• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VULLKANI BALLKANIK

March 9, 2017 by dgreca

NGA SOTIR GJIKA/

Sotir Gjika

Katër kundra njërit/

 Çështja shumëtrokëllore e Lindjes, shpikja e së cilës nis që prej shumë shekujsh dhe rritja e saj më e rrezikëshme që në ligështim të Turqisë, u-pandeh prej shumëve se u zgjidh pas copëtimit të Turqisë së Evropës, dhe pas mbylljes së paqes në Londër midis Shteteve të Ballkanit dhe Turqisë.Por në traktatin e Lidhjes ushtarake që mëndja diplomatike e diplomatëve të Shteteve të Ballkanit mundi të goditë, nuk shënoi ndër shartet (kushtet) dhe ndarjen e plaçkave të fituara prej Turqisë, sepse, nxituar, për të çartur e për të përgjygjur një komb, i cili ka barabar të drejta në Ballkan dhe i cili, para se të vrapojnë këta Shtete me masat e tyre të këqia, nisi të mëkëmbej.N’atë mes Bullgaria me Sërbinë, kur erdhi koha e ndarjes së “plaçkave“, e shfaqën një godí (traktat) që kishin bërë mes tyre, sipas të cilit Bullgaria përvetëson që nga Dibra e poshtë, Ohri, Monastir etj. Sërbia e cila, kur mbylli këtë godí me Bullgarinë, nuk mendoi aspak se, andej nga ajo deshte të frynte lakmimin e saj, ishte një komb, i cili është thënë të jetojë. Krijimi i Shqipërisë i kotësoi ëndërrat sërbe, e kjo gjë i dha arësye Sërbisë të kërkojë nga Bullgaria përkqyrjen e traktatit. Por Bullgaria refuzoi, duke ju përgjegjur mikeshës së saj të djeshme, se traktatet nuk shpërshkruhen.Në këtë mes, Sërbia me Greqinë, duke ditur që së parit se lidhja e tyre me Bullgarinë ishte e kalbur, si dy mike dinake të vjetra, lidhën një miqësi më të ngushtë për t’i bërë ballë Bullgarisë. Bullgaria, e cila nuk mundet të lërë jashtë krahut të saj mijëra Bullgarë të Maqedonisë, të cilët përbënin pjesën më të fortë në luftën e saj me Turqinë, e shtrëngoi fushatën. Duke parë Cari i Rusisë mahisjen e punëvet midis këlyshkave të Ballkanit, dërgoj arbritacjen (messësinë) e tij në Sofje e në Beligrad, por pa ndonjë dobí.Kështu, lufta me zëmërim të madh midis Sërbisë, Malit-të-Zi e Greqisë me Bullgarinë, ka 10 ditë që ka filluar.Lajmet e gjertanishme, më të shumtat prej Beligradi, Selaniku dhe Athine, na kallzojnë fitime të mëdha sërbo-greke. Lajmet vonitëse (të pashtuara) zakonisht të pakta prej Sofje, na kallzojnë fitime bullgare. Të vërtetën do t’a dëftojë koha.

Pregatitjet ushtarake të Rumanisë

 Rumania, e cila ka qënë 25 vjet me radhë në krahun e Trilidhjes, ndënji fare e paanëshme në luftën ballkanike me Turqinë, sot e pakënaqur vetëm me Silistrën e…, po pregatitet për luftë kundra Bullgarisë!!Lajmet prej Viene thonë se mbreti Karol, duke nënëshkruar dekretin e mobilizimeve ka thënë : ”Është koha që dhe Rumania të thotë fjalën e guximshme”. Në Bukuresht janë mbajtur shumë demonstrata. Ndër disa fjalë të nxehta atdhesore, kanë kërkuar luftën kundra Bullgarisë, dhe kanë bërtitur kundra “Austrisë tradhëtore“. Një gurguli e madhe është mbledhur përpara pallatit, ku janë folur disa fjalë të nxehta për pregatitjet e luftës, duke përgëzuar qeverinë, dhe duke shtuar vullnetin e saj. Gjithë nëpunësit kanë lënë pozitat e tyre – thonë lajmet prej Viene – dhe kanë mveshur armët për luftë. Kuçovllehtë e Maqedonisë janë gati të shkojnë vullnetarë (vetëdashës). M’ e madhja shoqëri maqedono-rumune n’ Amerikë, ka lajmëruar telegrafisht që 4500 rumunë të Maqedonisë dëshërojnë të truposen në ushtërinë rumune. Komiteti i Bukureshtit është përgjegjur telegrafisht që vetëdashësit mundin të vinë sa më shpejt. Këshilli i ministërve vendosi, midis të tjerave, që pregatitjet e luftës të jenë në shkallën më të përsosur. Sa kohë vazhduan demonstratat në kryeqytet, në parullat e ngritura kishin shkruajtur: “Poshtë Austria“! „Rroftë Rumania“! Rroftë kreshniku princ Michele! Neve duam luftë kundër Bullgarisë!Pra, prej lajmevet të sipërme, kuptohet fryma luftëtare kundër Bullgarisë q’i ka pushtuar vllehtë. Por gjer tani, që shkruaj këto rreshta, Rumania s’ka nisur akoma nisiet e saj kundër Bullgarisë. E në qoftë se dhe Rumania fillon luftën kundër Bullgarisë, atëherë ç’bëhet? Pa dyshim Bullgaria trimëreshë, e ndodhur midis katër zjarreve, do të përkulet!

 Masa greke për të grekosur Korçën.

Disa shqipëtarë që mbrritën sot këtu prej Korçe, të ikur natën, për të shpëtuar nga mundimet greke, na kallzojnë këto:

Me qënë se Komisioni Ndërkombëtar, që është ngarkuar për të caktuar kufijtë jugorë, pritet të vejë në Korçë, grekët, për t’i dhënë qytetit një pamje artificiale greke, shtrëngojnë pik së pari popullin korçar të lyejë shtëpitë me ngjyra greke. Kanë sjellë në Korçë shumë kostume greke, të cilët i shpërndajnë në popull dhe ata që nuk i marrin ata kostume merren në pyetje prej qeveritarëvet dhe ndërshkrohen si “alvanistaì„. Ndalojnë hyrjen e katundarëvet të qarkut Korçës që zakonisht venë për të tregëtuar dhe këtë e bëjnë më tepër për të mos u folur gjuha shqipe. Kanë ngjitur letra nëpër muret e qytetit, në të cilat shkruhet “i enosis i thanatos„ o bashkim o vdekje. Shkruajnë me pahir djelmurinë shqipëtare në trupin “ieros llohos i amina„ dhe ata që nuk duan të hyjnë në këtë shoqërí merren dhe burgosen si “alvanistaí„. Antarët e trupit “ieros llohos i amina„ nuk mbajnë ndër shapkat e tyre koronën greke për të mos u dëftyer se janë formuar prej autoritetevet greke. Kombëtarëvet shqiptarë u ndalohet rreptësisht çfarëdo bashkëfjalim nëpër kafenetë, dyqanet dhe qendrat. Plakut të ndershëm dhe atdhetarit bujar Vani Ciko Kosturit, autoritetet greke i kanë vënë një ushtar, i cili e gjuan çap pas çapi që të mos fjalosë me popullin, dhe të mos ketë asnjë marrëveshje me kombëtarët shqiptarë. Zoti Sotir Peçi dhe të tjerë kombëtarë, për të shpëtuar nga urrejtja greke, rrinë gjithë herët mbyllur nëpër shtëpitë e tyre. Askujt s’i jepet lejë të dalë nga viset që përmban ushtria greke dhe ajo tokic’ e popullit që jeton vetëm me mërgimet (kurbetet) po heq sot shumë keq për bukën e përditshëme. Ata njerës që guxojnë të ikin tinas (fshehurazi), po të ziren burgosen sakaqë dhe mundohen shumë. Me pakë fjalë grekët s’kanë lënë asgjë pa bërë për t’i dhënë Korçës një pamje greke dhe si një magjistarkë e çuditëshme po përpiqen t’i veshin sytë botës!

Ajo gjë që i jep vetvetiu munxët kësaj komedie qesharake greke, është që grekët presin kurdoherë me masën e tyre; dua të them se Korça u vendos që me kohë Shqipërí, por grekët nuk duan të besojnë. N’ atë mes po trêmbin Evropën “me ton ieron llohon„ dhe në filloftë – thonë palikarët e Greqisë – se Komisioni vendos Shqipërí ato vise që përmban sot ushtëria greke, do t’a vrasin Komisionin me ushtarët e përmêndur. Grekët duke parë se Turqia e mori nëpër këmbë traktatin e Londrës dhe fitoi përsëri gjysmën e Thrakës, s’është aspak çudií – thonë – të bënin dhe ata të njëjtën gjë për Korçën dhe  viset e tjera shqiptare që janë ende në dyshim.

Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, Nr. 19, Vlorë, 2/15 Vjesht II 1913

SHKËMB’ I  MBLETËS(Pseudonimi publicistik i Sotir Gjikes- Marre nga Libri” DETYRA  IME  MBARON  ME  JETËN TIME”

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Sotir Gjika, VULLKANI BALLKANIK

Bashkia Shkodres mbulon me heshtje Marije Shllakun

March 7, 2017 by dgreca

Flijimi i Marie Shllakut vazhdon të lihet në heshtje nga Bashkia Shkodres !/
Ky shkrim unnamedështë një letër e hapur drejtuar Kryetares së Bashkisë Shkodër znj.Voltana Ademi në ditën ndërkombëtare të gruas!unnamed
 
Leonora Laçi, 2017/
 
 E nderuar znj. Kryetare!
Si femra e parë Kryetare Bashkie në Shkodër, për të cilen ndjehemi krenar, e të privilegjuar për përfaqësimin e femrës në pushtetin vendor si dhe për ta shfrytëzuar  këtë në dobi të femrës për femrën,  duke pas parasysh se zgjedhja juaj në krye të Bashkisë ka thyer tabunë e fanatizmit maskilist.
Por, krenaria zbehet kur vihet re që Shkodra një qytet që udhëhiqet për kaq dekada nga Partia Demokratike të lërë në harresë dhe në hije heroinën Marie Shllaku, antikomunisten e betuar e cila në moshë të re u pushkatua në Prizren për aktivitetin e saj politik.  Shkodra i ka borxh Marijes, prandaj ky shkrim le ti shkoj në tryezë znj.Kryetare dhe Këshillit Bashkiak të Shkodres. Sepse nderimi i Maries është nderimi i femrës, nderimi i Shkodres si qytet, qoftë një hapësirë për memorial, një titull nderi pas-vdekjes, një aktivitet përkujtimor.
Nëse ju keni hezitim apo mos njohuri për veprimtarinë e saj, unë jam e gatshme t’ju sjelli të gjithë librat që janë shkruar për të, madje dhe t’ju informoj për aktivitetet që janë zhvilluar në Kosovë, Shkodër, e Tiranë, apo përkujtimin dhe vlerësimin që i bën Kosova me emra rrugësh e nderime të tjera.  Prandaj Shkodra si qyteti i lindjes duhet ta vlerësoj dhe ta njoh aktivitetin e saj !
Boll me amnezinë institucionale prej disa dekadash !
Po e bëj këtë thirrje pikërisht me 8 Mars, pasi duhen kujtuar ato femra që u sakrifikuan për kombin, Shqipëria nuk ka vetëm Musine Kokalarin, ka shumë Musineja të tjera si Maria Shllaku, Bardha Gjomarku, Marie Tuci etj. Është për tu vlerësuar nderimi që Gjirokastra por jo vetëm ajo, po nderojnë Musinen, të cilat duhen marrë shembull dhe të jenë nzitje për nderimin e Marie Shllakut nga Shkodra.  8 Marsi është dita e sakrificës së femrës por edhe për të kujtuar përpjekjet e tyre  për barazi, paqe e drejtësi.
Po e risjelli një poezi që duhet të jetë epitaf për femrat që u flijuan për idealet kombëtare, kjo u shkrua prej një nga të dënuarit në gjyq me Marie Shllakun, profesori shkodran Shefqet Kelmendi që  i thotë të gjitha që duhen thënë për Marien si një vajzë 24 vjeçare që u quajt armike dhe u pushkatua, ajo e luftoi komunizmin me pushkë e penë.
Prandaj konsiderojeni këtë thirrje si domosdoshmëri dhe të nevojshme !
 
                                                              ***
“Pranë një qyteti është një varr pa varr. Është një vajzë e re që prehet në qetësi e varrin e saj askush sot s’e di…
Nuk ia thau rinin dashuria e vrarë.
Nuk ia shkimi dritën ndonjë e papritur.
Hëna pesëmbëdhjetëshe e harroi vetveten. Theu pasqyrën e nusërisë. I dogji edhe studimet, se një zë nga brenda i thirri:
“Bija ime, rininë tënde falma mua. Digje zemrën për mijëra zemra, që gufojnë sot anekënd!”.
Dhe Shkodrania doli në ballë me flamurin e Skenderit.
 
Re të zeza sterruan qiellin. Tymi mbuloi tokën tonë.
Sokolesha s’iku natën në dhe të huaj për të shpëtuar lëkurën.
Mali iu bë çerdhe.Toka ujë i dha të pijë.
Po një ditë me mjegull shumë, pesëthepat të gjallë e zunë…
-Ti armike e popullit,- i thanë në një sallë,- fol për fajet e tua !
-Për tokat e të parëve luftova sa munda. Kreva veç detyrën.
-Po ti, a e di se për këto krime plumbi ty të pret?
-Nuk më trembet syri. Unë ia fala jetën Kosovës martire. Ndaj dhe jam krenare, se mbi varrin tim lule do të sjellin të rinjtë e kësaj toke.
-Varrin tënd, nepërkë, askush s’do ta dijë.
-Kjo ka pak rëndësi. Emrin tim, zotëri, ju s’e zhdukni dot!
E salla pikoi lot…
Brinjët ty t’i thyen, po nuk ta thyen zemrën…
Buzët t’i shkrumuan, po s’ta mbyllën gojën…
Sytë t’i shterruan, po në dritë u shndërruan…
Verë e vitit dyzet e gjashtë…
 
Sot Prizreni në gji të vet
Me xhelozi ruan një sekret.
Borxhlinj të jemi, motra jonë,
O Marija, o shqiponjë !”
Shkruar në burg Zejmen, Lezhë 1986.

Filed Under: Histori Tagged With: Bashkia Shkodres, Leonora Laci, Marije Shllakun, mbulon me heshtje

Akademi Përkujtimore ne kujtim te Komandantit Legjendar Adem Jashari

March 6, 2017 by dgreca

2Perkujtim

Akademi Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari/
2 Salle akademi

Prishtinë, 6 mars 2017- Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të manifestimit për shënimin e 19 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u mbajt Akademi Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.1 Demolli 1Për të përkujtuar luftën e lavdishme dhe rënien e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari, në këtë akademi ishin të pranishëm kryetari  i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, familjarë dhe bashkëluftëtarë të Komandantit Legjendar Adem Jashari, deputetë, dhe përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale.
Para të pranishmëve të shumtë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli përkujtoi luftën dhe heroizmin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të Familjes Jashari.Ndërkaq, në emër të familjes Jashari, të pranishmit i përshëndeti Lulzim Jashari, djali i Komandantit Legjendar Adem Jashari. 

*** 

 Fjala e ministrit Haki Demolli në Akademinë Përkujtimore:

 Ne sot, 19 vjet pas, po përkujtojmë ngjarjet heroike të marsit të vitit 1998, ngjarjet e një marsi të zymtë, kur Kosovën dhe popullin e saj e kishte kapluar pushtimi i egër i okupatorit serb, e që njëherë njihet edhe si marsi i lavdisë kombëtare.

 E bëri këtë periudhën më të lavdishme të vendit tonë, vepra e Komandantit Legjendar Adem Jashari, i cili kishte vlerësuar se liria e vendit është më e shtrenjtë se jeta e tij, se jeta e familjarëve të tij dhe më të dashurve të tij, duke ia bërë me dije popullit, se tani e tutje do të kishte ushtrinë e cila përfundimisht do ta çlironte Kosovën nga okupimi shekullor.

Lufta, rezistenca dhe rënia heroike e familjes Jashari, ishte një ngjarje, respektivisht një sakrificë dhe flijim i pashembullt për lirinë e kombit dhe të atdheut, çfarë  historia jonë kombëtare por as ajo botërore, as nuk kishte parë e as dëgjuar kurrë më parë.Kjo luftë, shërbeu si një frymëzim i jashtëzakonshëm për mobilizimin e tërë popullit të Kosovës dhe të diasporës tonë, në angazhimin përfundimtar për çlirimin e vendit. Si rezultat i këtij mobilizimi gjithëpopullor, pas Epopesë së marsit ‘98,  ushtria e Komandantit Adem Jashari me shpejtësi të meteorit, u rrit dhe u strukturuar në formacione ushtarake, duke çliruar dhe vënë nën kontroll zona të tëra të vendit tonë.Sukseset e shumta në fushëbeteja, të ushtrisë së komandantit legjendar dhe  formacioneve të tjera ushtarake në Kosovë,  ndikuan që të aktivizohet edhe diplomacia ndërkombëtare, e cila duke e vlerësuar si të drejtë luftën për çlirimin e Kosovës, fillojë të gjykonte dhe dënonte krimin dhe gjenocidin shtetërorë serb të kryer ndaj  popullit tonë liridashës.Të gjitha këto zhvillime, rezultuan me organizimin e Konferencës së Rambujesë, e cila u pasua  me bombardimin e caqeve policore-ushtarake të Serbisë nga forcat aleate të NATO-së, e që për epilog përfundimtar, pati kapitullimin e Serbisë dhe çlirimin përfundimtar  të Kosovës.Andaj, në këtë akademi përkujtimore, duhet thënë se shteti ynë dhe kombi ynë përjetësisht do të jenë mirënjohës për të gjithë dëshmorët e rënë, për të gjithë ata që sakrifikuan gjakun dhe mundin për pavarësinë dhe lirinë të cilën është duke e gëzuar populli ynë.Jemi dëshmitarë se para tri ditëve, një gjykatë franceze ia shtyu edhe për një muaj ndalimin në shtetin e Francës, njërit prej komandantëve më të lavdishëm të UÇK-së, ish kryeministrit të Kosovës, z.Ramush Haradinaj.Reagimi i organeve shtetërore dhe qytetarëve të Kosovës, ndaj një vendimi të tillë të gjykatës franceze ka qenë i menjëhershëm dhe i zëshëm.Kjo dëshmon se, populli dhe shteti ynë i çmojnë jashtëzakonisht shumë, luftën çlirimtare dhe sakrificën për liri, dëshmon se i çmojnë çlirimtarët dhe luftën e tyre çlirimtare të UÇK-së.Respektin dhe nderimin e popullit për luftën e UÇK-së, për lavdinë e luftëtarëve të lirisë, nuk mund ta zbehin as Gjykatat Ndërkombëtare e as Gjykatat Speciale, sepse UÇK-ja dhe luftëtarët e saj, kanë zhvilluar në përgjithësi një luftë të drejtë çlirimtare kundër makinerisë ushtarako-policore e vrastare të pushtuesit shumëshekullor, pra të Serbisë.Pasur parasysh situatat e këtilla si dhe sfidat politike me të cilat është duke u ballafaquar vendi ynë, në këtë periudhë të tranzicionit dhe të integrimeve, kërkojmë nga të gjithë akterët politikë, që të lënë anash interesat parciale politike, interesat e grupeve apo partive vetanake dhe të kenë parasysh vetëm interesin e përgjithshëm të popullit dhe shtetit të Kosovës, ashtu siç e kishte edhe Komandanti Legjendar me bashkëveprimtarët e tij, dhe të angazhohen në gjetjen e zgjidhjes së çështjeve politike të cilat janë tejet të rëndësishme për jetën e popullatës tonë dhe funksionalitetin e shtetit tonë të ri.Në shkurt të viti 2008  mbi sakrificën e dëshmorëve, mbi gjakun e derdhur për liri, mbi mundin dhe angazhimin shumë shekullor të gjithë popullit tonë,  Republika e Kosovës u shpall shtet i pavarur dhe sovran, i cili duhej të krijonte edhe organet dhe institucionet e saj. Në kuadër të krijimit të institucioneve të reja të shtetit tonë, u themelua edhe  Forca e Sigurisë së Kosovës, , që sot paraqet Forcën e Sigurisë të Kosovës së pavarur. Tash në përvjetorin e 19-të të Epopesë  së lavdishme të UÇK-së,  shteti i Kosovës, pra Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, në vazhdën  e angazhimit për konsolidimin e organeve të veta më vitale shtetërore, do të ndërmerr të gjitha  veprimet ligjore dhe kushtetuese për transformimin e Forcës së Sigurisë.Që ky transformim është detyrë mbi detyrat e klasës tonë politike e dëshmon edhe votimi unanim kohë më parë, i Rezolutës për  FSK-në, nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, i cili votim u bë pas debatit disa orësh lidhur me mandatin e ri të FSK-së.Forcat e Armatosura të Kosovës, përveç mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë, objektivë tjetër madhore do të kenë edhe  anëtarësimin në NATO, si dhe gatishmërinë për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse dhe humanitare në vende të ndryshme jo vetëm të Evropës, por edhe më gjerë.

Ngritja e shtyllës kryesore të shtetësisë së Kosovës, pra themelimi i Forcave të Armatosura,  paraqet plotësimin e një dëshire tjetër  të popullit të Kosovës, dëshire të Komandantit Legjendar Adem Jashari si dhe të presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës.Shteti dhe Qeveria e Kosovës, përmes krijimit të Forcave të Armatosura dhe akterëve tjerë të sigurisë, do të ngritin shkallën e sigurisë së vendit, në nivel të tillë, ku të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të ndihen të lirë dhe të barabartë, pa dallim të përkatësisë etnike, religjionit, racës apo bindjeve politike, sepse ne jemi duke ndërtuar një shtet demokratik, me vlera civilizuese perëndimore. Pra thjesht Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë të të gjithëve dhe për të mirën e të gjithëve.Mirëpo, Qeveria e Kosovës dhe klasa e saj politike do të përmbush edhe obligime të tjera për popullin dhe shtetin e Kosovës.Konkretisht do të angazhohemi për ndërtimin dhe sforcimin e shtetit bashkëkohor të Kosovës, pra për ndërtimin e një shteti ku sundon ligji, shtet i cili iu ofron  të gjithë qytetarëve, e në veçanti të rinjve, një perspektivë të ndritshme ekonomike, sociale, arsimore, kulturore si dhe mirëqenie të tërësishme.Pra do të punojmë për të ndërtuar shtetin që do të plotësojë kriteret dhe standardet për anëtarësim në NATO dhe integrime të tjera euroatlantike, ku do të  bashkëveprojë me SHBA-të dhe aleatët tjerë që përkrahën çlirimin dhe ndërtimin e shtetit tonë.Në fund duhet thënë, se ndërtimi i shtetit të tillë të Kosovës, si një shtet i lirë i pavarur dhe demokratik, paraqet realizimin më të mirë të ëndrrës së Komandantit tonë Legjendar Adem Jashari, të gjithë dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe luftëtarëve të lirisë.Lavdi Komandantit legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarëve  të tij.              

Lavdi familjes së madhe Jashari.        

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit. 

Ju faleminderit.

Filed Under: Histori Tagged With: Adem Jashari, Akademi Perkujtimore, ne kujtim, te Komandantit Legjendar

DEKADA E RREZISTENCES KRENARE

March 6, 2017 by dgreca

Nga e kaluara e shkollës shqipe/
Dhuna e okupuesit sërb, si në gjitha lëmenjtë e jetës shqiptare në Kosovë, shtirje të veçantë mori në sistemin arsimor.Për ta institucionalizuar dhunën në nivel zyrtar, Sërbia nxori ligjin ”Mbi arsimin dhe edukimin e mesëm”, në të  cilin, parashihej pengimi-ndalimi i gjuhës shqipe dhe imponimi i gjuhës dhe planprogrameve mësimore diskriminuese serbe./
1 Ismail Gashi-Sllovi
 Shkruan: Ismail Gashi-Sllovi/Që nga Pranvera e Madhe e 1981, edhe shkolla shqipe si gjithë shqiptarët në Kosovë, përballej me sulme të egra primitive të barbarisë ortodokse sllave. Gjatë marsit e prillit të 1981, sistemi policor-ushtarake i ish-Jugosllavisë, i komanduar nga sistemi politik administrativ e shtetëror lokal në Kosovë, i mbështetur në moralin e projekteve antishqiptare serbe të përshtatura në rrethanat aktuale të kohës, organizoi sulme kundër strukturës politike, shoqërore, ekonomike e kombëtare, me përgatitje të veçantë në sistemin arsimor të shqiptarëve në Kosovë. Këtë strategji të operativës shtetërore me gjithë potencialin e arsenalit të gjithëduarshëm e kishte përgatitur e projektuar Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, Lidhja e Shkrimtarëve Serbë. Projekt, të cilin shpirtërisht e kishte motivuar Kisha Ortodokse serbe, e cila si gjithmonë prin para sistemit organizativ shtetëror që të vazhdohet e forcohet një moral i keq politik serb, që të konfliktohet me gjithë popujve jo serbe, të cilët jetojnë me serbë e për rreth serbëve. Kjo filozofi politike, ky moral i stërkequr nga urrejtja, gjatë 40 vjetëve të sundimit komunist, vetëm sa ishte strukur, zierë e përpunuar në fshehtësi brenda subjekteve kombëtare e fetare serbe dhe organeve të atëhershme shtetërore, të cilat dhelpërisht, në emër të një mbrojtjeje të politikës shtetërore, me veprime të shkurtra, por efektesh të thella, vazhdimisht e pa ndërprerë ngacmonin çështjen shqiptare për të penguar ecjen e Kosovës, barazinë dhe të drejtën kombëtare e njerëzore në veprime politike, shoqërore e shtetërore të shqiptarëve. Këtë mbikqyerje e përcillte aparatura politike e policore serbe me vëmendje të veçantë në lëvizjen e sistemit arsimor dhe zhvillimin shkencor e intelektual të shqiptarëve në Kosovë. Pas mbylljes së titizmit, kohë që pritej nga forcat reaksionare shofeniste serbe, për krijimin e një rrethane e disponimi të volitshëm për veprim. Pasuan ngjarjet e Pranverës së Madhe të 1981.  Këto forca pa asnjë pengesë, as nga brenda e as nga jashtë, filluan veprimet e planifikuara të dhunës kundërshqiptare, tash me një veprim cinik injorant në shkallë dilerizmi.
 
            Politikë ndëshkimi në sistemin arsimor të Kosovës
 
 Politika serbe e ndihmuar edhe nga verbëria politike e kuadrove shqiptare, për ngjarjet e Pranverës së Madhe të 1981 në Kosovë, në vazhdimësi do ti ndëshkojë shqiptarët  me arrestime e trajtime të ashpra policore e politike. Nëpër duar të trajtimeve policore, ndëshkimeve e burgjeve serbe, kaluan qindra e mija të rinj shqiptarë në Kosovë. Këtë politikë ndëshkimi ndaj shqiptarëve sistemi jugosllav e vendosi në sistemin praktikë zyrtar të institucioneve e strukturave arsimore të Kosovës, me pikësynim të vendosjes në mbikqyerje të arsimit shqip deri në ndalimin e shkollës shqipe në tërësi. Në fillim mori masa për zvogëlimin e numrit të studentëve në Universitetin e Kosovës, duke anatemuar studentët shqiptarë me të kaluarën politike si “arsye” për ndalimin e të drejtës në studime dhe kufizimin e regjistrimit të nxënësve e profileve shkollore në arsimin e mesëm në gjuhën shqipe. Sistemi serbë në brendësi të përmbajtjes lëndore të shkollës shqipe bënte mbikqyerjen e planprogrameve, teksteve e mjeteve mësimore, nga të cilat largonte njësitë mësimore me përbërje të vlerave pozitive historike e kombëtare shqiptare. Objektiv i kësaj herrejeje ishin lëndët mësimore me përmbajtje kombëtare, gjuha shqipe, historia kombëtare, gjeografia, kultura muzikore e figurative. Këto vite me dekrete administrative shtetërore kufizohej e drejta e mësimit nga tekstet me përbërje kombëtare shqiptare dhe imponohej planprogrami diskriminues i teksteve shkollore të pastruara nga këto vlera. Përgatiten planprograme mësimore dhe gjuha mësimore serbe për paralele me nxënës të përkatësive të ndryshme etnike, ose siç i quanin atëherë “paralele të përziera” në të cilat kërkohej dominim i gjuhës dhe vlerave antishqiptare e historike kombëtare serbe. Këto momente filloi përballja e shqiptarëve me synimet e aspiratës antishqiptare serbe, filloi kundërshtimi i hapur dhe i vendosur për mospranimin e këtyre ndryshimeve në planprograme, tekste mësimore e në strukturën shkollore diskriminuese ndaj shqiptarëve. Serbia mësyu të asgjësojë çdo pikëpamje pozitën statusore që ka përmbajtje shtetësie për Kosovën. Drejtimi i veprimit politik mori rrugë në Kuvendimet Kushtetuese/1988/, të organizuara, gjëja që ti shpjegohet popullit, se me ato pak ndryshime kushtetuese në strukturën kushtetuese të Serbisë, Kosova nuk humb asgjë. Këto përralla mundoheshin ti mbulonin përmes disa propaganduesve shqiptarë, për të  cilët populli shqiptarë, ende kishin besim në forcën mendore, profesionale, shkencore e kombëtare. Kur kjo dokërr rrumbullake nuk zuri vend, Serbia filloi zbatueshmërinë e synimeve të veta politike përmes aparaturës shtetërore. Bëri ndryshimet në kushtetutën e Serbisë sipas kutit të vet, aprovoi atë Kushtetutë me gjithë ato ndryshime e përshtatje sipas kërkesave e aspiratave politike serbe. Në vazhdimësi ndryshonin kushtetutat e subjekteve shtetëformuese, sipas kësaj rregulle duhej ndryshuar edhe Kushtetutën e Kosovës, e cila duhej përshtatur sipas synimeve e projektit aktual të Serbisë. Përkundër shumë kundërshtimeve të masës shqiptare gjatë kuvendimeve kushtetuese, organizimit të hapur të mendimit kundërshtues, protestave masive në vjeshtën e 1988. Kuvendi i Kosovës nën kërcim të forcave ushtarake e policore serbe në 23 mars 1989, mbajti seancë kuvendare. Përkundër inskenimeve kërcënuese politike e administrative, doli i panatyrshëm dhe i pakuptimtë dhe jo i përgjegjshëm votimi i vetëm 11 deputetëve shqiptarë kundër këtyre ndryshimeve. Praktikisht, këto ndryshime në kushtetutën e Kosovës, me votat e Kuvendit të Kosovës, i hapen rrugë Serbisë të shton dhunën shtetërore ndaj shqiptarëve, të ngritë barbarinë mesjetare të masakrës mbi shqiptarët, dhunë e cila vrau, plagosi e arrestoi qindra shqiptarë, dhe më lehtë e me “arsyeshmëri ligjore”, të realizojë gjithë aspiratat e projektit gjenocidal të ASSHA. Nga këto veprime pasuan ndryshimet të mëdha, u morën masa të ashpra kundër gjendjes së krijuar dhe pozitës statusore që deri atëherë e gëzonin shqiptarët e Kosovës. Kuvendi i Serbisë merrte vendime suspenduese të enteve, institucioneve dhe niveleve të sistemit shtetëror e politik në Kosovë. Protestat e minatorëve ndaj kësaj gjendjeje, greva e urisë, futja rekorde e minatorëve të Kosovës në zgafelle, përkrahja e studentëve dhe masës së gjerë shqiptare, u bë revoltë e dëgjuar anë e kënd botës, se Serbia po shkel rëndë të drejtat elementare njerëzore të shqiptarëve, se ndaj shqiptarëve po ndodhin padrejtësi, jo vetëm kombëtare, por edhe padrejtësi njerëzore. Kjo shkallë e ashpërsimit të konflikteve shqiptare me sistemin okupues serbë, dëshmoi se shqiptarët nuk kanë çka të kërkojnë më tutje bashkëveprim politik e shtetëror me serbët dhe në serbi. Andaj, kah fundviti 1989 shqiptarët filluan organizimin e veprimeve të mëvetësishme politike.
 
 Në fillim formuan shoqëri civile si KMDLNJ, SHBH “Nëna Terezë” dhe në vazhdim organizuan konsolidimin për veprime të grupacioneve politike dhe formësimit të Lëvizjes politike shqiptare, dhe në vazhdimësi, varësisht  kushteve, kohës e rrethanave të lejuara, u formuan edhe subjekte tjera partiake e politike shqiptare të cilat hapin dyer për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në Kosovë. 
 
Rezistenca arsimore kundër dhumës serbe në vitet e 90-ta
Subjektet shqiptare të përballura me vendoshmëri e sakrificë karshi synimeve serbe, filuan të konsolidohen fill pas zgjedhjeve Parlamentare e peridenciale të 24 majit 1992.
 
Dhuna e shtetit okupues serb, si në gjithë lëmenjtë tjera të jetës shqiptare në Kosovë, shtrirje të veçantë kishte në  sistemin arsimor. Për ta institucionalizuar e ngritur në nivel zyrtar Serbia nxori ligjin “Mbi Arsimin dhe Edukimin e mesëm”, në të cilin parashihej pengimin e gjuhës shqipe dhe imponimin i gjuhës dhe planprogrameve mësimore diskriminuese serbe. Realisht sistem shtetëror serbë zbaton në praktikë segregacion në arsimin shqip, synon ndarjen e nxënësve dhe objekteve shkollore në baza etnike dhe në vend të BVI-ve të dikurshme, krijo fonde te veçantapër financim të cilat i udhëheqnin serbët. Pas këtyre ngjarjeve filloi fushata e egër ndaj nxënësve dhe arsimtarëve shqiptarë, që kishte fillimin nga marsi 1981, kur zbatoheshin diferencimet e dënimet me burg të nxënësve, studentëve dhe arsimtarëve shqiptarë. Subjektet shqiptare përkundër kërcënimit e rrezikimit nga dhuna e sistemit shtetëror serbë, ishin të shtrënguara detyrimisht për të mbrojtur qenien natyrore, substancën biologjike kombëtare, të ndërmarrin veprime organizuese për qeverisjen e mëvetësishme edhe të sistemit të rrezikuar shkollor në gjuhën shqipe. Subjektet shqiptare të përballura me vendosshmëri e sakrificë karshi synimet serbe, filluan të konsolidohen fill pas zgjedhjeve të para Parlamentare e Presidenciale të 24 majit 1992, Organet që udhëhiqnin sistemin shkollor shqiptarë në Kosovë përkundër rrezikshmërisë, filluan të marinë formë dhe përmbajtje të shtetësisë së mëvetësishme. 
Në përkrahje të Këshillit Koordinues të Partive Politike dhe Kuvendit Komunal të Lypjanit, në Qeverinë Komunale u zgjodhën subjektet drejtuese të arsimit komunal dhe Këshilli Komunal për Financim /KKF/. Drejtor në Sekretariatin për Veprimtari Shoqërore, Arsim, Rini dhe Sport u zgjodh Fehmi Ibrahimi, ndërsa inspektor i këtij Sekretariati komunal për arsim u emërua Sahit Ibrahimi. Fehmiu vazhdoi bashkëpunimin horizontal të shkollës shqipe në Lypjan me Qeverinë komunale, partitë politike dhe bashkëpunonte me subjektet kompetente në vijën vertikale, Entin Pedagogjik Rajonal të Ferizajt, Sindikatën e Pavarur të Arsimit, LASH-in, Grupin Parlamentar për Arsim të Kuvendit të Kosovës dhe Ministrinë e Arsimit të Qeverisë së Kosovës në ekzil. Mbante takime të rregullta me Aktivin e Drejtorëve të shkollave, aktivin e pedagogëve dhe koordinonte me Sindikatën e Pavarur të Arsimit, përfaqësuesin e LASH-it dhe Entit pedagogjik e institucionet tjera të Kosovës. Gjatë kësaj kohe shkolla shqipe ndërpreu sistemin e shkollimit të mesëm të orientuar të Stipe Shuvarit, riktheu nivelet dhe profilet e mëparshme të shkollimit të mesëm profesionale dhe gjimnazet. Në gjithë sistemin shkollore shqiptar në Kosovë, edhe në shkollat e komunës së Lypjanit, filloi integrimi mbrëndashqiptarë, unifikimi i teksteve e planprogarmeve shkollore kombëtare.
 
 
 
Reformimi i shkollës shqipe
 
Shkolla shqipe në Kosovë në nisëm të rrugëtimit reformues pastroi shabllonet ideologjike dogmatike nga e kaluara komuniste, nga njësitë e tekstet mësimore u largua marksizmi, në programet shkollore u krijua hapësirë për njohuri aktuale nga të arriturat shkencore ndërkombëtare. Informatika u bë lëndë mësimore që nga klasa e VII dhe VIII, dhe në shkollën e mesme u hap drejtimi i informatikës, nga klasa e katërt e fillores hyri lënda e re, Edukata Qytetare. Brenda kushteve shumë të rënda fizike e materiale, jashtë lokaleve shkollore, të ndjekur nga dhuna e okupuesit serbë dhe vështërsive financiare. Shkolla shqipe në Kosovë i hyri integrimit reformues, për të ecur drejtë nevojave të kohës dhe kërkesave të ekonomisë së tregut. Në vitin shkollor 1994/95, rrjetit shkollor prej 10 shkollave amë fillore sa kishte deri atëherë në trevën komunale të Lypjanit, ju shtuan edhe dy shkolla tetëvjeçare të pavarura. Shkolla e Krojmirit u pavarësua më 31 gusht 1994, për shkak të ndarjes administrative komunale të Shtimes, e cila mori në administrim fshatin Pjetërshticë, ku ishte selia e shkollës fillore “Idriz Ajeti”, paralele e të cilës ishte shkolla fillore e Krojmirit. Me këtë ndarje administrative, shkolla e Krojmirit vetvetiu mbeti e mëvetësishme. Andaj, këtë kohë vetëm u zyrtarizua e më vonë mori emrin “Faik Konica”. Ndërsa, shkolla fillore “Hasan Prishtina” në Llugaxhi u mëvehtësua në vitin shkollor 1995/96. Paraprakisht, me iniciativë dhe vetëfinancim të fshatarëve të Lllugaxhisë, për krijimin e hapësirës së mëvetësishme shkollore, u ndërtua dhe u përfundua objekti i ri dy katesh i shkollës me tetë dhoma mësimi, dy zyra, bibliotekë dhe kthina të tjera përcjellëse.  
Mësuesi Fetah Gashi, Mësojtore në shtëpi shkollë, 1995 në Lypjan
 
Shtëpitë shkolla
 
Këto vite të rënda rrezistente, për qëllime mëvetësie edhe në disa fshatra të tjera të kësaj treve komunale kishte iniciativa të tilla veprimi, përmes të cilave u kryen vetëm pjesët ndërtimore, por për mungesë mjetesh financiare, në ato objekte shkollore nuk u arrit të kryhen edhe pjesët përfundimtare të objekteve shkollore. Në Krojmir objekti dykatësh shkollor me 8 dhoma mësime e lokalet e nevojshme përcjellëse,  në Pojatë objekti shkollor me dy dhoma mësimi dhe një zyrë. Në fshatin Llugë objekti shkollor me dy dhoma mësimi e një zyrë, Në Topliqan objekti shkollor me 8 dhoma mësimi dhe lokalet e nevojshme përcjellëse dhe Qollapek objekti me dy dhoma mësimi dhe një zyrë. Këtë vit shkollor rrjeti shkollor në trevën komunale të Lypjanit, kishte 12 shkolla amë me 30 njësi të ndara, nga të cilat 7 njësi ishin shkolla të plota tetëvjeçare me 8852 nxënës. Praktikisht kjo hapësirë komunale kishte 19 shkolla tetëvjeçare dhe shkollën e mesme “Ulpiana” me 1952 nxënës të sistemuar në gjashtë paralele të vendosura në lokalet e shkollave fillore te trevës komunale të Lypjanit. Nga dhuna serbe dhe kushtet e rënda materiale të shqiptarëve të cilëve Serbia iu mori edhe të drejtën e punës, venerohej edhe largimi e popullsisë, veçmas në vitet 1992 deri më 1995, kur nga dhuna okupuese serbe kishte edhe zvogëlim të numrit të nxënësve. Kështu në vitin shkollor 1996/97 vetëm në shkollat fillore kishte 41 nxënës më pak se vitin paraprak. Shkollimi fillor në këtë trevë komunale kishte 8811 nxënës të renditur në 371 paralele dhe 21 paralele me fëmijë parashkollor. Ndërsa shkolla e mesme “Ulpiana” kishte 1958 nxënës, 91 paralele dhe 143 mësimdhënës. Vëndosshmëria që edhe në këto rrethana duhet mbajtur shkollën shqipe, dëshmon sakrifica e qëndrueshmërisë së arsimtarit shqiptarë, i cili përkundër ndjekjes së popullatës së tij, ai qëndron para nxënësve të tij, nga ky veprim edhe numri i nxënësve në vazhdim nuk pëson rënie të theksuar. Kjo vërehet në vitin shkollor 1997/98, shkolla shqipe e komunës së Lypjanit ka 8842 nxënës fillorist me 349 paralele, për çështje ekonomizim këtë vit kishte 21 paralele më pak se një vit më parë, dhe 16 paralele parashkollor me 486 fëmijë, ose 5 paralele më pak se një vit më herët, ndërsa shkolla e mesme “Ulpiana” tash ka 1978 nxënës me 92 paralele. Në këto nivele shkollash punojnë gjithsej 860 punëtorë arsimi. Duhet theksuar se gjatë kësaj dekade, për hirë të përcaktimit për të rezistuar, vetëm 28 arsimtarë nga kjo trevë komunale lëshuan Kosovën.
 
Organizimi i institucionet të mëvetësishme arsimore në Kosovë
Gjithë ky sistem arsimor vetëfinacohej nga populli dhunshëm i zhveshur nga e drejta e punës dhe subjekti shqiptarë që administronte mjetet financiare
 Këshilli i parë Komunal për Financim /KKF/ në Lypjan funksionoi nga  shkurti 1992 deri më 24 dhjetor 1992. Pas kësaj kohe u konsolidua Këshilli i Dytë Komunal i Financimit i riorganizuar me 51 nënkëshilla, Këshilli Koordinues i Partive Politike, Selatin Retkocerit iu dha mandatin që jashtë kritereve participuese të subjekteve partiake, shoqatave dhe sindikatës, të formon KKF vetëm sipas kandidatëve të përgatitje profesionale e organizative. KKF, kishte zyrën e vet dhe bashkëpunonte me KQF të Kosovës. KKF kishte inkasant në çdo fshat lagje e bllok banimi, mblidhte financimin duke lëshuar paragon serik në tri kopje dhe nga paga mujore 50 DM arriti të ngrisë pagat e arsimtarëve deri në 120 DM. Ky KKF deri në prag ofanzivave 1998/99, ishte ndër KKF më të suksesshëm në Kosovë. Kështu në vitin 1993 KKF realizoi 100.341 DM nga të cilat 52% ishin nga sufinancimi i KQFK. Në vitin 1994, u realizuan 355.624 DM me sufinancim 49%. Më 1995 KKF realizoi 628.292DM nga të cilat 42% ishin nga sufinancimi. Ndërsa në vitin 1996 u realizuan 845.274DM nga të cilat vetëm 26% sufinancim. Në vazhdim më 1997 u kalua milionëshi 1.277.873 DM me 30% nga sufinancimi, kurse më 1998 u arrit niveli më i lartë i vetëfinancimit me 1.302.400DM nga të cilat 41% ishin nga sufinancimi. Pas fillimit të luftimeve kishte rënie në ekonomi familjare dhe persona juridik, kjo u theksua edhe në financim. Viti 1999, për shkak të situatës së luftës pati  realizim vetëm dymujore me 264.625 DM. 
 
Qeverisja lokale e arsimit më vitin 1995
 
 Qeverisjen komunale të arsimit nga gushti 1995, si kudo në Kosovë e udhëhiqte Këshilli Komunal i Arsimit. Shkolla e mëvehtësuar shqipe në këtë kohë mori strukturë tjetër organizative, sepse sistemi arsimor shqiptarë në Kosovë, kërkonte të tejkalon formën organizative nga  niveli i shoqatës siç synonte ta mbajë LASH-i, Shoqatë e cila asaj kohe implikohej jashtë kompetencave në administrimin e arsimit, përkundër synimeve të shkollës shqipe e cila duhej të merrte  formë e përmbajtje me cilësi më të dëshmuar shtetësie, që institucionet zyrtare të arsimit shqip, përkundër okupimit të marrinë mundësi dhe kompetencë shtetërore e profesionale që të organizojnë e krijojnë hapësirë për fillimin e ndryshimeve reformues, u shtrua nevoja që organet qeverisëse të shkollës shqipe të ngritën në nivelin e duhur të detyrave dhe përgjegjësisë. Meqë, edhe më parë ishin vendosur bazat e shëndosha administrative e profesionale, të bazuara në  një mbështetje të një infrastrukture juridike “Kumtari”, ku ishin përmbledhur tetë rregullore të ndryshme me të cilat përfshihej gjithë veprimtaria dhe struktura organizative qeverisëse e sistemit shkollor, për nevoja të funcionimit të  strukturës qeverisëse u hartua edhe Rregullorja e Këshillave Komunale të Arsimit dhe rregullorja për formimin përmbajtjesor të këtyre këshillave të cilat praktikisht ishin pjesë përbërëse e Ministrisë për Arsim të Kosovës. Në propozim të Këshillit Koordinues Komunal të Partive Politike e subjekteve tjera komunale, ju dërgua propozim Grupit Parlamentar të Kuvendit të Kosovës, me propozimin e të cilit me 1 gusht 1995, Ministri i Arsimit në Qeverinë e Kosovës z. Muhamet Bicaj  për gjitha komunat e Kosovës emëroi kryetarët e Këshillave Komunale të Arsimit, dhe këtu për komunën e Lypjanit emëroi Ismail Gashin kryetar, e Fehmi Ibrahimi inspektor të KKA-së në Lypjan. Në vazhdim KKA mori zyrë në shtëpinë e Mehaz Nezirit në Lypjan, hapësirë e cila shërbeu edhe për LDK-në dhe gjitha partive politike e subjekteve tjera komunale shqiptare në këtë trevë komunale. KKA zgjodhi Këshilltarët pedagogjik, Isa Bahtiri për gjuhë dhe letërsi shqipe, Ramush Ajvazi këshilltar për matematikë, Ibush Kolshi për Histori e Gjeografi, Xhemail Fazliu këshilltar komunal për nivelin klasor, ndërsa Aziz Hyseni u emërua sekretar juridik i këtij subjekti. 
 
KKA organizoi, qeverisi e mbikëqyri sistemin arsimor shqip
 
KKA në Lypjan. Nga viti shkollor 1995/96 e deri më 24 mars 1999, kur filluan bombardimet e NATO-së, organizoi, qeverisi e mbikëqyri nivelet parafillor, fillor dhe shkollimin e mesëm, gjegjësisht, sistemit arsimor shqip në trevën komunale të Lypjan. Ky subjekt qeverisës arsimor gjatë kësaj kohe përmes takimeve me Aktivin e Drejtorëve, konsultave dhe bashkëveprimit me drejtorët e shkollave, aktivin e pedagogëve të kësaj treve, ndihmoi, drejtoi dhe ngriti nivelin e cilësisë në procesin mësimor. Për çdo vit shkollor KKA si kudo në shkollat shqipe të Kosovës, organizoi Garat e Diturisë në nivel komunal nga shumica e lëndëve mësimore, në garat e diturisë nga matematika, nxënës nga kjo trevë komunale morën pjesë edhe në shkallë vendi dhe ato mbarëkombëtare, Çdo vit organizoi  garat e recitatorëve në nivel shkollash dhe atë komunal, nxënësit fitues morën pjesë në garat e recitatorëve në nivel vendi. Për çdo gjysmëvjetor dhe vit shkollor KKA me këshilltarët e vet pedagogjik, ata të Entit Rajonal të Ferizajt dhe në mungesë të këshilltarëve për lëndë veçanta, si ato teknike, juridike, bujqësore dhe ekonomike, sipas rregullativave të aplikueshme ftoheshin në bashkëpunim këshilltarët nga Enti Pedagogjik i Kosovës. KKA për furnizim me tekste, mjete shkollore dhe dokumentacion pedagogjik e administrativ shkollor. Gjeti forma veprimi për kushtet e jashtëzakonshme të rezistencës,  bashkëpunoi me Entin për Botimin e Teksteve, tash Libri Shkollor, dhe subjektet tjera qeverisëse. Gjatë punës në okupim të shkollës shqipe, ky subjekt qeverisës administrativ, me kohë bënte përgatitjet higjienike-teknike të objekteve shkollore dhe furnizimin me lëndë të djegshme, në bashkëveprim me KKF, administroi edhe furnizimin me inventar e mjete mësimore të shkollave. Karakteristikë e veçantë dhe nevojë e domosdoshme e kësaj kohe të rëndë okupuese në praktikën e shkollës sonë është edhe organizimi i përkujdesit mjekësor në shkollat shqipe, mjeku i shkollës plotësonte kërkesat shëndetësore të prindërve dhe qytetarëve shqiptarë të atij mjedisi shkollor, të cilëve shteti okupues serbë ua kishte mohuar edhe të drejtë në mbrojtjen shëndetësore. KKA kishte bashkëpunim  e takime të rregullta me Grupin ndërlidhës të arsimit në nivel vendi, z. Xhavit Ahmeti, këshilltarë për arsim i presidentit Rugova, z. Abdyl Ramaj kryetar i grupit parlamentar për arsim e z.Rexhep Osmani, kryetar i LASH-it, që në fillim vitin shkollor 1995/96 përmes këtij grupi ndërlidhës Kryetari i KKA, në mbështetje të kompetencave ligjore, në mbështetje të konkursit të përbashkët në nivel të Kosovës, bëri emërimin e drejtorëve mandatorë në 12 shkollat fillore  dhe në shkollën e mesme të kësaj treve komunale. Në vitin shkollor 1997/98 i propozoi Ministrisë së Kosovës për Arsim për pavarësimin edhe të katër shkollave fillore “Ibrahim Krasniqi” në Smallushë, “Kadri Beba” në Ribar të Madh, “Drita” në Rubovc dhe “Ernest Koliqi” në Babush. Nga subjekti komunal arsimore shqiptarë gjatë këtyre vjetëve në bashkëveprim me KKF ndau nga 40-45 bursa për student shqiptarë të kësaj treve komunale. 
 
Pas vdekjes së Xhavit Ahemetit, grupi për arsim filloi rënien
 
Pas vdekjes së këshilltarit të presidentit Xhavit Ahmeti, Zejnullah Rrahmani e Rexhep Osmani injoruan bashkëpunimin me Abdyl Ramën, dhe Ministrinë e Qeverisë së Kosovës në egzil.
Pas vdekjes së Xhavit Ahmetit, grupi ndërlidhës për arsim në shkallë vendi, mori një rënie. Në këtë grup ndërlidhës arsimor në vend të Xhavit Ahemetit erdhi këshilltarit i pasa emruar për arsim i Rugovës Zejnullah Rrahmani, i cili gjeti gjuhë të përbashkët dekosolidimi me Rexhep Osmanin, injoruan bashkëpunimin me Abdyl Ramën, dhe Ministrinë e Qeverisë së Kosovës në egzil, të cilën e çmonin jovalide, inezistente e pa kompetencë qeverisjeje. Sipas tyre, qeverisja e shkollave shqipe në Kosovë bëhet nga këtu e jo nga Ministria e Arsimit në egzil. KKA për ti ikur dëmtimit të shkollës shqipe në Lypjan,  shkëputi gjitha kontaktet me këtë strukturë dekonsoliduese e cila krijoi qeverisje paralele brenda sistemit arsimor shqiptar të Kosovës. Me formimin e Këshillit Qendror për Arsim, me Kryetar z. Dr. prof. Isuf Krasniqin, KKA në Lypjan ofroi bashkëpunimin me këtë subjekt dhe përmes këtij KQA krijoi vendosi raportet me Ministri të Arsimit në ekzil. KKA në bashkëpunim me subjektet politike e partiake komunale dhe Këshillin Komunal të Financimit, mjeteve financiare nga sufinancimin i Qeverisë së Kosovës dhe grumbullimi i të tjerave nga qytetarët, nga të cilat 92% ndaheshin për arsim dhe vetëm 8% për veprimtarit të tjera politike e partiake. Kur praktikisht ato vite vepronte i plotë vetëm sistemi arsimor. Nuk doli i qëlluar regjionalizimi e financimit të shkollave dhe pagimi obligativ me detyrim i qytetarëve, edhe pse kjo masë obligative lironte të varfëritë. Nga ky veprim jo adekuat me kohën e rrethanat ekonomike të qytetarëve, disa dhjetëra nxënës ngelën pa marr dëftesat në fundvitin shkollor 1997/98, ose edhe ndërprenë shkollimin, dhe njëkohësisht u bë dallimi kohor mes shkollave në marrjen e të pagave mujore. Me përfundimin e luftës 12 qershor 1999, subjekti i financimit në qeverinë e atëhershme shqiptare, sistemit komunal të arsimit shqip në Lypjan, nga të ardhurat e parealizuara personale i ka mbetur të pa shlyera 1.740.000DM borxh.
 
Sulmi brutal në institucionet arsimore shqipe
 
 Të gjithëve na është e njohur dekada e okupimit të shëmtuar barbarë serbë 1989/1999, kur Serbia zyrtarizoi dhe vendosi në sistem shtetëror dhunën mbi shqiptarët. Ndër masat e para ky sistem dhune dhëmbët i tregoi ashpër ndaj sistemit shkollor në gjuhën shqipe, enteve dhe institucioneve arsimore të shqiptarëve. Kjo dhunë shtetërore, doemos do të zgjaste në kohë dhe duhej të përfshinte gjithë hapësirën e nivelet shkollore shqiptare në Kosovë. Sistemi okupues serbë sulmoi gjithë vlerat krijuese shpirtërore, gjuhësore e historike, gjithë substancën materiale e shpirtërore shqiptare. Dhuna serbe me bekimin e kishës sllave, mori mbështetjen zyrtare të shtetit, mori formën e mjetet e veprimit, mori shtrirjen vertikale e horizontale, sulmoi përbërjen materiale përmbajtësore shpirtërore e shkencore të sistemit shkollor. Kodifikoi strukturë diskriminuese ligjore me të cilën parregullsive u jepte fuqi e formë ligjore dhe i shëndrronte parregullsi ligjore në rregulla të ligjit. Në fillim ndërmori masa për pastrimin e teksteve e planprogrameve mësimore nga depërtimi i ndjenjës kombëtare shqiptare, të cilën shteti e politika shtetërore serbe e quante indokrinuese. Në vazhdim bëri largimin e arsimtarëve shqiptarë, në emër të një “diferencimi politik”, në emër të një dyshimi, se ata arsimtarë janë të indoktrinuar dhe inspirojnë e përgatisin disponim te nxënësit shqiptarë për veprime kundër shtetit dhe okupimit serbë. Në vazhdimësi thelluan kufizimin diskrimininues për zbatueshmërinë e gjuhës shqipe në procesin mësimor, duke propozuar ndryshimin e përbërjes së paraleleve të përziera më nxënës të etnive të ndryshme, gjithnjë më synim që, gjuha serbe të shndërrohet në gjuhë dominuese ose gjuhë e vetme në procesin mësimor.     
Rezistenca paqësore në shkallë gjithëshqiptare në Kosovë, ndërkombëtarizimi i problemit të shkollës shqipe dhe çështjes shqiptare në Kosovë përgjithësi,  mori përmasa ndërkombëtare. Serbia me vendime të Kuvendit serb, i  shëndrruar në organ ekzekutiv të politikës agresive e diskriminuese të kësaj dhune, ndërmerrte masa e vendime suspendimi e shuarje të organeve shtetërore e arsimore në Kosovë, largonte strukturat qeverisëse shkollore, dëbonte me dhunë nxënësit nga lokalet shkollore, arrestonte, ndëshkonte, dënonte e burgoste, mësimdhënës, nxënës e student shqiptarë. Nga kjo valë dhune pësuan edhe nxënës dhe arsimtarët të 10 shkolla amë fillore të 1992, me 32 paralel të ndara në trevën komunale të Lypjanit, me 8852 nxënës, 643 punëtorë dhe Qendra për Arsimim të Mesëm të Orientuar në Lypjan më 1991 kishte 2259 nxënës shqiptarë e 517 serbë. Nga gjithë këto më së shumti pësuan shkollat të cilat ishin ishin mjedise të përziera, si shkolla fillore “V.Aksiq”në Lypjan 550 nxënës shqiptarë dhe 500 serbë, shkolla fillore “Vladimir Nazor”në Janjevë vitin e largimit nga objektet shkollore kishte 367 nxënës shqiptarë e 163 kroatë.
 
 
 
 
Mospërfillja e urdhrave të drejtorit të dhunshëm serb, shkallëzoi represionin ndaj mësimdhënësve shqiptarë
 
Politika serbe veçmas sulmoi, “qerdhën e nacionalizmit shqiptarë”, siç e quante atyre viteve politika agresive serbe, Qendrën e Arsimit të Mesëm të Orientuar /QAMO/. Në këtë qendër të mesme shkollore  sulmet e politikës serbe ishin ashpërsua që në nëntor të 1979, ku pas vizitës së fundit të titos u burgosen disa arsimtarëve, nxënës dhe ish-nxënës të kësaj qendre shkollor. Sulme politike serbe në këtë qendër shkollore edhe më shumë u shkallëzuan  në vitin 1986, kur u inskenua vrasja e ushtarëve në Paraqin dhe për këtë qe akuzuar martiri, ish-nxënësi i kësaj shkolle Aziz Kelmendi. Për këtë  pushteti serb mbështeti largimin nga puna të disa arsimtarët shqiptarë të kësaj qendre të mesme shkollore dhe stafin drejtues të kësaj shkolle. Ato vite e njohur me emërin Qendra  e Mesme Shkollore në Lypjan, QAMO, me paralelet e ndara në Shalë dhe Gadime. Në janar të 1990 Serbia aprovoi ligjin diskriminues ndaj plan-programeve mësimore të Kosovës. Ky vit, përkundër  dhunës fizike  ndaj arsimtarëve shqiptarë, largimit nga puna, arrestimit, trajtimeve të shpeshta policore e burgosjes, u krijua atmosferë e sakrificës përkushtuese dhe ngritje e vetëdijes kombëtare, kjo vetëdije e ndërgjegjësimit për okupim shpirtëror e fizik, krijoi vetëdisim të plotë se këtu po rrezikoheshin vlerat pozitive kombëtare, u krijua fazë e kushtit fillestar për rrugëtim kah liria. Në mars të 1990, edhe arsimtarët e kësaj qendre të mesme shkollore, formojnë sindikatën  e tyre të pavarur, me këto organizime të mvehtësishme fillon hegjemonizmi kombëtar i arsimtarëve dhe nxënësve shqiptarë.
 
Serbia sulmonte skollën shqipe me paragjykum se aty është faktori vendimtar.
 
Për shkollën e mesme në Lypjan, si edhe kudo në Kosovë,rrugë e vetme e vazhdimësisë sëshkollës shqipe, ishte orgnizimi i procesit mësimor i mbështetur në entuziazmin e vendosmërinë e popullit për vazhdimësinë e punës së shkollës.
 
 Viti shkollor 1990/91 është vit kur nxënësit shqiptarë merrnin leksione të mëvetësishme mësimore sipas planprogrameve të hartuara nga Enti Pedagogjik i Kosovës. Këtë kohë, 26 mars 1990, organet shtetërore serbe në Qendrën e Mesme Shkollore në Lypjan, zbatuan  masat e përkohshme administrative, shkarkuan drejtorin Ruzhdi Hajdinin dhe në këtë shkollë emëruan drejtor të dhunshëm serb. Mospërfillja e arsimtarëve shqiptarë ndaj urdhrave të drejtorit të dhunshëm serbe, shkallëzoi represion ndaj mësimdhënësve shqiptarë. Ky serb më 17.12.1990 ndëshkoi arsimtarët shqiptarë me 10% ndalese nga të ardhurat e tyre personale, kurse për mosrespektimin e planprogrameve serbe më 24 12.1990 largoi nga puna 16 mësimdhënës shqiptarë  të cilët kundërshtuan vendimet e padrejta, denigruese e fyese. Serbia sulmonte shkollën shqipe me paragjykim se aty është faktori vendimtar i ruajtjes së dinjitetit dhe identiteti njerëzor e kombëtar i shqiptarëve, nga kjo rezistencë e guximshme e krenare shqiptare, Serbia ndjeu pasiguri në vete. Më 21 janar 1991, në Qendrën e Mesme Shkollën në Lypjan, pushteti i dhunshëm serbë ndërpreu mësimin në gjuhën shqipe, në fillim për 700 nxënësit e klasave të para dhe 12 arsimtarëve të cilët i shpall tepricë teknologjike, kur as këto masa, si kudo në Kosovë, as në Lypjan, nuk i qetësuan përplasjet e guximshme të arsimtarëve shqiptarë. Qeveria serbe i ndërpreu financimin Fondit Krahinor të atëhershëm për kryerjen e veprimtarisë arsimore në shkollat shqiptare. Në Qendrën e Mesme Shkollore të Lypjanit ishin definuar qëndrimet e arsimtarëve shqiptarë për mëvetësimi shkollës shqipe, jo për ndërprerjen e procesit mësimor, siç dëgjohej nga disa zëra, të cilët këtë arsyetonin se ndërprerja e shkollimit shqip, për qarqet ndërkombëtare është shqetësuese dhe ndikon në përshpejtimin e vendosjes për problemin e Kosovës . 
Qeveria serbe më 1 mars 1991  largoi mbi 1500 nxënës të tjerë shqiptarë të klasave të dyta, treta e të katërta e 86 arsimtarë të qendrës së mesme shkollore në Lypjan, sepse, sipas deklarimeve serbe, ata nuk nënshkruan deklaratën poshtëruese serbe. Këtu po japim testin e asaj deklarate :
”Me vendimin e Kuvendit të Serbisë, janë marr masat e përkohshme në qendrën e arsimit të Mesëm në Lypjan. Data 26.11.1990, për këto shkaqe” :
1. Janë çrregulluar dukshëm të drejtat vetëqeverisëse të punëtorëve
2. Moskryerja e obligimeve të punës të përcaktuara me ligj
3. Të lëndimit të rëndë të interesave shoqërore/ pra shihet çart, se nuk pranohen         planet e programet serbe, ligji serbë dhe pushteti serb në Kosovë/, me të njëjtin vendim emërohet edhe organi i përkohshëm punëdrejtues serbë
Duke i pasur parasysh faktet e theksuara deklarohem se:
1. E pranoj vendimin e Kuvendit të Serbisë mbi marrjen e masave të përkohshme në Sh. M. në Lypjan
2. Pranoj vendimin e Kuvendit të Serbisë, pjesën e cila ka të bëjë me përcaktimin e kryetarit dhe anëtarëve të organit punëdrejtues në Qendrën e Arsimit të Mesëm në Lypjan.
3. Se i pranoj detyrat e punës që rrjedhin nga ligji mbi marrëdhënie në punë në kushtet të jashtëzakonshme në Serbi:”
 
Rrugëtimi për pavarësimin e shkollës shqipe
 
Me këtë deklaratë, të cilën nuk e nënshkroi asnjë nga mësimdhënësit shqiptarë të kësaj shkolle në Lypjan, Serbia nga shkolla e mesme në Lypjan largoi gjithë 2259 nxënës, të shpërndarë në 72 paralele e 120 mësimdhënësit shqiptarë. Vëllimi materiale e hapësinore shkollor të kësaj shkolle të mesme i mbetur në duar të serbëve ishin 39 mësojtore, 5 mësojtore speciale, dy kabinete, një sallë të kulturës fizike, 8 punëtori të pajisura me gjithë mjetet e aparaturën për punën praktike të nxënësve, biblioteka, terrene sportive, lokali i shenjëtarisë, zyra e drejtorit, zyra e zv.drejtorit, zyra e udhëheqësve të ndërrimit, zyra e pedagogut të shkollës, salla e arsimtarëve, zyra për administratë, zyra e nikoqirit, nyje higjenik, shtatë korridore, të gjitha lokalet me gjithsej 3351 m2. Ky është lokali asaj kohe me gjithë pajisjet, inventarin dhe mjeteve mësimore, sa ka disponuar shkolla e mesme në Lypjan deri më 1 mars 1991. Serbët morën gjithë këtë pasuri të hapësirës shkollore dhe 105 hektarë tokë bujqësore dhe makineria adekuate bujqësore për këtë ekonomi shkollore, me vetëm 24 paralele gjugje nxënësish serbë. 
 
Rrugëtimi për pavarësimin e shkollës shqipe
 
Nga këtu nis rrugëtimi për mëvhtësimin e shkollës shqipe, subjektet e shkollës shqipe ndërruan emërtimet e kaluara të disa shkollave të cilat bartnin emërtime ideologjike komuniste, si shkollës fillore në Sllovijë, nga emërtimin “Bashkim-Vllaznim” u emërua “Hasan Zuko Kamberi”, shkolla e Janjevës nga “Vladimir Nazor” mori emrin “Shtjefën Gjeqovi”, në Magurë nga “Stanko Buriq”, u emërua “Jeronim De Rada” këto ndryshime nuk kaluan pa pasoja. Kështu më 12 qershor 1992, policia serbe në Magurë  bastisi e malltretoi mësuesit shqiptarë dhe morën drejtorin e shkollës Esat Bylykbashi, të cilin për ndërrimin e emrit të shkollës, e dënuan me dy muaj burg. Pas mëvehtësimit të shkollës fillore shqipe në Lypjan, nga shkolla fillore “V.Aksiq”,  shkolla shqipe u emërua ”Vëllezërit Frashëri”. Këto ditë nga vet populli  krijohet hapësira për shkollën shqipe. Rezistenca vazhdoi zbatshmërinë nga përvoja e tradicionale  në kohë e rrethana të reja, aplikimi i formës mësimore në objekte shtëpi-shkolla. Për shkollën e mesme në Lypjan, si edhe kudo në Kosovë, rrugë e vetme e vazhdimësisë së shkollës shqipe, ishte organizimi i procesit mësimor i mbështetur në entuziazmin e vendosmërinë e popullit për vazhdimësinë e punës së shkollës. Për shkollën e mesme në Lypjan u siguruan shtëpi private për të cilat u caktuan edhe persona për sigurimin fizik të nxënësve, arsimtarëve dhe hapësirës mësimore shtëpi-shkolla. Me vendimin e organeve të Kosovës në qershor 1991, nxënësit për shkaqe e rrethana të veçanta, ju nënshtruan provimeve të klasës, këto provime u mbajtën në Gadime. Në provime klase hyjnë 2100 nxënës, nga të cilët 1990 kaluan klasën, 10 nxënës përsëritën, ndërsa 129 të tjerë për shkaqe të ikjes nga eksodi serbe, nuk arritën të notohen.
 
Procesi mësimor në objektet shtëpi-Shkolla
Viti shkollor 1991/92  në këtë shkollë të mesme u përgatitën dy alternativa. Të parën me synim kthim në objektet shkollore, nga i kishte larguar muaj më parë dhuna serbe, dhe alternativa e dytë. Procesi mësimor i kësaj shkolle të vazhdojë në shtëpi-shkolla, të shpërndara në 21 punkte mësimore me mbi 400 oda-mësojtore private. Meqë, përcaktimi ynë ishte serioz e këmbëngulës për hyrje në objektet shkollore. Më 1 shtator 1991 nxënësit dhe arsimtarët tanë mësyjnë drejtë objekteve të shkollës së mesme në Lypjan. Këtë armatë shkollarësh e arsimtarësh para shkollës së mesme e ndalën forcave shtetërore serbe të cilat i kishte ftuar drejtoria e dhunshme serbe e shkollës. Për këtë arsye organet drejtuese të arsimit shqip shtyjnë fillimin e vitit shkollor deri më 1 tetor 1991, ditë kur nxënësit, arsimtarët e prindërit lipjanas mësyjnë përsëri drejtë objekteve shkollore. Por, tash forcat serbe ishin shumë të egërsuar, paraprakisht policia serbe ishte përqendrua në çdo hyrje-dalje dhe nyje kryesore të qytetit në Lypjan. Kjo kërkesë u shëndrrua në protestë masive që zgjati me javë. Këto protesta u ndërprenë, jo nga frika e represionit të dhunës serbe, por me vendimin e Ministrisë së Arsimit të Kosovës, viti i ri shkollor duhej të fillojë më 16 tetor 1991. Këtë tentim të arsimtarëve, prindërve e nxënësve shqiptarë ashpër e ndaluan forcat policore serbe, ato pamundësuan hyrjen e masës shqiptare në qytet, në kacafytje me policinë serbe pësuan lëndime shumë prindër, arsimtarë e nxënës.
 
Vitet e rezistencës së shkollës shqipe thyen aspiratën serbe
Gjithë procesi mësimor organizohej përmes kurseve intenzive, në të cilat nxënësit mësojnë vetëm njësitë esenciale, me program të shkurtuar.
 
 Ky ekspozim dhune, shtyri organet shqiptare të arsimit që të shtyjnë fillimin e vitit shkollor deri në krijimin e kushteve minimale për mësim. Gjatë kësaj kohe, më 12 dhjetor 1990 u formua Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, LASH-i, që bashkë me Entin Pedagogjik të Kosovës dhe entet pedagogjike rajonale, konsolidonin veprimet e shkollës shqipe në Kosovë. Këtë kohë Këshillat e Prindërve, jo vetëm që siguronin objektet mësimore shtëpi-shkolla, por vazhdimisht bënin trysni në shtetin serb për lirimin e objekteve mësimore. Ata kërkonin të ndërpritet dhuna ndaj nxënësve, arsimtarëve, objekteve shtëpi-shkolla dhe shkollës shqipe në tërësi. Në janar 1992, organet qeverisëse shqiptare morën vendim-dokument, se ky vit shkollor 1991/92 të mobilizohet sipas “Udhëzimeve të mësimdhënies në kushte të jashtëzakonshme”. Ky dokument parashihte variantet A, B, C dhe C-2, të caktuara për veprim sipas kushteve e rrethanave në të cilat gjendet shkolla. Shkolla e mesme në Lypjan vendosi të përcaktohet në variantin C-2 dhe vitin shkollor e filloi më 23 janar 1992, për shkak të uzurpimit të lokaleve shkollore, mësimi filloi në 21 punkte, shtëpi-shkolla në shtrirje të trevës komunale të Lypjanit. U caktuan udhëheqësit e punkteve dhe në mungesë të mjeteve financiare e sigurisë fizike të arsimtarëve, u liruan arsimtarët jashtë trevës së Lypjanit, vendet e tyre u plotësuan me mësimdhënës lokal të afërt me punktet mësimore. Mësimi u zhvillua në dy cikle: Cikli i parë filloi më 23 janar 1992 dhe vazhdoi deri më 12 prill 1992. Ndërsa cikli i dytë filloi më 13 prill 1992 e vazhdoi deri më 30 qershor 1992. 
 
Nxënësit mësonin vetëm njësitë mësimore esenciale
 
Gjithë procesi mësimor organizohej përmes kurseve intensive, në të cilat nxënësit mësojnë vetëm njësitë mësimore esenciale, me program të shkurtuar. Në ciklin e parë mësonin vetëm lëndët e përgjithshme, cikli i dytë vetëm lëndët profesionale. Ky ishte viti më i vështirë, por edhe më i lavdishëm në historikun e shkollës shqipe deri në atë kohë. Këto vite të rezistencës së shkollës shqipe thyen aspiratën serbe për mbylljen e shkollës dhe mësimit shqip, apo hedhjes së saj në periferi të injorancës së mohimit e çvlersimit. Kjo rezistencë karakterizohen edhe për organizimin e vetëfinancimit të shkollës nga vet populli. Rrezikimi i shkollës shqipe ishte i shumëfishtë, rrezikohej nxënësi, sidomos nxënësit maturantë, të cilët okupuesi serbë i kërkonte dhe i kërcënonte për dërgimin e tyre në ushtrinë vrastare serbe, ose minimumi i qëllimit dëbimi i tyre jashtë Kosovës. Andaj, për ti ikur dyja këtyre qëllimeve serbe, strukturat qeverisëse të shkollës shqipe me nxënës organizojnë vetëm mësimi konsultativ. Për dokumentacion shkollor janë përdorur fletoret improvizuese për libër klase. Shkolla e mesme në Lypjan këtë vit shkollor regjistroi 2008 nxënës në 75 paralele, nga të notuar  dolën 1744 nxënës, prej të cilëve me pozitiv ishin 1691 nxënës, përsëriten klasën 53 nxënës, nuk arritën të notohen 264 nxënës të tjerë. Karakteristike e nxënësve të panotuar është dhuna serbe, vonesa e vitit shkollor, gjendja e rëndë materiale, egzodi dhe frika që mos të ndodh e keqja për fëmijë.
Viti shkollor 1992/93, kjo QAMO e deriatëhershme u shëndrrua në Qendër të Mesme Shkollore, u hoqën planprogramet e mësimit të orientuar, shkallëzimet e mësimit të orientuar dhe u kthyen nivelet, profilet dhe sistemi klasik i shkollës së mesme katërvjeçare, si në shkollimin e mesëm profesionale, ashtu edhe në shkollimin e përgjithshëm-gjimnaze të profilizuar. Shkolla e mesme në Lypjan u emërua me emrin “Ulpiana” dhe u bart nga punktet arsimore, odat-mësojtore në 6 njësitë të ndara fizike në gjashtë objekte të shkollave fillore të terrenit. Në Gadime, Babush,Banullë-Gllogoc, Rufc të Ri, Dobrajë të Madhe dhe Shalë. Drejtoria e Qendrës së Mesme Shkollore u vendos në lokalet e shkollës fillore “Migjeni” në Rufc të Ri. Kështu nxënësit shqiptarë vazhduan shkollimin e tyre deri më 19 mars 1999, ditë para se të filloi bombardimi i NATO-së në ish-Jugosllavinë dhe në hapësirën Kosovare. 
 
Në lokalet e shkollave vendosen familje refugjatësh serbë
 
Pas luftës në Bosnje 1995 dhe ikjes së serbëve të mashtruar nga Kraina, në lokalet e shkollës së mesme në Lypjan si edhe në shumë lokale në shkollën fillore të qytetit, u vendosën dhjetëra familje refugjatësh serbe, me të cilat Serbia dëshironte ta ndryshonte strukturën demografike dhe ta popullonte Kosovën me serbë. Për më shumë se 4 vjet, sa banuan në lokale të shkollave këta “banorë” të mashtruar, dëmtuan objektin,  mjetet dhe inventarin e shkollës.
   Drejtoria serbe e shkolla fillore “V.Aksiq” në qendrën komunale në Lypjan me njësitë shkollore në Topliqan, Konjuh, e sidomos në Grackë të Vjetër e Lepi, që nga marja e autonomisë së Kosovës 28 mars 1989, vazhdimisht bënte trysni në personelit mësimdhënës, nxënës dhe prindër të shqiptarëve. Kërkonte të pranohen planprogramet diskriminuese serbe , nga të cilat cenohej identiteti shqiptarë, ku gjuha serbe dhe alfabeti cirilik do të ishte gjuhë e shkrimit në gjithë dokumentacionin pedagogjik, shkollor e administrativ edhe për shqiptarët. Në fillim okupuesi serb ndërpreu financimin për arsimtarët e klasave të I-ra dhe të V-ta , kurse në prill 1991 ndërpreu pagat e gjithë mësimdhënësve shqiptarë.  Përkundër gjithë vëshërsive në vitin shkollor 1990/91 në këtë shkollë mësimet i vijuan 1200 nxënës në 47 paralele me të cilët punuan 55 arsimtarë dhe dy edukatore në edukimin parafillor.
Më 2 shtator 1991, kur duhej filluar viti i ri shkollor 1991/92, për nxënësit shqiptarë të shkollës fillore në Lypjan, mbyllen dyert e 41 mësojtoreve, 6 kabinete, një biblioteke, një salle të gjimnastikës, 5 zyrave dhe 3 korridoreve me 2500m2, dhe një mësojtore në Lepi me 48 m2, një tjetre në Grackë të Vjetër me 60m2, pronë e shkollës fillore në Lypjan, dhe hapja e këtyre kushtëzohej me pranimin e plan programeve mësimore serbe, nga këto përplasje filluan protestat e shtatorit e tetorit të 1991. Pas shumë përpjekjeve, sipas organeve të arsimit shqiptarë viti shkollor filloi më 20 janar 1992, në fillim vetëm në 6 mësojtore e më vonë serbët liruan edhe 4 të tjera. Në mungesë të kushteve të lejuara nga dhuna serbe, strukturat shqiptare u detyruan të reduktojnë paralelet. Nxënësit e klasave të VII-ta e të VIII-ta të Grackës së Vogël u bartën në Topliqan. Arsimtarët shqiptarë duhej vet të merrnin qeverisjen e arsimit shqip, nga këtu praktikisht filloi ndarja fizike. 
Mësimi, nën presion e dhunë të vazhdueshme
Viti më i rëndë shkollor, me eskalim dhune, ndjekjeje dhe në rrethana lufte, ishte viti shkollor 1998-99
 
Më 6 shkurt 1992, me iniciativën e mësimdhënësve shqiptarë, Dalip Aliu, zgjidhet drejtor në shkollën e mëvetësishme fillore “V.Frashëri” në Lypjan e cila sipas dispozitave ligjore dhe rregullores mbi emërimin e institucioneve shqiptare, shkolla fillore në Lypjan, kur qenë riemëruar shkollat shqipe në Kosovë, më 2 prill 1992 mori emrin “Vëllezërit Frashri”, dhe për këtë organet shqiptare lëshuan vendimin mbi emërimin e kësaj shkolle.
Viti shkollor 1991/92 ishte konsolidues në këtë shkollë u regjistruan 1167 nxënës në 44 paralele me të cilat punonin 57 arsimtarë. Shqetësues ishte fillimi i egzodit, 92 nxënës ndërprenë shkollimin.
Në vitin shkollor 1992/93 vazhdoi presioni i dhunës serbe. Nxënësve shqiptarë në Lypjan me paralelet e ndara të kësaj shkolle në Jeta e Re, Lepi e Grackë e Vjetër ju ndalohet hyrja në lokalet shkollore. Praktikisht vetëm në Topliqan, Konjuh e Grackë e Vogël, nxënësit shqiptarë ende punonin në lokale shkollor. Me protesta u vazhdua deri më 13 10.1992. Këtë kohë mbaheshin protesta për lokalet shkollore në gjithë Kosovën. Në nëntor 1992 u siguruan lokalet private, shtëpi-shkolla, por punohej në përgatitje të inventarit dhe mjeteve mësimore, përgatitjet bëheshin nga kontributi vullnetar dhe puna e popullit. Me këto veprim u arrit që këtu në Lypjan, nxënësit shqiptarë të shkollës fillore “V.Frashëri” mësimin ta fillojë më 26 nëntor 1992 në 12 dhoma mësimi dhe në dy ndërrime. Shtëpi-shkolla liruan këta pronarë: Hasim Ibrahimi dy /2/ dhoma, Ejup Gashi tri /3/ dhoma, Hilmi Krasniqi tri /3/ dhoma dhe Hysen Bytyçi katër /4/dhoma, kurse në Hallaq të Madh Shefqet Zeqiri liroi një dhomë për shkollën e fshatit, në të cilën mësonin klasat e kombinuar fillore nga klasa I-IV. Në Radevë Ramadan Qerkini lëshoi një dhomë për mësojtore, si dhe Osman Vehapi lëshoi dhomë në Suhadoll për nxënësit e këtij fshati,  dhe në Jeta e Re një dhomë-mësojtore e lëshoi Rexhep Stublla. Këtë viti shkollor shkolla shqipe në Lypjan regjistroi 1033 nxënës, krahasuar me vitin shkollor paraprak kishte 134 nxënës më pak, 16 prej tyre shkuan me familje jashtë Kosovës.
 
Mësimi në rrethana lufte
Në vitin shkollor 1993/94 vazhdoi kërkesa për kthim në lokalet shkollore, mësimi vazhdoi në lokalet private, në Lypjan Ejup Gashi tash lëshoi shtëpinë komplete me gjashtë dhoma, mësimi vazhdonte edhe në shtëpi-shkollë të Hilmi Krasniqi  e Hysen Bytyçit. Ky vit shkollor filloi me kohë më 1 shtator 1993 me 1007 nxënës të regjistruar me 42 paralele në Lepi e Jeta e Re poashtu në shtëpi-shkollë, punonin 49 mësimdhënës, ndërsa zvogëlimi i numrit të nxënësve këtë vit ishte vetëm 27 nxënës më pak. Shkollës në lokale private i mungonin shumë nga kushtet e format normale për procesin mësimor, në këto kushte nuk kishte kabinete, mjete praktike mësimore dhe kushte për aktivitete jashtëmësimor.Viti shkollor  1994/95  filloi me kohë 1 shtator 1994 dhe me vazhdimin e
kërkesave për lirimin e lokaleve mësimore, këto kërkesa nuk patën efekte pozitive , andaj mësimi vazhdoi në të njëjtat objekte private shtëpi-shkolla. Idriz Konxheli lëshoi dy dhoma të shtëpisë së tij, u blen 28 banka dhe u siguruan edhe disa mjete mësimore. Këtë vit shkollor në Lypjan kishte 982 nxënës, për 25 më pak nga viti shkollor paraprak, me 41 paralele e 49 mësimdhënës e një edukatore për parafillorët. 
Në vitin shkollor 1995/96  këtë vit shkollor vazhdoi stabilizimi apo normalizimi i punës mësimor të shkollës shqipe në Lypjan në objektet private, shtëpi-shkolla. KKA sipas konkursit më 1 shtator 1995 zgjodhi Dalip Aliun Drejtor me mandat katërvjeçar i kësaj shkolle. Shkolla fillore në Lypjan regjistroi 935 nxënës, për 47 më pak se vitin e kaluar shkollor. Mësimi zhvillohej në 42 paralele në procesin mësimor punonin 50 arsimtarë. Shkolla, këtu në Lypjan, por edhe në paralelet e ndara punonin në tri ndërrime në të njëjta objekte private, shtëpi-shkolla. Këtë vit shkollore në lokalet e shkollës u vendosën refugjatët serbë të ikur nga Kraina e Bosnjës. Ata u vendosën në katin e dytë të objektit shkollor në Lypjan, ju sigurua hyrje e veçantë. Këta “banorë” duke adaptuar për banim lokalin shkollor dëmtuan hapësirën mësimore, pamjen e shkollës, interierin dhe inventari e saj.
Në vitin shkollor në vazhdim 1996/97, shkolla amë dhe paralelja e ndarë në Lepi punoi në objekte shtëpi-shkolla, të cilat kuptohet nuk kishin kushte e strukturë për shkollë, pa oborr e hapësirë shkollore të mjaftueshme, pa nyje higjenik dhe hapësirë mësimore të mjaftueshme. Kjo shkollë në Lypjan këtë vit shkollor vazhdoi me rënie të numrit të nxënësve. Tash shkolla amë regjistroi vetëm 924 nxënës, rënia ishte për 11 nxënës krahasuar me vitin paraprak shkollor, kishte 41 paralele dhe një parfillor, kishte 50 arsimtarë 9 punëtorë teknik dhe tre në stafin menaxhues. Këtë vit kishte ecje në reformim të shkollës, programeve dhe lëndëve mësimore. Edukata qytetare hyri lëndë e re që nga klasa e parë e deri në klasën e VIII-të. Që nga klasa e I-VIII ishte edhe unifikimi i planrogrameve e teksteve unifikuara mësimore kombëtare sidomos për lëndët Gjuhë shqipe, histori, kulturë muzikore e figurative dhe gjeografi.
Viti në vazhdim shkollor 1997/98 fdiloi si zakonisht më 1 shtator 1997, me gjithë përgatitjet higjenik e teknike të mundshme për këto rrethana, në të njëjta objekte private shtëpi-shkolla me nxënës të regjistruar 920, me 42 paralele me vetëm 4 nxënës më pak se vitin e kaluar shkollor, me planprograme të reformuar në kushte aktuale të veçanta ekzistuese, me kalendar shkollor dhe nën trysnin e vazhdueshme të dhunës nga pushteti okupues serbë. Viti më i rëndë shkollore me eskalim dhune ndjekjeje dhe në rrethana lufte ishte viti shkollor 1998/99. 
 
Shumë arsimtarë u angazhuan në UÇK
 
Shkolla në Lypjan e vazhdoi në lokale private të njëjta. Përkundër rrethanave të luftës gjatë ofanzivave të para serbe të verës 1998, e që vazhdonte edhe gjatë shtatorit deri në tetor të këtij viti. Në këtë shkollë nga zonat e luftës erdhën edhe 211 nxënës të tjerë. Nga radhët e arsimtarëve në UÇK u angazhua arsimtari i matematikës Shaban Mustafa, e më vonë edhe punëtori i kësaj shkolle Besim Jashanica. Rrethanat e luftës nuk mundësuan të fillojë mësimi me kohë në gjitha shkollat në lindje të Sitnicës, si edhe tre punktet e shkollës së mesme “Ulpiana” në Rufc, Dobrajë dhe në Shalë. Kurse tri shkollat e zonës së luftës, Magurë, Shalë e Krojmir deri në dhjetor nuk arritën të fillojnë procesin mësimor. Më 19 mars 1999, si kudo në Kosovë, edhe në trevën komunale të Lypjanit, për shkak të përshkallëzimit të luftës mësimi u ndërpre. Gjatë 78 ditëve të bombardimeve të NATO-së, në Lypjan sikur edhe shumë shtëpi të shqiptarëve u dogjë edhe objekti Shtëpi-shkollë në Lypjan, pronë e Hilmi Krasniqit. Kthimi i madh i shqiptarëve nga kalvari ndodhi pas 12 qershorit 1999, kur edhe këtu në Lypjan bashkë me familjet e tyre u kthyen edhe nxënësit e shkollës fillore “V.Frashëri” , të cilët bashkë me arsimtarët e tyre më 26 qershor 1999 pas disa vjetësh hyjnë në lokalet e tyre shkollore në objektin nga i cili ishin dëbuar me dhunë nga policia serbe.
 
Drejtoria e dhunshme serbe kërkonte nga nxësit shqiptarë të mësojne historinë e Karaxhiqit
 
Në qershor të 1991 mbushet kupa, kur drejtoria serbenuk pranoi suksesin e nxënësve shqiptarë, sepse siç tregon drejtori “zyrtar serbë, mësimdhënësit shqiptarë nuk kanë punuar me programet serbe.
 
Shkolla fillore “Vladimir Nazor” në Janjevë me paralelet në Akllap, Brus, Hanroc e Tërbuvc. Në vitin shkollor 1990/91 kishte 707 nxënës me mësim në gjuhën shqipe të sistemuara në 34 paralele, po këtë vit shkollor, shkolla e Janjevës kishte 580 nxënës të përkatësisë kroate, rome e gorane, të cilët përkundër zyrtarizmit shtetëror se këtu mësimdhënia zhvillohet në gjuhën kroate, aty kryesisht punonin dhe zhvillonin mësim arsimtarët serbë dhe në gjuhën serbe. Madje, edhe ata pak kroatë që punonin në këtë shkollë, nuk e njihnin fare të folmen dhe shkrimin e gjuhës kroate. Pas shumë kundërshtimeve lidhur me planprogramet mësimore që Serbia impononte asaj kohe, mësimin e detyrueshëm të gjuhës serbe për nxënësit shqiptarë, kushtëzime të ndryshme në formimit e paraleleve të përziera, gjitha këto përplasje ndikuan që edhe në këtë shkollë në qershor të 1991 të mbushet kupa, kur drejtoria serbe nuk pranoi suksesin e nxënësve shqiptarë, sepse siç tregon drejtori “zyrtar”serbë, mësimdhënësit shqiptar nuk kanë punuar me planprogramet serbe. Pas këtij qëndrimi të drejtorisë serbe, arsimtarët shqiptarë dolën nga mbledhja dhe vazhduan punën e tyre në një sallë  tjetër të shkollës. Në vazhdim ata ndaras nga drejtoria e deritahershme serbe. aprovuan suksesin e nxënës shqiptarë për fundvitin shkollor, njëherit nga radhët e tyre zgjodhën një staf udhëheqës të shkollës me mësim në gjuhën shqipe. 
 
Kundërshtimi i sistemit serb me protesta
 
Këtë kohë viti shkollor 1991/92 shkolla e Janjevës me 696 nxënës ndanë veprimtarinë e vet nga shkolla serbe. Kjo shkollë ndërkohë emërohet me emrin e personalitetit emblematik të kulturës dhe traditës atdhetare “Shtjefën Gjeqovi” arsimdashës e veprimtar i dalluar i shkollës shqipe i lindur në Janjevë. Veprimet represive serbe të kohës ndodhnin edhe në këtë shkollë, që nga 1 janari 1991  edhe në këtë shkollë ndalen të ardhurat personale arsimtarëve shqiptarë të klasave të I-ra dhe të V-ta, si dhe zëvensdrejtorit e pegadogut të kësaj shkolle.
 Në vitin shkollor 1992/93 nxënësve shqiptarë ju ndalua hyrja në objektet shkollore. Këtë veprim serbë me protesta e kundërshtuan arsimtarët dhe nxënësit shqiptar, protestave ju bashkuan edhe prindërit e nxënësve tanë. Pas dy orë protestimi, drejtori serbë ftoi policinë serbe dhe kërkoi të largojnë protestuesit shqiptarë,  arsimtarët e të cilëve nuk pranuan të punojnë me planprograme serbe. Mbështetur në vendimin e Kuvendit të Serbisë ndalohet hyrja në lokalet zyrtare shkollore gjithë atyre mësimdhënësve të cilët punojnë jashtë këtyre planprogrameve mësimore. Kërkesat e arsimtarëve, prindërve dhe nxënësve shqiptarë ishin këmbëngulëse. Kështu prapë më 14 shtator 1992, u përsëritën protestat para objektit shkollor në Janjevë, policia shpërndau protestuesit dhe arrestoi pedagogun e shkollës Shahin Gashi. Me protesta u vazhdua edhe më 2, 9,12 e 13 tetor 1992. nga pësonin trajtime policore shumë arsimtarë e prindër e sidomos drejtori aktual Shaip Gashi. Pas këtyre protestave dhe kërcënimeve të pushtetit serbë ndaj drejtuesve te shkollës, arsimtarëve dhe prindërve protestues, serbët morën 12 mësojtore, dy zyra dhe gjithë hapësirën e objektit shkollor të shkollës fillore “Shtjefen Gjeqovi”  në Janjevë. Shkolla shqipe filloi punën në objekte private shtëpi-shkolla. Prindërit ofruan shumë lokale për shtëpi-shkolla,  Halim Bikliqi liroi tri dhoma, Fadil Gashi dy dhoma, Milaim Bytyçi një dhomë, Enver Bikliqi tri dhoma. Por, praktikisht shkolla filloi procesin mësimor vetëm në katër dhoma të përgatitura sa ishin përgatitur me mjete e inventar themelor shkollor për procesin mësimor. Shkolla amë fillore në Janjevë me 357 nxënës  me 12 paralele, u largua nga 12 mësojtoret e objektetit shkollor. Por, nga objektet shkollore nuk u larguan edhe nxënësit shqiptarë të paraleleve të ndara të kësaj shkolle në Brus, Akllap, Hanrovc e Terbuvc. Gjysmëvjetori i parë filloi më 7 tetor 1992 dhe përfundoi më 25 dhjetor 1992. Gjysmëvjetori i dytë filloi më 1 shkurt 1993, përfundoi më 15 qershor 1993, këtë vit shkollore shkolla e Janjevës “Sh.Gjeqovi” e filloi dhe e përfundoi me 697 nxënës me 32 paralele. Gjatë këtij viti shkollor përveç konflikteve me shkollën serbe, nxënësit, arsimtarët dhe prindërit shqiptarë kishin kërcënime e represion edhe nga policia dhe shteti serbe. Subjektet shqiptare morën qeverisjen e shkollës shqipe në duar të veta. Me shkollën shqipe tash administronte qeverisja komunale shqiptare, Enti Pedagogjik i Kosovës, LASH-i Enti Pedagogjik Rajonal i Ferizajt, Sindikata e Pavarur e Arsimit. Ishin të organizuar edhe subjektet lokale Aktivi i Drejtorëve Komunal, Aktivi i Pedagogëve, që drejtoheshin nga subjektet komunale qeveritare, apo subjektet në nivel vertikal të Kosovës, Ministria e Arsimit të Republikës së Kosovës. Me 9 shkurt 1993 në nivel komune filloi pagesa nga 10 DM. edhe për arsimtarët që udhëtojnë në këtë shkollë. 
 
Përkundër dhunës dhe represionit serbe, shkolla shqipe mbijetoi
 
Viti shkollor 1993/94 filloi më 1 shtator 1993,  sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit së Kosovës. Kjo Ministri me strukturën e saj horizontale e vertikale shtriu dhe organizoi protesta në kërkim të lirimit të lokaleve shkollore. Edhe në Janjevë u organizuan protesta. Një delegacion nga kjo shkollë zhvilloi bisedime me zyrtarët serbë të shkollës në Janjevë, me të cilët nuk u arrit kurrfarë marrëveshje. Protestat vazhduan prapë më 6 shtator 1993, por pa asnjë sukses, dhe po këtë ditë filloi mësimi në lokalet private. Duhet cekur se mjete dhe material me çmim më të lirë, për rregullimin e bankave shkollore ka ofruar Banush Sopa nga Sllovia. Ky vit shkollor me gjithë vështërsit materiale e kërcënimit nga dhuna serbe përfundoi më 17 qershor 1994.
Viti shkollor 1994/95 vazhdoi në lokalet private të Halim Bikliqit, Enver Bikliqit, Milazim Bytyçit, Izjadin Bikliqit e Nexhmi Kryeziut. Që nga ky vit shkollor 1994/95 në shkallë komune, filloi vetëfinancimi për arsimtarët nga 20 DM në muaj. Veprimtaria e mvehtësishme e shkollës shqipe, përkundër dhunës serbe, ndërhyrjeve të herëpashershme të policisë serbe, siç ndodhi më 29 nëntor 1995, dhe veshtërsive materiale përballoi të arrijë me sukses mbajtjen e saj, dhe të ruajë lidhshmërinë me mundësi të reformimit dhe integrimit kombëtar të saj.  
 
Politika serbe përdori çdo lloj dhune për ta paralizuar shkollën shqipe
Terrori i dhunës serbe për çdo ditë e në çdo hapësirë ndiqte, ndalte e kërcnonte mësuesin shqiptar. E pëcillëte kahshkonte, ia prenta rrugën e mësojtorë, e pengote të arrijë ku e prisnin nxënësit, e ndalte, e fyemte, e shante, e rrihte dhe e arrestonte.
 
Vitin shkollor 1995/96  struktura e reja qeverisëse të arsimin shqiptarë në Kosovë,  Këshillat Komunale të Arsimit, të cilat me kompetencë dhe në mbështetje të normave ligjore të shtetësisë së Kosovës, Rregullores së KKA-së, emëroi drejtorët mandator në 12 shkollat fillore dhe qendrën e shkollave të mesme në trevën komunale. Në shkollën fillore “Shtjefen Gjeqovi” drejtor u emërua Gafurr Bytyçi, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, njëri ndër arsimtarët e ndjekur nga pushteti serbë dhe krijues i njohur në këtë anë i letrave shqipe. Mësimi filloi më 9 shtator 1995 në lokale private të njëjta, zyra e drejtorit u vendos në shtëpi të Shahin Bikliqi. Shkolla kishte përveç vështirësive nga dhuna policore serbe, nga e cila dhunë 5 arsimtarë të kësaj shkolle, Rrahim Bytyçi, Ramadan Gashi, Xhever Ademi, Fahrije Ademi dhe Fatmir Krasniqi u detyruan të lëshojnë ditarin dhe të largohen dhunshëm nga Janjeva, tre nga të cilët u larguan edhe nga Kosova. Nga kjo dhunë serbe,që nga viti 1990 e deri në vitin 1999 pushteti okupues serbë largoi nga shkolla 357 nxënësit e kësaj shkolle, të renditur ne 12 paralele, me dhunë largoi edhe 20 mësuesit e saj, 16 arsimtarë të mësimit klasorë, 6 punëtorë teknik dhe dy  nda stafi drejtues. Në policinë serbe nga kjo shkollë u trajtuan nga disa herë  arsimtarët Shaip Gashi, ish-drejtor Shahin Gashi, pedagog i shkollës, Isak Gashi arkëtar, Isuf Gashi mësues, Gafurr Bytyçi drejtor, Gafurr Sh. Bytyçi arsimtar, Naser Krasniqi arsimtar e Rrustem Krasniqi punëtor i shkollës. Kjo shkollë përballej edhe me vështërsitë e financimit. Megjithatë edhe kjo shkollë si edhe shkollat tjera shqipe në trevën e Lypjanit dhe përgjithësi në Kosovë, vazhdoi veprimtarinë e saj e përballur me vështërsitë e hapësirës mësimore të cilën okupuesi serb ia uzurpoi me veprime politike deri në mbarimin e luftës qershor 1999. 
Nxënësve shqiptarë iu ndalua hyrja në objektet shkollore

Filed Under: Histori Tagged With: e kaluara, e shkolles shqipe, Ismail Gashi-Sllovi

Letër nga Çamëria për Presidentin Woodrow Wilson

March 5, 2017 by dgreca

Nga Pertefe Leka/Dielli/

Letër nga Çamëria: Zonja Lejla Dino, i drejtohet Presidentit Amerikan Woodrow Wilson, me 1919, për çështjen shqiptare./

1 Wilson

Bashkohemi për drejtësi në këte çështje të ndërkombëtarizuar./

Na vjen mirë kur degjojmë të huajt që vlerësojnë  gruan  shqiptare,sigurisht ata që e kanë vizituar vendin tonë  ose kanë lexuar rreth lashtësisë Iliro-shqiptare.Studiuesit e çështjes shqiptare   kanë shkruar shumë për vashen  shqiptare pavarësisht se ajo nuk ishte pjesë aktive e drejt për drejtë në jetën shoqërore.

Roli i saj në familje, që lindi dhe edukoi  trimat  dhe trimëreshat, është evidentuar prej  studiusve, duke përjetësuar veprimin e grave krah  burrave  në ngjarjet e mëdha historike. Nuk  besoj të ketë në botë si në Shqipëri, obeliskë natyralë që kanë të gdhendur vetëmohimin e gruas shqiptare . Nuk është e tepërt të përsëritet se kalatë më të rëndësishme të Shqipërisë në veri e në jug, mbajnë emrat e grave të virtytshme shqiptare.

.Jehona e bëmave të  gruas shqiptare në shekuj, ka përjetësuar   dashurinë si  virtyt  të  tyre ndërsa nderin dhe besnikërinë, si ligjë dhe normë për to.

Kujto akademiken Franceze, Margaret Jursenar në tregimin “QUMSHTI I VDEKJES “. Autorja e  tërhequr pas legjendës së murimit sipas së cilës u ngrit kalaja  Rozafat, ka vënë në gojën e një personazhi, i cili i entuziazmuar kur u njoh me legjenden, u shpreh:”Ama për nënë do të doja të kisha një vashë si ajo e legjendës shqiptare.”

Bajroni,  … e të tjerë  janë  tërhequr shumë  në përshkrimin e gruas çame  në shumë aspekte të rëndësishme  të jetës saj.  Pukëvili, e  ka  theksuar   rolin  e gruas çame në pajtimin e gjaqeve dhe në përfundimin e traktateve.

Elena Gjika,  me origjine çame, e shtriu më tutje këtë  fenomen duke e përgjithësuar   veprimtarinë e grave shqiptare,.në aspektin e barazisë gjinore, ku theksonte ”Trima burrat, Trimëresha grate.”   Me përsëritë bëmat e gruas shqiptare ndër shekuj,si luftëtare dhe  të forta në karakter,është krenari.

Ato  kanë qenë aktive në momente vendimtare për atdheun e tyre, kanë mbijetuar me armë në dorë ose kanë vdekur me nder,si Argjiroja, gratë e Sopotit, apo suljotet  në vallën e vdekjës,(te përjetësuara në pikturen e Ari Shefer“Gratë e Sulit”).Ruajtja e identitetit të gruas shqiptare ka mbetur  e gjallë në vizatimet,grafikat,etydet,portretet e tablotë të një numri të madh artistësh me tematikë të larmishme shqiptare.

Ajo që është evidentuar për gratë shqiptare, pavarësisht nga statusi i tyre  në jetën shoqërore, ishte se ato e kishin shpresuar  të ardhmen e vendit,  pa armiq dhe armiqësi.Në rrethana të rëndësishme  historike për mbrojtjen e bashkësisë kombëtare, atyre u ka lindë nevoja e natyrshme  e grupimeve për të arritur në një mendim  e mbrojtje të përbashkët.

Kjo ka qenë shtytja që Lejla Dino,në rrethana shumë deçisive për fatet e popullit tone, krijoi në Gjenevë të Zvicrës “Komunitetin e Gruas Shqiptare” në vitin 1919.

Më ka  tërhequr shumë fakti i kësaj   gruaje Çame, Lejla Rasih  Dino,  e cila  në emër të grave shqiptare, u drejtohet në mënyrë diplomatike autoriteteve të  larta botërore për çështjen e trojeve  shqiptare të mbetura jashtë kufijëve  të 1913.

Lejla Dino (Ileri) 1893-1966,vinte nga një familje me tradita të larta patriotike e atdhetare,ku i kishte  të  projektuara  kërkesat  për ardhmërinë e kombit shqiptar.

Në emër të  komunitetit të gruas shqiptare, ajo  iu drejtua Konferencës së Paqës në Paris, për problemet madhore të kombit tonë.

Ishte pra  gruaja  e parë shqiptare që me kurajo i drejtohet  në kohën e duhur,Kryetarit të Konferencës së Paqës në Paris, për çështjen shqiptare.(tamam kur po ndahej gjahu i luftës në mes forcave luftuese).

Nuk ishte rastësi ky guxim i një gruaje Çame por një vazhdimësi   e pjesëmarrjes  së familjes Dino  në të gjitha ngjarjet e mëdha,  të luftës për Liri e Pavarësi.

Familja Dino,ka nxjerrë  shumë figura të përmendura, të pushkës e të penës, të cilët kanë hyrë në historinë e artë të kombit tonë.Kështu dhe bija e tyre ,Lejlaja, eci në rrugën e të parëve të saj që nuk heshtën kurrë në kërkimin e drejtësisë për identitetin Kombëtar dhe trashëgiminë e trojeve shqiptare.

Babai i saj Rasih Dino,ishte djali  i Abedin Dinos,pjesëmarrës ne” Lidhjen e Prizrenit”. Nën shembullin e të jatit,Rasihi, u bë  një  luftëtar dhe  kontribues në Shpalljen e Pavarësisë.

Ishte në krye të delegacionit pjesëmarrës të Shqipërisë në” Konferencën e Londrës”. I ra botës kryq e tërthur për të lobuar për moscopëtimin e Shqipërisë nga fqinjët  grabitqarë.

Si përfaqësues i shqiptarëve me qëndrim të përkohshëm në Zvicër,  i Federatës Ndërshqiptare “Vatra”dhe i shoqërisë “Çamëria”në SH.B.A. prej Gjenevës i drejtohet Këshillit të Ministrave të Italisë, në të cilën kërkon që qeveria Italiane të heqë dorë prej lakmive të saj për Vlorën dhe të ndihmonte në rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë,si dhe në kthimin e krahinës së Çamërisë dhe Kosovës.

Për këtë kontribut, shoqëria “Çamëria”në Amerikë e caktoi si përfaqësues të popullsisë Çame në Konferencën e Paqës në Paris 1919, por u pengua  nga qeveria franceze dhe ajo Italiane.

Kështu, Lejlaja , kur pa pengesen që po i bëhej të jatit u mobilizua  edhe më shumë. Ajo si Kryetare e Grave Shqiptare jashtë vendit, shfrytëzoi ardhjen e familjes Presidenciale,Wilson, në Konferencen e Paqës në Paris.

Ishte hera e parë që një President Amerikan vinte  në Europë. Ajo trokiti tek simboli  i Paqës,Woodrow Wilson, i cili  u vlerësua me Çmimin Nobel për Paqën (Nobel Peace Prize) Ajo trokiti tek humanisti,që mori bekimin e Papës Benedict XV,i  Pari President Amerikan që vizitoi një Papë.

Ajo i drejtohet  kësaj  figure më në zë të politikës botërore,për mbrojtjën e çështjes shqiptare në përgjithësi e të Kosovës e Çamërisë  në veçanti.

Ajo trokiti në zemrën e një personaliteti fisnik,  i cili kishte  firmosur  zyrtarisht dhe  vendosur në kalendar  të dielen  e dytë të muajit Maj festën  e nënave,” Mother’s Day “

Lejlaja në këtë rast,  shfrytëzoi  njohjen  e saj me Edith(Galt) Willson, gruan e presidentit, Woodrow Willson ku nepërmjet një letre, i shtron kërkesat legjitime  të popullit shqiptar të mohuara prej grabitqareve.

Sa për dijeni,Edith Galt ishte direkt  trashëgimtare e gruas  vendase Amerikane ,Pocahontas,(descendant of the Native American Woman,Pocahontas) Bija e Çamërise në atë letër, ndër të tjera shkruante:” ….Hidhërimet e tmerrshme dhe mizoria që nënat

Shqiptare, gratë dhe bijat duruan duke parë gjakun e të dhimshurve të tyre të rrekullohet nën  zgjedhen e shtypësve të huaj,kanë natyrisht për të tronditur ndjenjat tuaja të larta njerëzore dhe do t’na ndihmoni për të fituar lirinë tonë të dashur.Në këto çaste, shtetet fqinjë të Shqipërisë duan t’i aneksojnë vende të tokës sonë  të dashur ose që të marrin prej nesh indipendencën tonë politike. Por jemi të sigurtë se Lavdia e ndjenjave të larta dhe njerëzore të shoqit tuaj dhe me ndihmën tuaj këto gjëra nuk do  të bëhen dot dhe se do të kemi për së afërmi  indipendencën tonë me anën e së cilës  do të marrin fund vuajtjet tona….

Qindra , mijëra prej punëtoreve shqiptarë, të cilët u shtrënguan  të lënë shtëpitë e tyre  dhe të refugohen në  Ameriken tuaj të lire, shpresojnë nxehtësisht  se Atdheu i parë i tyre, provincë e Kosovës  dhe e Çamerisë, të cilët u ndanë  padrejtësisht nga Shqipëria me 1913…do të lirohen…(Publikuar ne Albania,1 Janar  1919).

Sëmundja   që i ndodhi Presidentit Wilson,kur ishte në Europe,  ishte e papritur. Edith, gruaja e përkushtuar  ndaj  këtij njeriu të madh e çoj me tutje kujdesin ndaj të shoqit deri në detyrat presidenciale sa mund të quhej se ishte një presidente grua  në hije.

Edhe pse presidenti ishte i  sëmurë ajo nuk mundi  ta ndalonte vrullin  e tij shpirtëror e fizik që ai të vazhdonte rrugën e tij  për krijimin e një organizate politike ndërkombëtare,  e cila do të garantonte ruajtjen e Paqës në Botë.Ashtu,në gjendje të rëndë shëndetësore,i ndaluar nga mjekët që të vepronte në terren, me një vullnet të paepur,për te realizuar  Paqën dhe detyrën presidenciale,mbijetoi deri në fund të mandatit me  ndihmën e pakursyer edhe të shoqes së tij,Edith.

Kështu fundi i jetës  i erdhi shpejt,por ai mbeti simbol i Paqës botërore dhe për ne Shqiptarët shpëtimtar  i  moscopëtimit të mëtejshëm të trojeve tona  nga grabitqarët.

Letra e Lejlasë është lexuar ndër vite dhe  ka  realizuar deri diku kërkesat  e saj.

U desh  përsëri një President Amerikan(Bill Clinton ) që ta  përshpejtonte  çlirimin   e Kosovës dhe përsëri një tjetër President Amerikan (George W.Bush) që  të finalizonte   Pavarësinë e Kosovës.Çështja Çame, tashma e ndërkombëtarizuar, do ta fitojë  legjitimitetin,  sepse Camëria fizikisht është aty, martirët e saj dhe  historia  janë  po aty.

Lejlaja nuk jeton më, por letrën e saj do ta vazhdojnë ta lexojnë brezat,për të cilët ajo mendoi.Në atë portë ku trokiti Lejlaja  ishte e vetëdijshme se mund të fitohen vlera të mëdha për të ardhmen e Kombit Shqiptar.Ajo  kishte besim, kur iu drejtua Presidentit të SH.B.A,Woodrow  Wilson, sepse ishte udhëheqësi i një shteti  të fuqishëm  dhe shembulli më i përkryer i Demokracisë në botë,pa ndihmën e të cilit nuk do të ishim edhe ne,  aty ku jemi sot. Mesazhi  i  Sekretares  së  Shtetit  të SH.B.A. Hillary Clinton  në  Parlamentin shqiptar,me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë,se edhe 100 të tjera  do të jemi pranë jush ……..është një vazhdimësi  dhe një ogur i mirë për ta bërë të pavdekshme  letrën e Lejla Dinos.

Gruaja  shqiptare sot, me një status të barabartë në jetën shoqërore,  do të jetë një zë i fortë  për mbrojtjen e identitetit të saj  dhe të drejtave njerëzore.Me  një demokraci të fortë në Shqipëri dhe me ndihmën e SH.B.A-së  mund të zgjidhen probleme madhore, që koha i ka zvarritur.

Filed Under: Histori Tagged With: Letër nga Çamëria, per Presidentin, Pertefe Leka, Woodrow WILSON?

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 411
  • 412
  • 413
  • 414
  • 415
  • …
  • 739
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT