Nga Ilir Levonja/
Para pak ditësh webet italiane shkruanin se Ciprasi nuk është shpëtimtari i Greqisë, por shenjti i të dëshpëruarve. Në këtë konstatim me nota ironie ka me të vërtetë një ndryshim thelbësor. Por edhe një lloj afrimiteti mes popujve. Kjo jo vetëm për shkak të krizës. Apo gjëndjes së vështirë që po kalon ekonomia e tregut në përgjithësi. Por edhe lodhjes së popullit me të njëjtat fytyra.
Me të njëjtit emra politikëbërësish etj.
A janë të dëshpëruar grekët? Sigurisht që janë. Mjafton të vozitësh pak mbi shifrat e borxhit, indeksin e rritjes së ekonomisë etj.., që të kuptosh këtë. Ndërkohë, nga lidhjet me njerëzit tanë atje, dëgjojmë prej kohësh të njëjtin problem, punën e pa paguar.
Nga ana tjetër është vënë re se krizat ekonomike, nga historia e tyre në vende të ndryshme, kanë për bazë një lloj atmosfere të tillë, pra si të thuash qullosjen e entuziziazmit popullor për të vazhduar me reformat apo për të ndryshuar gjëndjen. Kështu që, afërmendsh Ciprasi me të drejtë quhet si shenjti i të dëshpëruarve.
Ku qëndron ky afrimitet dhe pse me të drejtë vëndet përreth Greqisë, përfshi edhe ne e admiruam ardhjen e këtij komunisti të ri në krye të shtetit helen? Aleksi Cipras është një adhures i Ernesto Guevarës, njëriut simbol të komunizmit. Por që në dallim me etërit, jeton në mënyrën e qytetarit kapitalist me bashkëjetesë. U bë lider 33 vjeç. Dhe brenda një periudhe të shkurtër, 6 vjeçare ktheu partinë e tij, fillimisht si e para opozitare. Dhe sot i dha asaj mundësinë të qeverisë vendin.
Po cilin vend? Vendin e tij! Dhe kur? Në kohën e dëshpërimit! Në atë më të keqen. Kur Greqia e kulturës dhe modeli i studimit të antikitetit të shkollave të botës, është sot fytyra e katastrofës së ekonomisë së tregut.
Sot gjithë webet hapeshin me fjalët e kancelares gjermane, që thoshte se nuk ia falim borxhin Greqisë. Në fakt më mirë se vet Ciprasi e di Angela Merkel se, tashmë nuk bëhet më fjalë për shlyerje borxhesh, por për unifikim brenda borxhit. Borxhi i Greqisë, është tashmë borxhi i vetë Europës. Në një farë mënyre si e keqja e një pjestari brenda familjes, që është e keqja e përbashkët e saj.
Sot në Shqipëri aludohet me të drejtë për një lloj i modelit të tillë. Një Cipras shqiptar? Nuk më bëri përshtypje që e kërkonte edhe Turqia? Kjo ka domethënien se pesha arkaike e klasës së deritanishme ka dështuar. Mirëpo kur mendon se që nga lufta e gjeneralëve, Greqisë iu deshën dyzetë e një vite (aq sa është mosha e Ciprasit sot) të rimodelohej, për ne duket se jemi akoma larg.
Sidoqoftë kur çon nëpër mendje emrat e politikanëve ”të rinj” shqiptarë, në përgjithësi territoret tona. Askush nuk është i krahasueshëm me Ciprasin. Përmendin Albinin? Dhe vërtet, pse ka disa detaje të sakrificës, (si shitja e shtëpisë për të ndihmuar Vetvendsojen në 2010) akoma nuk ka popull për ‘të. Po ndërsa në Kosovë ka ndonji shenjë…, në Shqipëri? Asesi! Jo që nuk po del dikush të shesi, por po i katërfishojnë shtëpitë, duke ndarë gratë, fëmijët dhe qentë.
Duket se dëshpërimi i Shqipërisë, shqiptarëve, është vetëm në trenat me klandestinë. Kësisoj, edhe shenjtit.
IN MEMORIAM
MUHARREM SHERIF KRASNIQI-VETERAN I ARSIMIT NË LUG TË BARANIT(1921-2015)/
Nga HARRY BAJRAKTARI/
Në Vranoc vdiq Muharrem Krasniqi, veteran i arsimit dhe mësuesi i parë në Shkollën fillore në Baran të Pejës. I ndjeri rrjedh nga një familje e njohur me traditë patriotike, e cila në perudha të ndryshme historike ka dhënë kontribut të çmueshëm në luftë për liri dhe pavarësi të Kosovës dhe të rojeve tjera etnike shqiptare. Nga rinia e hershme Muharrem Krasniqi iu përkushtaua shkollimit dhe arsimimit të popullatës së Lugut të Baranit, duke marrë parasysh se, në kohën kur ai u emërua mësues në Baran në vitin 1943, numri e shqiptarëve të arsimuar ishte fare i vogël, jo vetëm në këtë anë, por në tërë Kosovën. Duke parë këtë situatë të vështirë të arsimit në gjuhën shqipe dhe mungesën e kuadrove në këtë fushë, Muharrem Krasniqi nuk kursei as kohë as mund që t’ u dalë në ndihmë banorëve të Vranocit dhe të fshatrave të Lugut të Baranit.
Muharrem Krasniqin, pas përfundimit të Luftës së II Botërore, më 1945/ 1946 e gjejmë prapë në Shkollën e Baranit. Duke qenë një kohë drejtues i këtij institucioni të arsimimit fillor dhe mësues, ai ndërmori një aksion të gjerë për regjistrimin e një numri sa më të madh të nënësve në klasën e parë, ku në atë kohë kishte familje që hezitonin për t’i dërguar fëmijët e tyre në bankat shkollore. I motivuar nga vullneti i madh, Muharrem Krasniqi hyri shtëpi për shtëpi për t’ i bindur bahkëvendasit e tij dhe të rretinës se pa shkollimin e fëmijëve nuk mund të ketë përparim dhe vetëdije kombëtare. Aksioni i këtij arsimdashësi u kurorëzua me shumë sukses nga një vit në tjetrin, gjithnjë duke shtuar numrin e nxënsëve në shkollë të Baranit, e cila së shpejti do të bëhej edhe qendrër e rëndësishme e arsimimit në këtë anë.
Ky veteran i arsimit punoi edhe në disa shkolla të tjera të Dukagjinit dhe më larg, duke kontribuar në përhapjen e dijes nëpër fshatra në një periudhë tejet të vështirë për popullin e Kosovës, ku njerëzit e arsimit ndiqeshin nga politika shoveniste e Beogradit, hudhëhequr nga krimineli Rankoviq.
Muharrem Krasniqi, përveç shkollimit, u pajis me dije edhe me leximin e librave dhe veprave të shkrimtarëve shqiptarë dhe të huaj, kishte një vullnet të lartë për të kontribuar në çështjen e kulturës. Edhe vetë u muar me veprimtari krijuese dhe me kultivimin e folklorit dhe kulturës materiale në Lug të Baranit. Ai kishte edukuar shumë breza nxënësish, duke i mësuar se një popull mund të ketë perspektivë vetëm nëse është i arsimuar. Ky mësues i orëve të para ka merita të jashtëzakonshme se bindi shumë prindër të Vranocit dhe rrethinës për t’ i dërguar vajzat e tyre në shkollë, atëherë kur ndër ne ende mbretëronte fanatizmi dhe prapambeturia.
Muharrem Krasniqi i përket familjes së Sylërexhëve të Vranocit, e cila ka kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe të trojeve tjera shqiptare. Luftoi vazhdimisht kundër pushtuesve në periudha të
ndryshme: Turqisë, Mbretërisë serbo-kroato sllovene dhe jugosllavisë komuniste. Nga kjo familje është edhe dëshmori i kombit Ardian Krasniqi, i cili ra heroikisht në Kliçinë të komunës së Pejës për lirinë e Kosovës në luftë kundër forcave serbe, të cilat ushtronin dhunë e terror në gjithë Kosovën. Florin Krasniqi, është djali i Muharrem Krasniqit, i cili ndihmoi luftën e UÇK-së në armatim dhe forma të tjera dhe ishte deputet për një mandat në Parlamentin e Kosovës.
Vepra dhe kontributi i Muharrem Krasniqit do të përkujtohet gjithherë me pietet dhe dashuri nga banorët e Vranocit dhe arsimdashësit e Lugut të Baranit.
Kujtimi tij do të jetë me ne.
Një serb dhe një yll Hollivudi luftojnë në Shqipëri
Lamtumira e fundit për një agjent të OSS/
Nga Peter Lucas, Lowell Sun/
Nick Kukich vdiq të hënën e shkuar.
Mund të mos thotë shumë në mes të gjithë gjërave, por duhet.
Duhet sepse Nick ishte pjesë e numrit në pakësim të veteranëve të Luftës së Dytë Botërore, që shkuan në luftë për të mposhtur nazizmin dhe fashizmin, në mënyrë që Amerika të mbetej e fortë, e lirë dhe demokratike. Ai ishte pjesë e Gjeneratës së Madhe. Nick, që vdiq në një azil në Delaware, ishte 99 vjeç dhe e kishte jetuar jetën plotësisht.
Bir i emigrantëve serbë, Nick punonte në minierat e qymyrit në Ohio kur ishte adoleshent. Më pas u bashkua me ushtrinë amerikane në nisje të luftës. Ai u bë rreshter në artileri. Për shkak se fliste rrjedhshëm serbisht, ai u rekomandua që të ishte pjesë e Zyrës së Shërbimeve Strategjike (OSS), e cila ishte paraardhësja e luftës e CIA-s.
OSS kishte një program të luftës, që stërviste amerikanët etnikë për t’i dërguar prapa linjave të armikut në vendet e origjinës së tyre. Në vitin 1943, Nick ishte në një anije me trupa, që ishte drejtuar për nga Afrika e Veriut.
Por disa gjëra qesharake ndodhën gjatë rrugës. Kështu ai përfundoi pas radhëve të armikut në Shqipëri, jo në Serbi, ku ndihmoi partizanët komunistë të luftojnë kundër gjermanëve.
Bashkë me të ishte edhe marinsi Sterling Hayden, në atë kohë një yll i famshëm filmash, që kërkoi të mbetej anonim duke u bashkuar me OSS. Hayden, një burrë shumë i pashëm, kishte punuar si marinar dhe peshkatar, përpara se të zbulohej nga Hollivudi dhe të kthehej në një yll filmash. Edhe ai përfundoi në Shqipëri.
Nick Kukich, Sterling Hayden dhe pjesa tjetër e burrave që luftuan në Luftën e Dytë Botërore ishin shumë të ngjashëm me ushtarët amerikanë në filmin e shkëlqyer “Snajperi amerikan”. Ose e thënë më saktë, të rinjtë në këtë film janë si ata.
Në të dy rastet, të dy grupet luftuan për shkak se Amerika ishte sulmuar. Ata besonin në vendin e tyre dhe në mënyrën amerikane të jetesës. Ata besonin se vendi ia vlente të mbrohej, nuk ka rëndësi nëse është nazizëm apo terrorizëm islamik. Ata i dolën përpara rrezikut për të mbrojtur vendin. Kjo i bën ata patriotë.
E kam njohur Nick Kukich kur nisa të hulumtoj për librin tim “OSS gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri”. Në atë kohë ai ishte një nga vetëm katër të mbijetuar nga kontigjenti me 35 deri në 40 ushtarë që luftuan në Shqipëri. Puna e tyre ishte të ndihmonin partizanët që të sulmonin gjermanët, të mblidhin të dhëna dhe të shpëtonin pilotët amerikanë të rrëzuar, të cilët ktheheshin nga bombardimi i fushave të naftës në Ploiesti, Rumani.
I graduar toger, Nick ishte gjithashtu në betejën e Tiranës, kur partizanët komunistë, me ndihmën e Aleatëve, mposhtën gjermanët në kryeqytetin shqiptar dhe morën vendin. Atëherë, si tani, armiku i armikut tonë është miku ynë.
“Kishte shumë gjermanë të vdekur në rrugë,” më tha Nick. “Partizanit u vidhnin çizmet, edhe nëse ishin gjallë. Shumë partizanë nuk kishin këpucë. Dreqi e mori, është luftë”.
Misioni i Nick në Shqipëri nisi në dhjetor të vitit 1943, kur ai dhe të tjerë agjentë të OSS u transportuan përmes detit Adriatik nga Bari drejt Gadishullit të Karaburunit në disa shpella. Pikërisht nga këto shpella të ftohta, të errëta dhe të lagështa, të njohura edhe si “Seaview”- OSS ngriti një rrjet inteligjence për të monitoruar aktivitetin e divizioneve gjermane.
Aleatët druheshin se këto divizione, nëse nuk ngacmoheshin nga grupet e rezistencës shqiptare, do dërgoheshin si përforcime në Itali, ku aleatët po hapnn rrugën për t’u përballur me gjermanët. Shërbimi i Nick ishte i paçmuar. Gjermanët nuk arritën të dërgojnë trupa nga Shqipëria në Itali.
Janë gjëra marramendëse. Megjithatë ai nuk e humbi kurrë sensin e humorit.
Kur vizitoa “Seaview” si pjesë e kërkimeve të mia në vitin 2005, shkova tek një nga shpellat e Gadishullit të Karaburunit me një skaf peshkatarësh. Edhe pse ishte një ditë shumë e nxehtë, aty brenda ishte lagështi, errësirë dhe ftohtë, ashtu siç e kishte përshkruar Nick. Më bëri të mendoj se si kanë jetuar ata njerëz aty.
Ndërsa po dilnim jashtë, kapa celularin dhe e telefonova Nick.
Ai u habit kur i thashë se po e merrja nga shpella.
“A gjete gjë,” më pyeti.
“Vetëm një pale mbathje të vjetra, që kishe lënë pas,” bëra shaka.
“Epo mos i sill në shtëpi. Kam mjaftueshëm suvenirë”.
Të qoftë dheu i lehtë.
MËSUESJA E ROGANËS
Nga Rrustem Geci-Dortmund/
Jam e përkushtuar në edukimin dhe mësimdhënien sa më cilësore tek nxënësit, shprehet mësuesja Belgize Hyseni-Kryeziu. Për 15 vjet të punës sime dhe të angazhimit tim në Shkollë Fillore „Metush Krasniqi“ në Roganë, kujtoj se kam bërë atë që duhet bërë. Nxënësit e mi e kanë nxënë kuptimin e ligjërimit, kuptimin e gjuhës dhe shkrimit, dhe kuptimin e vlerave historike dhe kuturore të popullit tonë. Dituritë e thella janë vlera të kohës sonë. Zhvillimet teknologjike në arsim japin shumë mundësi të marrjes së diturive. Nxënësit e mi, thotë Belgizare Hyseni-Kryeziu, e flasin dhe e shkruajnë drejt e bukur, gjuhën e letërsisë, identitetin suprem të qenies sonë.
Belgizare Hyseni-Kryeziu u lind në fshatin Breznicë në vitin 1974, nga prindërit; babai Hyseni, dhe nëna Elmazja. Belgizare Hyseni-Kryeziu shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan, ndërsa Fakultetin e Mësuesisë në Universitetin e Kosovës, në Prishtinë. Jeta e mësues, këngëtares së talentuar, spikeres dhe moderatores së shkëlqyer, Belgizare Kryeziut, është plotë beteja pune dhe suksesi. Dashuria për shkollën, dashuria për atdheun, dashuria për kulturën e popullit tonë, mësuesen e Roganes, Belgizare Kryeziun, e bëjnë vërtet mësuese të dalluar, dhe të rrespektuar.
Jeta ime me nxënës është bota ku unë krijoj. Thellësitë dhe gjerësitë e diturisë janë të pafund. Fal gjuhës së letërsisë nxënësit e mi, shprehet mësuesja Belgizare Hyseni- Kryeziu, mund të marrin dijet më cilësore për moshën. Për 15 vjet punë që jam mësuese në Roganë, çdo çast me nxënësit unë e përjetoj si çast të parë. Jam krenare për punën që bëj. Shkolla fillore „Metush Krasniqi“ ka 368 nxënës, dhe 35 arsimtarë. Me këtë shkollë e kam jeten time të mësues. Plotë e kam kraharorin me liri, plotë kam kraharorin me Kosovë. Në shkollë këtu ku punojë kemi një atmosferë të mirë kolegialiteti, ku unë ndjehem jashtëzakonisht e nderuar. E ndiejë veten të gëzuar, që shumë nga nxënësit e mi, sot janë studentë nëpër Universitetet e Kosovës. Liria e Kosovës më thotë Belgizare Hyseni-Kryeziu, është mundësi e madhe në arsimin tonë bashkëkohor.
E kaluara jonë nuk krahasohet me të sotmen. Unë shkollën e mesme e kam kryer në Shtëpitë-Shkollë. Kushtet e mësimit atë kohë kanë qenë nën rrethim policor. Por, fal atdhedashurisë të mësuesve për shkollën, dhe vullnetit të nxënësve për më shumë dije, ia kaluam edhe armikut edhe historisë. Mësuesi i Kosovës sot ka planprogramet e Kosovës së lirë, dhe ligjëron historinë dhe kulturën e popullit tonë me të gjitha vlerat dhe cilësitë e kohës.
Unë jam e diplomuar për pedagoge, por, letërsinë, këngën popullore, dhe folklorike, etnikumin e vendit tim, e kam për zemër, dhe e lëvroj me shumë dëshirë. Jam një çik kurnace dhe pak e druajtur në dëshirat e mia për këngën dhe poezinë. Në Luftën e UÇPBM- së, e tërë familja ime, në Breznicë, ishte krah dhe pjesëmarrëse me kryengritësit e Luginës. Në kohën që po jetojmë, tregon mësuesja e Roganës, Belgizare Hyseni- Kryeziu, nuk jam pa ëndërr. Unë i takoj dy shekujve, atij që iku, dhe këtij që jam. Profesioni i mësueses më pëlqen shumë, dhe këtë punë e bëj me pasion.
Në sferën e familjes më thotë Belgize Hyseni-Kryeziu jam e kënaqur; kam dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Bashkëshorti im, Gazmend Kryeziu me profesion është Magjistër i Farmacisë, ai më ndihmon shumë, në krijimin e hapësirës për punë. Unë dhe Gazmendi punojmë pandërprerë me fëmijët. E ardhmëja na do të ditur. Bija ime, Enisën, dhe biri im, Etniku, janë nxënës të mirë. Fëmijët e mi shprehet Belgizare Hyseni-Kryeziu, përveç mësimeve që marrin në shkollë, ata kanë „marrëdhënie“ të mirë edhe me bibliotekën në shtëpi.
Rogana, ku unë jetoj dhe punoj, më pëlqen shumë. Kushtet për jetë po edhe për punë ( në kushte fshati ) janë të kënaqshme. Rogana nga këdvështrimi im lirik, ka një pamje të pjatës së zgjeruar. Në Roganë, me pak investime mund të krijohen shumë vende për çlodhje, rekreacion, dhe aktivitete sportive. Në kohën e lirë ose mbrëmjeve, vargje të pashkruara ndjekin jetën time të pakënduar.
Në krijimet e mia në poezi fjala mbetet e para. Rogana është fshat i arsimuar dhe me qytetari të formuar. Rogana aktualisht ka 6 doktorë të shkencave, 15 magjistra, 13 shkrimtarë, mjekë, inxhinjerë, farmacistë, profesorë të profesioneve të ndryshme, kompozitorë, pikorë, skulptor, sportistë kombëtar dhe ndërkombëtar, me medale të parë, të dytë, të tretë, pilot, gjeneral, dhe kuadro nga të gjitha profesionet. Në Roganë ka rreth 100 qytetarë me diplomë Universiteti. Fshati Roganë ka 3 mijë banor. E kaluara e Roganës është ende e pashkruar. Në Roganë sot kemi rreth 230 biznese. Ndërtimi i shkollës së re që ka filluar pak muj më parë, është një ëndërr ma shumë për Roganën. Rogana me pamje të pjatës së zgjeruar, është si ( Unazë ) për 11 fshatra të Komunës së Dardanës dhe Komunës së Bujanocit॑. Gjatë një shekulli luftë kundër armikut serb, Rogana i dha lirisë së Kosovës, 75 dëshmorë.
Në kohën e lirë, jo rrallë, në mua troket muza, që t´ia hapi dritaren për ndonjë varg të çastit. Në këtë jetë kështu s´i është, dashurisë të gjithë i përkulemi. Jeta i do sukseset dhe kremtimet e saj. Unë lexoj vazhdimisht letërsi dhe shkencë më thotë Belgizare Hyseni-Kryeziu. Jeta në letër, dhe shkronjat e gjuhës në libra, prej kohësh ma kanë marrë gjumin. Sonte mund të shkuaj në fletoren tim; Jam lodhur nga gushtat e zemërimit / dhe nga inatet dashakeqe të pasqyrave/ vetëm vetes pa pasqyre mund t´ia hapi zemrën / dhe hijeve me hënë dhe yje…
Rrustem Geci – Dortmund, 2015
Ismail Kadare, shkrimtari epokë mbush 79 vjeç
Nga Flora Nikolla/
TIRANË, 28 Janar / Ismail Kadare, shkrimtar i madh i letrave shqipe dhe jo vetem , kanditat i çmimit Nobel në letërsi, lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që e bëri të njohur në gjithë botën, ne “Daullet e shiut”, veprat e tij më të zhytura në natën e legjendës ballkanike jane , “Kush e solli Doruntinën” apo “Ura me tri harqe” apo ato me frymëzime të së tashmes si “Tri këngë zie për Kosovën”.
Ajo që josh dhe magnetizon gjatë leximit është të kërkuarit e tjetrës që nuk është imediatja historike apo joshja indigjene. Kadare zgjidh forcën e tij rrëfimtare duke zgjeruar profilet e realitetit, duke i deformuar. Ai merr polaritete historike –invazionin dhe pushtimin otoman, invazionin dhe pushtimin italian, diktatura si Piramida apo Vjedhja e gjumit në pallatin mbretëror duke laboruar ne një rrëfim legjendar, faqe që përshkruhen nga drithërima epike, jehona të tjera. Koha e faqes së tij të shkruar është një kohë diakronike, johistorike që përzien mitin dhe alegorinë.
Kadare kaloi fëmijërinë në qytetin e gurtë të Gjirokastrës dhe jeta mitike që ofron ky qytet duket se la gjurmë të thella në gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Asim Zeneli”. Më pas kreu studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, pastaj në Institutin “Gorki” të Letërsisë Botërore në Moskë. Kadareja ka punuar në gazetën “Drita”, e më pas drejtoi revistën “Les letres albanaises”.
Është fakt që Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit qysh prej viteve ’60. Edhe pse në fund të vitit 1990, Kadare u largua së bashku me familjen në Paris, ai mbajti lidhje me Shqipërinë. Ai është një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, ambasador i saj në botë, është shkrimtari që i ktheu mitet legjendare në realitet, shkrimtari që bëri histori prej prehistorisë; pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern, ai arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë dhe për kohën absolute.
Në Shqipërinë e ndodhur në udhëkryq vepra e Kadaresë ka qenë dhe mbetet një shpresë apo një ogur i bardhë për të.
Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale.
Vepra e Ismail Kadaresë është përkthyer në mbi 40 gjuhë të huaja ndersa ka 1000 botine ne bote, i tha ATSH-se , botuesi i shkrimtarit, Bujar Hudhri, duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën e qytetëruar.
Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e fenomene e fakte historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike.
Ideja e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin “Kronikë në gur” (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale , ndërkohë që probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela “Emblema e dikurshme” (1977), “Ura me tri harqe” (1978) dhe Gjakftohtësia (1980).
E veçanta e Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani “Dimri i madh” (1977).
Por edhe poezia e Ismail Kadaresë është një prej zhvillimeve më novatore në vjershërimin shqip gjatë një gjysmë shekulli. Ajo shprehu vendosmërinë e shkrimtarëve të brezit të viteve ’60 për të realizuar qëllime estetike të ndryshme prej paraardhësve.
“Frymëzime djaloshare” (1954), “Ëndërrimet” (1957), “Endërr industriale” (1960), “Shekulli im” (1961), “Poemë e blinduar” (1962), “Përse mendohen këto male” (1964), “Shqiponjat fluturojnë lart” (1966), “Motive me diell” (1968), “Koha” (1976), “Shqipëria dhe tri Romat”, përbëjnë titujt kryesorë të veprës poetike të Kadaresë.
Ismail Kadare, në periudhën e parë të krijimtarisë së tij, u tërhoq pas poemës epiko-lirike. Në prirjen e përgjithshme ai nuk u shkëput prej frymës monumentalizuese të poezisë së mëparshme, por e kushtëzoi këtë me tipin e njeriut shqiptar, të historisë së tij kombëtare, të fatit të tij nëpër shekuj. Thuajse në të gjitha poemat e shkruara në vitet ’60 -’70 ka një gërshetim të mjeteve të reja të të shprehurit me mënyrën tradicionale të të vështruarit të jetës dhe të historisë.
Poezia e Kadaresë, është përgjithësisht e qartë, pa ekuivoke, shpesh marciale, thuajse përherë optimiste. Ajo, në kritikën zyrtare, është pritur si pasurim problematik i poezisë shqipe, veçanërisht me temën e qëndresës shumëshekullore të popullit shqiptar në rrugën e tij të gjatë të historisë. Poezia e tij është poezi e sfidave të mëdha shqiptare. Ajo është e përshkuar nga qëndrimi hyjnizues ndaj historisë kombëtare, ndaj lavdisë së tyre, ndaj tokës së të parëve, ndaj gjuhës shqipe.
Qëndresa hyn në poezinë e Kadaresë qysh prej kohërave antike, deri në periudhat më të afërta të historisë. Veçmas ajo lidhet me “motin e madh”, të epokës së Gjergj Kastriotit; por Kadare hyjnizoi një periudhë më të hershme se kjo, që ishte mitizuar më herët prej Rilindjes Kombëtare: periudhën e humanizmit evropian (siç mendon shkenca e historisë, kjo periudhë e gjeti Shqipërinë në të njëjtën shkallë zhvillimi me anën tjetër të Adriatikut), e cila pati shprehjen e saj dhe në njeriun dhe qytetërimin shqiptar. Poema epiko-lirike shqipe arriti një nivel të lartë afirmimi me vepra të tilla të I. Kadaresë, si “Përse mendohen këto male” dhe “Shqiponjat fluturojnë lart”, pastaj me “Shekulli i 20-të”, “Poemë e blinduar”, “Shqipëria dhe tri Romat” e vepra të tjera.
Poezia e Kadaresë është e prirur drejt sintetizmit dhe abstraksionit. Në këtë cilësi poezia e Kadaresë të sjell ndërmend vjershërimin e Migjenit. Sintetizmi shfaqet në mungesën e çfarëdo subjekti apo elementi të subjektit. Poemat e Kadaresë, përgjithësisht poezia e tij, janë art mendimi, pa elemente të rrëfimit (narracionit). Si të tilla, si poema mendimi, ato ofrojnë shumësi leximesh, në kohë dhe në mjedise të ndryshme.
Gjithashtu poezia intime e Kadaresë përshkruhet nga malli për qytetin e lindjes, për njerëzit që lanë gjurmë në fëmijërinë e tij, për atdheun kur ndodhet larg tij, për kohën studentore, vajzat dhe rrugët e Moskës kur është në atdhe, e mbi të gjitha, për vajzën që le gjurmë në shpirtin e tij, por që përgjithësisht ndodhet larg.
Përgjithësisht vepra e Kadaresë është e sunduar prej mitit të së shkuarës, evokimit të lavdisë së dikurshme. Kadare synon ta çlirojë njeriun shqiptar prej akuzash që e kanë ndjekur ndër shekuj, duke përfshirë akuzën si popull i lindur me instinktin e luftës dhe të mercenarizmit, binjak me armën dhe peng i saj.
Raporti midis jetës dhe vdekjes, midis të gjallëve dhe varreve, midis brezit që shkoi dhe atij që vjen, një nga raportet më thelbësore të qenies njerëzore, përbën një rregullator të mbifuqishëm të gjithë yllësisë së veprave të Kadaresë. Synimi parësor i çdo letërsie serioze që të qëndrojë mbi kohën dhe hapësirën zuri vend kryesor që tek romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Në vitin 1996 , Kadare u pranua anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi Man booker International Prize dhe në vitin 2009 mori çmimin Prince of Asturias për Artet.Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ka fituar Çmimin “Jeruzalemi” për vitin 2015. Çmimi do t’i dorëzohet Kadaresë në hapje të Panairit Ndërkombëtar të Librit muajin në muajin shkurt në Jeruzalem. Ai është konsideruar me këtë rast shkrimtari që i dha shprehje lirisë njerëzore në librat e tij.
Kadare është një tregimtar ironik dhe tepër interesant që rrëfen shkëlqyeshëm me nënkuptime të tërthorta rreth fajit kolektiv, veçanërisht në mos ndëshkimin e këtij faji… Edhe pse në formën e të shkruarit personazhet janë kryesisht lokalë, kuptimi dhe rëndësia janë padyshim universale. ” – thuhet në motivacion e mimit me te fundit te shkrimtarit te madh.
Disa nga veprat e Kadaresë
Frymëzime djaloshare – 1954
Shekulli im – (1961)
Gjenerali i ushtrisë së vdekur – roman- 1963
Përse mendohen këto male – 1964
Dasma – 1968
Motive me diell – (1968)
Kështjella – roman – 1970
Kronikë në gur – roman – 1971
Koha (1976)
Dimri i madh – roman – 1977
Ura me tri harqe – 1978
Prilli i thyer – 1980
Gjakftohtësia – përmbledhje novelash – 1980
Koha e shkrimeve – 1986
Koncert në fund të dimrit – 1988
Vepra Letrare – 1981-1989
Dosja H – 1990
Piramida – 1992
Shqipëri – 1995
Pallati i ëndrrave – 1996
Dialog me Alain Bosquet – 1996
Spiritus – roman- 1996
Kushëriri i engjëjve – ese- 1997
Poezi – 1997
Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë – ese- 1998
Tri këngë zie për Kosovën – triptik – 1998
Ikja e shtërgut – tregim – 1999
Qorrfermani – roman – 1999
Vjedhja e gjumit mbretëror – tregime – 1999
Ra ky mort e u pamë – ditar për Kosovën, artikuj, letra – 2000
Kohë barbare (Nga Shqipëria në Kosovë) – biseda – 2000
Breznitë e Hankonatëve – 2000
Bisedë përmes hekurash – 2000
Elegji për Kosovën – 2000
Lulet e ftohta të marsit – roman – 2000
Unaza në kthetra – 2001
Eskili, ky humbës i madh – 2001 (ribotim)
Qyteti pa reklama – roman – 2001
Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut – roman – 2002
Pasardhësi – roman – 2004
Identiteti evropian i shqiptarëve – 2006
Hamleti, princi i vështirë – Sprovë – 2006 /f.n/
- « Previous Page
- 1
- …
- 515
- 516
- 517
- 518
- 519
- …
- 621
- Next Page »