Nga: Prof. Murat Gecaj/1.Kur paraditën e sotme po shkoja për në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit, përsëri mendoja se sa shpejt ikin: ditët, javët e muajt, por dhe vitet. Kështu, sillja ndërmend afër 5 vite të shkuara, kur pikërisht në atë sallë ishim tubuar për të marrë pjesë në përurimin e dy librave të autores së njohur, tashmë me banim familjarisht në Nju Jork, Kozeta Zylo. Atëherë, isha takuar me atë në Ministrinë e Arsimit e Shkencës, në shoqërinë e mikes së përbashkët, publicisten e studiuesen Vjollca Spaho. Pastaj u njoha edhe me bashkëshortin e Kozetës, Qemal Zylon. Të them të vërtetën, më dukej që me ata isha takuar vite më parë. Arsyeja ishte se, përmes Internetit, ishim lidhur disa herë dhe kisha dijeni për veprimtarinë e tyre të shquar, në Bashkësinë Shqiptare të Nju Jorkut e më gjerë. Këtë gjë ata e realizonin jo vetëm me botimet e tyre, por dhe përmes tri shkollave shqipe në Nju Jork: Staten Island, Manhattan e Brooklyn dhe valëve të televizionit të tyre, “Alba Life”.
Me atë rast, Kozeta përuroi librat “Një fjongo dielli nga Nju Jorku”(poezi) dhe “Refleksione shpirtërore”(Kritika dhe esse).Për atë veprimtari bëra një shkrim modest dhe e publikova, në atë kohë, por dhe në librin tim “Për ju, krijuese”(Tiranë, 2015).
Kështu, edhe sot kisha kënaqësi të veçantë që t’i takoja përsëri ata, tashmë në përurimin e dy librave të rinj të Kozetës. Po shkoja aty bashkë me Vjollcën e mikun tim nga Mirdita, Fran Nikollin, por dhe me sa e sa krijues të tjerë të njohur, poetë e shkrimtarë, publicistë e artistë. Ne do të merrnim pjesë në një gëzim të përbashkët, i cili nuk ishte vetëm për Kozetën e Qemalin, por dhe për fëmijët e tyre, për nipa e mbesa, si dhe për familjarë tjerë të tyre, kolegë e miq të saj të shumtë, për ish-nxënës e bashkëkrahinas nga Tepelena etj.
2.Fjalën e hapjes dhe moderimin e tërë veprimtarisë, për përurimin e librave të Kozeta Zylos, “Diaspora, si krah shqiponje”(Esse, refleksone e reportazhe) dhe “Kujtime, si fletës libri”(poezi), e mbajti artisti i njohur Kujtim Gjonaj. Jam i vetëdijshëm se për lexuesit nuk mund të jepen hollësira, në një shkrim të zakonshëm, për ato që u thanë gjatë asaj veprimtarie të bukur, e cila zgjati rreth dy orë. Secili nga folësit u ndal në vlerat e disallojshme, jo vetëm të këtyre dy librave, venë në qarkullim nga SHB “Bota Shqiptare”, por dhe për punën e përkushtuar të kësaj autoreje të pasionuar dhe të palodhur për çështjen mbarëkombetëtare shqiptare, në Bashkësinë Shqiptare të Amerikës.
Gjatë veprimtarisë përuruese u duartrokit nxehtësisht “Artistja e Popullit” Margarita Xhepa, e cila lexoi poezi të zgjdhura nga libri i ri i Kozetës. Pastaj, njëri pas tjetrit, studiues e kritikë letrarë, poetë e shkrimtarë, u ndalën në pamje të ndryshme të këtyre dy librave, sidomos të poezive të frymëzuara të K.Zylos.
Kështu, u ndoqën me vëmendje të veçantë diskutimet e zëvendësdrejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi dhe kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, Pandeli Koçi. Më pas folën presidentja e “Albanian Exellence”, Flora NIkolla dhe krijuesit e botuesit e njohur: Laureta Petoshati, Novruz Shehu, Kujtim Mateli, Kozeta Zavalani e Piro Loli.
Duke e vlerësuar lart punën dhe botimet e çmuara të Kozeta Zylos, Lidhja e Shkrimtarëve “Pegasi”, me President Kristaq Shabanin, i dha asaj titullin “Personalitet i lartë i letrave shqipe”, dëshminë e të cilit ia dorëzoi artistja Flutura Maçi. Ndërsa organizata “Albanian Excellence”, e shpalli atë “Anëtare Nderi”, për ndihmesën e vyer në përçimin e vlerave më të mira të shqiptarizmës në Diasporë.
Në mbyllje të kësaj veprimtarie të bukur e mbresëlënëse, foli krijuesja e talentuar Kozeta Zylo. Ajo i falënderoi përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit e folësit në përurim. Kujtim i paharruar për të pranishmit ishin librat e dhuruar nga kjo autore, fotografitë e përbashkëta etj.
Tiranë, 14 gusht 2015
POEZI TE ZGJEDHURA NGA POETET E MEDHEJ
SOFRA POETIKE: POEZI TE ZGJEDHURA NGA POETET E MEDHEJ/
DANTE ALIGIHERI/
AQ E NJERZISHME/
Aq e njerzishme e aq e hijshme gjanë/
vasha e ime kur gjint përshndetë,/
sa që gjuha, tu’ u dridh’, pa folun mbetë,/
e syt për m’e shikue guxim nuk kanë./
Ajo kalon, tue ndie lavde n’çdo anë,/
e veshun n’përvujtni t’ambël e t’qetë;/
e duket nji gjasend që qielli vetë/
na çoi me i tregue mrekull tokës tanë./
Kaq e pëlqyeshme i gjan’ kuj e soditë/
që, nëpër sy, i ep jetës nji ambëlsi/
që kush nuk e provon nuk mund e dijë./
E thue sikur në buz’t e saj shetitë/
nji fllad i kandshëm, plot me dashuni,/
që shkon tu’i thanun shpirtit: Psherëtijë./
Përkthim nga Ernes Koliqi…
UGO FOSCOLO/
MBRAMJES/
Thue ndoshta pse ti e fashës së fatueme
je shembullesa, un t’pres me kaq dashni,
o Mbramje? N’daç kur ret verore t’gzueme
n’nderim t’rrethojnë e flladet plot qeti
n’daç kurr errsit e gjata e t’shqesueme
rruzullimit i a sjell e borta ajri,
zemrës ti i zbret gjithmonë e deshirueme
e ia mban udh’t e mshefta me ambëlsi.
Me mendim m’ban m’u endun ti mbi gjurma
që çojnë’ n’asgja t’amshueme; edhe ik’ ndërkaq
ky mot i mbrapshtë, e bashk’ me të dhe turma
e kujdesevet shkon me të cilat m’shkrin ;
e m’sa t’shikoj un ty rrethue me paqë
flen ai shpirt luftarak që mbrend’ m’u brin. 1)
—————
Perkthim nga Ernest Koliqi
Shënim: 1) vrret si bishë e ndryrë në kafaz, që
përplaset për të dalë jashtë, e lirë.
LORENZO STECCHETTI – 1)
KUMBON NE RRUGE NJE ORGANETE/
Kumbon në rrugë një organetë,
dritare e hapur, mbrëmja sa ka ardhë,
bie mbi fusha e te dhomë e shkretë,
me aromë pranvere të bardhë.
S’e di përse më dridhen gjunjët sot,
s’e di përse më mbushen sytë lot.
Ja, kryet ula, mbi dorën time,
për ty, atje larg, bie në mendime.
1) Olindo Guerini
Perkthim nga Agim Xh Dëshnica
FJODOR I. TJUTÇEV
D E T I
Sa bukur nëpër natë, o det me valë!
Këtu-shkëlqim atje-në blu dhe terr!
Në dritë të hënës, si qenie e gjallë,
Shfreh, vezullon, ecën e frymë merr.
Në pambarim, në hapësirë nget,
Lëvizje, dritë, gjëmë dhe shamatë,
Shkëlqim i zbehtë derdhet përmbi det…
Sa bukur-në shkretirë, nëpër natë.
O valë madhështore, o valë deti,
Kjo festë ç’është e për kë kremtojnë?
Suvalat sulen me rropamë e dritë,
E yjet sipër, ndjejnë e vështrojnë.
Te ky shkëlqim e te kjo trazirë,
I humbur si në ëndërr, po qendroj,
Oh! në magjinë e tyre me sa dëshirë,
Të mundja, gjithë shpirtin të mbuloj.
———–
Përkthim nga Agim Xh. Dëshnica
Agim Xh. Dëshnica nga Bostoni vjen ne Sofren e Diellit me” Mjegulla Tragjedish” dhe….
… VISARET E KOMBIT- martirëve të Kishës Katolike Shqiptare- TREGIM PER NENEN /
Nga Agim Xh. Dëshnica/
NE MJEGULLA TRAGJEDISH/
Shekspiri mendueshëm ecën në muzg,/
Pelerinë e flokë supeve, era ia trazon./
Ngjitet e ngjitet nëpër shkallët e gurta./
Shfaqet lart nën hije resh të murme,/
në kulla, bedena këshjellash tragjike./
Në pallatet e ngrysur hyn,/
shkel në gjurmë,/
mbretërish e mbretëreshash,/
princash e princesash, /
kalorësish hijerëndë. /
Heton me radhë intrigantë,
hapa besnikësh e rojesh,
Qorton vetvrasës, fli mashtrimesh;
qan të dashuruarët e pafaj;
ndëshkon vrasës të pabesë.
Në kulla, bedena e shkallë të gurta,
veç terr, pluhur, frymë shkretëtire.
Ndër sallat mister, hijet sillen qark,
pashe një, pa fjalë, veç heshtja flet,
nga thellësi e mjegullt e kohrave.
Kupolat kumbojnë,
nga zëri titanik i perandorit:
Dhe ti o Brut, kamën vrastare ngre?!
Atëhere bjer o Qesar!
Në sallat e hollet e zymta,
ushton thirrja tragjike
e princit Hamlet:
Të rrosh a të mos rrosh,
kjo është çeshtja!
O prapësi o dreq,
që unë paskam lindur të të ndreq!
Dëgjohet britmë e mbretit Rikard,
në rendje me shpatë drejt fronit:
Një kalë, një kalë!
Jap mbretërinë për një kalë!
Makbeth! Makbeth!
Më kot! Më kot! lan duart e krimit;
Zonja Makbeth, Pylli i Brinjës lëvizi!
Bujar Makdafi,
vjen për ndëshkim!
Shekspiri kundron trishtueshëm,
sallat spërkatur me gjak hakmarrjesh.
U qetëson plagët trimave të drejtësisë,
përcjell me dhimbje të ndershmit e pafat;
gjurmë gjaku fshin në shtegun e jetës;
kumte të ndritur, lë për njerëzimin.
—————
2005
VISARET E KOMBIT
martirëve të Kishës Katolike Shqiptare
Një shkëmb,
një kishë, një kryq,
një portë me hark,
kube, altar i thjeshtë e shenjtëri!
Teposhtë, ai Fan i lashtë ndër valë,
prej Ilirie rrjedh, murmuron.
Ai lumë dëshmish me gjak e dhimbje!
Nga shkëmbi vjen kumbim kambane,
jehonnë brigje e kullavarg,
kjo thirrje bese e shpirtit tënd!
At Bernardin, At Bernardin,
ngroh në faltore besimtarë,
meshon përunjshëm
për t’lumin Zot e për Krishtlindje,
përshenjtëritë me ruzare,
për At me e besë!
Kungon me frymë lirie
ferishte, engjëj! *
Kurorëzon çifte,
e për të thinjur
një pleqëri të bardhëuron!
At Bernardin, At Bernardin
tok me At Donatin,
në qelë poetësh, dijetarësh,
ende gjallon ai kandil
dhe pena e artë,
në ato visare
na fton e shndrin!
Bernardin, Bernardin,
tok me Donatin!
Afër sharkisë e lahutarit,
pranë çiftelisë
e rreth valltarëve,
me shtojzovalle e me fatí.
Dëgjoni larg, sokola mali,
përsipër shkrepash,
ndër prozhme e kroje,
me hej e ho!
“Janë ra vashat me gjan’lumë,
kanë gjetë lumën tanë ngri n’akull!…
Nand’ varra Gjergji n’ shtat m’ika
shkapet bajlozin e sokëllin…”
At Bernadin e At Donat!
Ku, vallë, prehet kurmi juaj?
Vrastarët jua prishën shtatin,
shpirtin e bukur, jo kurrë, askund!
Kur djajtë digjen në skëterrë,
shpirti juaj lumnon nëpër Parriz!
—————–
TREGIM PER N E N E N !
Pret e heshtur ikjen e trishtuar
e zbardhur, e mpakur, e menduar.
Fytyra jote, kujdesjet e zjarrta,
meraku yt, rrëfimet e arta,
në duart e tua, çanta e vjetër,
dora e dridhur e përshëndetjes,
sytë ndër lot, ajo buzëqeshje,
na ndjekin udhës e buzë detesh.
* * *
Nga Dajti prilli, s’kthen si ngaherë,
gonxhet e lulet, me kryet prerë.
O nënë e shtrenjtë, bijë Libohove,
ato rrëfime, mos i mbarove?
O nënë fisnike, ku shkoi gëzimi,
buzëqeshja joe, fjala, bekimi?
Po shpirti i bardhë ku fluturoi,
te Zoti lart, të kuvendojë?
* * *
Kjo Libohovë me rrepe të lartë.
Trime, si burrat, vashat dhe gratë.
Te krojet ulem e etjen shuaj.
Shohin e pyesin, ç’është ky i huaj ?
Në ato burime, tek gurgullojnë,
me ujërat tok, lotët mërgojnë.
Adriatiku vjen e pushon në breg,
largon me valë trishtim e brengë.
Rrymë e bardhë shtillet, rreh erë e ftohtë,
Kujtimi i yt, zemrën më ngrohë.
Lutem në muzg, për shpirtin tënd,
thërras, mes zhurmash: O Nënë, o Nënë!
————–
Libohovë – Durrës 1983
PESHA E KURBETIT SI MESAZH DHE HARTË HISTORIE
Libri: Neki Lulaj: “Kodi i Tokës”, poezi-Tiranë, 2015)/
nga Sejdi BERISHA/
Veprat e atyre të cilët në mërgatë e diasporë krijojnë e veprojnë, e që tok me punën digjen e përcëllohen për dheun e atdheun, me mallin për njeriun e kombin, janë të peshës dhe të këndimit të veçantë.Është kështu, sepse, janë të vetëdijshëm se “stinët ikin e sillen si akrepa ore me turravrapin kohë”. Për këtë arsye, vargu i tyre është i mbrumur por edhe i katandisur gjithandej stinëve, të cilat frikshëm dhe shpejtë ikin e rrugëtojnë mbi binarët pa stacion ndaljeje, edhe me rrapllimë të çuditshme, që rrugët i shndërrojnë në tablo pikturash dhe faqe periudhash historike, reflektojnë motet e trishta, që janë vulë e pasqyrë e trakullimave të jetës së njeriut, e cila i ngjanë ujëvarës së etur e të zemëruar nga hilet, premtimet e mashtrimet, të cilat njeriut nuk i hiqen dot qafet.
Jehu i vargut si provokim për ta përjetësuar thelbin e mallit, mendjes dhe të jetës së njeriut
I tillë është edhe krijuesi Neki Lulaj, i cili tërë ndijimin e vet shpirtëror e shndërron në këngë e në fat, në lumturi, në mall e dhembje të njeriut, e që kurrë nuk ngopet as me atë që e këndon dhe as me atë që e lartëson atdheun dhe njeriun, mbase, edhe njerëzoren. Dhe, duke e kërkuar fatin, pse jo edhe veten, ai ligjëron me një peshë krenarie por edhe hidhërimi, për të treguar se gjithmonë, njeriu edhe pse në tokën e vetë, është plot droje për të marrë frymë lirshëm, për të kënduar pa frikë dhe për ta përqafuar çdo pëllëmbë dheu pa e pasur tkurrjen shoqërues zemre e shpirti, as ndrydhjen dhe pamundësinë ëndrrën për ta rrëfyer e treguar lirshëm deri në fund. Për këtë arsye, autori, nuk reflekton vetëm këtë segment jete, por, sikur edhe provokon për të hyrë brenda në histori, në thelbin e mendjes dhe të jetës së njeriut: “Në majë të gishtërinjve ecja në mes të zgërbonjave të lisave/Me një fener në mes pyllit lëviz unë dhe era me drojë…”! Dhe, pikërisht për këtë, në poezinë “Fatin e kërkoja”, në mes tjerash ligjëron: “Frikësohesha se mos jam vonuar në vend e në kohë”.
Historia, fati dhe shpejtimi për ta zënë atë hapin e hapit të jetës, popullin gjithnjë e ka shndërruar në kujdestar të çuditshëm, në besimtar të pathyer, por edhe në pritje fati, që bukën, vetë ta prodhojë e ta gatuajë, sepse, kështu atëherë, buka edhe me lëng hahet dhe është shumë më e shijshme se çdo gjellë tjetër.
Poezia e Neki Lulajt, është gjithnjë si diçka që i ngjanë mishit e thonit, që nuk ndahen, por janë fuqimisht të lidhur. Kështu, ai, është pjesë e çdo lëvizjeje të kohës, e cila është apo mund të jetë e lumtur e krenare, por edhe e dhembshme, ngase ai jeton e frymon në kurbet. Për këtë, më së miri dëshmojnë edhe vargjet: “Në ndarje e putha fort fytyrën tënde flakë zjarri/Ishin trishtim kur ktheva të të puth fort tek balli/Me afshin e dashurisë prindërore në kurbetin e egër/…E sot… sot sërish u ktheva ndryshe, nënë e hyjnizuar”.
Pra, kjo është ajo pesha e formulës historike e jetës, e cila shpeshherë ngelet e pazbërthyer, apo edhe si copë akulli në zemër për rrjedhat dhe pamëshirën e kohës. Në këtë formë, autori i librit “Kodi i Tokës” ligjëron edhe në shumë poezi të tjera, që nganjëherë i ngjajnë mbështjellësit të pazakontë me shkronja rënduar e mbuluar, e ndonjëherë, edhe çarçafit të bardhë si qenari, që i përngjanë dëlirësisë e nganjëherë edhe qefinit, të cilin njeriu ynë e kishte pjesë të pandarë trupi, ngase, jetës nuk i dihet, e në tokën e përcëlluar duhet prehur pa dhembje, plot bardhësi dhe pa gabime!
Kështu, vargëzimi zgjatë dorën dhe prek çdo gjë, edhe plagët e kurbetit, edhe përrallat dhe ëndrrat e realizuara e të parealizuara, që shkaktojnë zjarrmi në faqet e brishta të historisë por edhe në mungesën e dëshmive nganjëherë të skutavura e të fshehura, të cilat, edhe ato flasin në mënyrën e vetë, krenohen e qortojnë vend e vendbanim, për çdo kohë e cep kohe: “Për Çamërinë time kam zjarr, kam këngë e mallin e pasosur/Për Çamërinë bëhem palcë guri që kurrë nuk thahet në breza”!
Faktori kohë, asnjëherë nuk përjashtohet nga fokusi i mendjes dhe i përkushtimit për rrjedhat e ndritshme, shpeshherë të çuditshme gjatë shekujve viterreptë e ndonjëherë edhe vite repana e të shkulur nga erëra e stuhi, të shpëlara nga hiena e fantomë krijesash.
Të gjitha këto, shpirtërisht e kanë detyruar autorin të rri kujdestar i regjistrimit të çdo rrjedhe jete, të cilat rrjedha, edhe kur bashkojnë, ato, prapë e kanë atë drojën e ndarjes, që pastaj shkakton gjithçka që e përlanë, e forcon dhe e kthjellë mendjen e secilit, pra, edhe të autorit, për të qenë ai që e vë në dritë regjistrimin e rrjedhave të cilat e ndërtojnë kullën e çuditshme, ku, edhe aty qëndron poeti si roje për ta penguar mbase edhe për ta ngulfatur kohën që quhet ikje! Prandaj, atë, me arsye e shohim në vorbullën e vlimeve të mendimeve: “Në një pus të pafund më kalërojnë mendimet/Si një skile nate më lebetitin e më zënë shtigjet/Ku një lumë, o sa shpejtë hyri nën Urën e Pritjes/E nuk u çmallëm dot as me varrezat se erdhi koha për ikje”!
Rrugëtimi në kurbet udhë e pafund me peshën dhe mesazhin e kuvendimit poetik edhe me vetveten
Kështu ligjërohet, kështu është ligjëruar pothuajse në të gjitha kohërat. Prandaj, në një mënyrë, krijimtaria në diasporë, pra, edhe ajo e Neki Lulajt, pasqyron tablo interesante, të rëndësishme por të dhembshme të jetës së shqiptarëve në kurbet, në diasporë, e cila i ngjanë udhës dhe rrugëtimit të pafund, të mos them biblik, nëpër shekuj, për çfarë, edhe shumë kohë përpara është shkruar e kënduar përflakshëm për kurbetin. Poetët, janë djegur e përcëlluar në vargun e tyre, që është edhe pasqyrë e njeriut të tokës së shqipeve.
Mërgimtarin, e më shumë krijuesin në dhé të huaj, e kapërthejnë dhe e mundojnë shumë ngjarje e rrjedha të ndryshme, të dhembshme e të ndritshme të cilat kanë ndodhur e duhet të realizohen e shënohen në vendlindje. Për këtë arsye, shpeshherë, në pamundësi për të folur e debatuar me të tjerët, poeti flet e kuvendon me vetveten, gjithnjë për të thënë, treguar e për të qortuar gjithçka, ama bash gjithçka.
Autori flet e flet me vetveten, në fakt, me njerëzit, me popullin, me nënat e baballarët, me vëllezërit e motrat, me fëmijët e foshnjat: “Mbi gurët graniti gravuar ishin emrat që na mungojnë/Lindur në data, muaj e vite të ndryshme të jetës fluturore/Ardhmërinë e kishin në supet që kohëve iu rëndojnë/Pavdekësinë e kishin sa datë të shenjtë engjëllore”. Pra, kjo që thuhet në vargje, bëhet si një mllo, si një bos vreri në gjoks, i cili shndërrohet në lidhje që i bën varg e varg të gjitha ngjarjet përmes këndimit poetik, i bën fjalë të zjarrta e të urta, që përkundër dufit, shpërthejnë e nxjerrin kokë si amanet baballarësh e gjyshërish, që shtrihen e daktisen nëpër letra e libra ndonjëherë të ndrydhura e të rënduara me pluhur kohërash. Andaj, autori, sikur i ka hetuar apo i ka ndjerë ecjet jo të lehta dhe shumë të rënda, për çfarë thotë: “Shtigjeve patëm stërkëmbëza, prita e kurthe/Pelegrinazhi dardan nuk e ndali marshin/…Në frëngji kullash hetuam rilindjen e vetvetes”!
Ndoshta, edhe nga këtu imponohet trandja e zemërimi për ta gjetur atë pikën e hapjes dhe të mbylljes të të gjitha rrugëve dhe shtigjeve, që mund të quhet kod, e në këtë rast, autori e shpërndanë dhe në të njëjtën kohë edhe kërkon kodin e tokës.
Sa sfiduese është një gjë e tillë, sa i dhembshëm është ëndërrimi dhe mundi për t’ia qëlluar një aritmetike të tillë poetike, që filozofinë e jetës e shndërron në kod, i cili, padyshim është plasës e përplasës i vetë njeriut, duke mbërthyer brendapërbrenda shumë çelësa që i ngjajnë jetës dhe vetëm çelësit të jetës! Këtë katandisje shpirti e hasim pothuajse tek të gjitha poezitë, por në forma të ndryshme, ku ditët, vitet e motet shndërrohen si në dritë madhështie.
Shëtitja sa në Tiranë, sa tek këndimi i Mjedës, sa tek kënga e pakryer, tek kodra e deri tek gjaku i derdhur, sa tek shëtitja buzë detit Jon dhe në Çamëri, Lulaj bëhet pelegrin i veçantë, kurse me vargun e tij ngreh shtrat lumi, me të cilin thua se ujitë e freskon çdo pëllëmbë e cep toke, e, me mallin që ka, flet e tregon për çdo gjë e për gjithçka në unazë rrethore, kurse, njeriun e atdheun i vë sipër koke, në zemër e në mendje. Për çfarë edhe ligjëron: “Atdheun tim faqebardhë/E kam shpirt, e kam xhan/Atdheun e kam krushk/…E kam arterien e shpirtit/E kam Teutë e Dardan/… E kam përkrenare të Gjergjit/E flamur të Vlorës motër/E kam ferexhe të Nënë Terezës/… E kam betim të ushtarit/E kam sakrificën e Prekazit/E kam Betejën e Logjës/E kam gurin e gjakosur të Koshares…”! Pra, ky është kodi i tokës, kodi i atdheut të tij. Dhe tash, sikur i tërë vendi, por edhe vendlindja e, janë vend i pushimit shpirtëror, por, edhe temë ende e pazgjidhur, e cila njeriun e detyron të ecën nëpër kohë si mbi teh shpate, por duke i kënduar këngët që shkrepin dritë e madhështi, edhe pse disa sosh ende janë të pa kënduara!
Poezia dhe zëri i poetit si antologji e krenarisë dhe e dhembjeve
Prandaj, autori na përkujton shumëçka, më ç’rast vargun e bën pritje dhe revoltë: “Pse, hesht ti, pulëbardhë pa gojë?/Pse vazhdon fluturimin në Vlorë?/Pse je pajtuar ti me heshtjen?/Nuk të lemi ty të gjorën të heshtur/Se të bëhemi urë e pararoje, të kem motër/Të gjakut arbëror”! Më pastaj, në rrjedhën e këndimit poetik, autori bëhet heshtje e lutjes për rrëfimet që janë ditë, javë, vit, decenie e diçka më shumë, të cilat e përvëlojnë me mallin për vatrën ku është lindur. Por, jo vetëm kaq. Sepse, këto rrjedhime sikur i ngjajnë vjetarëve dhe antologjive të dhembjeve, ngase, mërgimi është plaga më e vjetër, e cila vetëm ndonjëherë bie në gjumë, por kurrë nuk shërohet: “Athua a jemi shumë që boll jemi të tërë jashtë/E nga këtu mallohem për gurishtën për ferrë e shkarpa/Për gurrën e ujit në mes të fshatit ku i mbushnim kanatat/Për baltën e rrugëve të boshatisura e shirat e gjata”.
Por, nuk është vetëm kjo plagë-prush. Fati i njeriut edhe sot është plot damka, trembje e me rrugë të ngushtimit shpirtëror, që edhe në këtë shekull kanë gjeneruar baladën e ikjes: “Ç’janë këta grumbuj burra gra e fëmijë fytyrë ngrirë/E këto duar krah e qafë mbrëmjeve në errësirë?/Në stacionin e takimeve ardhjeve e shkuarjeve/Ikje ndarje gjëmë, britma, lot, vaje lamtumirë/… Heeej, nxënësit i lanë bosh klasat, mësueset e shoqet e shkollës/E lanë në gjysmë Abetaren tabelën e shumëzimit/Foshnja s’arriti ta mësojë as betimin e ushtarit të panjohur/As ngjyrën e flamurit, as alfabetin e Manastirit”!
E tmerrshme dhe e rëndë kjo histori, kjo pasqyrë dheu e atdheu, që na prezanton poeti.
Me vargje të tilla dhe të ngjashme është i mbërthyer i tërë libri, dhe thua se të gjitha janë si atlas i një gjeografie shpirtërore. Mirëpo, krijuesi e din dhe është i vetëdijshëm se kombi i tij nuk është i dënuar nga Zoti. Dhe, dua të them, se pikërisht në këtë duhet kërkuar shkaktarin e mëkateve dhe të të gjitha të këqijave edhe brenda vetvetes. Sepse, siç thotë Franz Kafka: “E hidhur nuk paska qenë jeta, por njerëzit”!
Mërgimtarët, pra, edhe shkrimtarët nga atje, përveç këndimit të flaktë, ata kanë dëshirë edhe t’i fusin në një arkë të fildishtë (nëse ekziston diku ajo) të gjitha kujtimet për vendlindjen, për atdheun e për kombin, mu si nusja pajën që e ruan deri në fund të fundit të jetës. Edhe pse brenda kësaj arke, plakën rrëfime, ëndrra të parealizuara, dhembje e lot, moçnisen edhe shumë fjalë kurrë të pathëna, e bëhet rrëmujë historia…!
Dhe tash, Kodi i Tokës…! Po, kush mund ta gjej apo të ia qëllojë këtij çelësi të artë e të çoroditur në të njëjtën kohë?! Këtë duhet ta bëjë vetë njeriu, duke e praruar jetën me lumturinë dhe me njerëzoren. E ky, ndoshta është kodi, kodi i tokës, i mendjes së njeriut, e cila gjë më së shumti i nevojitet pikërisht njeriut të vendit tonë, të tokës sonë të lashtë e të shenjtë. E, poezia është një prej çelësave, që bën mrekulli, sa që edhe kohërat çmendën…! Dhe se, puna përkushtuese në këtë vepër të Neki Lulajt, sikur plotësisht puthitet me mendimin e Ernest Hemingway: “Të shkruarit është gjë e lehtë. Gjithë ç’të duhet është të ulesh para makinës së shkrimit dhe të pikosh gjak”!
LARMI, PASTËRTI E FJALËS, SINQERITET DHE MJESHTËRI ARTISTIKE
-Libri “Nëndetësja” – vëllim me tregime – të shkrimtarit VIRON KONA-/
Nga Ndue Dragusha/
Është e natyrshme që shkrimtari tashmë i njohur jo vetëm brenda kufinjve të Shqipërisë, Viron Kona, të dalë me një libër të ri, sepse krijimtaria e tij ka qenë shumë produktive në vite, duke bërë përherë e më shumë lexues të vegjël dhe të rritur për vete përmes intrigave interesante, por edhe reale, për të cilat lexuesi ka treguar aq shumë interes në vijueshmëri. Leximi i një krijimi letrar sigurisht që ka shije dhe bukurinë e tij, që të motivojë një sensacion të brendshëm të një vazhdimësie artistike, dalë nga një eksperiencë jetësore, që çertifikohet dhe verifikohet në jetën e përditshme të secilit prej nesh, që, sipas kritikes amerikane, Helen Vendler, “shkaktojnë sensacione e ndjenja të veçanta”. René Wellek e Austin Warren, shkruajnë: “Shkrimtari jo vetëm që ndikohet nga shoqëria, por edhe ndikon në të, arti nuk e riprodhon thjeshtë jetën, por i jep formë asaj.”
Dhe vërtetë, duke lexuar librin e ri me tregime “Nëndetësja” të shkrimtarit Viron Kona, pasqyrë e një realiteti dhe një ekzistence të shkuar, gërshetuar me kujtime të dhimbshme, që ngjall tek secili prej lexuesve atë dhimbjen e thellë që të japin kujtimet, që në një mënyrë apo në një tjetër të “mundin” dhe të bëjnë të derdhësh dhe një pikë loti malli, mrekullohesh gjithsesi me stilin e thjeshtë të të shkruarit, që merr forma të ndryshme në parabolën e jetës, aty ku lindin idetë, “vrapojnë” mendimet, përballen personazhet (pavarësisht nga mosha), aty ku njeriu ndihet i obliguar për të bërë atë që duhet në shërbim të ideve që mbështeten nga e mira.
Nuk janë shumë, por 13 tregime, që vijnë nga kohra të ndryshme të realitetit shqiptar, ngarkuar me heroizëm, me dashuri, me pasionin për të mirën, me përballjet me të vështirën etj.
Viron Kona ka një stil të veçantë të treguarit, një narracion modest, por me thellësi dhe qartësi ideshë, plot intuitë dhe inteligjencë. Shkrimtari përmend karaktere nga më të ndryshmit: njerëz të zakonshëm, punëtorë e të sinqertë, fëmijë që dëshirojnë të jenë të mëdhenj, fantazistë të “çmendur”, patriotë të flaktë dhe të besës, por më së shumti dhurues energjishë në shërbim të progresives dhe të komunitetit.
Libri hapet me tregimin “Kamerieri i Ismail Qemalit”, ku vihet në pah thjeshtësia e atij burri shteti, që bëri emër në historinë e Shqipërisë, por që ishte aq i thjeshtë sa vetë thjeshtësia dhe aq i thellë sa të çudiste, me një komunikim shumë qytetar, i cili le mbresa të jashtëzakonshme tek ai fëmijë, që ëndërronte ta takonte, duke e konsideruar si Kryeminstër të Shqipërisë, si njeri të veçantë, por me mënyrën e komunikimit të tij, ai e bën që të fillojë të mendojë jo më për lojrat fëminore, por për vepra të mëdha, siç ishte mbrojtja e trojeve shqiptare nga lakmitë e të huajve përrreth. Shembulli që sjell Ismail Qemali me zogun dhe qentë është një metaforë e fuqishme, e cila e shoqëron këtë fëmijë gjatë të gjithë rritjes së tij, duke blatuar brenda atij shpirti të pastër, heroizmin dhe qëndresën.
Pastaj vjen tregimi “Antigona”, ku në të vërtetë, në fillim të duket se tregohet thjeshtë për të përjetësuar emrat e figurave shqiptare të letersisë, por jo, është një mesazh shumë më i fuqishëm që i jepet lexuesit: “Në të vërtetë s’u linda për t’urryer, por për të dashur!”.
Tregimi “Helmeta” është një tregim që vjen nga pjesa më e bukur e jetës, ku çiltërsia është prezente në çdo hap, fëmijëria, duke transmetuar idenë se njeriu duhet gjithçka ta zgjidhë vetë, pa pritur që të tjerët të “saldojnë” mbi kokën tënde.
Por ajo që të mbetet e paharruar është tregimi “Një gotë uzo”, ku ka ngjyra, kontraste, paradokse, mesazhe të ekzistencës, natyrshmëri plot mall dhe shpresë dhe ku njeriu gjendet një ditë para një karrikeje bosh, drejtuar andej nga shihte prindi i mirë për të mirën e fëmijëve, andej nga duhej të çelnin lulet e reja të një jete të re, por të ngarkuar dhe me ëndrrën e tyre, në formën e mallit.
“… Të nesërmen në mëngjes, rreth orës 06, kur babai zgjohej si zakonisht, shkova ta përshëndesja. Por, ai… nuk jetonte më. Mbi komodinën pranë krevatit, gota e tij e uzos kishte mbetur e pambaruar, kurse jashtë, në oborr, karrigia e thurur me kashtë, ku ai ulej dhe shihte kopshtin me lule, po më dukej më e zbrazur se kurrë…”
Gjithçka sillet në vorbullën e jetës, si në një cirkuit, në një spirale, që shpesh ruan koordinatat e orientimit, por kur të gjithë synojnë drejt së mirës dhe kur e mira vazhdon të rritet, por ato humbasin në një lëvizje marramendëse, në një kaos apokaliptik, kur njeriu vepron ndoshta krejt i pavetëdijshëm për pasojat e veprimit të tij dhe ku e vetmja shpresë, më në fund mbetet se mbase, mbase…. E kjo del qartë tek tregimi “Eukalipti”.
Nuk mund të mos qeshësh tek tregimi “Ajo, po, ishte e qeshur!”, “Hakmarrja e mizës”, “Bluza me zinxhir”, apo nuk mund të mos vuash tek tregimi “Nëndetësja”, “Mbrëmja e maturës” etj., ku problemet fokusohen në sfond më të gjerë, me problematikë kombëtare.
Libri është konceptuar “miks” për të mëdhenj dhe të rritur, ku gjithsecili gjen të vërtetën, shpirtin, ndjenjën, mallin, dashurinë, respektin, edukimin, madhështoren, të përgjithshmen dhe të veçantën, kujdesin dhe qytetarinë, shkurt, është një libër që i duhet secilit, i shërben secilit dhe ku secili “gjendët” brenda vargjeve, ndjesive, mallit, ideve, realitetit dhe dëshirës. Libri të përballë me një jetë, që prezantohet si një skenë teatri, ku secilit i duhet të luajë role të ndryshme, siç ka thënë Shekspiri, si një simfoni që të freskon, si një telajo me ngjyra të ndryshme, ku e mira duhet të jetë vizioni i secilit.
Gjithsesi jeta mund të ndryshojë dhe ndryshimi objektivisht vjen brenda ciklikës së jetës në mënyrë të natyrshme, por në se ne ndërhyjmë në mënyrë të dhunshme, ajo na përgjigjet “dhunshëm”.
Shkrimtari e përmbyll librin e tij me tregimin “Shenjtëria e lexuesve”, si për të dashur të thotë se kjo “mbretëri” duhet të mbetet e pacënueshme, e justifikueshme dhe e paprekshme, sepse aty, pikërisht, ndodhet eleksiri i jetës: tek pastërtia e fëmijëve. Besoni asaj pastërtie dhe mos ndërhyni me veset tuaja!
Libri është një ndër më të lexueshmit dhe më të këndshmit, për vetë larminë e tregimeve, pastërtinë e fjalës, sinqeritetin dhe mjeshtërinë artistike të të treguarit.
I uroj shkrimtarit Viron Kona suksese dhe jetë të gjatë për vepra të tjera të bukura!
- « Previous Page
- 1
- …
- 286
- 287
- 288
- 289
- 290
- …
- 303
- Next Page »