• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Albanians of America honor their martyrs

June 10, 2023 by s p

By Merita B. McCormack/

Washington DC

The 16th Annual Rroll Call of Nation – Wreath Laying Ceremony took place in Washington DC on June 9th 2023.

Many Embassies of former captive nations and representatives of ethnic groups, based in America, gathered at the crossing of Mass Ave and New Jersey Avenue in the nation’s Capital and participated in the beautiful ceremony, organized by VOC.

In the program booklet one reads:

“Every year the Victims of Communism Memorial Foundation hosts a ceremony on the anniverssary of the dedication of the Memorial. Our purpose is to honor the memory of more than 100 million victims of communism, to celebrate liberty where it has triumphed and to further our pursuit of a world free from communism”

This year Milda Boyce , Director of Fellowships opened the ceremony , she spoke about VOC’s role and also the importance of this event.

Dr. Lee Edwards, the founder of the Foundation reminded the participants of many nations past and present, suffering under Communism.

Dr. Elizabeth Spalding , current chairman of the Foundation held the keynote speech. Among other things she remarked on the VOC’ museum.

Dr. Paula Dobriansky introduced the recipient of Truman Reagan Medal of Freedom Recipient for this year: he is an activist from Tibet.

The roll call of nations began with representatives of Bulgarian and Croatian embassies and followed by other embassies and organizations.

From the Albanian community there was only one organization represented, that being Albanian Community in Diocese of Arlington .

There was also a wreath on behalf of Albanian American Council , their wreath was carried by VOC staff members due to the representatives being on travel.

We owe respect, reverence and honor to the memory of those who gave their lives under communism . They resisted, they prayed, they stood up and they died. God, family and country were their first and foremost love.

Their voices cry out: Remember us!

Our deeds say: We will never forget you!

Filed Under: Fejton Tagged With: Merita B McCormack

Darvini dhe Hyjnia

June 10, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Shkencêtarët e vendosin Çarls Darvinin në piedestal. Ata janë në gjendje të pranojnë se edhe Isak Njutoni ka gabuar në disa gjëra, por nuk tolerojnë askënd që të vërë në dyshim një fjalë të vetme të Çarls Darvinit.

Njutoni ishte si Tesla, mendimtar i shkëlqyeshëm dhe polimat që kalonte befas nga tema në temë, ndonjëherë duke përfshirë tema për të cilat dinte pak ose aspak, por për të cilat bënte kalime drastike, shpesh në drejtimin e gabuar.

Darvini ishte analist i kujdesshëm dhe i hollësishëm. Ai rrallë paraqiste pretendim për ndonjë temë derisa ta provonte atë. Si rezultat, megjithëse gjetjet e Darvinit janë të paplota në shumë mënyra, asgjë në to nuk është e gabuar, përveç përpjekjes gjysmake për të shpjeguar mekanizmin e trashëgimisë së speciesve.

Sipas tij, speciet mund të ndryshojnë me kalimin e kohës; speciet e reja vijnë nga speciet para-ekzistuese; të gjitha speciet kanë një paraardhës të përbashkët.

Në këtë model, çdo specie ka grupin e vet unik të dallimeve të trashëgueshme (gjenetike) nga paraardhësi i përbashkët. Megjithatë, shkencëtarët vazhdojnë kêrkimet pêr të gjetur “hallkën e humbur” që do të vërtetonte teorinë e Darvinit.

Isak Njuton, veç të tjerash, ishte alkimist dhe teolog. Albert Einstein shkroi në kujtimet e tij – “Ju gjetët të vetmen mënyrë që nuk mund të jetë për një njeri me mendim më të lartë dhe fuqi krijuese”.

Si rezultat, në shkrimet e Darvinit nuk ka asgjë që të jetë krejtësisht e gabuar, përveç detajeve të ideve të tij se si funksiononin gjenet. Shkencêtarë janë përpjekur për 164 vjet dhe thonë se nuk kanë gjetur asnjë të metë në idetë e tij themelore. Kjo nuk nënkupton vetëm idetë e tij për evolucionin, por edhe për klasifikimin e specieve. Për më tepër, kur bëhet fjalë për personalitetet, Njutoni ishte një njeri mjaft i pakëndshëm, hakmarrës, keqdashës, i cili donte të gjithë lavdinë për veten. Ndërsa Darvini, thonë shkencëtarët, ishte vërtetë bujar. Ai ishte i lumtur të ndante vëmendjen me kontribues të tjerë në teorinë e tij.

Por vetëm “nota në sjellje” nuk mjafton. Evolucioni i specieve vazhdon të mbetet teori. Teoria tjetër është se çdo gjë në botë; flora, fauna, speciet, përfshi njeriun, janë krijesa të Yllit ose Hyjnisë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

NJË POETE ITALIANE SHKRUAN PËR FERRIN E SHQIPTARËVE

June 10, 2023 by s p

– Mendim kritik për librin “Sulle strade dell’inferno” të Visar Zhitit –

Nga Antonella Carmen Caggiano

Përgatiti dhe përktheu nga orgjinali:

Eda Agaj Zhiti

Siç është njoftuar, së fundmi është botuar në Itali libri “Sulle strade dell’inferno” (“Rrugët e ferrit”) të shkrimtarit Visar Zhiti, nga editoria “Besa” 2022, me përkthimin mjeshtëror të Profesor Matteo Mandalá.

Nëse autori e ka quajtur “burgologji”, ku persoanzhet dhe ngjarjet janë të vërtetë dhe realë, botuesi italian e nxjerr si roman se si i tillë lexohet për shkak të stilit dhe vlerave te veprës. Ajo tashmë ka shkuar në libraritë e Italisë dhe ka tërhequr vëmendjen e lexuesit.

Poetja Italiane, Atonella Caggiano, sjell mbresën e saj nga leximi tronditës i “Sulle strade dell’inferno”, që të botohet dhe në Shqipëri

Antonella Caggiano, (ka lindur në Polla/Sa në 13 korrik 1971), u diplomua për Letërsi në vitin 1997 dhe jeton në Pescara, ku jep mësim që nga viti 2016. Pasioni i saj për të shkruar nisi që kur ishte 11 vjeçe.

Bashkëpunoi me gazetat “Il Roma” dhe “Il Giornale di Napoli”, duke u bërë gazetar e pavarur.

Ka botuar librat “Zgjatjet”, 1990, “Kronikë e një Zeni të shpallur”, 2010, “E ëmbël e kripur”, 2022.

Është pritur mirë nga lexuesi, kritika dhe është vlerësuar me çmime letrare nga “Qendra e Shpërndarjes së Artit të Poezisë” në Capranica në vitin 1990; me Çmimin Kombëtar për Poezinë “Valle di Vitalba” në 1991; me Çmimin Letrar të Komunitetit Europian, “Bashkëkohësit” në 1994; në Konkursin Ndërkombëtar të Bashkimit Evropian në qytetin e Komos në 1994; në konkursin kombëtar të poezisë dhe letërsisë artistike “Antartika” në 1994; me Çmimin e Poezisë “Stella Norbiato në 2000. Është anëtare e Akademisë Ndërkombëtare “Mihai Eminescu” në Rumani. Po kështu është fituese e Çmimit “Rhegium Julii” në 2022. Është e përfshirë në antologji të ndryshme, ndër të tjera në “900 e më tej” dhe është administratore e dy faqeve në fb: “Poezia që kuron” dhe “Miscellanea Mundi”.

Poezia e Antonella Carmen Caggiano është e ndjeshme dhe delikate, jetë e saj dhe botë e gruas. Por dhe leximi i romanit “Sulle strade dell’inferno” është impresional dhe po kështu dhe mendimi i saj.

Ferri i burgut

dhe fuqia subversive e poezisë.

Romani “Rrugët e ferrit’. Me nëntitull: Jeta ime në burgun e Spaçit i Visar Zhitit është dëshmia me e pamëshirshme e përvojës e burgosjes në një nga burgjet e shumta, që përbënin arkipelagun gulag shqiptar. Rrëfimi skanon jetën reale të atyre që iu desh të vuanin shtypjen e regjimit në detaje të imta. “Burgu i vërtetë, më i rëndë, më i padurueshëm, fillon kur gjithçka përsëritet. Uniformiteti. Asgjë e re nga fronti i ferrit. Tmerr. E njëjta bukë e zezë dhe po ata policë të zinj. E njëjta lopatë dhe e njëjta shpellë, i njëjti vit i ri, aspak i ri. E njëjta uri dhe e njëjta borë që mbulon gjithçka. Vdekja nuk është më vdekje, por përsëritje e vetes. Puna nuk ësht:e m:e punë. Familja nuk është familje. Njeriu nuk është më njeri. Asgjë nuk ndryshon. Ditët ulërijnë njëlloj. Si prangat. Si rënkimet. Si uji që rrjedh më kot nga tubi i burgut. I njëjti qiell dhe e njëjta gumëzhimë. Teli me gjëmba po ai. Tjetri si unë. S’ka më emocione. As grua, as n:e ëndërr. Truall i shtrembër. I harruar. I humbur. Si lëkurë kafshësh e rrjepur. Diktaturë”.

Ky është mishi i gjallë në prerjen e bërë keq të jetës së tjetërsuar të burgut. Një shtrëngim që i bën ditët të njëjta, gjëndje gjithnjë e më opake dhe çnjerëzore. Megjithatë, me gjithë privimin e gjithçkaje humane, protagonisti nuk resht së shkruari poezi dhe fshehja e tyre në thasët e burgut, me rroba a ushqime apo t’i mësojë ato në mënyrë mnemonike. Dënimi nuk e ndal prodhimin e poezive të tij. Kështu që, si një vezullim i spirales së dritës, fuqia shpëtuese e poezisë mund të hyjë në errësirën e kaq shumë dhimbjeje. “Minatori im, gladiatori Kujtim Prende, pa më thënë, i dha menjëherë fletoret mikut të tij, Ilir Malindi, i cili e donte poezinë dhe lexonte shumëçka që qarkullonte në burg. […] E mësoi përmendësh. Ma recitoi mjaft mirë diku në një si ballkon, ndërsa tingujt “r” dhe “rr” dridheshin si në violonçelë. Malet perreth sikur ishin afruar dhe qielli ishte ulur edhe më. E ç’do të donte ne? Duke prekur kokat tona, ndoshta do t’i përgatiste më mirë vetëtimat […] Më mungonte fryma… Gjithçka që u duhej këtu, kafe, çizme, libër, besnikëri, dinjitet, këmishë, një ditë pushimi, e merrnin me dhunë dhe me e meritonin. Ishin gati të përballeshin me më të fortit për të mbrojtur një dobësi”.

Poezia, e cila mund të jetë vetëm e lirë dhe e pavarur, është kaq mrekullisht marramendëse deri në madhështi në këtë roman, për rolin që i vishet një dënimi (nga diktatura, sepse nuk është në përputhje me dogmat e saj) dhe më pas për katarsin ndër të dënuarit që, me qëllim për të shijuar sadopak atë bukuri, mes tmerrit të burgut, rrëmbejnë shkrimet e protagonistit që t’i deklamojnë mes tyre. Një roman që korrespondon me kuptimin e plotë të fuqisë së fjalës dhe sesi ajo mund të lehtësojë të këqijat e botës sonë të vogël ose dhe t’i zhbëjë. Visar Zhiti, gjithashtu poet, kreu 10 vjet burg të ashpër për poezitë e tij “dekadente dhe intimiste” gjatë diktaturës shqiptare. Dhe është poezia ajo që frymon gjithandej në libër, duke iluminuar në burg dhe terrin.

Përgatiti dhe përktheu nga orgjinali

Eda Agaj Zhiti

Filed Under: LETERSI

Nacionalizmi i Lidhjes së Prizrenit

June 10, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Pothuajse në të gjithë literaturën ekzistuese rreth lindjes dhe shfaqjes të nacionalizmit mes shqiptarëve nënvizohet fakti se kjo rrymë pati vështirësi për tu përqafuar nga ta dhe se u zhvillua më vonë se në etnitë dhe popullsitë e tjera të Ballkanit. Në këtë përcaktim dhe konkluzion arrihet duke pasur parasysh faktin se shqiptarët formuan të fundit shtetin e tyre kombëtar në Ballkan dhe se procesi i formimit të kombit shqiptar rrjedhimisht ishte më i ngadalshëm. Ky konstatim sigurisht që mbulon një pjesë të madhe të së vërtetës por duhen nënvizuar disa aspekte që meritojnë vëmendje, të cilat përpiqen që nacionalizmin dhe zgjimin kulturor te shqiptarët ta shtyjnë përtej datës së dërgimit të letrës së Naum Veqilharxhit, nipit të vet Jani Cales, datë dhe letër që përgjithësisht nga historiografia zyrtare shqiptare mbahen si datat e fillimeve të zgjimit kulturor të tyre dhe vitit 1878, vitit emblematik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që mbahet si viti i shprehjes së nacionalizmit shqiptar.

Kështu p.sh studiuesi Dritan Egro në artikullin e vet “Rrënjët e Nacionalizmit Shqiptar” duke u nisur nga një ngjarje e shënuar e afirmimit të kombësisë shqiptare si ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit nënvizon faktin se zhvillimet politike ndërkombëtare që çuan në krijimin Lidhjes së Prizrenit nxorën në pah një nivel të avancuar jo të mendimit, por të veprimit politik të nacionalizmit shqiptar. Kjo na bën të mendojmë se format më të hershme të tij duhet t’i kërkojmë edhe më herët. Gjeneza e lëvizjes nacionale të një populli shënohet atëherë kur një individ apo një grup individësh shpallin se ai komb ekziston dhe ai/ata individë marrin përsipër ta provojnë një realitet të tillë. Pra, gjeneza e lëvizjes nacionale të një populli lind kur lind mendimi politik për të jetuar më vete, kur lind ideja e mëvetësisë kombëtare. Pikërisht kjo ndarje midis mendimit dhe veprimit besoj se është thelbësore për të trajtuar fillesat e nacionalizmit shqiptar, parë kjo dhe në një rrafsh krahasues sidomos me zhvillimet e Revolucionit Grek, si revolucion që tronditi gjithë botën Ballkanike.

Pas këtij zhvillimi të vrullshëm që po kalonin territoret greke që po fitonin pavarësinë prej Perandorisë Otomane, natyrshëm shtrohet pyetja se në se statusquo-ja politike ndryshon si rezultat i një konstelacioni të ri politik, është krejt e natyrshme që elementët e çdo grupi të caktuar etnik brenda një formacioni shtetëror multietnik të tentojnë të vënë në pah ato elementë që ata i bashkojnë, madje të shkojnë edhe më tej, duke insistuar për të ekspozuar veten si një grup me veçori të spikatura, të ndryshme nga të tjerat, për më tepër nga fqinjët, duke e bërë atë të jetë sui generis. Është logjike të mendosh që vetëm kështu çdo grup etnik të luftojë për të siguruar mbijetesën, madje në kushte optimale të aspirojë edhe për sundim mbi fqinjët.Të njësosh mendimin me aksionin politik si bëjnë disa studiues të huaj që kanë studiuar nacional shqiptar si Nathalie Clayer dhe Nura Bozbora përkatësisht në veprat “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar-Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë” dhe “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Otomane” është njëlloj si të thuash se nacionalizmi në Greqi lindi në vitin 1821 dhe të përjashtosh një periudhë disa vjeçare para kësaj date që e analizuam më lart.

Një mendim interesant ka shprehur dhe studiuesi e publicisti Tajar Zavalani në artikullin e tij “Nacionalizmi shqiptar” (1969). Është interesant fakti që Zavalani është i pari që tregon se rrënjët e nacionalizmit shqiptar duhen kërkuar në periudhën e pashallëqeve. Gjithsesi deri më tash nuk ka akoma fakte bindëse për të mbrojtur këtë tezë dhe ndoshta një studim më i thelluar i dokumentacionit edhe në gjuhët osmanishte, greqishte sllavishte do të hidhte më shumë dritë mbi këto çështje të debatuara si p.sh dokumenti që përmend Egro në artikullin e vet të shkruar nga gjyshi i Ismail Qemal Vlorës. Interesant në këtë letër është fakti që përveçse fjalisë të “mblidhemi për të diskutuar rreth avenirit të vendit tonë” fill pas zhvillimeve të konfliktit të zgjatur greko-otoman, është dhe përdorimi i termit vatan nga një term tradicionalisht i përdorur në gjuhën politike të Islamit në kuptimin atdhe i myslimanëve (homeland of muslims), në këtë dokument përdoret me kuptimin atdhe kombëtar (patria). Ndoshta ky dokument është nga të parët në gjuhën politike osmane kur ky term pëson një ndryshim të tillë semantik.Ekzistenca e këtij dokumenti, i shkruar nga një përfaqësues i denjë i elitës shqiptare myslimane të kohës hedh dritë dhe mund të fillojë të dekonstruktojë një klishe që është vërejtur në studimet rreth nacionalizmit të shqiptarëve , ku zakonisht zgjimi kombëtar dhe kulturor është parë më së pari në pjesët e popullsisë shqiptare që i kanë përkitur besimeve kristiane dhe më vonë në ato që i përkisnin besimit islam. Kjo tendencë për ta parë zgjimin kulturor dhe aksionet politike të shqiptarëve në këtë lloj mënyre shpesh herë ka theksuar partikularizmin e ndjenjës nacionale dhe identitetit kombëtar të popullsisë shqiptare sesa unitetin shpirtëror që mesa duket zotëronte kjo popullsi, përderisa në fillimet e shekullit të XX mundi të krijonte shtetin e vet kombëtar të bazuar në modelin e shtetit komb dhe të inspiruar nga nacionalizmi.

Para rendësja e Kuvendit Kombëtar të Vlorës ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit, kuvendi në të cilin nacionalizmi shqiptar u shpreh në një formë të pjekur e të maturuar, me kërkesa të qarta për autonomi dhe zhvillim kombëtar. Në politologjinë shqiptare dhe në atë të huaj që flitet për Shqipërinë, është shkruar shumë për rëndësinë e këtij kuvendi, si dhe për vendimet që u ndërmorën aty, vendime që pranohen gjerësisht se janë shprehja e parë e kombësisë për shqiptarët në kuptimin modern të kësaj fjale. Mirëpo, edhe pse ky fakt është gjerësisht i njohur, data 10 qershor nuk ka hyrë në asnjë kalendar zyrtar si ditë përkujtimore dhe për më tepër vetëm nëpër përvjetorë ka marrë një vëmendje institucionale. Natyrisht, Lidhja Shqiptare e Prizrenit është shumë e rëndësishme se një përkujtim formal i ndërmarrë nga dy shtete shqiptare në rajon dhe mesazhet e saj janë bërë pjesë e artikulimeve politike të kombit shqiptar gjatë gjithë historisë së mëvonshme të tij. Pikërisht në këtë forcë përcjellëse mesazhesh dhe në trashëgiminë politike që ka krijuar, qëndron rëndësia e veçantë e Lidhjes dhe e datës 10 qershor si datë simbolike e themelimit të saj.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit përfaqëson unitetin e kombit shqiptar, pasi ishte një krijesë e Komitetit Shqiptar të Stambollit që përbëhej nga intelektualët shqiptarë më të shquar të të gjithë krahinave të Shqipërisë e krijuar në kryeqendrën e Kosovës, që përfaqësonte elementin e forcës më të suksesshëm shqiptar në Perandorinë Otomane. Për më tepër vendimet e saj prekën si Veriun dhe Jugun, Lindjen dhe Perëndimin e Shqipërisë, duke i dhënë kohezionin e duhur shoqëror dhe kombëtar shqiptarëve. Lidhja Shqiptare e Prizrenit vjen si një histori qëndrese, pasi kishte kundër vetes vullnetin e pothuajse gjithë Fuqive të Mëdha të kohës dhe kundërshtoi çdo vendim të gabuar të tyre rreth tërësisë territoriale të shqiptarëve. Edhe pse aksioni i saj nuk rezultoi tërësisht i suksesshëm, pasi një qytet i banuar tërësisht me shqiptarë si Ulqini iu bashkëngjit pa të drejtë Malit të Zi, mesazhi i qëndresës ndaj vendimeve të padrejta të ndërkombëtarëve rreth çështjes shqiptare është aktual edhe sot. Me këmbënguljen e tyre stoike për të mos e bërë atdheun e vet plaçkë tregu, shqiptarët e asaj kohe u treguan ndërkombëtarëve se parimi i vetëvendosjes si parim universal i kombësive duhej përfshirë në gjeopolitikën e tyre në rajon dhe se asnjë popullsi që fati i keq mund ta kish detyruar të tretej në tisin e historisë nuk duhej nënvlerësuar.

Burimet:

1-Natalie Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar-Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë. Përpjekja:Tirana, 2009

2-Historia e Popullit Shqiptar.Vëllimi i II. Toena:2002

3-Myslim Islami. Jeta e Naum Veqilharxhit. Shtëpia botuese 8 Nëntori: Tiranë. 1978

4-Tajar Zavalani, Histori e Shqipnis, Botim II, Phoenix, Tirane, 1998

5- Nura Bozbora. Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Otomane. Dituria: Tiranë, 2002

6- Dritan Egro “Rrënjët e nacionalizmit shqiptar” Gazeta Panorama, 5.03.2009

Filed Under: Opinion Tagged With: Dorian Koci

TRAZIRAT NË VERI SKENAR I BEOGRADIT

June 9, 2023 by s p

Prof.Xhelal Zejneli/

Në mitingun e mbajtur në Beograd më 26 maj 2023, kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiqi, midis tjerash deklaroi: “… Serbia nuk është vend i ambasadorëve… Kujt do t’i vëmë sanksione dhe kujt jo, kjo s’varet prej të huajve. Kjo varte nga ne…”.
Me fjalët: “Serbia nuk është vend i ambasadorëve”, ai aludonte për ambasadorët e vendeve të Pesëshit (Quint) – të ShBA-së, të Mbretërisë së Bashkuar, të Francës, të Gjermanisë dhe të Italisë. Lidhur me qëndrimin arrogant të tij, nga perëndimorët nuk pati kurrfarë reagimi.
Sipas Vuçiqit, Amerika dëshiron ta parandalojë formimin e botës multipolare. Sipas tij, sot e tutje nuk do të kemi botë njëpolare. Ai thotë: “Mund të kemi botë bipolare ose multipolare. Serbisë më tepër do t’i konvenonte një botë multipolare”.
Me këtë qëndrim, ai del haptas kundër ShBA-së. dhe rolit udhëheqës të tij në planin global. Është për t’u habitur sesi Uashingtoni nuk reagon!
Më 16 mars 2023, në prag të takimit me Albin Kurtin në Ohër, Vuçiqi iu drejtua publikut në Serbi. Me këtë rast, midis tjerash deklaroi: “… asgjë nuk planifikoj të nënshkruaj…”. Marrëveshjen e Ohrit të datës 18 mars 2023, Vuçiqi nuk e nënshkroi. Për habi, Perëndimi heshti. Një marrëveshje e panënshkruar, s’ka sesi quhet marrëveshje.
Ndërmjet tjerash, ai deklaroi: “…fuqimisht t’i ruajmë vijat tona të kuqe, nga kjo nuk heq dorë”. Ai disa herë ka thënë se vija të kuqe për Beogradin janë: çfarëdo lloj njohjeje formale ose joformale të pavarësisë së Kosovës, si dhe anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara”. Me këtë qëndrim të tij, del se midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka kurrfarë marrëveshjeje. Për habi, perëndimorët heshtin!
Më 28 maj 2023, Vuçiqi deklaron në televizionin Pink të Beogradit: “Në Kosovë do të ndodhë diçka që deri më sot nuk e kemi parë”. Pikërisht atë ditë huliganët serbë në veri të Kosovës sulmuan pjesëtarët e KFOR-it. Ndaj kësaj deklarate të tij, perëndimorët nuk reaguan, të paktën publikisht jo.
* * *
Serbët e Kosovës thanë: “Duam asociacion, ndryshe do t’i lëmë institucionet”. Ata u tërhoqën edhe nga katër bashkitë e veriut.
Qeveria e Kosovës, me pëlqimin e ShBA-së dhe të BE-së, në katër bashkitë e veriut të Kosovës – në Mitrovicën veriore, në Zveçan, në Leposaviq dhe në Zubin Potok, organizuan zgjedhje të reja vendore të parakohshme. Serbët nuk morën pjesë. Domethënë, i bojkotuan.
Lënia e institucioneve të Kosovës dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore të prillit u planifikua në Beograd. Me fjalë të tjera, pas skenarit të sipërthënë qëndronte Beogradi dhe Vuçiqi. Para këtij skenari destruktiv, perëndimorët i mbyllën sytë, pra heshtën.
Pasuan të ashtuquajturat protesta të serbëve në veri. Këto s’ishin protesta. Ishin trazira violente, të dhunshme në krye të të cilave qëndronin huliganët, banditët, kriminelët dhe ekstremistët serbo-rusë. Gjatë këtyre trazirave u lënduan dhe u plagosën pjesëtarë të policisë së Kosovës, pjesëtarë të KFOR-it si dhe gazetarë të Kosovës dhe të Shqipërisë. U dogjën dhe u dëmtuan edhe disa vetura të policisë kosovare dhe të gazetarëve shqiptarë. Para sulmeve barbare të hordhive të sipërthëna, perëndimorët heshtën apo reaguan me gjysmë zëri.
Bandat kriminale serbe, të ndihmuar nga mercenarët rusë, lënduan dhe plagosën 30 pjesëtarë të KFOR-it. Prej tyre, 19 pjesëtarë të kontingjentit hungarezë, ndërsa 11 sish, të kontingjentit italianë. Edhe para kësaj drame tragjike, perëndimorët heshtën, apo reaguan me gjysmë zëri! E tmerrshme.
Përkundër sulmeve barbare ndaj trupave të KFOR-it, liderët perëndimorë rendën të takohen me organizuesin kryesorë të këtyre skenarëve makabër – Vuçiqin. Në vend që ta izolojnë, ata e pranojnë! Absurde!
Në ndërtesën e bashkisë së Zveçanit, ish-bashkiaku serbo-çetnik e kishte varur fotografinë Vladimir Putinit. Perëndimorët u hoqën sikur s’panë gjë! E tmerrshme, rrëqethëse!
Në ndërtesat e katër bashkive të veriut, kryebashkiakët çetnikë të Vuçiqit i kishin varur flamujt e Serbisë, ndërkaq ata të Republikës së Kosovës nuk dukeshin kund. Vallë, kështu qeveriset pushteti vendorë?! Perëndimorët, askund të reagojnë!
Në pikëpamje formale juridike, bashkiakët e veriut ishin dhe janë pjesë e sistemit politik dhe juridik të Republikës së Kosovës. Megjithëkëtë, ata vepronin si pushtet paralel ose më saktë si dorë e zgjatur e Beogradit dhe e Vuçiqit.
Uashingtoni, Berlini, Parisi dhe Londra e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, tërësinë tokësore dhe sovranitetin e saj. Si të tillë, pavarësinë e saj e kanë njohur 116 shtete të botës.
Sistemi politik dhe juridik i Kosovës së pavarur, demokratike dhe sovrane është ndërtuar në saje të pakos së Ahtisarit (Martti Oiva Kalevi Ahtisaari, i lindur në Vyborg të Rusisë më 1937; ish-kryetar i Finlandës, laureat i çmimit “Nobel” për paqe).
Atëbotë, s’filtej dot për kurrfarë asociacioni. Trashëgues të shtetësisë dhe mbartës të shtetësisë në Kosovë janë shqiptarët. Minoritet ndërkaq, i gëzojnë të gjitha të drejtat, të parashikuara me kushtetutë dhe me ligje.
Ideja për formimin e asociacionit lindi më vonë me ngulmimin e Kremlinit, të Moskës, të Rusisë, të Sergej Lavrovit dhe të birit politik të tij – Putinit.
Nuk duhet harruar se që nga vendosja e pushtetit paralel, serbët kanë dëbuar nga veriu i Kosovës 12.000 shqiptarë.
Përse asociacion, kur 3-4 për qind e serbëve të Kosovës i gëzojnë të gjitha të drejtat, si asnjë minoritet në BE:

– Serbishtja është gjuhë zyrtare në tërë territorin e Kosovës;
– Bashkitë në të cilat janë shumicë, qeverisen prej tyre;
– Në Kuvendin e Kosovës, e kanë të garantuar numrin e caktuar të deputetëve;
– Në organin ekzekutiv të Kosovës, kanë të garantuar dikaster ministror;
– Kanë të garantuar shkollimin në gjuhën amtare, që nga arsimi fillor deri në atë universitar;
– Kanë të drejtë t’i kultivojnë dhe t’i afirmojnë vlerat kulturore si dhe traditat e veta;
– Sipas ligjeve të Kosovës, kanë të drejtë ta përdorin edhe flamurin e vet;
– Kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtari ekonomike, etj.
* * *
Kosova është shtet demokratik dhe synon integrimin në organizmat euroatlantikë. Kjo paraqet përparësi për të gjithë qytetarët e saj, përfshi edhe pakicën serbe.
* * *
Trazirat në Kosovë që shpërthyen më 26 maj të vitit në vazhdim, u organizuan në Beograd dhe në Moskë. Në krye të këtij skenari qëndronte kryetari Serbisë – Aleksandar Vuçiqi, i mbështetur fuqimisht nga Sergej Lavrovi dhe nga Vladimir Putini. Kremlini është i interesuar të ketë në Ballkan, jo trazira, por luftë, luftë si ajo në Ukrainë.
Serbët e Kosovës janë të instrumentalizuar nga Beogradi dhe nga Vuçiqi, i cili është peng, edhe i Kremlinit edhe i Kishës Ortodokse – fashiste – Serbe.
Kush duhet të mbajë përgjegjësi për ngjarjet e ditëve të fundit në veri të Kosovës?! Kjo të përkujton rrëfimin mbi ujkun dhe qengjin. Qengjit që ndodhet poshtë tij, ujku i thotë: Mos ma turbullo ujin.
I dobësuar në Serbi, Vuçiqit i nevojiten skenarë të këtilla. Si Sllobodan Millosheviqi dikur, ai luan në letrën nacionaliste dhe ndjek politikë populiste.

Sikundër shihet nga sa më sipër, në një anë e kemi:

– Qeverinë e Kosovës e cila synon të ruajë rendnin dhe ligjshmërinë, kurse në anën tjetër kemi
– Beogradin, Vuçiqin, politikën destruktive, hegjemoniste, ekspansioniste, luftënxitëse, pushtuese, retrograde, anakronike, klerofashiste, çetnike, serbomadhe; në këtë anë bën pjesë edhe
– Rusia, Moska, Kremlini, Lavrovi dhe Putini.
Në këtë mes, kush është fajtor, kush duhet të mbajë përgjegjësi, kush duhet të ndëshkohet?!
Nuk zgjidhet “problemi” duke e ledhatuar Serbinë, duke e përkëdhelur atë, duke investuar në të miliarda euro dhe dollarë. Që nga fillimi i viteve ’90 të qindvjeçarit XX deri më sot, Serbia ndjek politikë ekspansioniste dhe destabilizuese. Ajo ka mbetur në kohën e “Naçertanies” (1844) të Ilija Garashaninit (1812-1874). Politika e Vuçiqit, e bazuar në ideologjinë serbomadhe dhe në atë që sot e quajnë Bota serbe, prodhon dhe shkakton kriza, jo vetëm në Kosovë por në mbarë rajonin – në Mal të Zi, në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kroaci, pa lënë mënjanë edhe Maqedoninë.
Përbrenda kemi një Serbi të udhëhequr nga një politikë tiranike, diktatoriale, autoritare, autokratike, despotike, totalitare, radikale. Kemi një Serbi ku grupet etnike, përfshi edhe shqiptarët e Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) i janë nënshtruar një gjenocidi të heshtur. Kemi një Serbi jodemokratike me akademikë dhe me shkrimtarë të cilët sot e gjithë ditën jetojnë me ëndrrat romantike të shekullit XIX.
Për trazirat e bandave kriminale serbo-ruse në veri të Kosovës, Uashingtoni dhe Parisi rendën të fajësojnë palën kosovare, ndonëse e dinë fort mirë se kush agresori dhe kush është viktima.
Vuçiqi e ngre gatishmërinë luftarake të ushtrisë serbe në shkallën më të lartë dhe e sjell atë mu pranë kufijve të Kosovës. Ai e di mirë se ushtria serbe nuk mund ta kalojë kufirin e Kosovës për arsye se aty janë të sistemuara forcat paqeruajtëse të KFOR-it. Po atëherë, përse Vuçiqi demonstron dhe kanoset me forcë?! Me këtë dëshiron t’ua bëjë me dije Uashingtonit dhe Brukselit: “Po të mos jetë KFOR-i, unë hyjë në veri sakaq dhe s’ka se kush më ndal”. Në këtë mes, Beogradi e ka mbështetjen e Putinit.
* * *
Përkundër rrethanave të tilla, BE-ja dhe Uashingtoni reagojnë me gjysmë zëri dhe e përsërisin klishenë: “Ulni tensionet dhe kthehuni dialogut”.
Dialogu do të mund të jetë i suksesshëm dhe efektiv kur të pushojë përkëdhelja e Serbisë dhe e Vuçiqit nga Uashingtoni, nga Parisi dhe nga Berlini.
Për trazirat e ditëve të fundit në veri, Uashingtoni dhe Parisi fajësuan palën kosovare. Të njëjtën e bëri edhe Moska. Nga kjo rezulton se edhe ShBA-ja me BE-në edhe Moska, mbajnë anën e Serbisë. Çfarë paradoksi?! Aty ku është Moska, si mund të jenë edhe perëndimorët?! Kosova përçon interesin perëndimor në Ballkan, Serbia ndërkaq është përçuese e interesit rus në rajon.
* * *
Amerika dhe fuqitë evropiane duan ta nxjerrin Serbinë nga zona ruse e ndikimit dhe nga sfera ruse e interesit. Dhe kjo ka një çmim, e ky çmim është formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Me fjalë të tjera, ShBA-ja Kosovën e ka me vete, tani synon ta bëjë për vete edhe Serbinë. Nxjerrja e Serbisë nga kthetrat e ariut rus do të kishte qenë një punë e mirë për rajonin, por çmimin për këtë nuk mund ta paguajë Kosova.
Fuqitë e Mëdha të Perëndimit duhet ta dinë se nuk janë duke e mbështetur një Serbi demokratike, por një Serbi millosheviqiane. “Problemi” ka zgjidhje: të përjashtohet Serbia nga Këshilli i Evropës; të pezullohen në Serbi investimet perëndimore; t’i mbyllet Serbisë perspektiva e integrimit në BE; t’i mbyllen Vuçiqit dyert e kancelarive perëndimore.
Në anën tjetër, Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës, në BE dhe në NATO.
* * *
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk duhet të ndërmarrë asnjë veprim pa pëlqimin e SHBA-as. S’ka Kosovë pa Amerikën!

Foto:https://www.abendblatt.de

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1829
  • 1830
  • 1831
  • 1832
  • 1833
  • …
  • 2980
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT