• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EDHE FILADELFIA KUQ E ZI

December 6, 2014 by dgreca

Prezantimi i parë për këtë eveniment u bë nëpërmjet një reklame të madhe elektronike që kompania energjitike “PECO” bën në majën e ndërtesës së saj të lartë, në qendër të qytetit, ku për tre net rresht u shfaq urimi ” Happy Indipendence Day of Albania”/
Nga Tajar Domi */Filadelfia?
Për disa ditë me radhë ambjentet dhe shtëpitë e komunitetit shqiptar në Filadelfia ishin jo si zakonisht; Flamuj Kuq e Zi, portrete e postera për ditën e Flamurit i shihje jo vetëm nëpër kafenet e restorantet shqiptare, në makinat e tyre, por edhe në ambjente të tjera amerikane si në “Dankin’Donuts café”, etj. ku shqiptarët çlodhen e bisedojnë më shpesh. Gëzimin e lexoje në fytyrën e çdo njerit. Si çdo vit edhe këtë radhë, Shoqata Atdhetare – Kulturore “Bijtë e Shqipes”, kishte kohë që kishte filluar përgatitjet për të shpalosur me krenari ditën e Flamurit, 102 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Prezantimi i parë për këtë eveniment u bë nëpërmjet një reklame të madhe elektronike që kompania energjitike “PECO” bën në majën e ndërtesës së saj të lartë, në qendër të qytetit, ku për tre net rresht u shfaq urimi ” Happy Indipendence Day of Albania”, nga e cila, secili bashkëkombas e ndjente veten krenar, dhe nga brenda vlonte dashuria për Atdheun, për Shqipërinë.
Në këtë atmosferë festive, erdhi 28 Nëntori i këtij viti, i cili do t’i gjente shqiptarët këtu, me Flamuj Shqiptar e Amerikan në duar, në sheshin pranë bashkisë së qytetit, ku për të tretin vit rresht ngrihet lart solemnisht Flamuri ynë dhe do të qëndrojë aty krahas atij amerikan për pesë ditë. Kënga dhe vallja shqiptare mbushën sheshin, ku pas një grupi nxënësish të shkollave të mesme, rrethi i valles zgjerohet me të gjithë pjesëmarrësit. Më pas Himni Amerikan, e menjëherë pas tij i vjen radha Himnit tonë Kombëtar dhe Flamuri i madh Shqiptar i porositur dhe dhuruar enkas për këtë ngjarje nga bisnesmeni Fredi Xhema, filloi të ngjitet në shtyllën e lartë të sheshit nën kujdesin e Zana Vangjelit dhe dy vajzave të veshura me kostumin tonë kombëtar Orela Suku dhe Jonida Pajollari. Tashmë dy flamujt, të dy kombeve miq, valviten përkrah njëri-tjetrit. Pas kësaj e mori fjalën z. Tajar Domi, kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, që në emër të Këshillit Drejtues të saj, përshëndeti pjesëmarrësit. Midis të tjerave ai tha: “Jemi mbledhur sot në këtë shesh të qytetit të Filadelfias, shumë larg Atdheut tonë të dashur, për të vazhduar traditën e festimit të ditës së Flamurit, të 102 Vjetorit të shpalljes së Shqipërisë Shtet i Pavarur. Festojmë kështu brez pas brezi këtë ditë të simbolit tonë, të Flamurit. Ai është kuq e zi; ai është historia e një kombi të coptuar e të masakruar, por kurrë të shuar; histori lufte dhe sakrificash , burrash, trimash, që e kanë bërë vdekjen si me le. … Derisa vijmë tek 28 Nëntori 1912 kur 40 burra të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, të udhehequr me mençuri nga atdhetari dhe burri i lartë i kombit Ismail Qemali, shpallën Shqipërinë të lirë dhe të mosvarme, dhe me firmat e tyre nënshkruan historinë. Figura të tilla si Luigj Gurakuqi, Dom N. Kacorri, Bab D. Karbunara, Rexhep Mitrovica, Haxhi V. Dibra, Murat Toptani, Lef Nosi, Mithat Frashëri e të tjerë, populli i përjetësoi në këngë, në libra, i ngjiti në piedestal veprimtaritë e tyre, krenohet me to dhe nuk i harron kurrë”. Më tej z. Domi vazhdoi: “Mirënjohje për SHBA, shtetin më të fuqishëm të botës, për çfarë ka bërë dhe bën për shqiptarët, pasi do të ishte presidenti Willson ai që në vitin 1919 do t’u vinte fre kryqëzatës për coptimin e Shqipërise, ashtu si 80 vite më vonë presidentet Bush dhe Clinton do të udhëhiqnin përpjekjet e NATO-s për t’i dhënë lirinë gjysmës tjetër të kombit, Kosovës. Ky përvjetor i ditës së Flamurit, tha Ai, përkon me 70 Vjetorin e Çlirimit të Atdheut, ku Shqipëria duke luftuar për mbrojtjen dhe çlirimin e vendit, u rreshtua në krah të SHBA, Anglisë e BS, dhe mijëra luftetarë, djem e vajza, ranë në fushën e betejës, duke u bërë të pavdekshëm në altarin e lirisë së kombit”.

Sot, 102 vite më vonë nga shpallja e Pavarësisë, ne jetojmë në një realitet tjetër. “ShBA-të janë krenarë që e kanë Shqipërinë si aleate, mike dhe partnere të ngushtë. Ajo është një partnere e palëkundur dhe kontribuese për sigurinë globale”- thotë presidenti Barack Obama-, në përshëndetjen që i dërgoi popullit shqiptar në këtë përvjetor. Edhe në këtë realitet të ri, sfida jonë e përhershme, këtu dhe kudo, është bashkimi. Të bashkohemi me moton: ” Bashkë jemi më shumë, së bashku mund të bëjmë më shumë”. Le të qëndrojmë së bashku për të mirën tonë, të fëmijve tanë, për të ruajtur gjuhën tonë, historinë, kulturën dhe traditat tona. Pas përshëndetjes, sheshin, të dekoruar që më parë nga Haki Çollaku, Llazar Vero, Sadik Elshani e Bashkim Bërdufi, e pushton përsëri kënga dhe vallja shqiptare e përzgjedhur me mjeshtëri nga DJ. Ervin Cara, dhe për rreth dy orë të tjera, të rinj e të reja, fëmijë e të moshuar e mbajtën ndezur atdhedashurinë. Gëzimit tonë iu shtuan mjaft vizitorë të rastësishëm të cilët u bashkuan në vallet tona, ndërkohë që gostiteshin me kafe dhe ëmbëlsira nga Eldion Pajollari (State Farm Agent) i cili i kishte ofruar ato falas, për të gjithë pjesëmarrësit. Këngetarja Anila Halili me dy këngë për Atdheun dhe për Flamurin, i dha mjaft emocione publikut, i cili e duartrokiti me shumë dashuri. Më këngë në gojë e flamuj ne duar njerzit po shpërndaheshin të gëzuar dhe krenar për atë çfarë demonstruan lidhur me historinë e kulturën shqiptare, në Filadelfia, në qendër të këtij qyteti, i cili ashtu si dhe Vlora në Shqipëri, është vendi ku më 4 Korrik 1776 u shpall pavarësia e Amerikës.

Gëzimi dhe hareja e kësaj dite do të vazhdojnë të nesërmen më datën 29 Nentor tek restoranti Cannstater Volksfest-Verein, ku shoqata “Bijtë e Shqipes” ka pronotuar darkën tradicionale për mbrëmjen e Flamurit. Te ardhur si asnjë herë tjetër, jo vetëm nga Filadelfia, por mjaft miq, shokë e të afërm, edhe nga Nju Jorku, Nju Xhersi, Dolistaun etj, të gjithë së bashku mbushën sallën e madhe të këtij lokali me më shumë se 400 vende. Fytyra të qeshura, njerëz që shtrëngojnë duart, që takohen për hërë të parë dhe i urojnë njëri-tjetrit festën, do të zënë vendet e tyre në tavolinat e shtruara me hijeshi e me disa elementë kuq e zi, për të nderuar gëzimin e shqiptarëve. Me shqetësimin që u japin të tilla veprimtari organizatorëve, Bujari Gjoka, nën/kryetar i shoqatës, nuk lodhet kurrë, dhe së bashku me anëtarët e Këshillit Drejtues, Llazarin, Petritin, Ivziun, Vlashin, Zanën, Sadikun, Fridën, Dritanin, Bashkimin, etj mundohen që gjithçka të shkojë sa më mirë, çka dhe iu arrit. Nën tingujt e Himnit Amerikan dhe Shqiptar, pjesëmarrësit qëndrojnë të ngritur në këmbë dhe salla ushton shqip sërish. Pasi uron mirëseardhjen dhe gëzuar festën e Flamurit e atë të Çlirimit, të gjithë të pranishmëve, kryetari i shoqatës, ia jep fjalën znj. Frida Sulo antare e Këshillit Drejtues, e cila bëri përshëndetjen për 102 Vjetorin e Pavarësisë dhe 70 Vjetorin e Çlirimit. Pasi foli për, 28 Nëntorit 1912, ajo u përqëndrua tek bashkimi i shqiptarëve, si domosdoshmëri për ruajtjen e gjuhës e të vlerave tona. “Nëse dje, kombi u kërkoi atdhetarëve të japin jetën për Atdheun, koha sot na kërkon neve të qëndrojmë bashkë, tu mësojmë fëmijve gjuhën shqipe, historinë e traditat tona të mira e të mos i harrojmë kurrë ato”,- tha mes të tjerash znj. Frida. Dhe menjëherë, muzika i fton pjesëmarrësit në valle, pastaj këngëtarët Edi Duro e Klementina Morina si dhe instrumentistët Sokol Asllani e Shuaip Sela, nuk kanë të ndalur. Ata e mbajnë sallën të elektrizuar me këngët dhe vallet nga të gjitha trevat shqiptare, deri në fund të mbrëmjes. Kësaj larmie muzikore i shtohet edhe grupi artistic i fëmijve të shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, pranë shoqatës “Bijtë e Shqipes”, të cilët, nën drejtimin e mjeshtrit Hamdi Gjana, kënduan disa këngë që i kushtoheshin Flamurit e Çlirimit të Atdheut. Zëri i tyre i brishtë u përhap si fllad pranveror në sallë. Gjithashtu Ervin Cara me këngën e H. Gjanës “Kërkoj” si dhe Anila Halili me dy këngë popullore, morën duartrokitje të nxehta nga publiku.

I ftuar në këtë mbrëmje, ishte i pranishëm edhe senatori i shtetit të Pennsylvanisë, Mr. Anthony H. Williams, i cili mori pjesë edhe dy vjet më parë me rastin e 100 Vjetorit, dhe duke marrë fjalën, pasi uroi shqiptarët për festën e Flamurit, vlerësoi cilësitë dhe kontributin e tyre në Amerikë. Më tej ai kërkoi mbështetjen e këtij komuniteti në zgjedhjet e ardhëshme për bashkinë e qytetit, ku z. William do të garojë si kandidat i PD për Kryetar ( Major ) i kësaj bashkie, kërkesë e cila u duartrokit si shënjë e sigurimit të kësaj mbështetje, në këto votime.

Por ndërsa ndjeheshim të respektuar nga prania e senatorit me stafin e tij në këtë festë kombëtare, në anën tjetër u ndjemë të neglizhuar ( për të mos thënë më shumë) nga të dyja përfaqësitë tona diplomatike në Amerikë, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës, të cilat jo vetëm që nuk morën pjesë me asnjë përfaqësues të tyre, por nuk gjetën as kohën për t’iu përgjigjur ftesës tonë me një urim të thjeshtë në një copë letër. Nuk është vetëm ky rast që përfaqësuesit e shtetit tonë në këto ambasada, i kalojnë në heshtje njoftimet apo ftesat e shoqatës “Bijtë e Shqipes”, duke harruar ndoshta se një nga punët e tyre, është edhe vlerësimi i këtyre momenteve, sidomos kur ato organizohen nga grupime apo shoqata që kërkojnë të mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare.

Por le të kalojmë tek mbrëmja, për të cilën u ofruan shumë persona e bisnese si sponsorizues të kësaj veprimtarie, e në mes tyre përmendim Albtravel me pronar Jorgo Xhorrin, Terra Insurance Service, Laë Office of Todi Jacobs, Alexa Farmacy me pronar Josif Rrapi, Amici Restaurant në Nju Xhersej me pronar Alex Dakun, La Fontana me Rafail Kupën, Bellini Grill me Shpëtim Dakun e shumë të tjerë, të cilët i falenderojmë miqësisht. Vargjet e këngës ” Xhamadani vija-vija”, ndezin përsëri atmosferën e mbrëmjes, më këngë, valle e surpriza. Një e tillë ishte për datëlindjen e një dyvjeçari i cili u muar vesh që ishte në salllë, dhe menjëherë u ftua së bashku me të atin, të njihej nga publiku. E urojmë Elvisin e vogël me 100 të tjera. Në mes të duartrokitjeve iu dhurua nga Këshilli Drejtues i Shoqatës një çek prej 100 dollarësh.
Surprizat e kësaj mbrëmje nuk kanë të sosur. Mbrëmja vazhdon, ndërsa Dritan Matraku, nën/kryetar i shoqatës, i cili mori përsipër dhe realizoi mjaft mirë rolin e moderatorit të kësaj mbrëmje, njofton për fillimin e shitjes të biletave të llotarisë tradicionale të mbrëmjes. Së bashku me Bashkim Bërdufin e Bujar Gjokën e menaxhuan këtë proces me mjaft transparencë, deri në shpërndarjen e objekteve tek fituesit, secila me vlerë mbi 100 dollarë, të ofruara nga shoqata “Bijtë e Shqipes”, TeleAlba dhe Elidon Pajollari. Nën tingujt e vazhdueshëm të muzikës, koha iku pa u ndjerë, por edhe gezimet kanë një fund. Ndërkohë dëgjohet zëri nga organizatorët: “Ju falenderojmë shumë që ndamë së bashku kënaqësine e kësaj mbrëmje dhe gëzuar festat”. Duke u përshëndetur me njerëzit që po linin lokalin, afrohen një grup mysafirësh nga Nju Jorku : “Ju faleminderit juve që na kënaqët sonte me këtë organizim dhe muzikë të shkëlqyer, që na bëtë të ndjehemi si në Atdheun tonë. Rroftë Flamuri kuq e zi”.

*Tajar Domi
Kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”
Filadelfia, 1 Dhjetor 2014

Filed Under: Komunitet Tagged With: filadelfia, Kuq e zi, Tajar Domi

“DRITA E ARBERISË” ME 300 PJESMARRES FESTOI DITEN E FLAMURIT NE SEATTELE,WASHINGTON

December 3, 2014 by dgreca

Nga Ferhat Ymeraga/
Shqiptarët, ose shqiptaro-amerikanët në shtetin Washington, një çerek shekulli me parë, dukeshin si një specie në zhdukjë e sipër, ose si një tepër e rrallë, po papritmas u ringjallën si Fëniksi, me rënjen e Murit të Berlinit , me dyndjet emigruese shqiptare të viteve të nëntëtedhjeta, dhe me vëndosjen e shqiptarëve nga Kosova këtu, në maj të vitit 1999.
Washingtoni, i themeluar si shtet në vitin 1889, pra vetëm 23 vjet para Shpalljës së Pavarësisë së Shqiperise, tashmë ka një numër të konsiderueshem shqiptarësh, të integruar në jetën amerikane, dhe të përqëndruar kryesisht në qytetin Seattle e përreth tij.
DRITA e ARBERISË është ndër shoqatat më të reja në SHBA (e themeluar në vitin 2011, në Seattle), e cila ka për qëllim “ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e gjuhës, kulturës e traditave shqiptare, si pjësë të një trashëgimie specifike njerëzore me vlera të dëshmuara universale, jo vetëm për të mbajtur gjallë frymën e një kulture të lashtë, por njëkohësisht për të begatuar jetën e komunitetit në të cilin jetojmë, pra jetën në gjirin e shoqerisë amerikane.”
DEA, sic e quajnë shkurt, bëri pikërisht një ndërrmarrje të tillë duke organizuar kremtimin e 102-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqiperisë – Ditës së Flamurit. Të shtunën, më 22 Nëntor, u tubuan rreth 300 veta, gati nga të gjitha trojet shqiptare: burra, gra, të rinjë e të reja, të moshuar e femijë, me ngjyrat e bukura kuq e zi, që dominonin sallën e hotelit “Hilton Embassy Suites” të stolisur me shije e hijeshi me tollumbace kuq e zi, e me flamurin tonë kombëtar dhe atë amerikan.
Programi u hap nga treshja e të rinjëve Reald Markokaj, Zana Hertica dhe Kleitia Cerekja. Pas intonimit të hymneve kombëtarë të SHBA dhe të Shqiperise, iu dha fjala kryetarit të Shoqatës, Ferhat Ymeraga, i cili, pasi evokoi aktin historik të ngritjes së flamurit në Vlorë, më 28 Nëntor, 1912, nga atdhetari i urtë e fisnik, Ismal Qemali, midis të tjerash, tha: “Po behën 102 vjet nga kjo ditë e shenjtë, dhe jehona e saj kumbon e gjallë në ndërgjegjen e kujtesën kolektive të kombit. Pas gati pesë shekujsh nën pushtimin e errët otoman, atë ditë të bekuar valoi i lirë flamuri i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, siç kishte valuar i lirë e krenar, më 28 Nëntor, 1443, në Krujën heroike.”
“Në themele të kësaj dite qëndron dashuria dhe flijimet e panumërta, të brezave të tërë, për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.”
“Edhe sonte, këtu, jemi mbledhur si një Shqipëri Etnike në miniaturë. Na solli dashuria dhe forca magnetikë e Atdheut, e këtij tempulli të shenjtë në brigje të Ilirisë e të Mesdheut.”
“Në Washington, buzë oqeanit Paqësor, jemi mbledhur për të kujtuar këtë ditë dhe për të shprehur dashurinë dhe nderimin tonë ndaj martirëve të kombit, që bënë sakrificën sublime; për të shprehur mirënjohjen tonë ndaj gjithë atyre forcave njerëzore e Hyjnore, që shpëtuan Shqipërinë që të mos zhdukej nga faqja e dheut.”
Ai tha se Shqipëria sot është e lirë, e pavarur, po jo e bashkuar. Fati i shqiptarëvë kudo, duke përfshire dhe Diasporën shqiptare, është i lidhur ngusht me fatet e Shqiperisë. Ne nuk mund të ndahemi, shkëputemi nga fati I saj!
“Të gjithë ne këtu, një nga një, jemi ato fije të Atdheut me të cilat thurret rrëfimi individual e kolektiv i Shqipërisë. Varet nga në sa të pastra e të forta do t’i mbajmë këto fije Shqipërie, që ti përballojmë sprovave të kohës dhe stuhive të historisë.”
“DRITA e ARBËRISË” gjakon të jetë një nga dritat e Atdheut në Diasporë. Po jeni ju që e bëni Dritën e Arbërisë,” — tha ai, duke iu drejtuar të pranishmëve. “Vetëm të bashkuar mund të bejmë më shumë Dritë! Vetëm të bashkuar mund të bëjmë e perhapim Dritën e Arbërisë!”
Në fund, duke shtruar pyetjen: “ç’janë sot shqiptarët në Atdhe e gjithandej në botë, të cilët kremtojnë Ditën e Flamurit?—Ai tha: “shqiptarët janë rruaza të kuqë të gjakut, që bartin oksigjenin e frymëmarrjes kombëtare, dhe këndellin e forcojnë shëndetin e qenien e kombit.”
“Sot, Europa e Bashkuar po zgjerohet hap pas hapi, dhe Europës së Bashkuar i ka hije një Shqipëri e Bashkuar!”
“Shekulli XX na ndau. Lë të bashkohemi në shekullin XXI.”
“Rroftë Dita e Shpalljës së Pavarësisë së Shqiperisë!”
“Rroftë Dita e Flamurit!”

E veçanta e kësaj mbrëmje festive ishte pjesëmarrja e këngëtares së shquar Ermira Babaliu dhe aktorit të shkëlqyer Mirush Kabashi, të cilët erdhën enkas për këtë ngjarje nga Shqipëria.
Ermira Babaliu e ndezi atmosferën festive, sapo zuri të kendojë, me zërin e saj të bukur dhe me repertuarin e saj të pasur nga të gjitha trojet shqiptare. Pjesëmarresit e të gjitha moshave u ngritën duke kërcyer, vallëzuar e festuar në një “stuhi” ngjyrash kuq e zi!
Ndërkaq, kulminacioni i mbrëmjes u arrit me hyrjen në sallë të Mirush Kabashit, i cili, pasi përshëndeti të pranishmit, interpretoi në mënyrë të shkelqyer poezi të Vincenc Prenushit, Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Mitrush Kutelit etj.
Të pranishmit u magjepsën nga bukuria dhe thellësia e interpretimit, me plot nyansa të pasura të përjetimit dramatik, ku shprehej forca tronditëse artistike e gjeniut poetik shqiptar, e cila në aktorin Mirush Kabashi gjeti interpretuesin e denjë, brilant e unik.
U dëgjuan brohorima spontane: “Bravo! Bravo!” midis duartrokitjeve frenetike.
Të dy artistët, zonja Ermira Babaliu, dhe zoti Mirush Kabashi, u rrethuan nga bashkekombësit, me një dashuri e respekt të pamatshëm. Sepse të dytë na sollën zërin e bukur të gjuhës shqipe, shijen e ambël dhe aromën dehëse të Atdheut. Frymën e Shqiperisë!
Genti Cekorja, me instrumentet muzikore dhe teknikën e zërimit, në funksion të Ermira Babaliut dhe Mirush Kabashit, e kreu me sukses detyrën e tij.
Që nga viti 1999, që kur festohet rregullisht Dita e Flamurit, në Seattle, ishte ky manifestimi më i bukur, më i pasur e më i hareshëm.
Këte e bën të mundur të gjithë pjesëmarrësit me praninë e tyre, duke përfshire dhe shumë veta e familje nga Vancouveri-i Kanadasë dhe shteti Oregon. Ata ishin shumë të lumtur që për disa orë e ndjenë veten si në Atdhe.
Kjo mbrëmje e paharruar ishtë fryt I punës individuale e kolektive të pjesëtarëve të Këshillit Drejtues të shoqatës “DRITA e ARBËRISË” sidomos e të rinjëve: Artan Ismaili, Kujtim Markokaj, Ilir Cerekja, Leonora Maliqi dhe Panajot Dhima, të cilet punuan me vetëmohim, dashuri e përkushtim, si dhe sponzorëve të shumtë (Oltion Hyseni, familjet Markokaj, Sokoli, Kocaj, Ismaili, Cerekja, Dhima dhe Ymeraga; pastaj Uran Shushka, Fatmir Spahia, i cili bëri stolisjen e sallës, si dhe një person që dëshiroi të mbetet anonim.
DRITA e ARBËRISË vërtet bëri dritë. Ajo vërehej në fytyrat e lumtura e sytë që shkëlqenin nga gëzimi të cdo pjesëmarrësi — me zemër mirënjohëse e shpirt falënderues!
DRITA e ARBËRISË ndjehet e lumtur qe mundësoi interpretimin e parë të aktorit Mirush Kabashine Washington State.” Aktori i mirenjohur ka interpretuar me pare ne Washington, DC, ne New York dhe ne Las Vegas. Mirush Kabashi tha:
‘Kam bredhur në çdo cep të trojeve shqiptare: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi e gjetiu, por shqiptarinë e gjeta në fund t’dynjasë, në Seattle.’ “(ky citim: kontribut i Artan Ismailit).
“Shqipëria po evoluon drejt integrimeve europiane dhe euroatlantike, po gjithnjë në shtjellën e sprovave të reja të kohës. Rëndësia e saj sot varet jo nga madhësia e territorit të saj, po nga kontributi i saj ndaj mirëqenies e paqes kombëtare e ndaj stabilitetit rajonal e ndërkombëtar. Ajo sot është një aleate e fortë e vlerave demokratike liberale dhe e idealit republikan. Por, duke u bashkuar, Shqipëria do të dyfishonte kapacitetin e saj kombëtar dhe kontributin e saj ndërkombëtar.
Shpresojmë se ky do të jetë fati i Shqipërisë në ketë shekull! Ne nuk mund të ndahemi, shkëputemi nga fati i saj!

Kronikë nga Shoqata DRITA e ARBËRISË
Seattle, Washington; e Enjte, 27 Nëntor, 2014
Autor i tekstit: Ferhat Ymeraga

Filed Under: Featured, Komunitet Tagged With: Dritab e Diturise, Seatell

Shqiptarët e Hartford –it të Connecticut festuan me madhështi e krenari kombëtare Festën e Flamurit

December 2, 2014 by dgreca

Nga George PANI/ Hartford CT/
Shqiptarët e Hartfordit dhe rrethinave përreth festuan me madhështi e krenari kombëtare së bashku Festën e Pavarësisë. Në një atmosferë të ndezur festive plot krenari, gëzim e shqiptari, qindra pjesëmarrës për rreth 6 orë, dëfryen nën muzikën shqiptare dhe këngët e kënduara nga Ylli Baka dhe Entela Ilirjani. Në sallë ndodheshin rreth 250 Shqiptarë dhe Shqiptaro-Amerikanë, banorë të Hartfordit, Glastonbury, Rocky Hill, West Hartford, Neëington, Southington, Bristol, Windsor, Neë Haven, Waterbury etj.
Këtë eveniment historic e kombëtar e nderoi me pjesëmarjen e tij edhe Kryetari i Bashkisë në Hartford, Zoti Pedro E. Segarra, i cili u foli të pranishmëve për vëllazërimin mes popullit Shqiptar dhe atij Amerikan, për vlerat dhe kontributin e Shqiptarëve ndër breza këtu në Amerikë. Mbrëmjen e hapi studentja Amerikano-Shqiptare, Raisa Ballo duke uruar Mirëseardhjen të gjithë bashkëtdhetërve, dashamirësve të kulturës shqiptare dhe të pranishmëve të tjerë. Më pas moderatorja e mbrëmjes artistik-historik-patriotik, i dha fjalën Kryetarit të Degës “Vatra” Hartford”, zotit Ilam Peci, i cili falenderoi pjesëmarrësit në këtë eveniment të vecantë , duke iu uruar atyre: Gëzuar Festën e Pavarësisë. Pas Kryetarit, z. Peci, e mori fjaën, vatranja, dhe njëkohësisht, Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Zonja Raimonda Moisiu, e cila bëri një përshkrim të shkurtër historic të Ditës së Pavarësisë, datat historike dhe personalitetet historike të lidhura me të. Pas zonjës Moisiu, fjalën e mori edhe Kryetari i Bashkisë në Hartford, zoti Pedro E.Segarra, i cili mes të tjerash vlerësoi lart kontributin e Shqiptarëve në USA, vëllazërimin dhe ngjashmërinë me kulturat e tjera që janë emigrantë ne USA. Ai theksoi se “këtë vit vendosëm Flamurin Shqiptar në ndërtesën e Bashkisë në Hartford. Këtë e bëmë dhjetë ditë më parë dhe do ta lemë atje, derisa një ditë tjetër e shënuar e ndonjë kulture tjetër të ketë ditë festive.” Pas tij, Zoti Peci e quajti të hapur mbrëmjen duke i uruar të gjithëve: “Gëzuar Ditën e Pavarësisë”.
Këngët e kënduara nga Ylli Baka dhe Entela Ilirjani ndezën atmosferën dhe pista u mbush menjëherë me shqiptarë që kërcenin nën vallet popullore shqiptare nga të gjitha trevat dhe trojet shqiptsare Shqipëri, Kosovë, Camëri dhe Maqedoni. Asnjëherë më parë nuk kishte pasur kaq pjesëmarrës një eveniment i tillë në shtetin e Connecticut. Organizatorët gjendeshin në këmbë, duke bërë të mundur, që gjithkush të mbetej i kënaqur në këtë mbrëmje, kaq të vecantë për komunitetin shqiptaro-amerikan në Hartford. Ajo që binte më shumë në sy ishin, të rinjtë, shumë prej tyre të lindur në USA apo të ardhur shumë të vegjël, kërcyen dhe kënduan këngët e vallet popullore shqiptare. Pista asnjëherë nuk mundi të kmbetej bosh dhe rinia tregoi se tradita vazhdon dhe Shqiptarizma mbahet gjallë, pavarësisht largësisë nga Atdheu. Flamujt Shqiptarë dhe Amerikanë ishin vendosur mbi pistë të vendosur në pjesë të ndryshme të sallës. Kudo sundonin ngjyrat kuq e zi dhe simbolet shqiptare.
Vajza 12 vjecare e një Shqiptaro-Amerikani, e quajtur Sara, ishte e para që ftoi Zotin Pedro E. Segarra të kërcente nën ritmin e valleve shqiptare dhe ai u ngrit me kënaqësi duke i kërcyer vallet tona. Me pas ai kërceu edhe shumë herë të tjera nën ritmet e muzikës vecmas te serenatave korcare, që për cudi i ngjasonin me ritmet e muzikës latine nga edhe kishte origjinën. Kudo kishte hare dhe kënaqësi në atë mbrëmje aq të bukur e mbresëlënëse. Para se të largohej Zoti Segarra bisedoi shkurtimisht me disa pjestarë nga kryesia e “Vatra Hartford” duke hedhur mendimin për binjakëzimin e Hartfordit me një nga qytetet Shqiptare. Ai u shpreh, “Nuk i dihet kohërave dhe situatave, por gjithnjë duhet të dini se keni vend një vëlla dhe mik të mirë në krahun tuaj që është Amerika.” Të shumtë ishin ata qe e falenderuan, për ardhjen e tij në këtë mbrëmje.
Mbrëmja u organizua nga Kryesia e Degës “Vatra” Hartford” si edhe nga kompania Eagle 3 Dots – Dardhë Albania, kompani e cila kishte marrë përsipër dekorin festiv të mbremjes. Fotoreporteri i njohur i RTSH—së, z. Julian Napoloni realizoi filmimet e mbrëmjes dhe Fatjon Gjashta ishte tekniku i qëndres së zërit në sallë. Bisnesmenët e mirënjohur të indusyrisë kulinare në Hartford CT sponsorizuan me ushqime të bollshme sipas traditës shqiptare. Shumë nga pjesëmarrësit shprehën kënaqësinë e tyre në këtë mbrëmje duke premtuar pjesëmarrjen e tyre në evenimentet e ardhëshme që do të organizohen.
George PANI
Hartford CT USA

Filed Under: Komunitet Tagged With: FESTEN E FLAMURIT, festuan me madhështi e krenari kombëtare, Shqiptarët e Hartford –it, të Connecticut

Mbyllen festimet e 102 vjetorit te Pavrësisë në Michigan

December 2, 2014 by dgreca

Nga Pjetër Jaku/
Me një darkë festive në sallën “Gjergj Kastrioti” të Qendrës së njohur të Shën Palit në Detroit, përfundojnë aktivitetet përkujtimore të 102 vjetorit të Pavarsisë në Michigan.
Edhe pse një jave e ngjeshur me festime dhe koncerte, ku ne komunitetin shqiptar të Detroitit ishin këngëtarët e njohur Eli Fara, Meda, Zef Beka dhe Elizabeta Marku, me datën 30 Nëntor 2014, në Sallën “ Gjergj Kastrioti” të Qendres së Shën Palit u përkujtua 102 vjetori i Pavarësisë, në një atmosferë festive dhe organizim serioz, si në të gjitha rastet e mëparshme. Ishte pikërisht kjo qender atdhetare dhe fetare që e përkujtoi Pavarësinë të ndarë nga Flamuri me yll i periudhës së komunizmit, në fillimin e viteve 80-të me një rregullore të veçantë organizative, ku përfshihej, pothuajse i gjithë komuniteti. Një model për t’u marrë shembull edhe në ditët tona. Në këtë manifestim, i cili vinte pas dy manifestimeve të mëparshmë në Imperial House dhe Kisha e Zojës Pajtore, merrnin pjesë klerikë të komunitetit; Don Fran Kola, Dom Anton Kçira, Dom Ndue Gjergji, Konsulli i Nderit të R Sh Ekrem Bardha, i ftuari kryesor Dr. Eduart Grishaj, Dr. Martin Berishaj, ish ushtaraku i Ambasades shqiptare në Washington, Everest Haxhi, dy TV-të e komunitetit dhe shumë aktivistë që që kanë kontribuar në vite për çeshtjen shqiptare. Moderator i mbrëmjes festive ishte Nik Ivanaj. E ftuara për argëtimin e të pranishmeve, këngëtarja Elisabeta Marku. Pas hyrjes triumfale të flamujve, të cilëve u printe aktivisti i njohur, veterani vatran Vasel Ujkaj, u mbajt nje minut heshtje për te rënët, per t’ia lën vendin grupit te valleve të kësaj qendre, me një nga krijimet e fundit nga folklori tradicional i trevave të Malësisë.
Pas hymneve të Amerikës dhe Shqipërisë, Don Fran Kola bekoi aktivitetin me një tekst domethënës të Nënë Terezes, për dashurinë që duhet të tregojmë ndaj njëri-tjetrit. Fjala kryesore e Dr. Eduart Grsihaj u përqëndrua në disa fakte të reja, që u prinë aktiviteteve të Pavarësisë. Konciziteti dhe pjekuria historike, bëri që fjala kryesore të degjohej me shumë vëmendje nga të pranishmit.
Aktivitetin e përshëndetën ; Don Anton Kçira, Ekrem Bardha, Alfons Grishaj, Dr.Martin Berishaj, dramaturgu i njohur Fadil Kraja, Nikollë Sinishtaj, Everest Haxhi. Majori i qytetit Rochetsr Hills Bryan Barnett, pas përshendetjes së komunitetit shqiptar të Detroitit, kërkoi edhe njëherë të merrte fjalën për të na kujtuar me një minut heshtje ish majorin e qytetit Streling HTS, i cili para pak ditësh ndrroi jetë.
Nw mbyllje, të pranishmit u argëtuan nga këngëtarja Elisabeta Marku, ardhur enkas për këtë aktivitet.

Filed Under: Komunitet Tagged With: 102 vjetorit te Pavrësisë, Mbyllen festimet e, ne Michigan, Pjeter Jaku

SHQIPTARËT E NJU JORKUT I MBYLLËN FESTIMET E DITËS SË FLAMURIT ME NGRITJEN E DRONIT

December 1, 2014 by dgreca

Në festimin përmbyllës organizuar nga ansambëlmeni Mark Gjonaj të Dielën me 30 nëntor në Maestros u ngrit Droni me Flamurin kuq e Zi dhe Flamurin Amerikan./
Nga Dalip Greca/
Ndeshja e përfolur e futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë, përveçse një tensioni dramatik në kohëndodhjen mes dy kombeve, na la pas dhe një imazh simbolik kombëtar, gati e kishim harruar pikërisht simbolikën e shpalljes së Flamurit Kuq e Zi në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Realisht në Vlorë nuk u shpall ajo që ne e quajmë jo rrallë “Shqipëria Londineze”, jo, në Vlorë u shpall Shqipëria natyrale përderisa përfaqësuesit ishin nga të gjithë trojet. Në atë akt simbolik të ngritjes së Flamurit ishte e përfaqësuar e gjithë Shqipëria përderisa të gjitha trojet etnike kishin aty përfaqësuesit e vet: Shqipëria, Kosova, shqiptarët e Malit të Zi, ata të Maqedonisë dhe Çamëria.Kjo pjesmarrje tregon se me 28 Nëntor u shpall e pavarur e gjithë Shqipëria, pavarësisht okupimit apo uzurpimit të bërë me dekrete apo symbyllje Evrope. Simbolika shprehej edhe me praninë e dy figurave qëndrore Shqipëri-Kosovë; Ismail bej Qemali dhe Isa Boletini. Pikërisht këtë simbolikë, të njësimit të Shqipërisë Natyrale-Harta në mes- e rrethuar nga të dy anët prej atit të Pavarësisë Ismail Bej Qemali dhe Isa Boletini, përcolli Droni -enigmë i ngritur në Beograd gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, ç’ka Beogradi e konceptoi dhe e interpretoi si simbol të “Shqipërisë së Madhe”.
Tash këtë simbolikë e gjejmë gjithëandej, në iamzhe televizivë, fotografikë, në veshje-bluza, në tatauazhe, në etiketa, por ja që u bë dhe simbolikë përkëtej Oqeanit në festa. Gazeta më e vjetër e shqiptarëve të Amerikës “DIELLI” 105 vjeçar, zgjodhi si emblemë të festime në botimin e vet të 26 Nëntorit 2014, një botim me 108 Faqe, numër special kushtuar Pavarësisë, pikërisht simbolikën e atij imazhi që kishte Droni i ngritur mbi qiellin e Beogradit: Në një sfond të zi të faqes së parë, me hartën e Shqipërisë natyrale, e rrethuar anash nga portretet e Ismail bej Qemalit dhe Isa Boletinit. E punuar mjeshtrisht nga dizajneri prizrenas Hazer Hajrullaga, gazeta Dielli, ishte nga më të pëlqyerat në këtë edicion dhe më e kërkuar. Shumë porosi janë marrë për këtë edicion nga shqiptarët që nuk janë të abonuar si në Europë, Kanada e Australi.
***
…Por një befasi e këndshme ishte edhe momenti festiv i Ditës së Flamurit nga ansambleisti shqiptar në Ansamblenë e Shtëtit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, organizuar pasditen e së Dielës me 30 Nëntor në mjediset e restorantit Maestros.
Pas pjesës solemne të festimit, ku morën pjesë rreth 600 veta, të pranishmit po prisnin me padurim që të shfaqej enigma e paralajmëruar, por kurrësesi nuk ua rrokte mendja se ishte fjala për një Dron. Pas perdes së kuqe që ndante sallën nga vendi ku qëndronte i fshehur droni, nuk dukej asgjë, por pas 3-4 minutash, një zukatje e lehtë, heqja e perdes, dhe u shfaq Droni “magjik” ku në mënyrë horizontale ishin instaluar dy flamuj të vegjël, Flamuri Amerikan dhe ai Shqiptar. Pjesmarrësit e shumtë, shqiptarë dhe amerikanë brohorisnin dhe lëshonin thirrje entuziaste. Pasi e përshkoi të gjithë sipërfaqen gjatësore të Maestros, duke fluturuar në gjysëm lartësinë e sallës, droni u ul, duke krijuar një atmosferë kënaqësie. Një lojë e bukur dhe shumë e duartrokitur. Simbolikë e gjetur.
Po cila ishte kronika e këtij takimi festiv organizuar nga amerikano-shqiptari më i suksesshëm në politikën amerikane, Mark Gjonaj?
Ashtu siç ishte njoftuar nga rrjetet sociale si dhe media lokale, përfshi dhe TV 12 në Bronx, në orën 2 të pasmesditës restoranti Maestros nisi të mbushej me shqiptarë dhe amerikanë. Salla ishte e mbushur me simbolet tona kombëtare dhe flamuj amerikanë. E konceptuar si veprimtari festive, ku gërshetohej oratoria e folësve me shfaqjen artistike, në restorant u servirën edhe ushqime të bollshme dhe pije.
Për katër orë e gjysëm shqiptarët dhe amerikanët festuan së bashku dhe ndoqën fjalimet dhe programet artistike.
Festën e ka hapë e reja Iliriana Zeneli, e cila ka përshëndetur në shqip dhe anglisht:Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar!
Happy Albanian Flag Day!
Hymnet Kombëtare të Amerikës dhe Shqipërisë janë përcjellë me solemnitet.
Dom Pjetër Popaj, famullitari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” ka bekuar festën e Flamurit dhe Pavarësinë e Shqipërisë. Dom Popaj evokoi qëndresën dhe luftrat për liri të kombit shqiptar, që në kohën e Gjergj Kastriotit, që udhëhoqi luftën kundër Perandorisë Otomane; më pas përmendi luftën e malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve, luftë që u finalizua me ringritjen e Flamurit në Vlorë me 28 nëntor 1912. Famullitari Popaj falenderoi Amerikën për ndihmën e madhe që i ka dhënë Kombit shqiptar. Në qendër të fjalës së tij ishte dhe Nënë Tereza, si dhe vizita historike e Papa Françeskut më 21 shtator 2014 në Shqipëri.
Ansambleisti Mark Gjona e ka ngritur sallën në këmbë me fjalimin e tij, ku evokoi trimëritë dhe kontributet shqiptare përgjatë historisë. Jashtë vëmendjes së tij nuk u lanë marrdhëniet e hershme të shqiptarëve me Amerikën, vlerësimin amerikan për heronjët dhe kulturën e historinë shqiptare; ai përmendi edhe poemën e Gjergj Kastriotin të shkruar nga amerikani i madh i letrave, Longfellow, ndihmën e madhe që dha presidenti amerikan Wilson në mbrojtjen e pavrësisë së Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore-në konferencën e Paqes në Paris, apo presidenti Klinton gjatë luftës në Kosovë.
Në veprimatrinë festive kanë përshëndetur edhe Jeffrey Klein-senator i shtetit të Nju Jorkut, përfaqësues për Bronxin dhe Westchester Counties, Michael Benedetto, ansambëlmen i Distrikit 82 në Bronx, si dhe nga Unioni 32BJ SEIU, BJCC: Komunitetit Këshilli i hebre në Bronx etj.
Në përshëndetjen e tij ambasadori i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Ferit Hoxha, nuk i ka kursyer komplimentet dhe vleresimet e larta për ansambleistin e shtetit të Nju Jorkut, shqiptarin e lindur në SHBA, Mark Gjonaj, tek e ka quajtur kampion, heroi, inspirus për shqiptarët. Ai ka falenderuar dhe amerikanët pjesmarrës ne kete feste madheshtore. Pas tij, Konsullja e përgjithshme e Kosovës, Vlora Çitaku ka uruar festën dhe ka përgëzuar z. Gjonaj.Ajo tha se 28 nëntori nuk ëshët vetëm i Gjegj Kastriotit Skënderbeu e Ismail Qemalit, por edhe Adem Jasharit! Po ashtu, diplomatja e Kosovës, ka falenderuar pjesmarrësit e shumtë, të cilëve u ka thënë: Edhe pse ju ndanë një Oqean me vendlindjen, ju vazhdoni ta doni, ta respektoni, t’i ruani zakonet e kombit tonë!
Më pas koncerti artistik i përgatitur nga fëmijët dhe drejtuesit e tyre kanë argëtuar pjesmarrësit. Fëmijët e Stamfordit-CT, të drejtuar nga Mhill Velaj,si dhe ata të Shkollave shqipe në Bronx dhe Shkollën Alba Life në Brooklyn dhe Staten Island, dhe Paterson, New Jersey, të veshur me kostume kombëtare nga vise të ndryshme të trojeve shqiptare, kanë kënduar e kanë kërcyer në ritmet e valleve janë përshfirë dhe të rriturit.
Meda, Arberie Hatergjonaj dhe kengetare te tjere kane performuar ne kete festim masiv.
Ishte një festim përmbyllës ky i shqiptarëve në Amerikë për 102 Vjetorin e Pavrësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit Kuq e Zi!
Në këtë festë ishin dhe shumë vatranë dhe familjet e tyre.
Faleminderit Mark Gjonaj!
(Fotografite i gjeni ne adresen tim ne facebook)

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, e Ditës, NGRITJEN E DRONIT, SË FLAMURIT ME, SHQIPTARËT E NJU JORKUT I MBYLLËN FESTIMET

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 329
  • 330
  • 331
  • 332
  • 333
  • …
  • 397
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT