• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kisha e Dolit si simbol i bashkimit shqiptar të krahines alpine të Plavë – Gucisë !

August 8, 2024 by s p

Musa Kurtulaj/

Kisha katolike e Dolit në qytetin alpin të Gucisë, e vetmja kishë katolike në krahinen e Plavë – Gucidë, e ndertuar në vitin 1935 ! Në këte kishë ka shërbyer para vitin 1990 Dom-Nike Ukgjini, i cili më vonë u angazhua në qëndren muzeale ” Ndre Mjeda” të Kuklit, Barbullush, ku vazhdon dhe sot. Në dhjetor 1990, Dom Nika zhvilloi në këte kishë një aktivitet kushtuar At’Gjergj Fishtes. Atë ditë moren pjesë këtu qindra shqiptar të Vuthajve, Gucisë dhe Plaves, të besim katolik e mysliman pa dallime, duke u shënuar kështu një tubim madhështor me frymë kombëtare i kësaj krahine ! Jehona e këtij tubimi shqiptar mbërriti edhe në Podgoricë e Beograd, ku të shqetësuar nga ky manifestim gjithë shqiptar në kishen e Dolit të krahines shqiptare të Plavë – Gucisë, lëshuan urdherarresti per kryesorin e këtij organizimi, Dom – Nike Ukgjinin ! Në këto kushte Dom Nika u detyrua që në menyre ilegale ta kalonte kufirin dhe të dilte në Kelmend per të vijuar më pas në Shkoder. Sot kjo kishë nuk ka prift të mirëfilltë ndaj dhe, sipas rasteve, shërbejnë të ardhur nga Kelmendi, Tuzi dhe Ulqini por kjo ka pak rendësi per shqiptarët e kësaj krahine para faktit që kishen e kanë restauruar, qëndron madhështore rrezë bjeshkëve dhe kjo çmohet sot prej tyre si simbol i bashkimit shqiptar pa dallime besimi fetar ! Dom Niken edhe sot e permendin vuthjanët per kontributin e tij në këte drejtim ! Këte përshkrim të shkurter e rëndita sot me një frymë, tek sa po e vizitoja kishen e Dolit !

Filed Under: Reportazh

SHKOLLA SHQIPE “ILIRIA” NË ASCHAFFENBURG, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE TË GJERMANISË

August 8, 2024 by s p

Alma Papamihali, mësuese në shkollën shqipe “Iliria” me qendër në Aschaffenburg të Gjermanisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Aschaffenburg të Gjermanisë, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Alma Papamihali bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE NË ASCHAFFENBURG

Shkolla jonë ka filluar si një etje për vendin dhe gjuhën tonë. Duke ruajtuar gjuhën e mëmës, t’i ndihesh vetvetja, nuk ndihesh i cunguar, por i plotë, sidomos shpirtërisht. Duke qene se donim fillimisht t‘ju mësonim fëmijëve tanë gjuhën shqipe, jo vetëm në të folur, por edhe me shkrim, t’ju mësonim recitime, pak gjeografi etj, u krijua shkolla shqipe “Iliria” me qendër në Aschaffenburg të Gjermanisë. Si pikënisje e saj, është fundi i vitit 2008, fillimi i 2009-tës. Mësimi zhvillohet një herë në javë, çdo të shtunë. Mbaj mend që fillimet tona kanë përkuar dhe me hapjen e e shkollave shqipe në New York, nga çifti Kozeta & Qemal Zylo, si dhe shkolla shqipe në Parma, me iniciatoret çiftin Durim & Elvira Lika. Më pas u hapën edhe mjaft shkolla të tjera dhe sot fatmirësisht ato janë shtuar aq shumë, saqë është vërtetë për t‘u krenuar për rëndësinë e dhënë ndër vite.

BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT DHE MBËSHTETJA NGA QENDRA E BOTIMEVE PËR DIASPORËN

Si fillim materialet kanë që ato të shkollave fillore në Shqipëri, të marra privatisht nga ne. Më vonë dhe sidomos vitet e fundit, kemi një bashkëpunim të rregullt me Qendrën e Botimeve për Diasporën, dhe materialet kryesore i marrim kryesisht prej tyre. Tre nivelet e përgatitura sipas moshave përkatëse të fëmijëve, përmbledhin tematikat kryesore siç janë: Identiteti ynë, familja ime, koha e lirë, festa të larmishme, që përfshihen tek një kulturë e përgjithshme etj. Gjithsesi përveç këtyre materialeve, një ndihmë e madhe, është edhe kontakti mes kolegësh, shkëmbimi i eksperiencës etj. Nuk do lija dot pa përmendur këtu, punën e palodhur të mësueses Etleva Mançe, e cila herë pas here na “ushqen” me materiale dhe ide plotësuese, duke na dhënë një ndihmë që është për t’u vlerësuar. Gjithashtu unë përdor edhe krijime për fëmijë, që shpesh i shkruaj enkas për ta. Bashkëpunimi me prindërit është do thoja, vendimtari. Pa prindër të ndërgjegjësuar, gjithçka që themi e flasim këtu, do ishte e pamundur. Gjithnjë i falenderoj kur sjellin dhe marrin fëmijët nga shkolla njëherë në javë. Ata janë suksesi i fëmijëve të tyre. Ose më saktë, roli kryesor, pa të cilët do ishte e pamundur ardhja e fëmijëve në të tilla shkolla kudo nëpër botë.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË GJERMANI

“Gjuha ruhet, aty ku shkruhet…” ka qenë motivi ynë. Sepse indirekt, kur ke mbajtur gjuhën gjallë, ke mbajtur identitetin tënd. Kjo ka vlerë kudo ka shqiptarë dhe nuk ndryshon qoftë në Gjermani, Amerikë, Francë apo kudo në botë.

SHOQËRIA GJERMANE PËRKRAH MËSIMIN SHQIP

Shoqëria gjermane është mjaft tolerante dhe e hapur. Për ta, integriteti i të huajve në shoqërinë gjermane, është vërtetë shumë i rëndësishëm. Por nga ana tjetër, ata me studimet e tyre kanë arritur në përfundimin që gjuha e mëmësisë, është shumë e rëndësishme në rolin që luan në bazën e formimit të një fëmije. Ndaj ne kemi gjetur mbështetjen e duhur. Kontributi i komunitetit shqiptar siç e përmenda edhe me lart, është ai që mbështet gjithë rrugëtimin tonë. Ne jemi një komunitet kulturdashës, dhe mbi të gjitha shumë krenarë për origjinën dhe arritjetet tona.

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI

Teknologjia ka sjellë shumë përparësi siç e dimë të gjithë. Gjithsesi kjo nuk i pakëson vështirësitë që ka mësimdhënia me fëmijët dygjuhësh. Duhet një punë me durim dhe shumë dashuri. Të dyja këto, t’i jep vetem pasioni dhe dashuria që ti ke për atë që bën. Dhe sidomos kur e gjitha kjo, kryhet në punë vullnetare. Pra duhet një motivacion dhe qëllim shumë i fortë, që ti ta kryesh këtë punë. Ndaj nëse motivacioni, pasioni, dashuria për vendin do të mungonin, edhe teknologjia më e avancuar nuk mund të realizonte atë që t’i pret.

EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE

Efekti është i mrekullueshëm. Fëmijët fillimisht, lidhen gjithnjë e më shumë me njëri – tjetrin. Ata ndihen mes tyre si një familje. Nëpërmjet gjuhës, ata sikur ndiejnë mes tyre që i lidh edhe diçka tjetër edhe më e madhe, disi e pashpjegueshme me shumë fjalë, por dashuria për atë vend të bukur, për të afërmit e tyre, sa vjen e shtohet. Një ndikim magjik do të shtoja, që mundet ta realizojë vetëm gjuha. Ata shkojnë e vijnë në pushime në vendlindje dhe kur kthehen i tregojnë njëri-tjetrit mbresa me shumë dëshirë.

KUSH ËSHTË MËSUESE ALMA PAPAMIHALI?

Unë jam që nga fillimi mësuesja e kësaj shkolle, e cila funksionon njëherë në javë dhe më jep mundësinë ta bëj vullnetarisht diçka të tillë. Unë jam lindur dhe rritur në Tiranë. Përveç vështirësive që kishte dikur jeta në kohën e komunizmit, fëmijëria ime ka qenë shumë aktive në aspektin kulturor. Dhe kjo më ka veshur shumë shpirtërisht, sepse jam rritur në skenën e Pallatit të Pioniereve të dikurshëm, me shumë art dhe muzikë. Këtë përvojë artistike nga njëra anë, dhe përvojën letrare si poete në anën tjetër, mundohem ta vë në funksion të shkollës sonë. Ndër të tjera, siç përmenda, krijimtaria ime, është shpesh pjesë e programeve të ndryshme që ne organizojmë me rastin e 28 Nëntorit, festës së nënës, apo të tjera raste të tilla. Fëmijët mësojnë vargje përmendësh, por dhe recitojnë në skenë me plot dashuri dhe përkushtim. Këta fëmijë janë shndërruar për mua, në një muzë të vazhdueshme dhe motivim të jetës. Së fundmi, ne ishim me grupin e të rinjve pjesëmarrës të një aktiviteti mes kulturave të vendeve të ndryshme në qytetin tonë, që organizohet në verë. Ky ishte aktiviteti që mbylli këtë verë, në pritje të rifillimit të shkollës, përsëri në shtator. Ndër të tjera një falenderim edhe për Qendren e Botimeve dhe znj. Hysi të cilët kanë bërë njoftimin në kohën e duhur për materialet dhe librat e ardhura në shtetet përkatëse për fëmijët.

Filed Under: Opinion

“Eureka”, diaspora do votojë…

August 7, 2024 by s p

Ajet Delaj/

Diaspora më në fund do votojë, po si dhe pse? Gjëja e parë e mirë është vetëregjistrimi i diasporës mundësi që zbatohet në Amerikë ku gjithkush dëshiron të votojë vetëregjistrohet. Ajo çfarë duhet marrë në konsideratë në platformën e regjistrimit duhet që çdo votues duhet të ketë mundësinë pas regjistrimit të ketë mundësinë që të  shënojë nëse ka votuar apo jo për të ditur se sa vota janë nga diaspora. E treta grumbullimi dhe ruajtja e besuar e votave deri  në numrim është mjaft e rëndësishme në kuadër të transparencës së krejt procesit. E them me bindje të plotë se nëse   institucionet shqiptare nuk tregohen transparente me menaxhimin e votës së diasporës do ti bëjnë një dëm të pariparueshëm Shqipërisë. Që politika vendimmarrëse nuk e do votën e emigrantëve unë nuk besoj se është konkluzion i vështirë pasi u desh Gjykata Kushtetuese që ta detyronte Parlamentin për të pranuar votën e emigrantëve. Mirpo nga ana tjetër kam bindjen se pjesa dërrmuese e shqiptareve të Shqipërisë pavarësisht bindjeve të tyre politike duan që të votojë diaspora. Ky është një benefit që politika e re në Shqipëri por edhe vetë diaspora e organizmat e tyre  duhet ta shfrytëzojë në favor të së ardhmes në Shqipëri. Ajo forcë politike që synon të marrë pushtetin duke manipuluar apo moskonsideruar votën e diasporës synon të vijë apo të rrijë  në pushtet në mënyrë ilegjitime. Çfarë është dhe çfarë bie pushteti legjitim nuk dua të ndalem pasi pasojat e pushtetit ilegjitim 1996-97 shqiptarët i vuajnë edhe sot e kësaj dite e me siguri do i vuajnë më së pakti edhe 50 vjet.

Forca e demokracisë qëndron te vota dhe vota zgjidh edhe problemet më të vështira në dukje.

Ajo forcë politike apo shtetërore që tenton të manipulojë votën e diasporës ndëshkimi duhet të jetë shembullor me votë.

Asnjë kokërr vote për listat apo përfaqësuesit e tyre dhe marrin realisht atë që meritojnë duke filluar me ata që nuk zbatuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese për listat e hapura.

Gjykata Kushtetuese thotë që jo më pak se 75% e kandidatëve duhet të jenë në listat e hapura kjo nuk do të thotë se 100% e listës të jetë e hapur është anti Kushtetuese, përkundrazi plotëson më së miri frymën e Kushtetueses pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë kundër listave të mbyllura.

Pra  kushtetuta ka germën dhe frymën e sajë që është detyrim për ta zbatuar nga pushteti e shteti.

Po si e kanë zbatuar PS e PD këtë vendim të Gjykatës  Kushtetuese?

Të marrim Tiranën që ka 36 deputetë ku 75% duhet të dalin nga listat e hapura pra 27 deputetë në Tiranë.

Nëse i referohemi votimeve të shkuara që për mua nuk duhet të ndodhë më, PD e PS garantojnë 24 deputetë në Tiranë me lista të mbyllura që do të thotë 66.6% e deputetëve të Tiranës vijnë nga lista të mbyllura.

Nëse shtojmë edhe ndonjë deputet nga PL apo PSD atëherë përqindja shkon edhe më lart.

Që politika e pushteti nuk kanë zbatuar Kushtetutën apo kanë shkelur me këmbë Kushtetutën apo vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk është për herë të parë, këtë e dinë mirë shqiptarët pasi e kanë paguar minimumi me 8 mijë të vdekur.

Kaq absurde është moszbatimi i vendimeve të Gjykates Kushtetuese apo kushtetutes saqë legjislacioni nuk parashikon masa ndëshkuese pasi mozbatimi i kushtetutës është grusht i pastër shteti.

Mirëpo gjëja më kriminale në tërë këtë proces është fakti se pakti PS, PD gjoja pranuan votën e diasporës  por me kushtin e “vogël” urdhëroni të votoni zonja e zotërinj të diasporës por do votoni me detyrim fosilet e njërës apo tjetrës dhe të shkopit të qenefit.

Pra vlerën e votës së diasporës që shumë shqiptarë kanë besuar se do sillte ndryshimin e pritur prej shumë kohësh, programi i vazhdimësisë   “Katovica” e zeron .

Pra në një shoqëri të lirë e demokratike moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese e kushtetutës është i pakonceptueshëm madje e njëjta gjë është edhe për gjykatat e tjera që pushteti i radhës i shkel me këmbë.

Pra një pushtet që del nga shkelja e kushtetutes është pushtet ilegjitim e shqiptarët nuk duhet ta lejojnë me votën e tyre .

Shkelja e Kushtetutës nuk konsiston vetëm në moszbatimin e  vendimit të Gjykatës Kushtetuese por edhe në shkeljen e parimit të votës së lirë e të ndershme nëpërmjet  detyrimit me ligj për   të votuar fosilet e njërës anë apo tjetrës .

I bëj thirrje faktorëve relevant në Shqipëri që të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për t’ia hequr këtë mundësi “Katovicës” për të mbajtur  pushtetin në tavolinë në mënyrë të paligjshme.

Megjithatë kam bindjen se shqiptarët e kanë mundësinë për të nxjerrë nga politika pushtetin ilegjitim,  antikushtetues që ka sunduar shqiptarët për 80 vitet e fundit. Shekspiri i madh ka thënë: “Bota është teatër, njerëzit janë aktorë, mjerë ata që nuk dinë të luajnë rolin e vet”. 

Filed Under: Ekonomi

Eqrem Çabej, sinonimi i autoktonisë së shqiptarëve nga Danubi në Çamëri

August 7, 2024 by s p

Përgatiti: Arben Iliazi/

116 vjetori i lindjes së Dijetarit të shquar që “përcaktoi” kufijtë e Ilirisë.

Eqrem Çabej është dijetar dhe njeri i madh”, ka thë në Ismail Kadare. Kur kthejmë sytë prapa në rrugën 5-6-shekullore të zhvillimit të albanologjisë, vepra e Eqrem Çabejt (7 gusht 1908-13 gusht 1980) na del para në peizazhin e gjerë e të larmë të kulturës shqiptare, me ërmasat e jashtëzakonshme dhe të shumanshme. Në vitin 1952 Çabej nisi të merrej me studimin e vendit të formimit të gjuhës shqipe e të popullit shqiptar, të cilës iu kthye në mënyrë të përsëritur si një problem madhor i historisë së shqiptarëve. Ato 3-4 punime që do t’i botonte lidhur me këtë temë gjatë viteve 50-60 janë gurthemeli i teorisë së sotme plotësisht shkencore të autoktonisë së shqiptarëve në trojet e tyre. Në këtë mënyrë, nga vitet 60 emri i Çabejt ishte bërë sinonimi i autoktonisë së shqiptarëve. Çabej, si askush para tij, shfrytëzoi njohuritë e tij të thella historiko-gjuhësore për sqarimin e prejardhjes së shqiptarëve dhe të vendit të formimit të popullit shqiptar.

Çabej, si askush para tij, shfrytëzoi njohuritë e tij të thella historiko-gjuhësore për sqarimin e prejardhjes së shqiptarëve dhe të vendit të formimit të popullit shqiptar.

Pasi botoi në vitin 1958 artikullin Problemi i autoktonisë së shqiptarëvet në dritën e emravet të vëndeve, ai i rikthehet kësaj çështje me punimin tanimë klasik Die älteren Ë ohnsitze der Albaner auf der Balkanhalbinsel im Lichte der Sprache und der Ortsnamen (Vendbanimi i lashtë i shqiptarëve në siujdhesën ballkanike në dritën e gjuhës dhe emrave të vendeve) paraqitur në Kongresin e shtatë ndërkombëtar të shkencave onomastike në Firence në 1961, për të dalë rishtas në vitin 1970 me punimin L’illyrien et l’albanais (Ilirishtja dhe shqipja), e një vit më vonë me Problemi i vendit të formimit të gjuhës shqipe.

Çabeji argumentoi në mënyrë shkencore prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar, autoktoninë e tij në trevat ku banon sot në Gadishullin Ballkanik, vuri në dukje rolin dhënës të shqipes ndaj gjuhëve me të cilat ra në kontakt dhe unitetin e kulturës materiale e shpirtërore shqiptare. Akademiku i njohur pranon se shqiptarët janë autoktonë në Gadishullin Ballkanik dhe rrojnë aty që nga kohët parahistorike. Por hedh poshtë tezën pellazgjike të gjuhës shqipe. Ja cilat janë argumentet e tij…

Vështrime mbi prejardhjen e popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij

Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet të zgjidhet më fort nga ana e ruajtjes dhe e vazhdimësisë së gjuhës së tij sesa nga pikëpamja etnike, sepse më shumë se elementet e tjera gjuha është karakteristika që dallon një popull nga të tjerët. Një problem i tillë ndërkaq, për çdo popull, të çdo vendi qoftë e të çdo kohe, paraqitet kompleks, dhe për kushtet shqiptare veçanërisht i komplikuar. Kompleks: sepse në formimin e një populli si një njësi më vete e me tipare vetjake që e dallojnë nga popujt e tjerë, kanë pjesë, sikundër dihet, rrethana të ndryshme të karakterit gjeografik dhe procese të shumëfishta historike, etnike, ekonomike, kulturore e gjuhësore. I komplikuar: në këtë fushë të studimeve shqiptare është shumë e ndjeshme mungesa e burimeve historike e të shkrimit. Megjithatë, dija e re shqiptare, edhe me këtë varfëri burimesh, me mjetet që ka në dorë përpiqet t’i afrohet zgjidhjes së këtij problemi. Dhe ka arritur në këtë lëmë rezultate që mbeten, e që kanë zënë vend dhe në fushën shkencore ndërkombëtare. Për vetë karakterin kompleks të çështjes edhe metoda për t’u zbatuar këtu duhet të jetë komplekse. Aty duhet të bashkëpunojnë disa disiplina shkencore. Sidomos vijnë në vështrim aty gjeografia historike, historia, gjuhësia, etnografia dhe arkeologjia parahistorike. Rezultatet e njërës ndër këto fusha duhet të merren parasysh e të vlerësohen në masën e duhur nga disiplinat e tjera, të kombinohen me rezultatet e tyre, që të përmblidhen faktet e shumëllojshme në disa parime të përgjithshme, në disa fakte më të sigurta, për të arritur kështu disi në një sintezë. Shqiptarët janë autoktonë ose anas në Gadishullin Ballkanik, duke qenë që rrojnë aty që nga kohët e lashta parahistorike. Ata janë bashkë me grekët populli më i moçëm i kësaj treve, janë trashëgimtarë të situatës etnike të periodës së lashtë në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Në këto rrethana pyetja se ku e ka burimin populli shqiptar, do të thotë me fjalë të tjera këtë: Stërgjyshët e shqiptarëve, ai popull që ka folur gjuhën nga e cila ka rrjedhur shqipja e sotme, me ç’emër njihej në kohët antike në Ballkan? Prej cilit popull të lashtë të këtij gadishulli rrjedhin pra shqiptarët e sotëm?

Në shekullin e kaluar u përhap shumëkund hipoteza se shqiptarët ishin stërnipët e pellazgëve. Kjo hipotezë a teori, e themeluar në tryezë të dijetarëve të huaj, pati jehonë të gjerë në lagjen e poetëve e shkrimtarëve shqiptarë të Shqipërisë e të Italisë. Ajo gjeti një truall pjellor në idetë e romanizmit, i cili në Evropën Juglindore u përhap më vonë, në një kohë kur në Perëndim kishin dalë rryma letrare të tjera. Teoria pellazge ndërkaq më vonë ra poshtë. Pellazgët në burimet greke e romake përmenden si një shtresë etnike paragreke, jo më ekzistuese në periodën antike. Autorë si Herodoti e Straboni flasin për ta për një kohë më të lashtë dhe i paraqesin si një popullsi barbare, d.m.th. jogreke, e me një gjuhë të ndryshme nga greqishtja. I lokalizojnë në zonën e Detit Egje, kryesisht në Tesali, me përhapje më një anë nga Epiri, më anë tjetër nga Azia e Vogël, nga Kreta e nga ishuj të tjerë të zonës egjeane. Ata paraqiten ndërkaq gjithkund si një popull legjendar, i mbuluar me mjegullën e një miti, popull pa konsistencë historike konkrete. Ndonëse në kohë të reja janë pohuar disa lidhje të tyre me ilirët e me trakasit, duhet thënë se ai element etnik e gjuhësor që mund të quhej, me shumë rezervë, pellazg, për shumë arsye, edhe të karakterit gjeografik, nuk mjafton kurrsesi për të pohuar me një farë baze vërtetësie shkencore një birëri pellazge të popullit shqiptar.

Duke u nisur nga një platformë më reale, për sqarimin e problemit të burimit, do t’i sillemi pikësëpari historisë si vazhdim i situatës parahistorike në Gadishull të Ballkanit. Kjo trevë e Evropës Jugore, në periodën antike ka qenë e banuar prej disa popujsh, popuj të ndryshëm nga ata të sotmit dhe të ndryshëm edhe nga njëri-tjetri. Dihet se në viset perëndimore të Gadishullit kanë banuar ilirët, në viset lindore trakasit, në anët jugore grekët, në qendër makedonët, të cilët kanë qenë të ndryshëm nga grekët edhe me një gjuhë më vete, sipas Herodotit me “gjuhë barbare”, d.m.th. jogreke. Duke lënë mënjanë disa popullsi më të vogla, si fiset iranike në pjesën lindore të Gadishullit dhe disa fise kelte në viset veriperëndimore e qendrore, kjo ka qenë gjendja etnike në epokën greko-romake. Në këtë mes shtrohet pyetja se prej cilit nga këta popuj zbresin shqiptarët, prej cilës nga gjuhët e tyre rrjedh gjuha shqipe. Në këtë problematikë grekët, ose si quheshin në atë kohë, helenët, përjashtohen vetvetiu, si një popull i ndryshëm nga populli shqiptar. Përjashtohen gjithashtu dhe makedonët e vjetër, si një popull relativisht i vogël dhe gjeografikisht më në skaj të truallit gjuhësor të shqipes, ndonëse për punë të afërsisë territoriale disa lidhje nuk mund të mohohen kryekrejet. Në këto rrethanat dy janë popujt që vijnë në vështrim si të parët e shqiptarëve, ilirët dhe trakasit.

Ilirët kanë qenë një ndër popujt e mëdhenj të Evropës së lashtë. Duke lënë mënjanë përhapjen e tyre në kohët parahistorike, në periodën historike ata shtriheshin që nga anët e Istrisë afër Triestës në veriperëndim e nga viset afër brigjeve të Danubit në veri gjer në gjirin e Artës së Çamërisë në jug, qytet që aso kohe quhej Ambrakia. Kështu fiset ilire banonin viset e sotme të Shqipërisë me Çamëri, të Malit të Zi, Bosnjes e Hercegovinës, Dalmacisë e Kroacisë, pra gjithë bregdetin lindor të Adriatikut me hinterlandin përkatës. Të fisit ilir kanë qenë pas gjithë gjasësh edhe mesapët e japigët e Apulisë në Itali Jugore. Në lindje fiset ilire mbërrinin gjer në anët e lumenjvet Vardar e Moravë në Maqedoni Veriore e në Kosovë, një trevë që në lashtësi quhej Dardania, dhe shtriheshin edhe në një pjesë të Serbisë së sotme. Në ato anë ilirët ishin kufi me fiset trake, vise-vise edhe duke u përzier me to.

Edhe trakasit kanë qenë një ndër popujt e mëdhenj të Evropës së lashtë: Herodoti e quan popullin më të madh pas indasve. Shkonin që prej kufijve të ilirëve në perëndim e gjer në brigjet e Detit të Zi në lindje, prej Detit Egje në jug e gjer në malet e Karpateve në Veri. Përfshinin kështu një pjesë të Greqisë e të Turqisë evropiane të sotme, Bullgarinë, Rumaninë e një pjesë të Hungarisë e të Polonisë. Për fatet historike të këtyre popujve e të fiseve të tyre, nga mungesa e materialit burimor për të cilin u fol më sipër, shumë pak jemi në gjendje të dimë, dhe kjo errësirë njohurish shtohet sa më lart të ngjitemi në lashtësi të kohëve. Dimë p.sh. që koncepti edhe emri ilir erdhi e u përhap vetëm me kohë, duke dalë prej një popullsie me këtë emër e duke përfshirë edhe fise etnikisht e gjuhësisht të afra. Ky emër në epopetë e Homerit ende nuk shfaqet.

Emri i ndonjë populli të veçantë, si ai i dardanëve dhe ai peonëve, të cilët në kohë historike kanë banuar në veri të makedonëve, del në skenë të historisë shumë më përpara se emri i përgjithshëm i ilirëve. Dihet gjithashtu që këta popuj të lashtë të Ballkanit, nën ndikimin e qytetërimit greko-romak, e sidomos me zotërimin e gjatë të Perandorisë Romake, me kohë pjesërisht u greqizuan, e për një pjesë të madhe u romanizuan. Me fjalë të tjera këta, pa u zhdukur si popuj, me kohë u asimiluan: lanë gjuhët e veta dhe morën vise-vise greqishten, vise-vise në pjesën më të madhe – latinishten. Kjo ndodhi sidomos nëpër qytete, nëpër qendra administrative e ushtarake ku romakët kishin ngulur garnizonet e tyre. Nëpër vise malore ndërkaq asimilimi nuk arriti të kryhej kryekrejet. Popullsitë vendase ruajtën më gjatë karakterin e tyre etnik dhe gjuhën e tyre. Ndonjëri nga këta popuj bile i shpëtoi gjer në fund romanizimit. Dëshmi e gjallë për këtë është populli shqiptar, i cili duhet të jetë pasardhës i njërit nga këta popuj (a fise) të paromanizuar. Çështja e birërisë, e filacionit, d.m.th. e rrjedhjes së një populli të sotëm prej një të lashti, të një gjuhe të re e të njohur prej një gjuhë të vjetër e të zhdukur, paraqitet mjaft e lehtë kur prej popullit të lashtë e prej gjuhës së tij kemi njohuri relativisht të sakta. Po në lidhje me shqiptarët e me shqipen, kjo çështje, si u tha, mbetet veçanërisht e vështirë. Gjuhët e lashta të Ballkanit, për mungesë shkrimesh të tyre, mund të thuhet se njihen pak e aspak. Prej gjuhës së trakasve ka disa pak mbishkrime, prej gjuhës së ilirëve të Ballkanit nuk është gjetur gjer më sot asnjë mbishkrim. Mbishkrimet e mesapëve të Italisë Jugore lexohen, porse interpretimi i tyre ka mbetur gjer sot i pasigurtë.

Prej të dyja gjuhëvet, ilirishtes dhe trakishtes, kanë mbetur disa të ashtuquajtura glosa, d.m.th. disa fjalë të tyre të dëshmuara prej autorësh grekë e romakë bashkë me kuptimet e tyre të dhëna greqisht a latinisht. Ka edhe një numër mjaft të madh me emra vendesh e personash, të gdhendur nëpër gurë a të dëshmuar nëpër tekste të autorëve klasikë; emra shumica me interpretim gjuhësor-kuptimor të dyshimtë dhe ku dijetarët modernë kanë gjetur prandaj një fushë të lirë për gjykime shpeshherë arbitrare. Kështu dy gjuhët në fjalë mbeten thuajse të panjohura për ne. Ne nuk ua dimë strukturën gjuhësore, as sistemin gramatikor, as fjalorin e tyre. Në këto rrethana mjetet e krahasimit mungojnë: mungon çelësi për të krahasuar materialin e shqipes me atë të dy gjuhëve në fjalë.

Duke qenë gjendja kështu, kriteri i gjuhës duhet të vështrohet së bashku me gjendjen gjeografike e historike. Në pikëpamje të gjeografisë historike dihet se shqiptarët e sotëm banojnë në ato vise ku në kohën antike banonin fise ilire. Në pikëpamje historike është vënë re me të drejtë, që sot e dy shekuj më parë, që nuk ka asnjë të dhënë, asnjë kumt historik që shqiptarët të jenë ardhës, që të kenë zënë vend në këto troje në një periodë historike të caktuar, si bie fjala aty nga mbarimi i kohës antike, ose në mesjetën e hershme. Në këto kushte vetë arsyeja e thjeshtë shtyn të pranohet që populli shqiptar është vendës, autokton në këto anë, në mos qysh prej periodave të mugëta parahistorike, së paku që prej kohës antike e këtej. Këto dy arsye, arsyeja e banimit në territorin e dikurshëm ilir dhe arsyeja e autoktonisë, shpien vetvetiu në mendimin që shqiptarët e sotëm janë stërnipët e fiseve ilire të jugut dhe që shqipja është vazhdimi i njërit nga dialektet e vjetra ilire.

Mund të thuhet bile që barra e argumentimit më fort u bie atyre që mohojnë burimin ilir të popullit shqiptar e të gjuhës së tij se atyre që e pohojnë. Në lidhje me këto nuk mund të jetë një gjë gand e e rastit edhe kjo, që emri i fisit ilir Albanoi, që përmend astronomi e gjeografi Ptolemeu i Aleksandrisë së Egjiptit në shekullin e dytë të erës sonë në trevën midis Durrësit e maleve të Kandavisë në Shqipëri të Mesme, vazhdon të rrojë në Arbën Arbër, Arbënesh Arbëresh, emri i Shqipërisë e i shqiptarëve në mesjetë, i gjallë dhe sot e kësaj dite. Në pikëpamje gjuhësore këtyre rrethanave vjen e u shtohet ky fakt, që vazhdimi i emrave të qyteteve, maleve e lumenjve të trevës shqiptare të kohës së lashtë, në trajtat e tyre të sotmet ka rrjedhur në pajtim me rregullat fonetike të gjuhës shqipe. Aty hyjnë barazime të tilla si Scardus : Shar, Scodra : Shkodër, Drivastum : Drisht, Pirustae : Qafa e Prushit, Lissus : Lesh (Lezhë), Isamnus : Ishëm Ishm, Dyrrachium : Durrës, Aulon : Vlonë Vlorë, Thyamis : Çam e të tjera.

Edhe kjo dëshmon për autoktoninë ilire të popullit shqiptar: sepse ky zhvillim nga trajtat antike të këtyre emrave në të sotmet nuk gjen shpjegim veçse me mjetet e shqipes. Nuk mund të shpjegohet as me mjetet e gjuhëve romane as të gjuhëve sllave, e as nëpërmjet të ndonjë gjuhe tjetër të zonës ballkanike. Për vazhdimësinë ilire ka dhe të tjera të dhëna nga fusha gjuhësore, si disa barazime që dalin në emra personash ndër ilirët e hershëm e ndër shqiptarët e sotëm. Përveç këtyre, ato të paka fjalë që dihen prej ilirishtes, shpjegohen mirëfilli me anë të shqipes. Edhe mjaft fjalë të mbishkrimeve mesapike zbërthehen me gjuhën tonë. Në këtë mënyrë të dhënat e gjeografisë historike dhe të gjuhës vijnë e plotësojnë njëra-tjetrën. Nuk mungojnë edhe disa paralele të karakterit etnografik, në të cilat nuk po hyhet këtu. Prej lëmit të arkeologjisë meriton vëmendje rrethana që në disa stacione parahistorike të trevës shqiptare vihet re një vazhdimësi e kulturës materiale, një kontinuitet nga epokat e lashta gjer në mesjetën e hershme; kjo rrethanë vjen e u shtohet argumenteve gjeografike, historike e gjuhësore që u shtruan më sipër. Për sa u përket trakasve dhe gjuhës së tyre, mbi dëshminë e disa të dhënave historike dhe gjuhësore (emra vendesh me tipare trake) është vënë re me kohë një prani elementesh trake në krahun veriperëndimor të Gadishullit Ballkanik e veçanërisht në viset bregdetare të Adriatikut të jugut. Ato duhet të jenë përzier me kohë me elementet ilire, pa mundur të themi se nga ilirët e trakasit kush qe anas e kush i ardhur. Si përfundim, edhe për arsye historike mund të thuhet se në formimin e etnosit shqiptar në bazë qëndron elementi ilir, porse mund të ketë pasur dhe një komponente trake, me përmasa gjithsesi më të vogla. Si u krye procesi i këtij formimi etnik e gjuhësor, në ç’rrethana territoriale e historike, në gjendjen e sotme të njohurive është vështirë të përcaktohet. Aty shihet më qartë përfundimi, që është populli shqiptar më gjuhën e tij, sesa rruga e zhvillimit që u përshkua gjersa u arrit gjer në gjendjen e sotme.

Filed Under: Opinion

Një panoramë e shkurtër e lidhjeve kulturore e arkeologjike midis ilirëve dhe popullatave të Italisë së Jugut*

August 7, 2024 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Mesapët

Mesapët ishin një fis ilir i shpërngulur rreth fillimi të mijëvjeçarit të fundit p. Kr., në Italinë e Jugut dhe i vendosur në qytetin antik të Apulit (Kalabria antike). Njoftimet e para historike të sigurta për Mesapët lidhen me luftërat e zhvilluara prej tyre kundër Tarentasve, nga fillimi i shek. V deri në vitin 335 p. Kr., kur pas ndërhyrjes së Aleksandër Molosit, që ishte thirrur në ndihmë nga Tarentasit, i lanë mënjanë grindjet me këta të fundit për të përballuar gjendjen e krijuar nga rreziku samnit. Në luftën e I dhe II samite, Mesapët u renditën në anën e romakëve, ndërsa gjatë luftës III më 229 p. Kr., të shqetësuar nga forca gjithnjë e në rritje e Romës, u ndanë nga Romakët dhe u hodhën kundër tyre. Në luftën kundër Romës ata, së bashku me Lukanët, Samnitët e Tarentasit, iu drejtuan për ndihmë Pirros së Epirit dhe qenë të parët që pritën dhe ndihmuan forcat e tij kur ato zbarkuan brigjet e Italisë në vititn 280 p. Kr. Edhe pse të mundur më vonë nga Roma dhe të detyruar të merrnin pjesë në konfederatën e kryesuar prej saj, Mesapët shpeshherë ngrinin krye, duke e kundërshtuar procesin e romanizimit, që nisi të thellohej sidomos në fillim të shek. I p. Kr. Gjithësesi mesapët duke jetuar për një kohë të gjatë në Italinë e Jugut dhanë kontribut dhe në etnogjenezën e popujve të tjerë të rajonit. Në burimet latine theksohet se thuhet se populli Salentin ka pasur prejardhje nga tre vende: Kreta, Iliria, Italia…[1]

Gjuha mesape ishte mesapishtja. Gjithashtu ata kanë lenë një numër mbishkrimesh, studimi i të cilave mendohet se ka rëndësi për njohjen e ilirishtes[2]. Në këtë kontekst njohja dhe zbërthimi i mbishkrimeve mesape fiton një rëndësi të veçantë për të hedhur dritë mbi ilirishten si një nga gjuhët prej së cilës nuk trashëgohet shumë material gjuhësor. Prej ilirishtes disponojmë një material të kufizuar, kryesisht onomastik, toponime dhe emra, njerëzish, perëndish, fisesh e banorësh (rreth 1000), dhe tre-katër glosa. Këtyre u shtohen materialet e mesapishtes, që, me gjithë rezervat e ndonjë studiuesi të sotëm, mbahet përgjithësisht si ilirishte. Prej kësaj kemi rreth 450 antroponime toponime një numër tekstesh të shkurtra. Janë bërë përpjekje të pasurohet ky fond duke u identifikuar fjalë të ndryshme ilire në greqishte e në latinishte, në italishten jugore e veriore e në të folmet e zonës së Alpeve. Është grumbulluar kështu lëndë prej së cilës mund të merret një ide e leksikut të ilirishtes, e sistemit fonetik të saj, dhe në një farë mase, e fjalëformimit, dhe të bëhet ndonjë përqasje me gjuhët e tjera.

Prej kohësh në opinionin shkencor është vërejtur dhe hedhur për diskutim teza e përafërsisë së gjuhës së sotme shqipe me ilirishten. Më tepër se një tezë politike për të dëshmuar autoktoninë e shqiptarëve, kjo tezë është skicuar nga linguistët përmes fondit gjuhësor të ilirishtes që gjendet në burimet historike, mes tyre dhe emra mesapë. Po japim disa prej afrimeve e barazimeve të shumta që janë bërë gjer më sot midis emrash ilirë dhe fjalësh shqipe. Ilir. Bardus, Bardyllis, Skenobardus, mesap. Barzides, Barzidihi: shqip i bardhë, Bardhi; ilir. Bardibalus, shq. balë; ilir, Bistum, shq. bisht; ilir (mons) Borea Boreas, shq, borë; ilir. Brindia, Brindesion, mesap. brenton kokë dreri) shq. bri-ni; ilir. Bigeste, shq, bigë; ilir. Dardania trevë, banorët e saj Dardani, emër personi Dardanus Dardana, toponimet Dardas Derdas, qyteti Dardapara, shq. dardhë apelativ dhe emër i shumë fshatrave; ilir. Dalmatia Delmatia trevë, banorët Dalmatae Delmatae, Delmion, Delminion, shq, dele, delme, delmer; ilir Dassus, Dassius, Dazos, etnonimi Dassaretae, shq. dash; Dimallum, Maluntum, qyteti Malvesa, shq. mal (temë kjo që shfaqet edhe në treva gjuhësore të tjera): ilir, Pelagonia, banorët Pelagones, shq. pellg; Ulcinium, Ulcissia (castra), Ulcirus, shq. ulk; ilir. Vendes, Vendenis; shq. vend etj. Sigurisht vështërësia në identifikimin dhe vërtetimin plotësisht të kësaj teze qëndron në faktin se nuk kemi tekste të plota në gjuhën ilire në të zbuluara deri më sot.

Siç vëren me të drejtë Profesor Domi një element mbështetës i teorisë së prejardhjes së gjuhës shqipe nga ilirishtja janë disa fragmente të shkurtra nga gjuha mesape. Ne s’kemi nga ilirishtja ndonjë tekst të lidhur, me përjashtim të disa fragmenteve shumë të shkurtra nga ilirishtja e Italisë, mesapishtja. Prandaj s’kemi si ta njohim morfologjinë e saj. Po kemi mjaft të dhëna për fjalëformimin. Në këtë gjuhë nga materiali që disponojmë zotëron formimi prapashtesor. Fjalët e përbëra nuk mungojnë po përdoren shumë më pak. Edhe në shqip prejardhja, prapashtesore e parashtesore, është më e përdorur se përbërja, se kompozitat. Studiues të ndryshëm kanë vënë në dukje prapashtesa e parashtesa të ilirishtes, disa prej të cilave janë vënë në lidhje edhe me prapashtesa e parashtesa të shqipes. Ka një sërë përkimesh e analogjish midis këtyre dy gjuhëve në formimet emërore, si në formantet, si në vlerat semantike të tyre. Janë caktuar rreth 15 izoglosa të tilla. Prej tyre disa janë përkime pak a shumë specifike, të tjera më të përgjithshme, dalin edhe në gjuhë të tjera, po edhe këto, duke u parë krahas të parave, marrin vlerë e peshë. Kështu në ilirishten del prapashtesa -at- në emra banorësh: Oiciniatae: Olcinium; Docleatae e Docleates: Doctea; Labeates, Sardeates: Sarda etj.; në emra personash: Clevatus e Clevata, Pleuratus, në toponimi: Aemate, Gedate. Në shqipe shfaqet prapashtesa korresponduese –at- në emra vëllezërish ( Demat, Zekat), në emra fshatrash e toponimesh të tjera ( Luzat, Dukat, Bushat). Të tjera përkime e paralelizma: ilir. (e)ste, që tregon vend, në shqip (e)shtë po me atë vështrim: i1. Palaeste, Tergeste, në shqip ullishtë, breshtë, v(ë)reshtë etj.; ilir. -to-/ta-: Dasto, (mes.) Daxta, Ditus Dita, në shqipe -të: i thatë, i gurtë, i ftohtë, i dystë; il. -ano- e -ino- për të shënuar fisin dhe banorin: Dardanus, Dardana, Dardani, Albanoi, Scodrinoi; në shq. -an, -in me kuptim të banorit të një vendi: shkodra-ni, kashari-ni ( banori i fshatit Kashar); ilir. inium: Ulcinaum, në shq. -inj për të shënuar shumësin a kuptimin kolektiv: thelpinj; ilir. -ak- për të shënuar banorin e përkatësinë: Paserentiaci, shq. -ak po me atë vështrim: durrsak, ulqinak, Muzak etj., etj. Është diktuar edhe ndonjë përkim parashtese: li në ilir. (Liburni krahaso Burni), shq. lë: lëfyt fyt.[3]

Marrëdhëniet midis dy brigjeve të Adriatikut përmes kulturës materiale

=========================================

Marrëdhëniet midis dy brigjeve të Adriatikut gjatë periudhave të ndryshme historike kanë qenë e vazhdojnë të jenë objekt i kërkimeve e studimeve të specialistëve të fushave të caktuara. Autorë të shumtë kanë sjellë të dhëna nga më të ndryshmet, të cilat kanë ndihmuar për të përcaktuar më qartë këto lidhje kulturore e materiale. Deri në studimet e deritanishme, si dëshmi më e hershme e marrëdhënieve midis dy brigjeve të Adriatikut, është një kamë e bronzit të mesëm, gjetur në gërmimet arkeologjike në tumën e Vajzës në Vlorë[4].

Nisur nga forma dhe zbukurimi i fletës, megjithëse e ndryshme pasi i mungon doreza metalike, ajo gjen analogji me kamat e tipit «Polada» të bronzit të hershëm të Italisë, dhe konsiderohet si prodhim vendas i bërë sipas modeleve të kamave italike.

Në periudhën e bronzit të mesëm në Shqipëri shfaqen edhe objektet e para të importuara nga Mikena, të dëshmuara nga objekte të tilla si shpata, thika, maja heshtash etj., këmbime të cilat do të vazhdojnë të thellohen me tepër gjatë periudhës së bronzit të vonë. Zbulimet e realizuara përtej Adriatikut, nga profesori i palodhur F. D’Andria në vendbanime të bronzit të vonë në rajonin e Apulias, kanë kontribuar mjaftueshëm në qartësimin e raporteve midis dy brigjeve në këtë periudhë të historisë sonë[5].

Periudha e hekurit shënon dhe shfaqjen më masive të objekteve të importuara nga Gadishulli Italik, ku përmendim armë e zbukurime të ndryshme prej bronzi zbuluar thuajse në nga të gjitha territoret e Shqipërisë së Ulët Bregdetare. Ndër objektet më interesante me origjinë italike, dëshmi e raporteve intensive tregtare e kulturore midis dy rajoneve tona, përbën sëpata e bronzit e tipit «ad occhio» e gjetur në depon e Torovicës së bashku me 91 copë sëpata të vogla të ashtuquajtura të tipit kelt dhe me 31 sëpata të tipit shqiptaro-dalmat[6]. Disa nga shembujt më domethënës të këtyre të fundit, dhe si ilustrim i epokës së Bronzit të Vonë, ndodhen të ekspozuar në stendat e Muzeut Historik Kombëtar.

Gjithashtu, në tumat e Patosit dhe të Dukatit, janë zbuluar disa fibula të tipit italik, të periudhës submikene dhe protogjeometrike. Në radhën e objekteve të importuara nga Italia e Jugut bën pjesë edhe një gjoksore bronzi në trajtë rrote, e zbuluar në tumën e Hamallajt (Durrës). Ajo është e vetmja e këtij lloji e zbuluar në territorin e vendit tonë, po që gjen analogji me objekte zbukurimi në trajtë disku të Italisë së Jugut. Një vlerë të pakrahasueshme në përcaktimin e këtyre raporteve, ka padyshim qeramika e pikturuar e stilit devollit e gjetur në Otranto dhe e përcaktuar nga F. D’Andria si import ilir, dhe të cilën e daton jo më të herët se shek. VIII p. Kr. Lidhur me problemin e raporteve midis dy brigjeve, vlen të vëmë në dukje disa përputhje gati të plota të formave kryesore të enëve që janë të pranishme në kulturën devollite, dhe qeramikën e periudhës gjeometrike të Italisë së Jugut. Në mbështetje të këtyre lidhjeve kulturore, një tregues i rëndësishëm është edhe sfera e botës shpirtërore — shprehur nga riti i varrimit në tuma, që është karakteristikë për kulturën devollite dhe i përhapur edhe në territorin e Apulias, kryesisht në tuma të kohës së vonë të bronzit, dhe fillimit të epokës së hekurit.

Bibliografi:

1- F. Drini, Mesapët, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vol. 1.

2- F. d’Andria, Nuovi dati sulle relazioni tra gli Illiri e le popolazioni dell’Italia Meridionale / Të dhëna të reja për lidhjet ndërmjet Ilirëve dhe popullatave të Italisë së Jugut, Iliria, vol. 16 nr. 1, 1986 (Kuvendi II i Studimeve Ilire. IIe colloque des Etudes Illyriennes, Tiranë, 20-23. XI. 1985),

3-M. Domi, Probleme të historisë së formimit të gjuhës shqipe, arritje dhe detyra / Problèmes de l’histoire de la formation de la langue albanaise, résultats et tâches, Iliria, vol. 13, nr. 1, 1983.f. 5-38.

4- F. Prendi, Një depo sëpatash nga Torovica e Lezhës / Un dépôt de haches préhistoriques à Torovicë de Lezhë, Iliria,vol. 14 nr. 2, 1984.

5- Marco Terenzio Varrone 116 B.C-27 B.C.

*Fjala e mbajtur Festivalin Kulturor Salento-Albania: Un ponte tra le due sponde. Një urë mes dy brigjeve, 2.08.2020

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 999
  • 1000
  • 1001
  • 1002
  • 1003
  • …
  • 2960
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT