verifikuara të kadastrave të Kosovës.

  1. “Mbrojtja civile” – pengohet zbatimi përfundimtar

Përveç problemeve të krijuara nga bllokada e Serbisë ndaj marrëveshjeve të lartpërmendura shumë të rëndësishme për Kosovën, kohët e fundit kemi vërejtur sabotime të Serbisë ndaj marrëveshjeve të caktuara, të tilla si sabotimi i çështjes së objekteve për institucionet e Kosovës të cilat kanë punësuar ish-anëtarët e “mbrojtjes civile”. Kosova ka paguar paga për 378 persona për 18 muaj me radhë, por ata nuk mund të punojnë, sepse lokalet që kemi marrë me qira janë bombarduar dhe qiradhënësi është kërcënuar. Përveç kësaj, objektet e ish “mbrojtjes civile” të cilat duhej t’i dorëzoheshin Qeverisë së Kosovës, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, dorëzimi nuk është bërë ende. BE-ja nuk ka mundur të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj çështjeje deri më tani, megjithëse  ne po këmbëngulim vazhdimisht.

  1. Serbia ende mbështet disa nga strukturat paralele të saj në Kosovë – në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit

Fenomeni më shqetësues është dualizmi i Serbisë në zbatim i cili nënkupton se në njërën anë zbaton marrëveshjet dhe në anën tjetër vazhdon të mbështesë strukturat paralele të saj në Kosovë, duke përfshirë strukturat ilegale komunale në veri dhe në disa pjesë të tjera të Kosovës.Kjo qasje dualiste e Serbisë ndaj dialogut të Brukselit cenon në mënyrë thelbësore  qëllimin e  normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Prova më e mirë është fakti se edhe pas gjashtë viteve të këtij dialogu, ministrat e qeverisë së Kosovës ende nuk mund të bëjnë ndonjë vizitë zyrtare në komunat veriore. BE nuk ka qenë në gjendje ta ndihmojë heqjen e kësaj pengese serioze për procesin e normalizimit.

  1. Rivitalizimi i Urës së Mitrovicës – i penguar

Barrikada është hequr nga Ura e Mitrovicës në vitin 2016, por rivitalizimi i plotë i urës është penguar nga Serbia përmes disa provokimeve djallëzore dhe destabilizuese ndaj Kosovës, siç ishte muri ilegal në Mitrovicë dhe një tren bizar që synonte të cenonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Si pasojë, ura ende nuk është hapur për lëvizje të lirë të njerëzve dhe automjeteve, megjithëse ishte planifikuar për në janar 2017, siç parashikohej në Marrëveshjen e Brukselit.

  1. Rivitalizimi i rrugës kryesore në Mitrovicën veriore – i penguar

Pas heqjes së murit ilegal në Mitrovicë në shkurt të vitit 2017, përmes dialogut midis Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut, mbështetur nga dy raunde të nivelit të lartë politik të bisedimeve në Bruksel në muajt janar dhe shkurt, rivitalizimi i rrugës kryesore filloi në bazë të planit të dakorduar.

Megjithatë, procesi është ndërprerë/penguar nga Serbia, prandaj rivitalizimi i rrugës për këmbësor është bllokuar.  Kjo gjithashtu ka shkaktuar ngecje në përfundimin e rivitalizimit të urës.

  1. Marrëveshjet e vonuara nga Kosova
  1. Asociacioni

Pas zbatimit të marrëveshjes për kodin shtetëror telefonik për Kosovën, Kosova ka lëvizur drejt nisjes së zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Takimi i parë konsultativ u mbajt në fillim të muajit dhjetor, megjithatë shfaqja e murit ilegal në Mitrovicën e Veriut, e orkestruar nga Serbia, ka ndërprerë procesin e zbatimit të kësaj marrëveshje. Pas heqjes së murit dhe ndalimit të hyrjes në Kosovë të trenit provokues, Kosova përsëri bëri përpjekje për rifillimin e zbatimit gjatë marsit të vitit 2017. Megjithatë, Serbia përsëri pengoi procesin duke insistuar që zbatimi të fillonte në Bruksel në vend se në Prishtinë, që ishte në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit. Dhe, kur Kosova ishte fleksibile për mundësinë që zbatimi të fillonte në Prishtinë dhe më pas të mbahej një takim në Bruksel, përfaqësuesit e komunitetit serb, të udhëzuar negativisht nga Serbia, refuzuan të ktheheshin në institucionet e Kosovës. Ndërkohë, Parlamenti i Kosovës pezulloi dialogun deri në lirimin e z. Ramush Haradinaj i cili u mbajt në paraburgim në Francë për shkak të një fletë arresti arbitrar të lëshuar nga Serbia. Kur mbaroi pezullimi pas lirimit të tij dhe kur përfaqësuesit e komunitetit Serb vendosën të ktheheshin në institucionet e Kosovës (domethënë kur Serbia u kërkoi atyre të ktheheshin), Kosova veçse hyri në zgjedhjet e parakohshme shtetërore dhe e gjithë agjenda e qeverisë u vë në pritje.Kosova mbetet e përkushtuar për zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në Kosovë, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pas formimit të qeverisë së re, Kosova do të vazhdojë të përmbushë këto detyrime, siç ka bërë me të gjitha detyrimet e tjera që rrjedhin nga Dialogu i Brukselit, në gjashtë vitet e fundit.

  1. Asociacioni dhe Largimi i strukturave paralele – në sinkron

Themelimi i Asociacionit duhet të shkojë në mënyrë sinkrone me shpërbërjen e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë. Të dy proceset do të shkojnë paralelisht siç është dakorduar.

  1. Reciprociteti për targat e regjistrimit të automjeteve

Kjo marrëveshje u arrit në shtator të vitit 2016 dhe ishte planifikuar të fillonte zbatimin më 15 nëntor të vitit 2016. Kosova ka vonuar zbatimin e saj për shkak të vonesave në miratimin e vendimeve të nevojshme lidhur me zbatimin. Më 16 shkurt, Qeveria e Kosovës e miratoi këtë marrëveshje dhe vendimet pasuese u morën nga Ministria e Punëve të Brendshme. Megjithatë, dinamika e zgjedhjeve në Serbi, pastaj pezullimi i dialogut nga Parlamenti i Kosovës dhe zgjedhjet në Kosovë kanë penguar rifillimin e zbatimit. Kosova e informoi BE-në rreth gatishmërisë për zbatimin dhe këmbënguli që afati i ripërtërirë të dakordohet midis palëve përmes komunikimit elektronik. Megjithatë BE njoftoi se pala serbe këmbëngul që dakordimi të bëhet përmes një takimi të palëve që duhet të zhvillohet në Bruksel. Kosova është e gatshme për zbatim.

Përfundime

Zbatimi i marrëveshjeve në pritje duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Çdo vonesë e mëtejshme do të ndikonte negativisht në të arriturat e deritashme në këtë dialog dhe do të dëmtonte besimin e publikut ndaj këtij procesi.

Është e qartë se pala serbe ka dështuar seriozisht në përmbushjen e detyrimeve të saj.

Ju mund të rikujtoni provokimet destabilizuese nga ana e Serbisë ndaj Kosovës në dhjetor të vitit 2016 dhe janar të vitit 2017, përmes një muri të çuditshëm të ndërtuar në Mitrovicë, një treni të çuditshëm që përpiqej të hynte në Kosovë, fletë arresti arbitrar për z. Ramush Haradinaj, i cili u mbajt në mënyrë të panevojshme për disa muaj në Francë. Qeveria e Kosovës iu përgjigj sfidave të tilla me vendosmëri dhe maturi, mbrojti sovranitetin dhe integritetin dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, BE-në dhe SHBA-të, u stabilizua situata. Serbia gjithashtu u përpoq të luante disa skenarë të natyrës gjeopolitike duke promovuar idetë e ndryshimit të kufijve në rajon dhe këmbimin e territoreve, të cilat dukej se ishin ndikuar nga Rusia dhe ambiciet e saj për të rikthyer ndikimin e saj, të humbur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.  Këto janë skenarë mjaft të rrezikshëm,  të cilët kundërshtohen nga  Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke qenë se pozicioni ynë i përbashkët strategjik është rreshtimi me botën Perëndimore dhe me komunitetin Euro-Atlantik.

Ne besojmë se përkushtimet për këtë dialog mund të dëshmohen si të besueshme vetëm nëse të dyja shtetet vazhdojnë me zbatimin e plotë të detyrimeve të tyre. Zbatimi i mirëfilltë i marrëveshjeve të arritura dhe dialogu i mëtejshëm që do të finalizohet me njohjen reciproke midis dy shteteve, Kosova dhe Serbia jo vetëm që do të sigurojnë të ardhmen e tyre evropiane, por gjithashtu do të mënjanojnë çdo mosmarrëveshje ndërshtetërore që u mundëson brezave të ardhshëm të të dy shteteve të jetojnë në paqe dhe fqinjësi të mirë.

Unë mund të siguroj se Kosova do të vazhdojë në rrugën e sajë drejt të ardhmes Euro-Atlantike, sepse ne ndajmë vlera të përbashkëta. Unë besoj se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është duke u ankoruar kah Perëndimi, megjithëse në këtë drejtim partnerët tanë perëndimorë duhet të na mbështesin me ma shumë vendosmëri, për të na ndihmuar në përballimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë që troket në dyert tona, qoftë të natyrës gjeopolitike apo ndonjë natyre tjetër. Alternativat tjera i përkasin të kaluarës dhe duhet të mbeten në të kaluarën.

Dëshiroj të theksoj se BE mbetet një faktor vendimtar për të ndihmuar në përshpejtimin dhe qëndrueshmërinë e rezultateve të këtij dialogu. Ne konsiderojmë se roli i Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane është i domosdoshëm për suksesin e këtij dialogu./b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kosova raport BE-së:, Serbia bllokada

Presidenti Trump:Me aeroplanmbajtësen 100.000 tonë, armiqtë e Amerikës do të “dridhen”….

July 24, 2017 by dgreca

Përurimi i anijes ushtarake më e madhe në botë Presidenti Donald Trump i jep mesazhin botës se, me aeroplanmbajtësen 100.000 tonë, armiqtë e Amerikës do të “dridhen nga frika” kur të shohin “USS Gerald R. Ford-78” përgjatë horizontit/ 

1 aeroplambjatsja1 Trump flet

Përktheu për “Dielli-n”, Herion Kërcelli/ Naval Station Norfolk, Virxhinia, 22 korrik 2017 / Një lavdërim dhe një bekim për ushtrinë tonë,  e filloi fjalën e tij presidenti Trump, gjatë marjes në dorëzim nga Flota Detare e SHBA-ve, të Aeroplanmbajtëses bërthamore USS Gerald R.Ford. Kjo anije do i cojë botës një mesazh: 100.000 tonë?! Duke i treguar përfundimisht të gjithëve se cila është fuqia ushtarake e Amerikës. Ndërsa aleatët e amerikës do të pushojnë të qetë, armiqtë tanë do të “dridhen nga frika” kur të shohin Fordin që lundron përgjatë horizontit, tha zoti Trump.

Presidenti Trump, njëkohësisht Komandanti i Forcave të Armatosura të SH.B.A-së e krahasoi luftanijen me vlerë 12.9 miliardë dollar me “një vepër të pabesueshme të artit”, dhe lavdëroi punën e specialistëve dhe anijendërtuesve amerikanë që ndërtuan një anijeje të tillë me kapacitet dislokimi për mijëra detarë dhe anëtarë të ekuipazhit. Pjesëmarrja e zotit Trump në këtë ceremoni mbylli dhe javën “Made in America”, të organizuar në Shtëpinë e Bardhë, gjatë së cilës Zyrtarët e Presidentit dhe të administratës u përpoqën të tërheqin vëmendjen e opinionit ndaj prodhimeve amerikane.
“Çeliku amerikan dhe duart amerikane kanë ndërtuar këtë anije 100,000 ton, më e madhja në botë”, tha zoti Trump për USS G.Ford, gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e komisionimit të saj. Ai lavdëroi guximin dhe frymën e bashkëpunimit të anëtarëve të shërbimit në Uashington dhe shfaqi dëshirën e tij për ndërtime të tjera, pas disa vitesh kufizimi të shpenzimeve. “Fuqia amerikane nuk është e dyta dhe ne po bëhemi më të mëdhenj dhe më të mirë në çdo ditë të administratës sime. Këtë mund t’jua them me plot gojën”, u tha zotiTrump mijëra marinarëve, ushtarakëve dhe mysafirëve, duke përfshirë ish-sekretarët e mbrojtjes Dik Çeni dhe Donald Rumsfeld, të vendosur në hangarët dhe kuvertën kryesore të anijes. “Kudo që kjo anije do të kalojë përmes horizontit, aleatët tanë do të jenë të lehtësuar dhe armiqtë tanë do të ndjejnë frikën, sepse të gjithë do kuptojnë se Amerika po vjen, dhe Amerika po vjen më e fortë!”, theksoi zoti Trump.
Mbas fjalimit, ai e vuri Fordin në komision dhe ju lut Perëndisë që “ta bekojë dhe ta drejtojë këtë luftanije dhe të gjithë ata që do të lundrojnë në të!”. Në vijim zonja Susan Ford Bales, sponsore e anijes dhe vajza e Presidentit të 38-të të SHBA, G.Ford, emrin e të cilit nderon kjo anije,  u shpreh se, “Nuk ka asnjë person, i cili do të ishte më krenar sesa Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Gerald R. Ford, për ta komanduar këtë anije të fuqishme “, tha ajo. “Unë sot jam e nderuar që të jap komandën në vend të babës tim”. Zyrtarët dhe ekuipazhi i Gerald R. Ford, me ndërtimin e kësaj anije, duket se ringjallën këtë njeri dhe president të madh, nënvizoi zonja Bales.
“Anchors Aweigh”, Spiranca e rëndë e anijes, lëvizi pas rreshtit të marinarëve me uniforma të bardha, që kishin qëndruar në formacion, për të marrë në dorëzim aparaturat, pajisjet dhe postin e tyre luftarak.Sirenat dhe këmbanat shoqëruan ngritjen e flamurit të SHBA mbi kuvertë.Menjëherë pas kësaj, Kapiteni i anijes, Richard McCormack, u informua se “anija është e drejtuar dhe e gatshme për cdo detyrë të Flotës së SHBA”. Zoti Trump, i cili vizitoi aeroplanmbajtësen në mars të këtij viti, i tha Revistës “Time” se, këtë vit Flota Amerikane duhet të kthehet në përdorimin e katapultave me avull për të nisur marinsat. Sepse, disa prej sistemeve dhe teknologjisë së përparuar të USS Ford, kushtojnë qindra miliona dollarë. Ndërtimi i USS G.Ford 78, filloi në vitin 2009 dhe duhej të përfundonte deri në shtator 2015, me një kosto prej 10.5 miliardë dollarësh. Për këtë vonesë, Flota ka fajësuar vonesat dhe tejkalimet e buxhetit në sistemet dhe teknologjinë e avancuar të anijes, duke përfshirë sistemet e lëshimit elektromagnetik për avionët, që do të zëvendësojnë katapultat e avullit. Anija e re ka një pistë shtesë për  rinisjen e avionëve, dhe një central bërthamor të projektuar për të siguruar shpejtësi me më shumë se 30 nyje dhe operacionalitet për 20 vjet, pa karburant.

E dokuar në Naval Station Norfolk, USS Ford 78, përfundimisht mund të mbajë rreth 2,600 marinarë dhe do të kursejë më shumë se 4 miliardë dollarë gjatë jetëgjatësisë 50-vjeçare të saj. Krahu i ajrit që mbështet Fordin, mund të mbajë më shumë personel në anije. Ai është projektuar për të strehuar më shumë se 4600 marinsa dhe anëtarë të ekuipazhit.
USS Ford u ndërtua në Newport News Construction Shipbuilding, një kontraktor gjigand ky i Marinës në Virxhinia. Ndërkohë, komisionimin e kësaj anije, zoti Trump e shfrytëzoi për të nxitur Kongresin që të miratojë kërkesën e tij për një shtesë 54 miliardë dollarë për ushtrinë, vitin e ardhshëm 2018. Ligjbërësit e Uashingtonit, po punojnë për të plotësuar kërkesën e tij. Gjithashtu zoti Trump bëri thirrje për t’i dhënë fund reduktimeve të detyrueshme të shpenzimeve, të cilat sic tha ai, kanë çuar në vonesat e mirëmbajtjes së anijeve dhe mjeteve luftarake. Këto, bashkë me shpenzimet e pamjaftueshme për pajisjet dhe teknologjinë e re, kanë ndikuar në gatishmërinë ushtarake. Ai tha se, nevojiten ndryshime në procesin e blerjes së pajisjeve mbrojtjëse për të siguruar që SHBA të ketë pajisjet më të mira dhe me çmimet më të lira. “Ne duam pajisjet më të mira, por ne duam që ato të ndërtohet përpara afatit dhe ne duam që ato të ndërtohet nën vlerat buxhetore”, theksoi në fjalën e tij presidenti Trump. {Zyra e Shtypit e Flotës së SHBA}.

Filed Under: Fejton Tagged With: aeroplanmbajtsja 1000.000 tone, dridhen armiqte, Herion Kercelli, Presidenti Trump

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1892
  • 1893
  • 1894
  • 1895
  • 1896
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT