• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryesisë dhe të gjithe antarsisë së Organizatës

July 7, 2023 by s p

hope.peace.org@gmail.com

Shumë e nderuemja Zonja Mimoza Dajçi

Krytare e Organizatës                                                    Ridgefield, CT. USA

New York City, N.Y.                                                                  3 korrik 2023

Të nderuemet Zonja të Kryesisë dhe Anëtarsisë së Organizats Shqiptare-Amerikane  Hope.Peace.org@gmail.com

    Kam marrë këto dit kopjen e  certifikatës së vlerësimit qytetar të Nans sime (pastë dritë) HAVA BUSHATI REPISHTI, që me interesimin tuej fisnik e atdhetar u lëshue nga Senatorja e Shtetit të Neë Yorkut the Honorable Nathalia  Fernandez.

Jam gëzue shumë dhe   kam pasë ndjenjen e lehtësimit të dhimbjes së madhe që vuejtjet e jetës kanë mbulue jetën e Nanës sime deshmore e vuejtjeve të tri diktaturave-fashiste, naziste dhe sidomos komuniste. 

    E përbuzun, e përndjekun dhe e denueme me vuejtë nji vorfëni pa skaj, kjo Nanë me tre djem të rritun, nji fenomen i pakonceptueshëm në Botën e Lirë, kjo Nanë e mjerueme nuk u dekurajue asnjiherë. Shprehja e saj “edhe na si e gjithë bota’  referohej vorfënisë tragjike që kaloi ai popull per 45 vjet me rradhë, dhe rrjedhimet e së cilës ndiehen edhe sot e kësaj dite.

    Gjesti I juej fisnik e atdhetar ka dhe randësin e vet të veçantë sepse kujton viktimët e verteta të vuejtjes e mjerimit, gruen shqiptare që e mbyllun në botën e shurdhër të patriarkalizmit banal dhe idiot, vuen në heshtje, nji heshtje që flet ma shumë se volumet e shkrueme  e që neglizhojnë me vue në dukje thellësinë e vuejtjes së grues shqiptare. Me këte gjest ju keni ngritë nivelin e grues shqip-tare nji shkallë ma nalt, dhe të denjë për respekt ashtu si veprojnë të gjith vendet e qytenueme të Botës së Lirë.

    I përjetëshëm qoftë kujtimi i viktims Hava Bushati Repishti, dhe i përjetëshëm do të jetë edhe respekti i im për organizaten tuej dhe të gjithë ju per vumjen në dukje ate qe politika e propaganda bajate mohojnë shpesh herë.

    T nderueme Zonja, ju lutem pranoni falënderimet e mia ma të thella dhe urimet e mia ma të mira. Zoti ju ndhmoftë!

                                                                          Sami  Repishti, Ph.D.

                                                                          Univ. “La Sorbonne” Paris, France

                                                                          Graduate Center, C.U.N.Y.

                                                                           Ish I burgosun politik- 1946-56

                                                                           në Shqipëri dhe ish-Jugosllavi                           

Filed Under: ESSE Tagged With: Sami repishti

“E vërteta” e Ekrem Bardhës si kontribut e dëshmi autentike në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

July 7, 2023 by s p

Sokol Paja/

“E vërteta: pavarësia e Kosovës, Amerika dhe diaspora” e veprimtarit të shquar të kombit shqiptar Ekrem Bardha, është një kryevepër e rrëfimit, një dëshmi e gjallë, një e vërtetë e madhe, një angazhim i pa mposhtur, një monument historik në marrëdhëniet 1 shekullore shqiptaro-amerikane dhe përpjekjeve të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen kombëtare e sidomos për pavarësinë e Kosovës.

“E vërteta: pavarësia e Kosovës, Amerika dhe diaspora”, është një vepër e shkëlqyer e kryeveprave të historike të protagonistëve patriotë shqiptarë në Amerikë që vijnë të rrëfyera në një libër plot arritje, sfida, suksese, histori e mbi të gjitha përpjekje të pandalshme për komb e atdhe.

Ekrem Bardha, një ndër shqiptarët më aktivë, protagonistë e më të fuqishëm në gjashtë dekadat e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në librin e tij shfaqet si promovues dhe mbështetës i palodhur i të drejtave të shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.

Libri i aktivistit Ekrem Bardha është një vepër shumë e rëndësishme që do u shërbejë ekspertëve e studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare, shkencave politike dhe historike pasi është një kontribut dokumentar i dorës së parë me: faksimile, ftesa, deklarata, dokumenta, fotografi, memorandume, komunikime personale, letër shkëmbime, intervista, takime, lobime, dëshmi etj. ” E vërteta” e Ekrem Bardhës është mbi të gjitha edhe një mirënjohje e thellë për ndihmën e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, popullit e kombit mik amerikan përgjatë historisë sonë kombëtare ku falë mbështetjes amerikane kombi ynë mbijetoi, fitoi e sot radhitet mes kombeve të lirë, të zhvilluar e të qytetëruar në familjen e madhe perëndimore.

Ekrem Bardha në librin e tij detajon përpjekjet kolosale për liri e pavarësi të Kosovës ku së bashku me zyrtarë të lartë amerikanë si senatorë, kongresistë e presidentë të Amerikës e bënë Pavarësisë e Kosovës realitet i cili edhe sot më shumë se kurrë ka nevojë për përkujdesjen e vëmëndjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Libri përmban detaje historike rreth familjes Bardha, mbështetjes që Kongresisti William Broomfield i ka dhënë shqiptarëve si rasti “Ivezaj” e rezolutën për Kosovën, puna e jashtëzakonshme me Presidentë amerikanë, Kongresistë, Senatorë e diplomatë, personalitete publike e politike, shpalosin më së miri detajet nga aktivizmi prej gjashtë dekadash për çështjen kombëtare të Ekrem Bardhës. Nderimi e vlerësimi prej presidentëve amerikanë si Ford, Nixon, Regan, Clinton, Bush tregojnë potencialin dhe vlerat e Ekrem Bardhës i cili për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi vuri në lëvizje politikën e institucionet më të larta të shtetit amerikan.

Në librin e z.Bardha i kushtohet rëndësi edhe ndryshimit të sistemit monist në Shqipëri, rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane, ndihmat humanitare të dërguara prej diasporës në Kosovë e Shqipëri, krizën e ambasadave etj.

Një moment i veçantë në libër është krijimi i Këshillit Shqiptaro-Amerikan (NAAC) si organizimi më i lartë shoqëror, politik me figura të shquara të mërgatës shqiptare në Amerikë dhe kontributin e tyre diplomatik e lobues në dobi dhe mbrojtje të interesave të Kosovës e kombit tonë.

Në libër përmendet një episod i përplasjes së z.Bardha në Departamentin e Shtetit me Ambasadorin Gerbald në mbrojtje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ekspozimi i krimeve, masakrave e gjenocidit serb në Kosovë.

“Pushtetet dhe qeveritë lëvizin, Atdheu është i përjetshëm” porosi që tingëllon si psalm ungjillor që na e lë amanet Ekrem Bardha për dashuri të pa kushtëzuar për atdheun. “E vërteta: pavarësia e Kosovës, Amerika dhe diaspora” e Ekrem Bardhës është një ndër botimet më serioze në fushën e diplomacisë aktive shqiptaro-amerikane, një trashëgimi e vyer publicistiko-historike dhe kontribut i artë në historinë moderne të kombit shqiptar e mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Politike Tagged With: Ekrem bardha, Sokol Paja

Familja artiste me famë ndërkombëtare “Malolli”, koncerte në Amerikë dhe në Europë, misionarë të kulturës shqiptare në botë

July 7, 2023 by s p

Fatmira Kamberi Malolli: Muzika bashkon popujt, thjeshtësia dhe shpirti i bukur janë vlerat e një artisti të vërtetë.

Intervistoi: Eneida Jaçaj/

Muzika është akti më i lartë hyjnor, arti dhe ushqimi i shpirtit, pasi ka fuqinë magjike ta çlirojë njeriun nga “demonët” dhe përmes tingujve të përcjellë dashuri, harmoni, paqe, gëzim, te secili nga ne. Muzika ka fuqinë të mbajë peshë shpirtin dhe e bën të flasë gjuhën e Perëndisë, pasi dhuron emocione pozitive, mirësi, begati, dhe bota bëhet akoma më e bukur, me plot ngjyra jete, larg dhunës, barbarizmave dhe çdo lloj negativiteti të mundshëm. Muzika ka lindur bashkë me njerëzimin, si një atribut i lartë kulturor, që kalon çdo formë dhe hapësirë, për të bashkuar kombet, popujt, racat e njerëzimit në Tokë, pa qenë e nevojshme të flitet një gjuhë e përbashkët.

Arti kapërcen çdo fushë të mendimit e krijimit, ripërtërin shpirtin dhe mendjen; sa më shumë njihet arti prej njerëzve, aq më shumë emancipohet shoqëria! Një thënie mjaft e bukur thotë: “Qëllimi i artit është të pastrojë pluhurin e jetës së përditshme nga shpirtrat tanë”. Kur dëgjon muzikë, njeriu harron streset, mundimet, ndasitë, mëritë, dhe njëhsohet si një trup i vetëm me tingujt e saj, duke përjetuar parajsën e qetësisë dhe lumturisë.

Kjo parajsë gjendet më së miri te familja artiste me famë ndërkombëtare “Malolli”, pionierët e vërtetë të artit dhe muzikës, të cilët unë do t’i cilësoja ndryshe si “Perandoria e Artit të Vërtetë Profesional”. Familja “Malolli” interpretojnë kryevepra të muzikës klasike, perla të trashëgimisë kulturore botërore, por edhe muzikë moderne, duke dhënë koncerte në Amerikë dhe në Europë, që nga Frederik Chopin, Franz Doppler, Johan Straus, Johannes Brahms, Luigi Boçherini, Francesko Tosti, Ludvig Van Beethoven, etj. Për t’u njohur më shumë me artistët e familjes së nderuar “Malolli”, ata janë: Maestro Prof. Raimond Malolli, flautist virtuoz, lindur në Korçë, me famë ndërkombëtare, artist që i kalon të gjitha dimensionet, me punën e tij kërkuese dhe shumë të talentuar. Ai është student i profesorit të njohur, Gjovalin Shestani, i diplomuar në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Maestro Prof. Raimond Malolli është vlerësuar me Medaljen “Naim Frashëri”, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, një çmim i cili rrallë mund të jepej në atë kohë.

Kompozitorja, njëkohësisht pianiste e njohur, Mira-Fatmira Kamberi Malolli, lindur në Tiranë, një artiste me përmasa të mëdha, e cila flet ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, ka një repertor të pasur ku përfshin pjesë nga muzika paraklasike, klasike, barok, romantike, moderne dhe bashkëkohore. Mira-Fatmira Kamberi Malolli është vlerësuar me shumë çmime për piano dhe kompozime të shumta në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare. Çifti Malolli i përkasin gjeneratës së artistëve të vërtetë, muzikantë profesionistë, të cilët gëzojnë vlerësim dhe popullaritet të jashtëzakonshëm, jo vetëm në publikun shqiptar, por edhe atë të huaj, për shkak të punës së tyre serioze, që i ka ndihmuar të zhvillohen në fushën e tyre të muzikës. Përpos punës së përkushtuar dhe talentit, ata janë artistë me shpirt të bukur dhe human. Thjeshtësia është madhështia e një artisti profesionist, i cili qëndron me këmbë në tokë, dhe është mjaft kërkues ndaj vetvetes për të dhuruar emocione pa fund ndaj publikut. Çifti Malolli i përkasin elitës së qytetëruar, janë intelektualë të mirëfilltë, patriotë dhe mjaft modestë, edhe pse kanë shumë për t’u “mburrur”. Ajo që është akoma për t’u vlerësuar në performancën e tyre si artistë origjinalë, është se kanë arritur të ruajnë në çdo formë dhe përmbajtje kulturën shqiptare, duke e njëhsuar me kulturat e tjera. Artistja Fatmira ka interpretuar në piano pjesë muzikore me nota të folklorit shqiptar, duke bërë që kultura jonë shqiptare të njihet edhe në botë.

Ata kanë dy fëmijë të mrekullueshëm, një djalë dhe një vajzë, të cilët kanë ecur në gjurmët e prindërve të tyre, duke e dashuruar muzikën që në moshë të njomë. Marsel Malolli ka kryer studimet në Departamentin e Artit, për Communication Studies, në California State University, Northridge, në Los Angeles, California, është violonçelist, kryesisht i muzikës klasike, ka përformuar me shumë artistë të zhanreve të ndryshme muzikore, orkestra dhome dhe simfonike. Gjithashtu performon si solist në koncerte me prindërit e tij. Belina Malolli Larsen është pianiste, flautiste dhe në balet klasik-modern. Ajo ka kryer studimet në Departamentin e Artit, për Communication Studies, në California State University, Northridge, në Los Angeles, California.

-Një familje artistësh shqiptarë të talentuar dhe shumë profesionalë, që interpretojnë në një vend kaq të madh, me kultura të ndryshme, siç është Amerika! Është vërtet krenari për çdo shqiptar që dëgjon raste të tilla, në diasporë. Në këtë bisedë së bashku, po ju drejtohem juve znj.Mira, edhe pse ju, familjarisht, shfaqeni së bashku nëpër koncerte, duke sjellë kryesisht vepra klasike botërore dhe jo vetëm. Si keni arritur të qëndroni kaq fuqishëm mbi skenën ndërkombëtare, ku ia keni dalë të elektrizoni me muzikën tuaj, jo vetëm publikun shqiptar, por edhe atë amerikan?

Thjesht me punë dhe dedikim serioz në rritjen e vazhdueshme të nivelit profesional, sepse nuk është e lehtë të përballesh me publikun, dhe sidomos me publikun internacional të Amerikës, të çdo grupmoshe, ku secili prej tyre mund të jetë dikushi, në art apo në nivelin kulturor.

-Sa e vështirë ka qenë për ju të integroheni në një vend, me kultura të ndryshme, dhe cilat janë lehtësitë apo mangësitë për të interpretuar në Amerikë dhe Shqipëri?

Sinqerisht, integrimi në një vend me kultura të ndryshme, nuk është fushë me lule për askënd, sidomos për emigrantin. Por falë profesionit tonë, ne si familje artistësh, duket u integruam më lehtë, sepse muzika flet gjuhën e shpirtit, pa pasur nevojë për përkthyes dhe ndërmjetësues, pasi depërton direkt te tjetri, nëse është në nivel të mirë, si dhe falë komunikimit tonë, dashamirësisë sonë për të kontribuar me koncerte në institucione, shkolla dhe universitete, evenimente të rëndësishme; shumë nga këto edhe Gala apo koncerte humanitare, hapën shpejt dyert për ne këtu në Amerikë. Por vlen të theksoj se familja jonë udhëhiqet nga kryefamiljari model i saj, muzikanti i nivelit ndërkombëtar, flautistit virtuoz, Raimond Malolli, që me interpretimin e tij solistik magjeps publikun dhe vlerësohet nga kritikët për muzikalitetin, tingullin e ëmbël, brilant si dhe teknikën e lartë profesionale. Edhe pse ka dekada tashmë në karrierë skenike internacionale, dhe është në lartësinë e flautistëve të nivelit botëror, përsëri ai është mjaft kërkues dhe rigoroz sidomos ndaj vetes, me një modesti të rrallë që vetëm artistët e vërtetë e kanë.

Sa për lehtësitë apo mangësitë për të interpretuar në Shqipëri, kujtoj këtu se ne të dy, e, sidomos Raimondi, la gjurmë të thella në karrierën e tij solistike në ato dy dekada që debutoi intensivisht aty, një nga më të kërkuarit, më të preferuarit flautist që kompozitorët e shquar shqiptarë të asaj kohe kompozuan e i besuan atij veprat e tyre premierë. Ai është pasardhës i denjë i pedagogut të tij të mrekullueshëm, solistit të nderuar, Gjovalin Shestani. Raimondi është vlerësuar me shumë çmime, si dhe me Medaljen e lartë “Naim Frashëri”, që jo kushdo vlerësoheshe lehtë dikur atje. Gjithashtu, në fushën e pedagogjisë, ai ishte pedagogu i parë definitiv i Flautit dhe Muzikës së Dhomës në Institutin e Lartë të Arteve, sot Universiteti i Arteve, që e bëri me devotshmëri për një kohë të gjatë derisa u largua nga atdheu. Ai është pedagogu, instrumentisti i parë që dha provimet postuniversitare (program i sapo hapur në Shqipëri).

-Familja artiste “Malolli” interpreton në shtete të Amerikës dhe në Europë, kryesisht kryevepra klasike të kompozitorëve më të shquar, perla të cilat janë pjesë e trashëgimisë botërore. Cilat janë ato kryevepra që ju do të veçonit, të cilat janë pjesë e pandashme e repertorit tuaj, dhe që pëlqehen më së shumti nga publiku?

Pyetje e bukur dhe e vështirë, por do e jap shkurt përgjigjen. Po, vërtetë repertori i koncerteve tona është i pasur me kryeveprat e kompozitorëve botërorë, por të veçuar ndër to, është si të pyesësh prindin: Kë fëmijë do më shumë? Dhe prindi përgjigjet: Të gjithë i dua njësoj!

-Për çdo artist është një nder i madh dhe vlerë e veçantë, të njëhsojë kulturën shqiptare me kultura të tjera të ndryshme, në një vend kaq gjithëperfshirës, siç është Amerika, duke ruajtur identitetin kombëtar në formë dhe përmbajtje, por duke promovuar muzikën dhe folkorin shqiptar në skena botërore. Ju keni interpretuar në piano pjesë muzikore të

kompozuara prej jush, me nota të folklorit shqiptar. Sa janë pëlqyer dhe duartrokitur perlat e muzikës popullore shqiptare nga publiku i huaj?

Mendoj se identiteti personal, është refleksion i identitetit kombëtar, te çdo individ. Pastaj, unë, si kompozitore e studiuar nga mjeshtrat e shkollës shqiptare dhe e ushqyer shpirtërisht nga muzika e pasur e kombit tim, e ndiej për nder dhe obligim moral, ta prezantoj zanafillën e origjinës sime, me krenarinë më maksimale duke e rradhitur atë në ajkën e kulturave të botës, me meritën e duhur që merr, kur dëgjohet me kërshëri dhe duartrokitet me ovacione nga artistë profesionistë dhe artëdashësit e huaj dhe të shumtë. Si në solo flaut, piano, cello, dhe aranxhimet e mija origjinale për kuartet dhe triot tona familjare, nga muzika e njohur dhe e bukur shqiptare, janë ato që bëjnë të na thonë shpesh të huajt: “Me ju, tani ne po njohim vendin tuaj, kulturën, temperamentin e kombit shqiptar”.

-Ju, keni interpretuar së bashku në shumë evenimente, si solistë dhe në grup. Çfarë emocionesh ndjeni kur interpretoni përkrah njëri-tjetrit, dhe sa ju ka ndihmuar të përballoni magjinë e skenës?

Pozitive është se kur luajmë familjarisht, në duo, trio, kuartet, ne, dhe pa u parë me njëri-tjetrin, ndiejmë frymëmarrjen e secilit, ndiejmë rrahjen e pulseve tona të njëhsuara në një të vetme dhe të përrbashkët. Është kjo një arsyje që ne përballojmë me sukses magjinë e skenës, por do shtoj se, të luash familjarisht është dhe e vështirë, pasi secili ka kapriçot e veta, si dhe të bashkëpunosh me mjeshtër si Raimondi, nuk është e lehtë, pasi, rigoroziteti dhe kërkesat e larta të interpretimit, janë motoja e tij.

-Fëmijët, djali dhe vajza juaj, Marsel Malolli, violoncelist, Belina Malolli – Larsen, pianiste, flautiste, dhe balerinë klasike-moerne, kanë ecur mbi hapat e prindërve të tyre. Dashuria e tyre për muzikën është e induktuar nga të dy prindërit, apo ka qenë totalisht zgjedhja e tyre?

Të lindesh dhe të rritesh nga dy prindër muzikantë, kur për ta muzika është ushqimi i shpirtit dhe ushqimi i tavolinës, dy fëmijët tanë nuk mund të mos indikoheshin nga ky ambient kulturor artistik. Realisht, ata e kanë brenda tyre në DNA artin, pasi i janë futur me dëshirë dhe përkushtim artit qysh në moshë të njomë e deri më sot, ndonëse të dy kanë kryer studimet universitare në USA, edhe në degë të tjera.

-Si artistë profesionalë, me aktivitete të jashtëzakonshme, keni dhënë edhe koncerte bamirësie. Kjo tregon se artistët kanë vërtet një shpirt të bukur dhe të ndjeshëm. A mund të na veçoni disa koncerte bamirësie?

Artisti e mban këtë titull me nder, nëse është njeri me këmbë në tokë, human me të tjerët, me gjithë shoqërinë njerëzore që e rrethon. Që të hamë, ne jemi të varur nga ata që prodhojnë bukën, ushqimin, por edhe ata vetë kanë nevojë të ushqehen shpirtërisht me muzikën e të tjerëve, pra, askush nuk është indipendent, të gjithë jemi të varur nga njëri-tjetri, në këtë botë të përbashkët që jetojmë.”Bëj gjëra të vogla, me dashuri të madhe”, thotë Nënë Tereza jonë, ndaj kjo është dhe botëkuptimi ynë familjar, ndihmo sa mundesh, me atë që mundesh, sipas mundësisë që ke. Kemi mjaft koncerte të tilla bamirësie që s’mund t’i kujtoj të gjitha, por ato që kanë ngelur në memorie si të veçantë, janë: Koncerti në ndihmë të një shkolle të re baleti në Temecula (afër San Diego); Kalifornia, për vënien në skenë të “Nutcracker” – Tchaikovsky; koncert me rastin e përvjetorit të parë të tragjedisë së 11 Shtatorit, 2001, New York; koncert në suport të organizatës “Mjaft” në Detroit, Michigan; koncert në suport të fondacionit të kancerit të gjirit “Susan G. Komen”; kemi suportuar për vite njerëzit në nevojë dhe të pastrehë krahas artistëve të tjerë të Holliwood, bashke me Sir. Anthony Hopkins; koncert në prag të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, të veshur në kuqezi, si flamuri ynë kombëtar, ku i ndjeri Z. Pjeter Prifti, vëllai i madh i Naum Priftit, ishte pjesëmarrës edhe aty, si në shumë koncertet tonat dhe që shkruajti një artikull mbreslënës në shqip dhe anglisht për gazetën Illyria në New York, dhe disa artikuj të tjerë për gazeta amerikane; koncert për 10 vjetorin e South East European Film Festival në Hollywood, CA; koncert për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë në Los Angeles, CA etj. Për çdo koncert të tillë, jemi vlerësuar me çmime të ndryshme dhe artikuj gazetash.

-A mendoni se i keni plotësuar pritshmëritë e publikut, apo shpirti krijues i artistit nuk ndalet kurrë?

Askush nuk duhet të pretendojë se ka arritur qiellin dhe majën e malit. Ushtrimi i këtij profesioni, marrja me muzikë, na ka ndihmuar e na ka dhënë forcë për të përballuar vështirësitë e ndryshme të dallgëve të oqeanit të jetës. Artisti jeton me artin e tij, deri në frymën e fundit të jetës, ashtu i thjeshtë dhe i dobishëm për publikun që i shumëpret të ndiejë, të marrë pozitivitetin dhe optimizmin që dhuron tingulli i muzikës së bukur.

-Cilat do të jenë projektet tuaja të ardhshme?

Janë disa projekte serioze, si masterimi i CD së fundit; koncert Masterclass në universitet; vazhdimi i Turneut të koncerteve tona për vitin 2023. Rëndësi ka të jemi mirë me shëndet, dhe t’ia lëmë kohës të flasë fjalën e fundit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Eneida Jacaj

PSE është e MADHE FESTA e SHIPSHANIT

July 6, 2023 by s p

(“Ara e Osës”, 15 korrik 2023, ora 10.00)/

Nga Ramiz LUSHAJ/

“Festa e Shipshanit” mbiemrin “e Madhe” e mori qyshce në start, në herën e parë, në atë 8 gusht 2021 në Padesh, ku e thoshja asokohe, në një shkrim përkushtimor, se lindi e tillë, “e Madhe”, për “nga vet origjina, misioni, mënyra e veprimtarimi i saj”.

Ishte “e Madhe”, sepse madhështinë ia jepte vet mrekullia natyrore alpine e Padeshit e Ujezës me rrethina, një ndër qindrat treva ma të bukura të Shqipërisë, Ballkanit, Europës e Botës.

Ishte “e Madhe”, sepse madhështinë ia jepte vet historia e Padeshit me Koshare, vet Beteja shqiptare legjendare e Koshares, ma madhështore edhe se “Beteja e Termopileve” e 300 spartanëve të para erës sonë. Se Beteja monumentale e Koshares e theu kufinin Kosovë-Shqipëri në atë 9 prill 1990 të erës sonë. Se Beteja epokale e Koshares ka 114 “Heronj të Kombit” të shpallur me dekret presidencial të Kosovës, ka ma shumë heronj shqiptarë në një betejë që nga njeriu i Neandertalit deri tek “Koha e Rugovës”. Se pa Padesh nuk ka Koshare, se pa Koshare nuk ka Padesh, se pa Padesh e Koshare nuk do të kishte Luftë e Paqe, Liri e Pavarësi të Kosovës.

“Festa e Shipshanit” është “e Madhe”, edhe kur organizohet dy herët në Padesh (2021 e 2022) edhe sivjet tek “Ara e Osës” (15 korrik 2023), sepse madhështinë ia jep vet historia epokale e krahinës-fisit-bajrakut të Shipshanit. Sepse Shipshani (edhe me Berishën e atyhit), e shtrirë përgjatë kufinit etno-historik, politik e administrativ, se për në Malësi të Gjakovës, edhe për vet pozicionin gjeofizik, ishte e para si një forcë goditëse e si një qendër mbështetje në luftërat e mëdha, të shumta e të përhershme për Kosovën dardane, prej nga koha genetike e të parit të fisit tonë, të ardhur nga Kalaja historike e Shipshanikut (Tuz/Malësi), nga Kall Kamberi me tre të bijtë Gega, Buça e Papa, e, dekterit, tek Lufta e fundit e Kosovës, prej nga Padeshi deri në Kasaj (1999).
“Festa e Shipshanit”, sivjet, me 15 të korrikut 2023, do të organizohet tek “Ara e Osës”, rrugëngjitjes për në “Bjeshkët e Bekuara”, përskej lumit të Sylbicës, përndryshe, kur hyn në territorin shipshjan, ma saktësisht (duhet) cilësohet “Lumi i Shipshanit”, që historia e zhvillimit e formësimit të tij daton nja 300 milionë vite ma herët, para Evës e Adamit, para zjarrit e hirit, para mishit e bukës. E kur luftëtarët shipshjanë, gashjanë, berishianë, bytyças, pas tubimit tek Kalaja e Komit e pushimit luftarak tek “Ara e Osës”, shkonin përgjatë e përpjetë “Lumit të Shipshanit” për të luftuar për Plavë e Guci, sikurse në Luftën ma të madhe në Historinë Kombëtare Shqiptare, në Luftën e Jashtëakonshme të Nokshiqit (1879-1880), kur Shqiptarët për herë të parë e të vetme u ngritën me fjalë e penë luftarake, me pushkë beteje tejet epokale kundër një Kongresi Botëror si Kongresi i Berlinit (1878), kundër 7 fuqive më të mëdha të botës e kohës së atëhershme, kundër dy krajlive të Ballkanit. Në këtë luftë të papërseritshme e të paarritshme, në Luftën e Nokshiqit, malësorët alpinë të Shipshanit ishin në frontin ma të vështirë të betejës, bash tek Ura e Limit, ku siç e thotë kanga “po bajnë luftë sa tanë dunjaja” e siç e thotë Historia “ishin kontributorë përcaktues në fitoren e Luftës së Nokshiqit”.

“Festa e Shipshanit” është “e Madhe”, sepse e ban të tillë vet vendorganizimi i saj tek “Ara e Osës”, një nga vendet ma të bukura të Alpeve Shqiptare, përmes lartësive alpine, përskej lumit shipshjan, në mes gjelbrimit e lulimit gjithëfarësh, një nga vendet që e lidh Vrrinin me Bjeshkët, një nga vendpushimet ma të veçanta për luftëtarët në histori, për bjeshktarët ritual të bjeshknimit alpin, për turistët shqiptarë e të huaj.

Sivjet, edhe në “Festa e Madhe e Shipshanit” do të kemi ma shumë bjeshktarë se vijnë Lumës së Shipshanit prej gjithë atyne bjeshkëve, do të kemi ma shumë mërgimtarë që vijnë nga Amerika, Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Gjermania, Zvicra…nga shumë shtete të botës, do të vijnë edhe turistë shqiptarë e të huaj që e kanë planifikue në intinerarin e tyre të jenë atë ditë tek “Ara e Osës” dhe në Bjeshkët e Alpeve Shqiptare të Shqipërisë e Kosovës dhe në Malin e Zi. Se deri tek “Ara e Osës” i sjell rruga e makinës, e hapët edhe me u shndrrue dy makina gjithandej, e bukur në mrekullitë natyrore në ngjitje-zbritje. Se tek “Ara e Osës” është një vendparkim i madh natyror për makinat e shumta me marka e targa nga ma të ndryshmet. Se rruga e makinës që të çon deritek “Ara e Osës” është pjesë urbane auto-rrugë e “Unazës së Alpeve”. Edhe këta bjeshktarë, mërgimtarë e turistë shqiptarë e të huaj, do të jenë pjesë e madhështisë së “Festës së Shipshanit”, e mbiemnit të saj “e Madhe”.

Edhe sivjet, edhe tek “Ara e Osës”, në këtë mrekulli natyrore alpine, me patjetër: “Festa e Madhe e Shipshanit”, do të ketë madhështinë e pranisë dhe atmosferës historike e aktuale të Betejës në Padesh-Koshare, sepse aty/këtu, do të vijnë, sikurse edhe vjet, me dhjetra ushtarakë me grada e plagë lufte, me histori lufte e paqeje. Ata do të sjellin në “Festën e Madhe të Shipshanit” mirënjohje shpirtërore për Shipshanin për kontributet e saj legjendë e legjendare edhe në Luftën e fundit të Kosovës, do të sjellin mesazhet e tyre për mos me pasë “klone”-“piramida”-“dogana”…në mes shqiptarëve në të dy anët e Qafës së Morinës e Qafës së Prushit…se me thanë të vërtetën historike: Shkijet e Ballkanit dhe Ndërkombëtarët e Traktateve gjithnjë “na i kanë pré kufijtë në qafa malesh” dhe kjo thikë e tyne ende po na rrinë mbi krye e pas qafe edhe në Kosovë, edhe në Malësi të Gjakovës, nga Vuçiçët e “çiçët” e ish Jugosllavisë së Krajlive, Titos e Millosheviçit.

“Festa e Shipshanit” tek “Ara e Osës” është “e Madhe”, sepse është dhe “Festë e Bashkimit Kombëtar Shqiptar. Në lartësi alpine bjeshktare të Tropojës është një shkamb kufitar, ku vijë-ndahet kufini Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi, (keq)ndahet në mes tre shteteve të sotme ballkanike. Madhështia e “Festës së Shipshanit” qëndron edhe tek fakti aktual trevjetor i kësaj Feste (2021-2022-2023) si “Festë e Bashkimit Kombëtar Shqiptar”, sepse, aty/këtu, do të vijnë me dhjetra e dhjetra malësorë alpinë e personalitete shtetërore, akademike, kulturore, ushtarake nga Rrafshi i Dukagjinit të Kosovës (nga Gjakova, Deçani, Juniku, Peja) dhe nga komunat e Plavës e Gucisë në Malin e Zi, si dhe nga komuna të tjera të Kosovës, si Prizreni, Istogu (Burimi), Klina, Prishtina, etj. dhe nga Rozhaja, Tuzi (Malësi) etj. në Malin e Zi. Do të vijnë malësorët bregdrinas nga Hasi e Kukësi, nga Fushë Arrëzi e Puka, nga Shkodra, Vau i Dejës, nga Shkodra e Lezha, ku do të kalojnë dhe Korridori Adriatik-Alpe (Rruga e Hekurudha Bregdrinase).

“Festa e Shipshanit” është “e Madhe”, sepse e organizon dashuria, krenarie e malli për vendlindjen e Shipshanit, se e organizon misioni historik e qytetar dhe shpirti bajemirë vullnetarë i djemëve e çikave, i burrave e grave të Shipshanit; sepse e organizon Shoqata e mirënjohur dyvjeçare “Shipshani i Malësisë së Gjakovës” e cila ka garancitë ndihmëtare të çmuar të Bashkisë së Tropojës dhe disa donacione në vijimësi e pritje nga shipshjanët në Shqipëri, Kosovë e Mërgata Shqiptare; sepse të gjithë pjesmarrësit, qindra pjesmarrësit, janë bashkëorganizatorë të kësaj Feste që ka hyrë e mbetet në gjerdanin e bukurive e madhështive të Festave tona Kombëtare Shqiptare.

Mirë se vini në Festën e Madhe të Shipshanit!
Mirë se të gjejmë Festa e Madhe e Shipshanit!

E enjte, 6 korrik 2023

Filed Under: Ekonomi

Republika e Kosovës nuk është pronë private e askujt!

July 6, 2023 by s p

Skënder Karaçica/

Pse nuk bëhet publike “ftohja politike” në mes Kosovës dhe Shqipërisë…?! Pse opozita parlamentare në Prishtinë, kujtoj se nuk është në dijeni se çfarë po ndodhë në relacionet shtetërore në mes të dyja qeverive Rama-Kurti…? Në politikë në artin e të mundshmes, Kuri në Prishtinë dhe Rama në Tiranë, duhen të mbajnë qendrim më të matur dhe pa huqet e të dyja palëve me sindromin allaballkançe.

Kosova dhe Shqipëria dy shtete sovrane, nuk duhet të emitojnë, larg qoftë modelin e dy koreve me rrafshet e tyre me dorën e ftohtë akull të politikës! Sa larg Prishtina nga Tirana! Sa larg Kurti me Ramën, pa marrë parasysh dallimet e kabinetit qeveritar Kurti 2, do të duhej të takohet me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Prishtinë!

Albin Kurti (partia politike VV) i pati fituar zgjedhjet parlamentare dhe erdhi në pushtet. Kjo krejt në rregull me vlerat e demokracisë dhe të votës së lirë të sovranit, por askush dhe as Albin Kurti nuk e ka të drejtën të pushtojë e të largojë shtetin e Kosovës përmes “fletës poseduese” dhe të sillet si në pronën e tij private në relacionet ndërkombëtare BE-SHBA.

Relacionet Prishtinë-Tiranë të qendrojnë në rrafshet kombëtare dhe të jenë më afër njëra-tjetrës, kjo e drejtë e natyrshme në frymën vëllazërore për zhvillimin e kaheve të forta ekonomike për të ardhmën e kombit shqiptar jo të varfër edhe në ketë fillim të shekullit të ri!

Albin Kurti dhe Edi Rama, bashkë për çështjen kombëtare dhe nisja në udhën e integrimeve në Evropën e bashkuar, ku hisja e kombit shqiptar po na pret në sirtarët e Brukselit.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1778
  • 1779
  • 1780
  • 1781
  • 1782
  • …
  • 2980
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT