• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

CDC confirms 15th case of coronavirus in the United States

February 13, 2020 by dgreca

(Reuters) – U.S. officials reported the 15th case of coronavirus in the United States on Thursday, saying the patient was among those who had been evacuated from Wuhan, China, and placed under federal quarantine at Lackland Air Force Base in San Antonio, Texas.

It was the third evacuee and first at Lackland to test positive, the U.S. Centers for Disease Control and Prevention said a statement while noting that there will likely be additional cases among people recently returned from China.

The U.S. government has flown about 800 people from Hubei province, with 195 people from the first flight having been released on Tuesday. Many are government employees and their families who are under 14-day quarantine at U.S. military bases.

“The individual is currently isolated and receiving medical care at a designated hospital nearby,” the CDC said.

Filed Under: Rajon Tagged With: USA-Coronovirus-15

KOSOVA FESTON JUBILEUN E 50 VJETORIT TË UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS

February 13, 2020 by dgreca

-Kryeministri Kurti: Jemi të përkushtuar për zhvillimin e arsimit, që është parakusht për zhvillimin e vendit/

-Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore shqiptare-kosovare një vit më herët – në 1968. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 Shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë,  në 15 Shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës/

-“Universiteti i Prishtinës do të japë dritë, shkencë e kulturë”, ishte kryetitulli në gjithë ballinën e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në 16 Shkurt 1970/

-Universiteti i Prishtinës ndan 50 mirënjohje për personalitetet që dhanë kontribut të veçantë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 13 Shkurt 2020/ Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” shënon sot jubileun e 50 vjetorit të themelimit të vlerësuar ngjarje historike për popullin e Kosovës, por edhe për gjithë kombin shqiptar.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në Konferencën e Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës, në kuadër të shënimit të 50-vjetorit të Universitetit të Prishtinës. 

Para të pranishmëve të shumtë, rektorë të Universiteteve Publike të Kosovës, ambasadorë të akredituar në Kosovë, dhe personalitete të tjera, kryeministri Kurti, tha se historia e zhvillimit të Universitetit të Prishtinës është e lidhur ngushtë me historinë e popullit tonë në gjysmën e shekullit të kaluar. “Një periudhë e ndryshimeve të mëdha nëpër të cilën fati i Universitetit ishte i lidhur ngushtë me fatin e popullit, sepse Universiteti i dha dijen e nevojshme një gjenerate e cila do të definonte të ardhmen e vendit e për pasojë edhe të vet Universitetit”, tha kryeministri Kurti.

Po ashtu, kryeministri Kurti theksoi se më shumë edhe se vend i dijes, Universiteti ishte vend i rezistencës, vend ku çlirohej vullneti i ndrydhur; vendi ku akumulohej energjia për t’u përballur me padrejtësinë.

Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore shqiptare-kosovare një vit më herët – në 1968. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 Shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë,  në 15 Shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës.

“Universiteti i Prishtinës do të japë dritë, shkencë e kulturë”, ishte, në 16 Shkurt 1970,  kryetitulli në gjithë ballinën e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit, me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, më të cilat u shtyp edhe abetarja e parë në gjuhën shqipe në Kosovë në nëntor 1946.

 “Në Rilindja, që është edhe abetare e parë, i kanë rrënjët edhe Universiteti, edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, edhe shumë zhvillime e aspiratat tona”, kam shkruar në Monografinë e gazetës historike. 

Universiteti i Prishtinës i posathemeluar kishte Fakultetin Filozofik, Fakultetin Juridiko-Ekonomik, Fakultetin Teknik dhe Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa tani ka 17 fakultete.

Kosova shtet i pavarur nga 17 Shkurti historik 2008 ka hapur universitete publike edhe në disa qytete të tjera.

FJALA E KRYEMINISTRIT ALBIN KURTI NË KONFERENCËN E REKTORËVE TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE TË KOSOVËS:

Është kënaqësi dhe privilegj të jem këtu me ju sot, në këtë moment të arritjes historike të Universitetit të Prishtinës.

Historia e zhvillimit të Universitetit të Prishtinës është e lidhur ngushtë me historinë e popullit tonë në gjysmën e shekullit të kaluar. Një periudhë e ndryshimeve të mëdha nëpër të cilën fati i universitetit ishte i lidhur ngushtë me fatin e popullit, sepse Universiteti i dha dijen e nevojshme një gjenerate e cila do të definonte të ardhmen e vendit e për pasojë edhe të vet Universitetit.


Kështu, më shumë edhe se vend i dijes, Universiteti ishte vend i rezistencës, vend ku çlirohej vullneti i ndrydhur, vendi ku akumulohej energjia për t’u përballur me padrejtësinë.

Sa më shumë që rritej presioni nga regjimi i atëhershëm për ndalimin e studimeve tona,  aq më shumë kërkonim liri për të studiuar, e sa më shumë që studionim aq më shumë e ndjenim mungesën e lirisë. 

Kështu, masat e dhunshme të Qershorit të vitit 1991 për të ndaluar mësimin në gjuhën shqipe do të sfidoheshin me shkollat-shtëpi, me shtëpitë-shkolla, me Universitete nëpër shtëpi ashtu siç më 1997 do të sfidohej i gjithë regjimi shtypës.

Në gusht të vitit 1991, Gani Bajrami kishte dërguar një letër organeve të dhunshme të Fakultetit të Makinerisë në Prishtinë, duke përfunduar me fjalët, po citoj: “Mos harroni se për fatin e një populli pa vullnetin e tij mund të vendoset me forcë vetëm për një kohë e jo edhe për gjithë ”. Bajrami ishte inxhinier i diplomuar dhe asistent.

Kështu edhe ndodhi, e kështu ndodhë sepse vullneti i popullit nuk imponohet.
Sot kur kremtojmë 50-vjetorin e Universitetit të Prishtinës, aq sa e kujtojmë me shumë nderim themelimin, po aq edhe rifillimin. Sepse, rifillimi i Universitetit të Prishtinës, në vitin 1991 nuk ishte më pak i vështirë sesa ai i themelimit në vitin 1970.


E në këtë vit të reflektimit e festimit të Universitetit për këtë gjysmëshekulli, është mirë të kujtojmë e nderojmë një nga figurat kyçe të tij, i cili refuzoi nënshtrimin dhe imponimin e të tjerëve mbi Universitetin. Atë, i cili i dha shumë vendit e pa të cilin Universiteti nuk do të ishte i tillë. Në këtë vit, më 16 prill, profesor Ejup Statovcit do t’i shënohet 80- vjetori i lindjes, e ne si institucione e kemi për obligim që ta nderojmë figurën e tij ashtu siç ai e meriton. Urtësia e mësimet e tij të shumta na udhëzojnë ende në vështirësitë tona që nuk janë të pakta.


Në vitin 1997 unë isha student i Fakultetit të Elektroteknikës, njëjtë sikurse shumë studentë tjerë të cilët ishim të vetëdijshëm për padrejtësinë e kohës në të cilën po jetonim, për zërin e brendshëm që thërriste secilin nga ne për ndryshim dhe për detyrën që ndjenim ndaj vendit. Ne bëmë atë që ishim, studentin, porsi pararendësit tanë të rinj në vitin 1968, 1981 e në vitet 1989, ‘90 e ‘91.

Në këtë kuptim, sa herë që rikthehem tek profesorët, unë e mësoj atë që e di, se kam dalur nga Universiteti, po Universiteti nuk ka dalur asnjëherë prej meje.

Të nderuar të pranishëm,

Liria ka kuptim vetëm kur ka drejtësi. Liria pa drejtësi është robërim i llojit tjetër. Nëse deri dje padrejtësia qëndronte në mohimin e lirisë nga jashtë, sot padrejtësia qëndron në keqpërdorimin e lirisë nga brenda.

Pasurimi i pakicës në kurriz të shumicës, varfëria e pabarazia shoqërore, sistemi gjyqësor joefikas dhe mungesa e shanseve të barabarta i humbin kuptimin lirisë dhe krijojnë padrejtësi të vazhdueshme përbrenda nesh.

Kjo është sfida e shoqërisë tonë sot, sfidë të cilën Universiteti i Prishtinës duhet ta adresojë e ta përmbushë në gjysmën e dytë të shekullit të saj.


Pra, nuk gaboj nëse them që teksa në gjysmën e parë të shekullit të tij, Universiteti ka përgatitur gjeneratat që i kanë shërbyer vendit për çlirim, në gjysmën e dytë, Universiteti duhet të përgatitë gjeneratat për zhvillim.

Kjo është sfida jonë e përbashkët.


Nëse më herët diploma që merrje të përcaktonte vendin e punës, sot vendet e punës e përcaktojnë edhe diplomën që duhet të marrim.

Ky ndryshim që ka ndodhur në fushën e arsimit e të punësimit duhet të reflektohet në Universitetin e Prishtinës si prijës i Arsimit të Lartë Publik, si një vend në të cilin edhe prodhohet dija, përveçse konsumohet ajo.


Shteti e ka për detyrë të krijojë dhe ofrojë kushtet dhe mundësitë e barabarta, kurse Universiteti duhet të garantojë cilësi në arsim dhe garën për dije dhe dijen si vlerë.

Pra, le t’i ndajmë detyrat dhe përgjegjësitë dhe jam i sigurt që suksesi është i garantuar. 


Ne, në këtë mandat do të rrisim investimet dhe do të bëjmë reformat në arsim, por së pari duhet të dimë se ku jemi. Besoj që të gjithë pajtohemi se për momentin gjërat nuk janë aq mirë, se ka nevojë për ndryshim, ka nevojë për reformë e cila e përgatitë Universitetin për t’u përballur me sfidat e kohës sonë. 

Koha është tash dhe ky është momenti që kemi pritur. Kurrë nuk ka pasur qeveri më të interesuar, e më të përkushtuar për zhvillimin e arsimit, që është parakusht për zhvillimin e vendit.


Urime të nderuar profesorë, për arritjet që keni bërë dhe suksese për vitet që vijnë.

Urime 50-vjetorin, edhe shumë 50-vjetorë të tjerë!

JAVA E UNIVERSITETIT: NË 50 VJETORIN E TIJ, UP-JA NDAN 50 MIRËNJOHJE PËR PERSONALITETET QË DHANË KONTRIBUT TË VEÇANTË

50 personalitete që dhanë kontribut të veçantë në Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” përgjatë pesë dekadave u shpërblyen me mirënjohje për nder të 50 vjetorit të themelimit të UP-së.

I pari i universitetit, prof. dr. Marjan Dema, tha se secili që e do vendin, e do Universitetin e Prishtinës, sepse UP-ja e bëri këtë shtet.
“UP-ja, si institucioni madhështor arsimor, shkencor dhe kulturor në vend, nuk do të ishte i tillë pa kontributin e pashembullt të personave që ndërtuan historinë e këtij institucioni. Universiteti nuk do të mbijetonte pa guximin dhe këmbënguljen e profesorëve që në atë kohë ligjëruan nëpër shtëpi – shkolla, të cilat për një kohë të gjatë zëvendësuan sallat e fakulteteve. E kjo nuk do të ishte e mundur pa dëshirën e qindra atyre kryefamiljarëve që me lëshimin e shtëpizave për mësim, rrezikuan edhe ekzistencën e tyre, më dëshirën e vetme që fëmijët tanë të vazhdojnë studimet”, tha rektori Dema.

Idriz Ajeti, Aton Çeta, Sadete Mekuli dhe Feriz Krasniqi u shpallën anëtarë nderi të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në emër të personaliteteve që morën mirënjohje një fjalë rasti e tha ish – profesoresha Drita Statovci.
“Sa mirë është të punohet me nder vullnet e përkushtim dhe sa mirë është kur dikush që është kompetent për këtë punë e vlerëson punën tënde”, tha Statovci.

Në fund të ceremonisë solemne pjesëmarrësit patën mundësi të argëtoheshin me performancën muzikore të studentëve tanë të Fakultetit të Arteve.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul jashari-50 Vjet-Universiteti i prishtines

Kur hapen portat e një shoqate shkrimtarësh

February 13, 2020 by dgreca

Nga Adnan Mehmeti, Presidenti i Shoqatës/-Dielli

     Përherë në këto vite të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, jeta e saj i ka ngjarë një zinxhiri festash që ndjekin njëra–tjetrën. Festa të promovimeve të librave të rinj. Aktivitete për autorë të spikatur. Veprimtari poetike. Takime krijuesësh në vende të ndryshme. Shkrimtarë të mirësardhur në portat e saj. Edhe fillimviti 2020 ka qenë mjaft i begatë. Të tjerë shkrimtarë futen në radhët tona. Të gjitha këto ditë i kanë ngjarë festave të bukura, të paharruara, mbresëlënëse. Të tjera vepra shkruhen e botohen e të gjithë jemi krenarë për atë që bëhet e optimistë për atë që do të bëjmë.

     Për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptari- Amerikanë, ky fillimi i vitit të ri 2020 fillon me një ogur të mirë. Në gjirin e saj erdhën katër anëtarë të rinj. Ata janë Xhemal Gora, Jani Plasi, Ermira Mitre dhe Frank Shkreli. Shoqata i mirëpret duke u uruar mirëseardhje.

     Shoqata e Shkrimtarëve vazhdon të jetë një lidhje elitare. Pas një procedure profesionale, duke i plotësuar kriteret, siç janë botimet letrare dhe miratimi nga grupi punues i kryesisë së saj ajo pati jetën e saj të vrullshme. Pranon shkrimtarët që i plotësojnë kushtet dhe denjësisht rrugëtojnë në rrugën e vështirë të letërsisë. “Misioni i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është t’i sjellë komunitetit tonë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë, një krijimtari letrare të cilësisë së lartë, në përputhje me standartet bashkëkohore të botës ku jetojmë. Po kështu, do të bëjmë ç’të jetë e mundur, që të zbulojmë dituri të reja e të krijojmë një art të ri letrar, për të pasuruar civilizimin shqiptar dhe për të kontribuar në mënyrë të ndjeshme edhe ndaj progresit letrar botëror”.

     Para jush po sjellim katër krijues letrarë, që jetojnë dhe punojnë në komunitetin tonë. Ata janë Xhemal Gora dhe Jani Plasa që jetojnë në Massachusets dhe vijnë nga qyteti i Bostonit, Ermira Mitre vjen nga Nju Xhersi, ndërsa Frank Shkreli nga Nju Jorku. Ne i mirëpresim anëtarët e rinj që po na bashkohen në familjen e madhe të shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, aq më tepër në këtë vend të lirë ku jetojmë e ku frymëzohemi për të shkruar letërsinë.

Anëtarët e rinj

Xhemal Gora- me origjinë është nga fshati Gusmar i Labërisë, por është lindur në vitin 1942, në Golem të Kavajës, Fëmijërinë e kaloi në Kuçovë. Në vitin 1959 vendoset në Fier, ku punon si kryesondist në shpimin e puseve të naftës në Patos. Në vitin 1967-1970 punon si mekanik në Uzinën Bujqësore në Fier. Studimet e larta i kreu në vitet 1970 -1974 në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë – Letërsi Shqipe. Nga viti 1974 deri 1993, ka punuar nëpër shkolla të disa fshatrave si mësues gjuhe dhe letërsie në arsimin 8-të vjeçar dhe si drejtues shkolle.  Në vitin 1993 është ftuar të fillojë punën si nëpunës pranë bashkisë Fier. Në Në vitin 2000 del në pension të parakohshëm, duke iu kushtuar tërësisht letërsisë. Në vitin 2006 emigron në SHBA dhe jeton pranë fëmijëve të tyre në Boston.

Veprat e botuara:

“T’ju kem gjithmonë pranë”, poemë, Tiranë, 1974

“Ali Pashë Tepelena”, poemë, Tiranë, 1998

“Nëse do të jetosh”, poezi, Tiranë, 2001

 “Stratulla”, novelë, Tiranë, 2003

“S’do të desha gjë tjetër”, poezi, Tiranë, 2004

 “Gjenerali i dy mbretëreshave”, roman, Tiranë,2005

 “Pengu i zemrës së lënduar”, roman, Tiranë, 2013

“Liria, ëndërr e madhe”, roman në vargje, Tiranë, 2016

 “Fate në udhëkryq, roman. Tiranë, 2017

“Shtigje përjetësie”, poezi, Tiranë, 2019

2- Jani Plasa- ka lindur në Korçë, me 30 gusht 1940. Si kreu shkollën e mesme në qytetin e lindjes, në shtator 1959 me bursë shteti shkoi për studime të larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Histori-Filologjisë, dega gjuhë shqipe-letërsi. I mbaroi studimet në qershor 1963. Qysh prej atij vitit e deri në gusht 1996 ka punuar si mësues i letërsisë dhe i gjuhës shqipe në shkolla të kategorive të ndryshme,në Berat dhe në Korçë. Prej vitit 1999 jeton në Boston.

Veprat e botuara:

“Dashuri e internuar”, roman, “Kotti“, Korçë, 2009

“Monstra në kostum”, roman, “Kotti “, Korçë, 2010

“Hije dhe drite”, tregime, ” Kotti “, Korçë, 2012

“Në parkun e kujtimeve”, poezi, ” Kotti “, Korçë, 2014

“Ujvare malli”, poezi,” Kotti “, Korçë, 2017

“Iriqi poterexhi”, përrallëza, “Kotti “, Korçë, 2019

3- Ermira Mitre- ka lindur në Durrës në tetor, 1958, në një familje qytetare durrsake. Ajo kreu studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, për Gjuhë Angleze, 1980. Punoi si mësuese e gjuhës angleze në Pukë, Korçë, dhe Durrës. Më pas kreu studimet pasuniversitare për Marrëdhënie Ndërqeveritare në New York University, USA, më 1996. Punoi si specialiste në administratën lokale, dhe më pas si menaxhere zyre, drejtuese ekipi dhe projektesh, përkthyese, për organizatat ndërkombëtare American Catholic Relief Services dhe Care International në Durrës, dhe si konsulente për Bankën Botërore dhe Ministrinë e Punës e Shërbimeve Publike, në Tiranë. Ermira është ideatore, inisiatore dhe zbatuese e disa projekteve lokale dhe kombëtare në Shqipëri dhe Amerikë, njëri prej tyre projekti për hapjen e universitetit katolik në Durrës, inisiativë e një pune disavjeçare që çoi në hapjen e universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”, dhe në miratimin e ligjit për hapjen e universiteteve private në Shqipëri.

Ermira Mitre Kokomani është poete, eseiste, përkthyese në dy gjuhë si dhe bashkëpunëtore shkencore. Ajo ka shkruar e botuar poezi, tregime të shkurtra, studime dhe artikuj shkencorë dhe publicistikë si dhe propozime për grante. Ermira jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë me familjen e saj. Ajo ka dhënë mësim në kolegjet e New Jersey-it, ndërsa punon në një bibliotekë akademike te “Rutgers University”. Ermira është anëtare e grupit të shkrimtarëve “Write Group”, të qytetit Montclair në New Jersey. Përktheu nga shqipja në anglisht romanin “The King’s Shadow” të shkrimtarit Viktor Canosinaj, 2018.

Veprat e botuara:

“Graviteti i shpirtit”, poezi, Dyrrah, Tiranë, 2019

4- Frank Shkreli- shkollën fillore e ka kryer në vendlindje afër Ulqinit, ndërsa shkollën e mesme klasike në seminarin katolik të salezianëve në Kroaci dhe Slloveni.  Me të ardhur si refugjat politik në Shtetet e Bashkuara në vitin 1970, ai filloi studimet universitare në “Lehman College” të Nju York dhe i vazhdoi në “George Washington University”, ndërkohë që ka frekuentuar një numër kursesh specializimi gjatë punës së tij, në detyra të ndryshme 30-vjeçare në qeverinë federale të Shteteve të Bashkuara.

Karierën e tij gazetareske ai e ka filluar qysh në moshë të re, në bankat e kolegjit Lehman për gazetën e këtij enti dhe si anëtar i këshillit redaktues të revistës “Jeta Katolike” në Nju York.  Mirëpo, kariera e tij merr hov me të shkuar në Uashington DC në qershor 1974 ku fillon punën si gazetar dhe redaktor në “Radio Zëri i Amerikës” (VOA), seksioni shqip, nga viti 1974 deri në vitin 1984.  Po tek kjo radio, Shkreli ka shërbyer si shef i seksionit shqip (1984-1985).  Vajta e tij në Uashington, i punësuar pranë “Radio Zëri i Amerikës”, ishte një rast që ndryshoi përgjithmonë jetën e tij.  Nga viti 1985 deri në vitin 1990 ka shërbyer këshilltar i lartë programacioni në Drejtorinë Europiane të “Zërit të Amerikës”, për programet në18 gjuhë të ndryshme drejtuar vendeve komuniste të Europës Lindore dhe Qëndrore.  Nga viti 1990 deri në vitin 1994 ka qenë Zëvendës Drejtor në këtë radio. Nga viti 1994 deri në vitin 2003, Shkreli ka qenë Drejtor i Drejtorisë Europiane (më vonë euro-aziatike) të “Zërit të Amerikës”, drejtori nga e cila, përveç 18-gjuhëve të ndryshme europiane, varej, veç të tjerash, edhe seksioni në gjuhën shqip i VOA-s. 

Veprat e botuara:

“Demokracia nuk pret” I, II, III, Botimet Morava, Tiranë, 2016/2018

Filed Under: ESSE Tagged With: Adnan Mehmeti-Shoqata e Shkrimtareve-anetare te rinj

KATËR POEZI DASHURIE NGA FAIK KONICA

February 13, 2020 by dgreca

DRIT’ E SHPIRTIT TIM/

Drit’ e Shpirtit t’im,/

Ki pakëz besim:/

Se pa ty s’roj dot,/

Jeta është kot./

Unë i mjeri heq,/

Zëmra më rënkon:/

Si s’të vjen keq,/

Pse më mundon?/

FITOVA MOJ ZEMBËR/

Fitova, fitova, fitova, fitova, moj zembër

Ah mos derth më lot ah mos derth më lot

Nga zgjedhë e dashurisë shpëtova sot.

I flaktë i verbër gjer sot un’ i gjori,

E desha diallushen lumi mënt më mori,

Remës marësisht i shkoj tani koha,

Zjarri i dashurisë mu shua shpëtova.

Kur buz’ e saj qeshte zembra ndizej ,

Vështronjam pshertinja nga malli dot s’flisnje,

Tani ësht’ i thyer zinxhiri mërzitshmë,

Që më mbante lidhur posi skllav të frikshm.

NJË TË DASHUR KUSH KA GJETUR

Një të dashur kush ka gjetur,

Q’është e besës dhe e drejtë

Le ta puthë le ta dojë,

Jetën le t’ja ëmbëlsojë,

Dhe me lule le t’ja shtrojë.

Po besnike që të jetë,

Në kafas duhet ta ketë,

Djallushet kur ndrojnë erë,

Ju pëlqen nga no njëherë,

Të shijojnë tjatër verë.

Kur veçan Hëna kadritë,

Miq, i hapni mirë sytë,

Se bandilli përgjon çastin,

Vogëloshes i jep rastin,

Hap edhe zbraz kafazin.

HELENA E TROJËS

Në Trojë, nga maja e një kullë të lartë
Helena e bardhë zgjat kryet dhe përgjon
Poshtë nën’ muret luftën që lufton

Menella syzi me Parin flokëartë…

Shikon buzëqeshur e me ballë të qartë
zjarrin që ka ndezur vetë dhe ëndërron
e stolisur si ditën që hipi në fron
Kur vajti nus’e re nga Amykla në Spartë.

Dhe në shesh Menella me Parin të tërbuar
Goditën me sulm për të mundur a për të vdekur
Gjëmojnë duke çuar zërin në qiell.

Gjaku u ka hyrë faqe dhe duar
Kordhë me kordhë hekuri me hekur
Përpiqen, tringëllojnë, shkëlqejnë në diell.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Faik Konica-Kater poezi dashurie

VIZITA E KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS, ALBIN KURTI NË SHQIPËRI DHE INTERESI KOMBËTAR

February 12, 2020 by dgreca

   “Për çështjet e rëndësisë kombëtare na duhet të flasim njëzëri” (Albin Kurti)

                                               Nga Frank Shkreli

Kështu u shpreh Kryeministri i ri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pas vizitës së tij në Tiranë të martën: “Për çështjet e rëndësisë kombëtare na duhet të flasim njëzëri”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri u takua me udhheqsit më të lartë të vendit, përfshir Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta, Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe Kryetarin Partisë Demokratike Lulzim Basha.  Në komentin e botuar në portalin e tij pas vizitës në Tiranë, Kryeministri Kurti ka falënderuar Kryeministrin Rama, “për pritjen shtetërore e për diskutimin konstruktiv që patëm” dhe njëkohësisht ka falënderuar edhe udhëheqsit e tjerë shqiptarë me t[ cilët është takuar, përfshir Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta për “Takime të përzemërta e vëllazërore”, që pati me ta gjatë vizitës. 

Siç duket e vetmja gjë për të cilën erdhën në marrveshje të dy palët, në takimin e tyre, ishte krijimi i një komisioni ndërshtetëror për të, “analizuar” zbatimin ose jo të nja 77-marrveshjeve midis Shqipërisë dhe Kosovës, shumica e të cilave nuk janë zbatuar, sipas Zërit të Amerikës.   Nga takimi midis dy kryeministrave shqiptarë u ra dakort  edhe që dy qeveritë të takohen në Shkodër në të ardhmen, për marrveshje të tjera, të cilat nëqoftse e kaluara është një mësim, do mbeten vetëm marrveshje në letër, duke marrë parasyshë mospajtimet aktuale midis dy palëve.  

Siç dihet pengesa kryesore midis dy republikave shqiptare sot është i ashtuquajturi “minishengeni ballkanik”, për të cilin Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se, “Ishte një temë e trajtuar”, por shtoi se takimi i tij të martën në Tiranë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama ishte në fakt për “makro Shengenin” shqiptar më shumë se sa për “mini schengenin” ballkanik, u shpreh Kurti.  Ndërsa Kryeministri Rama nguli këmbë se nuk do të heq dorë nga ideja e tij në mbështetje të “minishengenit ballkanik”.  Ai citohet nga Zëri i Amerikës të ketë thënë se, “Besoj se nuk ka “makro schengen” shqiptar, pa “mini schengenin” ballkanik.  “Makro schengeni” shqipar, është i lidhur ngushtësisht me Schengenin rajonal sepse, nëse jemi konsistent në vazhdën e procesit të Berlinit dhe jemi të harmonizuar në ndërveprimin tonë, atëherë na hapet rruga e mbyllur, prej vitesh, për të patur një hapësirë të përbashkët mes dy shteteve, për të patur lëvizje të lirë mes nesh, jo vetëm të mallërave e kapitaleve, por dhe të njerëzve, çka deri dje ishte e paimagjinueshme…”, ka thënë Rama.

Duket se megjith kundërshtimet e Kryeministrit Kurti dhe të Republikës së Kosovës, në përgjithësi ndaj “minishengenit ballkanik”, që mbështetet nga kryeministri shqiptar, madje edhe pa konsultime me qeverinë e Kosovës — Kryeministri Rama ka vendosur që në llogoren e tij të mbroj me çdo kusht idenë e “mini shengenit ballkanik”, me grykat e topit të tij drejtuar kundër Kosovës, duke mos lejuar asnjë shoshitje të mendimeve të lira e të kthjellta, për një çështje aq me rëndësi.  Padija kundër ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe mosmarrveshjet e tija aktuale me Kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurtin, janë të paprecedencë midis shteteve dhe jo më midis dy shteteve që i përkasin të njëjtit komb, siç janë Shqipëria dhe Kosova.

Nevojitet diçka dramatike nga ana e Tiranës zyrtare për të tejkaluar këtë krizë të madhe politike, ekonomike dhe kombëtare në marrëdhëniet midis vëllëzërve.  Si është e mundur që të jetë më lehtë për Tiranën që të arrijë marrëveshje dhe pajtim ideshë me Beogradin, Ankaranë e ku ta di unë se kë dhe jo midis vet shqiptarëve – Tiranës dhe Prishtinës zyrtare –pajtimin e ideve për realizimin e interesave të përbashkëta kombëtare, për të cilat ata duhet të luftojnë së bashku për realizimin e tyre? 

Është e qartë, fatkeqësisht, se megjithë qëllimet e mira të Kryeministrit Albin Kurti, vizita e tij e parë si Kryeministër i Republikës së Kosovës në Atdheun Amë, nuk shkoi mirë dhe as në frymën vëllazërore që priste udhëheqsi i ri i Republikës së Kosovës.  Kjo shihej qartë edhe në fëtyrat e dy kryeministrave gjatë konferencës me shtypin.  Siç duket, Albin Kurti priste një takim me Kryeministrin Rama, si “vëllai me vëlla” dhe jo një vizitë të “politikës së jashtme” siç e cilësoi ai në portalin e tij, pasi, “Dy republikat tona nuk e kanë luksin ta shohin njëra-tjetrën me syzet e diplomacisë”, është shprehur Kurti. 

Tensionet gjatë takimit në Tiranë të martën, midis dy kryeministrave shqiptarë dhe delegacioneve të tyre në dhomën rreth tavolinës ku u takuan, dukeshin aq të thekësuara sa që edhe ajri mund të pritej me thikë, sipas një fraze amerikane — një atmosferë ku “body language”  fliste për pothuaj një atmosferë të pa tolerueshme midis dy palëve.  Se si mund të jetë diskutuar ndonjë gjë konstruktive midis tyre në interes të dy shteteve dhe të Kombit shqiptar, vetëm ata e dinë!

Në atë mendjen time të vogël, unë nuk i shoh përfitimet që mund të vijnë për Shqipërinë nga ideja e Kryeministrit Rama për një “shëngen ballkanik”, pa Kosovën, e më pak për Kosovën, sidomos pa njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës nga Serbia dhe mbrojtësja e saj historike, Rusia.  Unë kam qenë dhe jam i mendimit se lidhjet e Tiranës zyrtare me Beogradin, pa përjashtim, duhet të kalojnë gjithmonë nepër Prishtinë.  Të vjetrit na thonin se nuk ka Shqipëri pa Kosovë dhe nuk ka as Kosovë pa Shqipëri. 

Historikisht, kurrë më par nuk ka ekzistuar një periudhë historike më e volitshme se sot për të bashkpunuar dhe për të bashkrenduar politikat, jo vetëm midis dy republikave shqiptare, por edhe politikat e përbashkëta të Tiranës dhe Prishtinës — në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. 

“Për çështjet e rëndësisë kombëtare na duhet të flasim njëzëri”, është shprehur Kryeministri i ri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, duke shtuar se, “Dekada e tretë e shekullit XXI duhet të sjellë një fillim të fuqishëm, si asnjëherë më parë, të bashkëpunimit e bashkërendimit Kosovë-Shqipëri.  Nuk mohoj arritjet e së shkuarës, por jemi larg asaj çka dëshiron populli ynë, larg asaj që është brenda mundësive tona reale. Dy vendet tona janë prioritet i njëra-tjetrës dhe nuk ka çështje që presin, në asnjë fushë”, ka shkruar Kryeminsitri Kurti në portalin e tij, pas vizitës së parë të ij në Shqipëri, si Kryeministër i ri i Kosovës.

Ashtu edhe duhet të jetë!  Dy shtetet shqiptare duhet të jenë “prioritet i njëra tjetrës”.  Asnjë i ashtuquajtur “shengen ballkanik” nuk mund dhe nuk duhet të zëvendsojë vëllazërimin dhe bashkjetesën e shqiptarëve si Komb.  Që ata të shtohen e të rritën në harmoni me njëri tjetrin dhe në begati, të bashkuar nga idealet kombëtare që nuk mund t’i thyej askush.  Nuk ka gjë më të shenjtë se liria dhe pavarësia e një kombi dhe si e tillë duhet të mbrohet me gjithë mend e zemër nga çdo shqiptar, e sidomos nga prijësit e tij. Ndjenjat dhe krenaria kombëtare duhet të rivendosen pa vonesë, forca e ndjenjës së vëllazërimit kombëtar e rilindasve duhet të kthehet, para se të keqësohen marrëdhëniet ndërshiqptare. Personat dhe zërat e kundërt ndaj pajtimit kombëtar, qofshin ata politikanë në pushtet ose jashtë pushtetit, teoricienë, akademikë ose tregtarë, nga veriu ose nga jugu, nga Shqipëria ose Kosova, të cilët venë pengesa dhe mbyllen në kullat e ideve të tyre në kundërshtim me rivendosjen e këtyre idealeve kombëtare, duhet të shpallen si persona me mendime të ndryshkura dhe të pa ndërgjegjshëm, nga pikëpamja kombëtare. 

Para se të bëhet vonë, është në interesin kombëtar që shqiptarët të shërojnë plagët e vjetra e të reja.  Kanë nevojë për pajtimin e mendimeve të ndryshme dhe për ribashkim vëllazëror — sot më shumë se kurrë.  Pajtimi kombëtar do të realizohet gur themeli mbi të cilin do të ndërtohet një tempull i ri i lirisë kombëtare shqiptare, në liri, pavarësi, paqe dhe begati për të gjithë shqiptarët pa dallim, në marrëveshje — pikësëpari me njëri-tjetrin – por edhe në fqinjësi të mirë me të tjerët në rajon.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shkreli-Vizita e Albin Kurti- Tirane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 726
  • 727
  • 728
  • 729
  • 730
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT