Nën tingujt e himnit amerikan dhe atij shqiptar, Kryeministri Berisha dhe ambasadori i SHBA në Tiranë Arvizu, zbuluan dje shtatoren e Presidentit Thomas Woodrow Wilson, e cila do të qëndrojë në sheshin “Wilson” në kryeqytet. Kjo shtatore u realizuar nga arkitekti Gentian Tabaku në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit. Qeveria shqiptare ka nderuar me vendosjen e shtatores Presidentin e shquar dhe mikun e popullit shqiptar, i cili pati një rol thelbësor në pavarësinë e Shqipërisë. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, ministri i TKRS, Aldo Bumçi dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë, ambasadorë të akredituar në vendin tonë, si dhe shumë qytetarë. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh se për Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, për Shqipërinë, por dhe kombin shqiptar në trojet e tij dhe kudo që ndodhen sot, kjo është një ditë shumë e shënuar, pasi inaugurohet shtatorja e Presidentit Woodrow Wilson, Presidentit shpëtimtar të Shqipërisë së pavarur, burrit të madh, të cilin Fan Noli, do ta quante “një lis të madh, në të cilin kombet e vogla kanë ndërtuar foletë e lirisë”. Kryeministri tha se me vendosjen e kësaj shtatoreje, nderohet ëndrra e të gjithë atyre burrave, grave dhe asaj gjenerate, të cilët në një moment kritik për veprën e tyre, pavarësinë e vendit, gjetën një mbështetje shpëtimtare nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson. “Ne nderojmë ëndrrën e të gjithë atyre burrave, grave, asaj gjenerate, që në një moment kritik për veprën e tyre, pavarësinë e vendit, gjetën një mbështetje shpëtimtare nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson. Që nga ajo kohë dhe në dekada, kjo shtatore që kemi sot këtu kaq e bukur, ka qenë e gdhendur në zemrat e mijëra e mijëra, miliona shqiptarëve, në kujtesën e tyre, në mirënjohjen e tyre. Ndaj dhe në një aspekt, ne po realizojmë një detyrim madhor, ndaj të gjithë shqiptarëve atdhetarë dhe patriotë. Shqiptarët kanë një histori që i shëmbëllen një kalvari. Për shekuj pas Skënderbeut, ata ishin një komb pothuaj jetim. Në tërësi historia ka qenë një njerkë jo e dashur për ta, por dhe shekullin e kaluar përjetuam drama e copëtime, diktatura, të cilat kanë qenë të egra për kombin shqiptar. Gjatë gjithë atij shekulli, në momente më kritike të kombit, ata kanë patur fatin e madh, bekimin e Zotit, të kenë mbështetjen përcaktuese të presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të qeverisë amerikane dhe kombit amerikan”, tha Kryeministri Berisha. Duke nënvizuar mbështetjen përcaktuese të presidentëve të SHBA-ve, të qeverisë amerikane dhe kombit amerikan që kombi shqiptar ka patur në momentet më kritike të tij, Kryeministri u shpreh se kjo pasuri e madhe në historinë e Shqipërisë, është një përgjegjësi e madhe për shqiptarët dhe se, mënyra më e sigurtë, më e mirë për të shprehur mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara dhe rolit të tyre të jashtëzakonshme në historinë e lirisë së shqiptarëve është të ndërtojmë dhe konsolidojmë ato vlera të mëdha, të cilat kanë bërë vendin tuaj vendin më të madh të lirisë mbi tokë, vendin lider të qytetërimit të sotëm perëndimor dhe të njerëzve të lirë kudo në botë.
Arvizu: SHBA, gjithmonë përkrah shqiptarëve
Në fjalën e tij në ceremoninë e përurimit të shtatores, ambasadori Arvizu falënderoi shqiptarët për ruajtjen e kujtimit të ish-Presidentit Wilson dhe më pas citoi një pjesë nga fjalimi i tij i mbajtur në 1918 përpara Kongresit amerikan, fjalim që thuhet se përcaktoi formën e bashkësisë ndërkombëtare të së ardhmes. “Në mënyrë që bota të bëhet e përshtatshme dhe e sigurtë për të jetuar në të, veçanërisht që të bëhet e sigurtë për çdo komb paqedashës sikurse i yni që dëshiron të jetojë jetën e tij, të vendosë institucionet e tij, të sigurohet për drejtësi dhe të trajtohet me drejtësi prej popujve të tjerë të botës, sikundër çdo agresioni të dhunshëm dhe egoistë të gjithë popujt e botës janë në fakt partnerë të këtij interesi, përsa na takon ne e shohim shumë të qartë se përsa kohë në botë nuk ka drejtësi për të tjerët, ajo nuk do të bëhet as për ne, prandaj programi i paqes botërore është edhe programi ynë”, tha ambasadori Arvizu. Ai përfundoi fjalimin, duke ritheksuar fjalët e Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton gjatë vizitës së saj në Tiranë, se SHBA ka qenë me shqiptarët përgjatë 100 viteve dhe do të jenë edhe në 100 vitet e ardhshme e përtej tyre.
Woodrow Wilson, reformator imadh i politikës dhe diplomacisë botërore
“Ne nderojmë Presidentin Woodrow Wilson, këtë reformator të madh të politikës dhe diplomacisë botërore. Pas një shekulli që Fuqitë e Mëdha kishin trajtuar vendet dhe kombet e vogla në përputhje me ambiciet e tyre kolonialiste dhe të tjera, ky burrë i madh i kombit tuaj, shpalli në vitin 1918 platformën e reformimit të politikës dhe diplomacisë botërore, të vendosjes së saj mbi baza të reja morale, mbi bazën e të drejtës së kombeve për vetëvendosje, të drejtës së tyre për të jetuar në paqe dhe stabilitet. Kjo platformë pati një rëndësi të jashtëzakonshme për popujt në mbarë botën, por një rëndësi jetike vendimtare për shqiptarët, të cilët ishin parashikuar të shuheshin tërësisht nga harta politike e Europës. Kjo platformë bëri të mundur, që shqiptarët të jetësojnë pavarësinë e tyre dhe bëri të mundur, që ata sot, të jenë aleatët tuaj në Aleancën më të madhe të lirisë së kohërave, Aleancën e Atlantikut të Veriut”, tha Berisha. Ai shtoi se shqiptarët do të jenë mirënjohës përjetë për ndihmën e madhe që qeveria amerikane dhe aleanca antifashiste, ju dha atyre në luftën çlirimtare në koalicion me ta. “Ju mbetemi mirënjohës Presidentit George Bush dhe Presidentit Bill Clinton, për vijën e kuqe që i vendosën diktatorit të Beogradit, lidhur me Kosovën. Mbetem përjetë mirënjohjes Presidentit Bill Clinton, që udhëhoqi me vendosmërinë më të madhe Aleancën e Atlantikut të Veriut në çlirimin e Kosovës në një nga momentet me kritike të historisë se ekzistencës së kombit shqiptar, kur regjimi barbar i Beogradit synonte shfarosjen e shqiptarëve. Mbështetja dhe ndihma e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti George W. Bush dhe Presidentit Obama, kanë qenë përcaktuese për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, tha Kryeministri Berisha.