• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tregim i jetuar-ËNDËRRA PËR NJË KOSTUM

June 29, 2013 by dgreca

Nga Memisha Gjonzeneli – Tragjasi-I burgosur politik, dekoruar me Medaljen e ARTE  ”Naim   Frasheri” /

 – Hej!  Ju  të  dy, dilni nga  rreshti!/

–  Kush? – pyeta unë./

–  Ti, më tha duke bërtitur, gjithë nerva kapter Ali Rama. Shpejt  hekurat./

– Po pse zoti kapter çfarë  bëra?/

– Fole në rrjesht, ju e dini që është e ndaluar./

–  Po, thash me vete, ke të  drejt, unë kishja folur në rresht…  /

Ishim afro 1100 të burgosur në repartin 309 në Thumanë, që punonim të uritur deri sa raskapiteshim. Niseshim, në rrjesht për katër, në mengjes herët dhe ktheheshim afër darkës. Ecnim më shume se një orë rrugë për të mbritur tek fronti i punës.  Rruga qe një  baltë e ngjitur, jo rrall na  shoqëronte edhe shiu, dhe  kjo, ishte  një ditë e tille. Kishte mbi një orë që kishte  filluar i shkreti  shi. Të  burgosurit që kishja afër, i rrëshqiti  këmba dhe lopata që mbante në  krah më goditi në  kokë.

– Më fal, tha  ai, nuk  doja!

-S`ka  gjë, i thash unë, duke  fërkuar  kokën .

Kapteri që ishte shumë vigjilent e pa  gjithë  skenën. Na vuri prangat, na i shtërngoi deri në kockë  dhe kur mbritëm në kamp na futën në birucë.

*     *     *

Kështu u njoha me Malon. Ishte dënuar  për strehim  diversantësh me 18 vjet heqje  lirije dhe kishte 5 vjet që vuante në  burg. Para një jave  kishte  mbushur  25 vjeç, ndërsa unë  kishja  kaluar dy  muaj nga mosha 18 vjeç. Të  nesërmen, që në mëngjez herët  erdhi polici dhe  na nxori  nga biruca, kishte hallin e realizimit të normës.

Shpejte  bëhuni gati  për në  punë, na urdhëroi ai.

Që nga ajo ditë nuk u ndamë më me Malon. Një ditë më  kishin  ardhur  nga  shtëpia  për  takim, Malua, më ndihmoj, deri sa i rregullova të  gjitha ushqimet. Sipas zakonit të të burgosurve  atë ditë e mora  për drekë Malon, me gjith kundërshtimet e tij.

Malua ishte nga fshatrat  e Tepelenës, i  gjatë, me  trup të rregullt, ishte i zgjuar, dhe   kishte mundur të kryente vetëm tre  klas gjimnaz.  Kishte një mënyrë të foluri  që  të detyronte ta dëgjoje. Të shikonte në sy  kur fliste, në se do ktheje kokën  ai  menjëherë  pushonte, dhe  kur e ktheje shikimin ai fillonte  prap  të fliste.  Fillimisht, më  trajtonte  si më të vogël, po me  kalimin e kohës nuk mbante më rezerva, e më shihte si të barabartë me veten.

Fillova t`i tregoja për vështirësit e jetës në qytet, luftën e klasave, dhe ndodhi të tjera. Vuanim nga urija nuk ngopeshim  asnjëherë me bukë dhe gjithë natën shikonim  ëndërra  sikur  hanim! Kur i flisja për mjerimin tonë ai m`i ngulte sytë dhe nuk m`i hiqte. Më dëgjonte me shumë  vëmëndje, ishte një dëgjues i rrallë, pak  njerëz  mund të kem parë si ai. Të linte të flisje me qetësi  dhe  kur ishte i sigurt  që kishje mbaruar  atëhere  fliste, ose pyeste  për ato që  i kishje folur. Një ditë më  pyeti:

– O vëlla, a di të lozësh shah, se ju djemt e qytetit ini më të zhvilluar se ne fshatarët?

– Më dëgjo, i thashë,  të kam folur për jetën e veshtirë që kam kaluar, dhe që nuk kam pasur mundësi të luaj.

–  Kisha harruar  fare, më tha Malua, por unë do ta  mësoj  këtë lojë të bukur. Kaluan pak kohë duke luajtur shah dhe unë eca shumë përpara edhe natën në gjumë më bëhej sikur lozja shah me dikë. Shumë shpejt u bëmë të barabart, aq sa në shumë lojëra dilnim rremi. Që atëhere e deri sot unë u njoha si shahist i mirë.

Kur  kampi u transferua në Laç, ku punohej në ndërtim, u ndamë edhe me Malon. Atë e transferuan në burgun e Burrelit si njeri të rrezikshëm.

*     *     *

Erdhi edhe dita e lirimit nga burgu. Vura re se njerëzit e mi dhe shoqëria nuk ishin më ata që kishja lënë  para se të hyja në burg. Tani duhej të hidhja çdo hap me kujdes dhe gojën duhet ta mbaja kyçur, mbasi  ishte shumë lehtë të kthehesha nga kishja dalë, në burg. Duhet të punoja shumë, në mënyrë që të paguaja edhe atë që më ruante e spiunonte që të mos i bija shtetit në qafë,  por edhe për të jetuar për vete. Ky ishte mësimi që kishja  marrë në burg dhe të them të vërtetën më shërbeu pasi nuk u riktheva në burg si shumë shokë të mi.

Një pasdite kur po kthehesha nga puna më doli përpara një shoku im i burgut.  Fillova  ta pyes për shokët  që kishja lënë ne burg.  Shoku im më foli së pari për Malon. Ka një muaj që është liruar, më tha ai. Pas ca ditësh shkova dhe e takova, në një fermë afër Fierit. Ishte gëzim i madh  për të dy që  takoheshim pas 10 vjetë ndarje. Nuk  kishte  ndryshuar fare, vetem  thinjat tregonin për vuajtjet që kishte hequr në jetë. Fliste si gjithnjë me zë të ulët dhe ngadal. Jetonte  vetëm me nënën. Kur u ndamë nxora një zarf  ku  kishja  pak lekë që pata  kursyer. Pas kundërshtimeve ai u bind dhe i mori paratë dhe dy pika lot i lagën faqet. Më  hodhi dorën në qafë uli koken dhe me turp më tha se babai dhe vëllai e kishin braktisur si armik të popullit. Vëllai iku nga  shtepia, sepse nuk mund të rrinte nën një strehë me mua, pas një muaj kishte ikur dhe babai pa dhënë asnjë shpjegim. Më lanë vetëm me nënën, pa asnjë ndihme, e përkrahje. Ti e di, më tha ai, që unë edhe në burg  punoja  shumë  prandaj nuk u mposhta, por vuaj shpirtërisht për mungesën e dashurisë së vëllait dhe babait, por ti po i zëvëndëson ata.

Ti ke  plot rezerva dhe forcë për  të ecur  përpara, i thash unë.

Pas një viti mora nje leter nga Malua ku më njoftonte se ishte martuar me një  grua të ndarë nga burri, por edhe atë mezi ia patën dhënë. Njerëzit e sajë  kishin pyetur në këshillin e lagjes, te  shefi i kuadrit  ku punonte dhe në Degën e Punëve të  Brëndshme. Ne fund, një ditë të shtune ia shpunë në shtëpi:  të  trashëgohesh, i thanë njerëzit e gruas dhe mos bën dasëm, se ti ashtu  e ke hallin. Nëna u gëzua shumë se tani kishte edhe nuse në shtëpi.

Në një letër tjetër, pas dy vjetësh, ai më shkruante: “Miku im, jam  bërë baba, kam një vajzë  të bukur dhe tani kam dy ëngjëj: Nënën e shtrenjtë dhe çupën e dashur. Me gruan nuk i kam punët mire. Shpesh kthehet vonë në shtëpi pa pasur arsye. Është bërë  brigadiere. Për vajzën   nuk interesohet fare. Një ditë vajza  po qante dhe ajo i tha  “Plaç në vend,  pjella  e armikut të  popullit, më  hëngërt  shpirtin, kur do të shpëtoj nga ju!”. Nëna e kishtë dëgjur me dhimbje dhe kishte heshtur. Të nesërmen, ndërsa nëna po më percillte, më tha: “Malo, bir, të lutem, mos bën fjale me  tët shoqe. Tani kemi edhe vajzën, pastaj nëna mbushi sytë me lot  dhe u kthye në shtëpi”. U ndamë me nënën pa kuptuar se përsë m`i dha ato këshilla?” Më von mora vesh se e shoqja  e Malos kishte  ikur nga  shtëpija dhe ishte martuar me Llazin traktoristin e fermës.

*       *      *

Ne vitin 1990, unë me gjithë  familje emigrova në Amerikë. Malua  doli në vijën e parë të Lëvizjes Demokratike. Disa herë kishte shkuar edhe në Tiranë për demonstrata dhe kishin dashur edhe ta arrestonin.

Në fillim të vitit 1997, mora një letër nga Malua  ku më shkruate: “U lodha së jetuari  gjithë  këto vite, luftë e pa ndërprer me njerëzit dhe me sistemin. E ndiej veten shumë  të lodhur dhe të  drobitur. Fituan të gjithë ata që rrinin në hije. Ata po drejtojnë sot dhe nesër.Të shohim si do të na veje halli”.

Vajza e Malos që ishte martuar dhe nga kjo martesë kishin edhe dy djem të vegjël, erdhi në Amerikë. Ajo më foli për ndarjen me babanë: “Atë ditë që u ndam, për herë të parë në jetën time e pash babin të qante. Atë burr që nuk e kishin përkulur dallgët dhe tufani jetës, tani po shihja të qante përpara dy fëmijve.

– Babi,  të  lutem, mos kështu,  i thash.

Ai ngriti kokën dhe fshiu shpejt syte, nuk donte ta shikonin që qante. Pastaj e mori veten dhe me krenari më tha: “Po qaj për ty shpirti im, nuk  kam më njeri tjeter në këtë  botë, dhe nuk  jemi  ndar asnjë  herë. E dija që do të vinte kjo ditë  por …  Po qaj edhe për ata yje që ke, që kur  lozja  me ta më falnin gjithë të mirat e kësaj bote…”

E dëgjoja këtë vajzë, që më tregonte me sytë e mbushur me lotë, por edhe unë nuk mund të rrija pa derdhur lotë për shokun tim krenar që kishte duruar vuajtjet e burgut pa nxjerrë zë, pa derdhur lotë dhe pa humbur shpresat për jetën. Në një moment vajza e mblodhi veten dhe m`u drejtua mua:

– Po ti ç`pate? – më tha ajo.

– E si të mos qaj? – i thash unë – Qaj për jetën tonë, për rininë tonë që humbëm nëpër burgje dhe kampe internimi, pa pasur asnjë faj, për ju fëmijët tanë që nuk paskan mbaruar ende vuajtjet e jetës.

Erdhi edhe dita që vajza e mikut tim u bë qytetare Amerikane dhe e thirrën edhe Malon në Amerikë. Shkova edhe unë për të pritur Malon. Sapo zbriti nga avioni, po na kërkonte me sy, kur, sa pa fëmijët i la në vend  ç`farë  kishte në duar, dhe u sul drejte tyre. I kapi me të dy duart dhe i futi në gji. Dridhej i tëri dhe dukej sikur nga çasti në çast do të rrëzohej në tokë… Më së fundi e mblodhi  veten ..  U takua me  vajzën e me dhëndërin dhe kur  u kthye  nga unë më tha: “Vella! Zoti nuk  na la larg njeri tjetrit” dhe mu hodh në  qafë.

*      *      *

Une e Malua  takoheshim çdo të shtune. Bisedonim dhe shikonim përpara, për të ardhmen, si do të jemi dhe ç`farë do të bëjmë… Një ditë ndërsa po bisedonim në një park, ai më pa në sy dhe më tha:

“Kur të marr lekët e burgut, gjëja e parë që do të bëj, do të blej një kostum të mire bojë hiri. Më fal vëlla, mbase  është turp, po une s`kam veshur kurrë kostum, por edhe nuk më është  dashur, e ç`më duhej mua kostumi? Do të blej edhe një këmishë, mendoj ta blej të bardh, por kot ta blej të bardhë, unë gjithë jetën  s`kam pasur asnjë ditë të bardhë. Do ta  blej  kafe, kullaron   kuq e zi, këpucë, çarape, edhe ato kafe. Them edhe  për një  palë syze, me gjithë se u kam parë shokëve dhe nuk më kan  pëlqyer. Me dy mëndje jam”.

U shtanga, nga kjo ligjiratë e këtij njeriu të vuajtur dhe humba në mendime. Malua me fjalë të thjeshta po tregonte vuajtjet dhe mjerimin nën diktaturë dhe kështu po bënte apologjinë e këtyre njerzëve, ata të gjith ishin si Malua. Fjalët e tij më kujtuan një shok tjetër të burgut, Ahmet Hoxhën. Ishte një njeri që nuk dinte ç`ishte shtarti me sustë, si ishte parfumi i një femre, ç`shije kishte birra apo vera. Ishte një njeri që nuk kishte veshur kurrë një kostum, qoftë edhe prej doku, që nuk kishte fjetur kurrë me një femër… Ahmet Hoxha e kishte kaluar jetën në burg. Ishte arratisur dy herë nga kampet e punës ku kryente dënimin, por nuk kishte mundur të kalonte kufirin…. U arratis për herë të tretë, por u tradhëtua, e kapën dhe e pushkatuan si një armik të rrezikshëm…

Malua nuk më la të mendoja gjatë. Edhe diçka  tjeter, më tha ai: “Në xhepin e brendshëm të  xhaketës, dua të fus një flamur të vogel plastik që kohët të mos ma  prishin. E dua vëlla, më tha, atë flamur, se e kam pasur gjithë jetën në zemër. Prandaj dua ta kem përgjithmon mbi zemrën time. Le të fler me mua, vëlla, më dëgjon? Ti e di që ne luftuam  për Shqiperi për liri, e  për flamur… “.

U ngrit në  këmbë. Ishte bërë si limon në fytyre. Hajde, më tha, se do të ikim në shtepi dhe u nis  drejt makinës. Rrugës nuk e hapëm gojën fare. E çova në shtepi dhe kur zbriti krejt i qet, më   tha: “Vëlla më fal, të kam  thënë  fjalë të rënda  sot. Por mos harro, jemi burra të kësaj toke”.

Sapo u ktheva në shtëpi mendova se jetës nuk i dihet, prandaj e shkrova amanetin e Malos, që të mos harroja. Që atë ditë më dukej  sikur diçka nuk ishte më si më parë. Një ditë kur vajta ta merrja në shtëpi sa hipi në makinë, më dha dorën ta ndihmoja. U habita dhe u shqetësova, dora  e tij ishte shumë e ngroht.

– Më duket se ke temperature, i thash.

– Jo, jo, tha  ai, jam shumë  mirë,  nisu, më  tha, ç`fare pret?

Koha  ishte  shum e e bukur.

Ore, më tha Malua, ku po na  çon? S`kam kaluar, asnje herë nga  kjo  rrugë?

Ktheva kokën dhe e pashë me dhimbje, ai njeri kishte humbur ndërgjegjën.

Do kthehemi në  shtëpi i thash i shqetesuar.

Jo ore, tha ai,  ç`far  flet?

Vajtem në park dhe u ulem tek vendi ku uleshim gjithnjë. Por Malua nuk orjentohej dot dhe më tha se është hera e parë që vijmë në këtë vend!

U shqetësova, pa masë dhe ndërsa mendoja ta ktheja në shtëpi, më kërkoi ujë. Vrapova t`i sillja ujë  dhe kur po afrohesha  pashë dy tre vetë pranë tij, të cilët e kishin shtrirë Malon në stol. Sytë i lëviznin në kontrast me njeri tjetrin. E ngrita ndenjur.

–  Kush je ti?, më tha ai.

Sytë mu mbushen me lot, kishja mbetur si i ngrirë dhe nuk dija ç`të bëja. Në  këtë  kohë mbriti  ambulanca. Mora në telefon të bijen dhe i dhash adresën e spitalit. Vajza duke qarë më tha se edhe neve në shtëpi kishte filluat të na ngatërronte.

U ktheva në shtëpi mora penën dhe shkrova këtë letër:”E dashur dhe e nderuar mbesë, të them  mbesë se babain tuaj e kam vëlla të madh. Këto që po të shkruaj janë amaneti dhe dëshira e  tij”  I shkrova  me hollësi  për  ç`fare më  kishte thënë Malua. E futa letrën në një zarf bashk me 1000 dollar që të mbuloja sado pak shpenzimet. Malua ndërroi jetë pas një jave në agoni. Në kurorën që porosita  për Malon, në respekt të shahut që më mësoi, i futa në të dy anët nga një oficer të bardh shahu, që t`i rrinin përgjithëmon roje, këtij njeriu të thjeshtë dhe të madh njëkohësisht.

*    *    *

Vajza e plotësoi amanetin e të atit: e veshi të vdekur me një kostum, ashtu siç kishte ëndërruar ai tërë jetën…. Nuk harruan t`i vënë me vete edhe një flamur…

 

Filed Under: Kulture, Sofra Poetike Tagged With: endrra per nje kostum, Memisha gjonzeneli

LEDIANA STILLO, E FTUAR NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT

June 14, 2013 by dgreca

Lediana Stillo lindi në qytetin e Korçës më 25.11.1980. Në mars të 2003 ndërpreu studimet universitare për të emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga shkurti i vitit 2005 punon si analiste ne Departamentin e Thesarit te Massachusetts. Ajo vazhdon studimet ne Harvard University, ku shpreson të kopletojë studimet për kontabilitet financiar dhe artet e bukura.
Pasioni i Lediana Stillos për letërsinë ka filluar që në moshë të re, por ajo nuk botoi deri më 2008. Eshtë autore e vëllimeve poetike “Lotët e nimfës” (2008); “Pax Deorum” (2011); vëllimit me drama “Mëkati i heshtjes” (2011) si dhe autorja e antologjisë me poezi amerikane të përkthyera në shqip “Tingujt e erës”, botuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës më 2012. Lediana ka fituar çmimin e parë për poetet e rinj më 2010 nga shoqata e shkrimtarëve “Pegasi” dhe ishte finaliste e konkursit austriak për dramat më të mira shqipe ne vitin 2009. Së shpejti, vëllimi tjeter me poezi, “Kulpra e Katedrales së Heshtur” do t’i paraqitet publikut shqiptar.

 Paqe ballkanase

 Të pikturosh paqen ballkanike

është si të hijëzosh fytyrat e të humburve,

me laps të kuq

 Të rikthesh klepsidrën deri në kokrrën e fundit

dhe te presësh heshtjen e Athinës

përmbi Trojë.

 Të flasësh për paqen në Ballkan

do të thotë të kesh në duar dhjetë sy

të përulur e me veti përthithje

në pritje për të fjetur përfundimisht.

 Të kerkosh paqen ballkanike

do të thotë t’i biesh në gjunjë sfinksit.

të shohësh me trimëri një sy meduze

e të dehesh me një gotë pelini.

 Dhe nuk e dime se për sa kohë koha do të kercënojë me kohë?

Dhe nuk e dimë se për sa kohë shtëpitë do braktisen e heshten?

Dhe nuk e dime se për sa kohë ënjgjëjt do flenë tok me djajtë?

Kërcënimi ballkan është i lashtë.. i lashtë… një lashtë universale…

 Atdheu im, kërthizë antike.

 Forcën gravitacionale nuk e kuptoja dot

kur në lirinë time kridhesha shfrenuar

nga dega e braktisur.

Në këmbët e pemës mëmë, rrija indiferente

fshihja identitetin tim të mohuar.

Ajo, pema e sherrit.

Unë fruti i mbujtur në mite.

Shkëlqimit tim të llustruar iu përgjigjën krimbat

Atëherë, u ndieva dyfish e huaj

mashtruar nga inekzistenca amfibe.

 Forcën e tërheqjes nuk e shihja dot

kur në palcë më derdhej shkujdesshëm

uji I kroit të ftohtë.

Trefish e njoha dëborën e Marsit atë vit,

ciklonit oqeanik trefish ia njoha peshën

në dimensionin e një neuroni.

Po trefish u përplas koha në format e saj.

Atëherë u njelmën kanalet e syve të mi.

Gravitacioni i mitit të braktisjes

gropë të zezë formoi

në prehër të kraharorit…

Atëherë pashë hijen e Njutonit të më fanitej.

Ndieva dhimbjen e krimbit dhëmbgërryes.

Kuptova ekzistencen “e huaj” në dhe.

 O Atdhe! Nuk të drejtohem dot me emrin e Gaia’s.

dhe pse Nënë të gjithë të kanë quajtur.

Ti je kërthizë,

Kërthizë,…

e një mitre mbarsur me mite.

 Ne, barbarët

 Kush tha se më barbarë nuk ka?

Kush tha se s’kanë qënë ndonjëherë?

Sot heshtja është prova moderne

e barbarëve, e jona, e shkrirë me ta

që kur Eva e hëngri frutin çuditbërës.

Dhe ende nuk e kuptojmë

rritjen tonë në kafaz;

si vendosim të mirën dhe të keqen

në peshoren Anubiane

dhe besojmë se jemi me të lehtë

se pupla e  një struci afrikan.

Thua se Zoti na dha shpirtin dhe na bekoi

shtegtimin mbi botën e humbur,

për t’i ndier valsin në brendinë tonë,

në ngjitjen tonë të ajërt drejt askushit?

Sa të varfër jemi. Sa varfërisht besojmë

Cavafy priti kaq shumë t’i shihte barbarët,

por ata nuk erdhën në qytetin e shtangur

Si do të mundeshin, kur ata aty ishin

në senat, asamble, në pallatet “teatrale”?

Sa të varfër që jemi. Sa varfërisht mendojmë.

Gjithçka bëjmë, është të lënit poshtë të penës

dhe të imagjinuarit se sa engjëj ne jemi

në këtë botë mizorish.

 Dialog me një të panjohur

  -Si ju quajnë?

– Nuk më kujtohet. Ndoshta nuk kam emër..

Ndoshta jam një numër i panumërueshëm

në bashkësinë e zerove.

 – Pse keni ardhur?

– Më patët thirrur ju ose ndoshta më kanë bërë veshët…

 – Si ndiheni?

– Bosh në plotësinë time, sigurisht!

 – Çfarë shije kanë bajamet?

– Të athët.. të kripur…

 – Çfarë shije kanë bajamet ju pyeta!

– Nuk e di. Di se më velin.

 – Pse dridheni?

– Kam frikë. Dielli më drithëron gjithmonë.

 – Pse shkruani?

– Se s’kam si ta shtyj kohën..

 – Pse shkruani ju pyeta?

– Sepse kam tëmtha që ndinë të rrahin…

 – Pse shkruani, po ju ripyes!?

– Sepse jam gjithmonë në pritjë të një dite ngjyrë karafili

 – Përsëriteni c’thate-

– Sepse kam nevojë ta pulsoj ditën,

Ta ringjall e ta bëj të ecë mbi marshe

të panjohura. Ta rradhit në kronologjinë

e ngjarjeve pa autor. Ta hiperbolizoj

paralizen e heshtjes. Ta mardh

ngrohtesine e qeshjes.

Ta godas me shuplakën time – …

 – Ah po, kaloni tashmë ne dhomen e të marrëve!

Histori guralecësh

 Dallgët e detit në Dhërmi duken gojëhapur

si grumbull grash ulur pragjeve të shtëpive

në thurrje të trikove me fjalë sokakesh.

Shtëpitë kalojnë gojës së tyre

si syçkat e trikos përmbi shtizë

e degdisen në breg –

midhje të shqyera, pa histori.

Duhet të bëhem sy që të flas gjuhën e heshtur të guralecave

e në retinë të më kalojë historia e errët, pa të tashme

sepse e tashmja është klithmë e pazëshme,

vrasëse, pa kujtime, pa ankthet e së nesërmes

pa alibi mbijetese. Një gjume letargjik

që përkund në djep mallkimin e peshqve.

 6.21.2011 Winthrop, MA

 Mjeshtër

 Si munde të hyje në labirinthin tim?

Këtu nuk ka as dyer, as dritare jo.

Është terr së jashtmi.

Ashte të njoma trokasin lehtë mbrëmjen.

Kërkojnë t’i strehoj në ngrehinën time të ngurosjes.

 Siç e sheh, sfondi është i thjeshtë. Mure të ndrydhura

si shpirti im i varur mbi mur. Mbi fotografi të paemra

vuloset krenaria martire sipër avullit të xhamtë.

Gishtërinjtë mardhin. Flokët nuk i tregojnë thinjat. Buzëqeshja

di t’i buzëqeshë aparatit fotografik me dhëmbët që sforcojnë mbylljen.

Pak marshe çajkovskiane do të na ngrohin shpirtin. Ti e di –

Violinat e shpirtit do të tundojnë timberin e rrahjes së amshimit.

Mjeshtër,

afromi këpucët e njomura pellgut të shpirtit tënd.

Unë do të përpiqem tua dëshifroj kodin e tyre të veshjes,

me erën e kaluar që ia ngulfatën rritmin.

Erën e njoh. Por jo trokthin e tyre. Flokët e mia

janë amfibe. Ato asgjë s’dinë të fshijnë, veçse të shkulin kujtimet

e t’i rradhitin si mollë të pjekura në kosh.

 Mjeshter,

shoh lodhjen si të ka ndalur mbi ballë, ku stolat e pritjes janë rradhitur.

E ndiej në palcën time fshikullimin e tyre

tek gjerb me gllënjka të vogla pakënaqësinë tënde.

Kam dashur të luftoj në emrin tënd, për ty.

Pa shpatë, pa duar invalidësh. Flaka që ke mbjellë ti

është më e fuqishme. Ajo mbijeton në timen frymë.

 Mos e beso po deshe se mëngjesi im kalon nga një rrjetë merrimange.

dhe fillit të saj end si pëlhurë Penelope trillet e së nesërmes.

 (Tetor 2010)

 Panoramë kuartike

 Si gjethe fluturake që bie në bulevardin Shanzelize

dashurohem me shpejtësinë e erës.

 Përballë, Harku i Triumfit

godet me shkëndija zjarresh të huaja

shikimin tim magjepsur nëpër mure

 Sytë e mi vishen me mite të panjohura.

Ekoja e fatit mban fjalën në majë të gjuhës

dhe kohërat i bashkon në një byzylyk

rrahur me shufra mëkatesh të parrëfyera

 Si gjethe fluturake që bie në bulevardin Shanzelize

thërmohem mbi tëmthin e kohës, mbi terr.

 4/19/11

Tiranë

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: cikel poetik, Lediana Stillo, Sofra e Diellit

JULIA GJIKA- Shoh një lajmëtar në këmbë, në diell-Apokalipsi XIX, 17…

June 6, 2013 by dgreca

VARGJE NGA JULIA GJIKA/

Shoh një lajmëtar në këmbë, në diell./

Apokalipsi XIX, 17/

Në sa e sa shtëpi lavdërohet emri i tij /

edhe i atyre që ecin me të./

Sa hapet dita, deri vonë kur mbyllet,/

Kur cdo gjë e gjallë shkon në gjumë të thellë./

Ata si lehonat që ruajnë foshnjat, nuk flenë. /

Në sa e sa shtëpi luten për ta, e në sa të tjera u hidhet balta./

Një tifozllëk i cmëndur ndodh në atë vend.

Të ecësh në rrugë të reja, në bulevarde të gjëra e të gjata

dhe të mos kujtohesh se kush i shtroi?

Të quash rrugë vdekje autostradat?

Aksidentet kanë ndodhur mbi glob,

duke ndenjur duarkryq ndodhin, do tëndodhin.

Garancitë janë përalla!

Të shpenzosh ditët për të lyer me furcë të zezë të mirën,

t’a mohosh atë,

kur ajo shkëlqen si diamanti në diell, në mes të ditës,

mosmirënjohje është, cmirë e mendjeve boshe,

T’i ngrehësh kurthe atij që kalëron në udhën e drejtë

Të mos dëgjosh këngën që këndon,

ai që është nga zemra e dheut,

ai që transplatoi zemrën e re për vendin.

Eshtë njësoj si të mos duash vehten.

Le ti bashkohemi këngës!

Atyre që ferrat dhe macet i gricin në bark

Ata që dinë të numurojnë vetëm humbjet,

Po digjen në ujra liqenesh të zjarrta zilish, pabesish,

Ata po vdesin, po humbin.

Në sa e sa shtëpi lavdërohen ata,

sepse mbajtën besën në udhën e sakrificave.

Tanimë dihet, nga i madh e i vogël ëndrra e tyre.

Ata s’kishin sekrete për atë vend që priste në agoni,

Ata i treguan të gjitha kur u nisën.

Ne i shohim gjurmët e shpresës, ecim në to.

Zogjtë e qiellit janë mblodhur për të festuar.

Bashkë me ta fëmijët, bari më i njomë, i dëndur.

Pranvera shpërtheu perfekte nën qiellin e hapur,

Vaditur nga ujra të pastra kristal të jetës.

Shohim një lajmëtar, në këmbë, në diell,

Si në një natë me re shohim yjet kur cfaqin shkëlqimin

ndricojnë udhën kalorësit dhe ushtrisësë tij

për të mos e ngatëruar udhën e dritës.

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Julia Gjika, Shoh nje lajmetar ne kembe, vargje

E FTUAR NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT; ZYBA HYSEN HYSA

June 6, 2013 by dgreca

“NJË KRAH DRITË…”, CIKEL POETIK NGA ZYBA HYSEN HYSA/

PATINAZH MBI AKULL…/

Edhe mbi akull,/

Unë luaj patinazh mrekullisht,/

Në majë – hapat e mia,/

Që prekin faqet rrëshqitëse,/

Si një fllad pranvere shkarazi mbi degë,/

Unë mbjell pranverë,/

Përmes plasaritjeve,/

Si xham kristal të akullit,/

Çelin burbuqet e shpirtit,

Aroma e tyre,

Deh dhe rrëmben në krahët e mi,

Imazhin tënd,

E salla,

Kthehet oazë…

Ti,

Nuk di nëse më rrotullon,

Edhe në vallëzim patinazhi,

Unë me hap – flladin tim,

Ndjehem mirë,

Edhe kur vallëzoj mbi akull…

Pas dimrit,

Ka pranverë…!

 

 

NJË KRAH DRITË…

 

Në rrugëtimin

E udhëve të pjerrëta e të errëta,

Që përfundonin me hone,

Shpesh,

Një rreze dritë si vetëtimë,

Më shumë më verbonte,

Se më ndrinte…

Hapat hidhja…

Si një i verbër, kontrolloja udhën,

Me shkopin e intuitës,

Herë,

Pas një zëri,

Që pa e ndjerë dilte nga shpirti

E jehonën e dëgjoja përkarshi…

Ç’udhë e gjatë,

Udhë,

Ku asnjë nuk u bë krah,

Që të mbështetesha të mos bija,

Asnjë dorë nuk u dha,

Që, kur bija, të çohesha…

Pa pritur,

U shfaq një krah drite,

Që s’e kam krah të mbështetem,

As dorë të më ngrejë,

E kam dritë…

E kam dritë,

Për shpirt!

 

DHE STINET NGATËRROHEN…

 

Ka raste Maji nuk vjen fare,

Flladi nuk çel përmbi degë,

Nuk dëgjohet,

As këngë e zogjve nëpër brezare,

As dallëndyshja,

S’gjen dot folenë…

 

Shpërbëhen stinët,

Të katra në një,

Emrat e tyre si në tornado,

Aqsa dëgjohen… mbeten pa zë…

 

Raste të tjera…

Ku Maji vjen veçse pak ditë,

Me afshin e Majeve qe s’i la era,

Fryn fllad – flladi,,

Tërbohet pranvera,

Brenda gji – oazës – shpirt…

 

Tani… thonë që kalendari,

Shënon Qershorin – Verë,

Porse… Maji mbërthyer në degë,

Nuk do të kalojë…

Diçka që ia do shpirti,

S’e ka arritur,

Dhe nuk pushon,

Nën lutje fjalësh,

Ashtu si Marsi Shkurtit,

Disa ditë hua,

Qershorit – Verë i kërkon…

 

Prapë stinët ngatërrohen…

Kudo shikohet anomali…

Ashtu si njerëzit që dashurohen,

Dhe stinët… presin,

Një ditë të bien,

Në dashuri…

 

 

 

LEJLEKET

 

Sa herë lexoja tregime… poezi me lejlekë,

A përrallat që nëna më tregonte për ta,

Se ç’pësonte qenia ime, bëhej me fletë,

Ëndërroja jetën… si foletë e tyre… lart…

 

Kurrë nuk më kanë pëlqyer kanarinat,

As cër… cër – retë e trumcakëve në ferra,

Tmerrohesha, kur dëgjoja të klithnin grifshat,

Të mos përmend më, fluturakët harabela…

 

Dallëndyshet më sillnin ngazëllim pranvere,

Por trishtim më linin… kur larg shtegtonin,

O zot i madh, qyqen e dëgjoja me dhembje,

Më trimëronin shqiponjat, kur lart fluturonin…

 

Sot që vitet kanë rendur me mua, pa mua,

E zgjuar apo, në gjumin e detyruar letargjik,

Përherë si lejlekët folenë e tyre, kam luftuar,

Me thonjtë e mi jetën ta nxjerr lart në dritë…

 

Pse të fsheh burim dritën tënde mistike,

Që ne e emërtojmë me fjalën, Dashuri,

Më jep krahë e kthehem në masë drite,

Si lejlekët jetoj mbi tokë, atje… në lartësi…

 

NUK MUND TË URREJ…

 

Si s’ më mësove… që dikë të urrej,

Urrejtjen, o nënë, thoshe, mos e afro,

Të ligut, ligësinë, me mirësi t’ia kthej,

Veç të fshehtat, më këshilloje, mos i trego…

 

Të ligun… më mirë ta mbash ngjitur,

Në afërsi dhe vështrimin e syve i dallon,

Në ligësi … shkëlqejnë si ujk i uritur…

Në zhgënjimet e tij, suksesin tënd shiko…

 

 

NË MË KE TË SHTRENJTË,

MBRO TË SHENJTËN TIME

 

U këputet filli hyjnor i nënës,

Fiket drita e diellit, e hënës,

E shpirti im në errësirë,

Stalaktit i ngrirë…

 

I ndjen baba këto drithërime,

Kjo zemra ime si gjethe në erë,

Në më ke të shtrenjtë,

Mbro të shenjtën time,

Ku vite më parë,

Aty më strehove,

Për të më sjellë në jetë….

 

UNIVERSE…

 

Në universin tim treten,

Ashtu si floku i borës mbi det,

Miliarda të tjerë universe,

Veç universi ynë nuk u tret…

 

Çdo gjë në bote është e gjallë,

Papandehur gjallësia shteron,

Dashuri, e pse je veç një fjalë,

Je universi… që veç frymon…

 

ZJARRMI E UJEZUAR

 

Si vallë s’u çmall vala me bregun?

Është keq kur uji përfshihet në flakë,

Zjarrmi e ujëzuar kalon edhe zhegun,

Vala tërbohet e kthehet në dallgë…

 

Sulet drejt bregut ti hidhet në qafë,

Magjia e tij e shndërron në shkumë,

Vala nga dallgë, kthehet stërkalë,

Stërkalat – lot malli… det i pagjume.

 

FEMRA SHQIPTARE…

 

Kush me dëshirë të fal liri?!

As nëna foshnjës, për perëndi!

Ndaj gjithsecila, me thonj të zhvatë,

Rrjetën e dhunës që ka përqark!

 

Sa kohë të ketë pushtet mashkullor,

Dyfish e shtypur do të jesh në jetë,

S’ke pse e quan veten të gjorë,

Por ngriu… lufto me dinjitet!

 

LUMI SHKUMBIN…

Shkumbin…

Rrjedhën ndoqa,

Mbi shkrepa… hone,

Bashkë me ty,

Përgjakur… sfilitur…

Shkrep me shkrep… kokën goditur…

Çfarë s’ndjeva… çfarë s’pashë,

Gjer në prehrin… e detit rashë…!

Si varke mbi valë u preha pak,

Por vala me valën u bënë bashkë,

Në dallgë,

Mbi dallgë,

Nën dallgë nuk rashë…!

 

FEMRA…

 

Është e brishtë…

Natyra kështu e krijoi,

Për të thyer ashpërsinë e burrit,

Por jo burrërinë…!

Fali pak burrëri,

Të veshë me brishtësi!

 

EJA…

 

I kam kënduar dashurisë me zë bilbili,

Edhe ku përjetësisht e dënuar me burg,

Më shfaqeshin peizazhe lulesh… tërfili,

Ndër pyje simfoni zogjsh… gurgullima çurg….

 

Nuk më lodhi kënga… s’ishte këngë vaji…

Dashurinë s’e pengojnë telat me gjemba,

Ajo vjen e hyn mistershëm tek ne, si ajri,

Është ajri që frymon dhe jeton zemra!

 

Eja, pra, të besoj, se vërtet është dashuri,

Më pas, le ta lidhin, ta burgosin për jetë,

Se prangat, dashuria, këput si magji…

Udhën për tek zemrat e merr si shigjetë!

 

NGJYRAT E JETËS…

 

Ngjyra gri, nuk më pëlqen, por dua,

Grinë e jetës, si të grindtë ta jetoj…

Dhe ngjyra e zezë, duhet pranuar,

Që të çelurat ngjyra të dallojmë…

 

E zeza, grija, bashkë me nuancat,

Zgjojnë brenda nesh shqetësim,

I falem shqetësimit… maten forcat,

Drejt të çelurat ngjyra të arrijmë…

 

Nëse e zeza, grija… nuancat krejt,

Nuk do të ishin pjesë e jetës sonë,

Të çelura ngjyra… nuk do të ketë,

As jeta… jetën, s’do ta gëzojë…

 

 

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: e ftuar, ne Sofren Poetike te Diellit, Zyba Hysen hysa

E FTUAR NË SOFRËN POETIKE TË DIELLIT, JULIA GJIKA

May 29, 2013 by dgreca

Ka aq shumë forma dashurie sa c’ka caste brenda një kohe./

                                                                                        Jane Austen/

…

Drita luan në kristalet mbi tavolinën e dhomës.

Reflektojnë kudo ngjyra ylberi.

Vallzon në hapësirën memece, casti i lumtur,

mes kohës me mjergull.

Dy diej të vegjël janë bebzat e syve që presin

Casti në një kohë të shkurtër

U sjell aq shumë forma të papërsëritura dy herë

në përjetësi për t’u dashur.

 ……

Nuk ishte përallë.

Ishte një mbrëmje dimri e rrallë.

Dëbora binte e paqtë, e shtruar,

me hapin e lehte te një vajze 

që e admiron cdo sy djaloshi.

Zhurmat e qytetit larg, shumë larg iknin.

qetësia ulej në këmbët tona, si një dre i dorëzuar para gjahtarit.

Ne ishim të ftuar në një darkë bujare

Sic bëhen darkat në anët tona.

Shijuam ushqim të pazakontë, muzikën

Dhe zërin që mbante ritmin

e rënies së fjollave të borës mbi catinë e qytetit të vogël.

Frymet tona ngrohën castin.

Koha na doli e teproi për të shkrirë akullin e mallit. 

 …

Mos e shiko qimen në të verdhën e vezës

Mos u bej rob i plackës së vdekur

Mos shaj të tjerët

Që t’i ngresh vehtes vlerën

Mos folë shumë

gjuha pjell nëpërka

Për të ngrënë më parë gjuhën tënde.

Mos  imito tjetrin

Por ji vetvehtja

Vetëm kështu

Do të kuptohemi

Dhe njeri tjetrin do të dëgjojmë

Sic dëgjojmë muzikën e liqenit të qetë.

kështu monologojmë me dashurinë që s’vdes.

 …

 Ata që s’më deshën

Ishin pak

Por aktiviteti i tyre ishte sa për një ushtri.

I ndjeja me hundë që larg

S’kish nevojë t’i gjeja me sy.

 

I njoha nga hapi

Kur gati ishin të thyenin qafën

Për të më penguar në udhëtimin tim.

Kur vërshonin lumenjtë e hallit

Me sytë e mendjes, si  fërkonin barkun, i shihja.

Nën ajrin e përgjumur të ditëve te nemitura

hapat që hodha  prekën caste lumturie

pa harruar dhimbjet e rrugës nga u nisa

I kujtoj tani.

 

 Ditë që fluturojnë si zogjtë e trembur

ngjarje të frikshme  po ndodhin mbi glob

zhduken qytete dhe vdekja masive

rrëmben frymë te pafajshme kudo.

Jeta rëshket me tmer e dhimbje

Me zor ta mbash, nuk i del  njeri për zot

Shtrengojmë në duar frenat e  ngrëna të saj

Por s’të bindet, përpjekja jonë është kot.

Tani vdekja  ngreh pritë jetës kudo

Në rrugë, në kishë, në festë

Pa e bërë fjalën dysh me të

zor të gjesh vend, i shpëtuar të jesh.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Julia Gjika, ne sofren e Diellit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 131
  • 132
  • 133
  • 134
  • 135
  • …
  • 139
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHKOLLA SHQIPE “VATRA” TE VATRA TAMPA BAY FLORIDA
  • AFC, Mirela Nurce and Lushnja Hospital – Where Fashion Meets Compassion
  • Shpëtim Tim Qorraj kandidat për në Parlamentin e Nju Jorkut
  • “Children of the Eagle” tani edhe në Queens!
  • Sukses i madh për vitin akademik 2026–2027 në Staten Island, Brooklyn dhe Bronx
  • DÜSSELDORFI NË ZË TË PROTESTËS: “JO NË EMRIN TIM”
  • Gjykata Speciale kriminalizoi veten duke u përpjekur të kriminalizojë UÇK-në
  • PËRTEJ ATLANTIKUT, PËR LIRINË E KOSOVËS
  • PJETËR MESHKALLA, NJË JETË QË NUK U PËRKUL
  • Kursi i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare “Sevasti Qiriazi” në Katerini, gjuhë dhe identitet kombëtar te shqiptarët në Greqi
  • Kristo Dako, një jetë në shërbim të kombit (1876–1941)
  • Shqipëria në faqet e historisë: Kryengritja e vitit 1911 në pasqyrën e “The New York Times”
  • AMERIKA DHE SHQIPTARËT – NJË MIQËSI QË NUK NJEH KOHË
  • “Historia e operas Rozafa”
  • UÇK dhe trashëgimia institucionale

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT