• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Historia e parashutistit antikomunist martirit Hamid Toshi (Saiti)

April 16, 2019 by dgreca

Nga Klajd Kapinova/

Për dekada mbeti në harresë/

Shumë vite më pare miku im, ish i burgosuri politik Viktor Luka, duke parë koleksionin e pasur të fotografive (një arkiv për martirët antikomunistë), ndër të tjera më foli një nga një për emrat e fotove historike të parashitistëve me unifomë ushtarake, të hedhur me parashut për mission antikomunist në Shqipëri.

Ata të gjithë ishin stërvitur në kampet ushtarake në Itali nga personeli ameirkan dhe Italian, të cileët udërguan me mision në bashkëpunim me Komitetin Shqipëria e Lirë, me qenër në New York.

Fotot origjinale, i ruante si relike të rrallë shkodrani Zef Luka vëllai i Viktorit.

Mbi 100 parashutistë asokohe zbarkuan në Shqipëri, me detyrën special dhe të rëndsishme për të përmbysur regjimin e hijenave dhe vendosur lirinë e vërtetë për popullin shqiptar.

Libri në formë ditari me autor parashitistin Zef Luka, mban titullin: “Njiqind shqipe që erdhen me prue lirine”.

Sa më shumë që futesha në labirinthet e librit të shqiptaro amerikanit Zef Luka aq më shumë bindesha se ai dhe miqtë e tij martirë, që nuk jetojnë më, sikurse ishte edhe martiri Hamid Toshi (Saiti), ishin të mbrujtur me ideale të bukura e fisnike, për Shqipërinë, duke qenë krenarë për detyrën deri në flijim, që kishin marrë përsipër.

Ngjarje, njerëz, vende, fjalë, rrethana tragjike parakalojnë në këto fletë në mendjen time që asnjëherë nuk i ka lexuar këto episde që përshkruhen thjeshtë, por që ruajnë në vetvete një epizëm homerik, ashtu sikurse kanë qenë e mbeten të thjeshta të gjitha gjërar sublime.

Vetësakrifica e tyre ka pasur një qëllim fisnik të përbashkët dhe e cila nuk u shua asnjëherë: zgjimi i ndërgjegjës së dremitur të popullit shqiptar, që jetonte gjumin letargjik dhe për më keq një pjesë e rinisë, që e mbështeste diktaturën e dhunshme sovjetike të proletariatit, ishte dehur nga frazat e bukura plot gënjështra të komunizmit në Shqipëri, që si sëmundje kancerogjene po e brente dalë e ngadalë vetëdijën kombëtare të popullit të vet, që iu nënshtrua më ose padëshirë dhunës më të egës të diktaturës komuniste, që zgjati për 50 vjet më rradhë në tokën e zhuritur shqiptare.

Familja bujare Toshi

Prindërit e Hamitit, Saiti ishte një baba dhe shok për të birin që e donte aq shumë, sikurse nëna që qysh në djep e lëkundi dhe i mëkoi me gjirin e saj dashurinë për tokën ku kishte lindur, miqtë, shokët dhe të afërmit e tjerë.

Ajo shpesh e përkëdhelte edhe kur vogëlushi Hamit, vinte në shtëpi së bashku me shokët e tjerë të fshatit, sepse ishte shumë i dashur me të gjithë. E me këto ndjenja fisnike shqiptare hodhi shtat, duke pasur përherë edhe përkujdesin e tre motrave, që sot jetojnë: një në Ulqin (Vladimir, në Mal të Zi), një në Trush dhe një në Dajç të qarkut të Shkodrës.

Kjo familje me shumë virtyte fisnike të traditës shqiptare ka qenë një derë e madhe. Prindërit e Hamitit kishin 6 fëmijë, 3 djem e 3 vajza.

Kështu, sikurse mësojmë edhe nga të afërmit e familjes, Muhameti ka qenë më i madhi, pastaj vinte Isufi dhe në fund vëllai i vogël çamarrok, Hamiti, ndërsa motra e tyre qenë Pashe në Trush, Cace në Ulqin dhe më e vogla Gjylana në Dajç.

Qysh herët, në fillim të shekullit XX dhe më saktë në vitin 1912 i ati Saiti, ka pasë 3 vëllezër si pjesmarrës në lufën e Taraboshit, në vitin 1912, kundër ushtrisë malazeze, ku edhe plagoset me të shoqen dhe më pas, si pasojë e pezmatimit (infeksionit) të plagës, humb edhe jetën mbas dy vjetësh.

Me vdekjen e të atit shtylla e shtëpisë ekonomia e brishtë e familjes nis të vështirësohet dhe përkeqsohet deri në vitet 1930.

Gjatë pushtimit fashist të vendit më 7 prill 1939, Muhameti ka luftuar me armë në dorë okupatorët e huaj. Ai gjithnjë ka ruajtur marëdhënie të mira me familjet e vjetra tregtare shkodrane, sikurse ishin asokohe familja tregtare Muzhani, Myftia, Danhasani, Bianchi, etj.

Edhe pse nuk ka qenë e një niveli ekonomik, ai sikurse shumë familje qytetare e fshatare shkodrane, ka mbajtur të hapur dyert i mikpritjes, bujari e cila ka qenë dhe mbeti tipike edhe sot nga stërnipërit e tyre.

Pranë shtëpisë së tyre herë mbas here kanë qenë edhe persona publikë të njohur të qytetit të Shkodrës, sikurse kanë qenë Hasan Isufi e Caf Beg Ulqini, Prek Cali, etj., të cilët kanë qenë eksponentë në Lëvizjen e Parë Antikomuniste në Evropën Lindore siç ishte ajo e fshatit të njohur Postribë (pak kilometra larg qytetit të Shkodrës), në vitin 1946.

Duke shfletuar disa dorëshkrime dhe nga kujtimet e pjestarëve të fisit të tyre, mësojmë se pak muaj para se të kapitullonte Italia fashiste, është rrethuar shtëpia e tyre për të kapur të gjallë Hamitin dhe Muhametin.

“Çlirimi” i vendit e kalvari i vuajtjes së familjes…

Pikërisht vitet 1944-1990 janë periudha më e dyshimtë, të cilat historiografia komuniste, dje e sot në të gjitha nivelet “kulturore” në Shqipëri, janë defiçitare në “vërtetësinë”, që ata, i kanë bërë jetës së njërëzve, ku, ata që kanë qenë kundërkomunistë, janë denigruar deri më sot.

Ndoshta është një rast i veçantë për të shprehur shpirtin e tij human, Hamiti, me inisiativën e vet, shkon vullnetarisht ushtar, për të mos shkuar disa djem të rinj që vinin nga familjet më të varfëra, e ishin djem të vetëm në familjet e tyre.

Familja Toshi, tashmë kishte një djalë ushtar që vinte nga Villgara, Ana e Malit – Oblikë. Gjatë rekrutimit për ushtar, tek shtëpia e Brahim Dulit, kujtojnë të afërmit e Hamitit, krimineli komunist Zoi Themeli, që asokohe ishte shefi i Degës së Punëve të Brendëshme për Shkodrën u bëri thirrje që të dorëzojnë armët.

Ata pasi i dorëzuan armët, iu komunikua për të shkuar në qytetin jugor të Gjirokastrës, në një kohë që ata ishin caktuar për të qëndruar si ushtarë në fshatin Obot në Oblikë.

Hamit Toshi, pa pasur aspak frikë e kundërshton hapur këtë vendim të padrejtë dhe shumë tendencioz që personalisht i bëri përfaqësuesi i Sigurimit komunist, Zoi Themeli. Ndër të tjera Zoi Themeli i thotë Hamitit me përçmim dhe tallje: “Po të ishe burrë i mirë, nuk i dorëzoje armët!”.

Duke ruajtur gjakftohtësinë, Hamiti menjëherë del nga rreshti, përkulet, nxjerr një pistoletë nga çorapi dhe ia hedh përpara syve Zoi Themelit.

Ai ka pasur gjithnjë me vete deri në tre pistoleta. Me pistoletën e tretë ai e fton oficerin komunist Zoi Themelin, të marrë pjesë në dyluftim, mbasi burri i armatosur në sy të burrave të tjerë nuk fyhet.

Zgjedhjet e para “demokratike”, 2 dhjetor 1945

Me këtë veprim prej trimi, Hamiti bën që të gjithë ushtarët të qëndrojnë në Obot për 6 muaj dhe më pas i transferojnë në Delvinë.e

Ëndrra dhe dëshira e pashuar e tij ishte për një atdhe dhe shoqëri shqiptare pluraliste; Shqipëri përparimtare dhe demokratike; Respektimin e votës së lirë të individit; Zhvillimin e vendit, sipas modelit të vendeve më të përparuara demokratike të Europës Perëndimore dhe demokracisë së lirë të Shtetëve të Bashkuara të Amerikës etj.

Edhe sot, po t’i hedhësh një sy librave të historisë që janë në përdorim deri në Universitetet politike shqiptare, do të shohësh se asgjë nuk ka ndryshuar nga historiografia 50-vjeçare komuniste dhe se zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, përmenden si votime e zgjedhje të “lira”, kur asokohe opozita votonte në një kuti të veçantë me kokrra.

Kështu, më 2 dhjetor 1945, Isufi ka qenë në komisionin zonal në qendrën e votimit. Një natë para se të bëhen votimet arrestohet nga UDB-ja jugosllave dhe dërgohet me ndihmën edhe të forcave të Sigurimit Shqiptar për në Ulqin.

Me kërkesën e Shefqet Hamza Dulit, villogradas (asokohe kryetar këshilli i fshatit) insistohet dhe sillet në burgun e madh të qytetit të Shkodrës, i kapur prej krahësh nga dy kolonelë jugosllavë. Arsyeja ende sot ka mbetur enigmë.

Gjatë pyetjeve që i bën në hetuesi Zoi Themeli, në prezencë të oficerit gardian Elez Mesi dhe dy kolonelëve jugosllavë, në provokim e sipër, Isufi nuk duron më dhe i drejtohet Zoi Themelit: “Jugosllavëve nuk ua kena pa hajrin denbabaden dhe jo t’ia shohim tashti”.

Ndërsa kryexhelati oficer i Sigurimit Zoi Themeli, i thotë t’a përkthejë shprehjen, që t’a marrin vesh edhe jugosllavët se ç’ka do të thotë në gjuhën e tyre jugosllave. Në çast u thuhet përfaqësuesve të huaj se Isufi, si bandit, kërkon të prishë miqësinë shqiptaro – jugosllave.

Në ato momente, gardianët së bashku me drejtuesin e tyre Elez Mesin e lidhin Isufin, e ulin ratë (poshtë) dhe më pas të dy kolonelët jugosllavë, me çizmet me thumba, njëri i hyp në kokë dhe tjetri në bark dhe e mbajnë për disa minuta në gjëndje torture. Torturat në forma dhe metoda fashiste kanë vijuar edhe në ditë të tjera, por Isufi asnjëherë nuk është përkulur.

Ai në burg si bashkëvuajtës ka pasur persona të njohur në Shqipëri, sikurse është Mandela i gjinisë femnore Drita Kosturi, Terezina Pali, Padër Mati Prenushi, Gulielm Suma pronari i Kafes së Madhe, etj.

Duke parë se nga Isufi nuk nxjerrin asgjë të rëndësishme për Sigurimin komunist, ashtu sikurse kishin vepruar edhe me të burgosur të tjerë, në mënyrë që të mos i lirojnë për mungesë provash, dhe se dënimi ishte i domosdoshëm (porosi e Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës për të gjithë antikomunistët), akuza, nga prishja e miqësisë shqiptaro – jugosllave, i kthehet si organizator apo ndërlidhës i Lëvizjes Kundërkomuniste të Postribës për zonat Postribë, Shkodër, Ulqin, Krajë dhe Ana e Malit.

Përsëri tortura të llojeve të ndryshme, të ushtruar me saktësi nga xhelatët specialistë dhe të dhunshëm e të pashpirt.

Biruca, ku ata kanë qëndruar për shumë kohë, ishte rreth 1.5 metra gjërësi dhe 2 metra gjatësi. Të gjithë të prangosurit në burg ishin të lidhur me njëri – tjetrin, ku i fundit dhe i pari ishin të lidhur në mure në mënyrë që të mos kishin mundësi që të lëviznin.

Një ditë prej ditësh, kujton nipi i tij Xhevahiri, gardiani Elez Mesi hap sportelin e birucës dhe vështron të burgosurit. Isufi po bisedonte dhe ai dëgjonte.

Gardiani merr Isufin së bashku me Padër Mati Prenushin dhe i çon në gropën e zezë të WC-së ku gishtat e këmbëve nuk u hasnin në tokë.

U vendos vetë nën sqetull vezë të ziera, kuja pishe në thua, i fusin deri në bel në gropën e zezë për t’i gjunjëzuar martirët e fesë dhe të lirisë, deri sa të dy shqiptarëve të lidhur, herë pas here, u binte të fikët nga torutrat e njerëzve të pashpirtë të Sigurimit komunist.

Një ditë tjetër, kur kanë ardhur në vehte tregtari i nderuar shkodran Guliam Suma dhe kleriku katolik padër Mati Prenushi (1887-1948), në atë gjëndje të vështirë që ishin, kanë kërkuar që më mirë t’i vrisnin, se sa t’i linin gjallë e për gazep, nën torturat çnjërëzore që bënte xhelati i pashpirt Elez Mesi me të tjerët.

Më mbas, ata janë pushkatuar pa mëshirë nga togat e zeza të pushkatimit, të ngritura vetëm për të bërë vrasjen e shqiptarëve martirë. Isufi, në vitin 1947, lirohet nga burgu. Gjatë kohës që ai ishte në burg, Hamiti (vëllai i vogël) arratiset në Greqi.

Më pas nis kalvari i familjes së tij, ku menjëherë forcat e ndjekjes komuniste të Sigurimit arrestojnë Muhametin në vitin 1949 dhe e dënojnë me akuza fallco me 9 vjet heqje lirie, sepse “deshti t’i bënte një atentAtë një punonjësi të Sigurimit”.

Para se të burgosej, Muhameti me disa miq të tij, kanë nxjerrë jashtë shtetit, për t’i shpëtuar përndjekjeve, qytetarin Zija Myftia. Dy vjet më pas, gjatë kohës që axha ishte në burg, vijon në kujtimet e tij Xhevahiri, ai vritet në Dukagjin.A


Aktiviteti kundërkomunist i Hamit Toshit në vitin 1951 e vijim

Duke iu rikthyer edhe një herë librit të autorit Zef Luka me titull: “Njiqind shqipe që erdhën me prue lirinë” (Ditar) ndër të tjera, për Hamitin, ai kujton në faqet e tij se si e kishte marrë vesh ngjarjen e vrasjes së Hamitit.

Ai kujton: “Millë. Në mbramje vërejmë se rreth orës tetë kalon përmbi ne një aeroplan. Thamë se asht tue hedhë letra. Ne e nesre rinia e Sigurimi dolën me i mbledhë për të mos ra në dorë të popullit, tue na vue edhe ne kështu në rrezik. Ne nesre, sapo zbardhi dita, ndiem pushkë e mitraloza. Unë mendova, se asht tue ba manovra ushtria, por ma vonë mora vesh se ishin hedhë parashutista në Livadhet e Barit, në Cukal. Ata luftuan e u vranë deri sa arritën në Kir. Grupi që kishte parashutuar ishte i Komitetit Shqipëria e Lirë. Personi parashutist që ndër ta kishte mbetur i vrarë ishte shoku im më besnik, i ikun prej Brigadës XV Sulmuese, Divizioni I, Kompania II e Delvinës, Hamit Toshi (Saiti), prej Villgarit, Ana e Malit, Shkodër. Ai pat edhe një vëlla që më duket e thirrshin me emrin Isuf, si edhe një motër të martueme në Ulqi., Tokat i kishn në kufi me Jugosllavinë” (Luka, f. 95).

Pra Hamiti kishte rënë me parashutë vetë i katërti në një nga lëndinat e malit Cukal, por edhe këtu kishte rënë në pritë. Me sa duket, Sigurimi komunist ishte në dijeni më përpara për këtë zbarkim nga ajri të njerëzve që kërkonin lirinë e popullit shqiptar.

Komandanti i grupit ka qenë vetë Hamit Toshi, i cili, shoqërohej në misionin e tij fisnik nga tre persona të tjerë shqiptarë. Ata ishin Hazis Rustja nga Bërdica, Dedë Hili nga Dukagjini dhe Rifat Zyberaj.

Tradhëtia e agjentit të dyfishtë anglezo  rus Kim Philby dhe vrasja e Hamitit

Për hir të realitetit duhet vënë në dukje se shpesh edhe disa gazeta të djathta bien në pozitAtë e gazetave të majta komuniste në Shqipëri, duke iu referuar autorëve që kanë qenë në kupolën e Sigurimit komunist, saqë shpesh ata e nxjerrin Sigurimin shqiptar si më i përsosuri në “dështimin” e komploteve kundër tyre.

Duke shfletuar faqet e librit: “La missione tradita” (Come Kim Philby sabotoge l’invasione dell’ Albania) me autor Nichollas Bethell, kushdo e kupton sesa fallco e komike kanë qenë e mbeten filmat propagandistikë komunistë, që rishfaqen sot si “kryevepra” të kinematografisë “shqiptare”.

Grupi i kryesuar nga Hamit Toshi ka rënë në grackë qysh në fillim, si pasojë e lojës së dyfishtë të agjentit Kim Philby, për të cilin “Gazeta Shqiptare”, asnjëherë nuk ka shkruar a thua se nuk ka aq burime e literaturë për ta trajtuar sesi veproi ai kundër parashutistëve shqiptarë dhe të huajave në shumë vendeve të tjera të Europës Perëndimore.

Kur grupi i kryesuar nga Hamit Toshi, ka rënë në tokë me parashutë, ata kanë qenë të tradhëtuar qysh në ajër dhe jo si pasojë e aftësisë së Sigurimit. Parashutisti Rifat Zyberi, plagoset rëndë dhe, për të mos rënë i gjallë në duart e Sigurimit, vret edhe veten.

Për më tej tre të parashutistë të tjerë kanë qenë të rrethuar dhe mbasi qanë rrethimin, kanë ikë rrugën drejt pjerrësisë së Malit të Cukalit dhe më pas janë nisur për në Dukagjin.

Me të arritur në Dukagjin, të lodhur, të uritur dhe pa gjumë, kanë shkuar për të bujtë në shtëpinë e mikut të tyre bashkëluftëtar, dukagjinasit parashutist Dedë Hili, pikërisht në fshatin Kir. Ardhja e tyre, merret vesh nga një spiun malësor vendali, që punonte si hafije për llogari të Sigurimit.

Mbas spiunimit, pas disa çastesh, shfaqen si miza toke në shkrepat e Dukagjinit mbi 800 forca të ndjekjes komuniste të cilat edhe ato, për çudi, kryesoheshin nga një komandant që ishte po vendali nga zonAtë e Dukagjinit.

Menjëherë krisi pushka mes parashutistëve të vendosur për misionin e tyre për të shpëtuar popullin nga zgjedha komuniste dhe forcave të Sigurimit që luftonin nën simbolin e Titos dhe të proletarëve pa fe, atdhe, ide dhe qëllim luftimi.

Mbas dy orë luftimi të përgjashëm, vritet heroikisht trimi i vendosur Azisi dhe, pas 6 orëve të tjera, mbetet i vrarë Hamit Toshi dhe i fundit, mbas 8 orë luftë, i vetëm përballë shumë kriminelëve të Sigurimit, vritet dëshmori i lirisë, dukagjinasi Dedë Hili.

Edhe në atë gjendje të rëndë dhe skene makabre përpara bjeshkëve të Dukagjinit, kunata e Dedës, një grua trimëreshë dhe fisnike e Kanunit të Lekë Dukagjinit, pa iu trembur syri për pasojat, që mund të rridhnin nga veprimi i saj, i kërkon komandantit komunist ta lejonte për të marrë trupat pa jetë të të tre martirëve për t’i varrosur.

Më pas, kur janë larguar forcat e komandës dhe të policisë komuniste, ajo i ka varrosur të tre.

Pas shumë dekadash, në vitin 1991 trupat e tyre janë gjetur për t’u rivarrosur nga të afërmit e tyre me ceremoni, mbasi Zoja ka shënuar emrin e secilit prej tyre, duke e mbajtur sekret, deri kur ata janë rivarrosur nga bashkëvuajtësit.

Ngjarje të tjera të familjes së patriotit Hamit Toshi

Për aktivitetin e madh të Hamitit shkruan edhe miku i tij më i afërt, Zef Luka, i cili edhe kur shkoj në Shqipëri në vitin 1992, bëri një vizitë të shkurtër tek të afërmit e tij, duke u theksuar edhe një herë se e kishte patur një mik dhe shok shumë besnik dhe se ai kishte qenë me të vërtetë një antikomunist i vendosur.

I ndjeri Zef Luka, në një nga kapitujt e librit të tij, përmend edhe tradhëtinë e madhe që i bëri agjenti i KGB-së Kim Philby, i cili i humbi Shqipërisë për ambicjen e vet personale dhe për të holla, bijtë më të mirë dhe trima të popullit shqiptar dhe për më tepër qytetit më antikomunist në Shqipëri, Shkodrës dhe rrethinave të tij, bijtë që sot nderojnë qytetin dhe familjet e tyre për aktivitetin e vendosur antikomunist me jetën që dhanë për çështjen e atdheut.

Kalvari

Familja Toshi dhe veçanërisht vëllezërit e Hamitit ndiqen nga persekutimet e njëpasnjëshme.

Kështu, në vitin 1956 Muhamet Toshi, lirohet nga burgu (që e ka vuajtur në kam[et më të këqia në Shqipëri duke tharë këneta), mbasi kishte qëndruar në kampet e Maliqit, Vlorës dhe Bedenit të Kavajës.

Në fund ai lirohet nga Rinasi. Ai është njohur me Prof. Arshi Pipën, Ragip Lohen, Hajdar Rusin, Muharrem Sahitin, Muhamet Fejzon, Prof. Sami Repishtin dhe shumë klerikë të besimeve të ndryshme të Shqipërisë.

Fill mbas daljes nga burgu, ka shoqëruar për jashtë “burgut të madh” të Shqipërisë shumë vetë, meqenëse e njihte shumë mirë zonën kufitare.

Një ditë të bukur, pas ditës së fundit të festës së Bajramit, kalon kufirin dhe shkon për Bajram tek motra e tij në Vladimir të Ulqinit.

Atë e kishte njohur një person vendas, i cili menjëherë e spiunon tek forcAtë e Sigurimit jugosllav dhe ata lidhen me Sigurimin komunist shqiptar.

Gjatë kthimit në vendlindje i bëhet pritë dhe, në kthim, pa paralajmërim, shkrehin breshëritë e automatikut kallashnikov mbi trupin e një fetari islam të devotshëm.

Gjeografia e kalvarit dhe vitet e burgut të familjes Toshi?

Menjëherë mbas vrasjes së Muhamet Toshit, forcat e Sigurimit, si të xhindosur, i vërsulen shtëpisë së familjes së tij dhe e bastitsin, duke bërë rrëmujë çdo vlerë materiale të vënë me mund e sakrifica mbijetese.

Për familjen fillon menjeherë internimi për 3 vjet në Gradishtë të Lushnjës.

Më mbas ata kthehen nga internimi në vendlindjen e tyre në vitin 1956. Po atë vit arratiset jashtë shtetit djali i Muhametit, Xhemali, duke qenë i kërcënuar për jetën nga spiunët e Sigurimit dhe sot ai jeton në New York të ShBA-së.

Familja e tij riinternohet në fshatin Hajmel gjatë viteve 1955-1970. Më 1970 ata lirohen nga internimi.

Në vitin 1973, vëllai i Hamitit, Isufi, dënohet me burgim me nenin famëkeq “55” për Agjitacion e Propagandë, duke i theksuar në gjyq se ka mbajtur Ramazan, se ka thënë se malli kinez është i keq, se ka thënë që ka shkuar sateliti në hanë, se nuk i del buka, ka thanë se sa e madhe është minarja në Vladimir të Ulqinit.

Në gjyqin famëkeq kundër tij i kanë dalë dëshmitarë 5 vetë, që ishin njerëz të dënuar ordinerë, që sikur thoshte populli, ishin spiunë me 1200 lek ($12).

Burgun Isufi e kalon në kampin e tmerrshëm të Spaçit e në Ballsh së bashku me dom Nrekë Kroqi, njeriun kurajoz e trim Fadil Kokomani, Spartak Ngjela (sot një ndër avokatët e njohur të mbrojtjes së demokracisë), Dylber Merdani, Pjetër Loro, Pashuk Loro, Zeqir Ceni etj.

Më 2 Prill të vitit 1990, Isufi lirohet nga burgu. Kjo familje më përpara ishte internuar edhe në Lumas të Beratit, më 25 Qershor të vitit 1980, duke qëndruar për 5 vjet me motivacion që “të mos kishte të drejtë kthimi në vendlindje”.

Përfundimi i dramës Toshi

Familja Toshi ka të pushkatuar dy vetë: Muhamet Tusha (Toshi), 29 Maj 1961, Hamit Toshi, vrarë më 16 Gusht të vitit 1951; të burgosur: Muhameti 8 vjet, Isufi 8 vjet; internim: Isufi 5 vjet, Menja Tusha 5 vjet, Xhevahiri, i biri, 5 vjet (1980-1985); familja Muhameti: Internimi i parë 1960-1963, pas vrasjes së Muhametit: Zadja 3 vjet (1960-1963), e bija Nadirja, (1960-1963); Xhemali, i biri (1960-1963); Melihaja, kur ishte 2 vjeç (1960-1963).

Mbas arratisjes, i biri 19 vjeçar, Xhemal Fusha, vjen në New York, ku jeton edhe sot.

I gjithë kalvari i familjes Toshi, përfshihet në 42 vjet internim, 16 vjet burg dhe 2 të vrarë barbarisht nga forcat “popullore” të Sigurimit komunist.

Mbijetesa e kësaj familjeje, është madhështi

Nuk do te jetë asnjëherë e saktë historia e popullit tonë në të gjithë trojet etnike shqiptare, nëse nuk do të shkruhet me saktësinë e kohës për bijtë më të mirë të nacionalizimit, atdhetarët e idealeve të pastra liridashëse, përparimtare, demokratike, për të cilat vlera ata flijuan edhe jetën e tyre dhe janë sot një pasqyrë nderi dhe krenarie, për misionin fisnik të shkëputjes së Shqipërisë nga kthetrat e komunizmit të zi.

Literatura:

  1. Zef Luka, “Njiqind shqipe që erdhen me prue lirine”, USA, 1950.
  2. Tomë Mrijaj, “Historia e parashutistit Alush Leshanaku (1913-1950)”, revista Jeta Katolike, f. 13-14, 2008.
  3. Alush Leshanaku: “Gjendja e Shqipnis në Prill 1949”, “L’Albanie Libre”, Organe du Bloc National Independent, 20 Dhjetor 1954, f.4.
  4. “Alush Leshanaku – Lajmtar e Fatos i Liris”, “L’Albanie Libre”, Organe du Bloc National Independent, 28 Nëndor 1951, f.2.
  5. “Me histori në dorë”, “L’Albanie Libre”, Organe du Bloc National Independent, 28 Nëndor 1952, f.3.
  6.  Kolë Çuni, “Ditët e fundit me Alushin”, “L’Albanie Libre”, Organe du Bloc National Independent, 20 Dhjetor 1954, f.6–7.

Filed Under: Histori Tagged With: Klajd Kapinova

Kur shpirti vritet

April 16, 2019 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/ Kur  shpirti vritet, nuk ka më ndërgjegje, dhe kur ajo mungon nuk ka më as nerv, as ndjenjë dhe qenia punon në mënyrë robotike. Kjo është dhe arsyeja që i pashpirti  e ka  gjuhën  brisk, që, ashtu si era e veriut në dimër të pret pa mëshirë. Me këtë lloj gjuhe foli  Kryeministri i Shqipërisë, përpara gazetarëve lidhur me situatën e rëndë të vrasjeve në Shqipëri. Ai, pa pikën e turpit dhe me një vetëkënaqësi paranoidi, shpërveshi grimasat e qenit të tërbuar, ikur prej hekurave, turrur gjallesave  për t’i viktimizuar. Kur më thanë që Rama kishte bërë një deklaratë skizofrenike… nuk u besova fjalëve deri në momentin që  pashë intervistën. Kam parasysh që çdo politikan diletant flet budallallëqe, por në intervistën me gazetarët, Rama do ngjasonte me një vorraxhi të rëndomtë: “Hëngshin kokat e njëri-tjetrit dhe për sa herë që hanë kokat e njëri-tjetrit ne do marrim frymë thellë!”. Të gjithë vorraxhinjtë fërkojnë duart kur vdes ndonjë njeri, sepse sa më shumë njerëz të vdekur aq më mirë e kanë biznesin. Dhe Kryeministri foli si i tillë. Po çmenduria e tij nuk u ndal tek biznesi i vorraxhiut, më e keqja ishte se ai veshi rrobën e kriminelit, duke bërë thirrje: “Janë të lutur që të vrasin njëri-tjetrin!” dhe më tej, ai krenohej që në Shqipëri, krimi është “parandaluar dhe zbuluar” si asnjëherë më parë, dhe, hopa(!) pas pak kohe vjedhjeje spektakolare 10 milion euro në Rinas!

            Gazetarët “Kazanxhinjë” përpiqeshin që ta fusnin  Ramën në shina, duke i kujtuar atij se ishte Kryeministri i Shqipërisë dhe duhej të ishte garant i jetës së qytetarëve, qoftë dhe të atyre me preçedente penale. Megjthatë ai nuk ndalej, por nën influencën e virusit tërbimit funeral ndjellte orbitën e lamtumirës së fundit, frymëzonte vetëgjyqësinë. Sikur kjo të ndodhte në një vend me demokraci të konsoliduar, deklarata e Ramës do të kishte pasoja… ku mbase do bashkonte pozitë dhe opozitë për largimin e një kryeministri të çmendur. Në librin “ Essential of Psychology” në Chapter 4, Brain and Mind, What makes you human, shpjegon në mënyrë të shkurtë esenciale funksionimin e trurit. Aty ka dhe një thënie të famshme të Dekartit: Cogito, ergo sum “, në gjuhën angleze , “I think , therefore I am”  që do të thotë, “Unë mendoj, prandaj unë jam”. Ky citat përkthehet: “Nuk është e mjaftueshme të kesh mendje të mirë, por kryesorja është që ta përdorësh mirë.” Pra, ne shohim piktorin “krijues” të bëhet  politikan varrkërkues, i cili nuk është në gjendje të shikojë më larg se hunda e  tij,  po përpiqet të bëhet njëherësh hetues, prokuror dhe gjykatës inkuizitor!

            Në qendër të Londrës, në oborrin e Gjykatës Kriminale  (dhe jo vetëm aty), qendron Statuja e Drejtësisë, e cila paraqitet nga një femër blindfold (sylidhur – tashmë simbol i përbotshëm), me krahët e hapur horizontalisht, që mbajnë, në të djathtën shpatën e ngritur vertikalisht, ndërsa në të majtën, peshoren. Shumë prej njerëzve që kalojnë në atë shesh, ndalen për ta admiruar atë vepër arti duke reflektuar mbi mesazhin që përcjell. S’ ka dyshim që çelësi i mesazhit qendron tek sytë e lidhur. Shpjegimi është pak a shumë ky: ajo nuk duhet të shikojë animin e peshores. Simboli tregon se nuk do ketë favor dhe se gjykimi do të jetë i paanshëm dhe i barabartë për të gjithë, si për njerëzit me influencë, mbretërorë e aristokratë ashtu edhe për të paprivilegjuarit, njerëz të thjeshtë, të varfër, e të pambrojtur, deri dhe ata me precedentë penal. Gjykimi ka për bazë vetëm faktet, jo thashethemet dhe hakmarrjet personale dhe diferencat politike.

            Statuja të ngjashme, për shkak të traditës historike europiane, ka dhe në disa nga kryeqytetet e ish-vendeve komuniste, por drejtësia ende nuk ka arritur të jepet plotësisht sipas parimit të paanësisë. Tek ne, ku sundon autokracia, ky simbol shpërfillet ose shkelet, prandaj dhe kryeministrat e vendit tonë, i kanë kthyer gjykatat në zgjatime të pushtetit të tyre.

            Kam lexuar me dhjetëra biografi politikanësh botërorë, qindra libra politikë. Kam gjurmuar gjithë jetën intervistat e politikanëve të mirëfilltë, por asnjëherë nuk kam parë qivur të hapur në studiot televizive si në rastin e Ramës… Monstra të tilla shfaqen vetëm në  diktatura.

            Pa kaluar habia e deklaratës së papërgjegjëshme të Ramës: “Të hanë kokat e njëri-tjetrit”, u vra në Shkodër, Haxhi Ibrahim Bilali, anëtar i Kryesisë Unionit Antikomunist Shqiptar, Anëtar i Partisë Demokratike, i dekoruar me Medalje të Artë “Pishtar i Demokracisë”. Ibrahim Bilali ishte Kryetar i Shoqatës  Antikomuniste “2 Prill 1991”, por dhe pionier dhe kampion i Hipizmit në Shqipëri. Në lagjen Kiras, porta e tij ishte  dera e parë  që u hap për demokraci dhe PD. Ai u vra sëbashku më të vëllanë, Astrit Bilali dhe ai anëtar i PD-së, gjithashtu  Kampion i Hipizmit.

            Në Veri të Shqipërisë dhe Kanun thuhet: “Ma zi gërgasi se dorasi!” Shteti, që ka për detyrë t’i shuajë hasmëritë me të gjitha mjetet që ka në dispozicion, duke i trajtuar si larje hesapesh, dhe për më keq akoma, duke bërë të ditur publikisht se do të qendronte dorëjashtë, pra duke u shmangur nga një nga detyrat e veta themelore siç është mbrojtja e jetës së çdo individi, inkurajoi zgjerimin e qerthullit të vrasjeve. Ai u tha palëve të konfliktuara: “Veproni sipas kodeve tuaja! Vrisni njeri-tjetrin! Bëjini ju hetimet, dhe bëjeni vetëgjyqësinë! Ne s’kemi pse të merremi me punët tuaja se duhet të vazhdojmë rrugëtimin për në Europë!”. Ç’ tregon në të vërtetë ky qendrim? Kryeministri nuk e ka hallin tek integrimi. Në Bruksel lexohen edhe raportet mbi hasmëritë, hakmarrjet apo gjakmarrjet në shoqërinë shqiptare dhe mënyrat se si i trajton shteti këto fenomene. Në mos një kapitull, ato përbëjnë një çështje standarti që Shqipëria duhet ta arrijë për të hyrë në BE. Por, nga tjetër, sikur unë të vazhdoj logjikën e Ramës, dhe  të ndjek  ligjet e errëta të Kanunit dhe vetëgjyqësisë, duhet të them se, Kryeministri Rama është në gjak me fisin Bilali, sepse inkurajoi vrasjen e dy vëllezërve. Sadoqë altoparlanti i Ramës thërret: “Larje hesapesh!”, Gërgasi, nuk shpëton dot nga  karma.

            Unë nuk jetoj në Shqipëri, por dhe s’ më ka pëlqyer kurrë të ndjek sagën e thashethemeve dhe fantazive të sëmura. Sigurisht, një gjë e di mirë. Edhe nëse zanafillë konflikti ka nisur si një problem ordiner, në përmasat dhe mënyrën se si apo zhvillohet ai është tashmë një konflikt fisesh, që do të thotë se ka dhe do të ketë viktima të mosveprimit të shtetit, apo më keq akoma të faktit se shteti ka larë duart… Shpirtligjtë e djallit  dhe propaganda laramane mund të shprehet gjithsesi për jetët e humbura para kohe (sepse e tillë është palodemokracia jonë), por ne e dimë se kur vrasjet shoqërohen nga propaganda e fëlliqur të disorientimit që ka për qëllim të turbullojë mendjet me avullin e opiumit të gënjeshtrës,  qoftë për shoqërinë e viktimave ashtu dhe grupimin ku kanë milituar, është politika e degjeneruar që ka ndezur gjeneratorin. Fjalitë standarte të dala boje si: “Hesape të vjetra!”,  “Vrarë nga shokët e vet !”, të çojnë në laboratorin e prodhimit të shpifjeve  komuniste.  Kështu ndodhi me Azemin, me Arbenin, me  Senahiun etj… Tani dhe me Haxhi Ibrahim Bilalin?! Por! Dhe nëse ka ndonjë një të vërtetë aksidentale që kurorëzon thashethemin, do i lutesha familjeve ant-ikomuniste: mos bini pre e propagandës së kuqe, lërini zënkat! Bashkohuni dhe njëherë si në 1991!

Dhe pse mendoj se paqja është e vetmja zgjidhje për të ardhmen e shoqërisë tonë dhe zhvillimin e njerëzimit, më duhet të them se, filozofia e paqes me frymëzuesit e krimit nuk shkojnë bashkë! Nëse vrasësi nxitet nga motivet e verbra kanunore apo jo kanunore, tregon pasojën e disorderit psikik individual e shoqëror, ku paraprin instikti dhe jo koshienca e hemisferave trunore. Ndërsa frymëzuesi i krimit, është krimineli i vërtetë, sepse ai me mendje të ftoftë përpunon dhe kthen në art qëllimin e vrasjes, çfarë tregon se, sadizmi nuk është i rastësishëm, por gjenetik. Në rastet e vrasjeve të paralajmëruara, siç janë ato të konflikteve fisnore, vrasësi nuk është thjesht dorasi, por mosveprimi i shtetit që priret nga filozofia e krimit. Nga ana tjetër, vrasje të tilla e shqetësojnë opinionin publik, i cili kërkon të shkëputet njëherë e mirë nga tradita e të drejtës primitive. Shoqëria ka të drejtë të shqetësohet dhe të frikësohet sepse këto vrasje rigjallërojnë kodin e vetgjyqësisë, ndërkohëqë, janë akoma më të shqetësuar nga deklarata e papërgjegjshme e kryeministrit. Duke i trajtuar si vrasje mes bandash, kryeministri i përcjell shoqërisë mesazhin se bandat po forcohen, sepse qytetarët e dinë se bandat nuk asgjësohen nga vrasjet, por përkundrazi pushteti i tyre vetëm rritet, aq për më tepër kur shteti ka zgjedhur të rrijë dorëjashtë. Ndaj më duhet të them se logjika e propagandës së larjes së hesapeve, s’është tjetër veçse logjikë kriminale!

            Tani që Ibrahimi shkoi në parajsë, i lutem Zotit që t’ua shndrisë  mendjen politikanëve  që të mos flasin përçart! Jeta e njeriut është e shenjtë dhe si e tillë nuk ka të drejtë askush ta marrë  përveç  Zotit. Çdo deklaratë e papërgjegjëshme ndjell konflikt dhe gjak. Nëse Rama apo kushdo tjetër frymëzon krimin, ai krim do të jetë një ditë dushi i ndërgjegjes së tij. Çdo qenie që udhëton mbi dhe do transformohet, kurse njeriu ka një shans që të mos tjetërsohet, ky shans është: të mos vrasë shpirtin!

            Merimanga tjerr  pezishkën sipas  rëndesës së peshës së vet, dhe nëse instikti i saj përpiqet për të krijuar një peshë specifike më të rëndë, pezishka bie… dhe bashkë më të dhe merimanga.

Filed Under: Histori Tagged With: alfons Grishaj

Agim Ramadani, luftëtar shembull shqiptar

April 14, 2019 by dgreca

“Ditët e Shqipes 2019” – Kryeministri Haradinaj:  Sot është një ditë ndryshe, sepse kujtohet një luftëtar shembull shqiptar, një luftëtar që në vlerat e tij njerëzore dhe intelektuale, por veçanërisht në pastërtinë e tij përkushtimi për atdhe është i rrallë, Agim Ramadani/

PRISHTINË, 11 Prill 2019-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore – Dita e dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”- Dita e rënies së Heroit Agim Ramadani, që u organizua nën patronatin e Kryeministrit, në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes 2019”.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, tha se, sot është një ditë ndryshe, sepse kujtohet një luftëtar shembull shqiptar, një luftëtar që në vlerat e tij njerëzore dhe intelektuale, por veçanërisht në pastërtinë e tij përkushtimi për atdhe është i rrallë, Agim Ramadani.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj theksoi se, përshtypja e tij për Agimin, edhe në kohërat e luftës dhe bindja e tij ishte se, kanë të bëjnë me një luftëtar të rrallë, me një tipar të rrallë të luftëtarit shqiptarë.

“Në Brigadën 138 u bashkuan plot djemtë të zot të kombit, të cilët kishin bërë rrugë për liri, rrugë për të drejtën tonë. Aty janë njerëz të shquar, janë, Sali Çeku, Xhemajl Fetahu, janë plot të tjerë, por janë shumë dëshmorë, nga të gjitha anët e atdheut që u flijuan në kuadër të kësaj brigade”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se, ajo që është më rëndësi të përmendet, është se atë ditë e në atë orë me Agimin ishin edhe Adem Isufi i Cërnicës së Gjilanit, Jeton Veliu i Polacit, Imri Curri i Hanit të Elezit, Ramë Beka i Gushavcit të Mitrovicës, Rrahman Tafa i Caralevës, e Sylejman Shala i Vidishiqit.

Duke e konsideruar shumë të rëndësishme Epopenë e UÇK-së në Koshare, përmasat dhe efektet që ka dhënë ajo, kryeministri Haradinaj tha se, gjatë gjithë zhvillimit të luftës për liri, ka pasur momente të pikëpyetjeve se si do të rrjedhë lufta. “Në kohën e fillimit të sulmit frontal, pra në çrrënjosjen e vijës ndarëse dhe në heqjen edhe formale të gurit, të kufirit, që e bëri Agim Ramadani me bashkëluftëtarët e vet në atë kohë, edhe atëherë ishte pikëpyetje se si do të vazhdojë rrjedha e luftës nëpër të gjitha zonat e luftimit”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se disa nga këto zona ishin në sfidat më të mëdha të luftës.

“Nisja e sulmit frontal, ashtu si ndodhi në Koshare, e konfirmoi se çka do të ndodhë, u bë e ditur se çka do të ndodhë. Vetëm fakti se një njësi e madhe në numër, në fuqi zjarri, në ekspertizë ushtarake e lufte, e filloi një sulm frontal mbi forcat e okupatorit, e konfirmoi, e mbylli epilogun e luftës”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se, kjo epope kishte rëndësi të jashtëzakonshme, sepse i dha siguri rrjedhave brenda të luftës, duke iu dhënë frymë përpjekjeve të luftëtarëve për të mbetur brenda në vazhdimin e luftës.

Kryeministri Haradinaj, gjatë fjalës së tij, tha se sot, është e ditur, se betejat në vazhdimësi që kanë ndodhur në Koshare, janë të përmasave që do të mbesin në historinë më të re të shqiptarëve.

“Flijimi dhe rënia në altarin e lirisë, e njerëzve që kishin bërë rrugë deri në formimin e tyre, e atyre që kishin dhënë prova që janë një profil i lartë, po ashtu i jep një peshë dhe dimension të veçantë. Pra flijimi në ditën e sotme i Agim Ramadanit, po ashtu e bënë historinë ”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se janë Agimi, Salihu dhe dëshmorët e tjerë që i bashkojnë në çdo 9 prill, jo vetëm në Koshare, por kudo që janë në jetë, në respekt të veprës së tyre për liri dhe në respekt të obligimeve që kanë lënë.

Në mbyllje të fjalimit, kryeministri Haradinaj tha se nuk ka qenë lehtë për të gjithë ata që ishin në vijat e para, në misionin e tyre për të drejtën për të qenë të lirë.

“Të gjithë ata që e kanë dashur me zemër atdheun, e kanë gjetur rrugën. Në çdo kohë shembulli i tyre mund të na ndihmojë që të gjejmë rrugën në shërbim të atdheut tonë. Edhe dita e sotme është një ditë e porosisë për të gjithë ne që të shërbehemi me shembullin e tyre. Lavdi e përjetshme heroit tonë, Heroit të Kombit, Agim Ramadani. Lavdi të gjithë dëshmorëve që kanë rënë për liri”, tha kryeministri Haradinaj.

Në emër “Brigadës 138”, një fjalë e mbajti bashkëluftëtari i Agim Ramadanit, deputeti Anton Çuni, ndërsa në emër të familjarëve të heronjve, foli Jeton Ramadani, i biri i Heroit Agim Ramadani./b.j/

Filed Under: Histori Tagged With: Agim Ramadani-Ramush Haradinaj

KOSOVË-“BLLACA 99”, MUZE I GJENOCIDIT SERB

April 10, 2019 by dgreca

Bllaca-1999-
20 Vjet nga gjenocidi serb….

-“Bllaca 99”, Muze atje ku u dëbuan qindra mijëra shqiptarë të Kosovës para 20 viteve/

-Kryeministri Ramush Haradinaj:  Liria e Kosovës në themele ka emrin e secilit refugjat të Bllacës. Falënderim shqiptarë kudo që jeni, faleminderit për bukën dhe ujin, për strehën dhe mbi të gjitha për shpresën që ua mbajtët gjallë të përndjekurve me ëndrra të vrara. Po ashtu, një falënderim të gjithë njerëzve të mirë, prej këtu, përgjatë tërë Evropës Perëndimore e përtej Atlantikut në Amerikë, Kanada e Australi, e deri në Jerusalem, që ua lehtësuan tragjedinë dhe ua lidhën plagët e shpirtit/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

BLLACË, 10 Prill 2019/ Në jug të Kosovës,  komunën e Hanit të Elezit – kufitare me Maqedoninë Veriore, është vënë sot gurthemeli i Muzeut të gjenocidit serb “Bllaca 99”, atje ku u dëbuan qinda mijëra shqiptarë para 20 viteve.

“Liria e Kosovës në themelet e veta e ka emrin e secilit refugjat të Bllacës dhe të gjithë atyre që dhunshëm u përndoqën nga shtëpitë e tyre. Ata u bënë zëri dhe imazhi i Kosovës që kërkonte të drejtën e vet”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Haradinaj foli në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Muzeut të gjenocidit serb “Bllaca 99”, në kujtim dhe nderim të gjithë shqiptarëve që e përjetuan Bllacën dhe eksodin e 99-ës, në kujtim dhe nderim të gjithë të rënëve për liri, dëshmorëve dhe të zhdukurve, në respekt dhe falënderim për të gjithë ata që ndihmuan popullin shqiptar dhe Kosovën në vitin 1999.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj tha se janë në Bllacë për të respektuar  rezistencën e vuajtjen e shqiptarëve që kanë kaluar nëpër Kampin e Bllacës, gra e burra, fëmijë e pleq, që prapa kishin lënë të kaluarën, emrat, kujtimet, varrezat dhe njerëz të tyre në zjarrin e luftës.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj falënderoi shqiptarët kudo që janë, për bukën dhe ujin, për strehën dhe mbi të gjitha për shpresën që ua mbajtën gjallë të përndjekurve me ëndrra të vrara.

“Një falënderim të gjithë njerëzve të mirë, prej këtu, përgjatë tërë Evropës Perëndimore e përtej Atlantikut, në Amerikë, Kanada e Australi, e deri në Jerusalem, që ua lehtësuan tragjedinë dhe ua lidhën plagët e shpirtit”, tha kryeministri Haradinaj.

Nga një fjalë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Muzeut të gjenocidit serb “Bllaca 99”, mbajtën edhe kryetari BDI-së – partisë shqiptare në Maqedoninë Veriore, Ali Ahmeti dhe kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma.

“Sot, bashkë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, bashkëveprimtarin dhe bashkuftëtarin Ramush Haradinaj, vendosëm gurthemelin e qendrës së kujtesës kolektive kombëtare për gjenocidin ndaj popullit shqiptar në Kosovë. E kaluara duhet të kujtohet në mënyrë që asnjëherë mos të harrohet dhe mos të përsëritet”, u shpreh lideri i BDI-së,  Ahmeti

Po sot, në Bllacë, është hapur ekspozita me fotografi nga kampet e refugjatëve e fotografit profesional nga Brukseli, Asllan Krasniqi, është mbajtur mitingu i poezisë “Bllaca 99”, me pjesëmarrjen e mbi 90 poetëve nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe janë mbjellë 99 fidane në shenjë kujtimi dhe nderimi për të gjithë shqiptarëve që e përjetuan Bllacën.    

FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT HARADINAJ:

Në fillim, më lejoni të përshëndes ata që ndodhen këtu, e që përmes këtij treni i kanë ikur vdekjes, të gjithë që janë prezent, që kanë ardhur nga të gjitha viset e Kosovës.

Sot, po vejmë gurthemelin e një shtëpie jo të jashtëzakonshme, që i zë kujtimet e  gjithë shqiptarëve, me shpresë që ndjekjen nga toka e vet kurrë më nuk do ta përjetojë askush.

Një shtëpi që do të jetë shtëpi e kujtesës kolektive, ku do të vijën breza e breza për të mësuar leksionin e parë: Sa e shtrenjtë është liria dhe sa dhembje sjell rruga deri në liri!?

Në respekt dhe përkujtim të vuajtjeve, por edhe rezistencës  së refugjatëve kosovarë, po e ngremë këtë Qendër Përkujtimore të gjenocidit serb në Kosovë, Bllaca ’99, shtëpi që flet më zërin e ndërgjegjes, kundër harresës.

Ky duhet të jetë një Muze Botëror, i gjithkohëshëm, që flet kundër mizorisë së njeriut ndaj njeriut!

Jemi sot këtu për respekt të rezistencës dhe vuajtjes së 440 mijë shqiptarëve që kanë kalua nëpër Kampin e Bllacës, nga mbi një milionë gra e burra, fëmijë e pleq që prapa kishin lënë të kaluarën, emrat, kujtimet, varrezat dhe njerëz të tyre në zjarrin e luftës.

Ndërkohë që 60 për qind prej tyre janë vendosur nëpër shtëpi të shqiptarëve, që i hapën dyert dhe zemrat, deri në lajmin e madh, që ushtoi si vetëtima: Kosova u çlirua! Kosova mbeti gjallë!

Falënderim shqiptarë kudo që jeni, faleminderit për bukën dhe ujin, për strehën dhe mbi të gjitha për shpresën që ua mbajtët gjallë të përndjekurve me ëndrra të vrara. Po ashtu, një falënderim të gjithë njerëzve të mirë, prej këtu, përgjatë tërë Evropës Perëndimore e përtej Atlantikut në Amerikë, Kanada e Australi, e deri në Jerusalem, që ua lehtësuan tragjedinë dhe ua lidhën plagët e shpirtit.

Dhe sot, kur po e vendosim një shenj në kohë dhe në këtë tokë të ujitur me gjak e lot, e cila ka për të qëndruar shekujve dhe ka më shërbye si vërejtje, që bota e lirë mos të lejojë më spastrim etnik, vrasje në masë dhe ndjekje e trena të vdekjes, sepse kush nuk mëson nga historia ajo do t’i përsëritet.

Pushtuesi mësyu një shekull të marrë tokë nga shqiptarët dhe kur u shfaq UÇK –ja, populli e rizbuloi forcën e tij – mos me dhanë më tokë – duke u rreshtuar në luftën për liri e dinjitet dhe regjimi i Millosheviqit duke e ndje fundin e vet, nisi fushatën e mizorive, për të marrë sa më shumë jetë nga shqiptarët.

Por bota e lirë, e prirë nga Amerika, ia mbylli rrugën me drejtësi kësaj mizorie për ta rikthyer shpresën. Kosova u rikthyer në historinë gjeopolitike të botës.

Kosova e ngrit këtë Muze edhe si falënderim të përjetshëm botës demokratike, si atyre që ndanë drejtësinë.

Sot, kujtesa jonë duhet ta zgjojë vëmendjen e secilit njeri, edhe fqinjëve tanë serbë, që mos t’ua trazojnë plagët ende të freskëta shqiptarëve, por t’i respektojnë vuajtjet e tyre.

Liria e Kosovës në themelet e veta e ka emrin e secilit refugjat të Bllacës dhe të gjithë atyre që dhunshëm u përndoqën nga shtëpitë e tyre, ata u bënë zëri dhe imazhi i Kosovës që kërkonte të drejtën e vet.

Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për liri, gjithë sakrificës së popullit tonë!

Faleminderit!

*Per me shume foto shkoni ne Facebook-Gazeta Dielli

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari-Bllaca -20 Vjet-Gjenocid

Prof. Arshi Pipa (1920-1997), shqiptarët e Amerikës dhe….

April 9, 2019 by dgreca

……pseudolibrat e zhurmëshëm rreth tyre /

Nga Klajd KAPINOVA/

Kohët e fundit kam parë një libër voluminoz, Shqiptarët e Amerikës, të botuar në New York, e cila për informacionin e pasur dhe shumë foto origjinale të panjohura më parë si paraqitje formale është model.

Çdo libër i shkruar mirë ose keq, ka vlerën e vet dhe autori mbetet i nderuar, mbasi në vorbullën e jetës plot konkurencë e mbijetese në ShBA, ka sakrifikuar kohën e çmuar, për t’i ofruar lexuesit një informacion me përshkrime historike.

Kjo nuk do të thotë, se për përmbajtjen e librit të ndaj të njëjtat mendime, mbasi servilizimin nuk e pëlqen asnjë jetëshkrimor ose historian. 

Në librin voluminoz dhe luksoz në fjalë, diferencimi i figurave kryesore të diasporës me ose pa reputacion, është bërë me para pëlqimin krahinor, politik, kulturor, arsimor, etj., sesa i nisur nga misioni profesional në pasqyrimin me realizëm, të kontributin e madh ose të vogël të tyre.

Prof. Pipa i anashkaluar me qëllim

Në një libër jetëshkrimor për Shqiptarët e Amerikës, për të cilën u bë shumë zhumë mediatike, mungon jeta e një ndër profesorët më të shquar të komunitetit shqiptaro amerikanë dhe qarqet e perzgjedhura intelektuale universitare amerikane sikurse ishte e mbeti prof. Arshi Pipa, që ishte njëherazi kryetar i Federatës Panshqiptare Vatra (1912) dhe editor i gazetës së saj Dielli (1909).

Organzata në fjalë, i ka propozuar shpesh me shkrim qeverive të majta dhe “djathta” në vendlindje, që të dekorohen me tituj nderi disa “figura” ende gjallë dhe të moshuar të komunitetit tonë, duke lënë pas dore qëllimisht prof. Arshi Pipën etj.

Autori i këtij shkrimi, gjatë një takimi të hapur në zyrat e Vatrës, Bronx, New York, i cili ato ditë po shoqëronte së bashku me studiuesin dhe Sekretarin e Lidhjes së Prizrenit zotin Tomë Mrijaj, dhe kryetarin Ismet Berisha etj., delegacionin nga Koosva, të përbërë nga profesorë dhe punonjës  shkencorë të arkivit të shtetit, që kishin ardhur për të marrë arkivat dhe dokumentet e Lidhjes së Tretë të Prizrenit (1962), ngriti shqetësimin e drejtë, për mungesën e vlerësimit të figures së intelektualit shkodran prof. Arshi Pipa, i cili, nuk është propozuar asnjëherë në listën e gjatë të hartuar nga Vatra, për tu vlerësuar nga Presidenca e Shqipërisë…

Gjithsesi të shkruash për prof. Pipën duhet të kesh një njohje të gjërë, të thellë dhe për më tepër aftësi të madhe interpretative të mendimeve dhe studimeve me vlera, që në formë relike ia la amanet qytetit të lindjes. 

Unë, kam pasur fatin dhe nderin, që të jem i pranishëm kur në Shkodër mbërritën 45 kuti me libra dhe dorëshkrime, që profesori Pipa i la qytetit të vet dhe si nderim vendlindja kishte disa vite që i kishte ngritur në bronx dy portrete vëllezërve: martirit avokat Mysafer Pipa dhe prof. Arshi Pipës, në Muzeun Historik të Qytetit…

Titulli i bujshëm i një libri nuk e justifikon permbajtjen

Më ka qëlluar, që këtë libër ma la në dorë një bisnesmen i sincertë, që për etikë nuk kërkon t’i përmendet emri. Ai ndër të tjera, shtoi fjalët: “Unë jam në këtë libër, vetëm pse kam pjekur pizza, qofte, shisheqebap… se sa kam ndonjë meritë specifike në komunitetin shqiptaro amerikanë…”

A mund të quhet shkencorë e historik, një libër që ka shpieguesin e emrave, dhe nuk ka asnjë literaturë referuese apo hulumtuese në arkivat private apo shtetërore në ShBA!?

Në libër mungon diversiteti i mendimeve teza dhe hipoteza, ballafaqimi me faktet e argumente të diskutueshme për një figurë me ose pa emër.

Monotonia e përshkrimit të njerëzve, uniformiteti dhe vetëlavdërimi i intervistuesve të improvizuar, është shoqëruesja kryesore në disa faqe të saj.

Risitë janë dhënë të prera me thikë, se kështu është dhe nuk ka ndryshe. Si nuk u gjet një dëshmi autentike në asnjë librari, arkiv shtetëror ose bibliotekë private, si fjala vjen, një certifikatë e lindjes ose të regjistrimit të një shqiptari (në shtetin e Luizianës), që para 150 viteve paska ardhur në ShBA dhe është vendosur në shtetin e Luizianës, ku “mendohet” se është “vendosur” edhe komuniteti më i madh shqiptar, të pakonstatuar nga shtypi amerikan!?

Në libër mungon analiza e vendosjeve të emigrantëve në grupe ose veçmas dhe dëshira ose prirja e emigrantëve për t’u marrë më shumë me bisnesin se sa me shkollimin apo prirjet për t’u integruar si lider shoqëror ose politik (karrierë profesionale), dukuri kjo shumë e përhapur në trojet etnike shqiptare.

A nuk e tregon këtë suksesi apo ekzistenca e 24 perandorëve me origjinë ilirë në periudhën e Perandorisë Romake (Romë dhe Konstandinopojë) apo drejtimi e shërbimi me besnikëri në Perandorinë Otomane të 45 kryeministrave (vezirave) me origjinë arbër apo shqiptar!?

A do të ishte më më interes për lexuesit, që të kishin lexuar një panoramë ose analizë për suksesin e fëmijëve, nipave e mbesave të emigrantëve të parë, gjurmët e tyre dje dhe sot e kontributi në jetën amerikane, se sa çfarë të ardhurash ka një bisnesmen nga bisnesi i vogël, apo punëtor i rëndomtë, si: pizzaman, doorman, porter, fotostudio, superintendent, kamarier, qoftexhi, kasap etj.

Kush nuk do të kishte dëshirë të lexonte ecurinë e integrimit të shpejtë me sukses e pa vetëmburrje në universitetet amerikane të emigrantëve rinj, që janë shumë më lart shkollarisht se parardhësit bashkëatdhetarë (analfabetë, të pashkolluar) të ardhur dikur nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e Maqedonia, se sa të lexojnë për të asimiluarit “shqiptar”, që nuk dinin as shkrim as këndim.

Sa kanë ndikuar bisnesmenët e hershëm shqiptarë antikomunistë e atdhetarë dhe cili ishte kontributi konkret për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri?

Komunizmi në Shqipëri u rrëzua vetë. Për këtë nuk ka asnjë meritë diaspora e SHBA-së, e cila ishte e përcarë dhe në shumicën e rasteve përdorte në mitingje dhe protesta flamurin me yllin komunist…

Deri me sot nga veteranët emigrantë këtu, nuk kemi pare apo lexuar asnjë rresht kritik, ku të tregohet se si shqiptarët në New York, Boston, Detroit etj., në takimet mes shqiptarëve shisnin librat e diktatorit Enver Hoxha, në një kohë që në Shqipëri kishte 46 burgje dhe me mijëra kampe përqendirmi të ngritur nga diktatura dhe diktatori, që admirohej edhe në Amerikë…

Si shpiegohet që disa bisnesmenë e organizata “atdhetare” në ShBA kanë mbijetuar nga fondet e prehri i qeverisë komuniste dhe “demostronin” me naivitet të ashtëquajturën “atdhedashuri” me flamurin me yll!? 

A ka pasur prej tyre, që kanë bashkëpunuar me rregjimin e Enver Hoxhës, duke e përhapur propagandën e bekuar shtypjen e bashkëatdhetarëve dhe dëmi që i sollën mëmëdheut në vuajtje me dashurinë për diktatorin!? 

Pipa u burgos dhe vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes

 Prof. Arshi Pipa lindi në Shkodër, në një familje intelektuale të qytetit antik.

Pipa, diplomohet për filozofi, në Universitetin e Firences, në vitin 1942. Ai dha mësim në Amerikë në Kolegjin e Arkansasit si profesor i filozofisë dhe më vonë si profesor në Universitetin e Minesotës, ku ligjëroi letërsinë italiane.

Mësimet fillore dhe të mesme i mori në vendlindje, të parat te Kolegji Saverian e më tej për 8 vjet në Gjimnazin e Shkodrës në degën klasike, që e përfundoi më 1938.

Me përkujdesjen e të atit për edukatën fetare, ndiqte mësime në medrese pasditeve.

 Më 1936 me poezinë Në lamën e luftës fitoi çmimin e tretë në një konkurs poezie të shpallur nga e përkohshmja katolike Cirka.

Më pas studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, laureoi me tezën Morali dhe feja tek Bergson.

U kthye në Shqipëri dhe nga viti 1941 dhe deri në fund të vitit 1944 dha lëndën e filozofisë në Licetë Shtetërore të Tiranës, Shkodrës dhe të Durrësit.

Në vitin 1944 drejtoi revistën Kritika, botuar nga Myzaferi.

Kur Lidhja e Shkrimtarëve nisi botimin e organit Bota e Re, Pipa me Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues.

Ai mori pjesë në Kongresin e Parë të Lidhjes në tetor të 1945, drejtuar nga Skënder Luarasi.

Për pak kohë, në vitin 1945, qe mësues i italishtes dhe i gjuhës shqipe në Kolegjin e Mësuesve, Tiranë.

Pasi u arrestua miku i tij Hysen Ballhysa më 4 dhjetor 1946, Pipën e arrestojnë më 27 prill 1947 dhe pas tyre u arrestuan edhe Preng Kaçinari me poliglotin Pashk Gjeçin.

Pipa u akuzua se gjatë kohës së luftës kishte “drejtuar revista me ideologji fashiste për të mashtruar popullin dhe për të maskuar okupacionin fashist” dhe se vijonte punën me studentët e vet duke e akuzuar pushtetin komunist si terrorist, akuza për të cilat u dënua me 20 vjet heqje lirie.

Pipa u burgos dhe vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes (Durrës, korrik 1948 Vloçisht, nëntor 1948 Gjirokastër, Korçë, Artizanati i Tiranës, Burrel etj.), ku përveç punës së detyrueshme u bë një nga dorëzanët e mësimdhënies së letërsisë, filozofisë dhe gjuhëve përgjatë dënimit, ku shkroi librin me poezi Libri i Burgut.

Familjen e shpërngulën disa herë derisa në nëntor 1949 bashkë me 20 familje të tjera të persekutuara i shpërnguli në disa shtëpi boshe në plazh. Gjatë rrugëtimit, i ati që ishte i paralizuar, ndërroi jetë.

Lirohet më 26 prill 1956 dhe një natë të fundverës së 1957 arratiset bashkë me të motrën, Fehimen. Vendoset në Sarajevë deri në vitin 1958.

Nga burgu doktor në filozofie në SHBA

Disiddenti Pipa emigroi në Shtetet e Bashkuara më 1959. Në fillim punoi si arkëtar në një hotel në New York.

Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofi më 1960. Vitin akademik pasues, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, Georgia, në Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofi, në Kolegjin e Arteve të Lira (verë 1961 dhe 1962).

Ka qene pedagog i gjuhës italiane në universitetin Kolumbia në vitet 1961-1962, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira..

Në vitet në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-1966 ishte profesor i asociuar në vitin akademik 1963-1964 në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornisë, Berkley.

Atje jepte kursin e letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor më 1965, si dhe filozofi romake.

Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D).

Përkrahu lëvizjen studentore të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe arrin të bëhet kritik i paanshem i poltikës.

Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-1969), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968).

Prof. Pipa Arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane.

Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane. Temë – diplomat për master dhe disertacionet e PhD u shkruan dhe u miratuan nën drejtimin e tij.

U ka dhënë mësim kurseve të ekstrakurrikulare të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe të kulturës në anglisht, dhe në veçanti, kurseve ekstra-kurrikulare për shkrimtarët e mëdhenj, (Dante, Bokaçio, Manzoni, Leopardi), në zhanret e “Poezisë kalorësiake”, “Letërsisë Utopike”, dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë), përfshi seminaret (Ungareti dhe Montale, Viko dhe Kroçe).

Ai ka dhënë mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve frënge dhe italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të master-it, në gjuhët Frënge dhe Italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij.

Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motrës, ku edhe mbyll sytë…

Editori Pipa ishte i mprehtë në analizat e temave bashkëkohore

Pipa shquhet për veprimtari botuese në larmin e shtypit periodik. Ai ka qenë botues dhe kryeredaktor organesh letrare e shkencore.

Në vitin 1944, kur Shqipërija vuante nën pushtimin e huaj, në një moshë të re nxori revistën Kritika Letrare, në të cilën dallohet për trajtim original dhe objektiv të personaliteteve të letrave shqipe; veçori që do ta shoqërojë ate gjithnjë më vonë, kur do të shkruaj veprat madhore në këtë fushë.

Në faqet e revistës ravijëzoheshin kulmet e letërsisë e të kulturës shqiptare si Noli, Konica, Migjeni.

Kulme në historinë e kritikës sonë letrare kanë mbetur edhe këto punime të Pipës.

Eseja e shkruar për Konicën e dëshmon atë si një kritik të kategorisë së parë.

Në vitet 1945-1946, qe anëtar i redaksisë së revistës Bota e Re. Më 1987, anëtar i redaksisë së revistës tremujore për mendimin kritik Telos (Kaliforni).

Në vitin 1990, filloi të botoj në Washington D. C. revistën “Albanica – A quarterly Journal of Albanological Research and Criticism”, revistë me vlera të mëdha shkencore albanologjike.

Mbas tre numrash, për arsye financiare, u ndërpre ky botim aq i nevojshëm e i rëndësishëm sidomos për paraqitjen para botës të gjendjes së vertetë ekonomike e politike të trojeve tona, dhe të shkencave tona albanologjike.

Për kohën e vet, në diasporën shqiptare, jo vetëm në ate të Amerikës, nuk ka pasë nji të tillë të dytë që t’i afrohet sadopak. Aty u botuan artikuj studimorë në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht nga studiues të njohun shqiptarë e të huej si: A. Pipa, M. Camaj, Peter Prifti, Anton Logoreci, Adrian Klosi, A. Vehbiu, Feime Pipa, Michele Roux, Odile Daniel, Francesco Altimari, Ëalter Breë, Hans-Jurgen Sasse, Matteo Mandala, Peter Bartl, Armin Hetzer, Alain Ducellier dhe Ëilfried Fridler.

Mbrojtja e çështjes shqiptare në të gjitha trojet tona qe qëllimi i revistës. Numri i parë iu kushtua “Tragjedisë së Kosovës dhe aktorëve të saj”. Në ballin e revistës u vizatua harta e Kosovës së bashku me pjesën veriore të Shqipërisë.

Së bashku me shkrimtarin dhe publicistin e mirënjohur malësor prof. Martin Camaj ishin disidentë, që punuan në mërgim dhe që dhanë një kontribut të madh intelektual në fushën e gjuhësisë, letërsisë, filozofisë, sociologjisë dhe publicistikës.

E njëjta indiferencë edhe në 22-vjetorin e vdekjes së Arshi Pipës. Sot është dita kur kritiku, poeti, publicisti, u nda nga jeta në SHBA, ndonëse për asnjë moment nuk u nda prej Atdheut të tij të lindjes.

Pothuajse cdo vit ka heshtje rutinë ndaj figurës së madhe të intelektualit të shquar prof. Arshi Pipa.

Kjo për faktin e keq, se institucionet kulturore, letrare dhe kulturore në Shkodër (Bashkia e qytetit), Tiranë (Akademia e Shkencave të Shqipërisë), etj., vazhdojnë të sundohen nga ish përfaqsues të rregjimit komunist, të cilët kanë pushtet kudo, duke vazhduar ta urrejnë kritikun e pafalshëm të tyre prof. Pipën, për inerci të diktatorit dhe diktaturës së largkjoftit të Dullës së Gjirokastrës.

 Heshtje varri. Asnjë fjalë nga institucionet e Tiranës, por as ato lokale, në Shkodër, të vetëquajtur nga e kaluara si “djepi i kulturës”.

I vetmi rast pozitiv është fakti se studiuesi dhe pedagogu i Fakultetit të Histori Filologjisë, Lisandri Kola, ka pasur një përballje të hapur publike.

Për më tepër, dy herë me radhë (përmes gazetës “Panorama”), Kola i është drejtuar Bashkisë së Shkodrës për ngritjen e një memoriali kushtuar Pipës, por indiferenca është ajo çka ka pasuar si gjithnjë pseudopushtetarët që hapur mohojnë qytetarët e vet, që janë ndera dhe krenaria e qytetit tonë.

Por njerëz të mirë ka kudo. Kështu ndër homazhet e pakta, duket të jetë ai i revistës “Kens”, botuar nga Lisandri dhe Aristea Kola, me një Komisi Shkencore e përbërë nga Arben Prendi, Çezarin Toma, Dhurata Shehri, Edlira Tonuzi, Persida Asllani, Marsel Nilaj, Vjollca Osja, Vinçens Marku, ia ka kushtuar këtë numër pikërisht prof. Arshi Pipës.

Ai përfundoi arsimin e mesëm në vendlindje, e më pas studioi për filozofi në Universitetin e Firences (Itali).

Prej vitit 1941-1946 Pipa dha mësim në shkolla të mesme të Tiranës e Durrësit. Gjatë viteve ’40, emri i Pipës do të ndeshet në shtypin e kohës.

Ai do të botoj poezi dhe kritika. Në vitin 1944, edhe pse në moshë fare të re, ai bëhet botuesi i revistës letrare Kritika, një nga më të rëndë- sishmet e kohës së vet, në të cilën ai botoi traktate për kritikën letrare, përse duhet dhe a kemi.

Përveçse botoi kritika të autorëve të ndryshëm të kohës, ai vetë mori në shqyrtim veprat e Nolit, si dhe ushtroi kritikën e kritikës, duke u përballur me të tjerë kritikë, si në rastin e Mitrush Kutelit. Pena e tij prej kritiku ishte goditëse dhe nuk do të kalonte pa u vënë re.

Por ky udhëtim nuk do të zgjaste shumë. Me vendosjen e pushtetit popullor, Kritika, ashtu si edhe gjithë simotrat e saj, u mbyllën.

Në prill të vitit 1946, Pipa u burgos nga regjimi komunist dhe vuajti për dhjetë vjet (1946-1956) në burgjet dhe kampet e punës në Durrës, Vloçisht, Korçë, Tiranë, Burrel etj. Atëherë lindi edhe libri me poezi Libri i Burgut.

Pasi del nga burgu, arratiset në vitin 1958 dhe vendoset përfundimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndonëse nuk e pati të lehtë, ia doli të bënte atë që dinte të bënte më mirë, të jepte mësim në universitetet më të dëgjuara të SHBA. (Kolumbi, Kaliforni, Minesota etj.), si dhe të shkruante e të botonte poezi, estetikë, filozofi dhe kritikë letrare.

Ka shkruar “Lundërtarë”, “Libri i Burgut”, “Rusha” dhe “Meridiana”, pak të njohura nga lexuesi shqiptar, si dhe “Tipologjia dhe periodizmi i letërsisë shqiptare”, “Fan Noli si një nga figurat kombëtare dhe ndërkombëtare shqiptare”, “Humanistët italoshqiptarë”, “Bisedë përmbi Kadarenë”, “Fenomeni Kadare” etj.

Disa vite më parë u botua vepra e tij filozofike “Skica e një konceptimi mbi jetën plotësuar me Mbi gjeniun”, shkruar në gjuhën italiane në burgun e Burrelit, në vitin 1955. Ndërkaq ka ende shumë për t’u botuar dhe njohur për Arshi Pipën. (Revista Kens, Pipa – Epus, Numër Special, 2017)

Mllefi kundër Professor Emeritus Arshi Pipës në mediat e “djathta” në vendlindje

Miku im shkodran Bep Kuqani ish i burgosuri politik, njëkohsisht ish-bashkëvujtës me të ndjerin prof. Arshi Pipa, para se të ndërroi jetë këtu në New York, më dhuroi dorëshkrimin e tij mbi prof. Arshi Pipën.

Ai ndër të tjera, me një shqetësim të madh më shprehu indinjatën e tij ndaj gazetës gjoja të “djathtë” me emrin e cuditshëm 55, të datës 4 tetor 2002 (që cirret se përfaqson nenin 55 të agjitacion e propagandës të ish Kushtetutës së Shqipërisë të kohës së komunizmit, që e mban vetën të “pavarur”, kundërkomuniste e rrjedhimisht e spektrit të djathtë, t’i lejojë vetës botimin e shkarravinave të tilla, plot mllefe dhe urretje kundër një disidenti të mirëfilltë kunërkomunisti dhe përsonaliteti të madh si prof. Arshi Pipa.

Kështu nën titullin: “Hetim i ri për vrasjen e Mehmet Shehut”, gazeta 55 synonte të njolloste padrejtësisht një ndër figurat më të mëdha e më të pastra të disidencës komuniste, që mund të quhet me të drejtë krenaria e kësaj desidence, jeta dhe vepra e të cilit e kanë nderuar dhe do t’a nderojnë gjithmonë Shqipërinë dhe shqiptarët e kudondodhur, sepse e tillë ka qenë e do të mbetet figura e të mirënjohurit Profesor Emeritus Arshi Pipa.

Disidenti Pipa, Apostull i Demokracisë

Për disa dekada në SHBA, Boston dhe New York, në drejtim të gazetës Dielli, organ i Federatës Panshqiptare Vatra, kanë vepruar personalitete të shquara në lëmin e atdhetarisë dhe të gazetarisë shqiptare, sikurse shkruan editori Anton Çefa.

Kështu njeri pas tjetrit editorë të Diellit, sipas radhës kanë qenë: Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Kristo Dako, Paskal Aleksi, Dennis Kambury, Kostë Çekrezi, Bahri Omari, Loni P. Hristo, Andon S. Frashëri, Andrea D. Elia, Nelo Drizari, Qerim Panariti, Xhevat Kallajxhi, Eduard Liço.

Më vonë, në vitet 1990-1994, gazeta ka kaluar në duar të ndryshme. Në vitin 1990: Din Derti; 1991: prof. Arshi Pipa (korrik, gusht-shtator); Gjon Buçaj, Agim Karagjozi, Agim Rexhaj, me asistencën e Tahir Deskut (tetor-nëntor); prof. Arshi Pipa (dhjetor); 1992: prof. Arshi Pipa (janar, shkurt, mars, prill, maj-qershor); Agim Karagjozi, Gjon Buçaj (korrik-nëntor) ; 1993: Agim Karagjozi (janar-qershor, korrik-tetor, nëntor-dhjetor); 1994: Agim Karagjozi (janar-shtator); Anton Çefa (tetor-dhjetor 1994 deri në numrin e fundit korrik-dhjetor 2006) etj.

Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me Vatrën dhe Diellin. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i Diellit.

Shqetësimet e tij për gjendjen e Vatrës, në këte kohë, dhe mendimet e tij për prosperitetin e saj, ai i shprehu, së pari, në Dielli, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në fjalimin e rastit të 28 Nandorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botue në Diellin e 28 shkurtit, 1987.

Më duket se Arshiu ka dhënë përcaktimin ma të saktë dhe ma të bukur për Vatrën: “Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare”.

Ai ka shkruar me dhimbje kraharori për gjendjen e mjeruar të Vatrës dhe ka vlerësue lart prestigjin e saj ndaj organizatave të tjera të diasporës, gja qi i jep mundësi e avantazh asaj t’i bajë nji sherbim të madh kombit, “i cili do të ketë vlerë më të madhe nëse Vatra mban një qëndrim sipërpartiak dhe sipërqeveritar”. “Ndërhymja e saj, shkruen Pipa, asht sidomos e randësishme ndër raste kur të drejtat e kombit shqiptar cenohen ose rrezikohen”.

Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i Vatrës, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qëndroi vetëm një vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh.

Ai e mori kryesinë e Vatrës me të vetmin qëllim për ta vënë atë në shërbim të problemeve me rëndësi të jashtëzakonshme historike, që dolën para kombit tonë: zhvillimeve demokratike në Shqipëri dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës.

Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtër, ai iu kushtua me të gjitha energjitë rimëkëmbjes së Vatrës, dhe kreu shumë punë me vlerë.

Në Albanica, në nr. 3-4 të vitit 1992, në shkrimin On Vatra and Dielli, ai ka shkruar me hollësi për to.

Prof. Pipa si arsimtar, publicist, poet, gjuhëtar, kritik letrar, përkthyes dhe pedagog shqiptar, i ofroi Perëndimit të dhëna të dorës së parë mbi gjendjen e shkrimtarëve dhe intelektualëve në vitet e para të Shqipërisë staliniste.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 319
  • 320
  • 321
  • 322
  • 323
  • …
  • 739
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT