
Saimir Kadiu/
Duke ndjekur parmbrëmë live në TOB koncertin e Tedi Papavramit…dhe një histori nga koha e studimeve në SHBA…
Gati tridhjetë vjet më parë, ndërsa studjoja në New York University, fati më dha mundësinë të takoj njerëz nga profesione të ndryshme, disa prej të cilëve kishin ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e këtij metropoli.
New Yorku nuk eshte thjesht një qytet ku jetohet, por një univers i gjallë, një orkestër e madhe ku çdo rrugë, çdo teatër, çdo sallë koncertesh luan rolin e vet. New Yorku eshte një simfoni e gjallë e kulturës dhe ambicies njerëzore. Broadway dhe Lincoln Center jane tempuj të artit që e bëjne qytetin të pulsoje me energji të pashtershme.
Kuptohet që koha ime si student nuk më linte hapësirë për një “dashuri” të plotë ndaj artit dhe kinemasë, por unë përpiqesha të thithja çdo informacion kulturor që qarkullonte në ajrin e qytetit më të rëndësishëm të botës. Çdo ekspozitë, çdo premierë, çdo koncert ishte një fije e re në tapetin e madhështisë së New Yorkut.
Nje dite nje profesor i imi me foli me superlative per nje violinist te ri nga Ballkani qe kishte filluar te studjonte nen drejtimin e Dorothy DeLay dhe Itzhak Perlman ne Juilliard School, nje nga shkollat me te famshme elitare te botes per muziken, kercimin dhe dramaturgjine qe ka formuar breza të tërë artistësh fitues te çmimeve Grammy, Tony, Emmy dhe Oscar.
Juilliard School konsiderohet maja e formimit artistik në SHBA dhe botë, një simbol i traditës, inovacionit dhe prestigjit në artet skenike.
Motra e tij ishte profesoreshe e historise se artit ne kete shkolle.
Talenti nga Ballkani quhej Stefan Milenkoviç, ishte nje 20 vjecar serb nga i jati (Zoran Milenkoviç, violinist) dhe me rrenje italiane nga e ëma (Lidija Kajnaco, pianiste). Kishte lindur ne Beograd me 25 janar 1977.
Kisha degjuar per kete talent te madh qe vinte nga ish Jugosllavia. Vendi i tij kishte bere te pamunduren per krijimin e mundesive per ta impostuar ne nivelin me te larte boteror te violines.
Milenkovic kishte performuar që femije perpara Reaganit (1987), Gorbaçovit (1988) dhe Papa Vojtiles (1991) ne koncerte qe kishin patur jehone boterore.
Në moshën 16 vjeç kishte dhënë koncertin e tij të 1000-të në Monterrey, Meksikë – një rekord i jashtëzakonshëm për një adoleshent.
Te nesermen per ti bere “sfide” profesorit tim si “ballkanas” qe isha, i dhurova nje CD te sapo dale te muzikes se Prokofiev, interpretuar nga violinisti yne i talentuar Tedi Papavrami… (Prokofiev, Tedi Papavrami, Polish National Radio Symphony Orchestra, Antoni Wit – Violin Concertos Nos. 1 And 2 Sonata For Solo Violin).
Profesori im nuk e kuptoi qellimin e dhurates.
Me falenderoi te nesermen. E kishte pelqyer shume, por e mendoi Papavramin si francez (ne CD ku jepej informacion per pjeset e luajtura te Prokofiev, Papavrami permendej si violinist francez).
“Edhe ne shqiptaret e kemi Milenkoviç-in tone”- i thashe…
I tregova historine e tij, dergimin ne France ne kohen e Enver Hoxhes, arratisjen me prinderit e tij si dhe tragjedine e pjeses se mbetur te familjes ne Shqiperi… ku i internuan gjyshin 80 vjecar (nje mjek i njohur ne Shqiperi)…dhe i shemben edhe shtepine ku kishte lindur…
Por Shqiperine nuk ia shkulen dot nga zemra…
Qasja e dy regjimeve ne Tirane dhe Beograd (megjithe diferencat qe egzistonin midis tyre) ne ate kohera ishte e njejte… promovimi i talenteve te tilla per ti perdorur më pas ne sherbim te sistemit.
Tedi filloi “bashkejetesen” me violinen qysh ne moshem 4 vjecare. Talenti i tij u be i njohur ne Shqiperi shume shpejt. Në moshën 8 vjeç interpretoi Sarasate me Orkestrën Filarmonike të Tiranës.Në moshën 11 vjeç luajti Koncertin e parë të Paganinit, duke u konsideruar një talent i jashtëzakonshëm.
Në shtator 1982, kur ai ishte vetem 11 vjeç, falë flautistit Alain Marion, qeveria franceze i ofron një bursë studimi në Francë ku studion pranë Conservatoire National Superieur de Musique në Paris, nën drejtimin e Pierre Amoyal (1949 -), nje prej violinisteve me te medhenj te gjenerates se tij.
Në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, në 1986 fiton me unanimitet “Çmimin e parë të Konservatorit të Parisit, në vitin 1987 merr diplomën e Konservatorit të Losanës.
Më pas ndjek studimet muzikore nën drejtimin e violinistit te shquar francez Zino Francescati (1902-1991) dhe talentit te madh te Konservatorit Çaikovski te Moskes Viktori Mullova (1959 -).
Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe në 1993 fitoi çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate “ në Pamplona.
Për profesorin tim, ajo që dëgjoi nga unë, për talentin, arritjet dhe per dramën familjare të një gjeniu të tillë si Tedi Papavrami, ishte e pabesueshme.
Ai psherëtiu dhe tha vetëm një fjalë… “Why?” (“Përse?”).
Një pyetje që mbetet pezull, si një notë e gjatë në ajër, që nuk gjen kurre nje përgjigje të plotë.
Sot perjetuam nje koncert fantastik te Tedit… me një program me “24 Kapriçot e Paganinit”, një nga veprat më të famshme dhe më të vështira të repertorit violinistik (Niccolò Paganini – 24 Kapriçot për violinë solo (Op. 1)).
Vepra konsiderohet si “Everesti” i violinistëve për shkak të vështirësisë teknike dhe shprehjes dramatike.
Kapriçot e Paganinit janë të rralla të interpretohen si cikël i plotë në një mbrëmje të vetme, gjë që e bën këtë ngjarje një kulm të sezonit kulturor ne TOB.
Kapriçot janë “24 maska” të Paganinit, ku ai shfaq fytyra të ndryshme të shpirtit njerëzor: lozonjare, të dhimbshme, të guximshme, të përhumbura. Ato nuk janë thjesht ushtrime teknike, por poema muzikore që e bëjnë violinën të flasë me gjuhën e pafundësisë.
Interpretimi i plotë live i 24 Kapricove është një sfidë e jashtëzakonshme, ndaj vetëm disa violinistë e kanë marrë përsipër. Më të dokumentuarit janë: Nikolay Madoyan, Soovin Kim, Heorhii Sokolov, Shlomo Mintz, Alexander Markov, Ilya Grubert, Nicolas Koeckert.
Edhe pse u largua si fëmijë nga Shqipëria, ai kurrë nuk e shkëputi lidhjen shpirtërore me vendin e tij. Në çdo tingull të violinës së tij, në çdo kapriço të Paganinit, dëgjohet një fije e hollë që e lidh me rrënjët shqiptare.
Por Tedi nuk është vetëm violinist. Ai është bërë një “Jusuf Vrioni” i ri, duke i dhënë frëngjishtes zërin e Ismail Kadaresë. Deri më sot ka përkthyer 12 vepra të gjeniut tonë të letrave, duke e bërë Kadarenë të flasë me një elegancë të re në gjuhën e Voltaire-it. Ky është një akt i rrallë intelektual, që e vendos Papavramin jo vetëm në piedestalin e muzikës, por edhe në atë të kulturës së përbotshme.
Nuk është e lehtë të gjesh një violinist tjetër që guxon të hyjë në aventurën e përkthimit. Nuk besoj që një talent serb si Milenkoviç të ketë marrë përsipër të sjellë në frëngjisht apo anglisht veprën e Ivo Andriçit apo Danilo Kišit. Ky është një dallim i madh: Tedi është jo vetëm virtuoz, por edhe intelektual i plotë, një ambasador i kulturës shqiptare.
Prandaj duhet të jemi krenarë për Tedi Papavramin – violinistin që ngjitet në skenat më të mëdha të botës dhe intelektualin që nderon Shqipërinë me çdo faqe të përkthyer e çdo notë të luajtur. Ai është një shembull i gjallë se si arti dhe mendimi bashkohen për të krijuar një figurë të klasit të lartë, që i jep vendit tonë një zë të fuqishëm në kulturën botërore.
Tedi Papavrami është një poet i violinës, ku çdo tingull i tij është i ngarkuar me intensitet emocional dhe teknikë të përsosur.
Ai e shndërron violinën në një zë dramatik, që lëviz mes pasionit dhe meditimit. Interpretimet e tij të Paganinit janë të njohura për virtuozitetin ekstrem, ndërsa ato të Prokofievit dhe Ysaÿe për thellësinë shpirtërore.
Në artin e tij, muzika është një rrëfim i jetës, ku përzihen kujtimet e fëmijërisë në Shqipëri, përvoja e emigrimit dhe universi kulturor francez. Papavrami mbetet një figurë që ndërthur traditën klasike shqiptare me modernitetin evropian, duke u bërë një ambasador i kulturës shqiptare në botë.
Papavrami padyshim eshte një violinist i nivelit të lartë ndërkombëtar dhe shpesh përmendet krahas emrave si Joshua Bell, Maxim Vengerov, Leonidas Kavakos, Nemanja Radulović, James Ehnes apo violinistët rusë si Gidon Kremer dhe Shlomo Mintz. Ai ka një profil unik që e dallon nga bashkëkohësit e tij.
Papavrami është virtuoz, i aftë të interpretojë repertor të vështirë si 24 Kapriçot e Paganinit me një intensitet dramatik. Në këtë aspekt, ai afrohet shumë me Vengerov dhe Kavakos.
Ndryshe nga Bell (i ngrohtë dhe komunikativ) apo Radulović (ekstravagant dhe teatral), Papavrami është më introspektiv dhe filozofik, duke e bërë violinën një mjet meditimi.
Ai ka regjistruar Prokofiev, Ysaÿe, Franck, Paganini – repertor që kërkon jo vetëm teknikë, por edhe thellësi shpirtërore. Kjo e vendos pranë violinistëve si Kremer dhe Tetzlaff, që njihen për qasje intelektuale.
Papavrami është i veçantë sepse ka dhënë kontribut edhe si përkthyes i Kadaresë në frëngjisht, duke e bërë profilin e tij më të gjerë se thjesht muzikor. Ky element nuk gjendet tek violinistët e tjerë të gjeneratës së tij.
Sot me 13 maj, ylli ynë i violinës feston ditën e lindjes…
Ai ka zgjedhur që këtë moment ta shënojë me një koncert në Shqipëri – një gjest i thellë kuptimplotë që dëshmon se rrënjët e tij mbeten të pandara nga atdheu.
Në tingujt e violinës së tij, publiku shqiptar nuk dëgjon vetëm virtuozitetin e një artisti të madh, por edhe mallin, dashurinë dhe respektin për vendin ku ai u formua.
Ky koncert është më shumë se një ngjarje muzikore: është një rikthim shpirtëror, një urë mes skenës botërore dhe kujtesës kombëtare.
Papavrami, me violinën e tij, na kujton se arti nuk njeh kufij, por gjithmonë mban gjallë lidhjen me origjinën.