• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

50 vjet shkollë shqipe e institucionalizuar nga shteti gjerman. Një histori suksesi!

October 28, 2025 by s p

Bashkëbisedim me znj. Etleva Mançe, mësuese e gjuhës shqipe në shkollën shtetërore në Gjermani

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

50 vjet shqip në sistemin shkollollor të Landit të Renit të Vestfalisë Veriore (NRW) në Euskirchen (afër Bonn-it) të Gjermanisë. Një histori suksesi që të gjithë mediet dhe shtetet shqiptare duhet ta dinin dhe pasqyronin kudo, pasi është një mësim i institucionalizuar dhe që varet direkt nga Ministria e Arsimit e landit të NRW.

Ju keni 15 vjet që jepni Gjuhën Shqipe, një program nën sisteminn shkollor gjerman,

ndërkohë më informuat se shkolla juaj festoi 50 vjetorin e mësimit shqip. Ndjej keqardhje që e kam dëgjuar vonë, por më mirë vonë se kurrë. Ju lutem na flisni për historikun dhe punën tuaj si mësimdhënëse?

Për herë të parë me mësimin plotësues të gjuhës së nënës apo të prejardhjes (siç quhet sot) u njoha kur regjistrova në klasën e parë në shkollën gjermane djalin tim në vitin 2000. Midis dokumentave të tjera më afruan edhe një fletëregjistrimin për gjuhën shqipe. Kjo si gjuha e folur dhe e përdorur në familje dhe ambjentin social dhe shoqëror ku fëmijët jetojnë. Një privilegj jo vetëm për gjuhën shqipe, por edhe italishten, rusishten, turqishten etj. Më 2010 filloi edhe rrugëtimi im i mësimdhënies në gjuhën shqipe, dhe mësova që kjo traditë i kishte fillesat e saj prej vitit 1975, pikërisht në Euskirchen ku edhe unë u caktova. Shaqir Bacaj, një ish prind dhe aktivist në Euskirchen, kujton propozimin nga drejtori i shkollës ku shkonin fëmijët e tij, për hapjen e një klase të mësimit të gjuhës shqipe si gjuha e nënës. Ky ishte fillimi që shkruajti histori dhe tashmë në brezin e tretë një derë e hapur prej 50 vjetësh për të gjithë shqipfolësit që banojnë në Euskirchen dhe rrethinat e tij.

Cili është mesuesi i parë dhe disa nga mësuesit shqiptarë që kanë kontribuar si fillim?

Sipas të dhënave mësuesi i parë në këtë shkollë ka qënë Mehmet Gashi, i cili u zëvendësua më pas nga ish kolegu im i nderuar Bajram Dumnica dhe Fevzi Mehana. Mësimi plotësues i gjuhës së nënës në fillim të viteve `90 ka qënë i shtrirë në të gjithë Gjermaninë. Ka pasur shumë mësimdhënës midis të cilëve unë mund të përmend ish kolegun dhe mësuesin e djalit tim Sabri Gashi. Të tjerë që kanë kontribuar ndër vite kujtoj këtu koleget e përkushtuara Hatixhe Ramadani, Gjejrane Curri, Nexhmije Hamitin, por edhe Immer Ademi, Xhemshir Harizi, etj.

Cilat janë programet mësimore që janë përdorur për të mësuar Gjuhën Shqipe veçanërisht në periudhën ku ju jeni punësuar si mësuese?

Ne kemi kurrikulën e posaçme për gjuhën e prejardhjes, të miratuara nga Ministria e Arsimit e landit nga ne varemi, e cila ka shumë ngjashmëri me kurrikulën e punuar nga ish zyrtari i lartë z. Nuhi Gashi dhe që më vonë u miratua nga dy qeveritë tona në vitin 2018. Një problem dhe vështirësi mbeten ende tekstet e përshtatshme me këtë kurrikulë. Ka pasur disa tekste nga disa mësimdhënës të gjuhës shqipe në diasporë që mbeten të pazëvendesueshme për përpuethshmërinë që kishin me tematikat, si p.sh. tekstet nga albanologu zvicerian Prof. Basil Schader, ku autorë ishin edhe mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë, ose tekstet “Të mësojmë gjuhën amtare dhe kulturën shqiptare” me kontributin e Fatmiroshe Xhemalaj, por edhe nga disa kolegë të Austrisë si p.sh. nga Osman Ademi, Desara Gjonej dhe Izri Rexha të cilat janë të posaçme vetëm për mësimin plotësues në diasporë. Tekstet e fundit “Gjuha dhe kultura shqiptare” të miratuara nga dy ministritë jo vetëm që nuk kanë përpuethshmëri me kurrikulën, por janë larg teksteve metodike dhe didaktike që janë shumë të domosdoshme për mësimdhënien tonë heterogjene. Me gjithë përpjekjet dhe sygjerimet e mia për ti ndryshuar, fatkeqësisht nuk ka ende një reagim zyrtar apo inisiativë tjetër nga institucionet tona.

Cilat janë favoret ose avantazhet që kanë fëmijët që frekuentojnë mësimin e gjuhës shqipe? A jepet gjuha shqipe provim shtetëror në Gjermani, dhe cilat janë disa nga kërkesat apo standartet për këtë provim?

Është vërtetuar edhe shkencërisht që ata fëmijë që rriten në dygjuhësi e kanë shumë më të lehtë për të mësuar edhe gjuhë të tjera. Ata që regjistrohen dhe e ndjekin mësimin e gjuhës shqipe rregullisht marrin dëftesë dhe vlerësohen me nota nga klasa e 1-10. Në klasën e 10 kush ka marrë pjesë në 3 vitet e fundit rregullisht është i detyruar të japi provimin shtetëror të gjuhës shqipe. Kjo çertifikatë është njohur sipas referencave europiane në nivelin B1/B2. Gjithashtu nga ministria e arsimit të landit të NRW është menduar edhe për nxënësit që vinë të mëdhenj në gjermani (pas kl.7), dhe nuk kanë njohuri të plota të anglishtes, ata japin provimin shtetëror si gjuhë të huaj të parë, gjuhën e nënës, që në këtë rast është gjuha shqipe. Pra ka një infrastrukturë të tërë gati 50 vjeçare që punon në ruajtjen e gjuhës së nënës apo prejardhjes.

Cilat janë disa nga vështirësitë që keni hasur kur keni filluar si mësuese e Gjuhës Shqipe?

Sfidat kanë qenë të ndryshme duke krahasuar mësimdhënien në Shqipëri, pasi klasat këtu janë heterogjene, të grupmoshave dhe nivele të ndryshme, si dhe mësimi zhvillohet përgjithësisht mbasdite. Një sfidë ka qenë dhe mbeten tekstet. Çdo shtator duhet të vras mendjen se çfarë teksti dhe materialesh t`ju vë përpara nxënësve! Shumë materiale plotësuese unë i punoj vetë dhe ja u përshtas sipas niveleve dhe grupmoshave. Por kjo është një punë kolosale plus që nuk është e parashikuar në punën tonë. Pra, ne bëjmë atë punë, që po ta kishin bërë pak më mirë institucionet tona me shtëpitë botuese do na kishin lehtësuar. Nuk mjaftojnë vetëm fotot me libra në fillim të vitit shkollor nga institucionet tona nëpër rrjetet sociale, por ato tekste duhet të jenë edhe të përdorshme. Në seminarin e Prishtinës nuk isha e vetme ku thashë që këto tekste nuk janë të përshtatshme dhe duhen ndryshuar. Tani janë edhe më shumë, por shumë mësues të tjerë në diasporë që më shkruajnë dhe ndajnë të njëjtin mendim. Unë këtë ja u kam argumentuar edhe shkencërisht institucioneve si për nivelin e parë, ashtu edhe për nivelin e dytë ku unë isha recensuese. Të presim!

Keni mësues apo kolegë të tjerë shqiptarë aty ku punoni apo rrethinat aty pranë? Si

janë marrëdhëniet me administratën dhe cilat janë disa nga aktivitetet vjetore që kryeni?

Në fillim të mësimdhënies për fatin tim të madh njoha një grup kolegësh me eksperienca të mëparshme, që shumë përvoja dhe eksperiencat e tyre m’i dhanë të gatshme. Kjo ishte një ndihmë shumë e madhe. Pata mbështetjen e tyre në çdo hap dhe kontributi i tyre ndër vite u bë shembull për mua dhe udherrëfyesi im. Duke filluar nga Sami Thaçi që me materiale të ndryshme plotësuese për mësimdhënien, me tesktet që ai së bashku me kolegët e tjerë Rifat Hamitin dhe Sejdi Gashin kishin bërë posaçërisht për këtë mësimdhënie, me kolegun e palodhur e kontribuesin në disa drejtime Adem Shala, me eksperiencat dhe eskursionet në vendet prejardhëse të Kemajl Çallakut, me materialet dhe infromacionet por jo vetëm, të Sylejman Salihut që edhe sot më surprizon dhe më mban kohërente me shkrimet e tij, por më kryesorja me këshillat, udhëzimet dhe udhërrëfimet e Rifat Hamitit që asnjëherë nuk i kurseu e nuk më munguan. Dhe kjo traditë dhe bashkëpunim vazhdoi edhe më pas me kolegët e rinj Dr. Gentian Sadikun, Dr. Gladiola Popa, Antoneta Miçalliun, Lahije Shala, Kaltrina Shabani, Marigona Seferi etj.

Në landin e NRW ka afërsisht 25 mësues që japin gjuhën shqipe. Ne kualifikohemi dhe specializohemi nga ministria e arsimit të landit dhe institucionet varëse të tij. Kemi takime dhe konfernca pedagogjike të rregullta nga drejtoritë shkollore ku janë pjesëmarrës edhe mësues të 30 gjuhëve e tjera të këtij landi. Gjithashtu për t`ju ardhur në ndihmë kualifikimit dhe përmirësimit të kualitetit të mësimdhënies në vitet e fundit janë krijuar edhe grupet e platfomës digjitale sipas gjuhëve përkatëse nga ministria e arsimit, dhe takohemi të paktën dy herë në vit për shkëmbim eksperiencash. Gjithashtu organizohen edhe aktivitete të ndryshme festive me rastin e festave, kulturore, seminare, takime kualifikimi, konkurse, përvjetore etj.

Shkolla ka diplomuar qindra shqiptarë, a mund të na thoni disa personalitete në fusha

të ndryshme që janë integruar plot kulturë në botën gjermane dhe ne na bëjnë shumë krenar?

Ka shumë shqiptarë të sukseshëm dhe në fusha nga më të ndryshmet, si p.sh. mjekë, juristë, avokatë, ekonomistë, gazetarë e artistë, njerëz të thjeshtë e punëtorë të dalluar që i ndeshim kudo, por më shumë më bëhet zemra mal kur shikoj dhe takoj ish nxënëset e mia që tani janë koleget e mia në shkollat ku edhe unë jap mësim. Dua të veçoj këtu tri të rinj të ardhur në moshë të vogël në Gjermani, ish nxënës të shollës shqipe të cilët midis të tjerëve edhe ata janë promovuesit dhe ambasadorët më të mirë të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Arta Ramadani, një gazetare pranë televizionit kryesor shtetëror gjerman*ZDF, gjithashtu autore e dy librave, i treti del së shpejti, ku ajo përcjellë te lexuesit gjermanë kulturën dhe traditat shqiptare. Driton Gashi tashmë edhe kolegu yn si social pedagogë, që kohën e lirë të tij ja kushton krijimtarisë në letërsi, muzike dhe art, duke pasqyruar krijimtarinë e tij në rrethet shoqërore dhe intelektuale gjermane. Për të veçuar është edhe një ish nxënësin e shkollës shqipe që sot është përkthyes dhe gjithashtu mësimdhënës dhe kolegu im i gjuhës shqipe në Bilefeld Lulëzim Çallaku. E shumë e shumë të tjerë….

Cili është kujtimi më i bukur gjatë mësimdhënies në Gjermani?

Ka shumë momente që më kanë lënë mbresa. Shumë fëmijë që vijnë në shkollën shqipe i sjellin prindërit, jo të gjithë vijnë me dëshirë. Më kujtohet Adea që kur erdhi për herë të parë hyri me lotë në sy në klasë. Kur ra zilja dhe mbaroi mësimi tha: “Pse do iki unë? Unë nuk dua të iki, dua të rri këtu! Më pëlqeu shumë!” Ose Floriani, Dorentina, Blero që kur i sollën prindërit e tyre thanë, “Ne kemi mësuar këtu shqip, kështu që edhe fëmijët tanë do të vijnë të mësojnë shqip në këtë shkollë”. Kur i pyeta prindërit e tyre Shkëlzen Kosumin dhe Albana Rafunën se kur kishin emigruar në Gjermani, u çudita kur më tha që kishin lindur këtu! Kaq mirë e flasin dhe e shkruajnë gjuhën shqipe. Për mua nuk ka ndjenjë më të bukur që kjo traditë vazhdon!

A mendoni se shkollat shqipe në Diasporë sidomos kohët e fundit duket sikur në çdo 4 shqiparë ka një shkollë duhen verifikuar nga ambasadat përkatëse për veprimtarinë e tyre mësimore? Kjo duhet të behet me qëllim që të shmangen keqkuptimet, për më tepër kur mbivlerësohen nga institucionet shqiptare të dy shteteve shkolla që s’i kishim dëgjuar kurrë më parë, apo sa kanë filluar një semestër dhe bëhet barazimi i vlerave si ai që ka një semestër me atë që ka dekada?

Mua më bëhet zemra mal për çdo inisiativë dhe veçanërisht përulem para atyre mësimdhënësve në diasporë që këtë e bëjnë me aq pasion vullnetarisht. Po ta shikoj nga këndvështrimi i politikave shtetërore, ka një sensibilizim dhe i është kushtuar shumë vëmëndje vitet e fundit ruajtjes së gjuhës shqipe në diasporë. Kur e krahasoj me sistemin këtu në Gjermani, edhe këtu ky mësim nuk është sot siç ka qenë para 50 apo 15 vjtetësh, por përherë në zhvillim dhe përmirësim të vazhdueshëm, prandaj edhe shpresoj dhe uroj që kjo vëmendje dhe imvestim të mos ndalet. Por, më duhet të theksoj se Rep. e Kosovës me infrastrukturat e saj të hershme ka një eksperiencë më të gjatë dhe pozitive në këtë drejtim.

Shkolla shqipe nëpër botë është vendi ku identifikohen më së shumti shqiptarët, kjo bën që edhe rreth saj të afrohen dhe të indentifikohen edhe elementë që kërkojnë vëmendje, katapultime dhe kjo pa asnjë lloj kontributi, thjesht tërheqje vëmendje nëpër rrjetet sociale, siç ka ndodhur edhe me disa emërime në KKAD (Këshilli Kombëtar i Arsimtarëve ne Diasporë) apo KKD (Këshilli Kombëtar i Diasporës), ku pjesa më e madhe e tyre nuk janë fare mësimdhënës, apo nuk kanë fare lidhje me gjuhën shqipe në diasporë dhe pretendojnë që kontribojnë për gjuhën shqipe.

Unë i gëzohem çdo kontributi dhe suksesi me punë dhe merita të çdo mësimdhënësi në diasporë. Po e mbyll me shprehjen që e kam edhe nga përvoja personale, “E lehtë t’i hapësh, por e vështirë ti mbash!” Koha do ta tregojë dhe bëj diferencat.

Kur keni emigruar në Gjermani dhe me çfarë statusi shkuat atje?

Unë kam emigruar së bashku me bashkëshortin tim në fillim të viteve 90, ashtu si shumë të rinj shqiptarë që largoheshin drejt të panjohurës për një prespektivë dhe të ardhme më të mirë.

Cili është edukimi apo shkollimi dhe jeta juaj në Shqipëri?

Unë jam lindur dhe rritur në Tiranë, pas shkollës 8/vjeçare mbarova të mesmen në gjimnazin “Petro Nini Luarasi“. Pasioni dhe dëshira për mësimdhënien m’u realizua me vazhdimin e studimeve për ciklin e ulët në Universitetin e Shkodrës dhe më pas kam punuar si mësuese në Baldushk dhe para se të largohesha nga Shqipëria në shkollën 8/vjeçare Isa Boletini Kodër Kamëz.

Autorja e bisedës mban titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Medaljen e Meritës Presidenciale dhënë nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Është publiciste, shkrimtare, autore e tetë librave, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”.

27 Tetor, 2025

New York

Filed Under: Interviste

AMFE-USA: Dr. Fatjona Lubonja, an Inspiring Leader in Science and Healthcare

October 27, 2025 by s p

The AMFE-USA Board proudly celebrates Dr. Fatjona Lubonja, a distinguished researcher and dedicated professional whose contributions to the international AMFE Board since 2020 have set a remarkable standard for leadership and humanistic values. Her journey reflects commitment, innovation, and compassion—qualities that inspire countless members within our association and beyond.

Academic and Professional Achievements

Dr. Lubonja’s academic and professional accomplishments are truly exceptional. With advanced studies at Columbia University and extensive research in neuroscience and education, she has pioneered approaches that connect cognitive science with pedagogy. Her work spans clinical practice, behavioral analysis, and advocacy for children with intellectual and developmental challenges. As a faculty member, researcher, and public speaker, she has shared insights on brain development, learning, and mental health across international platforms.

Leadership and Humanistic Values

Beyond her scholarly achievements, Dr. Lubonja exemplifies ethical leadership and collaboration. Her role on the AMFE-USA Board demonstrates a deep commitment to advancing scientific inquiry while upholding humanistic principles. She is a role model for physicians and researchers, showing that leadership means inspiring others to pursue excellence with empathy and integrity.

Impact on Community and Global Health

Dr. Lubonja’s influence reaches far beyond academia. Through volunteer work and patient advocacy, she strengthens AMFE-USA’s mission: providing quality healthcare consultation and promoting continuous medical education. Her efforts empower physicians to expand their knowledge and serve diverse communities, reinforcing the noble ideals of medicine.

An Inspiration for All

We are honored to have Dr. Fatjona Lubonja as part of our leadership team. Her vision and perseverance inspire us daily, reminding us that progress in science and medicine is driven by passion, collaboration, and unwavering dedication to humanity. Through her example, AMFE-USA continues to thrive as a beacon of hope and innovation for Albanian and international communities alike.

Respectfully,

AMFE-USA Team

www.amfe-federation.eu

Filed Under: Interviste

KOSOVA – RASTI SUI GENERIS NË TË DREJTËN NDËRKOMBËTARE DHE INTEGRIMI I SAJ NË SISTEMIN GLOBAL SI RAST I VEÇANTË

October 24, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Një rast unik në historinë ndërkombëtare

Republika e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, mbetet një rast unik – sui generis në sistemin juridik dhe politik ndërkombëtar. Asnjë proces shtetformues në Evropën moderne nuk ka pasur një kombinim kaq të ndërlikuar ndërmjet ndërhyrjes humanitare, administrimit ndërkombëtar, vetëvendosjes demokratike dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare.

Kosova nuk lindi nga ndarje etnike, as nga ambicie territoriale, por nga reaksioni i ndërgjegjes ndërkombëtare ndaj krimeve, spastrimit etnik dhe gjenocidit të ushtruar nga regjimi i Millosheviqit.

Në këtë kuptim, Kosova është produkt i drejtësisë ndërkombëtare, jo precedent për separatizëm.

Shtetësia që buron nga ndërgjegjja ndërkombëtare

Krijimi i Kosovës si shtet nuk është rezultat i një procesi klasik të vetëvendosjes, por një përjashtim me karakter ndërkombëtar.

Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, e ndërtuar mbi parimin e mbrojtjes së popullsisë civile, u bë pjesë e një logjike të re në të drejtën ndërkombëtare: logjika e ndërhyrjes humanitare dhe e përgjegjësisë për të mbrojtur (Responsibility to Protect – R2P).

Pas ndërhyrjes, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së krijoi një status të përkohshëm juridik – Kosovën nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, por me elemente të qarta të sovranitetit të kufizuar dhe të autonomisë kushtetuese. Kjo situatë e pazakontë përbën themelin e karakterit sui generis: një territor që funksionon si shtet, por që në fazën fillestare mbetet nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

Plani Ahtisaari dhe legalizimi ndërkombëtar i shtetësisë

Në vitin 2007, Plani Gjithëpërfshirës i Martti Ahtisaarit vendosi arkitekturën juridike mbi të cilën u ndërtua pavarësia e Kosovës. Ky dokument, i hartuar nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, parashikonte pavarësi të mbikëqyrur ndërkombëtarisht – një formulë që nuk ka ekzistuar më parë në praktikën ndërkombëtare.

Pikërisht ky plan i dha Kosovës legjitimitet ndërkombëtar dhe kushtetues për të ndërtuar institucione të pavarura dhe për të respektuar të drejtat e komuniteteve, si pjesë e standardeve më të avancuara të demokracive evropiane.

Pra, pavarësia e Kosovës nuk është shpallje e njëanshme, por përfundim i një procesi të gjatë ndërkombëtar të udhëhequr nga parimi i drejtësisë dhe i stabilitetit rajonal.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – konfirmimi i legjitimitetit

Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e konfirmoi qartazi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Ky opinion këshillimor i dha fund dilemave juridike: shpallja e pavarësisë nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe nuk bie ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.

Me këtë vendim, Kosova mori një status juridik të veçantë, duke u bërë subjekt i së drejtës ndërkombëtare në mënyrë jo-konvencionale — pra, sui generis.

Integrimi ndërkombëtar – një proces që duhet të jetë po ashtu sui generis

Nëse shtetësia e Kosovës është sui generis, atëherë edhe proceset e saj të integrimit ndërkombëtar duhet të zhvillohen në të njëjtën logjikë.

Kosova nuk mund të trajtohet me të njëjtin standard që u aplikua ndaj shteteve të tjera të reja, sepse rrethanat e saj janë të papërsëritshme.

Në OKB

Kosova ka fituar njohje nga mbi 100 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, por për shkak të vetos së Rusisë dhe Kinës, ende nuk është anëtare e plotë. Megjithatë, përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, marrëveshjeve dypalëshe dhe pjesëmarrjes në konferenca globale, Kosova ka dëshmuar se është de facto pjesë e sistemit ndërkombëtar.

Prandaj, integrimi i Kosovës në OKB duhet të konceptohet si pranim i një realiteti të krijuar nga ndërkombëtarët vetë.

Një model i veçantë pranimi – sui generis, që ruan ekuilibrin ndërmjet parimit të sovranitetit dhe të drejtës për paqe dhe siguri ndërkombëtare, është zgjidhja më realiste për të ardhmen.

Në Bashkimin Evropian dhe NATO

Edhe në këto dy organizata, Kosova duhet të trajtohet në mënyrë të veçantë.

Pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj nuk mund të pengojnë një proces që është produkt i vetë politikës së jashtme evropiane.

Në këtë kuptim, Kosova duhet të ketë një status të veçantë integrues, një “Partneritet Evropian të thelluar”, që i mundëson pjesëmarrje të plotë në strukturat evropiane dhe euroatlantike, edhe pa anëtarësim formal të menjëhershëm.

Roli i Shteteve të Bashkuara – garancia e pavarësisë dhe e stabilitetit

Nuk mund të kuptohet rasti sui generis i Kosovës pa përmendur roli vendimtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

SHBA-të kanë qenë faktor themelor në:

-ndërhyrjen humanitare të NATO-s,

-ndërtimin e institucioneve demokratike,

-njohjen e hershme të shtetësisë së Kosovës,

-dhe mbështetjen për integrimin euroatlantik të saj.

Në këtë aspekt, Kosova mbetet projekti më i pastër i ndërgjegjes demokratike amerikane në Ballkan – një model që mishëron lidhjen ndërmjet vlerave të lirisë, drejtësisë dhe ndërhyrjes humane.

Përfundim: Kosova, model i drejtësisë ndërkombëtare – jo precedent

Rasti i Kosovës nuk është precedent për ndarje apo për separatizëm.

Përkundrazi, është model i ndërhyrjes humane, i ndërtimit të shtetit demokratik dhe i drejtësisë ndërkombëtare funksionale.

Kosova është shteti i parë i krijuar mbi bazën e parimit të përgjegjësisë për të mbrojtur popujt e kërcënuar, dhe për këtë arsye, ajo do të mbetet rast i veçantë dhe i pashoq në historinë e së drejtës ndërkombëtare.

Siç është e veçantë lindja e saj, ashtu duhet të jenë edhe procedurat e integrimit të saj në organizatat ndërkombëtare — me logjikë, me ndjeshmëri, dhe me respekt ndaj një realiteti që lindi nga vuajtja, por që sot simbolizon fitore të drejtësisë dhe të ndërgjegjes njerëzore.

Filed Under: Interviste

Bisedë Me Z. Bashkim Brahimi Kryetar I Shoqatës “Tafil Buzi”, Shqipëri

October 21, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në qytetin e Tepelenës në sheshin “Lord Bajroni” u vendos shtatorja e Tafil Buzit “Nderi i Kombit” i cili udhëhoqi lëvizjet popullore në Jug për 30 vjet kundër Perandorisë Osmane.

Zoti Brahimi ju këtë muaj finalizuat vendosjen e shtatores së kapedan Tafil Buzit “Nderi i Kombit” në sheshin “Lord Bajroni” në qytetin e Tepelenës. Na tregoni, ju lutem, ndjesitë tuaja rreth këtij aktiviteti madhështor në nderim të kryegjeneral Tafil Buzit? 

Faleminderit për pyetjen! Vendosja e shtatores së kapedan Tafil Buzit në sheshin “Lord Bajroni” të Tepelenës për mua përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme e më emocionuese të gjithë veprimtarisë sime në Shoqatën “Tafil Buzi”, por dhe më gjerë. Të shohësh më në fund të ngrihet në këmbë figura e këtij burri të madh të kombit, aty ku historia dhe gjaku i tij kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, është një ndjenjë krenarie, nderimi dhe mirënjohjeje të thellë. Çdo copëz bronzi, çdo detaj i asaj shtatoreje përfaqëson jo vetëm kujtimin e një prijësi të madh, por edhe frymën e një populli që di të respektojë bijtë e vet më të shquar.  Ky moment nuk ishte thjesht një akt i bukur ceremonial; ishte përmbyllja e një ëndrre të gjatë të shumë brezave buzjotë e tepelenas, të cilët gjithmonë kanë dashur ta shohin heroin e tyre të ngritur aty ku i takon, në zemër të qytetit. Si kryetar i Shoqatës “Tafil Buzi”, por edhe si biri i kësaj treve, e përjetova këtë ditë me një emocion të jashtëzakonshëm. Ishte një ditë që më solli përpara syve sakrificat, qëndresën dhe idealin e pastër të Tafil Buzit për liri, dinjitet dhe atdhedashuri.  

E pranoj me krenari që ky projekt nuk do të ishte bërë realitet pa bashkëpunimin e shumë njerëzve të mirë, pa përkushtimin e anëtarëve të shoqatës sonë, pa ndihmën e institucioneve vendore, të biznesmenëve, të dashamirësve të kulturës dhe historisë sonë. E ndjej veten të lumtur që pata mundësinë të kontribuoj jo vetëm si drejtues, por edhe si financues në këtë nismë fisnike, sepse çdo ndihmë e dhënë për të nderuar figurat tona kombëtare është një borxh moral që ne ia kemi historisë dhe brezave që do të vijnë.

Në ditën e përurimit, kur unë zbulova shtatoren së bashku me kryetaren e bashkisë Tepelenë, Julinda Karteri, ndjeva sikur vetë historia po fliste. M’u kujtuan fjalët e të parëve tanë që e kanë ruajtur me nder emrin e Tafil Buzit, dhe në atë çast ndjeva se po i jepnim këtij emri një vend të merituar, një vend nga i cili do t’u flasë përjetësisht brezave për atdhedashuri, trimëri dhe përkushtim ndaj kombit. Për mua, kjo shtatore është më shumë se një vepër arti; është një simbol i krenarisë sonë, i identitetit dhe i qëndresës shqiptare.

Cilat kanë qenë disa nga vështirësitë për të arritur gjer në përfundimin me sukses të vendosjes së shtatores së Tafil Buzit në Tepelenën tonë të dashur?

Vendosja e shtatores së heroit tonë kombëtar, Tafil Buzit, në Tepelenë ka qenë një proces i gjatë, me shumë përpjekje, angazhime dhe sfida të njëpasnjëshme. Përtej entuziazmit dhe dëshirës së madhe për ta realizuar këtë vepër përkujtimore, rruga drejt përfundimit të saj nuk ka qenë aspak e lehtë.  

Natyrisht, nuk isha vetëm – anëtarët e Kryesisë dhe Forumit të Shoqatës më qëndruan në krah me përkushtim dhe solidaritet. 

Dua të theksoj se Roshi Ajdini ne rolin e Sekretarit të Përgjithshëm ka qenë një mbështetje e palëkundur gjatë gjithë periudhës që çoi në përfundimin me sukses të vendosjes së shtatores.

Sfida më e madhe, pa dyshim, ishte sigurimi i fondeve. Kostoja e përgjithshme e shtatores arrinte rreth 3 milionë lekë të reja, pa përfshirë shpenzimet shtesë për ceremoninë dhe aktivitetet e ditës së përurimit. Në atë moment, fondet e mbledhura nuk arrinin as 10 për qind të shumës së nevojshme.

Përballë këtij realiteti, u detyruam të vepronim me shpjetësi e vendosmëri. U ndërmor një fushatë model për grumbullimin e fondeve, e cila shtrihej në disa qytete të vendit. Aktivizuam çdo anëtar të shoqatës dhe çdo simpatizant të saj. Dega e shoqatës në Durrës, e cila deri atëherë kishte qenë thuajse inegzistente, u ringrit dhe u përfshi me një energji të re në këtë mision.

Çdo kontribut, sado i vogël, vlerësohej me mirënjohje dhe pasqyrohej rregullisht në faqet e gazetës “Trebeshina”, organi ynë i komunikimit dhe transparencës me publikun.

Në këtë rrugëtim nuk munguan edhe mbështetjet e rëndësishme nga personalitete të njohura të jetës publike dhe institucionale. Dua të përmend me respekt dhe mirënjohje të veçantë z. Gramoz Ruçi, ish-kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, i cili na qëndroi afër dhe na ndihmoi me dashamirësi në çdo hap. Po kështu edhe profesorin dhe ish-politikanin e njohur Ethem Ruka, i cili ofroi përkrahje dhe këshilla të vyera.

Një kontribut të rëndësishëm institucional dha gjithashtu z. Blendi Gonxhja, në atë kohë Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, i cili e mbështeti zyrtarisht kërkesën që shoqata i kishte adresuar ministrisë për sigurimin e një pjese të fondeve publike për realizimin e shtatores.

Nuk mund të mos përmend edhe dhjetëra kontribues të tjerë – individë, biznese, bashkëfshatarë e dashamirës të figurës së Tafil Buzit – të cilët dhanë ndihmën e tyre me zemër. Emrat dhe kontributet e tyre janë publikuar herë pas here në gazetën “Trebeshina”.  

Shtatorja u punua nga skulptori i mirënjohur dhe shumë i talentuar Vladimir Llakaj i cili ka pasur një sërë suksesesh në disa qytete të ndryshme me punimet nga duart e arta të tij. Cili ka qenë bashkëpunimi me skulptorin nga shoqata juaj?

Ç’është e vërteta, sapo u krijuan kushtet e nevojshme dhe projekti për vendosjen e shtatores së Heroit të Popullit, Tafil Buzi, në qytetin tonë të Tepelenës u miratua nga Këshilli Bashkiak, shoqata jonë “Tafil Buzi” nisi menjëherë hapat konkretë për përzgjedhjen e skulptorit që do të merrte përsipër këtë vepër të rëndësishme për historinë dhe identitetin tonë kombëtar. Për këtë qëllim, publikuam një njoftim në gazetën “Trebeshina”, me synimin për të testuar interesin dhe për të mbledhur ofertat nga artistë të fushës së skulpturës.

Në mbledhjen e datës 22 nëntor 2024, kryesia e shoqatës shqyrtoi me kujdes propozimet dhe modelet e paraqitura nga skulptorët Haxhi Kalluci, Leonidha Koruni dhe Vladimir Llakaj. Pas një diskutimi të frytshëm, me unanimitet të plotë u vendos që fitues të shpallej oferta e skulptorit të njohur Vladimir Llakaj. Ky vendim nuk ishte thjesht një zgjedhje profesionale, por edhe një akt besimi e krenarie, pasi Vladimiri është bir i Tepelenës, një artist që tashmë kishte lënë gjurmë të pashlyeshme me veprën e tij monumentale – shtatoren e Heroit të Popullit Selam Musa Salaria, e vendosur në lagjen “Komuna e Parisit” në Tiranë, një vepër që gëzon respekt dhe vlerësim të gjerë për dinjitetin artistik që mbart.

Vladimiri është një artist i përkorë, i përulur dhe thellësisht i ndjeshëm, që di të dëgjojë, të kuptojë dhe të përfshijë në veprën e tij shpirtin e bashkëpunëtorëve dhe dashurinë për vendin. 

Shoqata “Tafil Buzi” në njëzetë e ca vjet histori të krijimit të saj është bërë shumë e njohur për shkak të aktiviteteve të saj si për shembull, në rastin e fundit, duke e vendosur Tafil Buzin përkrah Ali Pashë Tepelenës, një nga figurat më të shquara historike të Kombit. Cilat janë disa nga arritjet e shoqatës ndër vite?

Shoqata Atdhetare-Kulturore “Tafil Buzi” ka lindur nga dashuria për vendlindjen dhe nga përkushtimi për ta mbajtur gjallë kujtimin e një figure të pavdekshme të historisë shqiptare. E themeluar “de jure” më 17 qershor 2002 dhe “de facto” më 22 prill të po atij viti, ajo mori jetë nga një grup burrash buziotë të mençur e vizionarë, që besonin se atdhedashuria nuk duhej të mbetej vetëm fjalë, por të merrte trajtë konkrete në veprim.

Në atë mbledhje themelimi, ku fryma e Buzit dhe e traditës përplasej me shpirtin e përkushtimit qytetar, morën pjesë Sadik Bejko, Eqerem Xhelili, Kujtim Çibuku, Ramadan Çelaj, Abedin Kalemi, Ferrik Danaj, Kujtim Kreci, Et’hem Bakaj, Ferrik Selmani, Mylsym Mindaj dhe Seit Ajazi. Ata vendosën me njëzëri që shoqata të mbante emrin e kapedanit legjendar buziot, Tafil Buzit – simbol i trimërisë, urtësisë dhe dashurisë për lirinë.

Kryetar i parë u zgjodh poeti, shkrimtari, profesori dhe politikani i njohur, Sadik Bejko, një figurë që i dha frymë e seriozitet këtij ideali.

Shtatë vjet më vonë, shoqata njohu një zgjerim të ri me anëtarësime të shumta dhe ndryshime në organet drejtuese. Në radhët e saj u shtuan Eqerem Osmani, Eqerem Lalaj, Asim Brahimaj, Limo Pazaj, Diana Kalemaj, Besnik Meta, Musa Xifaj, Izet Binaj, Sulo Hamzaj dhe Bardhyl Rredhaj. Kryetar u zgjodh Eqerem Osmani, ndërsa Sadik Bejko mori titullin Kryetar Nderi, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të vyer.

Pas ndarjes nga jeta të z. Eqerem Osmani, më 18 shtator 2022, drejtimin e shoqatës e mori z. Medin Duro, i cili me përkushtim e vizion vijoi rrugën e të parëve. Ndërsa më 3 maj 2025, pas dorëheqjes së tij të parevokueshme, në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të Shoqatës “Tafil Buzi”, anëtarësia më nderoi me besimin për të marrë unë drejtimin e ri të kësaj shoqate.

Ky besim më shton përgjegjësinë, por edhe krenarinë për të vijuar misionin e shenjtë që paraardhësit tanë e kanë mbajtur gjallë për më shumë se dy dekada.

Më 5 tetor 2008, në zemrën e fshatit Buz Qendër, u përurua busti i Tafil Buzit, duke përjetësuar në bronz figurën e kapedanit që për dekada kishte jetuar vetëm në kujtesën e popullit. Më 13 tetor 2013, Shoqata përjetoi një tjetër moment kulmor: Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i akordoi Tafil Buzit titullin e lartë “Nderi i Kombit”. 

Në fushën e krijimtarisë historike e artistike, janë botuar dhe promovuar një sërë veprash që i japin frymë e fjalë kujtesës së përbashkët: libri “Tafil Buzi – kryekënga e trimave” nga Limo Pazaj, “Krahina e Buzit dhe Tepelena” nga Bedri Serjani, poema “Baladë për Tafil Buzin” dhe “Tafil Buzi – Nderi i Kombit” në gazetën “Trebeshina” nga Feti Zeneli. Shoqata ka gjallëruar jetën kulturore me aktivitete të tilla si “Buzi-Folk”, Festivali Folklorik “Jehona e Vjosës”, e së fundmi, me përurimin e shtatores madhështore të Tafil Buzit në qytetin e Tepelenës – një arritje që e vendos këtë figurë përkrah Ali Pashë Tepelenës, në panteonin e historisë sonë kombëtare.

Krahas këtyre arritjeve të mëdha, numri i aktiviteve të dorës së dytë është i pafund: takime, diskutime, riformatime të strukturave, të gjitha të fiksuara në plane pune të detajuara mujore, tremujore e vjetore.

A mendoni se ka ardhur koha, në fakt duhej me kohë, se pas Tafil Buzit një vend meritor në histori ka dhe legjendari Fejzo Arrëza për t’i ngritur shtatoren e munguar në Tepelenë? Ai u vra në vitin 1878 nga andartët greke i cili vuri nën komandë rreth 200 burra për të luftuar me trimëri kundër andartëve grekë.  Duke i hedhur nje sy busteve, monumenteve në Tepelenë më rezulton se nuk ka ndonjë hero që ka luftuar kundër andartëve dhe masakrave greke.

Po t’i kthehemi historisë sonë të lavdishme, pas emrit të ndritur të Tafil Buzit që ndezi pishtarin e lirisë në gjysmën e parë të shekullit XIX, një tjetër emër, po aq i denjë për nderim, ngrihet si një mal krenarie në horizontin e kohës – ai i kapedanit legjendar Fejzo Arrëza. Jo shumë larg vendlindjes së Tafilit, në po atë truall të bekuar të krahinës së Buzit, lindi dhe u burrërua ky trim, që mori stafetën e luftës dhe ia përcolli brezave me gjakun e derdhur për atdhe.

Fejzo Arrëza, biri i një familjeje të ndershme e punëtore, pa pasuri të mëdha veç dinjitetit dhe besës, lindi më 1840 në fshatin malor të Arrëzës, rrëzë Trebeshinës. Rriti shtat ndër gurë e shkëmbinj, mes këngëve të burrave dhe legjendave për trimërinë e të parëve. Rreth zjarrit të oxhakut dëgjonte rrëfime për Hasan Agën – nëpunësin besnik të Ali Pashë Tepelenës – dhe për Asllan Kondurin e shumë të tjerë, që jetën e tyre e vunë në altarin e Atdheut. Këto histori, që i ndiznin shpirtin, e bënë të kuptonte herët se jeta e shqiptarit ka vlerë vetëm kur është në shërbim të lirisë.

Në rininë e tij, Fejzo Xhafo Arrëza shërbeu për pak kohë si oficer në ushtrinë osmane, ku shfaqi zgjuarësi e trimëri të rrallë. Por, shpejt, ai e kuptoi se pushka e tij nuk mund t’i shërbente kurrë një perandorie të huaj. Me zemër të ndezur nga urrejtja ndaj çdo pushtuesi, braktisi gradat e arta dhe mori në dorë flamurin e nderit. Në krye të një çete prej 40 burrash të pathyeshëm, ai u bë një nga kapedanët më të njohur të viseve të Tepelenës, Përmetit e Beratit – një emër që përmendej me respekt në çdo kuvend burrash dhe në çdo këngë trimërie.

Jehona e pushkëve të tij ushtoi për vite me radhë në Luginën e Vjosës e të Osumit, në ultësirat e Ballabanit, në kodrat e Gllavës, në malet e Skraparit e Leskovikut. Çeta e Fejzo Arrëzës u bë simboli i qëndresës shqiptare kundër andartëve grekë dhe qarqeve shoviniste që kërkonin të ndanin trojet e kombit tonë.

Korriku i vitit 1878 shënon faqen më të lavdishme të jetës së tij. Në përballje me andartët grekë, Fejzo Arrëza dhe burrat e tij zhvilluan beteja të ashpra, duke luftuar si luanë për çdo pëllëmbë toke. Edhe pse i rrethuar, përballë një vdekjeje të pashmangshme, ai hodhi poshtë me përbuzje çdo ftesë për dorëzim. “Shqiptari nuk dorëzohet kurrë!” – ishte fjala e fundit që la pas. Dhe aty, në atë përleshje të pabarabartë, ai ra si një dëshmor i vërtetë, duke dëshmuar me gjakun e vet se liria fitohet vetëm me sakrificë.

Historia e Fejzo Arrëzës është një gur i çmuar në mozaikun e lavdisë sonë kombëtare. Ai ishte një luftëtar i jashtëzakonshëm, një kapedan që meriton nderim e kujtim të përjetshëm. Prandaj, mendimi për t’i ngritur atij shtatoren e munguar në Tepelenë është më shumë se një dëshirë – është një detyrim moral ndaj brezave dhe historisë.

Shoqata “Tafil Buzi” ka marrë përsipër këtë mision fisnik: të ruajë e të nderojë figurat e shquara të krahinës së Buzit, që me trimërinë e tyre kanë mbrojtur nderin e kombit. Dëshira është e madhe, por rruga drejt realizimit kërkon mirëkuptim dhe bashkëpunim me institucionet ligjore e administrative të Bashkisë Tepelenë. Siç dihet, krahina jonë bën pjesë në Bashkinë Memaliaj, kështu që edhe ngritja e shtatores së Tafil Buzit kërkoi kohë e përkushtim për të gjetur gjuhën e duhur të bashkëpunimit.

Por asgjë nuk do të na ndalë. Shoqata “Tafil Buzi” do të vazhdojë me këmbëngulje këtë rrugë të shenjtë për të përmbushur misionin e saj: të mos lejojë që pluhuri i harresës të mbulojë emrat e heronjve që dhanë jetën për Atdhe.

Cila ka qenë fëmijëria juaj dhe shkollimi ndër vite në Shqipëri?

Kam lindur, më 18 mars të vitit 1961, në fshatin Komar të Tepelenës, rrëzë malit me të njëjtin emër, përfshirë në “Tri Çukat” e Gllavës – një vend i qetë, i mbuluar me dritën e bardhë të mëngjesit dhe aromën e tokës pjellore. Rrjedh nga një familje me rrënjë të thella në traditë e fisnikëri, ku nderi dhe puna kanë qenë gurë themeli të jetës së përditshme.

Babai im, Adem Qamil Brahimi, ishte një prej bijve të atij brezi që idealin për liri e kishte frymëmarrje. Në maj të vitit 1943, ai iu bashkua forcave partizane dhe luftoi deri në nëntor të vitit 1944 në radhët e Brigadës së Parë Partizane në Korçë. Pas çlirimit, shërbeu për një dekadë të tërë si ushtarak po në atë qytet, derisa në vitin 1953 u kthye në fshatin e tij të lindjes. Atje, në zgjedhjet e para pas kthimit, bashkëfshatarët e zgjodhën kryetar të këshillit të fshatit – një shenjë e respektit dhe besimit që gëzonte ndër bashkëfshatarët e tij.

Kur në vitin 1957 u themelua kooperativa bujqësore, ai iu përkushtua punës si brigadier dhe më vonë si magazinier, deri në vitin 1985, kur mbylli jetën e tij me dinjitet dhe përkushtim ndaj tokës dhe njerëzve.

Rrugëtimi im arsimor nisi në shkollën fillore të fshatit Komar, ku mësuesit e parë më mësuan të lexoj dritën e dijes me të njëjtin respekt si dritën e diellit që binte mbi fshatin tim të dashur. Arsimin 8-vjeçar e vazhdova në Gllavë, ndërsa më pas u regjistrova në shkollën e mesme bujqësore “Tafil Buzi” në Buz, një vatër që më përgatiti për jetën e punës dhe përballjes me tokën, bagëtinë dhe njerëzit.

Në shtator të vitit 1980, sapo mbarova shkollën, nisa punë si brigadier blegtorie në kooperativën bujqësore të Selckës, detyrë që e mbajta deri në dhjetor të vitit 1982. Dy vitet që pasuan, 1983 – 1984, i kalova në shërbimin ushtarak në Sarandë, ku disiplina dhe përvoja më forcuan karakterin.

Pas ushtrisë u ktheva sërish në vendlindje, duke vijuar punën në kooperativë, fillimisht si brigadier, e më pas, nga janari i vitit 1987 e deri në prag të ndryshimeve të mëdha demokratike, si përgjegjës sektori në kooperativën e Selckës. Përveç punës së përditshme, mora pjesë aktive edhe në jetën shoqërore të komunitetit: isha Sekretar i Komitetit të Rinisë për fshatrat e kooperativës, ndihmësgjyqtar në Komar, anëtar i Pleniumit të Rinisë së rrethit të Tepelenës dhe kandidat i Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, përfaqësues i rinisë kooperativiste në Kongresin e 8-të të saj, etj.

Pas viteve ’90, kur koha nisi të frynte me erërat e lirisë e ndryshimit, lashë vendlindjen për të ndërtuar një jetë të re. Fillimisht u vendosa në Berat, ku për gati shtatë vite shërbeva si me rrobë ushtarake. Në vitin 1998 mora rrugën drejt Tiranës, ku nisa punë në Policinë e Shtetit, detyrë që e mbajta deri në vitin 2005.

Ndërkohë, dëshira për dije më shtyu të vijoj studimet e larta: nga viti 2004 deri më 2007 përfundova ciklin “Bachelor” në degën Administrim Biznes, ndërsa gjatë viteve 2008 – 2010 përmbylla me sukses Masterin Shkencor për Administrim Publik. Prej vitit 2005 e në vazhdim, kam ndërtuar e menaxhoj me përkushtim një biznes familjar, fryt i punës dhe vizionit tim për të ardhmen.

Në udhëtimin tim jetësor kam patur përkrah bashkëshorten time, Lola Bakia (Brahimi), bashkëfshatare dhe bashkudhëtare e përkushtuar, me të cilën kemi rritur dhe edukuar tre fëmijë të mrekullueshëm: Dionën, Ledjan dhe Skerdin.

Diona, vajza e madhe, e diplomuar për Financë – Bankë, punon prej 13 vitesh në “Intesa Sanpaolo Bank Albania” dhe është nënë e dy vajzave të bukura. Ledja ka përfunduar studimet për Administrim Biznes dhe punon prej 11 vitesh në OSSHE, ndërsa djali, Skerdi, i diplomuar për Inxhinieri Mekanike, menaxhon tashmë për nëntë vite biznesin tonë familjar, duke e çuar atë përpara me energjinë e brezit të ri.

Në këtë mënyrë, nga rrënjët e Komarit të vogël, jeta ime është shtrirë në kohë e hapësirë si një rrugë që fillon aty dhe vazhdon drejt horizonteve të një Shqipërie që ndryshon, por që gjithmonë mbart brenda vetes aromën e dheut të fëmijërisë sime.

Cilat janë disa nga projektet si shoqatë që do të realizoni në të ardhmen?

Në mesin e këtyre nismave, vendin e parë e zë puna për ngritjen e Muzeut të Tafil Buzit në Buz Qendër.  Ky muze do të jetë jo vetëm një tempull kujtese për heroin tonë kombëtar, por edhe një qendër studimore e edukative për brezat që do të vijnë. Duke qenë një ndërmarrje me përmasa të mëdha, realizimi i tij kërkon bashkëpunim të gjerë dhe mbështetje të ndërsjelltë, pasi një barrë kaq e rëndë nuk mund të mbahet vetëm mbi supet e shoqatës, sado përkushtim e resurse njerëzore, materiale e financiare të zotërojë ajo.

Një tjetër projekt i rëndësishëm, tashmë në fazë përgatitore, është botimi i librit “Gjurmë muzeore të Tafil Buzit”, nga i njëjti autor që ka sjellë më herët veprën “Tafil Buzi – Nderi i Kombit” në gazetën “Trebeshina”, z. Feti Zeneli. Ky botim i ri do të jetë një dëshmi e pasur dokumentare e historike, e shoqëruar me një kapitull të veçantë, “Shtatorja në Tepelenë”, kushtuar përpjekjeve dhe veprimtarive që shoqëruan inicimin, përgatitjen dhe vendosjen e shtatores së Tafil Buzit në qytetin e Tepelenës – si një homazh i përjetshëm ndaj figurës së tij.

Përveç këtyre, Në themel të çdo nisme që ndërmarrim qëndron dëshira për ta mbajtur gjallë frymën e Tafil Buzit – frymën e trimërisë, mençurisë dhe dashurisë së pashtershme për atdheun.

Autorja e intervistës mban titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Medaljen e Meritës Presidenciale dhënë nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.  Është publiciste, shkrimtare, autore e tetë librave, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”.

19 tetor, 2025

New York 

Filed Under: Interviste

DIALOGU NDËRFETAR PËRMES LETËRSISË SË TRADITËS

October 16, 2025 by s p

Prof.Dr.Fatbardha Fishta Hoxha/

E ndodhur ndër shekuj midis Perëndimit dhe Lindjes, Shqipëria me të drejtë është konsideruar si një nga vendet tipike ku takohen fetë, kulturat e qytetërimet, çfarë i ka dhënë një fizionomi të veçantë etnokulturës, arteve dhe vlerave të tjera shpirtërore. Tradita shqiptare në kohëra ofron ngjarje e dukuri që flasin për shfaqje të ekumenizmit, konvergjencës, tolerancës dhe bashkëveprimit fetar. Historia shqiptare e hershme dhe mesjetare dëshmon për rituale që këmbëheshin sa në latinisht e në greqisht brenda një kishe apo përkthimi shqip nga versioni latin i Biblës për besimtarët ortodoksë, fakte tashmë të njohura që flasin për bashkëjetesë dhe ndërveprim midis feve që, për shkak të faktorëve të njohur historikë, e kanë formuar qëndrimin tolerant si një veçori natyrore etnopsikologjike e etnokulturore të shqiptarëve. Meritë për këtë klimë të kultivuar kanë shqiptarët si etni, si komb, por edhe elitat intelektuale të feve të ndryshme të konsoliduara në Shqipëri që me autorë përfaqësues dhe vepra të ndryshme bëjnë historinë kulturore ndër shekuj të shqiptarëve, edhe për faktin se me këto vepra ata kanë shprehur e realizuar prirjet historike më progresive të kombit. Ky dialog, duke mos qenë privilegj i asnjërës prej feve, por kontribut i të gjithave së bashku dhe veç e veç, ka tërhequr vëmendjen e studiuesve më shumë se një shekull më parë. Është me rëndësi të theksohet se të huajt i ka habitur dhe vazhdon t’i habisë “mozaiku i bukur fetar shqiptar” për të cilin është diskutuar dhe vazhdon të diskutohet nëse duhet trajtuar si “rasti” apo “fenomeni Shqipëri”. Po aq e rëndësishme është të theksohet se shqiptarët me vetëdije dhe intuitën e tyre natyrore kanë arritur të kuptojnë dhe të vlerësojnë të gjitha fetë tradicionale në Shqipëri si kolona të një lartësie, ato të gjitha me rezatimin e fjalës hyjnore, dashuri, mirësi, paqe dhe harmoni të pafund. Është fakt po kaq i njohur dhe i admirueshëm që shqiptarët e kanë kapërcyer ngurtësinë dhe fanatizmin fetar, ashtu siç është e njohur se për shkaqe madhore gjeopolitike kanë qenë jo aq të ngulur në zbatimin e praktikave fetare. Këtë e pohojnë edhe dy klerikë mendimtarë, shkrimtarë dhe shqiptarë të mëdhenj dhe të ditur si Barleti dhe Buzuku që shquhen për mirëkuptimin që u japin bashkëkombësve në rrethanat e pushtimit osman. Barleti teksa pohon se shqiptarët janë më shumë popull luftëtar se sa fetar dhe Buzuku që me shpirtin e tij të butë e të gjerë shprehet “Lutemi edhe për tanë vëllazën që në kishë s’mund të vinjëne e të mirat e jetës glatë të gëzonjëne”.

Megjithëse në rrethana të vështira dhe në luftë të pandërprerë për mbijetesë, shqiptarët kanë ditur në mënyrë sa spontane aq dhe me vetëdije të përvetësojnë porositë e Biblës dhe të Kuranit dhe të kultivojnë jo vetëm pranimin por respektin e ndërsjelltë dhe bashkëveprimin midis feve të ndryshme. Pjetër Budi dhe Frang Bardhi me relacionet e tyre dërguar Selisë së Shenjtë, në idetë dhe projektet e tyre për organizimin e qëndresës kundër pushtimit osman gjithnjë kanë marrë në konsideratë edhe shqiptarët e besimeve të tjera. Me interes për objektin tonë është një dëshmi që sjell Frang Bardhi. Ndër të tjera në relacionet e tij, duke folur për mendësitë e shqiptarëve, ai vëren se ata kapërcejnë lehtë dallimet fetare. Kështu myslimanët martohen me vajza të krishtera dhe fëmijët e tyre kanë kujdes t’i pagëzojnë. Në epokën e Rilindjes Kombëtare dalin në plan të parë si nevojë e ngutshme e lëvizjes kombëtare thirrjet për bashkim duke ruajtur e tejkaluar dallimet fetare. Janë të shpeshta rastet kur thirrjet për të forcuar këtë tipar etnopsikologjik e etnokulturor të mirëkuptimit ndërfetar tek shqiptarët i shërbejnë idealit kombëtar. Vetëm në këtë kontekst historik kombëtar mund të lexohet dhe të kuptohet drejt vargu i njohur i shqiptarit të flaktë dhe kristianit të devotshëm Pashko Vasa “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”. Po ky autor në Alfabetaren e Stambollit po atë vit u drejtohej bashkëkombësve të vet “me u lidhë me besë e me fe për të mirë e për lumni të dheut të Shqipnisë”. Ndërsa ortodoksi nga Korça Thimi Mitko shkruante po ato vite: “Mblidhi gjithë anë e mbane / Gege, toskë, arbër, çamër  / Të krishtenë e myslimanë / Jeni vëllezer e vllamër”. Të njëjtën porosi do të artikulonte edhe Çajupi përmes dëshirës së fundit të Skënderbeut që shprehej: “Shqipërinë të dojni / Pra faluni si të doni”.  Çajupi bën thirrjen pa dallim: “Mysliman e të krishtenë / jemi keq / të ngrihemi që të tërë /…”. Në shekullin e 19-të thirrjet për bashkim duke kapërcyer dallimet fetare janë një përbërës i rëndësishëm në poezinë patriotike të kohës. Poeti Filip Shiroka u bën thirrje shqiptarëve në poezinë “Shkolla Shqyp” (1897): “Çilni sytë, mjaft kemi fjetun / Mjaft në terr der sot keni mbetun / T’kështen, musliman, shqyptar sa të jemi”. Ndërsa Dr. Ibrahim Temos që e ka njohur vetëm përmes shkrimeve në shtyp, Filip Shiroka i lutet me të gjithë forcën e shpirtit që të luftojë përçarjen që mund të shkaktojnë përkatësia fetare. Duke mos u pajtuar me përçarjen midis shqiptarëve të cilën e konsideron të dëmshme për çastin historik kur kërkohet njësi mendimi dhe veprimi për “… të mjerën Shqypni” ai lutet: “Pra në trup të sajin me thikat e mjekësisë/ “Turk e kaur” mbyti: të gjithë jemi shqiptarë! / Turk e kaur s’asht veç mikrob i anmiqësisë”. Ka ndër ta edhe shkrimtarë që i kërkojnë pikat e takimit midis feve të ndryshme dhe që arsyetojnë rreth tyre si Çajupi, i cili pohonte: “Të krishtenë e muslimanë/Të gjithë një perendi kanë”.

Se sa i përkushtuar dhe i vëmendshëm u tregua mendimi i Rilindjes ndaj këtij problemi, sadoqë me traditë por edhe delikat për mendimin konservator dhe fanatik, e dëshmojnë edhe arsyetimet historike të mendimtarëve iluministë dhe humanistë të kësaj epoke. Në veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, Sami Frashëri do të shprehej se ndryshe nga shumë popuj të Evropës, shqiptarët nuk kanë njohur në historinë e tyre, lufterat vëllavrasëse për shkak të fesë së tyre. Ai edhe në vizionin për Shqipërinë e nesërme të lirë dhe evropiane me të drejtë do të projektonte më shumë se një shekull më parë një shtet laik jo fetar. Për këtë Sami Frashëri shkruante: “Por këto ndarje të besës nuk sjellin ndonjë çqim a çarje në mes të shqiptarëve. Grindat e besës të cilat jo vetëm në vendet e Lindjes por edhe në Evropë e në vende të ndritura me qytetëri kanë nxjerrë vrasje të mëdha e të tmerruara, në Shqipëri këto grinda dhe kurrë në këtë vend s’ka ngjarë gjë në mes të myslimanëve e të krishterëve, në mes të katolikëve e të orthodoxvet, a në mes të synive a të bektashinjvet. Shqiptari është shqiptar përpara se të jetë mysliman a i krishterë… Besa s’ka ndruar fare as dhe kurrë se ve gjithnje kombërinë përpara besës.” Ndërsa Faik Konica do të pohonte se “Shqiptarët nga natyra janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka patur luftëra fetare.” Filip Shiroka, është i njohur në historinë tonë kulturore e letrare për modelin e karakterit që e dallonte, ku shfaqej dukshëm pajtimi dhe jo ndarja, afirmimi dhe jo përjashtimi. Ai mbeti deri në fund të jetës një nga mbështetësit e Anton Zako Çajupit në shoqërinë “Vëllazëria” të Misirit, pati miqësi dhe letërkëmbim me Sotir Kolene; por tërheq më tepër vëmendjen një letër që i dërgon nga Misiri në emër të shoqërisë “Vëllazëria” hartuesve të një memorandumi, që i binte ndesh qeverisë së Tiranës në fillimet e saj, të sapodalë nga Kongresi i Lushnjës. Në letrën në fjalë ai thekson: “Nuk mendohen se Shqipëria s’është as e të krishterëve as e myslimanëve, por është e shqiptarëve, se të tërë jemi a janë bijtë e një Nëneje?” 

Për këtë problem do të shkruante edhe dijetari Eqrem Çabej. Sado që në fillim të veprës së tij shkencore në fund të viteve 30 do të arrinte në përfundime të përgjithshme me interes për disa disiplina njëherësh. Ai shkruante: “Përsa i përket ndarjes konfesionale të Shqipërisë në shumë besime, kjo këtu nuk ka qenë aq ndarëse e thellë si gjetkë. Vërtet se Shqipëria është vendi ku grindjet fetare midis kishave të Perëndimit e të Lindjes janë zhvilluar më së ashpërmi. Megjithë këto, njësia e kombit në themel nuk u shkatërrua. Ekzistenca e shumë zakoneve të përbashkëta parakrishtere e krishterë të të gjitha shtresave e popullit dhe në të gjitha krahinat ka ndihmuar pa ditur, ruajtjen e kësaj njësie. Ndërgjegjja e fisit dhe ndjenja nacionale kanë qenë gjithnjë anë të forta. Ky fakt i njohur nga shkenca duhet marrë parasysh kur studiohet historia shqiptare. Ky edhe u ka vërtetuar gjatë saj shpesh herë, në mënyrë që në çaste vendimtare interesat e veçanta konfesionale u lanë mënjanë para interesash të përbashkëta kombëtare.”

Edhe pse nuk dëshiron të flasë për problemin e përhapjes së feve në Shqipëri apo për pikat e takimit në mes tyre nga pikëpamja mistike, Ernest Koliqi do të shprehet: “… në jetën e popullit shqiptar Islami dhe Krishterimi jo vetëm kanë gjetë vetvetiu një modus vivendi të mrekullueshëm, gjë që provon natyrën liberale të fisit, por në Shqipëri, pa ndërhymjen e përfaqësuesve zyrtarë të të dy feve, ndodhin fenomene harmonizimi të cilat, me sa kam marrë vesh, asht e vështirë të ndodhin tjetërkund…” Është e njohur shumë kënga popullore e Kupe Danes që mbron nderin e një gruaje të krishterë. Është folur për faktin se Fishta këndon në veprën e tij monumentale me të njëjtin frymëzim dhe ndjeshmëri trimërinë e Marash Ucit apo Oso Kukës. Por kjo dukuri vjen aq e dendur ndërmjet letërsisë së traditës. Veprat e Nikajt, Gramenos, Postolit, Koliqit, Kutelit, L. Thaçit etj., japin shembuj të pafund kuptimplotë.

Në romanin e parë shqiptar të botuar frëngjisht në Paris më 1890 me titullin “Bardha e Temalit” ose “Skena të jetës shqiptare”, Pashko Vasa ka përfshirë edhe një skenë shumë me interes, që shpreh mirëkuptim, mirëbesim dhe bashkëveprim midis besimtarëve të feve të ndryshme. Ky bashkëveprim kulmon në skenën kur Aradi, një prej personazheve të romanit, i ndjekur dhe i rrezikuar për jetën, gjen shpëtim në shtratin e një lehone myslimane. Po aq interesant është edhe fiksioni letrar që ofron një roman i viteve ’40 i botuar nga Luigj Thaçi me titullin “Miqtë e Vezirit” që ka në qendër fisnikërinë dhe bujarinë e Mahmut Pashë Bushatit që njihet për politikat e urta në afrimin dhe trajtimin e barabartë të të gjitha besimeve për mbrojtjen që u ka dhënë besimtarëve katolikë, etj. Fiksioni letrar në këtë roman mbështetet në marrjen në mbrojtje nga ana e Vezirit të Shkodrës të dashurisë së lirë të dy të dashuruarve të besimit kristian. Autori Thaçi i vendos ngjarjet sa në Bushat, sa në Shkodër në fund të shekullit 18 ose më 1794. Duke lexuar romanin e Luigj Thaçit të botuar në vitet ’40, kur Shqipëria ndodhej në udhëkryq të shkaktuar nga Lufta e Dytë Botërore, nuk ka si të mos dallosh modelimin e udhëheqësit në ato kohë të trazuara dhe leximin aktual të tij.

Me interes është trajtimi ne fillim te shekullit XX te lidhjeve dashurore mes individeve te feve te ndryshme ne romanin “Per mbrojtjen e Atdheut”(1909) te Foqion Postolit qe prek raste me sa duket te ndodhura ne realitetin shqiptar. Edhe një roman i lënë dorëshkrim vite me vone nga Qemal Draçini, të cilit ia ndërprenë dhunshëm jetën, me titullin “Rrugash” tregon dashurinë e Gjergjit e të Hanës që vinin nga besime të ndryshme fetare. Autori Qemal Draçini, që shquhet për shpirtin e mendimin e hapur e tolerant, ka guximin ta trajtojë këtë dukuri nga me delikatet në letërsinë e traditës. Edhe pse e pamundur të përfshihet në një shkrim kjo temë në të gjithë shtrirjen e saj, tërheq jashtë mase edhe një tjetër shprehje e dialogut ndërfetar nga personalitete të njohura që më shumë dhe për shumë arsye do të ndodhte në qytetin e Shkodrës, i veçantë në të gjithë hapësirën shqiptare, jo vetëm për kontrastet e feve të ndryshme, por në të njëjtën kohë edhe për bashkëveprimin e ndërsjellët midis tyre, falë kulturës qytetëruese që ofron tradita e këtij qyteti. Le t’u referohemi disa fakteve që na duken me interes dhe që kanë protagonistë personalitete të lëna në harresë ose të mohuar aq vite. Së pari mendojmë se paraqet interes fakti që ofron jetëshkrimi i martirit të demokracisë Qemal Darçinit, lidhja dhe nderimi i ndërsjelltë që pati me Atë Gjergj Fishtën. Enver Dracini, vëllai dhe biografi i Qemalit, shkruan: “… kur vdiq Fishta më 1940 e përcolli me lule në dorë dhe pikëllim në shpirt, sepse e deshti pa hile, por edhe poeti kombëtar sa qe gjallë e ngrohu me miqësinë e tij. Kur ia patën prezantuar poetit të madh, ai pat shpërthyer me gaz të njimendtë “Por ti qenke Malseni, a?” E kishte njohë Malsenin si pseudonim, ndërsa tash po e shifte para vetes, Malsenin vetë dorën vetë një djalosh 16 vjeçar. Poeti në shenjë simpatie i dhuroi Lahutën e Malcisë, në faqen e parë të cilës vuni “P.T. Malsenit, sa të kesh hapin matë vrapin At Gjergj Fishta OFM”. Të duket sikur ati i urtë ia pat frikën vrullit marramendës të pasionit të djaloshit për dritë. Me këtë rast dëshmon biografi, duhet të përmendim edhe një detaj interesant. Poeti i madh duhet të jetë befasuar kaq shumë nga intelekti premtues i Malsenit, ashtu dhe nga siguria dhe temperamenti i tij, sa që i pat propozuar detyrën e sekretarit të tij privat simbas ditarit të Qemalit shkruar italisht më 1940.”

Modelin e dialogut nderfetar na e shfaq edhe Hamid Gjylbegaj qe kishte mbaruar studimet e ne Stamboll. Ai do té dallohej per shpirtin tolerant e jo konformist ne te gjitha kohérat. Vepra e tij eshte deshmi e mirékuptimit dhe dialogut midis feve ndryshme. Nder personalitete qe njeh e nderon eshte ajo e meshtarit patriot, gjurmuesit dhe shkrimtarit Ate Shtjefen Gjecovit, vrare mizorisht nga qarqet serbe. Hamid Gjylbegaj i kushton Gjecovit librin e tij “Fleta e jetes — Pasqyra e se vertetes”. Libri hapet me prozen kushtuese “Pikellim” Gjylbegaj qe qe ¢muar ngrohtesisht nga Gjecovi duke u quajtur “Kont i drandofilleve” derdh lot dhimbjeje qe i dalin nga thellesia e shpirtit. “Vertet, shkruan Gjylbegaj, barbaret te vrane, ¢’ka vec virtytet s’ti shdukne, qe po flasin veprat e tua te madhnueshme “Agimi i qytetnise” e “Kanuni i Leké Dukagjinit” te cilin me aq kujdes e mblodhe tash nder gjire te motve te pavdekshme hini. E di se ti nevoje per mue nuk ke, por une per ty, sepse tue derdhe lot mbi varrin tand te paharrueshém shfrej e ngushullohem”. Eshte folur dhe eshte shkruar per ndihmesen qe i dha Hamid Gjylbegaj misionarit dhe albanologut italian Cordignano ne hartimin e fjalorit te tij te njohur. Njihet mendimi vleresues qe kishte Cordignano per Hamid Gjylbegajn, pavaresisht se te dy polemizuan duke ruajtur secili bindjet e veta, por gjithnje me nje respekt e frymë të ndërsjelltë të bashkëpunimit. Atë Gjon Fausti, i ftuar për të dhënë mendime në revistën “Leka” për librin e Cordignanos botuar më 1932 në Shkodër, me titull “Një tjetër filozofi a fe islame. Ç’ka don Hamid Gjylbegaj? Ç’ka thotë një meshtar katolik”, do ta mbyllte recensionin e tij me këto fjalë: “Përgjithsisht asht për t’u lavdrue ky hap tjetër që po bahet për me ia mbrrijtë një marrëveshjes ma të kthjellët nepërmjet ndjekësave të dy besimeve”. Në veprat e tij Hamid Gjylbegaj ka përfshirë edhe poezi kushtuar personaliteteve me të cilët e lidhte një miqësi dhe respekt i ndërsjelltë, si: Atë Fishta, Dom Ndre Mjeda, Imzot Prendushi, si dhe urime me rastin e zgjedhjes së tyre në hierakinë kishtare, urim për Pashkët si dhe kushtime të tjera, të cilat jo pa kuptim dhe me dinjitet, ai i ka përfshirë në botimin e veprave të tij. Me vargje të përzemërta ai uron për emërimin arqipeshkëv Imzot Gaspër Thaçin dhe Imzot Vincens Prendushin: “Zyra e naltë/Detyra e vështirë/n’ veprim iu daltë/me sukses të mirë”. Tek Dom Ndre Mjeda Gjylbegaj çmon personalitetin e shumanshëm të shkrimtarit. Poezia “Flija e detyrueshme” i kushtohet shkrimtarit “fort të vlefshëm”, “të përshndritshmit” siç e cilëson atë Gjylbegaj. Plot ndjesi dhe hir është poezia që Gjylbegaj i kushton “fytyrës fort të dashtun të këtij dheut, të përshndritshmit Atë Vincens Prendushi”, i cili “nëpër kopshije të dijes, nëpër magje të urtësisë mblodhi gjethe e lule”. Por ndër shkrimet e tij ndrit “Kunora e lumnisë”, që Gjylbegaj i kushton Atë Gjergj Fishtës me rastin e 60-vjetorit të lindjes. Me Fishtën nuk e lidhte vetëm miqësia e ngushtë por edhe adhurimi i stërmadh për mjeshtrin e urtë. Gjergj Fishtës ne këtë përvjetor iu kushtuan shumë shkrime, ndër to do të përmendja një penë brilante të lënë aq gjatë në harresë si Dom Lazër Shantoja që i dërgoi Fishtës një letër uruese, e cila mbeti e panjohur dhe u botua kur as Fishta as Shantoja nuk jetonin më. Ka në këtë letër të dhëna me vlerë dhe kujtime të shprehura mrekullisht bukur e pastërtisht shqip.  E parë në këtë kontekst edhe poezia e Hamid Gjylbegajt është e buruar nga thellësia e ndjenjave. Le të shkëpusim një strofë: “E vërteta ma e plotë/Bukuria e pambarueme/Dashtunija ndaj te në botë/Hije dritet e amshueme”. Se ç’efekt pati poezia e dëshmon shkrimi i botuar në Gazetën shqiptare të Barit më 1932 nën titullin “Manifestat e Shkodrës” ku shkruhej “Vjersha kunora e lumnisë që Zotnía e tij Hamid Gjylbegaj pati mendimin e bukur me ia kushtue Atë Fishtës ka bâ përshtypjen ma të thellë për naltësi mendimesh, shprehje fjalësh, si dhe për metrikë të plotë. Atë Fishta ia shprehi falënderjet e tij e i thekun në zemër i shtrëngoi dorën Z. Hamid Gjylbegajt tuj dashtë me ia dëshmue haptas se ishte i prekun për këtë vjershë” Hamid Gjylbegaj çmon edhe përkthimin shqip të Biblës nga Konstandin Kristoforidhi për të cilin thekson: “Është një e vërtetë e pamohueshme se vepra kryesore e të ndjerit Zotni Kristoforidhi s’duhet harrue kurr sa të jetë hanë e diell”.

Në të mirë të argumentit tonë është pothuajse e pamundur të mos flasësh për një personalitet si Ernest Koliqi që me veprat e tij studimore shkencore e letrare, por sidomos me tekstin dy vëllimesh “Shkrimtarë shqiptarë” me serinë e botimeve “Studime shqiptare” me “Shkëndijën” që ai drejtoi në Tiranë dhe me të përkohshmen kulturore shoqërore artistike “Shejzat” që nxori në Romë për 18 vjet rresht (1957–1975) me rreth të 5000 faqet e saj ai u dha vend shkrimtarëve dhe përfaqësuesve të të gjitha besimeve. Ndërmjet aq shumë lëndë që ofron vepra e tij shumёdimensionale do të përmend një moment shumë interesant nga vepra e këtij personaliteti të spikatur të kulturës shqiptare. I ftuar nga profesariati spanjoll ne vitin 1959 ai mban një konferencë në italisht, të cilën do ta botojë më pas tek Shejzat. Konferenca kishte si titull “Islami dhe krishtërimi në letërsinë shqipe”. Që në zgjedhjen e temës bie në sy kultura dhe vizioni i studiuesit. Ai është i pari që e trajton këtë problem në planin historiografik letrar dhe së dyti vlerat e këtij punimi mund të kuptohen po të kesh parasysh se ajo mbahet në Spanjë në një vend, ku, si në Shqipëri, ndër shekuj janë takuar krishtërimi dhe islami, kulturat e qytetërimet që ato përfaqësojnë. Këtë punim Koliqi jo rastësisht e fillon duke marrë në konsideratë shkrimtarë si Jeronim de Rada, Naim Frashëri, Fishta e Çajupi që në fakt përfaqësojnë të gjitha besimet e shqiptarëve edhe ortodoksinë unite që njohu autoritetin e Selisë së Shenjtë. Në këtë punim të mbajtur mbi 50 vite më parë Koliqi vë theksin në bashkëjetesën e mrekullueshme dhe në harmoninë e shqiptarëve të besimeve të ndryshme.Për të vërtetuar këtë argument, se sa i qëndrueshëm dhe i vjetër është ky fenomen, ai kujton të drejtën e maleve që është ligjëruar në kanun. Para kanunit të gjithë njerëzit, pavarësisht nga besimi, janë të barabartë dhe se me nenet e tij përligji tolerancën fetare.Shembuj të mirëkuptimit dhe dialogut ndërfetar Koliqi gjen në rastet kur fise të krishtera udhëhiqen nga prijës muhamedanë. Ai përmend edhe rastin e Kupe Danes. Duke shquar mitin e gjakut dhe të gjuhës së përbashkët që ia kalon çdo ndjenje tjetër Koliqi arrin në përfundimin: “Populli shqiptar, qysh prej ditëve ma të zymta të tiranisë aziatike, i nxitun prej instiktit të vetruajtjes që e shtynte drejt harmonisë kombëtare, pririje e natyrshme e lindun në shpirtin e tij dhe e gjallnueme prej urtisë shumë njerëzore që pohon prej poezisë popullore, kishte gjetë mënyra të veçanta përshtatjeje e baza të veçanta bashkëjetese, pa ndeshje të Krishterimit me Islamin. Sot janë të shumta vendet ku, të lindun prej së njëjtës zanafillë race, bashkëjetojnë në harmoni të krishterë e myslimanë. Njena nga dëshmitë më të bukura të kësaj harmonie e pshtetun mbi një frymë të gjerë mirëkuptimi të anasjelltë; asht bashkëjetesa vëllaznore e myslimanëvet dhe e të krishtenëvet në Shqipni, shembull i dobishëm për botën mesdhetare, djep i sa feve e i sa qytetnimeve…” Duke ngritur lart kultin e bashkimit kombëtar e vëllazërimit të të gjithë shqiptarëve ai sjell si shembull veprën e Fishtës që pa rezerva e komplekse e me shumë patos u këndon heronjve të besimeve të ndryshme. Në këtë shkrim si dhe në të tjerë Koliqi do t’i mëshonte fort argumentit të tij të preferuar se populli shqiptar lëshoi rrënjë para mijëra vjetësh në një truall ku u ndeshën fe, kultura dhe qytetërime të ndryshme, por ai ruajti thuajse të paprekura tiparet themelore si komb. Takimi i feve, i kulturave dhe i qytetërimeve, me ndërthurjen e ndikimeve perëndimore e lindore në ide, përfytyrime e trajta të letërsisë shqiptare, sadoqë në përpjesëtime të vogla në tërësinë e saj, e bëjnë letërsinë shqipe një ndër letërsitë më interesante të periferisë evropiane. Pasi ka shqyrtuar shembuj nga Naimi, Fishta e të tjerë Koliqi vëren në përfundim për letërsinë e kultivuar: “Besoj se kurrgja nuk mund ta shfaqë ma mirë bashkimin e posaçëm tek i cili Islami dhe Krishterimi mbërrijnë pa u kujtue në shpirtin e përbashkët shqiptar në fushën e letërsisë që pasqyron konceptet e ndjenjat e tij themelore. Islami dhe Krishterimi në pak vende të tjera jetojnë krah për krah si në Shqipni,letërsia e së cilës dhe për këtë arsye, shtriu krahët për me përfshi shpirtna e trajta të lindjes dhe të perëndimit”. Si përfundim do të theksonim se prania e disa feve e ka pasuruar letërsinë shqiptare në çdo anë, dialogu midis tyre e ka gjallëruar dhe ripërtërirë këtë pasuri të letërsisë shqiptare që nga fillimet e saj. Kjo e bën të papërsëritshëm fenomenin shqiptar, model të shoqërive shumëfetare të së ardhmes dhe letërsinë shqiptare të traditës gjithnjë aktuale në prirjet e saj historike kombëtare.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 234
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kinematografia e Kosovës shkëlqen në Nju Jork
  • NGA UNITETI I ALFABETIT TE UNITETI I VIZIONIT
  • “Dyqani i helmeve”, një parabolë groteske mbi zbrazëtinë ekzistenciale
  • Rinia në shesh, intelektualët në dilemë dhe përgjegjësia morale e një kombi
  • LASGUSH PORADECI – POEZIA SI PIKTURË
  • Alfabeti dhe kokat e mendjes shqiptare
  • AT GJERGJ FISHTA DHE KONGRESI I ALFABETIT – KUR SHKRONJAT U BËNË BESË, GJUHË DHE BASHKIM KOMBËTAR
  • VOTUESIT AMERIKANË FOLËN — DEMOKRACIA KA NEVOJË PËR EKUILIBËR DHE KONTROLL TË PUSHTETEVE
  • PARIMI I NACIONALIZMIT SHQIPTAR
  • Shkrimtari dhe ndjenja e detyrimit moral ndaj shoqërisë
  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Jim Xhema, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Kongresi i Manastirit
  • “MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Krimet serbe në Kosovë në dokumentet e Arkivit Presidencial të Bill Clintonit
  • Mbrojtja e krerëve të UÇK-së si çështje e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit kombëtar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT