• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DRAMATIKA E NATYRËS SURREALE

August 15, 2024 by s p

Behar Gjoka/

Pjesë e vlertë e krijimtarisë letrare, të gjerë dhe përplot larmi të Martin Camajt është edhe dramaturgjia, madje ajo shënon edhe njërën prej shenjave letrare më impresionuese, gati e harruar prej historiografisë së shqipes në të gjithë hapësirat e ligjërimit të saj. Nga lëmi i dramatikës, interesante në mesazhe dhe imazhe, në figura dhe shprehësi letrare, në replika dhe meditime, të shkruar prej tij trashëgohen vetëm dy tekste letrare, përkatësisht dramat Lojë mbasdreke dhe Kandilja e argjandit, ku edhe prekim aftësitë shkrimore në këtë gjini, në strukturim, dialog dhe veprim të personazheve, mbase këto shenjojnë edhe një tip drame kualitative dhe të ndryhsme, jo fort të shpeshtë në letrat shqipe. Këto dy vepra dramatike, në thelbin e vetë sendërtues të dialogut dhe veprimit, skenave dhe imazhit që përcjellin, personazheve dhe skenave, përmbushin dhe shpërfaqin edhe një aspekt të rëndësishëm të korpusit letrar të shkrimtarit, tashmë ato dy vepra të mirëfillta dramtike, do të duhen vështruar dhe shqyrtuar në të gjithë shpërfaqjen e vetë të frymës, mesazheve, teknikës shkrimore dhe të shprehësisë lëtrare, skicimit dhe plazmimit të pëersonazheve, për të prekur vlerat e pranishme, si dhe për t’i vendosur ato më kontekstin e veprës së gjerë letrare të autorit, por edhe të dramatikës së shqipes, përgjithësisht, veçmas të asaj bashkëkohore. Vlerësimi i kësaj ane artistike të Camajt, pothuajse të munguar dhe të heshtur nëpër trajtimet studimore të shqipes dhe më gjerë se sa kaq, por të prekshme dhe me shenja të dukshme në kuptimin letrar në këto dy tekste, luan rol parësor për të fokusuar në të gjitha planet e përfaqësimit autorin, si dhe për të përforcuar idenë se letrat shqipe në lëmin e dramaturgjisë nuk janë krejt të zbehta, siç edhe vijon të kundrohen dhe interpretohen, pa u thelluar në të gjitha vatrat nga ana e historiografisë së shqipes, duke vijuar lënien jashtë shqyrtimit dhe vlerësimit të krijimtarisë dramatike të Kasëm Trebeshinës, Anton Pashkut, Teki Dervishit etj. , çka e bën veprën e Martin Camajt edhe në fushën dramtike më shumë se sa një ishull i pa zbuluar.

ANKTHI I TMERRIT PAFUND

Drama e parë e autorit, e titulluar Lojë mbasdreke, mbase më e fuqishmja në kuptimin letrar, si skena dhe kolizion dramatik, si figurim dhe plasim i protagonistëve, hapet me një vdekje të radhës. Një ndarje nga jeta, siç ngjet rëndomë në jetën tonë, e dikujt që bëhet shkak dhe shkas për të ndezur fitilat e gjakmarrjes dhe hakmarrjes, e tmerrit të pafund dhe shkatërrimtar, që i ka rropusur supet dhe fatin e shqiptarëve. I ndjeri, ai që ka ikur tek të shumtit, gjithnjë si parathënie tekstuale dhe ndërtekstuale, në formën e amanetit tronditës e kishte lënë me fjalë, që në drekën e përcjelljes së tij të shtrohej gosti me mish dhe raki. Një shaka apo lojë e hollë. Një lajmtim tronditës i asaj që pritet të ngjasë. Në ato anë as ishte parë, e as i shte dëgjuar ky reng dhe mallkim i frikshëm. Fjala, fjalë, e fjala bren eshtra. Fjalën e amanetit s’e tret as dheu, dhe prandaj ky kob e makth i papamë përmbushet me pikë e me presje, pa asnjë mëdyshje. Fill e mbas drekës së hatashme, ku derdhet rakia me shtamba e hahet mishi me duar, ndodhi përplasja e zezë, përplasja vdektare, mes të ftuarve të asaj mordje përtallëse. Pas replikave të ashpra, të vrazhda deri në mahi, të hidhura më zi se vdekja, të pranishmit vrapojnë për tek armët, siç ngjet zakonisht në trojet tona, në jug e veri. Hataja e zezë e krismave, pa një e pa dy, në dekik fshiu, sikur të mos kishin qenë, nga faqja e dheut plot njëzet e katër burra. Gjama, ma e zeza e shoqeve të para dhe dëgjuara këtyre anëve, që i kapërcen natyrshëm kufijtë e normales. Gjama, ky tmerr që ka vu në rrezik jetën dhe vetë ekzistëncën e fisit arbënor, tashma e mbulojë më gjak krejt oborrin dhe tanë malësinë, duke ravizuar gjurmët e tmerrit dhe të frigës ndër sy dhe ashtet e malësorëve të paepun, në mote dhe shekuj. Qysh prej asaj kohe, të largët dhe të frikshme, të pakohë dhe pa grimën e dritës, atyre anëve, por edhe tjetërkund në atdhe, ka vijuar pa e prishur terezinë e vetë makthi pesëdhjetëvjeçar i vrasjeve makabër, i cili ka patur në thelb hakmarrjen e asaj ndërkohje të zezë dhe të frikshme. Thirrja e gjakut, një thirrje trondtiëse dhe ndjellakob, e gjakut të derdhur në kaq mote, e gjakut që ka lidhjur dhe përçarë gjithë botën, gjakun e të parëve dhe të mbramëve të njerëzisë, të shuar dhe fshirë nga faqja e dheut, aq përdhunisht aty në atë drekë zezonë, ndez sherrin dhe zemëratën e gjenisë së rritur, nëpër vite dhe shekuj, madje duke e çuar njeriun deri na cakun e mbijetesës, nën ethet përvëluese të përgjakjes së zakontë që ka ngjarë dhe po ngjet ende në këto troje, të vrarë dhe plaguar pa mëshirë.

LOJA ME JETËN

Në cakun e tmerrit dhe territ të syve të shpritit dhe mendjes, të fikjes së shpresës dhe besimit se edhe mund të dilet prej kasapëhanes, kur janë hedhur pesëdhjetë vitet mbas krahëve, duket si shaka dhe mahi, madj më tepër si një lodërtim i pavend, bashkë me ndodhinë e tmerrshme, ku shuhet jeta njezet e katër vetave, të përfshirë qysh më përpara në përvëlimën e gjakut, në skenë futet lojë e trefishtë:

A – Loja e të vetmit dëshmitar, mbase edhe shkaktarit kryesor të tragjedisë së hidhur, të asaj ngjarje tronditëse dhe tepër të largët, e Zekës, burrit të pathyshëm që mori shumë plagë, por edhe që vrau aq sa deshti, i cili është edhe heroi qëndror i dramës së parë të autorit. Ai, burrë i frikshëm dhe dredharak, pasi ka heshtur nëpër kaq e kaq mote, mbase ka heshtur duke folur me vete në jermi të plotë dhe krejt të hatshme, pasi i ka zhdredhuar të vërtetës së hidhur dhe ndëshkimit të merituar, mbi fillimin e tmerrit dhe të zezonës, më tepër për lojë ose shaka, si për t’u përrallë ai burrë i pathyeshëm, trim dhe dinak, zë e ia zbulon petët lakrorit, krejt pa vetëdije dhe me një krenari naive. E vërteta e njëmendtë, e largët dhe e tmerrshme, frikëndjellëse dhe rrezbitëse, e mbushur me ankth dhe lebeti, me shpresën dhe besimin e kotë se do të shuhej zhurma e saj, por ajo del në shesh, pikërisht në ditën për diell, madje në mënyrën më të lehtë të mundshme.

B – Ideuesi dhe realizuesi i lojës së mbrapshtë, që ia rrënon shpirtin heroit kryesor, por edhe personazheve të tjerë të dramës dhe të ndodhisë, është avokati më i ri, që nëpërmjet kësaj ndodhie të çuditshme dhe shkatërrimtare, pra zbardhjes së saj, dëshiron të mbrojë doktoranturën në drejtësi. Ai, si askush tjetër, në fakt i hyn lojës me ndershmëri dhe përkushtim, pa asnjë paramendim dhe prapamendim të keq, vetëmsa të zbulojë të vërtetën e kaq shumë viteve të lëna mbas krahësh, të fsheur me mjeshtëri, të vërtetën e tmerrshme që fshiu nga faqja e dheut për një minut njëzet e katër njerëz. Në këto raste dihet fillimi, mbase më saktë tmerri i fillimit, por se si mbaron ngjarja apo gjama do të qe më mirë të emërtohej, me të gjitha përmasat dhe rezultatet, ngjyrat dhe shprehësinë mbetet engimë dhe pezull, gjatë gjithë veprimit dramatik të kësaj pjese. Pikërisht, mbarimi ose fundi i heroit qëndror, në këtë formë e jo ndryshe, i mvesh dramës nota të theksuara tragjike, herë-herë të ngjyresave të mëdyshjes dhe tmerrit makbethian, sidomos kjo ndjesi bëhet e prekshme prej fundit të papritur dhe tejet rrezbitës.

C – Pjesë e kësaj loje, vrastare dhe verifikuese, të butë dhe rrënuese, me dëshirë dhe vetëshkatërruese, bëhet edhe gjyqtari, mjeku dhe kasapi, tre prej personazheve të rëndësishëm dhe kyç në zjhvillimin e ngjarjeve dhe të ecjes përpara të veprimit dhe situatave dramatike. Ndryshe nga avokati, që po luan realisht lojë, madje prej saj ai po dle edhe më i fituemi, sepse tashmë ia ka falur gjakun e gjyshit të vetë, ndërsa tre personazhet e tjerë, që bartin edhe shenjat e dikurshme të ndodhisë makabër, e kanë marrë kaq seriozisht sa jo vetëm se duan të bajnë detyrën, por më tepër se duan që t’i tregojnë vendin njëherë e përgjithmonë Zekës, kaposhit të malësisë, trimit të përmendun në ato anë edhe në këngë, i cili nuk e ka ulun kryet kurraj dhe në asnjë rrethanë. Seroiziteti i këtyre të fundit, real dhe i përjetuar me të vërtetë, një dëshirë e çmendur, në shumicën e sekuencave të dramës, të pjesëve dhe pamjeve të renditura në atë mënyrë shpalimi të njëtrajtshme, si dhe të materies tekstologjike dhe të sekuencave dramatike, aq të pasur në ngjyresa ligjërimore dhe frazeologji, ku edhe shpërfaqen dhe portretizohen realisht karakteret më kryesorë të kësaj drame, nga më tronditëset në letrat shqipe bashkëkohore. Mbase loja e tyre, një lojë absurde gjithsesi, e marrë pikërisht me atë lloji serioziteti dhe detyrimi, me atë lloj vlerësimi dhe përjetimi, jo si lojë dhe shaka, po si një veprim real dhe i mirëmenduar, bëhet shkaku i vetëm, mbase gjasa e pashmnagshme, për ta dërrmuar dhe zbuluar në të gjitha dritëhijet protagonistin e veprës, e për pasojë edhe personazhet e tjerë të dramsë, të cilët janë funksion dhe variabël i personazhit qëndror, madje duke i dhënë dramës kështu edhe një ngjyrim të pastër surreal, që ka mundësuar shpërfaqjen e një realitetit letrar të mëvetësishëm dhe të dallueshëm nga ajo çfarë kemi parë të paraqitet, përgjithësisht në artin e shërbesës jashtëletrare, që në fakt e vonon përfshirjen dhe pikëprputhjen e letrave shqipe, sa më shpejt që të jetë e mundur, në shtjellat letrare bashkëkohore, sepse aty e ka vendin. Prania e këtyre formave të lojës, natyrisht të lojës dramatike dhe komike, tragjike dhe heroike, natyrisht të një heroike të marrë, e shpërndërron kështu veprimin dramatik, sekuencat dhe replikat e shëkmbyera ndërmjet personazheve, kryesorë dhe episodikë, madje në një gjendje të beftë dhe marramandëse, aq sa realiteti konkret tjetërsohet në një situatë impresionuese, e cila të zgjon imazhe të paimagjinueshme.

PARATHËNIA AUTORIALE E RRËSHKATËS

Në krye të dramës së parë të shkrimtarit, mbase do t’i qëndronte për shtati më mirë titullimi i saj si dramë e gjakmarrjes, nëse mund të emërtohet kështu po të nisesh kryesisht nga motivi dhe ndodhia kryesore dramatike, e cila shpërfq gjamnë që shkatërron qenien njerëzore gjer në pakohësi, pikërisht këtu qëndron edhe një tekst autorial, i cili bashkëshoqëron dhe shpërfaq edhe tekstin dramatik, madje si një situatë e tjetërfarshme, krahasuar me dramtikën e shërbesës së socrealizmit, e cila rrezatonte linjën bardhë e zi, ndonëse edhe këtë ngjyrim, me tëpër e ndeshim pa përdorur vijën e pasur spektrale të këtij ngjyrimi kontrastues. Vlerat e dukshme dhe thelbësore, si art dhe shprehësi letrare, të këtij teksti, nga më tronditësit në dramtikën e shqipes bashkëkohore, që realisht kryen edhe funksionin e një parateksti brenda tekstit dramtik, lidhen ngushtas dhe qëllimisht, së paku me dy aspekte:

Së pari: Me ritregimin e fabulës së veprës, me një formë sa më të shkurtër dhe të thjeshtëzuar, si për të tërhequr vëmendjen e lexuesit apo të spektatorit të teatrit mbi nodhitë e frikshme dhe rezonuese edhe sot e gjithë ditën në jetën shqiptare, madje në hollësi dhe detaje të plota, në një distancë të tillë të barazlarguar nga koha reale e ngjarjes, dhe të vetëmjaftueshme, që kryen funksinon e një parateksti letrar shpëgues, të tekstit kryesor të dramës.

Së dyti: Zbulesa e autorit, një shpërfaqje e beftë dhe e domosdoshme, po të nisesh nga fakti që ai ka mëtuar që me çdo kusht dhe me çdo çmim do të duhet të rrisë ndikesnë mbi faktorët që kanë diçka ne dorë për të ndikuar sadopak mbi realitetit e frikshëm që ka krijuar gjakmarrja në mjediset tonma, çka në fakt nuk ngjet shpesh në gjininë dramatike, sepse vetë situata dhe dialogimi, veprimet dhe replikat e nxehta të personazheve, gati e pamundësojnë këtë shans dhe mundësi, ku ky artikulim zbulues dhe artikulues të shkrimtarit, na vjen si një prani e shpallur dhe e domosdoshme për të sqaruar ngjarjet e dramës, si dhe për të përndritur vetjet e saj, pra personazhet e dramës. Parathënia e konceptuar kështu, madje mjeshtërisht nga autorit, në një situatë të pastër parateksti, që edhe paralajmëron dhe skicon pamjet që do të shpërfaqen në tekstion dramtik, si për të sqaruar kryesisht dhe enkas rrjedhën e ngajrjeve, madje në të dyja kohët, si kur ndodh vrasja e hatashme, në atë drekë mortore dhe tromnditëse, edhe tani kur po rrëmohet për t’u mësuar e vërteta e saj, e vërteta lakuriqe dhe pa shansin për ta mbuluar diellin me shoshë, siç shprehet shumë qartë populli, mbase edhe të personazheve qëndrorë dhe episodikë, si tipare dhe veti përgjithësuese, si përfaqësim dhe karaktere të spikatura, të mjedisit dhe të kohës reale, kur edhe kanë ngjarë tmerret e frikshme, shërben në këtë rast edhe si element i mirëfilltë ritregonjës i ndodhisë dramatike, mbase fabulor i veprimit dramtik, e cila do të shpërfaqet nëpër pjesët dhe pamjet e dramës, përmes dialogut dhe veprimeve të figurave të pranishme, qëndrore dhe dytësore të kësaj drame, moderne në thelbin e vet sendërtues.

STRUKTURA KOMPOZICIONALE E DRAMËS

Ndarja e dramës, së gjakut dhe gjakmarrjes, në pjesë më të vogla përbërëse, saktësisht në dy të këtilla, mjaft të mëdha dhe funksionale, në shpërfaqjen tërësore është realizaura sipas parimit klasik, duke përfshirë në të prologun dhe epilogun, pra hapjen dhe mbylljen e dramës, që kanë peshë dhe rol parësor për ta sendërtuar atë poltësisht në këtë pamje dhe nivel realizimi, si dhe me ndarjen në pjesë kryesore të veprës. Prologu i dramës, si një pasqyrë parake e materies letrare të dramës, mjaft i ngjeshur si skenë dhe sekuenca dialogimi, paraqet qartësisht një mjedis familjar, ku dy protagonistët, pra burri dhe gruaja, kryesorë të veprës zbulojnë ankthin e ngjarjes së përpara pesëdhjetë viteve. Zeka dhe Bjeshka, dy bashkëshortët e çuditshëm dhe të lumtur sa nuk rrëfehet, dy dëshmitarët real dhe hipotetik të asaj gjama, dy njerëzit kyç dhe mbulues të ndodhisë së tmerrshme, natyrisht me bisedimin hidh e prit ndërmjet tyre, por të shoqëruar edhe më ngjyresa ligjërimi, të dyzuar dhe të dyfishtë, të fshehjes së të vërtetës së dikurshme, por edhe të tanishme, në kuptimin e prekjes së saj, pikërisht në plagën ku edhe dhemb më shumë, si padashje në llafogjemat e tyre, ata ia heqin petët lakrorit të përgjakur, asaj drekës së hidhur dhe tronditëse ku humbën jetën njëzet e katër vetë, dhe ku mori dhjetëra plagë edhe Zeka, heroi qëndror i dramës. Pjesa e parë, e cila bart edhe peshën kryesore të veprimit dramtik, si dhe më e gjata e dramës, zë fill me dukën (pamjen) e parë të veprës, e cila sendërton dhe shpqrfaq pikën e lidhjes, që realisht përkon me shfaqjen e Gjormit, një personazh simpatik dhe imagjinar, që bart më së shumit idealin dhe qëllimësinë e autorit, në shpresën dhe besimin e gjetjes së të vërtetës, më dëshirën e mirë për t’i prekur dhe zbardhur ndodhtië e hershme, të cilit në atë drekë të hatshme, të mbytyr në gjak dhe raki, të mortit të shakaxhiut të malësisë, i kanë vrarë gjyshin, pra një ta afërmë. Ai, tashmë është bërë burr dhe avokat i ri, dhe nëpërmejt asaj ndodhie dëshiron të mbrojë titullin e doktorit ne drejtësi, pra si një njeri që ka pësuar ndryshime dhe përmbysje të prekshme, madje të jashtëzakonshme në raport me krahinën dhe mantalitetin e saj. Në dukën tjetër ose tek pamja në vazhdim, rishtas vijon paraqitja më e thelluar e kolizionit dramatik, pra e përplasjes së mendësisë së trajtimit të asaj ndodhisë së hershme, të ndodhisë që mban peng dhe të shqetësuar edhe këtë kohë, edhe këta pasardhës, e cila shakton njëzet e katër të vdekur, që shpërfaqet e plotë dhe me ngjyresa të papritura në dialogun midis Gjormit dhe Bjeshkës, gruas së Zekës. Këto episode, veçmas të tjerave, të dy pamjeve të para të dramës, si me thënë ma qartë edhe parapërgadisin ardhjen e heroit kryesor të dramës, Zekës, në dukën e tretë, heroit më të shumëfishtë dhe më të plotë të veprës, i cili bart dhe na e shpalos edhe psikologjinë, mentalitetin dhe gjurmët e së kaluarës, si një plagë e pambyllur ende, por njëherit dhe përngjitasi me të, edhe të mosnënshtrimit si burrë dhe njeri, pra të mos ndryshimit në kushtet e reja, që vevetiu do të duhej të përçonin tek ai lëvizje natyrale. Tek ky fragment, zezona e hidhur dhe tmerri i parrëfyer, pra ndodhia e largët si kohë reale, nis që të afrohet dhe të ndikojë ngjarjet e dramës me shpejtësi rrufeje. Replikat ndërmjet Bjeshkës dhe Zekës, dy personazhet qëndrore të veprës, këtu, pra sidomos në këtë dukë e japin qartësisht shqetësimin për shfaqjen e kësaj ndodhie. Duka e radhës, kuèptohet pamje tjetër e dramës, shënon një rritje të gradacionit dramatik dhe shprehës, të veprimit dhe shprehësisë letrare, në fromatimin dhe shpërfaqjen e kolizionit dramatik. Zeka dhe Mjeku, ky i fundit një personazh tjetër i veprës, madje nga më interesantit e dramës, shkëmbejnë midis tyre fjalë me dy kuptime dhe nënkuptime, shkëmbejnë replika të nxehta midis tyre, si për të njoftuar se ndërgjegjja e secilit prej këtyre personazheve vlon dhe zatetet në pabesim të shoshoqshëm. Në këtë dukë, nga më interesantet e dramës Lojë mbasdreke, konturohet mjaft qartë edhe atmosfera e vendit, dokeve dhe tipareve që gdhendin deri në skalitje ato në figurimin e personazheve dhe të gjitha mjedisit përqark, ku edhe luhen ngjarjet. Pikërisht, në këtë sekuencë dramatike, me ngjyra dhe tone tragjike, këtu na zbulohet edhe një idil familjar i papritur, megjithatë i rrezikuar prej hijeve të ndodhisë së dikurshme, që tashmë pret të rindizet rishtas. Në veprimin dramatik të këtij teksti, futen edhe dy personazhe të tjerë, gjyqtari dhe kasapi, dy figura me peshë specifike të ndjeshme në këtë dramë, ku i pari, pra gjyqtari që përfaqëson ligjin dhe shtetin, drejtësinë dhe format e saj, ka peshën dhe rolin e protagonistit në të dy pjesët e dramës. Episodet e pjesës së parë të dramës, një pjesë që në fakt zbulon ankthin dhe tmerrin e protagonistëve, pra një gjendje aspak e këndshme dhe normale, shpalosin karaketeret në të gjithë diagramën e vetë, por edhe në funksion të ngjarjes së hershme, të asaj ndodhie tmerri dhe makabriteti, tashmë të rimarrë për të riformuluar artistikisht vetë ngjarjen, veprimet dhe dialogun, protagonistët dhe pasardhësit e tyre, mbase vetë veprën letrare, më situatën e replikave dhe të veprimit dramtik, tanimë si dy prej elementëve thelbësor dhe më kryesor të plazmimit të personazheve në një vepër të mirëfilltë dramatike. Në pjesën e dytë të dramës, ku edhe merr udhë zgjidhja e konfliktit qëndror dramatik, pikërisht në dukën e parë të saj, aty ku zë dhe zbulohen gjurmët e para të shkokëlilmit të vetëdijes së personazheve, në kuptimin letrar dhe të kolizionit dramatik, rrjedha e ngjarjeve merr një kthesë të papritur dhe krejt të tendosur, në dhënie e ngjarjeve dhe në skicimin e personazheve. Prania e lojës, natyrisht e lojës së ndërfutur në tekst, e lojës dramatike dhe komike, pra e shakasë së hollë, e shkasë ploteë mençuri dhe dije, e shpërndërron veprimin dhe sekuencat e veprës në ngjyrime tragjikomike, madje të një tragjikomizmi rrënqethës në shumciën e dukjes së vet. Pra, tani e mbrapa, skenat dhe dukjet, dëshmojnë se kemi një vepër dramatike ku përzihen dhe gërshetohen ngjyresat dramatike me tonet e pastra komike. Në dukën e dytë të kësaj pjese shpërfaqen edhe dy elementë kryesorë, që i japin ndodhisë së veprës një rrjedhë të ndryshme, madje krejt të tjetërsojshme. Nga njëra anë gjyqi i merituar për Zekën, dëshmitarin e hershëm dhe të vetmin e atyre të shituarve, që ka shpëtuar nga kasaphana e askohshme, tanimë është shndërruar në një lojë, çmendurake dhe frikësjellëse, e në këtë çast çdo fije e ngjarjes, makar òdo fjalë e ligjëruar, aq shkujdeshëm dhe në ekstazën e tjetërsimit, ndihmon për ta shpërfaqur qartë e më qartë fajninë e dorasit, fajin e kryer me guzim dhe vetëdije, por ta pazbuluar ende të këtij burri të paepur. Në anën tjetër, një situatë e beftë që çapon hapat e të parit, e shpaluar në një linjë paralele, gjitnjë në pritje të lojës që do të shkaktonte të qeshura, ndodh zbulesa e konfliktit në të gjithë përmasën e vetë, na përmasën e krimit të hidhur dhe harrimit prej kohës së gjatë, por edhe hapja e fundit të barkut, pra zbulimi i të vërtetës në shesh të burrave, tashmë të secilit personazh të dramës. Në këtë hallakamë tmerri dhe ankthi të (pa)merituar, për të qarë e për të qeshur, madje për të provuar dhe shijuar gjendje tmerri dhe frike, për të pritur më kot që të shfaqet vrasja e ndërgjegjes, natyrisht vrasja e ndërgjegjes së vrarë qysh asaj dite të drekës së mishit dhe rakisë, të drekës mortore, të drekës së shtruar në nderimi të një shakaxhi të tmerrshëm, që edhe në atë botë sundonte dhe mbante peng të gjallët, dëshmitarë të ndoshisë, por edhe pasaqrdhësit e rritur me tonin dhe ngjyresat e asaj dreke të parrëfyeshme, me tonalitet të dukshëm dhe funksional të ndërthurjes së komizmit me tragjizmin, lojës me seriozitetin, shakasë dhe sarkazmës therëse, zbulohet loja e artit për të skicuar artistikisht realitetin letrar, e artit dramtik, të nje sinkretike tragjikomike, më së shumti, në një tekst të ngjyrosur herë-herë me tone të një frazeologjie mençurake, që të ndërmend alegorinë dhe shëmbëllimet orale që aspiron dhe realizon ajo në komunikimet e përditshme. Ky episod, mjaft tronditës dhe domethënës, natyrisht njëra nga dukjet (pamjet), më të gjata të veprës, mbase edhe me peshën më të madhe në pikëpamje të zbulimit dhe zgjidhjes së kolizionit të veprës, të veprimi dhe situatave të larmishme dramatike, sendërgjon kështu edhe pikën kulminante, çastin më domethënës të këtij teksti, pra gjetjen e të vërtetës së tmerrit të provuar fill pas asaj dreke makabër, drekë të mbrapshtë, të mbushur me zi, mish dhe raki, por edhe me një tmerr të paparë, por që e tejkalojë atë kohë, dhe realisht u shtri dhe zgjatua si veprim dhe frymë edhe në kohërat e mëvonshme, të këndej kohës së mungesë së harrimit të mterrit të përjetuar. Në këtë dukë (pamje) të përveçme, madje nga më të ngjeshurat dhe të fuqishmet nga ana letrare, madje edhe në pikëpamje skenike, ndodhin njëra pas tjetrës shumë gjana të hidhura dhe të tmerrshme, ku mjeku më tepër shpifet (sajohet për të marrë hak), si dëshmitar i gjamës së Përronit, shpifet enkas më tepër për të marrë hakun e të atit, që kishte qenë vra në atë ditë të fundme, ndërsa Gjormi, një njeri që pati humbur gjyshin në atë ditë të zezë, në mënyrë të paimagjinueshme dhe ideale, merr në mbrotje Zekën, burrin trim dhe dinak, mbase burrin luan dhe dhelpër, njëherit, të pamposhtur nga asnjë rrethanë dhe bëmë që lidhet më gjakmarrjen, gjithnjë sipas njerëzve të fshatit shkaktari kryesor dhe fajtori i kaspëhanës së asaj mbasdreke, e cila nisi thjesht si lojë dhe shpëjt rrëshqiti në tragjedi të papame, por e vështron dhe e mbron si hije dhe fantazmë. Pikërisht në këtë episod, ekstrem dhe fundor, ku luhet jeta me vdekjen, komedia dhe tragjedia, gazi me vajin, fiket edhe jeta e Zekës, shajnisë kryesore të asaj ngjarje të tmerrshme, burrit të paepur dhe mister, madje fiket befasisht dhe pa dhunë, siç askush nuk e priste që ndodhte kështu. Prandaj, konflikti dramatik aq i rënduar, merr udhën e zgjidhjes krejt papritur, por zgjidhet fundekrye në mënyrë arstistike. Në dukën e fundit të pjesës së dytë të dramës, tashmë skena sundohet vetëm e vetëm nga gjyqtari, që e ka fshirë historinë e mëparshme dhe ka hyrë në hullinë e jetës normale, të gjyqeve të zakonshme dhe krejt të rëndomta. Epilogu, në mënyrën më të dhunshme, si fillim i mbarimit të tmerrit, mbase të tmerrit të merituar, shpalos fundin e Zekës, protagonistit të dramës.

MIDIS KANUNIT DHE LIGJIT

Drama Lojë mbasdreke, mbase teksti më i fuqishëm dramatik që trashëgojmë prej Camajt, jo vetëm për shkak të kolizionit të thekur dramatik, por më tepër për arsye të parashtrimeve të qëmtuara të veprimit dhe dialogut të gjetur dhe ironik në një masë të konsiderueshme, vendos në qendër të vetë një konflikt paradoksal, një përplasje mjaft të hershme, por që megjithatë rrezaton edhe sot e gjithë ditën, por në skenë më shumë shpërfqqen hijezime të prekshme të natyrës vrastare të gjakmarrjes, edhe në këtë shekullin e ri. Thelbi i konfliktit dramatik të kësaj drame me nuanca të dukshme tragjike dhe komike, pra më tepër të një tekstit tragjikomik të pastër, lidhet me përjetimin e përplasjes:

– Si një ndodhi tipike e rrathëve të çemendura të kanunit, madje edhe e njëfarë pamundësie për ta shmangur këtë lloji ndeshje dhe shpagimi, që buron më shumë prej vetë genit të banorëve të atyre anëve, natyrisht me rrezatime të thekura universale, e cila ka ndodhur këtu e pesëdhjetë vite më përpara, e tashmë në kushtet e ligjit, e ligjëshmërisë së çdo sistemi, është tepër e vështirë që të zgjidhet me ato mjete dhe forma që burojnë prej kanunit, por gjithashtu është jo pak e vështirë për të marrë një përgjigje të drejtë dhe humane qoftë edhe prej ligjit, sado demokratik.

– Si një element i frikshëm dhe plot llahtar, siç dhe përjetohet gjakmarrje dhe ankthi i kanunit, që tashmë edhe merret për gjykim në një kohë tjetër, madje edhe kur ka rënë sistemi i zgjidhjes së përplasjeve të gjakut me anë të kanunit, të rregullave fikse dhe juridike, porse të tejkaluara në kushtet dhe rrethanat e funksionimit të shtetit dhe të ligjëshmërisë, në një kontekst të ri dhe të tjetërsojshëm, kur funksionojnë ligjet dhe shtetit, ndonëse për kohën shkrimore, si dhe për realitetin letrar që projekton autori është diktatura që sundon mbi gjithçka, por njerëzit, personazhet e veprës e bartin dhe e shpalosin me forcë edhe mentalitetin kanunor, mbase si një vel dhe tis i pashqitshëm kaq lehtësisht nga qenia dhe ndërgjegjja njerëzore. Në këtë përplasje (ndeshtrashë), të pashoqe dhe mjaft të vështirë për t ‘u drejtpeshuar dhe zgjidhur, autori me finesë dhe mjeshtri, me art dhe shprehësi, ka ndërfutur në veprim lojën, lojën e pastër dramatike por edhe me nuanca komizmi të thekur, që shpesh sendrtohet dhe anon nga paradoksi dhe rolit parësor të alogjikes, as gjyq siç e kërkon rregulli ligjor dhe çdo lloji shteti, e as kuvend sipas ligjeve të kanunit të hershëm, një mënyrë kjo e papritur dhe e habitshme, megjithatë e pagjasshme në hapësirat ku edhe sundon ligji dhe shteti, por e pashmangshme në mjedisin ku edhe luhen ngjarjet. Loja, kjo gjetje letrare dhe dramatike autoriale, loja e mrekullishme artistike dhe dramatike, e Camajt, kryen dy fonksione:

– Edhe të realitetit konkret dhe jetësor, përjetues të gjamës, mbase të ndodhive të përsëritshme në ato anë, por edhe në një hapësirë më të madhe se sa kaq, natyrisht e shoqëruar mjeshtërisht edhe me një përthyerje të dyzuar të kanunit, të mendësisë së mbijetesës shpirtërore të ligjit të moçëm të shqiptarëve, të përhapur në të gjithë trojet, në mungesë të shtetit, por përngjiturazi me të edhe të ligjit shtetëror, që e shmang dhe e bën të panevojshëm veprimin e të drejtës zakonore, pra të kanunit, qa shumë të përfolur dhe të keqkuptuar.

– Edhe të sugjerimit të një realiteti letrar simbolik, pra më tepër imagjinar, të projektuar dhe sendërtuar nga autori pikërisht kështu, ku realja dhe irealja, frymorja dhe e prekshmja, konkretja dhe historikja, ndërthuren ndërmjetshëm kaq fuqishëm, sa për të realizuar një tekst letrar surreal dhe tepër terheqës. Prania e shenjave konkrete dhe simbolike, imagjinare dhe ireale, jetësore dhe letrare, madje më shumë në një gërshetim të ndërlikuar, të ndërlidhur ndërmjetshëm, i jep dramës së parë të autorit një gjurmë dhe shenjë të prekshme surrealizmi të mirëfilltë, ku gjallojnë dhe frymojnë figura surreale, jetësore dhe fantastike, që e përjashton krejt natyrshëm njëngjyrësinë konkrete.

DRAMATURGJIA E LOJËS MODERNE

Substanca dramatike e shtrirë në dy pjesë kryesore të veprimit dramatik, të këtij teksti dramatik dhe më gjasë më tepër tragjik, dhe në disa pamje (dukë), ku edhe zbulohen dhe portretizohen personazhet kryesorë dhe dytësorë, po ashtu e hapur me një prolog rifromulues të qëndrimit të autorit, si dhe e mbyllur me një epilog me natyrë ritreguese e nodhive të dramës, sendërton një vepër dramaturgjike klasike, në strukturë dhe kompozicion, më të dukshme në rrafshet sipërfaqësore. Porse, po aty dhe diku thellë veprës, më në brendësi të sekuencave dramtike dhe tragjike, e nganjëherë edhe komike, të veprimeve dhe replikave, të unitetit të tekstit letrar, farfuritet dhe shpalohet edhe modernia, madje në kuptimin e parë të kësaj fjale:

– Në dramatikën e veprimit, që mundëson dhe ndikon në shpërfqajen e ndodhive dhe të protagonistëve, nga njëra dukë (pamje), në tjetrën, të cilat në hapësirat e tekstit dramatik lëvizin dhe spostohen sipas parimit të fragmentaritetit, pra të grimcimit të ndodhisë në disa pjesë përbërëse, të cilat mëgjithatë i ruajnë marrëdhëniet edhe më tërësinë e tekstit të dramës.

– Në dritëhijet që bartin personazhet, pra jo si figurime të ngrira dhe klishe, çka lidhet me portretizimin e tyre si karaktere, me botën e brendshme dhe mendimet e qarta të përfaqësimit, dhe jo si fotografime ideshë. Duke qenë kështu, nën vrundujtë e qëndresës dhe thyerjes, forcës dhe shembjes së papritur, heronjtë e veprës të mbeten në mendje, veçmas për kohenrencën që ravizojnë në të gjithë materien e tekstit, pra ruatjen e tipit si njerëz dhe nivel i përfaqësimit të grupeve të ndryshme sociale.

– Në hapësirën e zgjeruar të tekstit dramatik, si mjeti adekuat i realizimit të dramës, por edhe të skicimit dhe plasimit të karaktereve të pranishëm, të pasur me shprehje frazeologjike, huajtur në poetikën e gojore, në replikat dhe dialogimin karkaterizues dhe individualizues. Teksti dramatik, i kësaj drame, gjithashtu, sendërtohet me disa rrafshe ndërtekstualiteti, duke fromuluar, formatuar dhe artikuluar modernitetin e brendshëm të dramatikës së autorit.

– Në zgjidhjen e butë, si me thënë në vend të përlasjes së ashpër, që buron prej vetë karakterit të kolizionit dramatik dhe krejt të papritur midis kanunit dhe ligjit, fajtorëve dhe hijeve që çapojnë hapat e jetës, si dhe të fjalëve dhe veprimeve që kryejnë persponazhet kryesorë dhe dytësorë të dramës. Ndarja e merituar nga jeta e protagonistit të veprës, për shkak të veprimeve të tij kryerë në atë drekë të mortshme, por edhe më vonë duke heshtur dhe fshehur të vërtetën e atij tmerri, duke u endur kështu në atë formësim artistik të shpallur dhe të hapur, vetvetiu shkaton një turbullim ndjesinash, që anësohet nga mëshira dhe urrejtja e shkalafitur, nga mëshira që buron prej nevojës për t’u liruar prej ankthit dhe tmerrit që përçon ndodhia e largët edhe sot e gjithë ditën. Këto shenja letrare të prekshme në realizmin e pjesëve, të pamjeve të shumta, por edhe të prologut dhe epilogut, padyshim edhe të tjera, dëshmojnë qartësisht për shkrimin dramatik me natyrë të pastër moderne. Modernia e prekshme në kompozim, ku ndarjet funksionale vetëm sa e nxjerin në pah këtë tipar, vizatimi i personazheve përmes fjalës dhe veprimit dramtik, e sidomos loja e thuarur, loja dramatike dhe me nuanca të pastra komike dhe tragjike, i japin dramës Lojë mbasdreke veti të dukshme të një shkrimi modern, çka e ngjit veprën në nivelin e kryeveprave të autorit, por edhe të teksteve dramatike me vlera, të shkruara në letërsinë bashkëkohore.

RREZATIME TË PËRSOSJES LETRARE

Skenat dhe gjendjet dramatike të veprës, edhe në situatën e nëndarjeve në pjesë dhe pamje, pa harruar edhe prologun dhe epilogun, e sidomos sekuencat shkrimore, të tipologjisë së ndërthurjes së teknikvae klasike dhe moderne, një përftesë letërsishkrimore e dramatikës, gati e papranishme në letrat shqipe, e shpërfaqin dramën, skenat, dialogun, personazhet edhe me shenjëzime letrare, të përveçuara dhe impresionuese. Shenjëzimet letrare, me rrezatime përsosje janë të prekshme:

Së pari: Në mënyrën e kapërthimit të kolizionit dramatik, i cili bart edhe shenjat dramatike, edhe tragjikomike, që tregon cakun e ndarjes dhe të përbashkimit të dy botëve, të largëta dhe të afërta, përkatësisht të botës së kanunit dhe të asaj të ligjit, jo pak e pranishme në trojet shqiptare në të gjithë historinë. Pikërisht, përplasja e paimagjinueshme e këtyre dy botëve, dy mentaliteteve, e formaton konfliktin dramatik, edhe më të fuqishëm edhe më real, madje më artistik në kuptimin e konceptimit të veprës dramatike.

Së dyti : Brenda dramës, pra në materine e tekstit kryesor, mjeshtërisht autori ka ndërshtënë edhe dromca ngjyrimesh tragjike dhe komike, të cilat e kanë nxjerrë në një dritë tjetër situatnë dramatike. Tragjikja, e pranishme në ndodhinë e largët, por edhe në humbjen e heroit qëndror, pra të Zekës, lidhet pandarazi me gjamën e tmerrshme që shkakton gjakmarrja, njëra prej shkatërrueseve të jetës në këto anë. Komikja, nga ana tjetër, një gjetje dhe stilemë autoriale, e fytyrëzuar si lojë e lirimit prej makthit të gjakmarrjes, të cilën pamundësisht nuk e ter as koha.

Së treti : Fundi i heroit qëndror, figurës më intertesante dhe më të realizuar të dramës, një mbarim i papritur dhe në logjikën artistike që paraqet ky tekst dramatik. Një fund as tragjik, e as komik, një fund njerëzor ku kandilija e jetës shuhet vetiu, madje duke e merituar këtë fikje. Kjo mënyrë e largimit nga jeta të protagonistit, ndonëse e përfshirë në një lojë tragjikomike, është fati i njeriut, fati i qenies së përkohshme individuale, por edhe i përjetësisë si univers i ekzistencës së qenies njerëzore, e cila në rretheqarkëzimi e kanunit dhe të vështirësive që sjellë ai bëhet edhe më paradoksale.

ZEKA DHE BJESHKA

Një prurje më vete e dramës Lojë mbasdreke, një befasi letrare e shkrimtarit në të gjithë pentagramin letrar, është edhe vizatimi i personazheve, përmes dialogut, replikave dhe veprimeve. Në morinë e këtyre personazheve, si më të realizuarit e kësaj vepre, në kuptimin letrar dhe karakterial, janë dy protagonistët e veprës, Zeka dhe Bjeshka. Zeka, sipas gojëdhënës së përhapur atyre anëve, njeriu që shkaktoi tragjedinë në drekën mortore, njeriu që u ka shpëtuar përmbrekulli pritave dhe gjyqeve, njeriu që e pa vdekjen me sy, që vrau sa deshti për të mbetur vetë i gjallë. Po ashtu, dhe kjo shkakton habi tek çdokush, Zeka është edhe njeriu që diti ta fsheh të vërtetën për pesëdhjetë vjet rresht. Ky Zekë burrnor, dredharak gjer në mosqënie, ky burrë që ka bërë për vete vashën e re dhe e ka lidhur pas vetes gruan e bukur të quajtur Bjeshkë. Figura e gruas së Zekës, është tipikisht dhe letrarisht një karakter i besueshëm i atij mjedisi, i cili pjellë krenari dhe nënshtrim ndaj mjedisit, kanunit dhe të parit të shtëpisë. Dy figurat kryesore, ndonëse në ndërlidhje reciproke, janë konceptuar nga autori edhe si kontrast figural, në të gjitha kuptimet e mundshme, fizike, pamore dhe letrare. Megjithatë, kontrasti më i fuqishëm dhe krejt i prekshëm, lidhet me karakterizimin e veçantë që u ka mveshur shkrimtari dy figurave qëndrore të dramës. Nga njëra anë, Zeka si kryehero i veprës, që mbart mbi supet e veta peshën e asaj ndodhie, por edhe të ngjarjeve të mëvonshme, është konceptuar dhe realizuar si personazh kompleks, ku ndërlikimi i qëllimshëm letrar, vetëm sa ndihmon për ta shpërfaqur më të plotë botën e tij. Në anën tjetër, Bjeshka, bashkëshortja e re dhe tepër e mrekullueshme, simbolizon dhe paraqet adhurimin dhe bindjen ndaj Zekës, duke u shpërfaqur në një linjë të njëtrajtshme. Plazmimi i dy personazheve si përplotësues të njëri-tjetrit, dhe të lidhur përjetësisht, aq më tepër me tipare të shenjave karakteriale, i shpërnërron vetiu në figura të realizuara fuqishëm nga ana artistike.

GJORMI- HIJA E AUTORIT

Një personazh mjaft interesant i dramës, krejt i ndryshëm nga të tjerët dhe tjet funksional në sekant dhe në hapësirat e tekstit, është Gjormi, malësor tashmë im transformuiar në intelektual të një kohe tjetër, që gati i ka shkëputur marrëdhëniet më kanunin, si dhe më rregullat e moçme etike të mbijetesës shqiptare, një figurë ku më së shumti frymon idealiteti autorial, domethënë një allterego e fshru e shkrimtarit. Gjormi, sipas tekstit dramatik dhe situatave që ngreh ai dhe i luan mrekullisht, paraqet një personazh kompleks dhe me kahje të përmbysjes së tipareve mishëruese të përmbysura në këndej kohën, porse ai njëherazi bart edhe një dyzim të prekshëm si figurë dhe karakter:

– Njeriu, të cilit i kanë vrarë gjyshin, pikërisht në atë ndodhi të largët, dhe ai pa vrasje ndërgjejeje është i gatshëm që ta fal gjaksin, madje edhe të bëjë hajgare me të. Ky veprim, i papritur dhe i admirueshëm, natyrisht në pikëpamje të idealitetit, bie ndesh me gjithë mentalitetin e pranishëm në ata zonë, në atë krahinë dhe madje në të gjitha trevat shqiptare, të porsadala nga lufta botërore, por kjo është më e theksuar në pikën e lartë ku edhe luhen ngjarjet e veprës.

– Gjormi, i rritur dhe ndryshuar, burrëruar dhe me ndërgjegje të përmbysur, tashmë avokat, pra i shkolluar në drejtësi, që sapo ka kryer studimet, që nëprmjet kësaj ngjarjeje tmerrësisht të hidhur dhe fatale, kërkon vetëm të zbulojë të vërtetën, të vërtetën lakuriqe, ashtu siç ngjau asaj mbasdrekje, sa për të mbrojtur temën e diplomimit, pra të shkollimit të vetë, sa për të prekur realisht rrjedhën dhe përfundimet e saj ndodhie të frikshme edhe mbas kaq e kaq motesh.

– Gjormi si intelektual dhe njeri me shkollë, një personazh më tepër ide, që për shumëçka hiç nuk i përket atij mjedisi ku edhe ngjet tmerri, por edhe ku luhet pasngjarja. Kuptohet që sipërmarrja për ta falur gjaksin, siç nuk ndodh me këdo të asaj ane, e sidomos sajimi kaq i hollë i lojës, i lojës tragjikomike, i lojës së mendjes për të rrëmuar në të kaluarën, e rrëshqet më tepër në tipin e njeriut ideal, që në emër të humanizmit dhe të ideve të kohës del mbi veten, ai kështu siç shpalohet është mbase një alterego e shkrimtarit. Qenësia e tij si e tillë, me këto tre atribute të mirëfillta, edhe me prejardhje nga këto anë, pra si rrënjës është pak e vështirë për ta falur gjakun, por edhe i ndryshuar dhe transformuar, pra i mbingarkuar me veti karakteriale dhe me jo pak ndryshime, bëhet e prekshme si pentagram i përmbysur edhe nga fakti, që loja më së tepërmi përfaqëson një metaforë të gjetur arti, mbase një simbol të kërkuar dhe artikuluar, me një fjalë një figurim letrar për ta sendërtuar artistikisht kolizionin dramatik, madje nëpërmjet përngjyrimeve që bart kjo figurë, duke e spërkatur edhe me ngjyrime tragjike dhe komike, ta pasurojë dhe plasojë plotësisht si personazh. Loja metaforë e teksti si dialog dhe monolog, si ndarje dhe tërësi, e përfshirë në tekstin dramatik, në zbulimin e heronjëve, në shpërndërrimet që ndodhin në ndarjet e shumta që ka ky tekst dramatik, në mënyrë që nga e vjetra, nga e hershmja morale, nga shkatërrimi kanunor, të dilet duke qeshur. Simbolika e lojës, e lojës për shaka, e lojës për të qëmtuar nëpër vatrat ekzistenciale të qenies njerëzore, ideuar dhe realizuar nga Gjormi, e pranuar edhe nga personazhet e tjerë, madje e kryer dhe e perfunduar me kaq sukses me mbështejtjen e tyre, buron nga dëshira për t ‘u dëlirur prej botës së vjetër, që vijon që ta brejë shoqërinë shqiptare, edhe kësaj ndërkohje. Prania e sfondit metaforik dhe simbolik, mbase të dyfishuar si tonalitet, si një shrkirje organike dhe funksionale ndërmejt tyre, ka figuruar dhe pasuruar dramën, ndodhitë dhe veprimet, si dhe replikat që shkëmbejne personazhet në një befasi letrare. Kjo befasi, nga më të spikaturat në krijimtarinë e Camajt, duke marrë në shqyrtimi poezinë, prozën, studimet letrare dhe gjuhësore, vjen prej papranisë së pranishme të autorit, e konturuar dhe mishruar në figurën e Gjormit, një malësor i ndryshuar gjer në përmbysje të plotë.

DIALOGU DHE SHPREHJET FRAZEOLOGJIKE

Veçanësitë e shkrimit të dramës Lojë mbasdreke, njëri prej teksteve më të fuqishëm letrar të endur prej autorit, janë të prekshme edhe në dy elementë thelbësor të sendërtimit të veprës:

A – Në dialogun e rrufeshëm, karakterizues dhe identifikues, shenjues dhe shëmbëllyes, i cili në shumicën e dukjeve të të dy pjesëve, e po ashtu edhe në prolog dhe epilog, shpërfaqet si replikë e fortë, e shpejtë, kinse e atypëratyshme, që ndikon drejtpërdrejt në ecjen e veprimit dramatik, aq të tendosur prej karakterit të konfliktit dramatik. Merita e autorit, në këtë aspekt jetik për shkrimin dramatik, ndonëse e ngjyrosur edhe me tone komike dhe tragjike, është karaketrizimi i personazheve, papërjashtim e të gjithë figurave që parakalojnë në faqet e dramës, sidomos me anë të fjalëve që shkëmbejnë ndërmjetshëm, ku bie në sy skalitja që i bën secilit prej këtyre figurave të kësaj vepre.

B – Prania e frazeologjive, një tipi ligjërimi të ngurosur dhe të huamarrë në poetikën gojore, në replikat që shkëmbejnë mes tyre personazhet, është njëra prej shenjave përveçuese të shkrimit dramatik në këtë tekst. Madje, në një kuptim më të ngushtë dhe letrar, shprehjet frazeologjike, të përpunuara ose të pandryshuara, bartin thelbin e përbashkimit të personazheve që hyjnë e dalin në skenë. Frazeologjitë e tipit: Fjala në nemë, thanë edhe si për lojë, kumbon fort randë, disa punë të vjetra s ‘duhet me i përpushë, Punët e vjetra pjellin bolla, Të çova për dru e prune një barrë krande të njoma, Ruaj gjuhë kryet, t ‘qes burrat e vendit e të kuvendit në gjuhë, me ma lanë mue kopilin te dera, me mbathë pelën me krande etj. , e përmbysin dhe riformulojnë dialogun e personazheve me një tharm poetik dhe dramatik të habitshëm. Shprehjet frazeologjike, të pranishme në tekst, të përdorura me masë dhe mjeshtri, kryejnë disa funksione artistike:

– Në identifikimin e plotë të mejdisit social dhe dokësor, kohor dhe hapësinor, klasik dhe bashkëkohor, ku edhe luhen ngjarjet e veprës, të cilët ndikojnë në shpalimin e ndodhive, si dhe në përngjyrosjen e tyre me secilin prej këtyre tonave.

– Karakterizimin dhe skicimin e personazheve, të gjithë figurave të dramës, pa bërë dallimin se janë kryesor dhe dytësor, të ultë apo të lartë në kuptimin e shtresëzimit shoqëror, që kanë peshë dhe funksion në skenat e dramës.

– Pasurimin e shprehësisë letrare, veçan në këtë aspekt e pasurojnë dhe ngjyrosin frazën e dramës, të skenave dhe pamjeve

të shumta, të dialogut dhe replikave, duke i spërkatur fjalitë dhe gjithë situatën gjuhësore me një tis etik dhe filozofik të ngulitun.

Filed Under: LETERSI

ÇABEJ I DISKUTIMEVE NE KONGRESET DHE KONFERENCAT SHKENCORE

August 15, 2024 by s p

Shkruan: Prof. dr. Shefki Sejdiu/

Përpara se të parashtroj disa mendime rreth diskutimeve të Çabejt në tubimet shkencore, temë kjo jo aq e rëndomtë për analiza dhe vlerësime rreth kontributit të një personaliteti të shquar të dijes shqiptare, do t’i thoja disa fjalë rreth institucionit të tubimeve shkencore pa hyrë në imtësira rreth karakterit dhe rangut të tyre.

Tubimet shkencore si forma organizimi e pune janë të një rëndësie të veçantë informimi e interkomunikimi shkencor. Ekziston mendimi i arsyeshëm se shkenca më së shumti përparon përmes tubimeve shkencore dhe separatëve . Në këto tubime zhvillohen edhe aktivitete interkomunikimi intelektual e hulumtues interesash e formash të shumëllojta.

Format e komunikimit dalin nga vet natyra e punës dhe aktorëve që alternativisht bëhen edhe dhënës dhe marrës të mesazheve, që presupozon rolin e folësve përkatësisht dëgjuesve, në këtë rast të kumtesave e të debatit. Nëse një referues trajton çështje të ndryshme, pjesëmarrësi dëgjues mund të motivohet e të cytet të reagojë ndaj kumtesës të një a më tepër referuesve dhe mendimeve të parashtruara. Këtë kompleksitet problemesh e trajtimi e imponon shumësia e universit preferencial kognitiv që kurdoherë është në qendër të vëmendjes së hulumtuesve.

Gjatë procesit të komunikimit shkencor qoftë ky edhe i institucionalizuar siç është edhe i tubimeve shkencore, paraqiten forma institucionalisht e motivisht të ngarkuara që shprehen si diskutime, intervenime (ndërhyrje), respektime (sqarime), debatime, polemizime, qortime (të buta e të ashpra) e grindje, që krijojnë paradigmë edhe hierarkike nocionesh komunikimi.

Konferencat shkencore kanë qenë pjesë e pandashme e veprimtarisë së frytshme shkencore të Çabejt. Ai përfaqësoi gjuhësinë shqiptare në vend dhe jashtë vendit. Çabej i konsideronte diskutimet shkencore të një rëndësie të veçantë. Diskutimin në Kuvendin e Parë të Studimeve Ilire (1972) e ka filluar me fjalët që meritojnë të shënohen: “Besoj, thotë Çabej, se DISKUTIMET e djeshme dhe të sotmet na kanë vërtetuar më së miri që në kongrese e në kuvende DISKUTIMET e SHKËMBIMET e mendimeve shpeshherë dalin më të frytshme se kumtesat, ligjëratat e referatet” .

Në saje të formimit të tij intelektual e shkencor Çabej ka ndërtuar një sistem pune e veprimi në tubime shkencore nivelesh të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare ku janë trajtuar çështje albanologjike të periudhave të ndryshme që nga lashtësia deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.

I bindur për kompleksitetin e çështjes, Çabej iu kushtua çështjes me seriozitetin më të madh (e, për çështje të tilla është e nevojshme pjesëmarrja e hulumtuesve shqiptarë me kumtesa e me diskutime) sepse duhej përballur me ide e pikëpamje jo gjithherë shkencore të bazuara, subjektive e simpliciste, intencionale e me referenca jo të plota e jo reale. E, dihet tanimë se fusha apo aksi i referencës është hapësirë ku rrahën mendimet për hulumtimin dhe gjetjen e reales, të cilën pra duhet hetuar, gjetur, veçuar, njohur e vlerësuar brenda universit kognitivo-referencial. Por, kur realja, e vërteta, e kërkuara perceptohet dhe konceptohet e shtyrë nga motive intencionale, subjektiviste e individualiste, ky lloj perceptimi shpie tek shumësia e mendimeve që provokojnë debat. Mbi këtë bazë motivuese edhe qëndrojnë ndërhyrjet e Çabejt rreth kumtesave e diskutimeve të dhjetëra studiuesve të njohur si V’. Georgiev, Katiçiq, Desnickaja, Gëlëbov, Rich, Al. Roseti, Mihaescu, Galdin, V. Pisani, C. De. Simone, Bonfante, St. Mann, Z. Skiro, Ajeti, Ceka, Z. Sako, Demiraj, Lafe etj.

Po, si duket paraqitja e Çabejt në diskutimet në vend dhe jashtë vendit, përkatësisht në raport me vendorët dhe të jashtmit?

Me bashkëkombësit e tij Çabej është kolegjial, didaktik e principiel; me të huajt (mysafirë) tek Çabej vërehet ndjenja e mikëpritjes, e përgjegjësisë dhe e respektit, por edhe e parimësisë dhe konsekuencës.

Jashtë vendit, Çabej me bashkëkombësit e tij është i afërt, i kujdesshëm dhe metodik, kurse me të huajt është i matur, i paimponueshëm, serioz, dinjitoz, principiel, me një ndjenjë të theksuar kompetence, përfaqësimi e përgjegjësie intelektuale.

Te Çabej edhe si diskutues duket i çartë formimi dhe informimi si në fushë të gjuhësisë njashtu edhe në disciplina të tjera konvergjuese që lidheshin me origjinën, atdheun, historinë dhe gjuhën e popullit shqiptar.

Çështjet rreth të cilave Çabej ka debatuar në konferenca janë nga më të ndryshmet: si ato rreth origjinës së popullit, të gjuhës dhe vendit të formimit, rreth autoktonisë dhe argumenteve dhe dëshmive të sjella nga disciplina të tjera konvergjuese diakronike, rreth fenomenit të ambiguitetit, apriorizmit, simplifikimit, rreth fiksimit të kritereve, rreth subjektit gjuhësor, rreth shtresimeve dhe krahasimeve midis gjuhëve (psh. mesapishtes e shqipes), rreth ndarjes kentum-satem, rreth marrëdhënieve kelto-ilire, rumuno-shqiptarëve, rreth kontakteve dhe ndikimeve lashto-greko-proto-shqiptare, latino (proto) shqiptare, rreth evoluimit të tingujve, rreth gemina(n)teve në shqipe, rreth ndikimit të faktorëve të jashtëm në karakterin ballkanik të shqipes, rreth nyjave, rreth leximit dhe interpretimit të mbishkrimeve, etj.

Në të gjitha këto çështje të trajtuara nga të tjerët, çoftë në formë kumtese apo diskutimi, Çabej në ndërhyrjet e veta tregohet njohës i mirë i problemeve me sens të theksuar të çështjes interdisiplinare, induktivist e komparativist, që mjeshtërisht shfrytëzon evidencat gjuhësore dhe kontkstet e ndryshme për njohjen e çështjeve që trajtoheshin.

Në diskutime Çabej çorton çasjet simpliciste, arbitrare, improvizuese, intencionaliste, si dhe rekonstruktimet dhe gjeneralizimet e bazuara në të dhëna ekskluzivisht të izoluara e eksterne (Vl. Georgiev). Përkujton kritere e parime universale e specifike, vlerësuese, saktësuese (E. Lafe); sugjeron përcaktimin e vlerave të koncepteve si p. sh., invencion, konservacion gjuhësor (Sh. Demiraj) .

Shikuar nga aspekti metodologjik Çabej ndjek rrugën e argumentimit dhe arsyetimit: nuk e çorton autorin (e kumtesës apo diskutuesin), por idenë e tij të shfaqur hic et nunc; në disa raste pa e shfaqur në mënyrë explicite mospajtimin me referuesin apo diskutuesin, Çabej ia kundërvë mendimin e vet (si te Boissin). Ndodhë që të pajtohet me mendimin e referuesit për çështje të caktuara (Roseti, Ajeti), por me qëllim përforcimi e potencimi sjell edhe mendime të ngjashme të të tjerëve, pra përforcon hipotezën. Ka raste kur duke mbrojtur mendimet që aty shfaqen (A. Desnickaja) mbron edhe të vetat, kështu që (shpeshherë) përdor edhe mënyra indirekte komunikimi (Georgiev, Desnickaja, Çabej).

Ndodh që referuesit a diskutuesit Çabej t’ia pranojnë njërën anë të sqarimit të çështjes, por gjatë diskutimit Çabej jep sqarime edhe për pjesën tjetër (tek Bonfante) . Diskutimi i tij shpeshherë është sqarues e mjaft diskursiv, pra edhe argumentues me elemente krijimtarie spontane të dala nga një situatë ad hoc; shumë diskutime të Çabejt u ngjajnë kumtesave të shkurtëra me rezultate të dukshme.

Bie në sy edhe realizimi gjuhësor, përkatësisht strukturimi formal e përmbajtësor për këtë lloj komunikimi shkencor. Toni dhe ritmi si dhe struktura e tekstit janë të stilit akademik dinjitoz (V. Georgiev: centracionist, kategorik, autoritar = Çabej: decentracionist, relativist, tolerant) .

Çabej në rrafshin preferencial përdor referenca të plota dhe joekuivoke dhe jo-intencionale, eviton struktura të tipit elokutor, si: them, kundërshtoj, heth (poshtë), korrigjoj e, në vend të tyre përdor modelet: më duket, mendoj, supozoj, saktësoj, etj.

Përdor veten e parë të shumësit për rezultate, suksese, kurse veten e I të njëjësit e përdor tepër rrallë që sugjeron modesti dhe vetpërgjegjësi. Në diskursin debatues të Çabejt më shpesh del veta e tretë e njëjsit apo pavetësorja si forma objektive e depersonalizuese (Traimer, Ajeti) .

Gati gjithëherë emrat e individëve, qofshin ata autorë të kumtesave, diskutues apo reflektues, janë të paraprirë nga titujt, thirrje dhe struktura të tjera honorifike.

Në Diskursin debatues të Çabejt në Konferenca shkencore më së shpeshti hasën format dëgjim, observim, mendim, pritje, dëshirë, urim, përgëzim, kurajim, pohim, saktësim, sqarim, plotësim, prurje, përzgjedhje, krahasim, argumentim, vlerësim, konkludim, të artikuluara me struktura verbale, rëndom në vetën e parë shumës, struktura këto që përbëjnë një lloj paradigme konceptuale ndërkomunikuese e vlerësuese shkencore.

Dhe për fund do të shtoja se shumë raste Çabej nuk i hesht as ngatërrimet (e që dalin me qëllim apo pa të) midis primares e sekondares, universales e partikulares, esenciales e formales, kreatives e improvizueses, shkencores e arbitrares, kompatibiles e inkompatibiles – kategori këto kundërvënëse aksiologjikisht dhe epistemiologjikisht relevante.

(Nga libri ne doreshkrim)

Filed Under: Opinion

KOLË IDROMENO, GJENIU DHE HUMANISTI RILINDAS NGA PARGA

August 15, 2024 by s p

Arben Iliazi

05 Self-portrait, 1931
(National Art Gallery, Tirana)

Kolë Idromeno lindi më 15 gusht 1860 në Shkodër dhe vdiq më 12 dhjetor 1939. Familja e tij, ishte një nga familjet më të njohura të Pargës në Çamëri, prej ku u larguan në kohën e Ali Pashë Tepelenës, për t’u vendosur në Korfuz në pranverën e vitit 1819. Në Korfuz gjetën strehim edhe familje të tjera shqiptare nga Suli. Nga familja e Idromenove, në shek XIX-të janë shquar intelektualët Andrea Idromeno dhe Mihail Idromeno. I pari Doktor ne teologji dhe profesor ne Korfuz dhe i dyti Doktor në drejtësi. Këta ishin gjyshi dhe xhaxhai i Kol Idromenos (AQSH, Fondi 71, Dosja nr 13, Dok. nr 1).

Andrea Idromeno kur ishte mësues në Korfuz, përpiloi dhe botoi historinë e Pargës dhe të Sulit, e gjithashtu ndihmoi Grigor Gjirokastritin në përkthimin e ”Ungjillit sipas Matheut” dhe ”Dhjatës së Re” në gjuhën shqipe me alfabet grek. Pjesmarrja e Andrea Idromenos në përkthimin e këtyre dy veprave në gjuhën shqipe, me të folmen e camërishtes, tregon atdhedashurinë e tij dhe dëshirën e madhe për të kultivuar gjuhën amtare.

Në Korfuz Andrea Idromeno ka mbledhur nga historitë e mërgimtarëve shqiptarë të Pargës dhe të Sulit dhe me këto të dhëna ka përgatitur një vepër historike. Andrea kishte dy djem, Mihalin që ishte jurist dhe Arsenin, të atin e Kolës, që kishte lindur në Korfuz. Arsen Idromeno, babi i piktorit te shquar Kol Idromeno, në vitin 1856 u shpërngul përgjithmonë në Shkodër. Ai filloi të punojë si inxhinjer e projektues.

Pa asnjë dyshim në shfaqjen e prirjeve të Kolës për vizatimin ka ndikuar puna e të atit si projektues shtëpish. Ai u rrit në një familje, ku babai punonte pas një tryeze të mbushur me skica, libra e projekte arkitekturore. Një fëmijëri e tillë patjetër do ngjallte dëshirë t’i prekte e t’i shfletonte librat, të provonte edhe ai magjinë e vizatimit mbi letër.

Kolë Idromeno është figura më e kompletuar e më multidisiplinare në artin shqiptar. Ai ishte piktor, arkitekt, urbanist (projektues i Shkodrës), fotograf (nxënës i Pjetër Marubit), skenograf, siparist, muzikant, e kompozitor këngësh shkodrane. Gjithashtu ishte dhe fillimtari i shfaqjeve të para kinematografike në Shqipëri. 

Në moshën 15-vjeçare në vitin 1875, filloi studimet për pikturë në Venecia të Italisë, ku njihet nga afër me veprat e rilindasve si Civeli, Montegnas, Gentili, etj. Aty vazhdoi mësimet vetëm për dy vjet. Pas kthimit në vendlindje, Kola, përveç pikturës që e ushtronte pandërprerë, po e tërhiqte edhe fotografia që e shihte me kënaqësi në studion e Marubit. Duke parë aftësitë e të birit në lëmë të fotografisë, Arsen Idromeno, vendosi të hapi edhe ai bashkë me të birin një atelie fotografike. Punën në të e drejtonte dhe e përballonte vet Kola i cili shfaqi pasion dhe zell të madh si artist dhe teknolog në proçeset e fotografimit. Gjatë punës si fotograf, Kola, bën lidhje miqësore me shumë njerëz të të gjitha shtresave, duke u bërë kësisoj njeri i njohur në qytet. Gjatë 1871-1874 i përkushtohet veprave të para në akuarel, “Portreti i mësuesit”, “E vorfna”, “Baresha”, etj. 

Një nga veprat më të dalluara të Kolë Idromenos është “12 luftëtarët e Pargës në lundër”. Në këtë pikturë ai kujton largimin e parardhësve të tij nga Parga drejt Himarës. Në këtë vepër Idromeno përjetëson në art trimat luftëtarë të Pargës dhe të mbarë Çamërisë. Pas vizatimeve dhe akuareleve të para Idromeno, kur ishte vetëm 23 vjeç, 2 shkurt 1883, punoi portretin e të motrës që është edhe vepra më përfaqësuese e tij, ”Motrën Tone” , e quajtur edhe “Mona Liza” e Shqipërisë. Kjo është edhe e para pikturë realiste e tij dhe kryevepra e artit figurativ shqiptar, ose portreti i parë madhor i pikturës shqiptare, siç e cilëson studiuesi Mikel Prenushi.

Më 1898 piktori u ftua në një ekspozitë ndërkombëtare në Budapest. Më 1904 punoi portretin e Ndoc Xhuxhës, njëri prej anëtarëve themelues të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip. Në këtë periudhë kemi “Bardhejt” e “Lugu i kaçakeve”. Me këto vepra shpreh dashurinë për natyrën. Vepra të tjera janë “Dy rrugët” dhe “Fajda”, “Kur hin dreqi mrena”. Në 1898 merr pjesë në një ekspozitë në Budapest dhe në 1923 në ekspozitën e pikturës në Shkodër. Në 1924 mbaron pikturën “Darsma Shkodrane”, ku tregon me realizëm të veçantë lumturinë e vashës që po martohet.

Në periudhën 1924-1937 vjen “Zezaku i Beldijes”. Me këtë vepër autori shpreh simpatinë për njerëzit me ngjyrë. Një vepër tjetër është “Autoportreti”, “Portret i një fshatari”, “Bariu”, “Fytyrë fshatari”.

Piktura e fundit e Idromenos është “Plaku i Postribës”, ku shpreh situatën ekonomike të fshatit. Më 1878 i bashkohet lëvizjes patriotike të Lidhjes së Prizrenit për të  kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë  dhe dhënien e Camërisë  mbretërisë  greke; pra për Idromenon nuk diskutohet vetëm në rrafshin artistik. Ai qe një përfaqësues i shquar i Rilindjes Kombëtare, patriot i madh që aspironte pavarësinë e Shqipërisë. E gjithë veprimtaria e Idromenove tregon jo vetëm shqiptarinë e tyre, por edhe qëndrimin patriotik në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Veprat e Kolë Idromenos janë ekspozuar në ekspozitën e parë kombëtare në Tiranë, në vitin 1931, ekspozitë e organizuar nga shoqata “Miqtë e Artit”, si dhe në ekspozitat ndërkombëtare në Budapest (1898), në Romë (1925), në Bari (1931), në Romë (1936) dhe në Nju Jork (1939).

Kolë Idromeno, Mjeshtri poliedrik i artit shqiptar, konsiderohet si babai i pikturës së parë realiste shqiptare, me një stil krejtësisht të veçantë dhe virtuoz. Realizimi i tij evidentohet fuqishëm në vështrimin stilistik. Ai krijoi dhe konsolidoi stilin e tij vetjak, që shpaloset nga vepra në vepër me një ekuilibër koloristik dhe kompozicional, me mjete artistike të kursyera, me një ngrohtësi shpirtërore dhe dashuri për njeriun. Arti i tij vendosi për herë të parë në qendër të krijimit ralizmin humanist shqiptar.

Kolë Idromeno i dha historisë së artit dhe bashkë me të historisë së shoqërisë shqiptare, jo vetëm mjeshtërinë e madhe të krijimit, teknikave, zhanreve të reja, por edhe filozofinë e madhe të artit të ri, duke përcollë mesazhe të rëndësishme për gjeneratat që do të vinin. Idromeno ishte mjeshtër i peizazheve, po aq sa mjeshtër i tablove kompozicionale dhe portreteve.

Në realizimin e portretit i përdor penelatat në mënyrë të zhdërvjellët, duke krijuar një harmoni perfekte të ngjyrave, Idromeno, duke i portretizuar subjektet e tij me gjallëri dhe spontanitet të rrallë, me koloritin e tij të veçantë, duke kapur lehtë butësinë, buzëqeshjen, pa qenë kurrë i detyruar të paraqesë pozicione të sforcuara apo të trishtuara.  

Te punimet e tij si “Portret i Skënderbeut”, “Bardhaj”, “Lugu i kusarëve”, “Portret burri”, “Portret i Marubit” etj. piktori e ka përqëndruar dritën në portretin e figurës, i cili realizohet me një kolorit delikat, me kalime sfumature nga drita në hije dhe me realizim shumë të kujdesshëm të tipareve e detajeve të portretit. Portretet e tij, për nga racionaliteti, harmonia, çiltërsia, idealizmi, ekuilibri, moderimi, bukuria dhe madhështia, janë një miksim  i shkëlqyer i realizmit me ato të teknikave impresioniste.

Idromeno orientohet kryekëput drejt lirisë së plotë që i ofronte Impresionizmi, i ndjeshëm ndaj ngjyrave të veshjeve dhe peizazhit. Pra Kolë Idromeno ishte një mjeshtër madh i penelit midis realizmit, impresionizmit dhe imagjinatës, duke mbetur i pakrahasueshën në stilin e tij.

Në historinë e pikturës shqiptare të traditës, do të spikati përjetësisht emri i Kolë Idromenos, këtij gjeniu të papërsëritshëm të piktures me rrënjë nga Camëria, që ka lënë gjurmë të pashlyera në artin shqiptar. Veprat e tij, tablotë, portretet, peizazhet, si “Motra Tone”, “Dasma shkodrane”, “Dy rrugët”, “Shkrepi i Ulqinit”, “Portret fshatareje”, “Plaku i Postribës”, etj. do të mbeten “gurë të çmuar” në historinë e pikturës shqiptare  të traditës.

Motra Tone- fotot Galeria e Arteve
Picture
06 Portrait of a Man Wearing a Hat, 1931
(Fico collection)
09 Portrait of a Man
(National Art Gallery, Tirana)
Photo Gallery: Exhibition “Kolë ...
Picture
Picture
Picture
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
2.Kole Idromeno | Art shkodran

Filed Under: Politike

Sa e vlefshme është Kemoterapia në trajtimin e sëmundjeve kanceroze?

August 15, 2024 by s p

Dr. Zekri Palushi, Australi

(Kërkimet e reja shkencore kanë treguar se kemoterapia zgjon nga gjumi qelizat e fjetura kanceroze, dhe ndihmon që sëmundja të shpërndahet në qeliza dhe organe të shëndosha, duke inkurajuar   kështu rikthimin e kësaj sëmundje, bile edhe në një formë më e fuqishme)!

Në botën e trajtimit të sëmundjeve kanceroze lajmet ecin me shumë avashllëk. E them këtë, sepse kanë kaluar 12 vjet nga koha që kërkues të ndryshëm shkencor, arritën të demonstrojnë se kemoterapia (chemotherapy), në të vërtetë ndihmon si në rritjen, ashtu dhe shpërndarjen e kancerit, dhe këtë e bën nëpërmjet invadimit të qelizave të shëndosha që rrethojnë zonën kanceroze. Pesë vjet më vonë, punonjës të tjerë shkencorë gjetën se mekanizmi riparues i ilaçeve kemoterapeutike, i ndihmon qëlizat kanceroze që të rikthehen, bile edhe më të fuqishme.

     Duke u bazuar në praktikën e tyre të përditëshme, edhe vetë mjekët onkolog, kanë arritur në të njejtin  konkluzion me çfar thamë më sipër, por megjithatë, ata prap se prap vazhdojë t’ju japin ilaçe kemoterapeutike pacientëve të tyre, dhe këtë e bëjnë jo vetëm në pacjentët me kancer aktiv, por e japin, apo e rrekomandojnë edhe në pacien të shëndoshë. Për shembull: Gratë me kancer të gjirit edhe pse, pas ndërhyrjes kirurgjikale konsiderohen të sheruara, (heqja kirurgjikale, për një kancer të pa metastatizuar, konsiderohet si standard i artë trajtimi), prap se prap, atyre në shumicën e rasteve u jepet një kurs kemoterapie! 

    Le të shohim shkurtimisht se çfar thonë disa punime shkencore për kemoterapinë. 

Për shembull: Një grup studiuesish, në Qendrën Fred Hutchinson të kancerit, në Seattle të Washingtonit (Fred Hutchinson Cancer Research Centre), ka zbuluar se kemoterapia inkurajon prodhimin e proteinës WNT16B, e cila ndihmon qelizat kanceroze jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për rritur. Po kështu, kjo proteinë bashkvepron me qeliza të tjera kanceroze, duke i nxitur ata që jo vetëm të rriten, por edhe të invadojnë qelizat e shëndosha, dhe si pasoj e këtij veprimi, ky kancer bëhet rrezistent ndaj trajtimit të më vonshëm që mund ti bëhet.

    Pra, sipas këtij studimi, llogjika të thotë se kemoterapia është një trajtim krejt i pa arsyeshëm, një gjë që është konfirmuar që nga viti 2012, por që është injoruar, dhe vazhdon të injorohet edhe sot.

   Vlen të përmendet se edhe pësë vjet më parë, punonjës të tjerë shkencorë, arritën në të njëjtin konkluzion, duke thënë se: Me ilaçe kemoterapeutike mund të arrihet një “fitore” e shpejtë kundra kancerit, por, po këto ilaçe, në të njëjtën kohë, aktivizojnë edhe një proces tjetër që, jo vetëm e lejojnë  rikthimin e këtij kanceri, por edhe e ndihmojnë atë që të metastasizohet, pra të përhapet edhe në organe të tjera.

     Ndërsa, Punonjësit Shkencor, të Kolegjit Mjekësor Albert Einstein, në New York, gjatë testimit të efekteve të kemoterapisë në qelizat kanceroze të gjirit, kanë gjetur se këto ilaçe aktivizojnë një mekanizëm riparues, i cili mundëson jo vetëm rikthimin e qelizave kanceroze, por i  bënë ata edhe më të fuqishme. Përveç kësaj, kemoterapia ndihmon për të krijuar atë që njihet si Tumor Microenvironments of Metastasis (TMEM), e cila, i lejon qëlizat kanceroze që të shpërndahen edhe në organe të tjera.

    Po ky grup shkënctarësh, mendon se këto efekte, kemoterapia i shkakton jo vetëm në kancerin e gjirit, por edhe në format e tjera kanceroze.

    Pothujse e njëjta gjë konfirmohet edhe nga grupi shkencor i Universitetit Emory, në Atlantë, të Georgias (USA). Ata, thonë se kemoterapia ndihmuese (adjuvant chemotherapy), është një arsye e madhe pse kanceri i gjirit rikthehet. Për shembull, TAXANES, (një nga ilaçet më të shpeshta të kemoterapisë), zgjon nga gjumi qëlizat e fjetura, (të cilat më parë ishin kanceroze), dhe në të njëjtën kohë, dëmton qëlizat e shëndosha që gjenden rreth zonën kanceroze. Po ky grup, testoj influencën e taxanes mbi  qelizat stromale kanceroze, (që gjenden në indin lidhorë), -dhe mbi qelizat e shëndosha. Në këto raste, ata gjetën se ky ilaç (DOCETAXEL, një lloj TAXANE), edhe në doza të vogla, kishte arritur të dëmtojë qelizat stromale, por jo qelizat kanceroze. Dhe për më keq, qelizat e fjetura, jo vetëm që ishin ririkthyer në qëliza kanceroze, (një fenomen, që shkencëtarët e përshkruajnë si “escaping from dormancy”), por  edhe kishin filluar të fragmentoheshin (të ndaheshin). Dhe ky proces kishte ndjekur  “efektin domino”, një fenomen, që unë, për shkak të kompleksitetit të tij teknik po e thjeshtëzoj:  Pra, qëlizat më parë të shëndetëshme, dëmtohen nga përdorimi i kemoterapisë, e si rrezultat çlirojnë dy molekula qelizore sinjalizuese, të cilat kanë aftësi që të rrisin inflamacionin G-CSF (granulocyte colony stimulating factor), duke aktivizuar kështu edhe palcën e kockave, -e cila nga ana e sajë çliron qeliza stemike (stem cells), dhe IL-6 (Interleukin-6), që është një molekulë me atribute pro, dhe anti-infamatore. Pra, edhe një herë u  vërtetua se këto procese stimulonin qelizat e fjetura, duke i kthyer ato, përsëri në gjendjen e tyre të mëparshme, kanceroze.

Tashmë dihet se këto dy molekula ndihmojnë për shpërndarjen e kancerit, dhe për aktivizimin e tij, mjafton edhe një dozë e vetme kemotherapie. Për më tepër, ky grup shkencor, vuri re se kemoterapia ri-programonte qëlizat kanceroze, në atë mënyrë, që ata ti rrezistonin mjekimit kemoterapeutik. Ndërsa, në eksperimentet me minj, ata gjetën se përgjigja e sistemit të tyre imunitar shëndërrohej: nga luftimi kundër kancerit, në promotor të rritjes së tij.

Duke u njohur me këto të dhëna shkencore, si dhe, duke ditur vuajtjet ekstreme që pacjentët përjetojnë gjatë sesioneve kemoterapeutike, duke përfshirë ketu dhe efektet anësore që ata shkaktojnë, (si problemet e zemrës, neuropatitë e ndryshme,leukemitë, rikthimin e kancerit, etj., etj.,) atëherë  natyrshëm del pyetja: A ja vlen marrja e kemoterapisë?

    Kjo pra, për mendimin tim, duhet të ishte në epiqendrën e diskutimeve doktorr-pacient, dhe nga këto diskutime, duhet të dalë edhe përgjigja e pyetjes sime. 

    *Në një shkrim tjetër, do të flasim për mundësitë e trajtimit jo-kemoterapeutik të kancerit.

Referencat: 1- NatMed, 2012; 18(9): 1359-68. 2- Sci TransMed, 2017; 9(397): eaan0026. 3- PloS Biology, 2023; 21(9): e3002275. 4- Kathy Katella, “Do You Still Need Chemo for Breast Cancer? Oct4, 2022, yalemedicine.org. 5- NewEng J Med, 2015; 372(2): 134-41

Dr. Zekri Palushi, Australi, 4 Gusht, 2024 

Filed Under: Sociale

Udhëpërshkrim me interes  i viseve shqiptare

August 15, 2024 by s p

Çdo botim nga autor të huaj, të cilët si subjekt kanë çështje të ndryshme nga hapësira etnogjeografike shqiptare, janë me interes për lexuesit të cilët kanë kureshtje për temat e trajtuara. Ne gamën e autorëve të tillë bën pjesë edhe Branisllav Nushiqi, ku kohë më parë të pëkthyer në shqip i është botuar libri  Nga Kosova deri në bregdetin Adriatik, ”Naimi”, Tiranë, 2021.

Nail  Draga

Kemi të bëjmë me një libër të veçantë  ku autori ka paraqitur shënime udhëtimi nëpër viset shqiptare  që janë shkruar në vitin 1894, dhe botuar për herë të parë në vitin 1903. Ndërsa në shqip na vjen i përkthyer nga gazetari e publicisti Fahri Musliu dhe botuar nga NAIMI, në Tiranë në vitin 2021.

Alkibijad Nusha(1864-1938) ka lindur në Beograd në familje tregtare vllahe, ku këtë emër e ka mbajtur deri në moshën 18 vjeçare, ku përcaktohet me emër e mbiemer  si Branisllav Nushiq. Ndonëse me profesion ka qenë jurist, por në opinion është i njohur me krijimtarinë e tij letrare. Ka shkruar romane, drama, tregime e ese. Eshtë marrë edhe me gazetari e diplomaci, dhe pozita drejtuese në institucionet e ndryshme kulturore si në Manastir, Novi Sad, Shkup, Sarajevë, Beograd etj.

Në lidhje me prejardhjen e tij përkthyesi F.Musliu ceken se Nushiqi nuk jep ndonjë shpjegim, por ai në Serbi konsiderohet shkrimtar serb me prejardhje vllahe. Por, F.Musliu  me tutje cekën se “sipas një miku timin,hulumtues i arkivave, mësoj se ka ekzisuar një letër testament  i Nushiqit dërguar të bijës së tij,ku ai flet për prejardhjen e tij shqiptare dhe se ky dokument ka ekzistuar në Arkivin e Kosovës, por tani nuk ekzison më. Një dokument të tillë  nuk e posedon as Arkivi i Serbisë, as Fondacioni i Nushiqit”. Pavarësisht këtyre të dhënave  apo të tjerave deri më tash nuk ka ndonjë konformim të saktë të prejadhjes së tij kombëtare, çështje e cila mbetën e hapur për hulumtime nga studiues të ndryshëm.

Nga opusi krijues i Nushiqit janë me interes edhe katër libra udhë-përshkrimesh që kanë të bëjnë me shqiptarët: “Kosova”(përshkrimi i tokës dhe popullit), “Nga Kosova e  deri në detin e kaltër”(versioni në gjuhën shqipe del botohet me titullin Nga Kosova deri në bregdetin Adriatik”), “Në brigjet e liqenit të Ohrit” dhe tregimin “Mbrëmjet e Ramazanit”.

Këtë libër duhet analizuar në kontekstin e kohës kur autori ishte zëvendes konsul në konsulatën serbe në Prishtinë. Kemi të bëjmë me një autor i njohur si shkrimtar, e në veçanti si dramturg, por edhe intelektual i cili na ofron pikëpamjet e veta në lidhje me rrethanat shoqërore e politike në Vilajetin e Kosovës dhe më gjerë.

Autori i këtij botim dëshmon se ka qenë i informuar për botime nga autor të ndryshëm të cilët kanë shkruar për Kosovën dhe shqiptarët, të cilët i ka cituar në raste të veçanta. Pavarësisht se kemi të bëjmë me një udhëpërshkrim i cili daton për vitin 1894, të dhënat e prezantuara duhet kuptuar nga qasja e autorit i cili ishte në shërbim të diplomacisë serbe. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse Serbia në atë kohë në Kosovë kishte shërbimin konsulor në Prishtinë, ku bënte pjesë edhe vet B.Nushiqi, në cilësinë e zëvëndes konsulit.

 Andaj, interesimi i veçantë për shqiptarët dhe pjesëtarët e popujve të tjerë në Kosovë dhe me gjerë e sidomos serbet dhe ortodoksët  nuk ishte rastësi, por strategji e politikës dhe e diplomacisë serbe të kohës.  Duhet kuptuar se Nushiqi në cilësinë e diplomatit shtetëror ai ishte i detyruar t´iu përmbahet politikës së jashtme të shtetit që përfaqësonte dhe të qendrimeve të tij  ndaj shqiptarëve dhe hapësirës etnogjeografike shqiptare.

Në këtë udhëpërshkrim autori fillon nga Kosova, përkatësisht Prishtina, duke vazhduar tutje në qytete e vise shqiptare e përfunduar në detin e kaltër që ishte ëndrra e politikës serbe për dalje Adriatik. Të dhënat e prezantuara janë komplekse si nga aspekti gjeografik, historik, etnografik, antropologjik dhe të raportëve shoqërore, kombëtare e fetare, nga del se kemi të bëjmë me një autor i përgatitur me njohuri përkatëse por edhe me qasje intelektuale për çështjet e trajtuara.

Por, duke lexuar këtë libër lexuesi  për shumë çka  nuk mund të pajtohet me  qasjen e autorit, por duhet kuptuar se ky udhëpërshkrim ishte sipas  konceptit të politikës serbe të kohës. 

Nga ajo që njohim deri më tash del qartë  se Nushiqi është shkrimtari dhe diplomati i parë dhe i vetëm me prejardhje jo serbe që aq shumë është marrë  me shqiptarët dhe viset shqiptare, që, ndoshta flet edhe për interesimin dhe përpjekjet që të zbulojë edhe prejardhjen e tij etnike.

Përkthyesi i këtij botimi F.Musliu nuk  ka hezituar për të dhënë shënime   plotësuese për çështje të veçanta, duke iu lëhtesuar lexuesve për të kuptuar me lehtë tekstin e prezantuar. Por, duke marrë parasysh se në këtë botim janë evidentuar një numër i madh i emërvendeve gjeografike, disa kanë mbetur të shënuara  në formën sllave, pa prezantuar  formën tradicionale qe përdorët nga popullsia shqiptare, andaj në ribotimin eventual të këtij libri duhet të përmirësohen.

C:\Users\123456\Desktop\nga-kosova-deri-ne-bregdetin-adriatik.jpg

Nuk ka dilemë se lexuesi shqiptar me përkthimin e këtij libri në shqip ka mundësi që të njihet më për se afërmi, me një vepër pak të njohur të autorit  e cila ofron të dhëna me interes për hapësirën shqiptare.

Ndonëse kemi të bëjmë me një botim i cili është udhëpërshkrim, ky libër  ofron të dhëna me interes për hapësirën etnogjeografike shqiptare, të shkruara me mjeshtri nga autori, në fund të shek.XIX, dhe si i tillë për disa çështje  mund të përdoret si referencë nga studiues të ndryshëm.

Branisllav Gj.Nushiq, Nga Kosova deri në bregdetin Adriatik, Botoi:”Naimi”, Tiranë, 2021

(Gusht  2024) 

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 976
  • 977
  • 978
  • 979
  • 980
  • …
  • 2953
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Eliot Engel, in memoriam…
  • «Dritë-shkronja» e Eugène Pittard
  • Propozimi i Presidentit amerikan Donald J. Trump për emërimin e Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri
  • Manifestimi i AAWO “Motrat Qiriazi”, nderohet sakrifica dhe suksesi i gruas shqiptare
  • Leonardo da Vinci, gjeniu që e shndërroi artin në instrument për të depërtuar në sekretet e krijimit
  • Kënaqësi të takohem me Presidentin Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton
  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…
  • “Ora e maleve”
  • Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh Jakov Xoxa
  • Njeriu-Mozaik
  • Samiti i Diasporës, njё skenë pa aktorë
  • Kosova përballë një prove historike shtetërore
  • YLLI MEÇAJ I VLORËS – ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH
  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT