• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Milicia fashiste që sulmon Kosovën*…

June 2, 2023 by s p

Albin Kurti/

Pas dorëheqjes në formë të organizuar të katër kryetarëve të komunave në veri të Mitrovicës, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, me 5 nëntor të vitit të kaluar, u patën shpallur zgjedhjet e reja të parakohshme për datën 18 dhjetor. Mirëpo, më datën 10 dhjetor, pra 8 ditë paraprakisht, me ftesën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Shkëlqesisë së saj, znj. Vjosa Osmani, ne morëm pjesë në një takim të përbashkët si kryetarë të subjekteve politike, për ta diskutuar shtyrjen e këtyre zgjedhjeve me rekomandimin edhe të partnerëve e miqve tanë ndërkombëtarë, për shkak të sigurisë së cenuar në Kosovë.

Asokohe, mbi bazën e vlerësimeve të institucioneve të sigurisë për situatën në terren dhe në konsultim e në koordinim me faktorët ndërkombëtarë, me 10 dhjetor pra në Ditën Ndërkombëtarë të Drejtave të Njeriut, zgjedhjet u shtyn për 23 prill të këtij viti. Pra, për katër muaj.

Shteteve aleate të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian ua pranuam kërkesën dhe vendimin për shtyrje të cilin e dakorduam bashkërisht në një mbledhje me kryetarët e partive. Pra, ishte një rekomandim me të cilin pajtoheshim duke pasur parasysh vlerësimin e organeve të sigurisë të Republikës së Kosovës.

Po atë ditë, pra me 10 dhjetor të vitit të kaluar me urdhër të Presidentit të Serbisë, 16 barrikada u vendosën në rrugët në veri të vendit të cilët patrulloheshin e udhëhiqeshin nga njerëz të sanksionuar edhe nga Thesari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe nga Zyra e Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe.

Ishte e qartë tashmë që plani për dorëheqje i Listës Serbe, në komunat në veri përfshinte qëllimin e destabilizimit të Kosovës përmes ngritjes së barrikadave.

Në vitin e kaluar i patëm mbyllur 16 rrugë ilegale në veri, edhe mbylljes së 16 rrugëve ilegale iu përgjigjen me 16 barrikada.

Zgjedhjet duhej të mbaheshin. Njëherë u shtyn nuk mund të shtyheshin sërish.

Më 7 prill unë i kam bërë thirrje komuniteti serb në Kosovë që të marrin pjesë në zgjedhje. Më 19 prill Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Gabriel Escobar, deklaroi se ‘Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do t’i njohin rezultatet e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës, edhe pse serbët do t’i bojkotojnë ato dhe u bëri thirrje serbëve që të kthehen në institucione. Qeveria e Kosovës ka obligim kushtetues. Do të ketë zgjedhje dhe ne do t’i njohim rezultatet dhe shpresojmë që serbët të kthehen në një moment’.

Njihej procesi, njihej rezultati, njihej betimi, njihen kryetarët e komunave.

Më 20 prill Presidenti i Serbisë deklaroi se komuniteti serb nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, dhe bën thirrje për bojkot.

Më 21 prill Lista Serbe bën thirrje për bojkot të zgjedhjeve. Në këtë ditë poashtu lideri i Partisë të Serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, tërhiqet nga gara. Po të mos tërhiqej ai do të ishte sot kryetar i Leposaviqit. Mirëpo, dy ditë para zgjedhjeve u tërhoq.

Më 23 prill mbahen zgjedhjet, asnjë incident. Organizim i shkëlqyeshëm i Komisionit Qendror Zgjedhor.

Më 19 maj bëhet betimi i kryetarit të ri, në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, asnjë incident.

Më 25 maj bëhet betimi i tre kryetarëve të rinj në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Asnjë incident.

Më 26 maj, ditën kur kryetarët e rinj në tri komuna fillojnë ditën e parë të punës, ata përballen me pengesa nga protestues, të cilët sulmojnë Policinë e Kosovës dhe pjesëtarë të KFOR-it. Në këtë pikë, më duhet të theksoj se shoqërimi i kryetarëve të rinj me forcat e sigurisë, është vlerësim i institucioneve të sigurisë, të cilët vlerësojnë shkallën e rrezikshmërisë, pra nuk është vendim politik, por unë si kryeministër e mbështes këtë. Edhe atëherë edhe sot. Kanë vlerësuar drejt dhe në ditët në vijim u dëshmua që kanë vlerësuar drejt. Përndryshe, po të mos ishte ashtu, ne do të kishim kryetarë të komunave, të cilët goditen nga ato bandat kriminale, sepse do të ishin të ekspozuar ndaj sulmit, i cili ishte i parapërgatitur dhe kërkonte pretekst.

Po e them këtë, sepse të shumtë janë ata, të cilët praninë e forcave të policisë e kanë quajtur si hyrje me forcë në ndërtesë. Nuk ka nevojë ta quajmë hyrje me forcë në ndërtesë, sepse ajo ndërtesë është e Republikës së Kosovës. Nuk hyn policia me forcë në ndërtesë të vet. Nuk hyn Kryetari i Komunës me forcë në ndërtesë të vet. Ajo është zyra e tij. Nuk ka pasur asnjë arsye që të hyhet me forcë në ndërtesë, por ata që e shohin vetëm fotografinë e policisë në sekondën kur hyn Kryetari, sikur ndërtesa të mos ishte e rrethuar me njerëz, të cilët pasi që e kishin blinduar portën dhe derën, nuk dëshironin të hynte askush.

Më lejoni me këtë rast t’ju njoftoj. Lista Serbe i ka braktisur institucionet në veri dhe Parlamentin këtu, përveç kur duhet ardhur për tu nënshkruar për me marrë pagën. Kjo braktisje e institucioneve është pasuar me braktisje të procesit zgjedhor dhe njëkohësisht me braktisje të ndërtesave.

Kur kanë hyrë kryetarët e komunave në ndërtesa, ndërtesat kanë qenë të zbrazëta, por të blinduara. Ata i kanë braktisur ndërtesat. Ata e dinë që nuk janë të tyret. Ndërtesat janë të Republikës, por në momentin kur po hyn Kryetari, ata po shkaktojnë pengesa. Pra, ata nuk po i duan ndërtesat. Ata po dëshirojnë që as ne të mos i duam ato. Ata i kanë braktisur ndërtesat.

Unë kam pasur hall, që kur vjen puna me hy Kryetari i Komunës në Leposaviq, në Zveçan ose në Zubin Potok, çka do të bëjnë serbët, që janë administratë brenda? Por, ata i kishin braktisur ndërtesat. Ndërtesat kanë qenë të zbrazëta dhe natyrisht që aty hyn Kryetari i Komunës, po kush tjetër?

Strukturat paralele nuk i donë as ndërtesat zyrtare. Pastaj, fakti që ka pasur pengesë në hyrje të ndërtesës së komunës, ku është vendi zyrtar i kryetarëve të rinj të zgjedhur, prezenca e policisë ka qenë e justifikuar, pasi është dashur që të sigurohet hyrja e tyre e pa penguar dhe nëse e vëreni diskutimin që ka polici i Republikës së Kosovës, Komandanti i Njësisë me protestuesit, e sqaron gjithçka. Kemi nevojë për korridor për qasje. Ne duam të punojmë. Ne duam të funksionojmë. Mirëpo, kur nuk krijohet mundësia për korridor për qasje, natyrisht që na duhet ndërtesa. Dhe, Policia e Republikës së Kosovës këtë aset të Republikës së Kosovës e merr nën kontroll. Një aset të braktisur prej atyre, që shtiren se zgjedhjet ishin ilegale apo jolegjitime.

Mandej, kemi datën 29 maj, ditën e hënë të kësaj jave, ku një pjesë e mirë e bandave kriminale, të cilët ishin me gjasë në tubimin e presidentit të Serbisë, me 26 maj, u kthyen të organizuar për ta eskaluar situatën. Tanimë kemi pamje të mjaftueshme, me video e me foto, të cilat dëshmojnë se eskalimi i situatës me 29 maj ishte i planifikuar, ishte mirë i organizuar dhe kishte autorë.

Autor është Beogradi zyrtar, i cili është kujdesur që shqetësimet e shprehura nga zëra të ndryshëm të cilët paralajmëronin eskalim të situatës nëse policia nuk tërhiqet, nëse kryetarët nuk shkojnë në punë, që këto shqetësime t’i kthej në realitet.

Pra, ngritja e shqetësimeve të shumta për eskalim të situatës bëri që Serbia të mobilizoj grupet kriminale që vërtetë ta eskalojnë situatën. E kundërta duhej të ndodhte. Pas deklaratave mbështetëse për mbajtjen e zgjedhjeve dhe njohjen e rezultatit zgjedhor, çdoherë duke ditur bojkotin e komunitetit serb, duhej të mbështeteshin kryetarët e ri që të punojnë në vendin e tyre të punës.

Pra, ajo që mungonte me 25 maj, pas betimit të kryetarëve, e që po mungon ende është deklarata se në përputhje me procesin, të cilin porsa e përmenda, të mos pengohet puna e kryetarëve të ri deri në zgjedhjet e reja. Kjo është deklarata e munguar. Deklarata e munguar, e shoqëruar me shqetësimet e tepruara nuk i ka ndihmuar situatës.

Kjo kronologji e ngjarjeve është me rëndësi pasi që tregon se institucionet e Kosovës kanë bërë detyrat e tyre. Ne kemi vepruar në përputhje me obligimet kushtetuese dhe interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Por, kjo kronologji tregon gjithashtu që ka pasur jo vetëm konsultim, por edhe bashkërendim me partnerët ndërkombëtar. Pra, nuk ka pasur asnjë befasi, pasi ky ka qenë një proces me shumë hallka, e ku hallka e fundit e ishte shkuarja e kryetarit me çantë në vendin e tij të punës.

Ajo që duhet të kuptohet, e më duhet ta përsëris që të jem sa më i qartë, është se pasuria e objektet publike të Kosovës i takojnë Republikës së Kosovës e republika është e qytetarëve. Republika është forma e shtetit tonë. Shteti është sovran, populli është burimi i sovranitetit.

Përdorimi i tyre rregullohet me ligj në këtë kuvend ku është i përfaqësuar populli dhe mbrojtja e tyre po ashtu rregullohet me legjislacion e ku organet e sigurisë janë të thirrura të zbatojnë atë sipas mandatit të tyre.

Unë nuk mund t’i mbyll sytë kur grupe kriminale të llojit fashist-paramilitar kërcënojnë rendin kushtetues e ligjor të Republikës. Jam i vetëdijshëm që jo të gjithë ata që po marrin pjesë në grumbullimet përpara objekteve janë pjesë e grupeve të tilla, por, fatkeqësisht, shumë qytetarë serb për shkak të presionit e kërcënimit të Beogradit zyrtar janë të detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore për sulmet e grupeve të tilla kriminale.

Dhe aty janë tri kategori: kategoria e parë janë këta kriminelët e mbrojtjes civile. Këta janë kategoria e parë. Këta janë ajo pjesa ekstremiste, shoveniste, nacionaliste, e cila e admiron Millosheviqin edhe Putinin edhe merr pjesë në protesta të dhunshme. Kategoria e dytë janë ata nga administrata publike, të cilët po nuk dolën në protesta humbin pagën, se vendin e punës nuk e di a e kanë. Dhe kategoria e tretë, janë kompanitë e Radojçiqave dhe Veselinoviçave të cilët ju jepin ditë pushimi punëtorëve me kusht që me shku në protesta të dhunshme. Pra, ua kushtëzojnë vendin e punës me protestë të dhunshme edhe kur shkojnë në protestë të dhunshme ua shkruajnë ditë pushimi. Këto janë tri kategori.

Nëse vëreni me kujdes, në Zveçan mblidhen disa qindra, në Leposaviq edhe në Zubin Potok disa dhjetëra, nganjëherë disa qindra, por në ballë të tyre janë përgjithësisht këta të mbrojtjes civile.

Në shqiptarët kemi shumë përvojë historike në organizim të protestave e demonstratave ku shprehim pakënaqësinë. Protestat vijnë prej poshtë. Këto nuk janë protesta prej poshtë. Këtë janë protesta nga lartë. Që do të thotë se nuk janë protesta.

Nuk ka asgjë autentike në ato protesta. Nuk është vullnet i popullit ai. Është direktivë e Beogradit. Dhe mua më vjen keq për qytetarët serb të cilët detyrohen të dalin në këto protesta, sepse unë mendoj se ata sot janë njerëzit më të pa lirë në Republikën e Kosovës. Pikërisht ai qytetari serb që duket që po e shpreh një vullnet aty para Komunës atij i mungon më së shumti liria, po jo për shkak të Prishtinës, po për shkak të Beogradit. Ata duhet të çlirohen nga kjo milici fashiste dhe Republika e Kosovës me policinë e saj dhe organet e saj po e bënë pikërisht këtë gjë. Sot nuk është në pyetje çlirimi i Kosovës, sot është në pyetje çlirimi i komunitetit serb nga milicia fashiste dhe ne duhet t’i ndihmojnë serbëve që të çlirohen nga milicia fashiste, jo të dorëzohemi përballë tyre.

Unë ndjej keqardhje maksimale për sulmet që ndodhën dhe po ndodhin ndaj anëtarëve të policisë tonë, ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve dhe e shpreh falënderimin tim për të gjithë, për kurajon e për sakrificën, në veçanti për anëtarët e policisë sonë që në mënyrë të dinjitetshme, patriotike e të përgjegjshme po e mbrojnë Kushtetutën dhe ligjin në shtetin e tyre të pavarur të cilët i shërbejnë me përkushtim.

Unë besoj se ka shumë gjëra ku mund të mos pajtohemi, të gjithë i kemi opinionet dhe mendimet tona, ama është Republika, ligji Kushtetutshmëria ato të cilat na bashkojnë.

Për vite me radhë nga partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtar na është thënë që kërcënimi më i madh për Kosovën është shkalla e lartë e korrupsionit dhe krimit të organizuar që na i pengon sukseset e Kosovës. Ne i kemi dëshmuar se jemi partnerë të denjë të miqve tanë ndërkombëtar me avancimin demokratik e ekonomik të Kosovës. Ajo që i bënë bashkë partnerët tanë ndërkombëtarë janë vlerat e përbashkëta dhe besimi se këto janë universale që duhet të mbrohen me çdo kusht. Qëllimet, vizionet, vlerat, interesat i kemi të përbashkëta.

Qeveria ime beson thellësisht në miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e Bashkimit Evropian, e më gjerë. Ne jemi thelbësisht transatlantik. Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, bashkë me njëra tjetrën dhe bashkë me neve.

Por qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë e njëjtë. Serbia është vend autokratik. Serbia nuk është vend demokratik. Në Serbi shtypen liritë dhe të drejtat e njeriut, shtypet opozita dhe Rusia e ka qendrën e saj rajonale.

Ju e shihni ne shqiptarët që jemi 93% në Kosovë, sa shumë parti politike kemi. Atje në kolonën e mesme e në rreshtin e fundit i kemi pakicat jo serbe i kemi romët, egjiptianët, ashkalinjtë, i kemi boshnjakët i kemi turqit. Secila pakicë kombëtare i ka disa parti mirëpo në vendin tonë të dashur deputetë ekziston një komunitet që nuk po lejon më shumë së një parti për shkak të Beogradit, vetëm Lista serbe dhe asnjë tjetër. Kosova sot nuk është demokratike në veri sepse Beogradi nuk lejon më shumë se një parti. Beogradi dëshiron një shtet, një parti, një udhëheqës, një kishë. Por nuk ka demokraci pa pluralizëm politik, komuniteti serb ka nevojë për pluralizëm politik dhe unë ju ftoj secilën e secilin prej jush që ta ndihmojmë komunitetin serb të ketë pluralizëm politik. Ata kanë nevojë për më shumë parti, andaj unë ju lutem që të bëni gjithçka që është e mundur që t’i ndihmojmë të çlirohen, të jenë të lirë sikurse ne të tjerët dhe njëra ndër mekanizmat kryesor është pluralizmi politik. Ne kemi dhjetëra parti secila pakicë kombëtare ka disa parti, vetëm komuniteti serb i cili është i shtypur vetëm një parti, ky është thelbi i problemit. Serbia po shfaqë agresion të hapur ndaj Kosovës edhe përbën kërcënim për rajonin pikërisht sepse nuk ndan vlera të përbashkëta me partnerët e miqtë tanë ndërkombëtarë, demokratizimi i Serbisë është i nevojshëm por Kosova nuk mund të paguajë për demokratizimin e saj. Ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë demokratizimin e Serbisë po jo të paguajmë për demokratizimin e Serbisë.

Kosova nuk mund ta kompensojë Serbinë për mosndëshkimin e Rusisë dhe as për humbjen e luftës në Kosovë. Unë dëshiroj që të gjitha të drejtat e serbëve të jenë të plotësuara dhe të gjitha kërkesat e tyre të jenë të dëgjuara. Prandaj edhe jam kryeministër i të gjithëve. Mirëpo, nuk mund ta kompensoj Beogradin pse regjimi i Millosheviqit që bëri gjenocid ua humbi luftën edhe sipas pikëpamjes tonë, por territorin vetëm sipas pikëpamjes së tyre, se ky territor kurrë nuk ka qenë i tyre. Ky territor ka qenë i shtypur prej tyre, jo i tyre.

