
Përmes njohurive të thelluara në gjuhën frënge, ka arritur të përkthejë shkrimtarin shqiptar të përbotshëm, Ismail Kadarenë, ndërsa nëpërmjet të vetmes gjuhë universale, muzikës, ka depërtuar në filigranë ndjenjat njerëzore. Ky është profili lakonik i violinistit virtuoz Tedi Papavrami, lindur në Tiranë #SiSot më 13 maj 1971.
Dyshues ndaj fatit, pasi është i mendimit se talentit i nevojitet disiplinë dhe punë e palodhur, ishte megjithatë i destinuar ndaj violinës qyshse fëmijë, si i biri i instrumentistit Robert Papavrami. Në moshën 8-vjeçare interpretoi me Orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe tre vjet më vonë, në koncertin e parë për violinë të Paganini-t.
Nxënësit të talentuar të shkollës “Jordan Misja”, të kthyer në një imazh të suksesit kulturor të regjimit të kohës, iu akordua një bursë studimi pranë konservatorit të Parisit. Prej kryeqendrës europiane të kulturës, mjeshtri Papavrami do të niste një rrugëtim artistik drejt skenave të Europës, të Azisë dhe të Amerikës. Violinisti me famë botërore është profesor në Universitetin e Gjenevës dhe njihet për publikun artdashës edhe si autor i librit ”Fugë për violinë”. Së fundmi, i është dorëzuar dekorata “Ylli i Oficerit të Urdhrit Suprem të Shqiponjës”.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave