-Marrëveshja vendos kufirin elektrik mes Kosovës dhe Serbisë dhe i jep fund ndërhyrjeve të Serbisë në sistemin e transmisionit të Kosovës/
Kosovë, Kuvendi bllokohet nga opozita edhe në vazhdimin e seancës së ndërprerë
-Opozita: Shumë të vendosur ta bllokojmë punën e Kuvendit derisa të tërheqet nënshkrimi për ‘Zajednicën’ (Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë)/
-Opozita e bashkuar ka organizuar edhe një petecion, ndërsa ka bërë të ditur se deri tash janë mbledhur më shumë se 100 mijë firma dhe vazhdohet me nënshkrimet në Kosovë dhe në diasporë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 1 Tetor 2015/Vazhdimi sot i seancës së Kuvendit të Kosovës, të parës të sesionit vjeshtor, të nisur e ndërprerë në 17 shtator, është rindërprerë, nuk vijon, dhe sipas opozitës nuk do të mund të ketë as nesër sencë të re, e cila është në axhendën e përcaktuar më herët nga Kryesia me shefat e grupeve parlamentare, pa praninë e përfaqësuesve të opozitës.
Kuvendi i Kosovës kishte në axhendë sot shqyrtimin e pikave të papërfunduara në seancën e 17 shtatorit, ndërsa nesër në seancë të re ka në rend dite të shqyrtohen kryesisht projektligje. Kështu ishte paralajmëruar në axhendën zyrtare, por vazhdimin e seancës së ndërprerë në 17 shtator përsëri sot e bllokoi protesta e opozitës së bashkuar me “rrethimin” te foltorja dhe te kryetari i Kuvendit të Kosovës.
Në pamundësi të zhvillimeve të punimeve të seancës, kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dha gjysëm ore pushim.
Përkundër bllokimit nga opozita me 31 deputetë në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, Veseli tha se, “sa të jem unë kryetar i Kuvendit në këtë sallë nuk do të hyjë sigurimi në asnjë moment”, ndërsa kërkoi që të mundësohet debati dhe mikrofonin e kryesuesit ia afroi kryetarit të grupit parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca që të shprehte qëndrimin e opozitës së bashkuar.
Sipas Konjufcës, “në 25 gusht Isa Mustafa e ka nënshkruar në Bruksel t’ia japë Serbisë 30 për qind të territorit të Kosovë”, ndërsa shtoi se “askush nuk ka mandat për këtë, të dëmtojë sovranitetin e shtetit tonë”.
“Për këtë arsye, opozita është shumë e vendosur ta bllokojë punën e Kuvendit derisa Isa Mustafa të vijë këtu dhe të tërheqë nënshkrimin për ‘Zajednicën’ (Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë)”, u shpreh Konjufca, i LVV-së.
Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se, “ne asnjëhërë të vetme nuk kemi qenë kundër debatit, kemi qenë dhe jemi për debat për t’i ngritur e diskutuar të gjitha cështjet bashkërisht”.
Por, vijoi ai, “kjo që po ndodhë nga kolegët e nderuar të opozitës është një mohim i të drejtës së deputetit”.
“Pakica po e pengon shumicën. Parlamenti i Kosovës i ka 120 deputetë dhe duhet t’u lejohet mundësia të gjithëve të paraqesin qëndrimet e shqetësimet e tyre, dhe së fundi e marrim një qëndrim të përbashkët ashtu si na takon si institucion vendimmarrës. Dhe, kurrësesi të bëhen përpjekje që në mënyrë të dhunëshme t’i dëmtojmë interesat e vendit, të shtetit tonë”, tha Grabovci.
“Prandaj, kërkoj që të ndërpritet seanca dhe të thirret mbledhja e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare për të marrë një qëndrim të përbashkët, të bëhet përpjekje për të gjetë gjuhë të përbashkët për të zhbllokuar jetën institucionale, Kuvendin e shtetin e Kosovë”, tha shefi i grupit parlamentar të PDK-së, partisë më të madhe të koalicionit qeverisës.
Ndërsa, nga grupi parlamentar i partisë së dytë të koalicionit qeverisës, LDK-së, Arben Gashi, duke iu drejtuar kryeparlamentarit Vesli tha se e vlerëson vullnetin e tij, por shtoi se “është e papranueshme që deputeti të flasë prej mikrofonit të kryetarit të Kuvendit”, sic foli shefi i grupit parlamentar të LVV-së.
“Duhet të krijohen kushtet që Kuvendi të vazhdojë punimet”, shprehu qëndrimin e grupit parlamentar të LDK-së deputeti Gashi.
Grupi parlamentar i Listës Serbe dhe i ai i komuniteteve tjera pakicë Gjashtë Plus nuk u deklaruan. Pauza e dhënë ende po vazhdon edhe pas kalimit të gjysëm ore.
Në përgatitjet për seancat plenare, në axhendën e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare ishte edhe “pika e papërfunduar nga seanca lenare më 22 shtator 2015: Raportimi i qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me Marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015”, por u vendos që të mos jetë në rendin e ditës sot as nesër.
Raportimi për katër marrëveshjet e Kosovë-Serbi në Bruksel ishin në axhendë edhe në seancat e 17 e 22 shtatorit, të cilat u ndërprenë nga protestimet e deputetëve të opozitës. Në seancën e parë nuk ishin të pranishëm raportuesit dhe koalicioni qeverisës kërkoi shtyrje, ndërsa në të të dytën që u shpall e mbyllur pas disa ndërprerjeve e pa u zhvilluar pati edhe gjuajtje vezësh nga opozita drejt kryeministrit sapo ai nisi raportimin.
Para seancave plenare sot dhe nesër, opozita e bashkuar nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, ndërsa ka paralajmëruar se do ta pamundësojë funksionimin normal të Kuvendit të Kosovës deri në tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshjet e 25 gushtit me Serbinë dhe nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.
Në kundërshtim të këtyre marrëveshjeve, opozita e bashkuar ka organizuar edhe një petecion, ndërsa ka bërë të ditur se deri tash janë mbledhur më shumë se 100 mijë firma dhe vazhdohet me nënshkrimet në Kosovë dhe në diasporë.
Kryeministri Rama publikon foton me Presidentin Obama
Kryeministri Rama së bashku me bashkëshorten e tij, Linda Rama, kanë bërë një fotografi me presidentin Obama dhe Michelle Obama, Zonjën e Parë.
Michelle Obama ka veshur një fustan të zi me lule blu, ndërsa Linda një fustan të kuq.
Fotografia është hedhur në faqen e Facebook-ut të Kryeministri tonë, të cilën e ka cilësuar “Photo of the Day”. Kryeministri Rama ndodhet në Nju Jork për punimet e samitit të OKB.
Ilir Metën nuk e shqetësojnë intrigat mocalore
*Meta:Origjina ime malore, nuk më shqetëson asnjë intrigë mocalore/
*Takon Nishanin dhe Idrizin/A po përgatitet dorëheqja e Kryeparlamentarit?/
“Me qetësi dhe dashuri po ju them që origjina ime e fortë malore nuk më shqetëson në asnjë lloj intrige moçalore”. Kjo është përgjigjia që Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, njëkohësisht edhe Kryetar i LSI-së ka bërë për mediat pas takimeve që ka zhvilluar me Presidentin Bujar Nishani dhe Kreun e PDIU-së Shpëtim Idrizi. Meta tha se mbështet kërkesën e bërë në Kuvend nga ish-Kryeministri Sali Berisha për një hetim ndërkombëtar në lidhje me cështjen CEZ, ndërsa shtoi se Lulzim Basha nuk kërkon hetim ndërkombëtar.
Takon Nishanin dhe Idrizin/A po përgatitet dorëheqja e Kryeparlamentarit?
Në kulmin e akuzave si të përfshirë në aferën me CEZ, dhe pas një letre të Kryetarit të Komisionit parlamentar të Sigurisë Spartak Braho drejtuar krerëve të shtetit mbi atë që Braho i cilëson akuzat ndaj Ilir Metës si skenar destabilizues për vendin, Kryetari i Kuvendit ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me Presidentin Bujar Nishani dhe kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Një burim nga parlamenti tha për Bota Sot se kryetari i Kuvendit po përgatitet dorëheqjen nga posti nr 2 i shtetit për ti hapur rrugën hetimeve mbi akuzat që i janë drejtuar. Por gjithashtu, mësohet se Meta po përgatitet për krijimin e një poli politik, ku do të përfshijë mesa duket edhe PDIU-në, duke synuar në këtë mënyrë shtimin e peshës në Kuvend. Fillimisht Meta ka takuar Presidentin dhe më pas ka zhvilluar një tjetër takim kokë më kokë me Nënkryetarin e Parlamentit, Shpëtim Idrizi. Takimi vjen në një kohë kur Meta është vendosur nën akuza të forta për aferën e mbledhjes së borxheve të CEZ, por edhe kur janë shtuar zërat për një qeverisje PD-PS, duke lënë jashtë LSI-së, parti e cila ka rreth 20 deputetë në Kuvend. Një ditë më parë, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi, ka thënë në një emission televiziv se beson që do të ketë zgjedhje të parakohshme.
Shtëpia Muze e Kadaresë, gati në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit
Këshilli Bashkiak i qytetit të Gjirokastrës, miratoi kthimin në Shtëpi Muze të Shtëpisë së lindjes së shkrimtarit të shquar Ismail Kadare.
Në lajmin që bën me dije Ministria e Kulturës, sqarohet se shtëpia e shkrimtarit të njohur është gati në përfundim të restaurimit të saj të plotë, pas djegies nga një zjarr aksidental në vitit 1999.
Sakaq, autoritetet synojnë që shtëpia të hapet si muze më 28 janar të vitit të ardhshëm, datë që përkon me tetëdhjetëvjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë. Nga ana tjetër Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Gjirokastrës do të administrojnë vlerat karakteristike dhe muzeale të shtëpisë , e cila pritet të vizitohen nga mijëra turistë vendas dhe të huaj.
Ismail Kadare është shkrimtari më i njohur shqiptar i përkthyer sot në botë në rreth 50 gjuhë. Ai është nominuar disa herë për çmimin NOBEL të Letërsisë.
Në vitin 1994 vetë Ismail Kadare e vuri shtëpinë e tij të lindjes në Gjirokastër në shërbim të qytetit përmes një letre publike drejtuar Kryetarit të atëhershëm të Bashkisë Bashkim Fino.
- « Previous Page
- 1
- …
- 402
- 403
- 404
- 405
- 406
- …
- 490
- Next Page »