Andaj është tejet e rëndësishme që këtë t’ua bëjmë të qartë të gjithëve. Duam ta ndihmojmë demokratizimin dhe evropianizimin e Serbisë, po nuk paguajmë çmim si shtet e si territor për këtë.

Tash Parlamenti Evropian në raportin për Kosovën muajin që lamë pas, tek pjesa e demokracisë dhe sundimit të ligjit, pika 29, na u tha që është i shqetësuar për rritjen e ndërhyrjeve të huaja keqdashëse në formën e fushatave të dezinformimit dhe keqinformimit të organizuara nga disa aktorë, veçanërisht nga Rusia dhe Kina.

Andaj të gjithë qytetarët e Republikës, të gjithë zyrtarët e shtetit, të gjithë përfaqësuesit e popullit i lus të kenë kujdes se ku, kur dhe si informohen. Përcjellni komunikatat e Policisë së Republikës, aty e keni të vërtetën. Për gjendjen në teren, deklaratat që lëshohen nga organet e sigurisë janë ato që janë edhe të sakta edhe të vërteta.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Rolin kryesor në organizimin e protestuesve ne terren janë duke e kryer anëtarët e formacionit ilegal të së ashtuquajtur Mbrojtje Civile dhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës ku është parë prezencë e madhe e tyre në teren. Këto protesta me gjithë dashakeqësinë e tyre neve na kanë shërbyer që të bëjmë identifikime të vlefshme.

-Millorad Jevtiq është njëri nga drejtuesit e këtij formacioni ilegal. Shtëpia e tij në Zveçan është shndërruar në “bazë qëndrimi” të drejtuesve të kësaj strukture ilegale. Gjithashtu, ka prezencë të madhe të përfaqësuesve politik të Listës Serbe në atë shtëpi. Ata janë duke punuar në mobilizimin e strukturave atje për prezencë sa më të madhe para objekteve komunale dhe duke orkestruar sulme të ardhshme.

-Miqko Jeftiq, pjesëtar i formacionit ilegal të ashtuquajtur “Mbrojtje Civile” në Zveçan.

-Bashkë me të Rajko Jeftiq, ish këshilltar i Listës Serbe në Zveçan dhe ish drejtor në komunën e Zveçanit, babai i Miqko Jeftiq.

-Danilo Josifovic, i njohur me nofkën “Prki”, gjithashtu pjesëtar i formacionit ilegal të ashtuquajtur “Mbrojtje Civile”.

-Liljana Aksentijeviq, zëvendësuese e kryetarit të ashtuquajtur “Organ i Përkohshëm” në Zveçan, ka urdhëruar të gjithë punëtorët e komunës ilegale të Zveçanit që në 06:30 të dalin para komunës.

Personat që po i shohim të maskuar në video dhe nëpër fotografi janë të udhëhequr nga ish-kapiteni i Policisë së Kosovës Aleksandër Filipoviq, që shtirej se është i integruar në shtetin tonë. Ky është personi kryesor që po drejton ata. Me 29 maj të këtij viti, ka rrahur një qytetar serb në Leposaviq, pasi që ai ka qenë duke e incizuar me telefon.

Personat e maskuar që ishin pjesë e protestës së dhunshme në Zveçan janë:

– Nikolla Adžiq, ka hedhur koktej molotovi në Zveçan, dhe është pjesëtar i organizatës kriminale serbe “Severna Brigada”.

– Milan Zhivkoviq, po ashtu pjesëtar i të njëjtës organizatë.

– Danilo Krivokapiq;

– Jovica Lazoviq;

– Nikola Radomiroviq;

– vëllezërit Stefan dhe Dejan Nedeljkoviq.

Kjo organizatë kriminale, në rrjetet sociale, ka postuar lajm që pjesëtarë të grupit mercenar rus “Wagner” kanë arritur në Kosovë. Po ashtu i njohur për lidhjet e tij me këtë grup paramilitar rus është edhe Damjan Knezheviq, i cili drejton organizatën djathtiste “Patrollat e Popullit-Nardona Patrola”. Edhe ky ka paralajmëruar ardhjen e një grupi prej 50 personave nga Serbia në Kosovë. Damjan Knezheviq, dhe organizata e tij, organizuan protestën e 18 dhjetorit të vitit të kaluar në afërsi të pikës kufitare në Jarinje, me ç’rast u patën identifikuar një numër i konsiderueshëm personash me simbole ekstremiste ruso-serbe.

Persona tjerë të përfshirë në sulm ndaj KFOR-it se është mirë që edhe vendorët dhe ndërkombëtarët t’i dinë këta emra se nuk i ka sulmuar populli serbë, i ka sulmuar milicia fashiste.

– Vlladimir Radivojeviq, i cili ka njohje të drejtpërdrejtë me presidentin Vuçiq;

– Daniel Gjukiq, bashkë me një grup personash, kanë gjuajtur shok bomba. Këta janë pjesë e grupit të Milan Radoiçiqit, të njohur për ndikim dhe veprimtari kriminale;

– Millosh Gjukiq, vëllau i Danielit. Këta dy vëllezër kanë raporte shoqërore me djalin e presidentit Vuçiq;

– Millan (Jugosllav) Tomiq, i lindur në Obiliq e me banim në komunën veriore të Mitrovicës, ka marrë pjesë në shpimin e gomave të autoblindave të Policisë së Kosovës;

– Millan Joviq, pjesëtar i formacionit ilegal të ashtuquajtur “Mbrojtje Civile”. Me 31 mars, bashkë me një grup ka shkuar për trajnim në përdorimin e armës në Rashkë të Serbisë; më tej:

– Petar Millosheviq;

– Dejan Jevtiq;

– Nikolla Baldini;

– Millan Zhivkoviq;

– Vuk Brankoviq;

– Luka Vlaskoviq;

– Bozhidar Todoroviq dhe

– Radisha Denoviq.

Fotografia qe mori vëmendjen e rrjeteve sociale ishte ajo e Danijel Shmigiq, i cili ka qenë e mbase edhe tash është shofer dhe truproje i nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq. Danijel Shmigiq ka ushtruar sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it.

Përveç pjesëtarëve të grupit ekstremist “Severna Brigada”, Brigada Veriore, ka qenë prezent edhe tifo-grupi “Delije”, i Cvrena Zvezdës të cilët kanë qenë të përgatitur për sulm ndaj KFOR-it. Ne kemi panumër dëshmi evidencë materiale për këtë gjë.

Pas eskalimit të situatës dhe lëndimit të dhjetëra ushtarëve të KFOR-it janë arrestuar Nebojsha Elezoviq (i cili e ka shoqëruar Goran Rakiqin gjatë udhëtimit të tij në Beograd me datë 23 mars 2022 për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Serbisë), Radosh Mitroviq dhe Zhivojko Milentijeviq. Këta janë arrestuar.

Me 31 maj, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës ka arrestuar dy shtetas serbë, Ivan Sekulic dhe Sinisha Jevtic. Ata kanë poseduar materiale të dyshimta përfshirë maska kamuflazhi, emblema me simbole nacionaliste, kartelë të veteranëve të luftës dhe të akademisë për siguri të Serbisë, shufër metalike, disa thika, substanca narkotike, sprej të ndryshëm, sfera metalike, dhe një çekan.

A e kuptoni pra se me çfarë kemi të bëjmë. Me Milici fashiste dhe për këtë përballje, këtë përballje, Policisë së Kosovës i duhet Qeveria e Republikës së Kosovës. E ka. Policisë së Kosovës i duhet Kuvendi i Republikës, ju tregoni a e ka! Policisë së Kosovës i nevojitet populli i Kosovës. E ka. Pra është në dorën tonë kjo fitore e radhës për sundim të ligjit dhe kushtetutshmëri. Policia jonë ka nevojë për mbështetje. Jepjani këtë mbështetje. Jepjani këtë mbështetje Policisë së Republikës e cila është në vijë fronti me milicinë fashiste. Nuk jemi kundër serbëve. I kemi ftuar të kthehen në institucione, ju kemi thënë merrni pjesë në proces demokratikë mirëpo gabimin kardinal të Listës Serbe që i bojkotojë zgjedhjet, që i braktisi institucionet, nuk duhet ta paguajë Republika jonë or Lista Serbe. Ai është vendim politik i tyre, pasojat e të cilëve duhet t’i marrin ata vetë.

*Adresimi i Kryeministrit Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës pas zhvillimeve të fundit në komunat veriore të Republikës së Kosovës.

Filed Under: Politike

MIDHAT FRASHËRI DHE ALBANOLOGJIA*

June 2, 2023 by s p

Akademik Rexhep Ismajli/

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”/

Jam i nderuar dhe i emocionuar të marr pjesë në këtë përurim të vëllimit VIII të kolanës Vepra të intelektualit të shquar Midat Frashëri të përgatitur nga Z. Uran Butka në botim të Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skendo”. Në këtë vëllim janë përfshirë shkrimet albanologjike të dijetarit, diplomatit, veprimtarit themelues të ideve e bërthamave të institucioneve kulturore, botuesit e publicistit, prijësit politik Midat Abdyl bej Frashërit, të njohur me pseudonimet Mali Kokojka, Lumo Skendo, të lindur në Janinë, të formuar nën ombrellën e Abdyl, Sami e Naim Frashërit dhe në shkollat e zgjedhura të Stambollit. Personalitet me kulturë të gjerë perëndimore: zotëronte frëngjishten, gjermanishten, greqishten, kishte njohuri për anglishen italishten, kishte marrë mësime të thelluara për latinishten, e njihte dhe jetonte botën intelektuale orientale dhe gjuhët e saj – osmanisht, persisht, arabisht, por mbi të gjitha ndiqte si të vetin idealin e t’et dhe të xhaxhallarëve për pavarësimin e botës shqiptare, për Shqipërinë e pavarur në përmasat e saj natyrale.

Veprimtaria krijuese intelektuale dhe shkrimtaria e Midhat Frashërit i përket pjesës së parë të shekullit XX: e shquar, e rëndësishme, por e heshtur apo ndaluar fare në pjesën e dytë të atij shekulli. U rikthye në vëmendjen e publikut shqiptar në kapërcyellin nga sh. XX në sh. XXI. Heqja e ndalesave me rënien e komunizmit nuk do të thoshte automatikisht rinjohje të vlerave të damkosura me stigmë për gjysmë shekulli. Kjo rinjohje për shumë prej shqiptarëve njohje për herë të parë, duhet të kalojë nëpër procesin e ribotimit e të përhapjes së veprës së dijetarit të shquar, shkrimtarit të hershëm, punë të cilën po e bën me ngulm, entuziazëm, seriozitet e dashuri tashmë dy dekada Z. Uran Butka. Menjherë këtu desha të vë në pah po ashtu se një punë të lavdueshme e ka bërë Fondacioni ALSAR në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë e me përgatitje të profesoreshës Persida Asllani që ka nxjerrë në vëllime të pëlqyeshme botimin anastatik të revistës “literare dhe diturake” të Midhat Frashërit – Diturija 1909-1929.

I biri i Abdyl bej Frashërit, i lindur më 1880 – në kohën e Lidhjes së famshme të Prizrenit, ndeshjen e parë me dorën e fortë të pushtetit e ndjeu në moshën 17-vjeçare, kur u burgos për shkak se me vete e kishte pasur revistën shqip Albania të Faik Konicës, që nuk lejohej në Perandorinë Osmane. Një vit më vonë e ndeshim aktiv te Ditërrëfenja (Kalendari) kombiare të Sofjes, ku do ta gjejmë me shumë shkrime, komente, studime deri në vitet ’30 të sh. XX. Përtej mjeshtrisë së farmacistit, për çka kishte bërë studime të rregullta, Midhat Frashëri me tërë dinamizmin e shpirtit të tij, iu dorëzua veprimtarisë në frymën e trashëguar të idealeve të Rilindjes, por gjithnjë me begatimet që sillnin koha dhe zhvillimet në faza të ndryshme. Intelektual në kuptimin modern të fjalës, Midat Frashëri angazhimin e kishte përbërës të qenies së tij: shkruante, prodhonte ide, por edhe vihej në veprim për realizimin e tyre në rrethanat konkrete, dinamike e shumanshëm të kushtëzuara, dialogonte me kohën dhe idetë e saj, shpesh printe. I tillë, ai nuk ngurronte t’i futej jetës organizative, si në rastin e Kongresit të rëndësishën për tërë zhvillimet në vijim të historisë shqiptare të Manastirit, Kongresit të Elbasanit, shërbimeve në dikasteret ministrore, diplomatike, organizimit të rrjetit librar-bibliotekar, deri edhe organizimeve puro politike, si në rastin e themelimit e të drejtimit të një force të djathtë në momentin kur e vlerësonte se bota shqiptare ndodhej para rreziqeve që mund të vareshin nga zhvillimet brenda saj. Angazhimi me tërë qenien në këtë vorbull atij i ndodhi në dekadën e fundit të jetës, në kohën kur tashmë kishte realizuar shumëçka në jetën e tij intelektuale. Kthesat në këtë fazë të historisë sonë qenë të atilla që gjithë veprimtarinë e tij mendje-ndriçuese, emancipuese në fushën intelektuale, në fushën e shkrimtarisë, të zhvillimit kulturor, të ideve, e vunë në embargo për breza të tërë gjatë sundimit të komunizmit dhe të orientimit të politikës shtetërore nga lindja (gjithsesi sllavombisunduese). Sjellja në vëmendjen e opinionit të gjerë kulturor shqiptar e veprimtarisë së këtij intelektuali me përmasa europiane në të gjitha dimensionet e veprimtarisë së tij, ashtu si e të tjerëve që i kishte eklipsuar shtresa e trashë ideolologjike që kishte kapluar kulturën shqiptare, po na çon drejt ridimensionimeve të tërë historisë kulturore, të zhvillimit të ideve në vorbullin jetësor shqiptar të sh. XX. Midhat Frashëri është një nga themelorët në këtë drejtim, ndërsa ashpërsinë dhe egër-sinë e rrjedhave ideore e mendore që kanë shpënë tek ato ndalesa dhe tek ai eklips në pjesën e dytë të shekullit XX dhe pasojat e tyre i dëshmojnë dhe reagimet e përdhosjes së bustit dhe të varrit të tij të sjellë në atdhe vetëm pas 7 dekadash.

Në vëllimin që po përurojmë sot të veprave të Midat Frashërit përmblidhen ato që njohësi i cilësuar i veprimtarisë së tij, Z. Uran Butka, i ka përfshirë me një term të gjerë – albanologji.

A ishte Midhat Frashëri albanolog?, na lejohet të pyesim menjëherë, gjithsesi pasi të kemi lexuar me vëmendje sprovat që janë bërë për historinë e kësaj dijeje. Këtu kam nevojë për një sqarim. Midat Frashëri si intelektual, si shkrimtar, si studiues i së kaluarës dhe i zhvillimeve brenda botës shqiptare, si veprimtar në ato zhvillime, si dijetar me diapazon të gjerë interesimesh, në qendër të të gjithave e kishte botën shqiptare. Në këtë kuptim, në pajtim me përkufizimin e albanologjisë në FESh nga A. Dodi e S. Mansaku – si “tërësi e studimeve për historinë, gjuhën dhe kulturën e popullit shqiptar”, gjithsesi po – ai ishte albanolog, kuptohet dhe shumëçka përtej. Në FEK, në vijën e idesë së shprehur nga S. Riza në vitet ’50 të sh. XX, kemi ndjekur një nuancim të mëtejmë duke theksuar dallimin midis albanologjisë (koncept i krijuar në botën e studiuesve të jashtëm për të përfshirë brenda gjithëçka që ka të bëjë me shqiptarët, “fushë komplekse studimi të gjuhës, të letërsisë, të historisë, të etnologjisë dhe të kulturës shqiptare përgjithësisht”) dhe albanistikës (“kompleks fushash të studimit të gjuhës shqipe”), pra si romanistikë, italianistikë, ndërsa në praktikë kanë qenë në veprim të dy versionet: vështrimi albanologjik ishte i përhapur ndër ne: Instituti Albanologjik, Gjurmime albanologjike (ku përfshihen të gjitha dijet e përmendura), Akademia e Studimeve Albanologjike, në një anë, dhe Katedra e Albanologjisë (vetëm studimet e gjuhës, të letërsisë e të folklorit) e ndarë nga katedra e historisë, e etnologjisë, etj. Në frymën e specializimeve disiplinore të sotme këta terma bëhen ngapak fluidë. Kjo përligjet me përkufizimin që bënte vetë Lumo Skendo në vështrimin Katedrat e gjuhës shqipe në vende të huaja (ose dituri e shqipes) te Diturija 1 mars 1927, nr. 5, f. 161: “Afër pesëdhjetë vjet më parë kanë zënë të përdoren fjalët albanolog, albanologji për të rrëfyer diturinë e gjuhës shqipe dhe dijetarin, që merret me të, që studion shqipen në marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera indoevropiane, nga pikëpamja e gramatikës së krahasuar, nga ana e etimologjisë, që kërkon dhe oirigjinën e racës shqiptare në raportet e saj me kombet e moçëm të cilët historia i quan pellazgë, ilirianë, maqedonas, thrakë, frigë…” Dhe shtonte se këto studime kishin implikime në vështrimin e historisë së gjuhëve të Ballkanit, por “albanologjia hedh ca nga ca shkëndija dhe dritë mbi popujt e vjetër…”

Më tej Lumo Skendo jepte shënime të sakta për institucionet që ishin marrë me stu¬dimet e shqipes deri në atë kohë nëpër Europë, gjithë duke theksuar se albanologjia kishte mbetur “kryesisht një dituri gjermane në duar të diejtarëve alemanë”. Por me kohë, shtonte ai, erdhi e u rrit dhe “një merak shkencor, mbi të cilin … u shartua edhe një interes politik” për këtë “dituri e cila na prek jo vetëm nga pikëpamja thjeshtë spekulative shkencore, po edhe për politikën tonë kombiare, për mbrojtjen dhe lartësimin e shqiptarizmës”, f. 165.

Te shqiptarizma shihte ai ombrellën diturake ku do të përfshihej albanologjia në kuptimin e albanistikës, gjithë duke vënë në spikamë veprimin e ideve që u formuan pas përparimit të albanologjisë, që kur u njohëm jo si popull i ardhur prej Azisë, “po autoktonë dhe trashëgimtarë të popujve më të vjetër… Nga kjo, pra, edhe e drejta jonë në truallin ku banojmë. Duke pasur lidhje midis albanologjisë dhe politikës, është nevojë që të kemi një zë në një dituri, që na prek kaq së afërmi dhe jashtë qarkut të shkencës së thjeshtë”, aty, f. 166.

Lumo Skendo nuk ishte albanist, as albanolog në kuptimin teknik të gjuhëtarit specifikisht, as të historianit, e aq më pak të etnologut apo arkeologut. Por ai merrej intensivisht me tema “albanologjike” në një kuptim të gjerë, po dhe të mirëfilltë. Mjafton të përmendim vështrimet e tij për gjuhën, për tekstet e shkruara shqip të hershme dhe të mëvona, shqyrtimet e tij për hapësirat etnografike shqiptare në veri e në lindje, edhe më shumë për Epirin, të cilat gjithsesi kanë një vlerë për këto studime. Biografia e tij e Naim bej Frashërit mbetet gjithnjë burim themelor për studimet naimiane. Hulumtimet dhe studimet e tij për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit mbetën gjithashtu në themel të studimeve të mëvonshme. Më në fund, shqyrtimet e tij të rëndësishme, por të heshtura për një kohë të gjatë, Sllavë e shqiptarë, Epiri, Shqiptarët, etj. gjithsesi hyjnë në të dy vështrimet e përmendura të albanologjisë. Në numrin e parë 1 janar 1909 të Diturisë ai vinte me diskutimin albanistik par excellence Istori e shkrimit shqip, për të vazhduar me ndihmesa reale në këtë fushë studimi. Po, Midhat Frashëri ishte dhe albanolog, por, albanologjia e tij, ashtu si çdo gjë tjetër që bëri në jetë ky dijetar, do parë në dritën që e kishte formuluar ai vetë shumë herët te shkrimi Ku jemi? te Kalendari kombiar i vitit 1901: “është një punë që ka për qëllim shpëtimin e një kombi, e një Shqipërie, që ka vleftë sa e tërë gjithësia!”.

Në këtë frymë i gjejmë shkrimet Ç’fituam nga Kongresi i Manastirit (Lirija, Selanik 1908), ku shquante si fryte të Kongresit dhe të bashkimit të Abesë atë që ai quante “ndarje nga një çështje bizantine, që na nxinte faqen gjer më sot” dhe, mbi të gjitha “bashkimin e shqiptarëve”. Vijojnë thirrje dhe veprimtari për përhapjen e shkollave, për thellimin e dijeve, pra edhe të studimeve për gjuhën dhe për albanologjinë.

Te Diturija 1909 ai botonte shkrimin A do të kemi një të vetëm gjuhë letrare shqip?, në të cilin pasqyronte zhvillimet në këtë fushë sipas varianteve të gjuhës letrare gege e toske me të gjitha nuancimet, gjithë duke theksuar nevojën për “një gjuhë të përgjithshme, e cila do të jetë për tërë shqiptarët”, të cilën ishte i prirur ta kërkonte jo “në anët [skajet] e Shqipërisë”, po në qendrën e saj, “në dialektet e qendrës që janë pa dyshim më të kthjellët”, për ta forcuar më tej këtë themel duke marrë lëndë prej të tjerëve dialekte të Shqipërisë. Në historinë tonë gjërat pas formimit të shtetit të vitit 1912 me ‘raison d’État’ si mbështetje logjike dhe pas ndarjeve në tërë shekullin, me intransigjencën ideologjike, morën rrugë të tjera zhvillimi.

Midhat Frashërit i detyrojmë një varg shkrimesh me vlerë ndriçuese për veprimtarinë në fushën e alfabetit dhe të gjuhës e të kulturës që nga Kanonizma dhe Shoqëri e Stambollit e deri te Kongresi i Manastirit, për historinë e shkrimit shqip, për Naim Frashërin, për Shqiptarët në Greqi, të arbëreshëve në Itali, për Dora d’Istrian, për veprim¬tarinë e shqiptarëve në Rumani, për Fjalorin e Marko Boçarit, për burimet e historisë shqiptare, për historinë e Shqipërisë, etj.

Lumo Skendo, ka meritën e ndërmarrjes së paraqitjes për lexuesit shqiptarë të shkrimeve me mbititull të gjerë Duke kënduar një libër, të botuara nëpër revista të ndryshme, si te Hylli i Dritës, Diturija, Dodona, Edukata e re, Besa, etj., me synimin që “t’u jap një njoftim mbi veprat që botohen për Shqipërinë dhe t’i mbaj në korrent të ideve të botës, për sa i takon vendit tonë”, punë të cilën ai e shihte jo vetëm si kuriozitet, si merak e si albanolog, “po më tepër një detyrë politike dhe patriotike”. Dhe gjejmë aty shkrime për autorë si P. Skalione, Leon Maccas, Kristo Dako, Justin Godart, Edmond Bouchié de Belle, Henry Baerlein, Jacques Bourchard, Harold W. V. Temperley, Jacques Ancel, Rose Wilder Lane, Atë Ali Tyrabiu, Jan & Cora Gordon, Gaetano Petrotta, Mario Roques. Kësaj i do shtuar një punë e jashtëzakonshme bibliografike e pasqyruar te revista Diturija me shumë shënime si për revistat, ashtu edhe për botimet e veçanta, vërejtje kritike dhe situime përkatëse për botimet,

Nuk mund të mos pajtohem me profesoreshën Persida Asllani, e cila me në parathënien për ribotimin e Diturisë i cilësonte me mprehtësi si “mbresëlënëse leximet erudite të Lumo Skendos në ciklin “Udhëtarët e huaj në Shqipëri gjer në fund të shekullit 19-të” … duke sjellë një korpus prej 26 dëshmish unike mbi Shqipërinë dhe hapësirën ballkanike”.

Ndihmesë të vërtetë për albanologjinë në kuptimin që i jepte ai, po edhe në përgjithësi, Midhat Frashëri ka sjellë me shqyrtimet kritike të tij, me shkrimet për çështje të veçanta, ashtu si me krijimin e hapësirës për diskutime me intelektualë shqiptarë dhe albanologë të kohës, si H. Pedersen, N. Jokl, N. Borgia, G. Weigand, M. Roques, S. Pop, M. Šufflay, Gj. Pekmezi, K. Gurakuqi, A. Xhuvani, M. Logoreci, P. Ikonomi, etj.

Vlerë të madhe për kohën, në disa aspekte të ruajtur edhe sot, për mua paraqesin studimet e tij të veçanta me notë të theksuar të angazhimit veprat La population d’Epire, Lausanne 1915, L’Albanie et les Albanais, Lausanne, 1918, Albanais et Slaves, Lausanne 1919, në të cilat me një diskurs të formuar shkencor, me shumë informacione dhe argumentime të detajuara Lumo Skendua paraqitte, argumentonte dhe mbarështronte diskutimet për çështjen shqiptare në dritën e turbullirave që kishin ndodhur gjithsesi në dëm të fatit tonë si popull në ato dekada. Argumentimet e tij janë racionale, pa për-ndezjen polemike dhe me dokumentime të shtruara, pikërisht edhe diplomatike.

Formimi që mund të quhet albanologjik dhe angazhimi intelektual e diplomatik, informimi burimor dhe i përditësuar ia kishin bërë atij të mundshme ta shkoklonte diskursin mashtrues imperialist, ndonjëherë edhe të pafshehur racist, prapa të cilit qëndronin mëtesat e shteteve përreth që synonin të zhvatnin hapësirat shqiptare. Këtë e kishte bërë ai me shpjegimet për rrjedhat e përcaktimit të përkatësive fetare e në ndërlidhje më këtë edhe kombëtare në Perandorinë Osmane, që në një moment ‟të gjithë të krishterët ortodoksë të Turqisë Evropiane u quajtën grekë”, kështu që ‟të gjithë shqiptarët, bullgarët, rumunët dhe vllahët u quajtën roumë (grekë)” ndërsa myslimanët si islam. Sipas tij, grekëve prandaj ‟iu pëlqen të ngatërrojnë kishën me kombësinë”. Në këto rrjedha ai sillte sqarime të shumta të ngatërrimeve në këto procese lidhur me tërë popullsinë e Epirit.

Janë të vlefshme edhe sot shkoklimet kritike, të ftohta të elementeve të diskursit zyrtar, shkencor e shtetëror serb për prodhimet konceptuale si “Serbia e vjetër jugore” (južna stara Srbija). Përmes të tillave prodhime diskursive përpiqeshin të arsyetonin për¬filljen e ‟argumentit historik”, sepse atje dikur ka sunduar shteti serb, kështu që ato hapësira i takuakan edhe pas shekujve të Perandorisë Osmane shtetit të tashëm serb, paçka se atje jetonin shqiptarët si shumicë, se sllavët kanë ardhur këndej në Mesjetë. Po në këto argumentime ai demaskonte floskulat plotësuese të këtij diskursi argumentues të pushtimit për “lumin shkretisjellës shqiptar” (pustonosna arbanaška reka), për egërsinë e pretenduar të tyre, ashtu si për nevojën që dalka që fuqitë ta kanalizonin atë në shtratin e vet dhe nga “lumë shkretues” ta bënin të do¬bishëm. Ata kishin prodhuar po ashtu konceptin e tyre për ‟serbët e shqiptarizuar” (poarbanašeni Srbi), që kuptonte një pjesë të madhe të shqiptarëve andej Drinit, sipas tyre edhe të ndryshëm nga këta këndej Drinit. Floskulave të tilla e të ngjashme të përhapura gjerësisht nga studiues të financuar nga shteti si G. Jakčić, J. Tomić, J. Cvijić, S. Gopčević, V. Ðorđević, J. Hadživasiljević, për një pjesë deri edhe shkrimtarë si B. Nušić dhe tërë një shpurë detraktorësh publicistikë e zyrtarësh shtetërorë, të ndihmuar nga studiues e diplomatë rusë si I. Jastrebov, Makušev, Florinskij, Hilferding, u përgjigjej me argumentime Lumo Skendo në gjuhën frënge. Ngjashëm me këto, më duken të rëndësishme denoncimet që sillte Lumo Skendo për shpërdorimin nga qarqet zyrtare, kulturore e shtetërore greke të përkatësisë fetare ortodokse dhe manipulimet e raporteve të përkatësisë fetare me kombëtaren në dobi të synimeve helenizuese. Sa të fuqishme kanë qenë ato manipulime në të dy skajet e tërësisë kombëtare shqiptare shihet qart edhe kur pas një shekulli të demaskimit floskulat e tilla propagandistike serbe rikthehen në opinionin e tyre në vitet ’90 të sh. XX.

Midhat Frashëri nuk kishte pushuar me kaq, në të tilla raste sillte argumentime të ftohta, sqarime konceptuale, statistika dhe dëshmi nga burimet neutrale, shpesh greke, serbe apo bullgare, që shpërfaqnin pikërisht të kundërtën dhe e nxirrnin përfushë padrejtësinë e shkaktuar ndaj këtij populli nga shtetet grabitqare fqinje dhe të bërë të mundur nga fuqitë e mëdha të ngërthyera në interesat e tyre gjeopolitike. Pa dijen dhe njohjet e thelluara albanologjike e tërë kjo ndërmarrje nuk ka qenë e mundshme. Sensi diplomatik, vullneti për kërkimin e drejtësisë kombëtare, natyra prej intelektuali të angazhuar e ngrinin atë në nivelet më të larta.

Midhat Frashëri ka merita për albanologjinë dhe në drejtime të tjera: si organizues i veprimtarive, botues, afrues i studiuesve të botës në këto fusha dhe nxitës e joshës i tyre për të vazhduar të merreshin me këtë dije me peshë themelore për fatin e këtij populli, por ende në mungesë të institucioneve përkatëse brenda vendit. Letërkëmbimi i gjerë, ndërhyrja për të lehtësuar studimin dhe botimin e doku-mentacionit të së kaluarës shqiptare, si në rastin e M. Šufflayit, ndërmjetësimet te N. Jokli apo G. Weigandi, e shumë të tjerë, e dëshmojnë këtë shumë qartë.

Më në fund, bibliografitë, bibliofilia dhe frymëzimi i krijimit të bibliotekës së madhe kombëtare nuk kanë qenë më pak të rëndësishme për zhvillimet dhe të ardhmen e asaj që sot njohim njësoj si albanistikë dhe albanologji. Bibliografitë e Mihat Frashërit botuar kryesisht te revista “Diturija” qysh në fillimet e saj dhe në vazhdim, përbëjnë një punë shkencore të gjerë dhe të thelluar albanologjike mbi botimet shqiptare dhe të huaja, siç konstaton edhe profesoresha Dhurata Shehri, ashtu si edhe Bibliografitë Shqiptare (shtim në radhonjtë e Emile Legrandit), ku Midhati plotëson në këtë fushë edhe filologun e njohur francez Legrand.

Midhat Frashëri ishte frymëzues, koncpetualizues dhe nxitës i krijimit dhe rritjes së institucioneve kulturore, që do ta çonin në tej dijen tonë, siç ishte edhe projekti i tij për themelimin e Institutit Albanologjik në Tiranë.

*Kumtesa e Akademik Rexhep Ismajli në promovimin e vëllimit 8 të veprës së zgjedhur të Mid’hat Frashërit.

Filed Under: Opinion

TAKIM ME VARGMALET APALASHE

June 2, 2023 by s p

Përgatiti: Koço MOSKO
Boston, MA – SHBA/

Që nga viti 2019 kur ra pandemia njerëzit u mbyllën brenda shtëpive të tyre. Për familjen time, kjo periudhë, u bë edhe më e vështirë për shkat të shëndetit tim jo të mirë. Këte pranverë pandemia iku, edhe shendeti im u përmirësua. Unë dhe gruaja pëlqejmë më shumë shëtitjen në natyrë. Këtë e di mirë vajza e jonë. Ajo na mori bileta për të bërë një vizitë në vargmalin e Apalasheve. Ky vargmal ndodhet në bregun lindor të SHBA-ve, buzë Oqeanit Atllantik dhe e përshkojnë pjesën veriore të Kontinentit Amerikan me drejtim jug – verilindje. Fillojnë në shtetin e Xhorxhias e deri në kufi me Kanadanë, ose kanë një gjatësi prej 3500 km. Maja me e lartë e tyre është mali Mitchell në Karolinën e Veriut me 2,037 m, kjo është dhe pika më e lartë në lindje të lumit Misisipi. Ndërsa lartësia mesatare e këtyre maleve është rreth 910 m. e me gjerësi që shkon nga 100 – 300 km.

Vargmali Apalasheve është i pasur me vendburime të mineraleve dhe ka një florë e faunë shumë të pasur. Eshtë një rajon i rëndësishëm për ekonominë e SHBA-ve. Diçka interesante. Në faqet e maleve Apalashe, ka patur masive të dëndura pyjore me gështenjën amerikane, vendase. Që nga lashtësia e deri në fundshekullin e 19-të, zonat rurale të këtij rajoni, përshkruhen si zona të zhvilluara, të begata, për shkak të prodhimit të bollshëm të gështenjës. Nga kjo zonë niseshin trenat me gështenjë për gjithë Amerikën. Kjo prodhimtari e gështenjës përfundoi në fillim të shekullit 20-të. Në vitin 1904 për Kopështin Botanik në Long Island të Nju Jorkut, u importuan nga Azia disa lloje gështenjash të cila mbartnin kërpudhën patogjenetike të rrezikëshme Cryphonectria parasitica, që për gështenjën amerikane rezultoi fatale, shkatëruese. Brenda 50 vjetëve sëmundja u përhap me shpejtësi dhe shkatëroi të gjitha pyjet me gështenjë, miliona bimë u thanë në malet Apalashe. Sot gështenja amerikane pothuajse është zhdukur,. Një Projekt i Qeverisë po punon për ta rikthyer me anë të inxhinerisë bimore, llojeve rezistente, etj.

Takime jonë me këta vargmalet do të bëhej në Malin Uashington në shtetin e Nju Hemshrit, me qendrën fshatin North Conway që ishte në veri, rreth tre orë larg nga shtëpia e jonë në Boston. U nisëm në orë 7.00. Rruga ishte e bukur. Një udhetim pranveror nëpër shtetin e Nju Hemshirit të mbush me optimizëm me gjelberimin e harbuar ngado. Ndonse vend i ftohtë me dimër shumë të ashpër, këtu bëhet një turizmë elitar gjat gjithë vitit. Më e bukur është stina e Vjeshtës për ngjyrat fantastike që marrin pemët. Ata të sporteve dimërore e frekuentojnë në stinën e dimrit. Me shtetin Nju Hemshrit jemi njohur, sepse në Konkord, kryeqyteti i këtij shteti, banon një komunitet i madh lunxhiotësh, kryesisht nga Labova e Kryqit. Ata janë atje shumë herët, Tani u bashkuan edhe me emigrantët e rinj, si mikun tim Manoil Besho me shumë të tjerë. Të parët kanë ndërtuar me kontributet e tyre dhe Katedralen Shën Trinitria. Ky shtet është pa taksa dhe motoja zyrtare është: “Live Free or Die” që do të thotë Jeto i lirë ose Vdis. Që nga viti 1945 kjo shprehje shkruhet në çdo targë makine.

Harritëm në qendrën nga ku bëhej nisja. Kishim kohë t’i hidhnim një sy pazarit të madh vendas me prodhime të artizanëve, artikuj industrialë, antika, prodhime artistike, ushqimore, bujqësorë, etj. Ishin disa trena që niseshin me vizitorë nga kjo qendër në drejtime të ndryshme. Dikush kish qejf të vizitonte e të eksploronte luginat, dikush tjetër kodrat, kurse ne zgjodhëm të vizitonin malin. Udhëtimi me trena zgjaste nga 1,5 – 6 orë, sipas internarit që zgjidhte secili për të vizituar. Treni jonë ishte tren malor, nisej në orën 11.30. Udhëtimi zgjaste gjithësej 4 orë, vajtje dhe kthim, pershkohej rreth 90-95 km. Ishin shumë vizitorë, disa qindëra vetëm me trenin tonë, që krijuan rradhë të gjata. Vizitorët ishin të çdo moshe dhe me aparate fotografike nëpër duar. Treni kishte dhe një vagon specjale, kuptohet me çmime më të kripura. Brenda vlerës së biletës ishte përfshirë dhe një vakt ushqim. Hekurudha mund të qe një nga më të pjeretat në botë ku treni me ato harkimet e gjata përparonte drejt majës së malit ne stacionin fundor Crawford Notch.

Para syvet tanë çfaqeshin një pas një si në ekran të madh pamjet e bukura piktoreske të majave të maleve, luginave, ujëvarave e lumenjëve, gërxheve, greminave shkëmborë, etj. Këto male kishin një bimësi të dëndur të përziera haloret me gjethoret. Sigurisht në vjeshtë pamjet do të ishin më të bukura nga vellua e artë që marrin pemët. Rugës shikonim njerëz që na përshëndesnin me dorë. Këta ishin individë që majën e malit e harrinin sipas mënyrës se tyre: Me këmbë, me makina private, me autobus e ndoshta dhe me kafshë. Gjithesekush nga ne përdori mjeshtërinë për të fotografuar diçka artistike. Kudo që ta shkrepje aparatin ishte e bukur. Në stacionin fundor bëmë një pushim. Aty ishte një qendër me dyqane, restorante, pazar, muzeum e hotel. U kthyen përsëri në pikën e nisjes, të gjithë të gëzuar. Këtu përshkrimi dhe tregimi bëhen jo me shkrime, por me foto.

Në fund të gjithë këtij udhetimi mendja të shkon atje, larg në vendin tonë që e kemi lënë prej shume vitesh. Ndonjë mik dhe i afërm shpesh më këshillon se nuk duhet të flas apo të bëj kritika, për ndonjë punë se si duhet të jetë, apo si duhet të përmiresohet jeta atje. Në fakt unë mendoj se ne emigrantët duhet jo të mos flasim, por të sokëllasim se nuk dëgjon njeri, të sokëllasim për shumë arsye.

Kemi një vend shumë të bukur. Në rrethin e Gjirokastrës ndodhen krahina e Pogonit, Zagories dhe Lunxhërisë me bukuri dhe resuese unike qoftë kulturore e historike po ashtu dhe natyrore. A nuk do të ishte mjaft me interes për këto zona që të bëheshin guida turistike: Gjirokastër-Suhë – Poliçan – Sheper – Çajup- Erind- Gjirokastër. Apo Gjirokastër – Suhë –Hllomo- Çatistër- Sopik- Skore – Poliçan e kthim. Nje guidë tjetër mund të ishte të kalonte fshat më fshat të Lunxhërisë nga fshati Kodër në Libohovë etj. Por që të bëhen këto duhen rrugë, mandje rrugë të mira të kohës. Ata që mirren me qeverisjen as nuk u shkon ndërmend kjo gjë. Duhet kishin bërë diçka tani që kaluan mbi 30 vjet. Shumkush thote se çna duhen rrugët tani, ato fshatra u shuan, mbaruan. Internarin që ne përshkruam në malet Ushington nuk pamë fshatra, por kishin bërë jo vetëm rrugë të mira, por dhe hekurudhë moderne. Shoqatat dhe shoqëria civile për mendimin tim duhet ta ngrejnë fort zërin.

Guidat turistike në disa zona të Gjirokastrës do ti rigjallërojnë jo pak por shumë, është një shpresë për ringjalljen e këtyre krahinave që po shuhen dita ditës. Ta bëjmë të mundur që ta jetojnë jetën edhe atje, njerëz të gëzuar. Në vende të caktuara, si Poliçan e gjetkë, mund të bëhen pazare lokale si në Qafën e Pazarit, se edhe në këto fshatra ka patur e ka artizanë duarartë, punues të drurit, metalit, etj. Gjithashtu dhe prodhimet bujqësore e blektorale në këto zona janë konkuruese. Do të ketë hotele dhe dyqane, etj. Qyteti i Gjirokastres do ti kthehet gjallëria sepse këto zona në shekuj i kane dhëne bukurinë, fisnikérinë e mirësinë këtij qyteti. Zhvillimi nuk vjen duke shqepur e qepur kallderemet, e ti biesh gjoksit, por kërkon një zhvillim frontal e gjithë treva. Për këtë duhe njerëz me vizion të gjerë, me mendje të hapur e diturakë. A i kemi vallë të tillë këta njerëz qe na udhéheqin!?

Në vitin e largët 1810, kur rrethi e Gjirokastres ishte nën sundimin Osman, bënë një vizitë dy udhëtarë anglezë, Lordi Bayron dhe politikani John Cam Hobhouse. Po ju sjell çfar ka shkruar Hobhouse rreth këtij udhëtimi në Lunxhëri :

“Në këtë vend (Qestorat, në Lunxhëri) gjithçka ishte në një pozitë shumë më të mirë e të ndryshme nga ajo që kishim parë në fshatrat greke. Ne përjetuam një vëmendje e mirësi të madhe nga banorët, strehuesit tanë. Jemi marrë vesh mirë me ta, ndërsa shoqëruesi jonë(grek) fytyra e tij nuk shprehte asgjë (edhe pse ai ishte një i krishterë), përjetonte një dëshpërim, turpin për gjendjen e fshaterave greke. Vila e strehuesit tone ishte e suvatuar mjeshtërisht, dhe me të bardhë-larë, dhe kishte një vend qendrimi të vogël poshtë, dhe dy dhomat të shtruara me dysheme sipër, një stil mjaft të ndryshëm nga ajo që kishim parë në Shqipërinë e Poshtme. Shtëpia ishte shumë e rehatshme, dhe në të kemi kaluar një natë më të mirë se në ndonjë vend tjetër, qysh prej largimit tonë nga Janina”

Kthehemi tani mbrapa në kohë pasi kanë kaluar plot 213 vjet dhe nuk i kemi sundimtarët osmanë. Cila është gjëndja sot.. E mjeruar e çdo ditë që kalon bëhet më keq, siç e paraqiti edhe gazetari Marin Mema në dekumentarin e tij pë Lunxhërinë para disa ditësh ose dhe intervista e gazetarit të top chanel me banorët e fshatit Ndëran, Zagorie. Lind natyrshem pyetja: Kush janë shkakëtarët për këtë gjëndje të mjeruar që është sot në këto zona?

Filed Under: ESSE Tagged With: Koco Mosko

SERBIA MBETET FAKTOR DESTABILIZUES NË KOSOVË DHE NË BALLKANIN PERËNDIMOR

June 1, 2023 by s p

AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E KOSOVËS/

Me rastin e tensioneve dhe të dhunës që shpërtheu ditëve të fundit në disa komuna të veriut të Kosovës, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) shpreh shqetësimin e saj të thellë për situatën e krijuar. ASHAK gjithashtu shprehet e indinjuar dhe e brengosur për aktet e dhunës në disa qendra urbane në veri të Kosovës, veçmas për sulmet e paprovokuara të bandave kriminele mbi policinë e Kosovës dhe trupat paqeruajtëse të KFOR-it, duke plagosur një numër syresh. Pamjet e dhunës mbi trupat e KFOR-it dhe përgjithësisht të situatës së krijuar në këtë pjesë të Kosovës, janë rezultat i politikave pro-ruse që ndjek mbështetësi dhe frymëzuesi i bandave kriminale, Beogradi zyrtar dhe presidenti Vuçiq. Ashtu sikundër kemi paralajmëruar edhe më herët, Serbia mbetet faktor destabilizues në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Me këtë rast shprehim keqardhjen tonë të thellë që Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve (SANU), hartuese e “Memorandumit” dhe ideatore e “botës serbe”, paraqitet sërish në publik me deklaratat e saj të zakonshme nacionaliste, duke e nxitur konfliktin dhe duke i quajtur zhvillimet në veriun e Kosovës dhe sulmet e bandave kriminale serbe mbi ushtarët e KFOR-it si “dhunë mbi popullin serb”. Akademia Serbe do të duhej të ndalojë të “prodhojë ide” dhe të hartojë politika që destabilizojnë Kosovën dhe mbarë hapësirën ballkanike.
Gjithashtu, duam të shprehim mirënjohjen tonë të thellë për ushtarët paqeruajtës të KFOR-it, të cilët me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe sakrificë të pashembullt janë duke mbrojtur jo vetëm paqen në këtë pjesë të Europës, por edhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Ne mbështesim fuqishëm aleancën e popullit të Kosovës me Perëndimin dhe aleatët e saj natyrorë, të përcaktuar për anën e drejtë të historisë. Jemi po ashtu thellësisht mirënjohës që NATO së fundi mori vendim të shtojë kontingjentin e vet me 700 trupa të reja në Kosovë, duke treguar përkushtim të paluhatur që agresioni serbo-rus të mos realizojë asnjë nga planet dhe synimet e tij në Kosovë.
Institucionet e Republikës së Kosovës, duke zbatuar detyrimet kushtetuese të një vendi demokratik europian dhe në miqësi me SHBA-në, është e domosdoshme të përballojnë situatat e rrezikshme në bashkëpunim dhe bashkërendim me aleatët, për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të paqes e të sigurisë në rajon.

Filed Under: Rajon

Më 1 qershor 1850 lindi ideologu Sami Frashëri

June 1, 2023 by s p

Bledi Filipi/

• Njerëzit e mirë janë të gjykuar të bëhen skllevër të të këqijve.

• Çdo mizori e ka ditën e vet të gjykimit.

• Dituria dhe shkenca i jep njeriut një armë në dorë, edukata e stërvit në përdorimin e asaj arme. Njeriu që nuk është i zoti të përdorë armën, po t’i jipet në dorë mund të vrasë shokët e vet; edhe një dijetar pa edukatë dhe me vese të liga, me diturinë e tij dëmton veten dhe të tjerët.

Sami FRASHËRI (1850-1904). Ideologu kryesor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe veprimtar i saj, dijetar enciklopedist, gjuhëtar, shkrimtar dhe publicist. Në literaturën e huaj, sidomos turke, është njohur me emrin Shemseddin Sami. Lindi në Frashër të Përmetit më 1 qershor. Është vëllai i vogël i Abdyl e Naim Frashërit . Mësimet e para i mori në vendlindje. Më 1865, bashkë me vëllezërit e motrat u vendos në Janinë, ku kreu gjimnazin Zosimea, së bashku me Naimin. Atje, përveç kulturës së përgjithshme, mësoi krahas greqishtes së re e të vjetër edhe latinishten, frëngjishten e italishten. Nga mësuesit e medreseve të Janinës mësoi arabishten dhe persishten. Më 1872 u vendos në Stamboll ku zhvilloi një veprimtari të gjerë atdhetare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes liberale turke. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe me themelimin e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip u zgjodh kryetar i saj. Drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe Drita dhe pastaj Dituria , ku shkroi një varg artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat Abetare e gjuhësë shqip (1886) Shkrontore e gjuhësë shqip (Gramatikë, 1886) dhe Dheshkronjë (Gjeografi, 1888). E këtij mendimtari të shquar është edhe vepra Shqipëria çka qënë, çështë e çdo të bëhetë (shih), botuar më 1899 në Bukuresht pa emër autori. Ky traktat u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vepra që sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj. Në të u shprehën idetë demokratike të tij për zhvillimin politik e shoqëror të vendit, për zhvillimin e arsimit, të kulturës e të shkencës. Hartoi dhe një fjalor të gjuhës shqipe që mbeti i pabotuar, la gjithashtu në dorëshkrim një përmbledhje këngësh popullore shqiptare. Çështjen shqiptare S.F. e mbrojti edhe në organet e ndryshme të shtypit që drejtoi sidomos në gazetën turqisht Terxhuman-i Shark. Samiu është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to. Çështjen shqiptare dhe historinë e popullit shqiptar ai i trajton edhe në veprat në gjuhën turke e sidomos në artikujt e botuar në shtypin e kohës, si edhe në veprat letrare me motive nga jeta shqiptare. Si dijetar i madh dha kontributin e tij të vyer në disa fusha të shkencës, ku u dallua si përfaqësues i mendimit të përparuar jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Lindjes. Është autor i fjalorit normativ të gjuhës turke (Kamus-i turki, 1901) i cili ruan vlerën e vet të madhe edhe në ditët e sotme. Fjalori Kamus-i turki përmban mbi 40 mijë fjalë e shprehje gjuhësore dhe është pajisur me një parathënie të gjatë të shkruar nga vetë Samiu, ku parashtron parimet e tij mbi fjalorin e një gjuhe letrare. Samiu është edhe autor i disa fjalorëve dygjuhësh frëngjisht-turqisht (Kamus-i fransevi, 1882); turqisht-frëngjisht (Kamus-i fransevi, 1885); arabisht-turqisht (Kamus-i arabi). Vepra madhore e tij në gjuhën turke është fjalori enciklopedik Kamus-ul alam (1900) në 6 vëllime, ku Samiu u jep një vend të dukshëm botës shqiptare, figurave të rëndësishme që ka nxjerrë populli shqiptar gjatë historisë së tij. Në fjalorin enciklopedik të Samiut gjenden njoftime për institucionet shtetërore, arsimore, fetare etj., si edhe të dhëna gjeografike për qytetet dhe qendrat administrative më të rëndësishme të Shqipërisë, si edhe për fshatrat më të njohura.
Si shkrimtar ami Frashëri shkroi në gjuhën turke drama e romane. Vepra më e rëndës-ishme tregimtare e S.F., drama Besa e botuar më 1875, e ka marrë subjektin nga jeta shqiptare. Ajo u shfaq në teatrin perandorak në Stamboll më 1874, një vit para se të botohej. Për përhapjen e dijeve shkencore shkroi disa libra dhe broshura, të cilat i përmblodhi në Bibliotekën e xhepit; hartoi tekste të ndryshme, botoi antologji me pjesë të zgjedhura nga letërsia botërore dhe kryesisht orientale. La në dorëshkrim 11 vepra kryesisht nga fusha e gjuhësisë dhe e letërsisë. Samiu ishte edhe një gazetar i talentuar. Ai ka bashkëpunuar me shkrime dhe ka qenë redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta Sabah (Mëngjesi, 1876), ku për një kohë ishte kryeredaktor, Hafta (Java). Në punën krijuese të S.F. një vend të rëndësishëm zënë edhe përkthimet, kryesisht ato nga frëngjishtja. Ai shquhej për kulturën e tij të gjerë në shumë fusha. Biblioteka personale e tij kishte 20.000 vëllime. Për veprimtarinë e tij në të mirë të lëvizjes kombëtare shqiptare Porta e Lartë e izoloi Samiun duke e ndaluar vitet e fundit të dilte lirisht nga shtëpia. Vdiq në Stamboll.
(Bibl.: FESh I, 2009; HLSh 1988)
Foto: https://www.kultplus.com/libri/sami-frasheri-njeriun-e-bejne-te-perhershem-veprat-e-tij/

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1843
  • 1844
  • 1845
  • 1846
  • 1847
  • …
  • 2980
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT