• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA DREJT LIRISË, KURRË NUK U NDAL

March 28, 2019 by dgreca

-Kosova 30 vjet nga “Kushtetuta e tankeve” serbe deri në 20 vjet Liri e 11 vjet Pavarësi/

-2019-ta Vit i NATO-s në Kosovë. Festohet 20 vjetori i Lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, filluan të  hynin në Kosovë. Këshill Organizativ për shënimin e 20 vjetorit të NATO-s në Kosovë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 28 Mars 2019/ Kosova në lëvizjen e luftën e shqiptarëve drejt lirisë e pavarësisë kurrë nuk u ndal.

As para 30 vitesh, kur në 28 Mars të vitit 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën shtatë shtete.

Kundërshtimi i fuqishëm rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Demonstratat pasonin grevën  e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.

Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për Pavaraësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë u zgjodh Ibrahim Rugova.

 Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt 2008  ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Në 15 Qershor 2008 ka hyrë në fuqi Kushteta e Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. 

Më parë, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë, akti më i lartë  juridik i shtetit ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në ditën e 9 Prillit, e cila është Dita e Kushtetutës – festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e ligjeve e bëri Presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë Kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Shefi i UNMIK-ut, Misionit të Organizatës së Kombëve të Bashkuara.

Në këtë vit – 2019-tën, 11 vjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur do shënohet në kohën kur festohet 20 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion.

Në 8 Janar të këtij viti, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shpallur 2019-tën Vit të NATO-s në Kosovë. “Populli i Kosovës do u jetë përjetësisht mirënjohës shteteve anëtare të NATO-s për mbështetjen e tyre”, theksonte deklarata e Presidencës.

Këtë javë, në 26 Mars Qeveria e Kosovës, në një mbledhje drejtuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj, ka themeluar Këshillin Organizativ për shënimin e 20 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, i cili do të udhëhiqet nga ish-Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga. Këshilli do të organizojë, koordinojë dhe hartojë planin e aktiviteteve të jubileut të 20 vjetorit të NATO-s në Kosovë.

Filed Under: Histori

Epopeja e Dukagjinit dhe 24 Marsi bënë kthesë historike te populli shqiptar

March 24, 2019 by dgreca

-Duke vlerësuar rezistencën dhe heroizmin e dëshmorëve të  lirisë, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit, presidenti Thaçi i ka dekoruar me Urdhrin Hero i Kosovës, dëshmorët: Agim Ali Selmanaj, Arben Bajram Ahmetaj, Artan Ahmet Mehmetaj, Burim Sadik Mustafaj, Enver Hasan Halilaj, Fatmir Smajl Nimanaj, Hasim Misin Halilaj, Luan Gani Nimanaj, Naim Metë  Nimanaj, Orhan Lan Halilaj, Sokol Muzli Sejfijaj, Shpend Zeqë  Malaj/

GLLOGJAN, 24 Mars 2019-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikë s së  Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë  sot në  manifestimin shtetëror “Epopeja e UÇK-së në Dukagjin”.

Presidenti Thaçi tha se në  këtë  ditë pas fillimit të  fuqizimit të  rezistencës së  Ushtrisë  Çlirimtare të  Kosovës në  krye me komandantin legjendar Adem Jashari, dhe familjen Jashari dhe bashkëluftëtarë të tjerë, ndodhi ajo që  pritej të  ndodh edhe në  Gllogjan.

“Ndodhi ajo që  pritej të  ndodhte, sepse bërthamat e para të  Ushtrisë  Çlirimtare të  Kosovës tanimë  ishin fuqizuar, ishin zgjeruar dhe sulmet ishin të  pandërprera kundër forcave ushtarake dhe policore të  Serbisë”, ka thënë  presidenti Thaçi.

Kreu i vendit tha se Epopeja e Dukagjinit shënoi një  kthesë  historike në  luftën për liri, çlirim dhe pavarësi.

“Madhështia dhe vlera më  e madhe e kësaj date i shtohet kur kemi parasysh se më  24 mars 1999, 20 vite më  parë,  filluan bombardimet e NATO-s. E, bombardimet e NATO-s dhe kjo aleancë  kosovaro-perëndimore nuk është  lidhur rastësisht, por pikërisht falë  rezistencës së  Ushtrisë  Çlirimtare të  Kosovës, rezistencës së  çdo qytetari të  Kosovës kudo që  ka qenë  në  Kosovë  e diasporë, që  ndihmuan luftën për liri”, ka theksuar presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka shtuar se sot kujtojmë  me pietet e respekt Epopejën e Dukagjinit, kujtojmë  dhe vlerësojmë  lart mbështetjen ndërkombëtare të  cilën duhet ta ruajmë  si sytë  e ballit në  rrugëtimin tonë  për anëtarësim në  NATO, Bashkim Evropian dhe raporte speciale me Shtet e Bashkuara të  Amerikës.

Duke vlerësuar rezistencën dhe heroizmin e dëshmorëve të  lirisë, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit, presidenti Thaçi i ka dekoruar me Urdhrin Hero i Kosovës, dëshmorët: Agim Ali Selmanaj, Arben Bajram Ahmetaj, Artan Ahmet Mehmetaj, Burim Sadik Mustafaj, Enver Hasan Halilaj, Fatmir Smajl Nimanaj, Hasim Misin Halilaj, Luan Gani Nimanaj, Naim Metë  Nimanaj, Orhan Lan Halilaj, Sokol Muzli Sejfijaj, Shpend Zeqë  Malaj./b.j/

Filed Under: Histori Tagged With: Bell Jashari-GLLOGJANI

MAKSIM KALOTI, KADAREJA DHE FILMI “BALLË PËR BALLË”- Mpleksje nga Shpend Sollaku Noé

March 24, 2019 by dgreca

  • Nga Shpend Sollaku Noé

Mundohuni të merrni me mend një tufë prej disa qindra djemsh, të porsaqethur zero, të veshur të gjithë me të njëjtat bereta, me të njëjtat xhaketone, me të  njëjtat pantallona e këpucë me qafa. Si emërues i përbashkët i tyre, me tepër sesa uniforma – hutimi tërësor. Duhen ditë apo edhe javë për ta mbledhur veten, për ta kuptuar se për tre vjet ti nuk i përket më vetvetes, por një rregulloreje të çmendur dhe ca burrave të tjerë me uniformë që e zbatojnë pikë për pikë, apo që e interpretojnë akoma më egërsisht, dhe që mund të bëjnë ç’të duan me trullosjen tënde.

Ndonjeri, sapo dëgjoi që ai grup kazermash quhej “Shkolla e Instruksionit Orikum”, mendoi vërtetë se gjindej në një shkollë, në të cilën mund edhe të bënte mungesa; mund të ngrihej edhe vonë nga shtrati, mund edhe të mos i lante çorapet dhe të gërhiste sa ta mundësonte fyti, në kapanonin ku ngryseshin e përpiqeshin të shpodheshin dhjetra marinarë.

Ushtria është shkolle pjekurie, kështu na kishin thënë. U përpoqem ta ligjëronim këtë thënie, por shenjat e pjekurisë së vërtetë na u desh t’i shihnim tek mosvjellja e copave të dhjamit të derrit sa një sapun Rrogozhine që, sipas normës së marinës, na servirej si mish; t’i vërenim në gjellën me fara kungulli sa një pesëlekshe, t’i gëlltisnim në servilizmin ndaj eprorit edhe për një ditë lejeje pranë familjes; të blerë me spiunimin e shokut; të shpërblyer me një karriere të mjerueshme prej komandanti skuadre. Për të mos pësuar fjetjen gjumë me Kallashnikov apo Simonov në dorë, pasi, sipas thënieve nën zë, armiku atë priste prapa cepit të kazermës, të na fuste thonjtë në grykë.

Tregoheshin shumë legjenda rreth depos së silurave aty përreth. Tregohej se si armiku kish tentuar ta na hidhte në erë; shpjegohej sesa forcë shkatërruese mund të kishte gjithë ai eksploziv i përfshirë tek silurat; na thuhej se pa ata silura nëndetset tona nuk vlenin asgjë.

Ah, nëndeteset, ato në portin “sekret” përballë shkollës, nën sqetullën e Karaburunit. Ku ta dinim se vendi ku na dërgonin për karantinë nuk ishte vetëm ai kinoteatër i vogël antik me skenë dhe shkallë

të gdhendura në shkëmb; nuk ishte vetëm Sheshi i Goricave, nuk ishte vetëm rrushi i vjedhur për të shuar etjen dhe urinë. Kush do të kish guxuar të thonte se aty pranë ishte varreza në qiell të hapur e baterive të nëndetseve që villnin plumbin në tokë, që plagosnin pa shpresë shpëtimi ujrat dhe ajrin.

Eh, nëndetëset. Shumë prej nesh ishin ndeshur me atë koncept anijeje së pari nga një roman i Kadaresë.

Po pse, o Ismail?

Pse edhe pse. Jo sepse shkruajte një roman me nëndetëse të pathyeshme, jo sepse shkruajte një libër me personazh kryesor diktatorin, por sepse na gënjeve; jo vetëm për diktatorin, prej të cilit edhe mund të ishe i detyruar të bëje lëshime. Gënjeshtra më e madhe ishte ajo me nëndetëset. Katër gërdalla nënujëse na i paraqite sikur të kishin qenë mbrojtëse të shkëlqyera të ujrave tona. Ti kishe studjuar në Bashkimin Sovjetik. Nuk e dije që, në kohën që ti lavdëroje ato qerret tona me Diesel Gjenerator, sovjetikët kishin hedhur në det nëndetëset me silura balistikë bërthamorë? Dhe ti mendoje vërtetë se sovjetikët do t’i shpinin në atdhe ato bythëglasat që lanë në Pashaliman? Po ku ishin në gjëndje ato zhele të ndërmerrnin një lundrim aq të gjatë? E mendoje vërtetë, vërtetë? Se vështirë të mos e dije. Apo nuk ishe thelluar? Ë? Po ti ndërkaq ishe mjaft i njohur. Arkivat nuk t’i mbyllte askush. Rusishten duhet ta kesh njohur mirë. Kredija për t’i rrëmuar nuk besoj të të mohohej. Sidomos nëse punoje për një vepër që kish si strumbullar përbindshin vetë. Si ia lejove vetes atë mashtrim? Apo e dije që kishim për të të besuar, pasi shumë nga ne, sidomos intelektualë, tek ty i kishin sytë. Apo mendoje se ne do të mbeteshim përjetë të painformuar, pasi as që e kishe vënë në preventiv rënien e komunizmit? E hëngri atë mashtrimin tënd edhe autori i këtyre rreshtave: shkoi me një shokun e tij, nga Lushnja në Hyzgjokaj, pasi një librar i atjeshëm, prej të cilit mbaj mend vetëm vetullat më të trasha se të Stefano Belisarit, të “Elio e le Storie Tese”, na kish premtuar të na gjente ndonjë copë libër. Gjithë ajo rrugë në këmbë për një kopje të romanit tënd “Dimri i vetmisë së madhe”.

Po pse, or burra të tjerë, edhe një film-propagandë sipas atij libri? Nuk mjaftuan dy variante të romanit të Kadaresë?

Më kujtohet si sot, kur filloi xhirimi i tij në Pashaliman. “Ballë për ballë” do ta quanin. Që në fillim ai nisi me mashtrime të mëdha. Jo vetë për skenarin që bazohej mbi “Mashtrimin Stërmadh” të Kadaresë. Autorët e filmit u përpoqën të gënjenin edhe veten. Nëse shqiptarët do ta besojnë, ne pse jo, mendonin të bindur.

Së pari mashtrimi i vetvetes filloi me ndërtimin e një kodre të rreme në mes të fushës së futbollit të Shkollës së Instruksionit. Kodër e sajuar me gozhdë, trarë e dërrasa. Në kulmin e saj u montua një varr i lashtë prej guri, që nuk e di se nga u suall. Shumë betoheshin se me atë pretekst po bëhej batërdia në Apolloninë e lashtë; të tjerë mendonin se po shkatërroheshin site të tjera arkologjike, ndokush ishte i bindur që ndoshta edhe Butrinti ish përdorur si burim i “lëndës së parë” për një film që, mesa dukej, duhej patjetër të kënaqte jo vetëm Kadarënë që kish shkruar edhe skenarin, por edhe sidomos, Enver Hoxhën. Unë, marinar Sollaku, nuk kisha sesi ta dija se nga ia mbërrinin gjithë ato gjetje arkeologjike që u vunë sidomos mbi muret rrethues të Shkollës së Instruksionit dhe përreth varrit. Të dridhurat e emetuara nga ato thesare të gurtë, të shpërngulura me dhunë, sidoqoftë, i ndieja deri në palcë. Po pëpiqesha të luaja rolin e mjerë të një figuranti, me shpresën që të shpëtoja prej stërvitjes së rëndë qoftë edhe për ca ditë. I vendosur nga regjisori të rrija me Kallashnikov në dorë, sikur bëja roje, mbi një dyqan kuleçësh të shndërruar në pikë vrojtimi. Veprim që më dha mundësinë edhe të shihja më mirë mashtrimet, sidomos ato me nëndetëset. Problemi ishte sesi të dukeshin shumë, dhe jo vetëm ato katër bishta dhish që kishin mbetur në Pashaliman. Kurrësesi nuk duhej ditur nga publiku i gjërë që vetëm dy prej tyre ishin në gjendje të dilnin në det të hapur; që dy të tjerat “me të shtyrë” mezi i nxirrje në radë, përballë Shkollës së Inkursionit. Prandaj të shkretët regjizorë u detyruan t’i filmonin dy herë. Në anën e majtë të urës së komandimit vunë një numër, në anën e djathtë një numër tjetër. Njëra nëndetëse vlente sa për dy. Ky lloj truku nuk është i panjohur edhe në kinematografinë botërore. Por nëse filmi ishte aq shumë i politizuar si ai “Ballë për ballë”, idea artistike ishte trasformuar në propagandë të pastër partiake.

Të gjitha skenat e filmit të lënë përshtypjen se ilustrojnë 100% idetë e Enverit për prishsjen me sovjetikët. Dhe as që mund të merret me mend ideja aq e vërtetë që qëdrimi i tyre rreth liderit shqiptar ka qenë pothuaj mospërfillës, qoftë kur e kishin si aleat, qoftë kur pellua shqiptar u rebelua.

Qëndrimi para atij karakollit të rremë në Shkollën e Instruksionit, sidoqoftë, mua më dha rastësisht mundësinë t’i veshtroja shumë gjëra nga lart, dmth për t’i kuptuar më mirë. Ato rrena kombëtare ndonjëherë edhe më zbavitnin, sidomos kur Stavri Shkurtit të shkretë, ndërsa ngjitej drejt varrit të Pashait, i ngecte këmba në të çarat e dërrasave, të fshehura poshtë pllakave të barit. Më vinte edhe keq. Po sikur të ishte gjakosur?

 Ah, më vijnë ndërmend edhe skenat me kollonat që ecnin me hap rreshtor nëpër rrugicat e Shkollës. I bëmë vërtetë ato ecje deri sa të dilnin të përsosura sipas regjizorëve. Aty njohëm edhe Ben Imamin, që shpejt e pagëzuam “Beni i Mamit”. Ai të paktën, në mos gaboj, edhe fjeti në kapanonin tonë. Po këto kujtime nuk kanë kurrsesi efektin e lavazhit të trurit, për harrimin e mashtrimeve të mëdha. As edhe forcën që të na detyrojnë të mos bëjmë edhe pyetjet: Po pse o Kujtim Çashku? Po pse o Piro Milkani? Vetëm artin e llustrimit kishit studiuar?

Maksi, shpirti parajsor mes Grykave të Xhehnemit

Maksi Kaloti ishte djali i lagjes tonë. Fytyrë e bukur, trup i gjatë, sjellje prej zotërie të lindur, shpirt fisnik. Maksin e ngritën ushtar. Shumë prej nesh nuk e dinin se ku. Edhe unë, deri ditën e fundit, nuk e dija se ku do të më përplasnin. Vetëm kur pashë kapotat e zeza të oficerëve në aneksin e stadiumit të Lushnjes, kuptova se rinisë time kishin për t’i munguar plot tre nga vitet më të bukura. Marinën ne e kishim marrë me tapi. Vëllai im i madh – Fatmiri, atje e kishte kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Për katër vite të pambarueshme. Duhej të ngushëllohesha që do të vuaja një vit më pak? Jo edhe jo. Nuk po shkoja vullnetar t’ì shërbeja atdheut tim, më detyruan ta vesh atë uniformë.

As Maksin nuk e kishin pyetur, ashtu si edhe vëllezërit e tij. Ashtu si unë, edhe ai qe i detyruar të pranonte. Nuk mund të ishe conscientious objector nën diktaturë. Nëse nuk paraqiteshe, trajtoheshe si dezertor, përfundoje në burg apo edhe më keq.

Bijtë e atyre që predikonin dashurinë për atdheun, me nota shumë më të keqija se tonat, u nisën universiteteve. Ata ishin përzgjedhur t’i shërbenin atdheut ndryshe, nëpër auditore.

Vetëm kur, pas disa mujash në Pashaliman, mua dhe Qerim Serbishtin nga Lushnja, si të padëshiruar, na dërguan në Sazan, fillova ta kuptoj vërtetë se ç’më kish ndodhur. U ngjita në njërën nga kodrat me pisha, përkrah portit të vogël të ishullit, dhe ndizja e shuaja cigaret me njera-tjetrën. O zot, si do t’i shtyja ato 27 muajt e mbetura atje, mbi shkëmbinjtë me emra të tmerrshëm në mes të detit?

Me Qerimin nuk u ndamë asnjëhere, as edhe në Sazan, deri sa morëm vesh që një tjetër lushnjar gjëndej aty: Maksim Kaloti. U interesuam dhe, si për mrekulli, vumë re se ai ishte caktuar kuzhinier në mensën e madhe të Katerave Silurues. Mensë në ushtri do të thote së pari të hash dicka. Se ushtarit nuk i shkonte mendja për gjë tjetër në ato vite të egra: vetëm një copë buke më shumë, mundësisht të ngjyer në salsën e kazanit të fasuleve. Pastaj gjumë. Besomëni: që ekzistojnë femrat ushtarit të Sazanit i kujtohej kur dilte në Tokë të Madhe, siç i thoshim Vlorës. Nëpër shkëmbinj, falë zotit, kishte plot bunkerë në të cilët, të paktën, partia nuk kishte arritur të ndalonte masturbimin ritual. Atje kish falimentuar edhe klori me tepricë i hedhur në çaj e gjellëra.

Gjetja e Maksim Kalotit tonë në rolin e kuzhinierit për ne qe më i rëndësishëm se zbulimi i penicilinës. Edhe pse bënim pjesë në efektivin e marinës, shpesh, unë dhe Qerimi duhej të hapnim edhe tunele. Ushqimi i marinës sa vinte e keqësohej. Sigurisht mbetej më i mire se ai i “kambaleve”, si i quanim në përgjithësi ushtarët me uniformë të gjelbër; në rastet më të shumta ose genierë, ose artilierë. Për ta shteti kish rezervuar një copë bukë, pak çaj me klor nëpër sapllake alumini të deformuara, të palara mirë, një copë nga korja e djathit kaçkavall sa një domino, ca kokra fasulesh të rralla nën një shtresë të trashë salce që maskonte edhe mungesën e yndyrës, apo pak pilaf me miza e buburrecër, që ne i quanim me lloj-lloj emrash, si doçër, tarakane, etj. Vetëm kaq, edhe per ata që bënin 12 orë shërbim në ditë apo hapnin tunele. Kush kish mik kuzhinierin e repartit të kambaleve, mund edhe ta ngjyente bukën me salcën në pjesën e sipërme të kazanit, që mbulonte ujin e zjerë, në fund të të cilit një polumbar do ta kish të vështirë të peshkonte kokrat e rralla të groshës. Salca acide që brente stomaqet, sidoqoftë, konsiderohej një fat i madh.

Prej kësaj urie të përhershme tek ushtarët e Sazanit kish lindur prej kohe këmbimi në natyrë, i tipit:  një fletë-leje e fallsfikuar me katër vazo komposteje kumbulle plus dy bukë të porsapjekura pjekura, korja e të cilave mund të ta shuante edhe thatë urinë. Bukët t’i jepte me një shkëmbim tjetër furxhiu apo mushkaxhiu, edhe ai ushtar, kur i vije para hundës një kuti të vjedhur mishi. Tre konserva të sardeleve të Vlores arritën të shkëmbeheshin me një kg manaferra të mbledhura nga barinjtë. Sardelet vidheshin kryesisht nëpër magazinat e anijeve. Dikush njëherë shkëmbeu xhaketonin për një kg djathë, me shpresë që të vidhte më pas një tjetër por, për fatin e tij të keq, iu desh të kalonte një javë janari vetëm me bluzën, deri sa e zëvendësoi. Me ca paco makarona mund edhe të siguroje një dalje klandestine prej Sazanit në Vlorë, me çisternën e ujit që kish ekipazh civil.

Tek mensa e silurave dieta socialiste ishte ca më mdryshe. Atje qarkullonin edhe kutitë e mishit, edhe konservat e peshkut. Kuptohet, jo për të gjithë. Hidheshin në kazan dhe askush nuk kuptonte më sesa ishin përdorur. Prandaj edhe gjetja e Maksit në atë mensë qe një ndodhi e jashtëzakonshme. Ai u bë copë të na ndihmonte, për të mos provuar urinë. Nuk qe i detyruar ta bënte, por rrezikoi njëlloj duke na nxjerre ushqim, apo duke mbyllyr derën e kuzhines nga brenda, për të mos na gjetur duke ngrënë oficerët që, sidomos mua, sidomos disa prej tyre, nuk më shihnin dot me sy. Shumë në atë kuzhinë të rrezikshme, me derën përballë komandës së marinës, do të kishin zgjedhur asnjëanësinë apo servilizmin ndaj eprorëve. Maksi zgjodhi rrezikun duke ndihmuar të tjerët. Dhe ky është tipari kryesor i njeriut fisnik: nëse ka mundësi, bën mirë, edhe në ato vende të sikterisura që mund t’i quaje me plot gojën vrimën anale të Shqipërisë.

 Në atë ishull pata fatin e mirë të kem miq besnikë, se ndryshe kushedi se në çfarë qelish do të kisha përfunduar. Shoqëria ime me Qerimin e Maksin u zgjerua nga pak shumë me lushnjarë, përfshirë këtu të mirin Arjan Rançi, të buzëqeshurin Llazar Loshe, Idriz Labotin e shkretë me forcë herkulore dhe ndonjë tjetër. Jam gjendur mirë edhe me Xhovani Pingulin, të riun e edukuar nga Berati, me të cilin më bashkonte origjina. Rrinte afër nesh edhe ish-mësuesi i urtë i rusishtes, Gëzim Myzeqari, që e kishin caktuar postier dhe na tregonte fshehurazi telegramet, edhe për vdekje, që ndodhte të mos na i njoftonin.

Mes oficereve kishte edhe nga ta që nuk më njoftuan vdekjen e babait, por kishte edhe të tjerë që na ndodheshin afër në hall apo që na kuptonin. Quheshin Et’hem Mahmutaj, Kostandin Lika, Vladimir Beja, Ylli Lika, Resul Lagji. Ata burra nuk ishin vetëm të mbushur gjer në grykë me parime, tritole, silura, bomba thellesie, nëndetese, katera, dragamina e gjuajtës. Edhe pa e rrënuar autoritetin prej oficeri, nën uniformë ata ditën të mbeteshin njerëz ndaj nesh – të papranuarit edhe në vendin me emra të tmerrshëm: Gryka e Xhehnemit, Gryka e Skëterrës. 

Këto rreshta janë vetëm një homazh i vogël për njerëzit shpirtgjërë si Maks Kaloti që, si edhe shumë të tjerë, kanë bërë mirë në kohëra të vështira, pa synyar aspak të jenë heronj, apo të përfundojnë në faqet e para të shtypit. Në fund të fundit këta janë heronjtë e vërtetë, që si të tillë i njohu shoqëria, dhe jo dekretet e vulosura në zyrat e mykyra të diktaturës.

Në kohë të këqija ai që nuk arrin të bëjë mirë, të paktën nuk duhet të bëjë keq. Aq më mire kur në mes të ferrishtes gjen mundësi edhe t’i falësh tjetrit një mirësi, që mbetet edhe pas jetës.

Pasi vendi i keq i bënte akoma më të ligj të këqinjtë, ndërsa të mirën tek burrat që përmenda më sipër nuk arriti ta tjetërsojë. Ashtu edhe si nuk tjetërsoi djaloshin Maksim Kaloti. Edhe pse ne nuk ishim nga më të këshilluarit për t’u patur miq, edhe pse, për shkakun tim e të shokëve të mi, kur u larguam më në fund prej Ishullit, lamë pas një psherëtime kënaqësie: Ahhhh! Mos na mbiftë më këmbë lushnjari këtu në Sazan. I dinim të urtë! Kush, Shpend Sollaku? Pa, pa, pa, pa!

Filed Under: Histori Tagged With: Shpend Sollaku Noe'

Lexuesit më të rinj të Diellit 110 vjeçar në Vatër

March 18, 2019 by dgreca

Nga Marjana BULKU/

Një përfaqësi nxënësish të shkollës shqipe “Children of the eagle” Albanian American dual language and culture AADLC , së bashku me mësuesen e tyre Drita Gjongecaj vizituan Vatrën pikërisht në prag të festimeve të 110 -vjetorit të gazetës  Dielli, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe këtu në Amerikë.Do të ishin kështu të parët protagonistë fëmijnor që do të shfletonin faqet e gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në mjediset e Vatrës.  Një vizitë e shkurtër studimore, në funksion të proçesit të gjatë dhe jo fort të lehtë të mësimit të gjuhës shqipe mund edhe të ketë vlera edukuese sa dhjetra orë leximi e shpjegimi .Mjediset e vatrës janë ideale për të rrëfyer historinë tonë . Me tekste, me fotografi , me relike e simbole , ku fëmijët shqiptaro-amerikanë të lindur në SHBA , munden ti takojnë në pak minuta, falë këtyre mjediseve të pasura e të mirmbajtura. Prezenca e editorit të Diellit, zotit Dalip Greca i cili e mirpriti idenë e kësaj vizite ua bëri edhe më të lehtë këtë studim ndryshe. Ai rrëfen disa publikime të gazetës dielli ndër vite, logon, kopertinat me simbolet tona kombëtare nga ku fëmijët njohin dhe përmendin njëzëri Skënderbeun, Nënë Terezën, flamurin shqiptar, kostumet tona të mrekullueshme kombëtare.Ata e lexojnë rrjedhshëm gjuhën shqipe mbi faqet e gazetës më të vjetër shqip tingëllon  aq bukur shqipja e brishtë e vizitorëve më të rinj të Vatrës, nxënês të shkollës shqipe Children of the eagle” .Është një përvojë e bukur që ata do ta ndajnë me bashkëmoshatarët e tyre. Ata munden të jenë jo vetëm lexues të kësaj gazete por pse jo edhe opinionistë të saj e  me anglishten e tyre do munden të shkruajnë emocionet e një dite si kjo ku ora e mësimit spostohet në objekte dhe subjekte me kaq shumë përmbajtje sa një shkollë e tërë .Aty dokumentohet historia e shqipërisë , kollosët e letërsisë, diplomacisë dhe mendimit shqiptar ndër vite.Shikimet e tyre kureshtare depërtojnë sa tek flamujt, fotografitë mbi mure dhe ndalen gjatë të kostumet e larmishme kombëtare në paradën e shqiptarëve të Amerikës, e njohin dhe mbase e kanë përjetuar drejtpërdrejt këtë ngjarje që është bërë traditë në Nju Jork por brenda Vatrës merr vlera historike siç është edhe kjo vizitë e tyre në këtë 110 vjetor të Diellit. Mësuesja e tyre Drita e cila është mike e përhershme e Vatrës , madje majin e kaluar organizoi një seminar me përfaqsuesit e shkollave shqipe të Nju Jorkut pikërisht në mjediset e Vatrës mbi ” Arritjet dhe perspektivat e mësimdhënies së gjuhës amtare në shkollat shqipe të Diasporës Amerikane”. Drita Gjongecaj , Zëvendës drejtore në shkollën publike 110 ( The Theodore Schoenfeld School Bronx ) prej 8 vjetësh , përpos angazhimeve të përditëshme gjen kohë dhe mundësi që mësimi i gjuhës shqipe të aplikohet përmes metodave më të mira që përthithen shpejt nga nxënësit pa i lodhur dhe mbingarkuar ato. Teksa largohen ju jap poemën “Bagëti e bujqësi ” të Naim Frashërit por në gjuhën angleze me shpresën që në ardhjen tjetêr këta nxënës te mirë e fëmijë të mrekullueshēm do ta përkthejnë , lexojnë dhe citojnë në gjuhën shqipe. Largohemi duke marrë me vete fotografitë e shumta pranë simboleve që identifikojnë të pandryshueshmen tonë të përbashkët: shqiptarinê. Mars 2019

Filed Under: Histori Tagged With: Marjana Bulku

URDHERI I FASHISTEVE PER TE DEBUAR HEBREJTE NGA SHQIPERIA

March 17, 2019 by dgreca

Kur Italia fashiste detyroi refugjatët hebrenj, të pranuar nga mbreti Zog, të largoheshin nga Shqipëria

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 17 Mars 2019

Gazeta “Paix et Droit”, organ i Aleancës Universale Izraelite, ka botuar, në qershor të 1939, në faqen n°12, një shkrim mbi fatin e refugjatëve hebrenj në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Të gjithë refugjatët hebrenj do të duhet të largohen nga Shqipëria

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“Autoritetet italiane kanë urdhëruar refugjatët hebrenj që banojnë në Shqipëri që të largohen nga vendi deri më 7 qershor.

Në Shqipëri, mes njëqind dhe dyqind refugjatë u pranuan në këtë vend nga Mbreti Zog I. Deri tani, ata gëzonin lirinë më të plotë dhe kishin marrëdhëniet më të mira me popullsinë shqiptare.”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 321
  • 322
  • 323
  • 324
  • 325
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT