• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mëkati i Justinës…

August 19, 2023 by s p

Luan Rama/

“… Zbrisnim gjithnjë e më shumë drejt Shkodrës. Vështroja peizazhin e mrekullueshëm dhe papritur m’u shfaq sërish imazhi i asaj kulle të nëmur dhe “shtriga” që ishte djegur në oborrin e saj. Çuditërisht asaj gruaje të panjohur që kishte ekzistuar dikur, i kisha dhënë imazhin e asaj që kisha imagjinuar kur kisha zbarkuar në fshatin e Qershizës. Mbylla sytë dhe mendova: “Ç’kishte ndodhur vallë pas djegies së Justinës? Po me vajzën e saj?

Shumë vite më vonë në fshatin Qershizë tregohej se Frani ishte vrarë në afërsi të Varrit të Pashait, udhës për të shkuar në malet e Sharrit, dy ditë larg. Thoshin se ishte ndeshur me një patrullë turke që shkonte për në Shkup, të cilët e kishin ndalur, por i egërsuar siç ishte, me thikën e tij të gjahut, kishte vrarë dy prej tyre dhe, duke u larguar, një plumb i kishte përshkuar këmbën tej e tej. Turqit e kishin kapur, e kishin lidhur dhe varur pastaj në një pemë aty afër. Që atëherë ajo pemë quhej «Pema e Franit».

Mendoja për fatin e asaj që ishte konsideruar shtrigë dhe papritmas m’u rishfaq figura e Çirçes që kisha parë në një film për udhëtimin e Odisesë. Çirçja e Homerit me kupën në dorë që i jepte Odiseut ta pinte dhe aftësitë e saj në transformimin e njerëzve në kafshë. Historia e shtrigave është padyshim një histori tepër e vjetër e njeriut, që në kohët primitive, pagane. Vullkanet, rrufetë, eklipset, kometat, lindja dhe perëndimi i diellit bënë të krijoheshin në psikikën e tyre figura me fuqi mbinjerëzore, hyjni dhe Zota. Hyjnitë e antikitetit erdhën shumë më vonë. Instinkti e shtynte njeriun të besonte në ekzistencën e një fuqie të fshehtë dhe diabolike. Kështu ndoshta u krijua dhe Djalli, kjo forcë e kundërt me të Mirën. Me kalimin e shekujve, shtrigat dhe magjitë do ta shoqëronin njeriun, sistemet shoqërore. A nuk ishin tri shtrigat që i parathoshin Makbethit fundin e tij?… Shekspiri ishte frymëzuar pikërisht nga një fakt i vërtetë. Kur Ana e Danimarkës po shkonte drejt Skocisë të martohej me mbretin, rrugës në det, një stuhi e madhe desh i mbyti. Mbreti urdhëroi inkuizitorët të gjenin magjistricat që kishin bërë këtë magji. Nën torturë, disa prej tyre u detyruan të pohonin thëniet e xhelatëve se gjoja kishin bërë magji. Sigurisht i vranë, por gjithë kjo ishte thjesht një paranojë e mbretit, ashtu siç ishte dhe kur mbreti anglez Henry VIII urdhëroi që gruas së tij t’i pritej koka. Madje ajo u akuzua nga kisha se ishte shtrigë dhe se kishte njëmbëdhjetë gishta e jo dhjetë si gjithë njerëzit. Por kur në shekullin e XIX u hap varri i saj dhe vështruan kockat, u vërtetua se gjithë kjo ishte një mashtrim…” – fragment.

Filed Under: Emigracion

URATA NË ERË…

August 12, 2023 by s p

Zija Çela/

“Të dëgjoj. Po pra, të dëgjoj. Por nuk të shoh. Rruga e mbarë, rruga e mbarë, e mbarë u qoftë, o Zot!”

E ndjeva se kisha folur me vete. Fshehur mes reve, diku atje lart, gumëzhinte një avion me udhëtarë të panjohur në bord. Sa ishin, kush ishin, nga vinin, ku shkonin?

Teksa bëj ecjen e zakonshme mbrëmjeve, kjo nuk është as e fundit dhe as e para herë që lëshoj urta në erë. Si, si thashë, i lëshoj dhe humbin në erë?! Ah, jo kurdoherë.

Me të zbardhur mëngjesi i asaj natës, kur nuk e shquaja dot avionin, në telefon gjeta këtë mesazh:

“Kohë pa komunikuar, por jo pa u kujtuar. Je bërë prej kohësh një nxitës për ne. Edhe kur duam ta “mallkojmë” letërsinë, që natyrisht s’na i ka fajet, themi: Shkruan ende Zija Çela! Dhe kjo me plot kuptim.

Ç’kohë!… Politika ka futur hundët edhe në shuajtën hyjnore të Apollonit. Por vuajtjen e kësaj katrahure ti e tret në historitë magjike të romaneve të tua. Le të marrim shembull, do të vijë një ditë… Jetuam njëfarësoj si artistë, tash jemi thjeshtë emigrantë të copës së bukës. Na e bëre nderin me pash në këtë botë dorërrudhur… Shkruaj, i dashur mik, siç di ti, shkruaj në fushën e minuar. Dhe si një çmontues i duruar, bëje këtë edhe për ne, të ikurit.”

Për të arritur deri tek unë, sado që logjikisht nuk pritet përgjigje për një urim në erë, edhe ky mesazh kishte udhëtuar në eter. Miqtë, me të cilët shihesh fort rrallë, ose që kurrë s’je takuar fizikisht, çuditërisht ruajnë përherë një enigmë, një si befasim me ca gëzim, me ca trishtim.

Në erë, në erë, hidhni urata përherë.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Zija Cela

KUR “THE NEW YORK TIMES” PASQYRONTE ARRATISJEN E ISMAIL QEMALIT NGA KONSTANDIOPOJA

August 8, 2023 by s p

Nga Evarist Beqiri/

Arratisja e Ismail Qemalit nga Stambolli më 1 maj 1900, bëri bujë të madhe në pallatin perandorak “Yildiz”, dhe e tronditi Sulltan Abdyl Hamidin II. Kjo ngjarje pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë Perandorisë Osmane. Gazeta e mirënjohur amerikane “The New York Times”, në dy artikuj që mbajnë datat 2 maj, 1900 dhe 3 maj, 1900, do të pasqyronte lajmin dhe kërkesën për azil të Ismail Qemalit në luftëanijen britanike. NYT e përshkruan emërimin e tij si guvernator i Tripolit, si të barazvlefshëm me internimin e tij.

Ismail Qemali menjëherë pasi u njoh me vendimin e Sulltanit për emërimin e tij si guvernator i Tripolit, vendosi të arratisjes nga Stambolli për në Evropë, me ndihmën dhe mbrojtjen e ambasadorit britanik në Stamboll Sir Nicholas O’Connor. Ismail Qemali përgjatë gjithë jetës së tij ishte një liberal filobritanik. Dhe njohjet e tij në qarqet e larta të politikës dhe diplomacisë britanike, ai i shfrytëzoi fillimisht për të siguruar përkrahjen britanike, në realizimin e një grusht shteti të dështuar ndaj Sulltan Abdyl Hamidid II dhe më pas për themelimin e Shqipërisë.

Në vitin 1901, Ismail Qemali mori pjesë në ceremoninë mortore të Mbretreshës Viktoria në Londër. Ismail Qemali ishte ndër të paktët personalitete otomane që përpiqej të ndryshonte sistemin e qeverisjes në Perandorinë Osmane. Me mbështetjen e ambasadorit të atëhershëm britanik në Stamboll Sir Philip Currie, Ismail Qemali, botonte gazetën me pikëpamje liberale me titull “Rruga e Ideve” (Mecra-yı Efkar), e cila promovonte idetë liberale për reforma decentralizuese, dhe po korrte sukses në qarqet intelektuale otomane.

Në vijim, vetëm pas këmbënguljes së madhe të sulltanit kjo gazetë u mbyll. Sulltan Abyl Hamidi II, u përmbajt nga vendimi për ta arrestuar Ismail Qemalin, vetëm për shkak se ai gëzonte mbrojtje diplomatike nga Britania e Madhe dhe një veprim i tillë do të kishte pasoja në marrëdhëniet dypalëshe. Por, menjëherë pas një manifestimi në konsullatën britanike, të organizuar nga Ismail Qemali, Sulltani vendosi dëbimin e Ismail Qemalit, duke i dhënë atij postin e guvernatorit të Tripolit.

Ky ishte i vetmi ndëshkim që Sulltani mund t’i jepte atij në atë moment. Sulltan Abyl Hamidi II ishte i vetëdijshëm për mbrojtjen që do t’i jepnin atij britanikët, në rast të arrestimit ose internimit të Ismail Qemalit. Prandaj, Sulltani e pa largimin e Ismail Qemalit nga kryeqyteti në këtë formë si zgjidhjen më të mirë. Tripoli ishte një nga provincat më të largëta dhe më të vështira të Perandorisë Osmane, e cila kishte lidhje me Stambollin vetëm me rrugë detare.

Gazeta “The New York Times” thekson rëndësinë që kishte kjo ngjarje duke e krahasuar me arratisjen e kunatit të Sulltan Abdyl Hamidit II, princit Damad Mahmud Pashës, ish-ministër i drejtësisë dhe ish-ambasador:“Arratisja e Ismail Qemalit nuk është më pak e rëndësishme sesa ajo e Mahmud Pashës, kunatit të Sulltanit, i cili u zhduk nga Konstandinopoja më, 14 dhjetor, dhe konsiderohet si një tjetër simptomë e gjendjes aktuale në Turqi.”

Ismail Qemali përshkruhej nga shtypi evropian si “një njeri i drejtë, i ndriçuar, dhe i edukuar”. Lajmi i arratisjes së Ismail Qemalit u pasqyrua gjerësisht në shtypin e evropian të kohës dhe bëri bujë edhe në Shqipëri. Ky moment do të shënonte një pikë kthese vendimtare për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe të ardhmen e saj. Arratisja nga Stambolli e veshi Ismail Qemalin me një aureolë të shndritshme dhe me mantelin e heroit në sytë e shqiptarëve.

Në qershor të vitit 1901, Gjykata Penale e Stambollit e dënoi Ismail Qemalin me vdekje në mungesë, me konfiskimin e pronave dhe humbjen e të drejtave civile. Ai u akuzua për “orvatje për të nxitur popullin kundër Qeverisë dhe Sulltanit nëpërmjet botimeve për kryengritje dhe me mënyra të tjera”. Kujtesa popullore e ka fiksuar me këto vargje emblematike këtë çast:

“O Qemal kur te përzunë

Kur të përzuri Turqia

Cili je ti more burrë?

Që na vjen nga Shqipëria

Unë jam ‘Smail Qemali

Mbrapa më vjen historia

Sazan e Karaburun

Janë vatanet e mia

Do ti marrë se s’është punë

Është e jona Shqipëria.”

Konsulli austro-hungarez në Vlorë, Petroviç do t’i shkruante proverbialisht ambasadorit austro-hungarez në Stamboll, baronit Kaliçe, në një raport të datës 14 maj 1900, se “tek Ismail Qemali, shqiptarët shohin udhëheqësin e tyre të ardhshëm.” Nga Brukseli, në tetor të vitit 1900, Ismail Qemali do t’ju drejtonte një thirrje gjithë shqiptarëve, ku ndër të tjera shkruante: “Të gjithë sa jemi shqiptarë, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, pleq e të rinj, duhet të bashkohemi dhe ta çojmë vendin përpara në rrugën e qytetërimit, duke i treguar Europës se shqiptari ka mbetur gjithmonë europian në gjak dhe se nuk dëshiron gjë tjetër veçse të forcojë kombësinë e tij dhe të qytetërohet”.

Dhe në fund, pavarësisht vështirësive dhe pengesave të mëdha, veprimtaria e Ismail Qemal Vlorës dhe patriotëve të tjerë shqiptarë, në vitet 1900-1912, do të rezultonte vendimtare dhe do të kurorëzohej me Pavarësinë e Shqipërisë, në Vlorë, më 28 nëntor 1912…

Filed Under: Emigracion

“Njeriu, inteligjenca dhe media sociale”

August 7, 2023 by s p

Irena Kuka Dragoti/

A duhet të ulërasim për ti treguar botës sa inteligjentë jemi? Në Bio-n e facebookut tim kam shkruar një thënie të Rochefoecauld “Është shenjë inteligjence, të dish të fshehësh inteligjencën tënde”. Jo më larg se dje pata një debat konstruktiv me një mike të mirë,me argumente e kundërargumente në lidhje me këtë postulat. Unë mbroja e mbroj mendimin se inteligjenca nuk është shtizë, që duhet tu shpojë sytë njerëzve, që duhet trumbetuar e valëvitur si flamur në rrjete sociale, kurse sipas saj, inteligjenca duhet shfaqur sepse në të kundërt të vendos përposhtë injoranca. Jo rrallëherë mendoj se ulërasin më shumë ata që nuk e kanë, ata që nuk kanë shënuar asnjë arritje në jetë, ata që duan vëmendje të pamerituar, apo ata që duan ti shpëtojnë harresës, ndaj ende më mundon pyetja :

-A duhet të ulërasim për ti treguar botës sa inteligjentë jemi? A duhet ti imponojmë njerëzve, klasifikimin që i bëjmë vetes?

Kur vetë koncepti inteligjencë edhe sot e kësaj dite nuk ka një përkufizim konkret, nga e dimë ne, nëse realisht e meritojmë këtë emërtim? Mos vallë duhet të presim që për inteligjencën tonë të flasë me kohën vepra e jeta jonë? Gjithkush beson, se ka mjaft prej inteligjencës – thotë Rene Descartes. Këtu bëj pjesë unë, ti e kushdo njeri në glob. Inteligjentët e vërtetë, as vetes nuk ia pranojnë këtë. Për ta jeta është një udhëtim i gjatë ku ka shumë për të mësuar kurse pjesa tjetër e njerëzve ia thonë çdo ditë vetes, por njëherazi përpiqen ti mbushin mendjen mjedisit që e rrrethon me deklarata e zhurmë të panevojshme. Inteligjentët e shohin intelektin si një ndërthurje mes trashëgimisë e mjedisit e jo si një dhunti të paarritshme nga kushdo. Këtu më vjen ndëmend thënia: “Nuk është e vërtetë se jam më i mençur, unë u qëndroj më gjatë problemeve mbi kokë” – Albert Ajnshtajn. E kujt i intereson inteligjenca jote kur edhe nëse e ke, e sheh veç si medalje? A je vallë aq inteligjent sa thua, o njeri?

Cili është etaloni me të cilin ti e mat veten? Intelekti nuk është vetëm një diplomë universiteti, as një titull a gradë që një zot lart e di si e ke marrë, sepse shkollimi jorrallëherë ka qenë mundësi e luks për shumë individë që e meritonin. Çdo individ gjatë gjithë jetës së tij nëse do, mund të mësojë nga përvoja e problemet, nga leximi i vazhdueshëm, puna e miqtë apo mjedisi ku jeton. Është në dorën e gjithkujt, gjate gjithë jetës nëse do ta perfeksionojë e maturojë inteligjencën e tij qoftë edhe pa iu imponuar askujt. Është po kaq në dorën e gjithkujt nëse do ta lejojë egoizmin e narcizmin ta mbytë duke mbetur në vendnumëro. Eshtë e pamundur që njeriu të zoterojë dijen për çdo gjë. Eshtë e pamundur fizikisht, por edhe moralisht më mirë që nuk i di, sepse janë mbingarkesë e pavlerë. Mjafton të dish diçka të rëndësishme: Prej nga vjen shpirti yt e drejt kujt shkon. Kjo është dija e të gjithave. Kështu që kudo që të jetosh, shiko drejt pafundësisë e do të kuptosh se kush je ti dhe fundësia së cilës i përket.

Inteligjencë nuk do të thotë të zhbirosh e analizosh cdo ngjarje e individ jashtë teje me vështrimin negativ.

Nuk do të thotë të mbledhësh detaje për të deliruar në fantazi…

Nuk do të thotë krizë besimi e hije dyshimi te gjithkush duke i renditur armiq.

Nuk është një postim bullizues në facebook për të mbledhur duartrokitje, ndërkohë që arti yt nuk merr as një shikim mëshirues.

Nuk është të ndjekësh e gjuash me gurë çdo qen, që del e leh rrugës tënde.

Inteligjenca është pikerisht e kundërta, është heshtja në vend të ulërimës…

Eshtë përmirësimi e leximi i vetes çdo ditë, është largimi nga detajet duke u marrë me thelbin.

Eshtë të mos imponosh tek askush mendimet e zgjedhjet e tua e ca më keq vlerësimet. Është gjetja e së mirës tek çdo gjë sado ligësi e paaftësi të bartë ajo. Është një madhësi mendimi përtej vogëlsisë së dënimit apo poshtërimit. Është një sprovë e vetes po aq sa një udhëtim i vështirë. Është të bësh atë që di më mirë, të ndjekësh pasionin e ëndrrën tënde plot dashuri pa pritur të të ndjekë pas si etalon, askush. Inteligjenca fle e zgjohet me veten, e nuk vuan nga vetja apo deliri i madhështisë. Për hir të inteligjencës që pretendon se posedon përpiqu që e mira jote të tejkalojë veten. Inteligjenca njerëzore është kapaciteti intelektual i njerëzve, që karakterizohet nga perceptimi, vetëdija dhe vullneti. Përmes inteligjencës së tyre, njerëzit mësojnë, kuptojnë, aplikojnë logjikën dhe arsyen, duke krijuar modele e zhvilluar ide, projektojnë ëndrra, zgjidhin probleme, marrin vendime, memorizojnë, dhe përdorin gjuhën e zemrës për të komunikuar. Si përfundim sejcili nga ne duhet të pyesë veten sa përjeton e sa mendon? Ndoshta marrim një përgjigje sa inteligjentë jemi realisht.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Irena Kuka Dragoti

UNË, EMIGRANTI…

August 7, 2023 by s p

Kastriot Fetahu/

A do ta njihnim historinë e popujve pa mërgimin e një pjese të tyre, që nga thellësitë e shekujve?

A “erdhi” tek ne Troja dhe Itaka nga një poet shëtitës, “mërgimtar” si Homeri?

A mos vallë historia dhe zhvillimi i Perëndimit janë në nivele përherë më të larta se Lindja edhe nën ndikimin e këtij fenomeni?

Nuk e kisha menduar asnjëherë më parë të lija Atdheun tim, pasi e ndjeja që do të kisha një jetë të trazuar përmes të panjohurave që i ngjanin ecjes si një i vetmuar në një pyll ekuatorial, ku lianet do të dukeshin aleatët e vetëm…

Nuk po largohesha nga një vend me rregjim tiranik, (edhe pse demokracia e pambërritur nuk kishte aromën e saj), por e ndjeja që inteligjenca vlerësohej më pak se muskujt e gangsterrit të lagjes dhe fjala nuk kishte peshë, më dukej se aty radikalizimi i trukuar i jetës politike që derivon edhe në atë sociale, pjell “Robespierë” të vegjël si matrioshkat pambarim…

Politika më vrau ëndrrat, më varfëroi dëshirat, më tjetërsoi objektivat, më humbi besimin dhe ndërtoi një labirinth mendimi fundor ekzistencial, nga i cili për të dalë duhej një “Arianë”, gjithmonë e munguar në vendin tim.

Kur kalojmë kufijtë dhe nuk “kthejmë kokën pas,” jemi ne që bëjmë mëkat ndaj Atdheut, apo ka të tjerë mëkatarë që na induktojnë nga pak çdo ditë idenë e braktisjes me ato çfarë bëjnë dhe nuk bëjnë për ne??

Ikja e një emigranti mbart guxim, kurajo, një aventurë epike me ngulçe të fshehura shpirti, një nisje në errësirën e mëngjesit për të dritësuar errësirën e jetës dhe të gjitha këto vijnë si një protestë për t’ju mohuar ju, se nuk ngjallni më besimin edhe kur pëshpërisni “iku dhe ky” me një lloj dhembje të pangjyrë hipokrite, duke sanksionuar kalbëzimin e inisiativës dhe shpresës për ndryshim, pasi gjithmonë ikin pionerët, ikin ata që ndjekin akoma ëndrrën e “Yukon” të Alaskës së London!

Njeriu, që në lindje të shoqërisë njerëzore me mitin e Evës dhe Adamit, ishte mërgimtar.

A nuk mërguan edhe Poseidoni me Hadin, kur i dëboi (legjendat thonë edhe me short ky mërgim) Zeusi nga Olimpi, pasi eliminoi Kronosin?

Bota jonë duket sikur është një turmë mërgimtarësh të ikur apo të dëbuar për arësye të ndryshme, që dëshpërimin e kthejnë në energji krijuese në historinë e re, kur e fillojnë në vendin e panjohur, i cili i tremb gjithmonë me puzzlet që e rrethojnë si rrethi qarkun e tij në gjeometri.

E kam menduar edhe planetin si një emigrant që ka ndërruar orbitën fillestare në tjetër orbitë…

A është mohimi i të shkuarës së vetvetes, që derivon në rilindje, mërgimi i njeriut nga Adami dhe deri më sot?

Ditën që avioni i “Lufthansa” u ngrit me një uturimë të mbytur në ajër, mendova se koha e streseve vulgare do të mbaronte.

Mbërritja në tokën e premtuar, (tokën e George Washington dhe Abraham Lincoln, që jo më kot është shteti i parë i botës dhe i themeluar nga emigrantë), u shoqërua me ndjesi ku edhe gëzimi bënte pjesë…

Chicago, qyteti ku qielli ka zbritur në tokë!!

Është bukur, është paqe individuale, është siguria që askush nuk të njeh dhe ti nuk je i ndrydhur se po të gjykojnë duke të veshur gjendje të shprehura me fjalë si “egoisti, mediokri, mendjemadhi, përmbledhur me shprehjen tipike bullizuese -ja ky…- pa cituar fundin e saj.

Më ka intriguar gjithmonë historia e këtij vendi dyoqeanik…

Kam pyetur veten se… a është përplasur me fisin e gjuhës Maskóki, që më pas u bashkuan me Seminolët luftarakë (Florida), Christopher Columbus kur zbarkoi me “Santa Maria” në brigjet e “Indisë”?

Kisha lexuar më parë “Osceola, prijësi i Seminolëve”, përkthyer nga profesori im Hajrulla Zonja, madje kisha parë dhe filmin “Osceola”.

Komplekset e tua emocionale të fshehura me kujdes me atë pamjen mistike pa asnjë shprehje në fytyrë në vendin nga vjen, këtu sa vijnë e treten.

Sa fytyra “të ngrira”, si e Sharli Bovari, kam parë në atë vend…?!

Më duket sikur Liria e çliruar dhe e pavëzhguar nga sytë dinakë të atyre që të njohin, është Liria e munguar!

Ndërsa Liria juaj duket sikur ekziston vetëm nën maskën veneciane të shekullit të XVIII…

“Aty ku banon Liria, atje është vendi im,” kjo, një frazë latine që e kishte për zemër James Otis, ligjvënës kolonial dhe mbështetës i hershëm i kauzave patriotike në Koloninë e Gjirit të Massachusetts në fillim të Epokës Revolucionare.

Ne jemi një popull që e përqafojmë shpejt perëndimin, po kur kthehemi në Atdhe se kuptoj pse ndonjëherë bëhemi më “lindor” nga sa ishim, kur morëm udhën e ëndrrës “Londoniane”?!

Duket sikur i ngjajmë rrymës alternative…

Këtu më sundon habia e hutuar, më mban peng fillimisht, e shoqëruar me një frikë manuale pa objekt real.

Heshtjet e mia nuk janë të zhurmëshme si në Tiranë dhe nuk mi dhuron askush, jam unë që i kërkoj për tu fundosur në to…

Sa larg është iluzioni me realitetin në mendimin e një emigranti në vendin e ri ku ai jeton??

Emigranti, një qënie që endet midis luftës dhe paqes handikape në mendjen e tij dhe që herë herë më duket si subjekt i veprës së Engelsit, (filozofit materialist në veprën e tij “Gjendja e klasës punëtore në Angli”), sidomos ata që janë informalë…

Ëndrrat zbehen shpejt dhe ti ridimensionon dëshirat…

Nënqesh hidhur kur kujton se në Shqipëri pëlqeje “Cadillac Escalade” dhe rrjetin e supermarketeve Whole Foods (Jeff Bezos), më i miri dhe natyrisht më i shtrenjti.

Po i arratisemi ne civilizimit, apo po na arratiset ai, neve(?)… përsiata pa artikuluar dot asnjë përgjigje!

Një ditë, pasi rrëkëlleva disa birra, guxova të bëj analogji…

Ku ndryshoj unë nga franko-algjeriani Albert Camus, (edhe pse ai është një emigrant i brezit të dytë),?

A jam më shumë se Camus, multikulturalist?

Çfarë sistemi vizualizimi kishte ai në ndryshim nga unë për vendet respektive?

Kush prej nesh dëshiron më tepër diversitetin se sa homogjenizimin?

A kërkon dikush tjetër ti ngjajë zotit Merso, (i huaji)?

Shpejt u kthjellova, por nuk e harrova Camus…

Në dukje gjithçka është ok, por jo belbëzimi im në anglisht për të thënë çfarë dua…

Një vajzë e bukur po qeshte një ditë, duke më parë në starbucks (kafe) dhe nuk dija çfarë të përjetoja, pasi bullizmi dhe simpatia nuk kuptohen qartë nga unë, një i huaj, në fytyrën e asaj vajzës pa shprehi të deklaruara.

Nuk e di, pse kur dëgjoj gjuhën e vendasve, gjuha jonë më kujton fronin e Bourbonneve?!

Kur më ndaloi një polic, pse kalova me “të kuqe” në semafor, nuk më bërtiti dhe as u shqetësua fare, kur preu fletën e gjobës 200 dollarë…

Më erdhi në vemendje një homolog i tij shqiptar në aksin FushëKrujë – Lezhë, kur për një shkelje, pasi bërtiti sa ju ngjirr zëri, më dha dokumentat e me zë gati të mekur … -ik, mos të shoh më me shkelje…!-

Në restorant kamerierët buzëqeshin, duke të pyetur “mungon gjë(?)”, aq shpesh sa unë “mbytem” të mbaroj sa më parë, të paguaj e të iki…

Asnjë fqinjë nuk më flet, veç të dhurojnë një si lloj ngërdheshje të kontraktuar, që tenton buzëqeshjen e sinqertë!

Emigranti më duket si një madhësi fizike që i jep nxitimin centripet zhvillimit të Atdheut të ri dhe merr si shpërblim nxitimin centrifug, duke ngelur gjithmonë “kloni” i shoqërisë së atij vendi.

Të jesh emigrant, jeton me këtë hije dhe një shpirt në dy botë.

Nuk e kam kuptuar dot, se ku është kufiri midis emigrantit, qytetarit të botës dhe kolonialit?

Statujat këtu janë gjigante, por nuk më ngjallin emocion, sikur të jenë prej argjile të ngjyrosur akoma pa u tharë!

Gjithmonë e kam adhuruar Odhise Paskalin dhe bazaltin e tij!

Ju mendoni se keni ndryshuar kur fëmijët janë rritur e integruar, ose shtëpia juaj e fëmijërisë fillon e dobëson lidhjet me ju dhe kuptoni se e kaluara nuk është kurrë aq e fortë sa një send i shenjtë në të i trashëguar me breza, por si një pasqyrë e thyer, hije njerëzish me fytyra që nuk i shihni dhe kështu, nuk mund ta shpirtërojmë atë lehtësisht.

Ti nuk harron asgjë, as çastin kur mbylle derën e shtëpisë për herë të fundit me një psherëtimë të thellë, fshehur buzëve të shtrënguara nga idetë e turbullta, që donin të shpërthenin nga burgu i tyre, por tani ato janë një masë tuli kujtimesh, një pelegrinazh në varrezën e tyre, ku në vend të qiparisave, janë sende që ecin si në një filëm me metrazh të shkurtër dhe që xhirrón si kaseta në aparatin e vëllezërve Lymier!

Po këngën “Për ty Atdhe”, Pjetër Gaci e ka kompozuar?

Pse disa na konsiderojnë atdhetarë pa Atdhe?

Pse na çnderojnë kaq djallëzisht me emrin “refugjat”, si muhaxhirët klasik beduinë??

Më duket sikur me padurim presin ca, që të na çrregjistrojnë…

Një ndjenjë e zhdrejtë komunikimi të mundon këtu edhe për shkak të gjuhës edhe për zakonet jo të njëjta duke e dramatizuar më shumë dramën e emigrantit.

Nuk më pyet askush se si i kam hallet dhe kjo më detyron t’ju kthehem kujtimeve me miqtë e mi, kur i ndanim ato sëbashku, për të gjetur pak ngushëllim si X i një zgjidhjeje ekuacioni, për ti ikur makthit të errësirës me dritën e miqësisë.

Po Zoti ndihmon më shumë një emigrant, apo një “patriot”?

Rruga e jetës së emigrantit më duket si një kalldrëm me një fund pa mirazh, që në vend të gurëve, ka toptha gjaku e djersë të koaguluar, trotuarët e tij janë shtruar me pllaka psherëtimash dhe anës tyre ca pemë ku degët janë gjymtyrët e tij, gjethet e të cilave pikojnë mëngjeseve të vesuar… vetëm lot!

Të kthehet (?)… një dilemë hamletiane.

Këtu jeton në një shoqëri që e perifrazon mjaft bukur filozofi i famshëm Karl Popper, intoleranca është një gjë që një shoqëri tolerante nuk mund të lejojë të tolerojë.

Dy nobelistët shqiptarë e kanë fituar çmimin në mërgim.

… E kam menduar edhe vdekjen dhe mendimi ka udhëtuar nga urna e hirit deri tek banorët e mëhallës së vjetër, që pëshpërisin për politikën në funeralin tim…

Më duket vetja si emigrant i një populli, që i ngjan një rrapi të palëvizëshëm, nën hijen e të cilit më parë kanë qëndruar popuj të tjerë, në këtë botë emigrantësh!

Mbrëmjeve “arratisem” tek prindërit e mi…

Strukem në fjalët e Nënës me mallin e lotuar, larg syve të njerëzve…

Po këta kanë Nënë?

Pse askush nuk e përmend ndonjëherë?

Më kujtohet një miku im, i cili kohë më parë më tha… “Një ditë, unë, nuk i gjeta më Nënën dhe Babain, kur u ktheva beharin tjetër në Atdhe… !”

Meditoj në heshtje, (nuk e di kush e shpiku heshtjen?).

Po dhembjen time, dhembjen time, që këta nuk e kuptojnë dot, kush do ma shëroj… ??

Filed Under: Emigracion Tagged With: KASTRIOT FETAHU

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • …
  • 187
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT