• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Historia e Shtëpisë së Bardhë-WHITE HOUSE

March 15, 2019 by dgreca

NGA RAIMONDA MOISIU/

Ndërtimi i Shtëpisë së Bardhë ka filluar  në vitin 1792, sipas planimetrisë të arkitektit irlandez James Hoban, i cili ishte edhe fituesi i tenderit  arkitektorial, që u zhvillua enkas për ndërtimin e saj. James Hoban pati emigruar në Amerikë, në moshë fare të re. Pas disa problemeve  të mprehta financiare, të cilat sillnin shpesh ngadalësimin dhe ndërprerjen e punimeve në kohë, ndërtesa u bë gati për  banim pjesërisht në vitin 1800, që shënon edhe vitin kur Presidenti i Dytë i Amerikës, John Adams dhe bashkëshortja e tij, hynë për herë të parë brenda  Shtëpisë së Bardhë. Planimetria origjinale e fasadës veriore nga Hoban, e cila edhe i mbijetoi kohës, reflektonte arkitekturën angleze e stilit paladian të mes-shekullit të 18-ë.

Thomas Jefferson, Presidenti i Tretë, i cili  hyri më pas në Shtëpinë e Bardhë, punësoi arkitektin e talentuar dhe vizionar, Benjamin H. Latrobe  në vitin 1806-ë,  i cili ndihmoi  në dizenjimin e sallave (Dhomave) të ndërtesave  lindore dhe perëndimore. Arkitektura moderne e fundit, ajo e Dhomës  Legjislative i ka mbijetuar kohës dhe është  afërsisht në gjendjen origjinale që prej ndërtimit të saj. Gjithashtu, Latrobe bëri edhe skicimet e tablove të Dhomave  veriore e perëndimore të cilat janë modifikuar me kalimin e kohës.

Por, në vitin 1816, -në kohën e Luftës, e cila pati filluar  në vitin 1812, -forcat britanike dogjën të gjitha ndërtesat publike në Washington, duke mos kursyer edhe atë, -Shtëpinë e Bardhë. Përvecse portretit të Xhorxh Washingtonit nga Gilbert Stuart, portret, i cili  ekziston edhe sot në Dhomën Lindore, të gjitha  pajisjet dhe mobilimet e tjera që nga koha e administratës së presidentëve Adams, Jefferson, dhe Madison, u rrënuan. Nën mbikqyrjen e arkitektit James Hoban, Shtëpia e Bardhë u rindërtua brenda vitit, dhe në vitin 1817 ishte e banueshme, e rimobiluar në stilin  perandorak, me pajisje, orendi  dhe mobilje të importuara nga Franca prej Presidentit James Monroe. Gjithsesi,  arkitekturën e ndërtesës dhe praktikisht asaj në brendësi, arkitekti irlandez James Hoban  iu riktheu  stilin Palladian të mëparshëm, dhe nuk ripërsëriti inovacionet neo-klasike të bëra nga Latrobe. Fasadat e jashtëme të përzhitura nga zjarri u bojatisën të bardha. Flitet se është kjo arësyeja që aksindetalisht kjo  ndërtesë u quajt dhe  thirret Shtëpia e Bardhë, megjithëse  ka edhe një të dhënë  tjetër, që realisht  është emërtuar me atë term, qëkur u ndërtua për herën e parë. Gjatë gjithë shekullit të 19-ë, dekorimi i brendshmëm i Shtëpisë së Bardhë ka ardhur duke  rinovuar  në  mënyrë të njëpasnjëshme çdo stil dekorativ, porse fasada e jashtëme e ndërtesës mbeti njësoj.

Në vitin 1833, tubacionet sillnin ujin nga  një rezervat uji, që ndodhej shumë pranë Shtëpisë së Bardhë, i cili  zvendësoi gjithashtu përkohësisht  depon e ujit të mëparëshme. Ndriçimi me gas u fut në Shtëpinë e Bardhë, në vitin 1849 dhe sistemi ngrohës në vitin 1853. Midis viteve 1850-1853, filloi furnizimi me ujë në Shtëpinë e Bardhë, nëpërmjet sistemit hidraulik të instaluar gjatë këtyre viteve, dhe i lidhur direkt me sistemin ujor  qëndror të qytetit. Disa të dhëna të hershme pohojnë se ishte pikërisht Millard Fillmore,  Presidenti i 13-të amerikan, i cili  përdori për herë të parë  sistemin  hidraulik të brendshëm, koha kur ai ishte në Shtëpinë e Bardhë nga viti1850 deri në vitin 1853. Porse  një artikull i vitit 1989-ë mbi sistemin hidraulik të  Shtëpisë së Bardhë, botuar  në revistën “Plumbing & Mechanical”, – shkruan  se mund të ketë qenë, Lincoln  Presidenti  i Shteteve të Bashkuara, i cili  përdori për herë të parë dushin me rrjedhje  uji dhe vaskën e parë, të cilat mendohet se janë  instaluar gjatë presidencës së Lincoln.

Në vitin 1877-ë, në administratën e Presidenti Rutherford B. Hayes, u instalua linja telefonike dhe  aparati telefonik i parë në Shtëpinë e Bardhë, sinjali i të cilit vinte nga dhoma telegrafike e instaluar në  rezidencën presidenciale. Presidenti Hayes e përqafoi teknologjinë e re, edhe pse rrallë merrte telefonata. Në fakt, Departamenti i Thesarit posedonte të vetmen linjë telefonike, veçse të drejtpërdrejtë me Shtëpinë e Bardhë në atë kohë. Numri i telefonit të Shtëpisë së Bardhë ishte “1”.  Kështu që shërbimi telefonik në të gjithë Amerikën i ka  fillesat  e tij në vitin1877-ë. Vetëm një vit më vonë, shkëmbimi i parë telefonik u krye në Connecticut (Kenerike) dhe 50 vjet më pas  do të ishte Presidenti Herbert Hoover që instaloi  linjën e parë telefonike në tavolinën e Presidentit, pikërisht në Zyrën Ovale.

Ndërsa energjia elektrike hyri për herë të parë, gjatë rezidencës së Presidentit, Benjamin Harrison. Në vitin 1902, gjatë administratës së Presidentit, Theodore Roosvelt, Shtëpia e Bardhë, iu nënshtrua  një rinovimi pothuajse tërësor, nën drejtimin e  firmës arkitekturale të njohur e kohës,- e McKim, Mead dhe Ëhite.  Dhomave të katit të parë iu hoq plotësisht veshja viktoriane dhe iu kthye traditës se hershme të shekullit të 19-ë. Shkallët e mëdha u zhvendosën në  korridorin hyrës, për të patur  mundësinë të  shkonin në kafeterinë shtetërore, që ndodhej në cepin jugperëndimor të ndërtesës.

Në vitin 1949, gjatë administratës së  Presidentit Harry S. Truman, u konstatua se Shtëpia e Bardhë nuk ishte e përshtatëshme dhe e sigurtë  për të  banuar aty.

Fasadat e mureve të jashtme ruajtën ngjyrën e bardhë, ndërsa struktura e brendshme e ndërtesës ndryshoi pothuajse tërësisht dhe u rindërtua me skelete,  shtylla betoni e çeliku. Kujdes i madh u tregua për ruajtjen e punimeve origjinale prej druri, oxhaqet prej mermeri,  dhe suvatë dekorative. Planimetria origjinale e bazamentit u ruajt me devocion. Po ashtu edhe njëra prej verandave, e njohur sot e kësaj dite si Ballkoni Truman, e ndërtuar në katin e dytë të portikut jugor. Qysh atëhere  Ballkoni Truman është një nga verandat më të  preferuara të familjeve presidenciale.

Vite më vonë, kur Presidenti John F. Kennedy dhe familja e tij hyri në Shtëpinë e Bardhë, bashkëshortja e tij, znj. Jacqueline Kennedy nisi restaurimin tërësor  në brendësi të Shtëpisë së Bardhë, nga  formatet  origjnale të fundshekullit të 18-ë  dhe  ato të fillimshekullit të 19-ë, deri në shkëlqimin e sotëm të saj. Gjithashtu Znj. Kennedy ngriti një Komsion të posaçëm arti, i përbërë nga specialistë  të aftë e të talentuar dhe personalitete mjaft  të njohura të kohës,  në fushën e artit artikteturial dhe restaurimit të muzeumeve e veprave të artit, me qëllim për të drejtuar punimet e restaurimit KENNEDY-sikundër u quajt në atë kohë. Një komision i veçantë këshillimor dhe një komision i tablove, pikturave, peisazheve, dezanjimit  dhe kompozimit të tyre forcuan më tej punën e komisionit qëndror.

Para këtij restaurimi, nuk kishte pasur ndonjë përpjekje për të ruajtur ose për të përdorur orenditë antike dhe historike të Shtëpisë së Bardhë, dhe dhomat e katit të parë ishin të pajisura kryesisht me orendi të rigjeneruara. Shumica e sendeve të rëndësishme u gjetën  të magazinuara në depot e Shtëpisë së Bardhë. Donatorë dashamirës ofruan relike të qëmotëshme të  arteve dekorative dhe mobilje antike e të çmuara për krijimin e kabinetit presidencial.  Zonja Kennedy u ndje fort e ngazëllyer prej aktit filantropist dhe dashamirësisë  të donatorëve , duke u shprehur se “ çdo gjë e dhuruar në Shtëpinë e Bardhë, duhet të ketë një arësye për të qenë aty ku duhet”. Më pas Presidenti Johnson ngriti Komisionin për Ruajtjen dhe Mirëmbajtjen e Shtëpisë së Bardhë, dhe departamentin e përhershëm përgjegjës për mirëmbajtjen e saj. Pajisje të tjera të mobiljeve  dhe tablove amerikane me vlerë u  sollën në Shtëpinë e Bardhë gjatë  administratës së Nixon-it,  dhe dhomat kryesore të kateve të para dhe  kateve  tokësore u zbukuruan gjatë viteve të presidencës së Nixon-it. Pasi u u shpërngul në rezidencën presidenciale në janar të vitit 1981-ë, bashkëshortja e Presidentit Ronald Regan, znj. Nancy Regan, mbikqyri rikonstruksionin e dhomave të katit të parë, të dytë dhe të disa projekteve të ruajtjes e mirëmbajtjes. Për publikun amerikan, rezidenca presidenciale është bërë rezidencë kombëtare, si edhe shtëpia e presidentit, apo thënë ndryshe të kreut të ekzekutivit.  Sipas Presidentit Dëight d. Eisenhoëer: “Shtëpia e Bardhë ka qenë dhe duhet të mbetet gjithmonë një vend që duhet të nderohet dhe respektohet jo vetëm nga  banorët e saj,  por edhe nga  të gjithë amerikanët.”

Post-scriptum

Shtëpia e Bardhë ndodhet në 1600 Pennsylvania Avenue, N.W., në  Washington DC, dhe prej kohës  që u ndërtua është  pallati presidencial, që përkon edhe me  kohën kur u akomodua Presidenti i Dytë  i Amerikës, -John ADAMS. Pallati presidencial zotëron 7.3 hektarë, rrethuar me drurë të lartë dhe shekullorë.

Ballina  kryesore e ndërtesës është  52 metra (170f.) e gjatë dhe 26 metra (85f.) e gjerë. Disa nga katet përdhese  janë ndërtuar sipas stilit anglez,  kjo për shkak të pjerrësisë së  tokës, ndërsa dy pjesët  anësore, i kanë  rezistuar dhe i përkasin strukturës origjinale. Konstruksioni i krahut perëndimor u bë në  vitin 1902, nën kujdesin e Kongresit Amerikan me një investim prej $65.196 (dollar). Aty ndodhen Zyra Ovale presidenciale, dhoma e seancave, e quajtur ndryshe Roosevelt Room, Sekretaria dhe Dhoma e Senatit. Dyert prej xhami të Zyrës së Presidentit hapen  mbi dhe në drejtim të Rose Garden (Parku Rose). Kontruksioni i Pjesës Lindore u bë në vitin 1942, dhe në të ndodhen përveçse zyrave të sekretaritve presidenciale, por edhe zyrat arkivore dhe depo magazinimi.

Jacqualine Kennedy Garden, ( Parku Zhaklin Kennedy-i) është quajtur kështu nga bashkëshortja e Presidentit Lyndon B. Johnson, Znj.  Claudia Alta “Lady Bird” Johnson, e cila ishte  edhe pasaardhësja e saj. Ky park i bukur ndodhet jashtë pjesës lindore dhe është përdorur nga Zonja e Parë si një park mikpritës, shëtitës  dhe argëtues. Para viti 1902, kati e parë ka shërbyer si vendi  e punës së presidentit. Aty gjendet biblioteka,  e cila u riorganizua tërësisht në vitin 1962.  Dhoma Muze e Shtëpisë së Bardhë “Vermeil Room, e cila quhet edhe Gold Room, për shkak të mureve të paneluara  në ngjyrë ari dhe koleksionin e takëmeve  të praruara prej ari  dhe argjendi, lënë trashëgimi Shtëpisë së Bardhë në vitin 1956-ë nga zonja Margaret Thompson Biddle.

Perdet prej mendafshi me sfondin në të gjelbrën e zbehtë, ku  dalloheshin  qartë fije ari të praruara dhe qëndisura nëpër to, dhe janë  dizajne  të  hershëme të shekullit të 19-të. Tapeti  është Herek  prodhim turk i qëmotshëm, rreth vitit 1860.

Në qendër të dhomës muze ndodhet një tavolinë antike –sofër- e stilit perandorak të  shekullit të 19-të. Në tavanin e saj  varet një shandan  kristali me dhjetë degëzime, edhe ky i qëmotshëm, i prodhuar në Angli në vitin 1785. 

Portrete të shtatë Zonjave të Para janë ekspozuar në Dhomën Muze të Shtëpisë së Bardhë, (Vermeil Room), dhomë që thirret gjithashtu edhe si; The Room of First Ladies!

Më pas vjen kabineti i pritjeve diplomatike, zyra e hartave, nga e cila Presidenti Franklin D. Roosevelt monitoronte ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse kati i parë është rinovuar shumë herë përgjatë viteve, dyshemeja nuk ka ndryshuar nga ana arkitektonike, që pasi Shtëpia e Bardhë u projektua nga John Hoban, në vitin 1792. Të gjitha dhomat e katit të parë janë të hapura për publikun amerikan, me përjashtim të dhomës së ngrënies, e cila përdoret vetëm nga banorët e Shtëpisë së Bardhë. Madje, East Room-  Salla Lindore –e quajtur “Public Audience”(Audiencë Publike),  ruan ende stilin klasik të shekullit të 19-ë. Por jo vetëm kaq, East Room përdoret për mbrëmje argëtuese, dasma, funerale, dhe aty bëhen edhe firmosje të kontratave ekonomike.

E veçanta historike e East Room,  qëndron në faktin historik presidencial se në atë kabinet, presidenti Gerald Ford-it, mori tributet e një burri shteti dhe një figurë imponuese në histori, si një nënpresident dhe president, në një kohë kur Amerika po përballej, me luftën aspak popullore në Vietnam, Skandalin e Watergate-it, dhe Richard Nixon u largua pa mbaruar mandatin, i cili u zvendësua  prej G. Ford. Kati i dytë përfshin komplekse dhoma të ndryshme, që nga dhoma e çlodhjes, e argëtimit dhe  kafeterisë të Zonjës së Parë. Po në katin e dytë ndodhet dhoma e gjumit  e quajtur Lincoln, e cila më herët ka shërbyer edhe si Kabineti i Presidentit të 16-ë –LINCOLN, dhe Dhoma ngjitur me të,- gjatë administratës së John F. Kennedy-i, ka qenë ish zyra e Kabinetit Presidencial, nga ku janë pasqyruar shumë vendime të rëndësishme, të marra brenda saj. Kompleksi i apartamenteve të jetës private të  Presidentit dhe Familjes së tij, gjenden në anën perëndimore të katit të dytë. Me rindërtimin e Shtëpisë së Bardhë në vitin 1952, u tregua kujdes i veçantë në ruajtjen e pjesës më të madhe të rinovuar në vitin 1902,  megjithëse shumë prej orendive “barionale” u hoqën nga muret e lyer me të blertën celadon. Nga viti 1961 -1963 u bë një tjetër rinovim edhe më tej, u ndryshuan disa dhoma, duke i përafruar ato me atë të stilit perandorak dhe me  orendi antike dhe klasike  të periudhave të kahershme. Ndryshime dhe rinovime u bënë edhe në vitet 1970-të, 1980-të, 1998-të dhe 2015-të.

*Referuar “The New Lexicon Webster’s Encyclopedic Dictionary of the English Language.

Filed Under: Histori Tagged With: Raimonda Moisiu

Demonstratat 1981: Kosova Republikë

March 11, 2019 by dgreca

Ne Foto:Demonstratat e vitiate 1981

-Kosova me demonstrata para 38 viteve kërkonte të bëhej Republikë/

PRISHTINË, 11 Mars 2019-Gazeta DIELLI/ Në Prishtinë para 38 viteve, në 11 mars,  studentët nisën protestat e para të 1981-tës që vazhduan dhe u bënë demonstrata masive studentore e gjithëpopullore me kërkesë themelore për Republikën e Kosovës.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi përkujton se,  pas demonstratave të vitit 1968, që shprehën hapur kërkesën për ngritjen e statusit të Kosovës në nivel të republikës, më 11 mars 1981 filloi një fazë e re historike. “Demonstrata e filluar nga studentët e Universitetit të Kosovës u shndërrua në vullnet dhe kërkesë gjithëpopullore për Republikën e Kosovës. Viti 1981 shënon kthesën përfundimtare të orientimit të kërkesave politike për avansimin e statusit politik të Kosovës, që pas përpjekjeve dhe sakrificave u kurorëzua me çlirimin dhe pavarësinë Kosovës”, thekson Presidenti Thaçi.

Kryeministri Ramush Haradinaj vlerëson se,  demonstrata e 11 marsit ‘81 shënon një epokë vendimtare në historinë më të re të Kosovës. 

“Mijëra studentë zgjodhën rrugën e paqes për ta kundërshtuar shtypjen dhe pabarazinë. Në përvjetorin e demonstratave studentore, kujtojmë të gjithë ata që guxuan të kërkonin atë që iu takonte, të drejtën e tyre, dhe që i dolën zot këtij vendi, në rrugën drejt çlirimit”, shprehet Kryeministri Haradinaj./b.j/

Filed Under: Histori Tagged With: Demonstratat

Aleksander Moisi në kujtimet e aktorit austriak Fritz Eckhardt

February 27, 2019 by dgreca

Nga Pjeter Logoreci/

(GERMANY OUT) Moissi, Alexander - Actor, Austria*02.04.1879-23.03.1935+- Published by 'Tempo' 05.12.1931- Photographer: Lotte Jacobi (Photo by Atelier Jacobi/ullstein bild via Getty Images)3 Moisiu në rolin e MontezumësSONY DSC5 Vizatim Moisiu Montezuma6 Vizatim Moisiu në rolin e Montezumës

Ylli i skenës botnore Aleksander Moisiu/    2-3      Moisiu në rolin e  Montezumës/ 4-Vizatim Moisiu Montezum/Vizatim Moisiu në rolin e Montezumës/

Për teatrin gjermanishtfolës, aktori Franz Eckhardt, ishte një ndër figurat e dashtuna e sidomos për publikun vjenez. Edhe pse kishte krye akademinë e arteve në Vjenë për art dramatik, ai ishte edhe këngëtar, skenarist, libretist, kabaretist e regjisor.  Nana e tij, një aktore teatri, e la jetim në moshen 9 vjeçare, ndërsa i ati, që ishte drejtor teatri në Vjenë, u vra nga nazistët gjatë fushatave kundër hebrejve.

Fritzi u ngjit në skenë si aktor ndihmës qysh në adoleshencën e tij, por karrieren e tij artistike, si profesionist, e filloj në moshen 24 vjeçare, si aktor i Teatrit Popullor të Vjenës përkrah aktorëve ma në za të kohës. Ai ishte multitalent. Përveç aktrimit ai shkruante pjesë të shkurta komedie apo muzikë, por i detyruem të mbetej si autor anonim  nga frika e përndjekjes si çifut nga nazistët. Gjatë karrierës së tij shumë vjeçare, ai u nderue me urdhënat dhe çmimet ma të nalta për një artist, në teatër, film, si libretist e kabaretist.

Si autor ai shkroj disa libra ndër të cilët edhe një libër biografik me titullin “ Një aktor duhet të jetë i gjithëanshëm”, ku përshkruhet jeta e karriera e tij dhe përfshirja e tij në fushën e teatrit, muzikës, filmit por edhe kujtime e anektoda që i ndodhen në jetë dhe në skenë, ku përfshiheshin,  aktorë e personalitete të famshëm.

Një ndër figurat e dashtuna dhe të respektueme për Fritzin ishte edhe aktori me origjinë shqiptare, gjeniu i skenës botnore Aleksander Moisi. Nëpërmes këtij shkrimi, dëshiroj me sjell për lexuesin shqiptar disa ndodhi apo anektoda që Fritz Eckhardt përjetoj me Aleksandrin tonë.

Takimi i aktorit vjenez Fritz Eckhardt me gjeniun e skenës Aleksander Moisiun.

Fritzi tregon: “Ma në fund më erdhi mundësia që të kem një rol, por një rol të vërtetë, në dramen e Gerhart Hauptamann “Shpëtimtari i Bardhë”, që ishte në repertorin vjetor të Teatrit Popullor të Vjenës. Kjo dramë ishte zgjedhun nga drejtuesit e teatrit vetëm për shkakun se roli kryesor, ai i mbretit të Aztekëve, Montezumës, një rol që erdhi në këtë teatër si shkollë e plastikës, interpretohej nga Aleksander Moisiu, që ishte ylli e ma i njohuni i ditës.

Vetëm mendimi se do të ndodhesha në skenë përballë gjigandit Aleksander Moisiu, se do ta kem partner, ishte emocioni më i madh në jetën time të sapo fillueme teatrore. Në të vertetë roli im ishte vetëm një frazë, por një frazë në vargje dhe tepër e gjatë. Siç ishte zakon të “trajtoheshin” asokohe aktorët e rij, një ditë para premierës, një asistent i regjisorit u muer pak çaste me mue, tuj më “mësue” që batuten ta thojshe me ton të naltë, gati si ulurimë.

Natën e premieres, në rolin e një ushtari spanjol nga vjeti 1520, isha i veshun me jelek me gjoksore llamarine që natyrisht dukej si prej çeliku, me çizme të mëdha e pantallona shumë ngjyrëshe, e në kokë nje helmetë të randë e të frigshme stolisë me pupla. Në dorë mbaja të veshuna doreza me mbulesë metalike. I transformuem në një “monstër” lufte, me të ndigjue “batutën” e pritun u futa me vrull në skenë  duke citue me egërsi, me fytyrë nga publiku që kishte mbushë plot e përplot teatrin, frazën time të vetme.

Mandej heshtje. ….S’po ndodhte asgja. ….Pat një pause aq të gjatë sa fillova të mendoj se ishte fundi i dramës dhe pritshe ramjen e siparit, por ai s’ po binte…

…por një lëvizje mjeshtrore e të madhit Moisi, i cili si zakonisht qëndronte afër gropës së  suflerit, më bani që të frymoj përsëri. Me disa levizje magjepsëse prej princi të vertetë, Moisiu erdhi drejt meje duke përshpëritur lehtë sa dhe unë mezi e dëgjova:…”më godit… a ndjeve, më godit”… Unë s’po kuptojshe asgja dhe qëndrojshe si i shushatun e fytyra ime kishte marrë një pamje qesharake nën helmeten e shemtueme. Një fishkëllimë e gjeniut sikur me solli në vehte:…”Të thashë që të më godasësh, ti idiot”…

Ah, mendova, goditja ime duhet të jetë “shenja” kur ai duhet të fillojë batuten e tij…., dhe pa u mendue gjatë, e godita. Jo me t’gjithë forcën, por aq fort sa trupi i dobët i Moisiut u lëkund. Por përsëri Montezuma Moisi, duke lëvizë drejt meje, me za të butë më drejtohet: …”Pse s’po më godet fort?”

I çuditur mendova: a thu do të jetë teksti ashtu, që të kërkojë një goditje ma të fortë? Dhe godita, por kësaj herë me të gjithë forcën time prej 17 vjeçarit, me grushtin e mbështjellë  me dorezë metalike. Moisiu fluturoj mbi parkmakët e skenës që e mbajtën pa ra në publik…mandej duke u ngrit ngadalë, me sy lutës mu drejtue me fjalët e rolit…: “Me bjer, me godit për vdekje mik”… Atë natë unë, me të gjithë seriozitetin tim, rraha në skenë, sipas të gjithë rregullave të artit, yllin botnor Aleksander Moisiu.

Menjëherë mbas shfaqjes, me za të butë ashtu siç ishte dhe vetë ai, Moisiu mu drejtue: “Herë tjetër lexoje tekstin e dramës”… I skuqun në ftyrë i tregova se e njihja tekstin, por aty nuk shkruhej se duhet ta godisja, që edhe asistent regjisori nuk ma kishte thanë këtë detaj.

Sot, nuk mund të imagjinoj se çfarë unë do ti thojshe një aktori të ri, sikur ai të më rrihte në skenë edhe pse jam ma i fuqishëm e mbi peshen e Moisiut.

Moisiu si Kardinali Richelieu

Një herë, i ftuem në teatrin e St. Polten, Moisiu interpretonte rolin e Kardinalit Richelieu në dramen me të njejtin titull të një autorit françes, që me të drejtë sot asht pjesë e harrueme. Si zakonisht pat vetëm një provë të Aleksandrit me aktorët vendas të cilët e kishin mësuar pjesën përpara. Moisiu i cili ishte ulur qetësisht dhe po vëzhgonte proven, po i tregonte një shërbëtorit që lajmëronte hymjen në skenë të Kardinalit/Moisi, se si duhej ta thonte batuten:…”ndigjo miku im, ti duhet të jesh i kujdesëshëm në këtë lajmërim mbasi Kardinali Richelieu në kohën e tij ishte burri më i randësishëm i kishës, si Papa…më kupton? Mos u ban qesharak, mos të merret goja, mos bëlbëzo ashtu si në provë, por me za të fuqishëm dhe stoik lajmëro: …Shkëlqësia e tij Kardinali Richelieu…, më kupton, fuqishëm për burrin më të fuqishëm të kishës…

Por fjalët e Moisiut banë efektin e kundërt, mbasi aktori/shërbëtor u turbullue shumë nga personaliteti dhe këshillat e Moisiu dhe ndodhi që atë mbramje në shfaqje, ai u fut me rrëmbim në skenë  e duke marrë një qëndrim prej statuje  lajmëroj me ton të fuqishëm:…Para jush Shkelqësia e tij Papa…

Mbas shfaqjes, i zëmëruem, Moisiu po i fliste ashpër atij. Shërbëtori / lajmëtar, i fyer nga toni i mjeshtrit, reagoj me kambëngulje: ….Çke, pse zemërohesh? Ti vetë më the që ai asht burri më i madh i kishës, …e nji tjetër ma të madh se Papa nuk mund të gjej…

 

Vjenë, Shkurt 2019

Filed Under: Histori Tagged With: Aleksander Moisi në kujtimet e aktorit austriak, Fritz Eckhardt, Pjeter Logoreci

100 VJET NGA MASAKRA NË SHTUPEQ E KATUNDET E TJERË TË RUGOVËS

February 22, 2019 by dgreca

U SHËNUA 100-VJETORI I MASAKRËS SË MALIT TË ZI DHE TË SER­BISË NË SHTUPEQ  DHE NË KATUNDE TË TJERA TË RUGOVËS, MË 1919/

1 masak shtupeq1 shaqiri 1

Nga Zymer U. Neziri/

Në Pejë, në universitetin ‘’Haxhi Zeka’’, në bashkorganizim me Klubin e Intele­ktua­lëve të Ru­go­vës në Prishtinë, u mbajt simpozium shkencor në këtë 100-vjetor, më 15 shkurt 2019, për njërën ndër masakrat më mëdha të asaj kohe. Ku­mtuan studiues të përmendur, shumica nga qendrat tona uni­v­ersitare: dr. sc. Arben Arifi, Prishtinë, prof. Binak Ulaj, Plavë e Guci, prof. as. dr. Elinda Dibra (Ra­ma­dani), Shkodër, prof. dr. Fatmira Musaj, Tiranë, prof. as. dr. Fitim Rifati, Prishtinë, prof. dr. Hakif Bajrami, Prishtinë, prof. dr. Haki Kasumi, Prishtinë, prof. dr. Isamedin Azizi, Shkup, prof. dr. Limon Rushiti, Prishtinë, prof. as. dr. Luan Tetaj, Prishtinë, prof. dr. Lush Culaj, Prishtinë, akad. prof. dr. Marenglen Verli, Tiranë, dr. sc. Mark Palnikaj, Tiranë, dr. sci. Nail Draga, Ulqin, mr. sc. Nikollë Loka, Tiranë, prof. dr. Dom Nikë Ukgjini, Shkodër, dr. sci. Qerim Lita, Shkup, prof. Rexhep Dedushaj, Plavë e Guci, prof. as. dr. Rudina Mita, Elbasan, prof. dr. Shyqyri Hysi, Gjir­okastër, prof. dr. Zymer Ujkan Neziri, Prishtinë. Pos kumtesave të lexuara, me interes ishin edhe diskutimet.

Në sallën e mbushur përplot janë shpërndarë libri Shku­r­torja e kumtesave me programin e sim­po­ziumit dhe libri Ditt e trishtimit… të Zef Mark Harapit, përgatiutr për shtyp nga dom Nikë Ukgjini, ribotim i ‘’Dukagjinit’’, dhuratë për nevojat e shënimit të këtij përvjetori. U shpërnda edhe dokumenti i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, pjesa për Shtupeqin e Vogël dhe për Shtupeqin e Madh, me emrat e 433 dëshmorëve e martirëve të masakruar, të vrarë ose të djegur të gjallë nëpër shtëpia dhe në Hanin e Isuf Veselit, më 16 shkurt 1919. Mosha e tyre është nga fëmija një vjeç (djali i Shabanit, Sh. i Madh) e deri te plaku 101 vjeç (gruaja e Ibishit, Sh. i Madh). Ndër ta është edhe bajraktari i Bajrakut të Shtupeqit të Vogël, Mehmet Shabi – Pepënikaj, i plagosur gjatë luftimeve, i zënë rob në Lipë dhe i pushkatuar bashkë me ndi­h­mësin e tij, Bekë Hyseni – Nilënikaj. Por, ka aty edhe disa emra personash që kanë shpëtuar, pra, janë shënuar ga­bi­misht, mirëpo ka edhe emra që mungojnë. Dokumenti i KMKK-së, dt. 8 shkurt-25 shkurt 1919, është do­rë­zuar në Lidhjen e Kombeve, më 21 dhjetor 1921, me të dhëna për këto dy katunde dhe për katundet e tjera të Rugovës, si dhe për Plavën, Gucinë, Pejën, Gjakovën, Rozhajën. Versioni i tashëm, i botuar në rev. Dy Drina’’, pjesa për Shtupeqin e Vogël dhe për Shtupeqin e Madh, me emrat e 433 dëshmorëve e martirëve të masakruar, të vrarë ose të djegur të gjallë, është i për­k­thyer nga frëngjishtja dhe është përgatitur për shtyp nga Kujtim Nuro.

Të pra­ni­shmit i përshëndetën prorektori, prof. dr. Afrim Se­limaj, dhe kryetari i KD të Klubit, prof. dr. Ali Muriqi. Në mbrëmje, në teatrin ’’Istref Begolli’’, në praninë e personaliteteve të njo­hura, u mbajt aka­­demi përkujtimore, me drejtues prof. dr. Jeton Kelmendin, sekretar i Klubit, ku folën ministri Shyqyri Bytyqi, kryesuesi i Kuvendit, Islam Husaj, koma­n­danti Salih B. Lajçi, prorektori Afrim Se­limaj dhe Zymer U. Neziri, hartues i projektit. La mbresa të forta AFA ’’Ru­gova’’ me këngë e me valle të njohura epike, kurse Fatos M. La­jçi shfaqi një film dokumentar.

Të ne­sër­men, kumtuesit vunë kurora pranë pllakave përkujtimore në Shtu­peq dhe u thanë fjalë rasti nga Ramiz Beqir Nikçi, Avdi Hysë Halili dhe Haxhë Zenel Nikçi.

Kjo ishte një përpjekje për të larë borxh ndaj atyre rugovasve që u masa­k­ruan nga Serbia dhe Ma­li i Zi vetëm pse ishin shqiptarë. Kjo është po ashtu përpjekje për ndriçi­min e mëtejshëm të historisë më të re të krimeve të Malit të Zi dhe të Serbisë mbi popullin shqi­ptar. Por, më krye­so­rja është që me këtë simpozium shkencor t’ia kuj­tojmë brezit tonë të ri rru­gëtimin e për­gjakshëm të të parëve tanë nën robëri, nga viti 1912 deri në qershor 1999, kur Ru­gova e Pe­ja gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Koso­vës përsëri janë masakruar, janë plaç­kitur e janë dje­­gur nga Mali i Zi e Ser­bia. Mirëpo, deri më sot ato nuk kanë kërkuar falje për kri­met, nuk i kanë kthyer eshtrat e të pagje­tu­rve, as nuk i kanë paguar dëmet e shkaktuara, ndo­nëse luftën e kanë humbur. Madje, Mal­in e Zi e kanë shpërblyer 80 deputetë shqiptarë me afër një të tretën e te­rr­itorit të krahinës së Rugovës, më 21 mars 2018, në Kuvendin e Republikës së Kosovës!

Për kumtuesit u ndanë certifikata, kurse mirënjohje u dhanë për ata që e ndihmuan realizimin e projektit me punë dhe me mjete financiare. Kumtesat do të botohen. Do të botohet edhe një vë­llim me dokumente. Në qershor planifikohet vë­nia e gur­themeleve të dy qendrave për­kuj­timore për periudhën e robërisë dhe të qendresës, 1912-1999, në Shtupeq të Vogël dhe në Shtu­peq të Madh.

Filed Under: Histori Tagged With: 100 vjet, E KATUNDET E TJERË, NGA MASAKRA NË SHTUPEQ, TË RUGOVËS, Zymer U. Neziri

ME 20 SHKURT 1991 SHQIPTARET RREZUAN BUSTIN E ENVERIT…..

February 20, 2019 by dgreca

POR JO KOMUNIZMIN DHE ENVERIZMIN/

1 Entela

NGA ENTELA KASI/Tirane/

Sot përsëri më kthehet ngultas në kujtesë Sebastiano Grasso kur më pyeti : – Ju besoni se diktatura ka vdekur me Enver Hoxhën? ( ndërsa ecnim përmes bllokut të famshëm, për darkën me miq të PEN International,                                                                                    .

Ndërsa Francine Prose, shkrimtare amerikane dhe gazetare e the New York Times në vitin 2009, në udhëtimin tonë drejt Petrelës e tronditur tha :

” E dashur, këtu xhelatët janë ulur në tryezë duke ngrënë çka munden prej viktimave të tyre. Kjo më trishton e më dhemb. Të duket sikur jetohet mes fantazmash..

.” E, për të përmbyllur kujtimin e kësaj date, e cila duhej të kishte sjellë ndryshimin e madh e të shumëpritur për një popull që jetoi tragjedinë e izolimit , diktaturën, ende edhe sot janë shqiptarët që përjetojnë traumën e kaosit social, ekonomik, kulturor dhe politik të post diktaturës. Sot në Shqipërinë e njerëzve të ikur, të lodhur, e të pa qetë, të varfëruar në zgripin e mbijetesës, duket sikur kemi mbetur nën rrënojat e lirisë së munguar… Kujtesa është një dëshmi e pa kompromis e historisë. E vërteta është tronditëse për çdo shoqëri. E vërteta ka shijen e hidhur të aktualitetit. 20 Shkurt 2019, ( p.s. – dikush që shqetesimet i ka për gjuhën të korrigjojë gabimet e drejtshkrimit…të tjerët të shqetësohen për vlerën e lirisë, parimet e demokracisë dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë, e po ashtu për dinjitetin e shtetit shqiptar i cili përbëhet nga institucionet…)

Filed Under: Histori Tagged With: ENTELA KASI, enverizmi, rrezimi i bustit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 322
  • 323
  • 324
  • 325
  • 326
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT