• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHAQIR SALIHU, njëri nga ata që na mbajti gjallë me zërin e shpresës

April 11, 2014 by dgreca

Nga  Beqir Sina /

WASHINGTON D.C : Ka qenë 70 vjetori i Zërit të Amerikës, i cili përkoi për koicidencë edhe me 70 vjetorin e ditëlindjes së njërit prej gazetarëve më të “vjetër” të Shërbimit Shqip, të cilin vetëm pensioni mundi t’a largojë nga Zëri i Amerikës, se “gjë tjetër” ska mundur t’a largojë atë nga Zëri i Amerikës, shqip. Ai doli në pension pas një kariere të larmishme dhe 30 vjeçare. Ai është Shaqir Salihu, i cili filloi punën në Zërin e Amerikës në fillim të viteve 80, pasi kishte ardhur në Amerikë si refugjat politik nga Kosova.Kur Shaqiri erdhi të punojë për Zërin e Amerikës në Uashington, Shqipëria ishte e izoluar, ndërsa në Kosovë vazhdonte shtypja dhe diskriminimi ndaj popullatës shqiptare, thuhej në një koment të kësaj radio kushtuar gazetarit të njohur të Zërit të Amerikës Shaqir Saliu.

Por , ai ende nuk ka “ikur” nga Zëri i Amerikës sepse trashgimtari i tij – Ilir Salihu, punon prej disa vitesh në departamentin e teknikës të Zërit të Amerikës dhe shpesh i takon të punojë edhe për programin Ditari, ku Shaqiri i ri dhe i vogël është producent, është pjesë e Zërit të Amerikës.

Zëri i tij :”Ju flet Zëri i Amerikës nga Uashingtoni! në programin e mbrëmjes i cili i binte në orën 6 të darkës me orën e Shqipërisë dhe në orën 21 sipas orës në Shqipëri, ishte ai zë që vinte nga larg ashtu si lind një mëngjes i bukur, i një dite të bukur.

Nuk mund ta numërojë sesa herë e dëgjoja zërin e tij “unë Shaqir Salihu dhe kolegu im ……” teksa na përcillnin emisionin e radhës që transmetonte në Radioprogramin e Zërit të Amerikës seksioni i gjuhës shqip, në barangat e errta mes skamjes dhe frikës se po na dëgjonin dhe muret, teksa isha i “mbuluar me jorgan ose ndonjë batanie të vjetër. Dy emisonet e Zërit të Amerikës, për atë kohë ishin e vetmja shpresë dhe nga i mbanim syt unë dhe ata mijëra bashkëvuajtësit e mi në kampet e interrnimit.

Në mëngjes kur bëhesh apeli (leximi i emrave të të interrnuarve), nuk kishte ditë që të mos përhapej “vesh më veshë” lajmi se regjimi i Enver Hoxhës së bashku me regjimet e tjera komuniste po binin, era e lirisë po fryente në Kosovë qysh me demostratat e 1981. Nuk kishte ditë që të interrnuarit të mos merrnin ndonjë lajmë, që u hapte zemrat e lirisë , sepse Zëri i Amerikës për shtresën tonë, ishte e vetmija liri dhe ëndërr që kishim ne ndërkohë që lajmet e saj ishin oksigjeni dhe ushqimi i përditëshëm jo vetëm i imi por dhe i atyre mijërave bashkëvuajtësve të mi – fatkeq.

Kur flasim për Zërin e Amerikës ku Shaqir Salihu ka shërbyer me profesionalizëm, vullnet dhe ndershmëri do të kujtojë se isha vetëm 6 vjeç kur nga Zëri i Amerikës , xhaxhai i ndjer mori lajmin se të premten më 22 nëntor 1963 u vra Presidenti i SHBA John Kennedy dhe ai erdhi e na tha se “koministët” Rusë e vranë Presidentin e Amerikës. Dhe isha vetëm 15 vjeç kur plasi skandali i “Watergate” dhe Presidenti Richard Nixon dha dorëheqjen dhe ne të presekutuarve sikur na “vdiqen” shpresat mbas asaj vizite historike të të parit Sekretar Shteti në Kinën komuniste të Henry Kissinger.

Këtij shqiptari që na mbajti gjallë me zërin e tij të shpresës, lirisë e demokracisë për aq vite sa ai shërbeu “Shtëpisë së Lirisë dhe Demokracisë” nga Uashingtoni zotit Shaqir Salihu( ose Shaqes i i thërrisin shpesh herë kolegët e ti) i urojë nga zemra të ketë vite më bukura, më të lumtura dhe më të begatë, me gjithë familje, ndërkohë që trashgëmtarit të tij, dhe kolegëve të tij në Zërin e Amerikës, u urojë që ta ngrenë më lartë Zërin e këtij programi dhe emrin e kësaj “shtëpie” informacionesh të besueshme dhe që është bërë e vetmja shpresë e lirisë dhe demokracisë në botë, për popujt anembanë botës dhe që janë ende në thundrat e regjimeve komuniste.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: i zerit te Amerikes, njeriu, Shaqir Salihu

Shembje bustesh e idhujsh

April 11, 2014 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/Me 11 prill 1985 – Shqipëria në zi – ne Tiranë vdiq Enver Hoxha, 76 vjeç; “humbje e thellë” do ta quante shtypi nën kontrollin e tij në Shqipëri; “vdiq diktatori më mizor” do të njoftonin mediat në botë; “….ka pak arsye për keqardhje…vdekja e tij shënon zhdukjen përfundimtare të një brezi tiranësh stalinistë” (The Times, 12 prill 1985).

Nuk kishte rast që Hoxha të mos pritej me brohoritje nga audienca; dhe ai i pranonte ato; në fund u thoshte se duatrokitjet i takojnë Partise (e cila ishte e vetja). Ndërsa në shumë vende të Evropes Lindore, çdo shtetas ishte edhe anëtar partie, Hoxha e hapi PPSH-në vetëm për të përzgjedhurit me tepër kujdes, më të besuarit; gjithë të tjerët (populli) ishin thjesht të dyshimtë (fajtorë derisa të gjendeshin të pafajshëm). Por Hoxha nuk kurseu asnjërën palë; Partia-Shtet vrau, burgosi, internoi, përndoqi terririzoi qindra mijëra; prej vitit 1976 (prishja me Kinën), vendin e izoloi plotësisht dhe u tha njerëzve të hanin bar.

Homazhe të shumta, koreografi masive, u bënë para arkivolit. Ramiz Alia, pasardhësi i tij, nuk lejoi që në pllakën e varrit të vihej data e vdekjes, duke thënë se për Enverin ka vetëm ditëlindje.”Fatkeqësisht për Shqipërinë, Alia duket se kishte të drejtë. Shqipëria vazhdon të jetojë me trashëgiminë e Hoxhës, dhe do të vazhdojë deri për një fare kohe”. (Balkan Strongmen, Bernard J. Fisher, London – 2006).

Hoxha pati edhe arritje; në arsim, mjekësi, industri; por urrejtja dhe zemërimi grumbulluar ndaj tij ishte shumë më i madh dhe u shpreh me rrënime të shkollave, spitaleve, fabrikave, uzinave, çdo gjëje që simbolizonte pushtetin e tij, në fillim të viteve 1990, kur shtatoret, bustet dhe dikatura ranë të gjitha njëherësh. Më 1992, trupi i Enver Hoxhës do të hiqej nga Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. De-jure, Enver Hoxha vazhdon të jetë “Hero i Popullit”.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Shembje bustesh e idhujsh

AMBASADORI MAL BERISHA TREGON SE SI E TAKOI TE BIJEN E CHARLS ERICKSON

April 9, 2014 by dgreca

*Mirënjohje për amerikanen 103 vjeçare që ka lindur në Shqipëri/

*“A ekziston shkolla e tim eti”,- më pyeti. Po i thashë madje mban emrin “Charles Telford Erickson” në Kavajë. “Oh,- tha,- faleminderit! Babi im ka qenë burrë i madh dhe ka bërë shume për atë vend”/

Nga Mal Berisha*/

Elizabeta Erickson, e cila jeton në Amerikë, është vajza e publicistit Charles Telford Erikson, njeriut që i dedikoi një jetë të tërë historisë dhe traditës shqiptare. Elizabete ndjehet krenare, për kontributin që ka dhënë babai i saj për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe ndjen kënaqësi kur takon shqiptarët dhe merr lajme të mira për Shqipërinë. Charles Telford Erikson, është një prej personaliteteve që kanë dhënë kontribut të shquar në Shqipëri dhe për Shqipërinë. I angazhuar thellësisht në çështjet shqiptare, ai i ka kushtuar një pjesë të jetës dhe veprimtarisë së tij, promovimit të shqiptarëve dhe mbrojtjes së çështjes së tyre, si përmes veprimtarisë diplomatike, ashtu edhe përmes artikujve në shtypin botëror të kohës dhe studimeve shqiptare. Eriksonit, një personalitet, ky i cili ka jetuar për tre dekada në Shqipëri, në periudhën 1908- 1939, si misonarët e kësaj miqësie të fort që kemi ne sot. Në vitin 1919, Erikson është delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1921-1922 është komisioner i posaçëm për Shqipërinë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1945 është delegat i vetëm shqiptar i Federatës Panshqiptare të Amerikës, “Vatra”, në Konferencën e Kombeve të Bashkuara në San Francisco, për pranimin e Shqipërisë anëtare e OKB-së. Gjatë qëndrimit të gjatë në Shqipëri, përpjekjet e Erickson, u përqendruan edhe në ndërtimin e shkollave. Ai ngriti shkollën Shqiptaro-Amerikane të Bujqësisë në Kavajë dhe shkollat e vajzave në Tiranë dhe në Kavajë. Nga viti 1937-1941, ai studion tërë literaturën e deriatëhershme në bibliotekat e Muzeut Britanik, Athinë, Romë, Stamboll dhe Uashington dhe shkruan pafund për shqiptarët dhe Shqipërinë.

Ideja për të takuar pasardhësen më të afërt të njeriut që është shprehur me bukur se gjithkush për ne shqiptarët kishte kohë që më mundonte. Për më tepër po të konsiderohej edhe mosha e saj. Fjala është për fëmijën e pestë të Charles Telford Erickson, Grace Elizabeth. Ajo ka lindur ne Manastir, atë kohe territor shqiptar i pushtuar nga osmanët, në kushtet kur familja Erickson u internua për shkak se Charles Telfordi hapi shkollën shqipe në Elbasan. Shkolla e tij u mbyll menjëherë ndërsa familja u largua me forcë në Manastir. Aty lindi Grace dhe u kthye përsëri në Elbasan për të qëndruar deri në dhjetor të vitit 1912, kur Shqipëria, ndërsa u shpall e pavarur, zona të tëra deri në Elbasan u pushtuan nga serbët. Në këto, kushte familja u largua me forcë nga serbët dhe Grace ndoqi jetën e vet, në fillim nën kujdesin e një zonje në Zvicër dhe me vonë në SHBA. Ideja për të takuar familjen e Charles Telford Erickson më ka tunduar për shumë kohë. Kjo u arrit në tetorin e vitit 2012, kur nipat dhe një mbesë ë tij erdhën për të përuruar librin kushtuar gjyshit të tyre dhe festimet e 100 vjetorit të pavarësisë. Por, të takoje Grace Elizabeth Erickson ishte një kënaqësi e veçantë dhe shumë emocionuese. “A ekziston shkolla e tim eti”,- më pyeti. Po i thashë madje mban emrin “Charles Telford Erickson” në Kavajë. “Oh,- tha,- faleminderit! Babi im ka qenë burrë i madh dhe ka bërë shume për atë vend”. Një person i tillë si ajo, të krijon e të pushton me ndjenjën se ke takuar vetë historinë, kur mendon se ajo ka lindur më shumë se një vit para se të shpallej Shqipëria e pavarur dhe se jeta e babit të saj dhe e asaj vetë ka filluar në Shqipëri dhe ka mbetur e lidhur me Shqipërinë deri në atë moshë.

*Autor i librit “Charles Telford Erickson, jeta dhe vepra për Shqipërinë dhe në Shqipëri”

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Elizabet Erickson, Mal Berisha

ALO VAÇE!

April 9, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/ Midis 9:00 dhe 10:00, pak a shumë rreth kësaj kohe, kur mendoja se ajo e kishte kryer ritualin e mëngjesit dhe tash qëndronte e ulur përpara televizorit duke patur pranë telefonin, telekomandën dhe një orë të vogël, që i tregonte se kur duhej të merrte ilaçet, unë do ta merrja në telefon për t’i uruar ditën e lindjes. Sa niste muaji prill, gjëja e parë që mendoja ishte ditëlindja e Vaçes. Pushtimi nga Italia, lindja e princit trashëgimtar, ikja e Zogut – të gjitha vinin pas ose nuk vinin fare. Unë besoja se Zoti kishte bërë që Vaçja të jetonte afër nesh. Si për të na e lehtësuar peshën e mungesës së Atdheut. Prania e saj në Zvicër, edhe e zvogëluar prej sëmundjes në atë kolltukun e dhomës së miqve kur priste shqiptarë dhe ndiqte me vëmendje lajmet që vinin nga vendi i saj, përfaqësonte për mua 28 mijë kilometra katrorë të një Shqipërie europiane. Të një Shqipërie siç do të bëhet, ashtu siç e deshte zemra e Vaçes, të një Shqipërie që Zoti e ka vendosur në mes të të mirave. Kur kjo klasë politike që e ka lënë kockë e lëkurë atdheun tonë, të mos jetë më. Vaçe Zela simbolizonte Shqipërinë nuse, kur të bëhet si Zvicra e Ballkanit.

Rreth kësaj ore, midis 9:00 dhe 10:00 të paradites, si tani që po i shkruaj këto rradhë, në vend të telefonatës që do të bëja. Unë do t’i bija ziles dhe kur do t’i thosha „Alo, Vaçe“ – ajo nga ana tjetër do të më përgjigjej menjëherë „Elida“. Sepse e dinte shumë mirë që unë lumturohesha kur ajo ma njihte zërin menjëherë, kjo jo vetëm për shkak të veshit të saj të ndjeshëm muzikor. Por sepse midis nesh kishte një sintoni të bukur. Që unë e desha Vaçe Zelën, kjo nuk përbën ndonjë diçka të re sepse shqiptarët që deshën dhe e duan janë një oqean i madh, por sintonia jonë ishte e veçantë.
Sot provova t’i bie ziles me shpresë se mos më përgjigjej që nga parajsa. Këto janë gjëra që deri tani nuk kanë ndodhur. Por diçka është e sigurt se edhe prej parajse ajo rrezaton një diell dashurie për të na ngrohur e shkrirë ne shqiptarëve nga ngrica e përçudnimi.
Gjithë jetën më ka shoqëruar Vaçja. Me mrekullinë e zërit të saj jam rritur. Edhe kur dëgjoja fshehtas Beatles. Nuk vija ndonjë ndryshim midis tyre. Nuk e di nëse Beatles, John Lennon me shokë si do t’ja kishin dalë në Shqipërinë burg, ku këndonte Vaçja. Nëse do t’ia kishin thyer vargojtë diktaturës përmes këngës, ashtu si Vaçe Zela.
Tek Vaçja, Zoti i kishte dhuruar të gjitha bashkë. Ajo kishte zërin, talentin, zemrën, interpretimin, feminitetin. Ishte një artiste e kultivuar e cila i thyente të gjitha barrierat nën diktatin e një sistemi mizor. Si askush. Si asnjë.

Asnjëherë nuk pati lidhje me regjimin. Nëse do të kishte, regjimi do ta shpërblente ashtu si i ka shpërblyer të gjithë artistët dhe shkrimtarët që i pati shërbëtorë të bindur.
Vaçen diktatura e dënoi në mënyrën më kriminale të mundshme. Nuk mundi dot ta burgoste si i burgosi të tjerët. Sepse i friksohej Vaçes, dimensionit të saj gjigand. Atëherë gjeti mënyrën më tragjike. Duke ia hequr të drejtën e këngës. Duke e nxjerrë Vaçe Zelën në pension në moshën 45 vjeçare.
Ta nxirrje Vaçe Zelën në pension në moshën 45 vjeçare, t’i hiqje të drejtën e këngës, do të thotë që ta ekzekutoje me mënyrat më të përbindshme që përdorte diktatura. Si mund të ishte pushkatimi apo varja në litar.
Dhe më vjen keq, se mediat në Shqipëri vazhdojnë dhe e fshehin këtë fakt. Më vjen keq kur dëgjova në fjalët e lamturës që u thane për të, se Vaçe Zela iu largua vetë skenës si Greta Garbo! Kjo s’është e vërtetë. Vaçe Zelën e largoi nga skena diktatura. Sepse ajo ishte titane! Diktatura përpara saj dukej qesharake.
Sa nuk ishte sëmurë, gjatë qëndrimit të saj në Zvicër, kur ne të dyja flisnim bashkë dhe unë i referohesha kthimit të saj në skenë, ajo asnjëherë nuk më tha „jo“. Që do të thotë se ajo gjithnjë e mbante mendjen dhe shpirtin tek skena. E cila iu mohua nga diktatura dhe nga tmerret e tranzicionit. Sepse Vaçe Zela nuk do të largohej kurrë nga Shqipëria edhe fizikisht, ashtu si nuk u largua kurrë as mendërisht e shpirtërisht. Ajo vuante për të gjitha mbrapshtitë që i vuante Shqipëria dhe shqiptarët gjatë këtyre 23 viteve pasdiktaturë, kur shteti nuk kishte kohë për qytetarin, kulturën dhe artistët sepse ishte i përqendruar tek pangopësia për pushtet.
Kur ajo vdes, shteti e kujton Vaçe Zelën postmortum, kur shtanget nga pesha prej titaneje e Artistes, të cilën diktatura e largoi nga skena në prillin e vitit 1984 – plot 30 vjet më parë, ndërsa ajo vazhdon të qëndrojë në skenën e shpirtit të kombit që është i pavdekshëm. Sepse Vaçe Zela ishte një talenti i lirë dhe sovran, i pastër dhe i papërlyer. E kështu do të mbetet. Në përherësi.
Unë po i bie ziles së telefonit. Sinjali po bie pa pushim. Unë po pres mrekullinë që ajo pas telefonit të më përgjigjet « Elida ». Jam duke pritur që të paktën të më dërgojë një shenjë nga Parajsa. Padyshim që këtë shenjëz do ta marr.

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Lamtumire, Vace Zela

“Mbreti 1 milion”

April 8, 2014 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Më 9 prill 1961 – Në spitalin Foch, Sorensen, Paris, Francë, vdiq mbreti Zog, 65 vjeç – pas shumë vitesh vuajtje nga sëmundja, pa e parë vendin e tij që prej ikjes më 8 prill 1938. Shtypi në Shqipëri heshti plotësisht.Zogu ishte shtruar në spital më 4 prill, thuajse pa ndjenja nga dhimbjet e forta në stomak. Ai ishte dobësuar jashtzakonisht. Kur u përmend, pa pranë mbretëreshën Geraldinë dhe princ Lekën. Zogu i kërkoi Geradinës t’i silte një revole sepse nëse mjekët do t’i thonin se kishte kancer, ai nuk donte të jetonte më dhe do të vriste veten. E shoqja e kundërshtoi, më kot; pastaj solli armën (pa fishekë) dhe ia la pranë, por mbreti nuk kishte fuqi as për të zgjatur dorën.

Zogu kishte qenë monark absolut, i fortë, efikas dhe, i pamëshirshëm në rast nevoje. “Eshtë kollaj të jesh mbret i 400 milionë skllevërve e robërve, por është tepër e vështirë të jesh mbret i një milion mbretërve, siç jam unë”, ka thënë Zogu në një rast.

Historiani amerikan Raymond Hutchison do ta quante Zogun “personazhin shqiptar më të fuqishëm të shekullit XX ose gjatë shumë shekujve që nga vdekja e Skënderbeut të madh më 17 janar 1468” Leksografi i njohur Stuart Edward Mann, hartues i fjalorit historik Albanian-English, shkruante në paraqitjen e gramatikës së tij shqipe (1932), se “ardhja e Zogut në krye të vendit si president dhe pastaj si mbret, ishte një fillim i mbarë”.

Mbreti krijoi administratën dhe makinerinë e një shteti modern shqiptar; gjatë presidencies së tij, kodi i vjetëruar penal Osman u zevendësua me Kodin e Napoelonit; vendi përparoi në çdo fushë të rëndësishme; ai zhduki banditërinë e trashëguar; përkujdesje i kushtoi arsimit publik; qindra të rinj u dërguan me bursa jashtë shtetit në universitete evropiane (ironikisht mes tyre ishte edhe Enver Hoxha), dhe kur diplomoheshin, ata kthehesin në atdhe ku Zogu i vendoste në poste administrative.

Gjithashtu, gjatë mbretërimit të tij, mbreti Zog u rezistoi përpjekjeve nga Italia për vendosjen e fashizmit në Shqipëri, derisa Musolini u detyrua ta pushtonte, si dhe mbajti marrëdhënie të mira me vendet fqinje.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Ahmet Zogu, Astrit Lulushi, Mbreti 1 Milion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 612
  • 613
  • 614
  • 615
  • 616
  • …
  • 637
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PJETËR MESHKALLA, NJË JETË QË NUK U PËRKUL
  • Kursi i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare “Sevasti Qiriazi” në Katerini, gjuhë dhe identitet kombëtar te shqiptarët në Greqi
  • Kristo Dako, një jetë në shërbim të kombit (1876–1941)
  • Shqipëria në faqet e historisë: Kryengritja e vitit 1911 në pasqyrën e “The New York Times”
  • AMERIKA DHE SHQIPTARËT – NJË MIQËSI QË NUK NJEH KOHË
  • “Historia e operas Rozafa”
  • UÇK dhe trashëgimia institucionale
  • VEPËR MONUMENTALE KUSHTUAR MBRETËRESHËS TEUTË
  • TEODOR LAÇO, RREFIMTARI E PROTAGONISTI I LETRAVE E POLITIKES SHQIPTARE
  • Dy pashallarë dhe njё president në Konferencën e Parisit
  • Mjeshtri i skicimit të identitetit shqiptar – In Memoriam Mjeshtri i Madh Sali Shijaku
  • Koha për debat serioz, reflektim dhe zgjidhje
  • MJEKU KURON, NATYRA SHËRON…
  • Vitet parisiane të Hasan Tahsinit…
  • KONSULLATA SHQIPTARE NË MICHIGAN – NJË KËRKESË E VJETËR E DIASPORËS QË TANI PRET TË BËHET REALITET

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT